2011-06-01

Zjarri, që kam brenda, as shuhet… As falet...!!!


Suzana Zisi, u lind në Vlorë në vitin 1967. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit në vitin 1990. Qysh atëherë e deri në vitin 2000, ka botuar krijimet e veta poetike në faqet e gazetave letrare të kohës. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak”. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ndër 5 vëllimet poetike më të mira, nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” në vitin 2005. Në vitin 2006, botoi vëllimin e dytë poetik “ Imazhet kanë ftohtë”, me parathënie të studiuesit dhe poetit të mirënjohur, Agim Vinca. Në librin e saj të parë, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmërie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale. Metaforën dhe simbolikën e vet autoriale, poetja i ngre në një shkallë më të lartë në frymëzimin dhe ligjërimin poetik të librit të dytë, ç’ka ka sjellë jo vetëm farkëtimin e një imazhi poetik specifik, por edhe një pjekuri më të madhe në vleresimin e ideve dhe dukurive të botës reale e emocionale.

Në 2009, shtëpia botuese "ODYSSEAS" në Athinë (Greqi), boton në gjuhën greke, vëllimin poetik “ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ .”,(Në shkretëtirat e heshtjes), përkthyer në greqisht nga poeti dhe perkthyesi i mirenjohur Niko Kacalidha. Ne maj 2011, botoi vellimin e katert poetik “TË JESH... FJALË” - Shtepia Botuese “OMBRA GVG”...

Ne kete liber, poetja rikonfirmon edhe nje here qe nuk eshte rastesisht ne udhen e poezise por, rrugeton me dinjitet dhe profesionalizem ne udhen e veshtire te artit poetik. Shumë nga krijimet poetike të Suzanë Zisit, janë prezantuar jo vetëm në revista e gazeta letrare shqiptare por edhe në prestigjioze të huaja.


Disa poezi të saj, në vitin 2008, janë botuar në revistën letrare franceze “Le capital des mots”. Së fundmi ajo është prezente edhe në revista letrare sllovene dhe kroate. Në poezinë shqipe pas viteve 90, Suzana Zisi ka spikatur gjithmonë e më shumë si një zë i vecantë poetik, modern dhe elegant.  
 
Veprat

E BARDHA ËSHTË PAK,ShB "Albatros", Tirane, 2004

IMAZHET KANË FTOHTË, ShB "Toena",Tirane, 2006

ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ, ShB "Odisseas",Athine, 2009

TË JESH... FJALË - ShB “OMBRA GVG”, Tirane, 2011
 
Poezi nga Suzana Zisi...

Ndjemë…Falmë…Përqafomë…


Unë
nuk të nderova me timin emër.
Është mbytur në lotin e fjalës,
“poetja jote brilante”, e fëmijërisë sime të vogël.
Unë, thinjat t’i shtova baba,
gabime bëra sa desha.
Me rrudhat e tua shtrirë dashurisë,
..............................................qava e qesha…

Ndjemë baba!
Nuk dita të jem “pasqyra jote e madhe”,
..........................shkëputur prej qiellit “sa një gogël”.
Falje, nuk kërkova kur “gënjeshtrat”,
si qilim,
mbi besimin tënd i shtrova.
Kur vuajtjen dhe lodhjen tënde,
gotave të konjakut i harrova.

Sot,
kur netët e mia,
gdhihen mbi fytyrën e bijës sime të njomë,
kujtoj dridhjet e tëndes zemër.
Unë e di mirë baba,
ti, kurrë nuk më ke mohuar,
e asnjëherë turpëruar prej timit emër…

Edhe pse rinisë tënde, pleqëri “çmenduria” ime i dha,
Ndjemë!
.........Falmë!
.................Përqafomë…!

Unë të dua baba…




Ëndërr ...

Mbrëmë,
gjithë natën
isha me ty...
T’i këputa
venat…
T’i zbërtheva
eshtrat…
T’i gjakosa
flokët…
Të putha
në sy.
Mbrëmë,
gjithë natën,
isha
me ty.
Por,
në mëngjes,
s’munda
të të rikrijoja…
S’më dilnin
gjymtyrët.
S’më mjaftonin
flokët.
Buzët
e kafshuara,
fytyra
e plogët.
Dhe,
ika…
Ika,
mora malet…!
Zjarri,
që kam brenda,
as shuhet…
As falet...!!!

Nga sytë e tu

Nga sytë e tu,
buron
një dritë e mirë.
Kjo dritë,
ka kohë
që më mungon…
Më duket
vetja
shkretëtirë,
dhe
ti,
oaz,
që më tundon.
Jemi
kaq larg…!
(ndonëse dy hapa)
Mos e zgjat
dorën
me ngurim.
Se digjem,
digjem
porsi flaka,
dhe,
mbetet
veçse,
hiri im!

Stinët e Jetës

Pranverës
që shkoi,
ia mora
drithmat.
Verën
e thatë,
me pjalm,
po e lag.
Dhe,
po s’më çmendi
vjeshta
fytyrërrudhur,
dimrin,
do ta kem
të gjatë…
Të gjatë...!


Një gjethe

E zgjidha,
magjinë
e egzistencës.
Jam gjethe,
e flakur
mes rrugës…
Kalojnë
mbi mua,
pushtete,
këpucësh…!


Shtëpia me themele eshtrash…


Shtëpia ime,
në kufi
me legjendat.
Ngritur
mbi themele
eshtrash.
Rrobat,
endur
me flokë
njomëzakesh.
Kurora,
me petale
gënjeshtrash…!
Me heshtën
e lashtë
e të ndryshkur,
çarçafin
e harresës,
gris.
Duke i thurur
pelena
jetës,
përtyp
vdekjen time,
por,
dot,
s’e gëlltis…!

Meditim mbi glob

Hija
e flokëve
të mi,
mbuloi
Europën.
Nën diell,
mbete,
Ti.
Shqipëria ime,
e vogël…!
Dhe,
si një princeshëzë
e artë,
dritë
lëshon
mbi glob…!
Faleminderit,
përfytyrimi
im,
snob...!!!
M’i mori era...


Rrënqethjet,
e mëngjesit
të brishtë.
Klithjet,
e pasioneve
të ndaluara.
Lotët,
e fëmijërisë
së largët.
Pendesën,
për “fajet”
e shkuara.
Ecejaket,
në kërkim
të shpirtit.
Alegorinë,
e telefonatave
të ndërprera.
Letrat ,
që dot s’i shkrova…
M’i mori era...!

Dëbora e pashmangshme

Ti,
me urrejtje,
ndihmon
dëborën.
Ti,
me përbuzje,
me grric
fytyrën.
Ti,
me dëshirë,
ledhaton,
jetën
e zbrazët.
Ti,
shprish
natyrën.
Në ç’perëndi,
je betuar
të më mplakësh?
Në ç’det,
e peshkove
alibinë?
Në ç’humnerë,
e gërmove
legjendën?
Në ç’epokë,
dyfytyrësinë?
E pafytyrë.
E pashmangshme
kjo dëborë!
Që,
flokët
po m’i zbardh.
E,
shpirtin,
po ma vret.
Dhe,
flaka

u ndez,
mes nesh,
dikur…
Në akullsinë
e saj
u tret.
U tret…!

E çmendur!


Fantazia ime
e çmendur,
ku s’shkove?
Në ferr,
milionere.
Në parajsë,
shkrimtare.
Fantazi
marroke,
ti,
do t’ndalesh,
kur shpirti,
pulëbardhë e përgjakur,
të prehet
mbi varre…
Fantazia ime,
pjellë
e pengesave.
Sa molekula,
e vogël.
Sa perëndia,
e madhe.
Antitezë
ekuacionesh,
në këto kohëra
makabre…
Fantazia ime
e çmendur,
bredhare...!


Më fal

Më fal!
Më fal!
Në lakuriq nate,
të kam shndërruar.
Ditën,
tulatesh,
në kafazin
e kraharorit tim.
Natën,
lëshohesh
e harbuar.
Më fal!
Për ditët
që kaluan.
Më fal!
Për shekujt
që do të vijnë.
Më fal!
Më fal!
Më fal!
Më fal!
Të vrava lirinë...!

 Eja tani!

Gjithshka e imja,
të kërkon
ty.
Eja
i tëri...
Të dua tani!
Mos harro ironitë,
konjakun,
streset,
i dua tani!
Dhimbjen,
gazin,
jetën,
vdekjen,
sillmi këtu
se,
do t’i pi.
Pastaj,
në gjoksin
tënd
do futem,
e,
s’do të dal më…
Kurrsesi!!!

Monotone

Do të dal
në kodër
e,
do të vështroj
botën.
Do marr
një gur
dhe,
do i thyej
kështjellat e rërës,
me egërsi…
E pastaj?
Do marr
një qen
dhe,
do i përdredh
kokën,
me butësi…
E pastaj,
me dhimbje,
do qaj,
do qaj…!
Do mbledh
mbeturinat
e kështjellave
dhe lehjet
e qenve,
e,
do ia fal
perëndisë,
që,
ti kthejë
në djaj.
Do ia fal
këta djaj,
monotonisë.
Do e grric,
do e çjerr,
dhe do qaj…!

Po vdesim duke të pritur ty…

Unë,
Ti,
Ne,
Ata...
Të duam ty.
Të lindur,
nga pasionet e mëdha.
Bij të dashurisë.
Të presim...
Ty.
Ku je Diell?!
Eja,
teri lotët
e syve
tanë!
Këtë tokë
të hidhur,
mbarse
me mirësi.
Eja!
Përvëloji
gjuhët
e helmëta!
Zbrit këtu!
Të shkrihemi,

të madhen,
dashuri…!
Dhe,
nga hiri,
të ringjallet
si Feniksi,
një qelizë
e re
mirësie.
Zanafilla
e planetit
të ri…!
Unë,
Ti,
Ne,
Ata,
të duam
Ty!
Eja,
Diell,
të digjemi...!!!

E mbaj zjarrin ndezur…!!!

E mbaj zjarrin ndezur…
Ndezur….
Rrëmbej pemë të prera,
degë te thara.
Mbeturina të mbledhura andejpari…
Dhe,
nëse nuk gjej,
djeg brinjët e mia,
të mos shuhet zjarri…

Eh,
zanat e pyllit
digjen dhe rilindin…
Po hedh njëren dorë…
Të shkruara fatet…!!!
Ja,
kjo erë e marrë,
ulërin prej “miqsh”…
Ndaj,
zjarri tulatet…

Kridhem e tëra…
Më treten eshtrat...
Shembem,
ulëras,
përpëlitem…andejpari.
Që të ngrohen “miqtë”,
që të zbuten djajtë…
Është ndezur
zjarri…!!!

Vdekja e shpirtit...!!!

Ai,
po vdes...
Per tu ringjallur perseri.
Si Krishti!!!
Me dhimbje,
pikat alegorike te shiut,
Vajtojne sot.
Per te kenduar neser,
ne nje bote te ndritur...
Legjendat,
u thinjen, duke pritur...

Një hap larg vdekjes

Sa melankolike
mbi
atë
breg…
Ta prek,
a mos ta prek?
Syri i saj,
të shkrin.
Puthja,
të djeg.
Fatkeqe,
e zbehtë,
e brishtë,
e lehtë.
O Zot!
Po ndërron jetë...!
Një hap
larg bregut,
vdekja
e pret.
Ajo...
Melankolike,
mbi
atë
breg.
Ta prek?
Jo!
S’mund ta prek!
Është
hija ime.
Unë,
jam
ajo.
Qëndron,
një hap
larg vdekjes.
Unë,
kam vdekur,
me kohë...!

Sa shumë qenkërkam plakur...

Mendimi
zvarritet…
Puthja,
ngrin akull.
Dëshira,
endet
si somnambul.
Buzëqeshja,
rend ,
në labirintin
e përgjakur
të buzëve…
Që,
më,
s’kanë për tu hapur…!

Një sy

Dikur,
diku,
vizatova
një sy...
Dhe,
e harrova.
Por,
një mëngjes,
“Deti”,
më kish mbuluar...
Kuptova...!
E kërkoj më kot,
kryeveprën
e dorës
së patalentuar:
Në hapësira
të bardha,
lotësh.
Në hone
e korije.
Në legjenda
të zymta.
Në pjata
të helmëta.
Në gota rakie.
Në çarçafë
të ndotur,
pa pikë fantazie…!
E kërkoj në yje
por,
e gjej në shpirt.
Pluskon,
në lotë gjaku!
Skeleti,
ende,
lëshon dritë…
Dikur,
diku,
vizatova,
një sy.
Një?
Apo dy?

Te flas kur nuk je…


Po endem
në fytyrën tënde,
si kurrë më parë…!
Mes flokësh
rrëshqas…
e,
ku të strukem
s’di…!
Ndoshta…aty,
ku,
mendimi yt
s’me le të rri…
E,
zbres,
mbi hundën
e brishtë,
që,
frymëmarrje
gjëmon.
Si prek dot buzët…
se,
djegin,
djegin dashuri…!
Vetëm aty,
nuk munda të hyj…
Aty
ku,
heshturazi,
përvëlojnë
dy sy…
Hape zemrën
shpirt,
e,
me ler të rri…!

Për ty

I tera
lotët.
S’i kreh më
flokët,
Pa ty,
bota,
duket e mjerë...
Për të të parë
edhe një herë,
zogun
e fundit,
të shpresës,
e ther...!

Nderi në atdheun tim

Në atdheun tim,
nderin,
si mburojë,
e veshin
ata
që s’e kanë.
Me turp
e përlyejnë,
orgjitë
e “të mëdhenjve”.
Dhe,
për çudi,
si dekoratë,
ua varin
çakenjve.
Atdheu im
i varfër,
Ti,
s’je
i maskarenjve!!!

Dashuria ju ka harruar

Mos e kërkoni
puthjen!
S’keni për ta gjetur!
Këtu,
thellë
e kam tretur…!
Mos e kërkoni
ndjenjën,
kyçur
në shpellën
e mungesës!
Mos e kërkoni
arsyen!
Shtatë pashë nën dhe’,
ka mbetur…
Mos e kërkoni
moshën!
Me zero
e kam shumëzuar.
Mos e kërkoni
Dashurinë!
Ju ka harruar...!!!

M’i mori era...

Rrënqethjet,
e mëngjesit
të brishtë.
Klithjet,
e pasioneve
të ndaluara.
Lotët,
e fëmijërisë
së largët.
Pendesën,
për “fajet”
e shkuara.
Ecejaket,
në kërkim
të shpirtit.
Alegorinë,
e telefonatave
të ndërprera.
Letrat ,
që dot s’i shkrova…
M’i mori era...!

Pa kohë...

Në Atlantik,
u zhyta
në magjinë
e ekzistencës
joreale.
Në Bermude,
u njësova
me të fshehtat
magnetike.
Ligjet e fizikës,
i shumëzova
me ligjet morale.
E,
dolën
jashtë kohe:
Njerëzit,
Jeta,
Paranojat biblike...!
S’ka mëngjese,
vjeshtë,
shekull.
S’ka nocione,
fundi
e fillimi.
Mbete
vetëm ti...
Mbi botë.
Pa kohë.
Pafundësisht,
imi…!


Don Zhuani...

Endesh
si hije,
Mes ecejakesh
të pasosura…
Dashnor
i përjetshëm.
Tragjik
i shekujve.
Ti.
Donzhuani
shqiptar
i legjendave.
Ti.
Fantazma
ironike
e netëve…!
Kostandin!
“Vëlla”
i përbaltur.
Pse
frikë
patën?
Pse
s’thanë
të vërtetën?
Që,
Doruntainat,
ti,
i ndërrroje
përditë.
Pse
e përçudnuan
kështu
legjendën?
Pse
mbyllën
sytë?
Shkatërron
dhe rilind.
Shuan
dhe ndez,
Ëndërrat
e vajzave,
të prera
në mes...!
Herë – copa balte
tragjike,
lëshon.
Herë – ar – eliksir dashurie.
Herë Doruntinën – princeshë,
përqafon.
Herë,
i frikshëm,
shfaqesh
si hije.
Qëndron
statujë,
mes jetës
dhe varrit.
Dhe,
stepesh!
Të hysh,
a,të dalësh?
Të rendësh ,
mes territ
dhe
skandalit,
a,
hapin,
gjëkundi,
ta ndalësh?
Kostandin!
Don Zhuani im, shqiptar.
Oqeane lotësh
mblodhe,
në altarët
e pritjes.
Pasione pa fund
ndeze.
Shojte,
zjarre
tragjikë.
Me alibinë- satirë
të Ngritjes,
nga,
i yti
varr,
alegorik…!
Endesh
fantazmë,
mes,
ecejakesh
të panumërta...
Dashnor
i përjetshëm.
“Vëlla”!!!
Ah,
sikur...!
Doruntinat
e dhimbjes,
nuk vdesin.
Rilindin,
nga brinjët
e tua…
Si
Eva,
nga Adami,
dikur …!!!

Miku im i vogël…
Kush tha
që,
sytë
ti mori errësira?
Dhe,

buzëqeshja,
fluturoi në re?
Ti,
je
këtu,
Miki,
miku im i vogël.
Je,
këtu,
me ne!
Ende
është
mes nesh,
frymëmarrja jote…
Të bukurën
buzëqeshje,
këtu e ke!!!
Endesh
si një ëngjëll,
nëpër ditët tona.
Sytë e tu
të brishtë,
i shoh
dhe në gjumë.
Jeta,
është
e shkurtër,
do shihemi, Miki.
Miku im
i vogël,
që,
më mungon,
kaq shumë...

Memorial…

U shpirtëruat këtu,
ju të për - humburat e mia,
të diku - treturit e mi.

Honeve të ditës së parë të krijimit,
humbellave të së fundit frymë,
frymëroni…herezi…

Frëngjive të mia në oazet e syve,
pragjeve të shpirtit u fashitët lotëve,
bërë det në shtratin e orgjive.

Mbytem,
vdes,
gjalloj, aty
Lavde u thur Perëndive…

Rropullive u qepem, kacavjerrë si gjarpër,
për të thithur helmin, gjuhës së munguar.

Kafshimet e ujkonjës së urisë,
kthinave të pangopësisë, harruar.

Gdhendur shpateve të thepisur të besës,
rastis të përballem me të përbalturin, Konstantinin tim.

Statujë majë kalit,
ngrirë udhëve të “rregullave të panjohura të lojës”,

Duke iu përvjedhur kalendarëve,
thur gërsheta fijet e gjelbra të shpresës,
duke shthurur penjtë e pangjyrë te harrimit.

Rrënjëzuar në shtatin e memorialit të padukshëm,
endur dhimbshëm tezgjahut të kohës.

 
Ti, drekon me poezi...



Me një gotë vere të kuqe të vjetër,
duke përtypur ëmbël poezi,
syçkat të ndrijnë si yje nate.
Ty.

Të kanë rënë dy rima nëpër buzë,
Eja të t’i fshij.

Apokalips...


Rrathëve të ngatërruar të heshtjes,
të xheloztat dridhma dashurie, enden.
Duke u vetëvrarë çdo natë,
nderur telave të një burgu.
Vetmia,
heshturazi gërmon të sajin varr.
Të roztat ndjesi pëshpërijnë këtu.
E postojnë dridhmën e ylbertë, te sytë
në të zbehtat agime mollësh,
ku Adamët,
përditë,
puthin të njëjtën Evë, me zjarr.
Ti,
duke përtypur të lagështën ëndërr,
Doruntinash e përplas “Konstantinin”
vetëvrarë skutave pa dritë
Dhe rend drejt meje,
metaforë e hiperbolizuar puthjesh të rrumbullakosura buzësh,
lagur burimesh të kristalta periferish.
Muzat mbyten në oqeane të çmendura vibrimesh.
Fundbarkut,
ku Zeusi përzgjedh ujshëm, Perënditë…

I + I = 2

I + I,
bëjnë 2.
Por,
ti,
këtë,
s’e di.
Për ty,
I + I,
bëjnë 5
ose 6.
Dhe,
une,
ne matematikën
tënde
“moderne”,
ndihem
jashtë,
jashtë...!

Në shtëpinë e kafshëve


Kafenë,
ma serviri
ujku.
Duke ëndërruar,
shijen
e mishit
tim…!
Drekën,
ma serviri
dhelpra.
Duke skicuar ,
arkivolin
tim…!
Darkën,
ma serviri
urithi.
Duke gërmuar,
varrin
tim…!
Zogjtë e përgjakur
më lëpijnë…
Milingonat,
tatuazh
më ngjiten
në shpinë…
Ku është dera?
Hapeniiiii…
Të hyjë
këtu,
njeriu.
Njeriu?
Oh!
Vdiq i ziu!
Bishat
e egra,
zaptuan
shtëpinë…
Planetet,
në kraharorin tim,
ulërijnë!
Ulerijne…!!!

 Enigma

Është enigmë
për mua
dhe,
s’ka për t’u zgjidhur
kurrë,
pafundësia
e mendimeve
të tua,
tragjike…
Ti,
mos u luhat
mes ëndrrash
ndjellakeqe.
Ti,
ke
në shtëpi,
një mace
besnike.
Të shoh.
Në mendime
të thella
ke rënë.
Shkundu, pra!
Mos e vrit
rininë!
Nuk të pengoj.
Heq dorë
nga lufta.
Unë,
pigmenti,
që të shtoj
mërzinë.
Ti,
prapë i heshtur…
ا’mendon?
ا’mendon,
me atë mendjen
tënde,
bardhë e zi?
Heq dorë nga lufta!
Më dëgjon?
Një mace
besnike,
të pret
në shtëpi…!

Fantastiko – Shkencore

Duart e tua,
copa dielli.
Sytë,
meteorë
të fshehtë.
Këmbët që dridhen,
shkëmbinj
hënorë.
Buzët,
llavë
e nxehtë.
Njerëzit,
satelitë spiunë.
Fjalët,
orbita imorale.
Shpirti im,
gjithësia pa fund…
Puthja
jote,
e vetmja gjë reale…

Ç’është një zog?

Një zog,
nuk është
thjesht,
shpend.
Nuk është
thjesht,
qenie
që cicëron.
Përpëlitet,
ai,
brenda
çdo njeriu.
Qesh
dhe
vajton.
Një zog,
përmbys,
anijen
e shpresave.
Pastaj,
ngarkuar
me ëndrra,
fluturon…
Një zog,
çukit shpirtin,
çdo çast.
Pastaj...
Me hipokrizi,
shëron...!
Dhe...
Cicërima – këmbanë,
tmerron,
varrin tënd.
Një zog,
nuk është
thjesht,
shpend.
Është,
vdekja
dhëmbërënë...!

Natën, kur ti flije…

Natën,
kur ti flije,
t’u futa
në shpirt.
Nga rruga,
që,
vetëm unë
e di.
U përballa,
me dhjetra portrete
femrash.
U përgjaka,
në qindra skelete
emrash,
dhe,
qava
me oiii...!
U ngatërrova,
në labirintet
e psherëtimave.
Mes premtimesh boshe,
vuaj…
Puthjet pijanece,
belbëzojnë:
-E dashur,
je,
në dhe të huaj!
Dhe rend,
por,
shpirti
s’paska fund.
Ti
po zgjohesh.
Dhe një sekondë,
ka ngelur…
Po shkoj
me shpresën,
se,
imazhi im,
do jetë
diku…
Në tokën
e pashkelur...!

Baladë plehrash…!


Endem
rrugëve të tua,
duke lënë
gjymtyrët,
qelizat,
indet,
peng.
Endem,
skutave të tua,
duke i falur
frymën
plehrave.
Endem,
hijesh,
fantazmash,
duke vrarë
ëndërrat,
këtu.
Ç’fatkeqësi
për mua
me ju,
fëmijët e së keqes…!
Endem
legjendash,
duke vjedhur
virtyte,
për t’ia arnuar,
jetës...!!!
Hija e kumbullës


Sa çel sytë,
hija
e kumbullës,
më pushton.
Dridhet
ajo,
si vajza
miturake,
në dashurinë e parë.
Pas perdes,
kumbulla
gjelbëron,
por,
perdja,
na ka ndarë.
Dhe,
përfytyroj…
Gjethet,
si qerpikë.
Degëzat,
që bëjnë hije.
Kokërrzat
e athta,
si gjinj
njomëzakeje.
Mbi to,
brumbujt
si buzë fëmije.
Dhe koha,
kalon…
Hija
mbi perde,
dridhet,
si më parë.
Pas perdes,
kumbulla,
gjelbëron.
Por,
perdja,
na ka ndarë…!

The same shit in different days...
(I njëjti m*t në ditë të ndryshme...)


Jeta,
përsërit
veten,
çdo ditë.
Unë,
kapur
pas një fije kashte,
dua,
lumin
ta kaloj.
Shkoj
tek mesi,
por,
rryma,
shpejt
më kthen.
Dhe,
notoj.
Por…
Çdo mëngjes,
veten,
e shoh
në breg.
Rrethuar,
nga të njëjtat
fytyra,
dhe,
nga i njëjti
vështrim,

djeg.
Ndaj,
me emocion
notoj.
Shpresoj,
akoma
shpresoj.
Dhe,
qenien,
ma pushtojnë
pasione të fuqishme.
Që,
thyhen
lehtë,
në barrierën
e palëvizshme:
“I njëjti m...,
në ditë
të ndryshme…”

Si Kësulkuqja do trokas

Do t’vija tek ti,
si Kësulkuqja.
Me shportën
e luleshtrydheve,
dhe…
një pako
kafe.
Por,
s’më prite dot.
Të rrëmbeu
vdekja,
në dasmën
time.
Dhe,
në vend të shportës,
solla lot…
Do t’vij
tek ti ,
si Kësulkuqja.
Por,
Mos vallë?
Mos vallë
ujku
na gëlltit,
si në përrallë?
Megjithatë,
unë,
do të trokas.
Vdekjen,
do e verboj,
me një grusht
piper.
Dhe,
pakon
me kafe,
nga shporta
do e nxjerr.
Dhe,
Ty,
e dashur,
në dorë
do të ta jap.
Do puth
cepin e varrit,
pastaj ,
do të kthehem
prapë...!
Por,
jo
si Kësulkuqja…
Se,
ajo
në kthim,
mori
edhe gjyshen
me vete…
E dashur.
E ëmbël.
Si vegim,
në zemrën
time,
Mbete...!

Poezia dhe Unë

Veshur
me pelerina
çeliku.
Tërë nur.
Në “ paradën
madhështore
të modës”,
pozojmë
të dyja.
Ajo,
Mis e vërteta.
Unë,
Mis marrëzia…!

Filozofia e këmbëve të trishtuara



Mes udhës
së pasosur,
për të njohur
botën…
Njëra,
godet kokën,
Tjetra,
lëpin tokën…!
E bardha eshte pak…


Një mur,
i lyer
me të zezë
dhe,
me të bardhë...
E zeza,
është shumë.
E bardha,
pak.
Ngjyrat,
luftojnë ashpër.
Ngjyrat,
lëshojnë gjak.
Përpëlitet
e bardha.
E zeza,
shumohet.
Syri,
më tmerrohet…!
Mur.
Mur i zi,
larë në gjak.
S’dalloj dot
të bardhën.
E bardha,
është,
pak…!
Ata…


Ata,
për njëri- tjetrin,
janë kalimtarë.
Duhen,
grricen,
çirren,
puthen
si të marrë…
Riprodhojnë
veten.
Janë
bashkautorë.
Imja
është
kjo këmbë,
Jotja
është
kjo dorë.
E,
grricen
përsëri.
Puthen
si të marrë…
Ata,
për njëri-tjetrin,
kalimtarë…!

Po hirin ku ta çoj?

Dua…
ta pastroj
këtë farë,
nga mbeturinat.
Të mbjell
dhe,
të korr,
një bar të ri.
Një bar,
që,
të ftillojë
lëndinat,
E,
të harlisë,
në liri.
Dhe,
mbeturinat,
t’i helmoj…!
Pastaj,
me zjarr ferri
t’i djeg.
I djeg...
po,
hirin,
ku ta çoj?

E bukura kënga plakë

Atë,
kurrë
s’e këndova...!
Në lindje,
u mundova.
Dhe...
solla
në jetë,
një foshnje - plakë.
Rrudhat,
të thella.
Buzët,
me jargë.
Sytë,
tërë gjak.
Dhe,
rend
ajo,
ngado
me mua.
E bukura,
kënga plakë.
E ëmbla,
që,
kurrë
s’u këndua…!

Unë



Unë,
shkretëtira
larg blerimit,
jetës,
prehjes.
Unë,
antiteza
e gëzimit,
lirisë,
dehjes.
Unë,
miniatura
e vdekjes…
Zotëroj,
stilin
më moderrn,
të buzëqeshjes…!

Jam brinja jote


Në krahët e tu,
tentakula legjendash
më mbajnë
lidhur…
Ne krahët e tu,
tentakula ëndrrash,
me bëjnë
të harroj
kush jam…
Në krahët e tu,
tentakula
dashurish prehistorike,
më kujtojnë,
që,
kjo është histori e vjetër…
Jam,
brinja jote
e humbur,
Në krahët e tu, Adam…

Ti më mungon…



Ti,
më mungon…
Edhe kur je
fare pranë meje.
Mos u end
legjendash.
Unë jam këtu.
Ti,
më mungon.
Edhe pse,
i strukur
brenda meje,
je përdite.
Ti,
më mungon.
edhe kur më puth,
edhe kur
më thua se më do.
Ti,
je shumë për mua.
I tëri për mua…
Leri të flenë Perënditë…!

Lumenjtë e mi rrjedhin…

Lumenjtë e mi,
rrjedhin,
në detin
tënd
të vdekur…
Dhe,
më hapen plagë,
në shpirt,
në tru.
Ëndrrat
mbesin
jetime.
Legjendat,
vdesin
këtu.
Lumenjtë e mi
rrjedhin,
në detin
tënd
të vdekur…
Dielli,
dashuri
e harruar.
Shpresat,
treten
pa lindur.
Unë
Rozafë e flijuar…!
Lumenjtë e mi,
vdesin,
rilindin,
rrjedhin…
Nën
qiellin
gri.
Nën
malet
e trishtuar.

detin
tënd
të vdekur…
Tek ti,
që,
koha
të ka harruar…!

Sikur…


Sikur,
Une, te isha ti,
e,
ti, te ishe une...
Vec per nje cast…
Bota do trandej
e,
qielli do nxihej…
Ti,
do ndjeje zbrazeti…
Une,
do ngrohesha ne vullkanin tim
qe do niste te shuhej brenda teje…
Ti,
Do me ofroje zjarr
dhe
dashuri…
Por,
Kjo do ndodhte vec nje cast
Nqs,
Ti,
do ishe
Une…
E,
Une,
do isha...

Mulliri i kafesë

Ti bluan,
bluan
skelete.
Përtyp
kafka,
mbeturina brinjësh,
cdo ditë.
Ti,
bluan.
Bluan
hije,
linjash,
konturesh,
gjinjsh.
Ti,
bluan,
zhurmat,
klithjet,
përkëdheljet.
Bluan
dashuritë…!
Bashkë
me të ligun,
bluan
dhe të mirin.
Ti.
Mulliri i kafesë,
që,
s’ta mbush
syrin...!!!

Nje dite…

Një ditë,
ti,
do bësh paqe
me veten,
dhe
me botën.
Unë,
do jem
e padukshme...
Skorje,
e flakur
pa pikë fantazie,
ne këndin
e fabrikës
së madhe,
të jetës…!
Ti,
do të më shohësh
mua.
Të pavlerën.
Të kotën.
Dhe…
Do të më lesh,
sigurisht,
aty…!
Ti,
njeri
që,
ke bërë paqe
me veten,
dhe,
me botën…!

Anija dhe pirati

Ti,
kujton
se e pushtove?
Por,
e di vallë?
Ajo,
nuk hesht – si stuhia.
Humbet
në një vend,
por,
lind
në një tjetër.
Si në përrallë...
Ndalet,
një çast.
Krenohesh
ti,
krenohesh…!
Por,
në duart e tua,
nuk bie sërish…
Si stuhia,
përplaset pas shkëmbit.
Dhe çahet!
Dhe vdes!
Por…
S’jepet
anija…!!!



Jam po ajo bebe…



U linda të martën.
Ora 02.

Përballë teje
dhe një planeti të panjohur.
Unë-satelit-dhimbjesh,
ndiej gërricje dhe therje
të ngarkuara me shekuj,
...........................minuta,
....................................sekonda,
gdhendur prej teje në testamentin gri,
në trupin e lebrosur nga vitet,
bardhë-kuq-verdhë e zi.
Ende s’më ke njohur?
Kam ndërruar pelenat, jo fytyrën.
Prekmë përsëri
si dikur,
kur Muzat m’i lëshove të kafshonin të uritura.
Skicoje përsëri buzëqeshjen,
..................................tashmë mes rrudhave të lehta,
që përpijnë sa mundin
milimetrat - kilometra të lëkurës sime.
Planetin që fle brenda trupit të irnosur, me kafshime.
Ti,
mos luaj në skenën e asgjësë, rolin e të habiturës.
Jam po ajo bebe…
Tashmë, më e mençur me çmendurira,
më e varfër me rini.
Luaj më mirë tragjedinë e radhës
dhe lërmë të vdes në rolin tim të martires,
zgjedhur në akropolin e perëndive te mëshirës,
me të vetëshpallurën verbëri të mosqenies,
mes ëndrrave dhe pamundësisë
që m’i servire ti në pjatën e mungesës.
Po gdhin e mërkurë.
Qeshu!!!
Jam unë ajo e pafajshmja e orës 02.
Ishte e martë si sot, të kujtohet?
Dhe ylberi-shtrati im, ndrinte nën kurorën tënde,
si tani - kjo foshnjë e fantazisë sime
që do vdesë pas disa sekondash.
5…Mos m’i ndaj sytë
4…………....Më puth përsëri
3……………………Bekoje Muzën
2…………………..……………Ma fal ylberin
1………………………………………….Oiiiiiiiiiiiiiiii…

Dje ish e martë
Ora 02

Toka ime - Femër…


Në dashurinë tënde,
........................përpëlitem endem,
si vite më parë, në mitrën e ngjizjes.
Netëve të errëta, me imazhe dehem,
për të rendur ditën me puthje çapitjesh.


Unë i heq këpucët
.....................dhe ashtu e zbathur,
puthje të ngrohta me ty marr dhe jap,
që, kur trupin tim në gji ti ta tresësh,
pluhur dashurie të rikthehem prapë.


Sot gjurmët e mia
.....................tek ti vizatoj.
Afshi i pjellorisë më gëlon në zemër.
Të rilindem bimë me rrënjët te ti,
të çel lule - femër.


Vjeshtë... Mëngjes…



Vjeshtë…
Mëngjes…
Pi të trishtën mjegull, në vend të kafesë…

Matem me pëllëmbët e tua.
Vetja,
më duket e vogël.
Rrudhave të kohës vdes.
Dhe zgjohem sërish të pi një kupë shpresë.
Jo!!!
Ti mos u hidh shkëmbinjve të qumësht.
Foshnja është rritur,
Ti - Legjendash tretur.
Nuk ka Perëndi që të të besojë.
Flake pikëllimin shekujve të mbetur.
Ja, një kupë vjeshte do pimë “Argjiro”,
dehur kalldrëmesh si dy pijanece.
Ti – “Zonja e rëndë me tualet myshqesh”- ndrin,
unë – hija jote e vockël memece.

Mos duhet të pi edhe një kupë “Zgjim”?
Apo të dehem me ca kupa “Shpresë”?

Vjeshtë…
Mëngjes…
Pi të trishtën mjegull, në vend të kafesë…

Jam i yti…


Jam i yti...
Pëshpëritje që kaloi prej gojës,
mushkërisë,
kërthizës,
deri në fundbarkun tim.
Ish zgjim i vdekur shekuj më parë.
I dashurisë - rikthim.
“Jam i yti”,
ulërin dëshira për ta shuar flakën me zjarr.
Etjendezur, përpëlitesha në tëndin përqafim...
“Jam i yti?”
Jo!
Ti, nuk je veç Dielli im...
Rrezelëshuar, harlisur mbi ankthin - mallkim.
“Unë jam i yti...”
Ish ëndërr, makth, lojë e syve blu.
Zbret fundbarkut tim ëmbël.
Dhe, si klithmë lëshohet qiejve të tu.

“I panjohuri im…”

Duke u ndriçuar prej hënës kemishëverdhë,
Ti, pikturon me sharrat dhëmbëmprehta të vjeshtës,
Të mundshmin takim
Me mua.
Lastarët e blertë të pranverës,
që ende nuk është konfiguruar në kohë,
marrin shkëlqimin e metaltë të pritjes tënde,
Që,
natën,
verdhacukja anemike e shndërron në ankth,
derdhur hapësirave,
……………krrelat e flokëve të pafaj të
…………………………….vogëlushes fantazisë sime,
Të cilën,
dëshira jote, e kaplon me dhunë,
dhe e tret në gjirin e ngrohtë të saj.
Ti, “i panjohuri” im i paduruar,
Të kaftën e syve,
prej filxhanit me lëngun e së njëjtes ngjyrë,
…………………………………ma përplas në fytyrë.
Dhe, jo më kot…
Ndërsa honeve të thella të mallit,
……………………..zgjat duart e më kërkon.
Lagesh i tëri në dy pika lot.
Krejt natyrshëm kupton se
Hëna,
në garderobën time e vodhi këmishën e verdhë.
Ti
Duke pikturuar dhunshëm
………………….të mundshmin takim me mua,
Kohën dhe hapësirën mallkon,
Fsheh penelat dhe ngjyrat e çmendura të fantazisë,
Nën lëkurën e zbehtë të mospërfilljes…
Padurimisht,
Ankthin e ditënetëve të pritjes, derdh,
Në oqeanin e pafund të dashurisë…

Mbi renë e bardhë…



Në ëndrrat e njëri - tjetrit,
Koha ngrin dhe hapësira ndihet e zënë në faj…
Çarçafësh të butë lëkure,
Pleksur përqafimesh…
Shkrirë dëshirash ekstreme,
Zemrat i morën në duar
.....................për t’u qetësuar regëtimat…
Në ëndrrat e njëri-tjetrit,
Në shtretër degësh të blerta, kapluar,
Ajo ia vodhi paqen,
Kraharorit të tij rrënjëzoi.
Ai, rrëmbeu çmendurinë e saj
Dhe…e mbolli në tokën e premtuar – zemër
Qiellit,
Mbi renë e bardhë në ëndërr,
Ku dashuritë krihen në pasqyra yjesh,
E dhimbjet s’kanë emër…


Ritual…


Ku ta parkoj të kaluarën?
Zvarritet pas meje e epshëruar,
dhe tund këmborë të rënda.
Varros legjendash, lotin.

Vizatoj errësirash mëngjesin…

Ndërkohë që mesdita po mbërrin,
Mbrëmja,
e mbarsur me Djallin,
Pret të pjellë Zotin…

Katarsis...

U ktheva në foshnjërinë e botës sonë.
Femrat e pyllit, ua blatuan foshnjat perëndive.
U shenjtëruam ne.
Gjyshet, u qëndisën rrobat nipërve me kuaj ere,
mbetën pa atdhe…
Meshkujt, u vunë zgjedhën grave dhe i dërguan në arë.
Zoti,
shkroi në librin e shenjtë se duhej vënë pak drejtësi…
Djalli,
i shtrirë mbi re, dërgoi shi.
Ne,
si gaforret,
të larë nga mëkatet,

Rendim në Ardhmëri…!

CRAZY…

(E çmendur)
Si nepërkë e etur për ujë dhe zjarr,
Të jam lidhur e tëra pas trupit, në një përqafim vdekjeprurës…!
Duke lëpirë ethshëm të djeshmen,
Rrëshqas çmendurisht kilometrave epshndjellëse të lëkurës…
Shaloji kuajt e psherëtimave,
Lëshoji të rendin mbi mua…!
Më lër të të djeg me vullkane vibrimesh…!

Ringrihu prej hirit, për të rishkruar legjendën tonë të re,
Në pergamenë përqafimesh …

Të jesh…


Të jesh,
Duhet të të prekin,
Që të vërtetojnë hipotezën e rënies dhe ringritjes…

Të qeshësh nëse do mundësh,
Mes rrudhave të thella të pritjes,
Duke rrëzuar jargë të lashta dhimbjesh,
Stuhi, përpëlitjesh.

Të jesh,
Do të thotë të vjellësh rininë nga goja e pleqërisë,
Kujtimeve të trishta të rrëmosh.

T’i këndosh kufomës tënde psalme biblike.

Të jesh,
Do të thotë: Të harrosh.
Jeta ime…!


Jam e dashuruar me ty…
Jetoj nen nje kulm
ne nje shtepi…
Quhet univers…
Ndaj shtratin…
Perkedhel majat e maleve
dhe,
skutat…
Edhe pse nuk di ne c’vise bien
Ndiej shikimin qe kurre nuk e kam pare
Lotet me lagin
edhe pse
Nuk ekzistojne
Rrenqethjet….
Termete imagjinare…
Pyjet e buzeqeshjeve
Gjelberojne.
Dhe vitet nisin te ecin mbrapsht…
Copeza brinjesh
fluturojne
duar
sy…
Pergjakem ne perqafimin tend
dhe shumfishohem…
ne mijra hije…
Mes puthjesh
dhe
orgazmash te pafundme
Jam e dashuruar me ty…

Leter derguar nje personazhi te humbur…!



Ku je?
Ku je???
As brenda meje…
As neper rruge…
As lart nder yje…
As enderr ne re…
Ku je?
Kapilaret shqyej
dhe,
vampire e vetes jam…
Te vdes?
Eshte pak…
Te rroj pa ty?
Ndeshkim mijra kilometra i gjate.
Cdo centimeter,
dhimbje
dhe
lot.
Notoj ne detin e urrejtjes tende,
Me shpresen qe te me falesh nje dite…
Por,
me kot…!
Nuk di ne kam gabuar…
Ku je?
Kam ftohte pa ty…
Mbaj kafken time ne dore…
Dhe…
endem rreth vetes
si murg
i zi…
duke mbartur
sirtaret e shprishur te dhimbjes...
ne kraharor...!

Nuk jam Penelopa…


Unë,
thur natën,
si merimanga,
Pëlhurën e dashurisë…
E,
ditën,
shthur,
atë,
që është endur
në një epokë
tjetër…
Nuk jam Penelopa.
Mtonjësit,
nuk erdhën.
U trembën,
fantazmat
e Itakës së vjetër…!

Rusia s’qenka aq larg…!


Ti,
je
këtu.
Kërcasin
hapat e tu
në prag…
Ta ndiej erën…
Më lag
deti i syve…
Kolltuku,
lakohet
nga pesha
e trupit tënd…
Rusia,
s’qenka aq larg!
Ti
je
këtu.
Dëgjoj
zhurmat e stepës.
Dhe,
zgjas duart,
të të kap…!


Statujat e qëndresës


Doja,
kokën,
ta mbështesja
diku...
Në krahët
e tu?
Po!
Në krahët
e tu.
Ti,
si statujë
e qëndresës,
më vështroje…
Unë,
si somnambule,
mes ëndërrash,
rendja:
Në buzët,
e puthjeve
të ngrohta.
Në malet,
e shpatullave
të hijshme.
Në kraharorin,
e gjerë
si deti.
Në labirintet,
e ngatërruara,
të mendimeve…!
Po ti?
Statujë e qëndresës?
Jo!
Më vështron
vjedhurazi…
Ç’keni me mua
o njerëz?
Lermëni,
kokën,
ta mbështes,
tek ai…!
Dashuria...


Pasi mbaroi funerali
i mbretit Hamlet
dhe i bukuroshes Ofeli,
Dashuria,
u kthye tek ne
perseri.
E cmendur,
se doli nga kafka e saj...
E mencur,
se doli nga kafka e tij...
Testamenti i Evës

Sikur Eva,
të mos e linte,
në testamentin
e saj,
Ajo,
s’do egzistonte.
Dhe,
llumi i ndyrë
i hipokrizisë,
do pushtonte,
botën...!
Por...
pakëz
të njollosur,
na e fali.
Përzier
me hipokrizi.
E vërteta,
endet
rrugëve,
si fantazmë.
Dhe…
Veç
të marrët,
e ftojnë
në gosti…!!!

Ftesë në varrimin tuaj


Të gjithë
morën
ftesa.
Por,
asnjë
nuk erdhi.
Të gjithë
derdhën
lotë.
Por,
asnjë
nuk qau.
Të gjithë
folën.
Por,
asnjë
nuk tha
të vërtetën…!
Dhe,
të pakallur,
të lemerisur,
në mes të rrugës,
Atë,
e gjetën.
O njerëz!
O hije!
Me këmbë
mos e shkelni!
Do vijë
ai shekull.
Do vijë
ai muaj.
Do vijë
ajo ditë
e bardhë
perëndie.
Dhe,
ai,
do qeshë,
në varrimin
tuaj…!!!

Eja i bukur, Promete…

Ti,
je.
Ti,
s’je.
Te ndjej,
dhe
s’te ndjej…!
Shfaqesh i persosur,
diku,
zhdukesh pak me tej….!
Te kerkoj
por,
trembem!!!
Kam frike te te gjej…
Ti,
je.
Ti,
s’je.
Imazhe qe fluturojne andej…!
Ti,
s’je
ne rruget me pluhur,
ne rudhat e kohes
te flakura tej…!
Ti,
je
ne puthjet,
dritherimat,
ne gjakun
qe cmend legjendat,
te ndjej…
Ti,
s’je
ne syte qe u lodhen,
nga erresira
me emrin: Dite.
Ti,
je
ne endrrat e bardha,
qe,
embel,
dritherojne
drite.
Ti,
s’je imazh interneti,
qe,
ndjek valet
e,
shfaqet ne Yahoo.
Ti ndiej hapat,
eja!
Jam duke te pritur,
ketu.
Eja,
sillma zjarrin.
Dua,
edhe pakez drite…
Eja i bukur,Promete!
Harroji
Perendite!!!

Përgatiti:Flori  Bruqi


Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...