Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/13

Të njihemi me historinë e qytetit të Prishtinës së vjetër gjatë periudhave të ndryshme!



Asllan Dibrani
Fotot , ilustrimin dhe përshkrimin  e tyre  e përshtatni Asllan Dibrani , ndërsa  tekstin shkencor është përgatitur nga  Mr Qazim Namani historian .
1.Shtrirja edhe pozicioni gjeografik i Prishtinës
2.Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve
3.Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342
4.Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme
5.Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë, të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.
6.Në vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi, veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës
7.Në vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit
8.Në gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëv.
9.Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona.
10.Në vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.
11. Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet.
12.Prishtina u pushtua nga serbet më 12 tetor 1912.
13.Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar.
14.Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë
Nga Mr. Qazim Namani
1.Shtrirja edhe pozicioni gjeografik i Prishtinës
Prishtina shtrihet në mes të lumenjve të vegjël Prishtevkës dhe Vëlleshës, që rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Gallapit. Në anën jugore dhe perëndimore Prishtina kufizohet me kodrina të vogla që lëshohen në tokat pjellore të Fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare sillet prej 585m , 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi mbidetare në disa lagje të qytetit.

Studimet shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.

2.Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve

Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve. Gjatë punimeve të rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e neolitit të vjetër: Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e neolitit të ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiçani. Kultura materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla. Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale. Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla. Periudha Bizantine- mesjeta e hershme: Matiçani.

Nëpër qytetin e Prishtinës kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme, rrugët që vinin nga Bosna, rruga Naissus-Lissus, nga Scupi etj. Sipas Tabula Peutingeriana, stacioni rrugor Viciano i rrugës Naissus-Lissus ka qenë ndërmjet fshatrave Uglar dhe Çakllavicë, në afërsi të Prishtinës.
Diku rreth 7 km në juglindje të Prishtinës gjendet qyteti i madh antik Ulpiana. Si duket, Ulpiana e rrënuar dhe e plaçkitur në mesjetën e hershme, ia lëshon rëndësinë Prishtinës si lokalitet në afërsi të saj. Tokat pjellore në Fushën e Kosovës dhe trevat minerare në malësinë e Gallapit, ndikuan në përparimin dhe zhvillimin e këtij vendbanimi.

Shkrimet e para deri më tani të publikuara për Prishtinën si toponim, janë nga një dokument të knezit kroat, Mutimirit, të vitit 892, ku thuhet se me pallat ka qenë edhe Prishtina si shpatëmbajtëse.

Nga literatura dhe dokumentet tjera arkivore, Prishtina përmendet nga kontaktet e para raguzane me Prishtinën që i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë shqiptare Gregorius Marini de Petrana (1253-1280) emërohet konsull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë Gregorius M. De Petrana kalon ndër vende tjera edhe nëpër Prishtinë. Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju kërkohet targa e Shën Mitrit dubrovnikasve.
3.Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342

Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili një atë kohë ka dhënë disa të dhëna të rëndësishme për lokalitetin.

Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore, për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje. Prishtina e kishte edhe kalanë, të cilën e kishte rrënuar Sulltan Mutati I gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389.

Këtë e pohon edhe Evlija Çelebiu në vitin 1662 kur shkruan se kalanë e Prishtinës të ndërtuar nga mbreti Millutin e rrënoi Sulltan Murati I pas hyrjes në Prishtinë. Sipas burimeve serbe pallatin e ka ndërtuar mbreti Millutini në mes të sahat kullës së sotme dhe xhamisë së çarshisë. Një qytetar gjatë bartjes së dheut pas hapjes së një themeli afër entit të statistikës dhe xhamisë së gurit (çarshisë), nga ky vend kishte bartur edhe disa gurë të mermertë. Gurët kanë plastikë gurore dhe të rrethuara me kanelyra dhe sipas ekspertëve janë të punuar në periudhën antike.

Se a janë bartur nga Ulpiana apo ndonjë lokalitet tjetër mundë të vërtetohet vetëm pas vëzhgimit të gërmimeve për ndërtime në atë hapësirë. Bazuar nga të dhënat e cekura më lartë për vendin e ekzistimit të kalasë ndërmjet sahat kullës dhe xhamisë së çarshisë, mundë të pohojmë se këto të dhëna janë të vonshme pas ndërtimit të xhamisë dhe sahat kullës. Këtu kur bëhet fjalë për xhaminë e çarshisë duhet pasur parasysh xhamin e Llukaqit që ishte e ndërtuar te teatri, afër çarshisë së mbuluar të Prishtinës.

Sido që të jetë për vendin ku thuhet se ka ekzistuar kalaja e qytetit dëshmojnë edhe këta gurë të zbuluar që lënë të kuptohet se Prishtina e kishte kalanë e saj që nga periudha romake apo bizantine e hershme. Kjo mbetet të vërtetohet vetëm pas gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet.

Po ashtu gjatë bartjes së dheut nga ndërtimet në Prishtinë gjatë vitit 1997, është gjetur një bazament shtylle në të cilin janë të skalitura pranë njëri tjetrit simboli i kultit të diellit dhe kryqi. Vërehet se ky guri i punuar me llaç gëlqeror dhe i përzier edhe me qeramikë të bluar është ka edhe shenja të djegies çka lenë të kuptohet se kemi të bëjmë me një shtyllë të ndonjë objekti të kultit që përveç kryqit ka edhe simbole astrale të periudhës së paganizmit e i cili edhe është djegur. Vend gjetja e këtij guri nuk dihet por është gjetur i hedhur në greminën e hapur nga fabrika e tjegullave në Prishtinë. Gjetje e këtij guri është edhe një dëshmi tjetër për të besuar se Prishtina ishte vendbanim para mesjetar.
4.Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme

Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme. Para betejës së Kosovës Prishtina ishte bërë kryeqytet i provincës dhe si i tillë mbeti edhe shumë kohë pas kësaj beteje.

Përveç ndërtimeve në Prishtinë në afërsi ndërtohet mbi themele të një kishe më të hershme, manastiri i Graçanicës, si monument i kulturës me rëndësi të veçantë.

Shihet se Prishtina me rrethinë në atë kohë kishte shumë monumente, dhe prania e këtyre monumenteve të kulturës siç është manastiri i Graçanicës, për nga vlerat artistike hynë në krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe Botës.

Për zhvillimin e Prishtinës flasin edhe faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj edhe dubrovnikasve në vitin 1387. Po këtë vit dubrovnikasi Marko Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387 ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare edhe para betejës së Kosovës. Përveç kishës së Zojës Mëri, në vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë tjetër pa emër.
5.Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë, të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.

Në Prishtinë në vitin 1426 e kishte edhe konsullatën dubrovnikase. Në Prishtinë, në shekujt XIV dhe XV, vepronin një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon. Tregtarët dubrovnukas, gjenovas, hebrenj etj kryesisht merreshim me metale fisnike si ari argjend dhe gllamë. Pas pushtimit osman, në Prishtinë u ndërtuan disa objekte sakrale dhe profane të stilit oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, shtëpi qytetare etj. Sipas regjistrimit të sanxhakut të Vushtrrisë nga viti 1477, Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë, të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.

Gjatë shekullit XV në kazanë e Prishtinës përfshiheshin disa xeherore të njohura për kohën. Në këtë kohë nga Prishtina kanë dalë edhe dijetar të shquar si Mesihi Prishtina i cili me veprat tij “Mesihi Divani” edhe pse e shkruar me vjersha në gjuhën turke ka vlera të mëdha letrare dhe historike. Mesehi Prishtina vdes në Bosnje në vitin 1512. Në shekullin e XV Prishtina i kishte gjithsejtë 20 lagje.
Sipas Shtjëfën Gasprit (1671), relator shqiptar, Prishtina ishte një ndër qytetet kryesore të Kosovës. Në Prishtinë ishte qendra administrative e xehetarisë së Kosovës dhe e krahinës xehetarë të Artanës (Novobërdës).

Gjatë mesjetës së vonë, në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë personalitete të njohura të kohës si; Jovan Kontaguzeni, mbreti hungarez Vlladisllavi II, Pjetër Bogdani, Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj. Pjetër Bogdani me origjinë shqiptare, kryeipeshkvi i Shkupit dhe Sofjes i raporton Vatikanit që Prishtina kishte 3000 shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe të bukura duke veçuar sarajin e Allaj Begut dhe pallatin e gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën qytetare. Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me i njohuri në atë kohë ishte hani i Haxhi Beut.

Bazuar në të dhënat në vitin 1689 që i jep Coronelli në “Iliricum”dhe në “Corso delli fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia” në vitin 1689 Prishtina i kishte 4000 shtëpi. Në këtë kohë Prishtina i kishte 360 fshatra dhe një numër i tyre ishte djegur.

Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000 dyqane që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira shkruajnë udhëpërshkruesit që e vizituan Prishtinën në shekullin e XVII.
6.Në vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi, veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës

Në vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi, veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës. Atje shumë katunde mbetën shkretë, shumicën e tyre i dogjën dhe i zhdukën turqit dhe tatarët.

Prishtina u dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit të gjeneralit austriak Pikolominit. Në mbarim të luftës austro-turke 1689-1690 trupat osmane dhe tatare hynë në Prishtinë dhe e bënë një hakmarrje të madhe ndaj shqiptarëve. Siç ka shkruar më vonë Gjergj Bogdani nipi i argjipeshkvit Pjetër Bogdani, edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur dhe ishte varrosur, ai u zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qenesh në mes të sheshit të Prishtinës. Prishtinën gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë sunduar Gjinollët.

Pas vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat e tij u bë muze. Muzeu i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912. Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli ka pasur një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës.

Prishtinën e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit me 1812, Prishtina kishte dy panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin pjesë shumë tregtarë nga lindja dhe perëndimi.

7.Në vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit
Në vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit i cili në atë kohë njihej si tiranik dhe e sundonte Prishtinën.
Në Prishtinë ishin të zhvilluara shumë zeje të lashta e ndër to ishte edhe zeja e hasrave. Përveç këtyre zejeve ishin të njohura edhe zejet e lëkur punuesve, kazangjijëve, punimi i enëve shtëpiake nga argjila dhe metalet, punimet e veshjeve tradicionale etj.

Prishtinës sot i mungon muzeu i qytetit, gjatë ndërtimeve në qytet nuk janë përcjellë gërmimet për hapjen e themeleve nga institucionet kompetente, andaj si rezultat i kësaj gjendje shumë eksponate të lëvizshme janë hedhur në gremina dhe janë mbuluar me dhe e mbeturina. Në vitin 1997 në greminën e fabrikës së tjegullave ku hidhej dheu gjatë gërmimeve në qytet janë gjetur edhe enë të emaluara me argentius-gllama.

Reformat në Perandorinë Osmane filluan në vitin 1892 dhe komisioni i ri i reformave përbëhej nga persona të njohur dhe të respektuar me përkatësi shqiptare. Nga Prishtina ishte Danish Beu i cili më vonë u bë ministër i punëve të brendshme të Perandorisë.

8.Në gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëve

Në gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëve. Selia e serasqerit u bë Prishtina. Kryengritësit u tërhoqën në malet e Prishtinës. Omer Pasha i kishte deklaruar konsullit anglez se 7000 shqiptar kryengritës ishin tërhequr në malet afër Prishtinës. Osmanët bënin regjistrimin e myslimanëve të Prishtinës të cilët refuzonin të jepnin rekrut për nizam. Më 8 mars 1845 konsulli anglez në Selanik njoftoi se shqiptarët e rrethinës së Prishtinës nuk do të japin rekrut pa forcë. Nga plaçka që bënë ushtarët osman gjatë shuarjes së kësaj kryengritje u pasuruan shumë.

Konsulli austriak shkruan se kryengritësit shqiptar e pushtuan Prishtinën në Pranverën e vitit 1844. Prishtina ra në duar të kryengritësve në mars të vitit 1844, kur Abdyrrahman Pasha i Prishtinës u largua në Prizren te miku i vet Izet Mehmet Pasha. Izet Pasha i kishte dhënë 6000 njerëz për ta kthyer Andyrrahman Pashën në Prishtinë, por kryengritësit e ndalën këtë sulm dhe e mbanin në kontroll Prishtinën.

9.Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona.Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona.Në vitin 1846 Maliq beu vendosi që të gjithë kryeparët e familjeve shqiptare katolike ti dërgoi në një vend të rrethuar në Prishtinë. Ë gjithë të burgosurit i futen në pranga të rënda në duar dhe në këmbë, me një zinxhirë të rëndë për mjedisi dhe të lidhur për një këmbe. Kjo ishte një peshë prej 40 okësh turke, përafërsisht 5o kg. Jashar Pasha i Prishtinës këta të burgosur i mbylli në një burg edhe më të rëndë dhe urdhëroi që në burg të lëshohet edhe uji. Këta të burgosur nga Prishtina u transferuan në Shkup dhe përmes Selanikut u dërguan në Azi të vogël.

Në Prishtinë janë kultivuar, lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlege (dyluftime) të ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe Sarajevës.

10..Në vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.

Në Prishtinë në vitin 1887 u hap konsullata serbe, dhe në vitin 1890 u vra konsulli serb Lluka Marinkoviq. Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX kishte 4000 shtëpi.

Prishtina e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga monumentet publike në Prishtinë, veçohet objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është vendosur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohet xhamia e Çarshisë, Xhamia e madhe, Xhamija e Jashar Pashës etj. Në Prishtinë ekziston Teqja e Prishtinës dhe Kisha evangjeliste. Në periferi të Prishtinës , në fshatin Shkabaj ekziston tyrbja e vogël dhe në fshatin Mazgit është tyrbja e sulltan Muratit.
11. Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet.
Sylejman Kylqe (studiues turk), shkruan se në telegramin e 29 mars 1910 është organizuar kryengritja prej 2000 vetë nga populli i kazave të Prishtinës dhe Vushtrrisë dhe i okupuan rrugët e Llapit dhe Gallapit duke i ftuar popullatën të ju bashkoheshin. Kryengritja ishte bërë për heqjen e taksës së otrovës (taks në administratën osmane).

Në telegramin e datës 19 prill 1910 njoftohet se para kryengritjes së Llapit dhe Gallapit, Jahja Efendiu nga Prishtina në dyqanin e Kafexhi Rifatit i ka varur në qafë një fletë kalendari pulës që një shqiptar po e sillte për ta shitur në tregun e Prishtinës, duke kërkuar taksë prej tij. Çallak Mahmudit nga lagjja e Prishtinës ramazanije i ka marrë për taks otrove një kokërr nga 8 kokrra vezë, dhe se ka gënjyer një shqiptar për tu kthyer në fshat, duke i thënë se do ti merren 9 grosh e gjuamë taksë për mjekër. Kjo gënjeshtër kështu është përhapur në popull.

Pas hapjes së fjalëve se do të merret taks nga pulat dhe për mjekër, është organizuar tubimi i fshatrave në luginën e fshatit Dyz, Llap dhe Kulinë dhe ka filluar lufta me Shefki Pashën.

Me 21 maj 1910 erdhi Mahmud Shefqet Pasha , ministër i luftës i Turqisë i cili filloi mbledhjen e armëve në popull. Me 30 maj 1910 pasi u krye kontrolli mbi popullatën e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Drenicës, nga komanda e trup armatës së posaçme u përgatit një detashment i përbërë nga 8 batalioneve dhe filloi kontrollimin e rajoneve Llap e Gallap. Mahmud Shefqet Pasha me 30 mars 1910 njoftoi se sasia e armëve të mbledhura ka arritur shumën 8000 dhe parashikonte që sasia e armëve që do të mblidhet në prefekturën e Prishtinës do të kaloj numrin 15.000 armë.

12.Prishtina u pushtua nga serbet më 12 tetor 1912.
Prishtina u pushtua nga serbet më 12 tetor 1912. Gjatë rrugës deri në Prishtinë ushtria serbe i kishte vrarë dhe plagosur 1448 shqiptar. Një gazetar danez në atë kohë raportoi nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë edhe 5000 shqiptar pas pushtimit të qytetit.
Pas pushtimit të Prishtinës nga armata serbe në vitin 1913, argjipeshkvi Mjeda bëri ankesë se 1200 besimtarë të tij ishin konvertuar me dhunë në ortodoksë. Në maj të vitit 1913 komandanti serb i zonës së Prishtinës e informonte me mburrje Beogradin se 195 shqiptarë mysliman ishin konvertuar në Prishtinë.
13.Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar.
Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar. Në vitin 1915 një gazetar rus kishte raportuar se gjysma e popullatës ishte shqiptare. Në vitin 1916 sipas regjistrimit bullgar në Prishtinë u regjistruan 11.486 shqiptar.

Në muajin shkurt të vitit 1914 Qeveria Serbe e nxori dekretligjin për rregullimin e rajoneve të porsaçliruara, kështu për vendosje të kolonëve serb Nikolla Pashiqi i bleu 3000 hektar tokë afër Prishtinës. Në fshatrat e kolonizuara u dëbuan shqiptarët dhe përveç këtyre serbet ndërtuan edhe fshatra të reja për kolon serb dhe i emërtuan sipas mitologjisë serbe. Në afërsi të Prishtinës themelohet Çakllavica, Devet Jugoviqi etj. Pas luftës së dytë botërore
Në mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe rrethinë u vendosën shumë kolonë, u përvetësuan tërësisht objektet e kultit ortodoks dhe filloi shpërngulja e popullatës shqiptare për Turqi. U ndërtuan objekte për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare shqiptare u bënë prona të serbëve kolon. U ndërtua ndërtesa e sotme e Unionit në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për argëtimin e pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë SKS.

Si pas shumë qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e prapme të këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët.

Akademiku bullgar Stefan Karastefanovi në librin e tij “Kosova” përshkruan shum detaje të dhunës dhe urrejtjes së pushtetit Serb ndaj shqiptarëve pas luftës së dytë botërore, unë po veçoj vetëm dy raste të shkruara në ketë libër: Eduard Kardeli duke i pranuar shfaqjet e nacionalizmit serb pas luftës së dytë botërore tha në vitet gjashtëdhjeta: 1. Edhe shokët tanë të partisë u përfshinë në persekutimet shoviniste ndaj shqiptarëve, grave dhe fëmijëve të tyre. 2. Urrejtja ndaj shqiptarëve në Prishtinë u arrit në atë pikë, saqë në vitin 1992 në Grand Hotel u var një shkrim i poshtër “për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet hyrja”.

Prishtina u bë qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një dinamikë të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës osmane. Sot Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht, në përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të rralla me vlerë arkitektonike të periudhës osmane.

Në Prishtinë, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura institucionale dhe urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje urbane. Me planin urban të qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me çarshinë e vjetër, duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të periudhës turke. Në këtë periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd.

Me këtë plan u rrënua kisha katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas arkitekturës dhe modelit sllavo-rus. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit.

Dy vite pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947 u hartua plani që në këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës . Punëtorët që kanë punuar në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë.

14.Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë
Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet shtatëdhjeta, në kohën kurë ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Më kujtohet që si fëmijë i kemi parë buldozerët kur rrokullisën në oborrin e sotëm të tjegullores, disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën osmane. Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit e vetë atë kohë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga kompleksi i varrezave të sotme të qytetit.

Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi Varosh, te oxhaku i fabrikës së tjegullave, te Xhamia e Llapit… Këto varreza u rrafshuan dhe këto toka ju dhanë serbëve, por atë kohë askush nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo- thotë Berila. Poashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës, ishte kompleks i varrezave të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër bunarit të hajratit.

Në Prishtinë janë dy lokalitete me varreza të hebrejëve, varret e vjetra në Tauk Bahçe në madhësi 10 ari, në të cilën janë varrosur 800 hebrej të varrosur që nga vitet 1850. Në varrezat e reja janë varrosur 200 hebrenj prej vitit 1922.

Fatin e varrezave të vjetra të Prishtinës, e përjetuan shumë lokalitete dhe qytete të Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan me kolon të sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e qytetërimit dhe civilizimeve më të hershme në këto troje. Pas pushtimit të Kosovës, kolonët u vendosen në tërë territorin e saj, në rrethin e Prishtinës përveç qytetit, kolon u vendosen edhe në Graqanicë.

Bërrnicë, Bardhosh, ku u përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e kultit. Në Berrnicë, u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që sipas popullatës vendore ishin të shqiptarëve, u morën gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me to serbët krijuan mitin për Nëntë Jugoviqët. Këta gurë janë të publikuar edhe në librin e Dragan Cukiçit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga Enti për Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996. Përshkrimi i autorëve është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga ekspertët eminentë të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave përreth, ka ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët kishin jetuar edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptarë, të fisit Krasniqe dhe vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar.

Prishtina, pas Luftës së Dytë Botërore, e fitoi funksionin e qytetit të rëndësishëm ekonomik dhe administrativo-politik, që i krijuan bazë materiale solide. Madhësia e qytetit matej me shkallën e inkuadrimit, numrin e kuadrove, specialistëve, shkencëtarëve, politikanëve dhe profesioneve të lira intelektuale.

Nga Mr. Qazim Naman


Po ju sjellim disa foto me motiv te vjetër të qytetit te Prishtinës ,në periudha të ndryshme  mbi zhvillimin ,ekonominë sakrificat  arkitekturën  zakonet   dhe gjendja e popullatës së atëhershme.


Dëshmitë në shtypin Perëndimorë, për barbaritë e serbëve që pushtuan
Kosovën më 1912. 8 mijë të vrarë vetëm në Prishtinë e Shkup.



Një ditë tregu në Prishtinë  , pas dite  ne përfundim pas kryerjes se pazarit



Motive fotosh te qytetit te Prishtinës

Qendra e Qytetit  të Prishtinës

Foto  nga një lagje e Prishtinës


Një ditë pune në  rrugët e Prishtinës si mjet pune  qerret  me kuaj qe  ishte  transporti   i nevojave të qytetarëve



Rruga e Ramiz Sadikut  në Prishtinën e vjetër


Shtëpi te shndërruara  për punë zejtare dhe tregtare ne lagje të Prishtinës

Rruga  e Trepçës në Prishtinë


Në një lagje të Prishtinës së vjetër duke kuvenduar pran  shtëpive një grup qytetaresh



Çarshia e Vjetër 1960 Prishtinë



Rrugë e Prishtinës së vjetër  pran qendrës zejtare që u zhvillonte
në atë kohë

Qytetarë  pas kryerjes së pazareve   udhëtim për shtëpi


Një qytetar   duke kryer veprimtarinë e tij në pastrimin e  këpucëve
 nga pluhuri që kishte

Qyteti i Prishtinës  dhe xhamitë  qe u ndërtuan në Prishtinë dhe ma gjerë pas pushtimit  osman.


Veprimtari  gjatë një  projekti  ndërtimor dhe pritja për ngarkim e
qerreve të kuajve.


Pamje nga  një rrugë  ku u zhvillonte  veprimtaria tregtare.


Shtëpi  e vjetër në Prishtinë


Motiv i fotos së Prishtinës së vjetër sot rruga e quajtur
Luan Haradinaj në emrin e dëshmorit   në luftën e fundit 1999
E Përgatiti Asllan Dibrani 09.05.2011 Shtutgard

REXHEP SHAHU : SI E KAM NJOHUR GAZETARIN E ROJTERIT KURT SHORK

Rexhep Shahu,është shkrimtar i mirënjohur shqiptar nga Tirana. U lind më 9 qershor 1960, në Bardhoc-Kukës.

 Shkollën e mesme e kreu në Durrës në vitin 1980, pas tre vjete pune filloi studimet e larta për letërsi, në universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër, të cilin e mbaroi më 1991.

 Pas punëve të ndryshme, ashtu siq dëshironte prej kohësh, ka tre vjet që punon gazetar në Radio - Kukësi. Punon në Sektorin e Informacionit Bujqesor  Ministrinë e Bujqësisë ,ushqimit dhe mbrojtjës së konsumatorit në Tiranë.

 ..Veçojmë disa nga botimet :

Mali i hënës ,poezi,TIRANË, 1998, Shtëpia Botuese "Koha".(LC:99224033) Oxford University Press; Penguin; W.W. Norton.


Pragu : publicistikë Autorët:Izet Duraku ;Rexhep Shahu (red.), Tiranë : Dardania, 2002.ISBN
99927-670-7-3 


Vezullim heshtash : poezi ,Autorët:Izet Duraku ;Rexhep Shahu (red.),Tiranë : Dardania, 2004.ISBN
99927-936-4-3 


Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar / Novruz Xh. Shehu; Izet Duraku; Rexhep Shahu,Tiranë : Geer, 2008(821.18 .09 DHE 821.18 -94 )


Qytetarët e Kosovës janë ushtarë të Republikës së Kosovës : [Intervistë] / Sali Çekaj; Izet Duraku; Rexhep Shahu,Botuar:2000 në Dy Drina. - Nr. 5, , 2000, f. 12 - 18.


Edhe mars, edhe mina : shënime rreth librit "Marsi i Minave" të poetit dhe publiçistit Rexhep Shahu / Izet Duraku, Botuar në 55. - Nr. 120, 6 maj, 2006, f. 15.


Mori Shkodër, moj mizore..,http://www.rrezore.com (06-12-2010 )


Etj....

 
Flori Bruqi


Mali i hënës by Rexhep Shahu

REXHEP  SHAHU

SI E KAM NJOHUR GAZETARIN E ROJTERIT KURT SHORK

(Ai u vra në Sierra Leone).


Pas ofensivës së parë serbe kundër UÇK - së në verën e vitit 1998, dyshime, dyzime e hamendje të shumta për seriozitetin dhe fatin e kësaj ushtrie ishin bërë objekt i shumëkujt. Në të vërtetë shumë djem, ose më saktë meshkuj, vinin nga fronte dhe rajone të ndryshme të Kosovës dhe sillnin në Kukës frymë disfate. Përkundër kësaj gjendje, unë shkruaja dhe flisja çdo ditë për riorganizim të UÇK-së, për seleksionim profesionistësh e qëndrestarësh në radhët e saj, për shtim të radhëve të saj.
Në morinë e njerëzve që donin të dinin të vërtetën për UÇK - në dhe për fatin e të ardhmën e saj, bënte pjesë edhe gazetari  i Rojterit Kurt Shork.
Një ditë të ftohtë të funddhjetorit të 1998 - ës, Kurt Shork  mbërrin në Kukës bashkë me korrespodentin e Rojterit për Shqipërinë Benet Koleka.
Kishte lënë Kurtin tek “Bar Amerika” dhe Beneti erdhi tek unë në Radio Kukësi. Më thotë se shoqëronte një gazetar të rëndësishëm. Në fakt edhe pa shpjegime të mëtejshme, kuptohej ajo që thoshte Beneti. Në Kukës vinin gazetarë të shumtë dhe përkthyesit i gjenin dosido. Ndersa për Kurtin përkthente Beneti. Rrugës për tek Bar Amerika ku priste Kurt Shorku, Beneti më thoshte se duhej ta ndihmoja Kurtin dhe duhej të tregohesha në lartësinë e duhur. Shkurt, u kuptua se Kurti nuk ishte gazetar radhe në Kukës.
Ndërsa po hanim drekë bashkë, ku me ne ishte edhe korespondenti i ATSH-së për Kukësin, Riza Hoxha, e vështroja atë trup të imtë, me ato sy të xixtë, që si pa vemendje përpinte çdo fjalë, çdo levizje. Gjatë gjithë kohës bllokun e shenimeve e mbante hapur në tavolinë.
Beneti më thotë se i kishte folur gjërë e gjatë për mua. Vendosa të jem i vëmendshëm dhe i kujdesshëm.
Meqë s'kisha lënë njeri të rëndësishëm, sipas meje, të më kalonte pa i marrë intervistë, para se të përgjigjesha për ato që pyeste Kurti, i kërkova të më jepte një interviste rreth impresioneve të tij për Kukësin, për UÇK - në, Shqipërinë e Kosovën. Jo, më tha. Nuk mundëm. Nuk dua të kem fatin e gazetarit amerikan Philip Smucker. Ai ju ka dhënë një intervistë juve, intervistë që e keni emetuar në Radio Kukësi. Dhe sapo ka mbërritur në Kosovë, ia kanë keqtrajtuar serbët shoferin dhe e kanë kërcenuar Filipin. U trishtova në atë moment, por më erdhi mirë që Radio Kukësi dëgjohej në Kosovë dhe i shqetësonte serbët. Kjo intervistë ishte botuar edhe në gazetën "Albania". Philip Smuckeri kishte sjellë deshmitë e para për median dhe shtypin në Shqipëri për masakrën serbe në Prekaz ndaj familjes së Adem Jasharit.
Mëqe Kurti s'pranoi të më jepte intervistë me zë, fillova të mbaj shenime. Kur më pa një copë letër në të cilën shënoja ndonjë fjalë, mi nguli sytë në copën e letrës. Çeli çantën e tij dhe pashë që kishte disa blloqe. Kishim më tepër se një orë që flisnim. Gjithmonë shënonte pak fjalë, në faqën ballore të bllokut të tij, dhe kalonte në faqe të re. Fola gjatë. Si papritur ai mu drejtua : Je me fat, që je gazetar, në këtë kohë dhe në këtë vend. U miklova. Çdo ditë, çdo muaj e çdo vit që kalon, më ngulitet edhe më thellë kjo fjalë e Kurt Shorkut.
Të të përkthente Benet Koleka ishte fat. Aq më tepër që ai ishte gazetar mjaft i informuar për UÇK - në dhe për çfarë ndodhte në Kukës dhe në gjithë rajonin verilindor. Mendonte shqip edhe pse shkruante e fliste anglisht. Kështuqë për mua ishte edhe më e lehtë. Prania e Benetit më jepte siguri dhe ma shtonte përgjegjësinë.
Kurt Shork, si rrallë gazetar tjetër që kisha takuar, u tregua shumë i saktë në atë që kërkonte. Ai kishte ardhë në Kukës për t'u dhënë përgjigje tri pyetjeve: A ka baza të UÇK - së në Kukës, Has dhe Tropojë, a po riorganizohet UÇK - ja, dhe, a ka bashkëpunim mes ushtrisë së Shqipërisë dhe UÇK - së. Kaq drejtpërdrejt s'më ishte drejtuar askush, asnjë i huaj apo shqiptar. Më dukej vështirë t'u përgjigjesha këtyre pyetjeve dhe t'i krijoja mundësi për t' i verifikuar vetë këto probleme. Ai dhe Beneti e lexuan pa veshtërsi hezitimin dhe ngurimin tim. Por ndërhyri Kurti. Për të gjitha sa do të thuash ti dhe çfarë do të verifikoj unë, do të shkruaj se më tha ambasadori i OSBE - së në Shqipëri Dan Everts. Pra, vijoi Kurti, do të them ...sipas ambasadorit të OSBE - së Dan Everts.... E pashë Benetin në sy. Dhe besova. Beneti më siguroi për këtë gjë.
E lamë që nesër të shkonim në Vlahën të Hasit. Mora përsipër çdo rrisk. E përcollëm Kurtin në hotel “Gjalica” dhe ndenjëm deri vonë me Benet Kolekën nëpër Kukës. Beneti e donte dhe e lavdëronte Kukësin.
Ndoshta si kurrë herë tjetër, atë natë i thoja vetës, ç'po bën. A duhej apo jo që Rojteri të pohonte se ka baza të UÇK - së në Kukës, Has e Tropojë. Jo se nuk kishte informacione apo insinuata për këto. Por a duhej që unë të pohoja e të ndihmoja për këtë. Shqipëria ishte mjaft e akuzuar prej serbëve. Politika zyrtare e Tiranës përpiqej të distancohej prej UÇK -së në atë kohë. Unë mendoja se kishte ardhë koha heroike për çdo shqiptar. Nuk doja që Kosova dhe UÇK - ja të ishin diçka tjetër e diku tjetër, por të ishin shqiptare e në Shqipëri. Doja që bota ta mësonte se çeshtja e Kosovës ishte problemi e çeshtja shqiptare e jo kosovare siç e paraqiste, dashtë zoti prej padijes e jo prej djallëzisë, medja shqiptare në përgjithësi, me pak përjashtime. Doja të besonte edhe bota si unë, se erdhi ora shqiptare. Se shqiptarët do të reagojnë si komb anise jetojnë të ndarë në katër shtete të ndryshme. Doja të bindja botën se shqiptarët po të zgjidhin çeshtjën e tyre Kosovë, nuk do të ketë më problem të pazgjidhshëm shqiptar. Pavarësisht se sa këllqe kishim si shtet e si komb, deshiroja që të luftonin të gjithë shqiptarët. Mendoja se nuk do të kishim më çast historik ne si shqiptarë. Kështuqë besoja se edhe ushtria e Shqipërisë do t'ua shkundte njëherë ndryshkun armëve të veta. Besoja se do të soset durimi i ushtarakëve të Shqipërisë. Çdo ditë kishte provokime nga serbët në kufirin Shqipëri - Kosovë. 1400 hektarë me mina "mbollën" serbët në teritorin e Shqipërisë administrative. Si u përfshi Shqipëria  me armë në këtë luftë, si jo, ajo akuzohej prej serbëve dhe aleatëve të tyre. Në mos tjetër si bazë logjistike. Pretekste dhe shkaqe për të reaguar ushtarakisht Shqipëria kundër trupave serbe kishte plot. Postat ushtarake na i kishin shkatërruar. Ushtarakë dhe civilë na kishin vrarë mjaft dhe na kishin plagosur edhe më shumë. Nuk e di si do të reagonte një shtet tjetër po të ishte në pozicionin e Shqipërisë. Meqë UÇK - ja i kishte bindur njerzit se edhe serbët i vret plumbi, doja të bindja shqiptarët se nuk duhet të marrim rolin e viktimës gjersa kemi të drejtën në anën tonë. Doja që shqiptarët të merrnin rolin e heroit. Të ndjeheshim më krenarë në shekullin që po vinte. Kalova një nga netët më të vështira...
Të nesërmën në mëngjes, pasi i thashë pronarit të “Bar Amerikës” Musli Lleshit (që pati ndihmuar mjaft) ti çonte fjalë  komandant Ahmet Alishanit në bazën ku kishte trupat në stërvitje, se mund  ta "vizitoja" pasdite bashkë me një gazetar të duhur, (kështu mendova unë), u nisëm për në Has, me një furgon të Kukësit që Beneti e Kurti e kishin marrë në dispozicion që nga Tirana. Rrugës përpiqesha ta bindja Kurt Shorkun se ndarja e Kosovës nga Shqipëria në vitin 1913 ishte e barabartë me ndarjen e një oborri të një familje dhe ku pjesëtarët e familjes nuk lejohen të takojnë njëri - tjetrin. I tregoja për plot nuse që kishin mbetur pa shkuar tek burrat e tyre e për plot burra qe u kishin mbetur gratë në të dy anët e kufirit Shqipëri – Kosovë kur u mbyll kufiri në vitin 1948. I tregoja se ishin lidhjet e gjakut e të farefisnisë ato lidhje qe nuk shkëputën e nuk harrohën kurrë. (Falë edhe atyre lidhjeve Kukësi bëri në vitin 1999 - të atë që nuk e imagjinonte bota...).
Ndërsa po pinim nga një birrë në kafen e pallatit të kulturës "Pjetër Bogdani" në Krumë, në shesh përpara shoh tre policë civilë të policisë kriminale që po vështronin nga ne. Më ishin bërë ferrë sa herë shkoja në Has. Nuk e di çfarë dyshonin. Nuk e di pse dhe kë ndiqnin. Dhe s'e di a më ndiqnin mua apo ato që shoqëroja herë pas here në Has. Gjithësesi, ishin të trashë. Po t'ua hiqje hundët, mund të kullosnin bar. I detyrova Kurtin dhe Benetin, pa ju dhënë shpjegime, të ngriheshim pa i pirë birrat. Do të udhëtonim për në Vlahën. Por sapo kemi  zbritur shkallët e pallatit, nga rruga përballë, as tridhjetë metra larg nesh, shoh të vijnë dy  djem të gjatë, të veshur shik  me rrobat e UÇK - së, të armatosur mirë, krejt të qetë, të parruar. Njërin e njihja si fytyrë, tjetrin jo. Kurti i vërejti për pak çaste dhe për çudi e shpejtoi hapin, jo në drejtim të tyre por në drejtim të tregut të qytetit. Mu duk se nuk deshi t'i takonte. Mbase i kishte njohur që në Kosovë. Nuk e mësova kurrë se pse iku ashtu Kurti me hap të nxituar. Në fakt doja që të fliste me to. Tek ecnim për tek klubi në dalje të Krumës, rrugës për Golaj, kthej kokën dhe shoh që tre policët hypën në një veturë. Kur hymë në klub, ashtu siç e deshiroja unë, shohim aty dhjetra ushtarë të UÇK - së që po ushqeheshin. U përshëndeta me dy që i njihja si ushtarë e më njihnin si gazetar. Por emrat nuk ua dija. Kurti nuk fliste. Vetëm vështronte. Pasi hëngrëm dhe Kurti foli me Benetin, dolëm nga lokali. Përsëri policët ishin përpara dhe vështronin gjoja fshehtas nga ne. Ndersa mendoja se a do të mund t'i kalojmë të gjitha postblloqet për të shkuar në Vlahën, Beneti më thotë se do të udhëtojmë për në Kukës. Pa më lënë kohë të pyes se pse, Beneti më tha se mjafton me kaq. Kurti  pohoi me kokë. Më tepër se pesë km pasi jemi larguar nga Kruma, na shoqëruan me makinën e tyre policët që na vëzhgonin. Kur i pashë se u ndaluan, sikur mora frymë lehtë.
Në Kukës, fillimisht shkuam tek divizioni. Doja ta takoja Kurt Shorkun me komandantin e Divizionit të Kukësit gjeneral Kudusi Lamen. E kisha njoftuar natën mbrëmë se do ta takoja me një gazetar të rëndësishëm. Por ishte ora e papërshtatshme. Po afrohej vakti i iftarit. Gjenerali ishte duke argjëruar ramazanin. Me gjeneralin kisha biseduar hollësisht dhe ai ishte dakort që Kurt Shorku të bindej se ushtria e Shqipërisë bashkëpunonte me UÇK - në.
E lamë të takoheshim fill pas iftarit tek bar "Amerika". Ndërkohë, gjenerali kishte rënë dakort që aty në takim të ishte i pranishëm edhe  ushtaraku i lartë i Kosovës Ahmet Alishani me një ose dy  oficera të tjerë të Kosovës. Në fakt, gjenerali shkonte shumë mirë më oficerat e Kosovës. I kisha porositur të gjithë që të vinin me uniforma ushtarake. Ahmetit ia kishte çuar porosinë Musli Lleshi, pronari i “Bar Amerikës”.
Dhe ja, erdhi çasti, ndoshta më i rëndësishmi, më domethënësi. Por mbase edhe më i rrezikshmi. Unë para, Kurti pas meje dhe Beneti pas tij, futemi në kafe. Në atë moment çelet dera e dhomës ( ka një dhomë të veçantë Bar Amerika), nga ku po delte kamarieri. Hodha syte. Ç'të shihje. Në krye të tavolinës qëndronte i veshur shik me uniformë gjeneral Kudusi Lame. Anash asaj tavoline të gjatë qëndronin Ahmet Alishani dhe dy ushtarakë të tjerë të veshur edhe këta me uniformën e UÇK - së. Mbi tavolinë ishte shtrirë një hartë ushtarake dhe të gjithë ushtarakët e lartë po shihnin mbi hartë. Gjeneral Lame po tregonte me një shkop tregues. Më pa në derë. Më thirri në emër. Ja, erdha, iu përgjigja. Kur kthehem nga Kurti e Beneti që t'u tregoja se ja ku i kemi ato që duam të takojmë, Kurti doli jashtë nga lokali. Iu vumë pas. Gati - gati po bëhesha nervoz. Mezi e kisha bindur gjeneralin të takohej me të, mezi e kisha realizuar këtë skenar dhe Kurt Shorku kris e ikën. Çfarë ka ? - i them Benetit. Folën bashkë por nuk i kuptoja. Mjafton me kaq, më thotë Beneti, ishte fantastike ajo skenë.
Kurt Shork kërkoi ta përcillnim në hotel. U hesht fare. Tha që më duhet të raportoj sonte. Darkë nuk donte të hante. Edhe unë u heshta. Më vinte zor prej gjeneralit. Do të më thoshte se pse s'pranoi ai gazetar ta takonte, kur dihej se ishte fat per gazetarët në atë kohë të takoheshin me gjeneral Kudusi Lamen. Beneti më tregoi se sa kisha parë unë, kishte parë edhe Kurti edhe Beneti. Më mirë se kaq s'bëhet, shtoi ai.
Pas dy ditëve në shtypin shqiptar u botuan, të marra prej Rojterit tre shkrime të Kurt Shorkut. Kudo thoshte ... sipas ambasadorit të OSBE - së në Shqipëri Dan Everts..., për ato që i kisha treguar unë. Kështu edhe u shpëtova vërejtjeve të ndonjë kolegu e të ndonjë patrioti rapsod të vonuar.
Kështu pra e kam njohur Kurt Shorkun e Rojterit në Kukës. Besoja dhe besoj se kishte simpati për shqiptarët, për UÇK - në.
Më vonë, me shumë guxim kishte shkuar në Koshare  tek UÇK - ja bashkë me Benet Kolekën. Kurdoherë që të shkoni, i pata thënë Benetit, në Koshare kërkoje, gjeje dhe mbështetu tek Besnik Kada, që ishte miku im.
Kurt Shork u vra në Sierra Leone.
Për mua mbetet një gazetar i nderuar, një mjeshtër, një njeri i pa harruar.

(shkeputur nga libri Misioni per Paqen)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...