Fëmijët shqiptarë të mbetur në kampin Al-Hawl në Siri po rrëmbehen nga çadrat. Për rikthimin e tyre autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë iniciativë konkrete, ndërsa situatën alarmante e shprehin vetë nënat në kamp nëpërmjet 3 letrave të dërguara në redaksinë e A2. Fëmijët e moshave 11 vjeç e sipër po rrëmbehen nga brendësia e kampit nga ushtarët kurdë, ndërsa askush nuk ka informacion se përse po ndodh diçka e tillë apo dhe ku dërgohen.
“Juli, ju e patë gjendjen tonë në kampion Al Hawl. Ne nuk folëm sepse ti ishe me shoqërues. Nuk jemi të lira të flasim për të vërtetën që është këtu. Ne kemi pritur dita-ditës se po bëni diçka për ne. I kemi kërkuar ndihmë shtetit shqiptar, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne kërkojmë ndihmë nga ju, nga çdo shqiptar që ka familje dhe fëmijë. Fëmijët tanë nga 11 vjeç e sipër, djem dhe vajza, po i marrin, nuk e dimë se ku i çojnë. Nuk kemi asnjë lajm për ata. Prandaj, mendoni për ne ashtu si për familjen dhe fëmijët tuaj. Bëni diçka për të na ndihmuar. Ne presim një përgjigje të saktë. Kemi që kur ti ke ikur, që rrimë me çantat gati, me shpresë se po na merrni. Fëmijët shqiptarë thonë, kur po vjen ai gazetari shqiptar që të na marrë. Duam një përgjigje nga shteti shqiptar”
7 familje, kryesisht nënat dhe fëmijët e tyre, prej 1 viti e gjysmë ndodhen në kampin Al-Haël në veri të Sirisë. Burgu prej 80 mijë personash kontrollohet nga forcat kurde. Sipas autoriteteve të kampit, e vetmja mënyrë për të tërhequr nënat dhe fëmijët është vendosja e kontakteve zyrtare nga pala shqiptare me administratën e kampit./A2 CNN