Kolonel Dilaver Rezo Goxhaj është ushtarak shqiptar. Lindi në vitin 1948 në Gjirokastër. Në vitin 1962 fillon studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Kryen më pas shkollën e lartë dhe në vitin 1969 titullohet oficer komandues i Artilerisë Kundërajrore për specialist i Raketave të Drejtuara Kundërajrore. Emërohet kryeteknik i Stacionit Eksperimental i Lëvizshëm për autopilotin e raketës. Në vitin 1972 emërohet shef shtabi i Grupit Teknik të Raketave në Pezë Helmës, Tiranë. Në vitin 1975 transferohet dhe emërohet shef shtabi i grupit të zjarrit RDK përsëri në Krujë. Në vitin 1979 shpallet oficeri më i dalluar në ushtri dhe dekorohet. Në vitin 1981 emërohet komandant i grupit të zjarrit RDKA në Maminas dhe gjatë kontrollit vjetor të ministrit për ushtrinë, zë vendin e parë dhe shpërblehet, duke e dërguar për studime në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm. Pasi përfundon studimet akademike, në vitin 1984, emërohet përsëri komandant i grupit të zjarrit RDKA në Petrelë dhe pas një viti e kërkon dhe e tërheq Akademia Ushtarake për pedagog taktike të MKA. Pasi kryen provimet pasuniversitare emërohet shef i katedrës së MKA dhe Aviacionit në atë Akademi si dhe anëtar i Këshillit Shkencor të saj, njëkohësisht edhe komandant i MKA për Frontin Perëndimor, për kohë luftë, detyrë e kryer në tre stërvitjet komando-shtabi me grup divizionesh të zhvilluara nga Shtabi i Përgjithshëm. Me rivendosjen e gradave në ushtri i jepet grada kolonel. Në vitin 1994 lirohet nga ushtria dhe punoi mësues I gjuhës angleze në disa shkolla të qytetit të Tiranës. Në fillim të vitit 1999, e kërkon Shtabi i Përgjithshëm I UÇK-së dhe shkoi vullnetar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ju besua detyra e zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në atë luftë ju besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n. Me mbarimin e luftës emërohet shef I kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, deri në shkrirjen e asaj qeverie. Me shkrirjen e asaj qeverie punoi pedagog i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Mjekësore të Prishtinës dhe në kolegjin Cambridge School–Prishtinë. Në vitin 2009 emërohet Specialist civil në QMS, pranë Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes dhe më pas pedagog civil në Shkollën e Trupës, për dhënien e lëndës së Trafikut Ajror, derisa doli në pension.
Gjatë karrierës ushtarake, përveç hartimit të një sërë leksionesh, dispensa e metodika për procesin mësimor në Akademi dhe Shkollën e Trupës, ka botuar me dhjetëra studime shkencore për armën e MKA dhe luftërat lokale, si dhe disa libra analitikë si: “Rruga që më çoi në UÇK”, “UÇK-ja dhe Kadareja”, “Romantika e Luftës së UÇK-së”, romanin historik “Komandanti i pararojës”, një seri botimesh studimore në “Revistën Ushtarake”, periodike, të Komandës së Doktrinës Ushtarake Tiranë, etj..
(Tiranë, 05. 05. 2012) – Operacioni i njohur me emrin “Operacioni Shigjeta” është Plani i Parë Luftarak i hartuar në mënyrë profesionale dhe me dokumentacion të plotë, është veprimtaria e parë luftarake e shkallës operative që planifikoi, organizoi dhe drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai plan u hartua në kohën kur u krijuan kushtet e përshtatshme politiko-ushtarake, të cilat u plotësuan në gjysmën e dytë të prillit 1999, kur forcat tona që kishin shpërthyer kyfirin në Koshare nuk kishin mundur të hapnin korridorin për ardhjen e forcave të tjera, armatimeve dhe municionit, të cilat ishin grumbulluar në shtetin amë.
Në Shqipëri patën ardhur brenda një jave, nga e gjithë diaspora shqiptare dhe tërë trojet tona rreth 12 mijë vullnetarë, në përgjigje të Thirrjes së Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës për mobilizim të përgjithëshëm, bërë më 02 prill 1999. Njëkohësishtë në ato ditë (duke filluar nga data 14 prill) aviacioni i NATO-s kish filluar të kryente veprime luftarake në interes të forcave të UÇK-së në terrenin e Kosovës, duke bashkëpunuar me SHP të saj. Më herët kish qenë e pamundur për aviacionin pasi nuk reshti për asnjë moment së rëni borë dhe ekzistenca e reve, të cilat mbulonin gjithë hapësirën ajrore të Kosovës. Radhët e formacioneve të UÇK-së, brenda territorit të Kosovës kishin arritur shifrën rreth 20 mijë luftëtarë, e cila i pat intensifikuar së tepërmi luftimet e saj, (ku ishin kryer edhe luftime të nivelit taktiko-operativ). Kjo situatë kish bërë të mundur që të rriteshin nevojat për armatim, në mënyrë të veçantë për municione dhe furnizime të tjera të nevojshme për luftën. Ndërkohë, gjithë diplomacia ndërkombëtare kish filluar të mbështeste luftën tonë të drejtë.
Divjakë (Katundi i Ri), 1999: Dilaver Goxhai (Shpëtim Golemi) zëvendës Shef i SHP të UÇK-ës.
_____________________________________
Hartimi i Planit Luftarak për Operacionin “Shigjeta” përfundoi në datën 17 prill 1999 dhe u hartua i plotë prej antarëve të SHP të UÇK-së: Shpëtim Golemi (Dilaver Goxhai), Ekrem Rexha (Komandant Drini) dhe Agim Çeku. (Ky i fundit deri në atë periudhë nuk ish emruar Shef i Shtabit të Përgjithshëm, pasi disa ditë kish që pat ardhur në Kosovë dhe emërohet Shef Shtabi në 28 prill 1999, duke zëvendësuar Bislim Zyrapin, i cili ngarkohet me detyrën e organizimit dhe drejtimin e Operacionit Shigjeta, duke udhëtuar për në Shqipëri).
Puna për përpilimin e Operacionit “Shigjeta” u bë në shtëpinë e Bajram Sylës, në Mëhallën e Katundit të fshatit Jezercë, në malin Jezercë të Ferizajt, jo shumë larg nga maja e Bukogllavës. Në veprimet luftarake të Operacionit Shigjeta u përfshinë edhe veprimet luftarake të zhvilluara në Koshare dhe që më vonë ato forca kaluan në varësi të Zonës së Tretë Operative të Dukagjinit dhe u quajt Brigada 138 e UÇK. Në atë shtëpi ndodhej një pjesë e Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së si dhe e Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, me në krye Kryetarin e saj, Hashim Thaçi.
Plani u përpilua në Plan Tekst, duke u bazuar në Hartën 1: 50 000, kopje e vetme, të cilën e patën dhënë vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë vjeshtës së vitit 1998. Si rjedhojë Plani nuk u shoqërua me hartë. Ndërsa e radhiti në kompjuterin e dorës, llaptop, Lum Haxhia (Hajdin Abazi – Sh.B). U shtyp në një kopje të vetme, pasi ishte Tepër Sekret. Plani i Operacionit u miratua nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sulejman Selimi dhe u nënshkrua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi. Materiali i përpunuar me dorë (në të papastër) u dogj si dhe u fshi edhe nga kompjuteri.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sulejman Selimi – Sulltani.
___________________________________
Fillimisht, me propozim të Bislim Zyrapit pranë Kryetarit të Qeverisë (Hashim Thaçi) dhe Komandantit të Sh.P (Sulejman Selimi), komandant Operacioni emërohet Nexhmedin Kastrati, por me ndërhyrjen këmbëngulëse të Shpëtim Golemit, komandant i atij operacioni u emrua Bislim Zyrapi, i cili u zevendësua në detyrën e Shefit të Shtabit nga Agim Çeku.
Divjakë (Katundi i Ri), Maj 1999: Gjen.Agim Çeku, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së.
__________________________________________
Para se Bislim Zyrapi të nisej për në Shqipëri, u urdhëruan Komandantët e Zonave të dërgonin në Shtab ose drejtpërsëdrejti për në Kukës disa kuadro nga më me përvojë, për të drejtuar rendimet luftarake që do të realizonin atë operacion. Kur Bislim Zyrapi dhe grupi i kuadrove që e shoqëronte mbritën pranë Komandës së Divizionit të Kuksit, në zyrën e komandantit të atij Divizioni, Gjeneral Kudusi Lama, dhe kontaktuan në telefon me Shpëtim Golemin, ky i fundit bëri faksimin e Planit të Operacionit.
Pas disa ditësh, në përforcim të Bislim Zyrapit, për realizimin me çdo kusht të atij operacioni, u nis edhe Fatmir Limaj, i cili, duke qenë edhe në cilësinë e zëvendës ministrit të Mbrojtjes, mori drejtimin e operacionit, pa e spostuar Bislimin, ndërkohë që Bislim Zyrapi u emrua Ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes.
Ideja e Operacionit Shigjeta ishte: thyerja e mbrojtjes së ushtrisë serbe në kufirin me Shqipërinë; depërtimi sa më shpejt i forcave tona në thellësi të territorit të Kosovës në drejtimin më të shkurtër: Qafa e Prushit – Rahovec; vendosja e kontaktit me forcat e Zonës së Dytë Operative të Pashtrikut, në vijën përgjatë rrugës Prizren – Gjakovë, dhe krijimi dhe mbajtja e korridorit të përhershëm me Shqipërinë për sjelljen e furnizimeve me forca e mjete në interes të rendimeve të UÇK-së brenda në Kosovë. Forcat kryesore hynë në luftim në 26 maj 1999, duke filluar sulm të njëkohëshëm në të tre drejtimet e planifikuara. Në atë operacion u angazhuan 8 000 forca.
Goditja kryesore u parashikua dhe u dha në drejtimin: mali Pashtrikut – Krushë dhe ajo ndihmëse në dy drejtime: qafa e Prushit – Rahovec dhe Gorozhup – Krushë.
Tahir Sinani, Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut.
________________________________
Për hapjen sa më të shpejt që të ishte e mundur të korridorit të furnizimit, me urdhër të Agim Çekut u hartua Plani i dytë operativ, i emërtuar “Shigjeta 2”, i hartuar nga Xhavit Sadria dhe Shpëtim Golemi. Ky plan u miratua nga Shefi i ShP të UÇK-së, Agim Çeku, dhe u ngarkua ta vinte në zbatim Komandanti i Z 2 O Pashtriku, Tahir Sinani, i cili komandën e zonës e kish vendosur në fshatin Neshor. Tahirit iu dërgua ai plan me katër luftëtarë, nën drejtimin e Ejup Kryeziut, të cilët gjatë kthimit për në Shtabin e Përgjithshëm në Divjakë, ranë në pritën e forcave serbe te vendi i quajtur “Vreshtat e kooperativës”, ku mbeti i vrarë dëshmori Ejup Kryeziu. Operacioni zgjati dy javë.
– Autori Dilaver Goxhai, (i njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi), nga marsi i vitit 1999 ishte zëvendës Shef i SHP të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.