2017-05-21

Nga Përparim Hysi : "Halli" i xha Trushit ( Tregim )

Fotografia e Perparim Hysi
E kam njohur prej kohësh xha Trushin. Unë mësues në atë fshat të largët (epo më tej nuk kishe se ku shkoje veç drejt e në det) dhe ai,denbabaden aty. Unë djalth që sa kisha vënë brisk mbi faqe dhe ai, xha Trushi, kish hyrë në moshën e tretë. Tek më shihte me atë syrin e një vrojtuesi me përvojë, nuk ma kurseu "bodecin". Dhe nuk qe bodec ashtu sa të çikte paksa, por nga ata "bodecat qesh e ngjesh" që i kishte mu sipër gjuhës.

-Digjo, dhaskal,- shpoi ai.- ma ke "njacur dorën" ashtu kollonekthi.

Unë po bëhesha gati si t'i vija anës kësaj të folmes vendçe, por ai, si burrë i zgjuar, më erdhi në ndihmë. Kur them e ke"njacur dorën", ta kamte fjalën, për ato faqet e njoma që i pret, para kohe, me brisk. Aha,- gajasi,- e di si themi ne nga kjo nahija jonë? Dhe, papritur përgjigjen time, tha:- Kush nxiton, lodhet shpejt. E, që ta paçë fjalën, ke nxituar, dhaskal.

Nuk korret misri i njomë. Se shkon dëm.

Fliste, buzën e çonte vesh më vesh dhe as të linte kohë që të thoshe qoftë dhe një fjalë. Kur mbaronte, thoshte:- Ore, dhaskal, se mos më zemërohesh muana, se jam në moshën e murtatit una.

Më përqafonte dhe të dukej sikur të falte gjithë qashtrinë e një shpirti të bardhë e të bukur.

Mbasi ikte, unë zija dhe analizoja çdo fjalë të tij: qoftë ato me"rrotulla", por dhe ato që nuk donin shumë mend për t'i marrë vesh. Pra, me atë"nuk korret misri i njomë", e kish fjalën që unë, për t'u dukur pak më i madh se ç'isha, kisha vënë brisk mbi faqe.

E vërteta kështu qe. NGaqë kisha hyrë dy-vjet parakohe në shkollë, ndodhi që,sa plotësova 16-vjeç, u emërova mësues në 7-vjeçare në fshatin e xha Trushit.

Xha Trushi as nuk kishte pse pyeste për moshën time, se unë qeshë për të si një fshat që duket dhe nuk kish nevojë për kallauz. Këtë portret timin si"misër të njomë" e shihnin dhe të tjerët, por s'kishin atë"huqin" e xha Trushit.

Këtë huq, xha Trushi ia njihte vetes, por jo vetëm ishte i ndërgjegjshëm, po gati e brohoriste atë. Thoshte: - Aha, nëse kjo "radakja ime" mendon kështuna, e them troç mu në mejdan una, se ndryshe nuk më zë gjumi rehat. Dhe vazhdonte:- E them dhe,ç'nxjerr nga kjo gojë,e paguan kjo "bojë". Me bojë, xha Trushi, e ka fjalën ky"trup". Sa për moshë të"murtatit", e kish fjalën si moshë e tretë (e vdekjes).


* * *

Pak nga pak, u bëmë miq me xha Trushin. E kishte shtëpinë mu buzë "Lumit të vdekur" dhe, tek e shihja ashtu me atë veshjen karakteristike myzeqare dhe me"nojmat" që i kishte në majë të gjuhës, mendoja se i ndjeri JAKOV XOXA, kur shkroi atë roman epope, patjetër ka takuar me një "sozi" a të ngjashëm të xha Trushit, siodomos për atë të folme alla-myzeqarshe.

Xha Trushi sa shpotitës dhe gazmor që qe,aq dhe bujar. Atëherë, kur njoha xha Trushin, vërtet qe ngritur kooperativa, por,ende, kishin nga tri dynym, ndonjë lopë dhe për shpëndët shtëpiake as që lakoheshin kund.

Më pa një mbasdite që nxitoja sikur më ndiqte dikush me shkop. Hapi lesën( një farë deriçke në Myzeqe) dhe më preu rrugën duke qeshur: - Ore, po ç'hasëm po të ndjekë që ma ke marrë "likthi" (me nxitim)?.

-Epo e kam goxha larg (qeshë 25 km larg shtëpisë) dhe dua të mbrrijë pa hyrë dielli,- zura të mbrohesha unë.

-Po ti, mos ma bëj si ai që tregojnë? Kësajat i thonë:- Hajde, o baba, që të tregojë arat! Pse nuk e di unë se ku rri tija?

Po ktheu tek xhixhaj, njome buzën me ndonjë sapllake dhallë që të mbushesh me forca. Aq sa do rrish, fitoje me"vrap". Dhe, papritur miratimin tim, më zuri prej dore dhe në futi brenda "lesës".

- Digjo,- bërtiti (kjo britmë qe për të shoqen),- ka ardhur dhaskali dhe ka rrugë për të bërë. Mbushe atë sapllaken dhe, sa ta gjerbi qy, më zërë një bibë se do ja nap me vete. Se vërtet dhe qy-ja në fshat rron, por është në pallat, se është në fshat- kasaba, qyja.

Dhe shpotiti:-Fshat- kasaba; kasballi fukara!

Unë e urova xha Trushin dhe, kur e shoqja, Vara, më solli "peshqeshin" kaq të rëndë, zura ta kundërshtoja, pak me politesë, po ku mbahej dhe ku ia dilje dot me shpoti xha Trushit.

- Me demek,- shpotiti ai,- ti mbete po "misër i njomë". Ore ke digjuar ti se si thonë:- Po të ndjekin, ik. Po të dhanë, merr. Mos më vërvit pleshta, muana?!

Epo ku mundej ai me fjalë. E mora peshqeshin dhe, tek nxitoja rrugës, mendoja se sa shpritbardhë janë këta njerëzit e fshatit se, sado krahasuar me qytetin, heqin mundime më shumë. Ata kurrë nuk duan që të mbeten "borxhëli", por, sikur kanë një kënaqësi të veçantë,nëse e kanë shlyer një detyrim moral që kanë mbi supe. I tillë ishte dhe xha Trushi.

Unë, pas trivjetësh punë, u largova nga fshati i xha Trushit, por miqësinë e tij dhe shumë
bashkëfshatarëve të atjeshëm nuk e harrova asnjëherë dhe e ruaj dhe sot e kësaj dite.

* * *
Kisha vjete pa e parë. Kur si bekim qiellor, m'u dha para sysh. Unë e njoha menjëherë dhe, sa e pashë, bërtita:

-Po ku të kam, o xha Trushi? Ky afrohej duke çapitur ngadalë dhe, kur ndjeu duarët e mia mbi qafë,e zbrazi:-Nga sytë nuk para shoh, po nga kjo"çaçka" sikur jam birinxhi.

Je ti"misri njomë" i qëmotit apo e kam kabim una? Unë, vet dora, thashë me nxitim. Ho-ho.- ngau me bodecin e tij,- i paske hedhur mullës si shumë se, nga "misër i njomë" më je kthyer si një"lopë barsë". Epo, domosdo, se je rritur fukara tina si në kasaba. Tani ke rënë në"çaire pa korrur" dhe ha e hidh e duaj mos lidh. Jo, po, ku pushonte me shpotitë ai.
U ulëm në klub dhe, pasi u ramë muhabeteve dy hunj e një purtekë,e zbrazi "hallin" e tij. Jam në hall,- më tha,- dhe dua ta ndajë me tyja. Ia kisha taksur Varës una, por më dole në rrugë dhe po e shkarkoj gomaren tek tyja. E prita me shumë kërshëri "hallin" e mikut dhe mendoja: ah, sikur të kem mundësi që t'ia përgjysmoj apo t'ia heqë hallin që ka mbi supe.
Po hë,- i thashë,- ç'hall të ka gjetur?
* * *
Më tha ajo, imja(gruaja) muana. -Kemi një dy muaj që nuk kemi haber nga çupat. Pa hidhu një vrap se fundmaji është, ne, po këtoçika punëz, si në terezi i kemi. Çapu se të gjallë janë dhe ata dhe mund të kenë dhe ndonjë hall.

E,ç'ta njac? Vesha ato rrobat që mbaj në sëndyq dhe këmbët e lehta e faqebardhë tek çupa e madhe.Berihaj çupa nga malli, nga nipojt e mbesat (ka gjashtë,shqyr zotit) dhe, tek u shtruam muhabetin pas drekës, i them dhëndërrit:- Ore, po si i kini punët me ekonominë? Se ekonomia është jeta.

-Opo lëre mos e nga,- mallkoi ai. Nëse nuk bie shi këto dy-tri ditë, është më mirë të vras veten se kam derdhur njëmilion lekë për frasulen dhe bostan dhe mbetën, u thanë atje në arë. Domethënë, një në dorë. Më mbeti e ngrëna mu në fyt. Ika i mërzitur nga qy , i madhi, dhe, sa çapa hidhja për të shkuar tek çupa tjetër, i lutesha Zotit që të lëshonte shi sa për bostanin e frasulen, por dhe për dhëndërrin që do bënte hatanë: do vriste veten?!!!

Aty nga darka sosa në shtëpinë e çupës së vogël. Kjo katër fëmijë ka. Si me porosi: dy djem e dy goca. Të mbarë fëmijët, por dhe cuca me gjithë dhëndër.

Më vret Zoti të ankohem. E, që thuaj tina, edhe këtuna gostia, gosti si punë e asaj thënies nga ana juaj (xha Trushi e di që jam bektashi) që thotë:" Qejf, or qejf, që bën Dervishi,pi raki, ha tule mishi".

Mirëpo kjo ngrënia ime qe si puna e asaj qemanes së Nastradinit që avazin e kishte më mbrapa. Tek rrinim, pas darke me dhëndërrin (epo gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi), e pyeta:- Si dukeni me këto punërat e bujqësisë?

Oi,- zuri të qahej ai,- nëse bie shi, unë do vete të varem mu aty tek kumbulla në oborr. Kam korrur të gjithë jonxhën dhe, nëse kalbet ajo nga shiu, unë mbeta fukara:me gjisht në gojë.

Të thotë tjetri hallin dhe zëre se të vë samarin mbi kurriz. Shkurt muhabeti, mbeti xha Trushi, tërë natën zgjuar dhe i lutesha Zotit që të mbante dorën dhe mos lëshonte pikëshiu se m'i prishej jonxha e korrur dhëndrrit të vogël.

Kur u zgjova,u bëra fresk dhe i dhashë karar: bie nuk bie shi, një "xhenaze" e kam(kështu vendosa t'i them asaj, simes, una).

Por,Zoti është i madh:lart është e poshtë shikon, të takova ty; e shkarkova hallin se, që t'i vëmë kokë muhabetit,e di si e kemi ne, në fshat: nuk na gjendet karari.

 As në dimër dhe as në behar. Si zogj inkubatori. Se ka dy lloj zogjësh,- vazhdonte xha Trushi,- zogj me koçkë dhe zogje

inkubatori. Këtyre me koçkë, u hedh një dorë dhe i merr koçka me vete për kullotë. Ata të inkubatorit janë keq.Ciu-ciu! Ciu-ciu dhe nuk luajn nga pragu. Kështu dhe ne:ciu-ciu. Si dhëndurrët e mi... Dhe prapë qeshi. Epo fabrikë pa çati, hesapi.

 Tani, si u "çlirova" nga ky hall i xha Trushit, e përqafova edhe më ngrohtë dhe tërë rrugës,deri sa poe përcjell këtë hall mbi ju, shpotia e tij më rri mbi buzë. Qofsh, i gëzuar,Xha TRUSHI!

O babaxhan si gjithë njerëzit nga MYZEQEJA!

Tiranë, 21 maj 2017

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...