Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/01

Kozmopolitizmi nuk e shpëton Kosovën nga Serbia, por bashkimi i saj me Shqipërinë


Në afat të gjatë, ky do të ishte shpëtimi jo vetëm i Kosovës, por edhe i vet Shqipërisë ngase përgjithmonë do të braktisnin sferën e influencës së Rusisë, duke u bashkëngjitur përjetësisht me sferën e interesit të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës


Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI



Përvoja e derisotshme ka provuar se kozmopolitizmi është forma më e përshtatshme e asimilimit të vullnetshëm të individëve, apo të një bashkësie shoqërore. Kozmopolitizmi nuk e zgjedh, por e mjegullon edhe më shumë problemin e pazgjidhur kolonial të shqiptarëve në Ballkan.
Prandaj, politikat e sotme zyrtare shqiptare, duhet ta ndjekin rrugën e arsyes dhe të realizmit politik dhe kombëtar, jo të fatalizmit kozmopolit të "kombit kosovar", të diktuar dhe të imponuar nga interesat e ndryshme tregtare dhe ekonomike të sundimtarëve të rinj, me premtime dhe me preokupime të vjetra të kolonializmit dhe të neokolonializmit sllavo-bizantin në përmasa ballkanike dhe eurolindore “Prej Olimpit deri në Ural”.
-Realisht, derisa shqiptarët të kenë statusin e robit të kolonizuar në Ballkan, KOZMOPOLITIZMI është një luks i paarritshëm, një utopi e shkretë dhe një "arrë e fortë në fyt" për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Behgjet Pacolli, në një intervistë dhënë KTV-së, më 22 prill 2011, ndër të tjera pati theksuar se “kozmopolitizmi është ardhmëria e Kosovës”. (!)
-Jo, assesi nuk është e pranueshme teza e theksuar se “kozmopolitizmi është ardhmëria e Kosovës”! Përkundrazi, shikuar realisht, politikisht, ekonomikisht, demokratikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, ardhmëria e Kosovës, është bashkimi i saj me Shqipërinë. Po, nuk ndodhi kjo deri më 2013, e nesërmja e shtetësisë së Kosovës, do të jetë vetëm një eksperiment laboratorik jetëshkurtër nga i cili më së shumti do të përfitonte politika dhe diplomacia neokolonialiste e Serbisë dhe e aleatëve të saj ballkanikë dhe ndërkombëtarë.
-Jo, z. Behgjet Pacolli luajtja në “letrën” e kozmopolitizmit është dështim politik, është për t’u “hedhur hi syve” shqiptarëve ( duke i mashtruar, ashtu sikurse në 100 vjetët e shkuara), që ende, edhe në dekadën e dytë shekullit XXI (viti 2012) e ndjejnë peshën e rëndë të gurit të tiranisë kolonialiste serbo-sllave, sepse gjysma e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Etnike ende ndodhen nën sundimin kolonial të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Greqisë. Kjo formë e kolonializmit ekzistues 100-vjeçar serbo-sllav mbi gjysmën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, përjashton konceptin e kozmopolitizmit.
Sikur shqiptarët të kishin qenë të barabartë me popujt e tjerë në Ballkan (brenda kufijve të vet natyrorë, historikë dhe gjeopolitikë), të lirë, të pavarur dhe sovranë në një shtet të përbashkët-Shqipërinë Etnike, atëherë, ndoshta, do të kishin pasur kohë për të menduar dhe reflektuar për ndonjë politikë tjetër për t’ua bërë qejfin partnerëve të tyre eurondërkombëtarë. Mirëpo, derisa të ndodhemi në një gjendje të këtillë të kolonizuar dhe të copëtuar edhe si komb, edhe si territor, edhe si shtet, politika dhe diplomacia kozmopolitiste shqiptare, do të ishin armët më shpartalluese të identitetit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Prandaj, kozmopolitizmi është i papranueshëm jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët e kolonizuar që kanë jetuar dhe, ende, edhe sot jetojnë në getot aparteide shtetërore serbo-jugosllave, sepse ishin, dhe, fatkeqësisht, ende janë viktima të ashtuquajturës politikë dhe praktikë e kozmopolitizmit pluralist dhe multietnik titist-kardelist.
Jo, përkundrazi, qëndrueshmëria, siguria, zhvillimi, përparimi, lulëzimi, ardhmëria e ndritshme dhe fati i Kosovës është vetëm ribashkimi i saj me Shqipërinë, jo kurrfarë kozmopolitizmi as i Rugovës, as i Thaçit, as i Isa Mustafës e as i Behgjet Pacollit etj. Përkthyer në fjalorin “politeknik” të biznesit të politikanëve dhe të “shkencëtarëve” të sotëm shqiptarë, nocioni kozmopolitizëm do të thotë pranoje gjendjen faktike dhe jorealiste (bëhu ai, që në thelb nuk je), ashtu si iu konvenon interesave të tjerëve, jo kombit shqiptar, siç është rasti me trillimin e “kombit kosovar”, që para së gjithash ka karakter politik, kozmopolit dhe internacionalist, që e eliminon kombin shqiptar, simbolet kombëtare shqiptare, si dhe nacionalizmin, në saje të cilit është krijuar kombi shqiptar, ashtu sikurse të gjitha kombet e Evropës. Me një fjalë kozmopolitizmi është një formë e lehtë politike paqësore e shthurjes dhe e asimilimit të vullnetshëm të një kombi. Ose, shprehur edhe më thjesht, kozmopolitizëm do të thotë, të “jesh mysafir në shtëpinë tënde” stërgjyshore etnike. Shqiptarët mund të tregohen kozmopolitë vetëm atëherë, pasi të jenë ç’kolonizuar përfundimisht nga thembra e hekurt kolonialiste dhe imperialiste e shteteve fqinje në Ballkan. Ndryshe jo, sepse, do e humbasin edhe atë që e kanë gjysmë Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.
Kozmopolitizmi nuk është substitut i nacionalizmit, por i komunizmit!
Nëse kombi shqiptar është produkt i kozmopolitizmit, atëherë, nuk ekziston kurrfarë arsyeje që të polemizojmë me ideologët, me ithtarët dhe me mbështetësit shqiptarë të kozmopolitizmit. Mirëpo, e vërteta është se jo vetëm kombi shqiptar, por të gjitha kombet e Evropës, janë “pjellë” e nacionalizmit kombëtar. Kështu që ne nuk kemi asnjë llogari politike që nacionalizmin shqiptar ta këmbejmë me kozmopolitizmin dhe me internacionalizmin proletar, sepse qe 100 vjet, nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati të dobishëm për kombin shqiptar, kur është fjala për shkolonizimin, për pavarësimin, për ribashkimin dhe për të drejtën e plotë të vetëvendosjes së tij brenda kufijve të vet natyrorë, historikë, etnikë dhe gjeopolitikë. Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të bazuar morale, profesionale, kombëtare, politike e as demokratike, që të bëjmë eksperimente laboratorike me fatin e Kosovës, duke e parë atë në kontekstin e kozmopolitizmit si të vetmen “formulë shpëtimtare” për të sotmen dhe të nesërmen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Në këtë vështrim ( pavarësisht nga interesat tregtare politike, diplomatike, si dhe nga lakmia dhe sëmundja kronike për pozita pushtetore, për pasuri përrallore dhe për kolltukë të mëndafshta të atyre që janë mësuar të jetojnë në kurriz të popullit dhe të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike), nuk mund të bëhet kurrfarë “svapi” i nacionalizmit pozitiv shqiptar me asnjë formë të kozmopolitizmit të vullnetshëm apo të imponuar ngaqë vullnetarisht do të pranonim dhe do të nënshkruanim vazhdimësinë nën robërinë dhe nën tiraninë e shteteve kolonialiste pushtuese fqinje. Kozmopolitizmi është kapitullim i vullnetshëm përpara armikut kolonialist, siç janë Serbia, Mali i Zi, “Jugomaqedonia” dhe Greqia!
Ky koncept politik është i pranueshëm dhe i zbatueshëm vetëm për ata politikanë , kuazi-shkencëtarë dhe agjitatorë propagandistikë, të cilët më tepër ia duan të mirën armiqve agresivë kolonialistë dhe neokolonialist, sesa vetvetes dhe kombit shqiptar. Gjithashtu, injoranca politike e sotme (1990-2012) fare nuk ka parasysh përvojën e hidhur dhe tragjike 100-vjeçare të fenomenit të kozmopolitizmit shqiptar, i cili, as dikur e as sot, nuk qe në gjendje, që të triumfojë mbi racizmin, shovinizmin, hegjemonizmin, kolonializmin dhe imperializmin serbomadh dhe sllav ndaj Kosovës dhe trojeve të tjera të Shqipërisë Etnike(1878-2012). Me kozmopolitizëm nuk mposhtet racizmi, gjenocidi, fashizmi, kolonializmi dhe neokolonializmi serb as në Kosovë e as në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike, por me instrumente ligjore juridike ndërkombëtare, si dhe me vetëdijen e nacionalizmit pozitiv, që nuk mohon, por mbi baza reciproke pranon të drejtat, liritë dhe vlerat e të tjerëve. Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, duhet ta mbajnë parasysh jo vetëm politika, diplomacia,, shkenca dhe propaganda shqiptare, por të gjithë shqiptarët të rinj dhe të moshuar kudo që jetojnë në planetin tokësor. Ky konstatim del nga fakti se shqiptarët me politikën, me sjelljet, me veprimet dhe me qëndrimet e tyre kozmopolite, kurrë njëherë nuk ia kanë arritur që ta mposhtin terrorin gjenocid, reprezaljet, masakrat, agresionet, racizmin, fashizmin dhe kolonializmin pushtues serbo-sllav mbi ta, mbi vatrat stërgjyshore dhe mbi tokat e tyre etnike në Ballkan (1878-2012). Këtë e provon, edhe gjendja e sotme e gjysmës së Shqipërisë etnike, të kolonizuar dhe të copëtuar nga shtetet fqinje sllave. Përkundrazi, një politikë e tillë dështuese kozmopolite pa mbulesë, iu ka kushtuar shumë shtrenjtë-dhjetëra gjenocide, kolonizime, shpërngulje dhe varreza masive anembanë Shqipërisë Etnike, jo vetëm në Kosovën e sotme, të pavarësuar, por nën tutelën supervizuese evropiane ndërkombëtare (EULEX+ UNMIK). Pikërisht, një politikë e tillë naive kozmopolite e drejtuesve të Kosovës ka ndikuar negativisht që Bashkimi Evropian dhe Amerika, të mos ia njohin pavarësinë dhe vetëvendosjen e plotë (të brendshme dhe të jashtme) Kosovës, në bazë të së drejtës historike dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ky është hendikepi serioz dhe i papranueshëm për normën e së drejtës ndërkombëtare ngase sipas saj, asnjë shtet i pavarur dhe sovran në botë, juridikisht, nuk mund të jetë nën kurrfarë mbikontrolli të ndonjë shteti tjetër, apo të ndonjë grupi shtetesh të bashkësisë ndërkombëtare. Si rrjedhim, mbikëqyrja euro-ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, është në kolizion flagrant me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, politikisht, është çështje tjetër, pse pavarësia e Kosovës është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të BE-së, të UNMIK-ut dhe të Amerikës. Mirëpo, pavarësisht nga interesat komplementare të BE-së, të UNMIK-ut, të EULEX=it, të Amerikës dhe të politikës kozmopolite vendore të Qeverisë, të Kuvendit dhe të Presidencës së Kosovës, në aspektin juridiko-ndërkombëtar, mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur kurrfarë baze ligjore. Këtë e provoi edhe Mendimi Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës (22 korrik 2010), e cila e vlerësoi pozitivisht Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) se ishte në përputhje të plotë me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Atëherë, pse pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, të jetë i kontrolluar dhe i kufizuar nga “mbisovraniteti” i huaj ndërkombëtar?!
Shqiptarët janë ngopur me përralla dhe me premtime të kota “romantike” të politikës kozmopolitiste
Përgjigjja është se politika zyrtare shtetërore e Kosovës është tepër kozmopolite dhe e varur nga tutela euro-ndërkombëtare, sepse asnjëherë deri më sot nuk e ka konsultuar popullin, por ka vendosur dhe ka marrë vendime në emër të popullit. Këtë gabim të rëndë dhe të pafalshëm politik dhe juridik të krerëve drejtues politikë kozmopolitistët e Kosovës, partnerët e huaj ndërkombëtarë, e kanë kapitalizuar në favorin e interesave të tyre politike dhe strategjike, duke e lënë Kosovën nën varësinë e tutelës ndërkombëtare (1999-2012). Provë e gjithë kësaj është edhe fillimi i "dialogut teknik" midis Beogradit dhe Prishtinës, që është në funksion të mbështetjes së Serbisë që në vjeshtën e sivjetme të bëhet shtet-kandidat për të hyrë në BE, si dhe të ridefinimit të statusit politik të Kosovës. Së fundi, nëse politika e shteteve fqinje kolonialiste (Serbia, Mali i Zi, Jugosllavomaqedonia dhe Greqia) ka përmbajtje kozmopolite, atëherë, nënkuptohet se edhe politika shqiptare nuk mund të jetë asimetrike dhe antitezë e tyre. Mirëpo, ç’është e vërteta si doktrina, ashtu edhe praktika e politikës së shteteve të theksuara kolonialiste ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, nuk kanë pësuar kurrfarë metamorfoze thelbësore, por kanë ngelur po ato që ka qenë, këtu e njëqind vjet më parë-nacionalshoviniste, hegjemoniste dhe ekspansioniste jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj kroatëve dhe hungarezëve, territoret e të cilëve edhe sot janë nën sundimin kolonial serb. Tanimë, shqiptarët e Shqipërisë Etnike janë ngopur me përralla dhe me premtime të kota “romantike” të politikës kozmopolitiste dhe mafioze. Në vend të një politike të tillë dekadente dhe, ekzistencialiste ata duan liri, drejtësi, vetëvendosje, ribashkim, prosperitet ekonomik, demokraci dhe mirëqenie në një shtet të pavarur dhe sovran shqiptar në Ballkan, ashtu siç janë shtetet e tjera në Ballkan dhe në Evropë. Pavarësisht nga diktati, ultimatumet dhe interesat heterogjene të faktorëve të huaj me prirje kolonialiste dhe neokolonialiste, që përligj status quo-n e kolonializmit sllavo-bizantin mbi territoret dhe mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan, kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike, nuk kanë asnjë nevojë për politikanë dhe për pseudoshkencëtarë kozmopolitistë të po të nderuar, sipas ulpiseve të huaja, por për patriotë
nacionalistë dhe demokratë të vërtetë dhe realistë që pohojnë dhe mbrojnë me ngulmë dhe në mënyrë racionale, ligjore, demokratike dhe paqësore vlerat e shenjta kombëtare, territoriale dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkan.

Tri zgjidhje për veriun


Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me bisedimet e ardhshme

Shkruan: Safet KRIVAÇA


Bashkësia ndërkombëtare po e qartëson idenë se veriu i Kosovës nuk e zgjidh problemin shqiptaro - serb me vetëm Pakon e Ahtisarit, as me pakon shtesë, ”Ahtisari Plus”, as duke i ofruar status special, as duke hapur bisedime me Beogradin për integrimin e veriut në Republikën e Kosovës. Xheims Petifer, ekspert i çështjeve të Ballkanit Jugor këto ditë e tha shumë qartë se kërkohet edhe zgjidhje e problemit të Luginës së Preshevës, nëse synohet zgjidhje e qëndrueshme shqiptaro-serbe. Zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në takime me liderë partiakë të Luginës, duke iu përgjigjur kërkesave të tyre për përfshirje të shqiptarëve të Jugut të Serbisë aktuale në bisedimet, Prishtinë-Beograd, kanë pas bërë të ditur se “nuk do të ketë përfshirje të Luginës së Preshevës në këto bisedime”, por së fundmi numri dy i qeverisë Thaçi, Hajredin Kuqi tha se do të përfshihet Lugina e Preshevës në bisedime. Nëse kjo ndodh, definitivisht Serbia mund të pajtohet me njërën prej tri zgjidhjeve të mundshme:
Veriu të integrohet në Republikën e Kosovës si pjesë e saj aktive në çdo segment prej atij politik, ekonomik, tatimor, infrastrukturor dhe juridik e të sigurisë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme nga të gjitha të tjerat. Në këtë zgjidhje nuk do të përfshiheshin mjete të forta shtetërore për nënshtrim dhe do të vihet baza më e mirë për një demokraci shtetërore të së ardhmes.
Zgjidhja e dytë në dispozicion do të ishte zgjidhja e problemeve me mjete juridike, policore dhe ushtarake si zgjidhje që do të justifikohej më shumë për të mos lejuar ndryshime kufijsh shtetërorë në Ballkan, meqë hapja e Kutisë së Pandorës do të mund të përshkohej me luftëra të reja dhe me dalje të sigurisë rajonale jashtë kontrollit. Zgjidhja me muskujt e shtetit, ndonëse nuk parapëlqehet nga askush, mund të arsyetohet meqë bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim për mosndryshim të kufijve, pasi çdo ndryshim kufiri do të pasohej nga një zinxhir i tërë ndryshimesh. Në Evropë dhe veçmas në Ballkan ka shumë shtete brenda të cilave ka kërkesa dhe aspirata për shtete të reja dhe pavarësime të reja dhe secila tolerancë unikale, do të vlente për palën tjetër me po aq “të drejta”.
Zgjidhja e tretë do të ishte shkëmbimi i tri komuna në veri të Kosovës për tri komuna në jug të Serbisë. Nëse të dy shtetet do të binin dakord për një gjë të tillë, nuk besohet se bashkësia ndërkombëtare do ta pengonte projektin e tillë dhe vetëm në këtë rast kjo përsëritje nuk do të vlente për shtetet që kanë konteste, apo kërkesa për ndarje të reja shtetërore .
Kosova duhet të kërkojë strikt përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd
Beogradi zyrtar ka konfirmuar raundin e ri të bisedimeve me Prishtinën zyrtare, duke i quajtur këto bisedime si politike. Edita Tahiri tash së fundmi ka thënë se raunde bisedimesh për shembull për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë kanë përfunduar dhe më nuk ka bisedime për këtë temë. Megjithatë, Ketrin Eshton ka paralajmëruar “bisedime të vështira me Serbinë” çka nënkupton se ato realisht janë politike. Kosova ka çka të përfitojë edhe nga bisedimet politike me Serbinë: Duke e korrigjuar agjendën e kaluar tematike, Kosova duhet të kërkojë futjen në bisedime të Luginës së Preshevës, si rast për zgjidhje të qëndrueshme dhe përjashtim të një lufte të re si ajo e UÇPMB-së. Pse? Zgjidhja e problemit të veriut pa Luginën e Preshevës, le fronin e hapur të eskalimeve të reja. Zgjidhja e cilësdo pjesë territoriale pa zgjidhjen e pjesës tjetër është mashtrim e jo real dhe vetëm zgjidhja e të dyja e territoreve eliminon lindjen e vatrave të reja të krizës. Për më shumë, ashtu sikur e ndjen obligim moral dhe kombëtar, Beogradi zyrtar për t’i mbrojtur pakicat serbe në Kosovë edhe Prishtina zyrtare e ka për obligim moral dhe kombëtar të kërkojë të njëjtën gjë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ligji ndërkombëtar dhe ligji i së drejtës nuk e përjashton aplikimin e kodit të reciprocitet, të paktën më aspektin e parimit. Nëse anashkalohen shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo do të jetë e kushtueshme për sigurinë rajonale nesër, po aq sa edhe veriu i Kosovës sot. Prandaj është aq e rëndësishme përfshirja e Luginës së Preshevës në bllokun e bisedimeve te reja Prishtinë-Beograd, edhe ashtu të cilësuara nga Serbia “si bisedime politike”. Nëse duhet vënë kushte për kërkesa të reja, me siguri se Prishtina zyrtare ka shumë më shumë të drejta që ta bëjë këtë, sesa Beogradi zyrtar, meqë e kaluara në ish- Jugosllavi për shqiptarët ka qenë pafundësisht diskriminuese, ndërsa për serbët ka qenë parajsë, kudo që ka jetuar qoftë edhe një serb i vetëm, prej të cilit sindromë rrodhi edhe projekti “kudo që ka një serb do të ketë shtet”. Falë të kaluarës serbët kanë hapësirë të kufizuar të aplikojnë kërkesa për territore të reja, ndërsa shqiptarët kanë realisht të drejta të kërkojnë korrigjim të hapësirës territoriale në kuadër të avancimit të të drejtave njerëzore si të drejta të garantuara.
Kosova pa strategji për bisedime me Beogradin
Kosova dhe për më shumë shqiptarët, duhet të kenë strategji akademike për bisedime me Beogradin. Serbia jo vetëm që ka luftuar dhe kryer krime në territoret e ish-republikave të Jugosllavisë për të vu rend të dhunshëm shtetëror dhe pastrim etnik të territoreve, por në kontinuitet ka krijuar edhe mendim dhe tribunë akademike të ligjshme e të paligjshme për lidhje me serbët jashtë Serbisë. Millorad Dodik tashmë flet hapur “se një ditë jo të largët Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë shtet”. Nuk do mend se shtete të reja do të lindin, si Katalonia e cila tashmë çdo kremtim dhe ndeshje e fillon me ngjyrat e shtetit vetanak historik. Nuk ka dyshim se kërkesat e brendshme popullore do ta godasin edhe Sllovakinë, ashtu sikur Qipron e dikurshme e që sot jeton e ndarë në dy pjesë. Nuk ka dilemë se as Serbia aktuale nuk do të mbetet e tillë sikur është sot, sepse Vojvodina do ta fitojë statusin e autonomisë që kishte nga viti 1974...
Serbia ka një sfidë të vështirë para vetes. Ajo ka marrë statusin e kandidatit të BE-së, por data e fillimit të bisedimeve do të jetë diku në pranverë dhe ajo nuk do të vjen asnjëherë për tërë kohën sa Serbia ka probleme të hapura me Kosovën. Këtë kusht e ka gati në çdo fjali ku i tregohet Serbisë si duhet të jenë marrëdhëniet e saja me fqinjët e veçmas me Kosovën. Nëse Serbia e Tomisllav Nikoliqit dhe Daçiqit nuk arrijnë të marrin datën e bisedimeve për BE, atëherë në Serbi do të ketë gjasë për zgjedhje të parakohshme, sepse mosmarrja e datës së bisedimeve do të llogaritet futje e Serbisë në krizë te re. Nikoliq dhe Daçiq duhet t’i përmbushin detyrat e shtëpisë si kushte të BE-së pa pas guxim të dështojnë. Nikoliq që ka filluar ta imitojë Tadiqin me projektin “edhe BE-ja edhe Kosova” në Serbi e ka të qartë se ja thonë çdo ditë se ajo politikë nuk e qon Serbinë drejt Brukselit. E përballur me disa sfida që i numëruam këtu, Serbia nuk është edhe bash në moment të fatit për të zgjedhur, prandaj Prishtina zyrtare e ka rastin historik të kushtëzojë bisedimet me agjendë të re, qoftë edhe politike , duke e futë në këtë strategji edhe Luginën e Preshevës. Kosova nuk ka bë kushedi sa punë të madhe me Serbinë sa të thirret në faktin se më nuk ka tema politike, por vetëm teknike. Nuk është e vërtetë se Kosova ka bërë aq shumë zgjidhje me Serbinë. Serbisë i është dashur të përfitojë statusin e kandidatit të BE-së dhe këtë gjë e ka arritur falë bisedimeve me Prishtinën, ku kjo e fundit nuk ka fituar asgjë.
Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me temat e reja që nuk janë tema, por që janë probleme të theksuara po aq sa edhe veriu i vendit. Serbia nuk mundet t’i thotë Jo, BE-së, prandaj e ka një lloj kushtëzimi që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë, e jo të jenë në aut politik, duke mos qenë në hap me Beogradin zyrtar.

Më shumë përpjekje në parandalimin e dhunës kundër fëmijëve


Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar

Shkruan: Mr. Fikret UKA


Gjatë historisë, por edhe sot në kultura të ndryshme, madje edhe ndër shqiptarë, ndëshkimi fizik dhe psikologjik ka qenë, dhe është njëra nga mënyrat për disiplinimin dhe edukimin e fëmijëve, si në familje po ashtu edhe në shkollë. Ky disiplinim dhe dënim tradicional kundër fëmijëve, për një kohë të gjatë e ka fshehur dhunën, për shkak të traditës kulturore, dënimit social, frikës nga reperkusioni, mandej ndonjëherë fëmijët vetë i kanë konsideruar edhe si të arsyeshme veprimet që i kanë bërë, duke menduar se kanë qenë fajtorë dhe kanë besuar se dhuna ka qenë e drejtë ndaj tyre. Mangësia e ndërgjegjësimit se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve figuron në shumë shkrime e raporte si veprim negativ, por çuditërisht ajo nuk po ndalet, madje vështirë do të jetë që opinioni të vetëdijesohet shpejt për t’u sjellë ndryshe ndaj fëmijëve të tyre.
Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar. Bile, jo rrallë ky problem vë në pyetje edhe jetën e tyre. Kundër kësaj dukurie, në Kosovë ka kohë që shkruhen shkrime, doracak për arsimtarë, organizohen debate, strategji, mbahen konferenca, referate e simpoziume, hartohen programe dhe plane të veprimit etj, më qëllim të edukimit dhe vetëdijesimit të shoqërisë se ky krim ndaj fëmijëve duhet të parandalohet. Mirëpo, mundimet dhe stërmundimet për ndërgjegjësimin e opinionit se dhuna ndaj fëmijëve është cenim i të drejtave të tyre, dhe ajo duhet të ndalet, nuk e ka ndryshuar shumë ndërgjegjen e opinionit publik. Këtë e tregon qartë edhe raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (2012) ku 13.4% e fëmijëve shqiptarë për shkak të dhunës kanë menduar të vetëvriten, kurse 27% e tyre kanë plagë nga dhuna. Këso të dhënash përmbajnë edhe raportet e Policisë së Kosovës. Kurse prof. E. Uka në studimin e tij “Vetëvrasja, dukuri shqetësuese” shkruan: “Janë të dhimbshme vetëvrasjet e të miturve dhe adoleshentëve si pasojë e dhunës që ushtrohet në mjedise pikërisht aty ku fëmijët duhet të jenë më të mbrojtur, aty ku presin dashuri, siguri, dhe përkrahje. Dhe shih për këtë, në Kosovë prej vitit 2000-2006 e kanë vrarë veten 7 të mitur, ndërkohë veten e kanë vrarë edhe 61 adoleshentë. E sa raste të tjera janë që opinioni nuk i di. Kjo tregon se familja jonë në aspektin kulturor ende është në krizë, në kuptimin që nuk ka një raport, një lidhje, një vëmendje, një komunikim të shpeshtë prind-fëmijë ose mes anëtarëve tjerë të familjes”. E sipas dëshmive të ofruara, faktorët që e nxisin dhunën ndaj fëmijëve janë: varfëria, mungesa e kontrollit të papërshtatshëm prindëror ndaj fëmijëve, prindër të ashpër, të paedukuar, prindër të divorcuar, prindër të zhurmshëm ndërmjet vete, suksesi i dobët në shkollë, largime nga orët e mësimit, mungesat e paarsyeshme, prishja e rendit dhe qetësisë në orë, në shkollë, lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjorë, alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e fëmijëve brenda familjes, shikimi i programeve me karakter amoral, stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, temperamenti, emocionet, karakteri, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë etj.
Ajo që brengosë është se pjesa më e madhe e opinionit ka mendimin edhe sot se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve! Ky mendim po e ngec ndërgjegjësimin e këtij problemi në mossuksesin e parandalimit. Për këtë i bëhet kritikë, në këtë drejtim, institucioneve të shtetit, që të investojnë më shumë në ndërgjegjësimin e opinionit për respektimin e të drejtave të fëmijëve. Kjo nuk do të thotë se në secilën shtëpi e shkollë të vendoset nga një polic, por të investojë më shumë para në hartimin e programeve dhe planeve konkrete, studimeve shkencore etj, ku do të pasqyrohet gjendja reale për të pasur opinioni një qasje tjetër ndaj këtij problemi tradicional, sepse kështu vepruan shtetet fqinje. Për shembull, për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, në Shqipëri, prof. A.Tamo dhe prof. Th. Karaj, kryen një studim shkencor ku dhanë një tablo të detajuar të natyrës, shtrirjes, shkaqeve dhe pasojave të dhunës në tre fusha kryesore: në familje, shkollë dhe institucionet e përkujdesit. Po ashtu në këtë studim të mirëpritur ata propozuan ide dhe programe për parandalimin e këtij krimi kundër fëmijëve. Prandaj, këtë problem klasa e studiuesve në Kosovë, duhet ta marrë seriozisht dhe të veprojë njësoj, sikurse ajo e Shqipërisë dhe e shteteve të tjera fqinje.
Prandaj, përmes këtij shkrimi po ngre një çështje, çështje që ka të bëjë me qëndrimin dhe besimin e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve dhe kam mendimin se opinioni do ta tejkalojë dhe harrojë njëherë e përgjithmonë besimin “kush të do, të rreh”. Ky besim nëse është i pranueshëm për prindërit, nuk do të thotë se është i pranueshëm edhe për mësuesit në shkollë dhe për të tjerët gjetiu. Për këtë besim të përhapur si te prindërit e mësuesit, madje edhe te vet fëmijët, prof. Tamo dhe prof. Karaj nxorën rezultatin se 1 në çdo 2 fëmijë në shtëpi dhe 1 në rreth 3 fëmijë në shkollë pohojnë se pranojnë që mbi ta të ushtrohet dhunë, në rastet kur ajo është e nevojshme! E ne, rreth këtij qëndrimi dhe besimi kemi të mbledhura dëshmi (jo të plota) gjatë punës në Polici, të raportuara nga vetë goja e fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe qytetarëve, që janë pro dhe kundër këtij besimi. Këto qëndrime dhe besime të tyre për dhunën ndaj fëmijëve i kemi nda në tri grupe. Të parët mendojnë se nuk duhet të përdorët dhuna fizike, sepse shkakton pasoja negative tek fëmijët. Ky qëndrim ka mbështetje te një masë e konsiderueshme e prindërve të shkolluar, mësuesish dhe fëmijësh. Qëndrimi i dytë, dhunën ndaj fëmijëve e shikon në mënyrën absolute si mjetin më të dobishëm në disiplinimin e fëmijëve. Ky është një grup relativisht i kufizuar njerëzish me një mentalitet tradicional patriarkal, të cilët e arsyetojnë dhunën ndaj fëmijëve duke na thënë: “neve na kanë rrahur prindërit, prandaj jemi këta që jemi. Edhe ne do t’i rrahim fëmijët, e ata do të bëhen më të mirë si ne”! Dhe qëndrimi i tretë, duket se i bashkon dy qëndrimet e para që nuk përputhen njëri me tjetrin. Ata thonë: “dhuna ndaj fëmijëve duhet të përdorët në rastet kur “kalohet kufiri”, përkatësisht kur fëmija nuk disiplinohet me të mirë, atëherë duhet përdorur dhuna, ama gjithmonë duhet kuptuar se dhuna sjell edhe pasoja negative, thotë grupi i tretë. Ky qëndrim sikur iu fle në shpirt shumicës dërrmuese të prindërve dhe një numri relativisht të vogël të mësuesve. Kam mendimin se arsyet e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve nga prindërit dhe personeli arsimor lidhen dukshëm me filozofinë e dobisë që sjell dhuna si instrument për disiplinim kur fëmijët nuk i respektojnë standardet e caktuara të sjelljes, punë që mbetet në pronësi të psikologëve, pedagogëve, sociologëve e të tjerëve, për ta detajuar metodologjikisht këtë problem deri në fund, e neve, na mbetet t’i zbatojmë mësimet dhe këshillat e tyre.

Për të dialoguar, të kushtëzohet shteti i Serbisë


Ditëve të fundit në ballinat e medieve të shkruara dhe elektronike lajme qendrore janë bërë bisedimet politike Kosovë-Serbi. Këto zhvillime të fundit po konceptohen nga kënde të ndryshme, nga publicistë, analistë vendorë dhe ndërkombëtarë

Shkruan: Hidajet Ahmeti


Disa mendojnë së këto bisedime nuk sjellin asgjë pozitive për shtetin e Kosovës vetëm ndihmesë për Republikën e Serbisë për anëtarësim në BE, që është si kusht për të normalizuar raportet ndërfqinjësore. Disa analistë mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në këto bisedime Kosovë –Serbi, pasi që Kosova i ka vijat e kuqe në disa çështje si duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe në planin e Presidentit Ahtisari.
Shumica e subjekteve politike e kanë mbështetur dialogun Kosovë- Serbi, ku dihet javë më parë u miratua rezoluta në Kuvendin e Kosovës e iniciuar nga PDK-ja.
Arsyeja pse nuk duhet biseduar dhe kushtet që duhet t’i bëhen Serbisë
Mendoj se më shumë ka arsye për të mos biseduar sesa për të biseduar. Nga bisedimet e kaluara që kinse ishin bisedime teknike nuk pamë diçka shumë pozitive që sollën këto bisedime. Edhe pse u arritën një sërë marrëveshjesh, pjesa më e madhe tyre nuk u zbatuan në praktikë, mbetën vetëm në letër, gjë që dëshmon se nuk patën ndonjë efekt shumë të madh për shtetin e Kosovës. Nga këto bisedime shihej qartë se përfitoi Republika e Serbisë që fitoi statusin e vendit kandidat për në BE. Mendoj se ka një sërë arsyesh pse nuk duhet të bisedohet me një shtet joserioz sikur që është Serbia. Kushtet e pashmangshme që është dashur t’i bëhen Serbisë janë:
1. Shteti i Serbisë në rend të parë është dashur të kërkojë falje për gjenocidin dhe krimin e bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftën e fundit, për të dëshmuar për gabimin e bërë, nga njerëz të pandërgjegjshëm për të dëshmuar para qytetarëve kosovare dhe opinionit botëror se politika Milosheviqiane ishte e pandërgjegjshme dhe e dëmshme jo vetëm për shtetin e tyre, por për gjithë rendin botëror. Lërë që nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e bërë, por akoma nacionalizmi serb në krye me Nikoliqin dhe Daçiqin vazhdojnë vizionin e Milosheviqit, që nuk pranojnë që ka pasur gjenocid në Kosovë, ku edhe ishin deklarimet e fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë në vizitën e tij në Shqipëri, javë më parë.
2. Pastaj si gjë shumë e rëndësishme për t’i hapur bisedimet me Serbinë dhe si kusht i pashmangshëm është dashur t’i bëhet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, që edhe pas gati 14 viteve nuk dihet gjë.
3. Arsye tjetër pse nuk duhet biseduar është sepse shteti i Serbisë që ka aspirata evropiane dhe etiketohet si shtet paqësor dhe demokratik akoma brenda aktit më të lartë juridik të shtetit, kushtetutës së saj në Republikën e Kosovës e konsideron si pjesë të veten. Kjo është në kontradiktë me të gjitha vlerat evropiane dhe jashtë të gjitha të drejtave ndërkombëtare.
4. Kusht tjetër që është dashur t’i bëhet Serbisë janë marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike që nuk po gjejnë zbatim nga shteti i Serbisë. Atëherë lindin pyetje të shumta pse të bisedohet me një shtet labil siç është Serbia, pse gjithherë ajo të vë kushte për bisedime e Kosova jo, pse ajo gjithherë të fitojë e Kosova jo, janë shumë e shumë pyetje që politikanët kosovarë duhet t’ia shtrojnë vetes.
Diplomatët evropianë vazhdimisht i kanë kërkuar Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut teknik, të vazhdojë bisedimet me palën kosovare dhe të shpërbëjë institucionet e saj paralele nga veriu i Kosovës, për të avancuar drejt Bashkimit Evropian.
5. Një domosdoshmëri tjetër për të dialoguar, është dashur kërkuar nga Serbia shuarjen e strukturave ilegale që monitorojnë në Mitrovicën e veriut, që qartazi shihet se janë të nxitura dhe financuara nga Serbia dmth funksionojnë brenda territorit të shtetësisë së Kosovës.
Mendoj se këto kushte kanë qenë esenciale dhe parakushte për shtetin serb për të dialoguar për çështje të larta shtetërore, përndryshe pala kosovare nuk ish dashur të pranonte për të biseduar.
Edhe nëse patjetër duhet biseduar, pala kosovare duhet t’i ketë vijat e kuqe
Kurrsesi nuk duhet të bisedohet për çështje të brendshme, nuk duhet të lejojmë që nga një shtet nga jashtë të futë hundët në çështjet e brendshme, kur dihet se Kosova është shtet sovran i njohur ndërkombëtarisht nga 90 shtete, si konsekuencë rrjedh se Kosova ka krijuar situatën politike juridike dhe kushtetuese karshi shteteve ndërkombëtare. Thuhet se në bisedimet Kosovë-Serbi, Serbia dëshiron të futet në çështjet e brendshme të Kosovës, për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë, lirisht edhe Kosova duhet të kushtëzojë bisedat për hapjen e temës për pakicat shqiptare në Serbi.
(Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc). Mendoj se është një çështje ekuivalente për të dyja shtetet.
Institucionet kosovare kurrsesi nuk duhet pranuar që veriut t’i jepet ndonjë autonomi substanciale për shumë arsye. Njëra është se bie ndesh me kushtetutën e vendit, me planin e Ahtisarit dhe në të njëjtën kohë kjo zgjidhje është shumë e rrezikshme jo vetëm për shtetin e Kosovës por edhe në përgjithësi për Ballkanin. Një zgjidhje e tillë është destabilizuese për rajonin me gjasa shumë të mëdha për konflikt në të ardhmen.
Presion ndërkombëtar për bisedime politike, apo ka ardhur koha për bisedime
Bisedimet politike janë bisedime me nivel dhe përgjegjësi të lartë shtetërore dhe për çështje shumë të rëndësishme. Bisedimet politike nga politikanët kosovarë po thirren kinse për normalizim të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë që një gjë nuk mund të arrihet njëherë përnjëherë kur dihet retorika nacionaliste serbe dhe mentaliteti i tyre. Është akoma herët për të biseduar me një shtet me njerëz të papjekur politikisht me një shtet që akoma jeton me iluzione nuk e pranon realitetin që është i pranuar ndërkombëtarisht. Qëllimi i tyre është të pretendojnë shumë për të nxjerrë pak. Pala kosovare thirret se i kanë vijat e kuqe se deri ku duhet biseduar, duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit, planin e Ahtisarit që është një zgjidhje e pranuar ndërkombëtarisht, edhe pse ishte një kompromis i dhimbshëm për shtetin e Kosovës. Nga shumë subjekte politike dhe njohës të problemeve politike, pala kosovare shihet si e papërgatitur kur dihet se kemi të bëjmë më bisedime të nivelit të lartë ku edhe shpesh nga përfaqësues të BE-së është thënë se do të kemi kompromise të vështira për të dyja shtetet. Kritikat për palën kosovare shkojnë në mospërgatitjen e një platforme ku të precizohet mirë se për çka duhet të bisedohet. Qeveria duhet ta ketë një platformë të veten për bisedime me Serbinë, në mënyrë që pastaj ta harmonizojë edhe me faktorët ndërkombëtarë që e mbështesin këtë dialog. Qeveria duhet të jetë shumë e përgatitur për këtë proces dhe sa më shpejt ta hartojë një platformë. Nga njohës të historisë të Ballkanit me dhjetëra herë është thënë se lëvizjet e kufijve në Ballkan kanë përfunduar me luftën e fundit në Kosovë. Bile mund të përmendim vizitën e sekretarit britanik për Politikë të Jashtme, Uilliam Hejg, ku pohoi:”Kufijtë e Evropës Juglindore janë përmbyllur” Mirëpo, politika nocionaliste dhe imperialiste serbe mundohet me çdo kusht që të përfitojë nga rasti. Për fund mund të konkludoj se bisedimet Kosovë-Serbi më shumë janë të projektuara nga Bashkësia Ndërkombëtare, me një fjalë mund të them se në një fare mënyre dialogu Kosovë-Serbi është imponuar. Atëherë pasi që nuk mund t’u ikim bisedimeve politike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ne si palë kosovare duhet të jemi shumë të përgatitur, me një platformë gjithëpërfshirëse shumë të qartë për bisedime. Duke qenë të vendosur që këto bisedime duhet të bëhen në mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura për çështje të rëndësishme. Pala kosovare nuk duhet harruar të respektojë kushtetutshmërinë e vendit dhe planin e Ahtisarit si zgjidhje e pranuar ndërkombëtarisht. Pala kosovare duhet të jetë vigjilent dhe syhapur që mos të bëjë ndonjë lloj koncesioni që është në dëm të shtetësisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
(Autori është filozof i diplomuar, absolvent në shkenca politike dhe zv.president në Këshillin e Rinisë Evropiane)

100 VJET SHTET


Pozicinimi i dy forcave më të mëdha politike në vend, pas ndërrimit të modelit të qeverisjes, PD-së së Sali Berishes dhe PS-së së Edi Ramës, mendoj që është shkaktari kryesor i ngecjes së vendit në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimit këtyre viteve të fundit. Po parafrazoj, edhe pse e kam vështirë të pajtohem, por më duhet me fjalët e Konicës që këtë vend e shkatërruan politikanët, Shqipëria për dallim nga vendet që i ceka më lart është ende larg proceseve integruese për në UE, ndërsa Sllovenia dhe Kroacia janë vendet që janë edhe aktorë kyç në gjithë këtë proces


Shkruan: Fidan Kozhani

Të gjithë jemi në pritje të festimit të 100-vjetorit të shtetësisë së shtetit shqiptar, por a ka vend për aq shumë pritje për këtë festë kombëtare besoj që po, por nuk jam edhe shumë i kënaqur për të arriturat e vendit tim, duke shikuar nga kjo perspektivë kohore.

Ndarja e trungut etnik shqiptar

T’i kthehemi zhvillimit të ngjarjeve veç e veç, pas 1912-ës, shteti shqiptar arrin ta fitojë mëvetësinë e vet politike nga gjithë uzurpatorët e kohës që kishin pretendime territoriale mbi hapësirat shqiptare, edhe pse një pjesë bukur e madhe e këtij vendi mbeti jashtë kufijve administrativë, ku edhe sot e kësaj dite situata është e njëjtë në këtë aspekt, trungu etnik shqiptar u nda në shumë sfera të interesit për të gjitha fuqitë e kohës, sepse të gjithë duhet t’i kënaqnin ambiciet e tyre me diçka për të fituar Shqipëria atë që donte, pra ta kishte sovranitetin e saj që ishte pjesë e çdo shtet me funksionim normal. Territori ynë u bë copë-copë nga mbretërit e perandorive të shumta, Kosova mbeti pa dashje jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme tash për t’u bërë shtet në vete, edhe pse shumë vonë e më shumë probleme të natyrave të ndryshme, Çamëria mbeti nën Greqinë e sotme, një pjesë bukur e madhe e territorit mbeti nën Maqedoninë e tanishme, ku edhe këtu po vërehet qartë se pa një stabilizim të plotë të faktorit shqiptar në këtë pjesë nuk do ketë qetësi këtu dhe me gjitha problemet shtesë që ka ky shtet tash, p.sh. kontestimi i emrit të sajë kushtetues nga ana e Greqisë, dhe mosrespektimi i marrëveshjes Kornizë të OHRIT, nga ky vend qetësia institucionale shpesh herë këtu po vihet në pikëpyetje të madhe, ajo që ishte më e dhimbshme nga i gjithë ky skenar i përgatitur nga fuqitë dominuese të kohës mbi trojet tona se nuk u kënaqën me pak,vazhduan prapë serinë e ndarjeve të vendit tonë,dhe Shqipëria sa vinte e tkurrej çdo vit e më shumë,Malit të Zi,që atëherë ishte në aleanca të ndryshme me fuqitë e kohës së bashku me Serbinë , i ju nda edhe këtyre pjesa që sipas pashallarëve të Evropës tinëzare u takonte, pjesa shumë e ndritshme dhe shumë strategjike për shtetet që janë sot pjesë e tyre Ulqini, Tuzi, Malësia e ca vende të tjera ku sot ky shtet fiton shumë nga turizmi, nga tokat shqiptare, edhe pse këtu flitet që faktori shqiptar ka disa të drejta, por jo edhe ato që ju takojnë në proporcion me numrin e popullatës që jeton atje. Serbinë e lanë zorrë-qorre të Ballkanit Perëndimor për të shpërthyer herët a vonë, nën sundimin e saj mbeti Kosova dhe një pjesë shumë e madhe e territorit të Shqipërisë së sotme, Presheva, Medvegja, Bujanoci, mbetën nën këtë perandori ku edhe sot e kësaj dite problemi me këto treva mbetet ende i pazgjidhur nga autoritetet serbe dhe Kosova falë luftës së lavdishme të UÇK-së e fitoi pavarësinë e saj me shumë mund, vuajtje e sakrificë, sa të padrejtë kanë qenë kundrejt nesh pashallarët e Evropës, na bënë copë-copë, të ndarë na e ngulfatën vullnetin tonë për një shtet të vetëm.
Fajet e elitës politike shqiptare
Nëse kapemi në aspektin komparativ të kohës dhe e fusim edhe Shqipërinë në këtë mes me zhvillimet që kanë ndodhur edhe brenda vendeve në rajon, p.sh. Slloveninë,Kroacinë,Maqedoninë,ne kemi mundur të jemi shumë përpara, por fatkeqësisht jemi shumë mbrapa tyre në shumë çështje pikërisht për fajin e elitës politike në Shqipëri, dihet mirëfilli që një kohë Shqipëria e kishte kaluar nëpër një sistem politik komunist të egër, ku lidhja e elitës politike me vendet me regjim komunist dhe mbajtja e mbyllur e vendit tonë me vite të tëra karshi vendeve prosperuese demokratike, mendoj në perspektivë ishte fatale për popullin tonë në tërësi. Tranzicioni ishte shumë i vështirë në këtë vend, elita politike pasurohej, populli varfërohej dhe jetesa ishte dhe vazhdon të jetë shumë e vështirë për një pjesë të madhe të njerëzve atje, vijmë te ndryshimi i sistemit politik, nga komunizmi i egër kalojmë në demokraci dhe nga një sistem monopartiak dalim te pluralizmi politik. Kalon edhe kjo fazë me shumë probleme e sfida të shtetndërtimit të saj, njerëzit nuk ishin të kënaqur me mënyrën e qeverisjes dhe me shumë protesta e forma tjera të presionit publik kërkonin një jetë më të mirë. Arrin që pas gjithë atyre problemeve Shqipëria ta instaloi një sistem multipartiak, përkatësisht bipartizmin politik në vend, me pjesëmarrje edhe të disa partive të vogla për numra në qeverisje, por edhe pse ky vend kaloi gjithë këtë rrugëtim të vështirë ndër vite, jeta dhe vendi nuk po ecën në drejtimin e duhur, prapë aspekti krahasues Maqedonia, Kroacia, Sllovenia kanë diku 20 vjet që janë shtet ku janë ato në rrugëtimin e tyre për shtet normal e funksional, e ku është Shqipëria ime, në rrugën e saj kjo nuk do menduar shumë. Pozicionimi i dy forcave më të mëdha politike në vend pas ndërrimit të modelit të qeverisjes, PD-së së Sali Berishes dhe PS-së së Edi Ramës, mendoj që janë shkaktarët kryesor të ngecjes së vendit në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimit këtyre viteve të fundit, po parafrazoj edhe pse e kam vështirë të pajtohem, por më duhet me fjalët e Konicës që këtë vend e shkatërruan politikanët, Shqipëria për dallim nga vendet që i ceka më lart është ende larg proceseve integruese për në UE, ndërsa Sllovenia dhe Kroacia janë vendet që janë edhe aktorë kyç në gjithë këtë proces.
Zhvillimi i vendit
Shqipëria ka fituar që të jetë pjesë e zonës Shengeni i Bardhë që në terminologjinë e integrimeve evropiane njihet si lëvizja e lirë e njerëzve brenda vendeve që janë pjesë e Bllokut të UE-së, por nëse kthehemi në retrospektivë Shqipëria e ka fituar pavarësinë e saj më 1912, UE është formuar diku pas Luftës së Dytë Botërore rreth viteve të ‘50-ta të shekullit të kaluar, s’do mend se në një vend normal sot Shqipëria do të duhej të ishte krah vendeve që bëjnë politikën evropiane sot siç janë Gjermani, Franca e Anglia, por ku është defekti sot këtu, 100% e njerëzve që kanë bërë politikë atje dhe që po vazhdojnë të bëjnë duke mos gjetur për problemin edhe më të vogël konsensusin politik dhe duke mos qarë shumë hallet për popullin dhe zhvillimin e vendit, por për karriget e ngrohta që sjell pushteti. Sot në Shqipëri ende kundërshtari politik shikohet si armik dhe jo bashkëpunëtor. Sot në Shqipëri klasa politike nuk mund të zgjedhë asgjë vetëm që shkon në interes kombëtar, por duhen ambasadorët e vendeve mike që t’ua zgjidhin problemet e tyre, rasti me imunitetin tani, kurse më herët me ligjin dhe zonat zgjedhore. Sot Shqipëria është vend i varfër me zhvillim shumë të lehtë ekonomik me një papunësi të madhe, me një GDP jokonkurrente me vendet në rajon p.sh. Mali i Zi, të ardhurat për kokë banori arrijnë të jenë diku të përafërta me vendet e UE-së, flasim për raportet e ndryshme ekonomike, që ky vend arrin ta mbajë veten me turizëm, por turizmin e ka edhe ëma Shqipëri, ku është ajo në këtë mes të zhvillimit dhe prosperitetit të saj demokratik, mungon vullneti politik dhe shoqëror që ky vend të ecën hovshëm drejt arritjeve të saj në të gjitha zhvillimet e jetës, qoftë politike, sociale, kulturore, ekonomike etj. Para së gjithash, edhe në politikën tonë duhet të ekzistojë morali dhe vullneti për të bërë punë të mira në shërbim të vendit dhe kombit, sepse as sllovenët e as kroatët, por as malazezët nuk kanë asgjë ma shumë se ne, por dukuria që tek ata është e shprehur për politikën është slogani “të bashkuar mund të bëjmë punë të mëdha” dhe ata këtë e kanë arritur, kurse te ne është e shprehur e kundërta. Për dallim nga kolektivizmi i atyre te ne është shumë i shprehur UNI, individualizmi për të marrë bajrakun e fitores për çështje të ndryshme të shtetit, gjë që mendoj kjo dukuri duhet të eliminohet dhe duhet që t’i subordinohet individualizmi i kolektivizmit dhe uni në këtë rast të zëvendësohet me bashkësi, politika të mos merret më shumë si privilegj, por si përgjegjësi për t’i shërbyer sovranit me nder e krenari, dhe besoj shumë që punët tona do të jenë më në terezi. Edhe pse pak vonë, ju lutem ta provojmë këtë gjithë së bashku, suksesi ka me qenë i garantuar, ju premtoj për këtë.

Shqipërisë Etnike i duhen kreshnikët patriotë dhe vizionarë



Pa zgjidhjen e çështjes koloniale të shqiptarëve të Shqipërisë Etnike, nuk mund të jetë mbyllur çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan

Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI


Ata që pa kurrfarë zori dhe pa kurrfarë trysnie janë vetëshpëpallur botërisht kundër bashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, sikurse kryeministri Sali Berisha (disa herë rresht), nuk kanë asnjë të drejtë, që t’i kritikojnë, anatemojnë dhe denoncojnë para botës, ata kryeliderë të partive, të lëvizjeve, të fronteve, të Listës së Shqipërisë Natyrale etj., pse me plot të drejtë po kërkojnë dhe po veprojnë legalisht me mjete politike, demokratike dhe paqësore, që kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike, t’u njihet e drejta e ligjshme, historike dhe e vetëvendosjes, që të bashkohen edhe si komb, edhe si shtet , ashtu sikurse shtetet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Pavarësisht se çfarë paragjykojnë dhe deklarojnë politikanët dhe diplomatët e ndryshëm ballkanikë, evropianë dhe ndërkombëtarë se gjoja, tanimë është “mbyllur kaptina e ndryshimit të kufijve në Evropën Juglindore”, pa zgjidhjen e çështjes koloniale të shqiptarëve të Shqipërisë Etnike, nuk mund të jetë mbyllur çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan, sepse ata janë artificialë dhe të papranueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.
-Skënderbeu nuk ka dashur, as nuk ka pranuar kurrfarë ofertash, as kompromise politike, as luftëra të imponuara të perandorive të ndryshme të kohës së tij, që në mënyrë të vullnetshme, ose me forcë, të integrohej dhe të aliazhohej qoftë në bllokun e Lindjes, qoftë në bllokun e Perëndimit, por tërë jetën luftoi që të integrohej me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Luftoi dhe kontribuoi vetëm për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, jo as të Lindjes, e as të Perëndimit. Kjo është një nga veçoritë dhe meritat më thelbësore kombëtare dhe atdhetare, që kryetrimin legjendar-babanë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, e bëjnë të pavdekshëm dhe të pazëvendësueshëm si njeri, si hero dhe si burrë shteti në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare.
-Ata shqipfolës dallkaukë dhe të verbër, që duan të tregohen para botës, më papë se papa, më sheikë se sheikët arabikë, më evropianë se evropianët, më grekë se grekët , më serbë se serbët, më malazezë se malazeztë, më maqedonas se maqedonasit, populli shqiptar, nuk do të duhej t’i votonte që të vinin në krye të Shqipërisë, sepse ata janë e keqja më e zezë dhe tragjedia më jetëgjatë e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar në Ballkan. Shqipërinë duhet ta drejtojnë vetëm ata shqiptarë që nuk i zë gjumi për hallet dhe për brengat e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, që pareshtur ditë e natë (kudo që ndodhen brenda apo jashtë Shqipërisë) luftojnë për mbrojtjen e identitetit dhe të sovranitetit të saj kombëtar, territorial dhe shtetëror, jo vetëm brenda kufijve ekzistues artificialë, por brenda kufijve natyralë, historikë, gjeopolitikë dhe kombëtarë të Shqipërisë Etnike.
Vetëm ata që e duan dhe, që pa kursyer asgjë punojnë dhe veprojnë për të mirën e përgjithshme të kombit dhe të atdheut shqiptar, janë me Zotin, jo me shejtanët e shtirë dhe të kamufluar të Zotit dhe të Shqipërisë Etnike! Pa dyshim se, Zoti i madhëruar i ndihmon dhe i mbron vetëm ata shqiptarë të vërtetë, që e besojnë dhe i binden Zotit, që sakrifikojnë dhe, që e mbrojnë Kombin dhe Atdheun e tyre, jo derbederët, që luftojnë dhe vrasin kundërshtarët e tyre politikë dhe atdhetarë, (që e vrasin popullin, duke e lënë pa bukë, pa punë, pa ekzistencë, pa strehë, pa liri, pa ardhmëri dhe pa mirëqenie), vetëm për t’u pasuruar dhe,për të sunduar e qëndruar sa më gjatë në pushtet, me familje, me akraballëk, me miqësi, me parti,me klane, me mëhalla, me nahije, me fise, me grupe të ndryshme të interesit nepotist, despotik, oligarkist dhe anarkik, me qëllim që (sipas mësimeve, interesave të ndryshme ekonomike, politike dhe strategjike, me prirje neokolonialiste), ta shkatërrojnë interesin e përgjithshëm dhe vlerat e paçmueshme të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
“Çakall” politik dhe fetar është vetë Sali Berisha, jo Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu!
Sepse, në radhë të parë ka shkelur të drejtën historike dhe legjitime dhe, të drejtën e vetëvendosjes së kombit shqiptar, duke deklaruar disa herë rresht, se është kundër ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Këtë e vërteton, edhe gjendja e mjerueshme e shqiptarëve dhe e territoreve të kolonizuara të Shqipërisë Etnike nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Maqedoni dhe nën Greqi.
“Sali Berisha sulmon Topin dhe Spahiun se janë mjeranë, pa identitet e pa Zot. Janë ateistë, që kanë frikë Zotin, ndaj edhe kërkojnë që të mos bëhet regjistrimi sipas fesë.” (www.gazetatema.net/web/20 korrik/2011).
Vërtet, nuk ka argument më të qëndrueshëm sesa ky, që Salih Berishën, ta braktisë edhe Zoti, edhe kombi shqiptar, edhe Shqipëria Etnike, sepse i ka quajtur “mjeranë, pa identitet dhe pa Zot”, jo vetëm ish-presidentin e tij, Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiun (pse e kanë ngritur zërin kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të qindra e mijëra shqiptarëve në kombësinë greke), por të gjithë ata patriotë shqiptarë, që janë dëshmuar dhe, përditë po dëshmohen me punën dhe me veprën e tyre në të mirë të shkolonizimit dhe të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
Sipas këtyre akuzave të pathemelta dhe tejet të turpshme në sy të opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, po del se Sali Berisha është jo vetëm “politikan i hollë” dhe shtetar “i pazëvendësueshëm”, por edhe “profet”, sepse po e ditka se Topi dhe Spahiu “janë pa identitet dhe pa Zot, dhe se i frikësohen Zotit”!?
Çfarë naiviteti dhe budallallëku propagandistik ky? - Po, ku e di Sali Berisha se, cilët janë ata shqiptarë, që i “paskësha përjashtuar Zoti”, për shkak se i paskan shkelur “qitapët” e politikës antibashkuese dhe antikombëtare të kryeministrit Sali Berisha?!
E, po këso lloj “prognoze fetare”, se kush është pa Zot, kush i frikësohet Zotit, kush e do Zotin, kush e beson Zotin, nuk kanë mundësi, ta japin, as politikanët, as kryetarët, as kryeministrat, as ministrat, as diplomatët e, as një shteti në botë, as hoxhallarët, as priftërinjtë, as shehët, as xhamia, as kisha e as teqeja. Këtë e di vetëm i Madhi Zot! Askush tjetër! - Prandaj, një mundësi dhe, një aftësi të tillë, nuk e ka as kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, as qeveria e as partia e tij politike në pushtet. Se Sali Berisha është një fatkeqësi, një paradoks dhe një kontraversë politike, kombëtare, demokratike dhe shtetërore, këtë qe njëzet vjet e ka provuar pushteti i tij i pakufizuar dhe absolut. Mirëpo, deri më sot, me rastin e shpërpalljes së këtyre akuzave absurde, intrigante dhe provokuese në adresë të ish-presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi dhe të ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, askush nuk e ka ditur se kryeministri Sali Berisha, “është edhe mesingjer” i Zotit! Ndryshe nuk do ta ngatërronte Zotin me problemin e regjistrimit etnik-fetar të popullsisë! Ndryshe, nuk do të thoshte se Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, “janë pa Zot dhe ateistë që i frikësohen Zotit”! Po, çfarë lidhjesh ka Zoti me regjistrimin etnik-fetar dhe me “dallaveret” politike të Sali Berishës, në dëm të identitetit kombëtar shqiptar?! -Kurrfarë! - Pra, lërini, mos e përfolni, as mos u thirrni në emër të Zotit, për realizimin e qëllimeve të ndyra politike, ekonomike, tregtare dhe antikombëtare shqiptare! -Lëreni, mos e involvoni edhe Zotin në politikë të pistë dhe në biznes ekonomiko-tregtar për të shfrytëzuar dhe varfëruar sa më shumë popullin, sepse Ai është i Gjithëpushtetshëm, e ua the qafën, pa të keqen e kombit të bashkuar shqiptar dhe të Shqipërisë së bashkuar etnike !
Antiteza e Salih Berishëve - kreshnikë spahinjtë dhe Aleanca Kuq e Zi!
I lumtë Kreshnik Spahiut (ish-nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë), që nxori sipërfaqe dhe e demaskoi botërisht ligjin dhe politikën e gabuar shtetërore të Shqipërisë lidhur me “regjistrimin etnik-fetar” të popullsisë. Sipas këtij ligji, qindra dhe mijëra shqiptarë në Shqipëri, kanë ndërruar kombësinë e tyre në atë greke. Si rrjedhim i një deformiteti të këtillë kombëtar, erdhi në shprehje edhe dalja në skenën politike dhe kombëtare shqiptare e Aleancës Kuq e Zi, e cila përmes paneleve dhe manifestimeve të saj nëpër hapësirat e Shqipërisë Etnike, me këmbëngulësi dhe, krejt në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore po apelon dhe po kërkon nga institucionet dhe nga organet më të larta shtetërore (politike, juridike, kushtetuese dhe të drejtësisë) të Republikës së Shqipërisë që të pezullojnë regjistrimin etnik-fetar ngase kjo formë e deklarimit është kërcënim direkt dhe indirekt i shpërbërjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Shqipëri. Së fundi, një këshillë praktike dhe kombëtare shqiptare, jo frazeologjike dhe astrologjike për kryeministrin aktual të Shqipërisë (nëse nuk “ta mban” aksi politik, për shkak të kombinimeve të aleancave të ndryshme rajonale dhe evropiane), -Sali Berisha, mos e rrej, mos e mashtro dhe mos e politizo edhe Zotin si popullin dhe Shqipërinë, se Zoti është i madh dhe i plotfuqishëm, mund ta thyejë qafën për gabimet që i ke bërë dhe, që je duke i bërë tash 20 vjet radhazi në kurriz të interesit të përgjithshëm të çlirimit dhe të bashkimit kombit dhe të Shqipërisë Etnike. -Nëse do të afrohesh me Zotin dhe me popullin, së pari, zbatoje Kushtetutën, ku thotë se: “ me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar...”! - E, mos shit mend, se nuk ka kohë Zoti, as profetët tij, që të mirren me përrallat tuaja politike dhe propagandistike, në emër të popullit, të Zotit, të patriotizmit dhe të demokracisë. Të gjithë shqiptarët, duhet të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm se, ata politikanë, shtetarë dhe fetarë shqiptarë, të cilët me në krye Sali Berishën, qe 20 vjet (1990-2012), e kanë fronzuar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, priftin grek Anastas Janullatos, ata nuk janë dashamirë të Zotit, as të Kombit Shqiptar e as të Shqipërisë, por vetëm miq besnikë të grekëve dhe të Greqisë, si dhe miq, tyxharë, dhe shërbëtorë të agjenturave të tjera të huaja, të cilat tash e njëzet vjet e kanë vërshuar Shqipërinë dhe Ballkanin.

Të gjithë e kemi dashur një Kosovë, shumë më ndryshe


Të gjithë e kemi dashur një Kosovë më ndryshe, një Kosovë përparimtare, të rehatshme, demokratike. E kemi dashur, pra, një Kosovë ku sundon rendi dhe ligji. Një Kosovë pa korrupsion dhe krim të organizuar. E më së shumti e kemi dashur një Kosovë unike, ku sundon mendimi i përbashkët i të gjitha partive. Ku flitet me një zë. Fatkeqësisht ka përçarje të mëdha në mes liderëve dhe partive të ndryshme. Mungon uniteti dhe bashkimi

Shkruan: Mr. Bislim Aliu

Kosovën tonë të gjithë e duan, i madhe e i vogël, edhe pse shumëçka nuk është në rregull. Dhe shumëçka edhe po na mungon. E populli vijimisht disi është bërë skeptik, duke menduar vazhdimisht se Kosova pas luftës do të përparojë dhe përditë do të bëhet mirë e më mirë. Megjithatë, fatkeqësisht tash 13 vjet s’ka përparim, s’ka ligjshmëri, s’ka demokraci, s’ka liri të shprehjes, s’ka, s’ka… dhe na u ka mbushur koka me skepticizëm dhe me mangësi të shumëllojta, që vazhdimisht po na pengojnë, për një jetë të rehatshme. Megjithatë, kemi menduar dhe shumë kemi shpresuar më ndryshe. Pra, për një Kosovë përparimtare dhe shumë demokratike.
1.
Në këtë konglomerat shpresash kemi shpresuar dhe shumë kemi shpresuar. Megjithatë, shteti me shpresa nuk formohet dhe nuk ecën përpara. Shteti formohet me punë. Pra me punë konkrete dhe me punë të vullnetshme. Shteti nuk përparohet, vetëm me fjalë teorike. Ndaj, vetëm vepra konkrete e bën shtetin e fortë dhe të ligjshëm.
Jemi mësuar ne në Kosovë, vetëm të flasim. Vetëm t’i bëjmë qejf vetes. Pra, jemi mësuar, varg e vijë, që të flasim shumë për patriotizëm dhe besa edhe për bajraktarizëm. E vepra konkrete përherë po na mungon. Ky vend do angazhim konkret dhe angazhim të sinqertë. Që secili ta kryej punën e vet ashtu si duhet dhe të përgjigjet për atë. Dhe a po e kryejmë secili punën si duhet, apo vazhdimisht po i bishtnojmë asaj!
Dhe për këtë e me gjithë mend e bëjë pyetjen; Vallë, deri kur të merremi me fjalë të mëdha teorike dhe me patriotizëm të tepruar? Dhe a është më patriotike dhe më humane që secili ta punojmë punën me ndershmëri; si mësuesi, profesori, mjeku, bujku, futbollisti, pylltari, këngëtari, piktori…pra ta ngremë cilësinë e punës, për të mirën e këtij vendi, apo përherë të merremi me fjalë të mëdha dhe fare boshe!
Pra, ta shikojmë punën dhe vetëm punën. Vetëm ky është patriotizëm praktik. Ndaj, vetëm praktika është garanci e suksesit. E ne më kot jemi mësuar të flasim dhe vetëm të flasim. Eu vallë, sa bukur dimë të flasim. E, pak flasim me punë. Me punë të sinqertë. Pra, na mungon sinqeriteti për të punuar dhe për të ecur përpara. Na mungon vullneti për të mirën e vendit.
2.
Gjithsesi të gjithë kemi dashur një Kosovë shumë më ndryshe. Një Kosovë përparimtare, një Kosovë të rehatshme, ku secili do të bënë një jetë të lumtur dhe një jetë pa brenga. Dhe kemi shpresuar vazhdimisht kemi shpresuar, për një Kosovë, ku do të sundon ligji dhe ligjshmëria. E vazhdimisht ligji përmendet kudo, e në realitet ai nuk funksionon apo nuk zbatohet si duhet. Janë mbledhur lëndë e lëndë që të zgjidhen, por më kot presim e presim dhe u mbytem duke pritur. Megjithatë, shqiptarët e kanë shpresën e madhe. Kjo, sigurisht është veti shumë e mirë, por në anën tjetër duhet edhe të punojmë. Këtë asnjëherë, mos ta harrojmë. Vetëm puna e sinqertë do të na shpie përpara. Fatkeqësisht, ajo po na mungon dhe deri kur ajo do të na mungojë?
3.
Kemi shpresuar, pra një Kosovë pa korrupsion dhe pa krim të organizuar. E fatkeqësisht korrupsioni, vazhdimisht po lulëzon. Ai pra gjendet kudo e kurdo. Ai ka quar krye në çdo pore të jetës. Kjo njollë e zezë, shumë po e dëmton Kosovën. Atë po e gjykojmë vetëm teorikisht. Atë nuk po e gjykojmë praktikisht.
Në anën tjetër, po na mungon uniteti konkret për ta gjykuar atë. A thua deri kur do të na mungon ky konkretizim! Zaten, në këto kushte, populli mbeti i varfër. Kjo varfëri përditë po na shtohet e po na shtohet. Dhe, një kategori, mbeti jashtë mase i varfër. A kemi mundur dhe a po mendojmë se atyre duhet ndihmuar, apo përherë duhet lënë ata që të vuajnë!
4.
Vazhdimisht kemi shpresuar dhe shpresën e patëm të madhe, se gjendja ekonomike do të përmirësohet dhe do të jetë më e mirë. Megjithatë, papunësia është e madhe. Flitet për 60% të papunë. E më së shumti të rinj. Ata duan punë. Me diploma në xhepa, ata sillen rrugëve. E më kot ata shpresojnë… Në anën tjetër, një pjesë bukur e mirë e politikanëve tanë punojnë në 4-5 vende të punës! E të rinjtë tanë më kot kërkojnë punë. Politikanët tanë plot gojën e kanë ligj e demokraci. Këtë e bëjnë vetëm me teori, e praktikisht, ata asnjëherë nuk veprojnë. E të rinjtë tanë, përherë flasin e flasin; edhe kësaj i thonë ligj e demokraci?...
5.
Jemi mësuar të flasim dhe vazhdimisht kështu edhe veprojmë. E pak jemi mësuar që të punojmë. Dhe vallë a do të mbushemi ndonjëherë mend, se ky vend do punë dhe me sinqeritet do punë. Ky vend do drejtësi, demokraci, por edhe shumë njerëzi..
S’do mend se Kosova është lodhur dhe skajshmërisht është lodhur nga papunësia dhe nga parregullsia. Mjaft kemi vuajtur. Dhe, mjaft kemi qenë të nënçmuar dhe të përbuzur. Kemi qenë të burgosur dhe të vrarë. E tani na duhet vendosmëria për punë dhe për të ecur përpara. Borxh e kemi para populli dhe para shteti që të punojmë dhe me sinqeritet të punojmë. Këtë përherë e do Kosova jonë e dashur. Këtë amanet duhet ta kemi të qartë dhe asnjëherë mos ta harrojmë. “Kosova është gjaku im që nuk falet” thoshte përherë, poeti ynë i madh Ali Podrimja. Këtë, pra, duhet ta kujtojmë dhe në bazë të saj edhe të veprojmë.
6.
Pra tashmë 13 vjet kemi dashur dhe vazhdimisht kemi shpresuar, një Kosovë shumë më ndryshe. Një Kosovë unike. Një Kosovë ku sundon ligji dhe ligjshmëria. Kemi dashur një Kosovë përparimtare. Një Kosovë të bashkuar, ku të gjitha partitë do të flasin me një zë. Ku liderët tanë, për të cilët votoi populli, do të jenë të bashkuar dhe do të punojnë shumë më tepër për të mirën e këtij vendi dhe të këtij populli. Kemi dashur pra, e gjithmonë do të dëshironim një Kosovë demokratike e shumë përparimtare. Një Kosovë ku secili punon punën e vet ashtu si duhet. Pra, tash e 13 vjet, shpresuam dhe përherë do të shpresojmë një Kosovë shumë më ndryshe.
Një Kosovë të fortë dhe stabile. Apo, vetëm po shpresojmë e po shpresojmë. Dhe, vallë deri kur duhet, vetëm shpresuar?

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...