Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/08

Romancë e shkurtër para vdekjes. Tregim nga Feride PAPLEKA









Ngjarja nuk po bën shumë që ka ndodhur. Madje dihet edhe emri i protagonistëve. Ata kanë jetuar në Durrës që është një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë. Kur dëgjon emrin e tij ilir Epidamn, të duket sikur gjëmon historia me të dymijë e shtatëqind vjetët që mban ai mbi supe. Pasaportë e ndritur për një vendbanim! Por aty katastrofa demografike e këtij vendi është më e prekshme se çdokund tjetër. Që nga porti i tij një ditë marsi, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, u arratisën me një anije të madhe edhe tre djemtë e familjes Aleksi. Shtëpia e zbrazët u shndërrua menjëherë në shpellë. Se me ikjen e tyre, për dy prindërit e mbetur fillikat, bota u errësua. A mos kishte rënë nata e përjetshme? Boshi në shpirtin e tyre erdhi e u madhua në një çast të vetëm. Një melankoli e thellë ua mbështolli zemrat. Këtë ua tregonin fytyrat që janë gjëja më intime te njeriu. Në fytyrën e saj, sytë e përlotur dukeshin gjithnjë si dy liqene të turbullt. Kurse në fytyrën e tij, balli i ngjante një qielli të ngarkuar me re dimri. Lëviznin me kujdes nëpër shtëpi, si dy fantazma që nuk e shohin njëra-tjetrën e nuk duan të përplasen. Ata qenë ftohur që më parë, por ikja e djemve, si të thuash e hoqi maskën që kishin vënë kushedi sa herë për hir të tyre. Kështu i gjeti, pra, ajo mbrëmje kur pas tre muajve vuajtjesh shpirtërore, erdhi një ditë e bardhë e ata biseduan në telefon me të tre djemtë. Humori i tyre i brendshëm ndryshoi. Në thellësi të shpirtit ata ndienë qetësi, por meqë kishin mbërritur deri në atë pikë sa mos të flisnin fare, vazhduan të rrinin të heshtur. Universi i ndjesive është diçka e ndërlikuar. Ai iu ngjan stinëve, historisë. Qeniet njerëzore ndonjëherë humbasin në mospërfillje, në përhumbje të plotë. Kur qenë të rinj nuk e patën menduar kurrë se mund të ndodhte kështu.



***

Ç’është e vërteta ata qenë martuar me një dashuri të fuqishme. Një dashuri që i kishte shoqëruar që kur u lindën. Sepse shtëpitë i kishin patur ngjitur, vetëm një mur i ndante. Të vegjël ata qenë shokë lodrash. Shiheshin sa dilnin në dritën e agimit. U futën bashkë në kopsht e bashkë shkuan në shkollë, pavarësisht nga ndryshimi në moshë. Prindërit e djalit madje pritën një vit sa vajzucka të mbërrinte në kufirin moshor për t’u regjistruar. Dy fëmijët jo vetëm që e filluan klasën e parë bashkë, por edhe u ulën në një bankë. Mendjet e tyre herë reale dhe herë imagjinare përziheshin pa u kuptuar, duke sjellë e risjellë në mendje skenarin imcak, por madhështor të lojërave e të dialogut të tyre fëmijëror. Në atë shkollë përfunduan edhe tetëvjeçaren, sepse shkolla e re, u ngrit mbi themelet e së vjetrës. Nuk ndaheshin as pasditeve. Mësonin bashkë dhe shkonin bashkë nëpër veprimtaritë jashtëshkollore, të qeshur e të lumtur, ashtu si gjithë fëmijët e botës që jetojnë të rrethuar me dashuri prindërore. Mes tyre lindi një miqësi e dhembshur, aq e pastër, sa njëri nuk e kuptonte dot veten pa tjetrin. Ashtu si dielli dhe hëna që i lidhin drita dhe ligjet e relativitetit në gjithësi. Kur ndaheshin e shkonin nëpër shtëpitë e tyre, thoshin mirupafshim me një pamje thuajse simetrike të gojës e të syve. Endërronin me sytë e njëri-tjetrit dhe shihnin ëndrra të mahnitshme me flatrime në qiell të hapur.

Pastaj në shkollën e mesme u ndanë. Ajo shkoi në pedagogjike në një qytet verior, kurse ai ndenji aty dhe vazhdoi gjimnazin. Miqësia u kishte dhuruar ëmbëlsi jetëve të tyre. Kur takoheshin lexonin në sytë e shokut gjëra aq të mrekullishme, sa mungojnë fjalët për t’i përshkruar. Flisnin sikur kishin dhimbje në shpirt. I preknin duart e njeri-tjetrit me mrekullim. Miqësia e tyre që kishte qëndruar larg kënaqësive trupore,



karakterizohej nga dëlirësia, që është virtuti më i mahnitshëm i asaj moshe.

Ndarja ua kishte shtuar dëshirën për të qenë bashkë, por mosha e adoleshencës dalngadalë po u dhuronte ndjeshmërinë. Pa e kuptuar, me kalimin e kohës, ata nisën të bëhen të druajtur. Aty nga fundi i vitit të tretë të shkollës së mesme, kur ajo erdhi për pushimet verore, për herë të parë ata iu shmangën takimit në oborr. U pëlqente të ishin larg syve të njerëzve. Tani e mbrapa kur ajo ndodhej aty, sajonin takime dhe vraponin në breg të detit. Gjerësia dhe pafundësia e tij u fuste ndjenjën e madhështisë në shpirt.

Një ditë pas shumë takimeve të tilla, ata e kuptuan mirë se vështrimet e tyre qenë bërë më të pjerrëta. Kishte në ato vështrime disa nënkuptime që nuk dinin si t’i shpjegonin. Ndjenja e thellë dhe e padukshme që ua shtonte çuditjen dhe priste çastin të çelte në zemrën e të parit që do të trokiste fort për dashurinë, zbukurohej dita-ditës. Sigurisht, çasti që ata premtuan se do të ishin bashkë në jetë dhe në vdekje, erdhi në një ditë të jashtëzakonshme, kur natyra dukej si e qëndisur me ngjyrat e jetës. Ishte qershor. Dy klasat e tyre që ishin në stazh pas maturës, rastësisht u ndodhën në të njëjtën kohë për shëtitje turistike në Lurë, në pikën verore, te liqenet e famshëm. Në mbrëmjen e ditës që shkuan, mes asaj rrëmuje të gëzueshme që shkakton ndjenja e lirisë, në një vend të panjohur, ata nuk e pikasën shoku-shokun. Por të nesërmen, kur kishin dalë buzë liqenit që është më pranë hotelit, ata u gjendën ballë për ballë. Ishte vërtet e mahnitshme. Një takim si në përralla. Si të ishte stisur vetëm për ata të dy. Ishte një kohë me një bukuri të papësëritshme. Mëngjes i freskët plot aroma mali dhe lulesh. Dielli shkëlqente dhe dukej sikur derdhte në çdo anë një dritë të artë. Qielli ishte i lëmuar me një blu të thellë, që ata s’e kishin parë gjëkundi tjetër. Duke soditur kaltërinë e liqenit, dy miqtë e ngushtë mbetën të fundit. Mbase e ndienë se kishte ardhur çasti fatal, i panjohur, i lemerishëm. E ndërprenë bisedën. Ritmi i zemrave që shpeshtohej, nuk i linte të flisnin. Kuptohej që ishin të dashuruar. Rreth e qark binte erë liqeni. Blerimi ishte i thellë. Syprina e ujit ngjante si një pasqyrëz magjike. Ajri ishte si qelq i sapolarë. Aromat ishin çmendur.

Ai foli i pari. Ishte diçka e ngatërruar. Një frazë e gjatë, pa lidhje, me një zë që herë shuhej dhe herë gjallërohej, por fjalët “Të dua!” dhe pyetjen “Po ti a më do?”, ajo i shqoi mirë, në atë ligjërim të papërsëritshëm. Sa dëgjoi zërin e tij që u shua, ajo uli sytë disi e trembur. E kishte apo nuk e kishte pritur atë çast? Ishte e re ta gjykonte në mënyrë të ftohtë brendësinë e ndjenjave. Nuk ndodh asnjëherë të shihet çfarë forme ka shpirti i trazuar nga dashuria, por mund ta mendoje me formën e dy zemrave që luftonin të shkriheshin bashkë në një ritm. Asaj iu duk vetja sikur po vraponte dhe po rrëzohej. Sikur po këndonte dhe qante njëherësh. Çfarë ishte kjo gjë që ajo nuk i përgjigjej dot? Deshi të mërmëriste diçka, por s’mundi. Iku e hutuar tutje, me nxitim pas grupit të fundit, që asaj iu dukën të lumtur, mbështjellë me të qeshura, që i vinin në vesh me jehona të largëta. Nuk e kishte të qartë përse ndiente një farë mërie përzier me mallëngjim ndaj asaj gjëje të pakuptueshme, që po e trazonte miqësinë e tyre. Njeriu nuk do ta kuptojë kurrë këtë çast, i cili ia sjell dashurinë me dhimbje.

Tërë atë ditë ajo iu shmang takimit me të, ndonëse zëri i tij i ushtonte në gjoks e në veshë, si thirrje lirike e si vaj. Donte të shkonte drejt tij e t’i thoshte ato fjalë që duhej: fjalë ku përzihej gjaku, shpirti, drita, diçka e vagëlluar si përjetësia. Por sa vendoste kështu, shmangej dhe diçka e turbullt e mësonte të vraponte larg, atje ku nuk kishte as zëra e as objekte, në një vend abstrakt, që ekzistonte veç në mendimet e saj. I pëlqeu vetmia. I pëlqeu të ishte prapë fëmijë e të braktisej në asgjësi. Kjo ndjenjë e panjohur te ajo deri atë çast, ia pushtoi shpirtin. Çfarë po zbulonte ajo kështu në atë gjendje të tallazuar? Heshtja në shpirt kishte marrë ngjyrën e alarmit. Diçka e ndritur që errësohej. Gjatë ditës shkoi disa herë në breg të liqenit dhe vështroi në ujë refleksin e saj. Një refleks i tronditur. Fytyrë e hutuar. Sy që i shmangeshin vështrimit. Në një çast ikanak si vdekja, ajo pa në ujë zemrën e saj: një lëmsh i kuq i mbështjellë me sëkëlldi. Ku ishin gëzimi dhe të qeshurat ? Por e kuptoi. Në atë shtjellë ndjesish, atë njeri e donte. E donte si dritën e jetës. Nuk mundi ta shpjegonte arsyen.

Në mbrëmje pasi hëngri darkë me grupin, ajo doli buzë liqenit. Ishte pa shprehje, thuajse si një gjë e shuar. Dashuri apo ferr ishte ajo ndjenjë që s’e linte të qetë. Ai ishte ndarë nga të tjerët dhe rrinte i vetmuar. Ishte ulur pikërisht te vendi ku kishin qenë në mëngjes. Ajo u afrua dhe u ul pranë tij. E vështroi gjatë, me një buzëqeshje të përmbajtur, pa folur. Edhe ai ashtu veproi. E vështroi, por nuk buzëqeshi. Në fytyrë i nderej një trishtim si një pëlhurë e hollë mavi. Dukej i humbur, ëndërrues, poet, perëndi me fytyrë njeriu. Të dy i kthyen pastaj vështrimet në ujin e errët që nuk lëvizte. Heshtnin, por zemrat e tyre bisedonin. Ishte një bisedë pa kujtesë, shekullore, ndoshta e kuptueshme për një botë të pazbuluar.

Ora ecte shpejt. Ai e kishte humbur sigurinë e mëngjesit. Ajo ishte zhytur në vegimet e saj që treteshin e gjallëroheshin në çast. Te ato dy silueta të hajthme gjallonin pasionet. Diçka e heshtur u thoshte se nuk ishin mashtruese. Sidoqoftë Erosi është gjithnjë i verbër. Dhe në këtë pikë gjykimet mbeten të pakryera.

Muzgu tej hapte ngadalë ngjyrën e tij të kaltër si një vello të hollë, duke lëshuar njëkohësisht një ndriçim të errët mbi tërë natyrën përreth. Suprina e ujit dukej e palëvizshme, si mermer. Pertej liqenit drurët ngjasonin me ca piktura abstrakte. Lulet, disa prej të cilave prisnin muzgun të çelnin, përhapnin një aromë të njomë petalesh. Ishte një mrekulli që s’mund të riprodhohet. E çuditshme! Natyra ishte si një dëshirë e madhe. Ishin kredhur në memecëri peizazhet apo ashtu u dukej atyre? Çfarë janë fjalët? Në mos shkretëtirë që pastaj sjell blerimin. Apo rërë që e përmbytin ujërat që vijnë me forma valësh trëndafilore. Në mendjen e tij ajo ishte një lule që rrinte duke çelur vazhdimisht, në mos qenie hyjnore, kurse në sytë e saj ai ishte krejt një botë mitike që e magjepste, hero, Olimp, Perëndi e gjithfuqishme. Dhe nata shkruante ca fjalë të vogla që i kupton vetëm heshtja e dashurisë. Hapësira merrte formën e trupave të tyre, që ngriheshin në ajri si shpirtrat drejt përjetësisë. Rregulli i kohës ishte çorientuar dhe qarkohej nga një burim drite. Zemrat e tyre kishin thënë po, pavarësisht nga ata. Ai nuk guxoi më të fliste dhe ajo nuk guxoi ta prishte atë qetësi sublime.

Në hotelin fjetore u futën edhe bujtësit e fundit, sepse ata dëgjuan një natën e mirë që i thuhej rojës dhe që mbeti e vetmuar. U ngritën të dy në një kohë dhe hynë brenda me hap të nxituar. Para se të ndahej ai i dha dorën pa folur dhe i la në pëllëmbë një copë letër të palosur si hajmali që e nxori nga xhepi i këmishës. Xhepi ishte në anën e zemrës dhe dora e tij bëri një lëvizje plot kuptim. Ajo e mori dhe e mblodhi dorën grusht, si të kishte aty një zog që duhej ta përkëdhelte. Shkoi drejt e në dhomë, pa e parë udhën që përshkoi. Mbante mend se letrën e hapi kur u shtri, pasi e vendosi në mes të librit që lexonte. Ishte një libër i verdhë që qarkullonte në duart e vajzave. Autori kishte një emër të gjatë: Guy de Maupassant. Ajo u kthye nga muri, në mënyrë që të ishte larg syve të shoqeve të dhomës. I dukej sikur të gjitha vajzat e dinin çfarë i kishte ndodhur. Kur e shpalosi atë letër të vogël, i ngjau se frushulloi një pyll i tërë me degë. Aty ishin shkruar vetëm dy fjali me një shkrim që ajo ia ndieu të dridhurat e dorës: “Të dashuroj shumë. Po s’më deshe do të vdes.” Mikeli. Ajo i mbajti disa minuta sytë ngulur mbi atë shkrim të imët, e tronditur sërish nga një ndjenjë e madhe si oqean. Nuk shkroi asnjë fjalë tjetër. Vetëm, poshtë emrit të tij shtoi emrin e saj: Donika. Pra edhe ajo mendonte të njëjtën gjë. Do t’ia kthente të nesërmen në mëngjes po atë letër si përgjigje. Pastaj e palosi sërish dhe e futi në mes të librit. I mbylli sytë dhe e pa veten të mbuluar me një pah të bardhë lulemollësh. E zuri gjumi më i ëmbël në botë.

Pas dy muajsh ajo u emërua mësuese, kurse ai shkoi në një kurs për laborant dentar në Tiranë. Kjo qe koha kur dashuria e tyre mori një lulëzim të plotë. Ata mezi prisnin çastin të takoheshin dhe e shihnin si i ngrinte lart në kaltërsitë e pafundme, shkalla e lumturisë. Sa herë dukeshin si dy engjëj që ngjiten në ajri, për t’iu larguar sa më shumë tokës. Shpirtrat e tyre çeleshin dita-ditës. Çdo gjë u dukej e bukur dhe e ndritshme. Bota ishte e gjitha Parajsë. Dhe ata kishin aty kopshtin e tyre të Edenit. Embëlsia në marrëdhënie për ata u shndërrua në natyrë të dytë. Nga kush e kishin mësuar këtë gjë? Mbase dashuria është një mjeshtëri e padukshmpe që të vjen vetë në duar. Kush mund ta dijë?

Por martesa e lëkundi paksa shkallën e tyre të lumturisë dhe e zhvendosi disi nga vendi i përhershëm. Natyrshmëria e tyre ndryshoi. Familja duhej t’u nënshtrohej ca rregullave, që ata e patën vështirë t’u përmbaheshin. Megjithatë, atje lart në shkallën e lumturisë, ata harroheshin në soditje dhe me sy të kulluar ndërtonin një të nesërme të ndritur.

S’kaloi shumë kohë dhe në çerdhen e tyre cicëroi një foshnjë si zog i rrallë, fëmija i tyre i parë, djalë. Fryt i dashurisë dhe i netëve të lumtura. Duhet thënë e vërteta, që është kryeneçe. Krahas hyjnitetit dhe përmbushjes së ritualit magjik për vazhdimësi, ajo bebe imcake, e njomë, ashtu qetë-qetë, me fuqi misterioze, e këputi pa kuptuar një këmbë të shkallës së tyre të lumturisë. Ata vazhduan të ngjiteshin, por jo si më parë. Në fillim nuk e kuptonin përse duhej të sforcoheshin. Megjithatë kur mbërrinin lart, bukuria e dashurisë, e rindërtuar në atë copëz mishi trëndafilor, dukej madhështore. Gugatjet e bebes, si sythat e pranverës në shpërthim, të futura thellë shpirtit të tyre, i shoqëronin si një muzikë hyjnore. Dhe ata e ndienin si përzihej gjaku i tyre me hare dhe kënaqësi. Të zgjuar nga ëndërrimi, jo në pak raste ata zbrisnin në tokë që t’i përkushtoheshin detyrës prindërore, që ishte si mision i shenjtë. Aty i harronin ata lartësitë e kaltra dhe zhyteshin në përditësinë monotone me kërkesa konsumuese. Sidoqoftë ëndrra e tyre ishte kthyer në një realitet që e mbanin në duar. Djali që rritej mes përkujdesjeve, ishte gjaku dhe mishi i tyre. Me fëmijën pranë, ata e kuptonin përse të moshuarit e qunin fëmijën dhuratë hyjnore.

Fëmija i dytë, përsëri djalë erdhi në jetë aksidentalisht, atëherë kur nuk e prisnin. Se fëmija i parë ishte i vogël, s’i kishte mbushur ende dy vjeç. Ndryshe nga fëmija i parë ai e këputi brutalisht edhe një këmbë tjetër të shkallës së tyre të lumturisë. Kur ngjiteshin aty gjithnjë e më me vështirësi dhe shihnin brenda shpirtrave të tyre plot mirësi dhe bujari, ata çliroheshin nga shqetësimet e jetës. Por kjo filloi të ndodhte rrallë. Dhe kur zbrisnin në realitet, që gjithsesi është i ashpër, ata nuk e quanin aspak fatbardhësi ardhjen e fëmijës së dytë, ashtu si kishte thënë dikush nga miqtë e tyre. Ajo mendonte se fëmijës së parë i ishte ngadalësuar rritja. Sa herë kishte përjetuar skena që nuk mund t’i shlyente nga kujtesa: ndërsa i jepte të voglit për të pirë, fëmija i parë sillej përreth si i mjeruar, i mbështetej pas trupit, sepse ato çaste nuk kishte vend të mjaftueshëm në prehër, ia vinte duart e vogla si zambak sipër krahut, që mbante bebin e i bërbëliste në të qarë: “Ti s’më ke xhan?! Më ke xhan?!” Ajo ia përkëdhelte kokën dhe e mbështillte rreth vetes, duke pritur e përgjëruar që bebin ta zinte gjumi e t’i përkushtohej atij. Jo rrallë e merrte edhe atë në prehër, e i mbante shtrëngueshëm të dy. Ai sillej atëherë në një mënyrë të çuditshme. Ia hiqte me përdhunë sisën bebit të përgjumur, i cili kërkonte me lëvizje të kokës të niste sërish të pirët, duke përsëritur për të stërmiliontën herë ritin e rritjes, të mrekullimit. Ajo ia merrte me ëmbëlsi dorën dhe bënte që t’ia jepnin të dy sërish bebit. Kështu jepte ajo pa dhimbje jetë nga jeta e saj, që vjetrohej dalngadalë sipas një ligji të padukshëm, por të qenësishëm. I vinte keq për atë krijesë të re, të cilën nuk e kishin pritur me aq zemër dhe përgjigjej: “Të dyve u kam xhan. Se ti je i madh si pemë, kurse ky është picërrak, sa një gisht.” Ajo bënte me dorë dhe me mimikë shenjat, që atij ia mbushnin mendjen sa të shkrihej në të qeshura, i mahnitur nga çudia e botës. Shpirti i tij i pafajmë gurgullonte dhe ai i hapte sytë e ndritshëm si yje në atë botë të përmbibukur që ndërtonte magjia e fjalës amnore. Forca dhe mrekullia e atyre çasteve është kohë e lumtur, qiell i paanë plot yje. Ajo është pasion, poezi, muzikë, ngjyra, që derdhen pa pushim dhe i japin mjedisit rini të përjetshme. Ka një lidhje të mgjishme mes fjalës së mëmës dhe fëmijës që nuk mund ta shpjegojë asnjë traktat psikologjik apo psikanalitik.



***

Kuptohet që të dy prindërit e harruan pjesërisht veten, por gjenin sidoqoftë një ndërkohë të vockël, një stërkohë që e mbushnin me gëzime të shkurtra ekzistencën e tyre. Kur filluan ta marrin disi veten e të kujtohen për harresat e pafalshme që i kishin lejuar vetes, duke e dënuar dashurinë që kishte qenë magjiplote, mes lidhjes së tyre hyri edhe një krijesë tjetër. Në atë kohë nuk kishte kontraceptivë e mjete moderne për ta ndaluar si sot një ngjizje dhe ata të dorëzuar para faktit të kryer, nuk ia dolën dot të gjenin një vërtetim mjekësor për ta hequr, sado që u munduan në konsulta mjekësore. Donikën e mbërtheu pastaj një ndjenjë faji. Kaloi një barrë të keqe. U shtrua dy herë në spital me rrezik dështimi. Dhe megjithëse në fillim kishte dashur ta hiqte atë fëmijë, tani luftonte me të gjitha forcat që ta shpëtonte gjallë e ta mbante në trupin e saj. Më në fund krijesa erdhi në jetë, i nxituar, shtatë muajsh, i vockël sa një frutë peme, sërish djalë. Pas një jave ajo mendoi se do të dilte, ashtu si kishte ndodhur me dy fëmijët e tjerë, por bebi duhej të rrinte në inkubator sa të fitonte peshën e duhur. Kështu ajo ndenji zemërthyer. E merrte malli, sidomos për djalin e dytë, që ishte i vogël e një natë kishte pyetur për të me sy të përlotur. Sidoqoftë u lehtësua, se mëma e Mikelit erdhi të rrinte me ta për t’i ndihmuar. Kur shkonte në spital me djalin e madh, se i dyti qante po ta shihte, Mikeli e ngushëllonte. E qetësonte. I thoshte se tani e prapa do të tregohej i kujdesshëm, që ajo mes të mbetej më shtatzënë, se do ta merrte veten shpejt, sa të kthehej në shtëpi: Shkurt, sipas tij, ata do të fillonin një jetë të re. Ai i thoshte edhe shumë gjëra të tjera që ajo mezi përqendrohej për t’i dëgjuar. Ishte e lodhur. Rrinte e heshtur. Mendonte orë e çast për bebin. I dhimbsej shumë që kishte lindur para kohe. Që ishte nënë peshë e mezi i hapte sytë.

Pas dy muajsh ajo u kthye në shtëpi me beben imcake. Kur hyri, shtëpia iu duk eddhe më e vogël. Ai copë mishi sidoqoftë i kishte shtuar frymët. Tani bëheshin pesë vetë. Ishte e vështirë të jetoje në të njëjtën sipërfaqe. Dy djemtë e tjerë vinin rrotull të pezmatuar, se u dukaj se ajo nuk i shihte. Në t/ vërtetë nuk merrej me ata si më parë. Pas një jave mëmës së Mikelit iu desh të ikte se i ati i Mikelit ra papritur i sëmurë. Tani Mikeli u ngarkua më shumë. Ai bënte punët jashtë shtëpisë, si çuarja e fëmijëve në kopsht e çerdhe dhe blerjet, kurse ajo, derisa t’i mbaronte raporti, merrej vetëm me punët brenda. Në shtëpi mbretëronte njëlloj kaosi që ata nuk e kuptonin nga vinte Nuk e kishin pandehur kurrë se ardhja e fëmijës së tretë, do të ishte si një katastrofë për dashurinë e tyre. Ajo krijesë imcake, shkuli pa mëshirë dhe njëherësh edhe dy këmbë të tjera të shkallës së tyre lumturisë. Tani ata jo vetëm që s’mund të ngjiteshin nëpër hapësirat e ëndërrimeve, por s’kishin kohë as të shiheshin me sy. Kështu që një ditë prej ditësh shkalla u rrëzua krejt. Dashuria e tyre dergjej përtokë, e mospërfillur si një vegël muzikore e çtingëlluar.

Ajo iu përkushtua shumë bebit. Nuk thoshte kurrë për të është shtatanik. Kjo fjalë vinte me ndjesinë e një plage të dhimbshme. I dukej sikur ajo vetë qe shkaktare. Por, në kokë i sillej edhe një kuptim disi i turbullt e i lodhshëm që lidhej me karakterin e ardhshëm të bebit. Në shtëpi dëgjoheshin vetëm të qara, zënka, britma. I vogli ishte disi grindavec. Mikeli thoshte se ishte shumë i prapë. Dhe pikërisht për këtë gjë ajo e harroi Mikelin. Harroi edhe veten. Kishte në dorë një jetë që disi e kishin dhunuar. Sepse nuk kishin dashur që ta shihte dritën e jetës. Me butësinë dhe ngrohtësinë e saj, ajo donte të zbuste. Që t’i jepte ritëm dhe lëvizje asaj natyre misterioze. Përpiqej të ishte e vëmendshme ndaj çdo kërkese të tij. Se kuptohet fëmija do shumë kohë që të flasë, por një mëmë e vërtetë ia kupton fjalët te sytë. Eshtë një gjuhë e veçantë, është vazhdimësia e të folurit me gjeste, qëkur ajo e mban ende në trup, mbështjellë në ngrohtësinë e asaj bote të errët. Eshtë bashkëbisedimi i përjetshëm, i trashëguar.

Djali rritej, fitoi peshën e zakonshme të çdo fëmije, madje u shëndosh më shumë se dy të tjerët, por Donikës i ngjasonte vocërrak. Ajo e mbante pranë vetes më shumë. Kjo gjë bëhej në kurriz të një xhelozie që ngjallte te dy të tjerët, por ajo i zbuste përherë, duke u thënë se duhet të bënin të gjithë ç’është e mundur që ai të rritej, se mund të mbetej i vogël fare, i gjori. Fjalët e fundit ajo i shqiptonte me një lloj toni që ata e kuptonin se ishte keqardhje e dhembshuri. Duke i marrë si të vërteta këto fjalë të improvizuara, që pjesërisht mund të ishin të tilla, ata sillnin pranë tij lodrat e tyre, rroba për të veshur, fruta dhe karamele që i ruanin në një vend që ata e dinë se ku e ndërtojnë brenda universit të tyre fëmijëror në familje. Pastaj e përkëdhelnin me duart e tyre si lule atë krijesë, që shkrihej nga kënaqësia e perkujdesjeve dhe e dashurisë.

Jeta, doemos u shndërrua në një lodhje për çiftin, i cili tashmë nuk i përkiste më vetes. Mëngjeseve me fëmijët në krahë apo përdore për t’i shpurë në çerdhe dhe kopsht, Mikeli dhe Donika nxitonin të arrinin kohën e paraqitjes në punë. Pasdite ktheheshin të lodhur me trasta ushqimesh ndër duar.



***

Të vegjëlit dolën nga mosha e kujdesit të madh, por detyrimet u shtuan. Dy të mëdhenjtë vinin në shkollën fillore. I vogli u bë për në kopsht. Ishte rritur e shëndoshur. Kur ecte dukej sikur fluturonte nga lumturia. Kishte një gëzim të brendshëm që nuk rrëfehet. Ishte i zgjuar. Po bëhej i bukur si drita. Ajo binte në mendime kur e shihte. Ndinte gjithnjë pak faj se disa herë i kishte thënë se e kishte lodhur shumë. Por ia kishte thënë kur ishte bebe e s’kuptonte. Ai e shihte me sy të mëritur, sepse atëherë grindej për gjënë më të vogël dhe ajo kujtonte se ai e merrte vesh çfarë i thoshte.

Pesë vetë, sidoqoftë ishin shumë për rrogat e tyre të vogla. Problemet ekonomike u shndërruan shumë shpejt në një sëmundje të pashërueshme. Filluan të merrnin borxh, por borxhi duhej larë, ndaj nisën ta mbajnë dorën. Jo për fëmijët, për vete. Hanin veç, që fëmijët mos ta shihnin varfërinë, që u bë e prekshme në shtëpinë e tyre. Pastaj, nuk blinin më për vete rrobat që u duheshin. Mjaftoheshin me ngjyrosje, me arnime e kthime në anën tjetër. Për t’u argëtuar as që bëhej fjalë. E harruan derën e kinemasë e të estradës. Vizitat për festa i bënë sa më të rralla.

Por për fëmijët ishte një kod tjetër sjelljeje. Për pushime verore ata shkonin te currilat në mëngjes e ktheheshin pasdite si të ishin për piknik. Si prindër të vetëdijshëm për misionin e tyre, ata përpiqeshin t’i argëtonin aq sa mundnin. I ruheshin dramës që mund t’ia behte herët në shpirtin e tyre. Kjo gjë u solli edhe harresën përfundimtare të vetes. Të dy donin që fëmijët të kishin fëmijëri, ta quanin atë si pasuri në të ardhmen. I dëgjonin, sidomos kur ishte fjala për ëndrrat dhe dëshirat. I shëtisnin të dielave. U festonin ditëlindjet. Festave u jepnin një ngjyrë të këndshme, duke u sforcuar. U blinin rroba të reja në fillim të shkollës, sidomos gjërat që ata e pëlqenin jashtë mase, pavarësisht se luanin me çmimet, duke kërkuar ato që ishin më lirë.

Dhe kortezhi i viteve i solli në një pikë të lodhur, të harruar. Njëlloj si një garnizon kështjellarësh pas një rrethimi të gjatë. Konsultorja, çerdhja, kopshti, shkolla, spitali, shtrëngesa ekonomike, krizat e adoleshencës, ngushtësia në shtëpi, të gjitha këto lanë gjurmë të mëdha. Erdhi një kohë që bisedat e tyre shkonin gjer në zemërim e mëri dhe hera-herës përfundonin në grindje. A gjendej ndonjëherë shkaku i përseve? Kush qe fajtori për ngjizjen e fëmijës së dytë e të tretë njëri pas tjetrit? Të dy ata mund të quheshin autorë, se faji nuk mund të ishte i njërit. Sigurisht që ajo e tepëronte. E lodhur sa s’ka më, ia hidhte krejt fajin atij. Po varfëria ku e kishte burimin? Përse sëmureshin dy fëmijë njëherësh? Kushedi sa herë ata kishin rendur nëpër natë gjer në spital, me fëmijë para duarsh? Sa ndodhi të tjera që s’vareshin prej tyre, ua kishin prishur harmoninë që shfaqej si një ditë me shi e furtunë në mes të verës? Duhej të shtoje edhe kanosjet për transferim. Sepse ata u bënë të dy komunistë dhe komunistët duhej të ishin të parët. Nuk duhej të harroje edhe mbledhjet e gjata. Edhe punën vullnetare. Shpesh herë të dielat ishin ditë aksioni. Kur duhet të bëheshin gati ata për ditën e hënë që fillonte java e punës? Njëherë ata i kishin gjetur dy djemtë që ishin në kopsht, jashtë te dera si dy zogj të trembur. Njëherë tjetër kur i kishin lënë vetëm në shtëpi më i vogli, kishte ndrydhur këmbën, se ishin vonuar në një mbledhje që për fat të keq e kishin patur të dy në një kohë. Dy më të mëdhenjtë e kishin shtyrë të hidhej nga divani. Atëherë ajo e kishte qëlluar për herë të parë djalin e madh. Ai ishte shtatë vjeç atëherë, kishte hyrë në klasën e parë dhe ajo kurrë nuk e harron vështrimin e tij pyetës dhe revoltën e tij të heshtur. Kurrë nuk do t’ia falë vetes. Dhe ku e kishte qëlluar? Në mollaqe, sepse s’kishte patur zemër ta qëllonte asnjëherë. Por ai edhe aty e quajti të padrejtë. Faktin që fëmija nuk duhet qëlluar, ajo e kishte trashëguar nga e ëma dhe gjyshja. Ajo vetë nuk mbante mend asnjë pëllëmbë nga e ëma. Gjyshja i kishte thënë se me fëmijët duhej të tregohej e dashur edhe kur ta kishte shpirtin të lënduar. Atë ditë të largët, ajo ishte penduar menjëherë, ishte bërë gati të qante, por atij nuk ia kishte shfaqur dobësinë. Më vonë i kishte kërkuar falje. Për fat të mirë i biri e kishte harruar këtë gjë.



***

Vitet kaluan. Djemtë u rritën si tre yje të pikuar nga qielli. Të shkathët e të zgjuar. Të shëndetshëm. Të hijshëm. Plot ëndrra adoleshence dhe rinie. Kishin talente. Pakëz hokatarë me qytetin, me shtëpinë, me vetë ata. Kishin ëndrra të çuditshme. Merreshin me pikturë, me muzikë, me sport. I madhi lexonte shumë. Mikeli me Donikën i vështronin të mallëngjyer, por e gjithë kjo kishte ndodhur si zakonisht, në shkëmbim të një shkatërrimi. Përjetimet e tyre romantike të rinisë si çift dhe emocionet gazmore të viteve të para të martesës, qenë tharë e venitur. Dëshirat e fshehta për t’iu përkushtuar njëri-tjetrit, shtyheshin vit pas viti dhe dalngadalë qenë tretur. Ndonjëherë ata ndienin një thirrje të brendshme, tamam si muzikë, njëlloj dinamizmi që e kanë dashuritë e mëdha që merren vesh pa fjalë, por ndodhte diçka që i çrregullonte të gjitha. Merret me mend që atyre u zhdukej në çast pezmatimi, kur shihnin djemtë nëpër shtëpi që s’kishin nevojë për ndihmën e tyre. U gëzohej zemra. Nëse shkalla e lumturisë së tyre vetjake ishte rrëzuar përtokë, ata kishin parë me sytë e tyre si kishte mbirë në vend të saj një pemë e blertë ku rrëzëllinin me dy ngjyra të thekshme ndjenja e mëmësisë dhe atësisë. Kjo ndjenjë çelej nga fundi i shpirtit. Aty gjendet dashuria e dhembshuria si ritme që përkundin zemrat prindërore. Veçanërisht ndjenja e mëmësisë është brenda që herët, disi e turbullt, por tronditëse, para se trupi të njohë ndryshimet që sjell ngjizja në mishin dhe gjakun tënd, e një krijese që do ta shohë dritën e jetës, frymën, duke të sjellë lumturinë më të madhe në botë. Gjithë hapësira e ndien këtë muzikë të mishit dhe gjakut. Eshtë si një këngë e mistershme që nuk mbaron kurrë. Sa herë ata mbyllnin sytë dhe mrekulloheshin, duke kujtuar fjalë apo gjeste te atyre që ishin jeta e tyre. Dhe dëgjonin një muzikë. Muzikën e dhimbjes e të gëzimit, të ëndrrës, të poezisë, të vdekjes e të rilindjes. Muzikën e humbjes që shndërrohet pareshtur në triumf, përmes vdekjes së ngadalshme që prodhon një cikël rrethor: lindje, vdekje, lindje. Dhe kështu vuloset ligji i jetës, i pashkruar si më i fuqishmi i të gjitha ligjeve të shkruara. Kështu ndodh që brezat e thyer e shohin veten të përtërirë te pasardhësit. Bota është botë e fëmijëve.



***

Atë pasdite ata ishin ulur si një ditë më parë dhe si gjithë këto vitet e fundit, në qoshe të divanit, dhe rrinin të heshtur megjithëse kishin biseduar në telefon me të tre djemtë. Shikonin televizor: ajo e pavëmendshme, si dikur që fëmijët e vegjël nuk e linin të çonte një emision gjer në fund; ai i lodhur se veç që merrte pjesë me atë gati në të gjitha punët që lidheshin me djemtë, por ishte i detyruar t’u përgjigjej pyetjeve të pafunda të tyre, të luante me ta, ose t’i ndante kur të grindeshin. Sepse djemtë grindeshin shumë. Ngaqë nuk kishin shumë diferencë nga njëri-tjetri, të shumtën e kohës bëheshin si të ishin të tre njëlloj.

Zërat e fëmijëve u kishin futur një ndjenjë të ngrohtë në shpirt. Nuk ishte gjë e madhe ajo që kishin thënë. Por atyre u mjaftonin fjalët: “Mama, baba, jemi mirë. Mos u bëni merak. Ju puthim fort. Timbri i zërit të tyre rinor kishte ardhur gjer aty si një kumt i shenjtë. Të tre kishin dalë njëri pas tjetrit. Të fundit sapo i kish dirsur mustaqja kur qe nisur dhe për tre muaj i qe trashur fare zëri. Çamarroku! Atë ditë që djemtë s’ishin mbledhur në shtëpi në mbrëmje, por kishin marrë detin, ata të dy ishin strukur në qoshe të divanit dhe e kishin gdhirë duke lotuar si dy kërcunj të sapo prerë. I madhi vërtet ishte pa punë se e kishin pushuar si djalë komunistësh, kur s’kishte shumë që kishte filluar në uzinën e televizoërëve dhe e donte me pasion atë mjeshtëri. Por i dyti dhe i treti nuk ishin ndarë nga ende nga bangat e shkollës. Njëri ishte student në Institutin e fiskulturës dhe i fundit, do të përgatitej për konkurs në mjekësi.

Duke u mbështetur në ndenjësen e divanit, e mbytur në mendime, ajo sillte në mend ato ditë kur qenë nisur ata dhe vështronte herë pas here nga i shoqi që rrinte si dikush i panjohur. Asaj i dukej e çuditshme dhe e pashpjegueshme. Sytë iu mjegulluan nga një palë lotë të mëdhenj. Sa e kishte dashur atë njëri! Sa asgjë në botë! Çfarë? Mos e kishte humbur përgjithmonë? A mos ishte e lidhur dashuria me humbjen? Ajo s’mund të ngushëllohej. Ishte një pafundësi ndjenjash. Ajo e quante veten të lidhur me atë dashuri në mënyrë absolute. As jetën e saj nuk dinte ta çmonte atëherë. Çfarë dhimbjeje! Përpara syve iu shfaq si e gjallë koha kur dashuria u bë e fshehta më e bukur e jetës së saj. Lotët që i kishin mjegulluar sytë, u formuan si dy pika të mëdha shiu dhe i ranë mbi faqe. Nuk i fshiu, por e ktheu vështrimin e trishtuar nga i shoqi. Edhe ai që nga fundi i divanit për çudi atë çast i hodhi sytë nga ajo. Në atë shikim të shkurtër, por të thellë dukej një përgjërim i fshehtë, i ringjallur. Mesa dukej ata po mendonin të njëjtën gjë. Vështrimet e tyre u puqën disa sekonda. Kishin vite që nuk qenë parë ashtu. Ai vazhdoi pastaj të shihte televizor. Tëmthat e zbardhur dhe gjysma e fytyrës së tij vërtiteshin në shikimin e saj si një pjesë portreti e shkëputur nga tabloja në atë gjysmë errësirë që mbretëronte në dhomë. Një muzikë e largët me ritme nostalgjike nisi të rimonte shpirtin e saj.

Atë natë Donika pothuajse nuk vuri gjumë në sy. Kujtoi prapë rininë. Herë-herë në ëndërr e herë-herë zgjuar. Shihte veten e saj dhe atë si të ishin të tjerë. Të dy shtathedhur. Me vrull rinie. Me këngë moshe në trup. Me vështrime të kulluara që pasqyronin dritën e shpirtit. Me zemër të hapur ku shihej lulja e mirësisë. Me ëndrra që i ngrinin lart mes yjve dhe hënës, në kaltërsinë e argjendtë. Me biseda të bukura, të pastra, përplot guxime, plot jetë. Një fill magjik i mbante lidhur kudo që shkonin. Në një çast vitet rrëshqitën e u thërmuan. Ajo po shihte një film i vjetër, pa zë. Koha pat rrjedhur si uji. Bota pati qenë herë e përsosur e herë e zymtë. Madje herë-herë ajo i kishte lënë shijen e një ferri të pambarimtë. Me këtë vizion të trazuar në të gdhirë, asaj iu mbyllën një grimë sytë.

Kur u zgjua në mëngjes, ngazëllimi ia kishte mposhtur brengosjen. Ajo ndien pakëz lirizëm të fshehur, kushedi në cilën qoshe të shpirtit, megjithëse duke u parë në pasqyrë sytë iu dukën si qiell i lodhur. Edhe i shoqi ishte zgjuar ndryshe nga ditët e tjera. Kishte në fytyrë ca gjurmë optimizmi që ia kishin qëruar trishtimin. I hodhi asaj ca vështrime të buta, që të çarmatosnin. Ajo i pëlqeu t’i quante në heshtje: vështrime dashurie. Ato i përngjasuan asaj me vështrimet e tij të dikurshme. Kur ishte djalë ai e kishte patur edhe vështrimin të hijshëm edhe fjalën të ëmbël. Vishej e mbahej. Rrezatonte kulturë jetese. Vajzat e reja që nuk e dinin se e kishte zemrën të zënë, e lakmonin.

Kur veshi xhaketën e hollë, ai erdhi te dera e kuzhinës. Ajo i vajti pranë. Shkuan në korridor të dy pa folur. Para se të hapte derën e jashtme, ajo i tha mirupafshim dhe e përqafoi e druajtur. Sepse nuk e kishte bërë prej kohësh këtë gjest. Edhe ai ashtu bëri. Dhe doli si era. Ajo vajti në ballkon dhe e ndoqi me sy derisa iu zhduk silueta në fund të rrugës. Qëndroi edhe pak me sytë e ngulur nga blerimi i njomë që shfaqej vende-vende në rrugën që kaloi ai. Mbylli sytë dhe ndjeu natyrën e jetën si uturinin rreth saj, me gëzime dhe mjerime, me lumturi e brengë.

Ajo hapi sytë sërish dhe u fut brenda si të ishte një tjetër botë. Shpirti po i lundronte në një det kujtimesh. Iu afrua pastaj pasqyrës së heshtur në dhomën e gjumit. U ul në ndenjëse. Me duart e brishta kapi flokët, i kapi dhe provoi si mund t’i shkonin më mirë. Ah, sa e largët iu duk koha kur vraponte në takime me leshra të lëshuara mbi supe. Atëherë kishte patur besim te jeta. Kishte qenë plot vullnet e dëshira. Ku kishin humbur të gjitha këto? Dhe u ngrit zemërthyer.

Përpara komosë ajo u ndërdysh dhe qëndroi paksa si e ngurosur. Aty ishte një sirtar me kujtimet e rinisë. Vendosi ta hapte. Kaloi nëpër duar një fletore me kapak të blertë ku shkruhej “Libri i Familjes”, kujtim i babait të Mikelit që kishte vdekur herët. Sa kishte mbushur ai dyzet ditë, kishte vdekur edhe nëna e Mikelit. Asaj i kujtohen ato kohë kur i shoqi e kishte përjetuar rëndë atë humbje. Nuk kishte as vëlla e as motër për t’u ngushëlluar, por ajo i kishte qëndruar shumë pranë me dashurinë e dhembshurinë e saj. Pastaj ajo ngriti një shall të kuq të palosur, ishte një shall i kuq Brigade, imitim i shallit partizan që ia kishte falur i ati i saj. Foton e zmadhuar ku ajo qëndronte mes dy prindërve e pa për një kohë të gjatë. Edhe i ati i saj kishte vdekur shpejt. Para tre vjetësh i kishte vdekur edhe e ëma. Në një fotografi tjetër të moshës së adoleshencës, iu duk vetja një ëndërruese e vogël. Edhe Mikeli dikur e kishte quajtur ëndërrimtare. E la fotografinë në vend dhe i vajti kutisë që ishte në fund fare. Ishte një kuti kineze, që ia kishte falur e ëma që e kishte sjellë nga Kina, kur kishte qenë në një delegacion për t’u njohur me Revolucionin Kulturor. Aty ishin letrat e dashurisë. Ajo shkoi buzë shtratit me kuti në dorë dhe e hapi. Nxori tufën e letrave të palosura njëra pas tjetrës dhe nisi të lexonte të parën. Lexoi dhe përgjigjen e saj, sepse ashtu i kishte vënë dikur, njëra pas tjetrës. Letrat ishin të ruajtura mirë, me një shkrim të kujdesshëm, me fjalë që derdheshin si lumë nga dy shpirtra të rrëmbyer. Ajo vazhdoi të lexonte dhe iu duk vetja sikur ishte futur në një muze të lashtë dashurie. Një letër ishte e mrekullueshme. Përfundonte me vargje poetike dhe me ca fjalë të zjarrta. Kjo datonte me vitin e parë të martesës. Ajo kishte vajtur ca ditë në një qytet tjetër ku ishin vendosur prindërit atë vit me një vëlla të saj që kishte mbaruar shkollën ushtarake. Ajo u përpoq t’i mësonte përmendësh vargjet: “Ajo s’ishte grua / Por yll i rrallë, / Që zbriti nga qielli / Dhe e ndriçoi jetën time …” Lexoi pastaj me vëmendje letrën që vinte pas, sidomos pjesën që ishte si përgjigje e vargjeve poetike: “Hapi të gjitha dyert dhe dritaret e qiellit tënd të shpirtit, që të kalojë lirisht drita yllore.” U shkoi deri në fund atyre letrave si të ishin pronë e tjetërkujt. Pastaj i numëroi. Bëheshin pesëdhjetë e një letra dashurie, të çakërdisura, ëmbëlsisht magjike. Një botë e harruar shungullonte nëpër dhomë. Letrat e Mikelit ishin si romane të vogla. Dikur për të kishin thënë se kishte një shpirt të zgjedhur. Edhe për atë kishin thënë se ishte dëlirësia vetë. Por koha i kishte fshikulluar të dy egërsisht, duke futur zemërim dhe ashpërsi te njëri, frikë dhe ankth te tjetri. Pasi vendosi letrat në kuti, ajo e qortoi veten se po e tepronte që prej dy ditësh me këto kthime në të kaluarën.

Kur po e vendoste kutinë prapë në sirtar ra zilja e telefonit. Paradite atë zakonisht nuk e telefononin, se e dinin në punë. Asaj nuk ia donte zemra ende të thoshte hapur se kishte dalë në pension. E kishte përfshirë një ligj i vjetër i kohës së Enverit që mësueset i nxirrte në pension 50 vjeç. Me receptorin e telefonit në dorë, ajo priti si e hutuar një grimë, se në anën tjetër dikush ngurronte të fliste. Ajo i dëgjoi fillimisht frymën, pastaj tingullin që mori formë me fjalët:

- Ti më ke falur shumë dashuri dikur.

Ajo u befasua. Ishte zëri i Mikelit, që iu duk njëherësh i afërt dhe i largët, i shtrenjtë dhe vrastar, i ëmbël dhe i ftohtë.

- Oh. – Ajo u përpoq të gjente një fjalë që e kishte patur dikur në majë të gjuhës. – Xhan, ti je?

- A më do prapë?

- Ç’thua sh-p-i-r-t? -– Ajo mezi e shqiptoi këtë fjalë se sytë iu mbushën me lot të nxehtë dhe e shtrëngoi diçka në fyt.

- Mendo për mua.

Ajo do të donte t’ia bënte vetë atë pyetje dhe t’i thoshte: “Mendo edhe për muaa”, por receptori në anën tjetër qe ulur shpejt. Asaj prej kohësh i qe dukur se ai nuk e donte më. Përmes fillit, sidoqoftë asaj iu duk sikur iu fut një fllad i lehtë që ia lëmoi fytyrën e ia thau lotët. Dashuria e llahtarshme, e bukur, e frikshme që s’vdes kurrë. Me çfarë e mbush ashtu zemrën e njeriut? Dielli lind dhe perëndon. Yjtë dhe hëna ndizen e shuhen. Gjethi çel dhe bie. Por natyra jote e mistershme nuk njeh zakonshmëri. Pas asaj bisede në telefon ajo po sillte në mend copëza kujtimesh. Ndonjëherë e tundte kryet se nuk donte që t’ia behnin kujtimet e hidhura e t’ia trazonin atë çast të qetë e të ngrohtë mbas asaj mizërie vitesh njëherësh të këndshme e të pakëndshme.

Dera u hap dhe ajo doli me hap të rinuar në korridor. Ishte Mikeli që vinte zakonisht në atë orë. Ajo e përqafoi fort. Edhe ai ashtu bëri ,duke ia mbajtur kokën për disa minuta në kraharorin e tij të gjerë. Ajo e ndjen veten të përkëdhelur si në vitet e rinisë. Kishin kohë që nuk ishin përqafuar ashtu ngrohtësisht, ëmbëlsisht me domethënie dashurie

Ajo ngriti kokën dhe e pa drejt në sy, i mërmëriti: “Shpirt”, pastaj i tha:

- Ti ke qenë poet, përse nuk ke shkruar. Lexova letrat tona.

- Kur hyre ti në jetën time, e lashë poezinë. Kisha shkruar ca vargje që m’u dukën pa vlerë. Ti ishe më e bukur se poezia.

Ai nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës, diçka të mbështjellë me kujdes. Ishte e rrumbullakët dhe dukej si top bore nga letra e bardhë që e mbulonte.

Ajo e hapi me emocion dhe që andej dolën dy trëndafila të kuq si zjarri.

- Oh, sa të bukur dhe të freskët janë. Jam e lumtur, – tha.

Pastaj mori një gotë dhe e vendosi në mes të tryezës së bukës.

U ulën të dy dhe u bënë gati të hanin. Ai e vështroi gjatë.

- Ti je për mua thesari më i çmuar.

- S’ka njeri në botë që kam dashur sa ty.

Asaj i erdhi keq që e përdori foljen në kohën e shkuar.

Ai tundi kokën.

- Kam dëshirë të më duash gjithmonë, natë e ditë, pareshtur.

Ata filluan të hanin në heshtje. Në veprimet e tyre kishte hutesë dhe bukuri, si të ishin për herë të parë bashkë. Ajo përfytyroi atë kohë kur të rinj shkonin në restorant dhe ai ia priste vetë mishin dhe perimet në pjatë. Ia mbushte gotën me verë. Ajo e përfytyroi të gjallë, me flokë të krehur lart sipas modës së një aktori, emri i të cilit i kshte dalë tashmë nga kujtesa, me një të ecur të drejtë dhe buzëqeshje të përkorë. Tani kishte filluar të kërrusej paksa dhe flokët i kishin rënë. Dhe pikërisht për këtë gjë asaj iu duk më i dashur se kurrë.

Ai hante dhe e ndalte i përqendruar vështrimin e tij mbi fytyrën e saj të lodhur e të trishtuar, ku kishin filluar të ravijëzoheshin ca rrudha të lehta rreth syve që e ruanin xixëllimën e zjarrtë. E përfytyroi atë një çast në takimin e parë, pasi i kishin pohuar njëri-tjetrit ndjenjën e tyre të thellë e misterioze të dashurisë. Pas atij pohimi në letër ata qenë ndarë dhe qenë parë vetëm një muaj më vonë pasi kishin mbaruar provimet. Mesa duket dashuria i frymëzoi së tepërmi atëherë që dolën me notat dhjeta në të tria provimet; atëherë nota dhjetë ishte më e larta. Ajo kishte edhe një të katërt në të cilin mori nëntë. Kjo ishte e jashtëzakonshme. Pra ishte korrik, nëntë korrik, kur ata u gjendën në breg të detit, larg plazhit, në një mëngjes të papërsëritshëm. Silueta e saj e bukur, me trup të hollë në një shtat mesatar, atij i qe dukur si hyjni, si Venusi që brof nga shkuma. Fytyra e saj si trëndafil, me sytë e zinj plot shkëlqim, ishte nga gjërat më të ëmbla që kishte parë ai gjer atëherë. Ajo atëherë i kishte prerë flokët shkurt dhe ngjante si një çupëlinë, megjithëse një muaj më vonë nisi punë si mësuese në një nga shkollat fillore të qytetit.

- Sa e bukur dhe e dashur ke qenë.

Asaj i humbi zemra në gji.

- Të kam dashur çmendurisht. Të dua …

Ajo nuk mundi të nxirrte asnjë fjalë tjetër nga goja, sepse dënesi.

Ai ia mori kryet me duar dhe ia afroi nga vetja, duke e mbështetur në gji.

- Kur s’më doje ti kam qenë si një aparat i prishur.

- Kurse unë si një qiell i rrëzuar.

Pas atij komunikimi që i ngjante dy kumteve të hidhura, heshtja që pasoi qe e gjatë. Nuk pipëtinte asgjë. Ai ishte një konstatim i hidhur. Barbaria kishte hyrë ngadalë dhe ishte shtruar këmbëkryq në vitet e tyre. Duke e mbështjellë mbajtur dhembshurisht në gjoksin e tij, ai ndjente ligjërimin e zemrës së saj. Ishte një ligjërim i ngrohtë, i dhembshur, i trishtuar. Dhe i mbylli sytë të dëgjonte më mirë.

U errësua, por ata nuk i ndezën dritat. Të përqafuar shkuan drejt e në dhomën e gjumit. Ishte hera e parë që do të flinin atje pas shumë vitesh. Se kur qe futur në shkollë edhe djali i tretë, ata u kishin lëshuar dhomën e tyre. Kishin shtuar edhe një shtrat tek dhe e kishin shndërruar atë në fjetoren e djemve. Kishin blerë edhe një tryezë të thjeshtë dhe e kishin vendosur pranë dritares që të përgatitnin detyrat me shkrim. Vetë ishin zhvendosur në kuzhinë dhe flinin secili në divan veç e veç, të ndarë. Nuk kishin marrë dot zgjerim, me gjithë kërkesat që i bënë të shpeshta sidomos pas lindjes së djalit të tretë. Ajo kishte mbetur dhoma e djemve edhe pasi djali i madh kishte filluar të flinte në shtëpinë e vajzës që donte, kur ishte në Tiranë në vitin e tretë dhe të katërt të universitetit. Prindërit e vajzës e kishin ftuar se s’kishin fëmijë tjetër. Ajo psherëtiu duke sjellë në mend faktin se djali i madh ishte ndarë dy muaj para se të ikte. Nuk dinte shumë për arsyen, por qe mbase diçka e nxituar nga ai vetë. Atë vajzë e kishte pëlqyer shumë dhe e kishte ndier veten të lumtur që djali i saj mund të ishte i lumtur. Çdo ndarje ajo e quante një tragjedi më vete. Dashuritë e vrara janë si qeniet që mbyten të gjalla. Madje edhe i vogli kishte nisur një miqësi që ajo e pëlqente shumë, se i dukej sikur shihte kohën e saj të shkuar.

Ata u shtrinë pa folur. Ajri i freskët hynte nga dritarja gjysmë e hapur. E zhveshën njëri-tjetrin me një dhembshuri që s’e kishin ndier aspak në vitet e rinisë. As atëherë kur ai e kishte zhveshur për herë të parë e ia kishte hedhur tutje me vërtik, duke e pushtuar me forcën e tij rinore, por që i mungonte siguria si çdo djali te ri. Ajo fillimisht kishte dashur të strukej në buzë të shtratit e druajtur nga lakuriqësia. Kishte qarë nga turpi, kurse ai e kishte përkëdhelur në gjoks e i kishte thënë: “Shih sa mirë jemi kështu. Sa e bukur je! Sa të butë e ke lëkurën. Si mëndafsh!” A ishte vegim apo e vërtetë ajo që po ndodhte? U përqafuan fort me zjarr. Abazhuri i kaltër lëshonte një dritë të mekur. Sekset e tyre u akorduan menjëherë si fizarmonikë e re. Ajo pati menduar se trupat e tyre nuk do e pranonin një gjë të tillë. Por kot nuk thuhet se pas moshës pesëdhjetë vjeç, lulëzon një pranverë e vogël dashurie.

Kraharori i tyre mbushej me atë copëz jete. Kujtimet e shkuara vinin dhe iknin duke u përplasur. Ishte dyndje e madhe. Njëlloj si një baticë që vërshon me gjëmime të heshtura nate dhe tërhiqet e qetësuar me zhurmërima të vockla. Ata dëgjonin uturimat e viteve dhe i përcillnin me heshtje. Në ato çaste kujtonin ditëlindjet që në fillim i patën bërë me urime. Ishin çmësuar aq shumë sa mund të thoshe se nuk e dinin saktë sa vjeç ishin. Fëmijëve po, ua kishin festuar gjithmonë. Sepse, edhe po të harroje ti, s’të linin ata. Dhe ata bënin ç’bënin, shtrëngonin rripin për vete, si i thonë fjalës, dhe mblidheshin së bashku rreth një ëmbëlsire. Sajonin edhe dhurata. Përsëri psherëtinë thellë. Se në çastet e vështira, atëherë kur problemet ekonomike kishin sjellë grindje dhe ftohje, sidomos pas futjes së djalit të tretë në shkollë, Mikeli i ishte dorëzuar një aventure mashkullore për të gjetur ngushëllim. Pas disa mirëbesimeve me dëshirën për të qenë vetëm me të, ai kishte përfunduar në krahët e një gruaje që e kishte njohur rastësisht. Sigurisht tradhtia bashkëshortore i peshoi në zemër. Kur bënte dashuri, gjithnjë i dilte në vegim, fytyra e gruas së dashur, e sfilitur nga hidhërimi, sepse e mori vesh. Ai për shumë kohë humbi qetësinë e gjumit nga kjo gjë. Ajo nuk ia zuri më kurrë në gojë, por vetë gjeti ngushëllim në një miqësi që e braktisi pas disa puthjeve të shtira. Nuk mund t’i jepej tjetërkujt, as me dëshirë, as për inat të Mikelit. E kishte të pamundur. E donte shumë Mikelin edhe pse ai e kishte tradhtuar. E breu edhe atë ndërgjegjja për atë akt të puthure pa dashuri. Ai nuk dinte gjë për aventurën e saj. Ata që e rrethonin po. Mikelin e përfolën aq shumë sa fjalët vajtën në vesh të prindërve të Donikës, që atëherë ishin gjallë. E ëma i tha Donikës atëherë që mos ta bënte të gjatë por nuk e dinte se edhe Donikën e vriste pabesia e saj.

Kështu me imazhe të përziera të së kaluarës ata i zuri gjumi.



Të nesërmen u zgjuan vonë. Sytë i kishin të kthjellët. Ai u ngrit i pari dhe ia solli mëngjesin asaj në tabaka. Vetë u bë gati për punë.

- Rri tërë ditën shtrirë. Lexo për t’u harruar.

Duke e puthur, ai i la mbi jastëk librin “Ushtari i mirë Shvejk”, që kishte lexuar vetë, madje që e kishte lexuar tani vonë për të mbytur hidhërimin.

Pastaj i tha

– Dhe prit, duke menduar për mua.

Ai doli në korridor duke vështruar nga ajo që e shihte e çuditur, por edhe e magjepsur nga mrekullomi që po rindiente në shpirt. Para se të hapte derën e jashtme ai foli:

- Është fundjave. Kam vendosur se ku do ta kalojmë. Koha është e mrekullueshme.

Ajo vetëm miratoi me mimikë. Dera e jashtme kërciti. Hapi i tij i nxituar u shua nëpër shkallë. Gjysmë shtrirë, ajo e la tabakanë në komodinë dhe u shtri. Pastaj mbuloi kokën dhe në errësirën e ëmbël të ngrohtësisë, ndjeu ca dëshira të fshehta për të qenë vetëm e përsosur e për mos t’ia prishur Mikelit për asgjë.

Kur u ngrit, në shpirt i ushtonte një motiv i ri, i panjohur më parë. U bë gati të këndonte me zë të ulët, por nuk e kuptoi përse zëri i ngeci në grykë. Duke menduar pareshtur për të shoqin, iu duk sikur ai qe nisur në një udhëtim të gjatë, nga i cili nuk do të kthehej më kurrë.

Me ngazëllim të trembur, bëri ca rregullime të vogla, vetëm në dhomën e gjumit, sepse kuzhinën e kishte rregulluar Mikeli. Ai kishte ngritur enët e djeshme nga tryeza, i kishte larë dhe kishte lënë gjithçka në rregull.

Ajo u vesh dhe zbriti shkallët me nxitim. Vendosi që të bënte blerje e të përgatiste një nga ato drekat e rralla që ai i kishte qejf. Sa herë kishte thënë dikur: “Këtë gjellë as në turizmin më të mirë nuk do ta gjeja.” Por fillimisht hyri në floktore. I shkurtoi e u dha ngjyrë flokëve për të mbuluar ca thinja që vitet e fundit i qenë shtuar. Megjithëse vëllai i vogël i thoshte se i shkonin. Përkundrazi e ëma mendonte se Donika po plakej. “Po mama unë s’do të rri përherë njëzet vjeçe”, i pati thënë njëherë. Tani e kuptonte dëshirën e bukur të mamasë, por ajo s’jetonte më që t’i tregonte flokët e ngjyrosur. Dhe vërtet fytyra e saj pas ngjyrosjes së flokëve mori një pamje të re. Kur i krehu flokët e prerë shkurt, iu duk vetja shumë më e re. Ajo buzëqeshi para pasqyrës. Në anën tjetër i dolën ca dhëmbë të rregullt e të bardhë. Në klasën e shtatë, një djalë i ri muziktar, që kishte ardhur për të zgjedhur zëra që duheshin për korin e madh të qytetit në një përvjetor çlirimi, i kishte thënë faqe të gjithëve: “Moj çupëz i ke dhëmbët të bardhë si cigane.” Kurse Mikeli i përsëriste shpesh: “Ke buzëqeshje të shndritshme.” Se kur buzëqeshte, i dukeshin paksa dhëmbët, duke krijuar një si rreze dritë në fytyrë.

Në të kthyer ajo bleu ato që i duheshin për të përgatitur një tryezë si për festë. Arsyet e brendshme ishin të mjaftueshme. Tani ishte e qetë edhe për djemtë. Ua kishte dëgjuar zërin. E kishte shpirtin të qetë. Bleu edhe një tufë zambakësh të bardhë dhe dy qirinj të kuq për të zbukuruar tryezën e ngrënies.

Me të ardhur brenda, ajo nisi menjëherë përgatitjen e drekës. Do ta befasonte Mikelin me ato që atij i pëlqenin më shumë. Sa të ziente mishin për rosto, ajo bëri ca rregullime të vogla në kuzhinë. Bie fjala, ndryshoi vendet e dy tablove. Pastroi fotot një ku kishin dalë të tre djemtë dhe një tjetër ku kishte dali djali i vogël ditën e parë të shkollës. Shpirti i vogël. Ashtu e quante përherë. Si për çudi ai kishte hedhur shtat dhe ua kishte kaluar edhe dy të tjerët nga gjatësia. Në fillimet e adoleshencës ai qe zbukuruar e nuk pati pësuar shpërpjesëtime të dukshme të formave trupore e të tipareve, ashtu si kishte ndodhur me dy të tjerët.

Duke rregulluar ajo kujtonte episode nga jeta e tyre. Kujtimet ishin si lumë, por ajo nxitoi që gjithçka të ishte gati në orën katër e njëzet minuta. Mori në fillim pjatat prej porcelani, dhuratë që në martesë e një çifti me të cilin kishin patur miqësi, por që kishin ikur familjarisht me vaporët e parë e i kishin humbur lidhjet. Kushedi në çfarë qyteti të Italisë ndodheshin tani? Në pjatën e parë përveç domateve, djathit, karotave e qepëve të njoma ajo vuri edhe ca të prera molle, një gjethe borziloku. Në çastin që do të hanin do të sillte edhe nga një kremviç të përgatitur ashtu si dinte ajo, që i fuste disa minuta në ujë të valuar dhe i shërbente menjëherë. Pjata e dytë do të ishte rostoja me patate që ishte bërë ashtu si e donte ajo. Në të ndarën e dytë të furrës ajo kishte vënë ca enë balte në banjomari dhe kishte përgatitur një ëmbëlsirë të lehtë, me pak sheqer se Mikeli nuk i pëlqente të ëmblat shumë. Të tëra ishin gati. Ajo vendosi shishet, verën e kuqe të blerë shtrenjtë, dhe ujin e glinës. Vuri në të dyja anët edhe qirinjtë e kuq për t’i dhënë një ngjyrë intime drekës dhe priti të hapej dera me rrëmbim. Ajo ia pëlqente atë natyrë plot gjallëri Mikelit. Ora kaloi nga katër e gjysmë, orë kur zakonisht ai shfaqej në derë. Por ndonjëherë ai takonte ndonjë të njohur dhe doemos vonohej. Herë të tjera ndalej te shitorja në fund të rrugës dhe blinte diçka. Kësht që ajo u ul në kanape dhe mori librin për të vazhduar atje ku e kishte lënë. Një ndjenjë e trishtuar e pushtoi papritmas dhe Shvejku nuk po e bënte më për të qeshur. Kur ora kaloi pesën ajo zuri të shqetësohej. Po sikur të merrte në telefon te puna e të pyeste? Po si? Çfarë të thoshte? Që Mikeli nuk ishte kthyer ende në shtëpi. Kjo gjë nuk shkopnte. Pastaj telefoni ishte në katin e parë dhe ai punonte në katin e dytë. Sidoqoftë tani s’mund të kishte njeri atje. Ajo s’pati kohë më t’i vazhdonte hamendësimet se ra zilja e telefonit. Shkoi drejt tij me hap të shpejtë, e qeshur, e lumtur. Me siguri Mikeli po i bënte ndonjë të papritur. Ajo përsëriti frazën që kishte përgatitur që në mëngjes, se ç’është e vërteta atë ditë kishte pritur një telefonatë nga ai. Dje kishte ndodhur e çarmatosur, por sot ishte ndryshe. Do t’i thoshte një gjë aq të bukur sa ai do të mallëngjehej. Ajo ngriti telefonin me një gjest të lehtë dhe u bë gati të fliste me zërin më të ëmbël e më të dhembshur në botë. Por menjëherë ndryshoi shprehje se në anën tjetër një zë i panjohur e pyeti nëse ishte familja Aleksi dhe se kërkonin të shoqen e Mikelit në telefon. Një lëvizje e pakuptuar e kokës shoqëroi zërin e prerë të saj, që dukej sikur nuk ishte i saj, se ishte përgatitur për tjetër gjë. Në telefon mesa duket i thanë se e kishin marrë disa herë në telefon, se ajo u përgjigj se kishte qenë aty. Harroi se kishte dalë për ca kohë nga shtëpia. Pas kësaj telefoni ra nga dora e saj dhe u përplas. Ajo zbriti shkallët me gjunjët që i dridheshin. Makina e mori, ndaloi para urgjencës së qytetit. Ajo kaloi nëpër një korridor të errët, pastaj një infermiere e shoqëroi gjer te shtrati ku mes një morie tubash dhe një maske oksigjeni, mezi shquhej fytyra e atij që kishte qenë pothuajse jeta e saj. Ata e kishin parë dritën e jetës së bashku në një vit. Ai i hapi sytë përgjysmë, e njohu dhe lëvizi paksa gishtin e dorës së djathtë majtas për t’i dhënë të kuptonte se e kishte përherë në zemër. Ai i mbylli sërish sytë. Ajo u step, sepse përherë të parë shihte një të sëmurë në atë gjendje. Ai ishte bërë gëlqere në fytyrë. Një çast asaj iu duk sikur flinte. Ajo u drodh nga mendimi i zi i vdekjes.

Mikeli kishte mbi pesë orë që luftonte me vdekjen dhe tani me sa duket iu dorëzua përfundimisht asaj. Sepse nuk i hapi më sytë dhe nuk u duk te ai asnjë shenjë jete. Mjeku që e pa ia bëri me shenjë kolegut të tij dhe infermieres, shenjë që do të thoshte: Mbaroi. Hemorragjia cerebrale kishte qenë e pakthyeshme. Ajo nuk mund ta besonte se ai dha shpirt në çastin që mbylli sytë përpara saj. Ashtu me pamje të lebetitur, ia mori dhembshurisht në duart e saj ato dy duar të bardha e të bukura që e kishin përkëdhelur atë mëngjes e që kishin filluar të ftoheshin e të bëheshin akull te majat e gishtërinjve. Vuri buzët aty dhe duke rënë përmbys mbi kraharorin e tij që ende ishte i vakët nxori një ulërimë të thellë. Kur vajtën dhe e kapën nga krahu, për ta ngritur e gjetën të kallkanosur. I kishte pushuar zemra.

Enciklopedia e të vdekurve, nga Danilo Kish, perktheu: Feride Papleka



DANILO KISH (1935-1989)

Vendlindja e tij është Subotica, një rajon kufi midis Serbisë dhe Hungarisë. I ati ishte çifut dhe e ëma malazeze, ortodokse nga Cetinja. Gjatë Luftës së Dytë ai humbi të atin dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes që vdiqën nëpër kampe përqendrimi. Fëmijërinë e kaloi në Hungari dhe në Mal të Zi. Studioi letërsi në universitetin e Beogradit dhe më 1958 mbrojti doktoratën për letërsi krahasuese. Deri më 1960 punoi në Vidici magazine. Më 1962 botoi dy novelat e para që u pritën mjaft mirë nga kritika e specializuar. Më 1973 u vlerësua me çmimin e madh “NIN” , për të cilin u zhvillua një debat i gjerë politik. Më pas ai botoi disa libra me poezi, tregime e romane. Nga ironia poetike, ai kalon në një rrrëfim autobiografik që shpesh herë shndërrohet në meditim universal. Pasi fitoi një numër të madh çmimesh kombëtare e ndërkombëtare, në vitet ’70 ai shkoi në Paris dhe në fillim të viteve ’80 filloi punë si profesor letërsie. Ka përkthyer në gjuhën e vet poetët më të mëdhenj francezë, rusë dhe hungarezë. U bë i njohur sidomos me librin „Enciklopedia e të vdekurve „ (1983), titulli i së cilës është si një kumt tragjik. Humori e dhembshuria aty zbulohen përmes forcës së rëndesës, sikur Danilo Kishi që vdes pas pak kohësh kërkonte të shpallte hapur mistifikimin e vdekjes. Një nga të përditshmet amerikane e quajti si librin më fantastik që nga „Fiksione“ të Luis Borges-it, ndërsa Joseph Brodsky shkroi se libri i tij jep tjetër kuptim vdekjes.

Danilo Kish fliste për fatin e tij si çifut i Europës qëndrore, por e theksonte se jetonte në shumë kultura, në shumë gjuhë e në shumë vende, duke përjetësuar lirinë e krijimit. « Atdheu im është letërsia dhe unë jam me konceptin e Goethe-s për një letërsi botërore » , thoshte. Vdiq në Paris më 1989 nga një kancer në mushkëri. Vepra e tij në prozë është përkthyer në dhjetëra gjuhë. Tregimi që kemi zgjedhur mban titullin e librit që i dha famë.



Vitin e kaluar, siç e dini, shkova në Suedi me ftesë të Institutit të Kërkimeve Teatrore. Udhërrëfyesja ime ishte njëfarë Zonje Johansson, Kristina Johansson. Pashë pesë a gjashtë shfaqje, mes të cilave duhet të përmend suksesin e pjesës “Në pritje të Godosë”, që u luajt para një publiku që përbëhej nga të burgosur. Dhjetë ditë pas kthimit, unë ende jetoja në atë botë të largët si në një ëndërr.

Zonja Johansson ishte një njeri shumë i zellshëm dhe dëshironte të më tregonte në dhjetë ditë gjithçka që ishte e mundur të shihej në Suedi e gjithçka që mund të më interesonte. Kështu ndodhi që unë pashë madje Vasan e moçme, anijen me vela të nxjerrë nga llumi ku prehej që prej shumë shekujsh, e ruajtur përsosurisht si një mumje egjiptiane. Një mbrëmje, pas shfaqjes “Sonata e hijeve”, në Teatrin Dramatik, ciceronia më shpuri në Bibliotekën mbretërore. Aty mezi gjeta kohë të haja një sanduiç në një banak në këmbë.

Ora ishte gati njëmbëdhjetë dhe biblioteka ishte mbyllur. Por Zonja Johansson i tregoi portierit një leje-kalimi dhe ai na la të hynim duke sharë e mallkuar; mbante në dorë një tufë të madhe çelsash si roja që një natë më parë na kishte futur në burgun qendror për të parë Godonë. Zonja Johansson më besoi te ai cerber e më la takim të nesërmen në mëngjes te hoteli im, duke shtuar se mund ta vizitoja Bibliotekën në qetësi të plotë, se Zotëria do të thërriste një taksi e se ishte në dispozicionin tim… Çfarë mund të bëja tjetër gjë unë, veçse të pranoja atë ftesë të këndshme. Rojtari më shoqëroi te një portë e madhe, të cilës i hoqi llozin, pastaj ndezi një dritë të dobët e më la fillikat. Unë dëgjova pas meje çelësin që u rrotullua në bravë; pra e pashë veten të mbyllur në bibliotekë si në një bunker. Një rrymë ajri frynte diku dhe lëkundte shtratin e merimangës që si një copë garze e pistë varej në etazherët e librave, si në shishet e verës së vjetër nëpër bodrume. Të gjitha sallat ishin njëlloj, të lidhura mes tyre nga një kalesë e ngushtë dhe kudo ndihej ajo rrymë ere që nuk arrita ta gjeja se nga vinte.

Pastaj, para se të kisha shqyrtuar nga afër librat (ose ndoshta këtë zbulim e bëra duke parë shkronjën “C” mbi njërin prej vëllimeve të ndarjes së tretë), vura re se çdo sallë emërtohej sipas një shkronje të alfabetit. Kjo ishte e treta. Dhe, në sallën e katërt, në të vërtetë, gjithë librat dalloheshin nga shkronja “D”, papritmas, i shtyrë nga një parandjenjë e turbullt, nisa të vrapoja. Dëgjoja hapat e mi si ushtonin me një jehonë të shumëfishtë, që davaritej tutje në errësirë. I rrëmbyer dhe duke m’u marrë fryma, arrita te shkronja “M” dhe me qëllim hapa njërin prej vëllimeve. E kisha kuptuar, sigurisht duke sjellë në mend se diçka kisha lexuar për këtë subjekt, që ishte fjala për të famshmen “Enciklopedia e të vdekurve”. Para se ta hapja vëllimin e rëndë, gjithçka m’u kthjellua në çast.

Gjëja e parë që pashë, ishte fotoja e tij, ilustrimi i vetëm, që s’i gjendet shoku, mbërthyer mes dy kolonave me tekst, pothuajse në mes të faqes. Është ajo që keni parë mbi tryezën time. Është bërë më 1936, më 12 nëntor, në Maribor, me rastin e lirimit nga ushtria. Poshtë fotos emri i tij dhe në kllapa, dy data: 1910-1979.

Ju e dini që im atë s’ka shumë që ka vdekur dhe se unë isha tepër i lidhur me të qysh nga fëmijëria e hershme. Por e lëmë këtë. Ajo që ka rëndësi këtu, është fakti që ai ka vdekur, së paku dy muaj para se të shkoja në Suedi. Unë vendosa ta bëja atë udhëtim më tepër për të harruar se çfarë më kishte goditur. Si të gjithë njerëzit në dhimbje, mendoja se një ndryshim mjedisi do të më ndihte të largoja hidhërimin, të mos e mbaja fatkeqësinë brenda vetes.

I mbështetur në etazherët e drunjtë që lëkundeshin, me libër në duar, lexova biografinë e tij, duke humbur nocionin e kohës. Si në bibliotekat mesjetare, librat ishin lidhur me një zinxhir të trashë me unaza metalike që mbërtheheshin në etazher. Këtë gjë e pikasa kur po rrekesha ta merrja vëllimin e rëndë për t’u afruar te drita.



Befas më pushtoi ideja se isha vonuar shumë e që Zoti Cerber (kështu e kisha pagëzuar) mund të vinte në çdo çast e të më lajmëronte për t’i dhënë fund leximit. Prandaj zura t’i kapërceja paragrafët, duke shkuar me libër të hapur, aq sa më lejonte zinxhiri, te drita e pakët e llampës. Shtresa e pluhurit e mbledhur në anët e librit dhe copërat e rrjetave të merimangës që vareshin, dëshmonin se askush nuk i kishte lëvizur ata prej kohësh. Vëllimet ishin lidhur njëri pas tjetrit si të dënuar dhe zinxhiri nuk kishte dry.

Ja, pra, mendova, e famshmja “Enciklopedi e të vdekurve”. E kisha përfytyruar si libër të lashtë, “një libër të nderuar”, paksa si Libri i të vdekurve tibetas, ose Kabala, ose Jetë shenjtorësh, qoftë edhe një nga ato krijimet ezoterike të shpirtit njerëzor, prej të cilëve ndiejnë kënaqësi vetëm oshënarët, rabinët ose murgjit. Përpara faktit që ai lexim do të zgjaste deri në mëngjes dhe se nuk do të mbetej nga tërë ajo asnjë provë e prekshme, as për mua, as për mëmën, vendosa të rikopjoj paragrafët kryesorë, pra të mbaja shënim një shkurtesë të biografisë së tim eti.

Tërë këto që janë shkruar këtu në bllok, janë të dhëna enciklopedike të zakonshme, pa më të voglin interes për njeri tjetër, veç mëmës dhe meje; emra, vende, data. Gjithçka që munda të rikopjoja me nxitim gjer në të gdhirë. Por ajo që e bën atë enciklopedi të veçantë në llojin e vet – përveç faktit që është fjala për ekzemplarin e vetëm që ekziston, – është mënyra si janë përshkruar marrëdhëniet njerëzore, takimet, peizazhet; ajo shumësi të dhënash që përbën një jetë njeriu. Përmendja (po sjell vetëm një shembull) e vendlindjes, saktësisht dhe ashtu si duhet (“Kraljevcani, komuna e Glinës, kantoni i Sisakut, distrikti i Banijes”), shoqërohet me të dhëna gjeografike dhe historike, sepse atje gjithçka shënohet. Absolutisht gjithçka. Peizazhet e krahinës ku ka lindur janë sjellë në mënyrë aq të gjallë, sa duke lexuar, ose më mirë duke u hedhur një sy rreshtave dhe paragrafëve, kisha përshtypjen se isha atje, në zemër të krahinës: bora në majat e larta, pemët e zhveshura, lumi i ngrirë mbi të cilin si në një peizazh të Bruegel-it, bëjnë patinazh fëmijët e midis të cilëve unë shoh atë, tim atë, edhe pse ai nuk është ende im atë, pra, atë që do të bëhet im atë, ai që ishte im atë. Pastaj dekori vishet papritmas me blerim, me lule të trëndafilta e të bardha, çelin degët, para syve të mi lulëzojnë drurët e murrizit, dielli kalon sipër fshatit të Kraljevcanit, në kishën e vogël bien kambanat, lopët pëllasin në stalla dhe dritaret e shtëpive shkëlqejnë nën rrezet e purpurta të diellit mëngjesor, i cili bën të shkrihen hejet e akullit në pikëza uji.

Pastaj pashë sikur kjo të ndodhte vërtet, një vargan të përmortshëm që shkonte te varrezat e fshatit. Katër burra pa kapele mbajnë qivurin prej ahu në supet e tyre dhe në krye të varganit, me kapele në dorë, ecën një burrë, për të cilin e di se është gjyshi Marko nga babai – kështu është shkruar në libër – burri i të ndjerës që e shoqëron atë në banesën e fundit. Asgjë nuk mungon lidhur me meitin, as shkaku i sëmundjes e i vdekjes, as viti i lindjes, as zhvillimi i sëmundjes. Mund të lexohet gjithashtu se me çfarë rrobash është varrosur, kush e ka bërë gati, kush ia vendosi monedhat te sytë, kush ia lidhi mjekrën, kush ia gdhendi qivurin, ku ndodhej pema që u përdor për të etj. Mendoj se kjo ju jep një ide të përafërt për sasinë e informacionit që përmban Enciklopedia e të vdekurve, për ata që i janë përveshur detyrës së rëndë, e që meriton lëvdata, të shënojnë – sigurisht, me objektivitet të plotë dhe pa anshmëri – gjithçka që është e mundur të shënohet për ata, të cilët e kanë përmbushur qëndrimin në tokë dhe kanë marrë rrugën e përjetësisë. (Në fakt ata besojnë te mrekullia e ringjalljes biblike dhe në këtë skedar të stërmadh ata vetëm përgatisin ardhjen e saj. Kështu secili mund të gjejë jo vetëm të afërmit e vet, por gjithashtu, e mbi të gjitha të kaluarën e vet të harruar. Ky regjistër do të jetë atëherë thesari i madh i kujtimit dhe prova e vetme në llojin e vet për ringjalljen). Mesa duket për ata nuk ka asnjë dallim, kur është fjala për një jetë njerëzore, mes një tregtari të provincës dhe gruas së tij, mes priftit të fshatit (dhe ky ishte gjyshi i tim eti, stërgjyshi im) dhe gurgdhendësit të po atij fshati, një farë Cuku, emri i të cilit përmendet te libri në fjalë. I vetmi kusht për të hyrë te Enciklopedia e të vdekurve – unë e kuptova shpejt, sepse kjo ide më kishte prekur para se ta vërtetoja me saktësi – është se personi për të cilin flitet nuk duhet të figurojë në asnjë enciklopedi tjetër. Ajo që më shpëtoi nga sytë duke shfletuar atë vëllim “M”, njëri prej mijëra vëllimeve kushtuar kësaj shkronje – është mungesa e njerëzve të shquar. Kjo u vërtetua menjëherë, kur me gishtat e mi të mpirë ktheja faqet, duke kërkuar emrin e tim eti. Në Enciklopedi nuk gjendeshin as emrat e Mazuranikut, as Meyerholdi, as Malmbergu dhe as Maretiku, me gramatikën e të cilit im atë kishte mësuar të shkruante, as Mestroviku që e kishte hasur një herë në rrugë, as Maksimoviç Dragosllavi një tornitor, deputet socialist që gjyshi e kishte njohur, as Milojeviç Tasa, përkthyes i Kautskit, me të cilin im atë kishte diskutuar një ditë në një tryezë të lokalit “Cari rus”. Enciklopedia e të vdekurve është vepër e një sekti apo organizmi besimtar, programi demokratik i të cilit i përgjigjet një vizioni barazimtar të botës së të vdekurve – i frymëzuar doemos nga njëri prej parimeve biblike – i cili ka si qëllim të korrigjojë padrejtësinë njerëzore e t’u japë gjithë krijesave hyjnore të njëjtin vend në përjetësi. Gjithashtu, e kuptova shpejt se ajo nuk shkonte larg në errësirën historike të kohëve, e se fillimet e saj datonin pak pas vitit 1789. Ky rast i çuditshëm eruditësh ndodh kudo në botën e ithtarëve që gërmojnë e qëmtojnë nekrologji e biografi, pa u lodhur, por me maturi pastaj i trajtojnë tërë këto të dhëna e i dërgojnë në shtëpinë nënë, këtu në Stokholm. ( A mos është Zonja Johansson njëra nga ata, pyeta veten një çast? Dhe a nuk më pati sjellë ajo në këtë bibliotekë pasi i besova hidhërimin tim – që të zbuloj këtu Enciklopedinë e të vdekurve e të gjej aty njëfarë ngushëllimi?). Kjo është gjithçka që di, gjithçka që dyshoj në punën e tyre. Mendoj se karakteri i fshehtë i kësaj veprimtarie mund të shpjegohet me traditën e gjatë të përndjekjeve fetare, por edhe me faktin që pjesëmarrja në një ndërmarrje të tillë kërkon përkorje të vetëkuptueshme, që t’u qëndrosh larg trysnive të sedrës njerëzore dhe ngasjeve për korrupsion. Por më e çuditshtshmja është se veprimtaria e fshehtë, është stili i tyre, një bashkim i pabesueshëm i shkurtësisë enciklopedike dhe i gojëtarisë biblike. Merrni si shembull këtë tregues lakonik, ashtu si është regjistruar në bllokun tim, i cili gjendet atje në disa paragrafë aq të ngjeshur sa në mendjen e lexuesit shfaqet saora, si me magji, peizazhi i larë me diell që shërben si plan i dytë gjatë parakalimit të imazheve: një fëmijë tre vjeç e bartin në vapën e një dite zabulluese përgjatë shtigjeve malore, e çojnë te gjyshi nga mëma, ndërkohë që në sfond, në plan të dytë ose të tretë – nuk di si ta them – duken regjimente ushtarësh, roja të fshatit, xhandarë, dëgjohen gjëmimet e largëta të topit dhe lehjet e mbytura të qenve. Një përmbledhje e shkurtuar, të thuash, e tërë kronologjisë së Luftës së Parë Botërore, zhurma e trenave me ushtarë të rinj gati për nisje në dalje të një qyteze, fanfara, gurgullima e ujit në grykat e pagurëve, shishe që shpërthejnë duke u thyer, shami që tunden … Paragraf pas paragrafi, çdo episod është përshkruar në një lloj brendësie dhe metafore lirike, jo përherë me kronologji, por në një trazim të çuditshëm të kohëve, e kaluar, e tashme dhe e ardhme. Si ta shpjegosh ndryshe në këtë tekst, në këtë “libër imazhesh”, që për pesë vjetët e para të fëmijës te gjyshi në Komogovina, komentari thotë plot nostalgji, nëse e kam marrë shënim mirë: “Këta do të jenë vitet më të bukura të jetës së tij.” Vijnë pastaj imazhet e ngjeshura të fëmijërisë, të thjeshtuara në një ideogramë: “vitet më të bukura” të djalit nëpër stinët që këmbehen: një fytyrë rrezatuese, që e pëlqen shiun, larjet në lumë, rrëshqitjet me lug në kodrinën me borë, peshkimi i troftës dhe menjëherë më pas – ose në të njëjtën kohë nëse kjo është e mundur – kthimi i ushtarëve nga fronti evropian, pagurja në duart e fëmijës, maska e gazit me xham të thyer, hedhur pranë cfratit. Dhe emra, jetëshkrime. Takimi i vejanit Marko me gruan e tij të ardhshme Sofia Rebraca, me origjinë nga Komogovina, dasma, urratë e të ftuarve, vrapimi i kuajve të garës dhe vrundullimi i flamurëve e i fjongove, ceremonia e shkëmbimit të unazave, vallëzimi dhe këngët para hajatit të kishës, kalamani me kostumin e ditëve të shënuara, këmishë e pastër, një degëz rozmarine në astarin e xhaketës.

Këtu, në bllok, unë kam shënuar vetëm një fjalë, “Kraljevcani”, por në Enciklopedi, kjo periudhë e jetës së tij është përshkruar në shumë paragrafë të dendur, me emra dhe data. Aty është përshkruar lindja e diellit ditën e dasmës, kur qyqja e lavjerrësit bën ku-ku për t’u zgjuar dhe shkëput fëmijën nga një gjumë i trazuar. Aty gjen edhe emrin e karrocierit, emrat e fqinjëve që e përcjellin, portreti i Zotni mësuesit dhe fjalët që i drejton ai mëmës së re të fëmijës; këshillat e priftit, fjalët e atyre që në dalje të fshatit, u bëjnë shenjë lamtumire për të fundit herë.

Këtu, thosha, nuk mungon asgjë, asgjë nuk është lënë mënjanë, as gjendja e rrugës, as ngjyra e qiellit, dhe, inventari i të ardhurave të gjyshit Marko është dhënë me hollësitë më të vogla. Asgjë nuk është harruar, as emri i autorëve të doracakëve të moçëm të krestomacisë plot këshilla të përgjithshme, tregime moralizuese dhe parabola biblike. Çdo periudhë e jetës, çdo episod është paraqitur me besnikëri, çdo peshk i zënë me grep, çdo faqe e lexuar, emri i çdo bime të mbledhur nga fëmija.

Ja ku është tani im atë djalosh, ja kapela e tij e parë, udhëtimi i parë në pajton herët në mëngjes. Pa harruar emrat e vashave, fjalët e këngëve që merrte nën zë atëherë, teksti i një letre dashurie, gazetat që lexonte – krejt adoleshenca e përmbledhur në një paragraf të vetëm.

Tashmë jemi në Ruma, ku im atë është nxënës i liceut. Ky shembull mund të tregojë se gjer në çfarë mase Enciklopedia është një thesaurus i vërtetë siç thoshin dikur. Parimi është i qartë, por mbetesh i mahnitur para kësaj ndjesie, para kësaj mbëhije për të shënuar gjithçka, gjithçka që përbën një jetë. Pra, aty gjendet, shkurtimisht historia e Rumës, harta klimaterike e qytetit, përshkrim i nyjes hekurudhore; emri i shtypshkronjës e çfarëdo që është shtypur në atë kohë, gazeta, libra; shfaqjet e teatrove shëtitës dhe zbavitjet e cirkut endacak; përshkrimi i fabrikës së tullave … ku djali i ri i mbështetur në një akacie, çuçurit në veshin e një çupëline fjalë dashurie përzier me fjalë turpe (teksti është dhënë i plotë). Dhe kështu të gjitha: stacioni, shtypshkronja, skena e mbylljes nga “Idioti fisnik”, elefanti i cirkut, rruga që dyzohet drejt Shabakut – gjithçka përmendet këtu në funksion të personazhit për të cilin fitet. Gjejmë gjithashtu një copë të nxjerrë nga një fletore shkolle, shënime, vizatime, emra shokësh klase, deri në të parën (seksioni B), në çastin kur djaloshi hyn në konflikt me L.D.-në, profesor i historisë dhe gjeografisë.

Papritmas ne gjendemi në zemër të një qyteti të ri, është viti njëzet e tetë, djaloshi mban në kasketën prej liceisti shenjën e klasës së fundit dhe ka lënë që t’i rriten mustaqet. Ai do t’i mbante gjithë jetën ato mustaqe. Një ditë, nuk ka shumë kohë, ai i preu pa dashur, pastaj i rroi. Duke e parë unë shpërtheva në të qara, ishte tjetër njeri. Në ata lot kishte një parandjenjë shkreptimtare e të turbullt në mënyrën se si do të më mungonte me vdekjen e tij. Ja ku është tani para kafes “Central”, pastaj në kinema ku dëgjohet një piano, ndërkohë në ekran shfaqet “Udhëtim në hënë”. E gjejmë pastaj përpara tabelës së afisheve në sheshin Jelaciç duke lexuar afishet e sapongjitura dhe në njërën prej tyre – po e citoj këtë si një hollësi të çuditshme – është lajmërimi për një konferencë të Kërlezhës. Emri Ana Eremija, tezja, tek e cila ai do të banojë më vonë në Zagreb, është pranë e pranë në Libër me atë të këngëtarit të operas Kërizhaj, me të cilin u kryqëzua në Qytetin e epërm, me atë të Ivan Labusit, këpucar e çizmerregullues, tek i cili rregullonte këpucët dhe me atë të një farë Ante Dutina në furrën e të cilit, blinte shpesh panine.

Mbërrijmë në Beograd në vitin e largët 1929, nga ura e Savës, me siguri në një gjendje shpirtërore të veçantë: mes gëzimit dhe padurimit të takimit. Dëgjohet fërkimi i rrotave të trenit në strukturat metalike të urës, nën të cilën rrjedh Sava në të verdhë të murrëtyer, lokomotiva fishkëllen, pastaj frenon dhe në një dritare të klasit të dytë duket im atë, duke shqyrtuar konturet e largëta të qytetit të panjohur. Mëngjesi është i freskët, mjegulla ngrihet ngadalë në horizont dhe nga tymtari i avullores Smederevo lëshohet një fjollë e zezë tymi, dëgjohet sirena e çjerrë e anijes që niset për Novi Sad.

Im atë kaloi, me ndërprerje të shkurtra, gati pesëdhjetë vjet në Beograd, dhe kjo sasi jete, këtë vazhdim të tetëmbëdhjetë mijë ditëve e netëve (katërqind e tridhjetë e tetë mijë orëve), Libri i të vdekurve e risjell në pesë apo gjashtë faqe! Dhe kjo është bërë duke respektuar kronologjinë, së paku në gjërat kryesore, sepse ditët aty rrjedhin si lumi i kohës drejt grykëderdhjes, drejt vdekjes.

Në shtator të atij viti njëzet e nëntë, im atë hyn në shkollën e gjeodezisë dhe Libri skicon historinë e themelimit të kësaj shkolle në Beograd, me ligjëratën përuruese të drejtorit Stojkoviç (që duhej t’u uronte gjeometërve të ardhshëm t’i shërbenin me ndershmëri mbretit e atdheut, sepse u binte atyre detyra e vështirë për të caktuar në hartë kufijtë e rinj të vendit). Aty gjejmë të përzier emra të betejave të lavdishme e jo më pak të lavdishme të disfatave të Luftës së Parë Botërore – Kajmakçalan, Mojkovac, Cer, Kolubara, Drina – dhe ata të profesorëve e nxënësve të rënë në front, shënime të tim eti në trigonometri, vizatime, udhëzime fetare, bukurshkrim. Gjithsesi aty zbulohet edhe emri i një farë Roza, Roksanda, shitëse lulesh me të cilën D.M. pati një flirt, siç thuhej atëherë, ashtu si dhe emrat e Borivoj – Bora Iliç, kafetar, Milenko Azanja, rrobaqepës, Kosta Stavroski, tek i cili kalonte mëngjeseve të blinte byrekë të ngrohtë dhe i njëfarë Kritiniç që e rrihte në lojën me letra. Vazhdon një listë filmash dhe ndeshje futbolli, në të cilat ai qe i pranishëm, datat e ekskursioneve në malet Avala dhe Kosmaj, martesat dhe varrimet ku mori pjesë, emri i rrugëve ku banoi: rruga e Cetinjës, e Careshës Milica, rruga Gavrilo Princip, rruga e Mbretit Pjetri I, Princi Milosh, Pozoga, Kamenica, Kosmaj, rruga Brankova; emri i autorëve të doracakëve të tij për gjeografinë, gjeometrinë dhe planimetrinë, titulli i librave që pëlqente: Mbreti i Malit, Hajduku Stanko, Kryengritja fshatare në Francë e vitit 1359, shërbime fetare, shfaqje cirku, parakalime të Shoqërive të gjimnastëve, festa shkollore, ekspozita vizatimesh (ku një akuarel i tim eti u vlerësua nga juria). Po ashtu, aty gjejmë të përmendur ditën kur ndezi cigaren e parë në kthinat e shkollës, i nxitur nga njëfarë Gerasimov, bir emigrantësh rusë, që do ta çonte një javë më pas në një nga kafetë e famshme beogradase, të kohës kur luante një orkestër dhe ku kontët dhe oficerët rusë qanin nën tingujt e balalajkës dhe kitarës… Në Libër nuk mungon asgjë… as përurimi madhështor i monumentit të Kalemegdanit, as helmimi që i shkaktoi një akullore e blerë në qoshe të rrugës Makedonska, as këpucët lustrafina e me majë, të blera me lekët që i dha i ati si shpërblim për diplomën në mbarim të studimeve.

Paragrafi i mëposhtëm përshkruan nisjen e tij tashmë për Uzhicka Pozega më 1935, në maj; me të në trenin e klasit të dytë udhëton edhe fatkeqi Gerasimov. Është dita e tyre e parë e punës: ata masin tokën e Serbisë, hartojnë plane në kadastër dhe skica hartografike, duke e çuar nga një vend në tjetrin sipas rastit piketën dhe teodolitin,* me një kapele kashte në kokë – është kohë vere, dielli djeg, – ata ngjiten në male, thërrasin nga larg, ulërijnë, shirat e vjeshtës fillojnë, derrat gërryejnë dheun, bagëtia lëviz, duhet futur diku teodoliti që tërheq vetëtimën. Dhe në mbrëmje, te mësuesi i fshatit Milenkoviç ata pinë raki kumbulle, prushi kërcet dhe helli rrotullohet, Gerasimovi lëshon sharje në serbisht dhe rumanisht dhe pak nga pak alkoli u bie në kokë. I gjori Gerasimov vdes nga një pneumoni në nëntor të atij viti e do të jetë D.M. që do ta gdhijë në shtrojën mortore e do të dëgjojë përçartjet e tij. Ai do të rrijë gjithashtu para varrit të tij, me kokën të përkulur, e me kapelen në dorë, duke menduar për brishtësinë e ekzistencës njerëzore.

Ja, pra, çfarë ka mbetur në mendjen time nga ai lexim, çfarë ka mbetur nga shënimet e mia të marra nxitimthi, me duart të ngrira atë natë, ose më mirë atë mëngjes. Janë dy vite, megjithatë, dy vite monotone në dukje, gjatë të cilave D.M. nga maj në nëntor – “stina e hajdukëve” – bart këmbalecin dhe teodolitin e tij nëpër male e lugina, muajt zëvendësojnë njëri-tjetrin, lumenjtë vërshojnë, pastaj futen në shtratin e vet, gjethi çel e pastaj fillon të zverdhet, im atë është ulur në hije të kumbullave të lulëzuara, e më pas futet poshtë një strehe, vetëtimat ndriçojnë peizazhin mbrëmësor, jehona e bubullimave përplaset në përroska.

Është verë, dielli djeg dhe gjeometrat tanë (tani ai është në ekip me njëfarë Dragoviç), që ndalen në mesditë para një shtëpie (rruga dhe numri), trokasin në një derë dhe kërkojnë ujë. Nga shtëpia del një vajzë e u jep një katruve ujë të ftohtë si në përralla. Ajo do të jetë, vasha e re, – s’ka dyshim, ju e keni kuptuar – që do të bëhet mëma ime.

Nuk do të tregoj këtu nga mendja, sesi është shënuar atje gjithçka, sesi është përshkruar gjithçka – që nga data dhe biseda e kërkesës për martesë e deri te dasma sipas zakonit, ku shpenzohet pa llogari, me gjithë atë folklor piktoresk që formoi një pjesë të asaj jete – sepse kjo do të më dukej e pamjaftueshme dhe fragmentare në krahasim me origjinalin. Por unë nuk mund të mos ju kallëzoj se aty jepet edhe lista e dëshmitarëve të martesës dhe e të ftuarve, emri i priftit që i kurorëzoi, teksti i dollive e i këngëve, dhuratat dhe ata që i dhanë, lista e gjellëve dhe e pijeve. Pastaj vjen kronologjikisht intervali i pesë muajve, midis nëntorit dhe majit, gjatë të cilit çifti i ri vendoset në Beograd, në një apartament, ku shënohen çmimi i stufës, shtratit dhe dollapit, si dhe hollësi të tjera familjare që në raste të njëjta, përherë janë të ngjashme e përherë të ndryshme. Në të vërtetë – dhe unë mendoj se këtu është mesazhi thelbësor i autorëve të Enciklopedisë – asgjë nuk përsëritet kurrë në historinë e njeriut, gjithçka që me sy të parë duket e njëjtë, nuk është ashtu; çdo njeri është në të vërtetë një yll i veçantë, gjithçka ndodh gjithmonë dhe kurrë, gjithçka përsëritet pafundësisht dhe asnjëherë. (Ja përse autorët e librit Enciklopedia e të vdekurve, e këtij monumenti madhështor për të ndryshmen, ngulmojnë te e veçanta, ja përse çdo krijesë njerëzore për ta është gjë e shenjtë).

Pa këtë ide që i shoqëron kudo autorët e Enciklopedisë – se çdo qenie njerëzore është e veçantë dhe çdo ngjarje është e papërsëritshme – çfarë do të donin këtu emrat e punonjësve të gjendjes civile e të priftit, përshkrimi i veshjeve të dasmës, ashtu si dhe emri i fshatit Gledic, komuna e Kraljevcos, pa harruar të gjitha gjërat e vockla që përbëjnë lidhjen midis njeriut dhe peizazhit? Në të vërtetë aty përshkruhet vajtja e tim eti “në terren”, qëndrimi i tij nga maji në nëntor në fshatra të ndryshme. Emri i Jovan Radojkoviçit (në bujtinën e tij ka një pllakë gramafoni dhe gjeometrat në mbrëmje pinë verë të ftohtë), gjendet këtu po ashtu si dhe emri i fëmijës – Svetozar – që im atë do të jetë kumbarë me kërkesën e njëfarë Stefan Janjiç, si dhe emri i doktor Levstikut, një slloven i syrgjynosur, që do t’i japë ilaçet kundër gastritit, ose edhe një farë Radmila-Rada Mavreva, të cilën do ta shtrinte në sanë, në strehën e një hangari.

Përsa i përket shërbimit ushtarak të tim eti, në Libër gjejmë të përshkruar itineraret e marshimit të Divizionit të Gjashtë të Këmbësorisë, që kishte qëndruar në Maribor; gjejmë aty edhe emrat e oficerëve e nënoficerëve me gradat e tyre, si dhe ata të shokëve të dhomës, cilësinë e ushqimit të mensës, plagën në gju kur marshuan natën, gjobën që mori se humbi një dorezë, emrin e kafes ku festoi emërimin e tij në Pozarevac.

Pra, me sy të parë tërë kjo ngjan me çdo lloj shërbimi ushtarak tjetër, me çdo lloj emërimi, por qyteti i Pozarevacit dhe shtatë muajt që im atë ndenji në kazermë, për autorët e Enciklopedisë, janë të papërsëritshëm. Kurrë më, kurrë në këtë gjysmë të dytë të 1935-s, njëfarë D.M., gjeometër, nuk do të qëndronte në kazermën e Pozarevacit, duke vizatuar harta i kruspullosur pranë një sobe dhe duke rikujtuar çastin kur gjatë një marshimi natën, dy ose tre muaj më herët, ai kishte parë detin.

Deti që e zbuloi nga maja e lartë e Velebitit, më 28 prill, për herë të parë në jetën e tij prej njëzetepesë vjeçari, do t’i mbetej i gdhendur në kujtesë si një zbulesë, si një ëndërr që do ta mbante brenda tij edhe dyzet vjet të tjerë, me të njëjtën forcë, si një të fshehtë, si një vegim që e ruajmë vetëm për vete. Pas shumë viteve, ai nuk e dinte më as vetë nëse kishte parë vërtet baticën, apo ishte fjala për horizontin qiellor dhe i vetmi det i vërtetë i tij do të mbetej bluja e hartave gjeografike, e errët në thellësi e më e çelët afër brigjeve.

Unë mendoj se këtu gjendet arsyeja që për shumë vite ai kundërshtoi të shkonte me pushime, në një kohë kur te ne tashmë niseshin me shumicë për në plazh me ndihmën e sindikatave ose të agjencive turistike. Kishte në kundërshtimin e tij një dyshim të çuditshëm, sikur kishte frikë se do të zhgënjehej, sikur afria e detit rrezikonte të shkatërronte tek ai atë vegim të largët që e kishte magjepsur më njëzet e tetë prill të vitit tridhjetë e pesë, kur kishte zbuluar për herë të parë në jetën e tij dhe në agshol prej së largu, blunë e pafund të Adriatikut.

Dhe të gjitha shkaqet që përdorte ai për të shtyrë këtë takim me detin nuk ishin aq bindëse: ai nuk donte të shkonte me pushime si një turist i zakonshëm, s’kishte para aq sa duhej (dhe kjo nuk ishte larg së vërtetës), nuk e duronte dot diellin e fortë (sidoqoftë ai e kishte kaluar jetën e vet jashtë nëpër një zheg të padurueshëm), që ta linin të qetë, ishte mjaft mirë në Beograd, prapa lakmive të ulëta. Enciklopedia e të vdekurve këtë kapitull e përshkruan gjer në imtësi, aty përfshihet krejt aventura e tij detare, që nga vegimi i parë lirik i tij më 1935 deri në takimin e vërtetë, ballë për ballë, dyzet vjet më vonë.

Takimi i tij i parë real me detin, ndodhi më 1975, kur u mund nga sulmi i përgjithshëm i familjes dhe pranoi më së fundi të shkonte në Rovinj me nënën e time, në shtëpinë e ca miqve të tyre që ishte e lirë atë verë. Prej andej u kthye më shpejt sesa ishte parashikuar, i pakënaqur nga klima, nga programet televizive, nga turma, nga çmimet “e fluturimeve të organizuara”. Për detin, duke përjashtuar aluzionin për ndotjen (“janë nevojtoret publike të turistëve”) dhe për meduzat (“është kutërbimi i njerëzve që i tërheq, si morrat”), ai nuk tha asnjë fjalë, as edhe një rrokje, duke u mjaftuar me një lëvizje të pakuptueshme të dorës. Vetëm sot unë e marr me mend që kjo do të thoshte: ajo ëndërr e gjatë për Adriatikun, ai vegim i largët, ishte më e bukur dhe më mbresëlënëse, më e kulluar e më i fuqishme se ai ujë i pistë ku shllapuriteshin njerëzit trashaluqë e të ngjallur dhe gra të lyera me vaj, “të zeza si qymyri”.

Kjo qe hera e fundit që shkoi me pushime në det. Tani e kam të qartë se atë ditë u fik te ai, si të ishte qenie e shenjtë, një ëndërr e largët, një iluzion (sikur të ishte iluzion) që e kishte shoqëruar gjatë dyzet vjetëve.

Por ju e shihni, unë kam bërë një kapërcim prej dyzet vjetësh të jetës së tij, kur ne jemi në vitin e tridhjetë e shtatë. D.M. ka dy vajza (pas tyre do të vijë një djalë) që u lindën dhe u rritën në një krahinë të thellë të Serbisë, Petrovac-mbi-Mlavë, Despotovac apo Stepojevac, Bukovac, Cuprija, Jelashica, Matejevica, Ceçina, Vlasina, Knjazhevac apo Podvis. Vizatoni në mendje hartën e kësaj krahine, zgjeroni çdo pikë të hartës suaj ose atë shtetëroren (1/50 000) gjer në madhësinë natyrale, shënoni rrugët dhe shtëpitë ku banoi, pastaj hyni në oborr, në shtëpi, përshkruani formën e dhomave, bëni inventarin e mobilieve e të kopshtit të pemëve; dhe mos harroni emrat e luleve që rriten në kopshtin e vogël prapa shtëpisë, as lajmet e gazetave që lexon e që flasin për paktin Ribbentrop – Molotov, për arratinë e qeverisë mbretërore jugosllave, për çmimin e sallos e të qymyrit, për trimëritë e kampionit të ushtrimeve ajrore Aleksiç… Ja çfarë ecurie ndjekin mjeshtrit enciklopedistë.

Kuptohet se të gjitha ngjarjet, po e përsëris, lidhen me fatin e tij vetjak, çdo bombardim i Beogradit, çdo përparim i trupave gjermane drejt lindjes dhe çdo tërheqje e tyre, gjithçka tregohet sipas pikëpamjes së tij dhe sipas jetës së tij. Aty flitet për një shtëpi të rrugës Palmoticeva, me tërë ato që janë të rëndësishme të thuhen për të dhe për banorët e saj, sepse në bodrumin e kësaj shtëpie im atë jetoi me ne bombardimin e Beogradit; ashtu si përshkruhet shtëpia e Stepojevacit (emri i pronarit, vendosja e dhomave etj), ku im atë do ta na fshehë gjatë luftës, jepet edhe çmimi i bukës, i mishit, i sallos, i shpendëve e i rakisë. Ju do të gjeni në Librin e të Vdekurve edhe bisedën e tij me shefin e policisë, çertifikatën e pushimit nga puna, që mban datën njëmijë e nëntëqind e dyzet e dy, dhe pak më tej, nëse lexoni me vëmendje, do ta shihni tek mbledh gjethe vjeshte në Kopshtin Botanik në rrugën Plamoticeva, për t’i shtruar dhe ngjitur pastaj në bimëtoren e vajzës së vet, duke shkruar me një shkrim të përsosur “Radhiqe (Taraxacum officinale)” ose “Bli (Tilia)”, në atë mënyrë që shkruante mbi hartë “Deti Adriatik” apo “Vlasina”.

Prej lumit të biografisë së tij, të këtij romani familjar, nisen degë të shumta dhe paralelisht me punën e tij në fabrikën e sheqerit më 1943 dhe 1944, si në një kronikë të përmbledhur, gjendet i përshkruar fati i nënës sime dhe i fëmijëve, yni: vëllime të tëra të thjeshtuara në disa paragrafë kujtimesh. Kështu zgjimi i tij mëngjesor lidhet me zgjimin e hershëm të mëmës (që shkon në fshat të shkëmbejë një orë të vjetër muri, të sjellë si pajë, me një pulë ose një copë salloje) dhe me nisjen tonë, të ne fëmijëve për shkollë. Ky ritual mëngjesor (në sfondin kumbues dëgjohet një këngë nga”Lili Marleen”, që vjen nga një radio fqinje), do të shërbejë këtu për të kujtuar atmosferën familjare në shtëpinë e gjeometërve të pushuar nga puna gjatë viteve të pushtimit (mëngjes i varfër, lëng çikoreje dhe bukë e thatë), si dhe për t’i hedhur një vështrim “modës” së viteve 1943 – 1945, kur mbaheshin këpucë me shoje druri, kokore dhe pallto të prera nga batanijet ushtarake.

Fakti që im atë sillte nën pallto, duke marrë në sy të gjitha rreziqet, melasë* nga fabrika “Milisiç” ku punonte si punëtor, ka për Enciklopedinë po atë rëndësi që ka operacioni në klinikën stomatologjike, fare pranë nesh, ose trimëritë e ungjit tim Cveja Karakasheviç, lindur në Ruma që grabiti Klubin e oficerëve gjermanë, në rrugën 7 Francuska, ku punonte si furnizues. Fakti i çuditshëm se gjatë pushtimit, në saje të Cveja Karakaseviçit, ne patëm ngrënë disa herë krap (që e mbanim natën në vaskën e emaluar të banjës) të marinuar me shampanjë franceze, të sjellë nga po ai klub i oficerëve “Drei Husaren”, sigurisht nuk i ka shpëtuar vëmendjes së redaktorëve të Enciklopedisë. Po në atë mënyrë si besnikë të programit të tyre – sipas të cilit nuk ekzistojnë në një jetë njerëzore as hollësi të pashpjegueshme, as hierarki ngjarjesh – ata kanë shënuar çdo sëmundje foshnjore që kemi patur ne, dhimbje veshësh, bajame, fruth, zgjebe por dhe kur zinim morra dhe probleme të mushkërive të tim eti. (Diagnozë që përputhet me atë të doktor Djuroviçit: emfizemë e shkaktuar nga teprimi me duhanin). Gjithashtu do të gjeni edhe pankartën e ngjitur në tabelën e afishimeve të tregut në Bajlonova, me listën e pengjeve të pushkatuara, mes të cilëve ka edhe miq të afërt të tim eti ose të njohur të shtëpisë; emrat e patriotëve të varur, trupi i të cilëve lëkundet nëpër trekëndëshat elektrikë të Terazijes në mes të qytetit; fjalët e oficerit gjerman që i kërkon “Ausweisin” e tij në bufenë e stacionit të Nishit; përshkrimin e një martese çetnike në Vlasotinci ku qëllojnë me armë zjarri gjithë natën.

Betejat e rrugës në tetor 1944 janë dhënë ashtu si i ka parë ai, që nga rruga”Palmoticeva” ku kalon artileria e lehtë; në qoshe të rrugës është shtrirë një kalë i ngordhur. Zhurma shurdhuese e zinxhirëve të tankeve mbulon një çast marrjen në pyetje të një Volksdeutscher-i të quajtur Franjo Hermann, lutjet e të cilit kapërcejnë çatmat e holla të ndërtesës fqinje ku një oficer i policisë politike bën gjyq dhe vetëgjyqësi në emër të popullit. Batareja e shtënë në oborrin pranë e që jehon në mënyrë të thatë në heshtjen që zëvendësohet përnjëherësh me kalimin e topave sovjetikë, njolla e gjakut mbi murin që sheh im atë nga baxha e tualetit, trupi i fatkeqit Hermann në pozicionin e fetusit, tërë kjo do të shkruhet në Librin e të Vdekurve me komentarin e vërejtësit të fshehtë.

Për Librin e të vdekurve, historia është një shumësi fatesh njerëzore, një bashkim ngjarjesh jetëshkurtra. Ja përse aty gjenden të përshkruara çdo gjest, çdo mendim, çdo frymë krijuese, çdo lartësi e regjistruar, çdo lopatë me baltë, çdo lëkundje që ka zhvendosur një tullë nga muret në rrënim.

Vendi i punës i tim eti pas luftës, në kadastër, ku kishin filluar sërishmi të matnin territorin kombëtar, ashtu si veprohet në çdo kthesë historike, është përshkruar këtu me përpikëri: cilësia e tokës, amza kadastrale, emrat e rinj të fshatrave të ripopulluara… Gjithçka është regjistruar, thashë: balta e trashë që ngjitet në çizmet e kauçukut të blera nga im atë prej një ushtari të dehur, diarreja e fortë e shkaktuar nga qoftet e prishura në një tavernë në Ingjizha; aventura e tij me një boshnjake, kameriere në Sombor; rënia nga biçikleta dhe plagosja në bërryla në rrethinat e Kantavirit; udhëtimi natën me një vagon kafshësh në vijën Santa-Subotica; blerja e një rose të majme gjatë përgatitjeve të festës së Vitit të Ri në shtëpi; dehja me inxhinierët rusë në Banovici; shkulja e një dhëmballe në fshat, pranë një pusi me çikrik; takimi ku ai do të qullet gjer në palcë; vdekja e Steva Bogdanovit, gjeometër, që hasi një minë në lirishtën e një pylli, me të cilin një natë më parë kishte luajtur në bilardo; rishfaqja e kampionit të ushtrimeve ajrore Aleksiç në qiellin e Kalemegdanit; një helmim i rëndë i shkaktuar nga alkooli i fshatit Mrakodol; rruga me një kamion plot e përplot në udhën gropa – gropa midis Zrenjaninit dhe Elemirit; konflikti me shefin e ri, një farë Shuputi në territorin fqinj të Jasa Tomicit; blerja e një toni qymyr “Banoviçi” dhe pritja në radhë në stacionin lumor “Danubi”, që në katër të mëngjesit, në një temperaturë minus pesëmbëdhjetë gradë; blerja e një tryeze me syprinë mermeri në tregun e vjetërsirave; mëngjesi me djathë “amerikan” e me qumësht pluhur në mensën e punëtorëve “Bosna”; sëmundja dhe vdekja e atit të tij; vajtja te varri pas dyzet ditësh; grindja e fortë midis njëfarë Petar Jankoviç dhe një tjetri Sava Dragoviç që mbronin dhe i jepnin të drejtë vijës së Stalinit, si dhe gjithçka që thoshin; argumentet dhe kundërargumentet e tyre (e gjitha e mbyllur nga një “p… të Stalinit” nën zë e tim eti).

Kështu na zhyt Enciklopedia në atmosferën e epokës, në ngjarjet politike.

Terrori në të cilin do të jetonte im atë dhe heshtja, e cila më kujtohet fare mirë, ajo heshtje e rëndë dhe e nderë që Libri e shpjegon si një terror nga molepsja: një ditë ai mësoi se Petar Jankoviçi, kushëri i largët dhe koleg pune, paraqitej çdo ditë në orën gjashtë të mëngjesit në godinën e policisë politike të jepte sqarime (për denoncimet e Dragoviçit); ky Petari vinte në punë me vonesë, me fytyrë prej meiti e të enjtur nga goditjet dhe mungesa e gjumit; dhe kjo ndodhte çdo mëngjes, pa përjashtim, në agim, për rreth gjashtë muaj… derisa një ditë ai u dha emrin e disa personave të tjerë që kishin bërë me të gabime përsa u përket rusëve dhe kishin dëgjuar Radio - Moskën.

Po i kapërcej degët e këtij lumi – grindjet, pajtimet, ikjet – gjithë atë kronikë familjare të përmbledhur. Po kapërcej edhe inventarin e sendeve që sillte im atë me një karrocë të shkëlqyer udhëtimi e që janë përmendur te Enciklopedia. Do të kujtoj vetëm radion “Orion”, veprat e plota të Maksim Gorkit, një dafinë me vazo dhe një kade të vogël për të bërë turshi me lakër, sepse ato më duken më të rëndësishme se sendet e tjera që numërohen në Libër, duke përfshirë edhe stofin e astarin që ia pata blerë unë me rrogën time të parë si dhe shishen e konjakut “Martel” që ai e piu brenda një nate.

Por Enciklopedia s’merret vetëm me të mirat materiale, ajo s’është libër llogarie ose një inventar, as një listë emrash si Libri i mbretërve ose Gjeneza, mund të jetë edhe kështu; por aty flitet edhe për jetën shpirtërore të njeriut, për vizionin e tij për botën, për Zotin, për dyshimet ndaj jetës së përtejme, për parimet morale. Ajo që të çudit jashtë mase, është ajo shkrirje e veçantë në llojin e vet mes jashtësisë dhe brendësisë, këmbëngulja në faktet materiale, konkrete, të vëna menjëherë në lidhje logjike me njeriun, me atë që quhet shpirti i tij. Nëse redaktorët japin disa të dhëna objektive, pa i komentuar – si futja e elektricitetit në sobën prej fajance më 1969, fillimi i rënies së flokëve dhe babëzia e papritur e tim eti, përgatitja e pijes me bazë shtogu sipas një recete që jepte gazeta “Politika”, – pasionin e tij të befasishëm për pullat në ditët e tij të mbrame, ata e shpjegojnë si njëlloj plotësimi ndaj një qëndrimi pa lëvizur për një kohë të gjatë. Ata e kanë të qartë se vëzhgimi i pullave me lupë s’është gjë tjetër veçse një pjesë e pëlqimeve të ndrydhura për dëfrime që shpesh fshihen te qeniet e qeta e të përmbajtura, pak të prirura për udhëtime e aventura; është ai lloj romantizmi prej mikroborgjezi të pashpallur e që i frymëzoi tim eti lidhjen e tij me detin. (Në të vërtetë ai i kishte zëvendësuar udhëtimet dhe horizontet e largëta me këto peripeci imagjinare, të rehatshme, dhe interesimi i nipit të tij të madh për botën e fluturave nëpër pulla, ishin një arsye për të mos u dukur qesharak në sytë e të tjerëve dhe në sytë e vet).

Siç e shihni, tashmë është fjala, për atë pjesë të peizazhit të tij mendor që gjendet fare pranë grykëderdhjes dhe ku varrimet e miqve e të afërmve vazhdojnë me një rregullsi të tillë, sa çdo njeri – qoftë ai edhe më pak i dhënë për një meditim të heshtur – bëhet filozof, megjithëse filozofia është një përsiatje për kuptimin e ekzistencës.

I pakënaqur nga jeta e vet, i rrënuar nga sëmundja e pleqërisë që nuk mund ta zbutin, as fëmijët e përkushtuar, as nipërit e dashur, as qetësia relative e jetës së përditshme, ai u bë grindavec, dehej përherë e më shpesh. Atëherë kishte kriza zemërimi të befta, krejtësisht të pakuptimta për atë njeri të qetë e me buzëqeshje të ëmbël. Mallkonte Zotin, qiellin, tokën, rusët, amerikanët, gjermanët, qeverinë dhe ata që i kishin dhënë një pension aq të mjerë, në një kohë që ishte robtuar tërë jetën, e mbi të gjitha mallkonte televizionin që mbushte zbrazëtinë e mbrëmjeve të tij, duke futur në shtëpi me një paturpësi fyese, iluzionin e madh të jetës.

Të nesërmen, duke ardhur në vete dhe i shtyrë nga një keqardhje e lehtë, fillonte të ushqente kanarinën mbi tarracë, duke i folur, duke i fërshëllyer një këngë kur mbante kafazin lart, përpara tij, sikur tundte një fener në errësirën e mjerimit njerëzor. Dhe pas kësaj hiqte pizhamet, vishej duke dihatur, vinte kapelen dhe shkonte në postën kryesore të rrugës Takovska të blinte pulla. Kur kthehej e kalonte pasditen duke gjerbur kafenë, i ulur në cep të një kolltuku, me nipin pranë, duke plotësuar albumet me ndihmën e kapëseve.

Ndonjëherë në çastet kur binte në dëshpërim, ai qahej për jetën e shkuar duke ofsharë si pleqtë: po, Zoti i madh nuk ia kishte dhënë mundësinë t’i thellonte dijet, ai do ta linte këtë botë i paditur, pa njohur mirëqenien, pa e parë vërtet detin dhe metropolet e mëdha, pa mundur të shihte asgjë nga ajo që mund të shohë një njeri i shkolluar e i pasur. Edhe udhëtimi i tij në Trieste ishte mbyllur aq palavdishëm sa dhe pushimet e tij në Rovinj.

Ishte gjashtëdhjetë e gjashtë vjeç kur ndërmori udhëtimin e tij të parë përtej kufijve. Këtë herë prapë kishte lëshuar pe nga ngulmimi dhe sulmet tona të përsëritura. Në të vërtetë ai qe mbrojtur me argumente që nuk ishte e lehtë t’i hidhje poshtë; një burrë i mençur nuk udhëton në një vend ku nuk njeh gjuhën, s’kishte përse ta mashtronte doganën, makaronaxhinjtë dhe shiantët* nuk kishte interes t’i shihte, pra pëlqente më tepër të pinte në shtëpi një shishe të mirë vere Mostari ose verë të bardhë Prokupaci, nga e zakonshmja.

Sidoqoftë ne e detyruam të nxirrte pasaportën. Nga ai udhëtim ai u kthye i pezmatuar dhe me humor të keq, me pamje mëshiruese, i prishur me mëmën time; këpucët që i kishte blerë ajo, nuk i kishin rënë mirë dhe i bënin flluska, dogana vendore e kishte kontrolluar thuajse në hyrje të Beogradit, duke ia bërë plaçkat lesh e li.

A duhet të saktësoj se ai udhëtim në Trieste dhe breshri para hotelit “Adriatico”, kur rrinte pa çadër poshtë një strehe, me pamje të përhumbur si një qen i lagur (gjatë kohës që ime ëmë kërkonte në raftet e këpucëve në Ponto Rosso), a duhet të saktësoj që në Librin e të vdekurve gjithë kjo zë vendin që meriton ky episod. I vetmi ngushëllim në këtë udhëtim të zymtë ishte blerja e farave të luleve në tezgën e një shitoreje. (Faleminderit Zotit që lulet ishin të vizatuara në qeskat përkatëse dhe çmimi dukej mirë, kështu që u shmang çdo lloj debati me shitësen). Ç’është e drejta, në këtë kohë D.M. u ishte kushtuar rritjes së luleve “zbukuruese”, ashtu si e saktëson Enciklopedia. (Vazhdon një inventar lulesh nëpër saksi apo në kopshtin e vogël mbi tarracë nga ana e oborrit ose në ballkon nga ana e rrugës).

Në të njëjtën kohë, nga një lloj “infektimi” lulor, gjatë kohës së lirë ai zuri të pikturonte motive lulesh kudo nëpër shtëpi. Ky shpërthim i papritur i dhuntive të tij prej piktori erdhi krejt rastësisht. I pakënaqur – ashtu si ishte i pakënaqur me gjithçka – nga mënyra sesi një oficer në pension, u shfaq bojaxhi ndërtesash e që e kishte lyer banjën (duke fërshëllyer nga mëngjesi në darkë këngën “Marshi i partizanëve” që rimonte me lëvizjet e furçës së tij) dhe i kishte bërë muret tërë njolla,- im atë iu vu punës dhe përveshi mëngët. Para pamundësisë për të zhdukur njollat e errëta, ai vendosi t’i mbulonte me një llakë, duke ndjekur shenjat e lagështa. Kështu lindi lulja e parë e banjës, një dredhëz e madhe ose një zambak, vetëm Zoti e di çfarë ishte.

Ne të gjithë e lëvduam ngrohtësisht. Fqinjët ia behën të sodisnin dhuntinë e tij. Madje edhe nipi që e donte më shumë, i shprehu adhurimin e tij të sinqertë. Dhe kështu nisi e gjitha. Pastaj i erdhi radha dritares në banjë që ai e zbukuroi me lule të vogla fushe, ngjyrë lule gruri, duke e lënë të pambaruar, edhe pse ai motiv lulor i pikturuar drejtpërdrejt mbi xham, në formë të pjerrët krijonte iluzionin e perdeve që i tund era.

Që nga ky çast, ai pikturoi nga mëngjesi gjer në mbrëmje, pa u lodhur, me një cigare në buzë. (Dhe në qetësi dëgjoheshin mushkëritë e tij të fishkëllenin si kacek). Mbuloi me lule që pak përngjanin valixhet tona të vjetra, krejt të gërvishtura, abazhurin prej porcelani, shishet e konjakut, vazot me xhama të trashë, poçat e Neskafesë dhe kutitë prej druri të cigareve. Në një sifon të madh sode, ai shkroi në fundin bojëqielli emrat e kafeve beogradase, me atë tip shkronjash që përdoret zakonisht për ishujt në hartat gjeografike: Brionët, Grykat e Kotorrit, Mëllenja, Detari, Aurora, Kafeja Serbe, Porta e Vidinëve, Porta e Stambolllit, Skadarlija, Tri Kapelet, Shtatë Ditët, Marshi i Drinit, Kalemegdani, Fati i Mbramë.

Redaktorët e kujdesshëm të Enciklopedisë nuk e kanë shmangur fare faktin e çuditshëm që ai vdiq në ditëlindjen e dymbëdhjetë të nipit të madh. Po ashtu ata kanë shënuar kundërshtimin e tim eti për t’i vënë nipit të vogël emrin e tij. Ne patëm menduar ta përkëdhelnim disi sedrën e tij e t’i dëshmonin dhembshurinë tonë. Por ai u kënaq të lëvizte pak buzët dhe unë pashë si i kaloi në sy hija e largët e këtij tmerri që duhet t’i ketë vetëtirë pas syzeve një vit më vonë, kur pati bindjen për fundin e tij të afërt. Këtë vazhdimësi të gjallësh dhe të vdekurish, këtë mit të përbashkët të këmbimit të brezave, këtë ngushëllim të gjorë që njeriu e ka shpikur për të pranuar më lehtësisht idenë e vdekjes, im atë e ndjeu në atë çast si një fyerje; sikur me këtë akt magjik të transmetimit të emrit të tij te një i sapolindur, duke qenë edhe njëqind herë nga mishi i tij, atë po e shtinin në varr. Por unë nuk e dija në atë kohë se ishte zbuluar diçka tepër e dyshimtë rrëzë kofshës dhe se ai e kishte parandier ose ndoshta e dinte me siguri që në rropullitë e tij çelte si e ushqyer nga kjo gungë një bimë helmuese e panjohur.

Në një nga kapitujt e fundmë, Enciklopedia ripërshkruan zhvillimin e ceremonisë mortore, përmend emrin e priftit që i fali mëkatet, jep kurorat, listën e atyre që e shoqëruan për në kishë, numrin e qirinjve që u ndezën për shpëtimin e shpirtit të tij dhe tekstin e njoftimit nekrologjik te gazeta Politika.

Fjalimi i përmortshëm i lexuar para katafalkut nga Nikola Beseviç, një koleg i tij i hershëm në drejtorinë e Kadastrës (“Shoku Gjuro i ka shërbyer me nder atdheut, si para luftës, gjatë pushtimit dhe pas luftës, në epokën e lavdishme të rindërtimit dhe ndërtimit të vendit tonë të varfër, të djegur e shkatërruar”), është ripërshkruar këtu tërësisht, sepse, megjithëse ka teprime dhe rëndomësira, fjalimi i Beseviçit, mbajtur para qivurit të shokut të fëmijërisë dhe kolegut, padyshim, përmbyllte diçka nga mesazhi dhe parimet që ngrinte lart Enciklopedia e të Vdekurve (“Kujtimi i tij i përjetshëm do të rrojë në shekuj. Lavdi dhe paqe për të!”)

Ja, ky mund të ishte fundi, këtu mbarojnë edhe shënimet e mia. Nuk do të citoj inventarin e trishtuar që la ai pas vetes: këmisha, pasaportë, letra, syza. (Dhe drita e ditës shkëlqeu dhimbshëm në xhamat e zbrazët të sapo dalë nga këllëfi); gjithçka që i dhanë mëmës sime në spital të nesërmen e vdekjes së tij. Sepse e gjitha është shkruar me besnikëri në Enciklopedi, nuk mungon as shamia e dorës, as paketa “Morava”, as numri i gazetës PolitikaMagazine me fjalët kryq, mbushur pjesërisht me dorën e tij.

Gjejmë pastaj emrin e mjekut, të infermiereve, të vizitorëve, ditën dhe orën e operacionit, (kur doktori Petroviç e hapi dhe e mbylli, pasi vërejti se ndërhyrja ishte e kotë: sëmundja e keqe tashmë kishte prekur organet jetësore). Unë nuk kam forcë t’jua përshkruaj vështrimin, me të cilin ai u nda prej meje në shkallët e spitalit, një apo ditë para operacionit; aty lexohej njëherësh një jetë dhe gjithë llahtaria e vetëdijes së vdekjes … të vdekjes që mund të provojë një i gjallë.

Pra, i bërë akull dhe me lot ia dola të shfletoja në disa orë tërë ato faqe që i ishin kushtuar atij. E kisha humbur idenë e kohës. A isha në atë bibliotekë të ftohtë që prej një ore apo tashmë ishte dritë jashtë? E thashë, kisha humbur tërësisht idenë e kohës e të vendit. Kisha nxituar të shënoja sa më shumë gjëra që ishte e mundur për tim atë, për të patur në orët e dëshpërimit një provë që jeta e tij nuk kishte qenë e kotë, se kishte ende njerëz mbi dhe që shkruanin dhe i jepnin vlerë çdo jete, çdo vuajtjeje, çdo ekzistence njerëzore. (Sidoqoftë ky ishte njëfarë ngushëllimi, sado i vogël qoftë).

Në faqet e fundit që flisnin për të, vura re papritmas një lule, një lule të çuditshme që njëherë m’u duk si vizatim i gdhendur ose si një ravijëzim skematik i një bime të ruajtur në botën e të vdekurve, si një gjedhë e një bimësie të zhdukur. Megjithatë nga teksti shoqërues mësova se ishte fjala për motivin lulor kryesor të pikturave të tim eti. Zura ta kopjoja me një dorë që dridhej atë lule të pazakonshme. Ajo ngjante para së gjithash me një portokall të qëruar e të hapur, mbushur me vija të holla të kuqe si kapilarë. Në çast u zhgënjeva. I njihja mirë vizatimet e panumërta me të cilat im atë kishte mbuluar muret, dërrasat, shishet dhe kusitë e shtëpisë, por asnjë nuk ngjante me këtë. Shiko, thashë, edhe ata mund të zhgënjehen. Pastaj, pasi kisha kopjuar këtë portokall të madh të qëruar, përshkova paragrafin e fundit, duke nxjerrë një klithmë. U zgjova qull në djersë. Shkrova shpejt gjithçka që mbaja mend nga ajo ëndërr. Dhe ja çfarë mbeti… E dini ju çfarë thoshte paragrafi i fundit? Që D.M. kishte filluar të pikturonte në çastin kur ishte shfaqur tek ai simptoma e parë e kancerit. Dhe se mënyra e tij ngulmuese për të vizatuar motive lulesh, përputhej me përparimin e sëmundjes.

Kur ia tregova vizatimin doktor Petroviçit, ai jo pa habi më vërtetoi, që tumori në barkun e tim eti kishte tamam atë pamje. E që zhvillimi i tij kishte zgjatur pa dyshim shumë kohë.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...