2012-05-05

Me dy cokla n'votër plaka rri gjith' natën e vajton; rri me duer kah ndezet flaka porsi njeri kur uron.


Këto ditë në shtypin shqiptar është bërë çështje puna e humbjes së eshtrave të dy kolosëve shkodran të letërsisë shqipe . Eshtrat e emrave të mëdhenj të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, mund të jenë zhdukur pas viteve ’90-ta, ndërsa ka lulëzuar shitja e varreve në varrezat katolike të Rrmajit, në Shkodër. Dom Nik Ukgjini, klerik dhe studiues i njohur në Shkodër dhe më gjerë, denoncon skandalin. Ndërsa në një intervistë Dom Nik Ukgjini ka thënë se, “Gjithë kjo masakër që po ndodh në varrezat e Rrmajit, bëhet edhe tani kur ato janë të shpallura ‘Monument Kulture’, as Enver Hoxha nuk i prishi varret trekatëshe të katolikëve”.
Kleriku shkodran (nga Kosova) bën apel për ndërgjegjësimin e institucioneve, të cilat me ligj duhet ta mbrojnë këtë vlerë të qytetërimit perëndimor, dhe kujtesë e një zhvillimi civilizimi njerëzor. Megjithatë, këtu është një paradoks, sepse studiuesit e Fishtës me kohë, sidomos pas rënies së diktaturës komuniste, kanë shkruar se eshtrat e Fishës janë humbur pa gjurmë që para shumë dekadash.










Nga Mr.sci.Flori Bruqi


Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare.



Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë.

Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.

Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore.



Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane.

 Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").

Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.

Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.

Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar.

 Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.

Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".

Mjeda shkroi shumë krijime poetike, shkrime për fëmijës si dhe proza me karakter didaktik fetar. Por ai mbetet kryesisht poet. Veprat e tij kryesore janë "Juvenilja", "Liria", "Lisus", "Scodra".

Dy poemthat e para "Vaji i bylbylit" dhe "i tretuni" paraqitin interes jo vetëm si fillime të krijimtarisë letrare të Mjedës, por edhe për vlerën atdhetare dhe artistike, si edhe për mundësinë që na japim të ndjekim zhvillimin e personalitetit artistik të poetit.

 "Vaji i bylbylit" është krejt lirik dhe shtjellohet nëpërmjet një simboli; bilbili i mbyllur në kafaz është shqiptari nën zgjedhën osmane.

Ndonëse vepra mbështillet me tisin e hollë të melankonisë, i kuptueshëm për moshën dhe për gjendjen shpirtërore në të cilën u shkrua, përfundimi i saj është thellësisht optimist, pasqyron ligjin filozofik të përparimit të jetës, që frymëzon edhe besimin në të ardhmen e Shqipërisë.

"I tretuni" dëshmon për një pjekuri më të madhe ideoartistike. Melankonia e "Vajit të bylbylit" këtu është shndërruar në dhembje krenare, stoike, e cila shprehet më së miri nëpërmjet paralelizmit me natyrën në shtrëngatë, që e hap poemthin.

Ndryseh nga poemthi i parë, ky ka një subjekt të dhënë në forma lirike; fatin e një atdhetari shqiptar, të internuar nga pushtuesit. Poeti do të ketë mendua se ky mund të kishte qenë edhe fati i tij. Në këngën e parë që përshkruan ndarjen e të mërguarit me qytetin e lindjes, Shkodrën dhe me atdheun, duken qartë elementët autobiografikë.

Po Mjeda nuk mbeti në shtjellimin e thjeshtë të një materiali jetësor; ai diti ta përgjithësojë e t'i japë vlerë aktuale. Heroi i poemthit është një fshatar i varfër. Dhe tek zgjedhja e një protagonisti të tillë, ndihet dashuria e Mjedës për masat fshatare, ndjenjë që do ta shtyjë gjatë tërë krijimtarisë së vet t'i zgjedhëheronjtë nga rradhët e fshatarësisë.

Te "I tretuni" ndeshen figurat dhe mjetet e njohura romantike të pasqyrimit të realitetit si: ngjyrat e forta në përshkrimin e natyrës, stuhia në pjesën e parë, që ka edhe një kuptim simbolik, bregdeti i ashpër shkëmbor, ku ka qëndruar heroi duke kujtuar atdheun, ndonjë simbol, si lejleku që e lidh me vendlindjen. Këtu gjenden edhe elementë të riprodhimit besnik të mjedisit, nëpërmjet kujtimeve të protagonistitdhe sidomos vizatimi i figurës së nënës.

Lirizmi dhe epizmi shkrihen në mënyrë të harmonishme. Variacioni në vargje e strofa pasqyron botën shpirtërore të trazuar të protagonistit. Poemthi mbyllet me një frymë të lartë burrërore dhe optimiste: heroi nuk pendohet për rrugën e zgjedhur, po është krenar se vuan për hir të atdheut. Nëpërmjet figurës së nënës "të treturit" që del në këngën e fundit, lartësohet figura e nënës shqiptare, e dhembshur dhe kreshnike, që rrit bij trima dhe atdhetarë.

 Që në këtë poemth të hershëm shohim atë që do të jetë një meritë e rëndësishme e veprës së Mjedës: pasqyrimin e denjë të figurës së gruas shqiptare, veçanërisht si nënë. Ndër lirikat e ndryshme të përfshira ose jo në veprën "Juvenilja" ka një varg vjershash me të cilat poeti ndjek traditën e Rilindjes ku himnizon bukuritë e atdheut ("Malli për atdhe", "Mikut tem Pal Moretti"), duke i kënduar gjuhës si mjet zgjimi të ndërgjegjjes kombëtare ("Gjuha shqipe"), ku i kushton një vëmendje të veçantë problemit themelor të luftës për pavarësi, që ishte bashkimi i shqiptarëve ("Bashkonju", "Shqypes arbnore").

Mjeda, gjithnjë në vazhdën e Rilindjes, ngre lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. ("Vorri i Skanderbeut", "Shqypes arbnore", "Bashkonju", "Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane", "Mikut tem Pal Moretti", "Mikut Pal Moretti", "Lisus", "Liria"), duke theksuar në këtë poemë të fundit lidhjen e thellë të Skënderbeut me popullin, me masat fshatare.

Në vjershën "Mikut Pal Moretti", Mjeda jep një gjykim të drejtë e të mprehtë jo vetëm për rëndësinë e Skënderbeut, si shpëtimtar i qytetërimit evropian, po edhe për politikën dredharake të fuqive të mëdha të Evropës së kohës së vet, që, për interesat e tyre, mbanin në këmbë perandorinë e kalbur osmane. Që në këtë vjershë romantike atdhetare vihen re nota shoqërore. Motive shoqërore janë vënë në bazë të dy vjershave të "Juvenilias": "I mbetuni" dhe "Shtegtari".

Aty preken dy plagë të dhimbshme të Shqipërisë së kohës si: kurbeti dhe qëndrimi mospërfillës i klasave të pasura ndaj njerëzve të thjeshtë të popullit, bartës të luftës për çlirimin e vendit. Po trajtimi i këtyre problemeve nga pozitat e romantizmit me gjurmë sentimentalizmi dhe fryma e humanizmit kristian që i përshkon vjershat i ka zbehur deri diku dhe ka bërë që këto vjersha të mos kenë forcën e vjershave realiste të Çajupit dhe të Asdrenit, me të njëjtën tematikë.

"Lisus" (botuar më 1921) dhe "Scodra"(1940) janë vepra, ku thelbi romantik vishet me një formë klasiciste. Këta dy poemtha liriko-epike karakterizohen nga një stil i kërkuar dhe retorik. Poeti himnizon këtu të kaluarën e lashtë të popullit tonë (te "Lisus" përmes materialit historik, kurse te "Scodra" nëpërmjet legjendës). Interes ka te "Lisus" paraqitja e figurës së Skënderbeut, që poeti ka dashur ta bëjë sa më njerëzore.

Origjinaliteti dhe fuqia e vërtetë e talentit të Mjedës kanë gjetur shprehje në krijimet ku ai arrin në realizëm, si në vjershën "Mustafa Pasha në Babunë", në poemthin "Liria" dhe në kryeveprën e tij "Andrra e jetës".
Tek e para, duke u nisur nga një fakt historik, tradhtia e Mustafa Pashë Bushatlliut, poeti ka tipizuar me forcë, duke e përshkruar "mbi thasë të florinjve, ndër valle jevgash" figurën e feudalit të zvetënuar, anadollak, parazit, që është kurdoherë gati të bëjë flì interesat e atdheut për të vetat.

 Vjersha merr kështu një kuptim të gjerë përgjithësues, duke tingëlluar si akuzë e fuqishme kundër të ashtuquajturve atdhetarë, përfaqësues të shtresave të larta, që përfitonin nga sakrificat e popullit. Figurës së Mustafa Pashës poeti i kundërvë masën e fshatarësisë së ngriturnë këmbë për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë zëdhënës i urrejtjes së saj kundër feudalit tradhtar.

"Liria", poemthi epiko-lirik, i ndërtuar me tingëllima, me problematikë politiko-shoqërore, është, ndofta, vepra e Mjedës që ka ide më të fuqishme. Në të ndihet jehona e kryengritjeve të malësorëve të Veriut më 1911, që tingëllon me forcë që në vargjet e para:

"Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcia" dhe vjen duke u rritur nga një tingëllimë në tjetrën. Poeti frymëzohet nga lufta për pavarësi e amerikanëve kundër kolonizatorëve anglezë, që ishin edhe pronarë tokash, dhe ua tregon shqiptarëve si shembull. Në mbylljen e poemës, ku paralajmërohet shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare nëpërmjet një mjeti të dashur për rilindasit, paraqitjes së hijes së Skënderbeut, që ngrihet nga varri. Poeti thekson se heroi kombëtar shkon "Ksollë për ksollë". Në këtë poemth ka vargje që dëshmojnë për afrimin e Mjedës me idetë demokratike. Kështu, ai pohon se kryengritësit mundën "kështjellat atnore", gjejmë aluzione për shfrytëzimin e fshatarësisë (…s'ka me dalë ushtari me i grahë bulkut si kaut me sjeçe t'begut"). Këto mund të dëshmojnë se Mjeda e sheh lirinë të fituar prej amerikanëve jo vetëm në plan kombëtar, po edhe në plan shoqëror dhe shpreson se populli shqiptar do të shkundë shfrytëzimin e egër bashkë me zgjedhën feudale.

Në këtë poemë shkrihen konçiziteti dhe forca shprehëse. Krahasimet dhe antitezat janë tronditëse ("lirinë e keni ju/ ne hekra kemi…", "Posi berra që bleu mishtari vemi"). Romantizmi ia ka lënë vendin një realizmi ngjethës, një pasqyrim plot dramatizëm të gjendjes së atdheut.

Vargu është njëmbëdhjetërrokëshi, i cili krijon atmosferën e madhërishme, përdorimi i bartjeve i jep dinamizëm stilit dhe shoqëron alternimin e ndjenjave dhe të mendimeve. Lloji i zgjedhur i organizimit të vargut në tingëllima i disiplinon shpërthimet lirike. Gjuha është e pasur, megjithatë veçoritë krahinore e vështirësojnë leximin e lirshëm.

Andrra e Jetës 

Në këtë poemë shoqërore-psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.

Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokes.
"Andrra e jetës" hapet me një metaforë aq të thjeshtë sa edhe të hijshme, të gjallë e kuptimplotë:

Molla t'kputuna nji degët,
dy qershia lidhë n'nji rrfi
ku fillojnë kufijt e gegët
rrinë dy çika me nji nanë.

Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së ngushtë të personazheve të veprës dhe, njëherësh të bën të parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin malësor:

U ndie një za te shtegu;
Cice, del se erdh murgjina
e mbrapa po vjen Trina
me i gjengj të sykës n'grykë!



Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës, e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para se të ngjasë, në një natë të tmerrshme ankthi. S'ka gjë më tragjike dhe njëkohësisht më të lartë njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës pas vdekjes së Trinës; habia fëminore e vogëlushes që s'kupton dramën në shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur i nënës, e cila, duke qenë vetë nën peshën e rëndë të dhembjes, nuk do që ajo të rëndojë, të bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.

Në pjesën e dytë, që i kushtohet Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet këtij personazhi ëndrrat e veta për të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe dëshirat karakteristike për moshën e vajzës me forcë të veçantë psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet rinore të Zogës realizohen.

 Ajo dashurohet dhe martohet. Poeti e përcjell me këshilla plot dhembshuri për jetën e saj të re. Së fundi, me një këngë plot optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë nënë.

Është për t'u vënë rè se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra pas tjetrës, për t'ia lënë vendin buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun e poemës e përbën fundi i jetës së vështirë, plot saktifica e stoike të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret vdekjen ta marrë.

"Andrra e jetës", megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë. Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s'ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfërit mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbyste

sa e sa jetë, ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes). Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur.

Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshmenë përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fati e saj është përgjithësuar fati i tërë atyrë fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës.

Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naive, që nuk kupton ç'ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron "me rrip rreth brezit, me një gjashtore e një kacatore", pra, para së gjithash, trim.

Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës (të kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës, kur mundohet të ngushëllohet me mendimin e jetës së nënshtruar të gruas në familjen patriarkale.

Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t'ia përcjellë një qënieje tjetër flakën e jetës.

"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen.

Tek "Andrra e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik.

Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë dhe bukurinë e saj. Në mendjen e lexuesit dy tabllotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës.
Merita më e rëndësishme e "Andrrës së jetës", e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.

Nga ana artistike "Andrra e jetës" është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla.

Mjeda është një poet atdhetar me prirje të theksuara demokratike që i këndoi lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë së varfër, së cilës i përkiste me origjinë. Nga këto pozita ai pasqyroi edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë të veprës së tij që trajton motive shoqërore gjejmë pakënaqësi nga realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit. Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë të rëndësishme në kalimin e letërsisë sonë nga romantizmi në realizëm.

Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë përshkruese. Poeti është edhe mjeshtër i përsosur i vargut dhe i strofës. Në poezinë e tij gjejmë një larmi të veçantë vargjesh dhe një begati strofash. Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën e lëvron me mjeshtëri të veçantë.

Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë nga personazhet më të realizuara të poezisë sonë).

Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit me punën këmbëngulëse për të lëmuar fjalën e për t'i dhënë shkëlqim.

Vaji i Bylbylit

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?


Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.


Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.


Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.


E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.


A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.


Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.


Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.


E kur t'zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.


Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis


E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.


A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.


Ndër tranfofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?

Gjuha Shqype

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon;
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.


Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.


Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................


Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.


Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.


Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.


Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.


E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Liria

- I -

O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?


A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!


"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................


- VI -

Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.


E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija


e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.


E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.


Andrra e Jetës (Trina)

I

Molla t'kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n'nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt' e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t'but' e qiparisa
mbëlojnë e veshin at' ledinë.

S'ushton mali prej baktie,
s'fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n'at' hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n'shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t'ardhmen Trina mbramje n'shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t'deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s'nd'rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.


II

U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me 'j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu' u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n'sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd'ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n'votër
e fryni n'zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t'mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal' i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s'hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t'plasun,
tue nduk' at' shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t'dy, si kija,
mbi t'shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n'shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin' e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.


III

Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m'u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag'tin' e vet.

- Bij', mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan' e mos çil gojën
se e lumja Zojë t'bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n'dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

- Rri, bij' se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.


Andrra e Jetës (Lokja)

I

E n'balkue mbaruen lulet:
shurdh' a vendi e shpia tytë;
jo, me Loken nji e dytë
nëpër shpi ma nuk u gjet.

Vetun zbardh' e vetun erret
me krye n'hi e shuemja plakë;
nji dorë krande me i ba flakë
përmbi votër kush s'ia qet.

E disprohet me vetveti
që nuk bani kurrnji djalë:
sot e reja i kish dalë
bashkë me dritë për dru në shpat.

Kish mbajtë zjermin ndezë mbi votër,
ia kish njomë njat buk' e mjera;
edhe Lokja me gjith' tjera
kishte dalë me petka n'shtat.

Kish shkue motin si pranvera
me ndo'j fëmijë tu' e kalamendun;
ishte knaqë tue u përmendun
tash e tash ferishta n'djep.

E disprohet ku i ve mendja
or' e ças te Trina, e shkreta!
ia lypë mortës n'ankime t'veta,
por mizorja nuk ia nep.

II

U shty vjeshta e krisantemi
vetun vorreve lul'zon;
landët e pyje, gjith' ku kemi,
tue fry veri po i cungon.

Nd'rron prej dimnit landa veshën,
e lëshon gjeth't qe para pat;
e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,
ia çojnë t'vorfnit me i ba shtrat.

Binte bor' e frynte veri
tue çue akull për gjith' vis;
nalt orteku ushton për mneri
tue fundue çetin' e lis.

Me dy cokla n'votër plaka
rri gjith' natën e vajton;
rri me duer kah ndezet flaka
porsi njeri kur uron.

E shikjon nji dritë t'venitun,
vron pasqyrën e jetës s'vet:
e larg morten tue kositun
e kujton e pran' e thrret.

E ndie 'j frymë përmbrenda shpie
porsi erë qe vjen pa shkas;
e, n'at muzg, nji vegim hije
Lokes n'votër leht' iu qas;

përmbi plakën krahët i uli
e ngryk t'shuemen e shtrëngoi;
buzët t'shpulpueme n'ball' ia nguli;
u ndal drita e ajo mbaroi.



Andrra e Jetës (Zoga)

I

N'për ograjë po këndojnë bylbylat
si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
drandafilleve zymbylat
t'kandshmen erë dhunti ia çojnë.

E nalt n'qiell ma e bukur hana
rreze t'paqta shkon tue shkri;
maje bjeshkve fillon zana
n'valle shoqeve m'u pri.

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
si u ba natë, ndej Zoga n'votër;
ndej m'u xe me dru dullijet
që kish ba n'për mal, pa motër!

E kuvendte me nanë-locen
si përgjumshëm, ndonji fjalë,
derisa bri votrës gocën
e muer gjumi dalkadalë.

Fjet bri votrës: e kur shkëndija
shndritte at fëtyr' të patravajë,
ejëll prej qiellit ulet te shpia
dukej faret fëtyra e sajë.

Herë n'at' gjumë tue qeshun dukej,
si m'u falë herë dorën çote;
herë përmallshem n'veti strukej
e n'fëtyrë gjaku t'tan' i vëlote.

(Ngrimun n'ar, mbi 'i pullali
nën balkue nji beg kish dalë;
holl' e i gjatë porsi selvi
n'rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tue shikjue:
"Flej me engjuj, thotë, o bi;
pusho shtatin me i ndihmue
Lokes sate nëpër shpi".


II

Prej nën nji tjegllet kish dalë si 'j tra,
ku nji mij' tesha vëloshin pa da;
përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
e ushtonte toka

prej kambësh t'bag'tive. Ka dalë Harapi
herët, e shpatit delet ja hapi;
ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
nëpër ograja.

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
pau se n'at' nade poshtë nji lavruer
kish ba nji shpuer.

Tue sjellun krahnin këndote me veti,
e i rridhte krahve si nji valë deti,
ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
rrezet e veta.

Rreze flak' arit. Por rrotull fëtyra
e fushës kish nd'rrue; kish nd'rruemun zyra
e bimës e e pem've; përmbi balkue
deri kish nd'rrue

erë filcigeni; po vite 'j tjetër
erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
shkonte tue qitë.

Nuk e kish vrumun kurr nder dit' t'veta
at rrugë n'balkue. Ktheheshin me çeta
asaj katundsit, tue dalë pa pra
e ajo s'kish pa.

U nis te puna mërziçëm. Nisi
ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
cirliknë rrotllat posht' e përpjetë
nën kambë të shpejtë.

E vojt n'dritare prap. Ndoshta begu
ka mbërri te rruga e pret te shtegu
veshun me t'arta, mbi 'j pullali
për bukuri.

Nuk ishte begu: nën diell t'valtë
veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
balt' e kashtare për çerdhe t'vet,
se Shën Ejëlli a nget.

Ndoshta po avitet nji djal' i ri
i holl' e i gjatë porsi 'j selvi,
me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
e 'j kacatore.

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
nji n'drandofille, nji ndër zymbyla,
përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
me kangë gazmojnë.


III

Vijnë dallëndyshat porsi era
përte' det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n'pyje t'veshuna po i thrret.

Se qe pemët kan' endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.

E, i dish'ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith' vend,
ku 'j erë akullit mizore
kishte hupë lul'zim e shend.

Edhe ti prej asaj që t'rriti
daju, vash', e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s'ta shndriti
paras, shtatin hijesho.

Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t'shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t'tan' i zgjon.

Del, o bij', prej shpisë sate,
del prei t'vorfënit katund;
njajo flakë që n'zemër pate
do t'përvjellin tjetërkund.

T'pret nji zemër flak' e shkëndija,
pret me tanden m'u ba nji;
sa jetë t'apin Perëndia
mos m'u damun kurr prej 'si.

T'lypë nji bes' e ta nep t'ndershme
dora e unazaqë t'ven n'gisht;
e ndërmjet pr'at besë t'gjithhershme
a dorzan' i lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes' që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n'dorë shpata iu veton.

E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an' e mb'an krajlninë e vet.


IV

E kandshme asht hana
kur del me zana,
e n'tokë me dritë përndaret,
Hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n'për qiell, jan' t'bukur faret.

Kur del agimi
e rruzullimi
me 'j dritë kuqloshe mbëlohet
e përmbi kashta
shndritë pika-lashta,
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi,
kur ndihet shpendi
ndër pyje tue pingrue;
e knaqshme a 'j lule
kur iu përkule,
o fllad i leht', me e l'mue.

Por s'i giet qielli,
nuk i giet prilli
as fllad që shetitë lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi 'të përkulet.

Një seri eseistike me shtatë vëllime që rizbulon Ndre Mjedën



Nga Klajd Kapinova New York



Libri i parë i këtij seriali Mjeda-1 Rinia (1866-1888) i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Libri ka gjithsej 640 faqe të numruara, me 2728 futnota, me 138 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori skrupuloz Dr. Mentor Quku me një përkujdesje profesionisti i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës.
Për më tepër studiuesi Dr. Quku, përkundet nga ideja se historia e Ndre Mjedës është përsëritje e përshpejtuar e historisë së fisit të tij. Katër kapitujt e tjerë; “Aventura franceze”, “Tre vjet nën diellin spanjoll”, “Tre vjet të tjera në Kroaci” dhe “ Në Itali”, sqarojnë bëmat e poetit tonë gjatë karuzelit të tij të madh, që u detyrua të bënte rreth e qark Evropës.
Një kapitull qëndror është ai i shtati, që biografi origjinal i mjedeologjisë ia kushton poezisë Vaji i bylbylit, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.
Vëllimi tërheqës mbyllet me kapitullin e nëntë “Viti i mbarë 1888”, vit kur Mjeda boton tre libra dhe ka në dorëshkrim shumë vepra të tjera. Ishte vetëm 22 vjeç, kur i pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një kujtesë fenomenale e një talent të rrallë, kishte arritur të bëhej një nga artistët dhe poliglotët më të shquar të kohës. Brenda një kohe relativisht të shkurtë, Mjeda ishte bërë, në saj të talentit të tij të jashtëzakonshëm, një ndër shqiptarët më të njohur.

Mjeda-2 Albanologu (1888-1899)

Vëllimi ndahet në nëntë pjesë. Libri ka gjithsej 642 faqe të numruara, me 1048 futnota, me 203 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Pjesa e parë e librit, nga jetëshkruesi Dr. Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë. Pjesa e dytë dhe e tretë i kushtohet poezive të Cremonës, që u hartuan nga Mjeda gjatë katër viteve shkollore në Kolegjin De Vida, ku ai ishte profesor muzike dhe bibliotekar: Malli për atdhe, Shtegtari, Uzdaja pa dobi, Meyerling, si dhe dy poezitë kushtuar mikut Pal Moretit. Pastaj vijnë tre pjesë që i kushtohen periudhave kur Mjeda jetoi, studioi dhe krijoi në Krakov, Gorizie dhe Kraljevica.
Një vend të veçantë zënë letërkëmbimi Mjeda-Meyer, i cili na jep informacione të shumta dhe interesante lidhur me kontributet e Mjedës në fushat e studimeve albanologjike. Gjithashtu jepen vlerësime shkencore lidhur me poezitë relike të Mjedës: Gjuha shqipe, Iliri dhe Epiri, Nji shoqit t’em qi kthete në Shqipni, I tretuni.
Kapitujt shtatë dhe tetë i kushtohen angazhimit të Mjedës me studime të karakterit albanologjik, si dhe lidhjeve të tij me rrethet shkencore të kohës, sidomos me albanologun më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyer. Mjeda, ka mbledhur dhe ka përgatitur për botim proverba, shprehje proverbiale shqipe, këngë lirike, humoristike, historike, si dhe legjenda gege. Të gjithë këto u botuan me emrin e Meyerit në Studime shqiptare VI, Viene, 1897, për shkaqe oportuniteti të rrethanave të kohës. Me interes janë kërkimet që bën Quku për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe.
Vëllimi voluminoz mbyllet me pjesën e nëntë, që hedh dritë lidhur me problemin e largimit të Mjedës nga jezuitët dhe për etapën e kthimit të Mjedës në atdhe në atdhe, në pranverën e vitit 1899.

Mjeda-3 libri i parë Alfabeti (1899-1912)

Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Hulumtuesi pasionat Dr. Mentor Quku, gjatë gjithë shtrirjes së veprës në fjalë i provon me dokumente dhe silogjizma bindëse punën këmbëngulëse njëzetvjecare të Mjedës për një alfabet shkencor dhe praktik për të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë rolin e tij të shquar në punimet e Kongresit të Manastirit. Libri ka gjithsej 680 faqe të numruara, me 970 futnota, me 160 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Për një shekull kjo ngjarje madhore kombëtare, u manipulua për shkaqe jashtëshkencore. Kongresin e Manastirit autori e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.
Autori Dr. Quku, përmes një metodike thellësisht shkencore, ka dhënë një version të ri mbipunimet e Kongresit të Manastirit. Ai ka provuar se secili nga delegatët shkoi në Kongres si dalëzotës i një alfabeti të caktuar dhe se të gjitha rrugët për kompromis, që u provuan ditët e para të punimeve dështuan. Ky vëllim provon punën e madhe që bëri Mjeda ynë, për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, se ai ka qenë i aftë të falë punën e tij shumëvjeçare si dhe të ndryshojë qëndrimin e tij, sa herë që këtë gjë ia kanë kërkuar interesat madhore të kombit. Kështu ndodhi në ditën e 20 nëntorit 1908, kur Mjeda bëri kthesën e madhe në momentin e fundit, kur po shihej qartë dështimi i Kongresit të Manastirit. Mjeda, tërhoqi alfabetin e tij me shenja diakritike, për afirmimin e të cilit kishte punuar intensivisht për njëzet vjet me radhë dhe punoi për një alfabet tjetër, alfabetin që kemi sot.
Hulumtuesi shkencor Dr. Quku, përmes gjuhës së fakteve historike, ka provuar rolin vendimtar prej negociatori të talentuar të Ndre Mjedës në këtë moment kthese. Studiuesi Mentor Quku ka provuar se alfabeti i Kongresit të Manastirit është alfabet kompromisi, një akt pajtimi për gjithë shqiptarët, është një zgjidhje politike.
Paraqet interes gjithashtu kapitulli i fundit i librit me titull: “Pas Manastiri”, i cili tregon se si, në prag të Pavarëisë, Ndre Mjeda u marrtirizua nga xhonturqit për shkak të pjesëmarrjes dhe rolit shumë aktiv të tij në Kongresin XII Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg, në Kongresin e Manastirit 1908, si dhe për transkriptimin e teksteve shkollore shqipe në alfabetin e ri unik për të gjtihë shqiptarët, alfabetin e Manastirit.

Mjeda-3 libri i dytë Liria (1899-1912)

Në këtë vëllim autori ndriçon jetën dhe veprën shumëpërmasore të Ndre Mjedës, (përjashto ndihmesën për alfabetin e gjuhës shqipe). Libri ka gjithsej 766 faqe të numruara, me 1087 futnota, me 136 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në këtë vëllim, Dr. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Në krye të këtij libri, autori sqaron me dokumente e analiza periudhën katërvjeçare të Vigut të Mirditës ku shërbeu si famullitar (1899-1902). Më tej ai e ndjek fatin e Mjedës në Rubig, Nënshat, Kodhel, Dajç të Zadrimës, Grash, për të përfunduar në Kukel.
Shkencëtari hulumtues Dr. Quku, ka sqaruar me fakte bindëse pjesëmarrjen e Mjedës në kryengritjen e Mirditës (1901-1902), në ngritjen e shkollës së parë shqipe në Alpet e Veriut, në Iballë (1901-1903), arrestimin e tij nga turqit, në 11-20 tetor 1902 dhe më vonë, në prag të Pavarësisë, në 1-2 nëntor 1912.
Në këtë vëllim faktografik, i jepet një vend i dukshëm krijimeve të tij poetike të kësaj periudhe, Bashkonju, Të popujve të lypim lirim, Për një shkollë shqipe mbyllë prej qeveris otomane, Shqypes arbnore, si dhe soneteve Lirija, Lissus, Scodra. Po ashtu jepen të dhëna të reja për poezitë asketike të Mjedës, si dhe këngët mirditore të trimërisë të mbledhura e përpunuara për botim nga ai.
Tek kundron me andje këtë vepër sheh se albanologu ynë Dr. Quku, jep të dhëna interesante për projektet e Mjedës për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet e bibliotekat e Romës, Vjenës për dokumente me rëndësi për historinë e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë janë projektet e tij për të vazhduar veprën seriale të Farlatit-Coletit Illyricum Sacrum.
Nëse shikohet me kujdes kronika e ngjarjeve në vijim të veprës në fjalë tepër intriguese për lexuesin janë projektet e tij ekologjike, për të rezatuar modele për zonat përreth. Edhe këtu autori nxjerr konkluzionin e rëndësishëm se Mjeda nuk i caktoi asnjë rol poezisë së tij, gjë që provon se krijimtaria e tij poetike ishte art i vërtetë, art i kulluar. E kundërta ndodh me pjesët e tjera të veprës së tij. Mjeda nuk mund të qëndronte indiferent kur shtrohej problemi i lirimit të atdheut, ai i ndërtimit të shtetit të ri shqiptar, apo ai i procesit formues të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Kështu ai përpiqet të marrë pjesë dhe të luajë një rol udheqës në kryengritjet popullore, të luajë rol prej misionari në emancipimin e fshatit shqiptar, në modernizimin e bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë, në arsimimin e brezit të ri, e sidomos në studimin e pasurimin e gjuhës shqipe, gjë që ai e vlerësoi si pasurinë më të madhe kombëtare. Vëllimi mbyllet me kapitullin Retrospektivë, ku trajtohen probleme nga më të ndryshmet, që kanë lidhje me nënën e Mjedës, me vitin e botimit të Shahirit Elierz, me Kongresin e Hamburgut, me Kongresin e Manastirit, me problemin e autorësisë së disa përkthimeve në italisht të poezive të Mjedës si dhe me të dhëna rreth studiueses së Ndre Mjedës, Jolanda Kodrës.

Mjeda-4 Identitet

Libri hedh dritë mbi etapën e katërt biografike të poetit (1912-1925), që përshin shërbimet e tij si famullitar, si mësues, si deputet, si asamblist, si koordinator. Libri është i pajisur me një aparat shkencor të dendur, me skica, harta, tabela, grafikë, spote, fotografi, fotokopje, frontespice, çka flet për metodën shkencore të autorit, i cili bën krahasime, çel debate, të ngre teza e hipoteza, bën analiza e provokime shkencore. Libri ka gjithsej 634 faqe të numruara, me 923 futnota, me 96 fotografi, 5 spote, 66 fotokopje dokumentesh, 6 grafika e pasqyra, 4 harta e ilustrime.
Vepra e re ndriçon me dokumenta e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar (28 nëntor 1912) dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare (2 mars 1925). Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal.
Pikërisht për këtë Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës shqipe, historsë, etnologjisë, folklorit, mitologjisë. Autori preferon të sqarojë disa nga dilemat, të krijojë dilema, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit që të përfshihen në diskutime, të ndërmarrin gjurmime në arkiva, biblioteka e muzeume.
Vepra është e shoqëruar me treguesit e emrave të njerëzve dhe të vendeve gjeografikë si dhe me një përmbledhje në anglisht që e bën veprën objekt për rrethet albanologjike. Edhe kësaj radhe hulumtuesi i kujdeshëm dhe shumë rezultativ Dr. Mentor Quku i ka qëndruar besnik idesë për të paraqitur jetën e Mjedës në unitet me veprën e tij si dhe me epokën që e lindi.



Mjeda-5 Gjuhëtari

Në periudhën e fundit jetësore, (1925-1937), Mjeda pati një përkushtim të veçantë ndaj veprimtarisë shkencore, letrare, gjuhësore, asketike e pedagogjike. Libri ka gjithsej 733 faqe të numruara, me 801 futnota, me mbi 200 fotografi, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në vitet 1925-1929, Mjeda jetoi i mbërthyer në famullinë e tij në Kukel, realisht i dënuar që të mos lëvizte jashtë famullisë.
Në vitet 1930-1937, Mjeda punoi si profesor i gjuhës shqipe në Shkodër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin zyrtar si famullitar i Kuklit. Ai gëzoi përkrahjen dhe nxitjen e një reformatori të madh, siç ishte Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve, Ëladimir Ledohoësky. Mjeda do të merret kryesisht me studime gjuhësore, si edhe me botime të kësaj natyre, me vëllime të veçanta ose me artikuj problemorë e kritikë. Për këtë edhe do të rigjallërojë letërkëmbimin me shumë albanologë të huaj, miq e dashamirë, nxënës dhe dishepuj të tij të shumtë. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Megjithëse thuajse i vetmuar dhe i zhgënjyer në planin kombëtar e atë social, ai do të punojë fort deri në fund të jetës.
Një ndër projektet e tij të vjetra ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi, KLSH) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër shoqërinë letrare Shën Jeronimi. Në kuadrin e kësaj shoqërie letrare, Mjeda do të botojë disa vepra kryesisht të autorëve të vjetër shqiptarë. Ai do të botojë veprën e Bogdanit, Çeta e Profetëve, si edhe do të fillojë të transkriptojë Pasqyrën e të Rrëfyemit të Pjetër Budit.
Një kapitull i veçantë në këtë fazë është debate që lindi mes tij dhe studiuesit të ri Filip Fishta. Dom Ndre Mjeda dha shembullin e kërkuesit shkencor në gjuhësi. Ai organizoi në moshë të shtyrë ekspeditën në vendlindjen e Pjetër Budit, Gurin e Bardhë për të njohur të folmen e Budit, si edhe kërkime në arkivat e Parisit e të Romës për të gjetur veprat e rralla të panjohura të Budit.
Ardhja e Mjedës profesor i gjuhës shqipe në Seminarin e jezuitëve, korrespondon me fillimet e revistës Leka, si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj. Mund të themi se pesha e madhe që kishte në mjediset jezuite, bëri që personaliteti i Mjedës të interferohej edhe në profilin e Lekës.
Një ndër këto efekte është stabilizimi i normës letrare që përdori revista. Mund të themi se praktika drejtëshkrimore e revistës mori një profil të qartë që shkonte drejt afrimit me toskërishten nën drejtimin e Mjedës. Nji gjâ e bâni të Madh e të padekshëm Mjedën: dashunija e stërfuqishme për gjuhën shqipe.
Ne këtë vëllim Dr. Quku analizon veprën e rëndësishme „Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe“, e cila u pasua nga një debat mes tij e Justin Rrotës. Gjithashtu në këto vite është rindezur letërkëmbimi Mjeda-Pedersen, i lënë në mes para tri dekadash.
Mjeda, pasqyrohet si zotëronjës i mirë i shumë gjuhëve të huaja, si italisht, latinisht, greqishte e vjetër, si edhe gjuhët sllave, i shumë fushave të dijes e të shkencës, njohës i mirë i fjalëformimit të fjalëve shqipe në procesin e vet historik, si etimologji, onomastikë, dialektologji, morfologji e fjalës, si në studimin e shkëlqyer Prend e Prendë (1932), apo në Dromca toponamastike (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta), (1936), ku debatoi me studiuesin Josip Gelčić. Ai njihet për aftësitë e tij për kërkime të dokumenteve të vjetra të shqipes, për përpunimin dhe botimin e tyre. Relikte të dialektit të shqipes së Istries, puna me veprat e Budit, transkriptimi i 14 ligjeratave të Cuneus Profetarum të Bogdanit, si edhe Shenjime bibliografike: Bartoli Matteo Nji relikte e dialektit t’Istries, Në “Studi albanesi”, Roma, 1931. Në vitet 1930-37, Mjeda punoi gjatë për një vepër fondmentale të gjuhësisë shqiptare, Fjalorin leksikografik të gjuhës shqipe.
Do mësojmë për njeriun Mjeda dhe këtë do ta bëjmë përmes letërkëmbimit që pati në këtë periudhë të jetës së tij. Janë kryesisht letra të këmbyera në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Emzot Lazër Mjedës.
Një bllok tjetër është edhe ai i këmbyer në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Atë Jak Gardinin SJ, në periudhën 1933-1937. Së fundi janë edhe letra të këmbyera me personalitete e njerëz të tjerë të thjeshtë. Shohim së pari bllokun e letërkëmbimit të Dom Ndre Mjedës me Emzot Lazër Mjedën. Në AQSH ruhet një bllok i mirë i letrave që Jak Gardini i dërgoi Ndre Mjedës në vitet 1933-1937. Po ashtu jepen edhe pjese te ruajtura nga leterkembimi me albanologe te ndryshem, si edhe me personalitete te ndryshme te kohës apo edhe me njerëz të thjeshtë të popullit.
Një kapitull me vete zë vdekja e poetit, i cili sapo u kthye nga Tirana sëmuret nga paraliza e zemrës dhe vdes në Shkoder më 1 gusht 1937, në vigjiljen e festës se Kuklit, Shën Shtjefnit. Katafalku me trupin e tij, vendoset në kishën e Jezuitëve në Shkodër.
Rinia studentore, përfaqësues të tjerë të rinisë shkodrane, miq e dashamirës, dishepuj e bashkëpunëtorë bëjnë homazhe para trupit të tij. Nderimet, fjalimet dhe procesionet në qytet me arkivolin e tij u bënë ditën e hënë, më 2 gusht. U varros në kriptin e Kishës së Jezuitëve. Humbja e një prej krojeve më të pastra të lirikës shqiptare, Dom Ndre Mjedës, u përcoll me dhimbje në madhe nga populli.

Mjeda-7 Bashkëkohësit

Libri ka gjithsej 494 faqe të numruara, me mbi 290 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, skica, harta e ilustrime. Tek ky vëllim, autori përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta.
Libri na ka paraqitur një Dom Ndre të dalur prej përshtypjeve e mendimeve të një morie njerëzish të cilët kanë patur rastin ta njihnin në jetë. Ky ka qenë nji shestim krejt i posaçëm i autorit. Ndryshe prej shumë botuesve e studiuesve të veprave të autorëve tonë të shquar, Dr. Mentor Quku është kapur me një aspekt krejt të veçantë për të studiuar personalitetin e një figure të madhe letrare e historike.
Ka qenë nji ide krejt origjinale dhe mendoj se ka për të patur vlerë për studime të ngjashme me këtë. Dhe nuk është, një punë e thjeshtë dhe e lehtë. Është dashur për të ndjekur e gjurmuar një numër të madh personash, pastaj për t’i intervistuar, duke nxjerrë prej secilit njoftime të dorës së parë, të cilat kanë nji vlerë të pakrahasueshme për të kuptuar më mirë një personalitet kaq poliedrik si Dom Ndre Mjeda.
Këtë autori e ka bërë duke ndjekur këta persona, si i thonë fjalës mal në mal e kodër në kodër, duke regjistruar gjithçka nxirrnin prej gojës, duke pasqyruar kujtimet që mbanin në mendjet e zemrat e tyre. I ka dhanë fjalët e tyre në sintezë, pa i mbushur me fjalë të kota, por duke i paraqitur në mënyrë lakonike, në esencën, në thelbin e tyne. Kështu që me pak, pa stërhollime, na del përpara nji Dom Ndre i thandruem më së miri, si, deri më sot, pak kush ka mundur ta imagjinojë.
Të gjitha këto sqarohen jo vetëm prej dokumentimit, që parashtron autori i kësaj vepre, e cila në vetvete përban një përmendore ngritur Mjedës, por këtë e vërtetojnë edhe sa e sa dëshmitarë të intervistuar të cilët duhen lexuar mbi e nën rreshta sepse, në mënyrë të thukun, thonë më shumë se çka thjesht shkruhet ose është shkruar deri sot.
Pjesën më të madhe të tekstit, të përfaqësuar prej intervistave, e plotëson më në fund riprodhimi i disa shkrimeve kushtuar Dom Ndreut në trajtën e portreteve, kujtimeve e të njoftimeve të nxjerruna prej autorësh e veprash të ndryshme të të gjitha kohëve.
Autori premton që brenda vitit të na japë vëllimin Mjeda-6, Bibliografia, do na ofrojë aparatin ku është mbështetur monografia. Me perjashtim te vellimit Mjeda-1 që ka si redaktor Selami Tabakun dhe korrektor letrar Paulin perjen, të gjithë vëllimet e tjera të serise kanë redaktor studiuesin e onomastikës Dr. Jusuf Shpuza dhe korrektor letrar Palokë Rrotanin. Libri është përpunuar në Studio grafike Vizion me udhëheqës Meritan Spahia.
Ballina është vepër e piktorit të talentuar Gjergj Spathari. Fotografia është vepër e mjeshtrit të madh, të fundit të dinastisë së fotografëve shkodranë, Angjelin Nënshatit. Ilustrimet janë vepër e piktorit të filmit shqiptar, Astrit Tota. E gjithë seria, e cila është realizuar me një cilësi të lartë nga Shtëpia Botuese ILAR.
E gjithë seria dallohet për risi në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, Ndre Mjeda. Seria Mjeda u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas Ndre Mjedës, i cili mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.

Kush është shkencëtari i Mjedologjisë Dr. MENTOR QUKU?


Ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e Shkodrës. Shfaqi një talent të veçantë në pikturë. Mori mësime nga ikonografja e njohur Viktori Puzanova, si dhe nga piktorët e shquar Simon Rrota dhe Vladimir Jani.
Lufta e klasave ia ndërpreu të drejtën për të vazhduar në këtë fushë. Në qershor 1954 kreu shkëlqyeshëm shkollën pedagogjike Shejnaze Juka në Shkodër, në vitin 1957 Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aktualisht jeton me bashkëshorten, Ixhlal Qukun, në Shkodër, me të cilën ka tre vajza, Valbonën, Orjetën dhe Evisin.
Në vitet 1954-1957, ka shërbyer arsimtar në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit. Ndërsa në vitet 1957-1961 ka shërbyer në shkollën e mesme Hydajet Lezha, Lezhë. Për dy vite shkollore, 1961-1963, ka qenë mësues në shkollën e mesme Xheladin Fishta, Shkodër. Më 1963-1965 ka kryer shërbimin ushtarak në Laç të Milotit. Pastaj, në vitet 1965-1991, ka qenë mësues në shkollën e Barbullushit.
Më 1991-1992 drejtor në shkollën e Bahçallekut. Më 1992-2000 ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër. Sot është në pension. Është drejtor i revistës Kumtari, nr. 5,6,7, si dhe i gjashtë vëllimeve të Seminari Ndërkombëtar, Shkodra në shekuj, I, II/1, II/2, III/1, III/2, III/3. Ka drejtuar projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare Shkodra në shekuj (1, 2, 3, 4).
Është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikë të dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstollogji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji e moshave. Gjithashtu në histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi politike, letërsi për fëmijë, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë.
Ka botuar në Studime filologjike, Studime historike, Studime pedagogjike, Kultura popullore, Buletin shkencor i Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, Kumtari i Muzeut Historik Shkodër, Seminari Shkencor Ndërkombëtar Shkodra në shekuj, Nëntori, Les Lettres Albanaises, Shqipëria e Re, Ylli, Hylli i Dritës, Gjuha e Jonë, Albanica Ekskluzive, Lemba, Flaka, Illyria, Dielli, Koha Javore.
Tema qëndrore e studimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë e në shumë vende jashtë shtetit. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë Rinia. Me këtë rast fondi Dr. Peters Mahringer-Fonds i bëri një vlerësim maksimal, duke i siguruar mundësitë për ekspedita kërkimore shkencore në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës.
Më 2005-2006 punoi në Österreiche Haus-Hof-und Staatsarchiv, Österreische NationalBibliothek, Archiv der Universität Ëien, Bibliothek des Ost-und Südost Europa Instituts, Muzeun Nacional të Vjenës, Meyerling Museum, Bibliotekën e Universitetit të Gracit. Bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup, etj. Punoi në Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin Historik të Provincës Venet.-Met. Gallarate; Bëri kërkime në Arkivin e Bibliotekës së Hamburgut, Chataue Aleux Laval, Bibliotekën Naukoëa Księży Jezuitόë, Krakoë; në The Royal Library, Manuscripts and Rare Books-Copenhagen; në Manastirin e Ara Christi, El Puig, Valencia, Kuvendin San Spirito, Porta Coeli. Është laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008).

Seria MJEDA në qarkullim:

-Mjeda-1 (1866-1888) Rinia
-Mjeda-2 (1888-1899) Albanologu
-Mjeda-3 libri i parë (1899-1912) Alfabeti
-Mjeda-3 libri i dytë (1899-1912) Liria
-Mjeda-4 (1912-1925) Identitet
-Mjeda-5 (1925-1937) Gjuhëtari
-Mjeda-7 (Bashkëkohësit)
Së shpejti del:
-Mjeda-6 (Bibliografia).
Njeriu i shquar i kombit tonë Mjeda, në të ardhmen do të ketë edhe shtatë volume të reja, që studiuesi i palodhur Dr. Mentor Quku do të botoj deri në vitin 2013:

MJEDA 6 (Bibliografia) del brënda vitit 2010.
MJEDA 8 (Përmbledhje) në shqip dhe ne 3-4 gjuhë më të mëdha të folur sot në botë, e cila sipas parashikimeve të studiuesit të shquar Dr. Mentor Qukut, pritet të dalë brënda vitit 2011.
MJEDA 9 (Album fotografik) do të dalë nga shtypi gjatë vitit 2011.
MJEDA 10 (Poezia, vepra)
MJEDA 11 (Proza, vepra)
MJEDA 12 (Studime, vepra)
MJEDA 13 (Letërsi artistike për femijë)
MJEDA 10-13 do të dalë në vitet 2012 dhe 2013.
Me qenë se MJEDA 3 është në dy vëllime, autori Dr. Quku, po e mban fjalën, që i ka dhënë në vitin 2004, d.m.th. se do të botoj 14 vëllime për ndërtesën e madhe të gjeniut NDRE MJEDA.



VLERESIME

E nderuaraValbonë, E falënderoj babën Tuaj për veprën që ka qitë në dritë edhe pse ndoshta mundi i Tij as përsëafërmi nuk do të paguhet, por që do të bahet i pavdekshëm me këtë vepër kolosale. Ju përshëndes dhe në se flisni, Mentorin të ma përshendesni përzemërsisht.
Dom Anton Kçira

Me dije, dashuri dhe përkushtim të lakmueshëm, studiuesi Mentor Quku, ka kërkuar parreshtur të zbulojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, të shmangë deformimet apo gabimet që sjellin kohët. Janë aq të shumta, të argumentuara dhe bindëse ballafaqimet, krahasimet, debatet e polemikat që ai sendërton në serialin e monografive të tij, për çështje të koklavitura e të ndërlikuara të Lëvizjes Kombëtare, si për çështjen e alfabetit, të lëvizjes demokratike në Shqipërinë e viteve ’20, për historinë e shkollës shqipe, të letërsisë, etj, çfarë provon se argumentet e shumta i kanë zhdërvjelltësuar edhe metodën dhe optikën e vlerësimit të dukurive ose, thënë ndryshe, kanë përcaktuar stilin e tij si studiues. Ai ka arritur të japë, duke tejkaluar nivelin e deritanishëm, mozaikun e shumëvlershëm të Mjedës, që është jashtëzakonisht i pasur dhe i larmishëm.
Fatbardha Hoxha

Lidhja Quku-Mjeda është një fatalitet me fat, një lidhje deri në palcë. Më shumë se 30 vjet Quku “bashkëjeton” me njeriun dhe personalitetin Ndre Mjeda. I projektuar brënda Mjedës, Quku ka premtuar një seri me dhjetë vëllime, punë që i takon një akademie. Ai është i vetëdijshëm për atë që ka marrë përsipër dhe po ia del më së miri të kryejë këtë detyrë dhe i vetëm. Puna me Mjedën e mbush me energji dhe i jep forcë për të ecur para pa u ndalur. Ky optimizëm dhe vullnet i mirë e ka sjellë këtu ku është sot. Mirënjohje! E kemi menduar, dikush ia ka thënë. Të gjithë duhet t’ia themi këtë fjalë Mentor Qukut. Për të kjo është mbështetja më e madhe.
Arjeta Ferlushkaj

Albanologu i shquar Quku, falë një pune të palodhshme prej shumë dekadash, vjen para lexuesit mbarëshqiptar me një kolanë të plotë të jetës dhe veprës së gjeniut të shek. XX, Ndre Mjeda. Me këto monografi tetëvëllimesh, Dr. Quku, na mundësoi jo vetëm ne, bashkëkohësve të tij, por edhe brezave të ardhshëm njohjen e plotë të jetës dhe veprave të këtij Rilindasi të Madh, aq sa, pa këtë vepër monumentale, ai do të kishte mbetur në “hije”, sikurse kanë mbetur shumë të tjerë deri më sot. Me këtë vepër, ai u jep edhe një leksion të mirë historianëve të letërsisë dhe studiuesve të figurave të shquara të kësaj gjinie, se me çfarë pasioni e përkushtimi të madh duhet t’u përvishen hulumtimeve, studimeve dhe analizave për ndriçimin e plotë edhe të figurave të tjera, që nderojnë kombin tonë ndër shekuj. Me Mjedën, Dr. Quku hyri me dinjitet në elitën e studiuesve më të mirë, duke zënë një vend nderi në krye të kësaj elite dhe së bashku me Rilindësin e Madh-Mjeda, pavdeksoi edhe veten e tij.
Tomë Mrijaj

I nderuari Mentor, Kontributi real që keni dhënë për të nxjerrë në pah vlerat historike - kulturore të Shkodrës në radhë të parë dhe më gjërë janë dëshmia më e qartë për vlerat tuaja si qytetar i denjë i Shkodrës, si intelektual e punonjës shkencor, por edhe si drejtues i zoti e me vizion. Asnjë punë nuk mund të jetë e suksesshme në qoftë se nuk paraprin shpirti e frymëzimi për vepra të mira që do të zënë vend në Altarin e Kulturës Kombëtare dhe do t’u shërbejë brezave.
Mahir Hoti

Çdo lexues, sado i zakonshëm të jetë, nuk ka se si të mos përulet dhe të heqë kapelen dy herë. Një herë për Mjedën e Madh dhe herën e dytë për atë, që po na e jep, kaq të madh e të vërtetë Mjedën, Mentor Qukun. Ndërsa studiuesit, historianët, gjuhëtarët, politikanët e vërtetë, ata, kanë një visar, nëse duan të njohin Mjedën, në përgjithësi dhe Shqipërinë e atyre viteve në veçanti.
Fadil Kraja

Jam me mbresat e pashlyeshme të leximit të veprës “Mjeda-2”, dhe në këtë ndërmarrje të madhe jetësore, të pashembullt, së paku në letërsinë tonë të shkruar, ju uroj shëndet e forcë për ta përfunduar sa më shpejt e me dinjitet shkencor. Për mua që kam ndjekur mirë shkrimet tuaja, pothuaj nga ato të parat e deri më sot në korpuse të plota, për Ndre Mjedën, ka qenë trimëri e guxim burrëror i juaji për t’ia hyrë filozofisë, teologjisë, religjionit kristian, letërsisë, analizës së tekstit, metrikës, figuracionit letrar, gjuhës etimologjisë, epistolarit, organizimit të jetës të njërit prej urdhërave më të vështirë dhe enigmatikë (e pse jo edhe më të përfolur gjatë shekujve), Shoqërisë Jezu (SJ), dishepujt e së cilës njohën, përzgjodhën, rritën, kulturuan dhe edukuan fenomenin MJEDA! Nuk po them për pedagogjinë dhe psikologjinë, sepse ne jemi pedagogjikas!
Tefë Topalli

Mentor Quku, i cili ka vite që studion Mjedën, deri tash ka botuar katër vëllime për Mjedën, botime që Akademia e Shkencave të Shqipërisë apo Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk i ka pa as në ândërr. Po lexoj vëllimin që studjon, hulumton, përimton, veçon, bashkon, përshkruan, vërteton, daton, polemizon, pohon veprimtarinë e jashtëzakonshme të Dom Ndreut për alfabetin e gjuhës shqipe, që në të vërtetë është një histori gati krejt e re për themelimin e alfabetit tonë. Drejt me thanë, ndonëse Mjeda është në qendër të vemendjes, ky libër i kushtohet po aq gjithë veprimtarisë, peripecive dhe përpjekjeve titanike të atdhetarëve shqiptarë për alfabetin që kulmon me Kongresin e Manastirit. Gjithçka është në një vështrim të ri, mbi të gjitha mbi të vërteta të reja. Vepra e tij është madhore, madje universale, sa letrare aq dhe historike, sa arkivore aq edhe shkencore, sa “e vjetër” po aq edhe një risi.
Besnik Dizdari

Erdhi pra dita që e vërteta të delte në dritë. Dhe këtê, për Dom Ndré Mjedën e bani Mentor Quku. Merita e tij, âsht se ka dijtë me sundue nji mal njohunish e njoftimesh të cilat sidoqoftë asht tepër e vështirë me i mbarështue dhe se ka mbërrijtë me na dhanë, për herë të parë, nji Mjeda që na shfaqet ashtu si pak kush ka mujtë me e hamendë të tillë.
Willy Kamsi

Vepra është një sintezë e madhe kronologjike e jetës, veprës, bashkëkohësve dhe e kohës në të cilën jetoi Ndre Mjeda. Ajo është njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të një teme, sikur është kjo e Mjedës, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: mjedologji. Autori nuk përfaqëson grup studiuesish që kanë marrë një detyrë institucionale. Ai në të vërtetë është duke kryer një mision, me të cilin është kthyer në një institucion më vete.
Begzad Baliu

Profesor Quku të uroj nga zemra për punën e madhe, shumë të madhe që ke bërë, duke arritur ta shterrosh Mjedën, edhe pse në bisedë ju shpesh më keni thënë se figura të tilla nuk shterrohen kurrë. Me veprat që na keni dhurue, pra duke e shterrue këtë figurë kaq komplekse, Ju keni kryer një detyrë të madhe atdhetare, duke e pasuruar gjerdanin e kulturës sonë me një gur të çmuar. E kam pasë gjithmonë bindjen se keni qenë një punëtor i klasit të parë, tash më duket se asht pak të them Mjeshtër i Madh.
Skënder Temali

Mentor Quku ka kapërcyer mbi një metodikë standarte në zbërthimin e një figure historike, që zakonisht kufizohet me shprehjen stereotipe: “Jeta dhe veprimtaria” e x, y, z...”. Në punimin e tij gjigand ka ndarë jetën me veprimtarinë, e këto të dyja i ka ndarë po ashtu në të tjera kategori, duke i kushtuar jo pak secilës prej tyre, por edhe një vëllim të tërë siç është rasti i alfabetit. Apo siç është rasti i vëllimeve të pritshme që do të dalin dy vitet e ardhshme: Atdheu, Liria, dhe Gjuhëtari. Tetë do të jenë gjithsej vëllimet për figurën e Mjedës, çka shënon edhe një rekord në lëmin e studimeve në letrat shqipe, si nga volumi ashtu dhe nga përmbajtja.
Ermir Hoxha

Është puna jetësore e hulumtuesit Mentor Quku, siç mund të thuhet, është edhe projekti më i madh i hartuar ndonjëherë për një krijues të Rilindjes sonë Kombëtare. Çështja e parë që të imponohet, pasi të mbyllesh kopertinat e këtij vëllimi, që është nisma shumëvëllimëshe e punës së këtij autori, është: a e kemi lexuar ne Mjedën, çka dimë për Mjedën, a e kemi studiuar ne krijimtarinë e tij, a kemi njohuritë elementare për jetën dhe rrugën krijuese të Mjedës? Shumë prej këtyre dilemave hiqen pasi të lexohet ky libër siç, në të njëjtën kohë, shumë dilema shtohen posa përfundohet libri. Mendoj se kjo është veçoria e parë e një hulumtuesi, të heqë dhe të shtojë dilema.
Emin Kabashi



Mentor Quku studiues i njohur, që tërë jetën ia ka kushtuar hulumtimit dhe studimit të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, kohë më parë ka botuar veprën studimore: Mjeda 1. Është kjo një vepër studimore, e shkruar me përkushtim dhe akribi shkencore, që hap një epokë të re në studimin e figurës dhe veprës së Ndre Mjedës. Është kjo një monografi studimore alternative, ku ka shumë gjurmime, shumë vlerësime dhe rivlerësime, shumë provokime shkencore, shumë hipoteza, por edhe shumë bibliografi e arkivistikë.

Isak Ahmeti

Fantazma e Paraardhësit



Nga Lazër Stani





Nëse ka një shkrimtar erudit, një shkrimtar që i ka lexuar të gjithë librat, ky është Jorge Luis Borges. Letërsia e krijuar prej tij, në poezi dhe në prozë, duket sikur vjen prej librave, letërsia e tij, duket sikur vjen nga letërsia. Ky arsyetim i cekët të çon te një analogji që lidhet me veprën madhështore të Ainshtajnit (Albert Einstein), i cili në një moshë fare të re krijoi teroinë tij të relativitetit. Teoria e relativitetit , që më vonë pushtoi botën dhe e klasifikoi Ainshtajnin si mendjen më gjenaile të shekullit të njëzetë, erdhi si rezultat i riinterpretimit të informacionit të grumbulluar nga të gjithë shkencetarët paraardhës, nëpërmjet vrojtimit, eksperimetimit dhe teorive të krijuara gjatë shekujve. Shkenca e Ainshtajnit, mund të thuhet me plot gojën se është një shkencë e ardhur nga shkenca, një dije e ardhur nga dija. U deshën dekada të tëra që shkencëtarë të tjerë pasardhës të provonin eksperimentalisht dhe fakteve të mbledhura nëpërmjet vrojtimeve , vertetësinë e teorisë së Einsten-it.
Edhe Letërsia e Borges-it, duket si një letërsi e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë. Në librin e tij “El oro de los tigres” Borges shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim… Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Broëning; pastaj ata që kam lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.
Pavarësisht kësaj deklarate fisnike Jorge Luis Borges nuk është as Socrates, as Robert Browning as William Blake, dhe as Franz Kafka. Ai, është, Jorge Luis Borges.
Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për Garbriel Garcia Marquez. Në njërën prej intërvistave të tij ai thotë se më ka bërë shkrimtar “Metamorfoza” e Kafkës. Pasi ka lexuar këtë libër të dhuruar nga një mik i tij nga rrethet intelektuale të Bogota-s, Marquez kuptoi se mund të shkruhej edhe ndryshe, nga sa ishin shkruar të gjithë librat që kishte lexuar deri atëherë. Kontakti me letërsinë e Kafkës që një shtysë aq e fuqishme për shkrimtarin e ri, sa e ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Efekti ishte çlirues.
“Unë i thashë vetes se nuk kam njohur askënd që i ka lejuar vetës të shkruajë gjëra si këtë. Nëse do ta kisha ditur, unë do të kisha filluar të shkruaja shumë kohë më parë”, shprehet Marquez.
Nga shkrimet joseriozë të botuar në media dhe nga rrëfimet që i shkruante vetëm për t’ua lexuar miqve të tij intelektualë, Marquez kalon shumë shpejt te letërsia e tij e madhe që ne e njohim sot, duke filluar që më romanin “Gjethurinat” të botuar në vitin 1955.
Edhe Nikos Kazantzakis flet me krenari për paraardhësit e tij, për “guru”-të e tij shpirtërorë, pavarësisht se mirbërësit e tij të mëdhenj ai cilëson udhëtimet dhe ëndrrat. “Ndër njerëzit, të gjallë e të vdekur, shumë pak më ndihmuan në luftë e në përpjekjet e mia. Por nëse do do kërkoja se kush prej tyre la gjurmë të thella në shpirtin tim, do të veçoja, ndoshta, tre-katër: Homerin, Bergsonin, Niçen dhe Zorban”, ka shkruar Kazantzakis
Nga këto pak referenca, duket sikur arrijmë në një përfundim pak a shumë të trishtuar që e zbehë dhe e çshenjtëron aktin e krijimit, që e paraqet atë si një cikël zinxhir, ku sëcili ndez nga një zjarr të vogel, herë të dallueshem e herë të padukshëm në pafundësinë e ciklit që ripërsërit vetveten në një qerthull të mbyllur. Termi origjinalitet në këtë rast bëhet i pakuptimtë dhe e gjithë letërsia botërore të ngjan me një kështjellë të vjetër, me shumë labirinthe e kthina të panumërta, ku ndodh një trafikim i vazhdueshem emocionesh, ndjesishë, imazhesh , historishë, nga një kthinë të tjetra, që në fund të fundit nuk sjellë asgjë që është “herë e parë”. Çështja që shtrohet këtu është shumë tronditëse: nëse vërtetë janë shkruar të gjithë librat, nëse vertetë tashmë asgjë nuk është “herë e parë”, atëherë përse vazhdohet të shkruhet?
Eshtë e qartë se letërsia jonë nuk vjen nga hiçi , është e qartë se kjo letërsi ka paraardhësit e vet të ndryshëm te secili shkrimtar , herë të padukshëm e të heshtur , e herë sfidues e shkatërrues. Dhe duke mos ardhur nga hiçi, është e kotë të flitet për një origjinalitet të plotë e rrënjësor në letërsi. Origjinaliteti, sikurse shkruan Ernesto Sabato “nuk ekziston as në art dhe as në ndonjë vepër tjetër të njeriut: gjithçka ngrihet mbi një gjë të mëparshme”.
Çështja e origjinalitetit, çështja e identitetit të veprës letrare, ka qënë një nga çështjet që me ka shqetësuar gjithmonë, qyshë në rininë time të hershme. Nga librat që lexonim në rini, megjithë kufizimet në informacion që kishim për shkak të mbylljes dhe izolimit, herë pas herë më ndodhte të gjeja një shkrimtar tjetër, një shkrimtar paraardhës tek libri që po lexoja. Ndikimi i Majakovskit dhe i poetëve të tejrë rusë në poezinë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi ishte aq i dukshëm, sa kjo poezi shpesh më dukej pa identitet dhe ndalëngadalë filloi te krijohej brenda meje ndjenja e refuzimit. Fantazma e shkrimtarit paraardhës, ose e shkrimtarëve paraardhës, zuri të më shfaqej si prani e shkrimtarit paraardhës te një shkrimtar tjetër pasardhës në një intërferencë që në rastet më të mirë as plagjiaturë nuk ish, por as origjinalitet në kuptimin tim të parë nuk mund të quhej.
Kur lexoja , përshembull, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, atëherë nxënës shkolle, ndjeja herë herë praninë e Ernest Heminguejit, sidomos të romanit “Lamtumirë armë”, ashtu sikurse ndjeva shumë vite më vonë praninë e hermetistëve italianë, në veçanti të Giuseppe Ungaretti-t, në poezinë e Martin Camajt. Edhe të shkrimtarët e tjerë më të mirë e më të lexuar origjinaliteti i tekstit më vihej vazhdimisht në dyshim, edhe pse kur e kur ishte e vështirë të gjeje shkrimtarin paraardhës, me ato mundësi të kufizuara që kisha për të lexuar. Çështja kryesore që më mundoi për shumë kohë ishte se a shkruhej letërsi origjinale, letërsi që shfaqej e ekzistonte si një krijesë e re, si krijesë e ardhur në këtë tokë për herë të parë.
Shumë vite më vonë, duke lexuar Ernesto Sabato-n hasa në të njejtin shqetësim dhe në një shpjegim pak a shumë bindës. Për Sabaton, “origjinaliteti nuk qendron tek mungesa e paraardhësve, por në tonin dhe në shtytjen që shfaq kjo trashëgimi te pasardhësit”. Kjo tezë e Sabatos me nxiti të rilexoj sërish Camajn, duke e rizbuluar poetin dhe duke e rivlerësuar poetin pikërisht për ato cilësi që në njohjen time të parë e pata refuzuar në një farë mënyre, edhe pse vepra e tij kishte shijen e “mollës së ndalueme” për lexuesin shqiptar. Nuk ka dyshim se në poezinë e Camajt ndihet shkolla e hermetizmit italian, e në veçanti poeti i tij i dashur Giuseppe Ungaretti. Por megjithatë ai është një poet i shpëtuar. Në poezitë e tij ndihet fort edhe poeti, që Camaj nuk e kishte lexuar kurrë më parë e që ishte brenda tij, siç shprehet Borges-i. Ky poet me imazhet, arketipin, ndjeshmërinë dhe sistemin e vet konceptual, e ka shpëtuar poezinë e Camajt, pavarësisht pranisë së paraardhësve, të cilët shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë për zemër t’i përmendin.
Nëse e shmangim diskutimin për palgjiaturën, që është një kopjim i rendomtë, çështja e raportit të shkrimtarëve tanë me paraardhësit është një nga çështjet më delikate jo vetëm për atë letërsi të dështuar që njihet si “letërsi e realizmit socialist”, por edhe për letërsinë që është shkruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit dhe vazhdon të shkruhet edhe sot e kësaj dite. Krijuesit që hynë në letërsi pas viteve nëntëdhjetë, u gjendën në një situatë entusiazmi grotesk midis refuzimit të gjithçkaje që ishte shkruar në letërsinë shqipe dhe në veçanti refuzimit total të letërsisë së realizmit socialist dhe kontaktit me autorë dhe letërsi të medha të kulturave të tjera. Midis autorëve në proces gjatë këtyre viteve paraardhësit shfaqën aq fuqishëm sa në lëtërsinë tonë mund të gjeje Borges në Durrës e në Prishtinë, Joseph Brodsky , Wallace Stevens e Allen Ginsberg në Tiranë e Gjirokastër, Franz Kafka në Shkodër e Lushnjë. Hapja, kontakti me letërsitë e tjera, botimi i librave të përkthyer , dhe etja e marrë për të shkruar poezi dhe prozë gjeniale, zbuloi brishtësinë e autorëve tanë dhe mungesën e identitetit në letërsinë e tyre.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me prani të ndikimeve të paraardhësve, por me një trafikim të pastër të emocioneve, te imazheve, të arkitekturës dhe herë herë edhe të strukturës së tekstit. Kjo letërsi mund të quhet fare mirë letërsi referenciale, pasi në shumicën e rasteve, poezive, romaneve apo tregimeve të botuara në këto vite, mund t’ua gjesh referencat në autorë të mëparshëm, ose bashkëkohës. Në shumicën e autorëve të këtyre viteve gjen shkrimtarët më të pelqyer prej tyre, gjen shkrimtarët e lexuar më parë po prej tyre. Ajo që nuk gjen tek një pjesë e këtyre shkrimtarëve, është shkrimtari i pa takuar e i pa lexuar më parë, shkrimtari që duhej të ishte brenda tyre, sikurse e cilëson këtë Borges.
Në shkencë referencialiteti është një kriter i pashmangshëm, conditio sine qua non për një punim apo studim të mirëfilltë shencor. Kjo përcaktohet në metodologjinë e shkencës. Le të marrim si shembull librin “Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë”, të Abaz Ermenjit. Në vetëvete ky libër është shkruar bukur dhe lexohet me endje. Por ky libër ka një të metë fatale; nuk ka asnjë referencë shkencore, asnjë dokumet apo libër tjetër të cituar. Shkurt ky libër ka karakter propogandistik, sepse historia pa dokument nuk është histori, është propogandë. Librit të Ermenjit nuk mund t’i referohesh në asnjë punim shkencor, pikërisht për shkak të mungesës së referencave dhe dokumenteve. Por ai që është kusht në shkencë është fatal në letersi. Nëse një libri me poezi ia gjen referencat në shumicën e poezive të tij, atëherë ai nuk është më libër poetik, po thjeshtë një viktimë e referencialitetit, një viktimë e trafikimit të emocioneve, të imazheve, të ndijimeve të tejetërkujt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prozën.
Shembujt nga letërsia shqipe nuk janë të paktë. Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa shkrimtarë që u futën në këtë qorrsakak, pa mundur të dalin prej andej as sot e kësaj dite. Pasardhësit shkrimtarë të Kadaresë mbetën përgjithësiht shkrimtarë të dështuar, proza e të cilëve në asnjë rast nuk u ngjit në nivelin e prozës së Kadaresë. Edhe shkrimtarë të tjerë si Borges, Kafka, Buzzati, Sartre kanë krijuar pas vetes modele të dështuar, jo vetëm në letrat shqipe, po edhe në letërsisë e tjera. Eshtë kjo arsyeja që e bën shumë të ndërlikuar raportin e shkrimtarit me shkrimtarët paraardhës, me shkrimtaret e pëlqyer, ose të lexuar dhe të rilexuar, raport që herë herë është armiqësor, idhnak, aq sa pasardhësi kërkon të mos ia zërë emrin në gojë paraardhësit, kërkon t’i asgjësojë, jo thjeshtë te publiku, por së pari e kryesisht të vetëvetja. Duket sikur procesi i shkrimit është një dyluftim midis shkrimtarit paraardhës të pelqyer, shkrimtarit të lexuar dhe rilexuar dhe shkrimtarit të patakuar e të palexuar më parë. Tek shumë prej autorve të botuar gjatë këtyre viteve ky shkrimtar i tretë, ose nuk ekziston, ose është aq i dobët dhe i trembur sa nuk guxon të hyjë në fushëbetejë gjatë procesit krijues. Mungesa në proces e shkrimtarit “të patakuar e të palexuar” më parë, apo prania shumë e dobët e tij vetëm me disa pëshpërima , sa për të prishur punë, u krijon hapësirë paraardhësve, aq sa teksti letrar i dalë nga ky proces krijues është një tekst referencial, pra nuk është tekst i mirëfilltë letrar.
Librat me tekst referencial, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të pranishëm te një pjesë e mirë e autorëve tanë “të kulturuar”. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorë, shumë libra, lista të gjata me emra prozatorësh e poetësh , madje të shpallur edhe “elite” e që në vetëvete nuk janë kurrgjë tjetër veçse elita referenciale dhe natyrisht disa poetë dhe prozatorë , të cilët gjithesi kanë sjellë një standard të ri në letrat shqipe me ngjyrimin e vet origjinal dhe të papërsëritshëm. Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi , ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë.
Në këtë kaos mbretërues, në këtë botë të zhvillimit të lartë teknologjik dhe të komunikimit të shpejtë, krijimi i identiteteve të ndryshëm nga modelet nuk është i lehtë. Aq me tepër që edhe qenia njerëzore është një qenie komunikuese, një qenie e brishtë dhe e ndikueshme. Në përgjithësi globalizimi i shoqërisë njerëzore dikton modat dhe modelet e suksesshme, jo vetëm në veshje e kuzhinë, por edhe në pikturë, letërsi, muzikë, filmografi, duke krijuar një standard të ngurtësuar për qenie standarde. Pozicioni antishkollë, antistandard, ndoshta është i vemti pozicion real për shkrimtarin, edhe pse një poezicion i tillë rebel e kërkues, mbart me vete rrezikun e vazhdueshëm, të dështimit, të asgjësimit, të mospërfilljes dhe përbuzjes nga bashkëkohësit që në fund të fundit është e njëjta gjë. Në këtë poezicion është gjendur vazhdimisht Franz Kafka në të gjallë të tij, por edhe poetë e shkrimtarë të tjerë, që pasvdekja i ka bërë të medhenj.
Nga biologjia dimë se çdo qenie njerëzore, është gjenetikisht e papërsëritshme, është një histori që ndodh vetëm njëherë, pavarësisht se vjen prej paraardhësisht të ngjashëm njerëzorë dhe trashëgohet të pasardhës po të ngjashëm njerëzorë. Pra ne biologjikisht nuk jemi të pandotur, përderisa mbajmë në trup gjenet e paraardhësve, e megjithatë jemi origjinalë, të përvetshëm, të papërsëritshëm , jemi sëcili një histori unike. E tillë është edhe letërsia, kur ajo është letërsi, i tillë është edhe shkrimtari, kur ai është shkrimtar

Koha kur i thurnim poezi Titos




Nga Vera Pelaj-Prishtinë




Ali Podrimja: Përballemi me krim kulturor!




“Unë, para se të merresha me shkrime, merresha me sport. Isha notues, një ndër më të njohurit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Por, unë rastësisht kam hyrë në letërsi. Një mik imi shkruante poezi dhe ai vinte të më shihte mua kur kërceja nga shkëmbinjtë e lartë, nga lartësitë e mëdha. Një ditë më thotë: “Po shkruaj poezi”. Unë i thashë: “Mirë, edhe unë një ditë do të shkruaj poezi”. Dhe ashtu ndodhi. Ishte ajo poezia e parë që poeti nga Kosova, Ali Podrimja, e rrëfen, se e botoi tek “Jeta e re” në numrin 4, në vitin 1957. Prej atëherë, Podrimja nuk e ka lënë poezinë, nuk është hedhur ndonjëherë në prozë, por është një nga publicistët më aktivë të letrave shqipe. Qëndrimi në eseistikën e tij është politik, kombëtar dhe kulturor. Është një pasqyrë si respektohet gjuha dhe morali njerëzor brenda territorit nacional të një vendi, nga ku nis kultura si integrim.

Cila kohë është koha e fillimit të shkrimeve?

Kam filluar të shkruaj që në vitet ‘60. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re”, në numrin 4 të saj, në vitin 1957. Por, puna ime më e dendur dhe që ishte më e vrullshme, fillon nga vitet ‘60. Atëherë isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe më kujtohet si sot, pas disa numrave që ishin botuar te “Jeta e re”, që mbarte Esad Mekuli, të cilin unë e kam quajtur në shkrimet e mia diskurseve edhe “Engjëlli im mbrojtës”, më luti të dërgoja një poemë për Kosovën. Unë vetëm e kisha shkruar poemën, e cila kishte hasur në keqkuptim te organet e pushtetit të atëhershëm. Dhe kështu, ata i kishte kapur tmerri, shkaku i një vargu, i cili gjendet në poemë: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Do të thotë, para 50 vjetëve, e kisha thënë këtë varg dhe si nxënës isha bërë problem për shtetin e atëhershëm. Prandaj, atë kohë, vështirë se do ta harroj ndonjëherë, sepse ishte me shumë të papritura.

Me çfarë problemesh u ballafaquat për shkak të shkrimeve tuaja në atë kohë?

Problemi kryesor ishte poema, por pas poemës kisha botuar edhe disa poezi të tjera. Posaçërisht problem më kishte sjellë edhe poezia “Bukuria”. Për këtë poezi më thoshin: “Kush është ai fqinji yt, që ende nuk e ke takuar?” Në atë poezi kisha një varg që thosha: “Zgjata dorën ta këpus lulen, mos, më tha fqinji im”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë, por ata (pushteti i atëhershëm) e kuptonin krejt ndryshe. Ata e kuptonin nga rrafshi politik dhe më thoshin se ke menduar për Shqipërinë. Unë nuk mund të thosha se ishte ashtu, sepse mund të dënohesha, ashtu siç kishin paraparë ata. Mirëpo, megjithatë mua më përjashtuan nga gjimnazi dhe unë u detyrova që privatisht ta mbaroja gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Drejtori im i shkollës ishte Ibrahim Zherka, i cili ka qenë një njeri zotëri, historian dhe njeri diplomat. Më bëhej se ai më lexonte në sy dhe përgjigjet e mia atij i pëlqenin. Atij i pëlqente që unë dëshiroja t’ju bishtnoja gjërave më të këqija. Posaçërisht ra në hall Esad Mekuli, sepse Komiteti Krahinor i atëhershëm e kishte ftuar në bisedë informative dhe e kishte pyetur për poezinë time. I kishin thënë: “Çka është kjo poezi, çka është ky varg: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, sa vjet i ka ai poet që e ka shkruar...?” Esadi ishte përgjigjur se është djalë i ri dhe kishte treguar që jam gjimnazist. Mirëpo, komiteti në atë kohë kishte thënë se ky poet nuk mund të jetë gjimnazist dhe se nëse është kështu, ai gjimnazist nuk meriton që ta vazhdojë shkollën më tutje. Ai qenka njeri i revoltuar, rebel etj., etj.

Pas atyre bisedave, Esadi arrin në Gjakovë dhe gati sa nuk qante. Unë i kërkova falje dhe i thashë: “Më fal baca Esad, unë ashtu e shoh dhe mendoj se “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Të tjerët mund të thonë që Kosova nuk është gjaku i tyre, por gjaku im, është”. Ai filloi të shqetësohej dhe më tha: “Nëse më dëgjon, nëse më kupton dhe nëse dëshiron që “Jeta e re” të mos mbyllet, a bën ta shkruash një vjershë për Titon?” Unë buzëqesha dhe i thashë: “Baca Esad, unë nuk kam qenë në luftë dhe as jam takuar me Titon. Nuk e di as çka të shkruaj”. Ai më tha se do të jetë mirë edhe për ty dhe se do të shërbejë poezia për Titon ty, edhe si mbrojtje. Më kujtohet se me të ishte edhe Nehat Islami. Nehatin e donte shumë dhe të dy bashkë kishin ardhur te unë në Gjakovë, me qëllim që të më bindnin që të shkruaja një poezi për Titon. U thashë se nuk di ta shkruaj atë poezi. Esad Mekuli më tha: “Shkruaj ti tre-katër rreshta e unë i rregulloj”. I thashë se atëherë nuk është poezia ime. Më tha: “Të lutem, ose duhet ta shkruash një poezi për Titon, ose përndryshe do të na mbyllin revistën “Jeta e re””. Atëherë ishte gjallë Dushan Mugosha.

Në atë kohë, dëgjoheshin nga pak edhe shqiptarët, por ai i kishte nën komandë të gjithë. Baca Esad nga ai kërcënohej, por unë bacës Esad i thashë: “Për besë nuk di të shkruaj poezi për Titon”, por ai më tha: “Për hatrin tim, duhet ta shkruash”. U binda dhe e shkrova poezinë, por jo aq të gjatë. Dhe ai më tha se do t’ia vinte titullin vetë. I thashë, mbasi ndodhi kjo punë me poemën time dhe pasi dëshiroj që unë të mos jem shkaktar për mbylljen e revistës “Jeta e re”, po e vë në peshojë edhe nderin tim dhe i thashë se unë nuk mund t’i shoh lotët e tu. Më tha: “Mirë, dhe kështu do të bëjmë”. Mirëpo, ajo poezi në gjuhën shqipe kishte kaluar shumë mirë dhe udhëheqësit shqiptarë thoshin për mua se ky qenka djalë i mirë, ne i paskemi ra në qafë etj., etj. Por, poezia ime përkthehet në gjuhën serbe, me rastin e ditëlindjes së Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Titos. Ata duhej patjetër të shihnin se çka kanë shkruar shqiptarët, sllovenët, kroatët, maqedonët etj. dhe bëjnë një antologji. Në atë antologji, e përkthejnë edhe poezinë time.

Poezi për Titon kishte nga të gjithë poetët e Kosovës, duke u nisur nga Enver Gjergjeku, Rrahman Dedaj e nga të gjithë, sepse koha ishte e tillë dhe nuk mund t’i bishtnoje punës atëherë, sepse në atë kohë, themelohej edhe Universiteti, krijohej edhe Akademia e shumë institucione të tjera e të vinte turp ta pengoje, prandaj është dashur që në njëfarë mënyre, të bësh lojë edhe me fatin tënd, edhe me fatin e shoqërisë. Dhe, e marrin atë poezinë time për Titon, e analizojnë dhe përsëri thonë se ky njeri është tallur me ne, sepse në poezi ka vargun “Trimi im”. Kur i drejtohesh dikujt me “Trimi im”, është pezhorativ dhe ata thonë se ky i thotë Titos “Trimi im”. Sekretari i Fadil Hoxhës më thotë: “Na trego pse e ke shkruar këtë poezi dhe këtë varg?!” Unë i pata thënë: “I kam thënë trimi im, asgjë tjetër”. Ai më thotë: “Jo, ky varg është shkruar në mënyrë pezhorative”. Unë iu përgjigja: “Jo, jo. Unë kam menduar se është trimi im dhe asgjë tjetër”. Dhe me kaq u mbyll ai proces rreth asaj poezie. Mirëpo, Esadin vërtet e kam pasur një “engjëll mbrojtës”, sepse ai më ka mbrojtur shumë shpesh dhe vërtet më ka ndihmuar shumë.

Deri tani na treguat për problemet që i keni pasur në të kaluarën për shkak të krijimtarisë suaj. A mund të keni probleme edhe tani, p.sh. me poezinë “Zero”, që e keni shkruar në vitin 2004, meqenëse edhe kjo poezi është për korrupsionin?

Krijuesi është turp të heshtë para korrupsionit. Është turp të heshtë para injorancës dhe para të keqes, që mund ta kaplojë shoqërinë. Kam përshtypjen, që ajo sindroma e Shqipërisë ka kaluar edhe tek ne. Tani ne na kanë kapluar këto “Zerot” e ato zero në realitet mund të ishin kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Nuk ka asnjë funksionar sot, nga më i vogli e deri tek ai më i madhi, që nuk i ka disa makina. Ato makina janë bërë tmerr për opinionin, për ata që çdo ditë enden me duar në xhepa. E kjo është e turpshme. Mirëpo, krijuesi duhet ta luftojë këtë, duhet t’u tregojë njerëzve, kur një popull, siç jemi ne, ende kërkon veten, kur një shoqëri ende bredh në një hapësirë ballkanike dhe ende nuk e ka marrë veten në dorë, e jo të tregohesh një shoqëri e pasur, kur je një shoqëri e varfër.

Shikoni vetëm sa universitete private janë ndërtuar këtu e ndërtimi i gjërave private ka vetëm qëllim përfitimin e asgjë tjetër. Studentët më të dobët janë nëpër universitete private. Por edhe profesorët në universitetin shtetëror janë të hutuar, sepse ngasin edhe nëpër universitete private, në të gjitha anët, sepse ngasin për përfitime. Unë shoh shumë intelektualë që janë në nivel e që kanë emër, por ata nuk bëjnë ashtu, sepse turpërohen pikësëpari nga familja e vet dhe nga vetë populli.

UÇK-ja e ka pasur për betim vargun tuaj “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Si e ndieni veten për këtë nder?

Për mua ky ka qenë nder, sepse shumë nga ata të rinj që dolën nëpër male dhe kapën pushkët për ta mbrojtur dinjitetin dhe Kosovën, i kam njohur. Për mua është interesant edhe një rast në Tiranë, ku ishte mbajtur një demonstratë e madhe në vitin 1998 për lirinë e popullit të Kosovës. Dritëro Agolli, siç e ka zakon ai me atë humorin e vet, më tha: “Ali, na ke bërë telashe”. E pyeta: “Për çka?” Më tha: “Qindra vetë e kanë mbajtur vargun tënd lart dhe kanë bërtitur: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Unë i thashë se nuk kanë bërë gabim, mirë kanë bërë. Edhe i thashë, ky është nder për mua. Edhe ky varg imi që ka qenë për betim të luftëtarëve të UÇK-së, është nder për mua.

Në cilësinë e poetit kombëtar, ju e keni përfaqësuar poezinë kosovare nëpër festivale të ndryshme. Një ndër këto festivale ka qenë edhe Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë. Cili ishte roli juaj në këtë festival?
Unë kam qenë në shumë manifestime të tilla dhe kam pasur shumë takime me poetë. Në takime të tilla, çdo krijues mund të kontribuojë për çështjen shqiptare. Mund të kontribuojë për shumëçka, mirëpo takimet e Mediteranit janë ndër takimet më të mëdha që mbahen çdo vit në Evropë. Aty kanë marrë pjesë edhe miqtë e mi: Fatos Arapi, Agron Tufa, Visar Zhiti etj. Më ftuan dhe unë shkova.

Kishit thirrje direkte nga Roma?

Po, direkte. Mirëpo, ishte shumë qesharake për mua, që në ato takime ishte edhe nobelisti kinez, për të cilin unë kisha shkruar shumë keq. Inatosesha se si një krijues kinez, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë, ishte nderuar nga Stokholmi me çmimin “Nobel”. Dhe duhet ditur se secili intelektual duhet ta mbrojë intelektualin e vet, e jo t’i shkelë vlerat e veta. D.m.th. është e turpshme. Unë edhe sot kur i shoh intelektualët që grinden mes vete, mua më vjen turp, sepse ne secili kontribuojmë në mënyrën tonë për çështjen kombëtare, për kulturën kombëtare dhe për afirmimin tonë. Ato takime kanë rëndësi shumë të madhe për afirmimin e secilës kulturë, të secilës letërsi. Kryesisht aty tubohen letërsitë e Mesdheut, mirëpo ftohen edhe poetë nga Kina, nga Vietnami, nga Australia, nga Amerika.

A do të mund të organizohej në Kosovë një festival i poezisë? Çfarë është Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë në Romë?

Ne kemi pasur Mitingun e Poezisë që është mbajtur afër 50 vjet në Gjakovë dhe mbahet ende. Por, krijuesit filluan të grindeshin mes veti. Ka mbetur Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por u formua edhe Pen Qendra e Kosovës. Realisht, organizator i Mitingut të Poezisë në Gjakovë ka qenë klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. Atëherë Gjakova ishte shumë e fortë ekonomikisht dhe Gjakova e financonte, mirëpo e ndihmonte edhe Ministria për Kulturë. Tani më duket se janë harxhuar fjalët në mesin e krijuesve, u harxhuan xhepat dhe pasuria për të mbajtur një manifestim të tillë.

Tani vazhdimisht manifestimet tona duken të zbehta. Nuk të merr malli edhe të marrësh pjesë, sepse nuk e kanë atë bukurinë që e kanë pasur dikur. E mbaj mend që atë kohë vinin poetë jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, por edhe nga e tërë bota. E tani shkaku i mjeteve, nuk kemi mundësi t’i thërrasim. Tani mblidhen vetëm poetët e Kosovës, ata që dëshirojnë të shkojnë. Përndryshe, jeta letrare në Kosovë vjen vazhdimisht duke u varfëruar. Dhe kjo është një nga të zezat më të mëdha, që e ka plagosur letërsinë shqipe.

Sa jeni i kënaqur me Ministrinë e Kulturës, me atë që u ofron shkrimtarëve?

Ministria e Kulturës, mirë që ekziston dhe mirë që ka njerëz të kulturës aty, por Ministria e Kulturës duhet të ketë edhe mjete më shumë. Mjete më shumë, sepse nëse kjo ministri nuk financon revista, nëse nuk financon fletushka letrare, nëse nuk financon manifestime të ndryshme letrare, nëse nuk i ofron dhe i bashkon krijuesit, atëherë nuk është në funksion të kulturës. Kjo ministri kurrë nuk ka pasur më pak para se tani. D.m.th., shumicën e mjeteve që i marrin ata, i shfrytëzojnë për të paguar personelin që punon aty. D.m.th. mjetet e tjera që mbesin aty, janë të pakta për një zhvillim normal të kulturës në përgjithësi tek ne.

Nga këndi juaj, si e keni shikuar polemikën Qose-Kadare?

Ajo polemikë që ka ndodhur në mes këtyre dy krijuesve, ndoshta ata i ka dëmtuar më së shumti, sepse ka qenë shumë e acaruar dhe një polemikë e tillë ka ndodhur një kohë kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe nuk dihej ende se çka po bëhej me të. Ndoshta do të ishte më mirë të heshtnin, mirëpo ata të dy janë krijues dhe e kanë thënë mendimin e tyre. Është mirë që e kanë dhënë mendimin e tyre, mirëpo nuk është mirë kur e shkelin njëri-tjetrin. Kjo është më e dhimbshme.

Sa jeni i kënaqur me poetët e rinj?

As poetët e rinj nuk kanë sot hapësirë ku mund të botojnë dhe ku mund të paraqiten, për arsye se mungon shumëçka. Mua më vjen keq që shumica e poetëve të rinj bredh në margjina. Nuk gjen vend, sepse nuk i ofron shoqëria. Shoqëria është fajtore për këtë dhe shumëçka tjetër. Shoqëria duhet ta dijë se një popull duhet ta ketë një kulturë të madhe. Me atë kulturë duhet t’u prijë edhe shumë programeve kombëtare dhe t’u prijë edhe shumë projekteve kombëtare. Nuk mund të bëjnë projekte kulturore njerëzit që janë jashtë sferës së kulturës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...