Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/03/23

Oriq pranon pjesëmarrjen e tij në Kosovë në vitet 80


Ish-komandanti i forcave ushtarake të Bosnjës dhe Hercegovinës, Naser Oriq ka pranuar se në fund të viteve 80’ta ka qenë pjesë e njësite speciale të Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë të cilat u dërguan në Kosovë për siç ka thënë ai “qetësimin e demonstratave të seperatistëve shqiptarë”. Ai ka thënë se në Kosovë ka qenë edhe si truproje e Millosheviqit. “Është e vërtetë se kam qenë pjesëtar i njësiteve speciale të MPB-së së Serbisë, dhe disa herë kam shkuar në Kosovë, kur është dashur të qetësohen demonstratat që kanë organizuar shqiptarët. Si truproje e Millosheviqit nuk kam qenë në Gazimestan më 1989, sepse kam qenë me angazhime tjera”, ka thënë Oriq, përcjell agjencia e lajmeve INA. Mediet serbe kanë publikuar foto të tij, të cilat pohojnë se Oriq mban lidhje të ngushta me djalin e Millosheviqit, Marko Millosheviq, edhe duke qenë në krye të armatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Prishtina dokumenton praninë e strukturave ilegale


BE ka pranuar të fusë në rend dite shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë, vetëm kur Kosova ka evidentuar praninë e këtyre strukturave përmes një dokumenti i cili i është dorëzuar Brukselit. Në këtë dokument, siç njofton ditorja ‘Tribuna’, përshkruhet hollësisht prania e policisë së Serbisë, BIA-s dhe strukturave të tjera ta sigurisë që ekzistojnë në veri të vendit. Pasi që ky dokument është vërtetuar nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, Brukseli ka kërkuar nga Serbia që t’i largojë këto struktura ilegale. Megjithatë largimi i tyre nuk do të jetë tërësor, për shkak se një pjesë e strukturave që udhëhiqen nga serbët lokalë do të integrohen brenda institucioneve qendrore të Prishtinës. Ekzistencën e një dokumenti të tillë e ka pranuar edhe vetë zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi. “Dokumenti identifikon edhe individët që punojnë në strukturat e sigurisë së Serbisë qoftë të MUP-it, BIA-s apo dikujt tjetër. Besoj që ky dokumentim ka qenë i mjaftueshëm që Serbia të bindet që ata duhet të largohen nga territori i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Shumica e serbëve besojnë se Kosova është e pavarur


63 përqind e qytetarëve të Serbisë mendojnë se Kosova është e pavarur dhe se Beogradit i mbetet të luftojë vetëm për përmirësimin e jetës së serbëve lokalë. Ky ka qenë rezultati i një hulumtimi të mendimit të qytetarëve të Serbisë në lidhje me takimet midis Daçiqit dhe Thaçit. Në anketën të cilës i janë nënshtruar 1000 persona, shumica mendojnë se kryeministri Daçiq është personi i duhur që duhet t’i udhëheq bisedimet me Prishtinën. Në pyetjen nëse BE është neutrale në bisedime, 78 përqind e të anketuarve thonë jo, ndërsa 86 përqind mendojnë se Brukseli po mban anën e Prishtinës. Por pyetjes tjetër se a do të zgjidhnin BE-në apo kthimin e Kosovës në Serbi, rreth 65 përqind e serbëve kanë thënë se e zgjedhin Kosovën para BE-së, gjë që flet se opinioni në Serbi vazhdon të ketë të njëjtën mendësi me klasën politike në Beograd.

Edhe liqeni i Gazivodës bëhet temë e bisedimeve



Drejtori për zgjerim në BE, Stefano Sanino citohet të ketë thënë për gazetën Blic se muaji prill do të jetë vendimtar për fatin e Serbisë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ai ka sqaruar se Beogradi ka edhe një muaj e gjysmë afat që të arrijë marrëveshje sa i përket heqjes së strukturave paralele dhe caktimit të kompetencave të komunave serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë, Kërstimir Pantiq ka theksuar se në çdo marrëveshje të arritur është lënë hapësirë që të interpretohet sipas dëshirës së Prishtinës. “Asnjë marrëveshje e arritur deri më tash nuk është precizuar deri në fund dhe kjo është lënë kështu me qëllim që Prishtina dhe EULEX-i të mund të interpretojnë tekstin si të duan”, ka thënë ai. Gazeta Blic paralajmëron se midis Beogradit dhe Prishtinës pritet të arrihen edhe dy marrëveshje që kanë të bëjnë me rrymën dhe prefiksin telefonik. Një çështje me rëndësi do të jetë përcaktimi se kujt do t’i takojë liqeni dhe penda e Gazivodës si dhe trafostacioni hidro-energjetik i Valaçit. Shtetet perëndimore këmbëngulin që kjo pasuri t’i mbetet Kosovës, sepse sipas vlerësimit të tyre Kosova nuk mund të ekzistojë si shtet me varësi energjetike.

Ndryshime demografike në dëm të shqiptarëve në veri



Ndonëse komunat serbe në veri të vendit nuk kanë qenë pjesë e regjistrimit të fundit të popullsisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka dhënë disa shifra të përafërta mbi numrin e popullsisë në këtë pjesë. Të dhënat për Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveqanin janë mbështetur në një vlerësim të quajtur ‘Azhurnimi 2008-2009’. Të dhënat e publikuara nga UNCHR në vitin 2012 saktësojnë se 7260 shqiptarë janë zhvendosur nga veriu i Mitrovicës në pjesën jugore të qytetit. Të njëjtat të dhëna thonë se rreth 6950 serbë nga vise të tjera të Kosovës janë vendosur në komunat veriore, duke e rritur edhe më shumë numerikisht elementin serb në kurriz të shqiptarëve të dëbuar.

Petkoviq: Plani gjerman rrumbullakson pavarësinë e Kosovës


Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë për gazetën beogradase ‘Danas’ se plani për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është rrumbullakësim i pavarësisë së Kosovës. Në një konferencë për medie, ai ka qartësuar se këtë plan ua kishte dorëzuar autoriteteve serbe Christoph Heusgen, këshilltar i kancelares gjermane, Angela Merkel. “Qëllimi i atij plani është mundësimi i anëtarësimit të shtetit të rremë të Kosovës në Kombet e Bashkuara, me çka në tërësi do të përmbyllej pavarësia e Kosovës”, ka shtuar zëdhënësi i partisë së Koshtunicës. Petkoviq ka thënë se një plan i tillë ishte refuzuar qysh në vitin 2007, kur ishte propozuar nga anëtari i treshes negociuese për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger.

32 vjet nga kthesa vendimtare e rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë, gjenerata kryengritëse e vitit 1981 ende pa asnjë përkujdesje institucionale


Në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, në Mensën e Studentëve, në Prishtinë, një grup studentësh kishin shfaqur një pakënaqësi sociale, jo edhe aq të rastit. Ushqimi i dobët, kushtet e tyre të rënda sociale u dhanë shkas atyre, që pakënaqësinë  ta shfaqin në rrugë, duke kërkuar në radhë të parë përmirësim të kushteve ekzistenciale, ndërsa më vonë ata shtuan edhe kërkesa të tjera sociale, madje edhe politike.
Asokohe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare nën Jugosllavi, vepronin shumë grupe dhe organizata atdhetare, ilegale, që kishin synim çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, apo avancimin  e pozitës kushtetuese të Kosovës nga autonomia në Republikë, me të drejta të barabarta sikur republikat e tjera. Në ditët në vijim, të marsit e prillit të vitit 1981, përfaqësues të organizatave atdhetare filluan të artikulojnë dhe të afishojnë kërkesa politike në drejtim të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës.

Më 26 mars dhe me  1 e 2 prill, grupe protestuesish, studentë, nxënës, punëtorë dhe qytetarë liridashës kishin brohoritur: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”, pastaj parulla të tjera si: “Trepça punon, Beogradi fiton!” “Duam kushte!” “Jemi shqiptarë s’jemi jugosllavë!”  “Lironi shokët nga Burgu”,  Adem Demaçi” e kërkesa të tjera të qarta politike, të cilat fuqishëm po i përkrahte rinia atdhetare revolucionare, punëtorët dhe të gjitha shtresat liridashëse. Kundër protestuesve ishin lëshuar qindra pjesëtarë të forcave speciale të ardhura nga Beogradi, me përqendrim  në konviktet e studentëve, ku ata u sollën barbarisht, duke rrahur studentë e studente, duke i tërhequr zvarrë për flokësh, duke i maltretuar mizorisht dhe duke prangosur qindra prej tyre.



Zemërimi i liridashësve të Kosovës kishte arritur kulmin dhe më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, kur  protestat kishin shënuar pikën e vlimit, me të gjitha elementet e kryengritjes së përgjithshme. Protestat, nga Prishtina, ku ishte epiqendra, ishin përhapur në tërë Kosovën me ç’ rast u martirizuan dhjetëra demonstrues, ndërsa  morën lëndime trupore qindra të tjerë. Më 2 dhe 3 prill në fshatin Besi të komunës së Prishtinës, qindra protestues, nxënës, studentë madje edhe arsimtarë ndaluan konvojin e forcave rezerviste serbe, që po vinte nga Serbia, në ndihmë të forcave të milicisë në Kosovë. Ata i çarmatosën dhe ua bllokuan rrugën për të hyrë në Prishtinë. Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 120 armë automatike, pastaj municion dhe pajisje të tjera. Me 2 prill në Prishtinë, kreu i ilegales patriotike,Hydajet Hyseni, i cili vepronte ilegalisht, kishte marrë në dorë megafonin dhe iu kishte drejtuar qytetarëve, që po protestonin para Komitetit Krahinor, duke shpalosur kërkesa politike, që buronin nga programi i Lëvizjes kombëtare shqiptare.
 
Zhvillimet e tilla, që u shfaqen me segmente të një kryengritje të përgjithshme popullore, bënë  që Komiteti Qendror i RSFJ-së të marrë vendim dhe të shpallë gjendjen e shtetrrethimit, prej  2 deri më 18 prill të atij viti, në tërë territorin e Kosovës. Në komunikatën e shtetrrethimit sanksionohej lëvizja e të gjithë qytetarëve të Kosovës në orët e natës, ndalohej tubimi i më shumë se tre peronave në vende publike, ndalohej çdo grumbullim i njerëzve me qëllim të protestave, ndërpritej mësimi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe në të gjitha fakultetet dhe kërkohej nga populli që të mos mbështeteshin kërkesat e demonstruesve, që kualifikoheshin si kërkesa në platformë të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Gjatë asaj kohe në Kosovë zbarkuan dhe u vunë në veprim mijëra forca policore nga Njësitë speciale federale dhe nga të gjitha republikat e Jugosllavisë. Kreu i Komitetit krahinor të Kosovës i dënoi protestat duke i kualifikuar si armiqësore dhe të drejtuara kundër bashkimit  dhe vëllazërimit të shqiptarëve me serbët dhe me popujt sllavë dhe si përpjekje për bashkim me Shqipërinë. Në atë luftë të ashpër, të neveritshme dhe në esencë antishqiptare ishin dalluar sidomos kryetari i Rinisë Komuniste jugosllave, më besniku i regjimit dhe titisti i përbetuar, Azem Vllasi, ish prokurori famëkeq i Kosovës, Ali Shukrija, Mehmet Maliqi-Cikuli,  pastaj, Xhavit Nimani, Fadil Hoxha e të tjerë.

Demonstrata e përgjakshme të marsit dhe prillit të vitit 1981, nuk i përkrahu zyrtarisht asnjë shtet i botës, përveç Shqipërisë, e cila reagoi fuqishëm kundër dhunës së tankeve e milicisë federale dhe përkrahu pa rezervë të drejtat e shqiptarëve për krijimin e republikës së tyre në Jugosllavi.

Lëvizja çlirimtare e vitit 1981 vazhdoi  gjatë dekadave në vijim, me kërkesën unike për liri e barazi dhe u kurorëzua me sukses në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesa dërrmuese e  kreut  ushtarak të UÇK-së përbëhej nga ideatorët dhe pjesëmarrësit e protestave të vitit 1981, të cilët qysh prej shpërthimit të protestave dhe gjatë tërë kohës së mbretërimit të pushtetit okupator ishin dënuar prej 1 deri në 20 vjet burg të rëndë.  Pikërisht për shkak të dhunës sistematike e shfaronjëse kundër tërë një populli, Aleanca ushtarake Veriatlantike prej 24 marsit e deri më 9 qershor 1999 kishte bombarduar caqet ushtarake dhe strategjike të regjimit kriminal të Beogradit.

Më 11 qershor të vitit 1999 forcat e UÇK-së depërtuan në Prishtinë, ndërsa më 21 qershor të po atij viti  nga Kosova u dëbuan të gjitha forcat policore e ushtarake të Serbisë, të cilat kishin kryer gjenocid dhe krime të rënda të luftës.
Si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për çlirim nga robëria, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën deri tani e kanë pranuar afër 100 shtete të botës.

Pavarësisht përpjekjeve titanike për çlirim dhe bashkim, pavarësisht maltretimeve ndër më çnjerëzoret që janë ushtruar mbi mijëra të burgosur shqiptarë, në qindra burgje, llogore dhe kazamate  të Jugosllavisë, shekujve të tërë të kaluar nëpër zandane, institucionet e Kosovës, edhe 14 vjet pas luftës dhe pesë vite pas shpalljes së pavarësisë nuk kanë zhdëmtuar asnjë veprimtar të Lëvizjes së rezistencës, asnjë të burgosur nga mesi i mijëra të tillëve, shumica dërrmuese e të cilëve jeton në gjendje të rëndë ekzistenciale. Shtyrja nga viti në vit e ligjit për zhdëmtimin e të burgosurve politikë, mungesa totale e përkujdesjes për ta, mungesa totale e përpjekjes së Qeverisë dhe institucioneve lokale për t’iu gjetur punë, ilustron më së miri indolencën e tyre antikombëtare e pse jo edhe antinjerëzore, sepse në të gjitha vendet ish-komuniste të rajonit, të gjithë të burgosurit politikë janë zhdëmtuar. Vetëm në Kosovë dhe në ish-RJ të Maqedonisë nuk ka filluar zhdëmtimi dhe nuk pritet të fillojë edhe për shumë kohë. Ndoshta, ndonjë mendje e robëruar qeveritari aktual mendon se po të shtyhet ky proces edhe për 10 apo 15 vjet  problemi zgjidhet vetvetiu. Një llogaritje e tillë në kohë, nuk bëhet pa qëllim. Dhe, kështu ndodh, meqë në krye të institucioneve, kudo në vendin tonë,  janë kthyer ata dhe bijtë e atyre që na kanë dënuar, na kanë vrarë, na kanë katandisur si mos më keq, ndërsa ata kanë siguruar jo vetëm vetën,  familjet e akrabatë, por edhe  shumë breza  të tyre të ardhshëm.
Duhet pranuar hapur se indolencës qeveritare i ka munguar edhe zëri i fortë dhe i pa kompromis i të burgosurve, jo vetëm të vitit 1981.
Dalja në rrugë e të burgosurve për të kërkuar zhdëmtim nuk përkon me dinjitetin e nderin e tyre, nuk përkon me moralin e tyre, por kjo pozitë rezignuese iu shkon shumë  për shtati qeveritarëve, pa moral dhe pa dinjitet, pa njerëzi dhe pa asnjë pikë humanizmi.

Ahmet Qeriqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...