Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/04

Gjykata shpall fajtor Orhan Pamuk




Shkrimtari i njonur turk, fitues i çmimit “Nobel” është dënuar nga Gjykata Turke për plasim të nje deklarate te cilesuar si fyese.

Shumë persona jane ankuar për siç kanë thënë shumë nga ta “deklaratë fyese me paramendim nga ana e shkrimtarit”, pasi ai në vitin 2005 gjatë një interviste për gazetat zvicerane kishte deklaruar se “ne kemi vrarë 30 mijë kurdë dhe një milionë armenë”.

Të martën, në mënyrë zyrtare Gjykata e apelit e Turqisë ka vendosur që shkrimtari turk Orhan Pamuk është i obliguar që t’u paguaj nga 500 euro të gjashtë personave që janë ankuar

Kush është Orhan Pamuk?

Orhan Pamuk ka lindur në 7 qershor 1952 në Staboll në një familje të pasur. I ati ka qenë inxhinier. Ai studioi në Kolegjin Robert dhe më pas për arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit dhe njëkohësisht të gazetarisë në Universitetin e Stambollit. Në vitin 1982 u martua me Aylin Turegen, me të cilën u divorcua më 2001. Ka një vajzë, Ruyan (1991). Në vitet 1985- 1988 u mor me kërkime pranë Universitetit të Kolumbias në Nju Jork dhe për një kohë të shkurtër në Universitetin e Iouas. Orhan Pamuk jeton në Stamboll. Përvojën e tij të një jete mes traditës osmane të familjes dhe përqasjen me stilin perëndimor të jetës, ai e ka përshkruar me tri gjeneratat në romanin e tij të parë “Xhevdet Beu dhe të bijtë” (1982) dhe më pas reflektimet e lëvizjeve shoqërore të kohës në romanin “Shtëpia e heshtjes” (1983). Popullariteti i tij ndërkombëtar nis me botimin e romanit “Kështjella e bardhë” (1985), roman historik për Stambollin e shekullit 17. Ky është libri i parë i botuar në gjuhën angleze. Më pas njohja e tij pason me botimin e romanit “Libri i zi” (1990), që provokoi debate në Turqi për shkak të referencave të tij sufiste.

Mbi këtë libër është bazuar edhe filmi “Gizli Yuz” (1992). Romani “Jeta e re” (1994) që pason veprën e tij është një rrëfim mbi shpirtin mistik dhe reminishencat e kulturës popullore dhe miteve turke, përmes një të ashtuquajturi libër me një aftësi për të të ndryshuar jetën nëse e lexon. Në vitin 2000 Orhan Pamuk prezantohet me “Unë jam e kuqja”, ku siç shprehet ai, tema kryesore është raporti mes Lindjes dhe Perëndimit, mes përshkrimit nëpërmjet pikëpamjeve të ndryshme të artistëve të lidhura me këto kultura. Romani i tij “Bora” (2002) i vendos ngjarjet në kufirin lindor të Turqisë, në qytetit Kars, dikur kufiri mes perandorisë osmane dhe asaj ruse. Romani përshkruan konfliktet politike dhe fetare të turqve të sotëm përmes jetës së një shkrimtari të mërguar në Perëndim. Në vitin 2004 Pamuk boton “Stambolli: Kujtime dhe qyteti”, një portret i tij për qytetin e lindjes, i bazuar në melankolinë që sheh në jetën e njerëzve të këtij qyteti. Të gjithë veprat e Pamuk kanë gjurmë autobiografike.

Qysh në fëmijërinë e tij, Pamuk ka lexuar lehtësisht në gjuhët frënge, ruse dhe angleze. Orhan Pamuk është i pari autor musliman që doli në mbrojtje të hapur të Salman Ruzhdie. Po kështu Orhan Pamuk mbajti qëndrim edhe ndaj gjyqit kundër kolegut të tij Jashar Qemal në vitin 1995. Edhe vetë ai është përndjekur nga shteti i tij pas denoncimit që bëri në një intervistë të tij në Zvicër për vrasjen e 30 mijë kurdëve dhe një milion armenëve nga Turqia si dhe për “atmosferën tmerruese” të asaj kohe. Ai u quajt shpejt renegat i vendit të tij, gjë që i bën edhe sot shumë turq të mos e kenë shumë për zemër dhe ta pranojë me shumë vështirësi këtë fitore të Pamuk edhe si të tyren. Por presioni ndërkombëtar në mbrojtje të tij ka qenë shumë i madh. Orhan Pamuk është botuar në dhjetëra gjuhë të botës dhe vitet e fundit ka qenë në listën e autorëve më të shitur në Perëndim. Vepra e tij rreshtohet në rrëfimet postmoderniste dhe është krahasuar nga kritika me atë të Kafkës, Borhesit, Kalvinos dhe Markezit.(Flori Bruqi)


Orhan Pamuk: Shqiptarët dashurojnë fort dhe bukur

Nobelisti i vitit 2006, rrëfehet për lidhjen e tij me të shkruarin, Stambollin, qytetin e përfytyrimeve, librat dhe historinë

Rudina Xhunga

Më 12 tetor 2006, Orhan Pamuk mori "Nobelin", me motivacionin:

"Orhan Pamuk është zëri që në kërkim të melankolisë së trishtë të qytetit të tij të lindjes, Stambollit, zbuloi simbolet e reja të përplasjes dhe gërshetimit të kulturave".

Pamuk ka 30 vjet që shkruan. Librat e tij janë ftesë për një udhëtim drejt një të panjohure të mrekullueshme. Ti hyn në to dhe kupton se globalizmi s‘ka pse të jetë patjetër përplasje, mund të jetë edhe martesë.

Pamuk nuk mban anë kur rrëfen, ai mban qëndrim.

Nëse e takon, kupton se ai është ajo që shkruan.

Kur shkuam në zyrën e tij, që sheh nga ura e Bosforit, ura e madhe që bashkon Azinë me Evropën, ishte duke bërë gati për botim librin e fundit, "Muzeu i pafajësisë." I pëlqen të flasë pafund për të, sepse "është libri i jetës sime", pohon ai.

Donim ta pyesnim edhe për Turqinë, për Perëndimin dhe Lindjen, për shaminë e armenët, por Pamuk insistoi: "Jo sot, jo për gjëra të vështira. Më pyesni për gjërat e thjeshta. Vetëm ato janë vërtet të rëndësishme në jetë".

Përfund edhe një pyetje për të dashurën e parë. Vajzën shqiptare. Emri i së cilës në persisht është trëndafil i zi. Asaj i shkroi 9 letra, 7 i futi në zarf dhe i dërgoi 5, pa marrë kurrë përgjigje.

Në intervistën e parë në shqip, shkrimtari turk, që fitoi "Nobelin" në vitin 2006, ndan për herë të parë me lexuesin shqiptar një rrëfim për dashurinë dhe errësirën, në javën e 14 shkurtit, si një dhuratë dashurie për shqiptarët. Shqiptarët që kanë ëndrra.


Mirë se ju gjej në zyrën tuaj z. Pamuk! Për mua është kënaqësi, do doja t‘i shikoja si kënaqësi këto orë në zyrën e një nobelisti, por më pengojnë detyrimet ndaj lexuesit tuaj dhe shikuesve të mi në Shqipëri. Si i bëhet të bashkosh kënaqësinë me detyrimin?




Mund të them që ka përplasje mes punëve që bëjmë me dëshirë dhe atyre që na detyrojnë t‘i bëjmë. Por, ndonjëherë edhe punët që i kemi të detyruara duhet t‘i bëjmë me dëshirë. Sepse ndryshe si do ia dilnim ta shijonim jetën! Unë gjatë gjithë jetës sime kam dashur të bëhem shkrimtar dhe kur u bëra, shkrimtarin si punë e kam bërë me dashuri.

E shoh veten time si njeri me fat. Jam me fat, sepse kam arritur të bëj atë punë që e kam dashur gjithmonë.



Duhet të prezantohem në fillim. Jam shqiptare, punoj në TCH, televizioni më i madh në Shqipëri. Atdheu im është i çuditshëm, por nuk i ndahem dot. Shtëpia ime është 1 orë e gjysmë larg shtëpisë suaj në Stamboll. Çfarë dini ju për shtëpinë time?


E di që Shqipëria është një vend shumë i vogël. Di gjithashtu se edhe kultura juaj është shumë pranë asaj sonës, ka ngjashmëri, ngjasim. Mund të them se edhe fjalorët e parë turqisht janë bërë nga disa shkrimtarë me origjinë shqiptare. Figura të rëndësishme me origjinë shqiptare kanë ndikim të madh në kulturën moderne të Turqisë. Nëse do të vazhdoj të flas ende, do më ngjajë sikur kulturat e dy vendeve nuk mund t‘i mendojnë veç e veç, por si vazhdimësi të njëra-tjetrës. Në të vërtetë Shqipëria është një vend në mes të Evropës. Unë di rreth viteve të mbylljes në vetvete të Shqipërisë. Apo dhe për ngjarjet e rënda të disa viteve më parë. Madje, kam pasur shokë këtu në Turqi që janë ndikuar nga gjendja që kaloi Shqipëria para një dhjetëvjeçari. Disa prej këtyre çfarë përmenda unë i kam shkruar edhe në librat e mi. Intelektualët turq e kane ndjekur Shqipërinë gjatë periudhave të ndryshme. Tani e di që Shqipëria ka kaluar në një sistem demokratik, është një shtet që po forcohet, pasurohet. Shpresoj dhe dua që të vazhdojë me sukses në këtë rrugë.


Po, te romani juaj "Libri i zi" ndeshesh me Enver Hoxhën dhe bektashizmin…


Po, është e vërtetë. Në të gjitha fushat e jetës, qofshin këto sociale, politike apo dhe fetare, fshihet diçka. Është një shpirt, herë-herë në trajtë konspiracionesh, që me kalimin e kohës formësohet ndryshe, apo merr tjetër trajtë. Kjo gjë është shumë e rëndësishme për t‘u kuptuar. Si te bektashizmi, teoria e Enverit apo e Mao Ce Dunit, që në vetvete duken gjëra të ndryshme, por nëse sheh mirë brenda kupton se këto kanë disa pika të përbashkëta, që ndoshta me kalimin e kohës bëhen edhe publike. Për mua është e rëndësishme të arrish të gërmosh nëpër këto teori. Sipas meje, këto janë temat për të cilat mund të shkruash një libër apo roman.


"Libri i zi", ku ju i trajtoni këto tema, nuk ka ardhur ende në shqip. Uroj që "Skanderbeg books" ta sjellë shumë shpejt. Meqenëse jemi të shtëpia botuese, e dini që Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar dhe ai ka luftuar kundër turqve?


Skënderi është heroi dhe luftëtari i të gjithë zonës. Është e vërtetë që kemi luftuar shumë ndaj njëri-tjetrit, por sa luftë, po aq të përbashkëta kemi. Ndërkohë, jam shumë i kënaqur nga shtëpia botuese në Shqipëri. "Skanderbeg" ka bërë një punë mjaft të mirë dhe e di që falë kësaj pune unë njihem dhe lexohem edhe në Shqipëri. Sepse, tani ka ardhur të mos luftojmë me njëri-tjetrin, por të lexojmë libra (qesh).


Ky ishte thelbi i pyetjes në fakt. Koha. Dikur heroi ynë luftonte kundër jush, tani shtëpia botuese që mban emrin e tij, boton librat tuaj… Si ndryshojnë kohët...


Kulturat ndryshojnë. Njerëzit e tanishëm nuk ngjajnë me kulturat e kaluara, por me kulturën e tanishme. Tani ne nuk kemi të njëjtën kulturë me atë të 150 viteve më parë. Nuk mendoj se e kaluara dhe historia e hershme duhet të vazhdojnë të ndikojnë në jetën tonë aktuale. Historia të ndihmon të kesh një identitet kombëtar. Sistemet e arsimit i japin shumë rëndësi historisë, por ka diçka më të rëndësishme se historia. Po të shikosh tani, një shqiptar ngjason edhe me një turk, brazilian apo dhe kinez. Mënyra e njëjtë e jetesës që bëjnë njerëzit në mbarë botën i bën të njësojtë. Mënyra si jetojnë njerëzit, tani në kohën kur flasim, për mua është më e rëndësishme se historia kombëtare e një vendi.


Unë i përkas një brezi që kanë pritur për shumë vite që shkrimtari i tyre, Ismail Kadare, të merrte "Nobelin". Ai ende nuk e ka marrë. Turqit e kanë pritur këtë dhe si e përjetuan kur ndodhi?



Sa keq! Ismail Kadare është një shkrimtar mjaft i mirë dhe i njohur. Dua që ai ta marrë këtë çmim. Dua që të jetë i suksesshëm. Në momentin që unë mora çmimin "Nobel" pati një reagim politik nga mediat, që nuk kanë të njëjtin mendim politik me mua. Madje ata më hapën luftë jo vetëm mua, por edhe Suedisë. Por nuk dua të qëndroj shumë në këtë çështje. Megjithëse dua të them diçka që është e vërtetë. Çmimi "Nobel" që unë mora nuk u shndërrua në një festë kombëtare në Turqi (qesh).


D.m.th., ju nuk e shijuat dot këtë çmim?


Jo, unë e shijova. Për këtë jam i kënaqur.


Çfarë po bënit në kohën kur ju lajmëruan që morët çmimin "Nobel"?


Në ato momente po flija. Isha në Amerikë, pasi atje jepja mësim. Ka qenë mesi i natës dhe numrin tim të telefonit e dinin pak njerëz. Kishte shumë pak kohë që unë kisha filluar të jepja mësim në Nju-Jork. Mendova se ishte ora 7 e mëngjesit, sepse ishte natë. E hapa telefonin dhe pyeta kush është.

Kujtoj që isha me pizhame, i përgjumur. Më zgjuan dhe më dhanë lajmin. Më thanë që do të vijë një tjetër telefonatë nga Suedia, të cilët do të më pyesnin nëse isha dakord për çmimin. Pa e marrë veten mirë nga telefonata e parë, erdhi telefonata e dytë. Më morën nga Suedia. I falënderova, e pranova dhe u thashë që do të vi bashkë me vajzën për ta marrë këtë çmim (qesh).


Pastaj çmimi e ndryshoi jetën tuaj?


Menjëherë sa e mora vesh këtë lajm, i thashë vetes dhe të gjithë shokëve që më morën në telefon për të më uruar që ky çmim nuk do të më ndryshojë jetën. Çfarë dua të them me këtë. Ky çmim u jepet shkrimtarëve të cilët janë në moshë më të thyer. Për shkrimtarët, të cilët e marrin këtë çmim, është një mendim i tillë: janë njerëz në pension, të cilët nuk shkruajnë më. Është një lloj mirënjohjeje për gjithë ç‘kanë bërë ata më parë. Por me mua nuk është kështu, nuk ka pse të jetë kështu. Madje është krejt e kundërta. E ndiej brenda vetes se jam në gjysmë të rrugës, të krijimtarisë sime, kam akoma shumë libra për të shkruar. Madje gjatë dhënies së çmimit isha në gjysmën e një libri që po shkruaja në Amerikë, tani në këto momente jam në përfundim të tij. Ajo që dua të them është se dëshira për punën, lidhja dhe dashuria për letërsinë e për shkrimin e librave asnjëherë nuk do të mbarojë. Të gjithë kohën time do ta shpenzoj për këto. Çmimi "Nobel" nuk e ndryshoi aspak karakterin tim, nuk e ndryshoi lidhjen time me letërsinë dhe librat. Me marrjen e "Nobelit" nuk mendoj se kam arritur suksesin më të madh. Në të vërtetë librin më të bukur që kam shkruar deri më sot nuk e kisha para "Nobelit", jam duke e përfunduar tani. Pas marrjes së çmimit, librat e mi filluan të përktheheshin në 56 gjuhë, nga 46 që përktheheshin më parë. Çmimi më afroi më shumë lexues, pasi duke filluar nga Kina e deri në Brazil librat e mi shiten dhe lexohen dhe për këtë jam shumë i lumtur. Dua të them që akoma pa përfunduar librin që kam në dorë ai është i shitur dhe i përkthyer në 40 gjuhë. Në Kinë di që librat e mi lexohen shumë, pasi kam marrë disa çmime dhe atje. Në verë do të bëj një turne Kinë-Japoni-Indonezi-Kore. Të gjitha këto ndodhi ngjajnë të çuditshme, ato të fusin pa kthim në një botë përrallash, por pavarësisht tyre unë do të vazhdoj punën që dua, do të shkruaj libra. Kam ende në planet e mia të shkruaj 6-7 libra të tjerë, të cilat mendoj se janë më të rëndësishëm se çmimi "Nobel".


E keni menduar ndonjëherë gjatë kohës kur shkruanit se do të shpërbleheshit kaq shumë? Po të tjerë e kanë shprehur? P.sh., babai juaj kur ju lexoi librin e parë, ju tha: Ti do marrësh "Nobelin", apo ti do të bëhesh pasha?


E kam shpjeguar pak këtë çështje edhe në librin tim që është përkthyer në shqip, "Baulja e babait". Ai libër përmban fjalime të mia gjatë marrjes së çmimeve, por në formë tregimi. Ende pa dalë libri im i parë, ia kisha dhënë babait për ta lexuar. Ëndrra e babait ishte të bëhej shkrimtar, por për shkak të kushteve, nuk ia doli dot. Pasi lexoi librin tim, ndryshe nga baballarët e tjerë, të cilët u uronin të bijve të bëheshin pashallarë, në kuptimin e sotëm të pasur e të nderuar për paranë që kishin, i imi më tha atë ditë: Një ditë ti do të marrësh çmimin "Nobel". Kjo ndodhi në kohën kur isha 30 vjeç. Kur unë isha 54 e mora vërtet "Nobelin". Atë mbrëmje do të doja shumë që babai im të ishte me mua dhe të shikonte ndërsa e merrja këtë çmim. Por ai nuk arriti dot. Kisha vajzën time ato çaste, kur ai më mungonte shumë. Gjatë 4-5 viteve të fundit, gazetarët turq, apo të gjithë miqtë e mi prisnin që unë ta merrja këtë çmim. Kjo gjë filloi të më mërziste. Ditën që do të publikohej, gazetarët turq vinin te dera e shtëpisë sime. Pasi mora çmimin rashë në qetësi, sepse nuk do të vijnë më çdo vit të më pyesin dhe kur do ta marrësh këtë çmime¦?


Qenka e lehtë të shkosh tek ëndrrave¦



Për mua ëndrra është të jetoj një jetë të lumtur. Dhe një jetë e lumtur, sipas meje, është të bëj atë që dua më shumë. Dhe ajo që dua më shumë është të shkruaj. Vetëm duke shkruar libra mund bëj një jetë të lumtur. Ndryshe nga të tjerët jam një njeri që dua të qëndroj në vetmi, të ëndërroj dhe këtë gjë e kam pranuar mes vetes. Lumturia për mua është të shkruaj një roman të bukur dhe të marr lumturi nga e shkruara. Të marrësh urime edhe nga njerëz që kanë lexuar librin tim, të marrësh çmime, është diçka shumë e bukur, por jo qëllimi. Ky është vetëm shpërblimi i të gjithë kësaj pune.


Dua t‘ju pyes përsëri si e zbuluat se çfarë ju bënte të lumtur? Ju e dinit se nuk donit të bëheshit piktor, por nuk dinit çfarë donit të bëheshit… Pastaj, si ndodhi që e zbuluat letërsinë?


Nga mosha 7 deri në moshën 22-vjeçare dëshiroja të bëhesha piktor. Dhe prindërit më kishin përkrahur. Studioja në Fakultetin e Arkitekturës, pasi vi nga një familje inxhinieresh, gjyshi, xhaxhai dhe babai im ishin inxhinierë ndërtimi dhe të gjithë prisnin të njëjtën gjë edhe nga unë. Por gjatë viteve të shkollës kuptova që nuk e doja këtë profesion dhe zbulova se doja të bëhesha shkrimtar. Lexoja shumë romane, madje në orët e mësimit nuk e kisha mendjen asnjëherë. Vetëm mendoja për letërsinë. Nëse do të pyesnit pse ky ndryshim, edhe unë nuk mund t‘ua them dot me një fjali. Ndoshta këtë gjë e shpjegon pak libri "Stambolli", një libër që flet më shumë për jetën time deri në moshën 22-vjeçare.


Gjithsesi nuk keni hequr dorë nga piktura. Kur lexoj "Unë jam e kuqja", ju shoh të pikturoni personazhet tuaj…


Kam një dhunti ndryshe nga të tjerët. Jam një shkrimtar që çfarë shkruaj mund ta rrëfej si në pikturë. Për shembull, Dostojevski, një shkrimtar shumë i madh, që më pëlqen shumë, por nuk ia kam parë këtë veti. Ai merret me dramën, jo me figurën. Nëse më pyesni mua, them që shkrimtarët ndahen në dy grupe. Shkrimtarë dramatikë dhe shkrimtarë vëzhgues. Unë tregimet e mia, shkrimet e mia kam dëshirë t‘i përshkruaj si pjesë të një pikture apo fotografie. Për mua, atë që të shikon syri duhet ta tregosh me fjalë. Kjo është një dhunti e të shkruarit.


A ndodh e njëjta gjë me mënyrën si lexoni. Ju e lexoni me vëmendje një libër nga rreshti i parë tek i fundit, nënvizoni, ndaloni, apo e ndiqni si një film?


Normal, si të gjithë njerëzit e tjerë. Por, meqë më bëtë këtë pyetje për vëzhgimin, mund t‘ju them se pasi e kam lexuar një libër e di që një shprehje është një këtë faqe apo në pjesën e sipërme apo të poshtme të faqes, pra jam një lexues vëzhgues. E vërtetë që ka dy mënyra të të lexuarit. Të jesh i vetëdijshëm për atë që lexon dhe tjetra ato që lexon të të kalojnë në mendjen tënde si një film. Unë më shumë përdor këtë të dytën. Ndonjëherë më ndodh e kundërta, p.sh., isha një ditë me gruan në kinema. Pamjet më pëlqenin shumë, por nuk kuptoja asgjë nga ajo që ndodhte. Dhe për këtë pyesja gruan.

Të flas për këto gjëra që po më pyesni më pëlqen. Pikërisht për këto jap mësim në Universitetin e Kolumbias në lëndën "Teksti dhe figura". Në fillim u frikësova që do të jepja një lëndë të tillë. Kishte shumë nxënës, por zgjodhëm vetëm 20 mjaft inteligjentë. Unë jam shumë i kënaqur me ta dhe di që edhe vetë nxënësit janë të kënaqur me mua. Në këtë lëndë flasim për shumë figura të njohura si Aristoteli, Borhes, Prust, etj. Kemi lexuar dhe diskutuar shumë gjëra mbi ta. Të gjitha tekstet janë mbi shikimin dhe atë që shikon të arrish ta thuash me fjalë.



Pra mund ta mësosh dikë të shohë, të ndiejë, të bëhet, nuk janë dhunti talentet?


Unë jam një autodidakt. Jam një njeri që lexoj vetveten. Nuk arrita ta përfundoj Fakultetin e Arkitekturës. Kam studiuar për Gazetari, por edhe atje nuk shkëlqeja. Nuk kam qenë asnjë ditë gazetar. Jam rritur 35 vjet në Stamboll duke lexuar libra dhe nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me botën akademike, duke përjashtuar këto 5 vitet e fundit që unë jap mësim në Amerikë. Isha një turk i thjeshtë, që me paratë e mia blija libra. Po të shikosh tani në librarinë time kam rreth 17 mijë libra. I kam lexuar të gjitha si një amator. Gjëja që më pëlqen më shumë është që pas 35 vjetësh që lexoja dhe më pas që shkruaja libra, më ofruan një punë nga universitetet amerikane. Në atë kohë kisha dhe një presion politik dhe kjo më bëri të pranoja të shkoja në Amerikë, pavarësisht se nuk më ngjante se isha gati. Prej dy vjetësh punoj në Universitetin e Kolumbias. Të gjitha këto që ju thashë nuk i kisha dhunti, por i mësova gjatë jetës. Po të shohësh njerëzit që janë larg Perëndimit janë të tillë, i bëjnë vete të gjitha gjërat, përballen me jetën dhe vijnë në një pikë që kapin kapacitetin e profesorëve. Fati im është që të gjitha shkrimet e mia u pranuan në botë dhe pastaj u bëra profesor. Nëna ime është ende e habitur nga kjo (qesh).



Sepse, ajo ju pyeste shpesh dikur, për kë shkruan Orhan?



Kjo pyetje, që më bënte nëna ime, e bëjnë të gjithë në të gjithë botën. Në vendet e varfra si tonat, na pyesin se kush do t‘i blejë këta libra etj., etj. Më parë më pyesnin se kush do të përfitojë nga librat që shkruan, ndërsa tani, ngaqë librat e mi përkthehen në shumë gjuhë, më pyesin për ne turqit shkruan apo për të tjerët, perëndimorët? Përgjigjja ime është: unë shkruaj turqisht, por nuk shkruaj vetëm për turqit. Unë shkruaj për të gjithë njerëzit që i duan romanet. Aktualisht romanet letrare lexohen nga njerëz që janë të shkolluar. Pastaj, unë nuk shkruaj libër për një njeri që në jetën e vet nuk ka shfletuar asnjë libër. Shkruaj për njerëzit të cilët e pëlqejnë letërsinë, ky mund të jetë një korean, brazilian apo dhe një shqiptar. Librat nuk mund t‘i shkruaj vetëm për një turk. Jo, unë shkruaj për të gjithë ata që e duan letërsinë.


Ju vjen keq që gjuha juaj nuk është universale dhe se gjërat janë më të lehta në këtë botë kur shkruan anglisht?


Të gjithë shkrimtarët turq të brezave të kaluar e kanë vuajtur këtë fakt. Sa keq që turqishtja nuk flitet në botë, sa keq që shkrimtarët turq nuk marrin "Nobel". Neve nuk na duan, thuhej nga shumë kolegë turq, të cilët pas marrjes se çmimit "Nobel" nga unë, u mërzitën shumë (qesh).


A ka kaluar kjo mërzi?


Nuk dua të merrem me këta njerëz.


Si shkruani, nuk po shoh kompjuter në këtë dhomë?



Po e vërtetë. Unë shkruaj me dorë. Madje kam përdorur shumë rrallë dhe makinën e shkrimit. Dita më kalon duke shkruar dhe rregulluar shkrimet. Nuk jam një gazetar dhe për këtë nuk dua që të kaloj gjithë ditën para kompjuterit. U qëndroj besnik zakoneve të mia për të shkruar, shkruaj ngadalë-ngadalë, si milingonë. Kam shumë durim dhe nuk mërzitem aspak nga i gjithë ky proces, përkundrazi më bën të lumtur.


Shkruani në çdo vend apo vetëm në këtë dhomë me këtë det përballë, si të jetë brenda?



Shkruaj në çdo vend. Në avion, dhomë hoteli, në mbledhje, kudo të jem shkruaj. Ashtu siç janë ilaçet për të sëmurët kronikë, ashtu është edhe shkrimi për mua. Para një mbledhjeje, në avion, në dhomë etj., etj. Nëse mbledhja është në orën 11.00, unë zgjohem në 07.00 dhe shkruaj 2 orë. Kjo gjë më bën të ndihem mirë. Më e mira është të shkruaj në këtë dhomë, ku jemi tani, pasi jam jashtë botës, nuk më shqetëson njeri. Pas marrjes se çmimit flas me shumë njerëz dhe mund të them që nuk kam shumë kohë. Por, nëse njeriu do vërtet të bëjë diçka të bukur, mund t‘ia arrijë. Të mbyllet në dhomë, të fikë celularin dhe të shkruajë. Mos u beso shkrimtarëve të cilët thonë që nuk kanë kohë për të shkruar. U bë 1 vit e gjysmë që kam marrë "Nobelin" dhe jam në përfundim të një libri me 500 faqe.


"Muzeu i pafajësisë"?




Po, muzeu, është një histori dashurie që kalon në Stambollin e viteve 1975.





Pse thoni se është libri më i bukur i jetës suaj?


Nuk e di. Por është i tillë. Si dhe shumë autobiografik. Për shembull në librin "Unë jam e kuqja" ka shumë ngjashmëri me jetën time. Në këtë libër janë dy personazhe që u takojnë viteve 1591, jetesa e tyre ngjason me atë që kam kaluar unë me familjen time në Stamboll gjatë viteve 1951, por ai libër nuk është tregimi i jetës sime. Libri që jam duke përfunduar flet për të gjithë njerëzit e pasur turq që unë kam parë dhe njohur.



A do të ishte më mirë bota nëse të gjithë njerëzit do të bënin si shkrimtarët e mirë, do t‘i ndanin me të tjerët të fshehtat e tyre më të mëdha dhe do të çliroheshin kështu?




Për rolin e mirë që mund të luajnë shkrimtarët në këtë botë e shoh me pozitivitet, por kjo gjë nuk duhet zmadhuar. Për mua një nga bazat e shkrimtarit është. T‘i shkruajë dhe t‘i ndajë me të tjerët gjërat e vogla që janë të fshehta te ne. Ndoshta pas kësaj, bota mund të bëhet një vend më i mirë. Por unë nuk i shkruaj këto gjëra që bota të jetë më mirë se tani. Unë jetoj, shkruaj për ta zbuluar botën, jo për ta përmirësuar atë. Për mua e rëndësishme është ndjenja për të ndarë me të tjerët në mënyrë të suksesshme humanizmin tim. Gjatë jetës së përditshme ne bëjmë gjëra të vogla, kur mbushim gotën me çaj, kur shikojmë, pimë duhan dhe shumicën e tyre nuk e marrim parasysh. Shkrimtari ka dhuntinë që ato çfarë shikon, qofshin të mëdha apo të vogla t‘i dallojë, ta ngacmojnë. Kjo është një gjë e mirë, pasi të mëson të respektosh të zakonshmen, ta kuptosh të thjeshtën, sepse është ajo që bën të përbërën. Ta njohësh njeriun që ke përpara, ta duash atë. Dhe në fund dua të them se nuk shkruaj për të mirat që sjell kjo, por për dëshirën time intelektuale.


Ndeshja shpesh në intervistat tuaj inatin që kishit me faturat e gazit…


E vërtetë, sepse duhet t‘i paguaja vetë dhe ishte shumë e bezdisshme. Por tani çdo gjë është modernizuar. Pastaj kam asistentët apo njerëzit që kujdesen për punët e mia dhe faturat apo gjëra të tilla nuk i bëj më vetë.


Cila është gjëja që keni më shumë zët tanimë?




Si një shtetas turk kam një gjë që më bezdis dhe që e shoh si një problem me të vërtetë të madh. Në këto kohë nuk më ka ndodhur më, por deri para disa vitesh e provoja dhe ishte poshtëruese. Të marrësh vizë për të shkuar në ndonjë vend të Evropës. Një shtetas turk nuk mund të marrë lehtësisht një vizë, sepse dyshojnë te turku. Gjëja që e urren më shumë, që e zemëron shumë turkun është kërkimi i një vize. Mua më kanë ftuar disa herë në mbledhje të ndryshme, por më pas torturohesha për vizën dhe pastaj nuk shkoja fare në atë mbledhje. Por pas çmimit "Nobel", unë nuk kam më problem për çështjen e vizave (qesh).


D.m.th., fama është varaku që i rregullon të gjitha problemet?



Jo tamam të gjitha. Nuk i rregullon dot të gjitha. Disa prej tyre i rregullon, ndërsa disa të tjera i zmadhon.


P.sh., çfarë zmadhon, rregullon problemet me të tjerët dhe zmadhon ato me veten?




E mira është të mos nis të ankohem tani nga fama. Në rininë time doja që të bëhesha i famshëm. Mendoja që një shkrimtar duhet të jetë i famshëm. Dhe u bëra. Nëse do të ankohesha nga fama do të bëja një gjë të padrejtë. Librat e mi përkthehen në 56 gjuhë të botës, miliona njerëz i lexojnë ato, nuk kam asgjë për t‘u ankuar. Unë doja që t‘i kisha këto gjëra, i kam. Të mos nis të ankohem, nuk bën.




Si u përgjigjeni pyetjeve, a është autobiografik x roman?


Një libër përmban edhe autobiografinë edhe përpjekjet e njeriut për të vendosur veten e tij në rolin e të tjerëve. Romani është një art. Në momentin që shkruajmë një roman, edhe nëse është autobiografik, të gjithë e lexojnë sikur ai është tregimi i një tjetri. Ose tregimin e tjetrit shkrimtari e përshkruan si të vetin. Në një roman gjithmonë futen shpjegimet tona dhe përpjekjet tona për të vendosur veten në vend të tjetrit. Ndërsa e bukura e të lexuarit të një romani është se mendojmë gjithmonë: vallë e ka shkruar duke vendosur veten në rolin e tjetrit apo e ka shkruar nga vetja?


Dua t‘ju pyes për ngjashmëritë që kanë njerëzit në Shqipëri, Turqi, kudo? A kemi fate të ngjashme, komplekse, paranoja, dështime, lëndime të njëjta dhe aftësi për t‘ia dalë njësoj?



Kjo mënyrë vëzhgimi është në një mënyrë një lloj besimi. Do më duhet të jap një përgjigje gjysmëfetare. Unë nuk jam një njeri besimtar, por kjo pyetje ka një shpjegim pjesërisht dhe fetar. Ju ose u besoni njerëzve, që do të thotë t‘i besosh jetës, ose nuk u besoni njerëzve dhe mendoni se bota është e keqe. Por sa më shumë ta mendoni këtë gjë, aq më shumë keq i bëni dhe vetes tuaj. Unë zgjedh drejtësinë dhe mirësinë përpara dinakërisë. D.m.th., e vlerësoj drejtësinë dhe mirësinë. Nuk i dua njerëzit që nuk ka kanë asnjë vlerë njerëzore, edhe pse ata mund të jenë të zgjuar. Jo, zgjuarsia nuk është gjëja më e rëndësishme për mua. E rëndësishme është të bashkosh mirësinë me zgjuarsinë. Kjo është e vështirë. Interesante në letërsi është të kapësh pjesën djallëzore dhe ta mirëkuptosh atë. Nuk duhet patjetër që shkrimtari të bëhet djallëzor. Duke menduar të gjitha këto, them se njerëzit ngjasojnë dhe nuk ka pse të mos e kuptojnë njëri- tjetrin. Pas letërsisë së madhe fshihet një besim që e vërteta njerëzore do të mirëkuptohet nga njerëzit e tjerë. Kjo është një mirësi. Nëse nuk do të ishte ky besim, nuk do ia vlente fare të shkruaje libra.


Jeta jonë është kaq normale. A e bën më të bukur leximi i librave të mirë?



Leximi i librave ma bën jetën më të lumtur, por librat e mirë nuk mund t‘i gjesh dot gjithmonë, përgjatë gjithë kohës. Unë kam lexuar shumë libra të mirë, për të kuptuar të tjerët, për të kuptuar botën. Nëse të tjerët i kanë bërë një pasqyrim të mirë botës, një pasqyrim të zgjuar, atëherë edhe ne ashtu e shohim. Bukuria për mua është bukuria që tregon letërsia dhe arti. Por kjo nuk mjafton. Duhet ta përdorësh me zgjuarsi atë që shikon, ta bësh të të shërbejë ty. Librat na hapin dyert e një bote të fshehtë, por jemi ne ata që pasi futemi brenda, duhet të dimë të kuptojmë dhe marrim prej këtij fati. Të dimë të ndryshojmë veten. Kënaqësia që më japin shkrimet janë të mëdha, pasi bëj pikërisht këtë që jam duke ju treguar tani. Pikërisht kjo më ka tërhequr gjithmonë.



Dhe përfund një pyetje që ka shkaktuar shumë kuriozitet te shqiptarët. Pse është një shqiptare personazh i librit "Stambolli" si dashuria juaj e parë, vajza që i shkruat 9 letra, 7 ia futët në zarf dhe i niset 5, pa marrë kurrë përgjigje?



Është një shqiptare, mbase ngaqë kam dëgjuar që shqiptaret dashurojnë bukur, dashurojnë fort. Mbase, mund të jetë kjo (qesh).



Faleminderit që bëmë bashkë këtë intervistë dhe më dhatë mundësinë të flas me lexuesit e mi shqiptarë.


Biografia


Orhan Pamuk ka lindur më 7 qershor 1952 në Stamboll. Në vitin 1982 u martua me Ailin Turegen, me të cilën u divorcua më 2001-shin. Ka një vajzë 17-vjeçare, Ryan, që në shqip do të thotë ëndërr.

I vogël i kushtoi shumë vëmendje pikturës. Pasi u diplomua në shkollën laike American Robert College në Stamboll, ai studioi për Arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit për 3 vjet, por shpejt hoqi dorë. Mandej u diplomua në Institutin e Gazetarisë në Universitetin e Stambollit, pavarësisht se kurrë nuk punoi si i tillë. Në moshën 23-vjeçare, Pamuk vendosi të bëhej romancier dhe hoqi dorë nga gjithçka për të nisur rrugën e shkrimit. Në vitet 1985-1988 u mor me kërkime pranë Universitetit të Kolombias në Nju Jork dhe për një kohë të shkurtër në Universitetin e Ajouas. Pas periudhës së shkurtër që kaloi në Amerikë, Pamuk u rikthye përgjithmonë në Stamboll.

"Kam kaluar gjithë jetën time në Stamboll, thotë ai, në bregun evropian, në shtëpitë përballë bregut tjetër, atij aziatik. Të jetosh afër ujit, duke parë bregun përballë në kontinentin tjetër, ka qenë fat për mua, sepse më kujtonte vendin tim në këtë botë. Pastaj, një ditë u ndërtua një urë që lidhte të dyja brigjet e Bosforit. Kur hipa në urë dhe pashë panoramën, kuptova që ishte akoma më mirë kështu, ishte edhe më bukur të shikoje të dyja brigjet bashkë. Kuptova që më e mira të ishte një urë mes dy brigjesh, për t‘iu drejtuar të dyjave pa i përkitur asnjërës".

Më 1982-shin ai shkroi librin e parë "Xhevdet Bej dhe bijtë e tij", në të cilin përshkruhet me tri gjenerata jeta midis traditës otomane të familjes dhe përqasjes me stilin perëndimor.

Më 1983-shin shkroi "Shtëpia e heshtur‘, që ishte një reflektim i lëvizjeve shoqërore të kohës.

Popullariteti i tij ndërkombëtar nis me veprën "Kështjella e Bardhë" më 1985-ën, roman historik për Stambollin e shekullit të 17. "Libri i Zi", 1990 provokoi debat në Turqi, për shkak të referencave të tij sufiste. Mbi këtë libër është bazuar filmi "Fytyrë e fshehur".

Romani i tij "Jeta e Re" (1994) është një rrëfim mbi shpirtin mistik dhe reminishencat e kulturës popullore dhe miteve turke, një libër që ka aftësi të të ndryshojë jetën nëse e lexon. Ky u bë një nga librat më të lexuar në letërsinë turke.

Në vitin 2000, Pamuk prezanton librin "Unë jam e kuqja", ku tema kryesore është raporti midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky libër flet për artistët osmanë e persianë dhe mënyrën e tyre për të shikuar dhe portretizuar botën joperëndimore, e treguar përmes një historie dashurie dhe një historie familjare.

"Bora" 2002 i vendos ngjarjet në qytetin Kars, dikur kufiri mes Perandorisë Osmane dhe asaj turke. Ai ka thënë se ky ka qenë "romani im i parë dhe i fundit politik".

Në 2004-ën boton romanin "Stambolli: mbi shpirtin e një qyteti", një portret i tij për qytetin e lindjes, i bazuar në melankolinë që ai sheh në jetën e njerëzve të këtij qyteti. Është një vepër që kombinon kujtimet e hershme të autorit deri në moshën 22-vjeçare dhe një ese për Stambollin të ilustruar me fotografi të bëra nga ai vetë, por edhe me piktura perëndimore e fotografë turq.

Në mes të viteve ‘90, Pamuk mori një pozicion kritik kundrejt shtetit turk në artikuj për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit, edhe pse nuk kishte interes për politikën. Pamuk ka pasur shpeshherë kërcënime për jetën dhe kjo ka nisur për shkak se në një intervistë ai është shprehur se "1 milion armenë dhe 30 mijë kurdë u vranë në këto toka, por askush, përveç meje, nuk guxon të flasë rreth kësaj". Për këtë, kundër tij u hap një proces gjyqësor më 16 dhjetor 2005. Ai u padit në bazë të Artikullit 301, sipas së cilës është e jashtëligjshme të fyesh republikën, parlamentin apo ndonjë organ të shtetit dhe për këtë mund të dënohesh deri në 3 vjet burg. Në një intervistë dhënë për CNN, ai ka pohuar: "Unë akoma u mbahem fjalëve të thëna. Qëllimi im ishte të nisja një diskutim të vogël mbi këtë tabu, sepse kjo tabu është një pengesë për hyrjen në BE. Çfarë thashë, ndoshta s‘është e vërtetë, ju ndoshta nuk do të jeni të një mendjeje, por unë kam të drejtën ta them atë". Fatmirësisht një gjykatë në Turqi rrëzoi çështjen kundër shkrimtarit të njohur. Çështja kundër shkrimtarit u kritikua nga Bashkimi Evropian. Gjatë kohës së kërcënimeve ai u largua në Shtetet e Bashkuara, që është një vend që ka pritur edhe shumë shkrimtarë të tjerë myslimanë të kërcënuar nga ekstremistët islamikë.

Orhan Pamuk iu dha nga Akademia Suedeze çmimi "Nobel" më 12 tetor 2006. Që prej asaj dite librat e tij janë botuar në më shumë se 56 gjuhë. Dy prej librave të tij, "Unë jam e kuqja" dhe "Bora", kanë ardhur në shqip, nga shtëpia botuese "Skanderbeg books".

Orhan Pamuk është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, jo vetëm për librat e tij, por edhe për kërcënimet me të cilat rrethohet jeta e tij. Ai ka dhënë intervista në mediat më të njohura si CNN, BBC, Rojters etj. Gazeta të famshme si "Financial Times", "The Guardian", "The New York Times", "The Observer", "Herald Tribune" e shumë të tjera kanë shkruar për të dhe letërsinë e tij. Për herë të parë, fituesi i çmimit "Nobel" për 2006-ën flet për një media shqiptare, nëpërmjet emisionit "Shqip" në "Top Channel".
http://rtvzik.com/forumi/index.php?topic=88.0

Shqipëria është Kulturë 2011


Është nënshkruar marrëveshja për organizimin e edicionit të dytë të festivalit mbarëkombëtar "Shqipëria është Kulturë" 2011. Ky eveniment do të zhvillohet në datat 26-29 maj 2011 në Apoloni të Fierit dhe më 30 maj në Tiranë.

Ky është një projekt i Universitetit Europian për Turizmin në bashkëpunim me bashkinë e Fierit dhe Parkun e Apolonisë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera.

Projekti synon nxjerrjen në pah të talenteve të rinj në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës dhe shërben për promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare dhe zhvillimin e turizmit në Shqiperi, bejne te ditur mediat shqiptare.

Evenimenti qe kete vit ka per moto “Të rinjtë pushtojnë Apolloninë”, sivjet do të ketë risi të shumta. Kështu për herë të parë do të mirëpriten miq nga Malta, të cilët do të demonstrojnë traditat e popullit maltez.


Panair i libirt në "Feniks" me rastin e Ditës së letërsisë për fëmijë


 


 Me rastin e 2 prillit, Ditës së letërsisë për fëmijë, shtëpia botuese "Feniks" do ta fillojë manifestimin dhjetëditor ekspozues-shitës "Botime të popullarizuara për fëmijë dhe të rinj".

Prej 2-12 prill, në tre libraritë e "Feniks"-it, do të ofrohen mbi 50.000 botime për fëmijë, të cilat do të shiten me ulje të çmimit prej 50 deri 80 për qind. Me këtë rast, do të përfaqësohen lexime jashtë klase për arsimin fillor dhe të mesëm, fletore me vizatime që duhet ngjyrosur dhe libra të ilustruar, enciklopedi dhe broshura dhe një numër i madh i librave me autorë nga vendi dhe të huaj.

Gjatë manifestimit do të kumtohet edhe emri i fituesit të sivjemë të çmimit ndërkombëtar "Ana Frank", të cilin tradicionalisht e ndajnë shtëpia botuese "Feniks" dhe fondacioni "Makedonija 

Dr.Bajram Rexhepi: T'i japim Pacollit 100 ditë




Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, sipas të gjitha gjasave, gjatë javës së ardhshme sërish do të zgjedhë Presidentin.
“Opozita duhet të tregojë konstruktivitet dhe nuk mund të bojkotojë parlamentin, sepse për këtë nuk kanë votuar qytetarët”, ka deklaruar ministri Rexhepi për agjencinë serbe të lajmeve, “Tanjug”.
Ministri Rexhepi, duke dashur të tregojë se nuk është “rendi” për zgjedhje të reja, ka deklaruar se Kosova “është afër katër vjet” larg nga zgjedhjet parlamentare.
Ndryshe, ministri i Brendshëm i Kosovës, Rexhepi, ka thënë se shpreson që “opozita do të ketë më shumë mirëkuptim”, pasi, sipas tij, “nuk është e mirë që çdo muaj të humbin nga 20 milionë euro për zgjedhje”.
Ai tha se Pacollit duhet t’i jepet shansi që të tregohet në 100 ditët e para si dhe deklaroi që nuk është në dijeni nëse do të jetë Pacolli kandidat nga AKR apo do të jetë dikush tjetër.

2011/04/03

DHURATA HAMZAI: Gëzim Alpion, në ngërçin e civilizimeve




                             Gëzim Alpion



“Sikur të vdekurit të dëgjonin” (“If Only the Dead Could Listen”) ka qenë drama për të cilën Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” organizoi dje paradite një prezantin në Sallën “Abreti” tek Tirana International Hotel. Premiera Britanike nga Teatri Dreamscape, mbështetur në dramën e Gëzim Alpion u shfaq nëpërmjet DVD-së për një mumër të madh shikuesish, ndër të cilët ishin edhe regjizorët, aktorët, studiuesit, gazetarët dhe intelektualët e ardhur nga mërgimi. Ajo që kishte mbledhur një audiencë kaq të gjerë ishte tema “Identiteti Kombëtar Shqiptar: Kohezion në Individualizëm dhe Fragmentim” dhe biseda e hapur Dr. Alpion për shumë çështje të shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë, e cila do të trajtohej pas shfaqjes së premierës. Kohezioni dhe individualizmi kanë qenë raporte të diktuara në veprën teatrore, e cila e ka vënë autorin para shumë pyetjeve të audiencës për identitetin shqiptar dhe imazhin shqiptar. Janë këto dy temat më të debatuara në nivelet e ndryshme të opinionit mbarëkombëtar. Të para në kuadrin e integrimeve tona perëndimore e globale interesimet e Alpion janë përqëndruar në trekëndëshin Perëndim-Bota Arabe-Indi. Rreth këtyre interesimeve Alpion i përgjigjet audiencës se ashtu si edhe tani, shqiptarët për afro 2000 vjet kanë jetuar në skajet e civilizimeve dominuese pa u integruar plotësisht me ta si komb në tërësi. “Pavarësisht nga kjo ekzistencë periferike, kombi ynë vazhdimisht ka nxjerrë figura të një rëndësie ndërkombëtare të cilët me vizionin e tyre kanë treguar se shqiptarët janë të predispozuar të jenë pishtarë të emancipimit njerëzor. Këtë në kohët moderne e tregoi në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë Muhamet Aliu, i cili me forcën e vullnetit dhe largpamësinë e tij themeloi Egjiptin modern duke e orientuar atë drejt civilizimit perëndimor”, thotë Alpion. Ai u shpreh se më së fundi, se sinteza e shpirtit praktik dhe e botës së pasur shpirtërore të kombit tonë u bë Nënë Tereza, e cila gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë mishëroi në praktikë bamirësinë kristiane dhe respektin për dinjitetin njerëzor në një vend si India ku Kristianizmi, me gjithe traditën dymijëvjeçare, ka mbetur një fe e huaj.
“Unë kam pasur fatin të studioj në Shqipëri, Egjipt dhe Angli si dhe privilegjin të njihem nga afër dhe të shkruaj për tema që kanë të bëjnë me civilizimin perëndimor, egjiptian, dhe Indinë”, shprehet Alpion. Dihet që identiteti shqiptar dhe imazhi shqiptar janë dy temat më të debatuara në nivelet e ndryshme të opinionit shqiptar, në kuadrin e integrimeve tona perëndimore e globale. Ndërkohë interesimet shkencore e krijuese të Alpion janë përqëndruar në trekëndëshin Perëndim-Bota Arabe-Indi, në të cilin mendon se edhe këtu mund ta gjejë veten shqiptari. “Ashtu si edhe tani, shqiptarët për afro 2000 vjet kanë jetuar në skajet e civilizimeve dominuese pa u integruar plotësisht me ta si komb në tërësi. Pavarësisht nga kjo ekzistencë periferike, kombi ynë vazhdimisht ka nxjerrë figura të një rëndësie ndërkombëtare të cilët me vizionin e tyre kanë treguar se shqiptarët janë të predispozuar të jenë pishtarë të emancipimit njerëzor. Këtë në kohët moderne e tregoi në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë Muhamet Aliu, i cili me forcën e vullnetit dhe largpamësinë e tij themeloi Egjiptin modern duke e orientuar atë drejt civilizimit perëndimor. Më së fundi, sinteza e shpirtit praktik dhe e botës së pasur shpirtërore të kombit tonë u bë Nënë Tereza që gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë mishëroi në praktikë bamirësinë kristiane dhe respektin për dinjitetin njerëzore në një vend si India ku Kristianizmi, me gjithe traditën dymijëvjeçare, ka mbetur një fe e huaj”, tha Alpion.


Problemet e shqiptarëve në mërgim
Një shtysë e madhe që Alpion ndërmerr kaq shumë studime me vlera të mëdha historike dhe kulturore është se autori ka pasur fatin të studioj në Shqipëri, Egjipt dhe Angli dhe ka pasur privilegjin të njihet nga afër dhe të shkruaj për tema që kanë të bëjnë me civilizimin perëndimor, egjiptian dhe Indinë. Alpion gjatë veprimtarisë së tij intelektuale shquan problemet e shqiptarëve në mërgim duke theksuar se “Në kohën tonë, elita shqiptare në mërgim është aktive por jo e organizuar. Ajo që e bënte imperative organizimin e diasporës në kohën e vëllezërve Frashëri, Konicës, Nolit dhe Qemalit, ishte mungesa e një shteti shqiptar. Në kohën tonë elita intelektuale që ka mërguar do të jetë në gjendje të organizohet shumë më mirë dhe për pasojë t’i shërbej më me efikasitet kombit, po qe se në Shqipëri dhe Kosovë ekzistojnë institucione qeveritare që merren direkt me emigracionin dhe me propagandimin e kulturës shqiptarë ne botë”. Ndërkohë ai e quan absurd faktin që një komb si i yni edhe pse është i shpërndarë në të gjithë botën, akoma nuk ka ministri emigracioni as në Tiranë as në Prishtinë. “Po ashtu, shteti shqiptar dhe ai kosovar duhet të investojnë në krijimin e një ministrie apo instituti që të merret kryesisht me propagandimin e kulturës kombëtare në botë. Një institucion i tillë duhet të ketë një fond të veçantë për t’u përdorur në formë bursash, etj, për studiues të huaj të interesuar në kulturën, gjuhën dhe traditat tona”, tha Alpion, duke theksuar se po qe se duam të na njohë bota, duhet te investojmë edhe më shumë.


Orienti dhe Oksidenti
Në bisedën e zhvilluar dje janë shprehur interesimet e autorit të dramës në rrafshe më të gjera si filozof, sociolog, shkrimtar e publicist, ku ai krijon edhe imazhin e tij në këto hapësira. Bashkë me të është i pandashëm edhe imazhi i shqiptarit, gjë e ka nxitur të ketë një interesim më të madh për temën shqiptare, “si është shqiptari në raport me të huajt e të tjerët”. Në bisedën e tij, dje Gëzim Alpion ka rrëfyer se “Qëllimi im si studiues dhe krijues kur trajtoj tematikën shqiptare për lexuesin dhe audiencën perëndimore është të jem sa më i informuar dhe objektiv dhe të trajtoj jo tema ekzotike, që në Perëndim vazhdojnë të jenë të preferuara, por tema te cilat dëshmojnë për vlerat e vërteta dhe sfidat e kombit tonë. Në Perëndim diskursi për Shqipërinë dhe vende të tjera të vogla vazhdon të jetë tendencioz, jo gjithmonë i mirinformuar, dhe në disa raste edhe keqdashës. Gëzim Alpion është larguar nga Shqipëria për të studiuar në Kajro në vitin 1985 dhe që nga ajo kohë komunikon, shkruan dhe boton në gjuhën angleze, por kjo hapësirë atij nuk i mjafton, sepse nuk harron kurrë që është një shqiptar. Interesimet e tij për kombin dhe shtetin shqiptar priren nga një vizion i caktuar, që ka ngjallur jo pak polemika, vizion të cilën ai e shpreh me këto fjalë: “Kombi dhe shteti shqiptar rilindi në kohët moderne nga vizioni, idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat e elitës intelektuale në diasporë, si në Orient dhe në Oksident”.


A do të jetë kultura e denjë për të na përfaqësuar
A do të ishte kultura shqiptare e denjë për të na përfaqësuar. Kjo është çështja. Admirimi që ka Gëzim Alpion për vlerat e kësaj kulture, do ta çonte në gjurmët e studimit të një tjetër admiruesi të vlerave tona. Ka më se një vit që Alpion merret me studimin e veprës së plotë të Konicës dhe së shpejti do të filloj një studim modest ku, ndër të tjera, do të argumentoj se Konica ishte jo vetëm intelektuali më i shquar shqiptar i brezit të tij, siç është argumentuar deri tani nga disa ekspertë shqiptar të Konicës, por, për mendimin e tij edhe një nga intelektualët më të shquar perëndimorë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Për mendimin tim, analiza që Konica i bën prodhimit masiv në kapitalizëm dhe standartizimit të shijeve si një nga pasojat e tij, e bëjnë atë një pararendës të Shkollës së Frankfurtit. Alpion njihet edhe si autor i librit të viteve të fundit “Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”. Për këtë figurë janë shkruar vepra të pafundme, por vepra e Alpion ka zgjuar interesim më të madh. Dalja e këtij libri përkon me një periudhë kur në opinionin shqiptar po rishikohen të gjitha figurat tona, deri edhe vetë Skënderbeu, me tendencë që të mbizotëroj rishikimi negativ, ndoshta i vlerave pozitive. Këtë dukuri në kuadrin e imazhit të shqiptarit në botë dhe të identitetit shqiptar në vetvete, Alpion e ka interpretuar në një kontekst të caktuar për të cilat shprehet se që figurat tona kombëtare po rishikohen është gjë e mirë. “Një figurë që nuk ngjall interes në momente kyçe në historinë kombëtare, ndoshta nuk e meriton të cilësohet si një personalitet i kombit. Figurat kombëtare janë deri diku si perënditë; brezat u drejtohen atyre për frymëzim, për të gjetur përgjigje për problemet që hasin përbalten apo injorohen disa nga figurat kombëtare në ditët tona, veprime që janë ose të paprincipta ose të dyshimta”, thotë Alpion. Duke u shprehur se përsa i përket regjistrimit dhe analizës së historisë dhe të figurave tona historike, ne kemi mbetur aty ku kemi qenë: “autodidaktë subjektivë”, Alpion shprehet se “shkrimi i historisë është gjithmonë i vështirë, por në rastin tonë duket akoma si i pamundur. Kjo është arsyeja që një ndër kombet më të vjetër në botë si kombi ynë ka mbetur me një defiçit të thellë përsa i përket kujtesës historike dhe analizave objektive të momenteve kyçe në historinë tonë, veçanërisht në kohët moderne. Në qoftë se për periudhën para 1912-tës nuk ngurojmë t’ua lëmë fajin të huajve, për mangësitë që kemi në historinë e dokumentuar dhe për interpretimin tendencioz të historisë sonë, në 100 vjetët e ekzistencës së shtetit shqiptar mëkatet janë kryesisht tonat”. Problemi më i madh që ai shton është se historia si disiplinë është nga më të dëmtuarat në shkencat sociale shqiptare. Politizimi i historisë mbetet problem serioz tani në pluralizmin politik po aq sa në kohën e mbretërisë dhe të regjimit komunist. “Këshilla e Konicës në vitin 1902, kur i referohej Ali Pashë Tepelenës, se figurat historike duhen analizuar dhe gjykuar jo në kontekstin e së sotmes por të kohës kur ata jetuan dhe vepruan, akoma nuk është marrë parasysh si duhet nga historianët shqiptarë. Si Zogu dhe Hoxha, edhe disa drejtues të shtetit shqiptarë të dy dekadave të fundit me sa duket mendojnë se ata e pollën Shqipërinë. Kjo është arsyeja kryesore se përse historia shqiptare e shekullit të fundit është dhe ka të ngjarë të vazhdojë të mbetet edhe për disa kohë një histori e fragmentuar”, thotë Alpion.


Drama që kalon kufijtë
Në qendër të dramës, ngjarjet e të cilës zhvillohen në Londër në vitin 2001, janë Leka, një azilant politik nga Kosova, dhe Alma, një studiuese nga Tirana. Drama shtjellon disa tema delikate. “Unë do t’ia lë kritikës shqiptare të zbërthej simbolikën e fundit tragjik të personazheve. Unë nuk shkruaj për ta argëtuar publikun por për ta shqetësuar atë. Për mua arti është terapi. Drama trajton kryesisht tragjedinë e kombit tonë, por tragjedia jonë është pjesë e pandarë e tragjedisë njerëzore që kalon kufijtë tokësor, etnik, fetar dhe kohor. Në këtë kuptim, qëllimi im nuk ka qenë thjesht të shkruaj një dramë shqiptare por të përdor karakteristika shqiptare për të trajtuar një dramë me temë mbarë njerëzore”, thotë Alpion. Në shtypin shqiptar është komentuar se Leka është “harbut”. Alpion pohon se në të vërtetë Leka është një personazh i komplikuar. “Ai është një “kloun”, një personazh tragjiko-komik, një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar dhe anglez, një zotërues i mirë i gjuhës angleze, por fatkeqësisht edhe një forcë vetë shkatërruese, një viktimë po edhe një shkelës ligji. Leka është “çdo-njeri”. Atij mund t’i vihen shumë epitete, por ai nuk është kurrë “harbut”. Alma gjithashtu është një personazh kompleks. Ajo është ambicioze por edhe inferiore ndaj anglezëve. Leka dhe Alma plotësojnë njëri tjetrin”.
Drama e cila është duartrokitur dje nga të pranishmit dhe që mban titullin “Sikur të vdekurit të dëgjonin”, është një ripunim i dramës “Tollonat” (“Vouchers”), që u botua në Angli në vitin 2001. Për herë të parë “Tollonat” u vu në skenë me regji të dramaturges serbe Dr Duška Radosavljevic në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor Evropian në Huddersfield të Anglisë në Mars 2002. Në rolet kryesore ishin dy aktorë Anglez dhe Jordanez. Sponsorizuar nga Këshilli i Arteve të Anglisë (Arts Council England), dhe me regji të Marcus Fernando, “Sikur të vdekurit të dëgjonin” pati premierën në Angli në Shkurt 2006 nga trupa teatrale Dreamscape në Teatrin MAC në Birmingham. Suksesi i shfaqjeve u pasqyrua gjerë në mediat Britanike dhe Ballkanike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi). Kritikët dhe spektatorët vlerësuan veçanërisht interpretimin e aktorit të njohur Anglez Richard Attlee (nipi i ish kryeministri britanik Clement Attlee) në rolin e azilantit politik nga Kosova, Leka Trimi. Pas suksesit të shfaqjeve në Angli, Alpion dhe regjisori Fernando morën ftesa nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Regjisorë dhe dashamirës të artit dramatik në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci po ashtu u interesuan që Dreamscape të bëj një turne në këto tre vende. Në Mars 2008, po me sponsorizimin e Këshillit të Arteve të Anglisë, Kompania e Teatrit Dreamscape shfaqi me sukses dramën në dy qytete angleze: në Birmingham (në Teatrin MAC) dhe në Ëolverhampton (në Teatrin Arena). Në rolin e Lekës këtë radhë ishte aktori i talentuar anglez Andreë Cullum, i cili ka marrë pjesë në dramën seriale televizive angleze EastEnders. “Sikur të vdekurit të dëgjonin” u botua nga “Globic Press” në SHBA në vitin 2008. Në fillim të prezantimit me 14 Gusht do të shfaqet e filmuar premiera angleze e dramës “Sikur të vdekurit të dëgjonin”. Pas shfaqjes së premierës, Dr Alpion do të zhvillojë bisedën me temë “Identiteti Kombëtar Shqiptar: Kohezion në Individualizëm dhe Fragmentim”, në të cilën do të shtjelloj se përse në “Tollonat” dhe “Sikur të vdekurit të dëgjonin” ai përqendrohet në trajtimin e refugjatëve dhe azilantëve shqiptarë në Perëndim, si dhe në raportet që bashkatdhetarët vendosin me njëri tjetrin në mërgim. Alpion do të përqendrohet kryesisht në kompleksin e inferioritetit që vihet re tek disa shqiptarë në Perëndim, dhe do të argumentoj se drama është një art i fuqishëm dhe mjet efikas për të trajtuar aspekte të rëndësishme dhe tabu që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar. Sipas Alpion, arti dhe artistët mund dhe duhet të kontribuojnë më shumë për të sjellë më pranë njëri tjetrit popujt e Ballkanit, dhe kjo bëhet më mirë kur gjejmë dhe vlerësojmë vlera të përbashkëta. Kjo dramë ka marrë vlerësiem të shumta por vlen të theksojmë në këtë vlerësimin që i ka dhënë regjizori i dramës, “Sikur të vdekurit të dëgjonin” Marcos Fernando në Angli në vitet 2006 dhe 2008. “Fatmirësisht “Sikur të vdekurit të dëgjonin” është e çliruar nga vargonjtë e komercializmit; asaj i japin jetë idetë, personazhet dhe tensioni dramatik. Kjo dramë përbën një sfidë si për aktorët ashtu edhe për regjisorët”. Sa shfaqje e mrekullueshme! Të vjen mirë kur shikon që një akademik dhe shkrimtar nga Ballkani ka shkruar një vepër kaq të rëndësishme sa që nuk mund të përshkruhet me fjalë, ka thwnw Danica Ilic (Seksioni i Gjuhës Serbe, BBC, Londër).


Kush është Gëzim Alpion
Gëzim Alpion lindi në Peshkopi më 10 tetor 1962. Ai ka studiuar në Universitetin e Tiranës (1982-85), Kajros (1985-93) dhe Durhamit (Angli) (1993-1997). Që nga akordimi i titullit Doktor në Filozofi (për studimin e imazhit të artistit në veprat e D. H. Laërence) në Universitetin e Durhamit në vitin 1997, Alpion ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar si lektor i letërsisë anglo-amerikane, modernizmin, dhe filmit në Universitetin e Huddersfield, Sheffield Hallam University dhe Neëman University College. Në vitin 2002 Dr Alpion u emërua lektor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku është edhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare, dhe Anëtar Nderi i Institutit të Studimeve të Avancuara në Arte dhe Shkencat Shoqërore që nga viti 2000. Dr Alpion ka zhvilluar biseda dhe leksione në disa universitete britanike (Oxford, London School of Economics, University College London, Kingston), si dhe në SHBA, Kanada, Kinë, Indi, Rusi, Afrikën e Jugut, Gjermani, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Dr Alpion intervistohet rregullisht nga mediat botërore, veçanërisht ato britanike, amerikane, franceze, italiane dhe indiane, si ekspert për Nënë Terezën, si dhe i sociologjisë së medias, fesë, famës, nacionalitetit dhe filmit.
Aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe Studimeve të Medias në Universitetin e Birmingamit në Angli, Gëzim Alpion është autor i librit të mirënjohur “Mother Teresa: Saint or Celebrity?” (“Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”), që u botua në anglisht në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kanada në vitin 2007. Në vitin 2008 kjo vepër u botua po në anglisht në Delhi, dhe në italisht në Romë.
Botimet e tjera të Dr Alpion në gjuhën angleze përfshijnë dy vepra dramatike – tragjedinë “Vouchers” (“Tollonat”) (2001), dhe dramën “If Only the Dead Could Listen” (“Sikur të vdekurit të dëgjonin”) (2008) – si dhe dy vëllime me ese dhe tregime – “Foreigner Compex: Essays and Fiction about Egypt” (“Kompleksi ndaj të huajve: Ese dhe prozë për Egjiptin”) (2002), dhe “Encounters ëith Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa” (“Takime të civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza”) (2008). Në librin e fundit, botuar nga Meteor Books në Indi në vitin 2008 dhe nga Globic Press në SHBA në fillim të vitit 2009, janë përfshirë ese të shkruara nga 1993 deri më 2007. Recenca dhe artikuj për librat e Dr Alpionit janë botuar në 15 gjuhë të botës.
Studimet dhe recencat e Dr Alpion janë botuar në disa revista shkencore në Australi, Britani dhe Amerikë si: ‘Continuum: Journal of Media and Cultural Studies’; ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’; ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’; ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’; ‘Revieë of Communication Journal’; ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’; ‘Scope: Online Journal Film & Television Studies’; ‘Albanian Journal of Politics’.

RIDVAN DIBRA: Libri në koma. Rroftë Facebook-u! - mbresa nga një përvojë e parë -

Përvojat e para të një individi (shqiptimi i fjalëve të para, lodrat e para, sherret e zënkat e para, libri i parë i lexuar, shokët e miqtë e parë, puthja e parë, përvoja e parë seksuale, botimi i parë, tradhtia e parë, divorci i parë etj. etj.) është provuar se janë të rëndësishme, në mos vendimtare, në formimin dhe jetën e tij. Ndërsa në rastin e një shkrimtari, këto përvoja të para, në më të shumtën e rasteve, bëhen gurë themeli mbi të cilat ndërtohet ngrehina e tij letrare.
Me këso arsyetimesh e bindjesh në kokë, vendosa t’i shtoj listës së përvojave të mia të para edhe një të re: atë të facebook-ut. Pasi kisha refuzuar për muaj e muaj me radhë ftesat e shumta në adresën time (shokë e miq, shkrimtarë e jo-shkrimtarë, të njohur e të panjohur), më ne fund u dorëzova: ftesës elektronike të poeteshës së re Dezdemonë B. për të qenë shok i saji iu përgjigja pozitivisht (OK). Më pas, duheshin kryer disa formalitete të thjeshta që unë, më në fund! të bëhesha anëtar me të drejta të plota i komunitetit qindra-milionësh me emrin fort tingëllues FACEBOOK. Si i mbarova adetet elektronike, natyrisht, kureshtja ime e parë do të ishte njohja me poeteshën e re Dezdemonë B. Profili (portreti) i saj më la pa mend: një biondinë e hatashme, si e dalë yrysh prej një reviste mode, më këqyrte plot joshje e provokim. Pa e marrë veten mirë nga turbullimi i çastit, erdhi edhe reagimi i saj i parë:
“Hi Ridvan!”
“Hi Dezdemonë”.
“Mirë ke qenë?”
“Mirë”.
“Ke mirësinë të lexosh poezinë time të fundit?”
“Jam i nderuar...”
Pa e mbaruar mesazhin tim, ia mbërrin edhe vjersha e Dezdemonës: një vargëzim bajat dashurie e që nuk ka asgjë të përbashkët me portretin magjepsës të autores. Megjithatë, ia ngre lart (vjershën). Poetesha e re largohet e lumtur: si duket, nxiton t’i shpërndajë vargjet e saja tek të tjerë facebook-as. Thuajse jam i bindur se askush, qoftë ai dhe shkrimtari a kritiku më pedant, duke shijuar portretin e autores, nuk do të ketë kurajën ta shajë atë palo poezi...
Sapo jam ndarë nga poetesha e bukur, kur në adresën time vijnë thuajse njëkohësisht dy ftesa:
1. Dëshiron të bëhesh anëtar i grupit “Kundër hipokrizisë së Ismail Kadaresë”?
2. Dëshiron të bëhesh anëtar i grupit “Ne mbrojmë vlerat e Ismail Kadaresë”?
Kujtohem se kohët e fundit jam sharë e kritikuar thuajse njëkohësisht edhe si “mik” i Kadaresë, edhe si “armik” i tij, prandaj dhe i pranoj pa hezitim (OK) të dyja ftesat.
Por befasitë në facebook nuk paskan të sosur! Ftesën e radhës ma dërgon Ridvan Dibra, domethënë vetja ime: “Dëshiron të jesh shok me Ridvan Dibrën?”. Thuajse pavetëdijshëm (ndjesë për mungesën e modestisë!), kujtohem sakaq për gjithë ata shembuj shkrimtarësh të shquar (Kafka, Pirandelo, Pesoa, Dostojevski, Prust, Borges, Apdajk, Forster dhe plot të tjerë), të cilët kanë pasur probleme me personalitetin e tyre të dy apo të shumëfishtë.
“Hi Ridvan Dibra!”
“Hi Ridvan Dibra!”
“Je një shkrimtar koti”.
“Jam”.
“Cinik dhe i shtirur”.
“Ndoshta...”.
Alter egoja ime virtuale më shan e fyen sa mundet dhe mandej largohet (me siguri!) i kënaqur. Unë nuk kam nge t’i bluaj sharjet e fyerjet, sepse, ndërkohë, në adresën time kanë vërshuar me dhjetëra e dhjetëra ftesa “për shok e mik” (kurrë, në jetën time reale, nuk kam pasur kaq shumë shokë e miq): shkrimtarë të njohur ose jo, politikanë të majtë e të djathtë, lexues dashamirë ose e kundërta, analistë të pavarur e të angazhuar, gazetarë lloj-lloj, miq të fëmijërisë e emigrantë, femra të bukura si kukulla, kritikë e akademikë etj. etj.). I pranoj të gjithë (OK), derisa më nis dhimbja e kokës dhe vërej me tmerr se pasdrekja ime (e çmuar!) ka shkuar për lesh (siç shprehet një mik i imi shkrimtar): asnjë faqe libri e lexuar, asnjë rresht nga romani im i ri i shkruar... Dal nga aty (nuk e di pse, por kam përshtypjen se sapo kam dalë nga një kurth katakombesh e ku gëlojnë gjithfarësoj papastërtish) dhe betohem të mos futem më, thuajse i bindur se nuk do të mundem t’i rezistoj gjatë tundimit të kësaj Sirene Bashkëkohore me emrin joshës FACEBOOK.
Në mbrëmje, deri vonë, bluaj në mendje lloj-lloj gjykimesh e interpretimesh rreth raporteve të Librit me fenomenet bashkëkohore, sidomos me Lartmadhërinë e Tij, Internetin. Qëndrimet janë të shumta e të larmishme, por në fund të fundit ata mund të organizohen në dy grupe të mëdha:
1. Partizanët e tezës se “Libri i vërtetë (domethënë Letërsia) është në rrezik dhe se po humbet karakteri i tij elitar”. Mbrojtësit më të shumtë të kësaj teze duket se janë Shkrimtarët e vërtetë (domethënë ata që vuajnë për librin).
2. Partizanët e tezës se “libri (domethënë gjithçka e shkruar dhe e bërë publike) po njeh një lulëzim të paparë dhe se institucioni i publikimit kurrë nuk ka qenë më demokratik sesa sot. Mbrojtësit më të shumtë të kësaj teze duket se janë kritikët dhe akademikët (domethënë ata që jetojnë me librin).
Kokën e ndiej plumb nga dyshimet e dilemat. Aq më shumë kur në ditët e sodit, në të ashtuquajturën epokë postmoderne, të vërtetat (herë-herë të dukshme si drita e diellit) bëhen relative dhe të krijohet bindja se gjithkush ka të drejtë.
Të nesërmen, duke ruajtur dyshimet e natës së kaluar, i shmangem programit mësimor dhe u flas studentëve të mi për mrekullinë me emrin facebook. Në fund të orës, veçoj dhjetë studentë (më të mirët!) dhe u bëj një pyetje të thjeshtë: “Sa prej tyre janë anëtarë të bibliotekës së universitetit dhe sa anëtarë të facebook-ut?” Përgjigja nuk më befason dhe aq: dy prej tyre janë regjistruar në Bibliotekë, tetë në Facebook.
Nuk më mbetet gjë tjetër veçse, i tërhequr mënjanë, t’ia pohoj vetes me gjysmë zëri:
LIBRI NE KOMA. RROFTE FACEBOOK-U!
Kaq.

ARDIAN-CHRISTIAN KYÇYKU: Kultura e mirëfilltë, ose „mbi tolerancën pa tolerancë”

Çështja e tolerancës në kulturë është bërë thelbësore gjatë epokës së quajtur pasmoderne, kur kultura duhet të “durojë” pothuajse përditë jokulturën, për të mos thënë shkulturën (të ketë, vallë, lidhje kjo me shkul-trurin?). Asnjëherë beteja mes tyre nuk ka qënë kaq e egër, e sunduar nga e paparashikueshmja dhe trishtimi. Mbase ngaqë akti kulturor nënkupton identitet, të papërsëritshmen, të pangatërrueshmen, synim të epërm (çka e dëmton njëfarësoj solidaritetin shoqëror), ndërkohë që akti i jokulturës parakupton kënaqësi të vockël, kryesisht lëndore, synime mediokre, bujë pa bukë (çka ndihmon, në mënyrë aspak paradoksale, në ngjizjen e ca bashkësive të mëdha e të fuqishme).
Toleranca nuk është një fenomen i freskët në historinë e njerëzimit, mirpo vetëm në ditët tona rreket të përvehtësojë strukturën e një feje të re. Në thelb, toleranca përfaqëson një lëvizje ateiste, të mbështetur nga disa parime tërësisht morale, dhe e ngritur mbi ujdira. "Perëndia" e saj themelore është pranimi i dikujt ashtu siç është, e kjo mund të shqipërohet me: pamundësi për ta ndryshuar dikë e për të mos e pranuar. Kundërshtari i perëndisë së tolerancës, të paktën në ligjërimin mediatik, është fanatizmi ose orvatja shpesh e vetvetishme për ta ndrequr e përkryer tjetrin me, ose sidomos pa dëshirën (vullnetin) e tij. Në emër të lirisë që cilësohet e lindur, fryma (edhe bryma) e tolerancës sajon cënime të panumurta të lirisë, sepse njeriu është po aq i përgjegjshëm për çdo prishje të baraspeshës së kësaj bote sa ç’merr përsipër ruajtjen e së njëjtës baraspeshe.

*

Duke e vëzhguar me hamendjen që përdor poezia, toleranca duket të jetë shfaqur njëheresh me derën. Në krijimtarinë popullore ballkanase mund të gjenden pamje vegimtare të një bote ku shtëpitë nuk kishin as porta, as dyer. Ndoshta nuk kishin pse. Qëndra e bashkësisë dhe e jetës ishte ashti i fshatit, agora e pleqve. Sundonin mirëkuptimi dhe mirësjellja, ngaqë vijonte një ndarje e pranueshme e të mirave materiale. Qysh nga çasti kur disa prej antarëve të bashkësisë ndjenë se duhej të fshihnin diçka nga sytë e të tjerëve, u fanit dera. Është e qartë që dera nuk u dynd për të fshehur ndjenja apo imtësi vetjake, të cilat, përndryshe, nuk ngutej t’i përdhoste kush. Le të këqyren me këtë rast, si dëshmi, dritaret e shtëpive në disa zona ballkanike: ato janë të ulëta, dy pëllëmbë mbi themele, sepse askush nuk hidhte vështrime brenda.
Ndarja e njerëzve në klasa u krye, në radhë të parë, sipas përmasave të kamjes që u ngatërrua me pushtetin. Ky e rindau hapësirën në të lirë dhe në të pakapërcyeshëm. Tash e mbrapa jo gjithkush mund të hynte diku, jo gjithkush mund të dilte nga diku, jo gjithkush mund të qe zot i një hapësire të caktuar. Me kalimin e kohës, hapësira mori trajtën dhe strukturën e atyre që e sundonin, njëlloj si një burg, të themi, që sendërton përfytyrimin ndëshkimtar të atij që mbyll e jo të atij që mbyllet. Po a e njohim ne, vallë, të fshehtën e hapësirës, të pronësisë mbi të, të lëvizjes së njeriut nga një hapësirë në tjetrën? Sa mund të qëndrojë dikush në një hapësirë dhe pse? Kur mund të hyjë dikush diku dhe pse? Pyetjet bëhen gjembaçe kur vjen fjala për hapësirat që na ndalohen - disa nuk na lejohen prej njerëzve, disa prej Yjorit. Për të lehtësuar kalimin, je i detyruar të paguash. Me çfarë? Një traditë tejet e pasur shpirtërore na i përcjell (aq sa mundet / sa duhet) – se jo gjithkush mund të tretë kumtin e saj – edhe të kodifikuara mënyrat me të cilat fitojmë aftësi për të hyrë në hapësira të epërme. Por sa më shumë përparojmë shpirtërisht, aq më pak të drejta kemi në këtë botë. Të drejtat janë të ndryshme. Kurse kjo botë, në gjendjen e tanishme, nuk tolerohet nga Zoti, por mëshirohet prej Tij.

*

Një shprehje e njohur thekson se pushteti duket vetëm kur përdoret keq. Prandaj shumë njerëz nuk e shohin Pushtetin e Perëndishëm. Mërgimi i pushtetit që bartin njerëzit fillon kur pushteti bëhet tepër i dukshëm, mendjemadh, kryeneç, dhe thyen çdo kufi të moralit e madje edhe të qesharakes. Atëbotë pushteti kalon nga ata që e bartnin, deri në përdorim të keq, tek të tjerët, të nënshtruarit, gjallimi i të cilëve ishte vetëm i toleruar, jo edhe i respektuar, se për dashje të të afërmit si vetveten as që mund të bëhet fjalë. Rënia e pushtetit, kalimi nga njëra njësi tek tjetra shihet pikërisht në rritjen e tolerancës mes palëve. Sepse dikush toleron vetëm kur kupton se nuk mund të sundojë si më parë. Ngjallen asisoj bisedimet, ujditë e tipit: unë të toleroj ty, toleroj filan person, bashkësi, lëvizje, mendësi etj, por kërkoj në këmbim të tolerancës sime (…)
Rrjedha e ngjarjes duket tejet e natyrës politike, por gjendet e plotë edhe në jetën kulturore. Mbarëvajtja e kësaj të fundit nënkupton mjaft mungesa, durim e flijime, teksa në kohën tonë parakupton fuqinë për të mposhtur një kalvar të vërtetë. Në të kundërt kumti kulturor shpërbëhet, shartohet, përthith copëza vlerash të rreme, të sajuara, të bymyera, duke i shërbyer nënkulturës dhe jokulturës. Një parabolë e hershme orientale e ilustron më së miri këtë. Pas rropatjesh të gjata për të pushtuar një kështjellë, krerët e ushtrisë nisin një dërgatë të përbërë tërësisht nga intelektualë. Në vetëm dy javë pas hyrjes së dërgatës në kështjellën e pamposhtur, portat e saj hapen kanat më kanat, banorët-luftëtarë dalin në pritje të rrethuesve, i ftojnë brenda, i lusin, le të marrin ç’u do e bardha e zemrës, të marrin madje frerët e drejtimit të kështjellës! Shkultura shkreton hapësirën publike jo mes përfaqësuesve të vet kryesorë, por mes përfaqësuesve tanë të dobët, të atyre që humbin durimin dhe qëndresën dhe që nguten të marrin shpërblim „në natyrë” për misionin e kryer më fort në virtual(itet) dhe në të përjetshme, sesa në të tashme. Të tillët tolerohen mesveti, tolerojnë vetveten e shformuar, ngaqë nuk i janë përkushtuar kumtit të mirëfilltë kulturor, por ia shesin për dy aspra atë kumt të ardhmes së afërt (lexo: dritëshkurtër).

*

Një tjetër përmasë e asaj që mund të ndodhë nga e ashtuquajtura tolerancë në kulturë duket në ligjin e pashkruar, sipas të cilit kush nuk jep të drejta kulturore, do të detyrohet të japë territore. Lidhja e të drejtave kulturore me territoret është njëlloj si lidhja mes tekstit dhe realitetit që shkoklohet nga teksti. Deri në fillimet e Luftës së Ftohtë, hapësirat e Evropës, pavarësisht nga zhvillimi i tyre ekonomik, ndiqnin një rrjedhë të natyrshme nga pikëpamja kulturore. Njerëz të shquar, të lindur e të formuar në Ballkan, përmbushnin misione kulturore të rëndësishme në Perëndim, disa syresh duke „bijësuar” gjuhë të qarkullimit të gjerë, e askush nuk shihte në këtë ecuri gjërash një thithje të rafinuar vitaliteti, por vetëm këmbim përvojash, vllazërim, rigjetje të rrënjëve të përbashkëta, ose bashkim në kulturë, çka do të kish lehtësuar bashkimin politik. Lufta e Ftohtë rrënjosi me forcë një ngricë të paparë, dhe hapësirat më të pasura të Kontinentit Plak sajuan ca ishuj kulture të vënë mirë nën kontroll (në fakt: ishuj të lënë në mëshirë të politikës), tkurrën hapësirën e qarkullimit të kumtit kulturor, dhe kjo çoi në shfytyrimin e së Vërtetës. Duke ngatërruar traditën kulturore me jetën e kulturës, - e cila çdo ditë ka për detyrë të mos japë shpirt, - Perëndimi nuk bëri pothuajse asgjë për ta ndryshuar gjendjen, i bindur se fryma e internacionalizmit proletar do ta mortnojë krejt kulturën ballkanike, pa e prekur fare atë perëndimore. Prandaj vjen çasti kur Perëndimi e kap veten të pushtuar nga një dobësim e ligavitje ende vezulluese, por dëshpërimtare dhe pa shpresë, që as edhe burokracia dhe zbrazëtia e një tjetër gjuhe të drunjtë nuk i paraqitin dot si të paqëna. Për pasojë, detyrohet, aty nga fundi i viteve '80, të shembë kufijtë gjeopolitikë.

*

Jetojmë me bindjen e gabuar se sivëllezërit tanë më të kamur në parime e realitete demokratike na tolerojnë të paktën çdo muaj. Nga ana tjetër, na duhet të tolerojmë gjëra që trandin gjer edhe parimet morale që ata vetë i japin për firmosje. Lexojmë e ngremë në qiell autorë të rëndomtë, por tashmë të famshëm, dhe mbajmë ngujuar me shpërfilljen tonë gjeninj që s’kanë as me se të paguajnë qiranë dhe të cilët, rrethuar nga vipa, nga yllka me një gisht brekë e një thua tru, nga reklama, politofilë, grafomanë, turistë të të menduarit etj, duket sikur janë lindur më kot. Në fakt, gjuhët e qarkullimit të gjerë dhe shumica dërrmuese e autorëve që i përfaqësojnë, nuk bartin kaherë ndonjë kumt të denjë për vëmendjen tonë, ndonëse mbështeten prej një mekanizmi të fuqishëm buje. Mirpo është një dallim vigan mes qarkullimit të një kumti kulturor dhe shitjes së një kumti kulture e qytetërimi. Ka libra që qarkullojnë dhe libra që shiten. Libra që shpëlajnë tru dhe libra që lajnë mëkate. Ata që mbijetojnë përmes kulturës emërtohen konsumatorë kulture. Shumica e tyre i janë nënshtruar pa kushte materializmit dhe besojnë se nuk ka rëndësi kumti dhe thelbi i tij, por numuri i atyre që e marrin, e pranojnë, e tretin në qënie, e përcjellin më tej drejt binjakëve të vet shpirtërorë e mishtorë, duke e shndërruar luftën kulturore në një modë. Kjo shumicë, në të vërtetë nuk jeton, por gjallon e mbijeton (më saktë do të ishte: nënjeton), gjithnjë e më e njëtrajtësuar, duke pandehur se po toleron ca si shumë një pakicë poetësh të përmallur, të pafuqishëm, të pazot të përshtaten, viktima të një konservatorizmi të skajshëm, kur në realitet ndodh krejt e kundërta. Mbase tingëllon si teprim, por saherë nënkultura a shkultura kanë kaptuar një prag të caktuar, kanë sjellë luftra të përbindshme, ose nuk kanë lejuar ndërprerjen e tyre.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...