2012-01-25

Fati dhe fataliteti i kulturës


Nga Petrit Nika
Në vitin 1897 Faik Konica në një artikull analitik me titull “Letërsia shqiptare” jep një konkluzion dëshpërues alarmant për gjendjen e letërsisë sonë deri në atë kohë. “E gjithë letërsia shqiptare mund të përmblidhet në pesë apo gjashtë vëllime mjaft të holla” – thotë Konica. Ndonëse konstatim i thënë publikisht në periudhën e romantizmit shqiptar, ku gëlonte krenaria kombëtare në veprat e autorëve të kohës, rigorozisht sipas frymës mobilizuese tipike të Rilindjes shqiptare, konstatimi i Konicës është disi kontravers, por padyshim real.
Një gjuhë e veçantë indo-evropiane, e lashtë dhe e pangjashme me asnjë gjuhë tjetër të planetit; e pasur dhe e bukur po aq sa gjuhët evropiane më të mëdha të kultivuara prej shumë shekujsh, mund të përmblidhej në vigjilje të shekullit të atomit “në pesë apo gjashtë vëllime”, madje “mjaft të holla”, – siç e shpreh Konica i ri, Konica i pakompromis me obskurantizmin. Nuk e di ekzaktësisht argumentin që kanë përdorur gjuhtarët e parë shqiptarë që patën mundësinë të përballen në diskurse shkencore me homologët e tyre evropiane. Hamendësimet e mia më ngjajnë po aq të vërteta sa të dhënat historiko-gjuhësore të deritanishme.
Gjithësesi për një gjë sigurisht ata dhe jo vetëm ata, por edhe elita politike e shtetit të mëvonshëm (të cilës gjuhësia dhe letërsia i duheshin vetëm për fasadë) janë ndjerë keq nga kjo varfëri tekstesh letrare në gjuhën shqipe. N.q.s., gjuha është vërtetë një shenjë ikonike e ekzistencës së një kombi, atëherë edhe letërsia padyshim është shenja tjetër ikonike e kulturës, qytetarisë dhe e shpirtit të këtij kombi. Madje sipas gjuhëtarit të njohur britanik Robert H. Robins, në shumë kultura botërore edhe sot burimin e origjinës së gjuhës e mitizojnë dhe e mistifikojnë në caqet e së pabesueshmes së një universi hyjnor. Gjuhës shqipe nuk i mungonte asgjë për të qenë evropiane, përveçëse letërsia e shkruar.
Është fakt dramatik që gjuhës shqipe letërsia e mirëfilltë asokohe i mungonte dhe kjo u prishte jo pak punë themeluesve të shtetit të ri. “Kultura nuk shpëton ndonjë gjë, as ndonjë njeri; ajo spërligj dot”, – thotë Sartri, – “veçse është vepër e njeriut; në të ky hedh shëmbëllimin e tij, dallon vetveten.” Pra kultura është dëshmi e ekzistencës, është dëshmi e vetidentifikimit tonë në shoqërinë njerëzore. Ndërkohë që publikonte Konica këtë konstatim aspak optimist, por gjithësesi ndërgjegjësues, romantikët e Rilindjes Kombëtare ishin tashmë në fazën e tyre të fundit të qenësimit.
Tre vjet më vonë nga koha e botimit të këtij artikulli, do të vdiste N. Frashëri, poeti më i spikatur i kësaj periudhe në Shqipëri. Në vitin 1904 do të shuhej edhe De Rada, poeti tjetër romantik po aq i rëndësishëm sa Naimi. Ndërkohë deri në këtë moment, pra në vitin 1897, ishin bërë përpjekjet për romanet e para – në fillim në gjuhë të huaja nga Sami Frashëri (Taassuk-u Talat ve Fitnat, 1872) në turqisht, Pashko Vasa (Bardha de Temal, 1890) në frëngjisht dhe më vonë në shqip (Marcja, 1899) nga Ndoc Nikaj, për të cilin mund të themi se mbahet si themeluesi i romanit të parë shqiptar. Ishin bërë përpjekje për dramën nga Santori, për tregimin nga Naim Frashëri, por selektimi i gjithë arritjes vështirë se mund të nxirrte një vepër që të konkuronte me veprat e shquara bashkëkohëse në gjuhët e Evropës perëndimore, realitet të cilin e njihte mjaft mirë edhe vetë Konica, i cili në një shkrim tjetër, kësisoj i pezmatuar dhe i enjtur me terma rebelimi alla-konician, i sulet Naimit duke e quajtur “poet i tatatave dhe tototove”.
Gjithësesi, ai e vlerësonte lart Naimin, vlerësonte arritjet dhe përpjekjet e mjaft punëtorëve të tjerë pak a shumë të ngjashëm me Naimin, të cilët vetësakrifikoheshin natë e ditë në punishten e fjalëve të gjuhës shqipe, por prapë kur e kur Konica e zbrazte zhgënjimin duke i kopanisur me ironinë e tij të hollë njërin apo tjetrin, personalitetet prej të cilëve mesaduket priste më tepër dhe sipas tij nuk e përligjnin famën që kishin.
Ajo çka e kishte zhgënjyer dhe mbushur me keqardhje të thellë Konicën ishte vetë fati eskilian i gjuhës shqipe; fati i lashtësisë së qenësimit të saj dhe fati dilematik prej humbësi të kohës, të veprave, madje të vetë një periudhe të gjatë e të pakthyeshme të historisë. Evropa ishte në vigjilje të shekullit të XX-të, i cili do të njihej si shekulli i arritjeve më të mëdha shkencore, ndërsa për gjuhën shqipe letërsia e niveleve evropiane ishte në vigjilje të vet. Ndryshimi do të ndodhte në shekullin e njëzetë, kur letërsia shqipe do të pasurohej me te gjitha zhanret letrare dhe me vepra të nivelit bashkëkohor evropian.
Tashmë pas rreth 114 vjetësh nga ajo kohë, më së fundi gjuha shqipe ka në fakt me çfarë të prezantohet në panairin e letërsisë së madhe evropiane dhe në atë botërore; madje jo më me “pesë, gjashtë vepra mjaft të holla”, por me një mal me vepra, disa prej të cilave mjaft të rëndësishme; me një aradhë të gjatë autorësh që datojnë që nga vitet “20 të shekullit të shkuar, për të ardhur më pas deri në ditët tona. Po sa nderohen ata që ia bënë këtë nderim gjuhës dhe letërsisë shqiptare sot? Si janë trajtuar në gjallje të tyre dhe si trajtohen sot veprat e atyre që sjanë më? Po me të gjallët çka po ndodh?
Sa e vlerëson shteti dhe sa e vlerësojnë vetë krijuesit rëndësinë e të shkruarit të letërsisë shqipe? Këto dhe mjaft pyetje të tjera normalisht për shumkënd mund të kërkojnë përgjigje të gjata e të detajuara deri në imtësi dhe prapë zor se do ta sqaronin gjendjen, por për vetë ata që përbëjnë popullatën krijuese të kësaj Atlantide, besoj ska nevojë për shumë komente. Ska nevojë për shumë komente për vetë faktin se fenomenet negative në kulturë njihen tashmë jo pak.
Këto fenomene dhe problematika janë evidentuar herë pas here dhe në shtypin ditor apo në forume të tjetërllojta ku mblidhen krijuesit. Gjendja vazhdon të jetë e njëjtë në rastin më të mirë, por ka dhe periudha kur gjërat përkeqësohen, madje agravohen në skajshmëri të patolerueshme me destruktivitetin e tyre.
Në Shqipërinë e sotme ska më vend për krijuesit. Për punëtorët e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, sidomos po nuk u rekrutuan në ndonjë kahje politike, ska më vend. Rekrutimi prapë nuk duhet të kuptohet si një angazhim politik, sepse po të ishte kështu nuk ka asgjë të keqe, por duhet kuptuar si rekrutim me krejt kuptimin që bart termi.
Këta lloj shkrimtarësh, të cilët pranojnë rekrutimin, zakonisht tek ne përbëjnë parinë që u prin punëve të letërsisë e të kulturës në vend. Çdo gjë funksionon falë vullnetit të tyre; promovimet, çmimet, nderimet, përfshirja në forume, përfshirja në antologji apo kolana botimesh. Ata sa për vete vegjetojnë dhe e zhvillojnë me lehtësi veprimtarinë e tyre, duke mos u penguar nga asgjë dhe natyrisht duke mos u munguar asgjë.
Kur duan të flasin (për veten e tyre) u vihen në dispozicion sakaq gazetat dhe ekranet e televizioneve lokale apo kombëtare. Askujt nuk i bie ndër mend (aq më pak këtyre parvenyve) se edhe letërsia duhet të ketë përkujdesjen e saj, në mënyrë që të mos shkelet dhe gjymtohet nga arroganca e ekonomisë së tregut, të mos konsiderohet veçse mall konsumi në vitrinë, të subvencionohen aktivitete dhe të jepen bursa me paanshmëri përzgjedhjeje për shkrimtarët, të projektohet afirmimi i vlerave të autorëve apo grup-autorëve të ndryshëm në gjuhë të huaj përmes përkthimeve, të dëgjohet zëri i krijuesve të vërtetë të letërsisë në gjuhën shqipe.
Se kush janë shkrimtarët e vërtetë të gjuhës shqipe nuk është vështirë të dihet. Në vend të një liste me emra (nëse do të kishte dhënë dikush tjetër me këtë rast), unë do të sjell këtu vetëm një thënie nga kritiku amerikan Harold Blum, i cili konkludon se: “Të shkruarit keq vjen i gjithi në një formë, kurse të shkruarit bukur është çmendurisht i ndryshëm”. Nëse lexuesi shqiptar e gjen vetveten tek poezitë oportune të banorëve të Big Brother, kjo ska pse të penalizojë duke e lënë pa mështetje nga ana e shtetit apo botuesit një poet tjetër i cili është mbresëlënës, por që “nuk e njeh lexuesi” – sipas tyre.
Poetët e vërtetë, pikërisht ata, kanë më shumë nevojë për këtë përkujdesje. Poetët mediokër nuk e kanë asnjëherë të domosdoshme, ngase ata çfarë duan e arrijnë më lehtë falë prakticitetit. Ëndërrat e tyre janë tokësore, sjellja po ashtu, ndaj si të tillë veprojnë si pragmatistë dhe duke i bërë llogaritë pikësëpari mirë materialisht. Ata dinë edhe të komportohen tek lexuesi, dinë të ekzistojnë në disa klane njëherësh, të përfitojnë nga të gjithë pa i dhënë gjë askujt. Historikisht poetët e vërtetë janë ata që vuajnë më tepër nga mungesa e afirmimit dhe audiencës, prandaj atyre u nevojitet patjetër mbështetja.
Duke e konstatuar këtë fenomen Harold Blum vë në dukje se vërtetë; “audienca e poetëve të epërm lirikë është sigurisht e pakët, gjë që i trishton poetët tanë më të mirë. Sidoqoftë ata kanë shembuj shpresëdhënës si rasti i paraardhësve të tyre; Uiliam Blejk, Uollt Uitman, Emili Dikinson dhe Zherard Manlej Hopkins- poetë këta që shumë pak kush i njohu që në gjallje të tyre. ” Megjithatë mua nuk më ngjan aspak për tu ngushëlluar ky paragraf, përkundrazi konstatimi i Blumit për mua vë në dukje një realitet dramatik disi standard, i cili e mbështjell si një kurorë me xhemba gjatë gjithë jetës së vet krijuese poetin e vërtetë. Pikërisht në funksion të ndërgjegjësimit të institucioneve, njerëzve kompetentë dhe shoqërisë për tia hequr këtë kurorë salvimi poetit, vjen edhe ky shkrim, si e gjithë publicistika ime letrare e këtyre viteve.

A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? *



 
370isa boltini 300x216 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? * Alain Ducellier

Paris, 1981

…Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë  bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin.  Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovës: në të vërtetë në sh. IX dhe X,  formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet, në mënyrë të përgjithshme, Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç),  ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.
Ilirët: padyshim stërgjyshërit e shqiptarëve
Le të flasim hapur: në Ballkan, më shumë se kudo gjetkë, nuk ka ndonjë argument tjetër të mbështetur, për të përcaktuar përkitjen kombëtare të kësaj apo asaj krahine sesa  verbali i pushtimit të tanishëm  të një shumice kombëtare, të njohur në formën e duhur; në këtë kuptim Kosova, që sot banohet nga një popullsi dy të tretash shqiptare  (artikulli është botuar në Paris, në vitin 1981, – p.) del qartësisht e konsideruar shqiptare. Dhe kjo jashtë çdo ideje të lidhjes me entitetin politik që quhet “Shqipëri”. Çdo të thuhej, në të vërtetë, nëse do të vërenim një shumicë gjermanike në Alsas për ta bërë atë një krahinë gjermanike, në kuptimin politik të termit?
Këto qasje evidente bëjnë të peshohet rreziku i përdorimit të argumenteve “historike” për të mbështetur të drejtën e një populli që të zotërojë trojet që ka humbur apo që tani nuk i zotëron më, veçse duke qenë në pakicë: dihet roli që ka luajtur ideja e atdheut “origjinal” në gjenezën dhe në përligjjen e Izraelit.
Megjithatë, kur shohim këmbënguljen me të cilën përdoret argumenti historik për të provuar që serbët kanë “një të drejtë” ndaj Kosovës, duke pasë qenë banorët më të hershëm të saj, por të zhvendosur më vonë nga shqiptarët, nuk është keq që të tregojmë se, për herë të parë, historia dhe gjendja e tanishme përputhen.
Në një artikull të kohëve të fundit, Mishel Obeni (Michel Auben), ky na kujton se Kosova përbënte “qendrën ekonomike dhe politike të mbretërisë mesjetare serbe në shekujt e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë 1); paskësh qenë, pra, vetëm fitorja turke e cila, pasi i kishte dëbuar serbët nga tokat më të mira, i kishte shtrënguar (serbët, -p.), pastaj, veçanërisht në vitin 1690 dhe 1738, që të emigronin drejt Hungarisë jugore. Dhe turqit na i paskan plotësuar vendet bosh me elementë të islamizuar, të ardhur nga Shqipëria e Veriut!
Mos të ngulmojmë në faktin se vendosja e një qendre të pushtetit politik dhe ekonomik në një truall të dhënë, nuk garanton aspak, sidomos në Mesjetë, karakterin zotërues etnik nga ana e atyre që mbajnë autoritetin politik: Kështu despotati i vogël “serb” i Serresit, në Greqinë e Veriut, mundi të zotërojë nga viti 1355 gjer në vitin 1371, mbi një popullsi me shumicë greke 2). Është thënë shumë se nacionalizmi është një shpikje moderne, fatmirësisht e panjohur nga popujt mesjetarë, që nuk ishin aq të ndjeshëm sa ne për karakterin “e jashtëm” të atyre që mund t’i zotëronin përkohësisht.
Le të pranojmë, ndërkaq, se serbët ishin në shumicë në Kosovë ne shekullin e trembëdhjetë: por atëherë nuk mund të ndaloheshim që të pyesnim edhe se kush e banonte krahinën më parë. Të gjithë e dinë se sllavët janë populli indoevropian që ka ardhur më vonë në Europë, sepse ardhjet e njëpasnjëshme të pushtimeve të tyre u përkasin shekujve VI dhe VII 3). Dihet, gjithashtu, se në atë kohë, shumë shekuj të romanizimit nuk kishin mundur, sakaq, të zhduknin popullatat e vjetra autoktone, Dakët në Rumani, Thrakët në Bullgari, Ilirët në Dalmaci, në Shqipëri dhe më Maqedoni. Për të ardhur te Kosova, askush nuk e mohon se qysh prej shekullit XVIII para erës sonë, kishin lindur dhe ishin zhvilluar shumë formacione  politike ilirë të cilat hap pas hapi kaluan nga gjendja tribale në statusin e mbretërive të vërteta të vogla dardane, peneste, paeoniane, për të mos përmendur veçse më të rëndësishmet 4). Tani punimet më të fundit, si gjuhësore ashtu edhe arkeologjike, të gjitha provojnë sot se ilirët janë, pa asnjë dyshim, stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve 5). Për sa i takon arkeologjisë, studimet e qeramikave dhe të stolive (vathë, karfica, unaza, tokëza rrobash), provojnë se ka një vazhdimësi të jashtëzakonshme në trajtat dhe në teknikat e nekropoleve ilire antike dhe në zbulimet në qytetet mesjetare që u përkasin shekujve VI – VII të erës sonë (Kalaja e Dalmacës në Pukë dhe sidomos Kruja): kaq është e vërtetë kjo sa arkeologu jugosllav B. Coviçi i çmoi materialet e Kalasë së Dalmacës si të shekujve VI dhe VII para erës sonë 6). Na duhet të kujtojmë se gërmimet  në Kalanë e Dalmacës filluan në shekullin e fundit dhe në atë kohë thuhej se ato ishin dëshmi të “civilizimit të lashtë sllav”. Por është krejtësisht e sigurt që kjo vazhdimësi iliro-shqiptare nuk del vetëm në truallin e tanishëm të Shqipërisë: zbulimet e bëra në nekropolet e Mjeles, pranë Virpazarit, në Malin e Zi dhe në të dy qytetet e rajonit të Ohrit, në Maqedoni, kanë lejuar që të dalin në dritë objekte që i përkasin të njëjtit civilizim  8). Është e kuptueshme se vetëm aktiviteti jashtëzakonisht i madh i arkeologëve shqiptarë pas Luftës, duhet marrë parasysh për të shpjeguar bollëkun më të madh të gjetjeve të bëra në truallin kombëtar.
Serbët në Kosovë: jo në sh. VII, por në atë të XIII!
Në mungesë të çdo dokumenti që do të provonte asgjësimin apo emigrimin e popujve ilirë vendorë në kohën e pushtimeve sllave, është e natyrshme që të mendojmë se Kosova gjatë gjithë Mesjetës së hershme, si edhe vetë Shqipëria, e kishte ruajtur në mënyrë të pandërprerë një popullsi thelbësisht ilire, domethënë shqiptare. Sigurisht që kemi edhe një dukuri sllavizmi, në të cilin toponimia është dëshmitari më i mirë; por dihet se  toponimia është një argument me pak vlerë për të përcaktuar etninë e një popullate: le të mendojmë edhe një numër të madh toponimesh sllave që ndodhen në vetë Shqipërinë, por askush nuk mbështet mendimin se popullata ka pasë qenë ndonjëherë sllave në shumicë. Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë  bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin. 9). Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovë: në të vërtetë në sh. IX dhe X,  formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet në mënyrë të përgjithshme Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti Serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç),  ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.
Pushtimi serb a mundi ta zhdukë popullsinë e vjetër iliro shqiptare?
Në fakt, janë vetë tekstet serbe ato që na provojnë të kundërtën: në vitin 1348, një donacion që i bëri car Stepan Dushani IX manastirit të Shën Mihalit dhe Gabrielit në Prizren na provon se rreth këtij qyteti kishte së paku 9 fshatra, që cilësoheshin si shqiptare (arbanas10).  Në vitin e mëparshëm, kodi i famshëm që kishte shpallur po ky sovran, shprehte shqetësimin për një dinamizëm të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të cilëve mundohet t’u kufizojë vendosjen  në tokat e veta 11). Le të saktësojmë që, nëse shqiptarët quheshin prej kohësh si nomadë, kjo me siguri nuk mendohej kështu sepse ata ishin “barinj të hershëm” por thjeshtësisht sepse ata ishin katandisur në këtë gjendje nga trysnia ekonomike dhe politike që ushtronte populli zotërues (që dominonte). Tanimë, në vitin 1328, ndodhte e njëjta gjë në rajonet Diabolis, Koloné dhe në Ohër ku Zhan Kantakyzeni tregon për takimin e pernadorit bizantin, Adronikut III me “shqiptarët nomadë” të Maqedonisë  qendrore 12). Nuk ka asnjë dyshim se dominimi serb ishte tepër i rëndë për shqiptarët që duheshin nënshtruar; me gjithë qëllimet propagandistike të autorit, ka doemos të vërteta në ato që shkruante, andej nga viti 1932, një propagandist i kryqëzatës, Gijomë d’Adami: “meqë ata popuj, qofshin latinë apo shqiptarë janë shtypur nga një zgjedhë e padurueshme dhe tepër e rëndë e senjorëve sllavë që u marrin shpirtin me taksa të shumta, që keqpërdorin klerin dhe i vënë nën hekura fisnikët e shpronësuar. Këta të fundit, të gjithë së bashku apo individualisht mendojnë se do t’i pastronin duart e tyre po t’i zhytnin në gjakun e atyre sllavëve që vepronin kësisoj” 13).
Shtojmë edhe se autorët bizantinë janë shumë të ndjeshëm për njëjtësimin e popullit, që nga Shqipëria gjer në Maqedoni: historiani Laonikos Kalkokondilis, që shkruante në sh. XV, pasi nënvizonte se shqiptarët e kohës së tij janë mjaft të ndryshëm nga serbët dhe nga boshnjakët 14), përfundon se nuk ka ndonjë popull tjetër i cili, më shumë se shqiptarët, t’u përngjasë maqedonasve 15).
Shqiptarët bënë qëndresë
Mësymja turke nis në këtë kontekst, në gjysmën e dytë të sh. XIV dhe e vërteta është se në këto ngjarje shqiptarët mundën të riafirmohen në Kosovë, por me siguri jo në atë mënyrë siç janë paraqitur gjerat zakonisht: në vend që të hipnin në “vagonin e mallrave të armikut”, popullsia shqiptare, që nga Liqeni i Shkodrës e përtej në Kosovë, u bë bllok me popujt e tjerë të krishterë. Për goditjen vendimtare të 1389-s, autorët grekë përmendin, përveç serbëve dhe bullgarëve, edhe shqiptarët e veriut, ata të Himarës, të Epirit dhe të brigjeve detare 16). Kronikat turke të Idriz Bitlisit përmendin veçanërisht pjesëmarrjen e shqiptarëve të krahinës së Shkodrës, princi i të cilëve, Gjergj Balsha, kishte dërguar në luftë 50.000 veta 17). Të njëjtat njoftime gjenden edhe në kronika të tjera otomane, si në ato të Aliut dhe të Saadedinit 18).

shqiperiaetnike61 237x300 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? *  Shqiptarët nuk ishin aspak të prirur që t’u nënshtroheshin otomanëve
Disfata e vitit 1389, duke çorganizuar tërësisht Shtetin serb, u la fushë të lirë senjorëve vendorë më të shkathët, ndërmjet të cilëve edhe princave shqiptarë të Veriut dhe të Verilindjes: më i shquari është Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, i cili nga krahinat e sipërme të Matit, mundi në fund të sh. XIV dhe në fillim të sh. XV, që të shkëpusë një principatë të gjerë që shkonte nga  grykëderdhja e Ishmit gjer në Prizren, në zemër të Kosovës: si pasojë, në vitin 1420, ai u mundësoi raguzianëve një privilegj tregtar, “që nga brigjet gjer në tokat e veta, e gjer në Prizren” 19). Ky pushtet i ri shqiptar sigurisht që pati ndikimin e vet për zhvillimin e një klase tregtare në gjirin e popullsisë, që ishte gjer në atë kohë mjaft e rrënuar: arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) provojnë, për shembull, se një numër tregtarësh shqiptarë të Raguzës tanimë qëndrojnë me dëshirë në Kosovë: në marsin e vitit 1428, kemi rastin e Marko de Tanit të cilit Republika i dërgon një letër në Prishtinë  20); madje, edhe pas nënshtrimit të Kastriotëve ndaj turqve, gjendet ende, në të njëjtin qytet, në vitin 1448, tregtari shqiptar  Çymo Mati de Tani 21).
Kështu nuk kemi asnjë arsye që të mendojmë se otomanët, në këtë fazë të fitores, u mbështetën në mënyrë të veçantë te shqiptarët, të cilët iu kundërvunë sllavëve: padyshim që s’është e padobishme që të sjellim në kujtesë se shqiptarët në atë kohë ishin të krishterë, si edhe serbët, dhe nuk ishin aspak të prirur, nga ana tjetër, që t’u nënshtroheshin otomanëve. Nëse këtu mund të jetë jo me vend që të flasim për veprimtarinë e Skënderbeut, disa nga ndeshjet e të cilit u zhvilluan në kufijtë e Kosovës, mund të përmendim megjithatë faktin se historiani bizantin Dukas, në mesin e sh. XV, na jep si shkakun kryesor të triumfit turk, pakësimin e shqiptarëve, që nga Dalmacia gjer në Thrakë  22). Sa për kronikat turke, ato nuk mungojnë së vëni në dukje ngritjet krye të shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht në vitin 1467, kur të “revoltuarit” u panë të grabitin bagëtitë në Tetovë, nën drejtimin e një “tradhtari” të quajtur Iskender  23).
Është, pra, e qartë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare gjendej në Kosovë qysh përpara fitores turke, pa qenë nevoja të shpjegohet fakti, për të  marrë me mend shpërthimin e emigrimeve në masë, për të cilat burimet nuk bëjnë zë. Dukuria që nuk ka pasur kurrë çështje  ndeshjesh ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve në kohën e car Dushanit dhe sidomos në kohën e përpunimit të principatës së Kastriotëve, është së fundi një tregues se “pushteti shqiptar” u shtri hap pas hapi dhe përgjithësisht u pranua nga popullsia vendore, padyshim se kjo e kuptonte tanimë e prej shumë kohësh  elementin shqiptar. Për sa i përket përcaktimit të rëndësisë relative të shqiptarëve në raport me sllavët në Kosovën e sh. XV, duhet thënë se kjo është thuajse e pamundur, me gjithë burimet e reja që na sjellin regjistrat kadastrale otomane (defterler) e që botimet na i kanë vënë para syve: shembulli më i mirë është botimi, në vitin 1974, nga Selami Pulaha, i regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës, që mban datën 1485, dhe që përfshin krahinat e Shkodrës, të Pejës (Peç), të Podgoricës dhe të Bihorit 24).
Nënshtresa: shqiptare
Na duhet të vëmë në dukje ndershmërinë e skajshme me të cilën S. Pulaha trajton të dhënat e pasura toponimike dhe antroponimike që na jep nga këto burime: është mirë që të përsërisim bashkë me të se një shqiptar mund të ketë fare natyrshëm një emër sllav dhe ndërsjellas dhe një toponimi sllave apo shqiptare e kjo nuk mund të paragjykojë natyrën e popullatave në shqyrtim 25). Megjithatë është e sigurt që përdorimi i përbashkët i një toponimie dhe antroponimie të dyfishtë dëshmon për një përzierje etnike, për të cilën mund të shprehet, sipas rajoneve, vlera e përbërësve: për sanxhakun e Shkodrës (që përfshin të gjithë zonën kosovare të Pejës), S. Pulaha dallon këtu tri bashkësi elementesh shqiptare që dalin në pah më shumë apo më pak: Krahina e Shkodrës, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e plotë; krahinat e Piperit, Shestanit dhe të Altunit, ku duket se ka një barazpeshë ndërmjet të dy popullatave dhe zona e Pejës, ku shqiptarët janë në pakicë 26) dhe ku vërejmë, ndërmjet të tjerash që  mjaft e emra fshatrash që kanë një emër sllav janë, në të vërtetë, me shumicë shqiptare 27). Përfundimi thelbësor  qëndron në atë se një përzierje kaq e fortë ndërmjet të dy elementëve të popullsisë do të ishte menjëherë e papërfytyrueshme nëse njëri element apo tjetri do të vendosej tani në rajon: kadastra otomane e Shkodrës tregon, pra, veçanërisht në zonën e Pejës, se shqiptarët përbëjnë atje një përbërëse shumë të lashtë të popullsisë vendore; dhe se, përveç të tjerash, ne nuk kemi njohje për ndonjë lëvizje në masë të Shqipërisë drejt Kosovës para sh. XVI, gjë që të bën të mendosh se një pjesë e madhe e elementit shqiptar kosovar i vendos rrënjët në popullatën e lashtë iliro-shqiptare, që zotëronte atje që në kohet e Antikitetit 28).
Për pjesën tjetër të Kosovës duhet të dimë se është ruajtur një regjistër kadastral që, në këtë rast, bën fjalë për Kosovën qendrore (Vilkili):  Nga ky regjistër i vitit 1455, historiani boshnjak A. Hanziç nxjerr saktësisht po ato përfundime: përzierja e popullsisë si ndërlikimi i tullave që mbivendosen njëra mbi tjetrën, megjithatë bëhet mbi një nënshtresë (substrat), në themelin e vjetër shqiptar 29) .
28336 126747857348196 113501828672799 207751 3667036 n 300x239 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? * Minierat, nxitje për imigrim shqiptarësh
Duhet të shtojmë ende se ky element shqiptar u përforcua qysh në fillim të sh. XV, me anë të një imigrimi “ekonomik”, i tërhequr për shfrytëzimin e pasurive minerare të Kosovës, veçanërisht të argjendit të Sbrenicës dhe të Novo Brdos: këta shqiptarë, gjithmonë të krishterë, – kuptohet, – janë teknikë të cilët  e nisën me emigrimin drejt Raguzës dhe që vinin veçanërisht nga Shqipëria bregdetare veriore (Tivari, Shkodra). Por edhe nga zonat malore (Mati) 30). Këta teknikë zunë vend në Kosovë në breza të shumtë: kështu është rasti i Petar Gonoviç Prishtinasit (nga Pishtina) 31), e Johan Progonoviçit nga Novomonte (Novo Brdo), si edhe i shumë të tjerëve, padyshim 32). Nuk është pa interes të shënojmë edhe se edhe në sh. e tetëmbëdhjetë, ky imigrim shqiptar katolik, i tërhequr për punën në miniera, vazhdonte dhe tërhiqte vendosjen e këtyre  në Novo Brdo, në Gjakovë, në Pirshtinë, në Trepçe, sipas raporteve nga vizitorë të dërguar nga papa në rajon 33).
Përfundime:
Në Kosovë gjenden, natyrisht, sllavët ose popujt e sllavizuar; bullgarët e më pas serbët të cilët pushtuan, duke filluar me sh. VII, një krahinë, popullsia e së cilës ishte tërësisht iliro-shqiptare qysh nga Lashtësia. Sigurisht ngulimi (implantacioni) sllav dhe sllavizimi i pashmangshëm i një pjese të popullsisë origjinale, u lejoi serbëve në fillim të sh. XIII, që ta bënin Kosovën qendrën politike dhe ekonomike; por askush nuk mund ta dijë kurrë se cilat ishin, në atë kohë,  përpjesëtimet përkatëse të të dy elementëve, bashkëjetesa e të cilëve duket se nuk pati, megjithatë, probleme të mëdha. Më tej, fitorja otomane dhe dobësimi i njëpasnjëshëm i Serbisë i lejoi popullsisë shqiptare, shpesh nga kundërveprimi i brendshëm dhe falë migrimit malësor të shqiptarëve të krishterë të Veriut, që të peshonin gjithnjë e më tepër në Kosovë. Mjaft studime janë ende të nevojshme që ta afirmojmë këtë; por ka shumë gjasa që, edhe para emigrimit sllav të 1690-s dhe të 1738-s, shqiptarët përbënin në Kosovë, një pakicë të rëndësishme, madje edhe shumicën e popullatës. Nga ana tjetër do të ishte e padrejtë që të harronim që serbët nuk ishin të vetmit që ikën nga zonat që në atë kohë u islamizuan: madje edhe në çastin e emigrimit të madh serb të 1737-’38-s, shumë mijëra shqiptarë të krishterë lanë zonat malore të krahinës së Shkodrës dhe u vendosën në rrethinat e Karlovacit, në Kroaci, ku qeveria austriake i qasi në kuadrin e politikës së saj të kolonizimit ushtarak; tani, këta “Klementiner”, siç quhen në tekstet austriake, gjenden bashkë të përzier me elementët serbë, që emigruan në po ato çaste dhe u vendosën njëlloj: ata do të ruanin traditat dhe gjuhën e tyre gjer në vitin 1910, që ishte koha e sllavizimit definitiv të tyre  34).
“Desllavizimi” i Kosovës është, pra, një problem i rremë: ai është vetëm një pasojë e këtyre lëvizjeve të gjera të rrudhjeve nga sipër (të konveksionit), që kanë karakterizuar gjithmonë historinë e popujve ballkanikë. Këto lëvizje, të mbështetura në substratin e vjetër që mbetet gjithmonë shqiptar, u bënë pa dhunë gjatë të gjithë Mesjetës dhe gjatë kohës së parë moderne, në mënyrë që episodet e 1690-s dhe të 1738-s duhet vetëm të quhen si pikëmbërritje.  Këto lëvizje shekullore nuk kanë lidhje me projektet e gjera të qeverisë jugosllave cila, ndërmjet të dy luftërave, kërkonte të kombinonte pjesëtimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe as me dëbimin masiv të shqiptarëve që iu drejtuan Turqisë 35).
*) Titulli në origjinal: “Les Albanais ont-ils envahi le Kosovo?”.
———
Në fund të bibliografisë së autorit jepet në fac simile  riprodhimi i dorëshkrimit të kodit të Dushanit, në Prizren. Siç lexohet në rreshtat e fundit, kemi të bëjmë me kapitullin 82 të Kodit të Car Stepan Dushanit (1349). Mund të lexohet: “Në një fshat ku ndodhet një valak ose një shqiptar, në këtë fshat të mos vendoset një tjetër, pas atij të parit; dhe po të jetë se ndonjëri vendoset me forcë, ai duhet të paguajë të drejtën për të kaluar atje, bashkë me vlerën e kullotjes së bagëtisë së vet”.
Përktheu: Kostaq XOXA 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...