Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/03/31

Kuvendi miratoi buxhetin, hapet rruga për privatizimin e PTK-së

 Me 66 vota pro Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetitn e qeverisë së Kosovës për vitin 2011. Në këtë Ligj është përfshrië edhe neni 4 me të cilin parashihet privatizimi i PTK-së.
Me këtë Ligj buxhetor gjithashtu është paraparë edhe rritja e pagave për rreth 75 mijë punëtorë të cilët janë në marrëdhënie pune në Institucionet e Kosovës.
Tri partitë opozitare kanë kundërshtuar këtë projekt buxhet me arësyetimin se neni 4 i këtij Ligji buxhetor parasheh privatizimin e PTK-së. Por me miratimin e këtij Ligji për buxhetin, hapet rruga për privatizimin e PTK-së edhe në baza ligjore.
Kryetarja e Komisionit për buxhet dhe financa, Safete Hadërxhonaj ka theksuar se kanë qenë dy amendamente për nenin 4, njëri i propozuar nga Qeveria dhe tjetri nga opozita dhe votat në mbledhjen e komisionit kanë qenë të njëjta sa i përket këtyre amendamenteve. Duke pasur parasysh këtë, Komisioni ka rekomanduar që të dyja të vihen në votim.
Me përfshirjen e këtij neni, opozita ka paralajmëruar se do të votojë kundër projektbuxhetit, ngase këtë e konsideron si kontrabandë të Qeverisë për privatizimin e PTK-së
* * * * * *
Kuvendi i Kosovës sot do të shqyrtojë për herë të dytë projekt-buxhetin e Kosovës, në të cilin përfshihet edhe privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).
Opozita ka njoftuar se nuk do ta votojë projekt-buxhetin dhe njëra nga arsyet e mos votimit është përfshirja e Postës dhe Telekomit të Kosovës në privatizim. Ata kanë kërkuar heqjen e nenit 4, ku përfshihet privatizimi i PTK-së.
Në kundërshtim të privatizimit të PTK-së, sindikalistët e kësaj ndërmarrje kanë paralajmëruar protestë para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur mbahet seanca e Kuvendit.
Por BSPK, gjatë një konference të mbajtur më 29 mars, ka kërkuar nga deputetëve që ta votojnë projekt-buxhetin e Kosovës.
* * * * * * *
Kuvendi mblidhet sot për miratimin e buxhetit
Në një seancë plenare, sot mblidhet Kuvendi i Kosovës me një pikë të vetme në rendin e ditës - shqyrtimi për herë të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011.
Kryesia e Kuvendit kishte marrë vendimin për procedim më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin, nga sa e parasheh Rregullorja e Kuvendit, pas vlerësimit të urgjencës së çështjes.
Pas raportimit në Kryesi të kryetares së Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila ka pohuar se Komisioni është në përfundim të amendamentimit të Projektligjit për Buxhetin, megjithatë kjo nuk ndodhi.
Në mbledhjen e djeshme Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk ka arritur marrëveshje për nenin 4 të projektbuxhetit ku është paraparë shitja e PTK-së. Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK-së ka thënë se komisioni ka hedhur në votim dy propozime. Njëri ishte për riformulimin e nenit 4 dhe tjetri propozim që të hiqet tërësisht ky nen.

Lemshi juridik i Enver Hasanit dhe Jakup Krasniqit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Juristët kosovarë shprehen të ndarë rreth asaj nëse Kosova pas largimit të Pacollit ka ushtrues presidenti apo jo? Po ashtu, nuk është e qartë nëse duhet konsideruar që për 35 ditë Behxhet Pacolli ishte president. Sidoqoftë, juristët pajtohen se tash është në dorë të Kuvendit që të procedojë shpjet me zgjedhjen e presidentit.
Behxhet Pacolli një ditë më parë u largua nga zyra e presidentit, duke thënë se po largohet dhe nuk po jep dorëheqje. Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e bërë publik të mërkurën, tha se procedurat e zgjedhjes së presidentit më 22 shkurt, ishin antikushtetuese.
Rrjedhimisht, Kosova nuk ka president. Dilema mbetet nëse kishte gjatë kësaj periudhe pesëjavore Kosova president dhe nëse tani ka ose jo ushtrues detyre të presidentit. Sipas profesorit në Fakultetin Juridik, Mazllum Baraliut nuk ka.
“Fatkeqësisht Kosova tash nuk ka as president, e as ushtrues detyre të presidentit, për arsye se vendimi i shpallur dje i Gjykatës Kushtetuese e ka vënë jashtë funksionimit vendimin antikushtetues të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 22 shkurt. Prandaj, jemi në një gjendje vakuumi dhe defekti, ku nuk kemi president të vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mazllum Baraliu.
Por, juristi Dastid Pallaska ka shpjegim tjetër. Ai thotë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka karakter parapaveprues, që nënkupton se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Pacollit si president ka qenë në fuqi deri të mërkurën.
Nga e enjtja, sipas Pallaskës, kryetari i Kuvendit mund të ushtrojë detyrën e presidentit, edhe pse kjo në rrethanat e krijuara nuk parashihet në dispozitat kushtetuese.
“Sido që të jetë, ne e kemi një precedent pas dorëheqjes së presidenti Sejdiu ku detyrën e presidentit e ka ushtruar kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, por jo në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Kosovës, por në bazë të një interpretimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese në po atë vendim”.
“Dua të nënvizoj se dispozitat kushtetuese sa i përket mungesës së përkohshme të presidentit kanë të bëjnë vetëm me mungesën e përkohshme të një presidenti gjatë mandatit të tij, kur për arsye të ndryshme nuk mund të ushtrojë detyrën e vet dhe për një kohë të caktuar ai ia delegon këtë detyrë kryetarit të Kuvendit”, shpjegon Pallaska, duke shtuar se edhe tash mund ta ushtrojë Krasniqi këtë detyrë.
“Ekzistojnë argumente ligjore edhe pse nuk është e kristalizuar qartë se mund të pretendohet që zoti Krasniqi, mund të ushtrojë detyrën e presidentit të Kosovës”, shton Pallaska.
Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Pallaskës, situata është kthyer në pikën fillestare. Por, megjithëse pranon këtë, ai insiston se gjatë këtyre pesë javëve, Kosova kishte president.
“Nuk mohohet ekzistimi i presidentit për këtë periudhë prej 22 shkurtit deri në ditën e djeshme. Kjo do të thotë se të gjitha vendimet që i ka marrë presidenti gjatë kësaj periudhe, mbesin valide dhe ligjore dhe tani fillohet me zgjedhjen e presidentit të ri, përkatësisht duhet të bëhen nominimet e reja dhe vetë zoti Pacolli duhet të kandidojë përsëri”, thotë Pallaska.
Por, Mazllum Baraliu thotë se kushdo mund të kontestojë vendimet e marra të Pacollit si president gjatë periudhës 5 javore, meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas tij nuk e konsideron atë si president.
“Mund të kontestohen nga kushdo veprimet dhe vendimet e presidentit. Pra, Kosova nuk ka pasur president të ligjshëm dhe kushtetues gjatë kësaj periudhe”, thekson Baraliu.
Aleanca Kosova e Re ka thënë se bashkë me PDK-në, sërish do ta kandidojnë për president Behxhet Pacollin. Por, tash, me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, është obliguese që të jenë të paktën dy kandidatë për president.
Opozita ka bërë të ditur se nëse PDK-ja nuk ndryshon qasjen ndaj kandidatit për president, as ata nuk do të ndërrojnë qëndrim - që do të thotë nuk do të marrin pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, e cila sipas Gjykatës Kushtetuese, duhet patjetër të ketë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.
Dastid Pallaska thotë se deputetët do të jenë të obliguar të rrinë në seancën kur zgjidhet presidenti:
“Unë mendoj se nuk ka kurrfarë dileme, se Gjykata Kushtetuese është arbitri përfundimtar i interpretimit të Kushtetutës, ku janë të përshkruara disa nga obligimet e deputetëve dhe nuk besoj se është kontestuese që Gjykata Kushtetuese e ka atë autoritet”.
Në dy vjet të funksionimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka sjellë dy vendime që kanë prekur direkt institucionet qendrore. Vendimi i parë i tetorit të vitit të kaluar çoi në dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiu, pasi u tha se ai kishte shkelur rëndë Kushtetutën duke mbajtur edhe postin e kryetarit të partisë.
Ndërsa, vendimi që hyri në fuqi të mërkurën, lë sërish Kosovën pa president, meqë u tha se zgjedhja e Pacollit ishte antikushtetuese. Vetë Gjykata nuk ka sugjeruar se çfarë hapa duhet të marrë tash Kuvendi.

Myzejene Selmani, kundërkandidatja e Pacollit

Kundërkandidatja e Behgjet Pacollit për postin e Presidentit të Kosovës vije nga subjekti i njëjtë politik, nga AKR, dhe ajo është deputetja Myzejene Selmani.
Sipas raportimeve në medie të ndryshme, thuhet se deri më tani janë mbledhur 100 nënshkrime, nga të cilat 40 janë nënshkrimet e nevojshme për tu thirrur mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila duhet të mbahet të hënën.
Nënshkrimet do t’i dorëzohen Zyrës përgjegjëse të Kuvendit të premten paradite.
Krahas kësaj, tanimë janë mbledhur edhe nga 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidatët për presidentin e ardhshëm të Kosovës dhe të njëjtat do të dorëzohen po ashtu të premten.
Seanca e ardhshme e Kuvendit do të ketë në rend të ditës zgjedhjen e Presidentit.

Eskalon protesta të punëtorëve të PTK-së, disa të arrestuar

Protesta e sindikalistëve të PTK-së e mbajtur para selisë së Kuvendit të Kosovës ka eskaluar tej mase dhe kjo shtuar nevojën e ndërhyrjes policore. Një grup prej qindra punëtorësh me pankarta dhe brohoritje kanë kërkuar heqjen e nenin 4 të Ligjit për buxhetin me të cilin parashihet privatizimi i PTK-së. Me këtë rast Policia e Kosovës ka përdor gazin lotësjellës për të shpërndarë protestuesit. Njoftohet se në mesin e protestuesve ka edhe të arrestuar.
Protestës i janë bashkangjitur edhe deputetët e Vetëvendosjes të cilët kanë lëshuar Kuvendin dhe i janë bashkangjitur protestës së punëtorëve sindikalistë të PTK-së

Qeveria i kërkon sqarim shtesë Gjykatës Kushtetuese

Qeveria e Kosovës i ka dërguar një shkresë zyrtare Gjykatës Kushtetuese me anë të cilës i kërkon sqarim shtesë se a përbëjnë shkelje kushtetutese ata deputetë të cilët e bojkotojnë seancën kuvendore në të cilën votohet për zgjedhjen e presidentit. Qeveria i ka dërguar këtë kërkesë Gjykatës Kushtetutese pas paralajmërimit të partive opizitare se ata përsëri do të bojkotojnë seancën e Kuvendit në të cilën do të zgjidhet presidenti i Kosovës

Feith: Të respektohet Kushtetuesja dhe prania në Kuvend

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, i ka bërë thirrje aktorëve politikë në vend që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një komunikate ai ka theksuar se dhe deputetët që e çuan çështjen në Kushtetuese tani e kanë detyrim moral e politik që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Feith thekson se këtë qëndrim ndajnë dhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në Prishtinë.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë kërkon respektimin e Kushtetueses

Ambasada Amerikane në Kosovë del me deklaratë publike lidhur me Mendimin e Gjykatës Kushtetuese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vë në pah aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rishikimin e vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 22 shkurt 2011.

Ne i ftojmë të gjithë qytetarët, si dhe institucionet dhe partitë politike të Kosovës që të respektojnë dhe ta përmbushin këtë vendim të marrë nga gjykata më e lartë në vend. Është me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë që vendimet e Gjykatës të respektohen si në praktikë, po ashtu edhe në teori.

Ne i kushtojmë vëmendje të posaçme mendimit të Gjykatës se të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit janë të obliguar që të kryejnë detyrat e tyre për të cilat janë zgjedhur nga populli i Kosovës, përfshirë edhe obligimin për të marrë pjesë në procedurat për formimin e institucioneve kushtetuese të Kosovës. Gjykata thekson (paragrafi 83 i mendimit të saj) se “Të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim ndaj njerëzve të Kosovës që i zgjodhën ata.”

Ne besojmë se ata deputetë, të cilët kërkuan mendimin e Gjykatës lidhur me seancën e 22 shkurtit, kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së Gjykatës në formë dhe përmbajtje dhe ne i ftojmë ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës.

Kosova gjendet në një çast kritik në historinë e saj të re dhe nuk mund t’ia lejojë vetes këtë lloj të paralizës institucionale dhe politike që do të vinte si rezultat i dështimit të deputetëve, të cilët kërkuan këtë mendim, për ta respektuar aktgjykimin e Gjykatës për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese, ligjore dhe politike për vendin dhe popullin e Kosovës, thuhet në fund të deklaratës së Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...