2024-09-10

Nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike

 

Bekim Shehu
23 Qershor 2021

Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën, por kërkon një zgjidhje kompromisi tha presidenti serb në kuvendin e Serbisë. Për Prishtinën e vetmja zgjidhje në dialogun me Serbinë është njohja reciproke.


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha para deputetëve të parlamentit në Serbi, se vendi i tij nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Sipas tij, serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen me Kosovën në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen, por nuk ishte në gjendje të thotë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Këto deklarata presidenti i Serbisë i bëri gjatë një raportimi në parlamentin serb për dialogun me Kosovën.

"Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them, nuk e di. Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe ato do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Pra, ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t'u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.

Vuçiq: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë

Presidenti i Serbisë tha, se dialogu me Kosovën është transparent. "Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t'i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, "situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të parlamentit të Serbisë.

Por kompromisin në dialog me Kosovën, për të cilin flet presidenti i Serbisë, Prishtina zyrtare e kundërshton në mënyrë të prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Austri  ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se "dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktualë”. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e ripërsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, se "Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

Takimi i Fotografi: Bahri Cani/DW

BE: Bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë pritet të zhvillohet në fund të muajit korrik nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit dy ditë më parë në një takim me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së tha, se "së fundi, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.

"Pala amerikane nuk po përpiqet më për t'u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel, duke bërë të ditur se edhe pas takimit të dytë mes Kurtit dhe Vuҫiqit do t'i njoftojë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, temë debati vazhdon të jetë çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është e përkufizuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Kosovo Premierminister Albin Kurti
Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas një deklarimi të ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën (17.06) se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. "Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një vizite që javën e shkuar në veri të Kosovës tha se "Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...