Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/01

"Na ka humbur rruga n'oborr"


A thua ishte aq e vështirë që pasuesit e Rugovës dhe Xhaferit ta vazhdojnë një rrugë të shtruar aq mirë, rrugën e miqësive të përhershme me fuqitë perëndimore, rrugën e vlerave dhe civilizimit perëndimor…


Shkruajnë: Ardian Coli dhe Edmond Demaj

Pjesa më e madhe e popullit shqiptarë i quajti gandët e kombit dhe Ballkanit, e po ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare pati një vlerësim të jashtëzakonshëm për ta. Fjala është për presidentin historik Ibrahim Rugova dhe liderin matanë kufirit, Arbën Xhaferi. Të dy këta u cilësuan si politikanë të urtë, mendjendritur dhe vizionarë. Ibrahim Rugova i cili me urtësinë dhe orientimin e tij pro-perëndimor arriti ta krijojë një unitet të jashtëzakonshëm në politikën ndërkombëtare për ta përkrahur popullin tonë në rrugën e lirisë, po ashtu pas çlirimit të vendit vazhdoi partneritetin duke forcuar aleancat dhe lidhjet me Perëndimin. Kjo u vërejt edhe në varrimin e tij ku morën pjesë burrështetas nga e gjithë bota. Arbën Xhaferi, një politikan vizionar me një analitikë të jashtëzakonshme, kishte orientuar gjithë politikën e tij drejt rrugëve, vlerave dhe civilizimit të Perëndimit dhe mundohej ta instalonte këtë orientim në të gjitha qarqet shqiptare me interpretimin që i bënte. Asokohe, Arbën Xhaferi në një intervistë pati thënë se shqiptarët nuk duhet as të marrin pjesë nëpër samitet islamike, jo për ndonjë inat, por për shkak të orientimit të cilin e kishte zgjedhur tashmë. Sepse, dihet se në samite dilet me konkluzione mbi të cilat palët duhet të vendosin nënshkrimet e tyre, nënshkrime të cilat sigurisht do të ishin në kundërshtim me vizionin, të cilin së paku në mënyrë retorike i gjithë spektri politik shqiptar e vë si orientim pro vlerave perëndimore, anëtarësimit në NATO dhe BE. Për të qenë më konkret, Arbën Xhaferi thoshte se shqiptarët nuk mund të kenë standarde të dyfishta, ku në njërën anë të punojnë për integrime evropiane dhe në anën tjetër të përqafojnë kulturën, traditën dhe aleancat me shtetet islamike.
Si u ndoq koncepti politik i dy liderëve
Çfarë ndodh në ditët kur asnjëri nga të lartpërmendurit nuk jetojnë më? Si u ndoq dhe u zhvillua koncepti i tyre politik, qasja dhe orientimi i tyre? A thua ishte aq e vështirë që pasuesit e tyre ta vazhdojnë një rrugë të shtruar aq mirë nga paraardhësit e tyre, në rrugën e miqësive të përhershme me fuqitë perëndimore, në rrugën e vlerave dhe civilizimit perëndimor dhe në rrugën drejt kthimit në familjen e madhe evropiane, aty ku edhe e ka vendin kombi shqiptar. A thua më e lehtë ishte të devijohet nga kjo rrugë? Në kohën që ne po jetojmë, përgjigja del të jetë që më lehtë është të devijohet. Në kohën kur kombit shqiptar, jo si luks, por si themel i duhen Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza, dhe shtatoret e tyre nëpër sheshet e kryeqendrave, si: Tirana, Prishtina e Shkupi që tinëzisht përbuzeshin. Por, koha vazhdon ta tregojë se Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza mund të jetonin edhe pa këto tri qendra dhe pa këto vende, sepse e gjithë bota i mbante dhe vazhdon t’i mbajë e ti respektojë si figurat më të ndritura, por nuk mund të jetonin këto tri qendra pa këto dy figura dhe shtatoret e tyre, emrat e rrugëve dhe institucioneve të cilat duhej t’i mbanin emrat e tyre, deshëm apo nuk deshëm ne. Këto ishin figurat që i jepnin vlerë të veçantë kombit shqiptar, figura të cilat vazhdojnë ta bindin botën se kombi ynë meriton respekt të veçantë. Problemi fillon te sjellja dhe dalja jonë nga rruga të cilën e servuan gandët Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi. Dalja e jonë nga binarët fillon me figurën e Gjergj Kastriotit, të cilën institucionet në Tiranë e përbuznin në vizitat e zyrtarëve nga Turqia. Kur delegacionet turke ia mësyn Tiranës, Qeveria, Ministria e Jashtme, Parlamenti e herë-herë edhe Presidenca, pa fijen e dinjitetit, duhet ta zhvendosin bustin e Kastriotit nga sallat e takimeve. Me sa duket, edhe pse pa kalë dhe pa shpatë, më pak i rrezikshëm, prapë ishte i bezdisshëm për delegacionet e shtetit të sotëm turk gjashtëqind vjet më vonë. Si për çudi, afërsisht kjo ndodh edhe në qendrat tjera shqiptare, kur shtatorja e Kastriotit arriti në Shkup qindra shqiptarë e pritën me shumë gëzim, por pati dhe të atillë që në xhaminë e Shkupit pëshpëritnin kundër saj dhe kundër madhështisë së tij, duke e quajtur agjent të Evropës së krishterë, bukëpërmbysës i Sulltanit etj. Pikërisht e njëjta ndodhi në atë kohë dimri në Prishtinë, edhe pse jo në atë shkallë sa në xhaminë e Shkupit. Devijimi tjetër ndodh me figurën e Nënë Terezës. Përderisa bota e vlerëson dhe e pranon si Shenjtëreshë dhe nënë, prapë po ne shqiptaret ishim ata të cilët nuk dëshironim ta pranonim si bijën dhe nënën tonë, e assesi si Shenjtëreshë, por e quanim me emrat, fyerjet dhe ofendimet më të pashembullta, si në Shkup, po ashtu dhe në Prishtinë. Por, siç u përmend më lart, këto dy qendra nuk mund të jetonin pa të, sikur që mund të jetonte kjo pa to, dhe detyroheshin t’i ngrinin buste jo për respektin, e as për turpin e tyre, por sa për ta përmirësuar imazhin në sytë e botës. Frikësohemi se nëse vazhdohet kjo rrugë e humbur, atëherë në një të ardhme të afërt do ta largojmë edhe figurën e Adem Jasharit e të tjerëve me radhë nga frika se mos po ofendohet Serbia. Devijimi tjetër me radhë vjen nga politika kosovare, e cila figurën e Ibrahim Rugovës e endte prej një skaji në tjetrin, varësisht prej disponimit të aktorëve politikë në ato momente dhe përkundër faktit që bota e respektonte dhe fliste në superlativ për të. Njeriu që me urtësinë dhe mençurinë e tij krijoi miq si ish-presidentin Klinton, ish-kryeministrin Toni Bler, zëvendëspresidentin e tashëm Xho Bajden etj., të cilët edhe sot nuk e harrojnë Kosovën, falë respektit që kanë për të ndjerin, president Ibrahim Rugova.
Kah po shkojmë?
Devijimi tjetër, fatkeqësisht sa për t’i mbrojtur ato të parat, vjen deklarata e pasuesit të Arbën Xhaferit, i cili në një tubim publik thotë se në Maqedoni nuk është vendi i koncepteve dhe orientimeve perëndimore e kishtare, por është vendi ku thuhet Allahu Egber. Sa për ta sqaruar, nuk jemi aspak kundër që të lartësohet emri i Zotit, sidoqoftë nga kushdo qoftë, sepse më shekuj ne jetojmë mjaft mirë bashkë me kisha e xhamia, dhe kjo s’ishte as nuk duhet të jetë aspak problem për shqiptarët. Jemi kundër politikanëve që nuk merren me çështjet kombëtare, por merren me atë që as prijësit fetarë nuk merren, edhe pse është profesion i tyre. Jemi kundër, siç besojmë edhe shumica shqiptare pa dallim feje, që ne t’i krijojmë çerdhet e liderit radikal islamik, Omar Bakri.
A thua mendojnë këta njerëz se si mund të na ndihmojë njeriu më i kërkuar nga Amerika, Anglia, Gjermania, e kështu me radhë! Ky i fundit pak ditë më herët doli me një deklaratë, kur thoshte se tani është koha që të bëjmë aksione edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ku ishte ky Omar Bakri më herët që nuk i çliroi shqiptarët sa ishin të pushtuar? Nga kush dëshiron t’i çlirojë shqiptarët ky? Interes dhe qëllim i kujt është që të njolloset njëri nga kombet më të vjetra dhe më të pastra në Evropë? Kur themi që jemi kundër kësaj dëshirojmë të themi se është më mirë ta ndjekim rrugën e Ibrahim Rugovës dhe Arbën Xhaferit, dhe t’i themi këtij Omarit dhe të gjithë atyre Omarëve të tjerë se shqiptarët nuk kanë nevojë për ndihmë prej terroristëve si ai, se e kanë Amerikën dhe Evropën që e bëjnë atë punë. T’i themi këtij Omarit se neve nuk na mundon feja, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Disa politikanë në skenën politike kosovare sot shihen nga një kënd refuzues për bashkëpunim nga ndërkombëtarët. Ka të atillë që i kanë keqësuar raportet me Ambasadën amerikane, të atillë që kritikohen nga deputetët evropianë, të atillë që u kërkohet publikisht dorëheqje nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, për shkak të lidhjeve të dyshimta me Rusinë armike. Në kohën kur Turqia arriti ndarjen e famshme të kohës, e cila i ndau shqiptarët në tri fe, atë katolike, ortodokse dhe myslimane dhe në kohën kur më të vërtetë rrezikohej gjithçka dhe vetë kombi shqiptar, ndodhi mrekullia, shqiptarët i harruan të gjitha pikëpamjet fetare për t’u bashkuar rreth kombit dhe për t’ia bërë me dije Turqisë që shqiptarët do të rrojnë dhe më tej, pa marrë parasysh se në cilën fe i luten dhe e lartësojnë Zotin e tyre. Në vend që delegacionet turke të ndihen keq për veprat e paraardhësve te tyre, ata kërkojnë që ne ta largojmë nga historia një ndër figurat më të respektuara në Evropë. Historia nuk ndërrohet. Vallë, kaq kohë më vonë në këto rrethana a do të dinë shqiptarët t’i kthehen rrugës së vjetër për ta mbrojtur kombin e tyre, atë komb që ua dha Perëndia tamam si në këto vargje të ndaluara kohë më parë për shqiptarët në himnin e tyre: Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne. Apo dëshirojmë të mësojmë nga Atë Gjergj Fishta, i cili i bëri thirrje Evropës në Konferencën e Paqes në Paris që të ndalte ato që ai i quajti mizoritë e kristianëve serbë dhe grekë kundër shqiptarëve. E çuditshme se si në ditët e sotme shqiptarët nuk mund të tregojnë emancipim as afër atij çfarë treguan paraardhësit e tyre. Kah po shkojmë?

Pavarësia e Shqipërisë dhe Austria


“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij !..Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë, vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re !!.....Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe”


Shkruan: Fahri XHARRA



Kontit Leopold Berthold i ngutej, e donte një njeri të besueshëm që s`i del fjala, e donte një përkthyes e shkuar përkthyesi, sepse ai kishte për t`u takuar me Ismail Qemailin për t`i thënë se kishte ardhur koha e shqiptarëve. Ishte kjo para 100 vitesh, ishte lajmi më i gëzuar në historinë tonë.
Atë David Pepa dhe sekreti shtetëror austriak
Në Vjenë më 1912-n, ”nëpunësit e Ministrisë Jashtme në Vjenë kërkuan kolegun e tij, Atë Anton Harapin. Mbasi ai ishte kthye në Shqipni, atëherë (Davidin) e mueren me urgjencë dhe e çuen në Vjenë. Aty e shtinë në nji zyrë dhe e bane me u betue se nuk do t’i nxirrte kurr sekretet. E mueren si përkthyes ndër bisedimet që Ministri i Jashtëm Berthold do të zhvillonte me Ismail Kemal Bej Vlorën…(“Dushman – Temali në rrjedhje të kohëve”, Ndoc Ndoja). Dhe përkthimin e udhëhoqi Atë David Pepa. Kush ishte Atë David Pepa- që Austria ia besoi sekretin shtetëror? Atë Davidi shquhet për veprimtari të madhe atdhetare në kontributin e tij si përkthyes i gjermanishtes në shqip në takimin e ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro – Hungareze, Konti Leopold Bertholdi me Ismail Qemalin në Vjenë në prag të Pavarësisë së Shqipërisë..... …Atëherë Bertholdi i parashtroi Ismail Kemal Beut që të delte sa ma pare në Shqipni për të shpallë pamvarsinë. Ismaili iu përgjigj: “Mirë se flamurin e kam, por nuk kam shtizë ku ta naltoj, dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn”. Atëherë Konti Berthold iu përgjigj:”Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake.” Kishte ba që 40 mijë trupa të niseshin nga Bosnja në kufi të Malit të Zi. Ismail Beu plot gëzim iu përgjigj: “Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo asht garanci për shtetin e ri shqiptar. Atë Davidin e ngarkuen me e shoqnue Ismail Kemalin deri në Triestë, ku pritëshin tjerë shqiptar “. Më vjen keq që historia 5o vjeqare e komunizmit dhe kjo e fundit 20 vjeqare heshtin për veprën fisnike atdhetare të At David Pepës. Të rrije si hije edhe pranë burrit të madh të Pavarësisë, plakut të Vlorës Ismail Qemali ishte një nder i madh dhe të bisedoje akoma edhe t’i përktheje fjalët e urta të kryeministrit të Parë të Shqipnisë pas 443 vjet robëri osmane në Zyrën e Kontit Berhtoldit, ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro – Hungarisë ma të pathyeshëm në atë kohë në Evropë në pragun e Pavarësisë ishte një vlerë historike, që nuk mund ta pranoji analet historike të heshtet të vazhdohet ende të injorohet me heshtjen e Atë David Pepës si njeri i klerit e mbi të gjitha si shqiptar i gjakut të Kastriotëve. ”Është nder për Të dhe nje nder i madh i bahet historisë. Nder i bahet edhe Ismail Qemalit që kishte në biseda sekrete për atë kohë një djalosh besnik, student i ri në Vjenë nga Shkodra i quejtun David Pepa (Ndoc Ndoja)”. ”Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake.” Ismail Beu plot gëzim iu përgjigj: “Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo asht garanci për shtetin e ri shqiptar. Dhe unë mendoj se s`ka gjë më të dëmshëm se sa të gjymtohet e vërteta për hirë të paragjykimeve politike fetare, sektare, interesave personale të të gjitha llojeve ndaj cilido njeri për punën dhe veprën edhe ’’të vogël’’ ndaj kombit dhe njeriut.
Ismail Qemali dhe shpallja e pavarësisë
Si do të dukeshim sot po mos të ishte Ismail Qemali, i cili përkundër pozitës së tij në Perandorinë Otomane, i cili përkundër pasurisë dhe familjës që e rrezikonte , nuk u zbraps nga ideja e ”fjetur” në zemrën e tij dhe të të gjithë shqiptarëve për 445 vjet, që Shqipërinë ta shpallte mëvete. Por, kur kontit Berhtold , i duhej një përkthyes i besueshëm , por si e zgjodhi mu Ismail Qemalin ,? Rastësi? Jo. Por, unë mendoj se s`ka gjë më të dëmshëm se sa të gjymtohet dhe të mëshefet e vërteta për hirë të paragjykimeve politike fetare, sektare,interesave personale të të gjitha llojeve dhe të heshtet e të mos flitet për vendimmarrësin më fortë të para 100 vjetëve konti Von Berchtold. Leopold, Konti von Berchtold, me emrin e plotë Leopold Anton Johann Sigismund Joseph Korsinus Ferdinand, Konti Von Berchtold (1863-1942), monistër i Jashtëm i Austro-Hungarisë është figurë e madhe që ne për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë duhet t`i bëjmë homazhe. Konti i ynë, një pasanik i madh i Austro-Hungarisë, u fut në shërbimin diplomatik të shtetit të tij me 1893, ku zuri vende të rëndësishme në Paris dhe Londër dhe me 1906 u emërua ambasador në Rusi. Më 12 shkurt 1912 u emërua ministër i Jashtëm. Dhe e shihni që pas disa muajsh e kërkoi Ismail Qemalin që të shpallë pavarësinë dhe të mbetet Serbia pa dalje në det. Dihet fort mirë që dalja e Serbisë në Adriatik kishte për të pasur pasoja tragjike për shqiptarët. Humbja e një populli të tërë. Konti Berhtold e kishte përkrahjen e madhe apo si quhej në diplomaci ”çekun e bardhë” të Gjermanisë në vendimin e Austo-Hungarisë për ”luftë me të gjithë” që e pengonin Pavarësinë e Shqipërisë. Si të prehej Serbia, kjo ishte brenga e Berhtoldit. Britanikët ishin të bindur në vendimin e drejtë të Vjenës, por grekët e kuptuan dhe e kishin një pamje më të gjerë dhe i kuptuan mirë veprimet e Berhtoldid në Pallplatz të cilat mund të kishin ”pasoja” për të. Edhe pse shkohej kundër formulës ”Stop në Beograd” por gjithsesi trupat austriake mund të okuponin Beogradin me pohimin e Fuqive të Mëdha,q ë kështu Serbia të pranonte ultimatumin. Dëshira e Austrisë ishte që Kosova t`i jepej Shqipërisë.
Idetë nacionale dhe nacionaliste
Sipas shënimeve serbe, problemi i madh i shqiptarëve të kohës së pavarësisë dhe para saj ishte ndarja sa u përket ideve nacionale dhe nacionaliste në atë kohë: ishin të shkapërderdhura në tri segmente: ato në brendi, ato në periferi dhe të atyre që jetonin jashtë ”shtetit”. Të brendshmit ishin shumë konservatorë; sepse me besimin e madh ne solidaritetin mysliman (së bashku me Turqinë) ata i dëshpëronin shqiptarët e diasporës. Ata të brendshmit ushqenin ende një mentalitet feudal, të cilët mendonin që Shqipërisë i duheshin shumë dekada para se të bëhet gati për nacionalizëm dhe kufij, çka tregonte një amulli ndaj atyre të jashtmëve që punonin në këtë drejtim. Dhe është plotësisht e kuptueshme pse shqiptarët patriotë e ndien të nevojshme për një Rilindje Kombëtare., Dhe kjo e shpjegon pse Manastiri, Ohri, Kiqeva, Dibra, Prizreni, Prishtina, Gjakova dhe Shkodra ishin tërheqëse për revolucionarët. Kjo e shpjegonte afinitetin filozofik të shqiptarëve të jashtëm dhe atyre të kufirit. 12 gusht 1912 u përhapën lajme se shqiptarët do të sulmojnë Prizrenin, turqit e filluan ikjen e tyre në qytete më të sigurta për ata. Pritej një lëvizje e madhe, që kulmoi me grumbullimin e 15 mijë shqiptarëve drejt Shkupit.. Shqiptarët e armatosur e çliruan Gjakovën. Mitrovicën dhe u futën në Shkup.....
Dhe, me ndihmën e Austro-Hungarisë, kontit Berthtold dhe vullnetit të madh për atdhe të Ismail Qemalit, erdhi dita e realizimit të një ëndrre 500-vjeçare:
"Në Vlonë më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912
Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme".

Kolonializmi serbo-sllav mbi Shqipërinë Etnike është krim ndërkombëtar



Të mos keqkuptohemi dhe të mos keqinterpretohemi për qëllime të ndryshme të kulltukofagëve të politikës ditore kozmopolitiste, se gjoja ata që po kërkojnë ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, “janë destabilizues të sigurisë dhe të paqes rajonale”, sepse kjo është tezë akuzuese serbo-sllave. Kjo nuk është fare e vërtetë, por është një gënjeshtër ordinere e politikës dhe e propagandës serbo-sllave, që në mënyrë koherente dhe kohezive është në funksion të shkatërrimit dhe të mohimit të identitit kombëtar, shtetëror dhe territorial të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve në Ballkan (1878-2012)

Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI



Pse politika kozmopolitike shqiptare për motive të pakuptueshme po e heshtë problemin e pazgjidhur kolonial shqiptar në Ballkan është çështje në vete dhe për vete. Mirëpo, shkenca shqiptare nuk e gëzon një “privilegj” të këtillë mbi asnjë bazë qoftë morale, qoftë politike a shkencore. Përkundrazi, e ka për detyrë jo vetëm që ta korrigjojë, ta ndërtojë, por edhe ta artikulojë një politikë të këtillë mbi baza shkencore, strategjike, politike dhe kombëtare. Çështja koloniale shqiptare në Ballkan, nuk është vetëm çështje monopoli e elitave politike zyrtare shqiptare dhe e bizneseve tregtare, por edhe e shkencës, e inteligjencies dhe e gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë Etnike. Si politika e “lartë”, ashtu edhe shkenca “e dremitur” shqiptare nuk kanë asnjë arsye të qëndrueshme që në vend se ta quajnë, dhe ta stigmatizojnë me emër të vërtetë kolonializmin serbo-sllav mbi Shqipërinë Etnike, të përdorin eufemizma të ndryshëm politikë dhe apolitikë, të cilët jo vetëm se e abstrahojnë, por edhe e justifikojnë fenomenin e kolonializmit serbo-sllav para politikës ndërkombëtare. Thjesht, përderisa politika zyrtare shqiptare në asnjë kërkesë të saj, nuk e parashtron me theks të posaçëm problemin e kolonializmit serbomadh mbi Kosovën dhe tokat e tjera shqiptare, domethënë ai me vetëdije të plotë heshtet, përkatësisht nuk ekziston fare si i tillë. Andaj, me arsye shtrohet pyetja, pse dikush tjetër, të dalë, dhe të pohojë para botës, se në Kosovë dhe në viset e tjera autoktone shqiptare sundon terrori dhe kolonializmi sllav, kur ne, kemi plotësisht të drejtë dhe fundja e kemi për detyrë që vetë ta luftojmë dhe ta bëjmë çështje në mënyrë permanente para bashkësisë ndërkombëtare këtë dukuri të shëmtuar të botës së qytetëruar. Meqë, të gjithë jemi në dijeni se në Ballkan, nuk mbretëron kurrfarë “terrorizmi shqiptar”, por kolonializmi terrorist serbo-sllav, atëherë pse po i mbyllim sytë para ndërrimit dhe imponimit të kësaj teze famëkeqe dhe akuzuese, (edhe politika, edhe shkenca shqiptare) të cilën propaganda shoviniste serbomadhe sllave po e përdorë si instrumentin më të përshtatshëm politik dhe propagandistik, jo vetëm për t’i murkulluar të gjitha mëkatet dhe veprat gjenocidale shekullore të kryera ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, por edhe për t’i “rinovuar” ato si “vlera demokratike” në favor të trendëve më të reja të integrimeve rajonale ballkanike dhe evropiane. Derisa heshtim dhe e sakrifikojmë në mënyrë irracionale të vërtetën historike shqiptare, atëherë nolens volens armiku kolonialist serbo-sllav këtë po e kapitalizon në favor të politikës së tij, si shprehje të “ligjshme” dhe si të “drejtë pushtuese” mbi Kosovën dhe Shqipërinë Etnike, e cila me çdo kusht (sikurse gjatë historisë së deritashme falsifikatore 1878-1999), duke mos zgjedhur mjete as metoda, as aleatë ( ballkanikë, lindorë a perëndimorë evropianë), por vetëm duke marrë për bazë gojëdhënat, legjendat, mitologjinë “e ligjshme”, të shkruara nga “klerikët e baltës”, si edhe fenomenin e shpifur “terrorizëm shqiptar”, po orvatet ta anulojnë të drejtën e natyrshme historike të ligjshme-të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve për të dalë nga kthetrat e përgjakshme të kolonializmit dhe të imperializmit shekullor sllav në Ballkan. Mirëpo, të gjitha këto përpjekje të diplomacisë dhe të propagandës së regjimit të egër kolonialist sllav, që shqiptarët dhe territoret e tyre etnike, t’i mbajë edhe më tej me dhunë nën juridiksionin kolonial, ligjërisht, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, janë të dënueshme, se përbëjnë vepër penale (krim) ndërkombëtar. Këtë postulat të së drejtës ndërkombëtare, e di mirë edhe politika dhe shkenca serbe, (sikurse që e dinë edhe më mirë, edhe aktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo nuk janë të gatshëm, as të vullnetshëm që atë ta vënë në “rend dite”, si rrjedhim i mungesës dhe i miopisë së forcës centrifugale të politikës dhe të diplomacisë shqiptare, e cila dita-ditës po vetëviktimizohet dhe po shterohet, duke “vrapuar” që të zërë “trenin e fundit” të standardizimeve teknike dhe të integrimeve hibride rajonale, të cilat për nga përmbajtja e tyre në afat të gjatë, përjashtojnë mëvetësimin dhe të drejtën e vetëvendosjes së Shqipërisë Etnike në favor të politikës dhe të sundimit të kolonializmit serbo-sllav). Gjatë historisë së deritashme të marrëdhënieve shqiptare-serbe, asnjëherë nuk e ka pranuar këtë të vërtetë shkencore, dhe se nuk është duke e pranuar, as sot, në shekullin XXI, sepse kundërveprimi i politikës së jashtme dhe i diplomacisë, si dhe i shkencës shqiptare në mohimin e së “drejtës pushtuese” serbo-malazeze ndaj tërësisë së Shqipërisë Etnike, në vijimësi ka qenë dhe, sidomos sot është tejet heterogjen dhe i zhbalancuar, që fatkeqësisht i ngjet një anijeje të fundosur në cektinë, si pasojë e avarisë së “motorit të brendshëm” të saj. Kjo ka për pasojë përçarjen dhe mosunitetin e politikës sonë shqiptare, në veçanti që nga gjysma e dytë e shekullit XX.
Aneksimi i gjysmës së kombit shqiptar
Aktorë të krimeve erga omnes mbi Shqipërinë Etnike janë Serbia, Mali i Zi, FYROM-i dhe Greqia, e jo kurrsesi shqiptarët e kolonizuar nën “ombrellën” e tyre të skuqur imperialiste (1878-2012). Për t’i bindur aktorët sllavë (Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe FYROM-in), se vetë janë ushtrues dhe bartës kryesorë të terrorizmit dhe të krimeve ndërkombëtare mbi popullatën e pafajshme shqiptare dhe mbi tokat e tyre stërgjyshore të Shqipërisë Etnike, erga omnes krime cilësohen ato, që përveç rrezikimit të marrëdhënieve ndërshtetërore rajonale, pa dyshim rrezikojnë edhe paqenë e sigurinë ndërkombëtare, është e domosdoshme, që të shërbehemi (briefli) vetëm me gjuhën dhe në fuqinë e argumenteve shkencore historike, juridike dhe politike. Sipas Nenit 19, pika 2 të Projektrregulloreve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, krim ndërkombëtar konsiderohet: “vepra e kundërligjshme ndërkombëtare e ndonjë shteti, që rezulton si pasojë e shkeljes së detyrimit ndërkombëtar, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesave kryesore të bashkësisë ndërkombëtare, cenimi i së cilës njihet (sanksionohet) si krim nga ana e kësaj bashkësie në tërësinë e saj të përkufizuar. Përpos pikave 2 dhe 3 të Nenit 19, të theksuar, edhe sipas rregullave në fuqi të së drejtës ndërkombëtare, krime ndërkombëtare përbëjnë edhe: (i) cenimi flagrant i ndonjë detyrimi ndërkombëtar me rëndësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, si dhe detyrimet që ndalojnë agresionin; (II) shkelja e rëndë e së drejtës së vetëvendosjes së popujve, si dhe e atyre të drejtave, që e dënojnë krijimin dhe sundimin me forcë të zotërimit kolonial; (III) mosrespektimi i normave që sanksionojnë robërinë, aparteidin dhe gjenocidin; (IV) shpërfillja e normave që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe me ruajtjen e ambientit të njeriut, si dhe të atyre që e ndalojnë ndotjen masive të atmosferës dhe të deteve.”( Yearbook of the International Law Commission,1975, vol.II, p.55-59; Yearbook of the ILC, 1980, vol.II, part 2, p.30; “State Responsibility and the Unmaking of International Law”: in Harvard International Journal, no.29, 1988, p.1; “International Responsibility” by E. Jimenez de Arechaga, in Manual of Public International Law, London, 1968, p. 531, 534).21
Sa më sipër, sipas rregullave dhe normave të së drejtës ndërkombëtare, ndër të tjera, krime ndërkombëtare konsiderohen: “agresioni, zotërimi kolonial me forcë, gjenocidi, robëria dhe aparteidi, si dhe piratëria në detin e hapur(sipas së drejtës klasike ndërkombëtare).” (G.Gilbert, “The Criminal Responsibility of States”, ILC(39), 1990, p.345; )
Për t’i rikujtuar kryerësit-atavistë sllavë (si dhe mbështetësit e tyre, të brendshëm dhe të jashtëm) se të gjitha këto lloje të krimeve antishqiptare dhe antinjerëzore i kanë kryer ndër shekuj në dëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, si dhe në dekadën e fundme të shekullit XX (1989-1999) e deri më sot të fillimshekullit XXI (2012), është e domosdoshme, që të japim një kronologji shumë të shkurtër faktografike të historisë politike dhe gjeopolitike të etapave më karakteristike të procesit të kolonizimit dhe të aneksimit të gjysmës (50%) së kombit shqiptar dhe të territorit indigjen të Shqipërisë Etnike nga ana e Serbisë, e Malit të Zi, e FYROM-it dhe e Greqisë.
S’ka dyshim se rrënjët e së keqes së kolonializmit të shteteve të theksuara serbo-sllave, kanë zënë të shtrihen në thellësinë dhe në gjerësinë e tokës etnike shqiptare definitivisht ( de facto dhe de jure) që nga vendimet famëkeqe antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), kur fuqitë e mëdha evropiane gjysmën e territorit të Shqipërisë Etnike ia dhuruan “sihariq” Serbisë (Kurshumlinë, Bllacën, Vranjën, Leskovikun, Nishin, Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Kosovën, Shkupin, Tetovën, Strugën, Dibrën, Kumanovën, Manastirin, Ohrin dhe tërë rajonin e Pollogut); Malit të Zi (Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Ulqinin dhe Tivarin); Greqisë ( Çamërinë etj.). Duhet të nënvizojmë se, përveç tjetërsimit të paligjshëm të gjithë këtij territori kompakt shqiptar, Serbia dhe Mali i Zi, në të njëjtën kohë, bën spastrimin etnik të shumicës së këtyre trojeve, në veçanti të trevave të Kosovës Lindore, duke i vrarë, duke i djegur dhe, duke i shpërngulur shqiptarët nga vatrat e tyre ilirike-arbërore. Për të realizuar këtë projekt gjenocidal antishqiptar, Serbia dhe Mali i Zi, në veçanti përfitojnë nga transaksionet e Perandorisë Osmane (sulltanët e së cilës, pa kurrfarë të drejte morale, as ligjore ia patën “bërë teslim” Serbisë dhe Malit të Zi hiq më pak se 50% të vilajetit shqiptar. Mirëpo, serbët dhe malazezë, që sot e 100 vjet të shkuara, në asnjë mënyrë, nuk janë treguar mirënjohës as ndaj sulltanatit, as ndaj Turqisë së sotme. Përkundrazi, i konsiderojnë armiq sikurse edhe shqiptarët, natyrisht, duke i ndërruar tezat edhe në këtë rast konkret dhe, duke e vënë nën hipotekë të derisotme të “Sëmurin e Bosforit”, kinse, për shkak të simetrisë fetare, i ka favorizuar shqiptarët në disfavor të Bizantit mesjetar ortodoks. Kjo akuzë është aq vulgare dhe transparente, saqë nuk meriton elaborim të mëtejm, sepse vetë fakti që, edhe sot e asaj dite , shqiptarët dhe tokat e tyre ende kanë ngelur nën “kurorën” mizore të ortodoksizmit kolonial serbo-malazez, sheshit dëshmon se religjioni islam dhe pushteti sundimtar anadollak 500-vjeçar, ka qenë me “trup dhe me shpirt” në anën e favorizimit të elementit serb ortodoks, e jo të shqiptarëve, në asnjë mënyrë. Fatkeqësisht, historia e ka dëshmuar të kundërtën. Sikur të kishte qenë ashtu, siç pohojnë tezat e paqëndrueshme të politikës, të kuazishkencës dhe Kishës Ortodokse Serbe, Shqipëria Etnike, do ta kishte lirinë dhe pavarësinë e saj, që nga Kongresi i Berlinit, (1878) dhe të fuqive të mëdha evropiane. Këtë e provon edhe krijimi i Lidhjes së Prizrenit (1878) si antitezë historike, kombëtare dhe politike e pezullimit praktik të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit në copëtimin, aneksimin dhe në pushtimin kolonial të trojeve etnike shqiptare. Mirëpo, aspiratat dhe lufta çlirimtare kombëtare e Lidhjes së Prizrenit për t’i rikthyer territoret e saj në zotërimin e titullarit të ligjshëm historik-shqiptarëve, ngelin të pakurorëzuara, për shkak të thyerjes së saj ushtarakisht nga Perandoria Osmane, si dhe nga Rusia dhe aleatët e saj. Kjo pati për pasojë që, në vazhdimësinë e mëpastajme historike, gjysma e shqiptarëve dhe e Shqipërisë Etnike të mbetet koloni e Serbisë, e Malit të Zi, e Greqisë (në kohën më të re, që nga viti 1990-2003) dhe e FYROM-it.
Luftërat e rezistencës kundër kolonizimit
Etapa e dytë e “rikonfirmimit “ (përmes represalieve dhe gjenocidit) të kolonizimit të Shqipërisë Etnike nga ana e imperialistëve serbo-sllavë, fillon të intensifikohet nga shtatori i vitit 1912, si dhe nga gushti i vitit 1913, si rrjedhim i vendimeve të kundërligjshme historike të Konferencës së Londrës (dhjetor 1912- gusht 1913), sipas të cilave Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë “ligjërisht” iu dhurua 50% e territorit autokton shqiptar, të cilin status kolonial serbo-sllav e ka edhe sot Shqipëria Etnike. Gjithashtu, vitet 1918-1919, shënojnë etapën e tretë të kolonizimit të Shqipërisë Etnike, sepse Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, përmes krimeve të terrorit gjenocidal, tërësinë territoriale dhe të popullatës së saj shqiptare, e përthithin brenda kufijve shtetëror serbo-malazez. Një akt i këtillë kriminal (sipas së drejtës ndërkombëtare) ndërkombëtar i Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene është i dënueshëm edhe sipas neneve 20 dhe 22(4) të Konventës së Lidhjes së Kombeve (1919). Po ashtu, edhe gjatë viteve 1919-1941, shfaqet etapa e katërt e koloniazimit të Shqipërisë Etnike nga Mbretëria Jugosllave ( de facto dhe de jure Serbia e Madhe, kufijtë kolonialë të së cilës më pastaj, që nga viti 1945, i trashëgoi edhe Jugosllavia Socialiste(Serbia e Madhe) e Josip. B. Titos, e Dobrica Qosit, e Slobodan Milosheviqit, dhe e Vojislav Koshtunicës), që njëkohësisht ishte në kundërshtim flagrant me Konventën e theksuar të Lidhjes së Kombeve, sepse zyrtarisht, ajo deklarohet dhe trajtohet si koloni jugosllave, e cila popullohet me kolonistët serbë dhe me malazezë, boshatiset duke i vrarë dhe, duke i shpërngulur me dhunë, me terror dhe me gjenocid me qindra e mijëra shqiptarë kryesisht në Turqi. Duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit (1878) e deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët kanë zhvilluar kryengritjet dhe luftërat e rezistencës kundër kolonizimit dhe rikolonizimit të Shqipërisë Etnike, këtë e dëshmon edhe Rezoluta e Konferencës Nacionalçlirimtare e Bujanit, më 2 janar 1944, sipas së cilës Kosova përkufizohej si shtet sovran dhe pjesë e pandashme e Shqipërisë Etnike. Mirëpo, (pjesërisht, Qeveria e Përkohshme Shqiptare e Vlorës së Ismail Qemalit, 28.XI.1912) nuk kanë arritur që t’i kurorëzojnë objektivat dhe imperativin e tyre të çlirimit, të ribashkimit dhe të pavarësisë së plotë politike, kombëtare dhe terrioriale, për shkak të agresioneve dhe ndërhyrjeve invaduese militariste të vendeve fqinje sllave, të ndihmuara drejtpërdrejt nga Perandoria Osmane, Rusia dhe Franca. Të gjitha fazat historike-politike të pushtimit kolonial të Shqipërisë Etnike nga ana e Serbisë së Madhe, dhe e vendeve të tjera fqinje sllave (FYROM-i dhe Greqia), sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, përbëjnë krim ndërkombëtar, që në vijimësi karakterizohet nga koherenca e gjenocidit, e agresionit, e terrorizmit, e aparteidit dhe e kolonializmit.

Antibashkimi është arma kryesore e rimëkëmbjes së sferës së interesit ruso-sllav në Ballkan




Të mjerë janë ata filoserbë, që për interesa të tyre personale promovuese, pushtetare, grupore, nepotiste, partiake, ideologjike, politike, ekonomike, financiare dhe tregtare po u bëjnë argatë agjenturave dhe shërbimeve të huaja për shpërfytyrimin-vrasjen e idesë shekullore të ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Një luftë e tillë e kuislingëve shqipfolës kundër bashkimit kombëtar shqiptar, pikësëpari, është në shpërputhje me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Shqipërinë Etnike, me Kushtetutën e sotme të Shqipërisë (1998), si dhe me të drejtën e vetëvendosjes, si pjesë fondamentale e së drejtës ndërkombëtare


Shkruan: Prof. dr. Mehdi Hyseni



Përralla disavjeçare e filozofisë së mjerë e politikave zyrtare shqiptare në Ballkan se gjoja shqiptarët do të bashkohen në Evropë, është një utopi dhe mashtrim sui generis, që nuk përputhet në asnjë segment me realitetet e sotme të politikës integruese të BE-së. Po si mund të bashkohen shqiptarët në BE, kur qe 100 vjet ata nuk qenë në gjendje, që së pari si komb, si territor dhe si shtet, të bashkohen në Ballkan, ashtu sikurse popujt e tjerë fqinjë të Ballkanit?!
Tradhtia 100-vjeçare dhe bashkimi i shqiptarëve
Nuk ka dyshim se shqiptarët do bashkohen në Ballkan dhe në Evropën e integruar, kur të perëndojë tradhtia 100 e sa vjeçare ndërmjet njëri-tjetrit. Atëherë, do të fitojnë shqiptarët, Shqipëria Etnike, Ballkani dhe Evropa e integruar demokratike dhe paqësore. Ndryshe, do të vazhdojë “kënga e vjetër” e sundimit dhe e dominimit kolonial 100-vjeçar ruso-sllav mbi kombin dhe mbi shtetin e copëtuar shqiptar në Ballkan si këtu e njëqind vitet e shkuara (1912-2012). Duke mos llogaritur luftërat dhe kryengritjet mëparshme qindravjeçare, shqiptarët, edhe në shekujt XIX , XX dhe XXI, ende po zhvillojnë luftë për lirinë, pavarësinë dhe ribashkimin e tyre (edhe si komb, edhe si shtet) natyral në dy fronte: 1) Kundër aleancës ruso-sllavo ballkanike dhe 2) Kundër filoserbëve kolaboracionistë “kalemxhinj” dhe “buçukxhinj”, të cilët kanë gjetur gjuhë dhe interes të përbashkët politik, ekonomik dhe tregtar me amalgamën ruso-sllave në Ballkan dhe, nuk zgjedhin mjete, as metoda për t’i anatemuar, shpifur, denigruar, denoncuar dhe përbaltur veprimtarët patriotë, demokratë dhe paqësorë shqiptarë, të cilët botërisht pa kursyer asgjë prej vetes, janë vënë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e së drejtës legjitime dhe historike të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Duan të jetojnë të lirë dhe sovranë në shtëpinë e tyre të përbashkët, ashtu sikurse popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Evropës, asgjë më shumë, as më pak.
-Tradicionalisht, qe më se 100 vjet, vetëm serbët dhe aleatët e tyre kolonialistë dhe imperialistë ballkanikë, pa asnjë të drejtë (për t’i ruajtur kolonitë e tyre shqiptare) e kundërshtojnë ribashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, duke e cilësuar si “rrezik” dhe si “bombë përflakësh” të Ballkanit, ashtu siç vepruan paraprakisht, edhe me rastin e shkolonizimit dhe të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo, koha provoi të kundërtën-stabilizimin dhe qetësimin e Ballkanit. Tanimë Republikën e Kosovës e kanë njohur 90 shtete të bashkësisë ndërkombëtare. Ballkani nuk u dogj, por u dogj sundimi kolonial njëqindvjeçar i Serbisë në Kosovën e Shqipërisë, si dhe politika, propaganda dhe pseudoshkenca shpifëse e kolaboracionistëve komunistë dhe fashistë filoserbë. Kështu, do të ndodhë edhe me rastin e ribashkimit të Shqipërisë Etnike Natyrale, nuk do të përflaket Ballkani, por do të perëndojë përgjithmonë vetëm politika dhe praktika kolonialiste serbosllave në territoret etnike shqiptare, si dhe përgjithmonë do të vetëvritet tradhtia e kolaboracionizmit filoserb, e jo rajoni ballkanik e as vetë Shqipëria, siç po gënjen dhe po spekulojnë me paturpësi “qatipët” dhe “pazhët” e panderuar dhe të shtirur si “demokratë” të proceseve të reja integruese dhe demokratike të BE-së.
Prof. dr. Noel Malkolm: “Bashkimi i shqiptarëve nuk e kërcënon, as nuk e rrezikon Ballkanin, por e kundërta”
Këtë vlerësim objektiv dhe të qëndrueshëm, duhet ta mbajnë parasysh dhe, ta mbajnë mirë në mend, jo vetëm historiani Enver Bytyçi dhe kryeministri Sali Berisha, por të gjithë historianët, politikologët, diplomatët, shkrimtarët, politikanët dhe shtetarët( ministrat, kryeministrat dhe presidentët) shqiptarë, sepse kjo është e vërteta mbi përmbajtjen e ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të efektivitetit të tij pozitiv, që në asnjë mënyrë nuk e rrezikon, por e qetëson dhe e paqëson Ballkanin. Kjo është e vërteta si dielli dhe si drita para së cilës shqiptarët nuk duhet t’i mbyllin sytë, sepse mund të verbohen dhe të vriten nga realiteti. Nuk ka tjetër alternativë, pos ribashkimit kombëtar, i cili është shpëtimi i vetëm i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike Natyrale.
Enver Bytyçi dhe Sali Berisha, ndryshe nga historiani i shquar Noel Malkolmi!
Miqtë tanë amerikanë dhe evropianë ndërkombëtarë sikurse Noel Malkolm mbështesin bashkimin kombëtar shqiptar, kurse disa Enverë Berishistë me “kruzhokët” e tyre e mohojnë vetveten!? Çfarë t’i thuhet më tepër këtij fenomeni negativ shqiptar veçse logjikë e robit, që është regjur të ushqehet me karremat dhe me nusproduktet e “fabrikave” të huaja agjenturore antishqiptare. Në dhjetorin e vitit 201, pata rastin të lexoj një artikull të keq me titull “Bashkimi kombëtar, cila alternativë: Konflikti apo integrimi?!”, të publikuar në www.gazetastandard.com, të shkruar nga Enver Bytyçi, përmbajta e të cilit, mjerisht, nuk thotë asgjë origjinale, asgjë të faktuar, asgjë të mençur, asgjë racionale, asgjë vizionare, asgjë konkrete dhe të argumentuar, asgjë të saktë, të vlefshme dhe të dobishme për interesin e përgjithshëm të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, por në forma përimituese të politikës, të diplomacisë dhe të propagandës serbomadhe dhe të aleatëve të saj, jo vetëm se tenton të vërë në pikëpyetje të drejtën historike dhe legjitime të shqiptarëve për ribashkim në një shtet të vetëm-Shqipërinë Etnike Natyrale, por edhe e shpif atë në skajshmëri se gjoja në thelb përbën “konflikt” dhe “rrezik” të madh për shqiptarët dhe për tërë Ballkanin. Përmbajtja e këtij artikulli provokues me ambicie të sëmura politike, karrieriste dhe propagandistike (përshtatur rrethanave të politikës ditore dhe përfitimit e promovimit personal) të kontestimit të ribashkimit kombëtar shqiptar si në planin e politikës së brendshme, ashtu edhe asaj ndërkombëtare, në mënyrën më të simplifikuar (shprehur popullorçe) do të thotë: 1) Nëse jeni për ribashkim kombëtar, domethënë jeni për konflikt me armiq dhe, për konfrontim me miq dhe, 2) Nëse jeni për integrim në BE, atëherë “mbylleni gojën”, mos e kritikoni Sali Berishën e as “rebelët” e tij për antibashkim kombëtar! - “Shumë mirë”!- Shqip, kësaj i thonë "lueje macë kryet e buellit"-VETËMOHIMI NUK KA BRIRË!!! - Ky është mesazhi politik i përmbajtjes së artikullit të Enver Bytyçit me titull “Bashkimi Kombëtar, cila alternativë: Konflikti apo integrimi?!” Ndryshe, nuk do t’i diktonte POPULLIT të kolonizuar shqiptar “variantin shpëtimtar” të tij ( si historian) dhe të Sali Berishës si kryeministër, -JO ribashkimit të tij dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, sepse sipas filozofisë së tyre të mjerimit “politiko-shkencor”, ky do të “shkaktonte apokalipsin” e shqiptarëve dhe të Ballkanit!? Kjo tezë akuzuese ruso-serbe antishqiptare, është e njohur që më se 100 vjet (1912-2012), e cila është në funksion të mohimit të së drejtës historike dhe të së drejtës së vetëvendosjes së kombit shqiptar mbi Shqipërinë Etnike.
Strategjia e “Platformës së Shqipërisë Natyrale” të dr. Koço Danajt
-Kjo është “alternativa shpëtimtare” sugjeruese për popullin shqiptar të aneksuar, të copëtuar dhe të robëruar nëpër rezervatet kolonizuese të amalgamës sllavo-bizantine në Ballkan?!
-Jo, jo, njëqind herë JO! Por alternativa e ligjshme për shpëtimin e shqiptarëve nga robëria kolonialiste shekullore e Serbisë, e Malit të Zil e IRJM-së dhe e Greqisë, është ribashkimi kombëtar shqiptar në mënyrë demokratike dhe paqësore, ashtu siç parashikon strategjia e “Platformës së Shqipërisë Natyrale” të dr. Koço Danajt, ku ndër të tjera, thuhet: “Shqipëria natyrale është mirëqenie, dinjitet, qetësi, ofertë paqeje dhe stabilitet në rajon. Këto ua kemi borxh fëmijëve, nipërve dhe mbesave tona. Prandaj në emër të tyre le ta bëjmë atë. Shqipëria natyrale do të thotë sa më pak grekë, maqedonas, italianë, turq me origjinë shqiptare dhe sa më shumë shqiptarë me mentalitet evropian, progresist. Prandaj, në emër të tyre e kemi për detyrim kombëtar sendërtimin e Shqipërisë Natyrale.? ( Koço Danaj, 2009: 52).
Pra, nuk ka asnjë dyshim se me këtë formulë sakat antishqiptare si në kuptimin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, para së gjithash, do të pajtohej Beogradi, Podgorica, Athina dhe Shkupi, sepse do t’u ndihmonte që, edhe në shekullin XXI, ta mbronin plaçkën e tyre koloniale me përmbajtje shqiptare.
Duke qenë se Enver Bytyçi paska shumë dilema, dyshime dhe paqartësi për ribashkimin kombëtar, i sugjeroj që, së pari, ta lexojë dhe studiojë vëmendshëm “Platformën e Shqipërisë Natyrale” të Dr. Koço Danajt, të botuar në Tiranë, më 2009, se aty do ta gjejë përgjigjen e saktë historike, politike, diplomatike, juridike demokratike dhe paqësore, se si duhet shtruar dhe, se si duhet zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare.
Vërtet, sikur historiani Enver Bytyçi, paraprakisht, të paktën Kushtetutën e Shqipërisë(1998), Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998) dhe “Platformën e Shqipërisë Natyrale” të Dr. Koço Danajt (2009), mirëfilli, nuk do ta kishte mbështetur politikën antibashkim të kryeministrit Sali Berisha, as nuk do t’i kishte akuzuar shqiptarët (kinse me forcë po duan ta zgjidhin çështjen kombëtare shqiptare. Mirëpo, kjo akuzë është shpifëse dhe gënjeshtër ordinere, sepse askush prej shqiptarëve nuk ka deklaruar e as nuk ka shkruar se ribashkimin do e bëjnë, duke shkaktuar konflikte të armatosura guerile, apo luftë frontale) për mbështetjen e arsyeshme dhe të domosdoshme të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, sepse aty do ta gjente përgjigjen e saktë, pse dhe, si duhet bërë ribashkimi kombëtar shqiptar.

Kozmopolitizmi nuk e shpëton Kosovën nga Serbia, por bashkimi i saj me Shqipërinë


Në afat të gjatë, ky do të ishte shpëtimi jo vetëm i Kosovës, por edhe i vet Shqipërisë ngase përgjithmonë do të braktisnin sferën e influencës së Rusisë, duke u bashkëngjitur përjetësisht me sferën e interesit të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës


Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI



Përvoja e derisotshme ka provuar se kozmopolitizmi është forma më e përshtatshme e asimilimit të vullnetshëm të individëve, apo të një bashkësie shoqërore. Kozmopolitizmi nuk e zgjedh, por e mjegullon edhe më shumë problemin e pazgjidhur kolonial të shqiptarëve në Ballkan.
Prandaj, politikat e sotme zyrtare shqiptare, duhet ta ndjekin rrugën e arsyes dhe të realizmit politik dhe kombëtar, jo të fatalizmit kozmopolit të "kombit kosovar", të diktuar dhe të imponuar nga interesat e ndryshme tregtare dhe ekonomike të sundimtarëve të rinj, me premtime dhe me preokupime të vjetra të kolonializmit dhe të neokolonializmit sllavo-bizantin në përmasa ballkanike dhe eurolindore “Prej Olimpit deri në Ural”.
-Realisht, derisa shqiptarët të kenë statusin e robit të kolonizuar në Ballkan, KOZMOPOLITIZMI është një luks i paarritshëm, një utopi e shkretë dhe një "arrë e fortë në fyt" për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Behgjet Pacolli, në një intervistë dhënë KTV-së, më 22 prill 2011, ndër të tjera pati theksuar se “kozmopolitizmi është ardhmëria e Kosovës”. (!)
-Jo, assesi nuk është e pranueshme teza e theksuar se “kozmopolitizmi është ardhmëria e Kosovës”! Përkundrazi, shikuar realisht, politikisht, ekonomikisht, demokratikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, ardhmëria e Kosovës, është bashkimi i saj me Shqipërinë. Po, nuk ndodhi kjo deri më 2013, e nesërmja e shtetësisë së Kosovës, do të jetë vetëm një eksperiment laboratorik jetëshkurtër nga i cili më së shumti do të përfitonte politika dhe diplomacia neokolonialiste e Serbisë dhe e aleatëve të saj ballkanikë dhe ndërkombëtarë.
-Jo, z. Behgjet Pacolli luajtja në “letrën” e kozmopolitizmit është dështim politik, është për t’u “hedhur hi syve” shqiptarëve ( duke i mashtruar, ashtu sikurse në 100 vjetët e shkuara), që ende, edhe në dekadën e dytë shekullit XXI (viti 2012) e ndjejnë peshën e rëndë të gurit të tiranisë kolonialiste serbo-sllave, sepse gjysma e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Etnike ende ndodhen nën sundimin kolonial të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Greqisë. Kjo formë e kolonializmit ekzistues 100-vjeçar serbo-sllav mbi gjysmën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, përjashton konceptin e kozmopolitizmit.
Sikur shqiptarët të kishin qenë të barabartë me popujt e tjerë në Ballkan (brenda kufijve të vet natyrorë, historikë dhe gjeopolitikë), të lirë, të pavarur dhe sovranë në një shtet të përbashkët-Shqipërinë Etnike, atëherë, ndoshta, do të kishin pasur kohë për të menduar dhe reflektuar për ndonjë politikë tjetër për t’ua bërë qejfin partnerëve të tyre eurondërkombëtarë. Mirëpo, derisa të ndodhemi në një gjendje të këtillë të kolonizuar dhe të copëtuar edhe si komb, edhe si territor, edhe si shtet, politika dhe diplomacia kozmopolitiste shqiptare, do të ishin armët më shpartalluese të identitetit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Prandaj, kozmopolitizmi është i papranueshëm jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët e kolonizuar që kanë jetuar dhe, ende, edhe sot jetojnë në getot aparteide shtetërore serbo-jugosllave, sepse ishin, dhe, fatkeqësisht, ende janë viktima të ashtuquajturës politikë dhe praktikë e kozmopolitizmit pluralist dhe multietnik titist-kardelist.
Jo, përkundrazi, qëndrueshmëria, siguria, zhvillimi, përparimi, lulëzimi, ardhmëria e ndritshme dhe fati i Kosovës është vetëm ribashkimi i saj me Shqipërinë, jo kurrfarë kozmopolitizmi as i Rugovës, as i Thaçit, as i Isa Mustafës e as i Behgjet Pacollit etj. Përkthyer në fjalorin “politeknik” të biznesit të politikanëve dhe të “shkencëtarëve” të sotëm shqiptarë, nocioni kozmopolitizëm do të thotë pranoje gjendjen faktike dhe jorealiste (bëhu ai, që në thelb nuk je), ashtu si iu konvenon interesave të tjerëve, jo kombit shqiptar, siç është rasti me trillimin e “kombit kosovar”, që para së gjithash ka karakter politik, kozmopolit dhe internacionalist, që e eliminon kombin shqiptar, simbolet kombëtare shqiptare, si dhe nacionalizmin, në saje të cilit është krijuar kombi shqiptar, ashtu sikurse të gjitha kombet e Evropës. Me një fjalë kozmopolitizmi është një formë e lehtë politike paqësore e shthurjes dhe e asimilimit të vullnetshëm të një kombi. Ose, shprehur edhe më thjesht, kozmopolitizëm do të thotë, të “jesh mysafir në shtëpinë tënde” stërgjyshore etnike. Shqiptarët mund të tregohen kozmopolitë vetëm atëherë, pasi të jenë ç’kolonizuar përfundimisht nga thembra e hekurt kolonialiste dhe imperialiste e shteteve fqinje në Ballkan. Ndryshe jo, sepse, do e humbasin edhe atë që e kanë gjysmë Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.
Kozmopolitizmi nuk është substitut i nacionalizmit, por i komunizmit!
Nëse kombi shqiptar është produkt i kozmopolitizmit, atëherë, nuk ekziston kurrfarë arsyeje që të polemizojmë me ideologët, me ithtarët dhe me mbështetësit shqiptarë të kozmopolitizmit. Mirëpo, e vërteta është se jo vetëm kombi shqiptar, por të gjitha kombet e Evropës, janë “pjellë” e nacionalizmit kombëtar. Kështu që ne nuk kemi asnjë llogari politike që nacionalizmin shqiptar ta këmbejmë me kozmopolitizmin dhe me internacionalizmin proletar, sepse qe 100 vjet, nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati të dobishëm për kombin shqiptar, kur është fjala për shkolonizimin, për pavarësimin, për ribashkimin dhe për të drejtën e plotë të vetëvendosjes së tij brenda kufijve të vet natyrorë, historikë, etnikë dhe gjeopolitikë. Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të bazuar morale, profesionale, kombëtare, politike e as demokratike, që të bëjmë eksperimente laboratorike me fatin e Kosovës, duke e parë atë në kontekstin e kozmopolitizmit si të vetmen “formulë shpëtimtare” për të sotmen dhe të nesërmen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Në këtë vështrim ( pavarësisht nga interesat tregtare politike, diplomatike, si dhe nga lakmia dhe sëmundja kronike për pozita pushtetore, për pasuri përrallore dhe për kolltukë të mëndafshta të atyre që janë mësuar të jetojnë në kurriz të popullit dhe të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike), nuk mund të bëhet kurrfarë “svapi” i nacionalizmit pozitiv shqiptar me asnjë formë të kozmopolitizmit të vullnetshëm apo të imponuar ngaqë vullnetarisht do të pranonim dhe do të nënshkruanim vazhdimësinë nën robërinë dhe nën tiraninë e shteteve kolonialiste pushtuese fqinje. Kozmopolitizmi është kapitullim i vullnetshëm përpara armikut kolonialist, siç janë Serbia, Mali i Zi, “Jugomaqedonia” dhe Greqia!
Ky koncept politik është i pranueshëm dhe i zbatueshëm vetëm për ata politikanë , kuazi-shkencëtarë dhe agjitatorë propagandistikë, të cilët më tepër ia duan të mirën armiqve agresivë kolonialistë dhe neokolonialist, sesa vetvetes dhe kombit shqiptar. Gjithashtu, injoranca politike e sotme (1990-2012) fare nuk ka parasysh përvojën e hidhur dhe tragjike 100-vjeçare të fenomenit të kozmopolitizmit shqiptar, i cili, as dikur e as sot, nuk qe në gjendje, që të triumfojë mbi racizmin, shovinizmin, hegjemonizmin, kolonializmin dhe imperializmin serbomadh dhe sllav ndaj Kosovës dhe trojeve të tjera të Shqipërisë Etnike(1878-2012). Me kozmopolitizëm nuk mposhtet racizmi, gjenocidi, fashizmi, kolonializmi dhe neokolonializmi serb as në Kosovë e as në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike, por me instrumente ligjore juridike ndërkombëtare, si dhe me vetëdijen e nacionalizmit pozitiv, që nuk mohon, por mbi baza reciproke pranon të drejtat, liritë dhe vlerat e të tjerëve. Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, duhet ta mbajnë parasysh jo vetëm politika, diplomacia,, shkenca dhe propaganda shqiptare, por të gjithë shqiptarët të rinj dhe të moshuar kudo që jetojnë në planetin tokësor. Ky konstatim del nga fakti se shqiptarët me politikën, me sjelljet, me veprimet dhe me qëndrimet e tyre kozmopolite, kurrë njëherë nuk ia kanë arritur që ta mposhtin terrorin gjenocid, reprezaljet, masakrat, agresionet, racizmin, fashizmin dhe kolonializmin pushtues serbo-sllav mbi ta, mbi vatrat stërgjyshore dhe mbi tokat e tyre etnike në Ballkan (1878-2012). Këtë e provon, edhe gjendja e sotme e gjysmës së Shqipërisë etnike, të kolonizuar dhe të copëtuar nga shtetet fqinje sllave. Përkundrazi, një politikë e tillë dështuese kozmopolite pa mbulesë, iu ka kushtuar shumë shtrenjtë-dhjetëra gjenocide, kolonizime, shpërngulje dhe varreza masive anembanë Shqipërisë Etnike, jo vetëm në Kosovën e sotme, të pavarësuar, por nën tutelën supervizuese evropiane ndërkombëtare (EULEX+ UNMIK). Pikërisht, një politikë e tillë naive kozmopolite e drejtuesve të Kosovës ka ndikuar negativisht që Bashkimi Evropian dhe Amerika, të mos ia njohin pavarësinë dhe vetëvendosjen e plotë (të brendshme dhe të jashtme) Kosovës, në bazë të së drejtës historike dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ky është hendikepi serioz dhe i papranueshëm për normën e së drejtës ndërkombëtare ngase sipas saj, asnjë shtet i pavarur dhe sovran në botë, juridikisht, nuk mund të jetë nën kurrfarë mbikontrolli të ndonjë shteti tjetër, apo të ndonjë grupi shtetesh të bashkësisë ndërkombëtare. Si rrjedhim, mbikëqyrja euro-ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, është në kolizion flagrant me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, politikisht, është çështje tjetër, pse pavarësia e Kosovës është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të BE-së, të UNMIK-ut dhe të Amerikës. Mirëpo, pavarësisht nga interesat komplementare të BE-së, të UNMIK-ut, të EULEX=it, të Amerikës dhe të politikës kozmopolite vendore të Qeverisë, të Kuvendit dhe të Presidencës së Kosovës, në aspektin juridiko-ndërkombëtar, mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur kurrfarë baze ligjore. Këtë e provoi edhe Mendimi Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës (22 korrik 2010), e cila e vlerësoi pozitivisht Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) se ishte në përputhje të plotë me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Atëherë, pse pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, të jetë i kontrolluar dhe i kufizuar nga “mbisovraniteti” i huaj ndërkombëtar?!
Shqiptarët janë ngopur me përralla dhe me premtime të kota “romantike” të politikës kozmopolitiste
Përgjigjja është se politika zyrtare shtetërore e Kosovës është tepër kozmopolite dhe e varur nga tutela euro-ndërkombëtare, sepse asnjëherë deri më sot nuk e ka konsultuar popullin, por ka vendosur dhe ka marrë vendime në emër të popullit. Këtë gabim të rëndë dhe të pafalshëm politik dhe juridik të krerëve drejtues politikë kozmopolitistët e Kosovës, partnerët e huaj ndërkombëtarë, e kanë kapitalizuar në favorin e interesave të tyre politike dhe strategjike, duke e lënë Kosovën nën varësinë e tutelës ndërkombëtare (1999-2012). Provë e gjithë kësaj është edhe fillimi i "dialogut teknik" midis Beogradit dhe Prishtinës, që është në funksion të mbështetjes së Serbisë që në vjeshtën e sivjetme të bëhet shtet-kandidat për të hyrë në BE, si dhe të ridefinimit të statusit politik të Kosovës. Së fundi, nëse politika e shteteve fqinje kolonialiste (Serbia, Mali i Zi, Jugosllavomaqedonia dhe Greqia) ka përmbajtje kozmopolite, atëherë, nënkuptohet se edhe politika shqiptare nuk mund të jetë asimetrike dhe antitezë e tyre. Mirëpo, ç’është e vërteta si doktrina, ashtu edhe praktika e politikës së shteteve të theksuara kolonialiste ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, nuk kanë pësuar kurrfarë metamorfoze thelbësore, por kanë ngelur po ato që ka qenë, këtu e njëqind vjet më parë-nacionalshoviniste, hegjemoniste dhe ekspansioniste jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj kroatëve dhe hungarezëve, territoret e të cilëve edhe sot janë nën sundimin kolonial serb. Tanimë, shqiptarët e Shqipërisë Etnike janë ngopur me përralla dhe me premtime të kota “romantike” të politikës kozmopolitiste dhe mafioze. Në vend të një politike të tillë dekadente dhe, ekzistencialiste ata duan liri, drejtësi, vetëvendosje, ribashkim, prosperitet ekonomik, demokraci dhe mirëqenie në një shtet të pavarur dhe sovran shqiptar në Ballkan, ashtu siç janë shtetet e tjera në Ballkan dhe në Evropë. Pavarësisht nga diktati, ultimatumet dhe interesat heterogjene të faktorëve të huaj me prirje kolonialiste dhe neokolonialiste, që përligj status quo-n e kolonializmit sllavo-bizantin mbi territoret dhe mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan, kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike, nuk kanë asnjë nevojë për politikanë dhe për pseudoshkencëtarë kozmopolitistë të po të nderuar, sipas ulpiseve të huaja, por për patriotë
nacionalistë dhe demokratë të vërtetë dhe realistë që pohojnë dhe mbrojnë me ngulmë dhe në mënyrë racionale, ligjore, demokratike dhe paqësore vlerat e shenjta kombëtare, territoriale dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkan.

Tri zgjidhje për veriun


Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me bisedimet e ardhshme

Shkruan: Safet KRIVAÇA


Bashkësia ndërkombëtare po e qartëson idenë se veriu i Kosovës nuk e zgjidh problemin shqiptaro - serb me vetëm Pakon e Ahtisarit, as me pakon shtesë, ”Ahtisari Plus”, as duke i ofruar status special, as duke hapur bisedime me Beogradin për integrimin e veriut në Republikën e Kosovës. Xheims Petifer, ekspert i çështjeve të Ballkanit Jugor këto ditë e tha shumë qartë se kërkohet edhe zgjidhje e problemit të Luginës së Preshevës, nëse synohet zgjidhje e qëndrueshme shqiptaro-serbe. Zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në takime me liderë partiakë të Luginës, duke iu përgjigjur kërkesave të tyre për përfshirje të shqiptarëve të Jugut të Serbisë aktuale në bisedimet, Prishtinë-Beograd, kanë pas bërë të ditur se “nuk do të ketë përfshirje të Luginës së Preshevës në këto bisedime”, por së fundmi numri dy i qeverisë Thaçi, Hajredin Kuqi tha se do të përfshihet Lugina e Preshevës në bisedime. Nëse kjo ndodh, definitivisht Serbia mund të pajtohet me njërën prej tri zgjidhjeve të mundshme:
Veriu të integrohet në Republikën e Kosovës si pjesë e saj aktive në çdo segment prej atij politik, ekonomik, tatimor, infrastrukturor dhe juridik e të sigurisë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme nga të gjitha të tjerat. Në këtë zgjidhje nuk do të përfshiheshin mjete të forta shtetërore për nënshtrim dhe do të vihet baza më e mirë për një demokraci shtetërore të së ardhmes.
Zgjidhja e dytë në dispozicion do të ishte zgjidhja e problemeve me mjete juridike, policore dhe ushtarake si zgjidhje që do të justifikohej më shumë për të mos lejuar ndryshime kufijsh shtetërorë në Ballkan, meqë hapja e Kutisë së Pandorës do të mund të përshkohej me luftëra të reja dhe me dalje të sigurisë rajonale jashtë kontrollit. Zgjidhja me muskujt e shtetit, ndonëse nuk parapëlqehet nga askush, mund të arsyetohet meqë bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim për mosndryshim të kufijve, pasi çdo ndryshim kufiri do të pasohej nga një zinxhir i tërë ndryshimesh. Në Evropë dhe veçmas në Ballkan ka shumë shtete brenda të cilave ka kërkesa dhe aspirata për shtete të reja dhe pavarësime të reja dhe secila tolerancë unikale, do të vlente për palën tjetër me po aq “të drejta”.
Zgjidhja e tretë do të ishte shkëmbimi i tri komuna në veri të Kosovës për tri komuna në jug të Serbisë. Nëse të dy shtetet do të binin dakord për një gjë të tillë, nuk besohet se bashkësia ndërkombëtare do ta pengonte projektin e tillë dhe vetëm në këtë rast kjo përsëritje nuk do të vlente për shtetet që kanë konteste, apo kërkesa për ndarje të reja shtetërore .
Kosova duhet të kërkojë strikt përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd
Beogradi zyrtar ka konfirmuar raundin e ri të bisedimeve me Prishtinën zyrtare, duke i quajtur këto bisedime si politike. Edita Tahiri tash së fundmi ka thënë se raunde bisedimesh për shembull për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë kanë përfunduar dhe më nuk ka bisedime për këtë temë. Megjithatë, Ketrin Eshton ka paralajmëruar “bisedime të vështira me Serbinë” çka nënkupton se ato realisht janë politike. Kosova ka çka të përfitojë edhe nga bisedimet politike me Serbinë: Duke e korrigjuar agjendën e kaluar tematike, Kosova duhet të kërkojë futjen në bisedime të Luginës së Preshevës, si rast për zgjidhje të qëndrueshme dhe përjashtim të një lufte të re si ajo e UÇPMB-së. Pse? Zgjidhja e problemit të veriut pa Luginën e Preshevës, le fronin e hapur të eskalimeve të reja. Zgjidhja e cilësdo pjesë territoriale pa zgjidhjen e pjesës tjetër është mashtrim e jo real dhe vetëm zgjidhja e të dyja e territoreve eliminon lindjen e vatrave të reja të krizës. Për më shumë, ashtu sikur e ndjen obligim moral dhe kombëtar, Beogradi zyrtar për t’i mbrojtur pakicat serbe në Kosovë edhe Prishtina zyrtare e ka për obligim moral dhe kombëtar të kërkojë të njëjtën gjë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ligji ndërkombëtar dhe ligji i së drejtës nuk e përjashton aplikimin e kodit të reciprocitet, të paktën më aspektin e parimit. Nëse anashkalohen shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo do të jetë e kushtueshme për sigurinë rajonale nesër, po aq sa edhe veriu i Kosovës sot. Prandaj është aq e rëndësishme përfshirja e Luginës së Preshevës në bllokun e bisedimeve te reja Prishtinë-Beograd, edhe ashtu të cilësuara nga Serbia “si bisedime politike”. Nëse duhet vënë kushte për kërkesa të reja, me siguri se Prishtina zyrtare ka shumë më shumë të drejta që ta bëjë këtë, sesa Beogradi zyrtar, meqë e kaluara në ish- Jugosllavi për shqiptarët ka qenë pafundësisht diskriminuese, ndërsa për serbët ka qenë parajsë, kudo që ka jetuar qoftë edhe një serb i vetëm, prej të cilit sindromë rrodhi edhe projekti “kudo që ka një serb do të ketë shtet”. Falë të kaluarës serbët kanë hapësirë të kufizuar të aplikojnë kërkesa për territore të reja, ndërsa shqiptarët kanë realisht të drejta të kërkojnë korrigjim të hapësirës territoriale në kuadër të avancimit të të drejtave njerëzore si të drejta të garantuara.
Kosova pa strategji për bisedime me Beogradin
Kosova dhe për më shumë shqiptarët, duhet të kenë strategji akademike për bisedime me Beogradin. Serbia jo vetëm që ka luftuar dhe kryer krime në territoret e ish-republikave të Jugosllavisë për të vu rend të dhunshëm shtetëror dhe pastrim etnik të territoreve, por në kontinuitet ka krijuar edhe mendim dhe tribunë akademike të ligjshme e të paligjshme për lidhje me serbët jashtë Serbisë. Millorad Dodik tashmë flet hapur “se një ditë jo të largët Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë shtet”. Nuk do mend se shtete të reja do të lindin, si Katalonia e cila tashmë çdo kremtim dhe ndeshje e fillon me ngjyrat e shtetit vetanak historik. Nuk ka dyshim se kërkesat e brendshme popullore do ta godasin edhe Sllovakinë, ashtu sikur Qipron e dikurshme e që sot jeton e ndarë në dy pjesë. Nuk ka dilemë se as Serbia aktuale nuk do të mbetet e tillë sikur është sot, sepse Vojvodina do ta fitojë statusin e autonomisë që kishte nga viti 1974...
Serbia ka një sfidë të vështirë para vetes. Ajo ka marrë statusin e kandidatit të BE-së, por data e fillimit të bisedimeve do të jetë diku në pranverë dhe ajo nuk do të vjen asnjëherë për tërë kohën sa Serbia ka probleme të hapura me Kosovën. Këtë kusht e ka gati në çdo fjali ku i tregohet Serbisë si duhet të jenë marrëdhëniet e saja me fqinjët e veçmas me Kosovën. Nëse Serbia e Tomisllav Nikoliqit dhe Daçiqit nuk arrijnë të marrin datën e bisedimeve për BE, atëherë në Serbi do të ketë gjasë për zgjedhje të parakohshme, sepse mosmarrja e datës së bisedimeve do të llogaritet futje e Serbisë në krizë te re. Nikoliq dhe Daçiq duhet t’i përmbushin detyrat e shtëpisë si kushte të BE-së pa pas guxim të dështojnë. Nikoliq që ka filluar ta imitojë Tadiqin me projektin “edhe BE-ja edhe Kosova” në Serbi e ka të qartë se ja thonë çdo ditë se ajo politikë nuk e qon Serbinë drejt Brukselit. E përballur me disa sfida që i numëruam këtu, Serbia nuk është edhe bash në moment të fatit për të zgjedhur, prandaj Prishtina zyrtare e ka rastin historik të kushtëzojë bisedimet me agjendë të re, qoftë edhe politike , duke e futë në këtë strategji edhe Luginën e Preshevës. Kosova nuk ka bë kushedi sa punë të madhe me Serbinë sa të thirret në faktin se më nuk ka tema politike, por vetëm teknike. Nuk është e vërtetë se Kosova ka bërë aq shumë zgjidhje me Serbinë. Serbisë i është dashur të përfitojë statusin e kandidatit të BE-së dhe këtë gjë e ka arritur falë bisedimeve me Prishtinën, ku kjo e fundit nuk ka fituar asgjë.
Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me temat e reja që nuk janë tema, por që janë probleme të theksuara po aq sa edhe veriu i vendit. Serbia nuk mundet t’i thotë Jo, BE-së, prandaj e ka një lloj kushtëzimi që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë, e jo të jenë në aut politik, duke mos qenë në hap me Beogradin zyrtar.

Më shumë përpjekje në parandalimin e dhunës kundër fëmijëve


Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar

Shkruan: Mr. Fikret UKA


Gjatë historisë, por edhe sot në kultura të ndryshme, madje edhe ndër shqiptarë, ndëshkimi fizik dhe psikologjik ka qenë, dhe është njëra nga mënyrat për disiplinimin dhe edukimin e fëmijëve, si në familje po ashtu edhe në shkollë. Ky disiplinim dhe dënim tradicional kundër fëmijëve, për një kohë të gjatë e ka fshehur dhunën, për shkak të traditës kulturore, dënimit social, frikës nga reperkusioni, mandej ndonjëherë fëmijët vetë i kanë konsideruar edhe si të arsyeshme veprimet që i kanë bërë, duke menduar se kanë qenë fajtorë dhe kanë besuar se dhuna ka qenë e drejtë ndaj tyre. Mangësia e ndërgjegjësimit se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve figuron në shumë shkrime e raporte si veprim negativ, por çuditërisht ajo nuk po ndalet, madje vështirë do të jetë që opinioni të vetëdijesohet shpejt për t’u sjellë ndryshe ndaj fëmijëve të tyre.
Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar. Bile, jo rrallë ky problem vë në pyetje edhe jetën e tyre. Kundër kësaj dukurie, në Kosovë ka kohë që shkruhen shkrime, doracak për arsimtarë, organizohen debate, strategji, mbahen konferenca, referate e simpoziume, hartohen programe dhe plane të veprimit etj, më qëllim të edukimit dhe vetëdijesimit të shoqërisë se ky krim ndaj fëmijëve duhet të parandalohet. Mirëpo, mundimet dhe stërmundimet për ndërgjegjësimin e opinionit se dhuna ndaj fëmijëve është cenim i të drejtave të tyre, dhe ajo duhet të ndalet, nuk e ka ndryshuar shumë ndërgjegjen e opinionit publik. Këtë e tregon qartë edhe raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (2012) ku 13.4% e fëmijëve shqiptarë për shkak të dhunës kanë menduar të vetëvriten, kurse 27% e tyre kanë plagë nga dhuna. Këso të dhënash përmbajnë edhe raportet e Policisë së Kosovës. Kurse prof. E. Uka në studimin e tij “Vetëvrasja, dukuri shqetësuese” shkruan: “Janë të dhimbshme vetëvrasjet e të miturve dhe adoleshentëve si pasojë e dhunës që ushtrohet në mjedise pikërisht aty ku fëmijët duhet të jenë më të mbrojtur, aty ku presin dashuri, siguri, dhe përkrahje. Dhe shih për këtë, në Kosovë prej vitit 2000-2006 e kanë vrarë veten 7 të mitur, ndërkohë veten e kanë vrarë edhe 61 adoleshentë. E sa raste të tjera janë që opinioni nuk i di. Kjo tregon se familja jonë në aspektin kulturor ende është në krizë, në kuptimin që nuk ka një raport, një lidhje, një vëmendje, një komunikim të shpeshtë prind-fëmijë ose mes anëtarëve tjerë të familjes”. E sipas dëshmive të ofruara, faktorët që e nxisin dhunën ndaj fëmijëve janë: varfëria, mungesa e kontrollit të papërshtatshëm prindëror ndaj fëmijëve, prindër të ashpër, të paedukuar, prindër të divorcuar, prindër të zhurmshëm ndërmjet vete, suksesi i dobët në shkollë, largime nga orët e mësimit, mungesat e paarsyeshme, prishja e rendit dhe qetësisë në orë, në shkollë, lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjorë, alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e fëmijëve brenda familjes, shikimi i programeve me karakter amoral, stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, temperamenti, emocionet, karakteri, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë etj.
Ajo që brengosë është se pjesa më e madhe e opinionit ka mendimin edhe sot se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve! Ky mendim po e ngec ndërgjegjësimin e këtij problemi në mossuksesin e parandalimit. Për këtë i bëhet kritikë, në këtë drejtim, institucioneve të shtetit, që të investojnë më shumë në ndërgjegjësimin e opinionit për respektimin e të drejtave të fëmijëve. Kjo nuk do të thotë se në secilën shtëpi e shkollë të vendoset nga një polic, por të investojë më shumë para në hartimin e programeve dhe planeve konkrete, studimeve shkencore etj, ku do të pasqyrohet gjendja reale për të pasur opinioni një qasje tjetër ndaj këtij problemi tradicional, sepse kështu vepruan shtetet fqinje. Për shembull, për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, në Shqipëri, prof. A.Tamo dhe prof. Th. Karaj, kryen një studim shkencor ku dhanë një tablo të detajuar të natyrës, shtrirjes, shkaqeve dhe pasojave të dhunës në tre fusha kryesore: në familje, shkollë dhe institucionet e përkujdesit. Po ashtu në këtë studim të mirëpritur ata propozuan ide dhe programe për parandalimin e këtij krimi kundër fëmijëve. Prandaj, këtë problem klasa e studiuesve në Kosovë, duhet ta marrë seriozisht dhe të veprojë njësoj, sikurse ajo e Shqipërisë dhe e shteteve të tjera fqinje.
Prandaj, përmes këtij shkrimi po ngre një çështje, çështje që ka të bëjë me qëndrimin dhe besimin e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve dhe kam mendimin se opinioni do ta tejkalojë dhe harrojë njëherë e përgjithmonë besimin “kush të do, të rreh”. Ky besim nëse është i pranueshëm për prindërit, nuk do të thotë se është i pranueshëm edhe për mësuesit në shkollë dhe për të tjerët gjetiu. Për këtë besim të përhapur si te prindërit e mësuesit, madje edhe te vet fëmijët, prof. Tamo dhe prof. Karaj nxorën rezultatin se 1 në çdo 2 fëmijë në shtëpi dhe 1 në rreth 3 fëmijë në shkollë pohojnë se pranojnë që mbi ta të ushtrohet dhunë, në rastet kur ajo është e nevojshme! E ne, rreth këtij qëndrimi dhe besimi kemi të mbledhura dëshmi (jo të plota) gjatë punës në Polici, të raportuara nga vetë goja e fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe qytetarëve, që janë pro dhe kundër këtij besimi. Këto qëndrime dhe besime të tyre për dhunën ndaj fëmijëve i kemi nda në tri grupe. Të parët mendojnë se nuk duhet të përdorët dhuna fizike, sepse shkakton pasoja negative tek fëmijët. Ky qëndrim ka mbështetje te një masë e konsiderueshme e prindërve të shkolluar, mësuesish dhe fëmijësh. Qëndrimi i dytë, dhunën ndaj fëmijëve e shikon në mënyrën absolute si mjetin më të dobishëm në disiplinimin e fëmijëve. Ky është një grup relativisht i kufizuar njerëzish me një mentalitet tradicional patriarkal, të cilët e arsyetojnë dhunën ndaj fëmijëve duke na thënë: “neve na kanë rrahur prindërit, prandaj jemi këta që jemi. Edhe ne do t’i rrahim fëmijët, e ata do të bëhen më të mirë si ne”! Dhe qëndrimi i tretë, duket se i bashkon dy qëndrimet e para që nuk përputhen njëri me tjetrin. Ata thonë: “dhuna ndaj fëmijëve duhet të përdorët në rastet kur “kalohet kufiri”, përkatësisht kur fëmija nuk disiplinohet me të mirë, atëherë duhet përdorur dhuna, ama gjithmonë duhet kuptuar se dhuna sjell edhe pasoja negative, thotë grupi i tretë. Ky qëndrim sikur iu fle në shpirt shumicës dërrmuese të prindërve dhe një numri relativisht të vogël të mësuesve. Kam mendimin se arsyet e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve nga prindërit dhe personeli arsimor lidhen dukshëm me filozofinë e dobisë që sjell dhuna si instrument për disiplinim kur fëmijët nuk i respektojnë standardet e caktuara të sjelljes, punë që mbetet në pronësi të psikologëve, pedagogëve, sociologëve e të tjerëve, për ta detajuar metodologjikisht këtë problem deri në fund, e neve, na mbetet t’i zbatojmë mësimet dhe këshillat e tyre.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...