Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/30

SENTENCAT LIRIKE DHE IDIOLATRIA LETRARE

imageSevdije Rexhepi
Shkruan: Shefqet DIBRANI; Sevdije Rexhepi: “Baladë mbi Balad”, poezi.
Me vëllimin poetik“Baladë mbi Balad”,Sevdije Rexhepi po del para lexuesit me librin e katërt, përkatësisht librin e tretë në gjuhën shqipe. Por, baladat janë krijime popullore e lirike në vargje të rregullta që flasin kryesisht për ngjarje reale e heroike, qoftë kjo historike a me përmasa legjendare. Poezitë që përfshihen në këtë vëllim poetik nuk janë balada të tipit klasik, por si tërësi, si koncept vëllimi poetik ngjason me një baladë të përjetuar nga autorja në një zonë lufte, në qytetin Irakian që quhet“BALAD” dhe që shtrihet diku 68 km në veri të Bagdadit.  Titulli i librit “Baladë mbi Balad” na duket si përzgjidhja më e mirë e kësaj poezie të përjetuar në qytetin BALAD, me ç’rast Sevdije Rexhepi i ka dhënë poezisë një kuptim jo vetëm lirik, por më shumë metaforik. Sepse metafora e“Baladës në qytetin Balad” është një koincidencë rasti për të sendërtuar konceptin e veprës si tërësi baladike, por duke iu shmangur, siç thamë, tipit klasik të baladave. Askush, pra as unë s’kam pritur një dridhje kaq të lëkundshme nga koncepti i saj lirik që e kishte sendërtuar në dy librat paraprak. Në të vërtetë edhe në këtë libër kjo poete i çon edhe më tej prirjet e saja në poezinë lirike, por si të them idioma thelbësore e poezisë që jepte shenja të bollshme për elemente të theksuara të lirikës–erotike në këtë vëllim nuk do të ndeshën fare. Poetesha edhe më tej e ka kultivuar anën artistike të poezisë duke e bërë atë më të shkëlqyeshme, më brilante. Poezia lirike që përfshihet në këtë libër është edhe më e përpunuar, edhe më artistike, gjë që dëshmon se autorja ka punuar me një vokacion të shtuar, për ta avancuar vlerën e poezisë së saj, ku si shembull tipik po i sjellim tre vargje të një poezie më të gjatë.

Kam mësuar se
Yjet nuk treten kurrë
Por fshihen si dashuritë

(Poezia: “GJETHET I SJELL ERA”, f. 12)

Dihet se poezia është një mjet shprehës që komunikon me lexuesin. Në masë të madhe kjo autore këtë e ka arritur. Sidoqoftë, edhe kështu si është lexuesi do ta mbaj mend më mirë, madje kjo mbamendje do të shkoj përtej jetëgjatësisë së saj. Përmbledhja në fjalë do të mbetet një dokument i regjistruar në poezinë tonë ku sjell idiolatrinë letrare nga një botë e tretë, përkatësisht nga një front lufte.

Në luftën e dyfishtë
Jashtë dhe brenda nesh
............................
Mbetur veç shpresa
E nesërmja mesopotamiane
Lind sërish metaforën

(Poezia: “METAFORË”, f. 29)

Ose:

LOT I HESHTUR

Sot...
Një jetë e njomë
U këput si një lule
Thanë...
Ka ndodhur
Aksidentalisht
Por...
Në sytë e saj e pashë
Lotin e heshtur

(Faqe 45)

Poezia e Sevdijes ka preokupim vlerën artistike të fjalës së shkruar, një lloj idili specifik për poezinë e saj të cilën e strukturon si një vlerë poetike, pa të cilën koncepti i këtij libri do të mbetej më i zbehur, për vet faktin se këto poezi dëshmojnë për një vijimësi të poezisë lirike që e kemi ndeshur edhe në dy vëllimet e saj të më hershme. Për të mos pranuar këtë “akuzë?!” se iu ka shmangur poezisë lirike, ajo si me qëllim e hap librin e radhës pikërisht me një poezi të kësaj natyre, e cila është ndërtuar me vargje të thjeshta por që me sukses e materializojnë një botëkuptim të ri në poezinë e saj, si të themi: Një krijim idilik i natyrës së saj.

MOLLË E NDALUAR

Ecje nëpër rrugë të vjetra
Të vjetra sa bota vetë
Në kopshtin ku lulet qelën së pari
Ku së pari u takuan
Shpirtrat që flisnin pa fjalë
Nën hije të një molle të ndaluar
U këput molla
Që atëherë dhe sot
Fajësohet belholla

(Faqe 5)

Në një sërë poezish, përkatësisht në strofa dhe vargje të caktuara e hasim një idiomë e cilasikur mëton për të rregulluar më mirë mendimin e shprehur nëpër vargje që përdoren figurativisht dhe që përshkruajnë një moment të prekshëm a të përjetuar nga vet autorja: “mollë e ndaluar”, “petku i shpresëjetës”, “zgjidhim nyje”, të cilat bashkë me vargje të tjera plotësojnë sinonimin e koncepteve të theksuara, e që shërbejnë për t’i kuptuar më mirë nocionet që shkojnë më shumë kah idiomat se sa kah ndonjë përkufizim tjetër letrar.
Pa dyshim, te poezia e Sevdije Rexhepit ndeshim një sensualizëm specifik, si një lloj ndijimi që i janë bërë burim i vetëm shprehës, e si një lloj mënyre e mjaftueshme për të shprehur përfytyrimin e saj poetik e letrar. Gjithsesi sentenca poetike që ngërthen burimin e mendimit analitik, shprehur me pak fjalë përbën esencën artistike, si një vlerë poetike, për një të vërtetë, të përjetuar në fronte lufte, ku vlera morale e njeriut nuk vlen as për pesë pare. Këto përfytyrime, përkatësisht këto përjetime sentenciale e bëjnë poezinë e këtij libri edhe më përjetuese, edhe më të afërt me lexuesin që nuk ka rastisur ta përjetoj luftën, sidomos nëpër ato vende e shtete ku rrëzohen mbretërit për të hapur “Kutin e Pandorës”:

Mbreti u përmbys
Fundi i Kutisë Pandoriane
Më në fund...

(Poezia: “PËRMBYSJA”, f. 39)

Lexuesi shqiptar, sidomos ata që jetojnë në Kosovë nuk e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë do të thotë “erë e barotit”, “tym i shpërthimeve e eksplodimeve”, por çfarë do të thotë: “pluhur shkretëtire” dhe “tokë shkretëtirë” sigurisht do ta përjetojnë vetëm nëpër vargjet e këtij libri. Por këto skema rrëqethëse, atij do t’i rikujtojë shkatërrimin dhe pasojat që lë lufta, të cilat i ka përjetuar në lëkurën e tij, në një kohë jo edhe aq të largët sa të ketë harruar a t’i jetë fshirë nga memoria kujtuese. Prandaj, libri i kësaj poeteshe jo vetëm që do të përjetohet më mirë, por ai do t’i rikujtoj lexuesit një kohë katrahurë, nën prizmin e së cilës do të zbërthehen sentencat poetike deri në imtësi.

Në shkretëtirën e pa skaj
Gjendet oaza e mendimeve të mia
Që pi lotin e mallit tim
Duke bredhur kësaj shkretëtire

(Poezia: “DËSHIRË”, f. 83)

Ose:
Mëngjesi i zymtë
Frymëmarrje e rëndë
Ndjenjë e turbullt
Në këtë mëngjes
Qerpikët u rënduan
Bebëzat e syve mbyllen
Nga mjegullnajë pluhuri
...............
Eh, dikush lëshoi
Një alarm..........
Që përhapi ushtimë e frikë
7 sekonda në pritje
Të jetës a vdekjes

(Poezia: “7.”, f. 93)


Sevdije Rexhepi, në shumicën e poezive të këtij vëllimi është shprehur qartë dhe ka ditur të ndërtojë konceptin dhe mesazhin lirik të poezisë, ka përshkruar detaje lufte me një gjakftohtësi dhe madje ka ruajtur një ekuilibër edhe kur drithërima të zymta kanë mbuluar ndjenjën dhe shpirtin e saj latent, para momenteve të rënda, atëherë kur nuk ka ditur nëse do të rroj, (e nëse po?!), pse do të rrojë?! D.m.th. nëpër sekuenca të caktuara ajo ka shprehë një lloj revolte dhe njëkohësisht edhe një lloj përmbajtje për të shpjeguar esencën e asaj që i thuhet jetë, që i thuhet luftë dhe sidomos për vlerën e nocionit të tretë mjaftë thelbësor që quhet “lakmia”.

Në këtë qytet të improvizuar
Ku nuk vlen njeriu as 5 pare

E ku jetojnë bashkë
Mërgimi e Frika
Dhe Lakmia për çudi...

(Poezia: “TRESHE”, f. 96)

Ky lloj trekëndëshi, apo kjo lloj trioje e nocioneve shprehëse “Mërgimi-Frika-Lakmia”, e bëjnë të dallueshme dhe të pranueshme vlerën letrare që Sevdija për kohë të gjata i ka kultivuar e vjelë nëpër poezitë e saj. Si do qoftë në planin estetik zbulohet vlera e njeriut dhe shpjegohet konteksti i jetës që kryekëput është “lakmia”. Në një plan tjetër poetesha ka nxjerr në pah edhe arsyen e vënies së kokës nën gërshërët e rrezikut permanent. Sado që ky element është kamufluar me mënyrën artistike, fenomeni “lakmi”, e shpjegon më së miri të vërtetën mbi verbin estetik dhe letrar të fenomenit “lakmi” ku njeriu nuk vlen as 5 pare?!...
Gjithsesi poezia e këtij vëllimi do të sublimojë rrjedhshëm dhe do të shpjegojë qartas se autorja si individ i ka tejkaluar pengesat për të dal në shkretëtirat e pa shkelura, ashtu siç i kthen një varg idilesh lirike a idiomash përmes vargjeve që e ka përshkruar me përsosmëri atë që e ka përjetuar, ku mendimi poetik sjellë një atmosferë të përditshmërisë në zona dhe fronte lufte. Por, për fat të mirë Sevdije Rexhepin, poezia e kthen në vendin e saj, si një intelektuale të qetë, që ka fituar një eksperiencë praktike për të sfiduar kohëra dhe vështirësi prej më të ndryshmeve.
Këto nocione tregojnë atmosferën e zymtë të jetës në luftë, dhe natyrisht tejet shqetësuese për vlerat shkatërruese që i ka lufta, pavarësisht se rezultatet pozitive mund të korren vetëm dy-tre breza më vonë. Por, meditimet poetike të ndërtuara me një gjuhë simbolike, ku tërësia e subjektit letrar qetë në pah mënyrën e rrëfimit idiomatik e bëjnë Sevdijen si një zë që duhet të zgjojë jo vetëm kërshërinë e lexuesit, po më shumë të atyre që poezinë e lexojnë më me përkushtim dhe e vlerësojnë si një interpretim letrar.

TRETJA E ENKI-IT

Në shkretëtirën e pambarim
Oazat e pakta
Pinë ujë nga lumenjtë e vjetër
E pashuar ende mbetet Etja
Se Enki u tret
Nëpër plasaritje shekujsh
La tokën shterp
Shtjellat e rërës
Verbojnë sytë e kohës së re
Madhështi...
E shkruar nën tokë e mbi të
Nga lart...
Anu përcjell gjurmët
Kacavjerrë mban mendimet
Thërret Enlil-in - Perëndinë
T’i fryj larg dhimbjet
Dhe këtë shkretëtirë
Me bari ta mbijë

(Faqe 119)

Edhe nga poezia e cituar më lart shihet se vokacioni poetik është më i ngarkuar me figura nga mitologjia, shumë syresh që vijnë nga mitologjia e popujve të orientit (Enki, Anu, Enlil etj.), të cilët që moti kishin një zhvillim dhe emancipim të përparuar karshi vendeve dhe popujve të kohës. Pastaj do të ndeshim mjaft toponime të cilat i takojnë një kohe të shkuar si dhe toponime për vende, qytete të së tashmes të cilat kjo autore ka pasur rastin t’i prekë, t’i përjetojë dhe natyrisht t’i shijojë si vlera pozitive të zhvillimeve dhe emancipimeve qytetare.
Në aspektin invers do të thosha kjo poezi sikur merret me aspektin ekzistencial të shoqërisë në përgjithësi, vlerat e shoqërisë dhe pasojat e saj. Në planin letrar poezia e këtij vëllimi i zhvillon edhe më tej konceptet, idiomat dhe idiolatrizmin poetik të kësaj poeteshe. Dhe kjo është një vlerë më vete, një lloj detajizimi analitik si dhe fenomene të tjera që atë e kanë bërë të ndihet keq. Ky lloj diskursi substancial e bëjnë vëllimin poetik “Baladë mbi Balad” si një vepër që e nxjerr nga uni personal vlerën e njeriut, ekzistencën e tij, si një lloj arsyetimi jo vetëm etik, por si një arsyetim estetik që tejkalon vlerën letrare të poezisë, si nuancë estetike në përgjithësi, si efekt poetik që regjistrohet përmes metonimisë, që po e ilustrojmë me nuanca të shprehura në vargjet:

Se ti Flora. . .
Përherë mbushullon në mua
Që më mësove të ujis si duhet
rrënjët e jetës jeshile

(Poezia: “SHPIRT I TRËNDAFILTË”, f. 69-70)

Ndonëse poetja është rezervuar ta cilëson vetën si një “Faunë” që “ujit rrënjët e jetës jeshile”, i gjithë konfiguracioni poetik do të shpjerë në raportet e botës ujore e cila e bënë tokën “jeshile”,përkatësisht të gjelbëruar duke lënë për të nënkuptuar ambientin shkretëtirë siç e ka theksuar në një varg të saj “pa kodra të zotit”. Kështu siç është konceptuar kjo poezi, jo që ia rrit vlerat përkushtimit të saj për mësuesen me emrin e bukur Florë – botë e gjelbërimeve, por mesazhi i saj merr konotacione edhe më gjithëpërfshirëse.
Një element të ri në poezinë e Sevdijes e gjejmë te tipologjia artistike e nocioneve“patriotizëm” dhe “atdhedashuri” që sublimohet nëpër vargje e strofa të caktuara ta zëmë: Në krahët e Atdheut/ Nga Edeni e gjer në Dardani”, “Do të ndiej aromën e Karadakut”, “Shqipëri e Tetovë/ Seç m’u rriten flatrat dhe më shumë/ Për ty Kosovë”, “Dardani - në kurorë mbuluar/ Liburna del mbi valë/ Nami Yt ringjallë - Kosovë.../ Unë larg teje Atdheu im/ Ti afër me zemër/ Do mbetesh ajo/ Kurrë më tjetër emër”, “Mbulohem me jorgan lashtësie/ Shtrij këmbët në Babiloni/ Se ëndrrat m’i përkund Iliria”, etj.
Kjo tipologji artistike që shprehë edhe mallin e saj për atdheun, shprehë edhe dashurinë për atë vend, hyjnë si nëntekste që plotësojnë nocionin e të parave duke na dëshmuar edhe një herë maksimën popullore se duhet të mërgosh për t’ia ditur vlerën atdheut, si një ekzistencializëm moral për secilin poet a poeteshë që dashurinë për atdheun e kundron nga larg. Sevdije Rexhepi po të mos kishte mërguar, përsëri do ta dëshmonte dashurinë e saj për atdheun, por kundrimi i dashurisë do të shihej nga një prizëm krejtësisht tjetër, më racional dhe më pak sentimental, e jo me nota melankolike që shprehin një mall të përgjëruar siç e kemi në rastin konkret.
Por, këto nocione që përkufizojnë një lloj sentence letrare hyjnë si risi pak më e theksuar te poezia e Sevdije Rexhepit e cila i ka dhënë një kuptim jetik mënyrës së tashme të jetës së saj, dhe nocioneve një kuptim më të qartë ku shpjegohet, pak a shumë përmes formave simbolike të cilat më shumë ua rrisin vlerën nocioneve “patriotizëm” dhe “atdhedashuri” duke i dhënë një ngjyrim sa specifik, po aq miklues poezisë së saj, si një ndjenjë, si një përjetim letrar e artistik me këtë fuqi kaq ledhatuese dhe kaq përjetues që duhet të pranohet si vlerë e re e poezisë së saj.
Sille kah do, poezia e Sevdije Rexhepit as më shumë dhe as më pak identifikohet me shpirtin e saj, qoftë ky shpirt lirik, qoftë mitik, a patriotik qoftë ai. Një poezi tipike e saj, që pasqyron unin e saj krijues dhe me nuanca të caktuara edhe individualitetin e saj krijues. Sevdije Rexhepi tashmë ka profilizuar mënyrën e saj poetike dhe ka gjetur tema dhe motive për të unifikuar motivin e saj krijues. Brumi krijues, janë vargjet që pasqyrojnë shpirtin e saj krijues, vlera këto autentike që plotësojnë dhe kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj si poete, një dimension i ri i poezisë, me shpresë se përvojën e saj jetësore do ta vë në shërbim të poezisë dhe artit në përgjithësi.
Poezia e Sevdije Rexhepit, hiç ndonjë rast, i shmanget tërësisht konceptit të poezisë hermetike, të figurave dhe koncepteve abstrakte. Ajo në këtë libër sjell më shumë tipin e poezisë lirike të avancuar si mendim dhe si përjetim, kurse figuracionet tjera i ilustron nga mitologjia, për të zbërthyer nocionin, kuptimin dhe mbarështimin që ka jeta nën predha artilerike, ku i ka dhënë kuptim lehtësues opusit të poezisë në njërën anë, dhe në anën tjetër ka bërë harmonizimin e emocioneve në varshmëri me situatat dhe ngjarjet si rrjedhim real i jetës së saj.
Vlerat dhe veçoritë e poezisë së Sevdije Rexhepit të përfshira në vëllimin poetik “Baladë mbi Balad”, funksionalizojnë edhe më tej muzën krijuese, cyt edhe më tej mendimin pozitiv letrar, me aspekte e veçori që e kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj poetik e letrar, si një autore mjaft bashkëkohore në poezinë e sotme shqipe.
Zvicër, prill 2010.
*Ky shkrim është botuar si pasthënie e librit!
SHËNIME PËR AUTOREN:

Sevdije Rexhepi është lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Për dy vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services, në Kampin Amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes, ndërsa nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, në Irak me kompaninë amerikane (KBR). 
Sevdije Rexhepi, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht. Ajo, momentalisht punon në Kopshtin e Edenit në Irakun verior.
Baladë mbi Balad” është libri i katërt me poezi.

Është prezantuar në këto antologji:
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
3. “Nënës”, Tirane 2007.
 
Veprat letrare:

1.  “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2.  “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.
4.  “Baladë mbi Balad”, poezi, Prishtinë 2010.
5.  „Between Rivers of Babylon”, poezi, Prishtinë 2010.

GËZUAR FESTAT


Fatmir Terziu




Ju uroj Gëzuar e për shumë vjet festat e fundvitit! Këto festa sjellshin tek ju “aromën” e gëzimit shpirtëror, miqësinë, vëllazërinë, bujarinë, mikpritjen dhe lumturinë. Ju urojmë t’ia kaloni sa më këndshëm kudo që ndodheni. Me besimin tek Zoti dhe tek vullneti i punës së përditshme tuajën, këto festa u festofshin përhere nën këtë harmoni të pashembullt fetare, shoqërore e morale. Kalofshi këndshëm në tryezat tuaja familjare dhe shoqërore! Harmonia qoftë filozofia juaj. Prosperiteti mbettë synimi i të gjithëve. Gëzimi na praroftë vatrat dhe mendjet. Kënga na dhëntë frymëzim. Jeta qoftë e tëra krijimtari!
Gëzuar Vitin e Ri! Gëzuar koleg!

Fatmir Terziu

SHFAROSJA E POETËVE

Tregim

Sulltani Sulltani Halim Bin Halim bin Salim bin Heqim al Mu Kabala lexoi
raportin e shërbimit të fshehtë.
Të vetmit njerëz që kalonin pa kthyer sytë nga pallati i tij ishin dy poetë; as
vështronin andej, pa le të përkuleshin.
Të gjithë të tjerët qeshnin kur qeshte ai, duartrokisnin, kur duartrokiste ai
dhe ngrinin dorën për të votuar për cfar u thoshte ai dhe i përkuleshin deri në
dhe me sy, me fjalë, me miklime apo , ngjiste jo raallë, edhe fizikisht.
“Por, madhëri...Njerëzit nuk ju duan më. Ata bëjnë ashtu vetëm nga frika”. Me
këto fjalë përfundoi raporti sekret dhe sulltani dhe menjëherë njoftoi shefin
që kish firmosur raportin, që të paraqitej
Sulltani e pa me vëmëndje, herë atë, drejt e në sy, herë dokumentin, por nuk
nxori asnjë fjalë. Nervat e burrit përballë nuk ëvrijtën, si ngjet me nervat e
busteve.
Sytë e Sulltanit kaluan te dera dhe burri bëri për andej me hapa krenarë dhe të
vendosur.
Më pas, Sulltani, hapi dritaren dhe pa poshtë, në bulevard..
Të gjitha kokat u ngritën lart si të ishin një e vetme; sikur lulediellit
vështrojnë diellin kur kalon përmbi ‘ta; e përshëndetën atë me duar, I dërguan
puthje në ajër por… vetëm dy njerëz nuk e kthyen kryetin nga dritarja e hapur.
Ata e bënë këtë gjë fare hapur, në mënyrë demonstrative dhe këtë e vunë re që
të gjithë.
Sapo zuri vënd në karrige, u dha kryeshefi i hafijeve, apo, siç i thonin
evropianët, Shefi i Shërbimit Sekret.
Sulltani Halim Bin Halim bin Salim bin Heqim al Mu Kabala e pa me përbuzje.
Tjetri qeshi me përzemërsi.
Sulltani mblodhi buzët. E njihte mirë krenarinë dhe ndershmërinë e atij burri
të pafrikëshëm që ai, me format e tija e kishte bërë të dukej i përzemërt edhe
kur vlonte nga brënda, të qeshte edhe kur ishte i stërmunduar.
“ Domethënë njerëzit nuk më duan më! Dhe më respektojnë vetëm nga frika”
Tjetri e pa në sy me guxim.
Sulltani mendoi se të tillë guxim kanë vetëm poetët dhe se ai që po e vështronte
ashtu, me siguri që shkruante poezi fshehur të tjerëve..
“ Po madhëri”
“ Përse më respektojnë përderisa më kanë frikë?”
“Sepse janë rrahur që kur kanë qënë fëmijë dhe, nga kjo, njohin vetëm një
zot. Frikën. Dhe ju ua keni rrëfyer atë kaq e kaq herë, me gjithfarë mënyrash.”
Sulltani qeshi me të madhe, sikur bën qielli kur është I mbushur me re ,
kokrra breshëri dhe bubullima.
“Le të më kenë frikë”
“Po ai poeti, që sapo më pa mua ktheu kokën nga ana tjetër? Përse nuk
shtiret edhe ai?”
“Sepse është poet, madhëri. Poetët edhe mëkatojnë, por nuk mashtrojnë
dot”.
“Pse, këta maskaxhinjtë kujtojnë se më mashtrojnë?”- dhe qeshi me të madhe
sërish.
Pastaj dha urdhërin përkatës:
“ Futini një të rrahur atij poetit, atij më të riut. Organizo njerëz me
maska. Rriheni për vdekje që ta njohë frikën edhe ai e, sigurisht, edhe ai
langaraqi tjetër”.

Xxx

Reagimi qe i paparashikuar ; dhe nga Sulltani, dhe nga shefi i hafijeve.
Ndërsa poeti lëngonte me kokën e çarë, poeti tjetër, organizoi konferencë
shtypi.
Atje ai akuzoi drejpërdrejtë shërbimin sekret t sulltanit për rrahjen për vdekje
të poetit dhe tër televizionet e transmetuan atë deklaratë.
Gazetarët shkuan ta shihnin në spital poetin e ri, dhe ai, që andej, ndërsa
lëngonte sa të këpuste shpirtin, si nëpër kllapi, mërmërinte emrin e sulltanit,
e quante diktaror, njeri që po i zë fryëmën popullit të tij.

Mërmërimat e tija të kallnin datën.
Televizorët u çanë. Njoftimet u dhënë që nga SiEnEn - i, te BiBi Si- ja e deri
te SiEn EN - i lindejs së mesme – Al Jazzira.Guximi i të dy poetëve u kishte
nxitur shpirtin e krenarisë e të burrërisë gazetarëve dhe gjith popullit.
Situate ishte e frikëshme.
Gjithsesi, Sulltani kishte organizuar shumë parti politike që e urrenin njëra
tjetrën dhe kjo gjë, sigurisht që kishte efektet e veta.

Mirëpo, që të dy poetët, kishin refuzuar të hynin në partitë politike duke
ruajtur sovranitetin e tyre.
Por edhe duke u bërë edhe më të frikëshëm në fuqinë e pushtetit të tyre.

Me zi e vendsi situatën, sidomos falë përvojës së tij të jetës. Mori një seri
masash të zgjuara dhe sidomos delikate.

Pjesë e vendosjes së situatës, veç një vale rritjeje rrogash, qe edhe një urdhër
spektakolar. Poetin e shtruar në spital e dërgoi për shërim jashtë shtetit dhe
një t’u kthyer që andej, e shpalli akadamik të vëndit, i dha titullin “Dr.
Prof.” dhe i dhe një pënsion, pesë herë më të mdha nga rroga që kishte pasur.
Po, poetit tjetër?
I thanë se ai nuk kishte nevojë për para dhe se nuk kishte qënë makut për para
tër jetën. Pra as tani.
Ky vazhdonte të llapte i vetëm në media kundër tij, kur të gjithë vazhdonin ta
përshëndetnin e brohoritnin, dakord, me frikë, por kjo botë vetëm frikën ka dhe
këtë Sulltani e dinte fare mirë tanimë.
I thanë se dhëndërri i atij poetit kishte një biznes dhe ai, në mënyrë të
tërthortë, dha

udhëzimet përkatëse. Dhëndërri , sipas këtyre udhëzimeve, bleu toka dhe një
vepër ish shtetërore me çmim të lirë, gati qesharak; mu në mes të vëndit,
përballë thuajse me pallatin mbretëror.
Poeti – prap, sikur nuk kishte ndodhur gjë.
Ahaaaaa....
Sulltani dërgoi në muzg eskavatorin për ta prishur “veprën ish shtetërore me
çmim shumë të lirë”. Vepra paskësh qënë brënda vijës së verdhë, dhe u dashkërka
bërë rrafsh me dheun. Sepse, për më tej, andej kalonte varianti i dytë i
ndërtimeve shtetërore. Dakord, do të kshte një kompensim në të holla, por, mbi
bazën e ligjit nr 01007, kompensimet e kësaj natyre, bëheshin 5 fish më pak
vlerës reale dhe, jepej në formën e bonove të thesarit ose letrave me vlerë.
Kjo, sepse pronari, në këtë mënyrë, jepte –hehehe, donte apo s’donte – kontribut
material për rregullimin e kryeqytetit. Hahaha, nga ana tjetër, nënffishi i
shumës qesharake që ishte blerë objekti, ishte kokoshi një thelë.
Dhëndërri kishte kapur koën me grushte, ndërsa sillej rretheqark koka e
eskavatorit me atë kazan si sy katallani . Shkonte e vinte mbi objekt, si një
qen. Si një qen i madh dhe i nxehtë që do të ngulë dhëmbët pas pak, por që,
çuditërisht, ja, po ngurronte. Dhe...
Mirëpo... por...hajt, po e lëmë për nesër,djema; haj të vemi e të pijmë nga një
krikëll, tha presidenti i firmës. Kishte shumë presidentë – firmash ndërtimi,
eskavatorësh, ansamblesh, futbolistësh...Ishte, pra, edhe presidenti që kish
marrë udhëzime prej njeriut t ë punëve të fshehta.
Të nesërmen... erdh habia.
Vjehrri poet i dhëndërrit biznesmen, dha një intervistë kur flitej se ,
okeeeej... sulltani...
dakord...dakord,dakord, por...ooohhh, jo, djalli nuk është aq i keq sa e bëjnë.
Ai ...dakord, ka të metat e veta, si çdo njeri, ama....le të thonin lexusit, a
ka ndodhur ndonjë sulltan në këtë botë që të mos ketë harem? Kurse i yni, jo,nuk
ka. Për më tepër atë nuk e shikon njeri restoranteve, se vete ha vetëm supën e
dorës së të shoqes. Po kjo është shumë e rëndësishme, shumë kombëtare...Dakord,
huqet janë huqet, po, a nuk kemi huqe të gjithë? A nuk kemi edhe ne fenomenet
tona kombëtare , siç janë edhe liderët tanë?
Kaq duhej...
Në krye të gjashtë muajve, të dy burrat, Sulltani dhe kryeshefi i
hafijeve u mblodhën sërish kokë më kokë.
“Hë, si është tani puna e poetëve”. A më shajnë më?
“Hahahahah....Joooo... Thonë se duhen respektuar organet e shtetit, kur i nguc
ndonjë gazetaruc. Dhe…
Ncncncnc.... Kanë nisur po shkruajnë për sulltanatin etnik, madhëri... shkruajnë
për prejardhjen e tëra gjuhëve të botës nga gjuha jonë...Deri edhe “Atlantikun”,
“Maqedoninë” dhe “Berlinin” e ka nxjerrë me origjinë nga gjuha jonë njëri prej
tyre, kurse...tjetri...ai më plaku....E kujton, madhëri?”
Sulltani tundi kokën duke e parë me pamje triumfatori. Se, në fund të fundit,
çdo mjeshtri e re, e ka një emër në fund.
“Ai e hapi ceremoninë e tij të fundit poetike me....hahahah....”
Si shumë po qeshte sot në mëngjes ky kryespiuni!
Sulltani e pa me vëmëndje. E merrte me mënd ky se çfar pasoja të mundëshme ka
cilido, që sillet i shpenguar para sulltanit?
Tjetri, megjithëse e ndjeu mirë vështrimin dhe e kuptoi mirë se çfar do të
thoshte ai, vazhdoi të qeshte.
Sapo të mbaronte, Sulltani do t’i kërkonte llogari dhe...do ta burgoste
menjëherë.
Mirëpo ai, po qeshte sërish.
Sulltani me nerva të hekurta e la të qeshte rehat. Të qeshte për të fundit herë,
para burgut apo,mbase, edhe para litarit.
Më së fundi, ai pushoi së qeshuri, dhe vazhdoi:
“ Ceremonia e tij e fundit poetike, niste me një poezi ku ofshante se si
qe bërë kaq dhe nuk e kishte provuar një kineze një herë. E kishte patur vetëm
një mur pas. “Pi raki e ha meze, pas murit ish një kineze”
“Ë?! Qe I brengosur...brengosja poetike e tij ishte se si nuk kish palluar një
kineze, the?”
“Po madhëri”
Ishte radha e një palë të qeshurave të tjera.
Duke qeshur si përbindësh sulltani, ra nga muri një pikturë e varur.
Ai e flaku nga penxherja duke fshirë lotët.
Si u shkri së qeshuri, Sulltani Halim Bin Halim bin Salim bin Heqim al Mu
Kabala u mvrejt sërish.
“Po, ka më poetë?”
“Ka...Ende ka...Por janë në pragun e shfarosjes. Ata nuk kanë para as për një
kafe, jo më të paguajnë librat e tyre”
“Po, të huajtë, burokratët e tyre, se mos na cilësojnë si vënd pa poetë,
moreeeeee”
“ Jo, Madhëri. Ne kemi ca nga rraca e këtyre që janë përfshirë në politikë. Ata,
me shpenzimet e tyre dhe pa prekur fondin shtetëror, bëjnë promovime librash dhe
ftojnë amabasadat e huaja atje...”
“ Kështu...ata shkruajnë prapë, janë poetë prap!
” Një qën me mëgojca, nuk ka fuqi të luftojë; një qën që sillet rrugëve të
kryeqytetit, nuk ka fuqi të lehë; një qën që ha tri herë në ditë ushqim të
programuar, vetëm lehë, por i rezervohet betejës, Madhëria Juaj. Një qën...”
“ Të mora vesh”
“ Dhe, Madhëria Juaj, askush nuk e din të vërtetën që e dijmë vetëm ne të dy,
Madhëri... Vetëm ne të dy!.Që në ëndin tonë, rraca e poetëve është shfarosur
tanimë”

RIZA LAHI

A ka, dhe ku ka, racizëm?



Nga Besnik Pula


Shkrimtarja dhe aktivistja palestineze, Susan Abulhawa, këto ditë përmes një shkrimi, reagoi kundër njërit prej përfaqësuesve kryesorë të të ashtuquajturve Nouveaux Philosophes (Filozofëve të rinj) francezë, Bernard-Henri Lévy. Shkas për reagimin kishte qenë se Lévy, në një ese, kishte marrë shembull novelën e Abulhawas Mornings in Jenin (Mëngjeset në Jenin), si njërën nga shfaqjet e reja të antisemitizmit në kulturën evropiane. Sipas Lévyt, antisemitizmi në Evropë është në ngritje e sipër, kurse novela e Abulhawas, një tregim historik i ndodhur në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor, përfaqësonte sipas Lévyt, “një përqendrim i klisheve antisemite e antiizraelite që maskohet si një vepër letrare”. Ajo që vuri re Abdulhawa në reagimin e saj, gjë që ishte pjesë përmbajtjesore edhe e esesë së Lévyt, ishte barazimi i antisemtizmit me kritikën kundër politikave izraelite. Kjo është, kuptohet, një taktikë e vjetër, e promovuar edhe nga neokonservatorët amerikanë proizraelit – se çfarëdo kritike ndaj Izraelit, sidomos politikave të tij në raport me popullatën e okupuar palestineze, ka për bazë antisemtizmin – urrejtjen tradicionale kundër përfaqësuesve të fesë hebraike. Mënyra më efikase që t’i neutralizosh kritikat e dikujt, është që të sugjerosh se ato bëhen nga motive raciste. Në këtë rast, antisemitizmin.
Një rast tjetër interesant i dy anëve të tjera të antisemitizmit u tregua gjatë një ligjërate të filozofit slloven Slavoj Žižek në Bibliotekën Publike të New Yorkut. Žižek tregoi për atë që i kishte ndodhur një miku të tij në New York menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Pasi kishte marrë një taksi, shoferi i kishte folur atij se si sulmet e 11 shtatorit ishin një komplot jahudit. Si provë, taksisti kishte marrë faktin se në sulmet e 11 shtatorit, nuk kishte qenë vrarë asnjë jahudit. I indinjuar nga kjo shfaqje e antisemitizmit, miku i Žižekut kishte kërkuar nga shoferi që ta ndalte taksinë menjëherë, duke dalë nga makina në mënyrë protestuese. Pak më pas, kishte rastisur në sheshin Union Square, ku ishin tubuar disa pjesëtarë të një sekti jahudit ortodoks. Rabini që fliste aty, u drejtohej të tubuarve: “Në sulmet e 11 shtatorit nuk vdiq asnjë çifut! Kjo është shenjë e dërguar nga Zoti se ne jemi populli i zgjedhur!”.
Në një lojë të ngjashme midis papërcaktueshmërisë së koordinatave të sakta ideologjike midis racizmit dhe kritikës së mirëfilltë, jemi edhe ne kosovarët pas botimit të raportit të Dick Martyt. Buja e këtij raporti ndahet në dy faza. Është faza e parë, kur doli raporti (dhe sidomos lajmi për të në gazetën britanike The Guardian) me ç’rast pasuan reagimet e para kundër tij. Faza e dytë është reagimi ndaj reagimeve, ku problemi më nuk është raporti, po pse ky apo ai person publik ose organizatë nuk reagoi sipas mënyrës së si duhet reaguar ndaj një raporti si ky.
Por çfarë ishte karakterizimi i raportit që në fillim? Shumë herët, në ligjërimin publik rreth raportit u vunë në rend të parë tri elemente: (1) raporti denigron UÇK-në dhe luftën çlirimtare duke ia veshur asaj një aktivitet të pistë gjatë luftës, trafikimin e organeve; (2) akuza për trafikimin e organeve është një akuzë e përgatitur nga Beogradi; (3) Dick Marty njihej qysh më parë për kundërshtinë e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Përfundimi prandaj është: raporti është fabrikim, kurse Dick Marty një aktivist antishqiptar. Sipas kësaj skeme, motivi antishqiptar i Martyt shpjegon raportin dhe përmbajtjen e tij. Po ta kishte shkruar një raport të ngjashëm për ndonjë rast në Izrael, ka gjasa të mëdha që Lévy do ta akuzonte Martyn si antisemit. Si pasojë, reagimet menjëherë u përqendruan në këto linja: raporti është antishqiptar, denigron luftën çlirimtare. Ata që nuk iu nënshtruan kësaj linje filluan t’i nënshtrohen një rendi tjetër të akuzave: si shërbëtorë të Beogradit, proserbë etj. Sepse si shumë sende të tjera, çdo dukuri politike në Kosovë përfundimisht lidhet me marrëdhëniet (e tashme apo të kaluara) të Kosovës me Serbinë. Për shkaqe historike, kjo është një nga skemat mendore dominante përmes së cilës vlerësohet dhe gjykohet një pjesë e madhe e dukurive politike në Kosovë.
Por, çështja që ngrit raporti është ndoshta tjetër fare, dhe ka të bëjë fare pak me Serbinë apo me luftën në Kosovë. Çështja është, a ka elemente raciste në raport, dhe nëse ka, çka tregon kjo për racizmin kundrejt shqiptarëve? Kur bëhet kjo pyetje, duhet t’i shmangemi trukut të Lévyt, sipas të cilit çdo akuzë kundër politikave të shtetit izraelit është akuzë antisemite (që në rastin tonë përkthehet, se çdo akuzë kundër, në këtë rast, UÇK-së, apo udhëheqjes politike, është akuzë antishqiptare). Nëse Marty akuzon në raport disa pjesëtarë të caktuar të UÇK-së për veprime të caktuara gjatë kohës së luftës, çfarëdo qofshin ato, kjo nuk mjafton për ta cilësuar nismën e tij si antishqiptare. Mbetet të provohet nëse akuzat janë të vërteta apo jo, meqë raporti nuk e bën një gjë të tillë. Çështja më e rëndësishme është se nëse raporti shpreh një lloj qëndrimi racist ndaj shqiptarëve, cili është ai racizëm? Racizmi si gjest verbal, në këtë pikë, nuk është ndonjë akuzë politike ndaj ndonjë subjekti të caktuar, por, ndër të tjera, stigmatizimi i një grupi përmes ndonjë veçorie kulturore të tij. Për shqiptarët, stigmatizimi i zakonshëm perëndimor lidhet, në radhë të parë, me strukturën familjare te shqiptarët. Dhe në rastin më të zakonshëm struktura familjare (familja e madhe, lojaliteti familjar dhe lidhjet e ngushta farefisnore), apo baza etike e organizimit tradicional familjar (që lidhet shpesh me praktikat tradicionale nga “Kanuni”) përdoret si argument për të shpjeguar efikasitetin e grupeve shqiptare në krimin e organizuar dhe kapacitetet e tyre për t’i ikur zbulimit dhe kapjes nga institucionet e drejtësisë. Kjo vlen jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet evropiane ku pretendohet të veprojë “mafia shqiptare”.
Pikërisht kjo është një nga aspektet më prekëse të raportit të Martyt: jo që disa pjesëtarë të UÇK-së, sot pjesë e udhëheqjes politike të vendit kanë qenë/janë pjesë e krimit të organizuar etj., që janë akuza tashmë të njohura, por edhe mekanizmi mbrojtjes nga përgënjeshtrimi, që përmban raporti. P.sh., në paragrafin 172, raporti thotë se pengesa kryesore për drejtësinë në Kosovë është “lojaliteti fisnor”, pasi që, sipas raportit, ndjenja e lojalitetit që pjesëtarët e grupeve kriminale kanë ndaj bosëve të tyre është e barabartë me atë të një anëtari të familjes, ndërsa lojaliteti familjar është një pjesë konstituive e kulturës shqiptare. Kjo, thotë raporti, është një nga shkaqet pse dëshmitarët refuzojnë të flasin dhe të inkriminojnë bosët e tyre. Kjo domethënë se, nëse pjesë të raportit mbesin pa u vërtetuar, kjo nuk është si pasojë e fakteve të gabuara, por e kulturës shqiptare që nuk qenka kompatibile me proceset dhe mekanizmat e drejtësisë moderne. Lojaliteti familjar si faktor në zbatimin, organizimin dhe moszbulimin e kriminalitetit përmendet disa herë në raport. Nuk është vendi këtu të hyhet në shqyrtime demografike, ekonomike apo sociologjike të rolit të familjes në shoqërinë shqiptare në Kosovë. Nuk është vendi as të pyetemi çfarë peshe kanë lidhjet familjare në jetën shoqërore dhe institucionale, dhe sa dallon kjo p.sh. nga norma në shoqëritë e tjera ballkanike ose edhe ato perëndimore. Nuk është vendi as që të problematizohet vetë koncepti i “traditës familjare shqiptare”, që merret si një fakt i mirëqenë, a-historik dhe pa lidhje me strukturat e tjera shoqërore, siç janë shteti dhe ekonomia. Mirëpo, këto elemente të raportit, lehtë klasifikohen me ato përshkrime, tashmë jo të pazakonta në qarqet kriminalistike në Evropë, që bëjnë dy gjeste: e para, portretizojnë shqiptarët si grup i pashkëputur nga lidhjet fisnore, si një mbeturinë e primordializmit kulturor në Evropë. E dyta, strukturën familjare shqiptare e ndërlidhin me kriminalitetin, duke e bërë kushtin themelor organizativ për efektivitetin e tij. Krejt kjo na sugjeron një përfundim të caktuar: nëse raporti i Martyt përmban elemente raciste kundrejt shqiptarëve, ato nuk janë as përmbajtja e akuzave të tij konkrete, sado shqetësuese dhe indinjuese qofshin ato për trafikun me organe, dhe as e subjekteve të përveçëm të cilët emërohen aty. Ato janë pikërisht në mënyrën se si ligjërimi i raportit sugjeron se kultura familjare shqiptare paraqet jo vetëm një barrierë të patejkalueshme për zhvillimin modern të shoqërisë kosovare, por gjithashtu dhe një element konstituiv në aktivitetet kriminale. Kjo formë përfytyrimi e shqiptarëve në Evropë, në të cilën familja shqiptare paraqitet si shtyllë për krimin e organizuar, është një problem më i madh, dhe gjithsesi shkon përtej individit Dick Marty dhe raportit të tij.

Raporti Zyrtar, Ja masakrat serbe të 1913 në Dibër

Lufta e Parë Ballkanike filloi në tetor të vitit 1912. Serbia përparoi duke e shfrytëzuar vakumin e lënë nga thërrmimi i përandorisë Osmane në drejtim të invadimit dhe pushtimit të Kosovës dhe rajonit të Dibrës, që tash gjendet në kufirin mes Shqipërisë e Maqedonisë. Kjo ndodhi në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit të atij viti. Derisa Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë si shtet sovran më 29 korrik 1913, Kosova, Dibra, Ohri dhe Manastiri mbetën nën sundimin ushtarak serb dhe më 7 shtator 1913, Mbreti Peter I i Serbisë deklaroi aneksimin e territoreve të pushtuara. Një kryengritje e gjerë kundër sundimit serb filloi në Lumë (në jugperëndim të Prizrenit) dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës, që u shtyp nga një forcë serbe prej 20.000 trupave, që përparuan drejt Shqipërisë dhe për pak sa nuk arritën deri në Elbasan. Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913, por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar në dhjetor 1913, shpalos më imtësisht kërdinë e bërë pas amnistisë në Dibër dhe Lumë.

Raport zyrtar

paraqitur Fuqive të Mëdha

Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit, masakra të bera pas revoltës së malësorëve shqiptarë. Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishëm, që e ka përpiluar përsonalisht me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.

Krahina e Dibrës

Në Klos, bandat serbe kanë therur Ahmet Aliun dhe vëllain e tij, sikurse edhe Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. I tërë fshati është grabitur.

Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve, Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur.

Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur. Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve.

Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur pasi ishte grabitur.
Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur.

Në Sopot, i tërë fshati është rrënuar dhe plaçkitur. Shumë shtëpi janë djegur. Të gjitha kafshët janë vjedhur dhe këta persona janë therë në bajonetë: Ali Kamberi, shërbëtori i tij, Hamza Disha, si dhe Salih Selimi.

Në Dibër (qytet), disa orë para sulmit të malësorëve, prefekti lokal dhe komandanti ushtarak arrestuan tetëmbëdhjetë udhëheqës të qytetit, që janë ekzekutuar pa u gjykuar: Ramiz Karanfili,Sheh Husejni, Numan Hasani dhe Safet Bej. Të tjerët mbijetuan falë hyrjes në atë kohë të malësorëve në qytet dhe ushtria serbe u detyrua të ikë me ngut. Kur u kthyen në qytet, serbët e plaçkitën krejt qytetin dhe morën me vete mbi një milion lira turke të vjedhura. Shumë shtëpi u dogjën, posaçërisht ato e Ali Beut, Rakip Qatibit dhe Kurtish Agait. Me vrazhdësi të paparë, serbët po ashtu i masakruan shumë njerëz të tjerë, mes të cilëve kishte edhe të tillë që bënin punët e tyre dhe s’merrin pjesë në kryengritje. Mes të masakruarve ishin: Kurtish Aga, Behgjet Efendi, Haxhi Syreja Efendi, Reshid Efendi Kusari dhe Sadullah Shtrazimiri. Në këtë çast, qyteti i Dibrës është thjesht i shkretë, sepse banorët kanë ikur në mal. Në qytet kanë mbetur vetëm dyqind apo treqind veta të të dyja gjinive.

Në Gjoricë, një ditë pas vizitës së një oficeri të dërguar nga qeveria austriake, që ishte duke kaluar dhe verifikuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga rajoni, serbët u rishfaqën në fshat dhe vranë një grua dhe një fëmijë pesëvjeçar. Ata, po ashtu, e plagosën një grua tjeter.
Në Homesh, vetëm tri nga 150 shtëpitë e katundit qëndrojnë në këmbë. Të gjitha janë djegur pasi që ishin plaçkitur. Pasi janë dorëzuar, serbët i kanë vrarë: Musa Ismajlin, Shemsedin Bajramin dhe Halit Sulejmanin, që ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Herën e parë i morën 1000 krerë dele, 150 krerë gjedhe dhe 40 kuaj. Herën e dytë, ata morën 50 krerë dele, nëntë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj.

Në Shupenzë, pas vjedhjes së shtëpive dhe marrjes së gjërave të vlefshme, serbët masakruan: Ali Myslimin dhe vëllain e tij Abdiun, Hasan Abazin dhe Dalip Elmazin.

Në Okashtinë, vetëm një shtëpi qëndron në këmbë nga 74 sa ishin. Të gjitha janë plaçkitur dhe djegur. Dy burra të quajtur Ferhat dhe Nazif janë prerë me bajonetë. Krejt kafshët janë marrë.
Në Topojan, fshat me 68 shtëpi, kishte plaçkitje dhe djegie të përgjithshme. Një burrë me emrin Abdullah Xhaferri u pre në qafë pasi nuk ishte në gjendje të paguante pesë lira turke (115 lira italiane) të kërkuara haraç nga oficeri komandues i detashmentit. Ushtarët serbë i morën me vete të gjitha kafshët.

Në Kovashicë, Malik Bajrami, Aziz Haxhi, Ahmet Ramadani, Leka, Destan Jashari, Sejfedin Elezi dhe Sulejman Ramadani janë masakruar. 150 krerë delesh, 41 gjedhe dhe 13 kuaj janë vjedhur. Burri me emrin Rashid Rexhepi është kursyer nga vrasja vetem së i ka paguar haraç prej 150 lirave turke (rreth 3450 franga) komandantit të detashmentit serb.

Në Gjuricë (katundi afër Topojanit) janë masakruar 14 burra. Dy gra po ashtu janë vrarë: Naile Seferi dhe Zemane Ibrahimi, si dhe djemtë e vegjël: 8-vjeçari me emrin Ismail Mehmedi, 10-vjeçari me emrin Bajram Elezi, 7-vjeçari me emrin Rrahman, dy dymbëdhjetëvjeçarë, njëri i quajtur Hasan Ali dhe tjetri Elias dhe e bija e Husein Cokës.

Në Golevishtë, i tërë fshati është grabitur. 74 shtëpi janë djegur dhe dy burra, njëri me emrin Halil Numani e tjetri Nuredin Mustafa janë prerë në fyt. Sa u përket kafshëve, herën e parë serbët i kanë marrë 1000 krerë dele, 30 krerë gjedhe dhe 35 kuaj, kurse herën e dytë 23 kuaj, 40 gjedhe dhe 500 krerë dele.

Në Kërçisht, dy shtëpi të vetme myslimane janë djegur. Pastaj janë vjedhur 60 krerë dele, dy dema dhe katër lopë.

Në Bllatë, serbët kanë djegur 75 shtëpi dhe kanë masakruar Rexhep Lleshin së bashku me të vëllain Abdiun dhe djalin e vogël Bajramin, si dhe gruan e Islam Kuaranas. Fshati është plaçkitur tërësisht dhe kafshët e mbetura, 90 krerë dele dhe 50 krerë gjedhe, janë marrë.

Në Zogjaj, fshati është plaçkitur të gjitha të mirat. Drutë e dimrit dhe kafshët janë marrë. Serbët i kanë shkatërruar 124 shtëpi dhe, derisa zjarri shndërronte çdo gjë në hi, ata i kanë hedhur këta njerëz për së gjalli në flakë: një grua me emrin Rihane, dy vajza me emrat Fazile e Myslime dhe një 7-vjeçar me emrin Bajram. Ata gjithashtu i prenë me bajoneta Haxhi Myslimin, Nezir Azizin, Halil Numanin dhe Zenel Hasanin. Duke u kthyer për të dytën herë në Zogjaj, serbët masakruan: Musafa Myslimin, Aziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Ata, po ashtu, i vodhën shtatë lopë dhe gjashtë dele, që i kishin shpëtuar plaçkitjes së parë.

Në Maqellarë, 10 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Për me shumë, serbët i kanë prerë: Elmaz Selmanin dhe të birin e tij Selmanin, Malik Rexhepin dhe të birin e tij Muratin, Hasan Sulejmanin, Abdullah Qehajën, Hajredin Hasanin dhe të tre bijtë e tij Ymerin, Ramizin dhe Tevfikin, të vëllain Rakipin, babën Hasanin; Rrustem Mehmetin, Numan Shemsedinin, Ramadan Bajramin dhe Ejup Edhemin. Banorët e tjerë të fshatit u detyruan të sjellin 50 krerë gjedhe, dy lope dhe 113 dhi, në mënyrë që të mos masakrohen.

Në Poçest, serbët e kanë vrarë Muharrem Muharremin dhe të birin e tij Behgjetin. I morën 100 krerë dele dhe nëntë copë bagëti, si dhe 150 lira turke (afër 3450 franga), që i zbuluan nëpër xhepat e katundarëve.

Në Kërçisht të Poshtëm, serbët kanë vjedhur shtëpinë e Mehmet Ejupit pasi ia pre në fytin atij në prani të familjes.

Në Çerenec, ata dogjën 23 shtëpi dhe e masakruan Hasan Abazin bashkë me gruan e tij, Ramadan Salihun dhe Rrustem Sulejmanin. Ata e kanë vjedhur krejt fshatin duke i marrë me vete të gjitha gjërat e vlefshme, furnizimet dhe kafshët. Në Bllacë, i gjithë fshati është djegur pasi ishte vjedhur. Banorët janë prerë me shpatë, krejt pa shkak, kështu që ka qenë e pamundshme përpilimi i listës së viktimave. Kur u kthyen në Bllacë, serbët e panë se i kanë lënë pa marrë 250 krerë dele, 37 lopë dhe 28 kuaj, kurse barinjtë i masakruan.

Në Spas ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe i dogjën dhjetë prej tyre. I morën të gjitha kafshët që mundën t’i zinin, 150 krerë dele, katër kuaj dhe 13 krerë bagëti.

Në Klobuçishtë, pas grabitjes së të gjitha shtëpive, ua vunë pastaj zjarrin. Tridhjetë shtëpi u bënë shkrumb e hi. Po ashtu, në prani të katundarëve i vranë: Adil Bilhalin, Ahmed Abazin, Mustafa Murtezin, Xhelaledin Destanin dhe të vëllain e tij Musën, Hajredin Maksutin, Lutfi Fejzullahun, Reshid Murtezin dhe të birin tij Fetahun, Gazanfer Zejnelin dhe të tjeret. Serbët poashtu i vodhën 150 dele dhe dhi, 11 bagëti të tjera, dhe një gomar.

Në Pulçishte (Poçest?) serbët i morën 103 krerë dele, l5 krerë gjedhe, 14 kuaj, shtatë gomerë dhe 65 lira turke (afër 1500 franga). Kur u kthyen herën e dytë, ata zunë dhe morën edhepesë dele, 10 gjedhe dhe një kalë. Në Obok, i tërë fshati është plaçkitur dhe udhëheqësit e fshatit, Ramadan Bajramit, i është prerë fyti. Kur kaluan herën e parë, serbët morën një tufë prej 120 deleve dhe, herën e dytë, ata morën 25 dele, dy dema, një kalë dhe dy gomarë.

Në Pesjakë, ata kanë djegur dhe shkatërruar të gjitha shtëpite. Prej banorëve kanë vrarë këta: Jahja Ismajlin, Malik, Mahmut, Sejfullah, Abaz dhe Vehbi Sulejmanin. Serbët, po ashtu kanë marrë me vete 14 bagëti, 50 dele dhe një gomar.

Në Erebarë i gjithë fshati është plaçkitur dhe këta përsona janë masakruar: Ibrahim Osmani, Junus Kurtishi, Xhafer Demiri dhe Destan Ishaku. Po ashtu i kanë marrë me vete tre kuaj, një gomar dhe tetë krerë dele. Ata ia kanë marrë një tufë prej 150 deleve Shukri Beut nga kullota afër fshatit.

Në Vojnik, serbët plaçkitën e dogjën të gjitha shtëpite, 51 sish dhe, derisa flakët e shkretonin fshatin, ushtarët serbë e therrnin me bajoneta kë e gjenin. Mes viktimave ishin Sinan Ibrahimi, Nazif Numani, Ali Selimi dhe Idriz Shabani. Për më tepër, një grua me emrin Shame është torturuar dhe i është prerë fyti në prani të fëmijëve të saj. Të gjitha kafshët, 100 krerë dele, tetë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj janë marrë.

Në Allajbegi, serbët e plaçkitën tërë fshatin dhe dogjën 65 shtëpi. Ata masakruan këta persona: Ibrahim, Zejnel Dalipin, Salih Ahmetin, Ali Selimin, Hajdar Shabanin dhe vëllain e tij Hajredinin, Hajredin Muçajn, Ali Osmanin, Numan Elmazin, Sejfedin Selimin, Zejnel Saipin, Salih Sulejmanin, Fazli Abazin dhe gratë: Shame, Qamile, Alie, Nimetallah, Hibe, Zaide, Fatime dhe një vajzë pesëvjeçare. Të gjitha kafshët e kullotave përreth janë vjedhur e marrë.

Në Avalan, fshati është plaçkitur dhe katër shtëpi janë djegur. Kryeplaku i katundit Ismajl Ismajli është prerë në fyt dhe kafshët, 90 krerë dele, 6 kuaj dhe 1 gomar janë marrë.

Në Çankë, pasi fshati është vjedhur, nëntë shtëpi janë djegur. Prej banorëve të fshatit janë prerë këta: Beqir Rrustemi, Husejn Abazi, Shahin Numani dhe Zejnullahu. Ata po ashtu i morën me vete 13 kafshë.

Në Kovaçicë, i tërë fshati është plaçkitur dhe 32 shtëpi janë djegur. Të masakruar ishin: Elias Dauti, Nuredin Nurçe, Salih Osmani dhe Zejnel Troza. Serbët morën dy dema, 30 krerë dele dhe nëntë lopë.

Në Bllatë të Eperme, i tërë fshati është plaçkitur dhe 18 shtëpi janë djegur. Abdul Azizi dhe Abdurrahmani ishin të vetmet viktima të serbëve. Për më tepër, 42 krerë dele dhe dy kuaj janë marrë.

Në Bllatë të Poshtme, 25 shtëpi, pasi janë plaçkitur, janë bërë shkrumb e hi. Një burrë me emrin Ali Bllata dhe të dy bijtë kanë vdekur në flakë. Serbët po ashtu i kanë marrë 30 krerë dele, katër lopë dhe tre kuaj.

Në Lishan, pasi fshati është plaçkitur, është djegur i tëri dhe të gjitha kafshët e gjetura në stalla dhe jashtë tyre janë marrë.

Krahina e Dibrës së Ulët Në Rabdisht, fshati është plaçkitur dhe është shkatërruar krejtesisht. 38 shtëpi dhe afër 30 stalla janë djegur. 65 burra janë masakruar, si zakonisht, me bajonetë. Për më tepër, në mesin e tyre ishte edhe një djalosh 6-vjeçar, i biri i udhëheqësit lokal, që ishte hedhur për së gjalli në flakë. Serbët, po ashtu, morën me vete 400 krerë dele, 150 dhi, 60 lopë dhe 22 kuaj. Hallakatja e xhepave të banorëve që ishin kursyer nga vdekja rezultoi me 20 lira turke (afër 450 franga), të cilat serbët i konfiskuan.

Në Zimur, serbët plaçkitën dhe dogjën shtatë shtëpi. Ata i prenë me bajoneta: Ahmet Shabanin, Mulajm Elmazin, Sulejman Zeqirin, Veisel Rizajn dhe Salih Shabanin. Kafshët u morën dhe ishin 245 krerë dele dhe 12 dema.

Në Staravec, i tërë fshati u plaçkit dhe 42 shtëpi u bënë shkrumb. Viktimat ishin: Husejn Muça, Reshid Rrahmani dhe një grua e quajtur Zobejda. Serbët zunë dhe morën 300 dele e dhi, 30 krerë bagëti të tjera dhe katër kuaj.

Në Bahutaj, serbët e detyruan Ramadan Mehmetin dhe shoqeruesit e tij të rrinë në terezi dhe pastaj ua prenë fytet. Ata i morën 10 kuaj.

Në Tomin, fshati është plaçkitur dhe dy shtëpi, teqeja dhe xhamia janë djegur. Mazllum Jusufi dhe një çunë dhjetëvjeçar janë prerë. Të gjitha kafshët e gjetura janë marrë.

Në Dohoshisht, pas grabitjes së fshatit, 55 shtëpi janë djegur. Mes viktimave që janë masakruar tmerrshëm, njeriu mund të njihte trupat e Malik Bajramit, Ramadan Ahmetit, Ymer Sadikut, Zejnullah Hasanit, Halil Junuzit, Musa Bajramit dhe Shaban Halilit. Serbët morën me vete edhe 400 krerë dele dhe 200 kuaj.
Në Zagrad, ushtarët shkatërruan tetë shtëpi dhe vodhën katër kuaj.

Në Bellovë, serbët plaçkitën tërë fshatin dhe morën çdo gjë që mund të bartnin.

Në Grazhdan, 22 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Aziz Shemsedini, Hasan Zekiria, Xhafer Jusufi, Emrullah Mahmuti, Mon Beqiri, Hasan Durmishi, Rrustem Hasani dhe i vëllai i tij Zekiria, Bexhet Nuri dhe e shoqja e tij, Ismail Xhelili dhe i biri i tij Elias, Elez Hasani, Emrullah Demiri, Sinan Xhaferi, Aziz Kurteshi, Maksut Numani dhe Ferhat ishin prerë me bajonetë në prani të familjeve të tyre. Serbët, po ashtu, i morën të gjitha kafshët.

Në Muhurr, ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe 14 i dogjën. Kur kapërcyen herën e parë, i morën 200 krerë dele, 100 qengja, 30 lope dhe 15 kuaj, si dhe mbi 300 lira turke (afër 7000 franga) që i gjetën në xhepat e banorëve. Kur kaluan herën e dytë nëpër fshat, trupat serbe vodhën 10 dele dhe një kalë. Ata i shkuan në bajonetë edhe njëmbëdhjetë udhëheqës fshati.
Në Luzni, të gjitha shtëpitë private janë plaçkitur. Serbët pastaj i shkatërruan pesë shtëpitë kryesore. Ata i morën të gjitha kafshët që i gjetën në stalla, mbi 1500 dele e dhi dhe 200 krerë bagëti të tjera. Dëmet njerëzore, të vrarë me bajoneta, janë 45 veta, emrat e të cilëve me kujdes janë verifikuar dhe regjistruar.

Në Çetush, katër shtëpi janë djegur dhe përsonat: Asma Hasani, Zejnel Shabani dhe Osman Numani janë masakruar. Tre kuaj janë vjedhur. Në Brezhdan, serbët plaçkitën dhe dogjën 17 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Abedin Osmanin, Shahin Mehmetin dhe Salih Kadriun. I morën, po ashtu edhe 25 kuaj.

Në Ushtelencë, i gjithë fshati është grabitur dhe trembëdhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi.Janë masakruar këta përsona: Numan Rrustemi, Muslim Zeki dhe Mehmet Gota. U morën edhe 17 kuaj e gjashtë dema.

Në Deshat, serbët dogjën 15 shtëpi dhe e hodhën një djalosh dhjetëvjeçar e dy gra në flakë për së gjalli. I vodhën 50 krerë bagëti dhe 500 krerë dele.

Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum. Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj.

Në Borovjan, serbët i dogjën dy shtëpi dhe prenë në fyt Rrustem Muharremin, në prani të familjes së tij. Po ashtu i morën 27 krerë bagëti, 119 dele dhe pesë kuaj.

Në Rashnopojë, ata plaçkitën në tërësi shtëpitë, por nuk mundën t’i digjnin asnjë prej tyre. Ata i prenë në fyt gjashtë fshatarë udhëheqës: Bajram Mehmetin, Malik Rakipin, Selman Rakipin, Behgjet Behlulin, Osman Azanin, Hajredin Malikun dhe vodhën 20 dema.

Në Cerjan, serbët shkatërruan shtëpitë dhe vranë tre burra: Fazli Sulejmanin, Jashar Hejbatin dhe Bektesh Arsllanin dhe një grua; Zobejden. I morën 14 kuaj dhe 60 krerë dele.

Në Pilaf, të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë prej tyre janë djegur. Serbët e prenë me bajonete Dalip Ramadanin në prani të së ëmës së tij të vjetër.

Në Pilaf-Mahallë ata grabitën të gjitha shtëpitë dhe shkatërruan tetë nga to. E vranë Hasan Fetahun, Salih Jusufin dhe të bijen e tij gjashtëvjeçare Fatimen. Për më tepër soldateska serbe i vërviti djemtë e vegjël, 6-vjeçarin me emrin Shukri dhe 4-jeçarin me emrin Hasan në flakë. U morën 100 krerë bagëti, 200 krerë dele dhe tetë kuaj.

Në Pollozhan, krejt katundi u grabit dhe tri shtëpi u dogjën. Këtu mbetën njëmbëdhjetë viktima: Hajredin Vehta dhe vëllai i tij Azizi, Jusuf Uka, Hajredin Shkurti, Husejn Zejneli, Hajredin Halili, Said Pasha, Emin Shahini, Elez Numani dhe vëllai i tij Osmani dhe i biri i këtij të fundit. Sa i përket kafshëve, ata morën 50 krerë dele 12 dema dhe katër kuaj.
Në Gliçë (Blliçe?), të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë sish janë djegur. Serbët ua prenë fytin tre burrave (Xhafer Rrustemit, Destan Hasanit dhe Xhemal Salihut) dhe një gruaje (Ajshes). I morën 250 krerë dele dhe 30 kuaj.

Në Limjan, i tërë fshati u grabit. Në mesin e banorëve që u prenë me bajoneta ishin Hasan Shahini, Sejfullah Ibrahimi, Abdurrahman Fetahu, Qerim Sadiku dhe Bajram Xhelili. Po ashtu, i morën 200 krerë dele, 20 1opë dhe 10 kuaj.

Në Peshkopi, pasi u plaçkitën të gjitha shtëpite, 57 nga to, mes tyre edhe me të rëndësishmet, u dogjën. Të masakruar ishin: Xhelaledin Abazi, Ali Ymeri, Xhelman Selmani, Hasan Arsllani, Hajredin Shabani dhe Murat Demiri. 180 krerë bagëtish, 450 dele e dhi,15 mushka dhe 20 kuaj janë marrë me vete. Në Trepçë, katundi u plaçkit dhe Zejnullah Ahmeti u pre me egërsi në sy të familjes së vet. Dy kuaj dhe 57 krerë dele janë marrë.

Në Çidhën, tridhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Tre burra ishin mes viktimave: Kitan Keloshi, Hasan Hani dhe Arsllan Sadiku. 500 dele e dhi, 200 krerë bagëti, 13 kuaj dhe tre gomarë janë marrë.

Në Renz, serbët shkatërruan pesë shtëpi, ia prenë fytin Zëjnel Ahmetit në shkallare dhe morën 100 dele e dhi, 12 lopë, dhe 5 kafshë të tjera. Tregimi i masakrave mban me vete listën tmerruese të zbulimit të martirizimit të rinisë shqiptare.

Detajet janë pajisur edhe me vrasjet e bëra në pjesë të tjera të Krahinës së Dibrës së Ulët të Shqipërisë veriore, siç janë:

Në Dipjakë, grabitje e përgjithshme ku ndodhi vrasja e një burri me emrin Beqir Sulejmani dhe ku u paguan haraç 45 lira turke nga banorët për komandantin serb që të ndalte masakrën. Por, të gjitha kafshët i morën.

Në Venisht, grabitje dhe rrënime. U prenë në fyt Beqir Asimi dhe Idriz Tahiri dhe u plaçkitën të gjitha kafshët.

Në Sllatinë 30 shtëpi u shkatërruan. Bahtial Idrizi u dogj i gjallë dhe 1365 krerë të bagëtive u morën.

Në Trojak dhe Velështë 41 shtëpi u bënë shkrumb e hi. U vranë këta përsona: Zaim Idrizi, Abas Huseini dhe Salih Kadri. 660 kafshë janë marrë.

Në Kallë 30 shtëpi janë djegur. Një grua me emrin Daveshe është hedhur për së gjalli në flakë. Bajram Rrustemit iu pre fyti në shkallaret e shtëpisë së tij. 576 kafshë i morën.
Në Sllovë, nuk kishte viktima, pasi popullata nuk i kishte besuar amnistisë serbe dhe kishte ikur në male. Fshati u plaçkit krejtësisht, 32 shtëpi u dogjen krejt dhe 319 kafshë i morën teksa kullosnin.

Në Dardhë, plaçkitje të përgjithshme. Dy viktima: Nuredin Sulejmani dhe Ramadan Sinani. 380 kafshë janë marrë.

Në Reç, plaçkitje e përgjithshme dhe marrje e 600 kafshëve.


Në Shumbat Palaman, plaçkitje, rrënim i tetë shtëpive. Tri gra, Rihane, Selvije dhe Ajshe, dhe tre burra, Jusuf, Bajram dhe një Bajram tjeter, janë vrare. Mbi 1340 kafshë janë marrë. [...]

Marrë nga gazeta e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913.

Raporti i Hagës në 2004: Nuk ka të dhëna për trafik organesh

Hetimet e zhvilluara në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat afër Burrelit, në Shqipërinë Veriore, nuk kanë mundur të vërtetonin pretendimet se në atë shtëpi janë hequr veshka të njerëzve për qëllime tregtie. Sipas një artikulli të “Koha Ditore”, një raport i marsit të vitit 2004, i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe të Kombeve të Bashkuara, siguruar nga kjo gazetë, thotë se ekzaminimet në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” nuk kanë dhënë dëshmi bindëse se aty është derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale. “Bazuar në ekzaminimet tona, sipas mendimit tonë, nuk ka dëshmi bindëse se personat kanë derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale në shtëpinë në jugperëndim të Burrelit të Shqipërisë”, thuhet në raport. Thashethemet që kanë qarkulluar për shumë vjet, të cilat kanë shpërthyer në nivel ndërkombëtar pas raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, lidhur me pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga ish-krerë të UÇK-së, kundër serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë për heqje të organeve të tyre në muajt pas luftës në Kosovë, në bazë të tri hetimeve paralele ndërkombëtare, nga hetues për krime lufte nga Serbia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, kanë dështuar për të zbuluar ndonjë provë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka trafikuar organet e robërve. Karla del Pnte nuk arriti të provojë akuzat se dhjetëra të burgosurve, kryesisht serbë u janë hequr organet, në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë” në afërsi të Burrelit.

Kosova: Raporti i Martit, nga shërbimi sekret serb

Mediat kosovare kanë publikuar dje, faktin se eurodeputeti zviceran i është referuar raportit të Shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA (Bezbednosno-Informativna Agencija), për të hartuar raportin e tij. Gazeta kosovare, “Koha Ditore” ka arritur të sigurojë një raport të vitit 2003, të shkruar nga ky shërbim inteligjent serb. Në këtë raport, BIA bën përpjekje që të përshkruajë “rrjetet terroriste tek shqiptarët”. Raporti nuk flet për trafikimin e veshkave, por përmend grupe të ndryshme të shqiptarëve, të lidhur me trafikim të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore. Siç pritet, raporti i inteligjencës serbe përshkruan UÇK-në, pastaj UÇPMB-në, por edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si grupe terroriste, të cilat merren edhe me krimin e organizuar. Ngjashmëritë mes raportit të BIA-së dhe atij të Dick Martit janë në gjuhën që përdor për të përshkruar funksionimin e shoqërisë shqiptare, në referencat që i bën Grupit të Drenicës dhe në mënyrën se si shkruhet mbiemri i kryeministrit Thaçi. Anëtari i Këshillit të Europës, Dick Marti i ka dorëzuar javë më parë Këshillit të Europës, një raport ku ka përmbledhur aktivitetet e supozuara kriminale të ish-udhëheqjes së UÇK-së dhe ka rikthyer në vëmendjen e botës akuzat se pjesëtarë të UÇK-së kanë hequr veshkat nga civilë serbë të vrarë dhe i kanë përdorur organet për trafikim. Në raportin e tij, anëtari i Këshillit të Evropës, Dick Marti, tregon se burime të hetimit të tij janë raportet e shërbimeve të ndryshme inteligjente, por jo edhe ato të BIA-s.
Marti, shkruan se ka përdorur raportet e shërbimit inteligjent gjerman BND, se i është referuar shërbimit italian SISM-i, shërbimit britanik MI6 dhe atij grek EYP. Ish-prokurori zviceran thotë se raportet e këtyre shërbimeve japin “të paktën një bazë solide për të dëshmuar përfshirjen e Grupit të Drenicës dhe të sponsorëve të këtij grupi në shpëlarje parash, kontrabandë me drogë dhe duhan, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, dhe monopolizimin e sektorëve më të mëdhenj ekonomikë, përfshirë tregtinë me derivate dhe ndërtime”, shkruan Marti. Në lidhje me të gjitha akuzat që ngre raporti pati reagime të shumta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ndërkohë që kohë më parë, prokurorë të Hagës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë kanë zhvilluar një hetim që ka rezultuar me mosgjetjen e provave për pohimet lidhur me trafikimin me organe njerëzore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...