Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/16

Intervistë me Poetin Përparim Hysi


 - Nga R. Moisiu


Intervistë me poetin lirik dhe prozatorin shqiptar, Përparim Hysi. Poeti lirik Përparim Hysi ka lindur në Petovë të Fierit, nga dy prindër me origjinë nga Skrapari. Shprehet me krenari se është myzeqar dhe skraparlli. Arësimin e hershëm e ka bërë në shkollën 7 vjecare unike, në Fier. Më pas vazhdon shkollën pedagogjike për mësuesi në Elbasan. Një dashamirës i apasionuar 
null
Përparim Hysi
pas letërsisë, vazhdon studimet në degën gjuhë -letërsi, në kushte të vështira ekonomike dhe biografike, ku ja del me sukses. Më pas punon mësues në rrethinat e vëndlindjes së tij, dhe Inspektor ne Departamentin e Arësimit në rrethin e Fierit. Një dashamirës i librit, një lexues i përkushtuar ndaj librave të kohës, aq sa kur ishte student e përjashtojnë një javë nga konvikti, se e kapën duke lexuar "libra të ndaluar", pikërisht "waterlone" e Hygoit. I ka mbetur në kujtesë dhe me një respekt e mirënjohje të vecantë të flet për librin e Mustafa Greblleshit "Gremina e dashurisë", për profesorin e tij Azmi Stringa apo si i pëlqen ta thërrasë- Babë Stringa. Ka filluar të shkruajë që në adoleshencën e tij, por ndjehet i trishtuar se përshkak të persekutimit të familjes i duheshe t'i griste. Kontaktet e para me "Hamletin " shqiptar, aktorin dhe regjizorin e madh shqiptar, - Kujtim Spahivogli-, i ruan si një "relike" nga më të dashurat dhe të cmuara të jetës së tij. Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë që me figura artistike dhe metafora të goditura nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur: Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores - shprehet poeti. Ato kanë një finesë, harmoni në varg, muzikalitet- sa të bëjnë t'i lexosh me zë të lartë. Luan me penën, si luan piktori me penelin. Në bisedë me të është një njeri shumë modest, interesant me një shpirt të madh, babaxhan, i ndjeshëm, që vetëm dashuron të bukurën, të mirën - njerëzoren. Kur kujton Drita Comon, Teodor Kekon -shikon lotë në sytë e poetit. Shpreh dhimbjen për ta në vargje. Është shumë prodhimtar, një poet me sqimë, por edhe një prozator i mirëfilltë. Lirikat e tij të dashurisë pëlqehen nga lexues të shumtë, ku spikat mosha e rinisë, të cilët nuk ngurrojnë t'i vlerësojnë vargjet e tij me frymën persiane, apo naimiane - disa edhe me frymën lasgushiane. E quajnë - Poet i Dashurisë - me plot gojë, të dashurisë si ndjenjë, por edhe si filozofi me një kuptim më të gjërë të saj, si pasurinë më të cmuar që zbukuron vetë jetën dhe ekzistencën njerëzore. Por për të mësuar më shumë rreth këtij poeti lirik, unë i morra një intervistë, ku ai tregon bukur, rrjedhshëm, për jetën, krijimtarinë dhe projektet në të ardhmen. Të bie në sy, në këtë bisedë, atë c'ka ai e pasqyron në vargje e prozë - "besnikëria" që poeti tregon ndaj dialektit të origjinës së tij.

- Një kënaqësi e vecantë të bëj këtë intervistë me Ju. Kush është Përparim Hysi dhe dicka nga fëmijëria Juaj? 

Së pari, zonja Moisiu, më lejoni t'ju falënderoj për këtë intervistë që, të them të drejtën, nuk e prisja. 
Ju, dhe nepermjet jush, lexuesi do të dijë se kush është Përparim Hysi? Kësaj pyetjeje më lejo që t'i përgjigjem me disa vargje të shkurtëra që kam shkruar për vete:

Po thanë për mua: si mësues?
Çka, mesatar. 
E pse do mërzitem, unë, vallë?

Po thanë:si poet?
Shkruan shumë e për lumë
E pse do mërzitem unë?

Por, po thanë, se dikë
Zhgënjeva si njeri, 
Atëherë, kush t'më dojë,
Të më qajë me oi...
 

Megjithatë, për të patur një ide se kush është Përparim Hysi, jam një fshatar den babaden që kam lindur në Petovë të Fierit dhe banoj në një fshat ngjitur me Petovën:në Mbrostar - Ura. Këtu kam 50-vjet që banoj, sado që kam mbi 20-vjet që pashaportizimin e kam në Fier. Kam punuar për 41 vjet në arsim dhe nuk kam lënë fshat të Fierit pa shkelur me këmbë. Fëmijëria ime:ka qenë e vështirë, si për gjithë brezin tim, që, ndonëse për arsye moshe nuk mora pjesë në luftë, po krismat e luftës kushedi sa herë ma prishën gjumin. Kam mbaruar uniken (7-vjeçaren) në Fier duke bërë çdo ditë vullnetarisht, domosdo, afërsisht 6-7 orë rrugë në këmbë, se shtëpinë, në Petovë, e kam patur reth 45 minuta larg nga Manastiri i Ardenicës (objekt i njohur nga të gjithë!). Kuptohet 6-7 orë vajtje-ardhje. Mandej kam mbaruar pedagogjiken "Luigj Gurakuqi" në Elbasan dhe kam dalë mësues (jam emëruar në 7-vjeçare) më 1 gusht 1959. Nga kjo datë dhe deri në nëntor të vitit 2000 kam punuar mësues në fshatra të ndryshme të Fierit dhe vetëm në vitet 1996-2000 kam punuar si inspektor për gjuhë-letërsinë shqipe në Departamentin e Arsimit Fier. Nga viti 2000 dhe sot kam ardhur, përkohësisht, në USA dhe mezi pres të kthehem. Sa kam shkruar: "Ashtu si pulën shqirake/nuk e zë gjumi/pa parë në ëndërr/sikur ha grurë/ashtu dhe mua nuk më zë gjumi këtu, /pa parë në ëndërr Shqipërinë/që s'e kam parë ka qëkur. . . /"

- Kini mbaruar për Gjuhë -Letërsi, c'ju shtyhu të studionit në këtë degë? 

Po kam mbaruar për gjuhë - letërsi dhe me korrespodencë se nuk plotësoja kushtet "teknike" për të vazhduar të lartën. Së pari, kam mbaruar 2-vjeçarin dhe, mandej, kam dhënë provimet plotësuese. Pa modesti të rreme, edhe me korrespodencë them që duhet të jem krenar për rezultatet. Ju më pyesni ç'më shtyti për këtë degë? Rasti është mbreti i botës, thonë. Unë them që kështu është. Kam qenë nxënës i klasës së gjashtë (unike) kur im atë, më dha një trastë me miell për t'ia çuar një gruaje plakë me të cilën kishim të bënim. Djali i saj studjonte në Bullgari (ka qenë viti 1953) dhe, kur i çova trastën, plaka jo vetëm më ftoi në shtëpizën e saj (me qira e kishte), por më la si lisho. Befas më vajtën sytë tek ca libra. E para që kapa me dorë qe "Gremina e dashurisë" e të ndjerit Mustafa Greblleshi. Fëmijë, më shumë më tërhoqi kopertina se sa ç'thuhej atje. I them plakës: - Ta marrë këtë librën? - Nuk i merr të tëra? E mora dhe sa sosa në shtëpi pas shkollës, iu futa me të lexuar. Aq më tërhoqi, sa qaja se ngjarjet atje i merrja krejt si të vërteta dhe thosha:obobo, ç'e gjeti Memlin! (një personazh). Mandej nuk iu ndava plakës dhe m'u bë huq. Gjithësesi huqi i mirë. Kur shkova në Elbasan, Babë Stringa, profesori babaxhan i gjuhës dhe letërsisë, i nderuari Azmi Stringa, më furnizonte me libra dhe veç kësaj, në Elbasan, kish një librari me antikuar (po të shpehem kështu), me libra të vjetra, që i shiste një librar me emër Sulë Kurani. Duke e ditur se qeshë konviktor, m'i jepte me kusht (për tërë natën ta mbaja dhe t'ia ktheja pas mësimit). Kushedi sa libra kam lexuar nga ai libradashës dhe njeherë, po nga librat, e pësova. Më përjashtuan për 1javë nga konvikti se në orar të studimit lexoja një nga ato "të ndaluarat". Qe waterloja e Hygoit (fragment, me siguri): Kështu që në poezi timen kam thënë se dhe unë kam "waterlonë" time në letërsi. Në Elbasan, veç të ndjerit Babë Stringës, kemi patur një tjetër të nderuar:profesor Besim Qorrin që edhe kish përkthyer. Po shkrepsen për të më ndezur zjarrin e dashurisë për letërsinë, pa dyshim, e ka mësuesja ime e 7-vjeçares, e madhja Vjollca Omari që, kur e kisha mësuese, nuk e dija se ajo ishte e motra e Mustafa Greblleshit. E atij që ma ndezi këtë pasion:për të lexuar. Më vonë, u njoha me Mustafan dhe me profesoren (që për fat të mirë rron, ende) shkëmbejmë tepsitë, qoft edhe me telefon. 

- C'kuptim ka për Ju, fjala "MËSUES" 

Të jesh mësues dhe ç'kuptim ka kjo fjalë?
Po i përgjigjem kësaj pyetjeje të vështirë, me nja dy shëmbuj. Gjatë luftës së madhe patriotike të BS, u dekorua një luftëtar me medaljen e Heroit të BS. Kur e pyetën se çfarë do thoshte, tha: - Këtë dekoratë shkoni dhe ja vendosni mësueses sime, se ajo më ka mësuar që të jem i tillë. Tjetër (unë e kam trajtuar në një tregimin tim këtë përjetim), një mësues i pedagogjikes në Elbasan, la, mes tjerash, në vjeshtë edhe mbesën e tij. Kjo që s'e priste nga xhaxhai, shkoi e u hodh në lumë. Të mbytej. E nxorri një ushtar dhe kur ai i degës e ballafoqoi "viktimën" me "persekutorin", mori vesh që profesori qe xhaxhai i saj. Biseda:-More, profesor, nuk i vije një tresh, po desh u mbyt jot mbesë? Profesori: - Dëgjo, kolonel: - Po deshe t'i vësh kazmën një vëndi, kualifiko njerëz të paaftë! Besoj se e more përgjigjen se kë quaj dhe si e vlerësoj unë punën e mësuesit. E përjetoj me dhimbje degradimin e kësaj figure kaq fisnike siç është ajo e mësuesit. 

- Dëshiroj që bashkëkombasit tanë lexues t'ju njihnin më mirë . Do doja t'ju pyesja mbi c'ka keni shkruar ndër vite . Cila është gjinia e Juaj , më e preferuar? 

Ç'kam shkruar në vite? Është pak evazive pyetja dhe po bëj pak një digresion të gjatë. Krimbi për të shkruar më ka ngrënë që heret. Të paktën, sa dola mësues. Po kam qenë pak me"qere" dhe më hante, shpesh, koka. I vura kyç këtyre punëve se pasqyrat ishin përpara. Më kujtohet, veç tjerash, që takova aktorin dhe regjisorin e madh, të ndjerin Kujtim Spahivogëli. Kryente internimin në fshatin tonë, tek poligoni i bonifikimit. Jepte e merrte me një platformë betoni për ta hedhur mbi një reportabël, po s'mundëte. Lashë bicikletën që ta ndihmoja, kur ç'të shoh? Të madhin dhe të bukurin Kujtim dhe i them:-Hamlet, këtu, ti? - Pse më njef? - ma ktheu ai. - Po si nuk të njoh? (por sytë i bëja katër se ia befi një "hafije" që më njihte dhe e njihja. E ndihmova dhe fluturova mbi biçikletë. Se thashë që isha me "qere". Shkova në shtëpi dhe shkrova "Hamleti në Mbrostar - Ura". E shkrova, por, kur po bëja një orë letrare për "syrin vigjelent të popullit" m'u fanit, ky "sy" dhe, sa sosa në shtëpi, e grisa dhe e dogja. Kam djegur plot letra dhe libra. Se frikën e njihja dhe nuk dua të rrah gjoksin si trim. Se siç kam shkruar diku: "Kam djegur letra/kam djegur dhe libra/Ajo kohë si mesjeta/qe mbushur me dimra/." 

Ju jeni autor i disa librave, me poezi, shkruani tregime , esse etj. Si ju lindi ideja për t'i shkruar ato. Mesazhi që ju transmetoni dhe nga e kini marrë inspirimin? 

Fillova të shkruaj poezi pas viteve 1990. Poezinë e parë që ma kanë pëlqyer të gjithë e kam shkruar për Mbretin e Lirikës, Lasgushin. Ma pa Koço Kosta dhe e mori me vete. Kur marr vesh që e kish botuar tek "Drita". Gjej rastin ta falënderoj Koçon se që atëherë s'e kam takuar më. Mandej vazhdova me poezi lirike dhe, kur u bënë gati nja 250 copë i botova tek libri "Rektimat e dashurisë". Pastaj, ashtu si oreksi vjen duke ngrënë, vazhdova dhe po me poezi lirike. Në Shqipëri botova 4 libra me poezi lirike dhe, kur po dërgoja të pestin (po me poezi), erdha në USA, tek djali që jeton në Florida. Libri mbeti në sirtar dhe po atje është, duke pritur. Mirëpo jo të gjitha mund t'i thuash në poezi dhe e bëra si ai pijaneci që, sa la verën, filloi rakinë. Fillova nga proza dhe vazhdoj të shkruaj paralelisht:edhe prozë, edhe poezi. 

- Lexojmë lirika dashurie nga pena Juaj, më të ndjerat, më të bukurat, sa ju quajnë Poeti i Dashurisë . Kur një poet apo profesionist shkruan bukur, kur është i dashuruar apo kjo nuk varet nga dashuria? 

Është e vërtetë që lirikat e mia, venë nga venë, dhe vërtiten reth dashurisë. Po a nuk është dashuria ndjenja më fisnike? Në krijimet e mia ka, s'do mend, përjetime, por, do spekulloja, po të thosha që nuk ka dhe ndonjë zbukurim. Se nuk kam fotografuar duke bërë "blic", por edhe kam lozur pak me penën ashtu siç bën një piktor me penelin e tij. Në ia kam arritur apo jo? Kësaj pyetje i përgjigjet lexuesi, i cili, më ka vlerësuar edhe më shumë nga sa e meritoj. Këto vlerësime nga njerëz të ndryshëm, nga vende të ndryshme, nga njerëz të panjohur fizikisht prej meje, më kanë mbushur me frymëzim që ta mpreh edhe më mirë lapsin kur shkruaj. Dhe mund të them, se raportet me lexuesit i kam të mira. Për mos thënë:shumë të mira. Ajo që më këndellë në atë mori simpatizantësh të shkrimeve të miat, veç tjerash, kur këto vlerësime vijnë nga njerëz që jo vetëm janë njohës të poezisë e të prozës, por dhe krijues me prëvojë në këto gjini. 

- Po citoj titujt e librave që Ju kini botuar, kryesisht, Lirika Dashurie: "Rrekëtimat e dashurisë" "Prushi i dashurisë" "Më piku dashuria" dhe, "Luftë" me dashurinë" Fjala dashuri kudo. Cfarë keni bërë Ju për të marrë kaq shumë dashuri nga jeta? 

Librat që kam botuar, kryesisht, me lirika janë:
Siç shihet, unë vuaj nga ky obsesion:nuk i këndoj dashurisë as si Don Zhuan dhe as si Kazanov. Unë dashurinë e dua të shëndetshme dhe për këtë lloj dashurie dhe këndoj. Nga ana tjetër, unë i këndoj dhe dashurisë jo vetëm si eros dhe aq. Por si dashuri njerëzore. Se kjo, dashuria njerëzore, po e humbet dimensionin human. Po të shprehem me një eufemizëm pak vulgare, do të thosha, pa frikë se në këtë botë unë mbeta fukara se 30 kg vajguri i kam djegur në muaj me hallet e botës. I dua njerëzit dhe për këta kam kënduar. Kam qarë për Drita Çomon dhe me një miken time me një poezi e ngushëllova të ëmën, Lirinë. Po kështu kam vepruar për të ndjerin T. Keko dhe jo vetëm ngushëllova familjen me një poezi enkas për të, për Dorin që ishte aq njerëzor, por më erdhi keq që tek "Drita" nuk u pa e arsyeshme të botohej se bënte "hije". Dhe kush një i panjohur si unë. Mikesha ime, z. Meri Lala, mejgithatë arriti ta botonte tek një gazetë XXI (s'e di a del më sot?). Po ndoshta, Meri, arrin ta lexoj këtë intervistë dhe i rithem:që nuk e harroj altruizmin e saj. Po kur pashë që mbushur plot mllef nga snobizmi i njerëzve, një shkrimtar i madh portogez, Fernando Possio, bërtiste: - S'kam parë asnjë Budë apo Krisht që të sakrifikohet për mua! Dhe paskësh të drejtë. Njerëzit janë bërë të vegjël, por unë ja që nuk ndryshoj dot tani, nga"darka". Ndaj dhe librat e mia kumbojnë dashuri. Dashuri njerëzore, ku, padyshim, rolin e mbretëreshës e ka dashuria për të bukurën, tapinë e së cilës, pa dyshim, e mban femra. Se nuk thuhet djalë i bukur, por i mirë. Kurse për femrën, e thua me plot gojën:e bukur dhe, po u cfilite si unë (e them me të qeshur, domsodo!) përpjek edhe buzët dhe e lëpin mirë e mirë. Epo kështu jam unë. Se, kur thoshte një miku im, me këto buzë që kemi dhe do puthemi. 

- Vë re titullin e një libri "Rrekëtime. . . . ". Kur filluan "rrekëtimet" e tua të para në letërsi, në poezi, proze a tregim? 

"Rrekëtimat" e para i kam patur në poezi se poezia (a s'e ke vënë re, rimon me fjalën dashuri? Sikur janë motra siameze.) 

- Fjala dashuri është aq e bukur aq edhe e përgjithshme . Ku qëndron forca e dashurisë që ju frymëzon më shumë, të jetoni apo të shkruani? 

Dua të jem i sinqertë: diku kam thënë se, kur dashuron, edhe qielli, edhe pylli, edhe rruget janë ndryshe. Ore nuk je në take-tuke fare:nuk je më në tokë, po ke shkuar në qiell. Kështu ndodh që mbushesh energji dhe diku do t'i harxhosh. Dhe shkruaj. Kurrë nuk kam shkruar për një gjë të stisur. Dhe, po shkrova, del si pastë e thatë. Dhe kjo "dehje", po të shprehem kështu, nuk pyet as për moshë. Se vërtet djaloshit Honore (Balzakut të madh) i thoshte e ëma, mos shko tek gjitonia se i janë rritur çupat dhe s'ka më lezet. Po ai jo bënte tutje, por u dashurua me të ëmën e çupave kur ajo ishte bërë gjyshe. Dhe kjo qe dashuria e madhe e tij. Ajo e konteshës Hanska qe me korerspodencë që, pa u ndezur mirë, u shua. Apo Gëte Gjeniu qe 75-vjeç kur vrapoi qe kërkoi dorën e një nuseje të re. Është qorre dashuria, - shkruaj unë. Dhe për ta mbyllur:

Autoportret

Një burrë pakësa i ngjallur
Lëre mos e nga, sa shëmtaraq!
Se jeta me shkop më ka rrahur
Dhe ja portreti im, sakaq!

Sytë po e humbin shikimin
Në kokë ka filluar dëbora
Në shpirt sikur kam gjithë njerëzimin
Rrebeluar me padrejtësitë në kohëra.

Koha

Koha ka veshur pantofla
Dhe reshperon pa u ndjerë
Po mua pse më bloi në mokërra
Ç'është ky mister?!... 

- Jeni një krijiues i mirëfilltë në prozë-në gjininë e tregimit . I vlerësuar nga kritika letrare dhe lexuesit e shumtë që ju lexojnë. Sa qëndron kjo te tregimet Tuaja? 

Për tregimet e mia, ka një histori të veçantë. Ato janë veç përjetime dhe unë vetëm sa i kam limuar ato. Përgjithësisht, i pëlqejnë dhe çuditem, kur dikush më pyet, ore kush është filani apo filanka (se dihet që, nganjëherë, i kam mistifikuar personazhet). 

- Ju kanë vlerësuar Poet i dashurisë, poet me vargje naimiane dhe lasgushiane. Stili dhe mënyra e të shprehurit, janë shumë të goditura e të bukura. Sa qëndron kjo për JU? 

Më kanë qujatur poet të dashurisë. Epo, siç thotë, Pablo Neruda: "Poetët dashurojnë tërë jetën". Balzaku, duke folur për dikë, ka shkruar: "Siç duket, ka mbetur i ri nga vesi!". Dhe mua më duket sikur këto gjëra i kanë thënë për mua. Se ti je si shpirt, -më thotë një zonjë e panjohur, frymëzuar nga ç'lexon. Po unë që "jam si shpirt", "kam mbetur i ri nga vesi", se, po të më shohësh tamam -tamam, jam si një pikëpyetje tanimë. Por ka rëndësi, shpirti, më thotë, një tjetër. Dhe unë ia kthej: - Fjala jote në vesh të perëndisë. 

- Duket sikur gjinia e Juaj e preferuar është poezia, proza, tregimi. A keni shkruar, roman, reportazhe, publicistikë?

Po gjinia ime e preferuar është poezia dhe, kryesisht, ajo lirike. Unë shkruaj me rimë dhe, ndoshta, jam një fanatik i vonuar i të shkruarit me rimë. Shkruaj tregime, por, sado që dikush, më këshillon për një roman, e konsideroj si luks të tepërt. Se do një durim të madh që mua më mungon. Kam bërë edhe ndonjë shkrim kritik për ca libra (mund të jenë nja tetë të tillë) dhe asgjë tjetër. 

-Tregimi "Letër për Delikaten "Një tregim i vlerësuar shumë, i pëlqyeshëm nga lexuesit . Si ju lindi ideja për ta shkruar? C'mund të na thoni për të? 

Tregimi "Letër për Delikaten?!" është vetëm sa për fillim dhe nuk ishte vendi për ta dhënë në tërë densitetin e tij. Është i ndarë në tri pjesë:Letër me litar në grykë; Pas orës së këngës dhe kjo që kini lexuar ju. Është ngjarje e dhimbshme (ndaj ka aq dashamirë) se edhe sot ne s'i kemi gjetur eshtrat e xhaxhait tim, Hilmi Hysi, që u pushkatua me grupin e dytë të deputetëve (me Riza Danin e CO...) duke qenë edhe shok me E. Hoxhën. Delikatja... e pse do të pendohet ajo?! Megjithatë, kur të kem kohë, do ta sjellë si një të tërë të gjithë ketë dramë familjare që e kam vuajtur mbi kurriz për nja 50-vjet të mira. Sa për vërtetësinë e tregimeve të mia, do të thosha. Në morinë e madhe të poetëve që njoh, jam ndalur tek një poet i madh spanjoll. Leon Filipe quhet. Ky thotë: - Unë shumë gjëra nuk i di. Po unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që s'i di. Pra, dhe unë shkruaj vetëm për gjëra që di. Tregimet e vërteta, - thoshte Gorki, - janë përrallat më të bukura. 

-Në tregimet Tuaja kini trajtuar nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë, e familjes shqiptare, brenda kornizave të mentalitetit shqiptar? Si ndjeheni, kur dëgjoni, për krimin në familje, veset e tjera që ka përfshirë rininë, droga, prostitucioni etj? Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve? 

Mediat, e përciellin nën okelion "Rubrika e zezë", për mendimin tim, porblemi është disaplanësh dhe, si i tillë, do një trajtim po disaplanësh. Këto njolla të zeza që nuk janë vetëm shiqiptare, duan një punë të kujdesshme, po se po, së pari nga shteti dhe nga organet që merren me këto probleme sociale, ku, padyshim, rol parësor ka drejtësia që me ligjin (se ligji është) mos loz arushë. Letërsia ka ndikimin e vetë, por ja tek sfidohet nga të tjera instrumente që kanë trysninë e tyre, ndonjëherë, për fat të keq kjo trysni dikon për keq. E kam fjalën për televizionin dhe ca më shumë interneti që ka jo vetëm përhapje të madhe, por me kompjuterat bëhet"hataja". Aty gërmohet dhe "luçidohet" (në mund të shprehem kështu) pothuajëse shumica dërmuese e njerëzve. Kur them kështu, kam parasysh të rinjtë, adoloshentet që gjejnë aty oazin e Edenit. Pastaj, marrin përpjekur, bëhen pervers, kryejnë krime dhe deri në inçeste. Natyrisht, zor se gjen krijues që të aspiroj me shkrimet e tij në favor të këtyre rudiminenteve, por, pavarësisht, krime të tilla ndodhin dhe ajo që të alarmonë, është se shteti (të paktën deri tani) ka kapitulluar. Kur them kështu, kam parasysh qindra familje të ngujuara, nga frika e hakmarrjes. Pra, kemi ecur mbrapa. Pse ligji vepron me karshillëk duke i shkelur synë kanunit. Baballarët e Kombit e dinë mirë, por aq u bënë. Kjo është vajtuese. Se po bëri karshillëk me anarshinë, shteti shpejton fundin e vetë. Aty nga fundvitet '60-të të shekullit të kaluar seç doli në Francë një grup "OAS" që po vërviste "pleshta" (ma merr si metaforë!), por DeGoli jo vetëm e mposhti me forcë, po e zhduku pa nam e nishan. Kanuni, vetëgjqësia, vrasja, janë çibane në trupin e shoqërisë. Metastazat e tyre janë kanceroze(madje, pa e tepruar, mund të them janë kacer galopant!). Dhe o duhen hequr çibanët, o trupi do vdesë. Kjo që them ka vlerën e një aksiome. Se unë shtroj vetëm një pyetje:-Ku ishin ata"kanunarët" për 50-vjet përpara '90-tës? Mos regjimi i atëhershëm i zhduku me shkopin magjik? Natyrisht, e dinë të gjithë:me forcën që ka shteti! A në do shteti të bëj se gjasme është kundër dhe loz arushë (siç edhe ka lozur), këtë gjë s'ka letërsi që e ndreq. Dhe e di pse? Se mbi letërsinë, prozën, poezinë, teatrin, operën e të tjera, e të tjera, kur thoshte i pavdekshmi, DORI KEKO, ka një magnet që tërheq më tepër. Magneti, për fat të keq, është kthyer permanent. U është dhënë liçencë rrugëve të lehta vetëm për pragmatizëm. Janë ngritur "Bingo"; kazino ku dihet që pjellin çthurje. Kjo i ngjet atij fatit tragjik të druvarit që pret pemën mbi të cilin ka hipur. Për të fituar ca para (të pista, domosdo) shteti inkurajon krimin. Moshat e reja braktisin shkollat, blejnë dëftesat, fitojnë konkurse dhe. . . "mos i nga të marrin brinjën", kur thonë andej nga Labëria. Por "baballarët e kombit" nuk i shohin. 
Faj është bërë xhaketë që nuk e vesh askush dhe ndodhin, mandej, perversitete që të alarmojnë. 

-Si ju duket kritika letrare sot? A ka kritikë të mirëfilltë letrare? A mund të na thoni dicka për këtë temë që shqetëson njerëzit e letrave shqipe? 

Për kritikën? Mendimi im (dhe jo vetm imi!) është që kritika në letërsi, pothuajëse, ka vdekur. Se është ndjerë fare pak a më mirë aspak. Kritika kur bëhet nga një njohës i mirë i letërsisë, si p. sh. i profesor Kallullit (m'u bë qejfi që iu dha stati i akademikut) ka vlera dhe i vendos pikat mbi i. Në se do të bëja një analogji banale (anologjitë dhe krahasimet, rrallë janë të qëlluara) do të thosha:në se letërsia e mirëfilltë i ngjan një pylli të madh veselitur nga duar kopshtarësh për t'u patur zili, kritka nga na tjetër ka shtatin e shkurreve. Se ka një të vërtetë që nuk e luan topi:në botë ka shkrimtarë e poetë të mëdhenj (përfshi dhe nobelistët), por deri tani historia e letërsisë botërore, kritikët e mirë i ka si gurë të çmuar. Këta dihet që janë pakicë dhe mezi i gjen. Sidomos, në Shqipëri, ku kritikët zor se plotësojnë gishtat e dy duarëve jo se jo, por dhe të një dore. Ndoshta jam i gabuar dhe ky përcaktim imi është shumë subjektiv. Nga ana tjetër, rrallë gjen kritikë të kenë bonsens kur gjykojnë një vepër letrare. Aq radikalë janë, kritikët, në tërësi, sa Gete që kanë Gjeni në fushën e Letrave, e ka lënë me shkrim: "Bjerini me shkop! I thoni:të ikë! Është kritik." Dhe, në mos gaboj, (se kujtesës i referohem!)më duket se thotë trroç:është ilig. Kur Gete ka shkruar kështu, të tjerat janë të lexueshme. Të më falin ata që merren me kritikë se me këtë nuk dua të lakojë njerëz të veçantë, por veç e solla si citim dhe aq. 

-Kanë thënë për Përparim Hysin..... 

Ç'kanë thënë për mua? Gjeografia e njohjes sime është e kufizuar. Në përpjestim tëdrejtë me pozicionin shqëror që kam patur dhe, veç kësaj, edhe për arsye të tjera:objektive dhe subjektive. Kur them kështu, ki parasysh, olexues, që unë kam qenë mësues tërë jetën fshtarave të Fierit dhe jam pak si ai "Shterpari" i Naimit të madh: "Shterpari s'i qaset stanit/por në pyje, bie e ngrihet. . . ", për mos shkuar më tutje. Pra, isha një mësues që duhet të mbyllja shkarpën (kam thënë që kisha "qere") dhe kam qenë me fat edhe me kaq. Megjithatë, kur fillova të shkruaj unë, pak nga pak, filluan dhe të më njohin. Po i filloj me përshtypjen e një burri (kish patur të shoqen shitëse djathi dhe dyqanin (i zoti për biznes) e kish kthyer në shtypshkornjë, ku kam shtypur të 4 librat unë. Kur më dha të parën, më tha:-Jam kënaq me plakën tuj lexu. Po ça ke shkru, oshtu, më ke kënaq shpyrtin! Një drejtor drejtorie në MA, pasi lexoi librat që i kisha dhuruar, kur më pa një ditë, më futi krahun dhe më tha: - Hajde të jap një kafe. Po sa të zonnjën e ke atë grua, se meqenë ajo imja, do më kish djegë me gjithë libër. Unë nuk mund të vazhdoj me këto përshtypje, por s'kam si mos veçoj, një vlerësim nga Poeti dhe shkrimtari Maku Pone (autor i mbi 20 librave!) që thotë: "Përparim Hysin do ta quanim me plot gojën Poet të dashurisë, të dashurisë si ndjenjë, por dhe filozofi me një kuptim të gjërë të saj... si pasurinë më të çmuar që zbukuron vetë jetën dhe ekzistencën njerëzore. Ka një finesë dhe harmoni në varg. I lexon poezitë dhe ke qejf t'i thuash me zë të lartë apo t'i këndosh me zë, sikur t'ua kesh dëgjuar melodinë me kohë." Tek gazeta e Athinës, miku im virtual, Andi Meçe zgjodhi për botim rreth 15 poezi të miat lirike. I ati i Andit, Hiqmet Meçe (shkrimtar dhe poet i njohur) ka shrkuar: "Përparim Hysi është poet i çuditshëm, tepër i sinqertë, që i këndon dashurisë. Herë ngjan me frymë persiane, herë me frymë fshatare të Bërnsit..." Dhe për të mos vazhduar se do më duket vetja si ai personazhi i të pavdekshmit Qamil Buxheli, "Doni më për Belulin?". Lexuesi dhe kushdo tjetër një gjë duhet të fiksoj:unë nuk jam narcizist dhe nuk vuaj nga ndonjë delir. Naum Prifti ka një personazh, një farë Kate (adoloshente, kjo!) që tek rri tek pasqyra, i thotë vetes: - Sa e bukur je, moj Kate! Për fat të mirë, jam në moshë të vonë për t'u llastuar, por, sidoqoftë, do të isha hipokrit, po të mohoja, se ndjej kënaqësi kur lexuesit dhe krijuesit më vlerësojnë. 

- A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde që ja sheh gjurmët edhe sot?

A ka ngjarje që ia ndjej gjurmët edhe sot? Po. Ka dhe, mjerisht, kur e kujtoj më ngrihet tensioni i gjakut. Disa herë kam dalë para popullit për biografi. Shkruanin anonimët, po ca se punova mirë dhe ca se populli më donte, kam dalë me faqe të bardhë, por i plagosur shpirtërisht. Këto çaste kanë qenë shumë të vështira dhe ndaj në trungun tim, ka ende blana. 

- Cili autor ju inspiron më shumë?

Autorët që më inspirojnë mua: E po ku numërohen? Leon Tolstoi qëndron në buxhak. Sa kam qenë në Shqipëri, çdo verë lexoja "Dhjatën" e tij "Lufta e Paqja". Të njëjtën gjë bëja me "Dhjatën" e Shollohovit "Doni i qetë" dhe këtë e kam sjellë dhe me vete. E dua shumë Shollohovin, se Pantelej i çalë më kujton një plak nga Skrapari (po i çalë) që trufullonte njësoj si ai "turku". Grigor Melehovin e dua se kam njohur të ngjashmin e tij si portret (e vija përballë Pjetër Glebovit që e luante në film) dhe ky ishte major Tahir Beja (ndjesë pastë) që e kishte gruan ruse. Aksinjën apo Elina Bistrickaja e "kam njohur sekisha një kolege "tohidho" si ajo. Nga poetët, dua Eseninin dhe Bërnsin. Në Shqipëri, dua Lasgushin, Ali Efendi Asllanin, Frederik RReshpjen, Dritëronë, Xhevahir Spahiun. Duke e mbyllur, o Frati im i dashur, të falënderoj dhe të uroj gjithë të mirat 

- Cilat janë marrdhëniet me fëmijët Tuaj? Sa ju mbështet bashkëshortja dhe fëmijët në aktivitetin Tuaj , krijues letraro-artistik? 

Pyesni për fëmijtë: kam një djalë e një çupë dhe jam i kënaqur që jetën dinë ta përballojnë me djersë, pa kërkuar "rrugë të kollajta". Me djalin që është në Florida prej 11-vjetësh, edhe jetoj. Po të misesh nga një thënie e një këngëtari të madh latin (më sakt:kuban!) Compajo Segua, me jetën familjare jam në rregull. Ky këngëtar i madh që këndoi deri në frymën e fundit (ka vdekur para dy vjetësh), thotë: - Të jesh njeri, duhet` të kesh një fëmijë, të mbjellësh një pemë dhe të botosh një libër". Unë, sikur i kam plotësuar kushtet. Për time shoqe, të kam folur dhe jam me fat që kam ditur të zgjedh. Ma ka lehtësuar punën se kurrë nuk ka ditur të ankohet qoft dhe njëherë. 

- Keni jetuar në Fier , sot në Florida, - c'ju lidh me Skraparin? 

Me Skraparin më lidh gjaku. Të dy prindërit i kam që atje dhe skrapa rlinjtë i dua. Kam thënë në një poezi që"vërtet unë jam myzeqar, por kujdes:jam nip në Skrapar! "Për të ardhmen? Ku ta di unë? Në Myzeqe ka një shprehje: - Po të lanë për prift, bëhesh dhe dhespot. Por, po të lanë, ama. Se Çeçua ka biçak. Apo s'jam në "zonë të minuar" unë. Pleqtë, ku hyj dhe unë, nuk i mbajnë dot zotimet se... nuk dihet a gëdhihesh, sado që ngrysesh.

- Dicka që doni të shtoni, për krijimet Tuaja në të ardhmen?

Unë, siç e ke marrë vesh, vetëm shkruaj dhe lexoj Pra, "vras" kohën. Po më duket se më ka gjetur si me atë fshatarin që mbjellë, po nuk korr. Megjithatë, rroj me shpresë që do t'i botoj kur të vete në Shqipëri. Se a e di atë shprehjen do kalosh nga shtëpia ime, se ta ndreq qejfin! Kam një mal me poezi që presin të dalin në drite dhe, veç këtyre, edhe disa tregime (pa frikë, duhet të jenë afro 50?!). Dhe, edhe sikur t'u bie shkrimeve me sopatën e dardharit, sipas asaj që mendoj unë, duhet të bëhen rreth mbi 12 libra me poezi (librin e mendoj me 100-poezi!) dhe dy vëllime me tregime.

- Si një ndër poetët më të talentuar, prodhimtarë plot larmi temash. Biles i vlerësuar nga njerës të letrave shqipe dhe lexues të thjeshtë. Cili është mesazhi që ju keni për talentet e reja? 

Mesazhi që u jap talenteve (në më lejohet, de!) do t'u thosha:deri më sot, njerëzimi vetëm dy shkolla nuk ka hapur dot:atë për të bërë njeri dhe për t'u bërë shkrimtar a poet. Të shkruarit, -mendoj unë, - është si dhunti nga Zoti. E vetmja rrugë për t'u bërë shkrimtar (por nuk është e prerë) është të lexoni. Sa më shumë të lexoni. Gorki ka thënë: "Sa libra të lexosh, aq dritare ke hapur në pallatin e mëndjes". Imagjino një pallat pa dritare se sa i "bukur" është.

-Zotëroni ndonjë gjuhë të huaj? Sa ka ndikuar në krijimtarinë dhe jetën Tuaj?

Këtu kam mbetur në klasë. Për fat të keq, apo më shumë për turpin tim, nuk di asnjë gjuhë të huaj. Por gjatë gjithë kohës kam lexuar. Kur erdha këtu, e kish marrë ferra uratën:s'ka revan në pleqëri. Dhe siç erdha, edhe do ikë nga kjo botë. Vetëm me shqipen dhe vallë e di me saktësi dhe këtë. Se po fillon skleroza (sëmundje profesionale e mësuesëve.)

- Keni vizituar vende me një demokraci të mirëfilltë. Jetoni në USA. Cfarë do të dëshironit të kishte Shqipëria jonë nga këto vënde demokratike? 

I vetmi vënd që kam parë është: USA! Më pëlqen dhe them: - Pse nuk jam pak më i ri. Është vënd ku mund të jetosh pa frikë dhe ku nuk mungon asgjë. Them me vete, këtu, në USA, vetëm nënë e baba nuk gjen se të tjerat i ke gati. Po mbi të gjitha dashuritë më grin malli për atdhenë dhe më gjen si me atë "Pulëbardhën" e Dritëroit të madh, të cilën e gjetën në rërë, e çuan në shtëpi, e mbanin mirë e bukur, por një ditë, ja që nuk e gjetën. Kish ikur. Kërko e kërko dhe e gjetën në rërë. Tek shtëpia e saj e vjetër. Atje kish dhënë shpirt. Epo një Poet made in Dritëro i ka të rrallë shokët dhe ke seç mëson. Shpesh them: mos jam unë ajo "Pulbardha?!". Padyshim 

Ju faleminderit! Suksese dhe jete te gjate! 
Intervistoi : Raimonda Moisiu

Media, pasioni i jetës sime - Nga Raimonda Moisiu





Interviste me Fatmir Terziun; krijuesin, gazetarin, regjisorin, editorin dhe kritikun letrar, në diasporë. 
null
Fatmir Terziu
Fatmir Terziu është bërë një nga intelektualët me në ze të diasporës shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit. I pranishëm në media, si publicist i talentuar, krijues, kritik letrar, editor, si dhe rregjizor i sukseshëm në kinematografinë angleze, pa dyshim qe ai ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë kësisoj, një model për të gjithë te ikurit në perëndim.
Mbas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ai ka punuar si mësues dhe drejtues në disa shkolla, në rrethin e Dibrës dhe atë të Elbasanit. Pas viteve 90-të, ka qenë kryeredaktor i gazetës “Fjala e Lirë”, gazetar i “Rilindja Demokratike”, drejtues emisionesh, gazetar dhe drejtor i televizionit “Dardan”, korrespodent i mjaft mediave të tjera, në Shqipëri e jashtë vëndit. Në vitin 1996 është shpallur reporteri më i mirë i vitit nga gazeta “RD”.  Ndërkohë, në shtypin shqiptar ka botuar analiza dhe kritika në fushën e letërsisë, duke qenë i sukseshëm për figurat e njohura të asaj periudhe, si Fatos Kongoli, Bardhyl Londo, Zija Çela, Teodor Laço, Astrit Bishqemi, Vath Koreshi, Beatriçe Balliçi, Flutura Açka, Ramiz Gjini, Visar Zhiti etj. Ndërsa si autor, është në librat “Mos Hesht”, “Ecje në Qelq”, “Djalli i Argadasit”, ku me këtë të fundit është edhe fitues i çmimit “Kadmus”. Është autor edhe i disa librave të tjerë. Një vëllim me kritika dhe analiza bashkëkohore letrare, dy vëllime me poezi e tregime, si dhe një roman, presin dritën e botimeve së shpejti.
Që nga viti 2001 jeton, studion, dhe punon në Mbretërinë e Bashkuar. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Eshtë nga të paktët intelektualë shqiptarë, që në kohëqëndrimin e tij si emigrant larg atdheut, ka zgjedhur të pajiset dhe të plotësoj formimin e tij në Britani, ku ka studiuar për media, komunikim, dhe më tej për film, televizion dhe kulturë, e politikë. Në fushën e kritikës dhe analizës letrare është vlerësuar si një nga më të mirët e kësaj fushe sot në krijimtarinë shqiptare. Në publicistikë e gazetari ka botuar "Trokamat në Jetën e Një Pene" dhe ka gati një sërë materialesh të tjera letrare për botim. Në gjuhën angleze ka botuar “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies”, “Tearing Up the Past”, “Writing the Documentary ëith Student’s Experience”, “The script: Simple and Complicate” dhe dhjetra ese të ndryshme në fushën e medias të vlerësuara nga akademikët anglezë. Studimin e autorit “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies” e ka vlerësuar edhe akademiku Richard Dacre me një artikull të publikuar në mediat profesionale britanike ku shprehet: “studim befasues i Fatmir Terziut”, ndërsa studimi tjetër “Reprezantimi i Personales për Publikun” është vlerësuar nga Dr Heather Nunn dhe nga Profesor Dr Michael Channan. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, South Thames College për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007) ku dhe punoi po në këtë universitet në "Widening Participation Unit", që është pjesë e departamentit të edukimit në këtë institucion. Autori pas përfundimit të studimeve në fushën e artit, medias dhe filmit ka krijuar këto filma dhe dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë: “Trokamat në Jetën e një Pene” (2003), “Rivermusic” (2004), “Windy Corner” (2006), “Clouds of Smoke” (2007) etj. “Windy Corner” dhe “Clouds of Smoke” janë përzgjedhur nga Britfilms dhe janë renditur në historinë e filmave britanikë. Vlen të theksohet se filmi i tij i fundit “Clouds of Smoke” (Retë e Tymit) ka qenë filmi i parë i krijuar nga një shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar të ketë fatin të seleksionohet dhe të shfaqet më 5 Qershor 2007 në Curzon Soho, aty ku shfaqen filmat e mëdhenj Hollyvudianë. Filmi është prezantuar edhe në disa festivale (Nju Jork Film Festival), pasi është një bashkëpunim i autorit me DEFRA-n, Departamenti i Mjedisit Ushqimit dhe Aferave Bujqësore në BM, ku është edhe protagonisti kryesor z. Alex Palman, pasuar edhe nga gazetari i mirënjohur i BBC-së Mike Sergant. Shumica e filmave dhe pjesë nga krijimtaria e autorit mund të shikohen në internet në faqen e BBC-së dhe në faqen e tij: http://terziu.googlepages.com. Faqjawww.seguraweb.nl ka përzgjedhur disa krijime të autorit. Krijimet e autorit janë publikuar në UK nga BBC, ku autori ka fituar dhe një kompeticion me tregimin “Hija Diamant” (Ghost Diamond), i cili mund të lexohet në faqet e BBC-së dhe nga mjaft organe të shtypit dhe medias. Pas fitimit të titullit Master në Media, Kulturë dhe Poltikë nga Universiteti i Roehamptonit, z. Terziu është duke vazhduar punën e tij kërkimore ne fushën e medias pranë Roehampton University 
Që prej gjashtë vitesh, boton në internet revistën intelektuale kulturore-letrare, “Fjala e Lirë”, dhe është që nga maji i këtij viti, kryeredaktor i gazetës “Albanian Mail”,  e cila botohet në Londër”. 
Eshtë edhe mik e studiues i aktorit më popullor në Britani, Norman Wisdom ( Pitkini) i njohur edhe tek ne me filmat e tij komik. 
           
Me botimin e revistes internetike  “Fjala e Lirë”, ka mundur të mbledhë e të njohë më tej krijimtarinë e autorëve shqiptarë, sidomos të atyre në diasporë, ku nuk mungojne edhe analiza e kritika, të cilat vlerësohen si shumë profesionale e bashkohore. Emra si Agim Shehu, Pëllumb Kulla, Faruk Myrtaj, Iliriana Sulkuqi, Roland Gjoza, Kolec Traboini, Mëhill Velaj, Vaid Hyzoti, Sami Milloshi, Lazër Stani, Nase Jani, Aleko Likaj, Andi Meçaj, Kostaq Duka, John Hodgson (përkthyesi i parë i Kadaresë në anglisht) etj., janë bërë pjesë, jo vetëm e stafit, por edhe “bërthama” rreth së cilës janë afruar plot intelektuale dhe krijues në disa kontinente, deri në Australinë e largët.
Fatmir Terziu është bërë tashmë tepër i njohur, jo vetëm në diasporën shqiptare, në fushën mediatike, por edhe në atë të kritikës letrare, po si mendon ai, konkretisht?
Është në fakt e rrëndësishme një gjë. Ajo lidhet me modestinë. Shpeshherë ne e flakim rëndësinë e saj dhe, disa herë e mbysim atë. Për mua njohja vjen nga puna. Kur puna vlerësohet, atëherë edhe njohja vjen në kohën dhe vendin e duhur. Në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, në të cilën ne jetojmë, natyrshëm, edhe njohja është më e lehtë. Njihesh si për mirë, ashtu edhe për keq, në disa minuta. Interneti e përcjedh këtë mesazh gjithandej. Dhe në këtë aspekt, unë mendoj se sot shumë intelektualë, janë bërë njohje dhe model për të gjithë. Ata punojnë me ngulm që t’i ndryshojnë emrin e keq shqiptarisë nëpër botë. Në këtë mes është edhe veprimtaria ime, që unë mendoj se, është vetëm një grimë, nga ajo që bëjnë dhe promovojnë intelektualët dhe shqiptarët në botë.
 
Cilat kanë qenë fillimet në fushën e medias? 
Një poezi dhe një tregim më kanë bërë të fluturoj, kur i kam parë në gazetë. Isha nxënës i shkollës së mesme, kur i pashë ato të botuara në shtypin lokal të asaj kohe. Ato i përkasin vitit 1978. Më pas, kam punuar e bashkëpunuar me gazeta të ndryshme si “Sporti Popullor”, “Luftëtari”, “Puna”, “Tirana”, “Shkumbini”, “Ushtima e Maleve”, “Bashkimi” etj. Më vonë pas viteve 90-të, kam bashkëpunuar me gazeta të ndryshme, dhe kam drejtuar “Fjala e Lirë” për disa vjet. Kam shkruar vazhdimisht, por dritën e botimit, e gjeti vëllimi im i parë poetik, “Mos Hesht”, botuar nga shtëpia botuese “Sejko”, ku më pas u botua “Djalli i Argadasit”, “Ecje në Qelq”, “Krokamat”, “Mot i Qashtër”. Librat e tjerë janë botuar nga “Lulu”.
 
Në librin «Mot i Qashtër» kemi lexuar edhe shënime, ose më saktë, e thënë, «Nga blloku i gazetarit…», cilën do të veçoje si përjetimin më të keq në detyrën e atyre viteve?
Janë shumë, por do të përmendja këtu vitin 1997, kur unë isha ngarkuar at’here nga “RD”-ja, të ndiqja Presidentin e asaj kohe në vizitat e tij. Ishte vizita në Gjirokastër, që për pak, desh më kushtoi me jetën. Pasi mbaroi mitingu në Pallatin e Sportit të qytetit, dhe më pas mes studentëve, thuajse u bë natë. Në të hyrë të Tepelenës ishin ngritur postblloqe. U detyruam të ktheheshim. Në rrugën për në Ersekë, andej nga Përmeti, një rrugë ushtarake, na i shpuan gomat e makinës. Makina ngeci. Desh Zoti, që në makinën e gazetares së Radio Tiranës, Zamira Koleci, kishte vend dhe ne shpëtuam… Të tjerët janë raste që duhen harruar, e për të mos i kujtuar kurrë.
 
Po ngjarja që ju ka emocionuar më shumë dhe që e keni përcjellë pastaj tek lexuesit?
Ishte koha e Luftës në Kosovë. Unë duhej të raportoja nga Kampi i Stankofcit në Maqedoni. Kur mbërrita, pashë atë skenë mizore, mes policësh dhe njerëzish në nevojë. Njërëz me e pa uniformë më rrethuan, dhe më rrëmbyen kamerën, ishin gati të më mbërthenin mirë, për fat, erdhën disa vëzhgues të huaj, dhe nuk e kuptova as vetë si më liruan. Atë ditë kam raportuar nga telefonat e Universitetit të Tetovës, për të cilin kisha realizuar pak kohë më parë një dokumentar. Ndjeva emocione, dhimbje dhe gëzim njëherësh, që arrita të jap lajmin i pari për mediat shqiptare, mbi atë kamp, që edhe sot më ngjedh mornica në trup. Njerëz të pafajshëm të përzënë nga vatrat e tyre, thaheshin për një pikë ujë, nën një rregjim policor të pakuptueshëm…
 
A e ka përkëdhel fati Fatmir Terziun pas largimit nga Atdheu? Jeta e emigrantit në Londër?
Askënd në emigracion, nuk e mendoj se është në një aspekt të lehtë njerëzor, në procesin e integrimit. Askënd nuk e mendoj, se është i përkëdhelur nga fati. Por edhe nëse ka ecur paksa, do të thoja se, është mundi dhe përkushtimi i tij profesional. Në Perëndim, askush nuk të thotë ‘bujrum’, dhe hajde se je njeri i mirë. I mirë është ai që punon, dhe me punë realizon ‘përkëdheljen’, që në fakt, gjithkujt në emigrim i mungon. Integrimi është i thjeshtë për t’u shqiptuar, por shumë i rëndë për t’u arritur. Gjithësesi, tani është pak më ndryshe, pas disa vitesh.
 
Shkelët për të parën herë, në një fushë krejt të re për ju, në botën e kinemasë. Cilat kanë qenë impresionet tuaja për të? Po krijimtaria?
Në fakt, siç e përmenda edhe më parë, kisha tentuar të realizojë diçka vizive, por thjesht televizive. Puna ime në televizion, më ndikoi disi në këtë vendim. Por filmi sot ka emër tjetër. Filmi i shkurtër është si të thuash, një dhunti e re në rritje. Krijimi i një filmi të tillë kërkon muaj, edhe pse shikimi i tij përfundon për disa minuta. Të thuash një ide në pak minuta, do shumë talent. Këtu duhet folur shumë, por unë preferoj që t’ja lë kohës fjalët. Vlerësimi i filmave të mi të shkurtër, dhe çmimet për to, më kanë shtuar së tepërmi etjen për më tej. Planet janë gati, dhe pres vetëm financimin nga British Council. Kam një kërkesë nga filmkrijuesi anglez, Derek Smith, por le të shohim se ç’do të ndodhë pas bisedimeve.
 
Si keni punuar në filmat tuaj, dhe mënyra se si i keni gjetur aktorët. Raportet me sponsorët, por edhe organizuesit e filmit?
Në Britaninë e Madhe, ka ligje të shkruara dhe të pashkruara për këtë. Aktorët, mjetet, sponsorët etj., duhet ti gjesh vetë. Këtë e kam bërë me angazhim, dhe padyshim me sukses. Të përfshish Grainne Gillis në filmin tënd, duhet të jesh me fat. Ajo tashmë ka oferta të mëdha, dhe unë ndjehem krenar. Apo edhe Tara Jones. Filmi “Clouds of Smoke”, ka konkuruar në Courson, dhe ka marë çmimin “Best Mention”. Kështu raportet janë në nivel, dhe puna e rezultatet flasin qartë. Në Londër, puna me ekip flet më shumë, se sa një arritje personale. Kjo është alfa e një pune me organizuesit, ose më saktë me ekipin.
 
Cilat kanë qenë vlerësimet nga kritika angleze në këtë fushë?
Do të preferoja të thoja paksa, diçka për të qartësuar. Këtu nuk është thjesht kritika, por fjala e specialistit, siç është e mirënjohura Ann Ross Muir, drejtoreshë e një prej dramave tipike angleze, Eastenders, apo Dr. Charlotte Crofts, e akademikët Chris Elliott, dhe Richard Dacre etj. Fjalët e tyre nuk janë vetëm inkurajuese, por edhe shtytëse në krijimtarinë time. E tillë është edhe fjala e regjisores së BBC-së, Lucy Moore, për skenarin tim “Red Devil”.
 
Keni tashmë një projekt të ri në realizimin e një filmi. Cili është subjekti i tij? 
Ky është një film, që ka të bëjë, me një lidhje britanike me Shqipërinë. Filmkrijuesi anglez Derek Smith, ka marë shkas nga një essè timen për filmin shqiptar, dhe tematika është disi e larmishme. Ashtu siç thashe edhe më lart, puna është në procedurat e bisedimeve, dhe këtë rradhë, nuk mund të flas më tepër.
 
A do të konkurojnë filmat e Terziut në festivale të mëdha ndërkombetare? 
Për një krijues, festivalet nuk janë ëndërra, është një angazhim. Por sot, marja pjesë në festivale, është punë kohe. Po të dërgosh filmin, dhe të mos kesh kohë ta ndjekësh, siç ndodh puna ime, që jam i angazhuar, është paksa e vështirë. Le të shpresojmë, se e ardhmja do të flasë më qartë.
 
Ç’mendon sot për gjendjen dhe pozicionin e kinematografisë shqiptare e konkurimet e saj? 
Dua ta nis nga pozitivja, dhe jo nga debatet, që shpesh e përfshijnë këtë fushë të medias. Është një rast i mirë, që një film i regjizorit Milkani, ka marë dritën për në “Oscar”. Është mirë të themi, se filmi shqiptar do të marë fytyrën e tij. Disa filma që janë realizuar, si bashkëpunim me të tjerët, janë një sinjal i mirë.
Të bëjmë sikur «harrojmë» për një moment filmin, dhe ta lëmë pas atë për t’ju kthyer medias, ku ju jeni diplomuar në Universitetin e South Bank të Londrës.
London South Bank University, ku kancelar është i mirënjohuri i gazetarisë televizive, Trevor MacDonald, është tashmë një universitet me emër në Londër. Por Universiteti i Roehampton në Londër, ku unë mbarova masterin me rezultate të larta, dhe ku vazhdoj doktoraturën, më duket se po më ‘forcon’ dijet e mara, që tashmë duhet ti ndaj edhe me të tjerët.
 
Me kritikën letrare, ju keni patur kontakte të hershme, madje që pas vitit 90-të, ku keni bërë disa analiza për figura të njohura të letrave shqipe. Në ç’dimension ndodhet ajo sot brenda vetes suaj?
Sot është një fakt. Arkiva e Bibliotekës Kombëtare flet hapur. Dhe kur shikoj online analizat, dhe kritikat e mia letrare të viteve më parë, shpeshherë them në heshtje, diçka më shumë për atë që duhet të bëj sot. Kritika letrare dhe analiza, gjithashtu vijnë nga njohuritë për të, nga leximet e shumta, dhe nga bagazhi i fjalëve bindëse për krijuesin. Unë lexoj shumë dhe shkruaj gjithmonë. Kjo më bën të jem sot në këtë stad. Por kultura britanike e analizës dhe kritikës letrare, më ka dhënë garancinë dhe sigurinë e përzgjedhjes, dhe dhënies së inkurajimit atij që i takon. Shumë krijues të sotëm, tashmë kanë krijuar besim në fjalën time, dhe unë shpresoj të mos e shpërdoroj atë.
 
Cilat janë temat që përbëjnë sot gazetën «Albanian Mail» që ju drejtoni në Britani? Si trajtohen hallet dhe shqetësimet e emigrantëve, dhe si i përcjell tashmë ajo? 
Gazeta botohet me dashamirësinë e një shqiptari biznesmen të sukseshëm në Londër. Nik Berisha, është një njeri që i ka afruar komunitetit shqiptar, mundësinë e një gazete. Dhe kjo mundësi tashmë është në baza profesionaliste, ku trajtohen rubrikat e komunitetit, emigracionit, arritjeve rinore, dhe më tej me problematikën e jetës.
 
Krijimtaria dhe planet krijuese për të ardhmen? 
Krijimtaria ime është komplekse. Si e tillë ajo lëvrohet në çdo minutë, në çdo hapësirë. Unë kam në proces, një roman me tematikë nga viti 1997-të, dy vëllime me tregime, dhe një me poezi. Dy vëllimet me analiza dhe kritika letrare, shpresoj që të shohin dritën e botimit shumë shpejt.
 
Njohja me Sir Norman Wisdom dhe studimi juaj?
Kur mora përsipër të realizoja studimin tim mbi Parametrat Narrativë të Filmave të Sir Norman Wisdomit, i njohur si Pitkini në Shqipëri, dy supervizorët e mi, Dr Philip Hammond dhe Dr Anna Reading ishin në dilemë. Ata nuk besonin në mundësinë për të krjijuar një vepër të tillë. Kur unë u fola se vija nga Shqipëria dhe njihja diçka nga krijimtaria e tij, ata heshtën. Më pas mbi 60 mijë fjalë për këtë temë habitën akademikun Richard Dacre, një nga biografierët e hershëm të tij. Ai pasi pa studimin tim e quajti “Punë tërheqëse e Fatmir Terziut”, dhe shkruajti në disa revista online. Kështu dhe rezultatet folën qartë. Këto rezultate më afruan mundësinë që të ftohesha nga organizatorët e festimit të 91 vjetorit të ditëlindjes së Wisdom. Dhe aty pata rastin që ta takoj për së dyti aktorin me famë në Britaninë e viteve 60-të, dhe heroin shqiptar të asaj kohe, falë roleve të tij që ne shqiptarë e konsideronim si sinonimin e komedise së ekranit të madh. Në takimin disaminutësh me të i kujtova pyetjet që i pata bërë kur ai erdhi për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Angli. Ai vetëm bënte shaka, kërcente dhe tentonte të dëfrente të tjerët. Më tha vetëm kaq “Albania, I love you…”. U bëmë dhe mbetëm miq.
 
Tani ai është i sëmurë dhe sëmundja e tij Alzhemir e ka detyruar të jetë në izolim nga të tjerët. Por në mëndjen time, mbetet një kujtim i mirë dhe i ndjeshëm nëpër vite. Ai mbetet gjithmonë një shkollë më vete filmi, një art më vete në gjininë “slapstick”. 
Unë e adhuroj atë.
 
Të vijmë tashmë tek jeta familjare e Terziut.
Shumë vetë e kanë thënë hapur: “Familja është mbi çdo gjë”. Dhe për mua, gruaja ime e përkushtuar ndaj meje dhe tre fëmijëve të mi, si dhe arritjet e saj, janë një hapësirë e madhe për të më dhënë më shumë kurajo krijuese. Familja ime është mbështetja kryesore, pastaj edhe hapësirat që të jep Britania e Madhe.
 
A ndjehet krenar Fatmiri për sukseset e fëmijëve të tij?
Natyrshëm po. Emocionet shtohen kur sheh djalin e madh Andin me rezultate yje në GCSE, vajzën në mesin e krijuesve të rinj britanikë, dhe binjakun e saj të shkëlqejë në shkollë. Këtu modestia flaket, dhe krenaria bëhet plotësisht publike. Edhe po të bëhesh modest, nuk të lënë gazetat e këtij vendi, se ata e gjuajnë, njësoj si të keqen dhe të mirën. Dhe kështu për fëmijët e mi kanë shkruar mjaft gazeta, sidomos “Ëandsëorth Borough Neës”, “Yorkshire Times”, etj.
 
Në jetën e përditshme aty në Londër, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës dhe të politikës angleze, sa është prezent Atdheu ynë Shqipëria në marëdhëniet me ta? 
   
Para ca kohësh, po bisedoja me përkthyesin e parë të Kadaresë, John Hodgson. Ai më tha kështu: “a e di Fatmir, se tashmë Shqipëria ,nuk ka ndonjë ndryshim nga Perëndimi?...”
Le ta zbërthejmë këtë pyetje. Në Londër të paktën emri shqiptar tani tingëllon më ndryshe. Personalitetet e këtij vendi kanë kuptuar tashmë sensin shqiptar, dhe me këtë po ndërtohet respekti për Shqipërinë. Nga Atdheu i dytë ku jemi, ne ndjejmë krenari për Atdheun tonë, për Shqipërinë.
   
Si ndjehesh në komunitetin shqiptar të Londrës dhe atë mediatik? Cilat janë marëdhëniet me kolegët?
Shumica tashmë besojnë se Shqipëria do të bëhet edhe më e mirë. Dhe një pjesë mendojnë investimin në Atdhe. Ndërsa marrëdhëniet me kolegët, janë marrëdhënie pune dhe interesash në fushën mediatike.
 
A beson Fatmir Terziu në një të ardhme të shpejtë dhe më të mirë të vendit të tij, dhe a do të mund të kthehet për të kontribuar aty?
Edhe unë jam e mbetem optimist. Por intelektuali si i tillë, shpeshherë e shuan optimizmin për arsye të ndryshme. Kontributi është edhe ky që ne japim. Një kontribut i tillë, kurrë nuk është as larg, as afër. Të tjerat le t’ia lëmë kohës.

Intervistoi Raimonda Moisiu

Intervistë me Prof. Dr. Murat Gecaj*, publicist dhe studiues



Nga Raimonda Moisiu

Barazpesha, “çelësi” i çdo arritjeje të jetës sime

Ka fituar respektin e inteligjencës dhe qytetarisë shqiptare; ka merituar vlerësimin e analistëve dhe kritikëve të kohës për  ndihmesën e shëndetshme dhe shoqërore që jep, me penën e tij publicistike dhe studiuese. Me një përvojë të pasur  krijuese, argumenton bindshëm se publicisti dhe studiuesi është ajo pjesë e inteligjencës gjithmonë në kërkim të së vërtetës dhe më njerëzores; dëshon dallimin  ndërmjet vlerave vetjake dhe atyre morale e qytetare të lirisë. Me ritmin e krijimtarisë së tij, me shkrime dhe reportazhe, analiza dhe studime të hollësishme, arsimore, historike dhe folklorike, në revistat periodike shqiptare dhe shtypin e kohës, brenda e jashtë vendit; autor i disa librave dhe i mbi njëqind punimeve publicistike,studimore,shkencore,historike dhe monografike; mësimdhënës, gazetar dhe redaktor gazetash, ai është një intelektual i cili gëzon respektin e gjithë atyre, që e njohin; i dallueshëm me botën e tij të pasur shpirtërore dhe ndjenjat fisnike njerëzore, duke i gërshetuar ato natyrshëm me botimet gjithnjë në rritje, ku spikatin motivet historike, shoqërore dhe idetë demokratike.
Për më tepër, ndiqni intervistën.
GK
Prof. Dr. Murat Gecaj
1. Prof. Gecaj, para së gjithash, ju falenderoj shumë për kohën tuaj të vlefshme për të ma dhënë këtë intervistë! E, pra, pyetja e parë, që unë dëshiroj t’u bëj, është: Jeni publicist dhe intelektual. Çfarë përgjegjësie ndjeni ju, në një vend si Shqipëria?
- Pyetja juaj, ndoshta, është paksa me “spec” brenda. Megjithatë, po jap shkurt ndonjë mendim. Është e vërtëtë se intelektualët e të gjitha fushave të jetës kanë përgjegjësi të madhe për fatet e vendit të tyre, në këtë rast të Shqipërisë sonë. Që secili ta përmbushë sa më mirë detyrën e tij, në këtë drejtim, lipset të jetë i përkushtuar në profesionin dhe punën e tij, por edhe në tërë jetën politike e shoqërore të vendit. Në këtë kuptim, jam përpjekur dhe përpiqem që ta jap sa më shumë dhe sa më mirë ndihmesën time modeste. Megjithëse ka vite që jam në pension, nuk e kam parë këtë gjë si një kohë “çlodhjeje” e “pushimi”. Përkundrazi, çdo ditë jam i pranishëm në veprimtari të ndryshme, që zhvillohen në kryeqytetin tonë, ku jam pjesëmarrës, por shpesh dhe organizator e referues etj. Gjithashtu, në vazhdimësi shkruaj në shtyp, brenda e jashtë vendit, përgatis emisione ne Radio-Tirana etj. Një fushë e veçantë për mua janë publikimet në faqe të ndryshme Interneti, si LGSHD, “Fjala e Lirë”, “Bota e Re”, “Albemigrant”, “Facebok”, “Netlog” etj. Po kështu, ka mbi 10 vjet që kryej detyrën shoqërore, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Në këto raste, gjithnjë e kudo, shfaqi mendimet e mia të pavarura e të lira, pra pa ndikimin e ndokujt, me synimin e vetëm përparimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe futjen e saj të sigurt në rrjedhat e shoqërive europiane e verio-atlantike.
Sigurisht, jam i ndërgjegjshëm se edhe unë mund e duhet të jap më tepër në këtë drejtim, duke e ndierë më shumë veten “përgjegjës” për problemet e shumta, me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.

2. Mund të na tregoni diçka rreth vetes tuaj, arsimimit, për interesat dhe përvojat e punës, në të kaluarën? 
-Në përgjigje të pyetjes suaj, në mars 2010 kam publikuar librin jetëshkrimor “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”, për të cilin janë bërë vlerësime pozitive në shtyp dhe radiotelevizionin tonë e jashtë vendit. Por, me pak fjalë, mund t’u tregoj se jam me origjinë nga fshati Curraj i Epërm i krahinës së Nikaj-Mërturit. Nga ai fshat e ka prejardhjen edhe “Heroi i Popullit” Bajram Curri (dëshmon për këtë gjë dhe mbiemri i tij), parardhësit e të cilit ishin vendosur, shumë vite më parë, në Gjakovën e Kosovës. Ndërsa paraardhësit e mi u shpërngulën prej andej që në fundin e shekullit të 19-të dhe u vendosën nëpër lagjet e fshatit Bujan, të Malësisë së Gjakovës. Aty punuan përgjysëm tokat e të tjerëve, deri pas çlirimit të vendit, pra me kolektivizimin e bujqësisë.
Kam lindur mbi 70 vjet më parë, në lagjen Rosujë të Bujanit. Shpejt mbeta jetim, pa nënë, që në moshën 4,5-vjeçare dhe më rritën babai e njerka, të cilën e kam patur mjaft të mirë. Arsimin 7-vjeçar e kreva atje, në kushtet e një rrethi malor, me borë e të ftohtë, pasi dhe shkollën e kisha larg. Arsimin e mesëm e mbarova në kryeqytet, siç do të tregoj dhe më poshtë. Ndërsa Universitetin e kam nisur në Tiranë , në vitin 1958 dhe një vit jam specializuar për dialektologji në Universitein “Zhdanov” të Petërburgut (Rusi). Pas mbarimit të shkollës së lartë, më 1963, në degën gjuhë-letërsi shqipe, kam shërbyer pothuajse gjithnjë në shtyp: në gazetat “Pionieri” e “Bashkimi” dhe, së fundi, në “Mësuesi”, afër 22 vjet radhazi, deri sa dola në pension, më 2002.
Brenda kësaj periudhe kohore, kam punuar mbi 7 vjet me rininë e kulturën, në vendlindje, ku në vitin 1966 më kishin dërguar familjarisht, si “vullnetar”. Është e kuptueshme se, gjatë atyre viteve, kam vazhduar të shkruaj jo vetëm në ato gazeta, por dhe në mjaft gazeta e revista të tjera të vendit tonë. Prandaj dhe më rikthyen në shtyp, në janar 1974. Po kështu, nisa të merrem me studime qëkur isha student. Në Universitet mbrojta diplomën, me vlerësimin “shumë mirë” dhe me oponent Akademikun Eqrem Çabej, në fushën e dialektologjisë. Në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës kisha përshëndetur punimet e Konferencës së Parë të Studimeve Albanologjike. Më vonë, kam ndjekur pothuajse të gjitha konferencat shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, që janë zhvilluar në Shqipëri. Në vitin 1972 isha pjesëmarrës dhe lexova një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Kam marrë pjesë në ekspedita kërkimore e shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë dhe kam mbledhur materiale me interes në këtë fushë, si dhe në ato të folklorit, etnografisë etj., gjë që është pasqyruar më vonë në botime të ndryshme shkencore. Kjo përvojë pune ishte baza, që më formoi e më hapi udhën që, pasi dhashë këtër provime pasuniversitare e tri universitare në fushën e pedagogjisë, të shkruaja e të mbroja disertacionin dhe të merrja gradën “Doktor i Shkencave Pedagogjike” e më tej titullin “Profesor i asociuar”.

3. Nga jetëshkrimi tuaj, vërejmë se kini botuar shumë libra? Ç’ mund të na thoni në lidhje me tematikën dhe ngjarjet e figurat, që ju përshkruani, për të publikuar punën dhe veprën e tyre?
-Libra kam botuar disa, por jo “shumë e për lumë” dhe jam i kënaqur se ato kanë zënë vendin e tyre të merituar ndërmjet librave publicistikë e studimorë. Pra, si të thuash, janë “unikë” për tematikën e tyre. Libri im i parë ishte “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Në formë reportazhesh nga qytete e fshatra të ndryshme, shoqëruar dhe me mjaft fotografi, e kam pasqyruar realisht atë vend të shkatërruar dhe kam shkruar për të rënët në fushën e betejave për liri, pas luftës së përgjakshme dhe fitores përfundimtare mbi pushtuesit shumëvjeçarë serbë. Libri i dytë ishte “Nëpër udhët e shkollës shqipe” (Tiranë, 2001 dhe ribotim 2008). Aty flitet shkurt për historikun e çeljes dhe funksionimit të shkollave të para në gjuhën amtare, sipas rretheve të ndryshme të vendit. Më tej, kam bërë jetëshkrimin e 25 profesorëve të mi, si gjuhëtarë, historianë, folkloristë etj., në librin “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002). Bazuar dhe në punën për disertacionin tim, kam shkruar librin “Normalistë të parë të Shkupit” (Kumanovë, 2002). Me interes është dhe monografia “Salih Myftar Kolgeci: Një jetë për Atdheun e arsimin tonë kombëtar”(Tiranë, 2006)…
GK
Murat Gecaj, në vitet e studimeve universitare
4. Ju lutem, na tregoni diçka më tepër për punën tuaj të kohëve të fundit, pra për librat e botuar në këtë vit, më 2010: “Ëndërrat ‘e grisura’ të jetës sime”, dhe “Bedri Deja, në kujtesën tone…”. Si arritët të përuroni dy libra, brenda një viti?
- Të përurosh dy libra në një vit, nuk është gjë e vështirë. Por t’i shkruash ata dhe të ndjekësh tërë procesin e përgatitjes dhe të botimit të tyre, sigurisht që kërkon mjaft punë e përkushtim. Në të vërtetë, librin tim jetëshkrimor kisha nisur ta shkruaja disa vite më parë. Bile, gjatë kësaj kohe, i kam botuar librat e mësipërm. Ndoshta, nuk do ta kisha publikuar atë, por u bënë nxitje bashkëshortja, Katerina dhe djemtë tanë, Ariani e Altini dhe vjaza, Mirela. Mendoja që t’i sistemoja kujtimet e mia të jetës dhe t’i leja ashtu për pasardhësit, pra të printura e të lidhura. Mipërpo, ata këmbëngulën në publikimin e kujtimeve të mia dhe këtë gjë e realizova. Se, pa u zgjatur, tregoj që në vetëvete kisha dhe pikëpyetje: Vallë, a do t’u intersonin të tjerëve episodet e jetës sime? Mirë familjarëve të mi, po atyre çfarë do t’u vlenin? Me publikimin e këtij libri, disa nga këto hamendje të miat morën përgjigje pozitive. Kjo sepse, materialit jetëshkrimor i bëra njëfarë “krehjeje” dhe u përpoqa t’i jepja edhe karakter shoqëror.
Një libër tjetër, që u përurua kohët e fundit, pra më 19 nëntor 2010, në një Konferencë përkujtimore ranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, është: “Bedri Dedja, në kujtesën tonë…”. Aty kam përmbledhur e sistemuar shkrimet dhe kujtimet e 48 pedagogëve, profesorëve e akademikëve, miqve e dashamirëve të tij. Ky botim u mundësua nga e bija, Edlira Dedja (Bytyçi), një deshirë dhe e nënës së vet, Pandorës, e cila është ndarë nga jeta në fillimin e këtij viti. Libri është afër 370 faqesh dhe bashkautorët janë nga rrethe të ndryshme të vendit e nga Kosova, por dhe nga diaspora shqiptare: Amerika, Anglia, Italia, Franca, Zvicra, Suedia, Rumania, Belgjika e tjerë. Në tërësinë e tij, libri është një nderim e vlerësim për jetën e përkushtuar shumëplanshe të Prof. B.Dedjes-Akademik e “Mjeshtër i Madh”, pedagog e psikolog, shkrimtar e publicist, autor i shquar i Shekullit XX. Ish-student dhe mik i tij i afërt dhe i familjes, për një peridhë afër 50-vjeçare, jam tepër i kënaqur dhe i emocionuar, që arrita ta publikoja këtë libër dhe të merrja e vazhdoj të marr falënderimet e mjaft njerëzve, që e kanë njohur nga afër Bedi Dedjen.
Nuk di se sa keni interes ta dini, por u tregoj se kam dhe disa libra të tjerë në dorëshkrim. Pubklikimi i tyre pengohet nga pamundësia ime financiare dhe mungesa e sponsorizimeve. Po përmend vetëm tematikën e tyre: Jetëshkrime të disa nënave dhe edukatoreve; jetëshkrime të disa atdhetarëve shqiprë; 60-70 jetëshkrime të mësuesve veteranë, nga Gjakova e rrethinat e saj; për udhëtimet e mia jashtë vendit, si në Nju Jork, Itali e Francë; monografi kushtuar
’Mësuesit të Popullit” Sali Gjukë Dukagjini e një tjetër për Dr. Safete Jukën; “Shënime për autorë dhe librat e tyre”, “Adem Jashari dhe trimat e tij”, “Vrojtime pedagogjike”, “Plagët e mërgimit” e tjerë.

5. Ju keni publikuar pafundësi shkrimesh, libra publicistikë, studime shkencore dhe për ngjarje historike. Çfarë ju ka motivuar, në këtë drejtim dhe cilat janë disa nga vlerat e tyre?
- Një kusheri i imi nga nëna, psikologu Prof.Kolë Tahiri, tani me banim familjarisht në Bruksel, më ka bërë një kërkesë jo të paarsyeshme e shoqërore. Pra, dëshiron që unë të përgatis një bibliografi të shkrimeve të mia. Por, me keqardhje, ia kam thënë dhe atij se, tani për tani, pothuajse e kam të pamundur ta realizoj këtë gjë. Kjo për arsye se kam nisur të shkruaj në shtyp, në gazeta e revista, që në dhjetor 1954 dhe nuk e kam ndërprerë asnjëherë bashkëpunimin, deri më sot. Janë rreth 45 gazeta e 30 revista, brenda e jashtë vendit, me të cilat kam bashkëpunuar gjatë këtyre viteve. Ndërsa kohët e fundit shtohen dhe publikimet e shumta në Internet, bashkëpunimet me radio të ndryshme e tjerë. Megjithatë, asgjë nuk është e parealizueshme…
Lidhur me motivimin, për të cilin pyesni ju. Ka qenë pasioni i punës sime dhe i profesionit të gazetarit e studiuesit, që më kanë nxitur të vëzhgoj, të hulumtoj e të shkruaj. Ka ndikuar në këtë drejtim dhe njohja nga afër e familjarëve ose lidhjet e tërthorta me disa njerëz, për të cilët kam shkruar, siç kanë qenë edhe disa atdhetarë të shquar, që nga Bajram Curri, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Haxhi Zekë Byberi e tjerë. Po kështu, objekt i shkrimeve të mia kanë qenë pedagogët e Universitetit. Ndërsa temat e trajtuara në studimet e mia, publikuar kryesisht në revistat shkencore, janë nga fushat e arsimit e kulturës, gjuhësisë e letërsisë e tjerë, me të cilat jam marrë gjatë jetës.
Sigurisht, për vlerat e këtyre studimeve janë lexuesit ata, që e thonë më mirë fjalën e tyre. Por mendoj se nuk kanë qenë pa interes këto punime. Kështu, po tregoj këtu se atyre u janë drejtuar edhe studiues të fushave përkatëse, jo vetëm në Shqipëri, por sidomos në Kosovë e Maqedoni. Në librat e tyre shpesh kanë dhënë indekse të librave e punimeve të mia. Sigurisht, kjo është dhe njëfarë përgjigjeje për pyetjen tuaj.

6. Le të kthehemi pas në kohë: Si nisët të publikoni në shyp? Cili ka qënë shkrimi i parë në fushën tuaj të gazetarisë? Po më pas, si e vazhduat këtë udhë të bukur?
-Ju pyesni se si nisa të shkruaja në shtyp dhe cili ishte motivi shtytës. E them sinqerisht se nuk e di arsyen, pasi nuk kam patur ndonjë në familjen a rrethin tim familjar që të jetë marrë me shkrime, pasi prindërit i kam patur analfabetë. Por mbaj mend që, në vitet e para të shkollës së mesme, kisha nisur të lexoja shumë libra, bile dhe ndonjë “të ndaluar” për kohën. Pra, ndoshta, shkrimi në shtyp lindi si një nevojë e brendshme e imja për t’u shprehur. Por nxitje u bë dhe një shok i imi i bankës. Ai njihte redaktorin e një gazete ushtarake dhe kishte nisur të publikonte aty informacione të thjeshta. Nga kërshëria, e pyeta se si ia kishte arritur kësaj dhe pastaj sikur bëmë “dyluftim”, pra garonim se cili të shkruante më shpesh e më mirë. Për herë të parë, emri im në gazetë ka dalë më 12 dhjetor 1954, poshtë një informacioni të vogël. Më tej, kolegu im nuk u mor fare me gazetarinë, ndërsa unë nuk iu ndava asnjëherë asaj. Shkrimet në shtyp i vazhdova pa ndërprerje edhe në vitet e studimeve universitare, bile edhe kur isha në Petërburg. Ndërsa më pas u bëra profesionist, në këtë fushë të bukur të krijimtarisë.

7. Kur e kuptuat se publicistika ishte pasioni juaj? Vetëm se pëlqenit të shkruani? Cilat kanë qenë revistat më të pëlqyerat për të bashkëpunuar dhe pse?
-Për këtë gjë u shpreha edhe pak më lart. Vitet e fundit, kolegu e miku im, Prof.Dr. Hamit Boriçi ka publikuar librin “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, ku është dhe një biografi e imja e shkurtër, hartuar prej tij. Në faqen e brendshme të këtij libri kam shkruar “autografin”, me dorën time: “Edhe sikur ta nisja jetën nga e para, përsëri do të bëhesha gazetar dhe do t’i kushtohesha publicistikës”. Kuptohet, pra, se ky ka qenë pasioni më i madh i jetës sime. Ky pasion tek unë lindi vetëvetiu, natyrshëm dhe u forcua gjatë jetës. “Notin” e mësova duke u hedhur në “ujë” vetë, pra jo duke qendruar në breg. Faqet e shtypit dhe shkrimet e të tjerëve ishin librat “shkollorë”, “pedagogët” e mi në fushën e publicistikës. Kam shkruar në revista të ndryshme, por tani, së pari, më vinë ndërmend ato studimoret, shkencoret e kulturoret: “Revista Pedagogjike”, “Kultura Popullore”, ‘Studime filologjike”, “Univers”, “Të drejtat e njeriut”, “Perla”, “Pajtimi” , “Historia e arsimit” e tjerë. Por kam shkruar edhe në ndonjë botim jashtë vendit, si: “Malësia” (Podgoricë), “Rrënjët”(Romë), “Pegasi” (Athinë), “Probleme të arsimit”(Holandë), “Ylberi” (Zvicër) etj. “Pse-ja” e bashkëpunimit me këto revista është e qartë, sepse në këto revista gjej vendin e dukur për t’u shprehur për fushat, me të cilat jam marrë e vazhdoj të merrem gjatë jetës.

8. Si publicist dhe gazetar, a keni ndjerë ndonjëherë shqetësime, ankth apo pasiguri?
-Si të gjithë publicistët, i kam provuar të gjitha këto. Po sjell ndonjë shembull nga vitet e rregjimit monist. Isha redaktor në gazetën e përditshme “Bashkimi” dhe kuptohet ngarkesa e madhe e punëve aty. Shkova me shërbim në qytetin e Krujës. Atje mora të dhëna e përgatita një artikull për punën e të zgjedhurve të pushtetit, i cili u botua. Menjëherë, ai shkaktoi kundërshtimin e kryetarit të organizatës së Frontit, në Mamurras. Ai ngulte këmbë se të dhënat në shkrim ishin të pasakta. Siç dukej, e kishte inatin me deputetin, që përmendja unë. Por, “kur nuk ke se çfarë t’i bësh thumbit, i bie patkojit”. Ai vazhdonte të ankohej me telefonata dhe thoshte se do t’i shkruante letër “shokut Enver” për këtë gjë. Për ta qetësuar, shkova vetë në shtëpinë e tij, por nuk ndodhej aty. Megjithëse e kishte marrë vesh interesimin tim, ai prapë ngulte këmbë në të tijën. Atëherë, iu drejtova për “ndihmë” një sekretari në Komitetin e Partisë së atij rrethi. Ky arriti ta bindë ankuesin dhe, përfundimisht, hoqi dorë që t’i shkruante të parit të vendit. Po kështu, në raste të tjera, kanë reaguar për shkrimet e redaktuara nga unë: Mehmet Shehu, Sofokli Lazri e ndonjë tjetër. Pra, merret me mend shqetësimi e ankthi, që kam përjetuar. Ndërsa pasiguria rridhte natyrshëm përditë, kur e dije se për çdo shkrim të publikuar, mund të binte zilja e telefonit “nga lart” dhe mund të kishe pasoja, si me kritika, analiza, vërejtje në dokumentet vetjake dhe deri largim nga puna e profesioni?!

9. Kush u ka mbështetur shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme studimore, shkencore dhe publicistike?
- Në vitet e monizmit ka qenë një parim i njohur, në çdo punë ose veprimtari, pra ai i “mbështetjes në focat e veta”. Kështu mund të shprehem dhe unë. Gjithnjë jam bazuar dhe sot vazhdoj të bazohem në focat dhe aftësitë e mia. Pra, vetëveten e kam mbështetjen kryesore dhe mburojën apo “yllin mbrojtës” ndaj çdo të keqeje. Sigurisht, në punët, studimet e botimet e ndryshme, dalluar nga pasioni e vullneti im, jam e rrethuar nga mjaft kolegë e dashamirë. Ata, që më kanë ndihmuar dhe kanë shërbyer udhërrëfyes, shembull e nxitës në kërkimet e studimet e para dhe të mëvonshme, kanë qenë mësuesit e shkollës së mesme dhe pedagogët e Universitetit. Nuk dua të përmend këtu shumë emra, por disa prej tyre edhe sot më frymëzojnë për punë, kërkime e studime. Kam patur nderin e fatin e madh të kem pedagogë, figura të tilla të shquara të albanologjisë dhe fushave të tjera të diturisë, si: Profesorët Eqrem Çabej, Aleks Buda, Zihni Sako, Bedri Dedja, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Myzafer Xhaxhiu, Mahir Domi e mjaft të tjerë. Atyre u kam kushtuar librin tim “Filologë që nuk harrohen”. Ndërsa sot kam mjaft kolegë e bashkëpunëtorë, të aftë e të mirë. Me ata jam konsultuar, më kanë dhënë ndihmën e kërkuar, bile dhe kanë bërë recensione, në ose për librat e mi. Emra të tillë të nderuar janë shkrimtari Viron Kona, kritiku Adriatik Kallulli, gjuhëtarët Enver Hysa e Gjovalin Shkurtaj, publicistët Bardhyl Xhama, Skënder Haskaj e Sejdo Harka, studiuesi Isa Halilaj e tjerë.

10. Si një intelektual dhe publicist, çfarë përgjegjësie ndjeni ju, ndaj mërgimit të inteligjencës shqiptare?
- Me këtë pyetje, po më “ngacmoni” në një plagë, që e kam përjetuar gjatë, pra që nga 1991-shi. Më 6 mars të atij viti, dy djemtë e mi, Ariani e Altini emigruan në Asti të Italisë, ku jetojnë e punojnë edhe tani. E dimë historinë e mërgimit të shqiptarëve, që në epokën e Skënderbeut. Por emigracioni i ri dhe masiv i shqiptarëve ndodhi pas përmbysjes së rregjimit komunist. “Përgjegjësia” ime dhe e masës së madhe të intelektualëve shqiptarë për këtë “plagë” të madhe shoqërore ishte dhe është se ne, të gjithë së bashku, përjetuam një ndër rregjimet më të egra komuniste të Europës Lindore. Një shoqëri e tërë e vuajti atë rregjim dhe vetëm era e ngrohtë e lirisë, nga Perëndimi, bëri që të zhdukej një herë e përgjithmonë. Nuk dua të “shfajsohem” për ato, që ndodhën në ato vite te ne. E them pa mëdyshje se edhe unë, me bashkëshorten e fëmijët e mi, i patëm pasojat e atij rregjimi. Por “laku nga fyti nuk mund të hiqet, kur i ke të dyja duart e lidhura”. Mjerimin e atyre viteve, shtypjen klasore dhe sa e sa të këqija të tjera, i përjetuam edhe ne. Veç fuqia jonë ishte vetëm të zienim përbrenda ose të shpreheshim fshehurazi. Se, përndryshe, të priste internimi, burgu ose plumbi. Pra, dhe në detyrën e gazetarit të atyre viteve, e ndieja veten të dhumuar e të pafuqishëm dhe vetëm shërbëtor të një rregjimi, që më shtypte mua, të parin. Ashtu si kolegët e mi.
Në fund, dua të shtoj se tani, pas heqjes së rregjimit të vizave dhe hapjes së re të Shqipërisë ndaj Europës, situatat ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë për mirë. Veç është përgjegjësi e madhe e të gjithë krahëve të politikës shqiptare dhe e pushteteve, që janë e do të vijnë, për të punuar ditë e natë dhe me atdhetarizëm të lartë, që nga Shqipëria jo vetëm mos të emigrojnë më banorët e saj, por në vatrat e saj të rikthehen të gjithë shqiptarët e larguar. Por kjo, sigurisht, kërkon masa të jashtëzakonshme, të menduara mirë nga shteti demokratik dhe me një bashkëveprim të gjithanshëm e atdhetar të të gjithë politikanëve e mbarë shqiptarëve.

11. Na përshkruani një dite tipike tuajën dhe në punën krijuese?
- Nuk e di nëse i intereson lexuesit praktika ime e përditëshme, sidomos tani që jam në pension. Megjithatë, po shprehem. Pas veprimeve të mëngjesit në shtëpi, pothuajse çdo ditë, dal në qytet. Shkaku mund të jetë ftesa për të pirë një kafe me miq e kolegë, por dhe për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme, si përurim librash dhe ekspozitash, pjesëmarrje në konferenca shkencore e tjerë. Pothuajse rregullisht, shkoj në zyrat e Ministrisë së Arsimit e Shkencës, ku kam punuar afër 22 vjet, në rekasinë e gazetës “Mësuesi”, tani revista po me këtë emër. E kam atë koleksion, të paktën, që nga viti 1980. Harrova të shtoj se në çantën time, që e mbaj me vete, vazhdimisht fus librat e kolegëve, që m’i dhurojnë me dashamirësi. Në pamjen e jashtme, këto “ecejake” nuk kanë lidhje me punën time krijuese, sidomos në fushën e studimeve dhe publicistikës. Por nuk është kështu. Pjesëmarrja në veprimtaritë, që përmenda, në takimet e bisedat me miq e kolegë etj., duke patur gjithnjë me vete dhe aparatin tim fotografik, më shërben për të shkëmbyer mendime, për të mbledhur fakte e dëshmi të ndyshme e, pse jo, kështu më hapet horizonti dhe më krijohet mundësia për të shkruar artikuj në shtyp, për të bërë publikime në Internet e tjerë.
Në shtëpi, kthehem para mesditës dhe, në këtë kohë, deri sa të ha drekën, rreth orës 14.00, punoj në kompjuter. Rëndësi u kushtoj mesazheve, që më vijnë dhe përgjigjeve të tyre me korrektësi. Gjithnjë pasdrekeve, pushoj të paktën një orë dhe kjo më qetëson, më çlodhë e më riaftëson për punë. Pastaj, në mbrëmje, përsëri punoj në kompjuter, në shkrime ose libra, lexoj ose shkruaj në ditarin tim. Ndërsa pas darkës, që e hamë rreth orës 20.00, ndjek programe të ndryshme televizive dhe shtrihem për të fjetur pas orës 23.00.

12. Çfarë pëlqeni më shumë në veprat tuaja? Ndonjë çast mbresëlënës në karrierën tuaj publicistike?
- Nuk më duket “aq me vend” pyetja. Por, megjithatë, po ju përgjigjem. Sigurisht, kur shkruan e boton: artikuj, studime ose libra, ndien kënaqësi shpirtërore. Por vetëkënaqësia ose pëlqimi vetjak nuk më shkojnë për shtat. Zakonisht, këto punime të mijat, kur i publikoj, nëqoftëse i rilexoj, i shikoj me syrin kritik. Pra, e gjykoj veten se mund të kisha shkruar edhe më mirë e më bukur, me fraza më të goditura etj. Bashkashortja, mësuese në pension, është lexuesja e parë e studimeve dhe e librave të mi. Vërejtja kryesore e saj është se unë shkruaj si gazetar, pra jo si letrar. Dhe “shfajësimi” im është: “I tillë jam dhe nuk mund të bëhem ndryshe?! Më ngrohin e më gëzojnë fjalët e mira të kolegëve, por dhe i mirëpres vërejtjet e tyre, gojarisht dhe me anën e publikimeve e analizave, sidomos të librave të mi, që shumica janë nga fusha e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar.

13. Ju kini studiuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Si ndodhi, që shkuat atje? Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante dhe profesionale?
- Në vitet ’50-të e ’60-të të shekullit të kaluar, ishte ëndërr e bukur që të shkoje për studime në ish-Bashkimin Sovjetik ose në ndonjë vend të Europës Lindore, se për në Perëndim as që bëhej fjalë. Meqenëse isha me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ishte menduar që atje të dërgoheshin studentë nga krahina të ndryshme për t’u specializuar në degë të ndryshme të gjuhësisë etj., “llotaria” më ra që të më dërgonin pikërisht mua dhe për studime dialektologjike. Kjo sepse Shqipëria Verilindore dhe, lidhur ngusht me të, Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës, kanë veçori karakteristike në të folmet e tyre. Sigurisht, do të specializohesha si dialektolog i përgjithshëm, pra jo vetëm për t’i studiuar këto të folme. Por ndodhi e paparashikuara, që unë nuk i përfundova atje plotësisht studimet. Ndërsa edhe pse mbrojta diplomën për dialektologji, pas Universitetit të Tiranës, përfundova në fushën e shtypit. Ishin dy “kunguj”, të cilët më pëlqenin, por nuk mund t’i mbaja nën një sqetull. Më ra për “hise” ky i dyti dhe nuk u ndava keq me të në jetë.
Përvoja njëvjeçare e studimeve në Ish-Leningrad qe interesante për mua. Kjo sepse, pasi kisha kryer dy vite në Universitetitn e Tiranës, me kombinim lendësh, përsëri ndoqa atje vitin e dytë. E rëndësishme ishte se specializimin e baja pranë albanologes me njohje në botë, Agnia V.Desnickaja. Pas vitit 1990 ajo e vizitoi përsëri Shqipërinë, u takova me të dhe publikova në shtyp një intervistë, që I mora asaj. Në degën e letërsisë ruse, të Universitetit të vjetër e me tradita të shumta, “Zhdanov”, isha mjaft i lirë me leksionet, pra bëja vetëm tri ditë në javë. Kohën tjetër e shfrytëzoja për studime, veprimtari shoqërore, vizita në vende historike e mbresëlënëse etj. Mbaj mend se e kam vizituar disa herë Muzeun e Ermitazhit, Kryqëzorin “Aurora” e Petërgovin, kam parë shtëpinë ku ka jetuar Esenini, kam udhëtuar nëpër lumen e Nevës e tjerë. Në pushimet e dimërit kam vizituar Rigën dhe atje kam parë një ndër observatorët me të fuqishëm etj.
Por, “me verën, bashkë, iku dhe vapa…”. Pra, ajo e shkuar mbeti vetëm në kujtesë, se marrëdhënjet shqiptare-ruse u prishën, më 1961 dhe studimet i ndërpreva në mes. Megjithatë, pohoj se koha e qendrimit në ish-Leningrad ndikoi pozitivisht në formimin tim të përgjithshëm. Kjo u duk qartë në përgatitjen dhe mbrojtjen me sukses të diolomës sime, në fushën e dialektologjisë, me temë të folmen e krahinës së Krasniqes, pra vendlindjes sime, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).

14. Si e barazpeshoni jetën midis karrierës, studimeve, shkrimeve dhe përfshirjes suaj intelektuale me familjen dhe përgjegjësitë e saj?
- Barazpesha, siç e kam përjetuar dhe unë vetë, është një ndër kërkesat parësore, që i vlen një njeriu, që të jëtë i suksesshëm në çdo punë e veprimtari dhe në profesionin, që ushtron, në këtë rast, të publicistit. Që i vogël e kam dëgjuar shprehjen popullore: “Ai ecën si në tehun e thikës!” Pra, kur punon, kur mëson e studion, kur krijon e shkruan, kur udhëton ose merresh me një veprimtari, kur flet ose dëgjon, duhet ta keshë mendjen në vend “top” dhe mos të hutohesh, para çdo të papriture. Se, përndryshe, mund të biesh poshtë! Jeta, sa e bukur është, aq dhe e pamshirshme paraqitet. Prandaj ka rëndësi që kurdoherë t’i ndjesh e t’i kuptosh përgjegjësitë, që ke ndaj familjes, detyrës e shoqërisë, më gjerë. Nënvlerësimi i këtyre përgjegjësive bën që ta prishësh ekuilibrin dhe kjo, domosdo, mund të sjellë të papritura të papëlqyera.
Folëm edhe më lart për shkrimet, studimet e botimet e mia. Pra, nuk dua të zgjatem për këtë gjë. Por, diçka i lidhur me këtë pyetje tuajën, është dhe shpjegimi se përse titullin e librit tim të fundit autobiografik, e kam quajtur “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”. Mendoj se aty I kam dhënë përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Kjo sepse gjithë jetën kam ecur “në tehun e thikës”. Edhe kur kanë dashur të na prishin familjen, nga shkau i “biografisë së keqe”, edhe kur kanë dashur të na largojnë nga puna po për këtë gjë, edhe kur… Por, për fat të mirë, timin e të familjes sonë, çdo gjë na ka shkuar mbarë e mirë, deri sot. Ndoshta, dhe kështu besojmë se, atë “barazpeshën”, nae ka mbajtur të paprishur e të pacënuar një gjykatës mbinjerëzor dhe mjaft i paanshëm.

15. Jeni nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), jetoni në Tiranë. Çfarë nënkupton vendlindja për ju?
- Mund ta quaja rastësi, fat ose, nuk e di, çfarë… Ndoshta, më tepër është e para. Isha rreth 12-vjeçar, kur më sollën këtu, në shkollën ushtarake “Skenderbej” e më pas në atë për oficer. Do të bëhesha i tillë, bile dhe aviator, spse më doli e drejta e studimit për në B.Sovjetik, në vitin 1957. Por, ndodhi e papritura, u sëmura rëndë. Për katë arsye u lirova nga jeta ushtarake dhe, pasi shërbeva një vit në arsim në vendlindje, erdha në Universitetin e Tiranës. Që nga ajo kohë, me ndërpreje 7-vjeçare, kur isha “vullnetar” në Tropojë, gjithnjë kam jetuar e punuar në kryeqytet. Sigurisht, kjo gjë ishte kënaqësi e madhe për mua. Por, njëkohësisht, ishte dhe fat a privilegj për mua kjo gjë. Se, në ato vite, numroheshin me gishta banorët e ardhur në kryeqytet, nga Shqipëria Verilindore. Tirana mua më ka krijuar mundësinë të jem i rrethuar me intelektualë, nga të gjitha fushat e dijes. Ndoshta, nuk është modeste ta them, por kam njohje të gjerë, me mjaft miq, shokë e dashamirë, me intelektualë të të gjitha sferave të jetës, në mes të cilëve të parët janë publicistët e studiuesit. Por nuk mungojnë as deputetët, ministrat dhe politikanët e të gjithë “ngjyrave”. Ndaj këtyre të fundit kam respekt, sidomos kur i venë interest e vetjake në shërbim të zhvillimit e përparimit të vendit dhe nuk abuzojnë me besimin, që u ka dhënë populli.
Vendlindja, Bujan i Tropojës, më emocionon e më motivon në punë, studime e botime. Ajo është si një magnet i fortë, që ma tërheq kujtesën time, për të mos e harruar kurrë atë edhe sepse atje janë varret e prindërve dhe familjarëve tjerë të mi. Është e vërtet se nuk kam ndonjë libër të veçantë për atë krahinë, përveç atij për mësuesin veteran Salih Myftar Kolgeci. Por, pothuajse në të gjithë librat e studimet, që kam botuar, kam gjetur rastin që të flas për atë krahinë të bukur dhe njerëzit e tij, trima e liridashës, arsimdashës e përparimtarë. Ndërsa edhe në jetën e zhurmshme të kryeqytetit, gjithnjë jam ndërmjet bashkëkrahinasve të mi, në purime librash, në gëzime e hidhërime e tjerë.

16. A urren Prof. Gecaj? Po, a jeni zhgënjyer ndonjëherë?
- Prapë më “ngacmuat” dhe po më detyroni të shprehem pa modesti. Në karakterin tim, që i ka rrënjët edhe te prindërit e rrethi im familjar, ka qenë, është dhe do të mbetet deri në fund vetëm dashuria e dashamirësia për të tjerët. Urrejtjen e shpirtligësinë i quaj ndër virtytet e cilësitë më negative të një njeriu, sidomos të intelektualit. Mund të shprehesha gjatë e të jepja disa shembuj, për të dëshmuar se përherë jam përpjekur t’i dua, t’i vlerësoj e t’i nderoj njerëzit, duke nisur që nga ata të familjes, shkollës, punës e shoqërisë. Në plan të parë do të vendosja mësuesit e pedagogët e mi. Nuk kam patur gjë në dorë për t’u bërë mirë të tjerëve, por me zemër gjithnjë jam përpjekur t’ua lehtësoj dhimbjen, t’ua ndodhem pranë e t’I ndihmoj me mundësitë dhe aftësitë e mia. Duke përfituar nga fakti se kam qenë për shumë vite në Dikasterin e Arsimit, janë me dhjetëra nxënësit e studentët, sidomos ata nga Tropoja, Kosova e Maqedonia, të cilët i kam ndihmuar që të regjistrohen e të ndjekin shkollat e mesme dhe të larta. Por kështu, në shtëpinë tonë kanë gjetur vatër të ngrohtë jo një e dy, por me dhjetëra djem e vajza të familjarëve e të të njohurve tanë. Kjo ka ardhur se kjo ka qenë traditë e familjeve tona dhe se me këtë virtyt janë mbrujtur bashkashortja dhe fëmijët e mi.
Lidhur me “zhgënjimin”, për të cilin pyesni ju, mund t’u përgjgjiem: Po, jam zhgënjyer dhe kjo më ka pezmatuar në shpirt. Se ka ndodhur që unë i kam bërë mirë dikujt dhe kam pritur falënderim prej tij. Ndërsa ai, jo vetëm nuk e ka bërë këtë gjë, por më pas, kur “ka dalë në breg”, ma ka kthyer ose “shpërblyer” dashamirësinë time me sjellje ose veprime të padenja. Megjithatë, në këtë rast, me butësinë time, nuk e kam urryer, por vetëm kam shprehur keqardhje per atë person mjeran. Pra, kurrë nuk më ka shkuar as më shkon ndërmend t’i përgjigjem ndokujt me të njëjtën monedhë të keqe, pra me atë “të ndryshkur”.
Në fund, dëshiroj të theksoj se ishte një “testim” i bukur dhe domethënës ceremonia e zhvilluar në Muzeun Hiostotik Kombëtar të kryeqytetit, në mars 2010, me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes dhe përurimit të librit jetëshkrimor “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”. Kjo ngjarje ishte parashikuar të kryehej në një orë dhe vazhdoi dy orë e gjysëm. Përveç fjalëve, që u thanë aty, u lexuan mesazhe përshëndetëse e urimi, nga kolëgë, miq e të njohur, me banim në shtete të ndryshme të Europës, nga Amarika e Kandaja dhe deri nga Kina. Ndër të tjerët, më pëlqeu mesazhi i Kryeministrit të Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha, dikur nxënësi im i shkëlqyer, në klasën e 7-të. Më kanë mbetur në mendje, jam emocionuar dhe jam ndierë shumë i vlerësuar edhe nga fjalat e një punonjësi të atij Muzu, Fredit. Ai u shpreh sinqerisht: “Kam mbi 15 vjet që ndjek veprimtari të ndryshme këtu. Por e tillë, masive dhe emocionuese, nuk është zhvilluar ndonjëherë!”. Ndërsa bija e vëllait tim të madh, mbesa 50-vjeçare, më mori më pas në celular nga Durrësi e tha: “Nuk e paskemi ditur, që kemi një xhaxhai të tillë, kaq të dashur e të mirë edhe për të tjerët!”

17. Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndien një burrë, se ai është i dashuruar?
- Dashuria është ndjenja më e bukur e më fisnike njerëzore, kur di ta japësh dhe ta përfitosh atë, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të saj. Dashuria në çift, gjithashtu, është po kaq e bukur, emocionuese dhe jetëdhënëse. Një burrë e kupton dhe e ndien se është i dashuruar nga partnerja e vet, kur i hapë asaj zemrën, tregohet i sinqertë dhe e respekton atë, si të barabartë në familje dhe në jetë. Ashtu siç e kam theksuar edhe në librin tim autobiografik, gjatë tërë jetës, këtë gjë e kam vlerësuar si të shenjtë dhe të paprekshme.
Ndiej keqardhje që edhe në shoqërinë shqiptare, sidomos kohët e fundit, ka tronditje të bazës së shëndoshë të familjes, pra dashuria në çift është e kërcënuar. Ndoshta, e them këtë gjë si mbartës i traditës së familjes së dikurshme shqiptare. Por nuk më pëlqejnë praktikat e “bashkëjetesës” së çifteve dhe, aq më keq, ndarjet e bashkëshortëve për hiçgjë, pa ditur e kuptuar as detyrimet prindërore ndaj fëmijëve të tyre të pafajshëm.

18. Si jeni ndierë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve dhe hipokritëve?
- Shoqëria shqiptare, tanimë, është në një tranzicion të vështirë, siç shprehemi rëndom. Pa u ndalur në vitet e monizmit, me keqardhje vërej që edhe në Shqipëri po “lulëzojnë” mjaft dukuri negative të një shoqërie, që synon të integrohet në Europë e më gjerë. Të tilla janë dhe mediokriteti, klanet, tarafet, hipokrizia e tjerë. Në emër të “sërese”, “reformave”, “zhvillimit” etj., mjaft njerëz janë kthyer në manjakë të përfitimeve vetjake e familjare, janë futur në botën e krimit dhe të korrupsionit pa frerë etj. Kështu, janë krijuar lidhje ose klane mafioze, “rrjeta të zeza marimangash”, në labirinthet e të cilave dëshirojnë t’i shohin shqiptarët fatkeqë dhe nuk kanë aspak mëshirë për ta. Prandaj dhe është e frikshme, kur sheh që shtresat në nevojë të popullsisë shtohen, paçka se propaganda partiake përpiqet ta fshehë ose ta zvogëlojë këtë dukuri gërryese për shoqërinë.

19. Ç’kuptojmë me shprehjet “ vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
- Ndoshta, nuk do të shprehem aq saktë. Por mendoj se një intelektual “vetëgjymtohet” ose, ende më keq, “vetëvritet”, kur rri i mbyllur në “guackën” e tij dhe nuk sheh as nuk dëgjon ato, që ndodhnin për rreth tij ose më larg. Heshtja, servilizmi ose dukuria “per të qenë brenda” e bën një intelektual që të rrijë i strukur dhe t’i trembet, si i thonë fjalës, edhe hijes së vet. Pa le, që ai nuk e ngre zërin as nuk flet para së keqes, që e sheh që nga shefi i tij më i afërt dhe deri te të tjerët zyrtarë. Mbyllja e syve dhe shurdhëria para dukurive negative të një shoqërie, bën që një intelektual (kështu i thënçin) ta çojë, dalëngadalë, veten e tij drejt “vetëgjymtimit” ose “vetëvrasjes”. Ata, Zoti i madh i mëshiroftë!

20. Çfarë është modestia për ju? Po vetëmburrja dhe vetëbuja?
- Edhe për këto pyetje, mund të përgjigjem “mirë e bukur”…Por, mos vallë, ia kam “shkelur” ndopak unë, në këtë intervistë? Megjithatë, mendoj se virtytet e njeriut të mirë janë shumë. Të tilla janë ato, që përmendni ju, por do të shtoja dhe mirënjohjen, një ndër virtytet më të bukura e më të çmuara te një njeri i edukuar dhe i kulturuar. Ndërsa, të jesh modest, është gjithashtu cilësi e domosdoshme për një njeri. Ai që mburret, bën bujë e rrahë gjoksin për “bëmat” e tij, nuk i ngjan as pulës, që tundë krahët, kur bën një vezë! Zakonisht, më të prirur për të vepruar kështu janë ata njerëz me “cene” ose të meta në karakter, të cilat përpiqen t’i plotësojnë me fallsitet e me fjalë të mëdha. Shkurt, këta persona nuk bëjnë pjesë në shoqërinë as miqësinë time dhe tregohem mospërfillës ndaj tyre.

21. E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
- Jo, absolutisht jo! Gjithë jeta ime, ashtu si dhe e sa e sa të tjerave, më ka shkuar dhe besoj kështu do të vazhdojë, duke shkruar e duke lexuar. Dituria njerëzore aty është “fshehur” dhe prandaj kam synuar që këtë thesar ta bëj sadopak pasuri timen. Se sa ia kam arritur, këtë gjë ua lë ta gjykojnë dhe arsyetojnë të tjerët.

22. Është shkruar shumë për ju, si e ndjeni veten?
- Po është shkruar, por jo aq “shumë”, sa thoni ju. Me sinqeritet e pohoj se gjithë jetën kam synuar të jem njeri i qetë e i thjeshtë, pa pretendime. Më pëlqejnë punët e mira që bëj, por e urrej “krekosjen”. Gjithashtu, kurrësesi nuk jam cmirëzi dhe as nuk i përçmoj arritjet e të tjerëve. Përkundrazi, ndonjë mik i sinqertë i imi, më ka “kritikuar” për modesti të tepruar. Kurrë nuk kam dashur as jam përpjekur të ngjitem në shkallët e karrierës. Më ka pëlqyer e më shkon për shtat barazpesha ose e “mesmja e artë”, si në punë dhe në jetë. Kjo, ndoshta, ka qenë “thembra e Akilit” në arritjet e jetës sime modeste. I nderoj dhe i respektoj pa masë gjithë autorët e shkrimeve për jetën, punën e librat e mi. Ndihem shumë mirë, kur e di që ata flasin e shkruajnë sinqerisht e shpirtërisht, me zemër të hapur për mua. Kjo më gëzon, më rinon (dikush më thotë: je ende djalosh-ha,ha) dhe më jep forca për të punuar e shkruar, sa më shumë e më mirë, për njerëzit e dashur të kësaj toke. Se nga kjo do të lemë pas vetëm emrin tonë të mirë ose jo, sipas shërbimit e përkushtimit, që kemi treguar e dëshmuar. Lum’ ai njeri i kësaj bote, që jeton duke mësuar dhe mësimet e fituara i vë në shërbim të të tjerëve!

23. Çfarë dëshironi të shtoni?….
- Sinqerisht, Mondë e dashur, më gëzuat e më emocionuat me pyetjet tuaja dhe me tërë këtë bisedë të ngrohtë, që është ndërmjet kolegësh. Pra, mirënjohje për ty dhe përherë ta dëgjofsha zërin e mirë, siç i themi ne, atje në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Falëmeshëndet edhe gjithë emigrantëve shqiptarë, kudo që ndodhen nëpër botë! Dhe i këshillloj ata, si prind ose vëlla, që kurrë mos ta harrojnë vendlindjen e tyre, Shqipërinë tonë të dashur e hallemadhe!
-Ju faleminderit, Prof.Gecaj! Shëndet të mirë dhe jetë të gjatë e të lumtur!

*Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë,Tiranë
Bisedoi Raimonda Moisiu

Intervistë me artisten dhe poeteshën shqipfolëse, Carrie Hooper!


Carrie Hooper: Ëndrrat e mija; Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe të këndoj me Inva Mulën në skenën shqiptare.
Bisedoi Raimonda Moisiu

Eshtë vetëm 35 vjece dhe e verbër që nga lindja, por kjo nuk e ka penguar aspak, Pedagogen e gjermanishtes dhe të italishtes, njohëse e 9 gjuhëve të huaja mes tyre edhe gjuhën tonë shqipe, sopranon dhe poeteshën shqipfolëse, vajzën e talentuar amerikane Carrie Hoooper të ecë në rrjedhën e jetës drejt dijeve dhe promovimit të vlerave që ajo atribuon.Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në Diasporë, të cilat sic shprehet edhe vetë shqipfolësja amerikane, kanë qënë një ndihmesë e mrekullueshme e profesionale për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe shumë mirë, me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm në të folur e shkruar. Talenti, aftësia, kontributi i saj është shëmbulli më njerëzor i dashurisë për jetën dhe universalen. Për këtë ajo po ashtu është vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
GK
Carrie Hooper

“E papritura më e bukur për “Kuvendin” në këto dhjetë vjet - do të shprehej botuesi i revistës “Kuvendi” në Michigan, z.Pjetër Jaku- Një vajzë amerikane që dinte gjuhën shqipe më mirë se një shqiptar i ardhur me arësim të mesëm në Amerikë, që dinte Historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që fliste me aq respekt për shqiptarët. Ishte Carrie Hooper” Që prej asaj dite vajza amerikane, poetesha shqipfolëse është bashkëpunëtore e rregullt e revistës “Kuvendi”

Ndërsa Producenti i Pasqyra Shqiptare, Toronto Kanada, z.Ilir Lena, në një kontakt telefonik me amerikanen e verbër shqipfolëse do të shprehej:
“Jam shumë i cuditur, por edhe shumë i entusiazmuar nga shqipja Juaj. Shqipfolëse shumë e mirë me saktësi gramatikore. Shëmbull i shkëlqyer jo vetëm për amerikanët por edhe për shqiptarët, brezin e parë që po humbasin shqipen. Ju jeni amerikane dhe jo shqiptare, nuk kini lidhje gjaku, e megjithatë flisni shqip shumë mirë, jeni një mesazh shumë i mirë për ata prindër shqiptarë që ngurojnë t’u flasin shqip fëmijëve, gjuhën amëtare, gjuhën e vet. Shpresoj ta kenë marrë këtë mesazh nëpërmjet Ju!Gjuha shqipe në familje duhet të transmetohet në brezat”.

Gazeta “Dielli” në SHBA-s, në një artikull të vecantë me titull: “Carrie Hooper, poetesha që adhuron kombin shqiptar”,- krashas botimit të poezive të saj në gjuhën shqipe shkruan:” Carrie Hooper është një talent i rrallë; ajo ka një pasion të jashtzakonshëm për gjuhët. Ka mësuar deri tani 9 gjuhë, mes tyre edhe gjuhën tonë të ëmbël, gjuhën shqipe. Carrie shkruan në gjuhën shqipe jo vetëm në prozë, por edhe poezi.’
Mbas prezantimit që më bëri mikja dhe kolegja ime Merita Bajraktari McComarck me artisten dhe poeten Carrie Hooper, unë bisedova në telefon me të për më shumë se një orë dhe më pas via internet zhvillova këtë intervistë. Jam emocionuar, entusiazmuar mahnitur nga forca dhe fuqia e shpirtit, e talentit, aftësisve të saj për të folur e shkruar gjuhën shqipe aq saktë nga ana gramatikore, letrare, rrjedhshëm, ngrohtësisht dhe ëmbëlsisht. Po kush është Carrie Hooper, sfidat, ambicjet dhe aftësitë e saj ajo do të na i rrëfejë në këtë bisedë të ngrohtë e miqëesore.

-Zonjusha Carrie, është kënaqësi tejet e vecantë të bisedoj me ju në gjuhën shqipe. Jeni diplomuar në Universitetin Mbretëror të Muzikës në Stokholm dhe pedagoge e gjuhës gjermane dhe italishtes. Cilat janë disa nga kujtimet e mbresat tuaja të asaj periudhe?
Së pari duhet të sqaroj se në fakt nuk u diplomova nga Shkolla Mbretërore e muzikës në Stockholm por kalova një vit atje si bursiste Fulbright pasi kisha kryer studimet në ShBA. Pasi mbarova shkollën e mesme kreva studime për bachelor në kanto te Mansfield University në Mansfield, Pennsylvania jo larg qytetit tim të lindjes, Elmira, New York. Kalova mirë atje dhe mësova shumë. Meqenëse Mansfield University është universitet i vogël, kisha mundësi t'i njoh studentët e profesorët në një nivel më personal. Verbëria nuk më pengonte dhe profesorët kuptonin mirë nevojat e mia si e verbër. Kisha shumë mundësi për të kënduar dhe t'i bie pianos si dhe t'i shoqëroja studentët të tjerë me piano të cilët studionin kanto ose një vegël muzikore tjetër.
Në këtë kohë fillova të mësoja gjermanisht dhe kështu u ndez interesi im për të mësuar gjuhë të huaja. Kisha mësuar frëngjisht në shkollën e mesme por në atë kohë nuk kisha interesin për gjuhët që e kam tani dhe prandaj nuk e mësoja mirë frëngjishten. Por kur fillova të mësoja gjermanishten, që nga dita e parë e dija që desha të bëhesha pedagoge e gjermanishtes.
Pasi mora Bachelor nga Mansfield University në vitin 1997, mora një master në gjermanisht nga State University of New York at Buffalo në vitin 1999. Pastaj mora një master në kanto nga i njëjti universitet në vitin 2001.
Në atë kohë fillova të mësoja suedisht sepse drejtori i orkestrës së universitetit erdhi nga Suedia dhe kisha dëshirë të flisja suedisht me të. Për ta ushtruar gjuhën dëgjova Radio sweden që transmetohej në radion e valëve të shkurtëra. Radio Sweden kishte transmetime në anglisht si dhe në suedisht. Në transmetimin anglisht një herë në muaj kishte programi In Touch Ëith Stockholm që ua jepte dëgjuesit mundësinë të bisedonin me suedezë për të ditur më shumë për Suedinë ose aspekte të jetës suedeze. Bisedat që bëheshin në telefon, transmetoheshin gjatë programit. Unë desha të dija më shumë për situatën e të verbërve në Suedi dhe prandaj në nëntor të vitit 1999 ia dërgova një email programit. Radio Sweden më vuri në kontakt me Ulrika Norelius, studente tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm në Suedi. Biseda jonë u transmetua në radio në dhjetor të vitit 1999 dhe që nga atëherë Ulrika dhe unë mbanim kontakt. Ajo më tregoi për një program tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm ku të huaj mund të studionin atje për një vit. Ngaqë isha e interesuar të dija më shumë për muzikën suedeze, në veçanti këngë suedeze, vendosa të aplikoja për programin në Stockholm. Shkolla më pranoi dhe aplikova për një bursë Fulbright për t'i finanzuar studimet atje.
Studiova në Suedi nga gusht 2001 deri në qershor 2002. Kisha mësime për kanto gjatë të cilëve mësoja shumë këngë suedeze. Gjithashtu ndoqa kurse për mësimdhënien e kantos. Për më tepër këndova në një korin ei një kishe suedeze. Kisha edhe mundësinë të këndoja për klube rotarianë në Suedi dhe Gjermani dhe këndova edhe në një koncert në Berlin që ishte pjesë e një jave aktivitetesh të organizuara nga komisioni gjerman Fulbright për të përkujtuar vjetorin e dyzetë të bursës Fulbright. Gjatë asaj jave në Berlin takova një cift amerikan që po jetonte në Hungari meqenëse burri ishte bursist fulbright atje. Nëpërmjet lidhjes me ta m'u dha mundësia të këndoja dy koncerte në Hungari: një te shkolla e të verbërve dhe një në një kishë në Szeged. Koha në Suedi ishte e paharrueshme dhe u njoha me shumë njerëz të dashur me të cilët mbaj kontakt deri më sot.

-Kur e keni kuptuar se ju kishit dhuratë për të kënduar me një zë të tillë të bukur?
Gjithmonë më pëlqente të këndoja. Këndoja në korin e shkollës si dhe kor fëmijësh dhe pastaj korin e të rriturve të kishës sime. Në moshën 15-vjeçare gruaja e pastorit ndihmës të kishës sonë më dha mësime për kanto si një dhuratë për ditëlindjen dhe që nga ajo kohë fillova të zhvilloja teknikën e zërit. Së pari doja të studioja për piano por kur mësova për operan në shkollë fillova t'i dëgjoja operat që u transmetuan në radio dhe kjo më prymëzoi të studioja për kanto. Mendoja që doja të isha këngëtare lirike profesionale por më vonë zbulova që kisha më shumë dëshirë të bëhesha pedagoge. Mirëpo më pëlqen të japë koncerte.

-Në formimin tuaj si këngëtare soprano cfarë ndikimi kanë shfaqur artistët e famshëm si Domingo, Shirley Verret, Pavaroti e të tjerë.
Më pëlqen të dëgjoj këngëtarë si Pavarotti dhe Domingo por nuk mund të them se më kanë ndikuar në zhvillimin tim si këngëtare. Nuk ka qenë qëllimi im të këndoja si dikush tjetër, por të zbuloja zërin tim të veçantë.

-Ku keni lindur. Na tregoni pak në lidhje me prejardhjen e familjes tuaj?
Kam lindur në Elmira, New York që ndodhet në pjesën jugore të shtetit të New Yorkut afër kufirit me Pennsylvania. Familja ime është me prardhje angleze në anën e nënës dhe angleze dhe gjermane në anën e babait.

-A ka DVD ose rregjistrime në repertorin tuaj të tanishëm që ju besoni se keni bërë një punë të mirë për kapjen e zërit?
Vitin e kaluar shoku im Timi më ndihmoi të inçizoja disa këngë shqiptare, disa këngë nga Shqipëria dhe disa këngë që kompozova unë me tekste në shqip. I rashë pianos elektrike dhe këndova. Regjitruam këngët në kaset dhe pastaj një burrë që e njeh Timi i transferuan këngët në cd. Janë inçizuar edhe disa koncerte që kam dhënë.

-Ju jeni amerikane dhe jetoni në Elmira New York, SHBA. Ju flisni 9 gjuhë të huaja. Mes tyre, ajo që mua më mrekulloi e befasoi, ju flisni shqipen rrjedhshëm, gjuhësore dhe letrare. Si keni arritur ta mësoni këtë gjuhë. Cilat kanë qenë kontaktet e para me gjuhën shqipe? Ku qëndron forca e inteligjencës emocionale dhe shpirtërore për të mësuar gjuhën shqipe?
Fillova të mësoja shqip në tetor 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin e italishtes që i dhashë. Duhej të kërkoja shumë për të gjetur një libër në brail ose audio por në fund gjeta një libër në brail nga Biblioteka e të verbërve në Angli, Colloquial Albanian nga Isa Zymberi. Pasi e mbarova librin e Zymberit, lexova një libër audio me përrallë shqiptare që mora nga Biblioteka e të verbërve në Suedi. Për më tepër bleva një fjalor shqip-anglisht që një grua në qytetin tim më transkriptoi në brail. Tani lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur një kompjuter me një tastaturë dhe një display braili. Gjithashtu dëgjoj programe nga Interneti me laptopin tim të aksesshëm. Më parë shoku im Timi më inçizoi programe nga Interneti në kaset që më dërgoi. Dy verat e kaluar ndoqa kurse në gjuhës shqipe tek Arizona State University.
Kam ushtruar shqipen jo vetëm duke e dëgjuar por edhe duke folur me shqiptarë. Kontaktet e para ishin studenti tim nga Shqipëria si dhe një studente tjetër tek universiteti ku jap mësim. Kam edhe kontakt me një studente te Cornell University dhe jemi takuar dy herë për të folur shqip. Telefonova disa universitete për të pyetur nëse kishin studentë shqiptar. Një punonjëse në laboratorin e gjuhëve te Boston College më vuri në kontakt me Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Telefonova te kisha dhe rashë në kontakt me At Artur Liolinin. At Arturi më ndihmoi të gjeja shqipfolës duke u dërguar një email disa njerëzve në të cilit shpjegoi kush isha dhe se isha e interesuar të flisja shqip. Një shok i shokut tim Timit më vuri në kontakt me një suedez, Ullmar Qvick, që flet shqip. Ullmari më vuri në kontakt me gazetën Illyria në qytetin e Nju Jorkut. Nëpërmjet gazetës rashë në kontakt me kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York. Prifti atje më dërgoi dy cd me muzikë krishtlindjes si dhe një cd me urata të Nënë Terezës. Ky material ma dha mundësinë të dëgjoja edhe më shumë shqip. Më tej u njoha me disa shqiptarë në Arizonë me të cilët mbaj kontakt. Njoh edhe dy shqiptarë në Huntsville, Alabama, që punojnë në një kishë luterane.
Forca për të mësuar shqipen, për të bërë gjithçka vjen nga Zoti. Kam besim shumë të fortë te Zoti dhe pa këtë nuk do të mund të bëja asgjë. Të gjitha dhuratët e mia vijnë nga Zoti dhe e falënderoj dhe e lavdëroj për bekimet e tij.

-Ju jeni edhe poete. Shkruani poezi në shqip. A ka pasur diçka të pazakontë që iu hapi rrugën për tu bërë poete shqipfolëse? Si e vlerësoni gjuhën shqipe?
Më pëlqen sfida të shprehem në një gjuhë tjetër. Gjuha shqipe është e bukur dhe muzikore dhe është e lehtë të rimoj fjalët. Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar nga të gjitha gjuhët që kam mësuar. Dua ta flas, ta dëgjoj, dhe ta shkruaj.

-Mund të na recitoni ndonjë poezi shqipe tuajën?
Kam shkruar poezinë O popull i dashur për të shprehur ndjenjat e mia ndaj shqiptarëve që i dua me gjithë zemrën. E shkruajta pasi kisha qenë në Boston në tetor për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit. U preka thellë nga mikpritja dhe dashuria e shqiptarëve ndaj meje dhe kur u ktheva në shtëpi, u frymëzova të shkruaja këtë poezi.

O popull i dashur,
Që unë për zemër kam,
Një fëmijë të Shqipërisë
Në shpirt dhe zemër jam.
Menjëherë më keni pranuar
Dhe mirëpritur me dashuri.
Mes njerëzve kaq të ëmbla,
Ndiej që jam në shtëpi.
E dua vendin tuaj
Me malet e lumenjtë e tij,
Me natyrën e tij tërheqëse,
Ah, sa madhështi!..


- Ju këndoni edhe shqip. Ka qenë tepër emocionuese kur kam dëgjuar të kënduar nga ju, Hymnin e Flamurit shqiptar. Cili ka qenë emocioni kur e keni kënduar për herë të parë?
Ndjeva krenarinë të mund ta këndoja një këngë kaq të fort që pasqyron luftën e gjatë të shqiptarëve për lirinë e tyre. Zemra ime qan për kombin shqiptar kur mendoj sa shumë kanë vuajtur shqiptarët gjatë shekujve të kaluar.

-Mund të na thoni sa këngë shqip këndoni? Si keni arritur t'i mësoni ato? Kush është kompozitori i tyre?
Këndoj trembëdhjetë këngë shqip: Himni i flamurit, Për ty, atdhe, Luleborë, Çobankat, E dua Shqipërinë, O bilbil, o more i mjerë, Në zaman t'njasaj furie, As aman, o trandafili çelës, Kroi fshatit tonë, Kur më vjen burri nga stani, Pranvera me një lule jo nuk vjen, Kur pata një lule të bukur, dhe Moj e bukura More. Shumicën e këngëve e kam në cd të ndryshme dhe i mësova duke dëgjuar inçizimet kurse këngë të tjera kam mësuar duke i dëgjuar në kompjuter. Meqenëse mund të jetë e vështirë të kapësh fjalët, shqiptarë të ndryshme më kanë dhënë fjalët për këngët që doja t'i mësoja.

-Bota e artit dhe muzikës shqiptare i ka dhënë artit botëror sopranon me famë botërore, shqiptaren Inva Mula. A keni dëgjuar për të? A do dëshironit të këndonit me Inva Mulën në skenën shqiptare?
Po, kam dëgjuar për Inva Mulën dhe e kam dëgjuar duke kënduar. Ka zë shumë të bukur dhe është këngëtare shumë e zonjë. Do të dëshiroja të këndoja me Inva Mulën në skenën shqiptare. Do të ishte një nder të madh.

-Cili është momenti më i paharrueshëm që ju ka bërë të ndjeheni e lumtur në kontaktet me gjuhën shqipe, por edhe me komunitetin shqiptar në Diasporë?
Do të thosha që momenti më i paharrueshëm ishte kur udhëtova në Boston për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit në tetor të vitit 2010. Qëndrova te Neka Doko, një shqiptare shumë e dashur dhe mikpritëse dhe kisha shansin ta njihja nga afër familjen e saj. Koncerti në Kishën e Shën Gjergjit shkoi mirë dhe njerëzit atje më mirëpritën me shumë dashuri. Kurrë nuk do të harroj fjalët e At Arturit i cili më tha: Kjo është kisha juaj.

-Duke qënë e huaj në origjinë, por edhe shqipfolëse e shkëlqyer, mesazh ky shpirtëror qytetar dhe intelektual, për komunitetin shqiptaro-amerikan, do të dëshironit të jepnit mësim në gjuhën shqipe?
Do të dëshiroja shumë të jepja mësim në gjuhën shqipe. Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.

-Çfarë do tu sugjeronit shqiptarëve të Amerikës për të trashëguar gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare në tokë të huaj? Pra, mesazhi juaj për Diasporën shqiptare.
Është e rëndësishme që shqiptarët të ruajnë gjuhën e tyre dhe ta flasin sa më e bukur. Kam dëgjuar shumë shqiptarë që flasin shpejt por duke folur shpejt, humbet qartësia dhe pengohet komunikimi. Prandaj, shqiptarë, flisni ngadalë dhe merrni kohën e duhur të formoni fjalët plotësisht. Nuk dua të them që dialektet janë të këqia, përkundrazi krijojnë shumllojshmëri dhe janë shumë interesante por në të njëjtën kohë njerëz kanë nevojë të zotërojnë gjuhën letrare dhe të komunikojnë mirë në çfarëdo situate. Është e rëndësishme që prindërit t'u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe si dhe traditat dhe kultura shqiptare sepse gjuha, kultura, dhe traditat i jep popullit identitetin e tij dhe e bashkon kudo që të jetojë. Jepuni fëmijëve mundësinë të shkojnë në Shqipëri.

-Dëshironi të shtoni diçka?
Kam bërë shumë prezantime për Shqipërinë gjatë vitit e fundit. Në këto prezantime flas për Shqipërinë dhe eksperiencën time duke mësuar gjuhën. Më tej këndoj disa këngë shqiptare. Kam bërë prezantime te takimet e klubeve Rotary dhe Kuwanis në Elmira dhe dhashë një prezantim tek Elmira College ku jap mësim në gjermanisht dhe italisht. Në shtator dhashë një prezantim në Kishën e Shën Elia në Jamestown, New York. Disa nga poezitë e mia janë botuar në gazetën Dielli në New York dhe revistën Kuvendi në Michigan.

Suksese dhe Faleminderit

Bisedoi Raimonda Moisiu

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...