Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/11

MUNDËSIA E NJË KOALICIONI PDK-AAK?!



Nga Adnan Abrashi-Prizren


“Në politikë, një bashkësi e njerëzve që fillimisht urrehen, është pothuaj gjithnjë baza e mirë e miqësisë së mëvonshme”

Pas dy viteve të paraburgimit në Hagës, lejimi liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, të mbrohet në liri, pa dyshim se është një lajm i mirë dhe njëkohësisht na jep shpresë që edhe aktgjykimi përfundimtar i kësaj gjykate gjithsesi të jetë lirues për të.
Pafajësia e tij e shpallur edhe zyrtarisht nga akuzat e pabaza për krime lufte në Kosovë, pa dyshim se do të ketë një rëndësi të madhe jo vetëm për të si individ, familjen e tij, subjektin politik të AAK-së ku është kryetar, por edhe për gjithë Kosovën, sepse, me këtë akt, edhe një herë do të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së në përgjithësi.
Pas lirimit përfundimtar, ai sërish do të rikthehet në krye të AAK-së dhe veprimtarisë aktive politikë. Rikthimi në politik i z. Ramush Haradinajt, në rend të parë, gjithsesi do të ndikoj në përmirësimin kualitativ dhe kuantitativ të aktivitetit dhe pozitës së gjertanishme të kësaj partie. Ndërsa, si reflektim pozitiv në planin e jashtëm, nga ajo do të pritej një reagim edhe më i ashpër në opozitë ndaj kësaj keqqeverisje aktuale.
Kuptohet, të gjitha këto që i cekëm si më lartë, për askënd nuk janë ndonjë risi e paditur, por atë që desha ta potencoj si specifike në vazhdim, është mundësia që me rikthimin e Ramush Haradinajt në krye të AAK-së dhe në politikën aktive kosovare, tek Hashim Thaçi mund ta inicioj idenë e prishjes së koalicionit ekzistues me disa parti të mbledhura rreth AKR-së së Behxhet Pacollit dhe si ofertë për bashkëqeverisje me AAK-në, deri në zgjedhjet parlamentarë të rregullta që do të mbahen në vitin 2014, ta formojnë bashkërisht një koalicion të ri.
Duke i njohur mospajtimet dhe armiqësitë e mëhershme të këtyre dy partive, për shumë kë, mundësia e formimit të një koalicioni të ri qeverisës: PDK-AAK, mund të jetë një hipotezë e pabesueshme politike, por aspak edhe e pamundshme. Sa i përket mospajtimeve të dikurshme mes këtyre dy partive dhe liderëve të tyre, atë kontradiktë si pengesë tanimë jo aq serioze, do ta vlerësoja me një urtësi e cila thotë: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që fillimisht urrehen, është pothuaj gjithnjë baza e mirë e miqësisë së mëvonshme”. Po ashtu, për shkak të bisedimeve politike me Serbinë për veriun që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti, që të kihet një qeveri edhe më autoritative se sa është ky koalicion aktual (që të dy lider të dal nga lufta e UÇK-së), përmes presioneve “këshillëdhënëse” si gjithnjë, assesi nuk përjashtohet edhe involvimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim.

Arsyetim

Sikur e dimë të gjithë, pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit nacionale në Kosovë (2010) dhe fitores së PDK-së,vendimi i Hashim Thaçit që të hyj në koalicion me minoritetet dhe aleancën e partive të mbledhura rreth AKR-së së Behxhet Pacollit, ishte vetëm një nevojë ekstreme e imponuar nga situata e aktualitet politike e kohës. Këtë e ka ditur mirë edhe Pacolli, i cili, përmes kushtëzimeve të ndryshme absurde të hyrjes në koalicion, që nga kandidimi i vet për president e deri tek numri i madh i posteve ministrore dhe zëvendës/ministrore, shfrytëzoi mirë këtë situatë.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi, i njohur si një njeri që nuk harron aq lehtë, këtë siklet politik të imponuar nga Pacolli rreth koalicionit, patjetër se do t’ia kthej dikur! Mbase, kjo hakmarrje e tij ndaj Pacollit, veç ka filluar të ngjaj në heshtje. Edhe pse, në dukje, koalicioni ekzistues në pushtet reflekton stabilitet, injorimi gjithnjë e më i shprehur i Thaçit ndaj Pacollit, kohën e fundit ka filluar të qartësohet edhe më dukshëm.

Me Ramushin kryeministër?!

Që nga zgjedhjet e mëparshme por edhe sot e kësaj dite i pandryshuar, na është i njohur parimi bazë i AAK-së se mund të bëj koalicion me çdo parti, me kusht që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër?! Teorikisht, në këto rrethana të një oferte eventuale të PDK-së për koalicion, edhe ky kusht politik i AAK-së është i mundshëm të plotësohet si kombinim.

Sipas marrëveshjes më parë të nënshkruar në mes Thaçit- Mustafës – Pacollit (me ndërmjetësimin edhe të ambasadorit amerikan Dell), ku parashihet që pas ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës dhe aprovimit të Ligjit zgjedhor, zgjedhjet për president duhet të mbahen këtë vit (2012), ndërsa ato nacionale dhe komunale, në fund të vitit 2013.

 Edhe përpos disa luhatjeve deklaratave në opinion nga kuadrot e PDK-së, në zgjedhjet presidenciale që priten të mbahen kah fundi i këtij viti, Hashim Thaçi, duke ja ofruar këtë post përmes dorëheqjes si kryeministër Ramush Haradinajt në bashkë/koalicion, ka mundësi që vetë të kandidoj për president të Republikës.

Për ta forcuar edhe më shumë këtë hipotezë si mundësi të kandidimit të Thaçit për president, me vëmendje duhet ta vrojtojmë punën e komisionit për ndryshimet kushtetuese i cili sigurisht do të tentoj që të parasheh dispozita me sa më shumë kompetenca kushtetuese presidentit të ri që do të zgjidhet drejtpërdrejt nga vota e lirë e popullit.

Po ashtu, në këtë kontest, mendoj se zërat gjithnjë e më të shpeshta të funksionarëve të lartë të PDK-së në opinion, që zgjedhjet nacionale të mos mbahen ashtu sikurse janë marrë vesh me atë marrëveshjen xhentllëmene: Thaçi-Mustafa-Pacolli, më 2013, por në kohë të rregullt – fund të vitit 2014, bazuar e qojnë ujin në këtë mulli.

Mendoj se edhe performaca e gjertanishme në stilin “ashpër-butë” e AAK-së si opozitë, karshi koalicionit qeverisës, po ashtu shkon në favor të kësaj kombinatorike hipotetike.

Në fund, edhe përballë fakteve sado të favorshme të kombinatorikës teorike rreth kësaj hipoteze, mundësinë reale të përmbushjes së saj, do ta tregoj koha.

 Por, mbi të gjitha, e vërteta e pamohueshme është se nëse Hashim Thaçi edhe më tutje do të tentoj ta ruaj këtë koalicion qeverisës ashtu sikur është, vështirë se pushteti tij do të qëndroj deri në mbarim të këtij viti...

“Stop rasteve të montuara kundër shqiptarëve”

Në Shkup po zhvillohet protesta e mijëra protestuesve shqiptarë me moton “Stop rasteve të montuara kundër shqiptarëve”. Turma ka mbërritur para Qeverisë.


Turmat e grumbulluara nga pjesa qendrore e Shkupit ka lëvizur në drejtim të Gjykatës Themelore të Shkupit, duke u drejtuar më pas drejt Qeverisë.




Protestuesit kryesisht po mbajnë flamuj kombëtar, me transparente dhe parulla “ Shqipëri Etnike”, “Nikolla Terrorist”, Sopot 2”, “UÇK”, “Amerikë jemi me ty”, “Myslimanët nuk janë terrorist” si dhe thirrje "Vrasës", "Stop procesve të montuara", "Shqipëri Etnike". Ndërsa për dallim nga protesta e kaluar tashmë flamujt fetar nuk janë të pranishëm në krye të turmës. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe thirrjet fetare "Allahu Ekber".

Protesta është zhvilluar në Tetovë, ku protestuesit janë drejtuar nga sheshi i Tetovës në drejtim të Gjykatës Themelore të Tetovës.

Protesta nuk ka pasur në qytetet tjera si Kumanovë, Gostivar, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, edhe pse ato ishin paralajmëruar përmes rrjeteve sociale.

Joe DioGuardi: Protestat me kërkesa kombëtare




Ish-kongresisti dhe kryetari i LQSHA-së, Joe DioGuardi ka apeluar që shqiptarët në protestat e paralajmëruara të tregojnë dinjitet dhe vlera demokracie, përmes shpalosjes së kërkesave të tyre kombëtare.


Ai këtë e ka theksuar në një bashkëbisedim me Radio Londra të komunitetit shqiptar në Britani, duke folur lidhur me tensionet e fundit në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, por edhe zhvillimet politike në Kosovë.

“Shqiptarët atje janë detyruar dhe po dalin e po shprehin revoltën e tyre, për shkak të anashkalimit të tyre nga faktori politik dhe pambrojtja e tyre. Partitë fare janë shkëputur nga populli dhe ato shikojnë vetëm mashtrimet se si të arrijnë rezultate për të qeverisur.

Partitë atje kanë retorikë boshe dhe shumë demagogji dhe mungon aktiviteti i tyre i drejtëpërdrejt me popullin”, ka theksuar ish-kongresisti shqiptaro – amerikan DioGuardi, duke apeluar që është hera e fundit të bashkërendohen dhe të aktivizohen faktorët politik, kombëtar dhe fetar për të nisur një proces të ri politik dhe demokratik në Maqedoni, sa i përket problemeve dhe çështjeve të hapura të shqiptarëve.
DioGuardi ka bërë thirrje që protestat demokratike duhet të vijojnë dhe të ngrenë zërin me karakter kombëtar derisa në agjendë nuk do të jetë çështja e qartë shqiptare.

Ai ka theksuar se fajtor kujdestarë për tërë situatën e krijuar në Maqedoni është faktori politik shqiptarë, që është i përçarë dhe nuk ka asnjëlloj agjende që kushtëzon funksionimin dhe integrimin e brendshëm dhe të jashtëm të këtij vendi.

“Nuk janë mirë të menduara paraqitjet dhe lobimet që po bëjnë disa njerëz të pushtetit të koalicionit në Maqedoni. Si mund të kuptohet teza aktuale se sapo të hyjë Maqedonia në NATO dhe BE, atëherë do të zgjidhet çështja shqiptare. Por ky veprim duhet ti bëhet i qartë se nëse ndodhë kjo, atëherë çështja shqiptare do të jetë e mbyllur”, ka deklaruar ish-kongresisti shqiptaro – amerikan DioGuardi.

Ai ka nënvizuar se duhet ndryshime më rrënjëshore kushtetuese në Maqedoni dhe se nuk mund të shkohet më me Marrëveshjen e Ohrit, pasi që sipas tij, asaj i ka skaduar validiteti. (Skender Karaçica)

Në vend të përkujtimit:Ndoc Gjetja-“Poezinë nuk mund ta kem ndryshe nga ç'jam unë”



Intervistoi- Lindita Dedgjonaj

1- Mund të na thoni dicka për fillimet tuaja poetike? Nuk e mbaj mend në cilin muaj apo vit e kam shkruar poezinë e parë. Zanafilla ime krijuese ka ndodhur brenda hapesirës së dy viteve të gjimnazit. Atëherë kam patur një zakon të keq, nuk i ruaja gjatë poezitë që shkruaja. Më dilnin nga qejfi, i grisja dhe shkruaja të tjera. Kisha frikë se më humbisnin dhe m'i lexonin të tjerët. Më vinte turp të merrte vesh njeri se unë shkruaja poezi. Akoma më turp do të ndjeja po të mi lexonin ato poezi që ia kushtoja dashurisë. Nga ajo kohë i ka shpëtuar autocensurës vetëm poezia “Desha” të cilën e kam botuar tek libri i parë “Rrezatim” (1971), 34 vjet më parë.

2- A mund të veçoni librin më të bukur që keni botuar deri tani? Për nga vlerat artistike e kam të vështirë të veçoj librin tim më të bukur. Edhe pse kam botur shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm , që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj. Jam i mendimit se edhe poeti më i shquar gjatë gjithë jetës së tij nuk arrin të krijojë më tepër se një libër me vlera antologjike. Krijimtaria poetike nuk matet me numrin e librave , as me numrin e fletëve të tyre. Vetëm një libër me poezi ka botuar Migjeni, një libër ka botuar Noli, dy libra ka botuar Lasgushi gjatë gjithë jetës së tij 90- vjeçare e megjithatë kanë zënë vend në panteonin e poezisë shqiptare.

3- Kritika e ka vlerësuar lart krijimtarinë tuaj, tashmë konsideroheni një poet i afirmuar. Sa keni sakrifikuar për të arritur deri këtu? Para dy vitesh kam thënë se të krijosh do të thotë të krishtërosh. E bukura krijohet me dhimbje të thellë e kjo dhimbje fisnike nuk shpërblehet kurrë nga shoqëria materialisht. Zoti që kur krijjoi botën e pastaj njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, ndoshta me dashje nuk i dha krijuesit dy të mira njëherësh: talentin dhe paranë. Vetëm një gjeni mund t'i posedojë të dyja.Kurse ne që jemi në rastin më të lumtur vetëm talente të thjeshta na la në mëshirën e lojës marramendëse të Ekonomisë së Tregut të Lirë. Për mua gjatë jetës poezia nuk ka qenë thjesht një çast krijimi. Mbi të gjitha ajo ka qenë qenësia ime, mënyrë e të sjellurit, e të jetuarit dhe për shkak të saj kam bërë një jetë virtuale. Nganjëherë më duket vetja sikur kam dalë nga një ëndërr e gjatë, shumë e gjatë, ndoshta moshatare me mua.

4- Në poezinë tuaj vihet re një revoltë e brendshme. Si e shpjegoni këtë? Revolta ime buron nga përjetimi dhe vrojtimi që i bëj jetës dhe njerëzve në këtë tranzicion të tejzgjatur, tek shoh se si na janë ngjallur të gjithë dreqërit që na flinin brenda vetes sonë. Kulti i përtypësit , pasionet e shfrenuara, kulti i seksit vulgar,dhe tregu i mishit të gjallë paralajmerojnë vdekjen e ndjenjave të bukura e të shenjta njerëzore dhe ardhjen e një kohe kur “vetëm nëpër muze si relike do të ruhen ca psherëtima e pika loti dashnorësh” . Revolta në vargjet e mia vlon nga fakti tronditës që“janë bërë një tregu e miqësia e në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra që e lot bishtin te buzeqeshja dhe kështu Shqipëria rrezikon të kthehet në një Dreqistan me plehra, smog e duf partish që hanë e pinë me pare të pista ndërsa Dedë Gjo Lulat lëpijnë gishtat”.

5- Keni jetuar familjarisht 13 vjet në Tiranë. Pse keni zgjedhur të riktheheni në Lezhë? Në Tiranë drejtoja revistën e njohur në atë kohë“Skena dhe ekrani”, që nga numri i parë deri tek i fundit. U largova sepse revista u mbyll për mungesë fondesh nga Ministria e Kultures dhe unë mbeta pa punë, pa përkrahje, nuk kisha as burimin më elementar të jetesës. Kujt t'i kerkoja ndihmë për të ekzistuar në atë moment të vështirë të fillimit të proçeseve demokratike? Vetëm vetvetes. Dhe vetvetja më tha: E di ç'bën ti Ndoc? Kthehu atje nga ke ardhur! Dhe u ktheva në Lezhë. Këtu gjeta ngrohtësi, përkrahje dhe u punësova. Njerëzve që shprehin habi nga largimi im nga metropoli do tu kujtoj vetëm dy vargje të një poeti të shquar amerikan “Edhe një fshat me kasolle mund të bëhet qyteti më i madh i botës, po të banohet nga njerëz të vërtetë”. Me ardhjen time në Lezhë nuk kam humbur asgjë sepse ”poetët banojnë në qytetin e Ideve, në lagjen e Ndjenjave, ndanë bulavardit të Ëndrrave, në shtëpinë e Fantazisë, në dhoma pa sende rreth e rrotull”.

6- Si arrini të shkruani aq thjeshtë dhe të prekni zemrat e atyre që ju lexojnë? Nuk bëj asnjë përpjekje për të shkruar thjesht. Poezia e mirë qoftë, apo e dobët më ngjan mua, nuk mund të jetë ndryshe nga ç'jam unë në jetë.

7- Keni lëvruar shumë temën e dashurisë në vargje, e ndoshta poezitë më të ndjera janë ato, që janë frymëzuar prej saj. Kjo është pasojë e përjetimeve konkrete personale apo janë fryte të fantazisë poetike? Dashuria është qendra e gravitacionit të universit njerëzor dhe unë nuk kam mundur të mos ndjej thellë në veten time tërheqjen e saj. Ajo nuk ka qenë thjesht nje temë e preferuar, ajo ka qenë“padronia” ime e gjithëpushtetshme, kam jetuar e krijuar nën “protektoratin”e saj.Por jo të gjitha poezitë që kam krijuar për dashurinë pasqyrojnë raporte me femra reale.

8- A mund të qendrojë shkrimtari jashtë angazhimeve sociale në krijimtarinë e tij? Shkrimtari i madh gjerman Gëte në një varg të poezisë së tij thotë: “Unë këndoj siç këndon zogu” me kuptimin këndoj vetëm me vete, pa kërkuar të më dëgjojë njeri. Këtë varg të vjetër, i cili është thjesht një deklaratë poetike, shumë teoriciene të artit e kanë komentuar si dëshmi të faktit se gjoja artisti, në momentin e krijimit ska fare lidhje me angazhimin social dhe se nuk nxitet nga thellësia e shpirtit për të dhënë ndonjë mesazh për lexuesin e tij. Në qoftë se një poet do t'ia thoshte këngës si zogu, vetëm për vete, atëherë lind pyetja: Përse ai merr mundimin e shpenzon duke i botuar në një libër të veçantë cicërimat- vargje të shpirtit të tij? Përgjigja është e vetëkutueshme , për ta dëgjuar (lexuar) të tjerët.Kushti më minimal që të realizohesh si poet është që të kesh qoftë edhe një lexues në botë. Unë nuk njoh ndonjë muzë tjetër frymëzuese përveç lexuesit. Pa të krijimtaria ime nuk do të kishte egzistencë.

9- Cili është mesazhi juaj për poetët e rinj? Nuk kam qenë kurrë dakort me ndarjen “poetë të vjetër” dhe “poetë të rinj”. Me e saktë me duket po të thoshim “poet”. Mendoj se mesazhin më të bukur e më kuptimthellë na e ka dërguar shumë vite më pare poeti i madh nga Kosova, Azem Shkreli me distikun e njohur “Mos u bëj poet nëse nuk mundesh të vdesësh në secilin varg, nëse nuk mund të lindësh në secilën fjalë…”

Dhjata Ime- Ndoc Gjetja

Nga Flori Bruqi




Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjec, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Eshtë autor i disa vëllimeve poetike. Një studiues i njohur e ka cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit.Ndrroj jetë me 7 qershor 2010.

Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e “vogël”, rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i parrezikshëm.

Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi, për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar kërkesën ndaj artit të vërtetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me titull “Ekran” rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në Berdicë të Shkodrës mbijetoi. Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjend në një kurs në Athinë dhe me të thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vend që t’a shpëtonte po e shkatërronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur.


Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore, siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u drejtohej lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrylla talentin/ në një nga zyrat e shtetit monist/me këpucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht.

 Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti, veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre!/Si të ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastrin e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde. Për Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve që e bëri fytyren e tij akoma më të përvujtun. Poeti i penws letrare u largua nga Tirana e u kthye në vendlindje. Me botimin e vëllimit poetik “Dhjata ime” botim i vitit 1998, ai ja kushtonte me pikëllim të birit të vet Renit.

 Tragjedia në jetën e poetit u bw pjesw edhe e poezive të tij me tone pikëllimi. Artistet e mëdhenj edhe tragjeditë e dhembjet i kanë të mëdha, ndaj dhe veprat e tyre janë aq mbresëlënëse dhe tronditëse, sepse artistet nuk qajnë me lot, qajnë me shpirt e qajnë me art, me një art që e tejkalojnë jetën e një njeriu, për tu rrokur në shpirtrat e brezave të tjerë. Mortja s’ka çfarë u bën poeteve, artistët e mëdhenj kanë lindje, por vdekja u harrohet. Kushdo që e ka njohur poetin dhe poezinë e tij, e di mirë se Ndoc Gjetja, si me pare edhe me pas, mbeti poeti që shkroi poezi për botën shpirtërore të njeriut,… dhe vetë ai ishte dhe mbeti njeriu i përvujtun, i thjeshtë, i vërtetë, poeti me fytyrën e Jezu Krishtit në poezinë shqipe. Ajo fytyrë Krishti e mbuluar me një dhembje hyjnore, një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor, mjeshtëri i penës shqipe shuhet nga një sëmundje...


Titujt e librave të botuar

1. Rrezatim (1971)
2. Shqiponja rreh krahët (1975)
3. Qëndresa (1977)
4. E përditshme (1982)
5. Çaste (1984)
6. Poezi -Kolana "Poezia Shqipe" (1987)
7. Kthimet (1991)
8. Dhjata ime (1998)








NDOC GJETJA


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t’u jape perkuljet e duhura eproreve.
Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.

EPITAF PER VETEN

Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke

Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
…Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri “Nene”
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.

LUTJE

O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.

DASHURISE

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon!

SIKUR

C'mrekulli do te kishte qene
sikur te jepnin qe sot doreheqjen
presidenti dhe cdo lloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.


NJESHIT

Ne rendin e pafund te numrave te plote
matematikisht, ti je me i vogli
por, ti papritur u bere i madh
ne saje te zerove qe te shkojne pas.


QYTETI I IDEVE

Poetet jetojne ne Qytetin e Ideve
ne lagjen e Ndjenjave
ndane bulevardit te Enderrave
ne shtepine e Fantazise
ne dhoma pa sende rrethe e rrotull

Aty s'ka kuzhine me erna gjellesh
as WC
as tule grash te cilat me shikime
sikur te hedhin spec ne shqisa

Kohet e fundit edhe ne ket qyetet
Tregu i Lire ka filluar te ngreje dyqane
Parashikohet qe fisi i poeteve te zhduket
si lekurkuqet e Australise
nga dyndja e madhe e parexhinjeve

Parashikohet nje lulezim i kultit te pertypsit
nje tkurrje e kobshme shpirtrash
perpara Shen vetures
nje konsum i papare i letres higjenike
dhe nje stokllek i madhe hallesh popullore
te mbetura pa zgjidhje.

Parashikohet ardhje e nje dite kur poeti
ky banor i lashte i Qytetit te Ideve
si Mohikan i fundit do te locise me vete
shpetimin tuaj
dhe mbrojtjen tuaj
nga vetja juaj
o njerez,
Amin.



LOJE DASHURIE.

Ti je mbreteresha dhe une jam mbreti
E ngjitem fronin me ane te puthjes.
S'pushtuam askend vec njeri tjetrit
Asnjeri s'e ndjeu shijen e mundjes

Ne s'kemi nevoje per kushtetute
ne marredheniet tona sondon kaosi
nen cipen e hille te mirsjelljes se bute
tani ben ligjin vetem Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet ne kembe
mbreteria jone ne crregullim te plote
por casti i renies s'do jete i rende
do biesh mbi mua qe jam shtrire poshte.

SHABAN SINANI “SHQIPJA, E VARFËR PËR ATA QË NUK E NJOHIN”





Nga: Mustafa Nano



Studiuesi i njohur Shaban Sinani thotë se njeh si pikë kulmore të sundimit komunist, daljen nga Traktati i Varshavës, më 1968. Ai thotë se “...shteti i qytetarëve s’mund të gjejë përligje për vrasjet shtetërore”

1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Nuk është detyrë e besimtarëve të provojnë se Zoti ekziston. Eshtë detyrë e ateistëve të na porovojnë se Zoti nuk ekziston. Në gjithçka përtej asaj që unë di dhe njoh, në gjithçka përtej asaj që është e vërtetë e krahasueshme, është e hyjshmja.

2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe është e varfër vetëm për ata që nuk dinë ta përdorin.

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Duke qenë se gjëja më e lehtë është të bësh një të keqe, kurse mirësia kërkon dhe një kushtim prej vetvetes, them se, pavarësisht prej esencës pozitive, njerëzit më shumë bëjnë keq. Mbas dy mijë vjetësh e më shumë, qëkurse filozofët grekë përdorën për herë të parë termin “empathi”, si një shkallëzim më i thellë se simpatia, domethënë që njeriu të shohë veten tek tjetri, jo thjesht ta shohë me dashamirësi tjetrin, bota e sotme po përpiqet ta kthejë në kategori etike këtë nocion, jo në çështje ideale.

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Nuk do të më pëlqente, por do të pajtohesha me vendimin e tyre. “Big Brother”, në vështrimin tim, është eksperimenti më i madh me njeriun; që synon të promovojë një mundësi tjetër funksionimi të njësisë së shoqërisë, përtej familjes gjenetike.

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Eshtë një realitet, por jo dhe aq i bukur. Harmonia ndërfetare nuk është një virtyt përjashtimor shqiptar, por është një dukuri e kushtëzuar prej historisë. Harmonia ndërfetare ka dhe një përbërëse pragmatike. Mbi të gjitha është dukuri e një populli deri-diku mosbesues. Pas dy mijë vjetësh krishterim, shqiptarët ende besojnë dhe festojnë paganisht kultin e malit, kultin e bjeshkës; festojnë ditën e Çajupit, ditën e Gjalicës; ditën e Shkëlzenit; betohen për qiell e dhé, për rrufenë dhe vetëtimën.

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Ndryshimet janë shumë të vogla, gati të pavërejtshme. Divergjenca e vetme historike brendashqiptare me karakter përdallues ka ndodhur në kohën kur protoshqiptarët u shuan dhe një popull i ri doli prej tyre. Atëherë u dallua gegërishtja vetëruajtëse (konservative) prej toskërishtes së hapur për risi; atëherë duhet të ketë ndodhur dhe ndarja e “zonës së fustanellës” prej “zonës së xhubletës”; e jugut të polifonisë prej veriut të homofonisë.

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Dy vajzat e mia, Danja dhe Nensi. Megjithëse Danja ka afro një vit që është kthyer nga Franca, ku bëri studimet universitare, kam ende të ruajtur të gjithë numrat që ka përdorur atje. Numrat e Nensit janë gjithaq të shumtë dhe shpesh kanë dhe një ndajshtesë, për shembull “Fan Club”, apo “Friends Club”. Në këto numra ruaj dhe gjëra të tjera.

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Shteti i sotëm, shteti i qytetarëve, nuk ka asnjë përligjje për vrasje shtetërore. Thonë se demokracia ka dy kufij extreme, ku diku dhe vdekja implikohet: dorëheqjen dhe vetëvrasjen. Por vrasjen shtetërore e përjashton. Vrasja për arsye shtetërore është krim si gjithë krimet e tjera. Jeta është dhunti e lartë dhe asnjë pushtet nuk mund të ketë tagër mbi të.

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Fan Noli udhëhoqi të parin dhe të fundmin revolucion antifeudal, antianadollak, anti-prapambetje në historinë e shqiptarëve. Nëse vullnetin politik të revolucionit do ta kishte legjitimuar me votime, fati i Shqipërisë do të kishte qenë ndryshe.

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Nëse në Shqipëri ka pasur luftë civile, çfarë do të thuhej, bie fjala, për ish-Jugosllavinë, ku kishte gjashtë divizione SS-ësh vullnetarë; kishte ustashë, çetnikë, ballistë, dhe shumë formacione të tjera kundërshtare mes tyre? Konferenca e Paqes (1946) e njohu Shqipërinë fuqi aleate antifashiste pse në këtë vend u bë një luftë çlirimtare. Kjo nuk do të thotë se gjithçka është zhvilluar si në një tabelë shahu, sepse nuk ka ndodhur kurrë që të ketë luftëra të pastërta.

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Daljen nga Traktati i Varshavës (1968).

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Asnjanës jo, pa dyshim. Do të bashkohesha me këdo që do të kishte vullnet për ta mbrojtur vendin.

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Të gjithë mbretërit e vendeve ballkanike u larguan. Ahmet Zogu mund të qortohet pse nuk bëri rezistencën e parë.

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Po, bëmat e Führer-it kanë qenë shumë më të tmerrshme se ky libër.

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Janë shumë, por po veçoj: Nënë Tereza, François Miterrand, Lucia Nadin, Arpad Gönz, Vera Held, Francesco Cosiga, Oliver Schmitt.

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Dëshmia se shqiptarët ngrihen në protestë vetëm kur u preket prona e vet dhe jo për qëllime kolektive; dëshmia se shqiptarët nuk kanë dhe aq kulturë rebelimi; dëshmia se shqiptarët ngrenë krye një herë në shekull dhe rrallë herë i zgjidhin problemet me lëvizje mendimi.

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Kam frikë se po. Për të dashurit e mi patjetër.

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Jemi europianë në kodin e identitetit; jemi popull i ungjillizuar para se krishterimi të shpallej fe zyrtare e popujve të Europës (në kushtetutën e bashkësisë bazat e identitetit dhe të eurokulturës përcaktohen si judeokrishterim). Por kemi mbi vete gjurmën e shumë ndikimeve kulturore perandorake.

19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në lëvizjen e “Brezit 1968”.

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Besoj me Jeronim de Radën. Ose Dora D’Istria-n.

21: Cili është libri që po lexoni?
“Storia della bruttezza” të Umberto Eco-s.

22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Ma pranoni si përgjigje popullin hebre, duke qenë se pjesa më e madhe e jetës së këtij populli është e lidhur me Europën; gjithashtu edhe zyrtarisht merr pjesë në garat sportive dhe artistike europiane?

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
Unë fëmijët e mi do t’i doja sikur dhe përbindësha të ishin. Lavdi Zotit, i kam shembullorë. Homoseksualiteti është një devijim nga natyra njerëzore, ose një mode, snobizëm njerëzish që kanë tejkaluar shijen e jetës. Janë pjesë e këtij realiteti, kanë qenë që në Romën e vjetër, së cilës Neroni i vuri zjarrin. Sot botohen libra për të përligjur veprimin e Neronit me molepsjen morale të Romës (homoseksualizmi, lesbicizmi, konkubinati, levirati etj.). Koha e sotme sigurisht është ndryshe. Parimisht pajtohem se vëmendja ndaj ndryshimit është formë diskriminimi.

24. Keni frikë nga vdekja?
Jo, jam fatalist dhe gjithnjë mendoj se vdekja nuk varet nga unë.

25. Ç’është Atdheu
Gjithkund tjetër dua të shkoj. Në atdhe dua të kthehem.

DANIEL GÀZULLI: NGA POEZIA BOTËNORE




Daniel Gazulli

RABINDRANATH TAGORE

MOS U LIGSHTO

Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po iken:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
asht ngritë ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.

Janë bijë të natës, që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtë, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga errsina dil;
shiko, tej hidh vështrimin,
qielli po çelet.
Guxim, mos u ligshto.

GIUSEPPE UNGARETTI

Poezitë e luftës
ROJË
Maja Katër, me 23 dhjetor 1915

Gjithë natën
shtri pranë
një shoku
të masakruem,
me gojën
që skërmitej
kthye hanës së plotë,
duert
të përgjakuna,
që përshkonin
heshtjen time,
kam shkrue
letra plot dashuni.

Kurrë ma parë
si sonte
me jeten s’kam qenë
i dashunuem.


PABLO NERUDA

VDES PËRDITË

Vdes përditë
ai që bahet skllav i rutinës,
e përditë përsëritë të njejtën udhë,
ai që ritmin s’ndrron,
ai që s’rrezikon as t’ndrrojë ngjyrën e veshjes,
ai që nuk flet e njohje të reja s’kërkon.
Vdes përditë kush pasionit i shmanget,
ai që pëlqen të zezën mbi të bardhë,

e pikën mbi “ì”
ai që u shmanget emocioneve,
që bajnë të të shndrisin sytë,
ata që
përgjumjen kthejnë në buzëqeshje,
e që bajnë t’na rrahi zemra
prej një gabimi e prej ndjenje.

Vdes përditë
ai që tryzën s’përmbysë,
ai që i trishtë në punë jetën shkon,
ai që nuk rrezikon të sigurtën
për pasigurinë tue ndjekë një andërr,
ai që të paktën një herë në jetë
s’u shmanget këshillave të urta.

Vdes përditë ai që s’udhëton,
ai që s’lexon a s’dëgjon muzikë,
ai që s’sheh hiret e veta.
Vdes përditë
ai që rrënon personalitetin e tij,
ai që ndihmë s’kërkon;
ai që ankohet çdo ditë
për fatin e vet a shiun që s’pushon.

Vdes përditë
ai që braktisë një projekt para se ta nisë,
ai që pyetje s’ban

për sa mistere të panjohun,
ai që nuk i përgjigjet
pyetjes që i bajnë.
T’i themi “jo”! vdekjes së përditëshme,
sepse të jetosh
nuk do të thotë
thjeshtë frymë të marrish.
Vetëm guximi
na sjell
lumtuninë e vërtetë.


JOSEPH RUDYARD KIPLING


NËSE …


Qetësinë në ruejtsh, kur bota e humbet,
e ty të fajsojnë ata që ke përrreth,
besimin të patundun në vete ti ta kesh,
Peshoj ti dyshimet, përçmues të mos jesh.
Përmbahu ti sa mundesh, nxitimi asht i huej
Nëse ata gënjejnë, ti t’vërtetën thuej,
Mos urre ata që ty të kanë mëri,
I mirë ti të jesh, urtia me kufi.
Andërrat ti përkundi, por mos flijë mbi to
Shtjello ti ide, pa i kthye n’qellin ato;
Ngadhnjim edhe humbje priti me qetesi,
Asnjenes mos bjer pré me lot as krenari.
Nëse t’vërtetën tande e kthejnë në mashtrime,
Ata që në jetë kanë t’mbrapshta qellime,
Nëse andërrat tueja t’i bajnë thërrime,
Ti prap rindërtoi t’vërteta e synime.
Gjithë sa ke fitue ti veni në lojë
Guximi vlen ma shumë se një fitojë
Në humbsh, fillo rishtas me guxim,
Për humbjen pa shprehë as ndje ankim.
Mos lejo që zemra një çast të të lëshojë,
Kur guxon zemra, dhe trupi do t’guxojë,
Forcat nëse t’lanë, vehten mos e lësho,
Nëse ke Vullnetin, ti mos u ligshto.

Ruej virtytet tueja, as turmën mos përçmo,
Pranë rrij edhe Mbretit, po njerëzit mos harro,
Mos u plagos prej anmikut, as mikut ma të shtrejtë,
Të gjitha kanë randësi, asnjë sa ke ti vetë,
Kurrë të t’shkojë kot, as minutin mos e len,
I vlertë ai që kaloi, dhe ai që mbas tij vjen,
E jotja asht e gjitha ç’gjendet përmbi dhé,
Por mbi të gjitha, Njeri, bir, ti je.

HEINRICH HEINE

HELENA

Më je betue në përjetësi,
Me fjalë të zjarrta gjithë magji,
Se do më duesh me afsh e zjarr,
Po s’më shuen etjen e jotja fjalë.
Buzët ti ven mbi timen gojë,
Der sa frymë t’na mbarojë.
Unë shpirtin tand ta pi due n’ gotë
Dhe etja prap s’shuhet, asht e kotë.

MOS U BETO

Mos u beto, po ti puthje me jep;
betimin e grues nuk besoj; hesht!
E ambel fjala jote, po s'ka krahasim
me puthjen ne buze me rrembim.
Puthjes i besoj, puthjes qe me dhe;
fjala fluturon e nuk na nxeh.
Betohu, e dashun sa te duesh,
s'u besoj atyne kur t'm'i thuesh,
po kur koken ve ne gjinin tand,
atehere po, besoj e i lumtun jam.
Atehere besoj ne ty, e dashun, une,
se m'do perjetesisht e ndoshta dhe ma shume.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...