2012-01-27

Sentencat lakonike avancojnë esencën e të qënit poet .


Sentencat lakonike avancojnë esencën e të qënit poet ..
13/03/2011.. Naim Kelmendi, „ESENCA“, poezi, botoi „RUGOVA ART“,Prishtinë 2010, faqe 56. ISBN 978-9951-536-15-8

Nga Shefqet Dibrani ..

Naim Kelmendi është poet që shkruan e boton më me ngulmim se sa krijuesit tjerë që i përkasin brezit të tij. Ai tashmë ka tërhequr edhe vëmendjen e kritikës letrare duke zënë një vend meritor në kuadrin e poezisë së sotme shqipe.
Vlerësimin tim për “Esencën” e kësaj poezie po e nis me tre vargje të poezisë  „ZOTI DIELL DHE NJË PERËNDI TJETËR“, të vëna qysh në fillim të librit.
„Zoti diell…
dhe një perëndi tjetër,
është i plotfuqishëm“  (faqe 7)
Poezia e Naim Kelmendit jo rrallë mbulohet me një mister, me një ndjenjë ndrydhur në brendësinë e shekujve shpirtëror, ku në raste të veçanta ka një ngarkesë emocionale që shoqërohet me një koncept filozofik racional, por më shumë me një sentencë lakonike që të shtynë me besuar se poeti u bënë një qasje të drejtë zhvillimeve të përditshmërisë, poezia ka një sinkronizim të saktë, duke e avancuar esencën e të qenit shenja – poet.
“pra unë jam shenja
që eci që gjuaj në shënjestër të vetvetes
dhe prapë eci e eci derisa ta ha të tërin si kafshë – Naim
Kelmendin”
(faqe 51)
Këto tre vargje e mbyllin mjaftë trishtueshëm këtë libër me poezi, ashtu siç ishin edhe tre vargjet e cituara më lartë që hapnin poezitë e “Enigmës” poetike. Në mes këtyre dy strofave qëndron “Enigma” e lëndës poetike që ka përshkruar autori qoftë në formën e ndjenjave, qoftë në formën e përjetimeve, apo thjesht si një koncept stërholluar filozofik, si “plagët që ulërijnë ideshëm shpirtin” e poetit.
Në këtë sfond autori ka qen mjaftë i vetëdijshëm se sotmja e nocioneve dhe koncepteve poetike, sado besnikërisht të jetë shqiptuar, sado paanshmërish të jetë regjistruar, zor se do t’i shërbej të nesërmes, me mjaftë dyshime se mund të rilexohet pas një dekade, andaj ai nuk e zbret rrëfimin poetik në perceptimet sipërfaqësore të një gazetari. Ai perceptimin e ngrit në stadin filozofik, si një mesazh që mund të kujtohet edhe më gjatë, që mund të interpretohet edhe si dashuri e poetit, “me të vërtetën e ditur” qoftë kjo e vërtetë e “hidhur si pelin”.
Ky lloj metabolizmi nga e sotmja reale në një realitet letrar, poezisë i ka dhënë shije artistike, kurse nocionet poetike i ka shtjelluar sipas kodeve filozofike duke përdorur mjaftë shpesh figura mitologjike, shprehje liturgjike a koncepte filozofike.
“krejt çka mbeti pa u thënë
s’do shkruhet më në pergamenë
në kujtesën e gjërave do t’harrohemi
me gjithë gjuhën e gjakut tonë prej njeriut
me njëqind fytyra me njëmijë mëkate”
(faqe 19)
Poezia e këtij libri është si një lloj skeleti i zhvillimit ditor të ngjarjes, por me simbole e shenja letrare që e ka bërë këtë tip poezie jo vetëm më të lexueshme, por edhe më të kuptueshme dhe shumëfish më të pranueshme. Hiç ato poezi që mbajnë data nga vitet e 90-ta, të cilat dallojnë për një qasje dhe strukturë të njohur të këtij autori, poezitë tjera shprehin revoltën qytetare për një realitet historik dhe politik të tashmes mjaftë rrëqethëse dhe më pak shpresëdhënëse.
E ajo pak, pak dritë, ajo pak shpresë që duket, është rezultat i kulturës krijuese, i verbit poetik, i vetëdijshëm se poezia duhet t’i shërbej të së ardhmes edhe pas shumë e shumë vitesh kur autori nuk është më (jo në mesin tonë, se nuk i dihet kush më parë do të piku nga dega), por në mesin e të gjallëve.
“...dhe kambana  patjetër se do bjerë
për çastin tonë në këtë udhë njeriu
një lot një dhembje në pikëllim dite
kohës kohë as ne tjetër nuk i duam
...
mbi çastin dhe orën që dikund ndalon
s’e di a kemi kohë për një çast tevona
të mendojmë pse erdhëm, pse shkuam
aq heshtur aq etshëm aq shpejtë
dhe kujt iu deshtë më shumë
jetës apo vdekjes, e jona.”
(faqe 42)
Kjo përpjekje kaq fisnike e bënë natyrën e poetit më të pranueshme dhe si karakter më të qëndrueshëm nëpër hullitë e kohës. Poeti, vazhdimisht ngulmon për të vërtetën, atë e shprehë kudo në poezi, pra edhe brenda këtij libri mjaftë esencial për korpusin e tij letrar.
Naim Kelmendi sikur është i pushtuar nga dëshira për t’u thelluar në ndjenjat e brendshme të njerëzve dhe shoqërisë, prandaj “ESENCA”, ose thelbi i nocioneve që na shfaqet edhe në titullin e librit, bart mesazhe të forta, për të cilat autori, tashmë si një penë e stabilizuar, qysh nga libri i parë, ka luftuar dhe është preokupuar t’ia survejoj shoqërisë sonë e cila mbet gjatë, tepër gjatë në tranzicion, fatkeqësisht edhe në planin kulturor e letrar. E këtë Ai e rishfaq në tetë pamje, pikërisht në muajin e kaluar, viti i sivjet tek poezia “VDIQ E DJESHMJA”.
2.
i ke parë duke kalëruar egër, mbi të djeshmen
dhe kanë rrejtur sërish përmbi orët e fatit
dhe ia kanë shkërdhyer nënën asaj buzëmbrëmjeje
asaj mesnate ia kanë bërë të nëntëdhjetenëntat
mor e kanë kurvëruar kurvat dje mbrëma të veten aq bukur
dhe kanë sharë mbi çështjen kombëtare antikombëtarët
...
4.
pra përshëndetu me të djeshmen, ajo shkoi në vend
të vet dhe s’kthehet për miliona vjet kurrë më
...
5.
tash mendo ndryshe, nis një lojë dhe ndërroja ndryshe gishtat fyellit
mendo një tjetër melodi nëpër telat  këputur të heshtjes...
nga e kaluemja jote s’ka mbetur asgjë për ta plehëruar t’ardhmen
...
7.
...melodi e këputur udhët e mia të kërkimit në njeri në veten e tepruar
po endem po endem për ta mësuar tejpërtejen pa dobi
8.
...pra, vdiq e djeshmja, bëjani varrin në mendim të bukur dhe me urti
rrugë tjetër s’ka për të arritur te kuptimi i humbur...
Tetor 2010, (faqe 46 – 49)
Vargjet që gjenden brenda poezisë në fjalë që duken si postulate na bëjnë për të besuar edhe më fort se Naim Kelmendi është i vetëdijshëm për misionin e poetit, se mbase koha e djeshme ka ngarkuar mbi shpatullat e krijuesit mesazhe të forta, porosi të qarta dhe obligime të thella për ta nxjerrë kombin nga amullia e së sotmes së mjegullt, për t’ia gjetur shtigjet e ndritura drejt një jete më të mirë, drejt një mendimi më të përparuar.
“ESENCA” e nocioneve poetike, e figurave letrare, është rezultat i përvojës letrare për t’i regjistruar, e për t’i bërë pjesë organike të një angazhimi letrar, që marrin kuptimin e duhur nëse kthehen në poezi artistike. Në një masë autori e ka realizuar synimin e tij, sepse merret vesh, as ai vet nuk do të jetë në gjendje ta shpjegojë esencën e jetës së tij pa poezinë?!... Në të kundërtën nëse arrijmë që me mënyrë të dhunshme, krejtësisht në mënyrë vulgare t’ia shkëputim qenies së tij poezinë?!... shtrohet pyetja ku do të mbetet esenca fizike e autorit?
Në këtë plan mendoj se duhet me i dhënë të drejtë autorit i cili mendon se “Në esencën e gjerave/ kërkoj(më) vetën”, dhe ky kërkim s’ka dert nëse bëhet edhe “në margjinat e jetës”, edhe atëherë kur “t’ia bëjnë/ të nëntëdhjetenëntat/ prapa shpine e përanash”, (nga poezia “Esenca”, faqe 36).
Nga këto që thamë deri më tash, shihet se Naim Kelmendi është një tip poeti eksponent, që me poezinë e tij ngulmon për ndryshime esenciale të shoqërisë. Kjo semantikë e të menduarit poetik na bënë për të besuar më shumë, se poeti është i vendosur në pikëpamjet e tij, pasi ai është subjekti, pikërisht NJERIU – ose vet – ESENCA, e faktorëve që ndryshojnë shoqërinë.
Këtë konstatim e plotëson vazhdimësia e tij krijuese, indikacione të besueshme gjejmë edhe te përmbledhja poetike që patëm në shqyrtim, ku breshërojnë shprehjet, mendimet dhe konceptet e sistemuara me kulturë e dije, ku ka sforcuar mendimin për një kulturë poetike më të avancuar, më artistike.
E mbyll këtë mendim mbi poezinë e Naim Kelmendit duke përsëritur  një mendim të thënë po për poezinë e tij qysh në vitin 1994, (përkatësisht në Fraunfeld, më 6 nëntor 1994), se “konkretësia bëhet vendimtare në poezinë më të re të Naim Kelmendit, sidomos kur ai iu ka rikthyer disa temave që i ka më për zemër”.
Prishtinë, 19 nëntor 2010.
Botuar në:
1. Gazeta “EPOKA E RE”, Prishtinë, 26 shkurt 2011.
2. Gazeta “FAKTI DITOR”, Zvicër, 1 shkurt 2011.
SHËNIME PËR AUTORIN:
Naim Kelmendi (1959). Lindi në fshatin Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Naim Kelmendi një kohë të gjatë ka jetuar në Zvicër.
VEPRAT LETRARE: 
POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.
PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.
Naim Kelmendi jeton në Prishtinë.
CIKËL ME POEZI NGA NAIM KELMENDI
Nga libri „ESENCA“, poezi, botoi „RUGOVA ART“, Prishtinë 2010
1. GJYKATË
Krishti do t’u kishte thënë,
fali oh zot se s’dinë çka bëjnë
këta nuk pendohen për të bërat e tyre
larashë të pistë në zhvatje në ecje
ngarendin si kojrrilat natën…
oh zot bejau gjykatën
këta të qajnë ditën
e të kafshojnë natën
pastaj dhe një përmendore ta ngritin
në vajtimin e tyre
sikur aq shumë më paskan dashur
Prishtinë, gusht 2010
2. ESENCA 
Në esencën e gjërave
kërkoje veten
në margjinat e jetës
nuk jetohet  ashtu vetëm
të kanë zbuar
deri në moskuptim
pastaj t’i bëjnë
të nëntëdhjetenëntat
prapa shpine e përanash
tash të duhet vetëm esenca
e asaj që është gjakuar
nga paraardhësi ynë
në një kuptim të jemi Një
me degët rreth një trungu
jo ti fryhesh më një fyelli shurdhan
nëpër botë fillivetëm pa identitet
kthehu te esenca dhe kërko kuptimin
në lëkurën tënde të rrjepur
në gjeografinë e kombit
sepse mashtrimit i del vonë tymi
po një mik yti tash është sa njëqind
të dikujt tjetër,
aty ku duhet të jesh ti ende s’je
e mos më kallëzo përralla pa kripë
kur e lëçit vëllain tënd
pse sheh me sytë e Argusit
pastaj si mor si kënaqesh
me vetveten në kaq kuptim
po a ta kanë copëtuar gjeografinë etnike
shekujve dhe a s’po të dhemb kjo
kur në esencë nuk je ai që je
3. TË JEMI, BRE…
Njëherë e një mot të gjymtuan
ku nis e ku soset kufiri yt etnik
na mbeten datat për t’i kujtuar
tragjeditë në radhën e  shekujve
s’kin parë aso mendësie
kohët prapa dhe motet tjera
veç prej zotit të ka ardhur mbrojtja
e moszhdukjes nga faqja e dheut
dhe mori e të vajtoi më pas
Vaso Pasha…
2
i ndoqën i zbuan në dhera të huaja
shqiptarët,duke lënë prapa
veç heshtjen e vrarë në kujtim
një histori të tmerrshme trishtimi
që qante në rremb qyqesh
e kush nuk i përgjigjej masakrimit
me Kosovë, gjenocidit me Çamëri
masakroheshin tmerrshëm dy cepe
të etnisë sonë…
3
mbete aq pak Shqipëri
pa pjesët e një tërësie etnike
një Shqipëri micrrule
andej toka çame
gjak e lot dhe vrragët
e një gjame…
këndej toka dardane
gjithmonë fije e bukur shqipe
dhe n’lozen e një rrëfane…
4
për kujtesën e kohëve
ishte viti 1878 në Berlin
dhe Londra me 1919
mbamendje e dhembshme
dje e sot për mua e për ty…
5
e tash që jemi në Degën tonë
këtu që jemi - vetja
të jemi përgjithmonë
ata që duhet të jemi
nga aty ku nis e ku soset kufiri yt etnik…
4. KUJTESË
Mbase e di ku e kanë kufirin gjërat
atje ku t’i kanë marrë përdhunë
e të ndoqën, të zbuan…
me tesh e kotesh
dhe të masakruan
në hapësirat tua etnike
erdhën u katrrisën në degë
të legjendës në cep të mitit
rrejtën gjithë kohët për historinë
e vetes, ore s’ishin kurrë, as janë kurrë
as filli as pjesa as grimca e së vërte

“VJEDHËSIT E ERËS” NJË LIBËR QË ZHBIRON TË GJITHA PORET E JETËS SË SHOQËRISË SHQIPTARE.




Nga Faik Xhani




      Kohët e fundit shkrimtari veteran dhe mjeshtër i tregimit Bahri Myftari solli për lexuesin një botim të ri me tregime e novela më titull:
“Vjedhësit e erës”. Është një libër që përfshin 22 tregime e novela dhe që hapet e mbyllet me dy brerore artistike prej mjeshtrave të letrave Perikli Jorgoni e Sulejman Mato me tituj: “Mjeshtër i tregimit” dhe “Bahri Myftari-shkrimtari që shpirtëzon botën”.

     Libri ka 222 faqe që lexohen me një frymë dhe kur përfundon së lexuari, lexuesi mbetet i shtangur, në pritje për të vazhduar akoma dhe konkludon: Edhe më , edhe më, edhe një tjetër, edhe një tjetër...Jo, jo, nuk dua të mbarojë, nuk dua të shkëputem nga ky libër magjeps që të mbështjell në vetvete, të pushton të tërin, të mobilizon, frymëzon, por edhe të bën të reagosh, të duash, të simpatizosh, të respektosh e nderosh, apo të urresh, të luftosh, të kritikosh, të punosh e të kontribuosh, sa të jesh gjallë për të mirën e shoqërisë, për të mirën e popullit e kombit tënd.

     “Vjedhësit e erës! i Bahri Myftarit është libri i jetës, është modeli më i mirë i një libri që zhbiron çdo pore të shoqërisë shqiptare.
       Nuk thonë kot, se shkrimtarët plumba s’kanë, por, për të vrarë të vrasin dhe të vdekurin e ringjallin. Ata dinë të të ngrenë në qiell, por edhe të të groposin thellë në tokë. E pra, një i till është edhe prozatori i talentuar Bahri Myftari. Edhe në botimin “Vjedhësit e erës”, fjalët e tij vrasin më shumë se plumbat, gjallojnë si një diell rrezeart lexuesin. Ky libër është një tapet fushëbeteje midis së mirës dhe së keqes, të shëmtuarës dhe së bukurës, të përuljes dhe dinjitetit, të persekutimit dhe mbijetesës, të logjikes e të domosdoshmes, të të sotmes dhe të ardhmes së shoqërisë e kombit shqiptar.

      Ku nuk është futur penda e Bahri Myftarit?

Në çdo vrimë e në çdo skajë të atdheut, në të gjitha jetët, në të gjithë hapsirën kohore midis dy sistemeve politiko-shoqërore të Shqipërisë, në të gjithë karakteret, qëndrimet, sjelljet, bëmat, shpirtrat, zemrat, mëndjet, në të gjithë zejet, profesionet e veprimtaritë njerëzore.

     Nuk është lavdë, nuk është hiperbolë dhe nuk është aspak feteshizim për krijimtarinë e Bahri Myftarit të thuash, se aty kanë vend të gjithë, të thjeshtë e të veshur me pushtet, humanë e katilë, trima e servilë, profesionistë e kuadro drejtues të zot e të shpifur, pushtetarë, polic,hetues, gjyqtarë të zot e me dinjitet, por edhe shëmbëlltyrat më të këqia të këtyre institucioneve, shkrimtarë, poetë, artistë e profesorë të nderuar, por edhe të shpifur e mediokër që jo vendit, por edhe tokës e gurit i bëjnë dëm.

     Vlerat ideo-artistike të vëllimit me tregime të Bahri Myftarit, “Vjedhësit e erës”, janë të shumta dhe të spikatura. Për ato mund të shkruash faqe të tëra, por unë do të ndalem në mënyrë sintetike në disa prej tyre.

     Libri hapet me tregimin “Parfumi i Arjanës, ku atori rrok një nga plagët e shoqërisë shqiptare, migrimin, boshatisjen e qendrave urbane e tejngopjen e të tjerave. Përshfaq aty pasojat si papunësinë, degradimin e disa qendrave punëtore, fushatat zgjedhore pa etikë si dhe imoralitetin e zyrtarëve, titullarëve e deri parlamentarëve.

Vizatohet me një penelat mjeshtërore portreti i Arjanës, që lexuesi s’do ta harrojë kurrë, por që në këtë mjedis tronditës, të pashpresë, shantazhuesë etj. me gjithë rezistencë, më në fund gjunjëzohet, jep trupin e saj për garantimin e së ardhmes më të mirë.

    Kuqua, deputeti i zgjedhur edhe me kontributin e Arjanës e të familjes saj nuk mjaftohet me kaq. Atij i ra në kokë të bëjë seks me Arjanën, duke shpërdoruar votën e marrë dhe me pak rreshta shkrimtari Bahri Myftari jep gjithë platformën e deputetit për t’ia arrit këtij qëllimi.

“Tani, ai s’po kënaqej me ato tufa borziloku që ajo kurrë nuk i harronte, por po kërkonte atë aromë ta shijonte drejtpërdrejt te trupi i saj, gjë që e arriti një pasdite në një ambient intim...”(f.15).

     “Vjedhësit e erës” që përbën dhe një nga tregimet më të arrirë, si të thuash pikën kulminante të këtij vëllimi, nga ku ka marrë dhe titullin libri, shkrimtari Bahri Myftari fshikullon qeverisjen e rëndomtë, mungesën e strategjive të zhvillimit urban dhe korrupsionin galapant. Autori me një mjeshtri artistike dhe me një rrëfim rënqethës pasqyron se si qendra të tëra braktisën pa kriter, qoftë edhe për nga shtjellimi i erës, e ndërtohen të reja, thjesht për interesa politikanësh, pushtetarësh e qeveritarësh siç është rasti i ministrit Minoli.

    Babai i tregimit, Bahri Myftari i bën thirrje ndërgjegjes qytetare për mbrojtjen e vlerave, për zhvillimin e modernizimin e qendrave urbane. Gjithashtu nëpërmjet personazhit të tij, drejtorit të Muzeut, që përfaqëson intelektualin e vërtetë, jep shembullin më të mirë të një intelektuali dhe fton të gjithë intelektualët të bëhen barikadë e fuqishme në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave qytetëruese të popullit e vendit tonë.

     Shkrimtari Bahri Myftari e përcjellë me shumë dhimbje katastrofën shkatërrimtare në vendin tonë dhe në mënyrë lakonike e sintetike, me pak rreshta depërton deri në detajet më të holla dhe dedukton fuqishëm për pasojat e këtij shkatërrimi. Ja si shprehet ai: “Mikja jonë e vjetër(era), fryn nëpër anekset e muzeut, këndet, dhomat, duke shkulur dekomentet, dëshmitë, aktet, bëmat, ngjarjet, shkurt: gjithçka që përbën biografinë e shkuar të qytetit...”(f.25).

   Zoti Myftari nxin në shpirt për mënyrën e zgjidhjes së pronës në vendin tonë. Një reformë paçaure që le shumë për të dëshiruar, që gjithçka bëri, por të zotit nuk iu kthye, përkundrazi, shpesh u rrëmbye, u tjetërsua dhe u vodh. Me thjeshtësi, por me shumë kuptim, në mënyrë lakonike dedukton: “Pronari i vilës së mesit(një nga vjedhësit e erës), na qenkej ai, të cilin, asnjeri nga ne s’do të donte të jetonte në të njëjtin qiell dhe jo më ta kishte komshi, pra, kuptohet, fjala ishte për Minolin, ish-ministri i Ekonomisë”. (f.24).

    “Qendresa e Simon Ballës” është një tjetër tregim që vjen në këtë vëllim. Ai përbën një kuartitet faqesh, i cili përshfaq një plagë të rëndë shoqërore, është simbolika e një epoke nga më të egrat, epokës së Diktaturës. Me katër faqe autori shpalos një traumë njerëzore, një strategji të tërë, një mori rrogtarësh represiv, inkuizitorë të persekutimit dhe konkludon fuqishëm me një fjalë sa artistike aq edhe me peshë për masakrën, torturën, taktikat që përdorte sigurimi i Shtetit për të mohuar të vërtetën, për të hymnizuar sistemin e sunduesit e kohës.

 Nëpërmjet tre personazheve: Simon Ballës, hetuesit dhe kunatës të Simonit përgjithëson qindra sigurimsa, të cilët morën në qafë, masakruan, torturuan e persekutuan mijëra vetë.

Me tre personazhe dhe me afro pesë faqe në mënyrën më të saktë, deri në detajet më të holla, sa delikate aq dhe rënqethëse, duke shkaktuar te lexuesi ngritje nervash e formim kokrrizash dridhëruese në çdo pjesë të mishtë, pasqyron një epokë, epokën e Shqipërisë moniste dhe fytyrën e Diktaturës më çnjerëzore.

     Shumë vite kanë për të kaluar e personazhet e Bahri Myftarit do jenë shembull i lexuesit, i cili si harron, përkundrazi i admiron, i simpatizon, i urren së tepërmi, por disa prej tyre don t’ju ngjajë me gjithë shpirt.

     E kush nuk do ta simpatizonte e admironte trimin Simon Balla?

     Të gjithë ata që tashmë e njohin nëpërmjet këtij libri të autorit Bahri Myftarit. Përshkrimi i qëndresës të Simon Ballës nga autori i librit ngjall sa urrejtje për presekutorët aq edhe simpati, një simpati të ligjshme për ata që i bënë sfidë Diktaturës. Megjithëse me duar të ënjtura nga shtrëngesa e prangave e nën shantazh e torturë, Simon Balla qëndron si trimi i trimave e u çjerrë maskën taktikave të hetuesve xhelatë e imoralë të kohës. Ja si shprehet ai: “Ashtu siç e ke shkruar ti, (procesverbali), nuk kam për ta firmosur kurrë...

Ti or zotni, nuk e ke për gjë ta bëshë të zezën të bardhë...Time kunatë mos e zini në gojë. Mos i bin në qafë asaj të shkrete. Nuk është mirë, nuk është burrërore, është grua pa burrë...Ju, me sa ju njoh ta lini kopilin në derë...”

     Me kursim të madh fjale, me peshë tonelate dhe me pendën e tij të artë shkrimtari Bahri Myftari skalit imoralitetin e përdalë të hetuesit të aso kohe dhe ja si shkruan: “ Unë të jap hak për vete, është krim të dënohesh se na i paske futur duart asaj pele... përveç duarve i fute edhe atë mikun!  (intriga e hetuesit) Më tej autori shkruan: “ Gjiri i bardhë dhe i kërcyer s’po i bindej. Hetuesi, me gjasë ta ndihmonte, ia shtrëngoi të dy gjinjtë dhe, po me atë ekstim zuri t’ia thithë sa njëri-tjetrin...(Imoraliteti i hetuesit).

Dhe janë të shumta viktimat e persekutimit të diktaturës që u kanë bërë ballë me dinjitet sfidave të dhunimit e torturës, shumë prej tyre flijuan dhe jetën për të vërtetën e dinjitetin. I till është edhe Simon Balla, por edhe kunata e cila së fundi, me malin e urrejtjes për hetuesin dhampir e imoral, mblodhi të gjitha forcat dhe i dha një goditje me shqelm në mes të shalëve. Hetuesi ra për tokë gati pa ndjenja”.              

     Shkrimtari Bahri Myftari është shkrimtari i dhimbjes njerëzore, si i till nuk mund të anashkalojë një plagë shoqërore emigracionin. Emigracion ka gjithë bota, por jo si në Shqipërinë e tranzicionit. Ai ekziston e do të egzistojë, por jo spontan. Edhe emigracioni ka ligjet dhe standardet e tij. 

Pa zbatimin e atyre ligjeve e standardeve emigracioni kthehet në ferr, po,po, në ferr të vërtetë siç ndodhi me zonjën Sofi e me qindra nëna shqiptare që edhe sot e kësaj dite rrinë me sy nga qielli, deti e rruga duke pritur bijat e bijat e tyre që nuk dihen a janë gjallë. Pikërisht këtë frymë të Shqipërisë postmoniste e përshfaq mjeshtërisht autori i librit Bahri Myftari tek tregimi me titull: “Vrasësit e zonjës Sofi”

     Tregimtari Bahri Myftari ka një mal përvoje mbi supe. “Magazinës” jetike të tij nuk i shpëton dhe dashuria jo vetëm në një plan, por në të gjithë gamën e saj. Një bistok i saj është dhe tregimi “Një grimë dashuri”, ku autori i librit të magjeps me përshkrimin mjeshtëror të natyrës, situatave, gjendjeve psikologjike e shpirtërore të personazheve të tij, Dhimos e Lules, por edhe me gërshetimin e konservatores me modernen, të së mirës me të shëmtuarën, të logjikes e njerëzores, kontrasteve natyrore, si plazmore e mantele argjendore që e çelnikosin, e sharmëzojnë dashurinë dhe të asfikson me mesazhin vizionar për dashurinë, veçanërisht brezin e Ri.

    Në jetën e shkrimtarit Bahri Myftari persekutimi njerëzor ka shtruar çarçafin vujtëror dhe ka ngritur kalvarin e burgimit. Si pjesë e këtij areali, por edhe si pendëndritur ka arritur ta sjellë më së miri në librin me tregime “Vjedhësit e erës.” Personazhet e tij janë Daniel Mezi, axha i tij Pjetri dhe vajza e tij të skalitur aq bukur e mahnitshëm sa që asnjë lexues nuk do ti harrojë.

Në këtë tregim tregimtari i spikatur rrezaton një postulat vizionarë për vlerat e detit, si resus i lirisë, shëndetit dhe begatisë së vendit tonë.

Ja si shprehet autori me fjalën e personazhit të tij: “Daniel, biri im, deti është dhurata më e madhe që i ka bërë perëndia vendit tonë, një pjesë e madhe trupit na njomet e na ushqehet prej tij...Deti është hapësira, ajri, uji dhe dielli...”   

     Me këtë tregim dhe me veprimet e përfundimet e personazheve të tij, autori le tek lexuesi shijen e hidhur të pushtetarëve tanë, të cilët nuk e kanë për gjë ta shesin, ta ndotin e ta keqmenaxhojnë. Ky tregim është një sirenë alarmi për pushtetarët tanë, por edhe një apel i hapur për të gjithë shtetasit e këtij vendi, për të mbrojtur dhe shfrytëzuar detin konformë standardeve e parometrave ekologjikë, këtë pasuri të pashtershme e shumëvlerëshe të vendit tonë.

    Cddo gjë në këtë libër të autorit Bahri Myftari është vënë në vendin e duhur, me kujdes dhe mençuri, si rrjedhojë e një njohjeje të thellë dhe e një vizioni vizionar për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo titull është i gjetur, çdo fjalë është e peshuar mirë, çdo personazh është kalkuluar mirë dhe vetëm atëherë është hedhur në “tregun” e lexuesve. 

Çdo tregim ka idetë, personazhet, problematikën, mesazhin efiçent, përshkrimin magjeps të bëmave, veprimeve e mosveprimeve si dhe pasojat që ka shoqëria e vendi nga këta veprime e mosveprime në kohën, vendin e mënyrën e duhur.

    Të 22 tregimet janë mbresëlënës, lexohen me një frymë, të shijojnë dhe të frymëzojnë, por disa prej tyre janë më të fuqishëm, shërbejnë si katalizatorë e në disa raste edhe si eksplozivë për të rishikuar qëndrimet e veprimet tona. I till është edhe tregimi “Bijët e kolerës”.

 Kolerë, e kaluar kolerës është dyftyrësia për çdo njeri. Veçanërisht për pushtetarët, qeveritarët e politikanët dyftyrësia është virusi më i keq, është shfaqja më e shëmtuar, është forma më tinëzare për ta zhgënjyer e për të sunduar zgjedhësit, njerëzit, popullin.

Tregimi sjellë në kujtesën e lexuesit mesazhin se këta bijë të kolerës nuk janë në qiell, por në tokë, afër nesh e për ditë me ne, janë sheshit, ecin rëndë-rëndë trotuareve, mandej dhe shkallëve të dikastereve dhe faltores së Parlamentit. 

Nga ana tjetër na fton të jemi të kujdesshëm e vigjilentë për të mos u lënë liri e fushëveprimi cilit do qoftë e sa do post të ketë, për të penetruar me interesat jetike të popullit dhe madhore të kombit.  

     Tematika që rrok libri “Vjedhësit e erës” është e gjërë, e gjetur, konkrete e aktuale. 

Ajo është vetë jeta, ku mjeshtri Myftari, si inxhinieri i shpimit, depërton në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, zbulon, fotografon, pasqyron dhe mesazhon me fjalën poetike për ndreqjen e gjërave, për përmirësimin e punëve, për lartësimin e vlerave që ka Shqipëria dhe shqiptari. 

Me tregimet “Absurdi”, “Identiteti” etj. apelon më së miri për të qenë kurdoherë vigjilent, të ndërgjegjshëm e të përkushtuar kur bëhet fjalë për problemet madhore të popullit e kombit tonë, për të cilat ia vlen jo të protestoshë, por edhe të flijosh jetën.

    Proza e Bahri Myftarit ka ritëm, ka bukuri, saktësi, tingull melodioz që të pushton, të ngërthen rreth vedit, të rënqeth, të impunon qëndrim e reagim dhe të amplifikon për ta përballuar jetën me kthinat e saj me dinjitet.

 Herë-herë të shtang, herë-herë të ngre peshë e të jep forcën e Herakliut për të vepruar, herë-herë të gropos për së gjalli me tabllo rënqethëse të vuajtjes e persekutimit, por edhe nga varri, nga tuneli i zi i jetës din të trazmetojë mesazhe mençurie, urtie, guximi, shijesa lumturie, rrugëdalje efeçente dhe ardhmëri progresive Europiane.

     Ja pra, pse e meriton të lexohet, studiohet e bëhet pjesë e çdo lexuesi libri “vjedhësit e erës”, por edhe gjithë krijimtaria e shkrimtarit Bahri Myftari, i cili e përligj plotësisht veten, si mjeshtër i tregimit, si një nga kollosët e prozës shqiptare që duhet të vlerësohet e të zë vend në panteonin e nderit të letërsisë të vendit tonë.



Faik Ahmet Xhani ka lindur në fshatin Lis të Matit 01.06.1948. Aktualisht banon në Tiranë. 
Ka mbaruar Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër për histori-gjeografi. 


Ka punuar mësues, instruktor rinie dhe inspektor i organeve të pushtetit lokal për rrethin e Matit. 


Ka një veprimtari të gjërë botuese në medien e shkruar. Ka botuar librin Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W. Bush. 


Është anëtar i kolegjumit të gazetës "Zëri i Arbërit" dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. 


Ka kryer disa detyra shoqërore, ku ka spikatur ajo e drejtorit të marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet Aziatike tek "Sofra Shqiptare".

LEXONI:


HULUMTUESI DHE PËRGJITHËSUESI I VLERAVE MË TË SPIKATURA TË KOMBIT SHQIPTAR


http://floripress.blogspot.com/2011/07/hulumtuesi-dhe-pergjithesuesi-i-vlerave.html

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...