2011-12-20

Amerikani që ka mall për Shqipërinë


Elinda Marku
 
Amerikani që ka mall për Shqipërinë
 
Ani Sharpe, nga i vendi i liqenit pa kufi të Lasgush Poradecit jeton në shtetin Michiganit prej viti 2000, vit kur vendosi të lidhë jetën e saj me Kevin Sharpe një audioinxhiner dhe producent muzikor mjaft i njohur jo vetëm në Michigan, por edhe më gjërë. Ndihet mirë me jetën që ka ndertuar me Kevin dhe djalin e saj Keisi, që tani i ka kaluar 8 vitet në shtetin ku jetojne të paktën 180 000 mijë shqiptarë, i njohur për 64988 liqene ose siç quhen në anglisht "Lakes and Pands". Tani i duket e largët data 29 korrik e vitit 2000 kur bëri dasmën e saj në Pogradec me tradita e zakone shqiptare…! Me mall e kujton ditën e largimit të saj nga vendi i lindjes, sikundër kujton po me mall datën 17 shtator kur nusëroi në USA me tradita dhe zakone krejt të ndryshme nga të shqiptarëve …! Në vitet e para të jetës së saj, në kontinentin e shpresës së mirë, Ani punoi si menaxhere në një nga kompanitë më të mëdha në të gjithë Amerikën, “Wallmart”. Ndërkohë Kevin, bashkeshorti i saj punonte si audio-inxhinier, “Ogilvy and Mather” Ford Comerial, pranë kompanisë më të madhe dhe me të njohurën jo vetëm në kontinentin amerikan për prodhimin e makinave, Ford.
Ani dhe Kevin Sharpe, dy njerez të largët nga prejardhja gjeografike, nga prejardhja e gjuhës e traditave, tashmë te dy janë po aq të afërt e po aq të lidhur, si të jenë të së njëjtës gjuhë, rrace e traditë. Keisi, djali i tyre 8 vjeçar është bir amerikani, sikundër nip pogradeci, dhe siç tregojnë prindërit e tij, ai është krenar që është bir amerikan, ashtu edhe nip shqiptar.
Kur i takon dhe shijon një kafe me ta… vetishëm kupton se Kevin Sharpe nuk ra në dashuri vetëm me një vajze shqiptare… sepse teksa flet me të… kupton njeherazi edhe dashurinë që ai ka për Pogradecin, për Shqipërinë e largët, në fakt të afërt tashmë për të . Sepse jeta e Kevinit nuk eshte e lidhur thjeshtësisht vetëm me bashkëshorten e tij dhe me familjen e saj , por edhe me Shqipërine, për të cilën pohon se e zë malli shpesh .
Kevin Sharpe …producenti i njohur por i dashuruar me liqenin e Poradecit, kur fillon e të tregon për Pogradecin që ai e do shumë… Tregon si të ketë qënë dje në Shqipëri për bukuritë e qytetit të liqenit, për liqenin hijeplotë, që e quan një ndër liqenet më të bukur në glob… , për bujarinë dhe mikpritjen e banorëve të zonës…, për koranin që nuk e gjen askund në botë për nga shija dhe hijeshia që ka …
Flet me pasion, sikur do të ketë frikë se koha e rrëfimit të tij të mbarojë për Shqipërinë, të cilën e ka vizituar thuajse qytet më qytet. E, teksa tregon, duket sikur Shqipëria të jetë vendlindja e tij e dytë. Është lindur dhe rritur ne Michigan, shteti ku një banor i tij nuk gjëndet kurrë më shume se 10 km larg njërit prej liqeneve të tij të shumtë.
Por ja që Kevini vazhdimisht flet për liqenin e Pogradecit i mrekulluar, sikur atje të ketë zbuluar kuptimin e vërtetë të krijesës së ujtë që u quajtka liqen … Kevin Sharpe, audioinxhiner dhe producent muzikor, ka punuar nga viti 2003 deri në vitin 2006 në kanalin televiziv Fox 2, kanali televiziv më në zë jo vetëm në Michigan por edhe më gjërë. Ai punoi për PBS në filmin televiziv për fëmijë, “My bedbugs” transmetuar nga Fox2 për tre vjet rrjesht, që është transmetuar një orë për çdo ditë. Filmi që shënoi një numër rekord shikuesish ka fituar 13 çmime “Emmy Award” vetëm për vitin 2006 dhe 38 çmime për gjithë sezonin. Ai kujton me nostalgji se si veç punës së inxhinierit të zërit, shkroi skenarin e njërës prej serive të këtij filmi dhe konkrerisht serisë me titull “Space adventure” (“Aventura në hapësirë”), Bëhet fjalë pra, për filmin televiziv për femije, “My bedbugs” një ndër filmat më edukative, më të njohur, më të suksesshëm dhe më të ndjekur nga fëmijët. Dhe pikërisht për “Space adventure” (Aventura në hapësirë) Kevini Shape fitoi “Globin e Artë” si producenti më i mirë në Michigan. (The Best Pruducent in Michigan).
Gjatë të tria viteve të këtij transmetimi, Kevin është kurorëzuar tri herë me çmime awards, për punën e tij si Producenti më i mirë, ( The best audio post production) dhe , “The National Academy of Television Arts and Sciences”.
Ishte viti 2007 kur Ani Sharpe, mbasi kishte njohur aftësitë profesionale të Kevinit, vendosi të tërhiqej nga puna që bente si menaxhere në “Wallmart”. Kishte menduar më tej, që aftësitë dhe eksperiencën e saj shtatë vjeçare në menaxhim ta vinte në sherbim të talentit të bashkëshortit të saj. Ishte kjo, koha kur Ani dhe Kevini, hapën studion e tyre të produksionit muzikor “metro37 ”, një studio e cila brenda dy viteve u bë një ndër studiot më në zë e më të suksesshmet jo vetem në Detroit, dhe Michiganin që numuron më shumë se 10 milionë michiganas, por që arriti të bashkëpunojë me këngetarë e grupe muzikore të karrierës dhe të famshëm në të gjithë Amerikën.
Konkretisht prej ketij viti dhe vazhdim, “metro 37” bashkëpunon dendësisht me, Hank Williams, i cili mban titullin “master inxhinier” dhe që bashkëpunon çdo ditë me, Taylor Swift, Brad Paisly, Blake Shelton, Alice Cooper, Cliff Richard, Zac Brown Band, Kieth Urban, Allison Krause, Robert Plant , Toby Keith, Tim McGraw dhe Reba etj. Rastësisht u gjenda në studion e Anit dhe të Kevin, pra në studion “metro37” ditën kur erdhi artisti i madh Lloyd dhe Lil Wayne, të cilët brenda ditës edituan këngën e tyre më të fundit, nga Kevin. Titulli i këngës është: “Dedication to my ex”. Kjo qe për mua jo vetëm një suprizë dhe kënaqësi e jashtëzakonshme, por u përshkova nga një ndjesi e rrallë krenarie, teksa shqiptarja Ani Bakollari (Sharpe) pret e përciell  bashkepunime në studion e saj me yje bashkëkohore të ketyre përmasave. Gjithashtu, “metro 37” bashkëpunojnë edhe me “Interscope IMF”, “ Universal Music Group”, “Sonny Production” kompani produksioni keto më të mëdhatë e më të njohurat në botë. Mjafton që lexuesi i ketij shkrimi të klikojë online në “Univerale Music Group” ose ne www.metro37.com për të shikuar gjithë listen e artistëve, grupeve të muzikës me të cilët bashkëpunon kjo studio produksioni.

“Metro37” ka si president të saj producentin e suksesshem Kevin Sharpe, menaxhuar me shumë vëmëndje dhe përkushtim nga shqiptaria pogradecare Ani Sharpe. (CEO). Ani Sharpe, me këtë bisnes të suksesshem jo vetëm ka arritur një mirqenie për familjen e saj, por ka arritur të organizojë me Kevini, koncerte dhe aktivitete bamirësie për femijët që vuajnë me autizëm, për ato fëmijë që dhe pse kanë probleme shëndetësore, spikasin për talentin e tyre në muzikë.
Këtë aktivitet fillimisht ata e nisën në ndihmë një vajzë e cila luante mrekullisht bukur në kitarë, por që për arsye të sëmundjes që kishte , talenti dhe ëndrra e saj për t’u bërë kitariste, kishin mbetur jashtë vëmëndjes së shoqërisë për’rreth. Dhe, Kevin që nuk ishte ndarë kurrë nga bota e fëmijëve, as tani mbas largimit nga filmi për fëmijë dhe televizionit PBS, iu përkushtua bashkë me Anin kësaj “aventure”. Organizimin e koncerteve, menaxhimin e aktiviteteve në ndihmë të fëmijëve me probleme shëndëtësore, por me të dhëna të veçanta për të kënduar, apo luajtur në instrumente muzikore, si piano, organo, kitarë, flaut etj. Të gjithë lekët që mblidhen nga koncertet që Ani me Kevin oragizojnë çdo 17 shtator, shkojnë si ndihmë direkt tek fëmijet që ato kanë zgjedhur t’u gjinden e t’i ndihmojnë. Ani dhe Kevin kanë zgjedhur datën 17 shtator për koncertin më të madh të vitit, që bëhet enkas për këtë qëllim, pikërisht diten kur ato u martuan dhe lidhen kurorë në Amerikë. Keshtu pra, e festojnë çdo vit përvjetorin e martesës ky çift. Nga ky aktivitet çifti Sharpe, ndihmojnë me të ardhura financiare këta fëmijë dhe prindërit e këtyre fëmijëve, por kështu edhe i inkurajojnë e i mbështesin edhe moralisht teksa u japin kënaqesinë dhe krenarinë që nuk tregohet, po qe se nuk i shikon vetë sytë e këtyre fëmijëve, teksa të paktën një herë gjatë fëmijërisë, këta fëmijë shpallen dhe ndihen “Superstar” të vërtetë. Ndërkohë, gjatë kohës tjetër të vitit, kur nuk bëhen koncerte, prezantime albumesh të reja, ose aktivitete me bashkepunëtorët e “metro37” shkojnë në çdo shkollë të qytetit ku jetojnë , Troy city, dhe interesohen që të krijojnë kontakte më femijë të lindur me autizëm, prindërit e të cilëve nuk e përballojnë dot blerjen e instrumentit muzikor që luan fëmija e tyre, por e marrin me qera, dhe “metro37” ua bën dhuratë instrumentë muzikorë për raste festash, pikërisht këtyre fëmijëve. Krijojnë lidhje e bashkepunim me ato shkolla që nuk e përmbajnë në programet e mësimdhënies lënden e muzikës. Në rastet kur ndonjë nga shkollat që kanë, qoftë edhe vetëm një f
ëmijë me autizëm dhe që është lidhur ngusht me muzikën, studioja “ metro 37” sponsorizon shkollën , që të mund të mbajë në stafin e saj të mësues të lëndëve të muzikës. Pra, Ani edhe pse i propozoi të shoqit të largohej nga filmi për fëmijë që të hapnin bisnesin e tyre, asnjëherë nuk e ka ndarë Kevinin nga bota e fëmijëve, përkundrazi edhe ajo vetë, ka krijuar një lidhje pothuaj prindërore me femijët që ajo i quan, jo fëmijë të sëmurë, por fëmijë Special. Kevin i cili ndihet aq krenar për shqiptaren e tij, po kaq ndihet krenar për këtë lidhje speciale, (do ta quaja unë) që kanë krijuar me këta “fëmijë special” (siç i quan Ani) jo vetëm si çift, e si familje por, dhe si producente e si studio “metro37”. Familja Sharpe ditëve të diela, marrin pjesë në meshën e madhe që organizohet në Kishën Evangjeliste, e cila e transmeton meshën e saj në Radion Lokale të Detroitit, direkt në kanalin WMUZ, ku Kevini është i aktivizuar si audio-inxhinier, (teknik zeri) për gjithë transmetimin radiofonik të aktivitetit të kësaj kishe.
 
 “Metro 37” me dt 17 dhjetor ka organizuar koncertin e madh të mirënjohjes ndaj të gjithë atyre muzikantëve,këngëtarëve, grupeve muzikore dhe miqve për bashkëpunimet gjatë vitit 2011, me këtë studio, me rastin e festave të mëdha të Krishtlindjeve. Dhe, po me këtë rast, në këtë koncert “metro37” do të prezantojë, albumin me të ri të grupit muzikor “34Bliss” album i cili u realizua nga producenti Kevin Sharpe.
 
Së tanishmi, Ani Bakollari,Sharpe, shqiptarja nga Pogradeci thotë se ka një ëndërr. Një ëndërr, jo më pak të bukur se sa ëndërrat që ka realizuar deri më tani. Që të mund të krijojë lidhjet me vendin e saj, jo vetem si bijë e atij vendi të cilin e viziton krejt privatisht e pa asnjë bujë, por të lidhë studion e saj, punën dhe suksesin e saj dhe të Kevinit me muziken shqiptare, për bërë të mundur bashkepunimin me muzikantë, grupe muzikore dhe këngëtarë shqiptare. Meqë, ashtu siç edhe i thotë shpesh të shoqit, në pozitat e një prej producentëve më të mirë këtu :- Në Shqipëri jo vetëm që këndohet bukur dhe shijohet muzika, por në Shqipëri ka yje të mëdha paçka se një vend i vogël! Tashmë Ani e ka drejtuar vemendjen e saj , sytë dhe deshirën e Kevinit, tek krijimi i një ure bashkëpunimi me producentë, këngetarë e muzikantë shqiptar. Teksa i ben vazhdimisht pyetje retorike vetes:
Pse të mos njihet e të bëhet edhe kënga shqiptare edhe këngëtari shqiptar një yll i vërtetë edhe në Amerikën e largët por, që në fakt nuk është më dhe aq e largët sa na ishte, as aq e largët sa ç’na duket?!” Keshtuqë, edhe amerikani që e zë malli për Shqiperinë, çmallet në mënyrë të dobishme me Shqipërinë, për muziken shqiptare.

Sa e pabes’ kjo vdekj’ e shkretë!


Eshref Ymeri
 
Sa e pabes’ kjo vdekj’ e shkretë!
 
       Sa e pabes’ kjo vdekj’ e shkretë! Askush s’e di se kur troket. Të shpifet mikesh’ e paftuar, Ta merr njeriun nëpër duar. Ma mori dhe mua një mik Kjo shpirtskëterr’ që s’pret dekikë. Të merr fëmijë, nënë a babë Dhe e panginjur kthehet prapë. Ma mori një mik fort të mirë Kjo tinëzar’ e pamëshirë, Kjo lugatinë surratnxirë Që forcat sikur m’i ka mpirë.
 
       Më 15 gusht 2011, në orën 13-30, sipas orës së Kalifornisë, më erdhi një e-mail nga Italia. Ma dërgonte zoti Luan Çarçani, një shoku im nga Vlora. Më njoftonte se miku im i vjetër, Seit Sulejmani, kishte vdekur në Barcelonë në orën 12-30 të po asaj dite (sipas orës lokale). M’u pikëllua çdo qelizë e trupit. Në ekranin e kompjuterit kërkova fotografinë e tij, kur e pati nxjerr im bir, Plarenti, në shtëpinë time, më 01 shtator të vitit 2009, kur kishte ardhur familjarisht për pushime në atdhe. Që kur mora e-mail-in e zotit Luan me lajmin e gjëmshëm që më përcillte, fotografinë e Seitit tim të dashur e këqyr nga ekrani i kompjuterit kohë pas kohe me zemër të vrarë, pa gjetur dot ngushëllim
       Isha njohur me Seitin në vjeshtën e vitit 1955, kur kisha filluar mësimet në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Banoja në konviktin që ndodhej mes ullishteve të Ujit të Ftohtë. Seiti ishte nxënës i Shtëpisë së Fëmijës në atë konvikt. Sepse ishte jetim. Ai dhe të tre vëllezërit e tij (Habili, Saliu dhe Siriu) u rritën në Shtëpinë e Fëmijës sepse prindërit u kishin vdekur që kur ata ishin të vegjël. Seiti mbaroi Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë dhe më pas Institutin Pedagogjik në Shkodër. E emëruan mësues në fshatin Gllavë të Tepelenës. Gjatë një dimri të ftohtë pati marrë plevit në mushkëri. Qe shtruar në spitalin e Beratit, ku doktori i talentuar Maksut Dërrasa i pati thënë se duhej të vazhdonte kurimin një mua rresht. Por Seiti, si mësues fizkulture që ishte, nuk e dëgjoi këshillën e doktorit dhe pas dhjetë ditësh u kthye në punë. Pas ca vitesh, e transferuan në fshatin Radhimë të Vlorës. Si bëri aty ca vite pune, e ritransferuan në gjimnazin e fshatit Brataj po të rrethit të Vlorës, por shumë më larg nga qyteti. Nuk shikohej me sy të mirë nga autoritetet komuniste. Se një dajon e tij ia kishin pushkatuar komunistët për bindjet e tij nacionaliste dhe  antikomuniste që gjatë viteve të luftës. Për më tepër, e shoqja e Seitit, zonja Gjyliana, shkodrane, një vëlla asokohe e kishte të burgosur për tentativë arratisjeje. Vetëm kur u përmbys sistemi komunist, Seiti arriti, më në fund, të punësohej në qytetin e Vlorës. Kur plasi kundërrevolucioni i vitit 1997, Seiti e shiti shtëpinë dhe emigroi në Spanjë. Pas shumë vitesh në emigracion, më në fund, mundi të blinte një shtëpi në Tiranë dhe kohën e kalonte herë në Spanjë, herë në atdhe.
       Pleviti i pakuruar i viteve të djalërisë, qelizat e sëmura të mushkërive, për gati dyzet vjet me radhë, i kishte mbajtur në gjendje letargjie. Por një ditë të bukur të vitit 2009, ato u zgjuan nga letargjia e gjatë dhe filluan sulmin kundër qelizave të shëndosha. Shenjat e egërsimit të qelizave të sëmura, dikur letargjiane, u dukën açik kur Seiti filloi të nxirrte gjak nga goja. U vizitua në sanatoriumin e Tiranës, ku një mjek i talentuar i tha se ishte gati ta operonte me shumë sukses, por problem ishte se mungonin ilaçet e paskurimit. U kthye në Barcelonë menjëherë. Pas analizave të hollësishme, rezultoi se ai plevit i mallkuar i viteve të rinisë, paskej degjeneruar në kancer zemërak. Në verën e vitit 2010 iu nënshtrua një operacioni të vështirë. Pas një viti, vdekja e pamëshirshme e hodhi në kthetrat e saj. Siç më njoftoi zonja Gjyliana kur u ktheva në Tiranë aty nga fundi i muajit tetor, punonjësit e funeralit e kishin pyetur nëse kufomën do ta varrosnin, apo do ta çonin në krematorium. Dëshira e tij, që para vdekjes, kishte qenë që të varrosej në Barcelonë. Dhe ashtu u bë.
       Prej dikujt mora vesh se një mjek i mirënjohur i Spitalit “Nënë Tereza”, këtu e ca kohë të shkuara paskej vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se të vdiste, kishte lënë porosi që kufomën t’ia digjnin në krematorium dhe hirin t’ia çonin në atdhe.
Dikujt tjetër që ka vdekur jashtë atdheut, kufomën ia kanë pas sjellë për varrim në atdhe, sipas dëshirë së të ndjerit dhe të njerëzve të familjes. Në këtë aspekt, është mjaft domethënëse një letër që Faik Konica i pati dërguar Fan Nolit:
“I shumënderuari Noli,
Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se do të ma kryeni këtë amanet”(Faik Konica. Vepra, vëll. 4, f. 288).
Rasti i vdekjes së mikut tim të ngushtë në Barcdelonë dhe rastet që përmenda më lart, më ngjallën interesimin për ritualet e pasvdekjes së njeriut, për të mësuar se si praktikohen ato në popuj të ndryshëm.
Larmia e ritualeve që lidhen me pasvdekjen e njeriut në popuj të ndryshëm është me të vërtetë befasuese. Sidomos domethënës është rituali i varrimit. Pavarësisht nga pangjashmëritë e ritualeve të varrimit, në botë ekzistojnë pesë mënyra varrimi: shtënia e kufomës në dhé, kremimi (djegia në krematorium në vendet e Perëndimit), djegia në zjarr (në vendet e Lindjes), lënia e kufomës në ajër të pastër, zhytja e kufomës në ujë.
Për qytetërimin perëndimor, mënyrë e pranueshme varrimi, siç u përmend më lart, është edhe kremimi, kurse mënyrat e tjera mund të dukeshin minimumi si të pakuptueshme. Por kjo pakuptueshmëri, të shumtën e herëve, nuk është gjë tjetër, veçse një voli, një dobi praktike. Kështu, fjala vjen, në mjediset malore dhe gurore të Tibetit, fizikisht është e pamundur të hapësh një varr, prandaj njerëzit zgjidhjen e kanë gjetur në djegien e kufomës në zjarr. Por në rruzullin tokësor ka vise, ku lindin probleme edhe për çështjen e sigurimit të lëndës djegëse. Se jo më kot zjarri rezervohet për njerëz më të privilegjuar. Në këtë rast kufomën e hanë korbat dhe egërsirat mishngrënëse. Në Tibet dhe në Mongoli ekziston një etapë e ndërmjetme, kur kufomën e presin copa-copa, mishin e veçojnë nga kockat, kockat i thërmojnë dhe pasi i përziejnë me elb, ua japin si ushqim shpendëve që grumbullohen pasi dëgjojnë tingujt e një briri. Vlerësohet si shenjë e mirë kur korbat e përpijnë kufomën shpejt e shpejt. Për më tepër, në Lindje nuk e pranojnë ritualin e shtënies së kufomës në dhé nisur nga ca këndvështrime besëtytnore: kufoma duhet asgjësuar detyrimisht, në të kundërt fryma e të vdekurit mund të kthehet mbrapsht dhe atëherë… Atëherë dalin në skenë lugetërit, vampirët, vurkollakët që nuk kanë ndonjë dallim në kulturat lindore dhe perëndimore.
Të gjitha mënyrat e varrimit shoqërohen me një ritual të veçantë. Në një libër që ka shkruar për ceremonitë mortore, studiuesi Habenshtejn shkruan se në mbarë njerëzimin nuk haset asnjë grup etnik që të vdekurin ta braktisë në mëshirë të fatit, pa kryer kurrfarë rituali mbi kufomën. Kjo praktikë është jashtëzakonisht e ngulitur dhe përfaqëson në vetvete një nga aspektet më të qëndrueshme të kulturës njerëzore
Jo rrallë ajo zbulon para nesh të dhëna të fshehta të kohëve të perënduara dhe të viseve më të hershme të banimit.
       Shkencëtari anglez Frejzer (Sir James George Frazer - 1854-1941), një antropolog, kulturolog, folklorist dhe historian i fesë ky, përfaqësues i antropologjisë sociale klasike angleze, ka dhënë një kontribut të shquar në studimin e totemizmit (kompleks besimesh dhe ritualesh të kohës së komunitetit primitiv që lidheshin me përfytyrimet për afrinë mes grupeve të njerëzve dhe të të ashtuquajturave totema, që ishin lloje kafshësh dhe bimësh që as duheshin vrarë, as duheshin prerë dhe as duheshin përdorur si ushqim), magjisë dhe transformimit të besimeve fetare gjatë tërë historisë së njerëzimit. Ai është autor i një vepre me 12 vëllime që titullohet“Dega e artë” (The Golden Bough), në të cilën ka sistemuar një material faktik për magjinë, mitologjinë, totemizmin, animizmin (besimin në ekzistencën e shpirtrave, e frymëve, një element i detyrueshëm ky i çdo feje), tabutë, besimet fetare, folklorin dhe doket e popujve të ndryshëm. Kur studioi aborigjenët (banorët rrënjës) e Uellsit të Ri të Jugut (New South Wales, NSW, shtet ky në juglindje të Australisë, njësia më e vjetër administrativoterritoriale dhe më e populluar e vendit, me kryeqytet Sidnein), ai zbuloi se kufomën ata e varrosnin ose në pozicionin e tendosur shtrirë në brinjë, ose në pozicion të përthyer, ose në pozicion vertikal, ose e futnin në zgavrën e trungut të ndonjë peme që e vendosnin mbi një ngritore (ngrehë, platformë, podium, skelë) dhe e mbulonin me trarë, ose e piqnin dhe e hanin.
       Studiuesi Perri pati përcaktuar prejardhjen e kombësive të ndryshme të Indonezisë dhe arriti të orientohej në rrëmujën që edhe sot është e pranishme në tridhjetë mijë ishujt e këtij vendi, duke shfrytëzuar si shenjë kryesore mënyrën e varrimit të kufomës. Ai zbuloi një lidhje shumë të dukshme mes pozës së varrimit dhe vendndodhjes së tokës së stërgjyshërve. Kështu, nëse banorët e ishullit Savu e varrosnin kufomën në pozicionin ulur dhe me fytyrë nga perëndimi, atëherë atdheu i parë i kësaj popullsie ndodhej detyrimisht në atë drejtim.
       Pavarësisht nga larmia e madhe e mënyrave të ndryshme të varrimit, ato të gjitha i bashkon një gjë: në çdo ritual varrimi gjen vend detyrimisht hamendja se vdekja nuk është fundi, ajo përfaqëson thjesht një kalim në një gjendje tjetër. Në një studim që ka kryer për sistemin e varrimit të një popullsie malajase, shkencëtari Robert Herc tregon se vdekja perceptohet jo si një ngjarje disi përfundimtare, por si njëra nga fazat e zhvillmit gradual. Malajasit dhe popuj të tjerë e konsiderojnë vdekjen si një proces që fillon që në ditët e para të jetës dhe një pikëpamje e tillë gjen pasqyrim në veprimet e komuniteteve të tyre
       Komuniteti kota në Indinë e Jugut kremon pothuajse të gjithë kufomën, me përjashtim të një pjese të kafkës, kurse varrimi i vërtetë organizohet më vonë, kur njerëzit binden se shpirti është shpërngulur nga trupi përfundimisht. Në ndërkohën mes këtyre ceremonive, i vdekuri konsiderohet si i pranishëm. Në këtë komunitet ai e ruan rolin e vet social deri në ditën e varrimit.
       Por jo në të gjitha kulturat vdekja konsiderohet si një hidhërim shumë i madh. Indianët e Paraguajit, deri në vendosjen e krishterimit, organizonin atë që quhej velorio, domethënë ballo me rastin e vdekjes. Trupin e të vdekurit e vendosnin mbi një tryezë që e rrethonin me lule dhe aty vazhdonin vallëzimin gjatë gjithë natës, deri sa zbardhte dita.
       Në ishullin Bali (Indonezi) praktikohet një ceremoni varrimi që të kujton karnavalet. Organizohet një procesion, gjatë të cilit njerëzit mbajnë mbi supe statuja prej druri me pamje kafshësh. Këto statuja janë bosh nga brenda, por pikërisht brenda tyre janë vendosur trupat e të vdekurve. Pas vdekjes, kufomat nuk i varrosin, por i ruajnë derisa të arrijnë sasinë e duhur, të mjaftueshme për organizimin e një kortezhi. Pas përfundimit të ceremonisë, kufomat i djegin, së bashku me statujat ku janë vendosur.
       Nuk dihet se cila është arsyeja që njeriu, aty nga mesi i periudhës së paleolitit, vendosi të hapë varre dhe që në fillim nisi t’i vendoste trupat e të vdekurve në një pozicion të caktuar.
       Natyra e shumicës së ritualeve të varrimit dëshmon se pjesëmarrësit e tyre, të vdekurit i konsiderojnë ende të gjallë dhe mundohen të marrin disa masa parambrojtëse për të shmangur plotësisht shfaqjen e tyre. Ceremonitë e kremimit mes indusëve kanë si qëllim që ta nxisin frymën e të vdekurit të niset për në vendin që i takon. Lama (murg budist) në Tibet, që merret me drejtimin e ceremonisë, para nxjerrjes së kufomës nga shtëpia, i drejtohet të vdekurit, duke i thënë se nuk duhet të duket në këtë vend dhe të shqetësojë të afërmit dhe farefisin.
       Në mënyrë që të vdekurit të mos i braktisnin varret e veta, egjiptianët e lashtë, për t’i dalë përpara një dukurie të tillë, i furnizonin ata me gjithçka të nevojshme. Në fisin indian hopi, njëri nga të afërmit e të vdekurit, pas varrimit, rri një i vetëm në pyll pranë varrit dhe, në një mënyrë simbolike, ia mbyll rrugën e kthimit për në fshat, duke hequr me qymur ca vija tërthore gjatë rrugës.
       Njerëzit e një fisi tjetër, në vendin e kremimit thyejnë një vorbë dhe të gjithë të pranishmit largohen me vrap drejt fshatit, pa e kthyer kokën prapa. Të gjallët ndjekin rrugën e tyre, kurse të vdekurit ndjekin një tjetër rrugë. Ata mendojnë se një ritual i tillë i ndihmon dhe prandaj këtij fisi fantazmat nuk i krijojnë ndonjë shqetësim.
       Rituali, sipas të cilit, pas vdekjes së burrit, gruaja duhet të sakrifikojë vetveten, lexuesve të kujdesshëm duhet t’u kujtohet nga një ngjarje që Zhyl Verni (Jules Gabriel Verne 1828-1905)e përshkruan në librin me titull “Rreth botës për 80 ditë”. Sigurisht që në këtë mes nuk kemi të bëjmë me një trillim të ngeshëm të autorit se në përmbledhjen e ligjeve në sanskritishte, në kreun që u kushtohet vejushave, haset një fjali e tillë:
        “Vejushës i takon ta djegë veten mbi trupin e burrit të saj”.
       Një ritual të tillë e kanë pas praktikuar gjermanët e kohëve të lashta. Në një legjendë gjermane thuhet se Brunhilda u shtri mbi zjarrin, ku po digjej i shoqi i saj Sigurdi, ama jo me detyrim, por në shenjë dashurie.
       Mes trakasve praktikohej poligamia, prandaj, kur vdiste burri, lindte problemi se cila nga gratë duhej të sakrifikonte vetveten. Zakonisht fillonin diskutime të pafundme se cila kishte qenë bashkëshortja më e dashur e tij dhe kur, më në fund, arrihej kompromisi, të përzgjedhurën e uronin në një mënyrë solemne dhe njerëzit më të afërm të saj e mbërthenin brenda varrit të të shoqit.
       Aborigjenët e Australisë së Veriut i varrosin të vdekurit në tokë, duke krijuar një kulm të madh dheu mbi varr, të cilin e ngjeshin me tokmak gjatë valles mortore. Fisi bavenda në Afrikën e Jugut, të vdekurit i lë në shtëpitë e veta. Në vise të tjera për të vdekurit ndërtojnë shtëpi të veçanta. Në Filipine këto shtëpi i ndërtojnë me tulla të posaçme. Maronitët e Libanit shtëpitë për të vdekurit i ndërtojnë prej guri, kurse në Madagaskar përdorin lesh dhe eshtra. Fisi ovimbundunë Angolë, të vdekurit i fut nëpër shpella, kurse ca fise malësore në Indi të vdekurit i lënë thjesht mbi dalëzat e shkrepave. Fisi santi-siu i qep kufomat në një lëkurë dreri ose bualli dhe i var ato në majat e pemëve. Në disa vise parapëlqejnë t’i hanë të vdekurit e vet, duke menduar se është më mirë të prehesh në stomakun e një miku sesa në dheun e ftohtë. Në Uellsin e Ri të Jugut, aborigjenët i pjekin ngadalë të vdekurit në zjarr, derisa mishi të tymoset siç duhet. Në ishullin Bali, të vdekurit i djegin në kulla të posaçme, duke e shoqëruar procedurën me një ceremoni të komplikuar dhe të zhurmshme. Në pjesë të tjera të botës, kufomën e djegin në cilindra të mëdhenj në shtëpinë e të vdekurit ose në krematoriume të posaçme.
       Në brigjet e lumit Gang ngrihen platforma prej guri, në të cilat indusët, pasi i lajnë kufomat në lumë dhe i lyejnë me vaj, ndezin zjarre për t’i djegur. Qëllon që në vend të zjarrit të përdorin ujin, si në Tibetin Lindor, ku kufomën, së bashku me një peshë, e flakin në lumë, apo si në Skandinavinë e lashtë, ku të vdekurit e kamur i vendosnin në një varkë të lehtë që e lëshonin në lumë për ta marrë rrjedha me vete.
       Larmia e ritualeve që praktikohen pas vdekjes së njeriut në vende të ndryshme të botës nuk mund të mos na befasojë. Dhe kjo për faktin se gjithsekush ka një përfytyrim të caktuar për vdekjen. Por të gjithë janë të bindur se vdekja është një bashkudhëtare e përjetshme e jetës dhe kësaj të fundit nuk i ndahet për asnjë çast. Por ka një dallim thelbësor mes tyre. Filozofi i shquar gjerman Niçe (Friedrich Wilhelm Nietzsche 1844-1900) thotë:
       “Ekziston një e drejtë, sipas së cilës njeriut mund t’ia marrim jetën. Por nuk ekziston ndonjë e drejtë, sipas së cilës mund t’ia merrnim vdekjen”.
       Gjithsekush nga lexuesit e nderuar mund të habitet me këto rituale varrimi që praktikohen mbi rruzullin tokësor. Në botën e krishterë (katolike dhe ortodokse), veç ritualit të shtënies së kufomës në dhé, praktikohet edhe rituali i kremimit. Kur kam qenë student në Bashkimin Sovjetik në vitet 1959-1961, kisha dijeni se në Moskë funksiononte krematoriumi. Në botën myslimane, me aq informacion sa kam, nuk njihet rituali i kremimit. Por për vendin tonë, ku sipërfaqja e tokës së punueshme është shumë e paktë, varrezat sa vijnë e po e zgjerojnë me shpejtësi sipërfaqen e tyre. Mendoj se autoritetet shtetërore duhet të mendojnë seriozisht për krijimin e një mendësie të re në radhët e popullit tonë, në mënyrë që edhe ne, me kalimin e kohës, të mësohemi dhe ta praktikojmë edhe ritualin e kremimit të kufomave, sidomos në qytetet e mëdhaja, duke filluar nga Tirana. Autoritetet shtetërore duhet të kenë parasysh se idenë e ngritjes së krematoriumit në Tiranë e ka hedhur i pari Faik Konica që në vitin 1921.
       Në mbyllje, të gjithë atyre që janë të pasur apo të varfër, të lumtur apo fatkeqë, dëshiroj t’ju kujtoj një fjalë të urtë franceze:
       “Nëse dikur do të mendosh se je njeriu më i lumtur në botë, bëj një vizitë në varreza. Por edhe kur të mendosh se je njeriu më fatkeq në botë, shko përsëri atje për një vizitë”.
 

2011-12-18

Adem Demaçi për Merkel: Engjëllusha jonë

Demaçi për Merkel: Engjëllusha jonë

Adem Demaçi është falendëruar. Në emrin e tij, mbase edhe të shumë shqiptarëve ka shprehur falendërimin për ndihmën gjermane e vecmas për Kancerlaren, Angela Merkel. Në një takim letrar, disidenti kosovar ka thënë se 'Merkel është engjullsha e shqiptarëve'. Nesër, Merkel do të qëndroj për disa orë në vendin tonë, disa ditë pasi ishte mjaft e zëshme në fushatën kundër dhënies për Serbinë të statusit të vendit kandidat në BE. Ajo do ti vizitoj trupat gjermane në kuadër të KFOR-it, ndërsa shkurtimisht do ta takoj edhe Kryeministrin Thaci në Aeroportin e Prishtinës.

Dëshmitarët e gjallë

Qosja: Isa i përzgjedhur i Rrahman Morinës


Shkruan:Rexhep QOSJA




Rexhep Qosja nuk e ka ndërmend të ndalet në konfrontimin verbal me LDK-në. 


Ai kësaj radhe ka plasuar një varg akuzash për LDK-në dhe kreun e saj Isa Mustafa. Në një shkrim tjetër autorial të titulluar “Dëshmitarët e gjallë”, i jep atyre një varg akuzash. Ai flet për përgjigjet që i ka dhënë funksionarëve të LDK-së, të cilët sipas tij i kishin shkruar kohëve të fundit. “Pas sulmit të komsomolistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i saj; pas sulmit të sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri; pas sulmit të kryetarit të LDK-së, që është njëkohësisht kryetar i Prishtinës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe aksionar klubesh, firmash, gazetash ditore e gazetash të murit, Isa Mustafa; pas sulmit me kumtesë të Kryesisë së LDK-së; më 1 dhjetor të këtij viti 2011, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës m’u vërsul edhe me një kumtesë, ç’është e vërteta me armatim më të ndryshkur se ç’ishte armatimi i katër sulmeve të përparme. Gjithsej u bënë pesë sulme! Dhe, me këtë sot, vetëm dy përgjigje të miat”, thotë Qosja ndër tjera. Kësaj radhe Qosja ndalet sidomos me akuza ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa, në lidhje me funksionet e kaluara të këtij të fundit. “Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, Rexhep Qosja, do të bëhet funksionar në administratën komunale të Prishtinës, do të bëhet, madje, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, që me terminologjinë e sotme do të thotë Kryeministër i Prishtinës, dhe do të bëhet i tillë për dy mandate, natyrisht si i përzgjedhur i Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit! Dhe ai, Isa Mustafa e jo unë, Rexhep Qosja, do të marrë pjesë në miratimin e në ekzekutimin e vendimeve me të cilat prej shtëpive të tyre do të nxirreshin dhunshëm shqiptarë e në vend të tyre do të futeshin serbë! E të tjera”, thotë Qosja. “Titullarët tuaj, e jo unë, do ta regjistrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd posa të formohet ajo. Titullarët e partive filiale të LDK-së, të krijuara për të luajtur lojë pluralizmi partiak jugosllav në Kosovë, e jo unë, do t’i regjistrojnë edhe ato në Beograd posa të formohen”, thotë ai në një shkrim të gjatë.



Përgjigja e dytë ndaj pesë paraqitjeve të Kryesisë së LDK-së kundër meje

 Pas sulmit të komsomolistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i saj; pas sulmit të sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri; pas sulmit të Kryetarit të LDK-së, që është njëkohësisht kryetar i Prishtinës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe aksionar klubesh, firmash, gazetash ditore e gazetash të murit, Isa Mustafa; pas sulmit me kumtesë të Kryesisë së LDK-së; më 1 dhjetor të këtij viti 2011, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës m’u vërsul edhe me një kumtesë, ç’është e vërteta me armatim më të ndryshkur se ç’ishte armatimi i katër sulmeve të përparme. Gjithsej u bënë pesë sulme! Dhe, me këtë sot, vetëm dy përgjigje të miat. Kështu, një parti që thotë e shkruan se ka 700.000 mijë anëtarë, edhe në qoftë se i ka vetëm 7000 apo, ndoshta, 700, e vazhdon betejën e saj kundër të vërtetave me të cilat kam vendosur ta ballafaqoj pavarësisht pasojave që më premtohen. Siç na mëson historia, sulme të këtilla kundër intelektualëve bënin inkuizicioni në Mesjetë, partitë fashiste në kohën e Duçes dhe partitë staliniste në kohën e Stalinit dhe, një kohë, pas tij. Lexuesit që i kanë lexuar veprat e mia dhe që ma duan të mirën, natyrisht, në letrat që më shkruajnë dhe në telefonatat që më bëjnë shprehin brengosje për mua. Njëri prej tyre më shkroi: Profesor, ki kujdes! Je bërë objekt sulmesh i një partie trashëgimtare e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë me përvojë të madhe rrenash, sulmesh, me shumë rrogëtarë e rrogëtaresha në media! Profesor, mos harro se edhe populli e thotë: shtatë të çartur e ulokë një të fortë e shtrijnë për tokë! Iu përgjigja: betejën morale dhe intelektuale e kam të fituar; për pasojat nuk dua të mendoj. Unë s’jam bërë shkrimtar për të shkruar vetëm libra; jo; unë jam bërë shkrimtar për të sendërtuar mision: për të luftuar të këqijat, mashtrimet, gënjeshtrat, shfrytëzimet që i bëhen popullit e për të mbrojtur të vërtetat dhe të drejtat, i bindur se vetëm me to, me të vërtetat e me të drejtat, i shërbej si duhet e ndershëm këtij populli, kulturës e qytetërimit të tij. Me pasojat që më sjellin betejat mendore kundër arrivistëve, mashtruesve, shfrytëzuesve, gënjeshtarëve, dhunëtarëve do të merret historia e letërsisë shqipe dhe historia politike shqiptare sepse unë, sigurt, ka kohë që edhe me jetën edhe me veprën time shkencore, letrare publicistike – historike i takoj historisë së Kosovës dhe historisë së popullit shqiptar në përgjithësi. Në këtë përgjigje të dytë, pas pesë sulmeve të saj, unë do t’i afrohem edhe tre hapa Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në vend se në veten e tretë do ta vendos në veten e dytë. Dhe nga kjo largësi, edhe për tre hapa të shkurtuar, do t’ia them të vërtetat që po bën aq shumë përpjekje që të mos i thuhen. Lexojini! Dëgjojini! Ju po bëni shumë përpjekje që të ndryshoni të kaluarën time dhe të kaluarën tuaj, por dua të jeni të bindur se asnjërën nuk do ta arrini. Të kaluarën time intelektuale dhe politike nuk mund ta ndryshoni sepse gënjeshtrat tuaja për mua i përgënjeshtrojnë mijëra faqe të veprave të mia shkencore, letrare dhe publicistike. Çdo lexues mund ta dijë se veprat e mia flasin për mua shumë më saktë se ç’mund të flasë kushdo tjetër: dashamir, kundërshtar a armik i imi. Të kaluarën tuaj politike dhe pseudointelektuale nuk mund ta ndryshoni sepse nuk do t’u lënë dëshmitarët e gjallë të cilët kanë parë me sy e kanë dëgjuar me veshë sesi jeni sjellë, çka keni bërë, çka keni folur, çka keni shkruar, çka keni treguar e çka keni fshehur, çka keni zvogëluar e çka keni zmadhuar, çka keni fituar e çka keni kusaruar, ku keni qenë e çka keni bërë atje ku keni qenë. Njëri prej këtyre dëshmitarëve të politikës e të veprimtarisë suaj të përgjithshme jam edhe unë: dhe jam dëshmitar me sy, me veshë dhe, natyrisht, me stilolaps në dorë. Kësaj radhe po ua përkujtoj vetëm disa, pra, vetëm disa, prej këtyre dëshmive të mia, i nxitur t’i tregoj nga gënjeshtrat e stivuara në kumtesën tuaj të fundit. Titullarë tuaj dhe anëtarë tuaj të ardhshëm, para se të bëhej LDK-ja, e jo unë, do t’i dënojnë demonstratat e rinisë sonë studentore e shkollore të 11 marsit të vitit 1981, si demonstrata armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit, integritetit territorial të Jugosllavisë dhe rendit socialist vetëqeverisës! Neveritem kur i rikujtoj të ngritur në këmbë duke u diferencuar. Dy prej titullarëve tuaj të mëvonshëm e jo unë, pas këtyre demonstratave do të bëhen sekretarë të organizatave themelore të Lidhjes së Komunistëve në institucionet ku punonin, kurse njëri prej tyre, pedagog në Fakultetin e Filologjisë, do të paraqesë referat shumë të gjatë në mbledhjen e diferencimit të organizatës së Lidhjes Komuniste në atë Fakultet, në të cilin me vrazhdësi të veçantë jugosllave do t’i dënojë ato demonstrata. Dhe, ndërsa ata do të përparojnë partiakisht, unë do të shkarkohem nga detyra e drejtorit të Institutit Albanologjik. Titullarët tuaj dhe anëtarët tuaj të ardhshëm me tituj nga fusha të ndryshme shkencore, shoqërore dhe ekzakte, e jo unë, do t’i dënojnë pamëshirshëm demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 në mbledhjen e parë të diferencimit në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, në të cilën unë nuk do të flas dhe në mbledhjen e dytë, në të cilën unë nuk do të pranoj të shkoj. Dhe, fjalimet e tyre dënuese të demonstratave, të shqiptuara në mbledhjen e 19 majit 1981, mund t’i gjeni e t’i lexoni në broshurën Krenarë në rrugën e Titos, shqip dhe serbokroatisht, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Titullarët tuaj dhe anëtarët tuaj të ardhshëm, e jo unë, do të shihen shpesh, me vite të tëra, në Televizionin e Prishtinës, duke përfaqësuar kulturën dhe përkushtimet jugosllave të inteligjencies shqiptare në Kosovë mbas demonstratave të 11 marsit të vitit 1981! Mua dhe rreth njëzet intelektualëve të tjerë në atë kohë do të na jetë e ndaluar paraqitja publike në këtë televizion, për më tepër aty, në të , nuk do të lejohet të përmenden as emrat tonë, as titujt e veprave tona! Titullarë e anëtarë tuaj të ardhshëm, e jo unë, do të shkojnë nëpër shkolla e kolektive punuese, me zyrtarë politikë, për të marrë pjesë në diferencimin e mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe punonjësve në ato shkolla e kolektive punuese. Disa prej atyre të diferencuarve ata e jo unë do t’i qesin prej punës. Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, do të jetë anëtar i njërit prej organeve të Universitetit të Prishtinës që do të zhvillojë luftë të zjarrtë politike, ndoshta edhe policore, në radhët e studentëve, kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, domethënë kundër idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që prej 11 marsit të vitit 1981! Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, Rexhep Qosja, do të bëhet funksionar në administratën komunale të Prishtinës, do të bëhet, madje, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, që me terminologjinë e sotme do të thotë Kryeministër i Prishtinës, dhe do të bëhet i tillë për dy mandate, natyrisht si i përzgjedhur i Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit! Dhe ai, Isa Mustafa e jo unë, Rexhep Qosja, do të marrë pjesë në miratimin e në ekzekutimin e vendimeve me të cilat prej shtëpive të tyre do të nxirreshin dhunshëm shqiptarë e në vend të tyre do të futeshin serbë! E të tjera. Titullarët tuaj, e jo unë, do ta regjistrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd posa të formohet ajo. Titullarët e partive filiale të LDK-së, të krijuara për të luajtur lojë pluralizmi partiak jugosllav në Kosovë, e jo unë, do t’i regjistrojnë edhe ato në Beograd posa të formohen. Titullarët tuaj, e jo unë, do të bëjnë programin e LDK-së, në të cilin për Kosovën “programohej” një autonomi shumë më e rrëgjuar se ajo e vitit 1974. Për këtë arsye ju këtë program nuk e botuat as në “historinë”jubilare të LDK-së, as në adresën tuaj në internet. Por, pikërisht për këtë arsye atë program tuajin jugosllav do ta botojnë gazetat e shqiptarëve në Slloveni. Titullarë dhe anëtarë tuaj të mëvonshëm, e jo unë, i kryeredaktoronin a i redaktoronin disa nga gazetat e javoret e Ndërmarrjes Gazetare, Botuese dhe Grafike Rilindja, në të cilat ndalohej botimi i shkrimeve të mia kundër dhunës serbe dhe jugosllave ndaj popullit shqiptar në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, që i botoja në Slloveni dhe në Kroaci. I vetëm, natyrisht. Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, bënte politikën e paqësimit mortor të Kosovës duke u vozitur në mercedesë luksozë dhe duke marrë rroga prej Fondit të Trepërqindëshit që mblidhej për arsimin shqiptar, që nuk financohej më prej institucioneve shtetërore. Ndryshe prej titullarëve tuaj të paguar unë do të jem veprimtar shumëvjeçar politik dhe kryetar disavjeçarë i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, që do të marrë pjesë edhe në Rambuje, i papaguar. Unë s’merresha me politikë për rrogë, unë merresha me politikë për ideal. Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, i priste politikanët, diplomatët dhe veprimtarët për të drejtat e njeriut nga Evropa dhe SHBA-të me uiski e me pije të tjera të blera me trepërqindëshin që jepte populli. Të gjithë ata vinin edhe te unë, në shtëpinë time, dhe unë i prisja jo me uiski po me ç’kisha në shtëpi të blerë me paratë e djersës sime, të librave të mi. Dhe, ata diplomatë, politikanë e përfaqësues evropianë e amerikanë për të drejtat e njeriut vinin edhe te unë sepse, si më kishin thënë jo njëherë disa prej tyre, titullarët tuaj nuk po ua thoshin se cila është historia e çështjes së Kosovës dhe, sepse nuk kuptonin se çka donin a kërkonin dhe si e shihnin zgjidhjen përfundimtare të saj. Titullarit tuaj kryesor, e jo mua, Rexhep Qosjes, do t’i blini shtëpi me trepërqindëshin që populli dhe mërgimtarët tanë në Evropë po e jepnin për arsimin! Titullarit tuaj kryesor, e jo mua, Rexhep Qosjes, me paratë e Ministrisë që ministronit ju do t’i zgjerohet pas luftës shtëpia dhe do t’i bëhet shtëpi e dyfishtë. E këtillë është demokracia juaj e jo e imja, në të cilën Kosova s’do të bëhej kurrë shtet i së drejtës, që pronat e blera me paratë e popullit, pashmangshëm i nacionalizon. Titullarët tuaj, e jo unë, do të shkojnë më shumë herë te Millosheviqi në Beograd për t’u marrë vesh sesi ta gozhdojnë më fort arkivolin në të cilin e kishit shtrirë Kosovën; dhe titullarët tuaj e jo unë do ta “nderojnë” Kosovën duke shkundur hirin e cigareve në saksitë e luleve në oborrin e pallatit të Millosheviqit! Titullarët tuaj, e jo unë, edhe në vjeshtën e vitit 1998, me kërkesën e përfaqësuesit amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk, do të shkojnë te Millosheviqi për ta nënshkruar njërën prej “kushtetutave” që atëherë hartonte ambasadori Kristofer Hill për rehatimin e Kosovës në gjirin e Jugosllavisë së mbetur. Unë dhe anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes së Bashkuar Demokratike Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni dhe Bajram Kosumi nuk do të pranojmë kurrfarë bisedimesh me Millosheviqin pa qenë në delegacionin e Kosovës edhe përfaqësuesit e UÇK-së. Dhe, në ato bisedime ne me përfaqësuesit e UÇK-së do të shkonim vetëm në ndonjë qytet joserb, jojugosllav: vetëm në ndonjë qytet evropian. Titullarët tuaj, e jo unë, do t’i quajnë pjesëtarët e UÇK-së, posa të paraqiten publikisht më 28 nëntor 1997, njerëz të frustruar, të organizuar prej Serbisë për të trazuar Kosovën! Titullarët tuaj në bashkëpunimin me kryetarin e atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha, e jo unë, do t’i dëbojnë prej Shqipërisë, duke i trajtuar si terrorista, djemtë tanë, pjesëtarë të ardhshëm të UÇK-së, që kishin shkuar atje për ushtrime. Një numër jo i vogël i këtyre të dëbuarve prej nënës Shqipëri, posa të shkelin në tokën e Kosovës, do të kapen prej policisë a ushtrisë serbe dhe do të dërgohen në burgje shumëvjeçare! Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, do të dërgojnë grupe të lëdëkëistëve nëpër fshatrat e Kosovës për të bindur popullin që të mos u japë strehim dhe ushqim pjesëtarëve të UÇK-së! Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, do të organizojnë “zgjedhje të lira e demokratike” në Kosovë, për zgjedhje të ”kryetarit historik” edhe pas masakrimit të njëzet e dy anëtarëve të familjes së Adem Jasharit, duke e bërë ashtu demokratik e të ligjshëm në sytë e botës regjimin kriminal të Millosheviqit dhe duke e bërë “të ligjshme” edhe masakrën serbe në shtëpinë e Jasharajve! Titullarët tuaj, në të vërtetë Kryesia juaj, e jo unë, do t’i deklarojë përfaqësuesit të OKB-së, për të drejtat e njeriut, Jirzhi Dintsbir, se vrasja e Adem Jasharit i ka gëzuar jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët! Dhe, këtë pohim të Kryesisë së LDK-së do ta rideklarojë çeku Dintsbir, kur të vijë, për herë të dytë në Kosovë, i mirëpritur prej Udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, por i shpallur person i padëshiruar në Kosovë prej Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e së cilës isha unë dhe të burgosurit politikë Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Basri Musmurati, Bajram Kosumi, Sherif Konjufca e të tjerë. Çeku Dintsbir me atë rast disa veprimtarëve politikë shqiptarë do t’ua tregojë edhe disa fjalë të tjera që në Kryesinë e LDK-së ishin shqiptuar kundër Adem Jasharit, por që as letra ime në të cilën po shkruaj nuk i duron. Për titullarët tuaj, e jo për mua, përfaqësuesja e SHBA-ve në OKB do të thotë, mbas takimit me njërin prej tyre: ky nuk po marrka vesh gjë në politikë; ky qenka i mjerë. Dhe, kjo deklaratë e saj do të botohet në gazetën Bujku, e cila shumë kujdesshëm e regjistronte edhe politikën e çikla–miklave që kohë pas kohe bënte udhëheqja e LDK-së. Titullari juaj kryesor, e jo unë, gjatë bombardimeve, do të shkojë në takim me Millosheviqin në Beograd, me ç’rast pushtuesit gjakatar të Kosovës do t’i çojë edhe dhurata të stolisura me kordele. Me të, siç do të thonë shoqërues të tij më vonë, ai do të pijë uiski gjithë natën pa e pyetur asnjë herë: po çka po bën ti në Kosovë, shoku Millosheviq? Titullari juaj, e jo unë, do të takohet edhe me kryetarin e atëhershëm të Serbisë, Millan Millutinoviqin, dhe do të takohet në ndërtesën e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, tani ndërtesë e Kuvendit të Kosovës, ku, edhe atij, do t’i çojë dhurata të stolisura me kordele. Deklaratën për këtë mikpritje të tij të jashtëzakonshme prej titullarit të lartë të LDK-së e jo prej meje Millutinoviqi do ta japë posa të kryejë mandatin e kryetarit të Serbisë dhe po bëhej gati të shkonte në Hagë, në bisedën televizive me gazetaren e Beogradit, Mira Adanja Polak. Titullari juaj, e jo unë, në bazë të marrëveshjes së arritur me Millosheviqin në Beograd, do të bëjë përpjekje të formojë qeveri kuislinge në Prishtinë; adjutantin e tij, me përcjellje të policisë serbe, do ta çojë dy herë në Shkup, për të gjetur kandidatë për këtë qeveri tradhtare ndër refugjatët tonë në Maqedoni! Për fat këto përpjekje qeveritare të dyhershme do të dështojnë, por dikush do ta paguajë tepër shtrenjtë mospranimin që të hyjë në aso qeverie! Titullari juaj e jo unë, gjatë bombardimeve, do të kërkojë prej SHBA-ve, Bashkimit Evropian, NATO-s që t’i ndalin bombardimet ndaj objekteve ushtarake e strategjike serbe, ndaj ushtrisë e policisë serbe! Dhe, kështu me radhë. Dhe, kështu me radhë e pa radhë. Është çudi e zotit sesi për një politikë të tillë dhe për veprime të tilla disa titullarë tuaj shpërblehen sot edhe me rroga të pesëfishuara kombëtare familjare, kurse kundërshtarët e veprimeve të tilla mund t’i përndiqni sot po aq sa regjimi i Millosheviqit dje! Politikanët e tillë, që në kohë të luftës i çojnë shfarosësit të popullit të vet dhurata të stolisura me kordele, politikanët e tillë, që në kohë të luftës çlirimtare bëjnë apo provojnë të bëjnë qeveri kuislinge, politikanët e tillë që në kohë të luftës çlirimtare kërkojnë prej shteteve aleate të popullit të mos e ndëshkojnë në asnjë mënyrë pushtuesin, shfarosësin e popullit, politikanët e tillë që në kohë të luftës çlirimtare me të bëra të tilla e cenojnë aq rëndë dinjitetin dhe interesat kombëtare, popujt historikë gjithmonë i kanë nxjerrë para gjyqeve, në të cilat ata janë gjykuar me procedura të shpejtuara. Shembujt janë të shumtë në historinë e mëhershme dhe në historinë më të re të Evropës, në standardet, në parimet dhe në vlerat e së cilës thirremi çdo ditë. Në qoftë se ju, si Kryesi e LDK-së, të bërë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, doni edhe të dhëna të tjera për politikën tuaj deri në fund të luftës çlirimtare të UÇK-së, do t’ua bëj qejfin në përgjigjen tjetër, pas përgjigjes suaj të ardhshme. Në qoftë se doni që të dhënat e paraqitura në këtë përgjigje dhe në përgjigjen eventuale të ardhshme të kenë edhe referenca, unë jam i gatshëm edhe këtë dëshirë do t’ua plotësoj. Arkivi im historik në Institutin Albanologjik është shumë i pasur. Shpresoj të mos provoni ta shtini në thasët e hamajve e ta zhdukni siç provuat para tre katër vjetve! Debatin polemik me ju e çmoj shumë të rëndësishëm për të sotmen tonë politike e, në mënyrë të veçantë, për të ardhmen tonë historike shkencore. Ju me argatët tuaj të blerë a të frikësuar në disa media e në disa institucione të tjera, në sajë të gënjeshtrave, falsifikimeve, shpifjeve, denoncimeve, shantazheve, madje, edhe kërcënimeve keni arritur t’ia mbyllni gojën shumëkujt dhe të krijoni privilegje vetjake të ndryshme politike, ekonomike, shkencore, pushtetore në jetën tonë. Fushata që filluat kundër meje me ndihmën e kryesve të punëve tuaja të pista në disa gazeta e televizione, flet qartë për përpjekjen tuaj që ashtu, me gënjeshtra, denoncime, fyerje, përbaltje, cenime nderi e integriteti të më mbyllni gojën edhe mua. Besoj të jeni të bindur se do t’u shkojë mundi kot. Ata që i kanë lexuar veprat e mia mund të mendojnë, me të drejtë, se pezmi që treguat ndaj botimit të kompletit tim frymëzohet prej faktit se në të gjenden shumë të dhëna për të kaluarën tuaj politike, për luftën e UÇK-së, në përgjithësi për historinë e re të Kosovës, që ju do të donit ta falsifikonit. Punë që nuk do të mund ta bëni: ai komplet është botuar në tirazh të pazhdukshëm! Falë mënjanërisë (indiferencës) së pakuptueshme të pjesëtarëve të UÇK-së, në mënyrë të veçantë të përfaqësuesve të UÇK-së në pushtet, falë, madje, ndarjes së tyre në dy parti, aq pakuptueshëm të mospajtuara mes vete, ju keni arritur t’i ktheni në filiale tuajat politike propagandistike jo vetëm Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës po edhe disa institucione të tjera e media të shkruara dhe elektronike, të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë për falsifikimin e historisë më të re të Kosovës. Mjafton të merren në duar planprogramet e historisë shqiptare dhe të letërsisë shqipe e me to edhe disa tekste shkollore historiko-politike dhe historiko-letrare për të parë se deri në ç’shkallë tribaliste lëdëkëiste i keni politizuar dhe privatizuar në to edhe historinë e re politike të Kosovës, edhe letërsinë bashkëkohore shqipe! Falë mënjanërisë (indiferencës) së tyre, domethënë falë indiferencës së pakuptueshme të përfaqësuesve politikë të UÇK-së në pushtet, ju keni arritur, dhe po vazhdoni, të stolisni e çstolisni, në të vërtetë të dhunoni si po doni qoftë historinë qoftë gjeografinë e Kosovës! Qoftë të djeshmen, qoftë të sotmen e Kosovës! Deri kur do të mbahet kjo gjendje, domethënë deri kur do t’i durojë Kosova këto “stoli” tuaja partiake nuk e di sigurt. E di sigurt, ndërkaq, se prej gënjeshtrave, uzurpimeve dhe stolisjeve në të vërtetë dhunimeve tuaja historike dhe gjeografike Kosova, historia dhe gjeografia e Kosovës, pashmangshëm do të pastrohen një ditë. Ku do të jeni, ku do të mbeteni ju atëherë? Sigurisht në mbretërinë e pëllumbaxhinjve! Dhe, të përndjekësve të intelektualëve që ia kanë treguar popullit mashtrimet, gënjeshtrat, mjerimet, falsifikimet, uzurpimet dhe dhunëtaritë tuaja të vjetra e të reja. Prishtinë, 11.12.2011

Willkommen frau Angela Merkel

Willkommen frau Merkel

Qeveria e Kosovës ka vendosur që kancelares gjermane Angela Merkel t’i rezervojë një pritje madhështore në vizitën e saj të parë në Kosovë. Pritet që pjesë e ceremonisë të jetë Garda e Ceremonive, billbordat dhe flamujt gjermanë nëpër qytet, bëjnë të ditur burime qeveritare për mediat kosovare. Kështu me mbërritur në Prishtinë, kancelarja Merkel në shenjë respekti do të pritet në Aeroport me Gardën e Ceremonive të FSK-së, ku më pas rreth orës 11:30, ajo do të takohet me kryeministrin e vendit, Hashim Thaci, me të cilin me të përfunduar takimi do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media. Më tej Merkel do të takojë ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Dreës, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së Fernando Gentilini. Është parashikuar gjithashtu që përgjatë rrugëve që do të përshkojë Merkel, nxënës të shkollave fillore me flamuj të Kosovës dhe Gjermanisë do të mirëpresin kancelaren në shenjë falënderimi për ndihmën ndaj Kosovës.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe gruaja e tij, Michelle nuk i lenë vajzat në Facebook

Obama nuk i le vajzat në Facebook
Presidenti amerikan, Barack Obama ka më shumë se 24 milion shokë në Facebook, megjithatë, ai dhe gruaja e tij, Michelle nuk i lejojnë vajzat e tyre, Sasha dhe Malia që ta shfrytëzojnë këtë rrjet social. Kjo informatë ka dalë nga intervista e presidentit dhe “Zonjës së Parë” për magazinën People. “Pse do të donim të kemi një grumbull njerzish që nuk i njohim, e që do të përziheshin në punët tona”, ka thënë presidenti Obama në intervistë. Zonja e parë ka thënë se Malia ka 13, ndërsa Sasha 10 vjet. Duke bërë shaka me presidentin, Zonja e parë ka thënë: “Të shohim se si do të ndihen ato pas katër viteve”. Në SHBA u ndalohet ëeb-kanaleve që fëmijëve nën moshën 13 vjecare t’u merren informacione.

Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton Kosovën

 Kancelarja Merkel viziton Kosovën

Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel të hënën do të vizitojë Kosovën. Lajmin për këtë e bëri të ditur TV Klan, sipas të cilit Merkel vjen në Kosovë për të përcjellë mesazhe lidhur me bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në samitin e paradokohshëm të shefave të shteteve të Bashkimit Evropian, pikërisht kancelarja gjermane ishte më e vendosura për refuzimin e kërkesës së Beogradit për marrjen e ftesës për fillimin e bisedimeve të Beogradit për anëtarësim në këtë union, dhe kjo për faktin e mospërmbushjes së kërkesave që ajo ia kishte bërë me kohë presidentit serb Tadiq lidhur me Kosovën. Gjithashtu, në qëndrimin e fuqishëm të Gjermanisë ndikoi edhe plagosja e disa ushtarëve të saj në përbërje të KFOR-it nga ana e të barrikaduarve serbe në veri të vendit.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...