Nga Ilmi Qazimi
Fytyra qeniesh, objektesh e krijesash fantazmagorike, humoristike, me devijacione biologjike e logjike, lloj-lloj parrullash, sendesh, të shkruara e të vizatuara, të pikturuara e të skulpturuara dhe shumë pak reale nga bota e sotme e gjallë-këto të ngopin syrin deri në bezdi kur lëviz nëpër trotuare të Tiranës.Por fatkeqësisht kjo gjendje është edhe në tërë qytetet e tjera të vendit tonë. Edhe pse historikisht qytetet tona janë të bukur. Me bulevarde e trotuare, si Vlora, Fieri, Laçi, në qytete dymijëvjeçare me rrugë të kalldremosura si Berati, Gjirokastra, apo plot mozaike si Durrësi, Shkodra,në kryeqytetin tonë simpatik europian Tiranë- e gjetkë. Peizazhi gjuhësor dhe piktorik, thuajse tërësisht abstraksionist në këto qindra e qindra rrugë, ‘pasurohet’ nga lëvizja e pandërprerë e automjeteve. Në to, njëherazi shkaktohet ndotja më e rënduar akustike dhe klimatike, -siç e thekson edhe Europa luksoze(!?) e shpërfillëse.
Në këto rrugë hedhim hapat së bashku me berihajin edhe ne: njerëz banorë apo turistë, qen me shumicë të dukshme,mace, minj, hardhuca, deri edhe breshka.E mbi ne, fluturojnë edhe gëzueshëm edhe trishtueshëm zogjtë,të madhërishmit e qiellit e tokës, pa ekzistencën e të cilëve jeta nuk do të kish gëluar askund. Për të vijuar pastaj edhe me mijrat e gjallesave të ujrave të pastra e të ndotura,të bardha e të zeza, helmatuese apo hidratuese, si bretkosat, zhabat, gjarprinjtë, mizat, mushkonjat, krimbat, etj.që jetojnë krahas nesh, anash rrugëve, në vijat, pellgjet dhe plloskat e ujrave. E ne, asnjëherë nuk bëjmë dot pa milionat e insekteve të kudondodhur në kohë e hapësirë që nga lesht e kokës deri tek gjethet e çdo lloj bari për gjatë tërë 24 orëshit.Mjedis i kompletuar, i mrekullueshëm dhe plot gjallëri që askujt e asnjëherë nuk i shkon mendja tek vdekja por vetëm i gëzohen jetës së pambarimtë edhe pse me aq shumë vobektësi, krime, veprime të paparashikuara as nga imagjinata më e shfrenuar njerëzore.Në këtë peizazh të tejmbushur me tym,zhurmë,drita,etj etj,ato që i ka krijuar natyra janë padyshim më të përsosurat, më të pakundërshtueshmet, më edukativet, më të përligjshmet.
Ama, ato që i ka krijuar mendja e njeriut, të gjitha, thuajse pa përjashtim, mbajnë erën e ndyrë të biznesit, të politikanit të kreut qeverisës dhe shumë pak aromën e domosdoshme jetësore të edukimit. Shumica syresh nuk i shërbejnë aspak dashurisë, atdhetarisë, kombit, gjuhës shqipe, natyrës shqiptare, karakterit të popullit shqiptar, por dukshëm janë kompozuar, ndërtuar e prezantuar për të qenë në shërbim të kotësisë, pesimizmit, instinkteve shtazarake, polarizimit klasor, armiqësisë, urrejtjes. Këtu mund të numërosh me mijra por le të themi ca prej tyre: karikatura pa kuptim, reklama nga më të papranueshmet,gërma shqipe të shkruara me deformim, mbrapsht ose kokposhtë, fjalë të huaja përzjer me gërma shqipe; parrulla me përmbajtje false; piktura e vizatime, reklama me ngyrë apo të bojatisura ekstravagante ku sundon shalëhapja e femrave dhe muskujt e trupit të burrave. E çfarë nuk të rrok syri!?Dhe posaçërisht bie në sy inferioriteti ndaj gjithçkaje të huaj.Për më tej akoma: anashkalimi i gjuhës shqipe dhe lulëzimi kudo i gjuhës angleze.Ky veprim, pra të eksopzohet nga individi apo nga shteti, diçka apo tërëçka anglisht dhe jo shqip, është krim ndaj kombit.
Është goditje drejtpërdrejtë e pasaportës së kombit tonë, gjuhës shqipe. Është fare e thjeshtë dhe e kthjellët: do të shkruash një parrullë që të tërheqësh vëmendjen e qytetarëve për iks problem? Shkruaje shqip dhe më poshtë mund ta shkruash-po deshe ti-edhe anglisht. Madje edhe në çdo gjuhë tjetër të popujve të globit. Ky veprim është ligjor dhe kombëtar.Ky veprim është në përputhje me zhvillimin e sotëm që nuk të çon në asimilim. Mania për të shkruar dhe ekspozuar vetëm anglisht është me sa shohim një “detyrim qeveritar”. Nuk ka se si të justifikohet heshtja miratuese e qeverisë aktuale për të tilla skandale në stil të gjerë.Kur disa kanale televizive që emërtojnë dhe japin shumë herë në javë emisionet e tyre të gjithfarëshme vetëm në gjuhë anglisht, në titull e në përmbajtje. Kur dihet që ndjekësit e këtyre emisioneve janë kryesisht shqiptarë!?Të mos themi pastaj që ndër ata të thirrurit për të folur, janë jo të paktë syresh që fusin sa më shumë fjalë anglisht.
Demostrojnë kulturë, de!Që të jemi realistë, televizionet tona për këto 35 vjet, në sinkron të plotë me dy llojet e qeverive, të majtë e të djathtë, siç thonë shumë autorë dhe banorë shqiptarë, kanë luajtur rol vendimtar në sulmin kulturor kundër vendit tonë, në barbarizmin shoqëror, në gërryerjen morale, shkatërrimin mendor të brezit të ri, dhe nën maskën e luftës kundër komunizmit, kanë sulmuar furishëm duke dëmtuar tërëçka është kombëtare prej mjiravjeçërësh. Në krye të autobusit urban të unazës shkruhet “Enter me, please!” Uua,sa turp! Kësaj i thonë: Anglishtja hazdiset, Shqipja braktiset”. A gjen gjëkundi në ndonjë nga pesëdhjetedy shtetet amerikane, në Angli, Itali apo gjetiu një të shkruar të tillë, në ballin e ndonjë autobusi në gjuhën shqipe”Merrni këtë autobus, ju lutem!?” Nuk ka dykëmbësh që ta mendojë një gjë të tillë, ndërsa në Shqipëri edhe në tualet shkruhen vetëm në anglisht fjalët dhe mënyrat e veprimit!Sa poshtë biem! Më saktë: sa poshtë ka rënë shteti që nuk mbron gjuhën shqipe dhe gjithçka që prej shekujsh është shqiptare: traditë, kulturë, zakon, gjuhë.
Me mijra lokale në kryeqytet përdorin vetëm tabelën “Open” dhe jo “Hapur”. Janë shumë të paktë ata që zbatojnë rregullin: në fillim shqip e pastaj gjuhë e huaj. E rregullta është që sipër shkruhet shqip “Hapur” dhe poshtë saj shkruhet anglisht ”Open”, kineçe, turqisht, farsi apo rusisht etj.Por ama së pari duhet shkruar, prezantuar, reklamuar e folur shqip. Mbase një ditë do të kujtohet edhe Edi Rama që turistëve- për të cilët po jep pjesë nga jeta e tij me superreklamat që po bën pa pushim,- u duhet folur me gojë e me shkrim,së pari shqip! Se këtu jemi në Shqipëri.Këtu flitet shqip e pastaj mund te fliten gjuhët e kombeve të tjera