Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/30

Nga diktatura në demokraci


Titulli: Nga diktatura në demokraci (Një plan pune i konceptuar për çlirim)
Origjinali: From dictatorship to democracy
Gjinia: Publicistikë, shkenca politike
Autori: Gene Sharp
Shqipëroi: Gjergj Erebara
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe
Viti: 2012
Fq. 112
Pesha: 0.15 kg
ISBN: 978-99956-821-9-4

Nga diktatura ne demokraci, Gene Sharp

Libri "Nga diktatura në demokraci" u botua fillimisht në Bangkok në vitin 1993 nga Komiteti për Rivendosjen e Demokracisë në Burma në bashkëpunim me Khit Pyaing (Gazeta e Epokës së Re). Që nga ajo kohë është përkthyer në së paku tridhjetë e një gjuhë të tjera si dhe është publikuar në Serbi, Indonezi dhe Tajlandë, mes shumë vendesh të tjera. Këtij libri i janë atribuar suksesi i shumë revolucioneve pa dhunë në katër anët e botës, nga Indonezia në Serbi apo në vendet e botës arabe.


Gene Sharp, i lindur më 1928, është shumë pak i njohur për amerikanët. Por për shumë dekada, shkrimet e tij praktike mbi luftën pa dhunë, ku vepra më e rëndësishme është "Nga diktatura në demokraci", ka frymëzuar disidentët në të gjithë botën duke përfshirë Burmën, Bosnjën, Estoninë, Zimbabven dhe së fundmi Tunizinë dhe Egjiptin. Ai bën një jetë të qetë në një shtëpi me tulla të kuqe në një lagje të thjeshtë në Boston, SHBA, por për despotët e botës, idetë e tij mund të jenë fatale.

Publikja Shqiptare


Titulli: Publikja Shqiptare
Origjinali: Publikja Shqiptare
Gjinia: Ese kritike
Autori: Të ndryshëm
Shtëpia botuese: Saras
Viti: 2012
Fq. 212
Pesha: 0.26 kg
ISBN: 978-9928-152-01-5

Publikja Shqiptare, ese

"Publikja shqiptare" është libri më i ri që shtëpia botuese "Saras" ka hedhur në treg për lexuesit pas romanit "Shitësit e Apokalipsit" të shkrimtarit Gazmend Krasniqi. Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. A është mbyllur kjo çështje? A kemi sot një komb shqiptar? Pse flitet për "Shqipërinë e Madhe"? Cilat janë pozitat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni? Esetë e përmbledhura në këtë botim nuk janë një konstatim i thjeshtë i çështjes kombëtare shqiptare, por vijnë si një reagim i natyrshëm intelektual, si shkundje për mendësinë shqiptare në kushtet kur nocioni komb është më i rrezikuar se kurrë dhe si një protestë ndaj kompromiseve të lëvizjeve politike qoftë brenda botës shqiptare, ashtu edhe ndërkombëtare.
Gent Carrabregu, studiues i teorisë politike dhe asistent në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Nortwestern-it në SHBA, duke përmendur faktin se çështjes shqiptare i janë kënduar shkrimtarë, novelistë, poetë, historianë, gjeografë linguistë, albanologë, etj., ai nënvizon se në këtë çështje ka munguar zëri i filozofëve dhe shkencëtarëve shoqërorë. Duke e parë çështjen shqiptare mbi të gjitha çështjet politike dhe ekonomike, Carrabregu i referohet filozofisë politike të Ukshin Hotit në çështjen shqiptare. Ai e sheh atë si "gurin e provës", njeriun që kishte dijen, vullnetin dhe guximin për të folur me mendje të hapur. Carrabregu beson se pikërisht për këtë filozofi Ukshin Hoti pësoi fatin tragjik të zhdukjes së tij. "Si të arrijmë që si komb shqiptar të bëjmë transformimin cilësor dhe revolucionar nga të qenët objekt historivuajtëse (kurban) i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, në subjekt historibërës, që bëhet më në fund autor i çështjes së vet?", pyet Carrabregu.
Mendimi vijon me Glauk Konjufcën, studiues i filozofisë dhe deputet i Lëvizjes "Vetëvendosje!". Duke na dhënë që në krye të herës arsyen që nxiti ekzistencën e "Vetëvendosjes!", Konjufca shpjegon se tashmë në themel të ekzistencës së tyre është reaksioni qytetar dhe se viti 2012 do të jetë vendimtar. "Aktualisht populli, ndryshimin e koncepton në dy mënyra: me votë dhe mobilizim masiv protestues. Por në vitin 2012 do të sqarohet përfundimisht kjo dilemë. Ne duhet t'i bëjmë të dyja, sepse sido që ta bëjmë ndryshimin, ai do t'i përfshijë të dyja", shprehet Konjufca.
E ndërsa nuk janë të kënaqur në realitetin e ri të shqiptarëve në Kosovë, ku flitet për pavarësi, por, nga ana tjetër, edhe për një shtet jo funksional, Albin Kurti, kryetar i "Vetëvendosjes!" sheh këtu vendosjen e një neokolonializmi. Me tone rebeluese ai flet për filozofinë e zhvillimit që vjen nga jashtë, për të huaj të zhvilluar që duan të zhvillojnë vendasit e pazhvilluar. Deklaratat mediatike të Kurtit janë të njohura tashmë, ndërsa në këtë ese ai thotë hapur elementet bazë që duhet të qëndrojnë në themelet e një shteti të vërtetë për Kosovën. "Kësisoj, paradoksalisht del se në Kosovë shtet janë KFOR-i e EULEX-i, që nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. KFOR-i, sikurse EULEX-i, është neutral karshi statusit", shkruan Kurti.
E ndërsa pas pavarësisë së Kosovës, në diskutime publike u hodh e u prit teza e "Shqipërisë së Madhe", propozim që ngjalli reaksionin e ndërkombëtarëve dhe frikën e lëvizjes së kufijve ballkanikë, Enis Sulstarova, pedagog në departamentin e sociologjisë në Universitetin e Tiranës, merr dy anët e medaljes: domosdoshmërinë e hapjes së çështjes kombëtare dhe korrektësia me të cilën duhet folur për të. "Edhe disa që e dëshirojnë bashkimin e shqiptarëve, e shprehin këtë kërkesë me termin e 'Shqipërisë së Madhe' dhe nuk janë të vetëdijshëm se kjo është një parullë kundërshqiptare për të zhvlerësuar bashkimin e shqiptarëve, se po shqiptojnë gjuhën e shovinizmave sllavo-greke që duan të ruajnë sundimin mbi shqiptarët", shkruan ai. Në një historik të shkurtër të lindjes e zhdukjes së kësaj ideje, Sulstarova merr në analizë qëndrimin e shtetit "amë" dhe politikës shqiptare.
E duke vazhduar në këtë linjë, Hysamedin Feraj, drejtues i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Tiranës flet për dinakërinë shqiptare, shkrimtari Idlir Azizi flet për ekzilin e vetvetes ndër shqiptarë, ndërsa poeti Ervin Hatibi, përmes një eseje me një titull simbolik "Pemë dhe këngë", ironizon nënshtrimin shqiptar dhe dashurinë e madhe që kemi për dajakun apo drurin.
Situatës nacionaliste të Ballkanit, Besnik Pula, profesor asistent në Universitetin e Binghamtonit në SHBA, i shton edhe një analizë të krizës financiare dhe ekonomike që ka përfshirë këtë rajon në vitet 2008-2011, Orgest Azizi, lektor i filozofisë politike në Tiranë dhe Paris, sjell një qasje eseistike mbi idenë e universitetit dhe shënjimit të tij si ambient politik, shkrimtari dhe botuesi Krenar Zejno ndalet te gjuha si një element shënjues i identitetit të një popullit, ndërsa Elvis Hoxha, lektor i filozofisë në Universitetin e Tiranës, bën një analizë për ekzistencën e dëshmorëve si dëshmi e dinjitetit të një vendi.
Për të përmbyllur mendimin shqiptar në trekëndëshin Prishtinë-Tiranë-Shkup, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti bën një panoramë të qartë të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjuha e tij është e qartë dhe e thartë jo vetëm ndaj ambicieve politike të Maqedonisë, por veçanërisht të shqiptarëve ndër veti. "Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ata duhet të përballeshin me vetveten e të shihnin me kohë se gjatë tërë të kaluarës së tyre në Maqedoninë e pavarur, elitat politike maqedonase, suksesshëm kishin arritur të blinin kohë dhe shqiptarët t'i bënin peng të projektit të tyre dështues, por që me ngulm donin dhe duan ta realizojnë, që një Maqedoni, ku më shumë se gjysma e popullatës është jomaqedonase, ta shpallnin si pronë të etnitetit të tyre. Duke mos e hetuar sa lirë ia shisnin të ardhmen e vet palës maqedonase, shqiptarët e Maqedonisë nuk e vunë re se edhe shpresa e tyre më e madhe e quajtur Marrëveshja e Ohrit, më kot u harxhua, se edhe atë, pala maqedonase e kishte nënshkruar vetëm pse e kishte vlerësuar si një instrument që do u mundësonte edhe më tej ta blinin sa më lirë tokën shqiptare". Mehmeti mban qëndrim edhe ndaj politikës së Europës, e cila, sipas tij, është gjithnjë e kujdesshme me Ballkanin, si fytyra më e keqe e saj.

Ali Këlcyra-Shkrime për historinë e Shqipërisë


Titulli: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Origjinali: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Gjinia: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Autori: Ali Këlcyra
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 658
Pesha: 1.31 kg
ISBN: 978-99956-87-81-6

Shkrime per historine e Shqiperise, Ali Kelcyra


Në Antologjinë historike që po i paraqitet lexuesit përfshihen materiale, të cilat i kushtohen historisë së periudhës 1912-1945, shkruar prej Ali Këlcyrës për RFE; të dhënat e periudhës 1944 - 1945 i kam hulumtuar në faqet e shtypit të refugjatëve politikë, pas vitit 1944, me autor Aliun; ndërsa lëndën që rrok lakun kohor 1925-1959 e kam qëmtuar ndër akiva.
Nga kjo mori e materialeve të grumbulluara përzgjodha ato pjesë që pasqyrojnë më mirë idetë dhe zbulojnë aspektet e kësaj figure poliedrike si historian, eseist, gazetar, si tribun e si njeri i thjeshtë. Kësisoj e kam ndarë librin në disa kapituj, nga të cilët punimet e Kreut të parë (1912 - 1945) janë titulluar Kujtime politike, në përputhje me dëshirën e tij, siç del nga letra e datës 10 qershor 1959, drejtuar Tajar Zavalanit: "Të lutem shkresat që të kam dërguar ose që do të (të) dërgoj t'i ruash e të m'i kthesh prapë, kur të kemi rasë të piqemi, se si ta shënova më lart kam ndër mend t'i bëj një broshurë në formë "Kujtime politike".
Është një kënaqësi e veçantë për mua që, me përpjekjet e mia këmbëngulëse, me mundësitë e sakrificat vetjake, arrita të plotësoj qëllimin e këtij patrioti, rinia politike e të cilit është gatuar me trashëgiminë e Rilindjes, rrënja nga ku janë ushqyuer ndjesitë patriotike. I nisur, pra, vetëm e vetëm nga vlerat e atdhedashurisë së demokratit, që gjeti forca të shkëputej nga tradita e familjes së tij despotike qysh në moshën e djalërisë, u shtyta e u nxita të vazhdoj punën e nisur me librin e parë. Por kisha edhe një pikësynim tjetër, desha që në të ardhmen ta shohim Ali Këlcyrën ashtu siç ka qenë.
Tanush Frashëri, 2007

Millorad Paviq-Histori të tmerrshme dashurie

Titulli: Histori të tmerrshme dashurie
Origjinali: Strašne ljubavne priĉe
Gjinia: Tregime
Autori: Millorad Paviq
Shqipëroi: Nikolla Sudar
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 254
Pesha: 0.33 kg
ISBN: 978-99956-87-83-0

Histori te tmerrshme dashurie, Millorad Paviq

Millorad Paviq ka lindur në Beograd më 15 tetor 1929 në familjen e një skulptori dhe një mësueseje të filozofisë. Midis paraardhësve të shkrimtarit dhe para tij, pati edhe letrarë: në vitin 1766, një nga Paviqët botoi një përmbledhje me vjersha.
Në vitet 1949- 1953 studioi në fakultetin filozofik të Univeristetit të Beogradit, më vonë mori gradën e doktorit të filozofisë në fushën e historisë së letërsisë në Universitetin e Zagrebit. Para se t'i kushtohej plotësisht krijimtarisë letrare, M. Paviq ka punuar në gazeta, ka shkruar vepra kritike, monografi për historinë e vjetër të letërsisë serbe dhe poezinë e simbolizmit, ka përkthyer vargje nga gjuhët europiane.
Famën ndërkombëtare ia solli romani "Fjalori Kazar" (1984), i cili u bë bestseller. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. M. Paviq zotëronte gjuhët kryesore europiane, si dhe disa gjuhë të vjetra. Ka përkthyer Pushkinin dhe Bajronin në serbisht. Ka qënë nominuar disa herë për çmimin "Nobel". Ka vdekur në Beograd më 30 nëntor 2009 nga infarkti i miokardit.

Éric Roussel:De Gaulle


Titulli: Gjeneral De Gol, historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne
Origjinali: De Gaulle
Gjinia: Histori
Autori: Éric Roussel
Shqipëroi: Eqerem Gaxholli
Shtëpia botuese: Botart
Viti: 2012
Fq. 314
Pesha: 0.42 kg
ISBN: 978-9928-116-21-0

Gjenerali De Gol, Eric Roussel

Koment nga De Goli

"Asgjë nuk është më e keqe për Europën se sa një hegjemoni amerikane që na mbyt, që na pengon të jemi vetvetja dhe që të merremi vesh me Lindjen... Europa nuk është si një tryezë e shtruar: mishi i pjekur është Franca dhe Gjermania; me pak garnitura sallatash përreth është Italia, ndërsa pijet janë Beneluksi...
Pengu i jetës sime është që nuk bëra monarki, që nuk pati një anëtar të vetëm të Shtëpisë së Francës për këtë. Në fakt, unë kam qenë një monark gjatë dhjetë vjetëve. Vetëm unë pata një politikë franceze..."
Komente mbi De Golin
"De Goli është padyshim figura më e shquar e historisë franceze të shekullit të XX – të. Emri dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me momente të tilla sikurse ishin gjendja kritike në prag të Luftës së Dytë Botërore, organizimi dhe udhëheqja e rezistencës franceze kundër pushtuesit fashist dhe kolaboracionistëve, veprimtaria e qeverisë së koalicionit në kushtet e përfundimit të Luftës dhe fill pas saj, mënjanimi i krizës së Republikës IV, reformimi i strukturave dhe krijimi i shtetit modern francez, që njihet ndryshe Republika V.
Në ato momente, koha kërkonte guxim, vendosmëri dhe optimizëm për të ardhmen. Koha kërkonte një figurë të shquar, një personalitet poliedrik, i cili sipas nevojave të vepronte si gjeneral me njohur të thella ushtarake, si burrë shteti dhe si diplomat që të dinte jo vetëm të organizonte dhe të drejtonte adminsitratën shtetërore, por edhe si ideolog reformator që të njihte nevojën e ndryshimeve, që të kuptonte proceset moderne të zhvillimit historik europian dhe botëror.
Në këtë kuadër, De Goli padyshim ishte figura që më mirë se kushdo iu përgjigj sfidave të kohës dhe emri e vepra e tij u lidhën ngushtë me historinë franceze të viteve '30 – '60 të shekullit të XX – të."
Adem Mezini
"Kur Gjenerali De Gol, në vitin 1959, nxorri në dritën e botimit kujtimet e veta dhe foli me të (nuk dihet ende saktësisht nëse është takuar me Hoxhën apo me Zogun) rreth luftës, ai tha mendueshëm me stilografin që mbante në duar: "Anglo – amerikanët kanë bërë shumë gabime në Ballkan. Ne nuk u informuam kurrë mjaftueshëm mbi zhvillimet atje. Shqipërinë duhej ta tërhiqnim në anën tonë." Ai ngriti duart, psherëtiu dhe u përqendrua më pas në korrigjimin e kujtimeve të veta."
Lordi Widenfeld, gazetar britanik
"Gjithçka që kishte të bënte me personalitetin e tij, përfshirë edhe defektet e dukshme, ishte e një kalibri të madh, e një përmase të panjohur në Francë që prej kohës së Napoleonit."
Dejvid Brus, diplomat amerikan
"Franceze dhe francezë! Gjenerali De Gol vdiq. Franca ka mbetur e ve..."
Zhorzh Pompidu, President i Francës

Salman Rushdie:The enchantress of Florence

Titulli: Magjistricat e Firences (kopertinë e trashë)
Origjinali: The enchantress of Florence
Gjinia: Roman
Autori: Salman Rushdie
Shqipëroi: Ilir I. Baçi
Shtëpia botuese: Dudaj
Viti: 2012
Fq. 376
Pesha: 0.57 kg
ISBN: 978-99943-0-251-2

Magjistricat e Firences, Salman Rushdie

Një djalosh shtatlartë e flokëverdhë nga Europa, i cili e quan veten "Mogor del'Amore" (që do të thotë mongol i lindur jashtë lidhjes martesore), vjen në oborrin e një mongoli të vërtetë: Mongolit të Madh, perandorit Ekber.
Udhëtari i ri ka sjellë me vete një histori që fillon ta magjepsë kryeqytetin perandorak. I huaji pretendon se është fëmija i një princeshe të humbur mongole, i motrës së vogël të gjysh Babarit të perandorit Ekber.
Princesha quhej Karakëze, "Zonjë Syzeza", dhe ishte një bukuroshe që besohej se zotëronte fuqitë e magjisë. Në fillim, princesha Karakëze e zë rob një kryeluftëtar uzbek, pastaj shahu i Persisë dhe, më në fund, bëhet e dashura e njëfarë Argalia, një mercenari fiorentinas, komandant i ushtrive të sulltanit osman. Kur Argalia kthehet në qytetin e lindjes së bashku me të dashurën mongole, qyteti magjepset nga prania e saj. Dhe atëherë fillojnë telashet.
"Magjistricat e Firences" është hsitoria e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri – tjetrit.
Këta janë kryeqyteti qejfdashës mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështjet e fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja, po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj, ku shoku i fëmijërisë i Argalias, Makia (Niccolò Machiavelli), po e provon mbi kurrizin e tij se çfarë është mizoria e pushtetit. Këto dy botë kaq të largëta dalin se, çuditërisht, janë shumë të ngjashme e të ngërthyera në magjepsjen e grave.
Por a është e vërtetë historia e Mogorit? Nëse po, çfarë i ka ndodhur princeshës së humbur? E nëse Mogori është gënjeshtar, a duhet të vdesë ai?
Mbi autorin
Salman Rushdie është autor i dhjetë romaneve të tjera, një përmbledhjeje me tregime, katër vepra eseistike dhe publicistike, si dhe bahkautor recensues i veprës "The Vintage Book of Indian Writing". Në vitin 1993, romani "Fëmijët e mesnatës" u vlerësua me çmimin "Booker of Bookers" si romani më i mirë që kishte fituar çmimin "Booker" gjatë 25 viteve të shpërndarjes së këtij çmimi. Romani "Psherëtima e fundit e Arapit" u vlerësua me çmimin "Whitbread" në vitin 1995 dhe me çmimin "Aristeion" të Bashkimit Europian në vitin 1996.
Rushdie është "Fellow of Royal Society of Literature" dhe "Commander des Arts et des Lettres". Ai është ngritur në rangun e kalorësit në qershor të vitit 2007.

Orhan Pamuk;Mosumiyet Muzesi


Titulli: Muzeu i pafajësisë
Origjinali turqisht: Mosumiyet Muzesi
Roman
Autori: Orhan Pamuk
Shqipëroi: Drita Çetaku-Turdiu
Shtëpia botuese: Skanderbeg Books 
Viti: 2011
fq. 656
Pesha:0.75 kg 
ISBN: 978-99943-51-75-6

Muzeu i pafajesise, Orhan Pamuk

Vepra voluminoze është shkruar dhe është botuar dy vjet pas marrjes së Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006. "Muzeu i pafajësisë" është një histori magjepsëse dashurie, me një shtritje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional.
Besnik i zhanrit të tij rrëfimtar, Pamuk përmes një linje të qartë me një vijueshmëri detajesh dhe sentimentesh, nuk lodhet së përsjelli lexuesin në një ëndërr të gjatë nanuritëse, por njëherësh edhe ankthsioze. Ky libër risjell në kujtesën e botës letrare, histori elektrizuese dashurie të njohura dhe pashlyeshme, të cilat koha jo vetëm që nuk i zbeh, por i kthen ato në pjesë të kanunit të sentimentit njerëzor.
Jo më kot ky libër është identifikuar me peshën dhe forcën shenjuese të "Lolitës", të "Madamë Bovarisë" dhe " Ana Kareninës".
Në qendër të romanit është një djalosh i ri, i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij, i rrethuar nga mirëqënia, nga jeta aristokrate, dashuria dhe klasi i gruas me të cilën do të fejohet, prej një takimi të beftë me një vajzë të re të bukur, një kushërira e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse, do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshëm të tij. E gjithë bota e tij përmbyset dhe djaloshi ynë Kemal, shumë i përngjashëm me vetë Pamukun e ri, do të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh ku e shpie "verbëria" e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkund mes shpresës dhe ëndërrimit.
A do të lidhet Kemali me Fysunin? Lexuesit do t'i duhet të ndjekë hap pas hapi fatin e këtyre personazheve për të zbuluar një Turqi që po zhvillohet, evropianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit.
Ky roman është një dedikim ndaj "pafajësive" të mëdha të turkut të fundshekullit te kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit evropian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s'janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t&#39i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën, bashkë me peizazhin e patjetërsueshëm, aq të njohur nga lexuesi shqiptar përmes korpusit letrar të Pamuk, i cili prej vitit 2006 është botuar në vijim në shqip.
"Muzeu i pafajësisë" është përkthyer mjeshtërisht në shqip nga përkthyesja Drita Çetaku, e cila ka përkthyer një pjesë të mire të veprës së Orhan Pamuk për lexuesin shqiptar.
Orhan Pamuk ka vizituar Shqipërinë në maj të vitit 2010, dhe mori pjesë në prezantimin e veprës së tij në shqip "Stambolli-qyteti dhe kujtime".
Në shqip nga Orhan Pamuk janë botuar nga Skanderbeg Books, botuesi i tij ekskluziv, veprat:

  • Unë jam e kuqja, roman
  • Bora, roman
  • Kështjella e bardhë, roman
  • Jeta e re, roman
  • Shtëpia e heshtjes, roman
  • Baulja e babait, ese
  • Stambolli, kujtime
  • Muzeu i pafajësisë, roman

Në vjeshtë të këtij vitit do t'i prezantohet lexuesit shqiptar romani "Libri i zi".
Në pranverë të vitit 2012 do të prezantohet romani "Xhevdet beu dhe të bijtë", që do të përmbyllë botimin e plotë të veprës së Orhan Pamuk në gjuhen shqipe.

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...