Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se të dielën e ardhshme më 22 janar do të mbahen protestat e rradhës për bllokimin e mallrave dhe automjeteve të Serbisë. Udhëheqësit e kësaj lëvizjeje thanë se protestat mund të shmangen nëse qeveria nis zbatimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë gjatë kësaj jave.
Ky paralajmërim u bë sot në një konferencë me gazetarë një ditë pas dhunës që përshkoi protestat e lëvizjes Vetëvendosje, të cilat u shpërndanë me forcë nga policia. Sipas autoriteteve të rendit, gjate ditës së djeshme janë arrestuar afro 150 persona ndërsa janë plagosur 31 pjesëtarë të policisë dhe dhjetëra protestues gjatë përplasjeve. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe pesë deputetë të Parlamentit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie. Policia tha se aktualisht në arrest po mbahen vetëm 15 veta ndërsa të tjerët janë liruar.
Policia përdori gazin lotsjellës, topat e ujit dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë protestuesit të cilët hodhën gurë dhe shishe mbi policinë, gjatë ndërhyrjeve që sipas vëzhguesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ishte e ngutshme dhe e panevojshme, meqë protestuesit nuk kanë provokuar dhunën apo ndërhyrjen. Ndërkaq policia tha se ka përdorur forcën në pajtim me ligjin dhe rregullat në kundërpërgjigje ndaj veprimeve të protestuesve.
Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti tha se kishte strategji për dhunë nga ana e Qeverisë dhe Policisë, por lëvizja është e vendosur të shkojë më tej me planet e saj.
“Me këtë mund të ju them se ne nuk ndalemi në atë që e kemi premtuar. Ne kemi thënë se do të jemi në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar e politik me Serbinë. Protesta e ardhshme paqësore në bllokim të mallrave dhe automjeteve të Serbisë do të mbahet më 22 janar 2012. Nëse qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave nis me zbatimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë, natyrisht që nuk do ta mbajmë këtë protestë”, tha zoti Ahmeti.
Me moton Serbia nuk kalon, lëvizja Vetëvendosje kishte planifikuar që të bllokojë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në Merdarë në veri të Prishtinës dhe tek Dheu i Bardhë në lindje të Kosovës, në funksion të siç thuhet zbatimit të masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Udhëheqësit e saj thanë se protesta pasoi refuzimin e qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Parlamentit të Kosovës të 7 dhjetorit të vitit të kaluar për vendosjen e masave të ndërsjella me Serbinë.
Qeveria e Kosovës shprehu siç thuhet, keqardhjen për veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës të cilët janë në mbrojtje të rendit dhe ligjit. Ajo kishte kundërshtuar fuqishëm planet e lëvizjes vetëvendosje.
Këto plane janë kundërshtuar edhe nga institucionet tjera vendase e ndërkombëtare të cilat kishin shfaqur shqetësimin për mundësinë e shkallëzimit të situatës dhe pasojat që mund të kenë për imazhin e Kosovës.
Protestat nuk janë mbështetur as nga pjesa tjetër e partive opozitare të cilat kanë kërkuar zgjidhjen e të gjitha çështjeve nëpërmjet institucioneve, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje qeverisë që të zbatojë vendimet e Parlamentit të Kosovës.
Policia: Zbatuam ligjin dhe arrestuam personat e dhunshëm
Prishtinë, (Kosovapress) 15 Janar 2012 15:47
Pjesëtarët e policisë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj askujt, veçse ka zbatuar ligjin. Kështu ka thënë të dielën zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, gjatë një konference për media, në të cilën ka dhënë informacione rreth protestës së djeshme të mbajtur në afërsi të pikë kalimit kufitar në Merdare dhe Dheut të Bardhë dhe ndërhyrjes së policisë.
Kelani ka thënë se protesta e së shtunës nuk ka qenë fare e paralajmëruar në Policinë e Kosovës, ashtu siç e parasheh ligji mbi rendin dhe qetësinë publike dhe se nuk është kërkuar leje për mbajtjen e saj.
Sipas tij, i është bërë me dije opinionit dhe protestuesve se Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të siguruar rendin dhe qetësinë publike, për të siguruar lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët dhe mallrave në dy vend kalimet kufitare.
“Si pasojë e mospërfilljes së urdhrave policor dhe veprimeve të dhunshme nga ana e protestuesve duke hedhur mjete të forta dhe gurë masiv, në drejtim të policëve, rreth orës 14 e 26 minuta njësitet policore kanë ndërhyrë për të shpërndare turmën e dhunshme me qëllim të lirimit të dhunës. Gjatë këtij veprimi, policia ka ndaluar disa protestues të dhunshëm brenda turmës së protestuesve”, ka thënë ai.
Kelani, gjithashtu ka thënë se gjatë rezistencës aktive të protestuesve nga hedhja e gurëve dhe mjeteve të forta të metalta, janë dëmtuar edhe disa vetura zyrtare dhe pajisje të policisë. Ai ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë operacionit në fjalë, ka zbatuar praktikat më demokratike të intervenimit.
“Policia e Kosovës gjatë gjithë operacionit policor ka zbatuar praktikat më të mira demokratike për ballafaqimin me protestues”.
Ai ka ripërsëritur se nuk ka pasur dhunë nga policia dhe se të gjitha ndalimet janë bërë pasi protestuesit kanë bllokuar rrugët, vepër kjo e kundërligjshme, andaj në këtë intervenim të policisë s’ka pasur përzgjedhje porse janë ndaluar ata që kanë qenë më agresiv dhe më të dhunshëm.
“S’është ushtruar dhunë ndaj asnjë personi të ndaluar dhe këtë e konfirmoj. Është përdorur një forcë proporcionale e nevojshme, e domosdoshme për të vënë situatën nën kontroll. Policia ka ndaluar të gjithë ata persona që janë kundër urdhrit të policisë”, ka thënë ai.
Kelani, gjithashtu ka thënë se plani i Policisë së Kosovës është ende në fuqi dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe se janë në dispozicion të ruajtjes së qetësisë publike.
Ndryshe, numri i përgjithshëm i protestuesve të ndaluar nga Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka qenë 146 protestues. Me përjashtim të pesëmbëdhjetë protestuesve, të cilëve, me vendim të prokurorit, u është caktuar masa e ndalimit, të tjerët janë liruar. Ndërsa numri total i zyrtarëve policorë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është 32, ndërsa i qytetarëve mbi 20.
Shumica e protestuesve të arrestuar dje në protestën për bllokimin e mallrave serbe tashmë janë liruar. Zyrtarët e Policisë së Kosovës konfirmuan për Kosovapress se nga 146 protestues të arrestuar, vetëm 15 po mbahen ende në burg, pasi të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Janë 15 persona, pjesëmarrës në protestën e djeshme të organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, në dy pikë kalimet kufitare në Merdare dhe Dheu i Bardhë, të cilëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor me vendim të prokurorit, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë liruar me procedurë të rregullt.
“Totali i të arrestuarve ka qenë 146 persona. Tani janë vetëm 15, të cilëve u është shqiptuar masa a ndalimit policor, me vendim të prokurorit. Të tjerët janë liruar me procedurë të rregull”, tha për Kosovapress zëdhënës i Policisë së Kosovës, Arbër Beka.
Nga numri i përgjithshëm i të arrestuarve prej 146 personave, 112 kanë qenë të arrestuar në protestën e cila është mbajtur në afërsi të pikë kalimit kufitar Merdare, kurse 34 kanë qenë të arrestuar në afërsi të pikë kalimit kufitar Dheu i Bardhë.