Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/22

Ndue Ukaj: Heronjtë dhe tradhtarët


Ndue Ukaj
Historia njerëzimit, është e mbushur me personazh të gjithfarshëm, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore, për të mirë apo të keqe. Në fakt, historia e heronjve dhe tradhtarëve, duket të jetë e vjetër, aq sa gjallimet njerëzore. Në mos, njeriu ka lindur bashkë me prirjet e çuditshme, për të qenë hero ose tradhtar.
Nëse gjurmojmë nëpër historinë njerëzore, empiria na tregon se faqe të shumta të historisë së tij, janë të stërmbushura me elemente të fuqishme dhe të thella konfrontuese, pikërisht mes tradhtarëve dhe heronjve. Pikërisht për këtë, shumë drama njerëzore, kanë si pikënisje pikërisht konfrontimet e ashpra mes këtyre dy kategorive njerëzore. Ndërkohë që këto modele, për etni të caktuara, qytetërime, kultura e fe, nëpër kohë janë shndërruar në modele ose antipod të tyre.
Një analizë e thelluar në këto dy kategori, le të kuptohet se këto prirje të njeriut kanë stimuluar aq shumë, dhe në të gjitha kohët, njëra-tjetrën, aq sa duket se kanë bërë njëlloj bashkëjetese të dhunshme. Heronjtë kanë lindur, janë krijuar, shpikur shpeshherë, do të mund të shprehej njeriu, vetëm pse kanë ekzistuar tradhtarët dhe atë në çdo kohë, kulturë, etni e fe.
Në historinë biblike, tek e cila gjen mbështetjen civilizimi perëndimore, shenjat e shumta të këtyre dy kategorive i gjejmë që në zanafillë. Mjafton të rikujtojmë ngjarjen dramatike mes Abelit dhe Kainit, nga zanafilla biblike. Kjo histori, flet shumë. Mirëpo, një shembull të fuqishëm dhe ilustrativ, po në këtë aspekt paraqet historia e Makabejve, nga Testamenti i Vjetër Biblik. Aty kemi një tipizim të fuqishëm të tipareve të heroit, i cili flijohet për atdhe e fe dhe tradhtarit, që për smirë, para e lakmi, tradhton. Këtë subjekt biblik, me mjeshtëri e ka funksionalizuar në letërsinë shqipe, edhe shkrimtari ynë kombëtar At Gjergj Fishta, te tragjedia me titull ”Juda Makabe”, e shkruar në vitet e para të lirisë së Shqipërisë. Koha e botimit të saj është viti 1920. Mirëpo, autori filloi ta shkruante këtë tekst në vitin 1911, në një periudhë tejet të ndjeshme kombëtare të transformimeve historike, që shoqëroheshin me dramacitet e dhimbje të mëdha. Nëse vendoset tragjedia në kontekstin politiko shoqëror që kalonte Shqipëria, atëherë alegoritë që i sugjerojnë faktet biblike të tremijë vjetëve më parë me faktet aktuale shqiptare të zhvillimeve 1891-1914, janë të prekshme, shenja e ide që tingëllojnë fuqishëmKjo tragjedi letrare, ruan shenja të fuqishme aktuale në çdo kohë, veçmas në ambientin shqiptar, i cili edhe sot, pas afërsisht një shekulli, ballafaqohet me të njëjtat probleme. Dhe e ka të pamundur të ndajë qartësisht tradhtarët nga heronjtë. Për pasojë, ajo ende nuk ka ndërtuar një histori unike reprezentative.
Fishta përmes kësaj tragjedie stigmatizon fuqishëm njeriun shqiptar që për kamje e pasuri, tradhton heroin e idealeve të shenjta, heroin e mishëruar me pasionin për liri, për përparim të kombit e fesë. Mirëpo, At Fishta përmes kësaj tragjedie thekson fuqishëm nevojën e njohjes së tradhtarëve dhe heronjve, sepse kështu vetëdijesohet njeriu, konsolidohet shoqëria dhe etnia mund të ec qartësisht drejt së ardhmes më të ndritshme. Për arsyen e thjeshtë, sepse, ata bëhen udhërrëfyes. Prandaj të tillë, pra udhërrëfyes, nuk guxojnë të bëhen psuedoheronjtë, ata që shesin atdhe e fe, pra tradhtarët. Apo edhe më keq, ata që shpiken heronj.
Këto ditë të acarta dimri, duke soditur zhvillimet dramatike në Shqipëri e Kosovë, tingëllon fuqishëm thinja e At Fishtës nga tragjedia në fjalë: “O Perëndu, a’ndjeve/ Tradhëtarët na lanë pa Atdhe”. Një luftë ë pashembullt, absurde, tanimë afër dy dekada zhvillohet në Shqipërinë e lirë, për të ditur heronjtë dhe mundësisht tradhtarët e Shqipërisë. Sekush mundet dhe sekush di pakëz, mundohet t’i përvetësoi bëmat e mëdha të thyerjes së komunizmit. Duke i soditur këto ngjarje, vetja më duket sikur ndodhem para një teatri absurd, ku personazhet luajnë fatet e një kombi të mjerë. Mirëpo, kjo ndodh, realisht në Shqipërinë dhe Kosovën tonë, aty ku sendërtimi i ëndrrave për liri të njëmend ende vazhdon, ku konsolidimi i shtetit të mirëfilltë, ende mungon, ku ligji dhe politika janë për një kategori të caktuar shoqërore dhe ku populli i traumatizuar bërtet Hosana dhe Kryqëzoje, thuajse paralelisht.
Gjendja shqiptare është përplot makth. Pasiguri. Kemi lojë me zgjedhje të gjithfarshme, përpos demokratike, shpikje heronjsh e tradhtarësh, që luhen sikur nga kalamaj që imagjinatën e ushqejnë me filma të ndryshëm aksion. Dhe e gjithë kjo bëhet, sepse ne ende na mungon një vlerësim i qartë sekush është hero, se kush ka vlera dhe kush ja ka shpikur vetës ato. Prandaj, në historinë e re të Kosovës, bëmat e shumëpërfolura, më shumë tingëllojnë të shpikura sesa reale.
Aspak puna më mirë nuk qëndron me raportin tonë me historinë dhe figurat historike, në raport me ngjarje dhe fenomene të caktuara historike.
Po cila është e vërteta shqiptare në këtë kontekst dhe a kemi arritur ne si komb të bëjmë një vlerësim aproksimativisht të pranueshëm për heronjtë kombëtar, së këndejmi edhe për tradhtarët? Kjo pyetje ka dhjetëra nën pyetje tjera, të cilat, asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje të duhur, as nga historianët, as nga filozofët, as nga politikanët, as nga shkrimtarët. Pra, kjo pyetje rri ankthshëm mbi etninë shqiptare, e bënë të tashëm e saj shumë të komplikuar dhe të ardhmen e zbehtë.
Një popull që nuk arrin të vlerësoi dhe selektoi historinë e tij ashtu siç duhet, e ka të vështirë të konsolidohet mirë, mbase të pamundshme të paraqitet unik para botës. Mbi të gjitha, ai e ka të pamundur të tejkaloi ngërçet politike, përçarjet e shumta dhe harmoninë etnike e ka vetëm iluzion. Kjo e bënë atë të jetë i nëpërkëmbur nga faktorët e fuqishëm ndërkombëtar.
Nuk është asgjë e re nëse themi se shumica e problemeve shqiptare i dedikohet historisë, apo më mirë të themi vlerësimit të saj sipas parakoncepteve të caktuara, herë lokaliste, herë regjionaliste, e madje, herë sipas prirjeve fetare e ideologjike. Kësisoj, nuk kemi arritur asnjëherë të ndërtojmë një koncept unik për të kaluarën, për heronjtë tanë, për shenjat identitare, për historinë tonë, letërsinë, artin, etj. Mbase, konfrontimet më të mëdha shqiptare të politikës e dijës, në mënyrë implicite i dedikohen të kaluarës së paqartë dhe vlerësimit ambiguel të saj. Dhe për fat të keq, edhe dy dekada pas lirisë nga diktatura, Shqipëria feston dy dada të çlirimit, Kosova ka disa shenja identitare shtetërore. Historianët shqiptar grindën si është më keq për figurën e Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, për fillimet e nacionalizimit shqiptar, për pasojat e Perandorisë Otomane, për Haxhi Qamilin e Ismail Qemajlin, për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, për Ernest Koliqin e Fan S. Nolin. Ata grindën për heronjtë e demokracisë. Nesër për ata të integrimeve. Pra, historia jonë është arenë e grindjeve të pashembullta.  Kësisoj, siç thoshte i madhi At Zef Pllumi, ne vazhdojmë të numërojmë në vend dhe e kemi të pamundur të organizojmë kaosin që gjendet brenda nesh.
Edhe historitë e kombeve të tjera njohin heronj dhe tradhtar. Mirëpo, kombet e konsoliduara, i kanë tejkaluar ato probleme, me debate konstruktive dhe qëllimmire, me histori të vërteta dhe jo kauzihistori e shpikje. Prandaj, ata para botës paraqiten unik. Është koha e jonë, të unifikojmë historinë, të kaluarën, rrjedhat e saj, heronjtë dhe të paraqitemi denjësisht para botës.
Të qartësojmë vetveten dhe identitetin tonë.
Duke mos festuar ndaras data të rëndësishme kombëtare; duke mos i vlerësuar heronjtë ndaras; duke mos i diferencuar; duke mos i përvetësuar ata që nuk përvetësohen dhe duke ndërtuar një histori unike të identitetit shqiptar- shoqëria shqiptare mund te tejkalon edhe shumë ngërçe, përçarje çoroditëse dhe kështu mund të bëhet e aftë të hyjë në rrugën e mirëfilltë të prosperimit.

OPINIONI PUBLIK ËSHTË I PAMANIPULUESHËM, MARRË SHKAS NGA INTERVISTA E REXHEP QOSJES TEK TOP CHANNEL




Elida Buçpapaj


Dy ditë më parë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Akademik Rexhep Qosja i dha një intervistë nga studioja e tij në Prishtinë televizionit kombëtar Top Channel, i cili është selektiv me të zgjedhurit e tij. Por kjo është modë për gazetat e televizionet e Tiranës, po ashtu edhe në Prishtinë, ku gazetaria ka humbur fytyrën dhe është kthyer në një gazetari klienteliste, sipas sloganit „më jep, të jap“, duke shkaktuar një boshllëk të pazëvendësueshëm për fjalën e lirë, e cila duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, opinionit publik dhe në mbrojtje të interesave të vendit. Gazetarët profesionistë dhe me integritet duhet të ndikojnë edhe tek vetë politikanët. Por integriteti është një fjalë e hequr nga fjalori i gjuhës shqipe, e cila është zëvendësuar e përçudnuar me: kush është maskara, ish-spiun dhe nëntëdhjetë e nëntësh është me integritet!
Duke iu kthyer intervistës së Akademik Rexhep Qosjes, ajo kishte dy qasje, e para, e një Akademiku, kur fliste si historian i letërsisë, pasi Rilindasit ishin edhe shtetarët e parë të Shqipërisë të 28 Nëntorit; ndërsa qasja e dytë, e një militanti zemërak dhe emocional që shkonte deri aty sa i gjente të mira me bollëk diktaturës kriminale të Enver Hoxhës, merrni me mend deri në planin ekonomik, të zhdukjes të pronës private, kur vuri re se regjimi totalitarist i shpëtoi shqiptarët nga varfëria (!!!!) dhe nuk gjeti asgjë pozitive tek Sali Berisha. Deri sa mbante pozicionin e Akademikut të letërsisë, Rexhep Qosja ishte OK, bile shumë OK, kur kaloi në planin e avokatit të regjimit totalitarist dhe prokurorit të Berishës, sepse emocionet e bënë që t’iu ikte analizave shkencore, atëherë e humbi kredibilitetin dhe ra në pozitat e Saimir Tahirit apo Gramoz Ruçit do të thoshja.


Këto rradhë i shkruaj me hidhërim, sepse shoh se nuk po gjendet një njeri, një burrë që të ndikojë në paqtimin e politikës shqiptare, e cila për çdo ditë e më tepër po bëhet më konfliktuale dhe më e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Zemërata e Rexhep Qosjes merrte nismën edhe për faktin se nuk pati ftesë zyrtare me rastin e 100 vjetorit, diçka që e shoh të padrejtë, në frymën e përçarjes, një frymë e kohës së Sigurimit të Shtetit, e cila po ndihet sot deri në diasporë. Unë mendoj se Sali Berisha do t’i duhej t’i dërgonte ftesë Qosjes, pavarësisht marrëdhënieve shumë negative mes të dyve, qoftë qëndrimeve të gabuara të Qosjes, sepse Berisha po ashtu bën gabime sa të duash. Sepse dikush duhet të shtrijë dorën. Dhe ai njeri që di të shtrijë dorën na duhet ne sot!
Disa ditë më parë dëgjova një intervistë të këngëtares dhe aktores shkodrane Justina Aliaj, një talent shqiptar i djegur për së gjalli nga diktatura, e cila vuri në dukje se talentet nuk mund të jenë të imponuara nga politika apo nga mediumet e propagandës, siç bëhej dikur, sepse për ta vendos opinioni publik. Ky është standarti edhe në Perëndim. Profesionalizmi, aftësitë, kompetencat, talenti dhe integriteti. Edhe për gazetarinë. Gazetar i mirë është ai që lexohet dhe që vlerësohet nga opinioni publik,dhe kurrsesi jo ashtu si ndodh në Tiranë ku opinionit publik i imponohen një tufë opinionistësh pa integritet dhe me skeletë në sirtarë, të cilët veç kësaj janë mediokër dhe mjeranë.
Në Shqipëri janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për t’u mirëinformuar dhe për të shprehur mendimet, por kjo përparësi e revolucionit të Teknologjisë Informatike shpërdorohet dhe ka ndikim negativ tek opinioni publik, sa që e ka kthyer në domosdoshmëri komunikimin me anë të rrjeteve sociale siç janë Facebook dhe Twitter, ku qytetarët e zakonshëm shprehin mendimet e tyre në mënyrë të barabartë me politikanët, praktikë kjo që aplikohet shumë në Perëndim, ndërsa sa i përket komunitetit shqiptar të internetit ky komunitet është i mirëpopulluar nga shqiptarë të të gjitha trojeve, ku vend kyesor zë diaspora, ndërsa prania e politikanëve gati është inekzistente.


Pra me pak fjalë, televizionet e Tiranës dhe Prishtinës nuk mund t’i diktojnë opinionit publik mendime apo qëndrime të ambalazhuara, që këta t’i gëlltisin si medikamente, sepse kështu opinioni publik kthehet në kukull. Ne njohim politikanë kukulla, gazetarë kukulla, ndryshe të njohur si yesmen, por opinion kukull në demokraci nuk ka.
Me pak fjalë, opinioni publik kërkon të vërtetën, e cila është në shërbim të të gjithëve, përfshi edhe militantët dhe profiterët politikë, ndërsa militantëve dhe profiterëve politikë u interesojnë të vërtetat e shtrëmbëruara që t’i përdorin për interesat e tyre të çastit.
Në këtë rrugë u orientua edhe Akademik Rexhep Qosja në intervistën e tij tek Top Channel. Dhe ka 20 vjet që segmentet okulte të Tiranës orientojnë konfliktualitet. Dhe nuk del një burrë që t’u thotë mor zotërinj mjaft më, le të jemi bashkë, mjaft me folklor politik dhe mjaft me konfliktualitet, le të bëjmë shtetin. Nuk jemi të parët. Pashko Vasa na e ka thënë me kohë, aleatët tanë sot po ashtu, ndërsa ju e keni kthyer komunikimin në artin e pamundësisë. Sidomos sot, me këtë zhvillim të mjeteve komunikimit, pseudoelitat shqiptare vazhdojnë stereotipin e periudhës staliniste, diçka që opinioni publik nuk e pranon dot kurrë.
Askush nuk i vë përballë të vërtetave politikanët shqiptarë, të cilët për konsum propagandistik, paraqiten si njerëz paqësorë dhe shërbëtorë të përvuajtur të stabilitetit, dialogut dhe bashkëkomunikimit, të gatshëm t’i shtrijnë dorën çdokujt, dhe bëjnë mirë, ndërsa me njëri-tjetrin janë si kanibalë, armiq të përbetuar duke mbjellë këtë klimë monstruoze me pasoja për vendin dhe shqiptarët.
Para disa ditësh, kryeministri serb tha se “me Thaçin në kohë lufte ne do të vriteshim”, tani dialogojnë, Ok, jemi fqinj dhe në kushte të reja, integruese, mendojmë për të ardhmen, ndërsa mes shqiptarëve përse vazhdon lufta? Kur gjendet gjuha e përbashkët me Daçiqin e përse nuk gjendet midis nesh! Është shumë e mundur!
Edhe politikat përjashtuese janë staliniste dhe antishqiptare, të cilat i aplikojnë me aq sadizëm politikanët shqiptarë dhe sejmenët e tyre që janë televizionet dhe gazetat – deri tek ambasadat shqiptare në Perëndim – rrezikojnë stabilitetin. Mjaft më. Të lartësohen vlerat, e vërteta historike të jetë mbi baza shkencore, historiografia komuniste të hidhet në koshin e plehrave dhe opinionin publik të mos e ushqejnë me kronikën e zezë për ta sëmurur mendërisht dhe shpirtërisht, por ta orientojnë njerëz me integritet dhe integriteti të jetë emëruesi i përbashkët për politikën.
Sepse sot nuk mund të ecësh me spekulime dhe nuk mund të manipulohet opinioni publik, sepse rrenat nuk mbahen dot në këmbë. Kështu për shembull në intervistën tek Top Channel, Rexhep Qosja filloi të krijonte paralele midis regjimit diktatorial të Enver Hoxhës me atë të Titos. Titoja bënte kërdinë, tha ai, masakronte. Por, kur u hap diskutimi rreth intervistës së tij në Facebook, një koleg gazetar vendosi në mur, një shkrim vlerësues të Rexhep Qosjes me rastin e vdekjes të Marshallit Tito, ku Qosja paraqitej si një titist i flaktë. Atëherë lind pyetja, kë të besojmë ne opinioni publik, Rexhep Qosjen tek Rudina Xhunga apo atë që shkruante të zezën në të bardhë?! E përse nuk e pyeti Rudina Xhunga Akademik Qosjen për këtë shkrim panagjirik që ai kishte shkruar për Titon? Ky është profesionalizmi. Të tjerat janë pallavra, të cilat opinioni publik por edhe elitat e vërteta nuk do t’i pranojnë më.
Ndërkohë, unë nuk harroj as vlerat e Rexhep Qosjes si Akademik, nuk harroj as ndërhyrjen e tij më 25 tetor 1991 me rastin e largimit të Kadaresë, as „Vdekja më vjen prej syve të tillë“. Pra pika bashkuese ne kemi, na bashkon gjuha, e cila na fut në ata kufij që janë të përhershëm, siç po e pranojnë sot politikanët shqiptarë, gjuha na krijon mundësi komunikimi qytetar dhe intelektual, sepse, e them me bindje, pa dashur të cënoj askënd, por duke i ftuar të gjithë, se ka ardhur koha t’i jepet fund propagandës partiake militantiste me prejardhje staliniste që shërben për të sjellë në pushtet përmes manipulimit ata të cilët duhet të jenë jashtë politikës.

VOAL

http://www.youtube.com/watch?v=g_6fLi4BsI8&feature=relmfu
http://www.youtube.com/watch?v=hbvETActD-U&feature=relmfu
http://www.youtube.com/watch?v=v22CLsDVSJ0&feature=relmfu
http://www.youtube.com/watch?v=ogz3t2au7-E&feature=relmfu


Rexhep Qosja flet në “Shqip” 


Një prej figurave më të respektuara dhe penave më të njohura të botës shqiptare, akademiku Rexhep Qosja foli “Shqip”, në emisionin e përjavshëm të Rudina Xhungës. 

Një intervistë të gjatë kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë, Qosja u ndal gjerësisht në vlerësimin e tij për figurat më të mëdha politike të këtij shekulli, vlerësimin mbi ngjarje të caktuara historike dhe “profetizoi” se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk do të ndodhë në Europë, siç pretendojnë politikanët, por realisht, ashtu siç e kanë ëndërruar me breza të tërë shqiptarësh ndër shekujt e historisë sonë të përbashkët.

Rudina Xhunga - Profesor Qosja, i kujt është 100-vjetori, i Ismail Qemalit apo Ahmet Zogut?

Rexhep Qosja - Zogu me Ismail Qemalin nuk kanë të bëjnë fare mes njeri-tjetrit. Ismail Qemali ishte shtetari që themeloi Shqipërinë, Ismail Qemali ishte demokrati, ai i cili e filloi demokracinë në historinë e popullit shqiptar dhe në historinë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali ishte njeriu i cili ndërtonte një politikë tipike demokratike madje them më liberale. Ai ishte për bashkëmarrëveshje që me fjalë të huaj i themi dialog, ishte për tolerancën, ishte për mirëkuptimin, ishte për humanizmin, ishte për të drejtën, për të vërtetën. Pra ishte për disa vlera që nuk i kishte Ahmet Zogu, fjala bien.

Ismail Qemali ishte një figurë politike me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ne nuk mund të harrojmë kur flasim për Ismail Qemalin dhe rolin që luajti ai në historinë shqiptare, si u bë e mundshme që të luante ai atë rol. Në Perandorinë Osmane në Stamboll ai ishte një figurë e shquar, ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ishte këshilltar në disa njësi të shtetit të Perandorisë Otomane, pra i sundimtarëve të ndryshëm. Ishte caktuar ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Drejtësisë, ministër i Rendit Publik.

Ismail Qemali ishte njeri që ka marrë pjesë në disa delegacione me rëndësi të veçantë si për shembull delegacionin e Perandorisë Osmane që merrej me çështjen e Danubit. Ishte këshilltari i Xhevdet Pashës që merrej me çështjen e rendit në atë kohë të Bosnje-Hercegovinës dhe me përpjekje për reformat e Bosnjës dhe Hercegovinës që donte të bënte Perandori Otomane siç ishte gjendja atje. Dhe të mos harrojmë sepse nuk theksohet. Kam dëgjuar gjatë kësaj kohe kur po shkruhet dhe flitet për krijimin e shtetit modern shqiptar,

Ismail Qemali ishte caktuar në grupin e qeveritarëve të cilët merreshin me vendosjen e hebrenjve të dëbuar prej Rusisë dhe Ukrainës dhe ai kishte për detyrë të merrej me vendosjen e tyre në hapësirat e Perandorisë Otomane. Pra një mision shumë i rëndësishëm që nuk mund të harrohet. Pse Ismail Qemali? Sepse shquhej për humanizmin e tij, me mendimet e tij, me shikimet e gjera. Ishin këto veçori, cilësi, virtyte, që i bënë të mundshme atij të kuptonte situatën në Shqipëri dhe të bëhet nismëtari i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Rudina Xhunga - Po nëse ndalojmë te Zogu dhe Noli...

Rexhep Qosja - Fan Noli është përmendur kete 100-vjetor,  me shumë vërejtje ose pothuajse negativisht në mënyrë të shumë të padrejtë, të palejueshme dhe të papranueshme. Për mua që e njoh punën, krijimtarinë, veprimtarinë, jetën dhe veprën e Fan Nolit krahasimi me Ahmet Zogun është një profanosje.

Fan Noli është një figurë e madhe, është njeri i madh në kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Çfarë do të thotë njeri i madh? i madh është dikush i cili nuk është i madh për një periudhë të shkurtër, 10, 15, 50 vjet, por kur është i madh përgjithmonë. Fan Noli është i madh përgjithmonë në historinë shqiptare. Ai është poet, historian, publicist, kompozitor. Ai ka shkruar pak vjersha, por të gjitha vjershat e tij hyjnë në antologjinë e poezisë shqipe, të gjitha, pa përjashtim. Asnjë njeri tjetër nuk ka aq vjersha të denja për të hyrë në antologji sa Fan Noli. Fan Noli ka veprën “Bethoveni dhe revolucioni francez”,  pritur si një kryevepër  për idenë, metodën, mënyrën e trajtimit të Bethovenit dhe revolucionit francez. Fan Noli historinë e Skënderbeut që është shumë e veçantë. Kudo ishte origjinal, i veçantë, i ri me mendime, i papërsëritur. Publicistika e tij është e veçantë sepse Noli ishte intelektual shumë parimor ndërsa Zogu jo.

Si mund të krahasohet Noli me Zogun? Nolin e kanë quajtur dhe e quajnë edhe tani bolshevik, komunist. Ai njohu Bashkimin Sovjetik kur e kishin njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe dhe shtete të tjera. Noli erdhi në politikën shqiptare prej Amerikës. Noli kishte politikë dhe ideologji anglo-amerikane. Po të ishte Noli në politikë, po të mos kishte dështuar revolucioni i vitit 1924 populli shqiptar dhe Shqipëria do të orientohej nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e sigurt. Dhe historia shqiptare do të ishte jo pak por shumë më ndryshe se çka qenë prej vitit 1924.

Rudina Xhunga – Por, nderimi shkon për Zogun këtë 100-vjetor...
Rexhep Qosja - Tani po shkruhet, po flitet, po dëgjoj, po lexoj se Zogut do t’i ngrihet një përmendore ashtu si Ismail Qemalit, madje do t’i bëhet edhe një mauzole. Ia bëj vetes një pyetje: Si është e mundur kjo gjë? Si është e mundur të bëhen gjithë këto përpjekje për ta shquar Zogun dhe për ta bërë figurë të madhe historike, sa për ta krahasuar me Ismail Qemalin.

Shumëçka harrohet, me qëllim dhe shqiptohen shumë të pavërteta dhe gënjeshtra. Dhe të vërtetat e tjera harrohen. Por, ne nuk duhet t’i harrojmë. Nuk është Zogu themeluesi i një administrate moderne, madje as i një rendi bashkëkohor të Shqipërisë. Zogu vendosi në Shqipëri një rend politik, shoqëror gjysmë-feudal. Të dhënat e jetës politike, shoqërore të asaj kohe e dëshmojnë këtë.

Zogu krijoi një administratë. Adhuruesit e tij thonë që ishte një administratë europiane, moderne, por në të vërtetë administrata e tij ishte gjysmë-feudale ashtu si dhe rendi politik shoqëror. Ahmet Zogu sundonte në mënyrë despotike dhe me mjete despotike madje të një despotizmi them oriental. Sundonte me intriga dhe frikë.

Një problem tjetër shumë i rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë është se Noli erdhi në pushtet për ato 6 muaj me një revolucion që e bëri populli por Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën e ushtrisë serbe, madje me ndihmën e pjesës më ekstreme, më të dhunshme të ushtrisë serbe, me të ashtuquajturit çetnik nga njëra anë dhe bashkë me ta edhe bjellogardistët rusë që kishin gjetur strehim në Serbi dhe Jugosllavinë e porsakrijuar.

Pra, erdhi në pushtet me ndihmën e tyre ata duke e sjellë Zogun në Shqipëri në pushtet, e pushtuan në një fare mënyre një pjesë të Shqipërisë së pavarur. Tjetër, ai bëri një marrëveshje me Nikolla Pashiçin që është një marrëveshje historikisht e vlerësuar shumë e turpshme, një marrëveshje tradhtare që komprometon përgjithmonë nënshkruesin e saj.

Duhet t’i lexoni ato tetë pikat e ndryshme, pasi nuk dua të flas tani për te gjitha ato, por një prej atyre pikave që rëndon shumë, që dëshpëron shumë, është pika për ndërprerjen e veprimtarisë së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Ky Komitet e kishte bazën në Shkodër por i kishte degët e veta edhe në Kosovë, kishte degë në vendlindjen time, Plavë dhe Guci, kishte në një varg qytetesh të Shqipërisë. Zogu, e shkatërroi Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës pasi kështu e kishte bërë marrëveshjen me Pashiçin. Zogu, gjithashtu, vrau figurat kryesore të këtij Komiteti. Vrau Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hysni Currin. Nuk po flas për Luigj Gurakuqin, një figurë e madhe e historisë shqiptare, por po flas për këta që ishin anëtarë të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Dhe tjetra, ushtria serbe e vrau Azem Bejtën në fshatin e tij më bashkëluftëtarët e tij dhe historianët e Kosovës, e kanë dëshmuar me studimet e tyre. Unë po flas në bazë të studimeve që ka bërë njëri prej këtyre historianëve se në likuidimin e Azem Bejtës me disa nga bashkëluftëtarët e tij mori pjesë Ahmet Zogu, pos të tjerash, edhe me informatën që i jepte Pashiçit për lëvizjet e tij pra, të Azem Bejtës.

Unë po flas këtu jo me simpati letrare por po flas me fakte, me të dhëna politike e historike. Ndryshe vlerësohet Noli, politika dhe synimet e tij, se ku do ta çonte popullin shqiptar dhe Shqipërinë ajo politikë e Nolit. Dhe flas gjithashtu për realitetin e Zogut. Si individ nuk mund të kem asgjë kundër Ahmet Zogut, por këto që them më bëjnë që unë të them Ahmet Zogu në asnjë mënyrë nuk meriton të bëhet për të atë që dëshiron t’i bëjë Sali Berisha, në asnjë mënyrë.

Zogu, i hapi rrugë me politikën e tij pushtimit italian, fashist të Shqipërisë. Sot, nuk flitet për një pasojë të kësaj politike. Shqipëria bëri një luftë shumë të çmuar antifashiste. Ajo Parti Komuniste me në krye Enver Hoxhën bëri një luftë antifashiste të çmuar në Europë, por në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Shqipërisë nuk iu pranua statusi i bashkëluftëtares me aleatët kundër fashizmit.

Kjo e para dhe e dyta, Shqipërisë nuk iu pranua statusi i vendit të cilit do i paguheshin dëmet e luftës, reparacionet e ashtuquajtura të luftës. Cili është shkaku? Shkaku është politika që ndoqi Ahmet Zogu i cili bëri atë politikë që solli pushtimin e Shqipërisë dhe i ikjes së tij nga Shqipëria. Ju mund të keni lexuar shkrimet e historianëve të shquar të Shqipërisë sot se ai, sado një mbret i një shteti, nuk kishte kurrfarë trajtimi në Europë, nuk e pranuan.

Rudina Xhunga - Megjithatë, është në të drejtën e të djathtës shqiptare të identifikohet me Zogun. Ajo që nuk kuptohet është pse e majta shqiptare nuk identifikohet me Nolin? Më shumë në Shqipëri dëgjon kryeministrin Berisha të flasë për Nolin se sa liderin e opozitës, Edi Rama. 

Rexhep Qosja - Nuk e kuptoj as unë.  Nuk shoh arsye pse ata i shmangën qëndrimet reale, objektive, të drejta ndaj Fan Nolit. Të përdor shprehjen tuaj, e majta e Shqipërisë i shmanget identifikimit me Fan Nolin ashtu siç nuk e kuptoj se si mund të identifikohet e djathta e Shqipërisë me Ahmet Zogun. Mund ta kuptoj identifikimin me ndonjë tjetër, por në asnjë mënyrë me Ahmet Zogun. Të dhënat që paraqita e komprometojnë këtë identifikim.

Rudina Xhunga - Një tjetër figurë është Enver Hoxha, për të cilin nuk po flitet  në këtë 100 vjetor.

Rexhep Qosja - Nuk është normale. Edhe periudha e komunizmit në Shqipëri është një periudhë që e ka jetuar populli shqiptar pra, është një pjesë e historisë shqiptare. Nuk mund ta heqësh, nuk mund ta kapim me dorë atë periudhë 45-vjeçare dhe ta hedhim aty ku nuk shihet, dëgjohet e ku nuk flitet për të. Kjo nuk është e mundshme, nuk është e lejueshme, historikisht është e papranueshme.

Kam lexuar mjaft të vërteta për atë regjim që ishte diktaturë totalitare me mjaft mjete të dhunës, por kam lexuar edhe shumë gënjeshtra dhe të pavërteta. Enver Hoxha ishte një sundimtar për një periudhë të gjatë të historisë shqiptare dhe në këtë periudhë u përdorën mjete që unë nuk i pranoj në jetë, politikë, shtet. Mirëpo Enver Hoxha nuk ishte i vetmi.

Ne kur flasim për Enver Hoxhën dhe komunizmin në Shqipëri duhet të kemi parasysh se kjo nuk ndodhte vetëm në Shqipëri. Komunizëm nuk kishte vetëm Shqipëria, por vende komuniste ishin bërë Rusia me një varg popujsh të tjerë, republika dhe krahina të tjera, komuniste ishte Polonia, Çekia, Çekosllovakia, komuniste ishte dhe është Kina, komuniste është Kuba, ishte një pjesë e Vietnamit. E pra, e pranuan komunizmin popuj të mëdhenj, me tradita të shkëlqyera historike, po kështu e pranoi edhe Shqipëria.

Ashtu ishte pas luftës botërore, ashtu mendohej. Komunizmi iu premtonte njerëzve liri, barazi, të drejta sociale që nuk i kishin dhe prandaj njerëzit e përkrahën. Jo rastësisht komunizmi vendoset në një shtet ashtu siç u vendos në Shqipëri. Aq më tepër që në atë kohë komunizmi ishte shpresa e të varfërve dhe Shqipëria ishte e varfër dhe mund të duket fare e natyrshme, historikisht e kuptueshme si dhe pse fitoi aq lehtë komunizmi në Shqipëri.

Sot ne flasim gjithqysh për Enver Hoxhën. Patjetër që do flasim për gjërat me të cilat nuk pajtohemi, gjërat e këqija, do flasim për terrorin e pasluftës por them se edhe për terrorin e pasluftës nuk mund të flasim pa patur parasysh vendet e tjera. Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku u pushkatuan njerëz pas luftës. Me vjen keq për pasardhësit e të pushkatuarve, më vjen keq pasi nuk jam dakord me pushkatime të tilla, por nuk mund të mos mendoj se sjellje të tilla më të rënda se në Shqipëri kishte edhe në vende të tjera komuniste.

Ajo ishte një luftë për të qenë apo për të mos qenë, ishte luftë kundër një pushtuesi shumë të rrezikshëm, kundër fashizmit italian dhe kundër nazizmit gjerman. Unë e njoh mirë historinë e Jugosllavisë. Tito ka pushkatuar aktorë dhe aktore në Beograd, intelektualë dhe shkrimtarë shumë të njohur. Disave iu janë gjetur varret ndërsa disave nuk iu janë gjetur asnjëherë. Dhe numri i të pushkatuarve në përpjesëtim me numrin e popullsisë së Jugosllavisë dhe Shqipërisë shumë më i madh se atyre në Shqipëri.

Tito, në vitin 1948 ndërtoi kampin e përqendrimit në Goliotok dhe atje dërgoheshin njerëzit që deklaroheshin pro Stalinit, që ishin për politikën e Stalinit, me mijëra luftëtarë ish-partizanë. Atje kushtet ishin të tilla sa njerëzit kërcenin prej shkëmbinjve dhe thyenin kokën sa i dilte truri mbi shkëmbinj. Atje, njerëzit ia ngulnin vetes gozhdët në kokë. Pra, në Goliotok ku ishte ai kamp që kishte ndërtuar Tito me Rankoviç.

Të mos flasim pastaj për terrorin në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste. Apo në Rumani, ku dhuna në Shqipëri nuk ka patur ato përpjesëtime siç kanë qenë në këto vende. Flasim për të këqijat që i ka patur ai regjim, por historiani, studiuesi njeriu objektiv që shikon objektivisht dhe të shikosh një rend politik, shoqëror në mënyrë objektive do të thotë ta shikosh ndershëm për veten në radhë të parë.

Enver Hoxha, si të gjithë diktatorët, ashtu si Napoleoni, Cezari apo Aleksandri i Maqedonisë që ishte despot dhe që bënte tmerre ngado shkonte duke djegur qytete, kanë edhe disa të mira që mund të jenë më të vogla apo më të mëdha. Ka edhe regjimi i Enver Hoxhës një varg të mirash. E para, Enver Hoxha, me atë rend politik-shoqëror, me atë politikë e ideologji  e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara.

Unë kam këtu në bibliotekën time dy vepra të botuara në vitin 1937, domethënë me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. i kam lexuar jo vetëm një herë me kujdes dhe aty shihet në çfarë gjendje ishte Shqipëria në atë kohë, në një gjendje shumë të dhimbshme. Enver Hoxha e ndërroi atë gjendje, i siguroi atij populli bukën dhe mandej u arritën disa zhvillime para të cilave nuk mund t’i mbyllim sytë. Shqipëria ndërtoi institucione bashkëkohore të shtetit, të gjitha institucionet e mundshme që i ka një shtet i ndërtoi ai regjim. Ai regjim zhvilloi arsimin në përpjesëtime të mëdha, ai regjim zhduku analfabetizmin. Shqipëria, ashtu si në statistikat Jugosllave, hynte në shtetet me numrin më të vogël të analfabetëve. Ai regjim, ndërtoi institucione bashkëkohore që i kanë shtetet më të zhvilluara të kulturës dhe shkencës, ai regjim i zhvilloi studimet albanologjike. Ne kishim para Luftës së Dytë Botërore, aty-këtu ndonjë njeri që merrej me studime shqiptare, por Enver Hoxha me regjimin e tij bëri që studimet albanologjike të institucionalizohen dhe u realizuan arritje të mëdha në të këto studime në të gjitha fushat e albanologjisë. Ky regjim ndërtoi institutet e kulturës, operës, baletit, ansamblin me shumë rëndësi të valleve popullore, ky regjim bëri institute edhe në shkencat ekzakte.

Pra, ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t’i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me hidrocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej përmbytjeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen vërshime ashtu si Shkodra sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave prej vërshimeve dhe brakave.

Nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme.

Rudina Xhunga - Profesor, është duke u kërkuar dhe me të drejtë, rishikimi i historisë. Ju shikoni, kush është duke e rishikuar, njerëzit e oborrit të radhës, njerëzit që bëjnë histori apo njerëzit që bëjnë propagandë?

Rexhep Qosja - Këtë përpjekje që të mos e quaj proces, të rishkrimit të historisë e ka filluar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Është e vështirë të rishkruhet historia, domethënë ta fillosh nga A-ja, nga fillimi. Historia korrigjohet, studimet historike korrigjohen, ndryshohen, plotësohen etj. Por, ta rishkruash prej fillimit do të thotë të hedhësh poshtë gjithçka që është bërë deri tani dhe kjo gjë është e pamundur.

Historia është zhvilluar shumë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u krijuan dhe shquan shumë historianë të lavdishëm në Shqipëri. Unë e di pasi në Kongrese, Konferenca, tubimet shkencore që bëheshin nëpër republikat e Jugosllavisë shkruhej me shumë respekt për historianët e Shqipërisë. Ata mund t’i bënin lajka regjimit por të dhënat, metodologjia, shpjegimi që jepnin, ishin të drejta dhe objektive në shumicën e rasteve. Kryeministri i Shqipërisë dëshiron ta ndërrojë. Pse? Për një ideologji tjetër dhe për më tepër për një mentalitet tjetër.

Kryeministri i Shqipërisë, objektivisht, dëshiron ta feudalizojë dhe bajraktarizojë historinë shqiptare duke amnistuar, duke glorifikuar, duke madhëruar figura pashallarësh me origjinë shqiptare që nuk kanë të bëjnë fare me përpjekjet për krijimin e shtetit modern shqiptar, nuk kanë të bëjnë aspak me pavarësinë dhe nuk i kanë dhënë ndonjë kontribut Shqipërisë, por Perandorisë Otomane.

Ai do të shquajë, të madhërojë atë që nuk pranohet si kuislingët, bashkëpunëtorët e fashizmit, njerëz që morën pjesë në pushtetin fashist dhe në pushtetin nazist pasi kapitulloi Italia. Epo këtë të tjerët nuk e bënë sepse moralisht është e papranueshme, shkencërisht, kombëtarisht e papranueshme në të gjitha vendet komuniste duke përfshirë edhe Francën që është vend me tradita dhe kulturë të jashtëzakonshme.

Pas luftës, menjëherë, punët janë kryer me kuislingët, me bashkëpunëtorët e fashizmit. Ne nuk mund të harrojmë kur Charles de Gaulle pushkatoi një prej krenarive më të mëdha të Francës në Luftën e Parë Botërore, Marshall Pétain. E dënoi me vdekje sepse krijoi regjim pro fashist, që pranonte pushtimin e Francës, e dënoi me vdekje dhe meqë ishte në moshë të madhe ia hoqën dënimin me vdekje dhe i lanë dënim të përjetshëm.

Por, pushkatoi shumë të tjerë, madje intelektualë shumë të shquar si Robert Brasillach, shkrimtar i shquar, gazetar dhe publicist. E dënoi sepse ishte bashkëpunëtor i fashizmit. Pra, dënoi njerëz të ndryshëm, aktorë të ndryshëm, njerëz që kishin hotelet e veta sepse thuhej se i kishin shërbyer fashizmit. Kryeministri i Shqipërisë dëshiron t’i rehabilitojë ata, t’i madhërojë, t’i shquajë, t’i bëjë të merituar qoftë edhe për pavarësinë e Shqipërisë. Diçka e papranueshme, e palejueshme dhe e padëshmueshme.

Unë them se këto janë të fryra, të ngjitura edhe prej një mentaliteti të tejkaluar, anakronik, mentaliteti patriarkal dhe feudal. Jo rastësisht madhërohen feudalët, shtëpitë e mëdha, përfaqësuesit e shtëpive më të mëdha po shkruhet në Shqipëri. Çfarë janë këto shtëpi të mëdha ku po botohen edhe vepra? Kush janë ata përfaqësues, ata banorë të shtëpive të mëdha. Kur u pasuruan ata dhe bënë shtëpi të mëdha? U pasuruan duke i shërbyer popullit të vet, duke ndërtuar, duke përparuar jetën, kulturën, historinë e popullit të vet? Jo. U pasuruan, bënë shtëpi të mëdha në Perandorinë Otomane, duke shfrytëzuar popullin e vet dhe duke i shërbyer pushtuesit. Epo tani nuk mundet, nuk pranohet, shkenca nuk e pranon këtë, etika intelektuale shkencore nuk e pranon këtë. Por, kjo ndodh në Shqipëri. Mund ta bëjë dhe po e bën këtë gjë Kryeministri me Kryetaren e Parlamentit.

Rudina Xhunga - Në këto 20 vite të Shqipërisë në tranzicion, personi i cili ka kushtëzuar jetën e shqiptarëve dhe figura kryesore e tranzicionit shqiptar, eshte Sali Berisha? 

Rexhep Qosja - Po, mund të them se Sali Berisha është figura kryesore e këtyre 20 viteve që ushtroi ndikimin më të madh, që fitoi më shpesh në zgjedhje, që me sjelljet dhe veprimet e tija bëri ndikimet më të dukshme. Tranzicioni, shndërrimet që e çojnë Shqipërinë drejt realizimit të atyre standardeve që kërkohen prej Shqipërisë dhe vendeve të tjera që kanë dalë prej komunizmit dhe prej vendeve të tjera që do të inkuadrohen në Bashkimin Europian, natyrisht janë arritur disa gjëra.

Shqipëria nuk ka qëndruar në vend por ka ecur, janë bërë ndërtime. Shqipëria, në pikëpamje të ndërtimit, të infrastrukturës së qyteteve ka qenë mjaft mbrapa. Shqiptarët që kanë dalë, kanë punuar dhe kanë jetuar në botën e huaj kanë ndërtuar shtëpi, kanë bërë shumë ndërtime në Shqipëri dhe këto shihen kudo.

Por ne, kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, përpos dëshirës për të arritur të mirën, nuk mund të flasim edhe për gjëra të tjera. Nuk mund të mos flasim për vitin 1997, ku u shkatërruan institucionet, institucione me vlerë të veçantë të kulturës, ku u shkatërruan objekte, ku humbën jetën, disa thonë 2 mijë veta, disa thonë 3 mijë, disa 5 mijë, por që gjithsesi u vranë njerëz. Kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, nuk mund të mos flasim për piramidat financiare, një dramë financiare që iu ndodhi qytetarëve të Shqipërisë. E për çfarë? Natyrisht, si për vitin 1997, fajin e kishin ata që ishin në pushtet. Domethënë, kryeministri i sotëm i Shqipërisë.

Kur flasim për tranzicionin, nuk mund të mos flasim edhe për tragjedinë e Gërdecit. Dhe unë, nuk mund të mos flas edhe për vrasjen e protestuesve më 21 janar 2011 dhe nuk mund të mos flas edhe për vetëdjegien e dy ish të burgosurve politikë. Këto nuk pranoj t’i lidhë me tranzicionin. Nuk e kuptoj atë tranzicion që ecën drejt demokracisë, që ecën drejt realizimit të standardeve demokratike, në të cilin ndodhën këto që kanë ndodhur në Shqipëri, janë edhe disa probleme të tjera.

Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët e vendit kërkojnë prej Shqipërisë të plotësojë dhe realizojë disa standarde që po quhen evropiane. Ky tranzicion merr fund kur bëhen reformat e duhura dhe kur realizohen ato standarde që quhen evropiane, demokratike, kulturore, qytetëruese, vlera të veçanta.

Por, ato standarde nuk janë arritur, një varg i atyre standardeve nuk është arritur. Shqipëria sot ende nuk ka arritur të realizoje zgjedhje vërtetë të lira dhe demokratike që të plotësojnë standardet e kërkuara nga Europa. Në të vërtetë, Shqipëria sot, gjendet në një fazë që quhet gjysmëzgjedhore, ajo nuk është demokraci e vërtetë, demokraci e zgjedhjeve të lira. Shqipëria nuk ka arritur të realizojë atë që është kusht kur flitet për demokraci, që është ndarja e pushteteve, të pushteti ligjvënës, pushtetit gjyqësor dhe pushtetit zbatues pra, Kuvendi, Gjyqësori, Qeveria.

Po e shohin dhe është e dëshmuar pasi po flasin edhe ambasadorët e huaj si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai Europian, që qeveria i sundon, i manipulon, i përdor gjyqësorin, Kuvendin dhe Presidencën tashmë. Jo presidencën e ish-kryetarit të vendit Rexhep Meidani, jo presidencën e ish-kryetarit Alfred Moisiu, por presidencën deri në një farë kohe të kryetarit të tanishëm të partisë Fryma e Re Demokratike dhe të kryetarit të tanishëm të Shqipërisë.

Shqipëria nuk arriti, në procesin e tranzicionit, të sigurojë pavarësinë e pushteteve të ndara që janë të pashmangshme në demokraci. Në 100-vjetorin e pavarësisë ne nuk mund të themi se Shqipëria ka arritur të sigurojë barazinë e dinjitetit të qytetarëve. Shqipëria, në 100-vjetorin e pavarësisë, nuk ka arritur të krijojë administratë të qëndrueshme që në fjalë të huaj thuhet stabile. Administrata e Shqipërisë është administratë partiake.

Në 100-vjetorin e pavarësisë në Shqipëri nuk është arritur edhe diçka që do të duhej të kishte marrë fund që në vitin 1991. Në Shqipëri nuk është arritur marrëveshje për datën e çlirimit të Shqipërisë prej pushtuesve pasi ende diskutohet nëse është 28 nëntori apo 29 nëntori. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, gjatë periudhës së tranzicionit, nuk është arritur një qëndrim i përbashkët ndaj gjuhës standarde kombëtare. Në këtë tranzicion Shqipëria përjeton atë që nuk e përjetojnë vendet e tjera ish komuniste, çfarë nuk përjeton asnjë vend në Evropë. Kontestimi i një pjese politike shqiptare të gjuhës standarde, të një pjese politike që ka infrastrukturën e vet shkencore...

Rudina Xhunga - Çfarë do t’i sillte prekja e gjuhës standarte shqiptarëve?

Rexhep Qosja - Si fillim do sillte dëme shumë të mëdha. Me këtë gjuhë standarde siç është sot, shkruajmë 40 vjet tashmë. Me pak fjalë, kjo do të thotë të përmbysen të gjitha, në një mënyrë, ato vlera letrare, shkencore, publicistike etj. që janë krijuar bashkë me gjuhën. Kurrkush nuk pengon askënd të flasë edhe dialektet, kurrkush nuk pengon askënd të shkruajë vepra letrare edhe në dialekt, por gjuha standarde është gjuha e administratës shtetërore, është gjuha e mjeteve të informimit, është gjuha e arsimit, është gjuha e diplomacisë, është gjuha e partive politike, është gjuha e institucioneve shtetërore.

Këtu nuk duhet të preket gjuha dhe them se të gjitha këto përpjekje për ndryshimin, mos të them për rrënimin, e gjuhës standarde të një arrituri më të madhe kulturore në historinë e popullit shqiptar, nuk kanë ardhmëri, do të dështojnë.

Rudina Xhunga - Në këto 20 vite gjithashtu çfarë i ka sjellë familjes shqiptare tranzicioni shqiptar?  


Rexhep Qosja - Familja shqiptare është e njohur si një familje e qëndrueshme me disa rregulla, me disa tradita, që të huajt do ta quanin standarde, norma, që ishin rregullat e jetës në familje të çmuara shumë, me zakone. Familja ishte e shenjtë në jetën shqiptare. As Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk e lejon ndëshkimin e gruas, e trajton në një mënyrë të veçantë gruan. Edhe në Kanunin e Dukagjinit është thënë se gruaja është themeli i shtëpisë. Pra, ishte familja shqiptare e sigurt, e paprekshme, e çmuar shumë.

Kjo familje që ishte e ngjeshur, shumë kompakte, që çmohej shumë nga të huajt, ku çmoheshin shumë zakonet nga ato që kishin ardhur dhe i kishin parë këto familje dhe kishin hyrë në shtëpitë e tyre, flasin me shumë respekt për to. Kjo familje sipas mendimit tim po përjeton një krizë të rëndë. E para është e ballafaquar me prostitucionin, me tregtinë e qenieve njerëzore, drogën, me krime të ndryshme, me një agresivitet të veçantë që po ndodh në familje.

Para një jave dëgjova në televizion se në 10 muaj janë vrarë 20 gra. Kjo është diçka e papranueshme dhe e palejueshme. Kjo krizë po sjellë që të ndodhë atë që nuk ka ndodhur më përpara. Kemi patur raste ku djali ka vrarë nënën ndërsa vrasja e gruas prej burrit dhe ndonjëherë e burrit prej gruas është bërë e shpeshtë. Pra, po ndodhin tragjedi, dhembje që nuk kanë ndodhur në familjen tradicionale.

Ka një fajtor për këtë dhe kjo është politika. Sot nuk merret askush me familjen, nuk i kushton njeri vëmendje familjes. Për këtë arsye mund të ndodhë, fjala vjen, që të jepen para për festimin e përvjetorit të “Vatrës” në Nju Jork, por që të mos gjenden para që të vendoset nëna me katër fëmijë që ka mbetur në rrugë është diçka e paparë dhe e padëgjuar.

Dhe e dyta, agresivitetet që po ndodhin në familje dhe në jetën shqiptare e them me përgjegjësi intelektuale dhe qytetare, si një njeri që ndjek mjetet e informimit, këtë agresivitet e frymëzon edhe Kuvendi i Shqipërisë, një Kuvend ku dëgjojmë shumëçka dhe gjithçka, një Kuvend ku zotëron një gjuhë shumë e vrazhdë, një Kuvend ku dy forca janë shumë të ndara, një Kuvend ku shprehen pasione, mosdurime, urrejtje. Epo thuhet se Kuvendi është një institucion jo vetëm politik por është edhe një institucion pedagogjik dhe moral. Populli i sheh ata njerëz dhe prej tyre do mësojë të mirën dhe të keqen. Nuk do të duhej të ishte kështu.

Rudina Xhunga - Profesor, bashkimin kombëtar e shikoni të afërt, të mundshëm?

Rexhep Qosja - Ka individë politike dhe intelektuale të cilët thonë sot se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Bashkimin Europian. Nuk më duket i pranueshëm ky mendim sepse nuk sjell ndonjë farë fryti në idenë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Në Bashkimin Europian, Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen ashtu siç do të bashkohej Shqipëria ose Kosova me Francën, Gjermaninë, Luksemburgun, Kroacinë, Slloveninë, por problemi shtrohet ndryshe.

Si dhe kur duhet të bashkohen dhe a mund të bashkohen Shqipëria dhe Kosova? Unë them se bindja, vetëdija ime historike më thotë se Shqipëria dhe Kosova në mënyrë të pashmangshme do të bashkohen dhe ky bashkim nënkupton të mirën, mundësinë, gjasën për përparim më të madh, për arritje më të mëdha, për jetë më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria dhe Kosova bashkë, me potencialet e tyre, mundësitë e tyre natyrore, njerëzore, dot ë bënin një shtet me mundësi shumë më të mëdha. Do të bënin sigurisht një shtet të lumtur.

Rudina Xhunga - Po si, duke bashkuar problemet? Sepse ne kemi probleme të ngjashme si ne atje, si ju këtu.

Rexhep Qosja - Sigurisht që kemi probleme por ideja e bashkimit i bën këto probleme të parëndësishme me vet bashkimin madje vet bashkimi do t’i zgjidhë, do t’i rrafshojë këto probleme. Problemi i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë ka edhe një rëndësi tjetër politike të veçantë. Kosova dhe Shqipëria do të hyjnë në Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian dhe Europa nuk janë i njëjti nocion, kanë një dallim midis të dyjave. Bashkimi Europian sot, parë realisht dhe objektivisht, drejtohet prej kombeve të mëdha si Gjermani, Franca dhe Britania e Madhe të cilat janë tre shtetet me rolin, ndikimin më të madh në drejtimin e Bashkimit Evropian. Këto janë shtete, këto janë popuj, këto janë kombe me identitete të forta shtetërore, kulturore, qytetëruese dhe këto kombe me identitete të forta realisht përfaqësojnë një sfidë për popujt e vegjël që do të inkuadrohen në Bashkimin Europian.

Nuk mund të jenë të sigurta identitetet e këtyre popujve të vegjël në Bashkimin Europian për shkak të mbisundimit objektiv të identiteteve të fuqishme gjermane, franceze, britanike, italiane, spanjolle. Kosova e bashkuar me Shqipërinë sjell një premtim se identiteti shqiptar do të ruhet, zhvillohet, pasurohet dhe po kështu do të ndodhë edhe në Bashkimin Evropian.

Shqipëria dhe Kosova bashkë janë premtimi i ruajtjes së identitetit etnik, kulturor, kombëtar të shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq. Ruajtja e identitetit të këtij shteti të bashkuar, Shqipëri-Kosovë, në të cilin mund të jetë edhe Maqedonia perëndimore, e përsëris, mund të jetë, ky shtet i bashkuar siguron që të ruhen identitetet edhe të shqiptarëve që janë pakica në shtetet e tjera të Ballkanit që do të inkuadrohen në Bashkimin Europian.

Pra, bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë, ku disa analistë të huaj, edhe amerikanë, flasin edhe për bashkimin e Maqedonisë perëndimore, ka anën ekonomike, zhvillimore, kulturore, por ka edhe anën politike. Me një fjalë, bashkimi, për mendimin tim, përfaqëson çështje ekzistenciale të popullit shqiptar sot.

Rudina Xhunga - Urimin për 100 vjetorin, do ta dërgoni nëpërmjet “Shqip” në Top Channel apo do t’ju shohim në Shqipëri, profesor, për 100 vitet tona të përbashkëta?

Rexhep Qosja - Unë e di se në shënjimin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit modern të Shqipërisë së sotme nuk do të jem në Tiranë. Se ku do të jem, do ta shoh. Por, kete urim e kam per sonte. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur janë krijuar në vitin 1776, u janë dashur 10 vjet që të shkruajnë kushtetutën që çmohet si kushtetuta më e mirë, më demokratike, më humane në botë, iu janë dashur 89 vjet që të ndërpresin robërinë, iu janë dashur 144 vjet që t’i japin të drejtën e votës gruas dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu janë dashur 189 vjet që t’i sigurojnë të drejtat politike, qytetare, të drejtat njerëzore të gjithë nënshtetasve të Amerikës.

Amerika është shtet i madh, shtet i përbërë prej racave të ndryshme, kombeve të ndryshme, popujve të ndryshëm dhe kjo zgjatje e këtyre arritjeve të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e kuptueshme. Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në përgjithësi, jetojnë në një hapësirë që është më e vogël dhe çështjet mund të zgjidhen, synimet, qëllimet mund të realizohen më shpejt.

Unë besoj se ato që i dëshiron populli shqiptar do t’i realizoj shumë më shpejt dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, dhe mund të jetë edhe i Maqedonisë perëndimore me Shqipërinë, është një ide e madhe që do realizohet jo shumë larg. E them, e ka dëshmuar historia, se kur një popull dëshiron të bëjë diçka, ai doemos e bën atë që ia ka vënë për qëllim vetes për ta bërë. Populli shqiptar dëshiron të jetojë i bashkuar dhe ashtu do të jetojë.  



*******************


Qeveria financon me 60 mijë euro ribotimin e veprave të Adem Demaçit

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi u mor vendimi Qeveria e Kosovës të ndajëë 60 000 euro për ribotimin e e kompletit të veprave të Adem Demaçit. Ribotimi i opusit të Demaçit do të bëhet në kuadër të shënimit të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.


Adem Demaçi u lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Sot ai angazhohet për të drejtat e pakicave në Kosovë dhe respektohet shumë nga vendorët dhe të huajit. Ishte (2005-2007) kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Adem Demaçi lindi, zyrtarisht, më 26 shkurt 1936, kurse, si mësojmë nga romani “Libër për Vet Mohimin”, që ka pjesërisht edhe karakter autobiografik, u lind, në të vërtetë, në kosimet e dyta, dikund në korrik 1935. Që nga lindja, me sa shihet, si çdo njeri të madh, do ta ndjekin vazhdimisht skajet e tipit shkurt-korrik. Se, derisa për njërën palë (Shqiptarët) do të jetë engjëlli mbrojtës i çështjes shqiptare, për palën tjetër (Serbët) do jetë satanai.
Nëse lufta për liri shënon shkallën më të lartë të emancipimit kulturor të individit dhe të popullit, atëherë mund të thuhet me gojën plot se Adem Demaçi është artikulimi më i kulluar dhe më i fushqishëm i aspiratave liridashëse të popullit tonë.
Adem Demaçi u rrit në një familje të varfër të Prishtinës. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kashatën e gojës për familjen (tregimi “Një Natë Bajrami”). Por, pas pesë-gjashtë vjetësh i vdiq edhe i vëllai Maliqi po nga tuberkulozi. Atëherë, për t’i mbajtur në jetë dy fëmijët e mbetur, Ajshen dhe Ademin, nënë Nazifja iu qep vekut dhe duke endur pëlhura të ndryshme, arriti t’i ushqente disi fëmijët, madje edhe ta shkollonte Demaçin (tregimet “Vegjëtarja”, “Vegjëtarja në treg”). Demaçi do ta mbarojë shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryejë edhe Gjimnazin real. Studimet në Degën e Letërsisë Botërore do t’i ndjekë plot pesë semestra në Universitetin e Beogradit, të cilat do të shtrëngohet t’i ndërprejë për shkak të sëmundjes së nënës. Ndaj, u kthye në Prishtinë dhe gjeti punë në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”. Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. Do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve dhe gazetarëve të “Rilindjes”. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës.

Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg gjatë gjithë qëndrimit të tij në ish-Jugosllavi.

Megjithatë, në fillim të viteve ‘60 ishin formuar në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu, organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Duke parë disponimin e masës për t’iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi (bashkë me Ramadan Shalën, tash të ndjerë) Statutin dhe Programin e Lëvizjes. Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan; ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vinte kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj, për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ish-Jugosllavisë kishin vuajtuar dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve po-litika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu Xhafer Mamuxhiku, kryerat i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë.

Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10 (dhjetë) vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974.

Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 dhe në procesin e montuar politik u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhrin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë.

Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit - në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare. Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Paralamenti Evropian, më 10 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov. Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel.
Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t’u bënin të mundshme grupeve etnike të ish-Jugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni... Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për luftënxitje?! Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel. Edhe në shtator u kandidua sërish për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar.

Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndëkombëtar për problemin e Kosovës.

Veprat letrare

“Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
“Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.
“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
“Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norway, 1994.
“La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.
“Tung, vargu im”, “Rilindaj”, Prishtinë, 2002.
“Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.
“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.
"Alb Prometeu", QNK "Arbnori", Tiranë, 2008.
[redakto]Librat me intervista
“Kosova flet vetë” (intervistoi M. Emërllahu), “Zëri i Rinisë”, Prishtinë, 1990.
“Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur” (intevistoi M. Hanzhek), “Lumi”, Lubjanë, 1990.
“Republika e Kosovës është shpallur në zemrën e popullit tim” (vëllim me intervista), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1990.
“Dhjetë mijë ditë robëri” (intervistoi F. Radonçiq), Danas, Zagreb, 1990.
“Kosova në udhëkryq”, “Albanian Esperanto-Institut”, Tiranë, 2005
Shënim: Libri i tregimeve “Kur Zoti harron” ishte gati që më 1958, por botohet pas plot 32 vjetësh. Në atë kohë botohen edhe dy fragmente: “Maliqi” dhe “S’ka paqe ndër kasolle” të romanit “S’ka paqe ndër kasolle”, të cilin ia konfiksoi dhe nuk ia ktheu kurrë më policia. Më 1969 autori shkruan dramën, si e përmendëm edhe më lart, "Popu", e cila edhe sot e kësaj dite ngeli në dorëshkrim.[2]
Për veprën letrare të Demaçit kanë shkruar: Hasan Mekuli, Nasho Jorgaqi, Xhemail Mustafa, Sadri Fetiu, Sefedin Fetiu, Agim Vinca, Arben Hoxha, Teki Dërvishi, Rexhep M. Shala, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Shkëlzen Maliqi, Kadrush Radogoshi, Sabile Keçmezi-Basha, Abdullah Konushevci,Flori Bruqi etj.

2012/11/21

E 15: Të adresohen dëmet e luftës në pasurinë private dhe familjare


Grupi i Ekspertëve E15 organizoi sot një debat , në të cilin përveç anëtarëve të tij, morën pjesë edhe përfaqësues të Institutit për krime lufte pranë Ministrisë së Drejtësisë, nga Agjencioni për ndihmë juridike falas, nga Shoqata e juristëve të Kosovës, Shoqata e avokatëve, si dhe përfaqësuesit nga Komuna e Hanit të Elezit dhe OJQ ‘’Ngrite Zerin’’ nga Skenderaj.

Profesor Muhamet Mustafa , udhëheqës i E15 dhe deputet në Kuvendin e Kosoves nënvizoi se agresioni serb në Kosovë kishte për qëllim që me aksione ushtarake dhe policore në mënyrë sistematike të dëmtojë pronat private, ekonomitë familiare dhe bizneset private që në kombinim me deportimin e pjesës më të madhe të popullatës jashtë Kosovës të realizonte planet e tij për spastrimin etnik. Profesor Mustafa paqraqiti të dhëna mbi studimet që janë bërë lidhur me përmasat e dëmeve menjëherë pas luftës dhe faktit se deri tani ky problem ka mbetur i paadersuar, ose i adresuar në mënyrë fragmentare nga individë e jo mjaft nga institucionet e organizatat vendore e ndërkombëtare. U theksua se e drejta për zhdëmtim është e patjetërsueshme dhe nuk vjetërsohet dhe ajo kërkon një vëmendje të institucioneve dhe akterëve tjerë të intersuar. Lidhur me këtë ka ende paqartësi mbi procedurat që duhet ndjekur dhe se nevojitet një qasje profesionale për të kanalizuar procesin e zhdëmtimit. Si rezultat i diskutimit u përkrah iniciativa që të formohet një Këshill iniciativ për formimin e një asociacioni që do të merrej me këtë çështje për të mbështetur në mënyrë sistematike e profesionale aktivitetet individuale e kolektive për realizimin e te drejtave të tyre për kompensimin e dëmeve të luftës në pronën dhe pasurinë private. Pas debatit u formua ky Këshill dhe pritet që në periudhën e ardhshme të zhvillojë një aktivitet domethënës.

Murat Jashari: FARK-u të drejta sa UÇK-ja


Anëtarët e FARK-ut, kanë të drejta të barabarta me ata të UÇK-së, ka deklaruar përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, në Rubikon të KTV-së, duke folur për regjistrimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari, gjithashtu ka folur dhe për dialogun me Serbinë, dhe ka thënë se është i ngutshëm si proces, duke rikujtuar se kërkim falja, do të ishte e pakta që do të duhej kërkuar, ndërsa ka shtuar se këto bisedime, më shumë janë një projekt i Bashkësisë Ndërkombëtare se i qeverisë kosovare. Nipi i Adem Jasharit, ka folur edhe për fenë, ndërsa ka deklaruar se feja, asnjëherë nuk duhet të shkaktojë ndarje.

Këtu, vetëm varret frymojnë shqip...!


Shkruan: Sejdi BERISHA

Me dëshirën e zjarrtë u nisa për në Lezhë, ku organizohej një manifestim letrar dhe kulturor në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë rrugës, gjithçka më grumbullohej në mendje, por, tash sikur çdo gjë ishte e mbështjellë me gëzim e hare. Me kohë arritëm në Lezhë, unë me disa nga krijuesit nga Gjakova dhe Bajram Curri, sepse, tani na ka mundësuar Rruga e Kombit! Në këtë qytet, zbresim afër shtatores të At Gjergj Fishtës, e që ai shesh rrethohej nga gjurmë historike: Varri i Skënderbeut, busti i këtij heroi kombëtar, Biblioteka dhe Pallati i Kulturës. Ndërsa, lartë, sikur bënte roje Kalaja e Lezhës.
Miqtë nga ky qytet na presin me përqafime, dhe nuk vonojmë e nisemi për tek Mrizi i Zanave, për në Fishtë, ku do të mbahet edhe manifestimi, për të cilin do të shkruaj njëherë tjetër.
description
Dy tri llafe në Lezhë...

...Dhe, pas manifestimit, të mbushur plotë oksigjen jete të kësaj ane, kthehemi për në Kosovë; për në Pejë e në Gjakovë, por edhe kolegët tjerë për në Bajram Curri. Posa iu afruam qytetit të Prizrenit, qytetit të Lidhjes për bashkimin kombëtar, telefoni më jap “shenjë” se më kishte arritur një mesazh. E hapi atë me kureshtje, e lexoj edhe mesazhin. Djali më shkruante: babi, ngushëllime... ka vdekur Hasan I. Gjonbalaj. U stepa dhe thjeshtë nuk besova dhe as nuk desha të besoj. Menjëherë më ka brofur mendja dhe më iku tek Krahina e Plavës dhe e Gucisë, të cilin vend aq shumë e deshi, për të cilin vend aq shumë bëri shkrime, aq shumë vepra shkroi, duke folur me krenari edhe për Vuthajt, për vendlindjen e vetë.
Tani, rruga më bëhet njëqind vjet, apo edhe sikur makina vendnumëronte. Sërish meditoj në atë rrugëtim të orëve të mbrëmjes, e në atë terr të dyfishtë për mua, më rridhnin lotët për mikun dhe krijuesin, i cili gjithnjë ka qenë i afërt, i ngrohtë dhe plotë energji përherë për të thënë e për të shkruar diçka me rëndësi e me peshë për atdheun e kombin.
Por, nuk pajtohem se ka ikur, Hasan Gjoni! Dhe, athua mund të jetë kjo koincidencë: unë në Lezhë e Hasan I. Gjobalaj të ikën në mënyrë aq “tinëzare”?!... Sikur ta kishte ditur se kisha udhëtuar dhe ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë, por edhe në Tiranë e në Shkodër...
Por, e tërë kjo është një imagjinim imi i ngarkuar me peshën e pikëllimit. Tani, ky njeri më kujtohet bashkë me veprat e tij, me çantën me shënime e libra, pesha e të cilave, pos tjerash, i sjellke telashe edhe me astmën, me frymëmarrjen! Takimet tona të shpeshta, të cilat nganjëherë begatoheshin edhe me gazin dhe humorin, na sillnin ide e vullnet për shkrime të reja për historinë, për rrënjët, për trungun dhe kurorën e kombit, por gjithnjë, shpeshherë pa e harruar Plavën, Gucinë dhe Vuthajt.
Është bukur vështirë ta shprushësh jetën por edhe krijimtarinë e Hasan I. Gjonbalajt. Sepse, ato kanë një mesazh të veçantë, një porosi si amanet për trojet shqiptare. Me këtë etje, ai gjithmonë ishte i ngarkuar, sa që as shpirtin asnjëherë nuk e kishte të qetë. Ishte i etur... Për këtë arsye, veprat e tij: “Kelmendi-gjenealogjia e familjes Nikçi”, “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”, “Ali Pashë Gucia”, “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë”, “Plava Gucia-dy qendra një malësi”, “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi” si dhe shumë vepra të tjera me karakter studiues dhe me poezi, janë pasqyra krijuese e këtij shkrimtari, hulumtuesi dhe studiuesi.
Peja, e cila në ato çaste më dukej se i kishte drejtuar të gjitha shikimet kah unë, për të më thënë se sot këtij qyteti dhe jo vetëm kësaj qendre të Rrafshit të Dukagjinit, i iku një njeri që la vepra e histori. Apo, për të më ngushëlluar për mikun, që tani fryma e kishte tradhtuar, e cila shumë e shumë vite e kishte munduar për ta ushqyer shpirtin lirshëm me oksigjen atdheu.
Arrita vonë, shumë vonë, dhe këmbët nuk më provonin ta drejtoj makinën për në lagjen “Dardania”, në shtëpinë e familjes Gjonbalaj, ku aty edhe pak orë do të qëndronte, dhe, herët në mëngjes, trupi i tij do të nisej për në vendlindjen e vetë, për ta gjetur aty prehjen përgjithmonë. Aty,... në lëndinën e varrezave në Vuthaj.

Amaneti: pushimi në tokën ku lindet njeriu
Një ikje e tillë është thjeshtë e papranueshme, por amaneti i tij me plotë gojë ishte: pushimi në tokën ku jam lindur është sikur kur njeriu flenë qetë... Deri në mëngjes flas dhe zihem me Hasanin, ashtu siç shpeshherë vepronim për t’i gjetur dhe krijuar gjërat e mira dhe fondamentale. Tani, me taksi arrita në lagjen “Dardania”, ku edhe ishte parkuar autobusi i cili ishte dedikuar për miqtë dhe dashamirët, që do të merrnin pjesë në përcjelljen për në shtëpinë e fundit të krijuesit.
Nuk bëra ballë të shkoj në shtëpinë e tij dhe të përshëndetëm me te, tanimë në mënyrë krejtësisht tjetër! Jo, nuk shkova. Sepse, dëshiroja ta ruaj kujtimin me shikimin dhe vitalitetin e këtij njeriu, i cili për asnjë moment nuk i harroi, por i madhështoi virtytet, doket dhe zakonet dhe karakterin e malësorit. Ishte moment i rëndë e i dhembshëm kur autobusi u nis. Përplot njerëz në autobus i cili ishte komod, por assesi, të paktën unë, nuk isha rehat.
Tani kaluam kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe gradualisht i afrohemi cakut. Një mik imi poet, më pyet se a ishim gati për të arritur, por nuk dija saktësisht t’i tregoja, sepse, më kishte shkëputur nga mendimet, edhe pse kësaj rruge, përpara ndoshta kisha kaluar qindra herë, e veçmas kur kam bërë shkrime për Krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në të arritur rrëzë Plavës, tani sikur toka, ajri, malet dhe majat e thepisura kishin aromë të shqipeve, frymonin shqip. Por, sa më shumë që i afroheshim Gucisë dhe Vuthajve, ankthi sa vinte e më shtohej. Autobusi qante rrugën e asfaltuar por të ngushtë. Dhe, tani kur arritëm në Vuthaj, u drejtuam për në varreza, të cilat ishin në një kodër të vogël, nga ku mund t’i shikosh të gjitha bukuritë dhe madhështitë e këtij fshati me histori të lashtë por tash të shurdhër, ngase këtu, pak vuthjanë kanë ngelur për të jetuar. Kurse, shtëpitë e reja, shumica syresh ishin me perde të lëshuara, të cilat brenda fshihnin vetminë, dhembjen dhe kallëzimet historike për këtë tokë e për malësorët e saj, shumë prej të cilëve kanë marrë rrugët e kurbetit, e shumë prej tyre kanë zënë vend e kanë krijuar jetë edhe në Kosovë.
Ndërkaq, ato shtëpitë e vjetra, të cilat Hasan I. Gjonbalaj i ka përjetësuar në veprat e tij, tanimë janë vetëm gjurmë kohe që i ngjajnë relikteve. Kanë pamje të librave të shumta, që kanë ngelur të pashkruara e disa edhe të palexuara. Dritaret, qepenat e të cilave pa mëshirë i rrahë era dhe koha, kurse, muret e shembura, shprehin qëndresën, por edhe lodhjen si qortim...!
Për të arritur trupi i pajetë i krijuesit deri tek shtëpia e përjetshme e tij, autobusi duhej të kalonte edhe një copë rrugë, të cilën, në shumë vende e kishte përlarë uji i lumit Gërlica, e besa edhe shumë livadhe e tokë pune. Thash: nuk është kjo pasqyrë e pakujdesisë së banorëve të këtushëm, por sot, ky ujë kaq i pastër është i zemëruar, sepse, një njeri që u lind në këtë tokë, sërish asaj po i kthehet përgjithmonë, por po kthehet në një formë tjerë. Po kthehet krijuesi dhe studiuesi i vlerave të kësaj ane, Hasan Gjoni, i cili, për ta kënaqur shpirtin me madhështinë e kësaj ane, por edhe për të bërë shkrime edhe më thelbësore, kishte ndërtuar një shtëpizë, ku verës i kalonte “pushimet” duke krijuar e duke thurë edhe vargje poetike. Kjo shtëpi është në vendin ku njeriun e provokojnë edhe Krojet e Ali Pashës!... Aty, Hasanit i dukej se brumoste më mirë, më fuqishëm dhe më ngrohtë shkrimet e tija, në të cilat, siç dihet dhe e kemi thënë, i ka kthyer në përjetësi rrjedhat historike, doket dhe zakonet, trimërinë dhe burrërinë, atdhetarizmin, mikpritjen dhe shpirtin e madh të njeriut të kësaj ane, të malësorit, që sot e kësaj dite të gjitha këto i ruan dhe i kultivon me fanatizëm.

Edhe sot, kombi dhe atdheu është i copëtuar...
Ecim deri tek varrezat, duke ndërruar hapat tunxh. Sot, këto varre padyshim se ishin plotë dhembje, por dukeshin edhe krenare, sepse, këtu tani do të prehet përgjithmonë biri i kësaj ane, dikur fëmijë i urtë, dikur djalë i ndrydhur dëshirash por i sertë dhe me ndjenja, dhe më vonë, njeri që prej viti në vit puthitej me rrugëtimin e kombit, me fatin e tij, me çelikosjen në frymën dhe madhështinë e atdheut, të cilat gjëra e provokuan dhe e “detyruan” që shkrimi, vargu, krijimet nga fusha e studimeve dhe e kërkimeve të të gjitha gjërave që e kanë bezdisur kombin, atdheun, i cili, siç thoshte ai, është i copëtuar, dhe si i tillë reflekton dhembshëm dhe ftohtë, por edhe qorton.
Tani, para se t’u afrohemi varrezave, ishte radhitur familja Gjonbalaj dhe malësorët, që dora dorës përshëndeteshin me ne për të na falënderuar për pjesëmarrje në varrim, për mua të jashtëzakonshëm! Të jashtëzakonshëm, sepse, krijuesi nuk vdes, por shndërrohet në dritë e në fanar. Djemtë e Hasan Isufit, (kështu kishte dëshirë për ta thirr atë), Rifati dhe Malësori, më shtrëngojnë fortë e fortë, dhe lotët e tyre ishin ndjenje e shprehje e respektit ndaj meje e ndaj babait të tyre, të cilit më kurrë nuk do ta kanë rastin që t’ia dëgjojnë zërin dhe as ta përkëdhelin e përqafojnë si përpara. Janë këta dy intelektualë, sjellja e të cilëve më bën krenar, dhe them: lum Hasani për pasardhësit e vetë. Po ashtu them: i lumi unë që i kam këta djem të mikut tim dhe të krijuesit, i lumi kombi dhe atdheu që i ka!...
Tani, po afrohej koha kur trupi i krijuesit, trupi i pajetë i Hasan I. Gjonbalajt, i mbështjellë dhe i stolisur me flamurin kombëtar do të puthitet dhe ngjitet fortë e fortë me tokën e dheun e vendlindjes, bash ashtu si gjithmonë e kishte këtë shkrumb e këtë dëshirë. Mbi varrin e tij, vërshuan buqeta e kurora lulesh. Në vazhdim fliten edhe disa fjalë, që padyshim se janë pak për t’i dhënë lamtumirën mikut. Unë ia thashë vetëm këto fjalë: “I dashur Hasan, tërë jetën luftove për zbulimin dhe për forcimin e trungut të kombit në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Dhe tash, ike duke e afirmuar kurorën e këtij trungu. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke! Nuk dita se ç’t’i them gjë tjetër?!...
Pas pak, kthehemi prapa. Dhe, çfarë ndjenje më kaploi. Ia kthyem shpinën varrit të krijuesit,... ai ngeli vetëm... Kjo është e padrejtë! Por, sërish them: nuk ka më madhështi dhe kënaqësi më të madhe se sa kur t’i merr nën mbrojte dhe t’i ngrohë eshtrat dheu yt, i tokës sate. Sa ngrohtë është,... sa kuptim të madh ka. Besoni!
Kështu afrohet edhe fundi i ditës së tretë të ngushëllimeve për ta nderuar jetën dhe veprën por edhe për ta ruajtur kujtimin për Hasan I. Gjonbalajn, për Hasan Isufin, të cilat e begatojnë jetën e njerëzishme të familjes së tij. Në këtë vazhdë, sërish më rrjedh mendimi për tërë krijimtarinë e këtij njeriu, që, për ta komentuar atë, patjetër se do të nxitën dhe provokohen lëruesit e shkencës dhe të historisë, për të bërë vepra të reja dhe akoma edhe më me peshë për rrugëtimin e njeriut tonë, i cili ende ka nevojë të begatohet me njohuri duke kulmuar historia dhe shkenca me vepra të reja... Them kështu, sepse, Hasani, në çdo takim, në çdo manifestim letrar, kulturor e shkencor, nuk harronte për ta theksuar Nokshiqin dhe disa vendbanime të tjera në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, ku siç thoshte ai: tani, këtu vetëm varret frymojnë shqip...!
Sa mesazh e metaforë që tronditin e të detyrojnë për ta ngritur zërin për shumëçka, që, siç e kam shprehi gjithnjë për të thënë, janë qortim të cilin duhet përfillë e jo vetëm për ta dëgjuar e vetëm sa për ta thënë diku tjetër. Dhe pra, pse është kështu: këtu, tash vetëm varret frymojnë shqip?!!...
...
... Iku miku dhe krijuesi, i cili pa dëshirën time ma detyroi këtë shkrim, të cilin ma rëndoi edhe më shumë biseda me A. G., pjesëtar i luftës në Kosovë, por edhe poet, që me vargje di për të përvetësuar e për ta therë edhe zemrën me dhembjen edhe shpirtin për njeriun. Ky më flet për Hasanin, dhe mes tjerash më thotë: ... Kur mora lajmin për vdekjen e tij, nuk dita se çfarë të bëja... Nxora telefonin dhe e thirra, siç shpesh bëja kështu... Matanë telefonit nuk kishte zë njeriu. M’u mbushen sytë me lot e zemra si të donte të më dilte nga kraharori, e pastaj më dolën fjalët: Të thirra në telefon, por ti nuk m’u përgjigje... Po, pse ishte kështu?! E di se përgjigjen nuk do ta marrë kurrë...
Tash, kah t’ia mbaj, o Hasan Isufi. Nuk di gjë tjetër, përveç se të të them lamtumirë, kurse kujtimin për ty e kam në zemër e në shpirt. Prehu aty ku gjithnjë kishe dëshirë,... mik, krijues dhe burrë i malësisë, i Vuthajve, ku tani përgjithmonë je pjesë e tij. Kaq. Lamtumirë...!

Arrestohet kinezi për postimin në 'Twitter'

description
Me qindra përdorues të internetit po protestojnë kundër arrestimit të blogerit kinez, i cili u arrestua pas postimit të një shakaje në 'Twitter', lidhur me Kongresin e Partisë Komuniste, që i mbylli punimet javën e kaluar. Autoritetet kineze kanë qenë të ndjeshme ndaj çfarëdo mospajtimi rreth takimit të partisë, i cili nxori gjeneratën më të re të liderëve të Kinës. Postimi i 5 nëntorit i të arrestuarit Zhai Xiaobing sugjeronte që skenari i episodit të ardhshëm të filmit horror “Final Destination” do të mbështetej në Sallën e Madhe Kineze, ku do të rrëzoheshin delegatët e partisë. Pas këtij postimi, faqja e tij mbeti e zbrazët për disa ditë me radhë. Shoku tij u shqetësua lidhur me këtë fakt, dhe shkoi për një vizitë në shtëpinë e tij. Familjarët i treguan mikut Liu Janping se Zhiu ishte arrestuar nga policia më 7 nëntor, me ç’rast i ishte marrë edhe kompjuteri. Policia i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se Zhai po hetohet për “shpërndarje të informacioneve terroriste”.
Kurse në Toronto të Kanadasë nuk arrestohet pedofili Baftir Hamza që poston shkrime pedofilike dhe antikombëtare kundër shqiptarëve në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërise.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...