Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/24

1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë


Në gusht 1989, Nënë Tereza arrinte më në fund të hynte në Shqipëri pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist.
Marrim dhe me kënaqësi botojmë kujtimet e mjekut shqiptar  me nobelisten e paqes në takimet me të gjatë vizitave në Shqipëri.

Nga Prof. Lutfi Alia, Siena
Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, më së fundi, në gusht të viti 1989 Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza, e realizoi deshirën e madhe, si u shpreh para largimit: "vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim". Nobelistja me famë botërore Nënë Tereza, është personaliteti i parë shqiptar, që i parapriu dhe i hapi rrugën integrimit të vlerave kulturore të shumë personaliteteve të tjera shqiptare, që do t'i rikthe-heshin publikut tonë disa vite më vonë si Martin Camaj, Isuf Luzaj, Xhim Belushi, Sten Dragoti etj.
Për opinionin shqiptar dhe të huaj, vizita e Nënë Terezës - misionare katolike dhe humanitare e shquar ishte befasuese, duke menduar se regjimi komunist, të dyja këto i kishte të ndaluara,  por nga ana tjetër ardhja e Nënë Terezës ishte mirësia dhe sinjali i parë i ndryshimeve pozitive, që do të përfshinin jetën shqiptare, madje kjo vizitë i parapriu lirisë të besimeve fetare, që u shpallën një vit më pas dhe ndryshimeve të medha politike e sociale, që e çuan Shqipërinë në rrugën e demokracisë.
Opinioni zyrtar i kohës e konsideroi "vizitë private", apo "vizitë jozyrtare", por për mendimin tim, pavarësisht nga motivimi burokratik, ardhja e Nënë Terezës ishte rikthimi në vendin e vet, ardhje në "gjini" dhe pse për shumë vite kjo e drejtë i ishte mohuar me justifikime absurde politike dhe pa asnjë bazë morale e njerëzor.
Duke pranuar ardhjen e Nënë Terezës, regjimi konservator i kohës bëri një hapje të ndrojtur, për t'i treguar opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm se po ndryshonte. Vizita e Nënë Terezës u prezantua me lajme të kontrolluara, duke i ofruar popullit vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, vizitën në varrezat e dëshmoreve dhe  për "të shpëtuar shpirtin e tyre mëkatar", njoftuan shkurt vizitën në varret e nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës, ku e shoqëroi Marie Kraja dhe vizitën ne spitalin onkologjik, e shoqëruar nga Dr Adelina Mazreku.  Kuptohet se gjithçka ishte organizuar brenda kornizave të burokracisë komuniste, një vizitë protokollare, me pak publik të zgjedhur, por kjo hapësirë zyrtare ishte tepër e ngushtë për dimensionet gjigante të Nënë Terezës.
Ndryshe nga pala pritëse, Nënë Tereza mbante qëndrim të thjeshtë, pa asnjë lloj formalizmi, pa sjellje artificiale dhe e shpenguar nga zyrtarizmi, çka e rriste edhe më shumë madhështinë e shpirtit të saj fisnik. Në takimin me presidentin Ramiz Alia, gjatë gjithë kohës, Nënë Tereza i a mbajti duart shtrënguar, i foli hapur me dashuri nëne, duke e quajtur "biri im", ndërsa presidenti u mundua të tregohej miqësor, por nuk harroi dhe ta gënjente, duke i thënë se në Shqipëri nuk kishte të varfër e as të braktisur dhe kësisoj i mohoi kërkesën, për të hapur në atdhe, shtëpinë e misionit të bamirësisë, ndërkohë, që ajo i kishte hapur në 96 vende të botës, madje dhe në vendet më të zhvilluara si USA, Anglia, Kanada, Itali, Franca etj. Propaganda e kohës e mbajti të fshehur këtë rrethanë, ndërsa në takimin e R. Alisë me intelektualet e kryeqytetit, Ismail Kadare, protestoi ashpër duke thënë: "i thatë gënjeshtra një plake të shkretë".
Nënë Tereza pothuajse nuk njihej në Shqipëri, ndërsa figura e saj kishte pushtuar mbarë botën, jo vetëm si misionare katolike, por dhe si bamirëse e Mission of Charity, si personalitet i shquar i veprimtarive humanitare. Qendra e aktivitetit të saj është Kalkuta, ku ndodhet "Shtëpia e Nënës", ku në krah të portës është vendosur një tabelë druri me shkrimin "Mother Theresa - IN/OUT". Në këtë shtëpi, që dikur ishte një nga tempujt më të lashtë hindu, kishin shkuar ta takonin Mbretëresha e Anglisë, Presidenti e kryeministri i Indisë, dy presidentë të ShBA-së, (George Bush, Jimmy Karter), princesha Diana, Yaser Arafat e shumë e shumë personalitet të tjera botërore. Me veprën dhe shpirtin e saj humanitar, Ajo e kishte rrokur tërë botën, ishte bërë qytetarja më e nderuar. Nëse do ta përmbledhim në pak fjalë veprën e Nënë Terezës, do të përkufizohej përkushtim në besimin katolik, në dashurinë për njeriun dhe shpresë për të varfrit e të vuajturit e kësaj bote të pamëshirshme.
Dante Alighieri ka thënë: "... e para e intelektit të njeriut është dashuria, të gjitha të tjerat vijnë pas". Pikërisht dashuria për njeriun dhe në veçanti për njeriun që vuan, ishte e mishëruar në mënyrë të përsosur te Nënë Tereza, duke iu përkushtuar me pasion sublim njeriut të varfër, të semurë, të vuajtur, të braktisur, jetimëve, të gjithë nevojtarëve pa dallime etnike dhe feje. Ajo u shërbeu me pasion të gjithë atyre, që jeta dhe shoqëria i kishte braktisur, u shërbeu me përkushtim, u kujdes me devotshmëri për t'i shëruar e u dha dashuri, gëzim e shpresa. Këtë misionare të dashurisë, bota e nderoi duke e quajtur Nëna e dashurisë.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, mediat shqiptare shpërndanin lajme të shkurtra, të thata, pa komente. Aktiviteti i parë publik ishte takimi në një nga sallat e Piramidës, ku merrnin pjesë të gjitha përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë, intelektualë dhe funksionarë shteti. Në këtë "vizitë", Nënë Tereza shoqërohej nga gazetarja Janette Petriè, autorja e shumë dokumentarëve për jetën dhe veprën humanitare të Nënë Terezës, madje një nga këto dokumentarë u shfaq atë ditë, çka ndihmoi të njihej madhështia e figurës të shqiptares më të madhe të planetit. Si ndodhte në atë kohë, gazetaren amerikane Janette Petriè nuk e përfilli askush, madje e "harruan" e ajo, bashkë me dy motra të Nënë Terezës, me vështirësi gjetën vende në radhën e fundit të sallës.
Pas përfundimit të ceremonisë, Nënë Tereza u rrethua nga trupat diplomatike, madje shtyheshin e nuk i linin radhë njëri-tjetrit, për ta takuar e për ta përshëndetur. Shumica e pjesëmarrësve u larguan, ndërsa unë dhe Prof. Ylli Popa pritëm ta takonim e ta përshëndesnim.
Më së fundi u afruam dhe Prof Ahmet Kamberi (Ministri i Shëndetësisë, që e shoqëronte) na prezantoi. Prof Ylli i tha: "... ky gjoks i vogël, mban brenda një zemër të madhe, ku merr dashuri e ngrohtësi e gjithë bota".  Unë isha tepër i emocionuar e kur ma dha dorën ia mora e ia putha e më pas e përqafova e i thashë: "Jam i lumtur, se kam përqafuar Nënën e mbarë botes".
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Nënë Tereza i respektoi rregullat që kishte përcaktuar protokolli zyrtar, por shteti nuk e respektoi e nuk i plotesoi asnjë nga kërkesat e saj. Ajo nuk kërkoi favore, as privilegje, as dhurata, thjesht propozoi të hapte dhe në vendin vet, shtëpinë e Misionit Bamirës, shtu si i kishte hapur në 96 vende të botës. Në asnjë vend tjetër nuk e kishin refuzuar, askush nuk ia kishte mohuar kërkesën modeste për hapjen e shtëpive të bamirësisë, ishte hera e parë, që ballafaqohej me një qëndrim të tillë mospërfillës dhe fyes, por ajo nuk shprehu zemërim e pakënaqësi, madje as nuk u dekurajua, përkundrazi kjo ngjarje i dha forca e kurajë, për t'i zgjidhur vetë të gjitha punët, si veproi në udhëtimet e mëpasme.
Do të theksoj një fakt me rëndësi të veçantë, që shpreh madhështinë e figurës të Nënë Terezës, tolerancën e saj,  shpirtin mëshirëmadh e pajtues, duke i falur shtetarët shqiptarë për padrejtësitë që i kishin bërë, duke i mohuar takimin me nënën dhe motrën, i fali e i ftoi që të shikonin përpara, drejt një të ardhme të re. Kësisoj pranoi ftesën të hante darkë me Nexhmie Hoxhën, e cila e gënjeu se në Shqipëri nuk ka të varfër, ndërsa kur Komiteti i çmimit Nobel e ftoi në darkën zyrtare, të organizuar për nder të saj, e refuzoi duke u thënë: "Nuk mund të pranoj një darkë të tillë, përderisa njerëzit vuajnë dhe vdesin nga uria...dua të jem e varfër si janë ata".
Më 8 gusht Nënë Tereza u largua nga Shqipëria duke marrë me vete nderimin, respektin dhe dashurinë e popullit të saj dhe një qilim të vogël me motive shqiptare (dhuratë e punëtorëve të Artistikes - Migjeni), që e përdori përherë në dhomën e lutjeve, deri në ditët e fundit të jetës.
Në dhjetor të 1990 Nënë Tereza u rikthye në mëmëdhe. Të nesërmen e mbërritjes, në pasdite, një trokitje e butë në portën e zyrës (në katin e gjashtë të ndertesës pa ashensor), më nxiti të ngrihem e ta hap derën. Mbeta i befasuar. Para meje ndodhej Nënë Tereza me gjithë madhështinë e saj dhe me 80 vitet e një jete impenjative mbi supe. Me dy pëllëmbët e duarve të bashkuara para gjoksit, me një vështrim të butë e një buzëqeshje të ëmbël, me përshëndeti në shqip: "Mirëdita, a pranon miq?" E përqafova dhe duke i thënë Welcome (një gabimi i im padashje) e ftova bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes (kosovare) dhe pesë Motrat e tjera. Porosita të na sillnin kafe dhe ujë, por Nënë Tereza pranoi vetëm ujë.
Nuk mund ta imagjinoni sa gëzim ndieja për këtë vizitë të papritur, nderuese e të mirëpritur. Biseda u zhvillua në një atmosferë tepër miqësore, sikur njiheshim prej vitesh. Nënë Tereza ishte mjeshtrja e komunikimit. Me lehtësinë më të madhe bisedonte me një kryetar shteti, me një mbret, me intelektualin, me punëtorin, me fshatarin, por në veçanti me të sëmurët dhe ata që vuanin. Ajo është mishërim i figurës të dashuruar me njerëzimin. Tërë jetën iu  përkushtua mbrojtjes të jetës dhe të dinjitetit njerëzor, që i konsideronte të shenjtë. Kjo është thelbësore në jetën e aktivitetin e Nënë Terezës, e cila gjeti në humanizmin e shenjtëruar të Krishtit një provë të padiskutueshme, dashurinë për njeriun e varfër apo të pasur, të aftë apo me kufizime shëndetësore, të çdo lloj etnie apo feje.
Më kishte sjellë disa nga poezitë e saj të famshme, që këndoheshin si lutje në kishat e gjithë botës. Në veçanti kujtoj poezinë "Jetoje jetën".

Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është e bukur,adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfide, përballu me të.
Jeta është loje, luaje.
Jeta është detyrë, plotësoje.
Jeta është e shtrenjtë, vlerësoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mësohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të..."

Me një vështrim të butë e magjepsës, filloi të më tregonte planet për hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Nënë Tereza shquhej për inciativë dhe aftësi organizuese, si e kishte treguar me misionet, që kishte ngritur në të gjithë botën. Gjithçka e zgjidhte vetë, me urtësi e me guxim. Kështu veproi dhe në Tiranë. Kësisoj, kur erdhi herën tjetër, mori një shtepi përdhese me oborr të vogël, në një kthinë të rrugës "Siri Kodra". Aty u sistemuan motrat dhe misioni i parë i Nënë Terezës. Një nga dhomat ishte kapela ku kryheshin ritet fetare. Kudo mbretëronte thjeshtësia, pastërtia dhe rregulli deri në perfeksion. Në oborrin e ngushtë, një djalë tiranas, kishte ndërtuar një guvë të vogël, ku ishte vendosur shtatorja e Shën Mërisë, e rrethuar me vazo lulesh të freskëta. Në sheshin para misionit, për ditë kishte njerëz, popull i thjeshtë dhe intelektuale, plot njerëz, të krishterë, muhamedanë, bektashinj e ortodoks, por dhe të huaj. Të gjithë kërkonin të takonin Nënë Terezën, por njëkohësisht kërkonin dhe materiale fetare, që në ato vite mungonin. Këtë qendër bamirësie e vizitova shumë herë.
Gjatë bisedës, Nënë Tereza më tregoi se kishte sjellë disa pako me medikamente dhe kërkoj nga unë ta ndihmoja t'i shpërndante, aty ku ndihesh më shumë nevoja. Në këtë kohë, kishim mungesa serioze për ilaçe, por në çast mendova t'i dërgoja në disa spitale rurale, ku gjendja ishte kritike dhe kësisoj i sugjerova t'i dërgonim në spitalet e Krastës të Martaneshit, të Kurbneshit, të Tropojës e në Has të Kukësit. Ndërkohë i thashë se do të vija në dispozicion mjetet e transportit, por Nënë Tereza më tha se kishin makinat e tyre dhe ilaçet do t'i dërgonin në destinacion me motrat e misionit. Një tjetër surprizë, nga ato që bënte vetëm një si Nënë Tereza Bojaxhiu.
Në mars të vitit 1991, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Ky vit shënoi zhvillime të mëdha dhe ngjarje të rëndësishme për misionin e saj bamirës. Kësaj rradhe, Nënë Tereza nuk qëndroj vetëm në Tiranë, por vizitojë dhe qytetet e tjera, fillimisht Shkodrën e më pas Durrësin, Elbasanin, Korçën etj. Udhëtonte bashkë me motrat e misionit. Nuk takoj e nuk kërkoj ndihmë në asnjë nga pushtetarët, as ato lokale dhe as të qendrës, por kontaktoj direkt me popullin. Kur u kthye nga Durrësi, me shumë gëzim më tregoi se kish takuar një person, i cili ishte bërë udhërrëfyes gjatë gjithë kohës që kishin lëvizur nëpër qytet. Kështu ndodhi dhe kur shkoi në qytetet e tjera. Të gjithë ata njerëz të thjeshtë, që i janë ndodhur pranë dhe e kanë ndihmuar në misionin e saj, Nënë Tereza i kujtonte me shumë respekt e u dërgonte letra mirënjohjeje e falënderimi, si ato dërguar familjeve Naska, Shpati, Vorfi, Zajmi, Kraja etj.
Një ditë erdhi më takoi në zyrë, si gjithmonë bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes e motrat e tjera dhe me Atë Zef Pellumbin. Pas përshëndetjeve të zakonshme, Nënë Tereza më tregoi për shumë "actions-aksione", si thoshte shpesh me shaka. Tregoi për hapjen e shtëpisë në Shkodër, për rihapjen e Kishës së Shën Ndout dhe të Katedrales "Zemra e Krishtit". Motra Agnes më tregoi, se Nënë Tereza i kishte sistemuar me dorën e vet 17 fëmijët e parë, që i morën nga Spitali i Shkodrës. Ndërsa më tregonte mendoja me vete: sa mirë do të ishte, që kësisoj t'i dedikoheshin kujdesit për fëmijët dhe infermieret tona, që paguheshin e nuk e kryenin shërbimin si duhet.
Në këtë kohë, Ministria e Shëndetësisë kishte një problem, që nuk po zgjidhej. Kishim një azil pleqsh në ndërtesën e Kryegjyshatës në Tiranë e pas vendimit për rihapjen e institucioneve të kultit, ishim të detyruar ta dorëzonim, pasi ishte pronë e komunitetit bektashi, por nuk kishim vende për t'i sistemuar ata pleq të mjerë. Nënë Tereza e kishte vizituar azilin dhe ishte informuar se i kishim transferuar një pjesë të pleqve në Azilin e Kavajës dhe se na kishin mbetur disa gra të pasistemuara. Më kërkoi t'i merrte në Shtëpinë e Misionit të saj në Tiranë. E falënderova për këtë ndihmë të madhe në moment shumë të vështirë. Dy vjet më vonë kur shkova në shtëpinë e Nënë Terezës në rrugën e Elbasanit, m'i prezantoi ato katër gra, që zyrtarisht trajtoheshin për demencë senile, por që ishin tjetërsuar e gëzonin shëndet të mirë, madje ishin bërë bashkëpunëtoret më të shkathëta te motrave te misionit.
Dy ditë më pas, më ftoi për vizitë në qendrën e misionit në Tiranë. Shkova me shumë dëshirë edhe pse e dija se do të rrija gjatë e nuk do të mund të pija duhan, pasi e kishte ndaluar rreptësisht. E vlente ta bëja këtë sakrificë.
Bisedat mes nesh kanë qenë gjithmonë të hapura e shumë të sinqerta, madje dhe me shaka të lezetshme. Më tha se kishte vendosur të ngrinte një mensë për banorët e varfër që jetonin në Bregun e Lumit, pra për arixhinjtë dhe kërkoi nga unë ta shoqëroja për të ndarë ushqimet. Ishte një propozim i papritur, e që nuk ishte praktikuar ndonjëherë e nuk dita si t'i përgjigjem e fillova të bëja shaka: "Do të vij, por me një kusht, të mos i tregosh Dritës (gruas time) se kam vënë përparëse, se pastaj do të më detyrojë ta vë dhe në shtëpi e madje do të më detyrojë dhe të gatuaj". Qeshën të gjithë, por Nënë Tereza jo, madje ma ktheu me seriozitet: "Nuk është gabim ta bësh dhe në shtëpi këtë punë, por ne do ta fillojmë te Bregu i Lumit. Kështu ka punuar me mua Regani, Gorbaçovi" dhe vazhdoi të më rendisë një radhë burrash shteti, që ishin angazhuar në veprimtari bamirësie me njerëzit e thjeshtë e të vuajtur, që nuk mungonin dhe në Shqiperi, madje ishin shumë.
U tha dhe u bë siç kërkoi Nënë Tereza. Më thënë të drejtën ndihesha në siklet, por e kapërceva gjithçka me shaka. Herë pas here e ngacmoja "pse asaj plakës ia mbushe tasin më shumë e atij tjetrit i dhe më pak?" dhe ajo me atë mirësinë e saj të veçantë, më detyronte të shkoja t'i çoja dhe një garuzhde më tepër.
Pasdite u kthyem në shtëpinë e misionit. Ishte mrekullisht e kënaqur dhe e qeshur. Ishim bashkë me Janette Petriè, motrën Agnes dhe Natasha Hiton, që ishte angazhuar si përkthyese zyrtare. Atë ditë bëmë disa biseda të rëndësishme. I thashë Nënë Terezës:
"Ti je shqiptare, je gjaku ynë dhe këtë e ke deklaruar botërisht, por nuk ke asnjë lloj dokumenti, që të identifikosh kombësinë tënde shqiptare, pse nuk i japim një zgjidhje këtij problemi?"
Nënë Tereza m'i kapi të dyja duart dhe me përzemërsi më tha:
"Çfarë më propozon ti, cilat janë ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, cila është rrugëzgjidhja?"
Kaq desha sa të më kërkonte përgjigje e menjëherë i thashë:
"U bënë tre vjet, që hyn në Shqipëri, banon në shtëpinë tënde, ke motrat, ke të afërm e miq plot, ke një popull që të admiron e të do me përkushtim, pse nuk regjistrohesh banore e Tiranës"?
"Atëherë çfarë duhet të bëjmë?", më pyeti.
"Shkojmë në zyrën e gjendjes civile të Lagjes Nr. 1 dhe flasim", iu përgjigja menjëherë.
U ngritëm e shkuam në zyrën e gjendjes civile. Një pritje si kudo për Nënë Terezën. U mblodhën të gjithë në atë zyrë të vogël e të gjithë e takuan. Pasi u qetësua situata pyetëm nëpunësen, se çfarë duhet të bënim, që Nënë Tereza të regjistrohej si rezidente në Tiranë. Ajo na i shpjegoi të gjitha procedurat e rregullat. Bëmë lutjen, plotësuam formularin, dorëzuam fotografitë. Pas disa ditësh e njoftuan e i dorëzuan Nënë Terezës letërnjoftimin shqiptar. U gëzua si një fëmijë, e shtrëngonte në gjoks dhe ua tregonte të gjithëve. Kjo ishte dhurata më e bukur, që i është bërë Nënë Terezës në përvjetorin e lindjes, që e festonte e tërë bota.
Janette Petriè, më tregoi se disa shtete kishin aprovuar dekorata me emrin e Nënë Terezës. Kjo më nxiti një ide, që ta bënim dhe në Shqipëri, çka do të ishte dekorata e tretë e dedikuar një figure të shquar të kombit (krahas urdhrit të Skënderbeut e të Naim Frashërit). Bisedova me Xhenin, që të merrte aprovimin e saj, për të krijuar një dekoratë për merita humanitare me emrin e Nënë Terezës, që do t'i akordohej të gjithë atyre, që kontribuonin për të ndihmuar popullin tonë. Më kërkoi ta takoja e pas një bisedë pak a shumë të gjatë, pranoi e ma konfirmoi personalisht, duke u shprehur: "uroj që kjo medalje t'i shërbejë popullit tim".
Krijimi i dekoratave të reja ishte kompetencë e presidentit. Përgatita letrën argumentuese me propozimin për krijimin e "Urdhrit Nënë Tereza - për merita të shquara humanitare", thirra piktorin e Shtëpisë së Edukimit Shëndetësor (një djalë i talentuar, por nuk ia kujtoj emrin), i cili më paraqiti disa variante dekorate, natyrisht me portretin e Nënë Terezës e pasi zgjodha më të mirin, së bashku me propozimin ia dërgova Presidentit Ramiz Alia. Pas disa javëve, më kërkuan në Presidencë, në drejtorinë e dekoratave, ku më priti një nëpunës shumë i edukuar e shumë i sjellshëm, më komunikoi se propozimi ishte aprovuar e njëkohësisht më tha se dekorata do të bëhej me ar, por pak më e vogël në përmasa se projekti që kisha prezantuar.
Me këtë humor të mirë u ngjita lart të takoja mikun tim Shaban Sinanin. E gjeta në zyrën e tij të vogël (pak më e gjerë se skrivania). Po shkruante me penë, që e ngjyente në një shishe të vogël boje. Shkruante në fletore me kuadrate. Po përfundonte pjesën e dytë të studimit rreth veprave të Ismail Kadaresë. Më ftoi të pinim kafè. Kur po bëheshim gati të dilnim erdhi presidenti Ramiz Alia e sapo më pa më tha: "hë more Lutfi, po na bën dy ministri shëndetësie?" U befasova nga kjo vërejtje ironike e ndërsa ai po largohej nuk ndenja pa u përgjigjur. "nuk do të ishte gabim".
Rreth kësaj dekorate është shkruar me shumë fantazi, por asnjë nuk ka treguar të vërtetën. Në një artikull të mëvonshëm Naim Zoto shkruan se gjatë kohës që ishte president R. Alia, ai nuk ia akordoi askujt, pasi sipas tij, kotributi i tyre nuk ishte në lartësinë e titullit të krijuar. Ndofta kishte të drejtë. Më pas Presidenti Sali Berisha e modifikoi, duke krijuar dy dekorata, njërën të artë dhe tjetrën të argjendtë. Kjo dekoratë ishte e dëshiruar nga të gjithë të huajt, të krishterë e muhamedanë, nga shoqata të ndihmave humanitare dhe nga organizma shtetërorë, por shumë pak prej tyre patën fatin ta gëzojnë këtë nder.
Në maj të vitit 1991 isha me shërbim në Itali. Një ditë u ndala në Ambasadën tonë në Romë dhe aty gjeta Nënë Terezën me motrat misionare të Romës. Pasi u përshëndetëm, Nënë Tereza, me një sinqeritet mahnitës e me shumë dashamirësi më bëri një pyetje:
"A e di ti kush është Shenjti mbrojtës i shqiptarëve?".  
"Po e di, është Shën Gjergji", u përgjigja unë menjëherë.
Nënë Tereza buzëqeshi me dashamirësi e më tha: 
"Shenjtorja e ne shqipëtarëve është Zonja e Këshillit të Mirë, e quajtur dhe Zonja e Shkodrës, pajtuesja e mbarë shqiptarëve. Ikona e saj, që i përkiste Kishës së Shën Stefanit në Shkodër, nga 26 Prilli 1467 ndodhet në Santuarin e Genazzano-s të Romës dhe mua më kanë dhuruar një kopje, që do ta vendos në Kapelën e Misionit tonë në Tiranë. Të ftoj të vish ta shohësh".
Shqipëria e asaj kohe kishte nevojë për një mbrojtëse të shenjtë dhe për këshilla të mira. Më 26 maj 1991, Nënë Tereza shkoi në Santuarin e Genazzano të Romës, ku e përfundoi lutjen para ikonës së Zonjës së Këshillit të mirë me fjalët: "Dhe tani kthehu përsëri në Shqipëri". Kushdo që sheh këtë ikonë, admiron Shën Mërinë me një buzëqeshje të rrallë, që nuk e sheh në asnjë nga ikonat e Italisë. Këtë ikonë e vendosi në dhomën e lutjeve në shtëpinë e Misionit.
Më 23 korrik 1991, Nënë Tereza shkoi në Irak e pasi vizitoi Bagdadin e shkatërruar nga lufta, ngriti aty shtëpinë e bamirësisë për të ndihmuar popullin iraken. Gjatë takimit me komandantin e forcave aleate, i kërkoi atij, që një pjesë e prodhimeve ushqimore (ushqime të liofilizuara) e shumë materiale të tjera, të grumbulluara në bazat ushtarake, t'ia dërgonte popullit shqiptar, sepse kishte nevojë. Ai pranoi dhe kur Nënë Tereza u kthye në Shqipëri, arriti një avion "Herkules" me ndihmat, që i shkarkoi në aeroportin e Tiranës. Së bashku me Nënë Terezen, shkuam në aeroport, ku takoi pilotët dhe ushtarakët që sollën ndihmat: "Zoti ju bekoftë e faleminderit për kontributin tuaj në ndihmë të popullit tim" u tha Nënë Tereza. Këto ndihma nuk ishin për misionin, por për popullin shqiptar, por unë ende nuk e di ku përfunduan dhe si u administruan.
Një ditë, Nënë Tereza erdhi në zyrë e më kërkoi t'i organizoja një takim me kryeministrin Ylli Bufi. I telefonova shefit të kabinetit Shpëtim Arbana, të cilit i kërkova të bisedonte me kryeministrin, për ta pritur Nënë Terezën. Nuk kërkoi informacion për motivet e vizitës e pas një gjysmë ore më konfirmoi takimin brenda ditës. Shkuam menjëherë në kryeministri. Kur hymë në hollin e katit të dytë, u ndeshëm me një delegacion të madh tregtarësh nga SHBA, që kur e panë, e braktisën ministrin tonë që i shoqëronte dhe u ndalën të përshëndesnin Nënë Terezën. U ndamë me vështirësi prej tyre, vetëm duke këmbëngulur se po vonoheshim për takimin me kryeministrin.
Takimi me Ylli Bufin ishte i shkurtër. Nuk u dha asnjë lajm as në televizion as në shtyp, madje kryeministri nuk kërkoi as të bënte fotografi, si kërkonin të tjerët. Nënë Tereza i bëri një përshkrim të shkurtër aktivitetit të misionit e me shumë modesti e mirësjellje i kërkoi të ndërmjetësonte në pushtetin lokal të disa rretheve, që ende nuk i kishin liruar mjediset e caktuara për misionin e bamirësisë. Natyrisht, në këtë kohë ishte e vështirë të zgjidhje probleme të këtij karakteri, megjithatë Ylli Bufi i premtoi se do të interesohej, ndonëse në fakt nuk ndërhyri anjëherë.
Për këtë problem më pas fola me Gramoz Pashkon, ishte zv-kryeministër, i cili një ditë më telefonoi e kërkoi ta takonte personalisht Nënë Terezën, takim që u zhvillua në atmosferë shumë miqësore. Gramozi bëri disa telefonata dhe i zgjidhi problemet me Elbasanin, Durrësin e Korçën. Kështu, brenda dy viteve, me durim e me insistim, Nënë Tereza organizoi në Shqipëri 7 shtëpi bamirësie.
Nënë Tereza, që nga viti 1928 jetonte në Indi fillimisht si murgeshë e urdhrit "Motrat e Loretos" dhe më pas, la mantelin e zi dhe veshi sarin e bardhë, me një kordon blu anësor të indianëve të varfër, hoqi kepucët, veshi sandalet  zbathur. Nënë Tereza themeloi Kongregacionin e famshëm Misionaret e Bamirësisë. India e kishte adaptuar dhe i kish dhënë shtetësinë. Krahas pasaportës indiane, Nënë Tereza mbante dhe pasaporta të shteteve të tjera si të Italisë, Vatikanit, Anglisë, ShBA-së, Irlandës, Kanadasë etj. Pasaportat ia kishin dorëzuar kryetarë shtetesh e kryeministra, madje dispononte dhe pasaportë diplomatike (Kanadeze), por i mungonte pasaporta shqiptare.
Nënë Tereza udhëtonte në rreth 100 shtete e në çdo aeroport të botës, pikë kufitare tokësore, apo port që kalonte, kurrë dhe askush nuk ia ka kontrolluar pasaportën, përkundrazi të gjithë policët e punonjësit e aeroprotit ngriheshin në këmbë, me respekt e nderim dhe e shoqëronin me shumë kënaqësi. Ajo nuk kishte nevojë për pasaportë udhëtimi, por si shqiptare dëshironte atë të shtetit amë, sepse donte ta përdorte si dokument të lidhjes së ngushtë me atdheun dhe të përkatësisë shqiptare, pasi bota e njihte si Nënë Tereza e Kalkutës. Dua të rikujtoj se ditën kur i dhanë Çmimin Nobel më 1979-tën, pyetjes për origjinën e saj, që i bëri një prift në sallë, iu përgjigj:
"Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, jam motër katolike e përmes thirrjes sime i përkas gjithë botës, por zemra ime i takon vetëm zotit".
Kur fliste për vendlindjen, sidomos me të huajt, Nënë Tereza deklaronte qartë e bukur "jam nga Shkupi", pra përdori përherë emrin shqip të qytetit të lindjes dhe asnjëherë nuk tha Skopje (varianti sllav), që përdorej zyrtarisht.
Për problemin e pasaportës ka disa shkrime, por asnjeri nuk ka treguar të vërtetën, madje ky aspekt delikat është shfrytëzuar me tendencë për t'i dhënë merita atyre që nuk u takonin. Është  shkruar se pasaportën ia dha dikush nga funksionarët. Kjo nuk është e vërtetë. Funksionarët e shtetit nuk dinin ku banonte, madje kanë qenë krejt indiferentë e nuk i kanë dhënë asnjë ndihmë konkrete Nënë Terezës. Pasaporta nuk bëhet në zyra funksionarësh.
Të gjithë shqiptarët e dinë cila është procedura dhe si veprohet për pasaportën për udhëtime jashtë Shqipërisë. Nuk dua të ndalem në këtë aspekt, por vetëm të konfirmoj se për pasaportën e  Nënë Terezës, ka kontribuar në mënyrë vendimtare N. Hito, që i dërgoi të gjitha të dhënat anagrafike në institucionet përkatëse, të cilët e përgatitën brenda afateve ligjore. Si unë dhe shumë të tjerë, që kanë pasur rastin të takohen me Nënë Terezën në atë kohë, janë dëshmitarë të gëzimit e të krenarisë që shprehte ajo, duke ia treguar të gjithëve pasaportën, sidomos të huajve, të cilëve u thoshte "kjo është pasaporta e vendit tim, shiheni sa e bukur është".
Lidhur me çështjen pasaportë, ka edhe një aspekt tjetër, që është lënë qëllimisht në heshtje. Në fakt Nënë Tereza ka kërkuar një lloj tjetër pasaporte dhe për këtë qëllim i dërgoi letër Ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Republikës, të cilëve u shprehu dëshirën të pajisej me pasaportë diplomatike. Kjo dëshirë i është refuzuar. Kërkesa për pasaportë diplomatike bazohej thjesht në faktin se në udhëtimet që do të bënte në vendet e tjera, Nënë Tereza dëshironte të përdorte pasaportën diplomatike të shtetit Shqiptar e në këtë mënyrë t'i prezantonte mbarë botës përkatësinë e saj shqiptare. Përgjigjen burokratike të instancave përkatëse Nënë Tereza nuk e mirëpriti. Ju rikujtoj se në këtë kohë, disa "tregtarë" (subjekte pivate) shëtisnin nëpër botë me pasaporta diplomatike, ndërsa kjo e drejtë iu refuzua një personaliteti si Nënë Tereza, e cila ishte "ambasadorja shqiptare e bamirësisë në botë". Asnjë qeveri shqiptare nuk ia njohu këtë meritë.
Në një nga takimet e zakonshme, Nënë Tereza më tha se do të ftonte një grup mjekësh amerikane dhe kërkoi të dinte cila ishte procedura, për hyrjen e medikamenteve. E mirëprita këtë propozim e i dhashë nomenklaturën tonë të barnave (përgatitur sipas rekomandimeve të OBSh-së). Me ndërhyrjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Nënë Terezës iu dha një nga vilat e ish-udhëheqjes komuniste (prapa kryeministrisë), për ta përdorur si poliambulator, ku mjekët amerikanë, të asistuar nga shumë mjekë të rinj shqiptarë, vizituan dhe u dhanë medikamente gratis me mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës e të rretheve. Në një nga këto ditë, Nënë Tereza erdhi më mori e duke më mbajtur përdore, më prezantoi të gjithë profesorët amerikanë, që punuan nga mëngjesi deri në darkë, për më shumë se një javë. U gëzova shumë dhe për faktin se profesorët amerikanë u asistuan nga mjekë të rinj shqiptarë (ish studentët e mi), që flisnin shumë mirë anglishten dhe që manifestuan formim profesional dinjitoz.
Gjatë vitit 1991 Shqipëria ishte e mbushur me ngjarje intensive dhe Nënë Tereza i përjetoi me përkushtim, duke u përpjekur të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të shumta të trashëguara, por dhe të atyre që i kishte shtuar tranzicioni e egër. Pranë fushës së aeroportit të Tiranës, e dini se Minsitria e Shendetësisë po ngrinte një spital modern? Ndërtesa ishte përfunduar, mjaftonte pak që të fillonin instalimet e pajjisjeve, por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Brenda disa ditëve u vodhën të gjitha (duralumine e hidrosanitare moderne, madje dhe tullat). Pasi e vizituam ndërtesën e spitalit te ardhshëm, Nënë Tereza kërkoi të kontribuonte për rikonstruktimin dhe për të gjetur pajisjet, madje dha idenë, që në personelin e infermierëve të përfshiheshin dhe motrat e misionit, që kishin diploma në infermieri. Kush mund të kundërshtonte këtë propozim ideal. Madje ky lajm u përhap dhe populli filloi ta quante (dhe sot e quan) spitali i Nënë Terezës. Këtij projekti Nënë Tereza i dha përparësi, ndaj organizoi takime të shumta, madje ftoi specialistë të huaj ta shihnin ndërtesën, por kur hyri në mes politika e në plan të parë doli Opus Dei me Universitetin Katolik të Romës, mori drejtim tjetër. Sot është korpusi qendror i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, i koordinuar nga Universiteti Tor Vergata i Romës.   

Në gusht të vitit 1992, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Vazhdonte aktivitetet e saj me intensitet, takonte mijëra njerëz të thjeshtë dhe punonte pa pushim për fuqizimin e shtëpive të bamirësisë, që ishin plot me njerëz, të gjitha besimeve fetare, të shtresave të varfra dhe me persona të papërkrahur nga shteti dhe nga shoqëria.

Nënë Tereza ishte e dashuruar me njerëzit. Ishte vetë e para që përkujdesej për të sëmurët, ishte dora saj e butë, që përkëdhelte pleqtë e braktisur, që ushqente të pamundurit dhe lebrosët, u shërbente me një devocion të admirueshëm e mbi imagjinatën tonë, i shëronte të sëmurët me dashurinë, me atë shikim të ëmbël e të qeshur, me përkëdhelje e me përkujdesjen e veçantë, që i u a ka transmetuar, ose më saktë, ua ka ngulitur dhe mbi 4000 motrave të misionit të saj bamirës, që ishte shtrirë në 120 vende të botës.

Dua të theksoj një aspekt të veçantë dhe pse i njohur, madje i dokumentuar dhe me filmime. Nuk ka ekzistuar dhe ekziston në botë mjek, infermier apo person, që të përkëdheli, t’i lajë e ti veshi lebrosët, madje i vizitojnë me doreza e me maska dyfishe. Pjesa më e madhe e shoqërisë i përbuz këta të sëmurë dhe i izolon, por mos harroni se vetëm Nënë Tereza u ka shërbyer me dashuri, i ka përkëdhelur, i ka përqafuar, i ka ushqyer, i ka larë, i ka veshur, i ka ndihmuar të shtrihen në shtrat, u ka lehtësuar dhimbjen, i ka kuruar, u ka dhënë shpresa. Nënë Tereza nuk u sëmur kurrë nga bacili tepër ngjitës i lebrës, përkundrazi shëroi të sëmurë me përkujdesje hyjnore. Kjo është një mrekulli.  

Në këtë kohë, rezidenca e Misionit të bamirësisë ishte transferuar ne rrugën e Elbasanit, në vilën e ish kryetarit të bashkisë. Kur them vila, dua të them ndërtesa dy katëshe dhe vila e mobiluar, pasi Nënë Tereza nuk pranonte luksin. Aty nuk kishte mobilie të rënda, nuk kishte qilima, tapete, kolltukë e pasqyra, por vetëm ambiente të thjeshta me tavolina e karrige dhe një pastërti e rregull shembullor, ku punonin pa pushim motrat e ardhura nga të gjitha vendet e botes, si dhe një motër shkodrane.  Në dy dhoma te katit te dyte kishte sistemuar dhe gratë e moshuara te marra nga azili dhe tre fëmijë sakatë, që i kishte marrë nga spitali i Shkodrës.

Gjatë tre viteve në Shqipëri, aktiviteti si misionare e krishterë dhe kontributi humanitar i Nënë Terezës, tashmë ishin bërë pjesë e kulturës shqiptare. Jeta dhe vepra e saj ishte inkurajim dhe frymëzim për shumë shqiptarë.

Në muajin gusht 1992, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kongreseve, u organizua një konferencë për nder te Nënë Terezës, ku mori pjesë Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe Nunci Apostolik i Vatikanit I. Dias. Presidenti Berisha i uroi ditëlindjen Nënë Terezës, e përshëndeti dhe e përgëzoi për kontributin si misionare në ripërtëritjen e besimit e të kulturës së krishterë ne Shqipëri dhe për punën vetëmohuese të misionit bamirës, që i kishte hapur dyert për të gjithë nevojtarët, pavarësisht nga përkatësia fetare.

Kur mbaroi aktiviteti, të gjithë e takuan dhe përshëndetën Nënë Terezën, mes tyre dhe disa përfaqësues shoqatash humanitare të huaja (italiane, angleze, gjermane etj), të cilët pas prezantimit, i treguan se kishin ardhur me ndihma për popullin shqiptarë. Fjala e parë e përgjigjes e Nënë Terezës ishte mirënjohja: “falimnerit” (shprehur në dialekt) dhe më pas u tha: “nuk ia zgjidhim problemet popullit shqiptar duke i dhuruar një peshk, sa për të shuar urinë, ne duhet t’i japim mjetet e nevojshme e ta mësojmë të peshkojë vetë e përditë”. Ky ishte mesazhi i Nënë Terezës për gjithë ata, që donin të kontribuonin për atdheun e saj të dashur. Dëshiroj të rikujtoj, se gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Nënë Tereza përshëndeste në shqip: “mirëdita, mirëmbrëma, tunjatjeta (për tungjatjeta), falimneres (për faleminderit), a pret miq” etj. 

Gjatë viteve 1991 - 92, në Shqipëri kishin hyrë me qindra misione fetare (ndërtonin kisha, xhami e teqe), shoqata jo fetare, shoqata humanitare (ndanin stoqet e magazinave të botës), organizata joqeveritare (premtonin shumë e nuk bënin pak), struktura qeveritare (bënin politikë) dhe shumë shoqata artistike e kulturore. Të gjithë ishin shprehur për të ndihmuar shqiptarët, por asnjë prej tyre nuk arriti të bëjë atë që kishte bërë Nënë Tereza Bojaxhiu, asnjë prej tyre nuk fitoi besimin e respektin e popullit dhe as famën e Nënë Terezës dhe të misionit të saj bamirës. Për të vlerësuar forcën vepruese e konkretizuese të Nënë Terezës, mençuria popullore shqiptare krijoi një shprehje të veçantë: “Këtë e bën vetëm Nënë Tereza”. Pra populli e identifikonte si forca që bënte të pamundurën, bënte mrekullinë.

Shembulli i jetës dhe i kontributit fetar e bamirës i Nënë Terezës, u be frymëzues e kësisoj në shumë vende të botës filluan të themelohen shoqata me emrin e saj. Në fakt, Nënë Tereza, ka kundërshtuar me insistim përdorimin e emrit te saj nga shoqata e organizata te ndryshme dhe vetëm kur ajo ishte e bindur për rolin humanitar të vërtetë ka pranuar. Në Tiranë, aktorja M. Ljarja kish mbledhur një grup të gjere aktivistesh, që angazhoheshin në veprimtari shoqërore, kulturore e humanitare dhe propozoj, që kjo shoqatë të merrte emrin e Nënë Terezës. M. Ljarja erdhi disa herë e kësisoj u detyrova ta takoja Nënë Terezën dhe t’i lutem ta pranonte këtë propozim. E dha miratimin dhe bekimin, kësisoj dhe në Shqipëri u themelua Shoqata Nënë Tereza.   

Me 25 prill të vitit 1993, në ditën e festës të Zonjës të Këshillit të Mirë të shqiptarëve, Papa Gjon Pali i II, vizitoi Shqipërinë. Në të gjitha aktivitet e organizuara gjatë vizitës, Papa Gjon Pali i II e mbajti pranë Nënë Terezën, veprim që nuk e kishte kryer me asnjë figurë tjetër të kishës katolike, as me kryetare shtetesh dhe në asnjë vend tjetër të botës. Ky nderim dhe respekt i Papa Gjon Palit të II, për Nënë Terezën, u bë objekt i një diskutimi me dy miqtë e mi gazetar, Shaban Sinani dhe Naim Zoto, që punonin ne gazetën “Shqip”, një gazetë, e cila për sa kohë funksionoj, ishte më korrekte, më profesionale dhe më me kulture për kohën.

Nga biseda jonë rezultoi një fakt tjetër i çuditshëm. Në pesë vjet, që Nënë Tereza vinte në Shqipëri, asnjë gazetar i shtypit dhe as i televizionit, nuk e kishte intervistuar. Ndonëse duket e pabesueshme, në fakt ishte e vërtetë. Televizioni jepte lajme për disa aktivitete të Nënë Terezës, më pak shkruanin gazetat e mbi te gjitha nuk i kishin kërkuar e nuk ishte botuar asnjë intervistë. Atëherë Shabani më kërkoi t’i propozoja Nënë Terezës,  një intervistë për gazetën “Shqip”. Shkova në selinë e misionit në rrugën e Elbasanit dhe takova Nënë Terezën dhe Janette Peteriè. U a tregova qëllimin e vizitës. Nënë Tereza po më vështronte me atë shikimin e butë e miqësor dhe pas një çasti, me tha: “Dakord, po ku i ke gazetarët?”.
Nënë Tereza, Shaban Sinani, Lutfi Alia
Nuk e prisja këtë gatishmëri e përgjigjie të shpejtë, pasi e dija mirë, se kur flitej për aspekte të tilla, që kishin te benin me ekspozimin në shtyp të personalitetit e të veprrimtarise se saj, Nënë Tereza nuk pranonte, madje i ka refu-zuar me rreptësi ndaj ketyre kerkesave. Ashtu si unë dhe shumë persona të tjerë, që kanë jetuar e punuar me Nënë Terezën janë dëshmitar, si i ka refuzuar intervistat dhe me gazetarë të shquar të shtypit botëror.

“Ti sjell nesër, por më thuaj orën kur ke pak kohë të lirë”, i u përgjigjja menjëherë për të mos humbur këtë shans.  
“Dakord,  ju pres nesër në orën 11.00”, më tha Nënë Tereza. 

Ika shpejt e i a komunikova këtë lajm të bukur Shabanit dhe Naimit. Të dy filluan të organizohen për takimin, por dolën disa probleme të vogla e të vështira. Nuk kishin regjistrues të zërit, nuk kishin aparat fotografik. U impenjuam tërë pasditen duke kërkuar. Gjetëm regjistruesin, por ishte pa bateri e do të duhej të përdorej kordoni i karikimit, që ishte i shkurtër. Më së fundi gjetëm pjesë për ta zgjatur. Të nesërmen në mëngjes takuam një djalë kosovar (Xh. Herri, punonte në një shoqatë bamirëse gjermane), i cili na vuri në dispozicion aparatin fotografik, madje na shoqëroi me veturën e tij, se ne nuk kishim makinë. Ai mori dhe dy arka me sapunë tualeti, që ua dhuroi motrave, që sigurisht më shumë vlerësonin këtë lloj dhurate, se sa t’i u çoje një duzinë me torta. Nënë Tereza na priti në dhomën e saj, një mjedis ku mbretëronte thjeshtësia dhe rregulli, një krevat, një tavolinë dhe karriget. Shabani e përgatiti regjistratorin e po bëhej gati t’i bënte pyetjet, kur Nënë Tereza e parapriu: “Unë mendoj të mos bëjmë intervistë, nuk kam asgjë të veçantë për të treguar për veten, unë jam si një pikë uji në oqean. Dëshiroj, që nëpërmjet jush t’i transmetoj një mesazh popullit shqiptar”.

Shabani e priti me entuziazëm këtë propozim e menjëherë  ia afroi regjistratorin dhe e ftoi të fliste.  Në dhomë pasoi një heshtje e shkurtër e më pas zëri i saj i ëmbël e me tonalitet kumbues, rrodhi lirshëm. Më dukej sikur thirrja e Nënë Terezës u përhap në eter ndër gjithë shqiptaret, që prisnin këshillat e saj te çmuara. Mesazhi ishte i shkurtër, por me argumente për aktualitetin, ishte mësim për të gjithë. Në diskutime publike, në takime dhe në forume ndër-kombëtare, Nënë Tereza kishte thënë disa herë: “kontributi im ka vlera sa një pikë uji në oqean”, çka dëshmonte jo për modestinë e veprës së saj, për humanizmin, përkushtimin e pasionin e veprimtarisë si misionare bamirëse, i tregonte botës se çfarë oqeani me halle duhet të përballojë njerëzimi, për të zgjidhur varfërinë e padrejtësitë shoqërore.

Mesazhi u botua i plotë, me 30 prill 1993, në gazetën “Shqip”, me titull të madh “E doni atdheun duke dashur njeri tjetrin: Mesazh i Nënë Terezës, drejtuar popullit shqiptar ”. Ky mesazh është ribotuar disa herë në gazeta të tjera, andaj nuk do të zgjatem,  por dëshiroj të riparaqes vetëm disa pasazhe të shkurtra.
- “Dashuria fillon nga shtëpia, nga familja. Kur njerëzit rrojnë në paqe midis tyre, kur janë të lidhur e mirëkuptohen, kur ushqejnë dashuri për njeri tjetrin dhe Zoti ju do shumë e ju mbron nga të këqijat”.
- “Fryt i dashurisë është mendimi për te bere mire, fryt i bamirësisë dhe i humanizmit, është paqja, ja perse bota
duhet t’i falet dashurisë.”
- “Te falënderojmë Zotin, për fuqinë që u fal shqiptarëve për te dashur dhe ndihmuar njeri tjetrin. Shqipërinë do ta bëjë pajtimi i të gjithë shqiptarëve.
- “Unë lutem përherë për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”. etj, etj.
Pasi përfundoi regjistrimi i mesazhit, bëmë disa fotografi dhe filluam te bisedonim shtruar. Si kuptohet në këto situata rrethi i bisedës ishte i gjerë dhe argumentet të shumta. Nënë Tereza foli për gjendjen në Shqipëri, por dhe për  Kosovën. “E dua shumë Shqipërinë, prandaj vij shpesh bashkë me motrat e mia, që  percjellin dashuri dhe kujdes ne te varferit. Kam shume dhimbje ne zemer, kur shoh vuajtjejet e popullit kosovar.” 

Ndërkohe që po bisedonim, hyri një nga motrat e i tha se kishte ardhur V. B (shefi i protokollit i nje institucioni), i cili  kerkonte me insistim ta takonte Nënë Terezën. Ne menduam se tani do të mbyllej me kaq takimi, por ndodhi e papritura. Nënë Tereza i tha prerë: “I thuaj se jam në takim me miqt e mi. Nëse i kanë thënë të më takojë, duhej të më telefononte më pare, që dhe une të programoja kohën. Nëse nuk ka nxitim të presë, ose të vijë një ditë tjetër”.

Po të kish qenë dikush tjetër, do të na kishte përzënë menjëherë, por Nënë Tereza ishte nga ata burrnesha, që respektonte dinjitetin e njerëzve te thjeshte e nuk bënte diferencime e as nuk krijonte privilegje në raporte shoqërore dhe zyrtare. Biseda jonë vazhdoi dhe rreth një orë e kur dolëm Janette Petriè, që na shoqëroi tha “kështu është zakoni i juaj, ta shoqërojmë mikun deri te porta”. Pra ne ishim miqtë e Nënë Terezës.

Mesazhi i Nënë Terezës u prit shumë mirë nga populli, që e admironte, e dëgjonte dhe respektonte fjalën e saj të mençur, ndërsa politika mbajti qëndrim indiferent. Asnjë nga gazetat e tjera nuk reagoj, përkundrazi vazhdonin t’i mbushnin faqet me kronikat e politikës së egër. Ishte koha kur Shqipëria grindej me veten. Tranzicioni po hynte në fazën e egërsimit. Askush nuk dëgjonte zërin e arsyes, as mesazhin e Nënë Terezës. Situata dominohej nga përballje forcash, ne luftë të egër për pushtet e askush nuk shihte nga populli. Duke reflektuar për këtë mesazh, mendova se këshillat e Nënë Terezës, do te ndikonin të zbutej sadopak polemika dhe të vështronin më shumë për unitetin kombëtar e zhvillimin e ekonomik të vendit të rrënuar, por nuk ndodhi kësisoj.  Rikujtova luftën në Liban në 1975, kur OKB dhe diplomacia ndërkombëtare nuk arriti të ndalonte luftimet, qe shkaktuan mijëra viktima ne popullatën civile,  ndërsa ndërhyrja e fuqishme e Nënë Terezës, me mesazhin dërguar dy forcave ndërluftuese, u dëgjua e u respektua nga të dy palët ne armiqësi, që i ndërprenë luftimet dhe bënë armëpushim. Kjo nuk ndodhi ne Shqipëri. 

Në nëntor të vitit 1993 unë ika në Itali. Largimi nga Shqipëria, ishte vendimi më i vështirë e më i dhimbshëm në jetën time, por i detyruar. Në këtë kohë, shume kolegë e “miq”, morën detyra e poste të rëndësishme, por kur kishin para kërkesën time për punë, refuzuan sepse nuk mund të dilnin kundër “partisë”, kundër “zërit të masës” dhe vendimit të agjentëve të sigurimit komunist, që kishin ndërruar flamurin. Kishte të drejtë Volteri: “Zot me ruaj nga miqtë, se ruhem vetë nga armiqtë”. Prita shumë dhe gjatë, por nuk gjeta zgjidhje, madje ata që i kisha ndihmuar e përkrahur më harruan e më braktisën shpejt. Në Itali arrita ta gjej veten, fitova konkursin zyrtar për të punuar ne Institutin e Anatomisë Patologjike të Universitetit të Sienës.  Një ditë shtatori të viti 1994, pata një telefonate, që më solli gëzim të veçantë. Ishte Janette Petriè, fliste nga Roma, ku ndodhej bashkë me Nënë Terezën dhe me ftonin të shkoja t’i takoja, pasi te nesërmen do të niseshin për në SHBA. I premtova se do të shkoja, por harrova se atë ditë ishte greva e përgjithshme e trenave dhe e autobusëve. Unë nuk kisha makinë. Pas shumë përpjekjesh Genci (im bir) takoi shokun e tij Ruzhdi Çeliku, i cili më çoi në Romë me makinën e tij. Kisha një ndjenjë gëzimi të rrallë për këtë takim, sidomos më gëzonte fakti se Nënë Tereza nuk më kishte harruar, më kishte kërkuar në Tiranë e me gjeti dhe në Itali. Ky respekt i Nënë Terezës me ripërtëriu e më dha forca.

Kur mbërritëm në Rome, na doli një problem tjetër. Nuk mbylleshin dyert e makinës, kështu Ruzhdiu bëri dhe një sakrificë tjetër, u detyrua të më presë në makinë. Shkova në Vatikan, në adresën që me kishte dhënë Xheni dhe u takova me Nënë Terezën. Kësaj radhe, dukesh e lodhur e pak e hequr, por plot vitalitet e dinamizëm si gjithmonë. Më rrëfeu se nuk ndihej mirë me shëndet dhe se merrte mjekim. Po të mos me kishte treguar, sinqerisht ju them,  nuk do ta besoja. Ndenjëm deri vonë duke biseduar. Më tregoi se kishte shkuar në shtëpinë time e kishte folur me Dritën e ajo i kishte treguar ku ndodhesha dhe i kishte dhënë numrin e telefonit në Siena. Në darkë vonë i kërkova leje të largohesha. U përqafuam me shumë dashuri e mall. Më përshëndeti e ma përsëriti disa herë “Zoti të bekoftë biri im”. U mallëngjeva shumë. Ishte takimi dhe përqafimi i fundit. Nuk do të takoheshim më, por disa herë folëm në telefon gjatë kohës që ndodhej në ShBA.   

Në se bëjmë një retrospektivë të veprës të Nënë Terezës, gjithkush e kupton, se ajo ka bërë për njerëzimin, për njerëzit e thjeshtë e të vuajtur në 121 shtete te botës, më shumë se të gjithë shenjtorët e tjerë, ka bërë jo një mrekulli, por shumë mrekulli, nga ato që do ta kishin zili të gjithë shenjtorët. Vepra e Nënë Terezës është: besim me zemër, dashuri për njerëzit që vuajnë, shpresa dhe bamirësi hyjnore. Nënë Tereza mbetet përjetë misionare katolike, misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", “Nëna e dashurisë”, simbol i mëshirës dhe i solidarietetit për mbarë botën dhe personifikim i dashurisë për njeriun e vuajtur.

Dëshiroj t’i mbyll këto kujtime modeste me vlerësimet e disa personaliteteve për Nënë Terezën:     
Papa Gjon Pali II: “Nëna Tereza, është shembulli i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit”;
Bill Clinton: “Vigane e shekullit tonë”;
Sali Berisha: “Bija më e shquar e kombit tonë”;
Ismail Kadare: “Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa të”;
Zhak Shirak: “Sot botës i mungon nëna”;
Tony Blair: “Shpirti i saj do të rrojë si inspirim për të gjithë ne”;
Dr. don Shan Zefi: “Shenjtore e ditëve tona”;
Dr. don Lush Gjergji
: “Ajo ishte dashuria në vepër”;
Atë Zef Pëllumbi: “Nena e shekullit, që i bindi me dashuri njerëzit të besojnë Zotin”;
Imzot Mark Sopi: “Do të mbetet në kujtim të përhershëm, deri sa të ekzistojë njerëzimi”;
Imzot Rrok Mirdita: “Nëna Tereza ishte princesha e dashurisë”;
Sabri Koçi (kryetar i Komunitetit Islamik shqiptar): “Vdekja më e rëndë për kombin tonë”.
Bekim Fehmiu: “Pas Skënderbeut u largua edhe Nëna Tereza”.



"Halla ime Nënë Tereza"


Përshtypjet e Agi Bojaxhiut, vajzës së vëllait të Nënë Terezës, banuese në Palermo ditën e Lumnimit
Mes mijëra besimtarëve, që përjetuan ditën emocionuese të lumnimit të Nënë Terezës, ishte dhe Agi Bojaxhiu, mbesa e vetme e saj, vajza e vëllait Llazar. Agi është 55 vjeç. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Palermo.
Si e përjetuat lumnimin e Nënë Terezës?
"Me spiritualitet dhe respekt të thellë ndaj këtij momenti fetar shumë domethënës. Por zhurma e gazetave në këto ditë sikur më ka larguar pak nga lutja".
Çfarë marrëdhëniesh keni patur me hallën tuaj?
"Shumë njerëz habiten, por unë i jam drejtuar gjithnjë me emrin "Nënë". Nuk më bëhej ta thërrisja ndryshe. Mes nesh ka patur gjithnjë shumë dashuri. Shiheshim pak, por e gënjenim largësinë me telefonata të shpeshta dhe letra të gjata. Takimi ynë i përvitshëm ishte në maj, në Romë, kur Nënë Tereza shkonte në Shtëpinë e saj, dhe në Palermo".
A ka ndonje frazë, që i pëlqente ta përsëriste?
"Më porosiste të lutesha gjithnjë për të mbajtur të bashkuar familjen, vlerë të cilën e kishte më për zemër. Të lexoja lutjet së bashku me familjen, ashtu siç bënte ajo me nënën dhe vëllezërit në vitet e vështira të fëmijërisë në Shkup. Si shenjë e ngrohtësisë dhe e lidhjes brenda familjes."
Si ishte nga afër Nënë Tereza?
"E fortë dhe me kurajë, kokëulur dhe e thjeshtë, e rreptë më shumë me veten se me të tjerët. U kushtoi gjithë jetën të tjerëve. Ka jetuar me një thjeshtësi të skajshme, por me një gëzim të brendshëm për t'u admiruar. E kam takuar për herë të parë në 1966 në Romë. Im atë, Llazari, nuk e shihte prej 38 vjetësh. Ishte tejet emocionuese. Rrethana të ndryshme, e mbi të gjitha qëndrimi i saj i gjatë në Indi, për vite të tëra i kishin penguar të takoheshin. Çka më bëri më shumë përshtypje ishin sytë e saj të gjallë e të zgjuar, që pasqyronin një njeri të ndryshëm nga të tjerët. Ndonjëherë qëndronim në heshtje duke u lutur: prania e saj më bënte të ndjehesha më mirë".
Cilat janë objektet që ju ka lënë?
"Disa rruzare plastike, medaljone me figurën e Shën Mërisë dhe një shishe xhami me ujë të bekuar, me të cilën "Nëna" ka bekuar shtëpinë time. Ky është objekti më i dashur për mua: më shoqëron kudo. Kam vënë re që ndër vite ky ujë ka mbetur gjithnjë i kthjellet...".
Për ç'arsye motra shqiptare e Kalkutës është dashur në të gjithë botën?
"Sepse ishte një grua që çmonte më shumë veprat se fjalët. Punonte shumë, pa u shqetësuar për kotësira e gjëra të parëndësishme. Humbja e saj na ka lënë një boshllëk të madh. Që nga 6 shtatori 1997 kam humbur një pikë referimi shumë të rëndësishme".

Shqiptarët në botë dhe mediat shqiptare


Alfred Papuçiut

Mora shkas nga shkrimi i zonjës së nderuar Kozeta Zylo, në Nju Jork,  që na dha  një njoftim të hollësishëm lidhur me mbrëmjen madhështore të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan për të nderuar Z. Tony Blair dhe ish ambasadorin Holbrooke.
Në të morën pjesë personalitete të larta nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe miq të shquar nga SHBA. Njoftime të tilla të gëzuara i duhen medias shqiptare, në vend të mbushjes së tyre me tema "horreur" (në frëngjisht- tmerri) për vrasje, grabitje, prostitucion, fenomene që janë të përditshme edhe në vende të industrializuara, por që u jepet pak vend. E kam ngritur disa herë në shtypin shqiptar këtë prirje negative që gazetarët tanë e kanë më të lehtë të afishojnë dhënien e këtyre temave, se sa temave të bukura për veprimtari në Diasporë, për gjithë ata shqiptarë që e nderojnë Atdheun e tyre jashtë kudo që ndodhen.
Sot rastësisht pashë se sa bukur shtypi zviceran nderonte ata shtetas të Zvicrës (Zvicra e pestë) që bëjnë të flitet me respekt për këtë vend të vogël jashtë kufijve të tij dhe që janë vendosur jashtë: profesorë, punëtorë, shkencëtarë, gazetarë, shkrimtarë, mësues e të profesioneve të tjera. Zvicra  hap dyert e Chateau de Penthes (Kalaja e Pentë) pranë Gjenevës, ku është vendosur prej 46 vitesh « Muzeu i zviceranëve në botë ». Ata quhen me të drejtë "ambasadorë të denjë" të Zvicrës. Muzeu evokon fatin e atyre burrave dhe grave që janë larguar nga atdheu i tyre, për një kohë apo përgjithmonë dhe që kanë lënë gjurmë atje ku janë vendosur. Muzeu tregon se ata imigrantë zviceranë janë dalluar në shumë fusha : tregtarë, bankierë, inxhinjerë, artizanë, artistë, shkencëtarë, eksploratorë, misionarë, diplomatë, delegatë humanitarë…Aty, ish ambasadori Benedict de Tscharner, President i Fondacionit që është i ngarkuar të kujdeset për Muzeun, njohës i shquar i historisë së emigracionit helvetik, të flet ndër të tjera me pasion për Albert Gallatin, qytetarin e Gjenevës, një personazh i veçantë që u dallua duke marrë pjesë aktivisht në krijimin e SHBA.
Natyrisht, dëgjova nga zonja Kozeta Zylo për veprimtarinë e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan se edhe kryeministri Sali Berisha kishte ngritur lart rolin e Diasporës shqiptare në Amerikë, si edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, por a reflektohet kjo prirje e mirë, më gjerë në shtypin tonë apo në institucionet tona, apo mbetet vetëm në veprimtari të tilla domethënëse.
T'u jap vetëm një fakt: tenori ynë me famë botërore Saimir Pirgu mbushi këto ditë 30 vjeç dhe aktualisht është në Los Anxheles. Ai do të japë shfaqje deri në fund të vitit në skenat më prestigjioze të SHBA dhe do të vazhdojë më tej në Europë. Shtypi ynë apo dikasteret që merren me kulturën dhe artin nuk u kujtuan të shkruanin apo të organizonin një veprimtari qoftë edhe të thjeshtë. Shkroi Presidentja e "Opera sans Frontières" Edlira Dedja një shkrim për të, por ai u përfshi vetëm në website-t në Londër "Zemra Shqiptare" dhe "Fjala e Lirë".
Mendoj se më tepër duhet folur për veprimtari të bukura për ruajtjen e gjuhës sonë, për kulturën tonë, për artistët tanë të shquar që na nderojnë në skenat botërore, për botimin e librave nga shkrimtarë në Diasporë, për fëmijët shqiptarë në Amerikë, Zvicër e kudo që krahas gjuhës angleze, frënge, gjermane, mësojnë dhe nuk harrojnë gjuhën shqipe, për zakonet tona të bukura që mbahen gjallë edhe atje larg në Argjentinë, në Australi, në Itali me arbëreshët, në Zara të Kroacisë me Arbanasit, arvanitasit në Greqi, shqiptarët në Rusi, në Rumani, në Gjermani, në Egjipt e kudo që ndodhen...Më kujtohet se sa të pezmatuar ishin disa kolegë diplomatë gjermanë në OKB në Nju Jork, vite të shkuara, kur kujtonin se në lagjen ku janë vendosur më shumë gjermanë, vite më parë dilnin disa gazeta në gjuhën e tyre, ndërsa sot ato janë zhdukur…
Ka ardhur koha që kultura demokratike të zerë vend edhe në mediat tona, ashtu siç duhet të rrënjoset edhe në Parlamentin tonë, apo në institucionet tona demokratike: Shoqëria shqiptare, edhe pse në tranzicion, pas 20 vitesh, duhet të kapërcejë cakun e gjuhës së ashpër, meskine, sharjeve, mungesës së kohezionit, për çështjet madhore të Kombit etj. Të gjithë së bashku duhet të luftojmë që t'i tregojmë botës, ashtu siç dëshmojnë qëndrimet në përgjithësi të shqiptarëve të mirë në Diasporën e largët në Amerikë, në Europë e kudo, se jemi të qytetëruar dhe e meritojmë të bëjmë pjesë në familjen e madhe të Brukselit, ashtu siç jemi në NATO apo në një numër të madh organizmash ndërkombëtare. Të shpresojmë se nuk do të jetë e largët që edhe Kosova të bëjë pjesë me të drejta të barabarta në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Europian, në NATO dhe organizma të tjera ndërkombëtare.

Skënderbejt e rremë të Shqipërisë


Bij të Skënderbeut
1937: “Me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë në Tiranë kanë mbërritur pasardhës të Skënderbeut, Marchese di Auletta dhe Barone Fossaceca.”
2004: “Me rastin e 92 vjetorit të shpalljes së pavarësisë mbërriti  në Tiranë për herë të parë pasardhësi i Skënderbeut Alessandro Castriota Scanderbeg D’Albania”
Nëse historia përsëritet, në disa raste bën vërtet mirë të mos përsëritet me kaq përpikëri. Të gjithë shqiptarët janë bij të Skënderbeut por herë pas here dalin disa që pretendojnë se janë “ata prej vërteti”. Edhe pse historia shqiptare është e ngopur me raste të pasardhësve të heroit kombëtar shqiptar, kjo nuk e ka penguar drejtorin e Muzeut Historik në vitin 2004 të paraqeste para shtypit edhe zotin Alessandro Castriota Scanderbeg d’Albania, një mjek në Lecce, burrë dashamirës që për një arsye a një tjetër është edhe ai i bindur që është pasardhës i Skënderbeut “d’Albania”.
Po aq sa ç’kanë qenë edhe nja tetë të tjerë para tij. Dukej se rrugën e kishte mbyllur Konica që më 1904 kur bën leckë një nga mëtuesit më të famshëm, Aladron, e mbi gjithë ata të tjerë që duan të dalin “princa” dhe “fron kërkues”.
Për kujtesë, e ribotojmë këtu.
 
Tre princa të rremë për Shqipërinë
Nga Faik KONICA, 1904
Monumenti i Skënderbeut në Romë
Ca kohë më parë, kënduam te fletorja e Parisit "L'Européen", një artikull të zotit Guillaume Apollinaire, nën titullin: Deux faux princes d'Albanie, do me thënë  Dy princa të rremë të Shqipërisë.
Zoti Guillaume Apollinaire flet më parë për Aladron, dhe për kërkimet qesharake të tija, dhe dëfton se si Aladrua nuk mund të zbresë prej Skenderbeut, duke qenë se i fundit  zbritës (pasardhës) i derës së Kastiotëve u vra në luftë të Pavies, më 1525.
Pastaj Zoti Guillaume Apollinaire na rrëfen, sipas një libri të shtypur më 1786 n'Amsterdam historinë e çuditshme të një të vetë thëni  "Princ Kastioti" në fund të shekullit XVIII.
Një puntor vendikas i quajtur  Anton Zamuvich kish fituar nje "faraon" , duke lozur me hile, një shumë të madhe, dhe për të shpëtuar nga thonjtë e autoritëve, iku nga Venediku  dhe u hodh  në Pastroviq  të Shqipërisë veneciane. Djalin e tij, Stepanin e vuri në një manastir. Kallogjeri i ri  nuk qëndoj shumë kohë i mbyllur , shpejt dolli andej dhe nisi një jetë gënjeshtrash   të sjellura  me aq mjeshtëri  sa janë  për çudi edhe sot.
 I motuar vetëm 17 vjeç, Stepan Annibali  i bëri  malazezët ta njohin për kryetar dhe për patrik të tyre , duke thënë se ishte Pjetri i III, cari i Rusisë.
Gojë-mulli, i gatshëm dhe i flaktë në fjalë, deshi  të provojë me ca "mrekulli " se ish i dërguar i Perendisë. "Të fshehta e kimisë", thotë baroni Kloots, historian i Stepan Annibalit- janë çudira në Mal të Zi. Prinic i ri u ngrit të predikojë duke mbajtur në dorë një trëndafil të zbadhur  me tym squfuri. Zë të flasë me fjalë të flakta.
"Perendia më dërgoi t'ju shpie në luftë e t'i shuajmë anëtarët e se pabesës Katerinë. Hapni dritaret.Shpirti i shënjtë do të zbrezë mbi mua" .
Dhe më të vërtetë, era e freskët i jep ngjyrën  e parë trendafilit dhe kombi i tërë bie në këmbë të bajlozit qiellor. Princi mbodhi edhe besnikët në flamuj të tij  dhe u derdhet rusëve , duke vrarë malazezët që nuk i zinin besë. "
Pas kësaj pune, nuk kish më pengesë që ish i zoti ta mbante Stepan Aniballin. Baroni Kloots  jep titujt që kish marrë "princi":
"Kastriot, Princ i Shqipërisë, Kapedan i Përgjithëhsmë i Malazezëve, Partik i Kishës Greke, Bari i vjetër, Manjat i Polonisë, Princ i Perandorisë së Shënjtë Romane, Dukë i Shën Sabës, Dukë i Hercegovinës, Fisnik Venedikas, I Madh i Spanjës i Rëngut të Parë, Kryelutës i Maltës, Kryemadh i Urdhërit të Shën Kostandinit etj dhe Pasardhës i njëmbëëdhjetë i Skenderbeut"
 Vini re se disa nga këto tituj kundërshonin njëi tjetrin. Si mund kryelutësi i Maltës  (katolik) të ishte edhe patrik ikishës  greke ? Por janë njerëz për të gënjyer të tjerët  dhe sado kundërshti të kenë në të thënat e tyre, aq më tepër verbohet bota.
 "Princ Kastrioti" nis të udhëtojë nëpër Evropë, dhe kudo pritet me nder të madh. Mëson gjuhët e perendimit, shkruan libra, Historinë e Skenderbeut,Kuranin e Princësve etj.
Piqet  me Volterin, me Rusonë  e më të tjerë shkrimtarë të njohur. Piqet me Frederikun e Madh, me të birin e tij, princin e Prusisë, lidh një miqësi të ngushtë. Merr anën e Polonisë, çudit polakët, u shtie datën rusëve. Bën një dy trimëri, shton njëqint.
Guxon të rrefejë punë të pangjara fare.Tregon se "mundi 15.000 venedikas që kishin topa të mirë dhe ishin nën urdherine kontit të Wirzburgurt"
Kur Hollanda u rrëmbyue me perandorin,"princ Kastrioti" si "Patrik i Kishës Greke" u dha urdhër subjekteve shpirtrore të tij  të mos marrin armët në shërbim të perandorit.
Nga na tjetër Hollanda i fali 20.000 shqiptarë për ndihmë, në qoftë se ky vend kishte nevojë. Dhe si u bë paqia, princi shkoi në Hollandë ti kërkojë qeverisë një milion për atë ndihmë.
Një nga  titujt që kish marrë Kastrioti i rremë ishte Baba i Amerikës,se,thosh, Kongresi i kish dhënë fjalën ta bënte mbret. Përveç kësaj, kish shpresë të merrte edhe kurorën e Polonisë.
"Princi Kastriot"  fliste kështu për shqiptarët:
"Bashëkatdhetaret e mij janë diamante të pagdhendur të cilët nuk presin veçse dorën e skalitësit për të zënë vend pranë të shkrinjtorëve të medha të Athinës, të Romës, të Parisit" Thoshtë se mbretëria e Shqipërisë, me klimën e mirë të dhe ne tokën e mirë që ka " do të ndrinjë një ditë në mes të shteteve të qytetëruara"
"Princi Kastriot" shpërndante poste e pozita me të dy duart në Mbretërinë Shqiptare. Baronit Kloots i kishte kërkuar të bënin bashkë një udhwtim në këmbë : Qëllimi  i Stepan Annibalit ish ta vriste  që ta vidhte baronin, i cili ishtë shumë i pasur. Fatmirësisht për Klootsin , udhëtimi mbeti pa u bërë dhe miqësia  për princin u shtua më shumë. Stepani i kish premtuar Klootsit  një pozitë të lartë  në Mbretërinë Shqiptare...
Por çdo gënjeshtër e ka një fund.
Një anije nga Ragusa, ndodhi të shkojë në Amsterdam dhe kapedani tregoi se "Princi i Shqipërisë, Duka i Hercegovinës,Patriku i Kishës Greke, Kryelutësi i Maltës etj, nuk ishte tjetër përveç se një gënjeshtar i çuditshëm i shekullit të XVIII.Them i çuditshëm se, tregimi për batakçillëqet e vogla të Giuseppe Balsamos, të vetquajtur: kont "Caliostro" janë foshnjarake  perpara punëve të Stepan Annibalit.
"Princi Kastriot"  kish rënë për herë të parë në burg  në qytetin e Hamburgut : Kish marrë  pranë vetës dy djem  të atij qyteti si "kalorës nderi" dhe i kish ligështuar në një mënyrë që s'thuhet: kur e gjykuan, pati paturpësinë t'i thotë kryegjykatësit se kish për t'ia bërë atij ashtu si ua kish bërë djemve !
Kur e zunë në Amsterdam dhe e plasën në burg Sterpan Annibalit i gjetwn  një brez plot me gjithfarë helmesh si dhe një thikë të helmuar: Këto armë i mbante gati për të vrarë veten në kohë të një rreziku të pashpresë. Mbasi e kapën, Stepani vrau veten duke prerë damarët me thonj.
Zoti Guillaume Apollinaire mbaron më një të vëne re fort të kripur:
"Duke kënduar këto ngjarje, shumë shqiptarë kanë për të menduar se nëqoftëse fronkërkuesi Aladro rrjedh nga Skënderbeu, do të kish rrjedhur duke kaluar nëpër të njëmbëdhjetin pasardhës  të tij, i cili vdiq më 1786 në burgun e Amsterdamit".
Kjo e vënë re e Zotit Guillaume Apollinaire e shënojmë më të dy duart-por diç duhet shtuar : Aladrua vërtet rrjedh nga Skënderbeu me anë të Stepani Annibalit, vetëm se i shkreti Aladro s'është perveç se një gënjeshtar i vogël, me të cilin qesh gjithë shoqëria e lartë e Parisit dhe e Madridit;  por stërgjyshi i tij, Stepan Annibali, mund me një mënyrë që quhet Njeri i Madh. Merreni pak me mend : Një fshatar sllavo-shqiptar i Venedikut, i lindur më 1751 dhe i rritur pa dije, arrin që më 1768, (kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç), e deri më 1786 kur vdiq, të lozë një lodër të çuditshme,arrin të mësojë vetiu mjaft sa për të shkruar libra që bien në sy dhe që i siguruan miqësinë e Frederikut të Madh; arrin, i rritur në një katund, të marrë mënyrat e oborrëve aq mirë sa të shkojë për princ në sy të princëve të vërtetë; më një fjalë arrin  të tallet më Evropën tetëmbëdhjetë vjet pa pushim.
Përpara një njeriu të tillë, ç'janë gënjeshtrat qesharake të Aladros ?
Shkrimtari francez, Aleksander Dyma-"markez" i Shqipërisë !
Ka qenë një Kastriot i tretë i rremë, për të cilin Zoti Guillaume Apollinaire nuk ka dëgjuar.
Ky "princ" u çfaq më 1879-1880, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha dërgonin anije lufte për të goditur me topa Ulqinin.
"Kastrioti" i asaj kohë, jo vetëm thonte se shqiptarët  "e kishin zgjedhur për mbret", po kishte nisur edhe të sillet "mbretërisht" duke shpërndarë pozita dhe tituj. Një  shkrimtari të madh francez, Aleksandër Duma, i fali titullin "markez" .
Paturpësia e këtij  "princi" pak nga pak arriti  të mos ketë kufi. Guxoi të bëj, në Angli, bankota të "Bankës Mbretërore  të SHQIPËRISË". Zëvëndësin e tij e zunë në Londër dhe e plasën në burg si vjedhës, ndësa për "princin" s'dihet se çfarë u bë. Kemi shpresë të mund një ditë ta shkoqisim  punë e këtij "Kastrioti"
 Mësimin e këtyre ngjarjeve mund ta heqë sejcili. Sa njerëz deshën me gënjeshtra, të dalin "princa" dhe "fron kërkues"  mbaruan në burg, dhe ata që dini sot të nisur në atë udhë, ta dini me siguri se do të kenë po atë fund.
("Albania" ,viti VIII,1904,  nr. 8, f. 160-163)

Fan Noli në fe


Çfarë lidhjeje kishte Fan S. Noli me fenë? Vlerësimet e rëndomta publike që dëgjohen mbi Nolin dhe fenë e tij mund të renditen përmbledhtas si: “Noli nuk besonte, por u bë  prift për Shqipërinë”, “nuk besonte, por u bë prift për arsye ekonomike”, “e bëri për karrierë” e të tjera si këto. Të gjitha kanë njëfarë shpjegimi... Por ato pjesë në veprën e Nolit që janë më përfaqësore, më përfshirëse për përvojën fetare të tij, nuk janë cituar nga mëtuesit e Nolit tjetër.
Nga Atë Foti Cici

“Hear, o Israel!”
 (Noli, 1964)


Çfarë lidhjeje kishte Fan S. Noli me fenë?  E nisim këtë bisedë me parakushtin se cilësia fetare e një njeriu nuk mund të çanësohet saktësisht e plotësisht nga askush, sado e mprehtë që të jetë mendja e tij. Edhe sikur të gjenden mënyra për të zbërthyer e çkodizuar imtësisht jetën private të dikujt, edhe sikur të vihet në veprim një mendje me metoda tejdepërtuese, prapëseprapë, përvoja fetare e qenies njerëzore lëviz më brenda se intimja e më thellë se nën’ndërgjegjja (As ne klerikët jemi të aftë të përkufizojmë vetveten, përpjesat e përvojës sonë të mirëfilltë fetare, e pa le më të orvatemi t’a bëjmë këtë tek të tjerët). Madje dhe lidhjet ndërpersonale brenda fesë synojnë në përshkrime e përvijime të përvojës fetare, sesa në përkufizime të saj.
Mbas kësaj përligjjeje, kuptohet se përse nuk gjejmë referenca të mirëfillta mbi fetarinë e një njeriu, sesa dëshmi të pjesshme, dytësore, nga kalime për qëllime të tjera, ku përkatësia a përvoja fetare përpjestojnë  ngjyrime e jo përkufizime të jetës a veprës së tij. Në rastin e Nolit përvoja njerëzore pështjellohet njësoj, nga njëra anë,  ndërsa ndërlikimet e dhuntive dhe të përzgjedhjeve të tij e kanë bëjnë atë më të debatueshëm; nuk kam hasur ndonjë rast të ngjashëm në letrat tona kulturore, jo vetëm që të jetë fjaluar kaq shumë për statusin e tij fetar, por që kjo temë të jetë bërë nistore në një debat të mirëfilltë. Vetëm me këtë paradhënie justifikohet dhe pjesëmarrja jonë në debate të tilla: respekti ndaj naivitetit si realitet i trashëguar kulturor.

Midis qiellit dhe tokës
Vlerësimet e rëndomta publike që dëgjohen mbi Nolin dhe fenë e tij mund të renditen përmbledhtas si: “Noli nuk besonte, por u bë  prift për Shqipërinë”, “nuk besonte, por u bë prift për arsye ekonomike”, “e bëri për karrierë” e të tjera si këto. Të gjitha kanë njëfarë shpjegimi, se një pjesë e tyre ka dalë nga leximet përzgjedhëse/fragmentare të shkrimeve të Nolit, i cili tek-tuk ka thënë diçka nga këto (Në fakt, disa prej tyre duheshin thënë). Por ato pjesë në veprën e Nolit që janë më përfaqësore, më përfshirëse për përvojën fetare të tij, nuk janë cituar nga mëtuesit e Nolit tjetër. Kjo dhe për faktin se interdisiplinimi i jetës kulturore të pasdiktaturës nuk përfshin lexime të mirëfillta nga përfolësit, prandaj dhe është vështirë për të shquar. Kur ne të fesë kërkojmë të trajtojmë aspekte jashtëfetare, jam i bindjes se kjo duhet të bëhet vetëm atje ku perceptimi ynë është i drejtpërdrejtë. A mendojnë njësoj sekullarët?   
Parë nga jashtë ortodoksisë Noli nuk i plotëson kushtet e kandidimit për prift, prandaj dhe lexuesit përkatës me të drejtë mund të mendojnë tek po më lexojnë: “Ky është prift dhe po orvatet të na mbushë mendjen se Noli ishte besimtar...”. Trajtuar nga brenda besimit ortodoks, e veçanta me Nolin qëndron tek shpejtësia e vendimeve të tij, përderisa kapërceu shumë shkallë njëherësh: nga anëtar i rëndomtë i religjionit ortodoks, u bë prift pa studime teologjike, dhe madje duke u ndjerë qysh në fillim si “prelat” i kishës ortodokse. Le të kujtojmë këtu aplikimin në Harvard, qysh në vitin e parë të priftërisë: “Do të vazhdoj të jem prift në qoftë se nuk do të bëhem peshkop”. Prandaj dhe lexuesit besimtarë ortodoksë kanë të drejtë të mendojnë tani: “Ky kërkon të bëjë fetar një aventurier të vetëshpallur”. Por të dy gjykimet/reagimet nisen nga rrethanat e sotme, prandaj dhe janë të bashkëmenduara.
Parë nga rrethanat kishtare të atyre viteve, veçse, Noli nuk u bë prift nga e mosqena. Kishte arsim të mesëm kishtar, gjë që për atë kohë ishte diçka e madhe, njihte mirë muzikën kishtare bizantine dhe dinte mirë një gjuhë të mbretëruar liturgjike siç ishte greqishtja. Meqë nuk ekzistonte libër shërbesash në shqipe, asnjë shqiptar nuk mund të bëhej prift vetëm me shqipen, pa ditur të meshojë në një gjuhë të huaj liturgjike, prandaj dhe kisha ruse e pranoi kandidaturën e Theofanit në sajë të greqishtes, përderisa ai nuk njihte as rusishten e as sllavishten kishtare. Por përderisa prifti i ri do t’iu shërbente shqiptarëve, kandidati dinte mirë gjuhën shqipe, të cilën atëherë po provonte t’a shkruante, dinte disa gjuhë të tjera, ndërsa po mësonte anglishten, e cila po shtrihej si gjuhë zyrtare e misionit ortodoks rus në Amerikën e Veriut. Të mos harrojmë se asokohe në Amerikë qarkullonin priftërinj mërgimtarë që dinin pak të këndonin, më pak të lexonin e fare më pak të shkruanin.  
Një klerik me një ngarkesë të tillë intelektuale e spirituale nuk mund të quhet as i papërshtatshëm në arsim e as i padenjë në kishë. Por as mund të themi se Noli ishte një prift i mirëfilltë, siç mund të përfytyrohet dikush sot; një klerik i dedikuar në detyrat kishtare dhe asgjë më tepër. Shqetësimi intelektual i Nolit për situatën e kombit të tij kishte pasojat e veta dhe në përpjestimet me fenë e tij. Rrëshqitja e pjesës njerëzore të kishës ortodokse, specifika e saj në raport me shqiptarët, të gjitha këto dhe të tjera, ngatërrojnë edhe mendjen më të sistemuar. Pastaj leximet e filozofisë, mësimi i gjuhëve të huaja dhe tejkalimi i sasisë së bibliografisë për një student greqishtfolës (siç ishte Noli para se të shkonte në Amerikë), shoqërimi dhe identifikimi me bashkëkohës intelektualë, të cilët mungonin në kishën greke që ai njohu, të cilës dhe i përkiste ato vite, edhe këto të gjitha e patën bërë Nolin të reagojë kundër fesë së institucionalizuar. Por kjo nuk është jashtë caqeve të përvojës fetare.
Përvoja fetare e Nolit nisi qysh pa mësuar të shkruajë, atëherë kur po mësonte të psallte në kishë me të atin psallt. Spiritualiteti i Nolit filloi me gjyshen që i mësonte të agjërojë, që nganjëherë, siç e shkruan ai në vitet 50, zgjatej me ditë të tëra. Një përvojë e tillë intuitive sa më tepër t’a përndjekësh aq më shumë të përndan nga harresa. Vetënjohja e hulumtimi nuk është e thënë të të bëjnë me domosdo gjysmëhyjni. Kështu filloi Noli me Niçen.
Që të influencohesh nga Niçja e të bësh referenca të hapura kundër aspektit institucional të kishës, dhe madje të dëshirosh ndonjëherë edhe përballjen me godinën e saj, kjo është e pritshme për një adoleshent “të tejpjekur”, siç e ka parë veten Noli qysh në skicat e Athinës që botoi në greqishte: “Dhe ti, dashuri e zemrës sime, eja dhe puthi faqet e ndezura të shpirtit tim, që të pikojë dhe të derdhet mjalti që është bërë helm nga tejpjekuria…” (Shpirti im i përgjumur si Nili).
Edhe pak më vonë, prapë kjo kuptohet si pjesë e dialogut dhe e luftës së tij me vetveten dhe me botën përreth. Sa spontane është kjo për një njeri që kërkon të arrijë në thelbin e përvojës njerëzore, siç ishte Noli i viteve 10, aq dhe e pritshme është për një plak që e sheh jetën tashmë si “kotësi”, siç ishte Noli i viteve 50.
Në qoftë se nuk do të ekzistonte përvoja e sinqertë fetare, një plak si Noli mund të merrej me gjithçka, veçse me përkthime intensive biblike e liturgjike, të cilat madje jo vetëm që i përktheu disa herë, për disa dhjetëvjeçarë, herë në shqipe e herë në anglishte, e prapë anasjelltas, por dhe i përdorte ditë për ditë, dhe madje i bënte ato pjesë së mësimdhënie me brezin e ri, duke përgatitur kore kishtare, etj. Flasim për konsuminin e një jete të tërë në një fushë që me gjithë shpërndarjet e përftuara nuk ishte tjetër veçse fe. Ndoshta dhe vetë peshkop Theofani ia ka bërë vetes këto pyetje që i bëjnë atij sot dhe ka thirrur.
Dëgjo, o Izrael!
Libri i fundit në anglishte Psallmët, 1964, i cili është për Fan Nolin “kënga e mjellmës”, shenjohet: “Dëgjo o Izrael!” (dëgjo, e Perëndi), duke e cituar nga një libër tjetër i Dhjatës së Vjetër. Kjo dëgjohet si thirrja e tij e fundme, detyrimi ndaj vetvetes, përgjigjja ndaj njerëzve dhe guximi fisnik ndaj qiellit: “Dëgjo, o Zot!”  Duke lexuar Nolin kaq drejtpërdrejt, si mund të besojmë vlerësimin tjetër të bashkëkohësve se Noli nuk ishte fetar, as ateist, por “agnostik”.
Dihet se Noli ishte një  prelat i moderuar, një “reformator i kishës” (Faik Konica). Vetë Konica, i cili dikur, emocionalisht, e pati quajtur qëndrimin moral të Nolit në shoqëri si “puritanizma e Nolit”, ka vëzhguar se brenda caqeve të fesë së tij Noli nuk ishte aspak puritan. Përkundrazi, ai ishte i zoti të rezistonte hendekun midis kishës ortodokse dhe brezit të tij.   
Vlerësimet e cekëta të disa shqiptaro-amerikanëve se Noli ishte “agnostik” mund të përgjigjen vetëm nëse ata mund t’i përgjigjeshin pyetjes: çfarë do të thotë “agnostik”? Mëkatet e një njeriu nuk dëshmojnë gjithmonë mosbesimin e tij në Zot, për të mos thënë se ato janë pjesë e betejës së jetës, a ndoshta përikja për shkak të mizantropisë së bashkëkohësve të tij gjykatarë. Mëkatëria e Nolit, brenda a jashtë thonjëzave, nuk duhet të pështjellojë e të merret si mungesë besimi, sepse besimtarët janë njësoj subjekte të mëkatit ashtu si edhe jobesimtarët. Klerikët po ashtu. Cilësia e Nolit si klerik dhe të qënurit e tij besimtar janë dy tema krejt të ndryshme. Tanimë vijmë tek kreu i cilësisë së tij si “kryeprift”, por ajo është një çështje që ka pasoja vetëm brenda religjionit të tij dhe nuk justifikon përfoljen e as përjashton argumentimin tonë. Prandaj dhe ata kishtarë që përpiqen të mbajnë peng të dhëna mbi jetën personale të Fan Nolit në thelb janë më qesharakë se përfolësit e tij.
Duke vërejtur përzgjedhjet e Nolit në përkthimet kishtare në shqipen e tij kulturore, e duke rezistuar gjithë jetën e tij kishtare, nuk mund të mos vëzhgojmë përpjekjet e tij për veçorizimin e klerikut vendor për shqiptarët. Një gjë e tillë, që kërkonte më shumë se një jetë, nuk mund të bëhej nga një ateist a “agnostik”. Po të ishte ashtu, meqë kjo është diçka e mundshme, e përderisa kemi një trashëgimi kaq të pasur këto vite, le të urdhërojnë përfolësit e të vazhdojnë udhën e lënë përgjysmë nga Noli, për të përmbushur kombëtarizimin e ortodoksisë shqiptare, qarkun e saj të plotë në historinë tonë kulturore.
Nga gjithë ky arsyetim, jo vetëm që Noli del i krishterë por na duket dhe ortodoks. Edhe pse u arsimua në Harvard, Zoti i tij nuk ishte biblik, por liturgjik, ritual, kulturor. Kjo duket tek përkthimi i Dhjatës së Re në anglishte i cili nuk u krye nga teksti kritik, siç do të bënte një filolog i Harvardit, por nga teksti zyrtar i kishës greke, duke e theksuar që në titull, siç do të bënte një teolog ortodoks, ndonëse në vitet 60 kur botoi këtë libër, ai i kishte dhënë asaj lamtumirën. Bibla e Nolit është kishtare, me shënimin dhe vulën e tij qysh në faqe të parë, “për përdorim në kishat shqiptare dhe në shkollat e katekizmës”. A mund të jenë referenca të tilla shpërfillëse për jetën dhe veprën e Nolit?

Portreti i Skënderbeut


Shekujt nuk kanë përcjellë asnjë dokument me një përshkrim mbi tiparet e fytyrës së Skënderbeut hartuar nga ndonjë njeri që e ka njohur atë nga afër. Për këtë arsye ne jemi të detyruar t'i drejtohemi paraqitjes së tij në ikonografi. Por ikonografia e Skenderbeut eshte shume e pasur dhe e larmishme
Nga Prof. Kristo Frashëri
Deri më sot nuk kemi dijeni nese ekziston nje pershkrim, qofte edhe i shkurter mbi tiparet e fytyres se Skenderbeut, te hartuar nga ndonje njeri qe e ka njohur ate nga afer. Per kete arsye ne jemi te detyruar t'i drejtohemi paraqitjes se tij ne ikonografi. Por ikonografia e Skenderbeut eshte shume e pasur dhe mjaft e larmishme. Ne kemi trasheguar nga shekujt e kaluar jo pak piktura ne vaj dhe afreske kushtuar Heroit shqiptar, te shperndara ne keshtjella, ne muzera dhe ne familje europiane, pa llogaritur qindra gravura qe zbukurojne vepra te botuara ne gjuhe te ndryshme, neper bote. Por ne morine e portreteve kushtuar Skenderbeut, te cilat vazhdojne edhe ne ditet tona te pasurohen me piktura ne vaj, afreske ose gravura, madje edhe me skulptura, nuk ka nje model te vetem. Perkundrazi ka nje varg modelesh me tipare te ndryshme te fytyres, natyrisht edhe te veshjeve, veshje te cilat, ne fund te fundit, vijne per nga rendesia, ne radhe te dyte. Ceshtja eshte, nese njera prej tyre e paraqet, ne mos plotesisht, te pakten afersisht, portretin autentik te Skenderbeut.
Kete pyetje e shtroi Faik Konica qe ne fillim te shek.XX me nje artikull frengjisht te titulluar: "A ekziston nje portret autentik i Skenderbeut?", te cilin e botoi ne revisten e tij "Albania" ne vitin 1901. Shkasin e mori nga nje artikull i botuar tre vjet me pare ne "Vjetarin e Koleksioneve te Shtepise Perandorake" (Vjene, vell.XIX, 1898), ku thuhej se ne Muzeun Perandorak te Vjenes ndodheshin dy portrete te Skenderbeut, te cilat dikur benin pjese ne Koleksionin e Arkidukes Ferdinand te Tirolit . Ato kishin midis tyre pika takimi dhe dallimi. Dallimi kryesor ishte se ne njerin portret, Skenderbeu paraqitej ne profil nga e majta, ne tjetrin, nga e djathta. Autori austriak i artikullit te "Vjetarit", Friedrich Kenner, mendonte se njeri prej tyre, ai me profilin majtas, ishte kopje e nje portreti autentik te Skenderbeut, te cilin e kishte pikturuar, me urdhrin e autoriteteve venedikase, piktori i njohur italian, Gentile Bellini (Xhentile Belini), ne vitin 1466, kur Heroi vizitoi qytetin e Lagunave. Por, sipas tij, portreti origjinal kishte humbur. Faik Konica pajtohej me te duke shkruar se as ai nuk dinte qe te kishte arritur ne ditet tona nje portret autentik i Heroit, i pikturuar kur ky ishte gjalle. Edhe portreti i dyte (me Skenderbeun ne profil djathtas), nenvizonte autori austriak, ishte kopje. Ne lidhje me te, ai njoftonte se ne regjistrin e Muzeut Perandorak ishte shenuar se ky portret ishte gjithashtu riprodhim sipas nje origjinali (!) qe ndodhej ne Firence, prandaj e quan portreti fiorentin.
Fan Noli, ne nje kumtese qe mbajti ne Seminarin e Federates Panshqiptare "Vatra" ne Boston, Mass. (ShBA) me 10 gusht 1960, nuk e permend vleresimin e F. Konices. Madje, ai mendoi te kunderten. Sipas tij, i vetmi portret (i vertete) i Skenderbeut qe njohim eshte ai qe gjendet ne Muzeun e Firences (Galleria degli Uffizi). Vec kesaj, ai shtoi se ka te ngjare te jete portreti autentik dhe gjithnje, sipas tij, duhet te jete bere perpara vitit 1466, kur Skenderbeu vizitoi tregtaret e pasur Medici te Firences qe financonin kryqezaten e tij ...Ne fillim portreti i Skenderbeut hyri, se bashku me punimet e tjera te Altissimo-s, ne Palazzo Vecchio (Firence), pastaj per pak kohe ne Palazzo Pitti, derisa ne vitin 1587, muzeu i themeluar nga Cosimo I Medici, u vendos perfundimisht ne Galleria degli Uffizi ose shkurtimisht Uffizi, ku ndodhet edhe sot. Ne atentatin me dinamit qe pesoi Uffizi me 27 maj 1993, u demtuan mjaft piktura qe ndodheshin ne korridorin e galerise, kurse portreti i Skenderbeut, i cili ndodhej po aty, shpetoi pa u cenuar. Restaurimi i pikturave te demtuara qe u ndermor pas atentatit, u shtri edhe ne portretet e pacenuara te korridorit, duke perfshire edhe ate te Heroit shqiptar. Gjate punes restauruese, te cilen e kreu Barbara Schleicher, u vu re se nje dore e nje piktori anonim kishte nderhyre mbi te ne shek.XVIII. Ne perfundim te punes se saj (dhjetor 1993 - maj 1994), portreti u clirua nga nderhyrjet dhe doli ne drite puna e mirefillte e mjeshtrit Altissimo. Doli gjithashtu ne shesh se mbishkrimi me germa te medha te bardha: GEORGIVS SCANDERBEK, me te cilen jemi mesuar ta shohim portretin, nuk eshte pune e Altissimo-s, por e piktorit anonim te shek.XVIII. Artistja retauratore, B. Schleicher, zbuloi mbishkrimin e piktorit fiorentin: GEORGIVS CASTRIOTVS SCANDERBECVS, me germa me te vogla te praruara ne ar...
Ne fillim te viteve 80 te shekullit te kaluar, ne kuadrin e pasurimit te Pinakotekes se Muzeut Kombetar te Gjergj Kastriotit te ngritur ne Kruje, prof. O. Paskali, e ngriti ceshtjen e portretit te Heroit, te cilen e ruanin trashegimtaret e Tefe Curanit ne Shkoder. Sipas tij, portreti ishte veper e G. Bellini-t, prandaj duhej blere dhe prure ne Kruje. Ne keto rrethana, Anastas Kondo, ne ate kohe zv/minister i Arsimit dhe i Kultures, vizitoi familjen Curani ne Shkoder, bashkeshortja e te cilit i dha mundesine ta vezhgonte nga afer portretin. Sot portreti nuk ndodhet me ne Shkoder, por ne kemi nje riprodhim fotografik me ngjyra te tij. Sipas pershkrimit te A. Kondos portreti i Heroit eshte pikturuar me ngjyra, ne derrase me permasa 30 x 25 cm. Portreti nuk permban as emrin ose siglen e autorit, as prejardhjen e tij muzeale ose familjare. Kemi vetem disa njoftime qe familjaret e Tefe Curanit i kane dhene Anastas Kondos rreth historise se portretit. "Sipas nje dokumenti qe paska pasur familja, - shkruan A. Kondo, - ky qenka portreti autentik i krijuar nga pozimi drejtpersedrejti i Skenderbeut. Portreti i eshte dhuruar Tefe Curanit nga austriaket fill pas shpalljes se Pavaresise, rreth fundit te vitit 1912. Thuhet se kane pasur dokumentin e dhurimit, polisen e nje pinakoteke vjeneze ku shenohej urdhri per kalim inventari dhe shprehimisht fjalet portret origjinal dhe autentik i shek.XV .
Sikurse shihet permbajtja e letres se L.Thalloczy-t dhe pohimi i familjareve te Tefe Curanit, na cojne tek i njejti portret i Skenderbeut, me sakte: te portreti autentik i tij. Ky konkluzion perputhet edhe me komponentet fizike, historike dhe artistike te portretit. Gjendja fizike e portretit flet per lashtesine e tij - derrasa e demtuar nga mola, portreti i nxire nga koha (sigurisht, kohen e sakte te pikturimit pritet ta thote ekspertiza laboratorike). Megjithate, nuk jane pa peshe komponentet e tjere. Manteli i kuq, me te cilin eshte veshur Skenderbeu, ngjan te jete prodhim venedikas. Ky fakt na kujton leterkembimin e vitit 1457 midis Heroit dhe ambasadorit te tij ne Venedik, Gjergj Pellinit, ne te cilin flitet per cohe prej skarlati per dy dolloma, qe Senati i Republikes kishte marre persiper t'i dergonte cdo vit Skenderbeut . Kete hollesi mund ta realizonte ne pikture vetem nje artist, qe ne momentin e pikturimit e kishte perballe Heroin. Vjen pastaj realizimi artistik i portretit. Krahasimi i portretit te Skenderbeut me ate te Mehmetit II, te bind se te dy portretet jane pikturuar nga e njejta dore, pra nga Gentile Bellini. Nuk eshte e rastit qe te dy keta protagoniste te medhenj te historise luftarake te shek.XV, pavaresisht se njeri (Fatihu) perfaqeson furine pushtuese, tjetri (Skenderbeu) ledhin mbrojtes, Bellini, besnik i stilit te tij, i ka fisnikeruar ne pamje qe te dy. Mungesa e mbishkrimit nuk e lekund autoresine e Bellini-t. Perkundrazi, e perforcon, po te kemi parasysh se as portreti i Fatihut dhe asnje prodhim tjeter i tij, nuk kane mbishkrime. Madje, mungesa e mbishkrimit tregon se portreti i Skenderbeut eshte pikturuar ne kohen e vet, kur nuk ishte nevoja per mbishkrim, ndoshta mund te jete pikturuar edhe per vete Heroin.
Me keto te dhena mund te thuhet se ky portret duhet te kete bere pjese ne shek.XVI ne koleksionin e Pal Jovit. Rruga qe ai ndoqi nga muzeu i Comos ne ate te Vjenes, per ne tani ka pak rendesi, perderisa kemi rene ne gjurme te tij dhe kemi ne dore riprodhimin e tij fotografik. He per he, per ne autori i portretit eshte Gentile Bellini, ndonese fjala e fundit do te thuhet pasi te analizohet origjinali nga specialistet. Megjithate, duke e vezhguar me kujdes edhe riprodhimin fotografik, mund te nxirren disa konsiderata.
Ne dimrin 1466-1467 kur eshte pikturuar, Skenderbeu ishte 61 ose 62 vjec - pra nje vit para vdekjes. Syte i ka, si dhe kopjet e tij, ende me vitalitet. Po ashtu, njesoj si te kopjet edhe mjekra e thinjur dhe mustaqet e gjata te perdredhura. Portreti ka tiparin karakteristik, me te cilin jemi mesuar ta perfytyrojme Heroin; hunden e harkuar, me ndryshim se kruta eshte me pak e theksuar se kopjet e saj te Firences dhe te Vjenes. Skenderbeu mban mbi koke bereten karakteristike "alla Carmagnola", nen te cilen duket peceta e bardhe, njesoj si te portreti i Altissimo-s, kopja me besnike dhe me e bukur e piktures se G. Bellini-t. Fytyra tregon se kemi te bejme me nje njeri edhe pse ne moshen 60 e ca vjecare dhe me gjithe stermundimet nga lufterat e vazhdueshme dhe nga shqetesimet e panderprera, paraqet vitalitet te theksuar dhe nuk ka shenja qe paralajmerojne vdekjen e tij te afert.
Me kete rast duhet thene se ikonografia e Skenderbeut gjate shekujve te mevonshem erdhi vazhdimisht duke u pasuruar. Ajo eshte aq e pasur sa trajtimi i saj i kalon kufijte e ketij punimi. Ajo kerkon te pakten nje monografi te ngjeshur. Shkurtimisht duhet thene se piktoret dhe gravuristet, te cileve, nga fundi i shek.XIX u shtohen skulptoret, u perkasin te gjitha kombeve. Por ne to fizionomia e Skenderbeut eshte teper e larmishme. Ne radhet e tyre vihen re modele te ndryshme, te cilat, ne shume raste, nuk kane ngjashmeri me njeri-tjetrin. Vetem nje pjese e vogel i afrohet, kush me shume e kush me pak, perfytyrimit autentik te Heroit. Kjo ndodh me krijimet e artisteve, te cilet jane mbeshtetur ne gravurat e Vitalit ose te Custos apo ne pikturat e Altissimo-s ose te Fontana-s. Te tille jane, per shembull, portretet qe ndodhen ne Biblioteken Ambrosiane (Milan), ne Pinakoteken e Seminarit te Monreales (Palerm), ne Kolegjin Italo-Arberesh te Kozences (Kalabri), mbi portalin e shtepise ne Vicolo Skanderbeg ne Rome, e gjetke. E njejta gje mund te thuhet per gravurat e piktorit anonim te botuar ne vepren e Dh. Frengut, te gravuristeve J.K. Klüpffel, J. Eouter dhe te artisteve te tjere .
Ne cerekun e fundit te shek.XIX, ne vllagen e Rilindjes Kombetare, hyne ne skene edhe piktoret shqiptare. Aspirata per lirine e atdheut ndikoi qe ata te shihnin te Skenderbeu me teper nje udheheqes te luftes clirimtare sesa nje burre shteti. Per kete arsye ata preferuan si model gravuren e Skenderbeut me perkrenaren, te botuar ne vepren e A. Scheeiger-Lerchtenfel (1878). Ndikimi i saj duket ne vepren e Gj. Panaritit (1883), Th. Gjinit (1890), Nd. Martinit (1898). Figuren e Skenderbeut, si udheheqes i luftes clirimtare, e plotesuan piktore te tjere, si A.N. Ballamaci (1889), S. Xega (1913), S. Rrota (1915), te cilet e paraqiten Heroin mbi kalin legjendar, qe vrapon pa i shkelur kemba mbi toke per te sulmuar armiqte, sipas modelit te vepres se njohur te piktorit freng te shek.XIX, Th. Géricault. Nga fundi i shek.XIX filloi edhe paraqitja nga artistet shqiptare e Skenderbeut ne skulpture. Hapin e pare e kreu Murat Toptani (1898). Krijimin me te persosur te Skenderbeut ne skulpture e dha Odhise Paskali me bustin e tij, i cili ka shkrire te portreti i Heroit burrerine, mencurine, vendosmerine dhe pathyeshmerine e kombit qe ai udhehoqi (1937).
Megjithate, veprimtarine artistike me te pasur kushtuar Skenderbeut ne artet figurative, artistet shqiptare, tashme jo te paket, e dhane me rastin e afrimit te 500-vjetorit te vdekjes se tij (17 janar 1968). Me rastin e ketij jubileu, nuk mbeti pothuajse asnje artist shqiptar pa e nderuar kujtimin e Heroit, me nje a me teper vepra, me teme Skenderbeun apo luften e tij legjendare. Por artistet e koheve te reja, shqiptare dhe te huaj, duke mos e njohur perfytyrimin autentik te Heroit, i dhane fushe te lire kush me shume e kush me pak, imagjinates se tyre. Perkundrazi, tani ne e njohim portretin autentik te Skenderbeut.
*Marrë me shkurtime nga kapitulli i XVI i veprës ”Skënderbeu”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...