Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/08/30

Letërsia në totalitarizëm dhe Kadare


[fryma] Letërsia në totalitarizëm dhe Kadare

Friday, 26 August, 2011 16:22
From:
 
 
To:
ptcflomed@yahoo.co.uk


Botimi i ri/ Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botoi “Naimi”, Tiranë 2011.

-Monografi dhe dokumente të reja për kontrollin e letërsisë nga regjimi-

Kopertina_per_shtyp
Libri i ri, që pritet të hidhet në treg këto ditë, “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, është në vijim të botimit të mëparshëm i “Një dosje për Kadarenë”, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2005 në Tiranë. Në maj të vitit 2006 “Një dosje për Kadarenë” u botua frëngjisht nga “Editions Odile Jacob”, me titullin “Le Dossier Kadaré”, në përkthimin elegant të Tedi Papavramit. Ky botim, i cili më vonë qarkulloi dhe në version të numerizuar (CD) dhe në formatin eBook, shoqërohet nga bashkëbisedimi i shkrimtarit Ismail Kadare me studiuesin francez Stéphane Courtois, një prej specialistëve më autoritarë të historisë së luftës së ftohtë në Europë, drejtor i Qendrës së Studimeve Kombëtare të Francës (CNRS - “Centre National des Recherches Scientifique”).
Botimi i ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “dossier K”, nën siglën e e shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ka shumë ndryshime prej të parit dhe prej botimit në gjuhën frënge. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Paraqitja e dokumenteve bëhet sipas kronologjisë. Paraqitja e dokumenteve metodologjikisht është bërë njësoj: në fillim një argument i mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen, duke përdorur leksikun e hartuesve të tyre (në ligjëratë të drejtë, në shkallën që ishte e mundshme); në vijim fjalët dhe shprehjet kyçe, për t’u dhënë lehtësi studiuesve të njehsojnë interesat e tyre; dokumentet vetë me titujt që mbajnë në burim dhe me tipologjinë që kanë shenjuar nënshkruesit (recension, relacion, letër, ekspertizë), si dhe me të dhëna për persona historikë. Në fund gjenden: signatura (treguesit arkivistikë që mundësojnë rikërkimin); shenjimet e plota të nëpunësve, funksionarëve dhe të lidershipit politik; të dhëna të tjera prej shërbimit arkivistik në zyrën fondkrijuese.
Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit/debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD.
Në botimin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botimet “Naimi”, Tiranë 2011, u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.


Ballina_e_librit_te_ri_letersia_dhe_totalitarizmi
Pse një libër i ri për “fenomenin Kadare”?
Nga Shaban Sinani
Njohja e burimeve dokumentare për gjykimin dhe rendin zyrtar të botimit të letërsisë në totalitarizëm, një çështje kulturologjike në pamje të jashtme, në të vërtetë, përveç aspektit të funksionimit të veprës në variante tekstore, ka dhe një anë tjetër thelbësisht letrare, që lidhet me historinë e receptimit të veprës, me receptuesit e parë të saj, me funksionimin dhe mosfunksionimin e ligjshëm të skemave të komunikimit të veprës “pasi autori ka vdekur”, domethënë pasi vepra është shpallur dhe lexuesi (bashkë me të dhe studiuesi) nuk duan t’ia dinë për mendimin e autorit. Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimin të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohë e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën.
Studimin e letërsisë së realizmit socialist në kushtëzimin e vet me politikën, ideologjinë, kanonet zyrtare, nuk e pengojnë vetëm paragjykimet e pafundme dhe mitizimi deri në përjashtim i fuqisë dhe modernitetit të metodës, por dhe faktorë të tjerë, si mungesa e arkivave të krijimtarisë (arkivat e dy shtëpive botuese, arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve, arkivat e teatrove, arkivat e kinostudios, përgjithësisht arkivat e krijimtarisë, janë dëmtuar deri në moskthim). Kjo pamundëson certifikimin dëshmues të historisë së receptimit të veprës letrare në procesin e editimit të saj (që shumë shpesh mund të kthehej dhe në proces ndalimi), ku do të veçohej roli i redaktorëve, recensuesve, rirecensiuesve, diskutimeve në redaksi, ekspertimeve të jashtme, konsultimeve zyrtare me Lidhjen e Shkrimtarëve, i pjesëmarrjes në diskutimet ideologjike në organizatave të partisë, i vërejtjeve të sektorit të kulturës, sektorit të botimeve dhe sektorit të shtypit në aparatin e KQ të PPSH; i raporteve të posaçme të ministrisë së punëve të brendshme dhe policisë politike, porosive dhe urdhrave të udhëheqjes së lartë të PPSH dhe e të qeverisë; deri tek ekspertimet me qëllime kriminalistike. Këtyre u shtohet dhe fakti që, pasi realizmi socialist u shemb bashkë me sistemin politik, karakteri i sistemit letrar në hapësirën shqiptare ndryshoi, nënsistemet e saj filluan së funksionuari si një sistem policentrik, hierarkitë e vjetra autonome u shembën gjithashtu dhe sinkronikisht lindën dhe vullnete të kundërta: për të ruajtur a për ta ndryshuar status quo-në e mëparshme, pavarësisht deformimeve të saj.
Të gjitha këto e bëjnë të detyrueshëm vështrimin e raportit të letërsisë me politikën shtetërore në totalitarizëm, si mundësia e vetme për të deshifruar procesin e ndërlikuar të editimit të letërsisë në shoqëritë e kontrolluara; historinë e receptimit të saj në fazën para publikimit; shkaqet e përshtatjes së letërsisë dhe të shfaqjes së dukurisë së motërzimit; arsyet pse midis dorëshkrimit dhe botimit ka dallime shpesh të karakterit të vullnetit krijues.


Reagim i drejtuesit të shtëpisë botuese “Naimi”:
Duke marrë shkas nga ligjërata e prof. dr. Shaban Sinani, mbajtur para dy ditësh në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku, ndër të tjera, autori iu referua librit të vet më të ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, i cili këto ditë del në treg nën siglën e botimeve “Naimi”, në median kosovare dhe pastaj edhe në Tiranë janë publikuar disa shkrime me referenca dhe informacione të pasakta. Për respekt të lexuesit dhe të së vërtetës, sqarojmë se disa citime të vëna në gojën e profesorit apo të librit të tij janë të pasakta. Kështu, për shembull, nëse autori në ligjëratën e tij, apo edhe në libër, duke iu referuar burimeve arkivore vë në dukje se “në vitet 1970-1980 vetëm udhëheqja partiake merrte mesatarisht 7-14 letra vullnetare nga populli”, kjo nuk do të thotë që këto letra e ankesa me shkrim ishin të gjitha për shkrimtarin I. Kadare apo për veprën e tij. Po ashtu, disa media kanë vënë në gojë të autorit të librit citime nga dokumentet e asaj kohe të ofruar në libër si dëshmi apo ilustrim. Ndërkohë, disa gazeta librin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”,  e kanë ngatërruar me librin tjetër të botuar para disa vitesh me titullin “Një dosje për Kadarenë”, duke shkaktuar konfuzion tek lexuesi i interesuar.
Naim Zoto, drejtor i shtëpisë botuese “Naimi”


Skeda e librit:
Titulli: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”
Autor: Prof. dr. Shaban Sinani
Shtëpia botuese: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare
Redaktor: Naim Zoto
Recensues: Blerina Suta, Eldon Gjikaj
Gjinia: Studim monografik dhe dokumente
Gjuha: shqip
Nr. i faqeve: 472 faqe
Çmimi: 1000 lekë/ 10 euro
ISBN: 978-9928-109-09-5
Viti i botimit: 2011.

Xhelal Zejneli : SHQIPTARËT DHE STUDIUESIT GJERMANË



Xhelal_zejneli
Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një "terra incognita" për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimish, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjestës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor.  
Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnicin (Gottfried Ëilhelm Lajbniz, 1646-1716) dhe me historianin suedez Tunman (Hans Erich Tunmann, 1746-1778; profesor në universitetin e Halles në Gjermani). Tunman është një nga albanologët e parë. Në veprën e tij Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774) bëhen orvatjet për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas tij, bazuar në dokumentet e lashta greko-latine e bizantine, del se shqiptarët mesjetarë janë vazhdues autoktonë të ilirëve.
Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij - Lajbnicit. Këtë përpjekje ia kishte kërkuar bibliotekari i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri letra që tanimë njihen si "Letra shqiptare"  të cilat ai i dërgonte bibliotekarit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit. Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen "gjuhë e ilirëve të lashtë". Enciklopedisti i gjuhëve - Lajbnici - thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë "Doktrina e kërshtenë" (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe "Fjalori latinisht-shqip" ("Dictionarium latino-epiroticum") (1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë.
Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit. Më 1774 u botua në Lajpcig libri i TunmanitKërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, kushtuar historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve dhe të rumunëve. Tunmani del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Tunmani kishte vënë në dorë Fjalorin latiisht-shqip të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga Uiliam Xhons rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit. Gjuhëtari gjerman, një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867)është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Filozofi dhe teoricieni i historisë së shekullit XVIII Johan Gotfrid Herder në veprën e tij "Ide për historinë e njerëzimit", 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herder-i në këtë vepër thotë për shqiptarët: "Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane". Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për Herderin  a) shqiptarët janë popull me histori të lashtë; dhe b) shqiptaërt rrjedhin prej ilirëve. Në vitin 1850 August Shlajheri vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes. Studiuesi dhe albanologu gjerman Jozef Riter fon Ksilander (Josef Ritter Xylander,1794-1854) është autor i veprës Gjuha e shqiptarëve (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren,1835).         
Në kohën kur është botuar vepra në fjalë e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Halkokondilit dhe historianëve kishtarë Le-Quien dhe Assemani, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët Albania e Kaukazit.
Herderi është autori i tretë gjerman (e njëkohësisht evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hynë në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare - autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëmzgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkenncore. Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të huaja, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore e të së kaluarës, duke lënë vepra interesante. Konsull i përgjithshëm i Francës në Janinë u emërua Pukëvil-i (François Charles Henry Louis Pouqueville, 1770-1838, mjek, natyralist, diplomat dhe historian, ndoqi nga afër e për shumë vite veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës). Në veprat e tij jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si në Udhëtim nëpër Greqi (6 vëllime, Paris,1820),Historia e ringjalljes së Greqisë. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët. Përfaqësues politik i Anglisë në Janinë u emërua Uilliam Martin Lik-u (1777-1860). Liku është autor i veprës Udhëtime në Greqinë e veriut (1835). Me këto punime bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij.
Për qëllime njohëse e studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglezXhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kam Hobhaus (1786-1869) deri te dijetari fancez Ami Bue (1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej. Në këngën e dytë të poemës së vet Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez pranon pikëpamjen fantastike të shprehur nga historianët kishtarë Le Quien dhe Asemani nga mesi i shekullit XVIII.
Për shqiptarët Liku flet në veprat Udhëtime në Greqinë e veriut (Travels in Northern Greece, Londër, 1835) dhe Researches in Grece, 1854. "Udhëtime në Greqinë e veriut" është një vepër themelore për historinë e Shqipërisë jugore, me informacione historike, gjeografike, ekonomike, gjuhësore, etnografike, arkeologjike etj. që shtrihet në kohë nga e sotmja deri në lashtësinë klasike, ku bie në sy njohja e burimeve të lashta greke e romake lidhur me trojet e Shqipërisë së jugut. Liku arriti në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre qysh nga fillimi i epokës historike.
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në "klubin" osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet 40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë.

Në fillim të shekullit XIX problemi i prejardhjes dhe i gjuhës së shqiptarëve u bë objekt i hetimit shkencor për arbëreshët e Italisë, të cilët tani kishin hyrë në etapën e një zgjimi të vetëdijes për kombësinë e lashtë së cilës i përkisnin. Së pari Nikollë Keta (1742-1803) në veprën "Etimologji të gjuhës shqipe" argumentonte autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Në "Annales des Voyages" (vol. III, 1809) (Analet e udhëtimeve) të botuar nga Malte-Brun, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi(1758-1821) botoi punimin "Ese për prejardhjen e zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar" duke argumentuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij "Udhëtime në Greqinë e veriut" në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren, në të cilin duke u mbështetur në 35 00 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët - pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane. Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Studiuesi dhe albanologu gjerman, njëri nga themeluesit e shkencës së albanologjisëJohan Georg fon Han (1811-1869) i lindur në Jena, gjatë udhëtimit në Shqipëri e Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsll i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t'i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi "Studime shqiptare" (Albanesische Studien, Jena, 1954). Më vonë botoi veprën Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit (1867-1869). Në veprën Studime shqiptare Hani thotë: "Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij  vendi ." Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën Udhëtim nga Beogradi në Selanik. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve.  "Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë" (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar.       Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë. Më 1855 u botua teza e doktoraturës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën nga pozita antishkencore ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.                                               
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani gjerman i mesit të shekullit XIX - Falmerajeri (J. Ph. Fallmerayer), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Në veprën e tij në tri pjesë Elementi shqiptar në Greqi, 1857, Falmerajeri përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Falmerajeri  zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë dhe përballë rrebesheve më të egra të historisë.                                                     
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bop-i (1791-1867), profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajher-i (1821-1868). Më 1843 F. Bop-i shqyrtoi numrorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti në përfundimin mbi karakterin indoevropian të shqipes, duke konfirmuar përfundimin e J. R. fon Ksilanderit. Më 1850 August Shlajheri, i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, kishte provuar karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten. Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megaliidhesë rreth një lidhjeje të lashtë preardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët. Qysh në vitin 1861 arkeologu francez Leon Hezej (Leon Heuzey) vizitoi dhe përshkroi një sërë qendrash të lashta, ish-koloni greke të lashtësisë.              Edhe studimet për gjuhën shqipe filluan të dalin përtej kufijve të Gjermanisë. Gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (1813-1899), profesor në Universitetin e Vjenës, nga vitet 60-70 të shekullit XIX u mor me historinë e shqipes (së cilës ai i njohu prejardhjen ilire) dhe me problemet e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera në fushë e leksikut. Po kështu nga vitet 80 të shekulit XIX gjuhtari çek Jan Urban (1848-1923) u mor me problemet e gjuhës e të folklorit shqiptar. Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor Memesen-it. Në punimin e vitit 1850 Dialektet e Italisë së Jugut ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij Historia e Romës, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan "shqiptarë të lashtësisë".                                                           
Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve. Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe nga profesori austriak dhe albanologu Gustav Majer-i (1850-1900). Majeri hapi rrugën e studimit të fonetikës historike të gjuhës shqipe në të cilën më vonë do të jepnin kontribute themelore figura të tilla të gjuhësisë si Holger Pedersen-i (1867-1953; gjuhëtar dhe shkencëtar danez, albanolog), Norbert Jokli (1877-1942; pedagog dhe studiues austriak, albanolog) e deri te Eqrem Çabej (1908-1980) dhe studiues të sotëm si Erik Hempi, Martin Huldietj.                    
Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët e, me të bashkë, nis dhe antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologuRudolf Virhov (Rudolf Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin Mbi kraniologjinë e ilirëve. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirë.                                 
Nga fundi i shekullit të kaluar Helbig-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut.              
Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të siujdhesës apenine, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin  një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t'i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen. Studiuesi gjerman S. Buge në vitet 90 të shekullit XIX botoi punimin Mesapishtja dhe shqipja ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh. Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera si ai i studiuesit italian F. Ribeco (F. Ribezzo). Në vitet 30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman A. fon Blumental, kurse në vitet 60 të atij shekulli - studimet e O. Has-it.
Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Një ndër përpjekjet më të hershme për ta parë gjuhën e ilirëve në një kontekst të dyfishtë, si paraardhëse të shqipes e në marrëdhëniet e saj indoevropiane u bë nga gjuhëtari i shquar gjerman e një nga helenistët më të mëdhenj - Paul Kreçmeri në kryeveprën e tij Hyrje në historinë e gjuhës greke (1896), ku problemet e ilirishtes trajtohen në unitetin e tyre me shqipen dhe mesapishten.
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes. Para monumentit që ata kanë ngritur në fushën e historisë e të gjuhës shqipe, shqiptaërt përulen me mirënjohje të thellë.   
*          *          *
            Më 23 gusht 2011 Beogradin e vizitoi kancerlarja gjermane Angela Merkel. Me këtë rast, ajo ia bëri me dije kryetarit të Serbisë Boris Tadiqit se pavarësia e Kosovës, sovraniteti dhe tërësia e tokave të saj janë çështje e mbyllur.
            Kombi shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë popullin gjerman e ka në zemër.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...