Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/01

AT GJERGJ FISHTA - VETËDIJA E KOMBIT SHQIPTAR


 
Ishte dhejtori i vitit 1990, dhjetori i shpresave, i frikës, i kërcënimeve, i vorfnisë së skajshme; ishte ai muej kur shqiptarët shikonin një rreze shprese, por edhe dhambët kërcënues të diktaturës, që kishte gjithë mjetet e dhunës ende në duert e saj.
Binte 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës, të mohuemit, të përbaltuemit, mëkatarit e deri tradhëtarit. Ishin rritë tre breza pa e njohë vepren e tij, e të bindun se ishte fjala për një tradhëtar të madh, për një anmik të kombit e sa nofka të tjera njollosëse.
Po ishte 50-vjetori i vdekjes së tij dhe mendova se kishte ardhë koha që populli ynë të mësonte të vërtetën.
Iu drejtova disa shkrimtarëve, poetëve, kritikëve, mësuesëve të letërsisë që të organizonim një Konferencë në këtë përvjetor të shënuem.
Përgjigje ishte e njëjtë: "Më vjen keq, nuk e njoh, nuk kam lexue asgja prej tij".
Që një pjesë nuk kishte lexue asgja prej tij, duhej besue, pse me lexue një vepër të Fishtës mund të të kushtonte dhjetë vjet burg. Të tjerët nuk ishin çlirue ende nga frika që diktatura i kishte futë në palc popullit shqiptar.
Po unë isha i vendosun ta mbaja atë Konferencë. U gjet vetëm një njeri i gatshëm të bashkpunonte. Ai nuk ishte njeri i artit. Ishte shofer. Por nuk e kishte fshehë kurrë se ishte adhurues i Fishtës. Për ma tepër dinte përmendësh gjithë Lahutën e Malsisë, ashtu dhe pjesën ma të madhe të poezive të tjera.
E ndamë mandjen ta mbanim atë konferencë vetëm na të dy, unë do të përgatisja referatin, shoferi Lekë Celaj do të bante ilustrimin me recitime nga vepra e Fishtës.
Ma në fund dita erdhi. Të paktën na vunë në dispozicion sallën e vogël të Pallatit të Kulturës Lezhë me rreth 120 vende.
Në orën 16 të datës 30 Dhjetor 1990 fillova leximin e referatit. I hodha një sy sallës. Ishte plot. Kryesisht të moshuem. Në mes të të pranishmëve ishin edhe dy komunistë, të moshuem edhe ata; ndoshta diçka kishin lexue prej Fishtës kur kishin qenë në shkollë në vitet ’30 – ’40.
Ndërsa lexoja refertin, kuptova se zani më dridhej, pse ishte hera e parë që flitej për Fishtën publikisht, po shpejt e mora veten.
Nuk pëpëtinte asgja. Do të dëgjohej edhe fluturimi i një mize, po ishte dhjetor i acartë e miza nuk kishte.
Tek i afrohesha fundit të referatit, hidhnja shikimin ma shpesh në sallë. Nuk po kuptoja ç’ishte ajo heshtje gati e ankthëshme: po e pëlqenin, apo po më urrenin nga që po thoja, krejtësisht të kundërten e asaj që kishte thanë "Partia" për 46 vjet me radhë? Aq ma tepër që në analizën time ndalesha ma shumë tek Fishta Atdhetar, pikërisht pika ku e kishin sulmue për një gjysëm shekulli.
Mbas rreth 40 minutash lexova edhe rreshtin e fundit.
Përsëri heshtje. M’u duk se heshtja zgjati një shekull. Mandaj papritë shpërthyen duertrokitjet, të përmbajtuna, por të forta, të pandërpreme, gjithnjë e ma të forta. Tashti pjesëmarrësit, të gjithë në kambë, nuk dinin të ndaleshin. Pash burra me sy të përlotun.
Shumë prej tyne u ndalen e më dhanë dorën e më falnderuen. U ndalen edhe dy komunistët. Njeni prej tyne me tha i emoconuem: "Na zgjate jetën dhjetë vjet".
Kanë kalue plot 20 vjet prej atëherë, po shumëkush mundohet sot e kësaj dite, në mos me vazhdue me hedhë baltë mbi te, të pakten me e lanë në harresë, prandaj edhe mendova se pak e gja ka ndryshue, e pikërisht për këte po ju paraqes fjalen që mbajta atë ditë.
Fjala e mbajtun në Pallatin e Kulturës Lezhë
me datë 30.12.1990, ora 16,°°.
Këtu e 46 vjet ma parë re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyre serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:
Ndërtue kishte ‘i pomenodre,
rr’fe as mot mos m’e dërmue.
Nuk mund të shkatrrohej vepra e tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat xhuxhë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin shqiptar të letrave.
Dhe ja, yjet e rralluem po zanë përsëri vend në Panteon. Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 50-vjetorin e vdekjes.
Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte në gji përjetësisht Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’i jepte kombit në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, apostullin e lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo që gjendet "gjaku ynë i shprishur".
Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, "natë tri herë minore", që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 31 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni "zonjë më vete". Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.
Që ky komb i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e kohës mbarë; duhesh dituni, pa të cilen asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjelalt, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse.
Ndër ata që për shtatë shekuj me radhë nuk u tërhoqen kurrë e nuk rreshtën një çast përpjekjet për liri, qenë françeskanët, të cilët, kur Ai ishte 9 vjeç, çelën në Troshan një shkollë e ndër nxanësit e parë qé edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.
Treva në mes Lezhës e Shkodrës, Zadrima e sotme, e quejtun para pushtimit sllav Sapë, kishte njohë ndër shekuj zhvillime të mbara. Në aq pak hapsinë kishin lulëzue qytezat e Dejës, Krythës, Blinishtit e Sapës prej nga kishte marrë emnin gjithë krahina. Ajo kishte nxjerrë bijë të shquem si Gjon Gàzulli, Frang Bardhi e Pjetër Zarishi, por turku ndërkohë kishte rrënue gjithçka lidhej me dituninë e gjuhën shqipe.
Kur Fishta erdhi në Troshan (se dy vitet e para i pat krye në Kolegjin Françeskan në Shkodër), pat për mësues Leonardo de Martino-n, italo-arbneshin e shquem, poet ndër ma të mirët e kohës.
Më 1886, Zefin 15-vjeçar e nisën për në Bosnje që të vazhdonte ma tej studimet. Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa qé gjallë.
Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar. Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e hashashit osman. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.
Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes murene të Kuvendeve të Guçjagorës e Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.
Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe ditunisë.
Më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve ma të bukura të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:
qielli i kaltër, toka e blerë,
njeti dimën, këtu pranverë …
Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi.
Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë "Bashkimi", tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn e At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin e Dom Ndre mjeden. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun "i Bashkimit", e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh të shquem, që banë historinë, ashtu si i njohim sot, pa zhigatjet komuniste.
Në nandor 1902 At Fishta emnohet drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, shkollë laike, por që quhej kështu vetëm pse administrohej nga françeskanët. Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës më 1861. Asht ky një çast në jetën i Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:
Kur në shkollë zbutun shqiptari,
N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën
E me dije të ket kapun ai punën,
Shqipnisë fati do t’i çilet taman.
Fishta ishte klerik, por, sa e sa herë, kur fjala ishte për fatet e Atdheut a çashtje të shejta të kombit, tregoi se ç’ peshë të randë zinte shqiptaria tek ai. Deri në atë kohë në shkollë mësimet baheshin italisht. Fishta, menjëherë, vuni gjuhë mësimi shqipen. Ishte një vendim që nuk pëlqehej nga adminsitrata osmane, as nga Arqipeshkvia, as nga austriakët, që e financonin; ishte një vendim që nuk miratohej as nga qytetarët shkodranë, që nuk kishin mjaft besim te shqipja si gjuhë ditunie. Por Ai ishte i vendosun të mos zmbrapsej para asgjaje, pse, si thonë bashkëkohësit, kur luftonte për një çashtje të shejtë, nuk dinte kurrë të tërhiqej dhe pak kush i bante ballë.
Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka rembrandiane. Gëteja dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit të shpirtit shqiptar.
Lëvizja shqiptare për çlirim nga zgjedha turke pat karakteristikat e saja krejt të dallueshme prej lëvizjeve pararendëse ballkanike, pse krejt e veçantë ishte dhe historia e popullit tonë. Kombi ynë, ma i lashti në Ballkan, ishte një mozaik i çuditshëm, pothuej jashtë kohe. Përplasjet me sllavët dhe osmanët kishin lanë gjurmë të thella dhe tre besime të ndryshme fetare. Organizimi fisnor me bajraqe, me një bashkim fare të shkurtë 25-vjeçar në kohën e Kastriotit, ndryshimet e thella nga një trevë në tjetrën, e sa diversitete të tjera të papërsëritëshme në kombet europiane, banë që edhe lëvizja kombëtare të kishte karakter mozaiku, jo homogjen, pa një kolonë qendrore e në të njëjtën kohë lëvizja për çlirim duhej t’i bante llogaritë edhe me pushtuesit e ri sllavë, që përgatitëshin të zinin vendin e të sëmuetit të Bosforit.
Ishte një përplasje makabër në mes koufomës aziatike në të ikun, të hijenave përreth, dhe lehonës me shtatzaninë ma të gjatë në Ballkan, që shkumbëzonte në zemrën e Fishtës, aq sa një ditë, si llavë vullkani, shpërtheu në kangët e pamort të Lahutës së Malësisë. Ato kangë nuk linden në laboratorët e sofistikuem krijues poetësh klasikë, që numëronin rrokjet e sistemonin rimat; ashtu si në Eposin e lashtë të Veriut, kangët e Lahutës ishin jehonë malesh e betejash, pabesie e babëzitjeje, një kapërthim i egër ndjenjash, siç ishte e ashpër, deri në dhimbje, vetë historia e këtij populli. Lufta e tij: një çetë fatosash në male, një grusht trimash në grykë, një pritë skifterash në rranza, njeni në Kosovë, tjetri në Hot, këndej kundër turkut, andej përballë sllavit. Kush e kërkon Lahutën një poemë simbas rregullave klasike, nuk njeh historinë e popullit të cilit i këndoi.
Ka vërtetë një hark kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet e Lahutës, që kap vitet 1858-1913, por tue mos qenë aspak një kronikë, si me dashakeqësi e ka quejtë ndokush, por përthyemje e ndjenjave që rrezatonin ngjarjet e kohës, ajo po, me plot të drejtë, asht quejtë Epope e Kombit. E kjo epope gjet jo mjeshtrin zanatçi, por bardin jeleshkumbëzuem, që e ndërtoi godinën e tij maje kreshtatsh alpine, me një gjuhë mrekullisht shqiptare, me një sintaksë pa asnjë ndikim të huej, me një figuracion e ngjyrime marrë drejtpërdrejt nga natyra shqiptare. Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonsihëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.
Sa mjeranë, pak të thuesh, janë ata që guxojnë dhe e quejnë këte kryevepër "kronikë sterile"! Zot na ruej prej zilisë e vërbimit! Zilia e të padijtunit, në mos tjetër, falet. Zilia e të dijtunit e çon njeriun deri në krim. E krimet kundër Fishtës në këto ma sa 46 vjet nuk kanë të numruem. Po nuk asht me u çuditë: kjo kohë krijoi antinjeriun. Ajo u përpoq të shkatrronte çdo gja kombëtare, pse e kishte të qartë se pikërisht tradita, psikologjia kombëtare, vetëdija kombëtare, ishin pengesat ma të pakapërcyeshme për ideologjinë sllavo-komuniste. Ajo e akuzoi Fishtën si nacionalist e shovinist pse ishte kundër gllabrimit, kundër asimilimit e çdo gjaje ndjellakeqe sllave, çka i ka vërtetue historia e herëshme dhe e sotmja.
Nuk due të sjell këtu shembuj se si Fishta ua lavdron trimninë sllavëve, si ua çmon përpjekjet për liri, pse ato në Lahutë janë plot, por, nëse kanga e tij asht një britmë deri në dëshprim, sa herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’kan shka bajn? Po a thue të desin?
T’desin pra, nuk kan shka presin!
Apo:
P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos korisim na sot Hotin …
e ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të rihumbëte lirinë Shqipnia, "kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona".
Si mund të quhet shovinist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj pushtuesëve të ardhun prej stepave ruse e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën martire Serbi e vjetër?! ..
Atyne po, u thotë:
t’i mësojnë fëmijtë mbas sotit
mos t’lakmojnë tokës s’Kastriotit,
se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!
Fishta nuk ngurron t’i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:
Me gjithj këta, por larg nuk shkon
e me i vra ka rr’feja e Zotit
t’shtat mbledhë si janë n’London.
Gjuha e tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore.
Por që të gjykosh Lahutën, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.
Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lauta e tij ngjethëse.
Le t’ua lamë studiuesëve të letërsisë gjykimin sa shkencor e të paanshëm të Lahutës e të ndjekim Poetin në jetën e tij përherë në kreshtë të dallgëve.
Para shëndrrimit epokal, rilindasit tanë kishin kuptue se kusht i parë ishte BASHKIMI i kombit. Nuk ishte një zgjedhje e rastit emni i Shoqnisë "Bashkimi", që bashkë me simotrat, do të çonte ma tej përpjekjet shumëvjeçare të rilindasve për një alfabet unik e që u kunorëzue me aktin historik të Manastitit më 1908 e ku Fishta qé Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuem. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, por një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, mbi çdo grindje, mni, bile edhe mbi gjak. Qè Fishta vetë një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, por edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju, burra! Ku veni!
Pashi Zotin, lëshoni hutat,
se mjaft gjak asht derdhë! …
Anton Çeta në Kosovë me këto vargje do t’i ketë çelë kuvendet e pajtimit.
Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato "Pika vese" që dridheshin mbi petale, "Anzat", vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodran, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat "Shqiptari i qytetnuem", vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat.
Por edhe 28 Nandori la shumëçka mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu sot e kësaj dite e që Ai e qau me "LOT GJAKU".
Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10-vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, mandej me forcat e Fuqive të Mëdha, me një fare princi të huej në Durrës, me pushtimin austriak në Veri, me pushtimin italian e francez në Jug, që e kthyen Shqipninë në një katrahurë që mbante erë përzhitjeje mishi e gjaku shqiptar.
As në ato dit të vështira Fishta nuk u step. Qé në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut që e quejti "Hylli i dritës"; bashkë me Gurakuqin, Mjedën, Logorecin themeluen "Komisinë letrare", e në fund të Luftës së Madhe, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna Shqiptari.
Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së tij si klerik. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike? .. Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë.
Sa shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:
Por n’Shqipni pse nji meshtar
Posë se prift do t’jetë shqiptar,
Shqiptar, po pa dredha.
Unë rektor e profesorë
Sakristan e baçevan
T’gjithë shqiptarë i zgjodha.
Mbasi ndreqa këto punë t’mbara,
Jezuit’t t’i vuna para
Me kamzhik në dorë.
T’u dhaç det e t’u dhaç mal,
N’kolegj t’tyne nji spital
Bana për malsorë.
Këto vargje të shkëputuna nga poemthi satirik "Kur pata kenë ba Papë", që kalon deri në realizëm të ashpër, nuk i lanë shteg asnjë studiusi për hamendësime: Fishta desht një kler krejt shqiptar, thellësisht shqiptar, të dalun nga shkolla shqiptare e në shërbim të Kombit, ashtu si edhe të Fesë. Ky poemth me një filozofi të thellë mbrapa humorit, do të mjaftonte me hedhë poshtë çdo akuzë mjerane që iu ba ndër vite.
Por le t’i kthehemi rishtas rrjedhës së ngjarjeve.
Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta "batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet", si i pikturon me mllef Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lan pa Atdhe
e ti rrin e gjuen n’errfe
lisat n’per male kot.
Ishin kohë të tutbullta-turbullta, kur, si thotë Poeti, "tash qi u ba Shqipnia, duhen ba shiptarët".
Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat "sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës", siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.
Por koha ishte e vështirë dhe e turbullt, pse çibanë si Esat Pashë Topani e mbas tij Zogu, të tjera plane të zeza sendertonin. Megjithate, lufta e tij në Parlament e në shtypin e kohës përkrah Nolit, Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Vinjaut etj., asht një shembull i shkëlqyeshëm i demokratit.
Po në ato vite Ai jo vetëm hapi gjimnazin "Iliricum", i të cilit ishte edhe drejtor, por edhe zhvilloi një polemikë të ashpër për nevojat e arsimit e të kulturës në përgjithësi, me vlera të mëdha edhe për ditët tona.
Në trazimet e vitit 1924 qé përkrah Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’kishte si të ishte ndrysh. Atyne që fenë dhe klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u kujtojmë se ndër figurat madhore të atij viti demokratik qenë një pop, Noli, dhe një frat, Fishta.
Më 1925 detyrohet të mërgojë në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën e Dragobisë, e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër, Mbas kthimit prej mërgimit, murgu poet, prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog, gazetar e diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike. Po prap Ai asht shembull i shkëlqyeshëm i intelektualit që e vijon luftën ku drejtpërdrejt e ku tërthoras, nëpërmjet shtypit. Sikur Fishta të na kishte lanë vetëm publiçistikën e tij plot vlera, përsëri do të kishte zanë vend nderi në Enciklopedinë Shqiptare, ashtu siç kishte zanë vend nderi në enciklopeditë e Europës për së gjalli jo vetëm si epik i madh, por edhe një ndër satirikët ma të shquem të kontinentit, me veprat madhore "Anzat e Parnasit" dhe "Gomari i Babatasit".
Polemikës së Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synimi i polemikës së tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve "me barkun kodër".
"Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stvrgjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por pa dije, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranvs, tuj luejtë "tavell" e "bigjoz" e tuj pi "mastikë".
Legjenda e gjallë, tashma 60-vjeçar, merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit, tue i lanë nder Atdheut me përfaqësimin e tij e njëherësh tue akuzua mbrapaskenat e Beogradit e të Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të cilën e botoi të plotë në vitin 1937, sidhe plotësonte e përmirësonte "Mrizin e Zanave" me lirika nga ma brilantet në shqip.
Në Europë shtoheshin përditë bajonetat e paksoheshin lodrat e fëmijëve. Regjimi i Zogollit, një karikaturë monarkishë euro-aziatike, kishte ezaurue tanë energjinë e vet hanore, tue lanë vendin në agoni pikërisht në udhëkryqin fatal të mbarë njerëzimit.
Tashma Fishta, i lodhun nga vitet, shëndeti dhe andërrat e gjysmueme, vetëm sa harton ndonjë projekt ribotimesh, i vetëdijshëm se nejrëzimi ishte në prag të katastrofës.
Pushtimi fashist nuk mund të ishte tjetër veç se vdekja e tij shpirtnore. Dhe, si për ironi të fatit, një muej mbas pushtimit Italia i jep titullin "Akademik i Italisë". Ishte një titull që do ta ksihte meritue me kohë, dhe që do t’i bante nder çdo shkrimtari bashkëkohor, por në rrethanat e kohën kur iu dha, ishte thjeshtë një mjet propogande fyese e mbi të cilën asht abuzue kaq shumë e me ligësi për 46 vjet me radhë. Ai nuk kishte nevojë për atë titull. Vlerësimin ma të naltë ia kishte dhanë Atdheu tue e quejtë për së gjalli Poet Kombëtar, ia kishin dhanë idhëtarët e tij kudo ku flitej shqip e jo vetëm ku flitej shqip: prej Joklit te Lamberzi etj.
Mbas një viti, tashma në mospërputhje edhe biologjike me ajrin e randë të barutit të luftës, me 30 dhjetor 1940, Fishtra u largue si meteor në qiellin që nxinte.
Nuk marr përsipër të baj vlerësimin e këtij vigani, as due të përsëris epitetet superlative të bashkëkohësve të vendit e të huej. Do të duheshin pena të shqueme për me ba analizën e veprës së tij madhore.
Jemi mbledhë në këte përkujtimore për t’i kërkue ndjesë për mohimin barbar 46 vjeçar. Dhe ai do të na falë, pse si askush tjetër do të kuptonte se edhe na ishim të mohuem e të përbuzun, të fyem në gjithçka kishim të shejtë.
Dhe ja ku e kemi përsëri në mes nesh, jo një përmendore e ftohtë mermeri, por të gjallë, pse vepra e tij vullkanike ka qenë, asht e do të jetë prush atdhetarie. E sa kohë do të ketë Shqipni e do të ketë shqiptarë, i gjallë do të jetë Ai, e gjallë vepra e Tij, dhe poaq e zjarrtë dashunia e popullit dhe e kombit të cilit i kushtoi jetën prej artisti të papërsëritshëm e të luftëtarit të paepun.


Në 70 vjetorin e vdekjes së Poetit

Nga DANIEL GÀZULLI

Përjetim

MBI NDRYSHIMIN E DISA RREGULLAVE TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga Prof. Dr. MEHMET ÇELIKU


Si të gjithë popujt e tjerë të kulturuar të Europës, edhe shqiptarët, prej rreth 40 vjetësh, kanë gjuhën e tyre standarde, një arritje madhore kjo e kombit shqiptar. Fillimet e saj shkojnë në Rilindje, madje edhe përtej. Dy dialektet e shqipes dhe produktet e tyre, dy variantet kryesore letrare të shqipes, toskërishtja letrare e gegërishtja letrare, ishin shumë afër midis tyre dhe mundësonin përshpejtimin e procesit të njësimit të shqipes, madje shumë më shpejt se gjuhët e disa vendeve të tjera, por procesi u vonua pikërisht nga rrethanat e veçanta politike shoqërore që përjetoi Shqipëria. Shqipja standarde u ligjësua vetëm në vitin 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, mbajtur në Tiranë në nëntor të atij viti. Por "Rregullat e Drejtshkrimit të shqipes„(Projekt), Tiranë 1967, u zbatuan në Shqipëri me urdhër nga lart që me botimin e tyre si projekt, pesë vjet para miratimit në Kongres, dhe në Kosovë që nga 1968, këtë herë me dëshirë, sipas vendimit të Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968).
"Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe", Tiranë 1973, botuar fillimisht si projekt më 1967, është vepra kodifikuese e sistemit shkrimor të shqipes letrare të njësuar dhe për nga rëndësia kombëtare qëndron pranë alfabetit kombëtar të Manastirit. Ky kod i ri drejtshkrimor, shkencor e njëherazi praktik, shënon një hop cilësor përpara. Rregullat e tij ngrihen mbi sistemin shkrimor të një gjuhe letrare të re, sistem shkrimor ky i mbështetur në gjuhën e gjallë, në variantin e folur letrar, kryesisht të toskërishtes letrare. Prandaj ai ka një karakter të gjerë fonetik, por plotësohet ndjeshëm edhe nga parimi morfologjik e tj. Kjo vepër është kurorëzim i zbatimit të politikës gjuhësore strategjike më se njëqindvjeçare, projektuar që në Rilindje e zbatuar fillimisht në hartimin e alfabetit kombëtar, e që vazhdoi pastaj me politikën konverguese në krijimin e një tradite shkrimore.
Kanë kaluar afër katër dhjetëvjeçarë dhe vepra "Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe’’1973, ka dhënë një kontribut me vlerë të jashtëzakonshme në kristalizimin e mëtejshëm të normave të drejtshkrimit, të gramatikës, të leksikut, të drejtshqiptimit, në gjithë procesin e njësimit të gjuhës sonë letrare.
Tani po përsëris mendimin tim se "Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe",1973, duhet rishikuar dhe ribotuar sa më shpejt. Një kërkesë për hapjen e një diskutimi shkencor, që do të përmbyllej me një konferencë shkencore, unë e kam shtruar për herë të parë 15 vjet të shkuara në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mbajtur në Tiranë më 21 gusht 1995, ku fjalë për fjalë kam theksuar atëherë se "Është e kuptueshme që ky diskutim duhet të jetë konstruktiv, në asnjë mënyrë përmbysës po vetëm plotësues, përmirësues. E mendojmë këtë diskutim si gjithëkombëtar, të lirë, të bazuar në arritjet më të fundit".
Rishikim e përmirësim i "DGjSh",1973, sipas nesh, do të thotë modifikim i pak rregullave, duke u mbështetur në këto kritere: mosprekja e bazës së standardit, ruajtja e njëtrajtshmërisë së njësive në sistem, reflektimi i praktikës gati dyzetvjeçare, thjeshtësimi i mëtejshëm i tij. Rregullat kryesore që mund të modifikohen janë fare të pakta; këto janë të njohura nga specialistët e gjuhës, sepse ndonjë prej tyre është shtruar e diskutuar para Kongresit të Drejtshkrimit, gjatë diskutimeve të „Rregullave",1967, disa janë shtruar që në Kongres në referatet e gjuhëtarëve tanë të shquar E.Çabej e M.Domi, më vonë nga gjuhëtarë të tjerë dhe kohët e fundit janë trajtuar edhe nga Këshilli Ndërakademik.Siç shihet, shqetësimi për to është i gjerë dhe i hershëm, por nuk u është kushtuar vëmendja e duhur dhe u anashkaluan në redaktimin përfundimtar të Rregullave pas Kongresit. Gjithashtu edhe argumentimi shkencor që mbështet modifikimin e këtyre pak rregullave përgjithësisht është bindës.
Më lejoni tani të paraqis konkretisht vetëm disa prej rregullave të Drejtshkrimit që mund të modifikohen dhe që kam pasur rastin, krahas të tjerëve, t’i trajtoj vite më parë (shih, ndër të tjera,"Kongresi i Drejtshkrimit dhe Norma Gramatikore në gjuhën e Sotme Letrare,, kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore jubilare, më 12.12.1997, në Tiranë, me rastin e 25 vjetorit të KD), por gjithsesi një listim më i plotë i tyre ka qenë objekt pune i Këshillit Ndërakademik:
(1) Shkrimi i j-së në vend të nazalit palatal fundor –nj te shumësat e disa emrave mashkullorë dhe në shumësin e disa mbiemrave, si: ftoj, ullij, barij, lumej (në vend të ftonj, ullinj, barinj, lumenj e tj.); të mëdhej, të rij (në vend të mëdhenj, të rinj e tj.). Në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës Çabej shtron parimin e marrjes parasysh të kriterit të shtrirjes territoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore: "Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo, me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit...Sipas këtij kriteri është arritur përdorimi i –j te foljet (punoj, punoja) dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal’’.(E.Çabej,"Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes", KDGjSh I,Tiranë,1973.) Për shkrimin e –j -së në vend të -nj Drejtshkrimi e ka hapur rrugën me shumësin kufij.
(2) Problem të ndërlikuar në gjendjen e sotme të gjuhës përbën drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar, sidomos i ë-së paratheksore. Aktualisht ka një mospërputhje midis shkrimit dhe mosshqiptimit të saj. Mospërputhja është kryesisht pasojë e zbatimit të parimit morfologjik, të analogjisë etj. në drejtshkrimin e saj.
Megjithatë në ndonjë kategori të caktuar fjalësh ka vend për ndonjë reduktim të zanores ë, siç është heqja e ë-së së patheksuar fundore te disa emra mashkullorë, si: lumë, djalë, burrë etj. dhe disa emra lëndësh që kanë kaluar nga gjinia asnjanëse në gjininë mashkullore, si: ujë, djathë, gjalpë etj. Në mbështetje të këtij reduktimi në këta dy tipa emrash, Mahir Domi thotë se "del i këshillueshëm të hequrit dorë nga ruajtja e ë-së së patheksuar fundore...’’(M.Domi, "Parimi fonetik e zbatimi i tij në Drejtshkrimin e Shqipes„ në SF,nr1,1973.) Kriteri i thjeshtimit dhe sistemimi morfologjik sipas gjinisë mbështet plotësisht këtë ndryshim; por ndryshimi gjen mbështetje edhe në parimin fonetik, krahaso mur, gur etj. Në shumësin e llojrave me –(ë)ra të këtyre emrave do të parapëlqehej prapashtesa –ra: ujra, djathra, si mishra.
Problem mjaft të diskutueshëm përbën kryesisht ruajtja apo heqja e zanores paratheksore ë në grupin e fjalëve të parme (argëtoj,bagëti,këpucë,fëmijë,kënaq e tj.), në grupin e fjalëve të prejardhura (anëtar, armëtar, botëror, copëtoj, gjuhësi, tokësor, etj), në grupin e fjalëve të prejardhura ku ë-ja është zanore mbështetëse (armiqësi, besnikëri, kombësi, Shqipëri, trimëri, shtetëror, plehëroj), në grupin e fjalëve të prejardhura ku ë-ja është element i temës së cilës i shtohet një prapashtesë që fillon me zanore (arbëror, dimëroj, emëroj, zemërim e tj.). Prirja e përgjithshme, kryesisht tek shqipfolësit veriorë të standardit, është shqiptimi pa zanoren ë, sidomos në ligjërimin e shpejtë. Nga ana tjetër, prania e ë-së ruan strukturën fjalëformuese të fjalës dhe siguron në të folur një komunikim më të kapshëm; gjithashtu në këto grupe përfshihen edhe fjalë që shqiptohen kryesisht a vetëm me ë, sepse reduktimi i saj do të krijonte grup bashkëtingëlloresh gati të pashqiptueshëm, ose të shqiptueshëm me shumë vështirësi, si dëgjoj, dënesë, kërcej e tj.
Rregullat e shkrimit apo të mosshkrimit të ë-së pastheksore nuk ndejnë shumë probleme, sepse rregullat e përdorimit të saj në vetë gjuhën janë më të sistemuara, por edhe parimi i konvergjencës në këtë kategori është respektuar ndjeshëm nga gjuhëtarët.
Për sa i përket ë-së paratheksore, me gjithë prirjen e theksuar të reduktimit të saj në gjuhë, kryesisht në shqiptimin e shpejtë të stilit bisedor, me gjithë dëshirën për të shtrirë më gjerë në drejtshkrimin e saj parimin fonetik, mendoj se nuk ka ardhur koha për ta zgjeruar më tej reduktimin e saj. Përndryshe në këtë krye do të shtonim shënimet, përjashtimet, të cilat do të rëndonin edhe më shumë rregullat. Për të mbështetur qëndrimin tonë , më lejoni të citoj një mendim të karakterit teorik të M.Domit në artikullin e cituar më lart: "Gjuha, me elementet përbërëse të saj është në lëvizje të vijueshme, në zhvillim të ngadalshëm, por të pandërprerë. Në çdo moment të saj gjen procese në shtjellim e sipër, në faza të ndryshme të këtij shtjellimi e si pasojë me përfundime të ndryshme. Drejtshkrimit i takon të sjellë rregullsi e kristalizim në këtë realitet të lëvizshëm.Po si? Drejtshkrimi s’ka si të ndjekë hap për hap gjithë këtë lëvizje, të regjistrojë në çast rezultatet e pjesshme e të ndryshme të saj, aq më pak tendencat që nuk kanë gjetur realizim të plotë e tërësor. Ai do të presë kryerjen plotësisht të proceseve, konsolidimin dhe përgjithësimin e përfundimeve. Kur s’janë arritur këto, është më e arsyeshme të mbahen ortogramet ekzistuese, tradicionale....Me këtë sy, pa u nxituar, mendoj - vazhdon Domi - duhen parë çështjet e ndërlikuara të shumta që i nxjerr drejtshkrimit të gjuhës sonë, ë-ja e patheksuar, që del sot si një tingull i paqëndrueshëm, i dobësuar në shkallë të ndryshme, e si pasojë i një dëgjueshmërie të ndryshueshme.„ Si përfundim, në këtë rast duhet pritur zhvillimi i mëtejshëm objektiv i vetë gjuhës; madje ka mundësi që rregullat e drejtshkrimit të ë-së të ndikojnë në formësimin e rregullave të drejtshqiptimit letrar të saj. Por duhen edhe vëzhgime të tjera e analiza laboratorike akustike.
(3) Për t’u ndryshuar janë edhe disa rregulla, shënime, përjashtime rregullash e zgjidhje kontradiktore për fjalë të veçanta gjithnjë në përputhje me kriteret e sipërpërmendura: ruajtja e sistemit, zhvillimet dinamike të gjuhës e reflektimi i realitetit gjuhësor, por edhe thjeshtimi i drejtshkrimit. Për të ilustruar këtë, po japim disa shembuj:
Emri Evropë dhe derivatet e tij, si evropian, të shkruhen me -u-( Europë e tj), sepse shqipja e ka dyzanorshin –eu, sepse me këtë dyzanorsh kjo fjalë përdoret në disa gjuhë të Europës, sepse kjo trajtë do të harmonizonte me euro (krahaso evro që përdorin grekët), eurovizion, eurosong e tj. Mbiemri i gjerë dhe derivati i tij gjerësi të shkruhen me ë që i përgjigjet një a-je hundore (krahaso i rëndë, i tërë etj). Pjesëza ish para emërtimeve (faq.135,dh) do të ishte mirë të shkruhej pa vizë lidhëse me fjalën pasuese, sepse është fjalë tjetër, me kuptimin e vet të veçantë dhe jo parashtesë; përveç kësaj ka edhe vështirësi në bashkëlidhje me fjalë me eptim të përparëm: ish drejtor, ish ministër, ish kulak, ish i përndjekur, dhe sepse kështu po përdoret në medien e shkruar gjithnjë e më shumë. Mund të mënjanohej edhe përjashtimi i emrit dhe mbiemrit punonjës për punues, trajtë që sot nuk është e panjohur. (4) Në shqipen standarde vihet re një luhatje e theksuar në trajtën e shquar të emrave të parë dhe të mbiemrave (llagapeve) të disa emrave të përveçëm (Koço, Spiro, Petro, Marko, Pano), si dhe të disa emrave të përgjithshëm të tipit depo, piano,vazo etj. Trajta e shquar e tyre formohet në dy mënyra: Koçoja dhe Koçua; pianoja dhe pianua. Rregullat e 1967 i jepnin si normative të dyja format, ndërsa Drejtshkrimi 1972 njeh si normative vetëm formën Koçoja, Spiroja, pianoja. Mendoj se përzgjedhja nuk është e goditur, sepse trajta Koçoja, depoja me dy rrokje pas theksit është në kundërshtim me natyrën e shqipes (nuk shkon sipas modelit lule, lulja; në të folmen e Elbasanit kemi Koçja, Spirja, depja, palltja). Prandaj në kundërshtim me rregullën e Drejtshkrimit, praktika po përdor shpesh herë Koçua, ose trajtën e pashquar në vend të së shquarës (Niko luajti një nga rolet kryesore). Pra, një rregull i kundërnatyrshëm, prodhon një përdorim tjetër të panatyrshëm në gjuhën shqipe, përdorim i një emri të pashquar në vend të të shquarit.
(5) Foljet me temë në –t, që dalin edhe me t edhe me s (mat / mas), përbëjnë një nga luhatjet më të theksuara në shqipen standarde. Kjo luhatje është njohur nga të gjitha veprat kodifikuese si dysor normativ. Kësaj luhatjeje i nënshtrohen rreth 200 folje. Shumë argumente mbështesin variantin me –s: ky variant sot gëzon një shtrirje më të madhe, ka për model analogjik një grup të madh foljesh, rreth 200, që dalin në temë me –s të detyrueshme në të gjitha format eptuese, si: nis, kris, rastis, plas; argument tjetër në të mirë të variantit me -s është edhe fakti se nëpërmjet saj shprehen kuptime gramatikore të diferencuara, gjithashtu fonetikisht s-ja fundore shqiptohet më lehtë se t-ja; gjithashtu varianti me –s takohet jo vetëm në gegërishte, por edhe në toskërishten veriore, pra, varianti me –s duhet parapëlqyer e mbështetur edhe sepse zotërohet nga më shumë se dy të tretat e shqiptarëve. Me ngritjen në normë të variantit me –s e mënjanimin e trajtës me –t, do të kishim një rast tjetër jo të parëndësishëm të konvergimit të standardit me gegërishten. Siç shihet, këtu kemi zëvendësim dhe jo bashkëpërdorim mjetesh si do të ndodhte në rastin e integrimit të paskajores gege në standard.
(6) Rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe duhen thjeshtuar, duke zgjeruar përdorimin e saj në tri raste: në &74 , në &75, në &83 e pikërisht: të shkruhen me shkronjë të madhe të gjitha fjalët përbërëse të emërtimeve të funksioneve zyrtare, shoqërore dhe titujt e nderit, qofshin ata të lartë apo jo; të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm allah, perëndi; të shkruhen me shkronjë të madhe të gjitha fjalët përbërëse të titujve të gazetave, të revistave e të librave dhe titujt e botimeve në gjuhët e huaja.
"Drejtshkrimi i gjuhës shqipe",1973, ka nevojë për një redaktim të thellë: materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës e, si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e politizuar e të vjetëruar të institucioneve, si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së punës të Shqipërisë, hidrocentrali „Lenin" ose parulla komuniste „Të jetojmë, të punojmë si revolucionarë", terma gjuhësorë të kapërcyer, si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor e tj. në vend të mbaresa shquese, përemër i pacaktuar, mbiemër e tj.
Këto ishin disa sugjerime për rishikimin e Drejtshkrimit; ato janë të kufizuara, jothemelore,nuk cënojnë bazën sistemore të tij, përqëndrohen në grupe të vogla fjalësh deri në raste individuale, thjeshtojnë rregullat, sistemojnë më mirë disa elementë brenda sistemit shkrimor e gramatikor. Rishikimi i tyre nuk kërkon shumë punë e shumë kohë.
Rishikimi e përmirësimi i Drejtshkrimit të vitit 1973 përbën vetëm një objektiv të veçantë, por jo më i rëndësishmi, në planin kombëtar ballësor të punës sonë në mbështetje të standardit. Në rrethanat e reja politike të integrimit europian të kombit tonë pritet një mbështetje e gjithanshme shkencore, shtetërore dhe shoqërore e standardit. Përmirësimi i mëtejshëm i shqipes standarde në etapën e sotme kërkon një politikë gjithkombëtare në fushë të gjuhës, kërkon shtrirjen e standardit në të gjitha trevat shqiptare, zotërimin më të mirë e më të shpejtë të tij, kërkon një konceptim të ri e më rezultativ në mësimdhënie, sidomos në shkollat e mesme, kërkon mbështetje shtetërore e institucionale për studimin, mbrojtjen, pastrimin e pasurimin e tij, si dhe për shtrirjen e standardit në diasporë dhe tek emigrantët ekonomikë të shpërndarë kudo nëpër botë.

Kumtesë e mbajtur nga Prof.Dr. Mehmet Çeliku në konferencën shkencore "Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit", organizuar nga QSA


Ditari i urrejtjes së Paskal Milos



Nga Rexhep Shahu

Lexova në shtyp pak faqe nga ditari i Paskal Milos, si ish ministër i jashtëm i Shqipërisë, për Kosovën. Qesha me vete dhe thashë: varja teneqenë e bjeri legenit.
Por teksa ndiqja një bisedë të tij me Babaramon në “5 pyetje nga Babaramo”, u nervozova dhe mendova se nuk duhet të heshtin të gjithë njerëzit se kështu helmohen të gjithë nga mashtrimet e Milos. Unë nuk dua të merrem me gjithë ditarin e tij, se rrenat e servilizmi i tij të bëjnë me vjellë, por sa lexova e dëgjova, ndjeva se Milo po hakmerret ashpër me Ibrahim Rugovën, i cili fizikisht nuk është më që ta tallë sërish të mjerin Milo.
Një herë në një takim mes Rugovës dhe Milos ka ndodhur kështu: Milo i fliste për Kosovën, për çeshtjen kombëtare, bënte patriotin e madh para Rugovës, bënte politikanin e klasit të lartë para Rugovës, gjeopolitikanin, sufleramerikanin, etj etj. Ai, Rugova, durimmadhi, që kishte si fatkeqësi të tijën patjen e informacioneve të shumta, të kryqëzuara e të verifikuara nga shumë drejtime e sidomos nga miqtë amerikanë të shqiptarëve dhe kancelari të tjera mike të shqiptarëve, teksa dëgjonte llomotitjen e Milos, heshtte e nënqeshte lehtë. Kur i erdhi radha, se ai linte radhë për të folur dhe dinte të priste radhën, fillon dhe i flet Paskalit të Milos, (si Çehovi grave... per reçelin...), për manin, si një pemë shumë e çmuar, një pemë e dobishme, për frutat e manit, për vlerat e tyre, për rakinë e manit, për vetitë e saj edhe kuruese etj etj. Sa më shumë Paskali hapte sytë, aq më shumë Rugova i fliste për manin, frutat e bardha, të zeza e të kuqe të manit dhe rakinë e manit.
Kështu filloi dhe mbaroi biseda e krejt takimi. Milo iku nga sytë këmbët dhe nuk ia harroi kurrë këtë gjë Rugovës. Edhe herë të tjera kur rastësisht dhe kurrë jo domosdoshmërisht janë takuar, Rugova ia ka kujtuar manin e rakinë e manit. Milo priti vdekjen e Rugovës dhe të kalojë do kohë e të bindet taman se Rugova ka vdekë (jo Kosova e jo rugovizmi) dhe del e shet dëngla, përralla e rrena për Rugovën. Ngeli Milo t’ia bëjë portretin Rugovës. Portreti i Rugovës është portreti i Kosovës. Në atë emision të Babaramos (i cili nuk u tregua miqësor me Milon), Milo foli për Demaçin, Qosen, Thaçin, Zekën, për pseudonimsa, shiksa, sigurimsa, anonimë etj. Tha se nuk kanë rëndësi votat, kur Babaramo i tha se politikani matet me vota. Nuk është tregues a të votojnë apo jo qytetarët e tu, por Rugova është i keq e Thaçi e Qosja të mirë, ani se këta dy të fundit dolën qeth e rruar, qose në zgjedhje në Kosovë pas luftës dhe nuk u vertetua teza komuniste se pushtetin e fitojmë me grykën e pushkës. Pasi qe bërë ngaterrese e madhe nga Milo e të tijtë në Shqipëri e Kosovë e ngado dhe nuk u dallua se a u luftua për të çliruar Kosovën apo për t’ia marrë pushtetin Rugovës. Luftë e madhe për Kosovën në hotelet, zyrat e lokalet e Tiranës, me mjekërrruarit, me ata që u veshën si gratë e rruan mjekrat për të ikur nga Prishtina e për t’u fshehur në Tiranë në vilat qeveritare. Dhe që nuk kanë thënë ende qartë se luftën e bënë dhe fituan amerikanët dhe NATO-ja dhe Bill Klintoni na la detyrë në Ferizaj që ne të fitonim PAQEN se luftën e bënë dhe fituan ata vetë e jo shqiptarët, ani pse qejfi ia ka Milos e të tijve të jetë ndryshe, por s’është dot ndryshe, për fat të keq të tigrave të paqes.
Kjo ngatërrese solli që të fitonte Rugova sepse nuk kishte hapur kurrë xhepin e palltos për të vjelë honorare patriotizmi, nuk kishte ikur dhe nuk e kishte braktisur Kosovën kurrë dhe nuk kishte ngritur seli në zyrat e Paskal Milos në Tiranë, në hotelet e Tiranës, Kukësit a ku të them tjetër. Rugova nuk e përfillte Milon dhe ky është shkaku i vetëm i diratit të urrejtjes. Nuk e konsideronte, nuk ia mbushte mendjen. Milo donte dhe i bënte fresk dikujt tjetër që i puthte dorën Janullatosit kur ai fliste keq për shqiptarët, dikujt, që ndërsa populli qante nga dhimbja, para shumë kufomave, u thote njerëzve në miting se unë shoh gëzim e lumturi në sytë tuaj, etj etj. Milo deomos laget sa herë përmend Thaçin, por ama laget dhe nuk e fsheh dot përulësinë mjerane para Thaçit, të cilin Milos ia ka prezantuar dhe ia ka çuar në zyrë ish shefi i shërbimit sekret të Shqipërisë, Fatos Klosi (kështu i rrefeu Milo Babaramos…) dhe Milo me të tijtë është sjellë ndaj Kosovës, Thaçit e të gjithve si kapterr i Fatos Klosit.
Milo rreket të poshtrojë sa mundet e si mundet Rugovën dhe të lartësojë Thaçin. Rrëfen për takimin me Rugovën në Itali kur i ndjeri sapo ishte liruar nga Milosheviçi. Rrëfen siç don ai dhe për ta bërë të besueshme rrefenjën e tij përfshin edhe dy vartës të tij që mbanin shënime në mënyrë të pavarur. Në këtë takim a ka patur njeri tjetër aty pari apo Rugova ka shkuar i vetëm fillikat në takim me Milon... Rugova paska folur mirë për serbët. Milo ka pritur që Rugova të shajë, thërrasë e ulërasë, t’i vrasë serbët në tavolinë sy Milos, t’ua kalarojë nënat, t’i qahet Milos, dhe ai t’i jepte ndihmë, ta qetësonte, (ah sa vuajtje e ka burri që nuk e ka përfillë aspak ai Rugova...), Milo që për Rugovën ka qenë qysh prej fillimit i padenjë, i papërfillshëm, i padobishëm, i parëndësishëm, për çeshtjen shqiptare, për shkakun e vetëm se Rugova kishte shumë e shumë herë më tepër informacione të gjithëçfarëllojshme për Paskal Milon sa vetë Paskali nuk kishte e nuk dinte e nuk din ende për veten e tij.
Është mënyrë e mirë që për të rritur pjacën tënde, për t’u bërë dikushi dhe për t’i shpëtuar pluhurit të harrimit, të merresh e qoftë edhe të përgojosh figura të mëdha. Milo ka gjetur figurën e duhur për të shënuar emrin e tij. Bjeri Rugovës, pështyj Thaçit e kacavjerru e puthe e kafshojë prej gjoja dashurisë së madhe për të.
Por vetëm kaq do t’i thoja Milos: Po të ishte gjallë Rugova edhe 20 vjet, 20 herë do t’i fintonte zgjedhjet në Kosovë. Sepse e donte populli i tij. Ti Milo nuk je pjesë e popullit të tij. Mos i mashtro njerzit sidomos në Kosovë. Thaçi nuk mund të të dojë ty, sado hero ta bësh ti, sepse ai e kupton se ti e suvaton dhe bojatis si Rama pallatet e Tiranës për të mashtruar votuesit, nuk mund të të dojë ty më shumë se sa e don Ibrahim Rugovën. Sepse edhe Thaçi është rritë me Rugovën, është mëkuar me idetë e tij, është rritë me rugovizmin e tij, është një nga nxënësit e shkollës së tij. Edhe Thaçi s’del dot prej Rugovës. Ndaj mos i përçaj më shqiptarët në Kosovë. Sidomos tash që nuk është ai që të rrëfen ty në takime diplomatiko-politiko-ministrore, për manin, frutat e rakinë e manit.
Promovimi dhe reklama e tipit bolshevik që po i bëhet ditarit të Milos, ka për qëllim që të shuajë e sfumojë Rugovën, epokën e tij, filozofinë e tij, anise çfarë e si e tha ai ndodhi në Kosovë e me Kosovën realisht, si dhe të mitizojë dhe heroizojë kundërshtarët politikë të Rugovës. Në dukje është dëm për Rugovën, por në fakt është dënim që po u jep Milo kundërshtarëve të Rugovës, të cilët kujtojnë se kanë pushtetin në Kosovë. Rugovën s’e cënojnë dot paskalët e as milot e jo më shtetasit e tij sado të pushtetshëm të jenë bërë pas vdekjes së Rugovës. Sepse Rugova është udhërrëfyesi i çdo njeriu që i thotë vetes shqiptar e që jeton në tokën e tij amë, Kosovë, anipse edhe Milo, si serbët, i ndan në kosovarë e shqiptarë dhe u thotë kosovarëve se tokë amë kanë Shqipërinë, duke pohuar e vertetuar si historian tezën serbe se Kosova nuk është tokë shqiptare, siç ua thoshin serbët shqiptarëve të Kosovës kur i dëbonin, ikni shkoni në shtetin tuaj amë.

Monumenti i heroit Azem Hajdari, pranë Parlamentit të ri

Këshilli i ministrave ka vendosur ngritjen e monumentit të heroit të demokracisë dhe Pluralizmit Azem Hajdari. Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se monumenti i Azem Hajdarit do të ngrihet pranë ndërtesës së Parlamentit të ri në Tiranë.

Ndërsa ana financiare e ngritjes së monumentit do të përballohet nga buxheti i shtetit, për vitin 2011, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ndërkohë për ngritjen e monumentit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

Gjithashtu vendimi i Këshillit të Ministrave për ngritjen e monumentit të heroit të demokracisë Azem Hajdari ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në "Fletoren zyrtare".

Ja librat më të rinj në libraritë e Tiranes

Rubrikën e librave të rinj e hap “Planet e Hitlerit pёr ballkanin”, libri me kujtime i autorit Joakim Von Ribentrop. Nga Londra nё Moskё pёr herё tё parё dёshmia e ish minister tё jashtёm tё Gjermanisё pёr shkaqet e vёrteta tё luftёs sё dytё botёrore. Prapaskenat e Stalinit Camberlenit dhe Daladierit kundёr Rajhut tё ri.
Njё tjetё libёr i ri ёshtё edhe “Tranzicioni i rrezikshёm” me autor tё Hekuran Hysёn. Qёllimi qё autori ka pasur ёshtё tё sensibilizojё shoqёrinё pёr tu shkёputur nga rutina e tanishme me emrin politikё dhe tё fillojё tё mendojё me kёmbё nё tokё pёr tё dhёnё ndihmesёn e tyre intelektuale.
E ndёrsa studiuesja e re Blerina Sadiku sjell librin e saj “Lindja e çёshtjes çame 1820-1943”. Ajo e sheh lindjen e çështjes çame si pjesë të historisë së rindërtimit gjeopolitik të Ballkanit pas dalejs së sundimit osman që pati kosto e veta të rënda tek popujt e hershëm, sidomos tek shqiptarët.
Arkelogu i mirenjohur Neritan Ceka sjell njё libёr me dy vёllime “Archaeologjical Treasure from Albania” thesare arkeologjike nga shqipёria. Libri me dy vёllime paraqet foto dhe pёrshkrime nga objekte dhe monumente mё tё rёndёsishme arkeologjike nga shkodra nё Butirnt.
Botimet vijnë në gjuhën angleze dhe i drejtohen më tepër lexuesit të huaj dhe turizmit. Ajo është një vepër shkencore me një disipline rigoroze qoftë të paraqitjes materiale të tekstit të shkruar, qoftë dhe të materialit fotografik.
Ndёrsa pёr letёrsinё pёr fёmijё vjen fjalori i parё i ilusturar i gjuhёs shqipe pёr klasёn e parё.

Neritan Ceka publikon librin e tij për zbulimet arkeologjike

Zbulimet arkeologjike në Shqipëri tregojnë historinë e lashtë të vendit tonë. Tani këto thesare mund të shihen në një libër të ri të cilin e sjell arkeologu i njohur Neritan Ceka.
  Libri me dy vëllime paraqet foto dhe përshkrime nga objektet dhe monumentet më të rëndësishme arkeologjike, nga Shkodra në Butrint.
Ceka shkoi në ekspeditën e tij të parë në moshën 6-vjeçare me babain e tij arkeolog. Krenaria e tij është zbulimi i varreve të mbretërve ilirë në Selcë.

Ky libër shkon përtej Shqipërisë dhe e ndihmon atë të prezantojë monumentet kulturore dhe vlerat e saj me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Montefiore nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”



Shkrimtari dhe historiani i njohur anglez Simon Sebag Montefiore është nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rektorati i Universitetin e Tiranës ku rektori i këtij universiteti Dhori Kule që i dorëzoi Montefiores titullin e lartë.
Historiani dhe shkrimtari anglez ka promovuar në Tiranë pesë librat e tij të botuar në gjuhën shqipe, ku më i fundit e më i njohuri është “Jeruzalem”, që cilësohet si një biografi, një histori e re mbi Lindjen e Mesme.
Gjatë fjalës së tij historiani anglez duke shprehur mirënjohjen theksoi se është i lumtur që ka mbërritur në Tiranë, duke theksuar se ky vend ka shkrimtarë të njohur.
Disa nga librat e shkrimtarit anglez Montefiore të cilat do të promovohen sot nga shtëpia botuese “55” do të jenë “Stalini”, “Në oborrin e Carit të kuq”, “Jeruzalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka, Katerina e madhe dhe potemkini”
Shkrimtari Simon Sebag Montefiore konsiderohet si ati i historisë moderne ndërsa libri i tij “Jeruzalemi” kryeson listën e librave më të shitur.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...