Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/19

Niçe ka vdekur





Nga Meredith Hindley*




Gjatë dekadës së kaluar, shkrimet e Niçe-s e kishin futur kulturën gjermane në një stuhi të vërtetë. Një nga miqtë e Kessler-it deklaronte me shaka se "gjashtë gjermanë intelektualë nuk mund të jenë së bashku për një orë e gjysmë, pa përmendur emrin e Niçes". Niçe ishte bërë një hero dhe një figurë kulti për ata që dëshironin ringjalljen e Gjermanisë dhe një mediokër për ata që kishin mbetur ngërthyer nën rrënjët protestante të Gjermanisë dhe rendit tradicional.
Rënia tragjike e filozofit, vetëm sa e kishte shtuar mistikën e tij.
Niçe kishte pësuar një krizë të rëndë mendore në vitin 1888, kurse idetë e tij kishin rënë në "zjarrin" e qarqeve akademike të kohës. Ky dijetar, dikur një filozof i shkëlqyer, tkurret në një zhvillim mendor fëmijënor, gjë e cila sot nuk na tregon asgjë për mënyrën se si ai u bë i famshëm.
Idetë e Niçes ishin duke u përshtatur me skajet e ndryshme të filozofisë por edhe në një kundërshtim me avant-gardën e artistëve, psikoanalistëve dhe ideologëve rracorë. Vdekja e tij provokoi një luftë të madhe, lidhur me trashëgiminë e tij. Kessler, që ishte një mbrojtës i shquar i kulturës dhe një subjekt i lidhur me skenën e artit evropian, mori pjesë aktive në këtë luftë.
Kessler-i, ishte një qënie intelektualisht e pangopur me një dituri të pafund, mu si ai njeriu që mban një ditar dhe është thellësisht i angazhuar me të. Në moshën dymbëdhjetëvjeçare ai filloi të mbante një ditar, duke krijuar një thesar të vërtetë për historianët, ku kish botime në lidhje me forcat artistike të Gjermanisë Vilhelmiane dhe Belle Epoque. Kessler-i jo vetëm arriti të përmbushte, por edhe të rrëfente gjithçka të rëndësishme në më shumë se dyzet mijë emra të shfaqur në pesëmbëdhjetë mijë faqet e shkruara për plot pesëdhjetë e shtatë vjet. Me disiplinën e një gazetari të madh, ai regjistroi momente të panumërta të shquara që përshkruajnë detajet intime të lëvizjeve sizmike politike, të cilat tronditën Evropën e shekullit të Rajhut të Tretë. Laird M. Easton, biografi i Kessler-it, na ka redaktuar dhe përkthyer disa pjesë të zgjedhura nga vitet e hershme për të krijuar Udhëtimin në humnerë: The Diaries e Count Harry Kessler, 1880-1918 (Knopf). I mbërthyer në mesin e tregimeve të tij, Kessler u mor shumë me jetën dhe trashëgiminë e Niçes. Kur Kessler ishte i ri, shkrimet e Niçes i transmetuan atij vetë një kornizë për të menduar përtej kategorive të shtresës së tij borgjeze. Me kalimin e kohës, Kessler-i arriti të promovohet edhe si diplomat por edhe si një agjent sekret. W. H. Auden, i cili konsiderohej si një mik i Kessler-it, do e quante atë "ndoshta njeriu më kozmopolit që ka jetuar ndonjëherë".
Në vitet e para të Luftës së Parë Botërore, Kessler-i e tregoi talentin e tij organizativ në projektimin dhe ngritjen e fondeve për ndërtimin e një memoriali për të nderuar Niçen. Por, ai nuk ishte i vetmi që tregonte një interes të tillë të madh mbi trashëgiminë e këtij filozofi. Elisabeth Forster-Niçe, motra e filozofit, kishte idetë e saj, se si puna e vëllait të vet dhe jetës së tij do të duhet të përdoreshin në vazhdim.

Jeta dhe dashuria
e Fritz-it dhe Elisabeth
Gati të afërt në moshë, Fritz (siç njihej nga miqtë dhe familja) dhe Elisabeth ndanin një lidhje të fortë dhe shumë me probleme, që kur babai i tyre, një klerik Luteran, vdiq në vitin 1849, kur Fritz ishte katër vjeç dhe Elisabeth-a, vetëm tre. Në rininë e tij, Fritz mori një arsimim të mirë, gjë që e inkurajoi interesin e tij në letërsi dhe muzikë. Në vitin 1864, u regjistrua në universitetin e Bon-it, ndërsa një vit më pas kaloi në Leipzig, duke lënë pas Elisabeth-ën me Franziskën, nënën e tyre tejet autoritare. Studimet e Fritz-it dhe ekspozimi në një botë të gjerë e udhëhoqi në një tjetër kuptim, larg nga motra dhe familja e tij. Ai vuri në pikëpyetje vendin e Zotit dhe fesë dhe pastaj e braktisi teologjinë në favor të filologjisë. Pakënaqësia e tij me krishterimin shkaktoi përplasjen e parë midis shumë përçarjeve me Elisabeth-ën, e cila arriti të kuptojë e para refuzimin e tij alarmues për të pranuar fenë e familjes.
Në vitin 1869, pas një aksidenti pa pasoja gjatë shërbimit të tij ushtarak, Niçe pranoi profesionin e mësuesit të filologjisë klasike në Bazel, të Zvicrës. Në të njëjtin vit, u takua me kompozitorin Richard Wagner. Pavarësisht ndryshimit në moshë, gati prej tre dekadash, të dy burrat "rigjeneruan" bindjet e tyre intelektuale nëpërmjet dashurisë që kishin për muzikën dhe filozofinë e Arthur Schopenhauer-it. Që me "Lindjen e tragjedisë", botuar në vitin 1872, mendimtari i ri argumentoi se kultura perëndimore ka arritur majën e saj me grekët e lashtë, por opera e Wagner-it kishte shkuar edhe më afër për të personifikuar traditën greke në botëkuptimin modern.
Shëndeti i Fritz-it nuk kishte qenë kurrë i fuqishëm kurse mania për punën e la shpesh të ekspozuar ndaj sëmundjes. Trupi i tij iu nënshtrua ngadalë konsumimit prej sifilizi-t, që e kishte marrë gjatë marrëdhënieve me një prostitutë. E shqetësuar nga letrat e tij që e tregonin hapur përparimin e migrenës dhe problemet e stomakut, Elisabeth-ës iu desh të udhëtojë në Bazel në vitin 1870 për tu kujdesur për vëllanë e saj. Gjatë tetë viteve të ardhshme ajo kaloi shumë kohë duke u marrë me familjen e tij, kështu që ai mundi të mësojë dhe të shkruajë.
Marrëdhënia e Fritz-it me Wagner-in, me kalimin e kohës, mori një dinamikë baba-bir, kurse djali filloi të irritohej ndaj ndikimit imponues të të atit. Pasi ndoqi Festivalin e Bayreuth-it, i krijuar në 1876 për të promovuar muzikën e Wagner-it, Fritz-i arriti në një konkluzion: operetat e Wagner-it, nuk ishin një përfytyrim i kulturës së lashtë greke, siç ai kishte menduar më parë, por një paraqitje e mistikës së lashtë gjermano-nordike në kohët moderne. Ai gjithashtu kishte dyshime në lidhje me pesimizmin e Schopenhauer-it dhe anti-semitizmin që përshkruhej në botëkuptimin e Wagner-it.
Në 1878, Niçe publikoi "Njeriun, mbi të gjitha njeriun", vepër e cila paraqiti një kritikë të fortë ndaj krishterimit dhe anti-semitizmit. Libri e mërziti Elisabeth-ën, e cila ishte shqetësuar se mos Fritz-i ishte bërë i padëshiruar për Wagner-in dhe rrethin e tij shoqëror. E tendosur, Elisabeth-a vendosi t'a braktisë të vëllain dhe të kthehet në Gjermani. Në pamundësi për të mbajtur familjen e tij, Niçe dha dorëheqjen nga posti i tij në Bazel dhe u bë një filozof shëtitës.
Më pas, Niçe dhe Elisabeth-a, filluan grindjen mbi jetën e tyre dashurore. Në vitin 1882, në moshën tridhjetë e shtatë vjeçare, Fritz-i ndjeu se Salome Lou, një njëzet e një vjeçar rus, e admironte motrën e tij ngaqë kjo ishte e zgjuar dhe e bukur. Fritz-i e kishte intoksikuar mendjen e saj me diskutime të pafunda filozofike. Elisabeth-a, e cila respektonte denjësisht marrëdhënien e saj me Fritz-in, e konsideroi kërcënimin e Salome-s, si një gjë të pazakontë. Ajo kundërshtoi planin Salome-së për një "marrëdhënie filozofike", në të cilën Salome, Fritz, dhe filozofi Paul Ree, do të krijonin një familje platonike. Ajo u skandalizua shumë kur pa Salome-n në një fotografi që e paraqiste atë tek po ngiste një karrocë. Ajo e largoi nga Fritz-i, Ree-ja dhe nga krejt rrethi i tyre shoqëror.
Në Biografinë Filozofike të Friedrih Niçes, Julian Young përshkruan se Niçe e organizoi skenën si një homazh për robërimin e tij nga Ree dhe Salome. Fotografia gjithashtu shërbeu si frymëzim për vërejtjen ndaj veprës "Kështu foli Zarathustra": "A shkoni për gratë? Mos harroni t'i rrëmbeni".
I zemëruar nga ndërhyrja e motrës së tij, Fritz e akuzoi atë për sjellje "të pistë dhe abuzive". Fritz kishte problemet e veta me tërheqjen e Elisabeth-ës ndaj Bernhard Forster-it, një figurë udhëheqëse në lëvizjen anti-semitike politike gjermane. Në vitin 1881, Forster organizoi një peticion të pasuksesshëm duke kërkuar që qeveria t'i regjistronte të gjithë hebrenjtë, të kufizonte emigracionin hebre, dhe t'i ndalonte ata nga procesi i mësimdhënies. Kur aktivitetet politike të Forster-it i kushtuan atij profesionin e mësimdhënies, ai vendosi të derdhë energjitë e tij në krijimin e Nueva Germania, një koloni emigrantësh të pastër gjermanë në Paraguaj. Ndërsa fillimisht skeptike ndaj radikalizmit të Forster-it për projektin e tij kolonial, Elisabeth-a erdhi për të përqafuar idetë e tij, duke gjetur aty më shumë miratim, sesa refuzimin e zakonshëm të vëllait ndaj Zotit. Nga 1884, Niçe dhe Elisabeth-a, nuk kontaktuan më me njëri-tjetrin. "Ky i mallkuar anti-semitizëm... është shkaku i një shkeljeje radikale midis meje dhe motrës time", i shkroi Niçe një miku.
Një vit më vonë, ata u pajtuan sërish. Elisabeth-a i kërkoi Fritz-it të shërbente si njeriu kryesor në dasmën e saj. Ai refuzoi duke i thënë se ishte diçka që nuk mund ta bënte. Elisabeth-a u martua me Forster-in në 22 maj 1885, mu në përvjetorin e lindjes së Wagner-it. Në fund të tetorit, Fritz-i e pa për herë të fundit Elisabeth-ën, pak para se ajo të nisej për në Paraguaj. Ajo e shprehte fshehurazi lumturinë e saj për të vënë në distancë fizike dhe filozofike Niçe-n dhe Forster-in. Kjo ishte hera e fundit që Elisabeth-a pa vëllanë e saj në gjendje mendore normale?
Nga viti 1888, Niçe po bëhej shumë i njohur. Universiteti i Kopenhagenit organizoi një seri leksionesh rreth filozofisë së tij, dhe përkthimet e shkrimet e tij kryesore ishin kthyer në vepra.
Prej idesë së famës së tij, e cila po nëpërkëmbej, ai u ankua njëherë se: "Në Vjenë, në Shën Petersburg, në Stokholm, në Kopenhagen, në Paris, në Nju Jork, e kudo është folur e jam vlerësuar, por jo në hijen e Evropës, në Gjermani".
Në fillim të vitit 1889, ai u rrëzua, sepse trupi i tij ishte rraskapitur nga gati dy dekada përballje me sëmundjen e sifilisit. Kur ai rifitoi vetëdijen filozofike, deklaroi se vetja e tij nuk ishte gjë tjetër veçse rimishërimi i Dionisit. Kjo nuk ishte një shpallje ironike filozofike, por thirrja e dëshpëruar e një mendjeje të lëkundur. Ishte fundi i jetës së tij intelektuale dhe fillimi i pavdekësisë. Por si Friedrih Niçe ashtu dhe shekulli i nëntëmbëdhjetë, kishin hyrë në periudhën e tyre përfundimtare. Lexuesit gjermanë kishin filluar tashmë të lexonin veprat e këtij djali amator.
"Një pjesë e madhe e magjisë ishte vënë në lirizmin, bukurinë, dhe fuqinë e gjuhës së Niçes. Filozofi ishte një mendimtar gjerman, me rrënjë gjermane dhe trajtonte ata ç'ka mendohet të jenë problemet kryesore të gjermanëve", shkruan Steven E. Aschheim mbi trashëgiminë e Niçes në Gjermani, 1890-1990.
Kessler-i ishte një nga ata që u magjeps nga magjia e tij. Lindur në Paris në 1868, me baba një bankier gjerman dhe nënë një trashëgimtare britanike, ai e kaloi fëmijërinë midis Britanisë Viktoriane dhe Gjermanisë Wilhelmiane. Entuziazmi nacionalist i shekullit të nëntëmbëdhjetë në kombinim me presionin e babait të tij, e bëri të pamundur jetesën si një qytetar i denjë evropian. Ballafaquar me perspektivën për t'u bërë një bankier, Kessler-i këtë herë pohoi vetë se ai studioi ligjin dhe historinë e artit në Bon dhe Leipzig, i bindur nga prindërit e tij. Kur erdhi koha për të përmbushur shërbimin e tij ushtarak, ai siguroi një vend në brigadën elitare të Gardës së Tretë.
Nëpërmjet studimeve të veta, Kessler-i zhvilloi... një interes mbi Greqinë e lashtë, një vlerësim për artin dhe estetikën si dhe një përçmim për historicizmin, duke u bërë kështu një lexues ideal i shkrimeve të Niçes. Në fund të vitit 1891, një mik i huazoi një kopje të "Njeriu, mbi të gjitha njeriun". Kessler-i nuk u fashinua menjëherë. Në shënimet e tij në ditar do të shkruhej se Niçe kishte nxitur urrejtjen filozofike ndaj gjithçkaje gjermane që e kishte "udhëhequr atë në një absurditet të plotë", siç ishte arritja e divorcit të plotë të Goethe-s me kulturën gjermane. Por skepticizmi i Kessler-it ishte zbehur shpejt.
I pasigurt në rrugën e karrierës që do të merrte, Kessler-i gjeti ngushëllim në thënien e Niçes se "bota është e justifikueshme, vetëm si një fenomen estetik". Ai hyri në një udhëtim rreth botës në vitin 1892, duke lexuar "Kështu foli Zarathustra", dhe meditimet e Niçes për arritjen e një shteti " mbinjerëzor". Kessler e lexoi atë së bashku me Odisenë homerike, në një udhëtim mes San Francisco-s dhe Yokohama-s.

Një i çmendur në arkiv
Pas pesë vitesh në Paraguaj, Elisabeth-a u kthye në Gjermani në vitin 1890, duke mbërritur jo si një zonjë e parë triumfuese, por si një e ve e poshtëruar. Kurse, i akuzuar për keqadministrimin e Nueva Germania dhe vjedhjen e banorëve të saj, Forster-i kishte bërë vetëvrasje në vend që të pranonte poshtërimin e falimentimit dhe kohën e mundshme në burg. "Miqtë e rremë dhe intrigat e armiqve e thyen zemrën e tij," shpjegoi Elisabeth-a, duke këmbëngulur se burri i saj nuk kishte kryer vetëvrasje, por se kishte vdekur nga një atak në zemër. Duke hedhur pas tashmë humbjen e burrit të saj, Elisabeth-a zbuloi se ajo kishte dy vëllezër: filozofin e gllabëruar nga gjermanët si Kessler-i, dhe një të çmendur të bezdisshëm në sallën e shtëpisë së tyre të fëmijërisë.
Në vend të qëndronte për të ndihmuar dhe të përkujdesej për vëllain e saj, Elizabeth-a u kthye në Nueva Germania, e vendosur për të vazhduar punën e Forster-it për rigjallërimin e reputacionit tij, vetëm për t'u përballur me akuzat e keqmenaxhimit. Duke lënë pas kreditorët që e kërkonin, ajo shkoi përsëri në Gjermani dhe përqafoi identitetin e saj si motra e Friedrih Niçe-s. Nuk do të jetë më ajo Elisabeth "Eli", Forster, por Elisabeth Forster-Niçe, ndryshim i emrit të përhershëm tashmë është bërë me vendim të gjykatës.
E ngërthyer nën çatinë e nënës së saj në qytetin e vogël të Naumburg-ut, Forster-Niçe ripërtëriu energjinë e saj për krijimin e një arkivi të veprave të vëllait të vet dhe filloi procesin e deshifrimit të atyre gjërave që mund të publikoheshin nga letrat e tij. Arsimi i papërfunduar dhe mungesa e profesionalizmit nga ana e Forster-Niçes e bënë një kujdestare të padenjë të arkivave të tij. Por ajo, posedonte shumë nga koleksionet e letrave të tij, çka do të thoshte se shumë pak miq të tij do t'i dispononin ato në të ardhmen. Kushdo që kishte bërë "biznes" me letrat e Niçes, do të duhej të kalonte patjetër nëpërmjet duarve të motrës së tij.
Më 26 tetor 1895, Kessler-i i bëri një vizitë, duke e takuar për herë të parë. Kessler-i ishte bërë një anëtar i bordit editorial të Pan-it, një revistë e ilustruar që i përkushtohej letërsisë dhe artit modern. Ai donte të publikonte kompozimet muzikore të Niçe-s. "Ajo është delikate, një grua ende e bukur, me një çehre të freskët dhe të brishtë, pamja e saj nuk transmeton energjinë që ka në të vërtetë," shkroi ai më pas në ditarin e tij. Arkivi, në të cilin ishin vendosur librat dhe dorëshkrimet e Niçe-s, ishte kthyer në një "dhomë pritjeje miqsh".
Pas çdo dreke dhe darke, Znj. Forster-Niçe ankohej rreth situatës së saj "të pakëndshme". Thoshte se askush këtu nuk ka sado pak interes të vogël, për të kuptuar vëllain e saj. Ajo i mbajti lidhjet e saj të mëparshme me zyrtarët e vjetër të dalë në pension dhe nëpunësit civilë, por ata nuk e falënderuan për punën dhe përpjekjen e saj për të ruajtur arkivin dhe "memorien" e Niçes . Edhe nëna e tyre, gruaja e një pastori të vjetër dhe të devotshëm, ishte, përsa i përket ndjenjave të saj, në krahun e "armikut". Ndërsa dinaku i Forster-Niçes, Kessler-i gjatë takimit me të, u bë një mbështetës i flaktë i arkivit dhe ata ranë dakord për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Znj. Forster-Niçe nuk i kishte munguar kurrë ambicia dhe fama në rritje e vëllait të saj, e cila u bë një mjet i fortë për të. Në vitin 1896, ajo vendosi të drejtën e autorit për veprat e tij dhe u zhvendos së bashku me vëllain e saj në Weimar, një qytet i fjetur i cili konsiderohej si djepi i kulturës gjermane. Atje, ajo mund ta poziciononte atë si të barabartë me Goethe-n dhe Schiller-in.
Në gusht 1897, ajo u zhvendos në Villa Silberblick, një shtëpi katër-katëshe që ndodhej afër qendrës së Weimar-it. Vila u ble për t'u përdorur nga Meta Von Salis, një aristokrate zvicerane e cila ishte miqësuar me Niçen, kur ai jetonte në Zyrih. E mahnitur nga mënyra e saj elegante dhe theksi i lartë gjerman, Niçe e kishte anashkaluar vëmendjen e Salis-it ndaj emancipimit të grave, një çështje për të cilën ai kishte pak simpati. "Ajo, nga ana tjetër, u mallëngjye nga ai takim, dhe tregoi një "vlerësim të madh", mbi pjesën tjetër të jetës së saj, një jetë, gjatë së cilës ajo kurrë nuk e braktisi kauzën e promovimit të filozofisë së tij," shkruante Young.
Jo shumë kohë pasi Niçe u transferua në Villa Silberblick, u vizitua nga Kessler-i. "Shtëpia gjendet në një kodër mbi qytet në një kopsht të mbjellë rishtazi, por ende mjaft e zhveshur," shkroi ai në ditarin e tij. Forster-Niçe i tha se vëllait të saj i pëlqenin shtëpitë e larta, dhe gjatë mbërritjes kishte humbur nga dhoma në dhomë duke thënë, "Palazzo, Palazzo." Kjo histori dhe tregime të tjera të sjelljes së Niçes, e habitën Kessler-in. Ajo duhet të ketë gjetur një mënyrë për trajtimin e vëllait të saj si një fëmijë belbëzues, çka do të thoshte se ajo nuk duhet ta ndjente të gjithë tragjedinë e tmerrshme që po e kaplonte.
Gjithashtu, duhet të ketë qenë hera e parë që Kessler-i hasi përdorimin nga Niçe të fjalës "mashtrues".
Ai rrinte i shtrirë dhe i përgjumur në një divan. Niçe i fuqishëm pushoi, sikur të ishte strukur shumë rëndë në qafën e tij, i zhytur në gjoksin e tij, i mënjanuar në të djathtë. Balli është mjaft kolosal, modeli i flokëve të tij ende ngjyrë kafe të errët, ka mbetur sërish i ashpër së bashku me mustaqet e fryra. Ka një hije të zhytur thellë nën sytë e në faqet e tij. Në fytyrën e tij të sheshtë, të lirshme dhe të thellë nga brazdat, dëshira e mendimi janë gdhendur, por gradualisht zbehet dhe bëhen të qeta përsëri. Duart janë si dylli, me ngjyrë të gjelbër dhe venat, disi të fryra, si ato të një kufome.
Pavarësisht se Forster-Niçe e shtrëngoi atë dhe e thirri "i dashur, i dashur", filozofi nuk u zgjua. "Kështu ai nuk i ngjan dikujt që është sëmurë ose i çmendur, por një njeriu krejt të vdekur," shkroi Kessler-i.
Pas darke, Forster-Niçe i ofroi Kessler-it punën e redaktimit të botimit të ri të Zarathustrës dhe poezive të grumbulluara, por Kessler-i kundërshtoi, duke ofruar në vend të tyre të mbikëqyrte projektimin dhe procesin e shtypjes.
Si gjithmonë Kessler-i ishte duke bërë shënime. Ai nuk ishte i impresionuar me mënyrën se si ishte zbukuruar shtëpia, duke e quajtur në ditarin e vet "të begatë, por dekoruar pa sqimë". Forster-Niçe duket të ketë menduar në të njëjtën mënyrë dhe hyri në një seri të rinovimeve të shtrenjta, duke i dërguar faturën Salis-it për pagesën. I zemëruar me "arrogancën gjithnjë të pamatur", të Forster-Niçes dhe shkëmbimin e letrave për mosmarrëveshjet që kishin, Salis-i i ndërpreu fare kontaktet. Forster-Niçe, i shiti vilën një kushëriri të Niçe-s në vitin 1899. Me një keqardhje të dukshme, Salis-i u bashkua me radhët e miqve të Niçe-s dhe admiruesve, të cilët shqetësoheshin se çfarë do të bëhej me trashëgiminë e tij për aq kohë sa ai ishte në "paraburgimin" e Elizabeth Forster-Niçes.

Maska e vdekjes
Kessler-i arriti në shtëpi për të pritur nga momenti në moment telegramin. "Këtë mëngjes vëllai im shumë i dashur ndërroi jetë papritur," shkruante Forster-Niçe. "Pasditen e të hënës në orën 17:00 zhvillohet funerali në Arkivin "Niçe". Ju lutemi të vini nëse është e mundur". Kessler-i rezervoi një biletë treni për Weimar për të nesërmen. Kur mbërriti, zbuloi se Forster-Niçe ishte "shumë e mërzitur".
Trupi i Niçes ishte vendosur në një arkivol veshur me të bardhë dhe me nuancë të trëndafiltë. Fytyra e tij ishte me sytë gjysmë të hapur, sikur donte të shprehte se ishte thjesht duke fjetur. "Sëmundja e fundit i dha një shprehje të tërhequr për të të ardhur keq dhe si për ta dobësuar, mustaqet do t'i fshihnin edhe dhimbjen e gojës", vërejti Kessler-i. "Dhe kjo formë e shkëlqyer duket kudo me dobësimin e tij ngado, ballin e harkuar, të fuqishëm, nofullat e fuqishme dhe mollëzat që duken akoma më të ashpra nën lëkurë se sa kur ai ishte gjallë.
"Përshtypja e përgjithshme përbën një reagim pavarësisht nga dhimbja". Ideja e përkujtimit të Niçe-s në një farë mënyre duhet të ketë qenë tashmë në mendjen e Kessler-it. Në mëngjesin e varrimit, ai organizoi edhe bërjen e maskës së vdekjes për të. Për t'i asistuar, Kessler-i punësoi për ndihmë Curt Stoeving, i cili kishte pikturuar portretin e filozofit disa vite më parë, dhe një punëtor vendas. Ata e bënë atë për rreth një orë e gjysmë.
Gjatë ndezjes së qirinjve, kori i grave këndoi Brahms-in dhe "këngën e madhërishme tragjike". Pati edhe një vlerësim të gjatë nga artisti Breysig dhe historiani Kurt, të cilët bënë një analizë kulturore-historike të veprës dhe punës së Niçes. "Rrallë kam përjetuar një moment të tillë", do shkruante arkitekti Fritz Schumacher, i cili mori pjesë në shërbim. "Intelektualët e përcollën këtë njeri deri në varr. Nëse ai do të ishte ringjallur, do ta kishte shtyrë folësin e kremtimit nga dritarja dhe do të na kishte dëbuar të gjithëve nga kisha."
Të nesërmen, Niçe u varros pranë prindërve të tij në varrezat e kishës në Röcken, atje ku i ati kishte shërbyer si pastor. Kjo ishte në kundërshtim me dëshirat e tij, pasi dëshironte të varrosej në Zvicër në gadishullin e Sils-Maria, ku kishte kaluar verën në mënyrë shumë të këndshme. Pavarësisht pikëpamjes së krishterë për një njeri që nuk besonte në Perëndi: këmbanat ranë, një kor këndoi meshën, dhe një kryq argjendi iu vu mbi arkivol. Në debatin mbi fenë të zhvilluar mes Forster-Niçes dhe vëllait të saj, ajo kishte fjalën e fundit.

Përkujtimi i Niçes
Me ardhjen e shekullit të ri, Kessler-i e gjeti veten të tërhequr në Weimar për arsye të tjera në dallim nga Niçe. Shoku i tij i dashur, arkitekti belg Henri Van De Velde, ishte bërë drejtor i artit dhe veprave artistike të shkollës së Weimar-it që nga viti 1902. Ata, që dëshironin të shihnin Kessler-in në Weimar, ishin Wilhelm Ernst, shefi i gjykatës së lartë dhe Duka i Saxe-Weimar-it Einschaht-i. Për një njeri që lulëzoi në shoqërinë kulturore të Berlinit dhe Parisit, vendimi për të shkuar në një qytet me vetëm tridhjetë mijë banorë, e të populluar kryesisht nga pensionistët, nuk dukej i lehtë për t'u ndërmarrë. Por oferta për drejtimin e Muzeut të Arteve dhe Mjeshtërisë ishte e vështirë për t'u refuzuar, prandaj Kessler-i e mori këtë post në mars të vitit 1903.
Kessler-i kishte plane të mëdha për të kthyer Weimar-in dhe muzeun në një qendër të modernizmit estetik. Ai organizoi një sërë ekspozitash që promovuan artistin simbolist Max Klinger, postimpresionizmin francez, librat në gjuhën angleze dhe zhvillimin e teatrit. Kessler-i bleu po ashtu një shtëpi në Weimar, e cila u dizenjua nga Van De Velde, dhe bashkëpunoi përsëri me atë në planet për ndërtimin e një teatri të ri.
Për të çuar deri në fund vizionin e tij, Kessler-i, ndërmori udhëtime të shpeshta në Paris dhe Londër, duke takuar artistë dhe tregtarë. Në shkurt të vitit 1905, në një prej udhëtimeve të tij në Paris, ai pajtoi skulptorin Auguste Rodin, për të bërë një bust të Niçe-s . Artisti u tregua i gatshëm për të marrë përsipër detyrën e porositësit, duke përmendur "vështirësitë e mëdha për të bërë dikë të cilin ai kurrë nuk e kishte parë gjallë". Kessler-i i siguroi një maskë vdekjeje, por Rodin-in ky element e pengonte për të zhvilluar veprën e tij. "Struktura e kockave, që ka mbetur do të jetë edhe themeli i gjithçkaje që ne do të zhvillojmë," i tha Rodin, Kessler-it. "Por përtej kësaj nuk është lëvizja e sipërfaqeve që duhet vëzhguar, drejtimi kryesor i lëvizjes së muskujve në strukturën e kockave mund të vëzhgohet vetëm me një model... Kur dikush ka një lëvizje, ka çdo gjë."
Idetë moderne në lidhje me artin e Kessler-it, shpejt u përplasën me ato më tradicionalet e mbajtura nga shoqëria e Weimar-it. Në 1906, ai u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i tij pas një ekspozite të një shfaqjeje të grave nudo nga Rodin, duke shkaktuar një skandal. Kessler-i shpejt u zhvendos në projekte të tjera të kësaj natyre, duke u bërë një mbrojtës i artistëve, punën e të cilëve e admironte. Ai gjithashtu bashkëpunoi me kompozitorin Hugo Von Hofmannsthal, për librat për Der Rosenkavalier, një opera përbërë nga Richard Strauss.
Gjatë kësaj kohe, znj. Forster-Niçe nuk kishte qëndruar duarkryq. Ajo siguroi shërbimet e Van De Velde-s për ridekorimin dhe zgjerimin e arkivit në 1903 (ajo mbetej një vitrinë e artit të ri të dizajnit). Në vitin 1908, ajo formoi edhe Fondacionin e Arkivit të Niçes, i cili formalizoi punën e saj. Kessler-it iu dha një vend në bord. Paratë për të vepruar iu dërguan nga Ernst Thiel, një biznesmen suedez me origjinë hebreje. Për të fituar mbështetjen e tij, Forster-Niçe hodhi poshtë anti-semitizmin e saj.
Gjatë rrjedhës së vazhdueshme për grumbullimin dhe koleksionimin e veprave të Niçes, ishin zbuluar letra, të cilat vërtetonin ndërhyrjen e vetë motrës së tij. Vëllimet janë të mbushur me falsifikime të mëdha dhe të vogla. Dijetarët, të cilët më vonë u përpoqën të shqyrtonin vëllimet e letrave në arkiva, kanë vënë në dukje mungesën e origjinaleve për shumë letra, veçanërisht në korrespondencën mes Forster-Niçes dhe vëllait të saj, gjatë kohës që ajo jetoi në Paraguaj. Forster-Niçe gjithashtu nuk ishte për ndryshimin e identitetit të letërmarrësit ose për ndryshimin e tekstit për të zbutur idetë e vëllait të saj kundër anti-semitizmit.
A ishte në dijeni Kessler-i në lidhje me problemet e shkrimit? Ditari i tij hesht për këtë çështje, dhe Easton-i, biografi i tij, nuk është i sigurt. "Nëse Kessler-i, para luftës, nuk kishte dyshuar kurrë se si Elisabeth-a kishte shtrembëruar qëllimisht trashëgiminë e vëllait të saj në lidhje me idetë anti-semite, interpretimi nacionalist, është ende i paqartë", shkruan ai.
Planifikimi për një përkujtimore nuk eci mirë deri në vitin 1911. Forster-Niçe filloi të shtyjë përfundimin e saj në kohë për të festuar ditëlindjen e shtatëdhjetë të vëllait të saj në vitin 1914. Por si do të përkujtohej një filozof, veçanërisht një njeri që shkroi shumë rreth artit dhe që kishte një mendim jo të mirë për format e artit bashkëkohor? Forster-Niçe kishte imagjinuar një "tempull modest". Është zbuluar se ajo kërkonte një tempull të përshtatshëm për aq kohë sa nuk i dispononte fondet e mjaftueshme. Edhe arkitekti, Van De Velde kishte argumentuar për rimodelimin e arkivit ekzistues, duke shtuar edhe një sallë të madhe që të përfshinte edhe memorialin.
Kessler-i gjithashtu donte një tempull, që do të mishëronte parimet e lashta greke, gjë që do të përkonte edhe me botëkuptimin e Niçes, që ai e kishte tashmë plotësisht në kokën e tij. Sipas parimeve Apolloniane, në oborr do të shfaqej statuja e një të riu të zhveshur, gdhendur nga Aristide Maillol, një skulptor franko-katalanas i njohur për format e tij klasike. Disa do të kërkonin, formën e Dionisit, të pasqyruar në bustin e Niçes dhe basorelievin e bërë nga skulptori Klinger. Ndërsa thëniet e Niçes, do të gdhendeshin në mur nga artisti britanik Erik Grill, specialist i tipografisë.
Bashkimi i artistëve të ndryshëm në shërbim të një projekti të madh ishte vepër e pastër e Kessler-it. Ai mund të ketë qenë gjithashtu tepër bindës. Deri në fundin e takimit të tyre të parë, gjatë diskutimit të projektit, Van De Velde dhe Forster-Niçe kishin dhënë miratimin për vizionin e tij.
Ndërtimi i tempullit nxiti edhe lëvrimin e fondeve, diku në shumën e pesëdhjetë mijë markave. Kessler-i dhe të tjerët vendosën të ofrojnë abonimet, të cilat do të fillonin me një mijë marka (Kessler-i angazhoi rreth pesë mijë) dhe do të publikoheshin gjithashtu edhe botimet dhe faksimilet e shkrimeve të Niçes. Kessler-i gjithashtu parashikonte të përfitonte nga shfaqjet dhe koncertet, në Gjermani, Francë, Austri dhe Nju Jork. Me Kessler-in si president, Komiteti informal u shndërrua shpejt në një bord formal. Forster-Niçe, megjithatë, nuk ka vend në bord. Easton spekulon se Kessler-i nuk mund t'i ketë ofruar një vend asaj, pasi kishte frikë për ndikimin e saj të madh.
Kur Kessler-i udhëtoi në Paris në pranverë, ai foli për planet e veta për memorialin në rrethin e tij shoqëror, ku bënte pjesë edhe poeti Rainer Maria Rilke, shkrimtari Jean Cocteau, mecenati i teatrit Gabriel Astruc, kompozitori Reynaldo Hahn dhe themeluesi i baletit rus Sergei Diaghilev. Ai pati edhe mbështetjen entuziaste të opozitës së intelektualëve. Piktori Pierre Bonnard, refuzoi ta mbështeste projektin. " Këtë e bëj pasi deri diku jam në kundërshtim me Niçen, jo për idetë e tij, por për personalitetin e tij," tha Bonnard Kessler. "Unë jam pak frikacak ndaj atyre qenieve që nuk janë asgjë, por që mendojnë. Mua më duket se ata do të përfundojnë një ditë së bashku me mendimet e tyre të gllabëruar nga vetë jeta".
Gjatë drekës, Kessler-i pyeti balerinin rus Vaslav Nijinsky, i famshëm në Paris për shfaqjet e tij me baletin rus, për të vepruar si model për skulpturën e Maillol-it. Nijinsky ra dakord, por Maillol-i e kundërshtoi. "A e keni parë atë lakuriq?" Pyeti Maillol-i Kessler-in. "A nuk është ai i rrumbullakët? Çfarë është e bukur për të tjerët, shpesh nuk është e bukur për një artist që ka një ide në kokën e tij. Modeli duhet të përgjigjet në idenë që artisti dëshiron për ta ekzekutuar". Gjatë një mbrëmjeje të baletit të Nijinsky-t, Maillol-i ndryshoi mendje. "Ai është absolutisht Eros", i tha ai Kessler-it. "Ai është i përsosur për të mos thënë pothuajse shumë i bukur".
Ndërtimi i një tempulli ishte ambicioz, por një projekt i keqmenaxhueshëm, ndaj më pas erdhi ideja për stadiumin. Duke mbajtur shënime për znj. Forster-Niçen, Kessler-i ju lut asaj të mos frikësohet nga kjo ide. "Vëllai juaj ishte i pari ... që na mësoi gëzimin në trupin e njeriut, në forcën fizike dhe bukurinë; i pari që solli kulturën fizike, forcën dhe hiret, e përsëri këto në marrëdhënie me frymën dhe gjërat më të larta". Kessler-i gjeti mbështetje për idenë e stadiumit edhe te anëtarët e tjerë të bordit, të cilët kuptuan se klubet gjimnastikore dhe liga sportive do të ndihmonin në financimin e ndërtimit të tij.
Znj. Forster-Niçe ishte e "ngacmuar dhe tronditur" njëkohësisht nga ideja e stadiumit dhe akuzoi Kessler-in dhe Van De Velde-n për "komplot" ndaj saj. "Në thelb ajo është një antikulturë, tha vajza e pastorit, e cila betohet të jetë e sigurt mbi fjalët e vëllait të saj, por është e mërzitur dhe e zemëruar - se sa shpejt ju po përpiqeni t'i transformoni ato në vepra", i shkruan e dëshpëruar Kessler-it. Ajo justifikon shumë nga ato që i vëllai ka thënë për gratë. Ajo ishte në fakt e vetmja grua që ai e zinte ngushtë. Kessler-i u takua me Forster-Niçen dhe e qetësoi paranojën e saj duke i shpjeguar se ideja e stadiumit vetëm sa i kishte ardhur ndërmend.
Deri në shtator, Kessler kishte gjetur një shtrirje të terrenit të përshtatshëm. Tani ai kishte shkuar te Van de Velde për të hartuar modelin e përkujtimores, tempullit dhe stadiumit. Kessler-i vlerësoi se çmimi përfundimtar do të ishte rreth një milion marka. "Nëse ne do të kishim më shumë fonde nga ç'kemi deri tani, unë do të doja të krijoja pranë Memorialit të Niçes, një Institut të 'Gjenetikës Racore,' për zbukurimin e garës", shkroi Kessler.
Në mesin e tetorit, znj. Forster-Niçe filloi përsëri me bujë lidhjet me projektin. "Letra të pabesueshme nga Forster-Niçe, e cila më kërkon të heq dorë nga plani për memorialin sepse 'një Lenke Herr apo Menke' (ajo nuk mundi të kujtojë emrin) e vizitoi dhe foli kundër projektit," shkroi Kessler. "Indinjata e hapur" e këtij adhuruesi të Niçe-s, ka ndikuar thellë brenda saj, dhe "ajo vetë nuk mund të bëjë asgjë tjetër tani, veçse ta kundërshtojë atë". Projekti nuk ishte braktisur aq lehtë. Kessler-i kishte rregulluar një kredi prej gjashtëdhjetë mijë markash për të blerë pronën e kërkuar, të holla të ofruara nga dy bankierët hebrenj. I vetëdijshëm se asaj i mungonin fondet për ta bërë, ai i dërgoi Forster-Niçe-s një letër të shkurtër, ku i shpjegon se kredia duhet të paguhej shpejt. Kessler-i gjithashtu i sugjeroi të mos e merrte në konsideratë mendimin e një njeriu, emrin e të cilit ajo nuk mund ta mbante mend.
Në fund të nëntorit, Kessler u takua me Van De Velde për të rishikuar edhe njëherë planet e tyre. Kessler ishte zhgënjyer shumë. Skica i kujtoi atij "Atdheun anglez" - dhe ai u shqetësua për atë ç'ka shoku i tij kishte shprehur nga thellësia e shpirtit. "Imagjinata e tij dështon pa ndihmën e shërbimeve. Është e qartë se ai nuk ka shumë zemër për këtë punë". Van De Velde u kthye në bordin e tij të hartimit dhe paraqiti një skicë të re dy ditë më vonë. "Tani tempulli duket si një muze komunaleje, vetëm një shumatore të formave të ndërtuara, gjëra të parëndësishme, dhoma manteli, një sallë me gradaçela, etj.", shkroi Kessler. "Unë i thashë atij se ne nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë".
Kessler-i ndoqi takimin e tyre me një letër duke u përpjekur të përshkruajë atë që kërkonte nga zhvillimi i këtij monumenti. Së pari dhe më kryesorja,- tha ajo, ishte "zhvendosja e personalitetit të Niçe-s në një formulë të madhe arkitekturore":
Një monument vezullues, fluturon, në mënyrë që të flasë, nga lartësia e tij para stadiumit masiv, një monument pothuajse ajror, si monumentet italo-islamike të Indisë që duken të ndërtuara nga qenie mbinatyrore, nervoze dhe të forta, madje edhe të lartësuara masivisht nën petkun e paraqitjes së butësisë, në fizionominë e vetë Niçes, me strukturën e tij të frikshme Bismarckian-e të eshtrave nën sipërfaqe delikate të ballit dhe gojës së tij. Unë do të doja jo vetëm gëzim, por pothuajse ironi në shprehjen monumentale të kësaj opozite, triumfin e finesës mbi fuqinë. Një orkestrim i plotë i këtyre dy motiveve të çojnë në një gëzim dhe në një qetësi, dhe pastërti pothuajse ironike dhe butësore.
Akuza e Kessler-it ndaj Van De Velde-s ishte pothuajse e pamundur të kuptohej. "Një simpatizant i Van De Velde-s tha se kishte transformuar fizionominë e një filozofi në një ndërtesë," shkruante Easton.
Në mes të dhjetorit, Van De Velde i paraqiti Kessler-it një shkallë të modelit të një stadiumi dhe të një tempulli. "Stadiumi në këtë model ka pikërisht përmasat e një të ngjashmi në Athinë," shkroi Kessler. "E tëra, por sidomos lidhja e tempullit me stadiumin, ishte çuditërisht e bukur, e bukur dhe e madhërishme." Por gjërat do të ngecnin sërish kur do të vinte në tempull. "E vërteta është se epokës sonë i mungon tradita dhe tani duan të merren me arkitekturën dekorative," shkroi Kessler. "Ky dështim i plotë i Van De Velde-s, pas përpjekjeve të përsëritura, për të gjetur një shprehje arkitekturore për një gëzim të pastër dhe të çiltër në jetën dhe butësinë e tij, e provon atë."
Në qershor të vitit 1912, Van De Velde paraqiti planin e tij për memorialin e Niçe-s në komision. Ditari i Kessler-it shërbeu si udhërrëfyes për të mbështetur këtë projekt të veçantë. Komisioni e miratoi atë, pavarësisht nga vlerësimet e rishikuara dhe dy milion markat e nevojshme për ta kthyer atë në realitet.
Për pjesën e mbetur të vitit 1912 dhe 1913, memoriali përkujtimor i Niçes u la në harresë. Kessler ka qenë i përfshirë thellësisht në shkrimin dhe prodhimin e një shfaqjeje teatrale, por problemet e vazhdueshme financiare të znj. Forster-Niçe po përparonin ndjeshëm. Keqmenaxhimi që ajo po i bënte arkivit, po sillte gradualisht një reduktim të përditshëm të fondeve, ç'ka do të thoshte edhe ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e memorialit të tij. Kessler-i, theksoi ajo, "ëndërron fantazi, dhe atij nuk i bëhet shumë vonë për vuajtjet dhe idetë e mia, të cilat prej një periudhe 12 vjeçare nuk po arrijnë të konkretizohen dot". Përfundimisht, Kessler-i dhe Forster-Niçe arritën në një marrëveshje që të siguronin arkivin në aspektin financiar, e në këtë mënyrë ata e lanë ndërtimin e memorialit në heshtje, duke çuar kështu natyrshëm në ngrirjen e fondit prej 100.000 markave që ishte akorduar për të.

Besimtarët e së ardhmes
Fillimi i Luftës së Parë Botërore i dha fund planeve të Kessler-it për memorialin, një zhvillim që Niçe me siguri do ta kishte duartrokitur. "Unë nuk i dua 'besimtarët', unë mendoj se s'kam qëllim të mirë për të besuar në veten time, pasi kurrë nuk flas për masat. Kam një frikë të tmerrshme se një ditë unë do të shpallem i shenjtë," shkroi ai në Ecco Homo në 1888.
Ashtu si shumë gjermanë, Kessler përshëndeti luftën, duke parë kështu mundësinë për të shërbyer me regjimentin e tij në vijën e frontit. "Këto javët e para të luftës kanë nxjerrë në pah diçka nga thellësitë e panjohura të popullit tonë gjerman, të cilën mund ta krahasoj vetëm me një spiritualitet të sinqertë dhe të gëzuar", i shkruante ai një miku. Lufta në frontin lindor provonte zhvillime të rëndësishme, dhe Kessler nxori një ripërcaktim përsëri në Berlin në vitin 1916. Nga atje ai ishte transferuar në ambasadën gjermane në Bernë, Zvicër, ku shërbeu nga lufta duke vepruar si një diplomat dhe gjithashtu si një agjent i fshehtë.
Znj. Forster-Niçe e përdori luftën për të shtrembëruar më tej punën e vëllait të saj, duke botuar një seri artikujsh të deklaruar se Niçe do të kishte mbështetur luftën. Është e pamundur që Niçe, i cili e shihte krijimin e Rajhut të Dytë gjerman në vitin 1871 si katalizator për rënien e kulturës gjermane, do të kishte vepruar kështu. Qeveria gjermane shikonte gjithashtu një frymëzim te Nietzche dhe urdhëroi shtypjen e 150.000 kopjeve të veprës "Kështu foli Zarathustra", për ta shpërndarë, së bashku me Biblën, për ushtarët gjermanë në front.
Pas luftës, znj. Forster-Niçe, e cila kundërshtoi vendosjen e Republikës së Weimar-it, u bashkua me Partinë Popullore gjermane ultra-konservatore. Në zhvillimin e viteve 1920, ajo u përpoq t'u kultivonte nëpërmjet mjeteve propagandistike adhuruesve të Nietsche-s idetë e së djathtës ekstreme, por kjo do të ndodhte nëse adhuruesit e tij do të kontribuonin financiarisht për gjetjen dhe ruajtjen e arkivit të tij personal. "Kjo mjafton për t'i bërë të 'vajtojnë' njerëzit dhe për të parë se çfarë i ka ndodhur Niçe-s dhe arkivave të tij," ankohej Kessler në vitin 1932.
Kishte edhe nga ata që ishin kundër ndërtimit të një memoriali, të paktën nga Kessler-i. Mjedisi që kishte prodhuar një skemë të tillë, në dukje të realizueshme, ishte shkatërruar nga katër vitet e luftës botërore. Lufta përcaktoi edhe shijen e Kessler-it për ambicie perandorake, duke e kthyer atë në një pacifist. Duke zbuluar një talent për diplomaci, Kessler-i u bë ambasadori i parë i Gjermanisë në Poloninë e re të pavarur. Edhe pse Kessler udhëtoi shumë gjatë dekadave, ai u kthye përgjithmonë në shtëpinë e tij në Gjermani. Ardhja e regjimit nazist në pushtet, në vitin 1933 e bëri të pamundur, si shpirtërisht dhe intelektualisht. Ai i jetoi pesë vitet e mbetura të tij në mërgim në Francë.
Në Rajhun e Tretë, znj. Forster-Niçe u trajtua me përkujdes dhe respekt. Ajo i kalonte vitet duke përshkruar punën dhe veprat e vëllait të saj, si një himn për idetë e ekstremit të djathtë gjerman, çka bëri që ai të klasifikohej si një hero kombëtar nga lidershipi nazist. Duke filluar nga maji i vitit 1934, ajo filloi të marrë treqind marka të Rajhut në muaj nga fondi privat i Hitlerit, për nder të "shërbimeve të saj në ruajtjen dhe publikimin e veprave të Niçe-s." Kur ajo vdiq në vitin 1935, vetë Hitleri mori pjesë në ceremoninë funebre të saj.

*Shkrimi është marrë nga “The Humanities”. Meredith Hindley është shkrimtare permanente e Humanities. Është përkthyer nga Ivi Kaloçi.

At Zef Valentini, Kanuni dhe shpirti i së drejtës sonë zakonore



Nga Ndriçim Kulla*




Duke i këshilluar studiuesit të dilnin nga nebuloza e miteve patriotike dhe t'i përvisheshin argumentimeve shkencore, por edhe duke flakur tej vetes pohimet e disa etnologëve dhe linguistëve të huaj mbi Shqipërinë, At Zef Valentini filloi të bindej përditë e më shumë se ishte i pranishëm në një komb me fizionomi të veçantë. Dora-dorës zbulonte te ai elementë origjinalë dhe me intuitën që e karakterizonte, dallonte brenda tij një strukturë të fshehtë unitare. Megjithatë, me instinktin e shkencëtarit, ai donte që të gjitha këto cilësi të arrinin të shpalleshin shkencërisht. Synonte t'u vinte sa më shumë në ndihmë historianëve të Shqipërisë për të pikasur e përcaktuar si duhet konturet e qenies shqiptare, e për të saktësuar kështu qëndrueshmërinë dhe autenticitetin e vlerave origjinale të racës. Mirëpo çelësin për të zhbiruar hapësirat e fshehta të shpirtit shqiptar, atij ia dha kodi i maleve shqiptare, "kanuni i Lekë Dukagjinit" në të cilën përmblidhen rregullat dhe të drejtat zakonore, që organizonin jetën e këtyre njerëzve. Do të qe kjo një dashuri e re për jezuitin e pasionuar nga e cila s'do të shqitej dot gjer në fund të jetës. Që në vitet e para kur drejtoi revistën "Leka", siç thekson Koliqi, "ai ndërrmori nji tendencë që synonte analizimin e së tashmes, rindërtimin historik të së shkuemes, e nji orvatje të guximshme me vendosë bazat e nji ardhmërije t'karakterizueme nga cilësitë e veçanta të shpirtit etnik, që janë dashunia për lirinë, lidhja e forte me traditat e shëndosha, ndjenja e naltë e nderit, ndjenjë që tek e fundja shkrihej në ndjenjën e dinjitetit e të drejtësisë, aq shumë të përhapun ndër shqiptarët nëpërmjet ligjesh të sakta gdhendun në Kanun"
Ndaj, nuk ke si të mbetesh i mahnitur përballë ndërmarrjes që ai i kushtoi studimit të kodit tonë zakonor, për t'i dhuruar kështu kësaj fushe të kulturës sonë, një korpus të tërë veprash monumentale. E filloi me "Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi kanunin" të botuar më vete në vitin 1942 në "Studime dhe tekste", së cilës i shtoi "Fiset e Shqipërisë së Veriut: Shënime mbi organizimin e tyre shoqëror dhe politik" (botuar në vitin 1943). Pastaj vazhdoi me "Kanunin e Lek Dukagjinit sipas versionit të Mark Sadikut, të parit të djelmnisë së Shalës" (po në "Studime dhe tekste");
Për ta përfunduar me ajkën e hulumtimeve të tij në lëmin e studimeve mbi kodin tonë zakonor, ku spikat një treshe e madhe; së pari do të fillojmë me "Familja në të drejtën tradicionale shqiptare" (Vatikan, 1945). Argumentet e trajtuara në këtë libër kanë të bëjnë me shoqërinë familjare shqiptare, ashtu siç ajo konsiderohet nga Kanuni e ashtu siç ajo njihet në doket dhe në zakonet civile. dmth. jo si një "bërthamë" natyrale (nënë, babë, fëmijë ose të afërm që jetojnë nën një çati), por në një kolektivitet prej shumë familjesh (natyrale) që jetojnë në të njëjtin vend, në udhëheqjen e një kreu, e që kultivojnë një pronë të pandarë, duke nxjerrë e duke marrë në mënyrë të barabartë frytet e saj".
Vijon me "E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare'' (Firence, 1956), ku trajtohen gjerësisht parimet themelore të së drejtës publike shqiptare dhe në shtojca të veçanta jepet një informacion i bollshëm mbi fiset antike ilire dhe fiset shqiptare të mesjetës dhe kohëve moderne. Ja si shprehet autori për vijueshmërinë e tyre: "
Botova në fillim një vepër të parë me titull "Familja në të drejtën tradicionale shqiptare", me bindjen se, pavarësisht se nuk është e sigurtë që e drejta familjare është baza e së drejtës së Kanunit shqiptar, përsëri ajo është baza dhe parathënia e të gjithë mentalitetit të tij juridik, ashtu si e çdo populli tjetër. Kaloj, nëpërmjet këtij studimi, në përshkrimin e së drejtës së komunitetit, ose më saktësisht, të komuniteteve më të gjëra se familja, por jo të një gjendje të tillë të qëndrueshme si ajo, e krejtësisht të pavarur e sovrane. Ky vëllim do të përfshijë pjesën e përgjithshme të sudimit, pra do të përmbajë parimet e përgjithshme të së drejtës publike dhe tipet e ndryshme të komuniteteve; në shtojcat, për interes historik e për të krijuar bazën e nevojshme të metodës pozitive dhe induktive të përdorur për shqyrtim, kam paraqitur një përshkrim të të gjitha komuniteteve fisnore për të cilat arrrita të mbledh njoftime.
Ndërsa studiuesi i mirënjohur Peter Bartl do të miratonte përfundimet e tij:
Sidomos në monografinë më të fundit (bëhet fjalë për "Të drejtën e komuniteteve") Valentini thotë me të drejtë se në botën e fisit ishte mungesa e një autoriteti të vërtetë shtetëror, ai detyrimi moral falë të cilit u krijuan normat tradicionale ligjore. Vendin "e bindjes" ndaj shtetit e zuri "besa" dhe një shoqëri demokratike në kuptimin më të vërtetë. Për historianët me interes të veçantë janë edhe listat e mëdha, të botuara si shtojca, të emrave të fiseve, bajrakëve dhe vëllazërive të ngushta ilire, antike dhe mesjetare si dhe moderne shqiptare, siç nuk janë në asnjë vend tjetër në këtë hollësi.
Për këtë listë fisesh, bajraqesh e vëllaznish mesjetare dhe moderne, shprehet me admirim edhe vetë Prof. Maximilian Lambertz duke thënë:
Valentini në veprën "E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare", ka lënë listën më të plotë të fiseve dhe vëllaznive shqiptare, të shoqëruar me saktësime të çmuara mbi vendodhjen e tyre të sotme dhe dokumentimin e tyre historik. Përgjatë trajtimit të kësaj liste ai bën shpesh orvajtjen e lidhjes së emrave të fiseve shqiptare me ato të fiseve ilirike, hipotezë kjo që gjen miratimin tim të plotë"…
Është shumë e njohur nga të gjithë studiuesit e problemeve shqiptare, se në Shqipëri zakonet juridike përbëjnë, për komunitetin e çdo lloji dhe niveli dhe për vetë individët, normën e sigurt të jetës civile dhe familjare, madje një ligj të vërtetë të vetëdijes, të një karakteri organik dhe logjikshmërie të admirueshme.
Përshkrimet pak a shumë besnike dhe të arsyeshme të një të drejte të tillë zakonore deri tani kanë qenë të shumta. Të gjithë paraqesin si bazë të saj dhe të ligjeve dhe institucioneve të saj, parimin se çdo e drejtë dhe çdo detyrë është rregulluar nga tradita e trashëguar nga baballarët; dhe në të gjitha del në shesh bindja se bëhet fjalë për tradita shumë antike dhe të qëndrueshme.
Po pavarësisht se merrte parasysh qasjet, ngandonjëherë të rëndësishme, të historiografisë mbi të drejtën zakonore (Lik, Pukëvil, Bue, Koci, Ippen Thaloci, Durham, Baldaçi, Kordinjano, Gjeçovi, Casteleti, Vilari, Harapi), përsëri jezuiti debaton në mënyrë polemike me këta studiues të cilët:
Ose sepse injoronin, ose sepse ishin të dominuar nga supozimi se një e drejtë zakonore trashëgohet brez pas brezi vetëm gojarisht dhe jo me shkrim, janë kufizuar në përshkrimin e pastër të gjendjes aktuale në kohën e tyre, dhe nuk kanë tentuar që ta bëjnë një histori të dokumentuar, por vetëm kanë avancuar aty këtu ndonjë hipotezë historike.
"Duke pasë vënë re një boshllëk të tillë, gjatë punës sonë për përgatitjen e burimeve për historinë e Shqipërisë, pak nga pak që gjenim dokumente interesante për historinë e së drejtës, i mbanim shënim; e pastaj në vitin 1944 i sistemuam dhe botuam si një volum të parë provizor. Ndërkohë, e pastaj edhe më vonë, redaktuam disa studime për këtë lëndë, tashmë disa të botuara, të tjera të mbetura të pabotuara për mungesë të mjeteve. Veç të tjerave, meqenëse në rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kishim marrë numërimin e Arkivit të Shtetit të Venecias, kemi pasur mundësinë për të përmbledhur një shtojcë të mirë të dokumenteve të reja në dy përmbledhjet e vjetra, dhe i kemi vendosur në vendin e tyre në rendin kronologjik, me numërim unik. Për qartësi dhe përdorim më të mirë, kemi menduar që të pajisim secilën pjesë (copë) jo vetëm me indikacionet e zakonshme të datës, vendit, autorit, origjinës arkivistike ose bibliografike, por edhe për të nxjerrë në pah, në mënyrë shpjeguese indikacione të kapitullit ose të kapitujve të së drejtës tradicionale shqiptare të cilit dokumenti mund t'i referohet. Tekstet greke, sllave dhe shqiptare i kemi pajisur me përkthim latin, ato latine, italiane dhe franceze i kemi konsideruar të tepërt t'i përkthejmë; ato pak tekste anglisht dhe gjermanisht, të gjithë të epokës së fundit, i kemi përkthyer në italisht, duke kërkuar kështu për t'i sjellë, sa është e mundur, në një gjuhë unike me tekstet italiane; kjo sepse prej kohësh ka qenë zakon shumë i shpeshtë në Shqipëri për të hartuar dokumente juridike në italisht, e kështu aty është formuar një lloj tradite e gjuhës juridike italiane.
Në fund kemi shtuar edhe një fjalor juridik shqiptar, të kufizuar në më të domosdoshmen për interpretimin dhe përdorimin e dokumenteve
Lindi kështu, sipas fjalëve të parathënies së Valentinit, "Akte juridike shqiptare", botuar në dy vëllime, në Munich në vitet 1968-1969, dhe kushtuar kujtimit të historianit me famë ndërkombëtare Franc Babinger; Është një vepër që përfshin një korpus interesant dokumentesh nga historia e së drejtës shqiptare në një periudhë të gjatë kohore. Janë rreth 320 tekste juridike, latine, greke, sllave, italiane, franceze e shqiptare, të mbledhura nëpër arkiva e koleksione të ndryshme e të përkthyera në latinisht, që shkojnë që nga shekulli V para.krishtit deri në vitin 1406. Krahas citateve nga autorë antikë vëllimi përmban edhe materialin arkivor, kryesisht të Venedikut dhe Raguzës.
Po të kalojmë në një fushë tjetër temash të koleksionve të shqyrtuera burimore, do të vinim në një tjetër vepër monumentale (të fundit nga treshja e sipërpërmendur) siç është "Ligji i maleve shqiptare" (Firence,1969), ku përmblidhet një bashkësi prej 252 dokumentesh mbi të drejtën tonë zakonore, të mbledhura e të strukturuara nga Zef Valentini, bazuar në kërkimet e bëra nga misionet e ndryshme jezuite gjatë viteve 1880-1932; Libri duket të jetë i një interesi të madh jo vetëm për atë që merret me historinë ballkanike, por edhe me studiuesin e folklorit dhe historianin e së drejtës.
Ja se si do të shprehej ai në parathënien e librit "Ligji i maleve":
Kombi shqiptar, ruajtësi dhe vazhdonjësi i fiseve antike të rajonit thrako-ilir e të qytetërimit të tyre, në një nivel goxha të kënaqshëm, i paraqitet studiuesit me një aspekt kulturor e tradicional, deri më sot po kaq pak të njohur sa dhe interesant: atë të konceptit juridik dhe të zakoneve që i mishërojnë ato. Megjithatë, nga ana e studiuesve ai filloi të vërehej vetëm rreth mesit të shekullit të shkuar, shpesh me një përpikmëri të mangët e gati gjithmonë të palidhur me dokumentet e historisë të së drejtës, që në Shqipëri nuk mungojnë.
Duke pasur nga njëra anë në dispozicion një numër të madh kopjesh të dokumentacionit historik, të botuar e të pabotuar, dhe nga ana tjetër, një eksperience të mjaftueshme dhe të drejtpërdrejtë të zakoneve e dokeve të vendit, mendova t'i mblidhja ato në një "korpus" të dokumenteve të ndryshme juridike, antike, mesjetare dhe moderne, për të nxjerrë më pas një parashtrim sistematik historiko-përshkrueso-analitik, të gjithë fushës së gjerë të jetës dhe aktivitetit njerëzor të rregulluar nga këto zakone; Dëshirova kështu, t'i bëja një shërbim studiuesve të interesuar në këtë fushë e në të njejtën kohë edhe kombit shqiptar aq të dashur për mua, antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria e të cilit demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak e ndoshta më shumë se sa dhe vetë gjuha dhe poezia e tij". Dokumentet e botuara nga Valentini përmbajnë një material interesant mbi administratën lokale dhe drejtësinë (mbledhjet popullore, e drejta e azilit, syrgjynosja, ujitja etj.) mbi zakonet e popullit (martesën, blerjen e nuses, varrimin, darkën e të vdekurit, lidhjen e ngushtë të gjakut etj.), mbi festat fetare dhe laike; sidomos në mënyrë të hollësishme flitet për institucionet e gjakmarrjes dhe konkubinatin e luftuar në mënyrë të ashpër nga misionarët. Krahas këtyre gjenden të dhëna mbi organizimin fisnor të Mirditës dhe sinkretizmin fetar në Shqipëri.
Janë këto 3 vepra të shqyrtuara maja më gjeniale e studimeve të tij në këtë fushë, që së bashku me përshkrimet e Gjeçovit e të misionarit italian Ernesto Cozzi mbi Kanunin, formojnë bazën themelore për njohjen e thellë dhe shkencore të këtij aspekti magjepës të traditës shqiptare.
Po ajo që ia vlen të nënvizohet është se në të gjitha këto punime, filli përshkrues i mendimit të tij ishte kundrimi jo i vlerës letrare të kanunit si diçka kalimtare, por i shpirtit të tij të pavdekshëm, për të vënë në lëvizje racën e vjetër, me qëllim që ajo t'i shërbejë krijimit të një shteti të ri e të pavarur drejt arritjeve të larta të qytetërimit, në përputhje me nevojat e kohrave të reja.
Kanuni, thelbësisht është një mentalitet i veçantë etik i themeluar mbi ndjenjën e nderit, besnikërisë dhe lirisë, pajisur me cilësinë e përgjegjshmërisë; në substancë, ai cakëzohet në pak parime të llojit statutor që paracaktojnë se cila është qeveria e komunitetit, monarkike në familje, republikane me senatin [e pleqëve] dhe gjyqësore (tribunale) për komunitetet më të shtrira; pjesa tjetër e tij, duke përfshirë gjithë bagazhin folklorik dhe ligjin mbresëlënës të gjakmarrjes, që janë përdorur aq shpesh nga shkrimtarë sipërfaqësorë për t'u dhënë sa më shumë "ngjyrime" kronikave të tyre; pra gjithçka tjetër, delegohet me të drejtë nga autori, si pjesë rastësore të Kanunit.

Duket që edhe në këtë fushë të veçantë studimore, ai nuk kaloi pa lënë vulën e tij origjinale, për nga lënda dhe metoda e shqyrtimit.
"Në Shqipëri gjejmë një tërësi traditash juridike edhe sipër së drejtës civile, edhe poshtë, në thellësi të saj, në mënyrë që duke ruajtur dhe shpjeguar parimet e përgjithshme ose normat e përgjithshme të së drejtës, dhe duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë befasueshmërisht logjike e të pranueshme, ajo të na paraqesë spektaklin e një konceptimi të vërtetë e special juridik të ruajtur jo sipas asaj që njohim ne, për jo më pak se 16 shekuj". Ky do të jetë përfundimi ku ai arrin, e në një artikull përmbledhës tëk "Shejzat, do të theksojë: "Fenomeni, nuk ka munguar të tërheqë vëmendjen e etnologëve dhe folkloristëve apo dhe studiuesve në përgjithësi, por gjithsesi në mënyrë të cakëzuar e në sektorë të caktuar, ata më të dukshmit, siç është ndërtimi dhe struktura fisnore (veçanërisht të shqueshme përmes Nopçës dhe Durhamit, për të mos cituar të tjerët veprat e të cilëve mbetën të pabotuara ose përbëjnë më tepër ripunime të materialeve të siguruara nga të tjerët) apo hakmarrja e cila tërhoqi vëmendjen në mënyrë pak a shumë romantike dhe pak a shumë të pasaktë".
Po unë do të doja ta përqendroja vëmendjen e lexuesit në metodën historiko-kritike të inauguruar prej meje mbi lëndën në fjalë (të paraprirë vetëm në disa çështje të veçanta nga disa studiues të tillë si Shuflaj dhe Jireçek, që u interesuan më tepër për të drejtën e qyteteve bregdetare dhe atyre serbe), sepse nëpërmjet saj, përtej ndjekjes në mënyrë më të përpiktë të konceptit të institucioneve përmes zhvillimit të tyre historik, bëhet gjithashtu e mundur vërtetimi historik i vijimësisë së traditës juridike shqiptare të paktën deri në periudhën e Mesjetës së vonë duke paraqitur në një lloj mënyre edhe origjinalitetin e saj.
Nga ana tjetër, ky pohim origjinaliteti nuk duhet të na habisë, ashtu siç nuk duhet të na habisë edhe pohimi që po kërkoj të bëj, sipas të cilit populli ilirik dhe ai thrak pranë tij, e pas tyre kombi shqiptar, që është vazhduesi drejtpërdrejtë, janë mrekullisht të pajisur me dhuntinë e një kapaciteti special juridik; le të mendojmë vetëm se nga një trung i tillë kanë dalë ligjëvënës të tillë, si Dioklecioni, Konstantini, Justiniani, Vasile Lupuli i Rumanisë dhe shumë të tjerë. Dhunti speciale e traditës juridike shqiptare është logjiciteti rigoroz, ashtu siç besoj ta kem provuar në mënyrë konstante në botimet e sipërcituara, nëpërmjet zgjidhjes së kënaqshme edhe të antinomive më se të dukshme.
Do të mjaftonte leximi i këtyre frazave për të kuptuar se përse vallë studiuesi jezuit ishte kaq shumë i pasionuar dhe i joshur nga e drejta tradicionale shqiptare dhe nga ai sens i lirisë individuale dhe solidaritetit social që ai spikaste. Vitet e kaluara në Shqipëri, zakonet dhe traditat tona i mbetën të pashlyera në mendje dhe zemër për gjatë gjithë të jetës. Madje, tregohet se ai u zhyt aq shumë në njohjen e mentalitetit shqiptar të rrëfyer nga kanuni, e përqafoi atë me aq shumë entuziazëm, saqë shumë gjëra të jetës (qoftë edhe të përditshme) nisi t'i arsyetonte bazuar në parimet e këtij Kanuni. Është interesante të përmendim se sa herë flitej për cështjet shqiptare, shprehja e tij e përhershme nuk fillonte me fjalën "shqiptarët', por me fjalët 'ne shqiptarët. E po kaq kuptimplotë shfaqet edhe një episod i kujtuar nga Papas Ijnacio Parrino:
Një herë, pata disa dyshime për zgjidhjen e një situate të caktuar. E pyeta në mënyrë që ta kuptonte me intuitë se ç'kërkoja. Si përgjigjie, filloi të më jepte një leksion të gjatë mbi Kanunin, mbi besën, mbi nderin e mbi trimërinë. Ishte vërtet një kënaqësi të shikoje se si këto parime abstrakte të përputheshin aq mirë me një situatë konkrete. Kuptova kështu se shpirti dhe karakteri i Valentinit qenë mishëruar me parimet e Kanunit shqiptar, me ato veçoritë e tij më fisnike dhe më njerëzore.

*Botuesi dhe studiues i tij. Ndihmës i presidentit të Republikës

Primo Shllaku: Standarti dështoi, gegnishten e flasin 70% e shqiptarëve



Primo Shllaku




Respektimi i autoritetit nuk do të thotë rreshtje e kërkimit të së vërtetës. Ia vuna si titull ktij shkrimi ketë shprehje lapidare të Cvetan Todorovit jo për ta zanë ngusht Shpëtim Çuçkën, por për të pohue në të gjitha drejtimet se në shoqninë shqiptare nuk u ka cofë ora të gjithëve gjatë epidemisë së mendjeve në kohën e diktaturës. Nuk do ta ndëshkoja kurr as me fjalë e as me gjeste Çuçkën për ironinë e tij mjerane dhe humorin e lagun prej publicisti të keq në adresë të shkodranëve dhe, për pasojë, në adresë të qytetit të Shkodrës. Edhe pse alergjitë e tij ndaj Qytetit, të mshefuna keq, janë diçka që na e dimë dhe e durojmë, pikëmasëpari na sjellin në mendje dëshirën e mallkueme me e pyetë ket përkthyes (shum e lavdojnë për profesionist) se prej kah âsht ai, prej cilit vend, a ka nji vendlindje a nji vend origjine dhe cili kishte me qenë ai vend.
Larg prej idesë së marrë për t’i futë në ring origjinat tona, nuk e di se pse shkrimi i së martës, 23 mars 2013, me shtien ndër mend idenë e keqe se Çuçka nuk ka vend origjine, se ai nuk âsht prej askund. Do të ndihesha shum i gzuem sikur ai të më përgjigjej se âsht prej diku dhe pranë emnit të tij të nderuem, mbas presjes, të vendoste edhe nji toponim ose nji mbiemën përkatësie gjeografike. Ky Nemo pa origjinë do të ishte – gjithnji simbas meje – nji njeri shum fatkeq, por vetëm kshtu do ta kishte rrethanën lehtësuese të lajthitjes së tij me dashje për të sulmue shkodranët me puls emocional dhe dashakeqës deri aty mâ. Unë jam shum i vogël dhe i dobët me marrë nën mprojtje shkodranët. Ajo qytetari ka individë e grupime, shoqata e institucione që mund të arrinin shumçka ma tepër se unë. Dhe duhet ta bâjnë ketë për hir të vllaznisë me pjesën tjetër të kombit, për hir të rinjohjes dhe ripajtimit mbas lngatës së egër moniste, ku miti i luftës së klasave esencialisht duhet të dobsonte qytetet dhe, madje, t’i denigronte ata.
Në radhë të parë due të them me siguri të patundun se shkodranët në ket vend janë në shtëpinë e vet, janë në atdheun e vet jetik dhe historik. Ata nuk janë minoritet, por pjesë konstituive e kombit me histori të gjatë dhe me kontribute të jashtëzakonshme në shestimet e kombit, në krijimin e traditave si dhe në kontribute qytetnimformuese. Shkodra ka qenë, mund dhe duhet të jetë prap qendra e madhe diakronike-sinkronike e nji letërsie që në pjesën mâ të madhe të fazave të letërsisë kombëtare ka sjellë pragjet e risive dhe spirale inovative. Shkodra flet dhe shkruen me ekcelencë njenin prej të folmeve urbane metropolitane mâ shprehëse e ma endemike të të gjithë arealit shqiptar. E folmja e Shkodrës âsht gjuha e kangëve, e melosit të kënduem, e dashunisë dhe e poezisë, e humorit që pshtetet mbi kalamburin dhe mbi kombinimet e hatashme fonetike. E folmja e Shkodrës si e tillë i shpëtoi për mrekulli të ndotjes dhe përlyemjes me shqipen totalitare, të cilës aq me spikamë ia ka evidentue anatominë studiuesi Ardian Vehbiu. Ajo âsht e folmja e delikatesës, e politesës, e aristokratizmit dhe e borgjezisë me stampë europiane latine dhe teutone. Dhe, përfund, e folmja e Shkodrës âsht literalisht gjuha ime amtare, gjuha e tamblit ose gjuha e qumshtit, nëse zotni Çuçka ka pasë ndonjiherë rastin me marrë vesht se ç’âsht ajo.
Edhe pse të angazhuem në promovimin publik të gegnishtes, në Institutin tonë të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe askush nuk e di se dikush me kompetenca dashka me abrogue hipertosknishten e standardit të sotëm dhe me vendosë në vend të saj “shkodranishten”. Ky lajm i zotnisë së masipërm, që ishte për tê aq rilevant dhe shpëthyes njiheri sa i doli edhe në titullin e shkrimit, na la të gjithëve pa mend dhe, nga pararojë e gegnishtes, u ndjemë fare në fund të koshit.
Nuk âsht hera e parë që në jetën tonë mendore ndeshemi me kulturën e gënjeshtres dhe të mashtrimit intelektual, të shashkave dashakeqe dhe shpifjeve të stilit bizantin. Taktika e “rrej, rrej se diçka mbetet” âsht po aq mefistofelike sa edhe e mjerë dhe qyrrane.

Nuk âsht e vërtetë se shkodranët dhe askush që mund të identifikohet si i tillë nuk ka ndër mend ta zavendsojë tosknishten e standardit me shkodranishten. Meqë Çuçka jep shêja të nji kulture militantiste gjuhsore dhe të nji erudicioni shkollaresk, po më duhet t’i kujtoj se Shkodra e shkodranët qysh në vjetin relativisht të largët të 1917-18, realizuen të vetmin forum të ndershëm gjuhsor me Komisinë Letrare, dhe, ndonse në kryesinë e tij ishin letrarë e filologë të fuqishëm e me peshë si Fishta, Mjeda e Gurakuqi, gjuhë e përbashkët kombtare e shtetit u shpall elbasanishtja, kur Xhuvani ishte ndoshta mâ çunaku i çetës së komisionerëve të gjuhës në atë forum.
Tue iu referue nji shkrimi tjetër të Shpëtim Çuçkës të 18 nandorit të vjetit që shkoi, përsëri gjejmë nji titull provokues e sfidant, fodull e arrogant, i cili zbulon mâsëmiri sindikatën e asaj çetë të vorfnueme dijetarësh – çuditërisht pa vepra të gjithë – të cilët, përveç vorfnimit intelektual dhe lodhjes reale fizike, duket se bâjnë përpjekje për të kalue stafetën ndër rishtarë të zellshëm, por pa substancë epistemologjike rreth çeshtjes gjansisht të hapun të gjuhës. Shkrimi i tij në gazetën MAPO tingllon ksisoj: “Kongresi i Drejtshkrimit dhe heshtja e mospërfilljes”. Në zmadhimet e fonteve në krye të faqes Çuçka thekson se “pastaj Enveri zbriti nga llozha, doli në sallë dhe i shtrëngoi dorën Androkliut.”

Se prapsoj dot pyetjen që me torturon: A nuk mjaftonte autoriteti i Androkliut për t’ia vu vulën kongresit, por duhej edhe dorështrëngimi i Enverit? Me siguri diçka i shpëton Çuçkës, diçka entuziaste, e pashueme në ndërgjegjen e tij personale por edhe kolektive që sot mbas 40 vjetësh të kongresit do të ishte mâ elegante të na referonte si garanci integriteti për vendimet e atij kongresi faktin që Çabej i shtrëngoi dorën Androkliut, sepse, në fakt, në nji dokumentar të kohës e të rrethanës kjo sekuencë ekziston.

Do të ndalem pak edhe te fjalët “heshtje e mospërfilljes”

Kë shpërfill Shpëtim Çuçka me heshtjen e tij? 65-70% të kombit shqiptar që âsht gegfolës natyral? Shpërfill tre monumentet e gjuhës shqipe: Buzukun, Eposin e Kreshnikëve e Kanunin e Lekë Dukagjinit? Shpërfill Pashko Vasën, Kristoforidhin, Fishtën, Mjedën, Koliqin, Migjenin, Anton Pashkun, Esad Mekulin, Rrahman Dedën, Arshi Pipën, Martin Camajn, Zef Zorbën? Shpërfill lirinë e rifitueme mbas nji kalvari e përdhunimi deri gjuhsor? Shpërfill kulturën e popullit tand dhe pikërisht atë segment që ka rezistue mbrenda Shqipnie pa e msy kurr emigracionin? Apo shpërfill mâ se 100 poetë, prozatorë, eseistë, gazetarë e publicistë që, edhe mbas shashkës së z. Emil Lafe se “gegnishta u vetëtërhoq”, vazhojnë të patundun sot traditën e madhe të ligjërimit letrar gegë me cilësi, me blatime e me realizime që të habisin?

Kush na qeka ky “oligark” aristokratik që qenia e tij na sekretoka vetëm mospërfillje për realitetet e zhvillimet e tyne mbrenda nji shoqnie, që dalëngadalë po çlirohet prej frikës dhe konfeksionimit të mendimit? Cilin aparteid mpron ky njeri, atë të Afrikës së Jugut apo atë të Shqipnisë së Jugut? Pse e mpron ky njeri impotencën e establishmentit konservator të akademizmit shqiptar për t’u ballafaque shkencorisht me lodhjen argumentale të standardit, me dështimin e tij në drejtshkrim dhe me përçudnimin e tij në drejtshqiptim? Po pse ajo âsht tosknishtja, ajo që flasin kosovarët dhe disa krahina tona të mbrendshme? Pse nuk shqetsohet zotni Çuçka kur nji kosovari bukur të shkolluem e me prestigj intelektual i duhet të mbaj nji patkue kali në gojë që të shqiptojë disi standardin që u âsht imponue? A e ndigjoni akademik Rexhep Qosjen sesi i gërmëzon i pasigurtë fjalët para kamerave a thue se po flet nji gjuhë të huej që e di sapak? Po filmat ne TV e Kosovës a i ndiqni? A e shifni se ku âsht katandisë standardi e tosknishtja? Pse ajo âsht tosknishtja, ajo e lehta, e zhdërvjellta, ajrorja, akrobatja? Dhe heshtni sikur gjithçka po shkon fjollë. Vetëm e vetëm sepse nuk doni me e pranue se ka dështue, se Kongresi ka qenë nji akt i nxituem, i parakohshëm, voluntarist e hegjemonist në nijetet dhe rezultatet e tij. Ai ka qenë nji produkt shpirtnor i diktaturës dhe që të triumfonte plotsisht, atij do t’i duheshin të paktën 200 vjet regjim diktatorial si ai i Enverit. 200 vjet asfiksim i gegnishtes dhe 200 vjet ngulitje e tosknishtes. Në fakt kongresi i drejtshkrimit jetoi vetëm 18 vjet, nga 1972 deri 1990. Por koha nën diktaturë quhet kohë e djegun se nuk âsht e askujt. Me ndrrimin e sistemit plasën protestat dhe standardi u kontestue. Sot ligjerimi gojor dhe ai artistik letrar nuk pyet mâ. Gjuha shqipe po formatohet në kushte të reja, në drejtime të reja e në perspektiva të reja. Pastaj, pse e lshuet diktaturën, zotni Shpëtim Çuçka? Ta mbanit 200 vjet dhe të mos ju ndodhnin kto që po ndodhin? Se liria ka mrekullitë e saj, mor zotni. Të mjerët ata që nuk i kuptojnë mrekullitë e lirisë.

Pozitive âsht se shoqnia shqiptare po kalon edhe mendërisht nga uniformizmi në pluralizëm. Gjithsesi ajo po polarizohet idealisht. Sot po bâhet përherë e mâ i kjartë ky polarizim. Nji palë besojnë në mrekullitë e lirisë, pala tjetër beson në mrekullitë e diktaturës.

Një vështrim tjetër i poezisë shqipe


ARS POETICA 4


Autori dhe letërsia


GAZMEND KRASNIQI


1. Përpara periudhës së institucionalizuar si “Letërsi”, pra asaj të epokës romantike, koncepti i autorit ka kaluar në disa faza:
- autori i antikitetit;
- auctor-i i Mesjetës;
- periudha e hershme moderne (shpikja e shtypshkronjës);
- rëndësia e shpikjes së kopirajtit.
Fundi i shekullit XVIII (periudha e romantizmit), ose fillimi i shekullit XIX, identifikohen me përmbushjen e konceptit “modern” të autorësisë – ideja e autorit origjinal dhe gjeni. Sidoqoftë, vetë teoria romantike e zhvilloi atë që Bahtini e quajti “kriza e autorësisë”, pra romantizmi ishte epoka në të cilën nuk ishte qëllimi i tejkalimit të të tjerëve në art, por tejkalimi i artit vetë.
“Krisja” e mirëfilltë e këtij koncepti mund të vendoset pas Luftës II Botërore. Në trajtim kritikët formalistë (1951), Cleanth Brooks, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të Kritikës së Re amerikane, u përpoq të bënte një ndarje të qartë midis “veprës në vetvete” dhe “spekulimit mbi procesin mendor të autorit”. Një spekulim i tillë, argumentonte ai, e çon kritikun nga vepra në biografi dhe psikologji. Një përpjekje e ngjashme, për ta ndarë autorin nga vepra, qe bërë pak vjet më parë (1946) edhe nga dy bashkëkombësit e tij, Wimsat dhe Beardsley, në njërën prej trajtesave më ndikuese në studimet anglo-amerikane të shekullit XX, të titulluar “Gabimi i qëllimshëm”. Më vonë, në vite të ndryshme, këta dy autorë shpjeguan se e kanë drejtuar këtë ide kundër thashethemeve, llomotitjeve pafund dhe laramanisë, apo për t’u larguar nga mishmashi i filologjisë, biografisë, këshillave moralizuese, interpretimeve dhe historisë shoqërore. Sidoqoftë, kontributet themelore bashkëkohore për çështjen në fjalë vlerësohen trajtimet e Roland Barthes-it dhe Mishel Foucault-së.
Tek eseja “Vdekja e autorit” Barthes-i na kujton se tradita e ka parë autorin te personi njerëzor, duke e vënë atë në rolin më të rëndësishëm: personi i autorit ekzistonte në historitë e letërsisë, biografitë e shkrimtarëve, intervistat dhe revistat, kështu imazhi i letërsisë qe përqendruar më tepër te jeta vetjake e autorit, sesa te teksti apo vepra vetë. Sipas këtij pikëvështrimi, ironizonte Barthes-i: vepra e Bodlerit është dështimi i Bodlerit si njeri. Barthes-i arrin në përfundimin se një autor nuk është asgjë më shumë sesa një fjali e shkruar: “shkruesi” modern lind në një kohë me tekstin. Për Barthes-in teksti është një thurje citimesh lëshuar nga qendra të pafundme të kulturës. Shkrimtari mund të imitojë diçka të mëparshme, por jo burimin, sepse fuqia e tij është që të përziejë shkrime, por jo të japë një origjinë. Kështu, kemi një tërheqje vëmendjeje nga lexuesi më shumë sesa tek autori. Njëkohësisht, përmes kësaj marrëdhënieje tërhiqet vëmendja te Vdekja e Autorit, një koncept që, në mënyrë të gjerë, i atribuohet Barthes-it. Pra, ka vetëm një vend për shumësinë e shkrimit dhe ky është lexuesi, një mënyrë me të cilën tërhiqet vëmendja te destinacioni dhe jo tek origjina.
Në punimin Foucault-së, me titull: Çfarë është një autor? gjejmë pyetjen: What matter who is speaking? Kujt i intereson se kush flet? Foucault e shikon këtë fjali të marrë nga një tekst i Becket-it si shprehje e parimeve më kryesore të shkrimit bashkëkohor, apo si e quan ai ecriture. Duke analizuar këtë shprehje, Foucault-i arrin në përfundimin se: shkrimi nuk është makinë me të cilën autori shpreh emocionet apo idetë e veta, meqë shkrimi nuk kupton komunikimin nga autori te lexuesi; shkrimi, më tepër, është një qarkullim i vetë gjuhës, i pavëmendshëm ndaj ekzistencës individuale të autorit dhe lexuesit.
Një autor ekziston vetëm si produkt i tekstit apo i shkrimit, në një proces ku ai zhduket pafundësisht, duke qenë funksion i gjuhës vetë. I përket pikërisht Foucault-së termi “autori-funksion”, që do të thotë se në këtë mënyrë, ai ndjek deklaratën e Niçes, “Zoti vdiq”, të cilën Derrida e shpjegon se Zoti nuk është më në qendër të filozofisë së Niçes. Njëkohësisht, Foucault-i bashkohet edhe me idenë e Barthes-it të Vdekjes së Autorit.
Duke vazhduar analizën e fjalisë së Becket-it, Foucault-i arrin në përfundimin që bie ideja e cila thotë se me anë të shkrimit bëhemi të pavdekshëm. Ndryshe nga ideja që vjen nga epika greke se heroi mund të vdesë i ri, sepse veçoritë e epikës i garantojnë pavdekësinë, apo ideja se Sheherezadeja tregon e tregon për të mbetur gjallë, në kohët moderne shkrimi e ka ndryshuar ekuacionin: më fort sesa garanton pavdekësinë, apo e mban vdekjen larg, shkrimi e “vret” autorin.
Foucault-i diskuton edhe mbi emrin e autorit:
1. si individ i veçantë historik
2. dhe tingëllimi që mund të na japë përmendja e këtij emri.
Gjatë këtij tingëllimi të veçantë kuptojmë diçka më shumë se ky person, sepse:
- kujtojmë mënyrën e tij të menduarit;
- objektet e meditimit;
- metodologjinë;
- shkrimet apo format e diskursit që shoqërojnë këtë emër.
Foucault-i arsyeton se ato dy pamje nuk na thonë të njëjtën gjë, sepse nuk përmbajnë të njëjtin thelb. Nëse themi, siç diskutohet shpesh, se Shakespeare-i nuk është ai që ka shkruar pjesët dramaturgjike, na bëhet më i qartë dallimi midis dy koncepteve. Kjo do të thotë se për poemën “Vaji i bylbylit”, ku shohim interpretime në pafundësi të poemës, nga më të ndryshmet, ndryshon puna nëse bëjmë analiza tekstuale: kështu do të shohim përpjekjen që bën poeti për t’i ikur ndikimit, sipas konceptit bloomian, të një poezie si “Zogu në kafazin e horiatit”, shkruar kohë më parë nga Leonardo de Martino, për të na dhënë, së fundi, krijimin që mban firmën e tij.
Për të kuptuar më mirë mënyrën se si vepron ky poet, duhet të kujtojmë se Ernest Koliqi shkruan që Ndre Mjeda i ka thënë që krijimi i poezisë është një “çështje durimi”. Ai që i prin argumentit në fjalë, sepse, pa dyshim, Mjeda atë ka pasur parasysh, është latini Horaci me teorizimin e vet tek Ars Poetica, ku, mes të tjerash, thotë:
1. “ngutu ngadalë” (festina lente);
2. “veprat duhen mbajtur nëntë vjet në sirtar përpara se të botohen” (nonum prematur in annum).
Të tjera pikëtakime të poetit tonë me teoricienin që ka sunduar botën letraro-artistike për rreth dy mijëvjeçarë, janë:
- kërkesa për harmoninë e kompozicionit
(në këtë pikë “Andrra e jetës” dhe “Vaji i bilbilit” mbeten nga poemat më të shquara të letërsisë shqipe);
- ndjenja e masës e respektimi i rregullave, zgjedhja e lëndës e shtjellimi i saj, sepse “në shtjellimin e mirë edhe tema banale shkëlqen”
(krijimet e tij e ilustrojnë këtë me shembuj të shumtë).
Si te Horaci, i cili i qesëndis poetët që besojnë se janë njerëz të jashtëzakonshëm, Mjeda nuk merr përsipër asgjë prej profeti, apo diçkaje tjetër të tillë: vlera e këmbënguljes së tij është se e sheh traditën në konceptin eliotian të fjalës, pra në dinamikën e saj. Krejt i vetëdijshëm se çfarë po bën, ai ndahet prej autorëve antikë që në thelb të ligjërimit: megjithëse i njihte mirë, nuk i imitoi, nuk mbeti rob i mënyrës së të derdhurit të mendimeve të mëdha në vargje muzikale e mjeshtërore, të cilat veshit modern i tingëllojnë disi monotone – sepse, ndërkohë që kujdesej për kompozicionin, format strofike e metrin, u kujdes edhe për njësitë më të vogla, që nga fjala deri te fonema, dhe dha përftime tingëlluese thellësisht moderne, si këto: shkon kau e avllin që del prej arvet/ erton e nepet… Ose: Asht i madh shendi/ kur ndihet shpendi/ ndër pyje tuj pingrue;/ e knaqshme a’ i lule/ kur iu përkule,/ o fllad i lehtë, m’e lmue… Botimi i veprës “Juvenilja” më 1917 pati fatin e veprave të dorës së parë, ato me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrëdhënie: pra, nuk u shkrua për të.
Do të ishte interesante të dinim sot arsyen pse krijimtaria e Mjedës nuk përmendet asnjëherë në formatimet e letërsisë shqipe që bën Konica. As pse nuk përmendet te panorama letrare shqipe që bën Skënder Luarasi në një botim jashtë vendit.
Të krijohet përshtypja se Gjergj Fishta fliste si zëdhënës i letërsisë romantike kur do të donte që kjo poezi të vinte më tepër prej zemrës sesa prej mendjes… Mirëpo s’duhet harruar se në kulmin e postulatit romantik “poezia është shpërthim spontan i ndjenjave” (Wordsworth), John Keats-i thoshte se poezia është diçka “impersonale”. Pa dashur të përmendim Edgar Alan Poe-n e Charles Baudelaire-in, të cilët sollën shkëputjen e plotë nga kjo atmosferë dhe se për termin “impersonal”, tek eseja tradita dhe talenti individual, Eliot-i la një nga teorizimet më të njohura të gjykimeve moderne për krijimin artistik. Sot e dimë se impersonalja zvogëloi fluksin pafre të ndjenjave romantike, çka solli konsideratën për tekstin në vetvete.
Vlen të theksojmë se ithtarët më të zjarrtë iu përshtatën heshtjes stoike të Mjedës në punën me tekstin. I takon historianit të letërsisë të gjejë ndikimet mjediane te fillimet e krijimtarisë së Pipës apo Camajt, se si u la mënjanë vetë shkolla e tij poetike dekadave në vazhdim, sepse kohët e reja u sunduan nga ideologji që nuk patën nevojë për kulturën klasike, burimin dhe bazën e çdo kulture të vërtetë. Mungesa e vëmendjes që e ka karakterizuar Mjedën deri në vitet ’40, shpjegon debatin e hapur për të në organet e kohës, i cili shërbeu, të paktën, për të thënë se ishte një poet që ende nuk i qe dhënë vendi, por edhe për vështirësinë për t’ia dhënë vendin që i takonte: sigurisht në qendër të sistemit letrar shqip.
Edhe pse më vonë, Ndre Mjeda (flasim për anën zyrtare) u pranua si poet, u botua, u fut në tekstet shkollore, duke iu mëshuar anës patriotike, humane, simpatisë për të shtypurit dhe të vegjlit; nuk u harrua të përmendet si stilist i shquar, por meqë statusi letrar nuk e fitoi qytetarinë e vet, nuk u shpjegua se çfarë do të thoshte kjo për letërsinë shqipe. I takon historisë letrare të shpjegojë vatra të tilla rrezatimi, të cilat pasi futen në proces, fillojnë efektin, derisa bëhen të qëndrueshme. I takon të shpjegojë mënyrën e integrimit të këtyre vatrave në procesin tërësor, pulsimin e tyre, domethënë fazat e fuqizimit dhe të dobësimit të rrezatimit, amplifikimin e tyre nga bashkëtingëllimi me vatra të tjera etj.
Që Mjeda rri me një këmbë në Rilindje dhe me tjetrën në modernitet, e tregon edhe poezia e mbetur në dorëshkrim: Iliria e Epiri (Kang’ për mot që vjen), Lissus. Kjo poezi nuk gjendet as në botimin e parë, as në botimin e dytë të vëllimit “Juvenilja”, të bërë prej vetë autorit, megjithëse sot shohim dy arsye që të ndodhte:
1. E para, poeti ia arrin qëllimit e tij prej rilindësi – të ringjallë kujtimin e Skënderbeut për shqiptarët e robëruar nga turqit;
2. E dyta, ia arrin të ndërtojë vargje precize, të cilat mund të zgjojnë zilinë e shumë poetëve me mjeshtërinë e mishërimit të tyre.
Ndoshta e ka shpjeguar vetë arsyen skrupuloze, se pse kjo poezi ka mbetur jashtë përmbledhjes së tij, kur ka thënë se “masa (metri) asht nji gja e domosdoshme”, por ka shprehje që nuk bëjnë poezi, pasi duhet “përftesa poetike”
Vetëm Mjeda, i karakterizuar nga vetëdija e lartë, mund ta dinte se cilit tekst pranonte t’ia dhuronte “vdekjen” si autor.
Rasti i shtjelluar na tregon se, duke u shkrirë me tekstin, autori shpall “vdekjen” e vet, por në mënyrën më të bukur të mundshme, duke e lënë emrin si ikonë të diskursit të tij poetik.
2.
Çfarë është letërsia? Çfarë nuk është letërsia? Cila është natyra e letërsisë?
Punimi i Todorov-it, Nocioni i Letërsisë, na ndihmon ta shohim problemin në gjerësinë e tij. Todorov na kërkon mirëkuptimin për ta quajtur:
- “Funksional” përcaktimin e parë të kësaj ekzistence;
Që është përcaktimi i cili identifikon në terma atë çfarë ajo “bën” në një sistem më të madh.
- “Struktural” përcaktimin e dytë të kësaj ekzistence;
Përmes të cilit kërkojmë të testojmë nëse veprat individuale të mbledhura si letërsi në kuptimin funksional të fjalës kanë karakteristika të ngjashme.
Së pari, na jepet ideja se ky nocion – letërsia – na ka ardhur si konvencion nga librat, shkollat etj., pra, ne nuk e ngremë këtë pyetje, sepse mendojmë që e dimë se përse është fjala. Një vështrim i thelluar na ndihmon të flasim për dy koncepte të mëdha:
- Dimë se nga Aristoteli e deri në shekullin XVIII kemi konceptin e mimesis.
Ky vështrim në përgjithësi ka edhe vështrimin në veçanti, i cili na bën të ditur se imitimi nuk është e vërteta, por fiksioni.
- Në shekullin XVIII kemi konceptin e bukurisë, i cili bën edhe një herë bashkimin e të gjitha arteve.
Me konceptin e bukurisë ndërtohet ideja “me dhënë kënaqësi” dhe jo “me dhënë mësime”.
Në këtë rast, bukuria e vërtetë nuk kërkon ndonjë domethënie në vetvete, por të jetë një tërësi e plotë në vetvete, sepse nëse një vepër arti kërkon për të treguar diçka më tepër se vetvetja, bëhet diçka ndihmëse, ndërsa bukuria duhet të jetë diçka parësore.
Si përfundim, letërsia nuk duhet të jetë gjuhë e instrumentalizuar, por një shprehje për hir të shprehjes (Novalis). Ky nocion i përpunuar nga romantikët gjermanë, mbizotëroi lëvizjet simboliste dhe postsimboliste, si dhe u bë baza e përpjekjeve për krijimin e shkencës së letërsisë.
Mirëpo kështu kemi thënë vetëm se çfarë krijon poezia (pra bukurinë), por nuk kemi thënë mënyrën se si duhet ta realizojë atë, siç e shtruan çështjen formalistët rusë dhe kritikët e rinj amerikanë. Shumë shpejt perspektiva funksionale do të plotësohet nga pikëpamja strukturale: Më shumë sesa çdo aspekt tjetër, është karakteri sistematik i një vepre që na lejon ta perceptojmë atë në vetvete.
Çfarë duhet të veçojmë nga puna e shkollave kritike të lartpërmendura?
- Termi “bukuria” do të zëvendësohej me termin “formë’;
- Termi “formë’ do të çonte te termi “strukturë”.
Studiuesve formalistë u takon merita tjetër që:
- Tërësinë e letërsisë apo vetë veprën individuale e panë si sistem letrar;
- Krijuan shkencën e poetikës.
Pra, letërsia është një sistem, një gjuhë sistematike që tërheq vëmendjen në vetvete e bëhet autotelike.
Te “Natyra e poezisë” (“Teoria e letërsisë”), Wellek dhe Worren thonë se mënyra më e thjeshtë për ta zgjidhur problemin e letërsisë është të dallojmë funksionin dhe veçoritë e gjuhës. Gjuha është materiali i letërsisë, siç janë guri dhe bronzi për skulpturën, siç janë bojërat për skulpturën dhe tingujt për muzikën. Por duhet kujtuar se gjuha nuk është material inert, por trashëgimi kulturore e këtij apo atij grupi gjuhësor. Ata kërkojnë ta përcaktojnë “letërsinë” nga dallimet e përdorimet e veçanta të gjuhës në letërsi, në kundërshtim me dy përdorimet e mëdha: gjuhës së përditshme dhe asaj shkencore. Ndryshe nga përdorimi shkencor, përdorimi letrar i gjuhës është “konotativ:
- Është e pasur në asociacione dhe ambiguitete;
- Është opake;
Gjuha shkencore e jep shenjën në mënyrë transparente, pa tërhequr vëmendjen nga vetvetja, por drejt e te referenti.
- Multifunksionale;
Pra, jo vetëm preferenciale, por edhe shprehëse dhe pragmatike (konotative).
Ndryshe nga gjuha e përditshme, gjuha poetike është:
- Sistematike (organizon gjuhën e përditshme për nevojat e saj);
- E vetëmjaftueshme (qëllimi i saj është brenda vetes).
Kështu, autorët e këtij teksti priren nga përcaktimi i dytë i letërsisë. Theksimi që u bëhet anëve të funksionit na tërheq vëmendjen nga letërsia, ku teksti e ka vlerën te vetvetja ose, çfarë është quajtur funksioni estetik. Kështu, rrjedhojat strukturale në qasjet funksionale çojnë nga sistematizimi dhe theksimi i burimit simbolik të shenjës gjuhësore. Për të tërhequr vëmendjen e lexuesit e për ta bërë atë të kapë domethënien e gjuhës, i organizon dhe i dendëson rezervat e gjuhës së përditshme dhe, herë-herë, dhunon ato. Mjaft nga këto rezerva poeti i gjen të formësuara e të parapërgatitura, në një proces zhvillimi anonim.
Në librin “Anatomia e kritikës” Northrop Frye bën vetëm dallimin letrar dhe joletrar të gjuhës (duke futur gjuhën e përditshme dhe shkencore në një kategori). Kundërshtia nënkuptohet mes drejtimit të brendshëm dhe drejtimit të jashtëm – ajo çfarë shtrihet përtej shenjave dhe drejt shenjave vetë.
Përsëri përballemi me përcaktimin e dytë. Frye shkruan:
Në të gjitha strukturat verbale letrare, drejtimi përfundimtar i kuptimit është i brendshëm. Në letërsi, standardet e kuptimit të jashtëm janë dytësore…
Në këtë shtjellim të nocionit të letërsisë kemi disa terma të rëndësishëm dhe themelorë për studimin e letërsisë në kohën e sotme. Ata janë:
- Koncepti funksional i letërsisë
- Koncepti struktural i letërsisë
- Forma
- Struktura
- Sistemi letrar
- Shkenca e poetikës
- Gjuha poetike dhe jopoetike
- Kuptimi (leximi) i brendshëm dhe kuptimi (leximi)i jashtëm

Rrëfimi/Fragment nga libri “Stambolli” të Orhan Pamukut botimet “Skanderbeg books”

Uluni duarkryq e pa folur…

Orhan Pamuk



“Uluni duarkryq e pa folur”, thoshte mësuesja dhe unë i bashkoja duart mbi kraharor e rrija me durim gjatë gjithë mësimit. Por kënaqësia e të përgjigjurit çdo pyetje, të zgjidhurit i parit një problem matematike apo i marrjes së notave më të mira, dalëngadalë nisi të zbehej, orët mezi kalonin dhe koha nisi të rrjedhë me një ngadalësi të pabesueshme.
I largoja sytë nga nxënësi i shëndoshë,gjysmë i zgjuar që diç përpiqej të shkruante në dërrasë apo nga vajza që mësueses, nxënës a roje, të gjithë botën, e shikonte me po ato vështrime optimiste dashamirëse, të qeshura e të shëndetshme, dhe i ktheja jashtë nga dritarja, drejt degëve të larta të një gështenje që dukej mes apartamenteve. Një korb ulej mbi degë. E kundroja me vëmendje. Tej korbit që e shihja nga poshtë degës, një re vetmitare ndërronte edhe formën, edhe vendin. Renë që e shihja nga dritarja, e përngjasoja me hundën e kokën e një dhelpre, pastaj me një qen.
Doja që qeni të mos ndërronte më formë dhe reja të vazhdonte rrugën si qen,, por pa kaluar shumë ajo shndërrohej në një nga kupat me këmbëza të sheqerit në vitrinën që s’hapej kurrë të bufesë së gjyshes dhe unë doja të isha në shtëpi. Tek më qe tiposur heshtja mes hijeve e shtëpisë, atmosfera e saj besimdhënëse, papritur, mes atyre hijeve, si në një ëndërr, shfaqej im atë dhe të dielën të gjithë bashkë dilnim me makinë për shëtitje në Bosfor.
Ndërkohë hapej dritarja e hyrjes përballë, një shërbëtore shkundte leckën e pluhurave dhe si unë dalldisej duke vështruar rrugën, që unë nuk e shihja dot nga aty ku isha. Ç’bëhej vallë në rrugë? Dëgjoja zhurmën e një karroce që ecte mbi gurët e shtruar dhe “eskixhiiiun” që thërriste me zërin e ngjirur. Shërbëtorja që kundronte rrugën, si e ndiqte me sy shitësin e vjetërsirave, futej brenda dhe në krah të dritares që mbyllte ajo, më zinte syri një tjetër re që lëvizte me shpejtësinë e resë së mëparshme, por në drejtim të kundërt. Ndërsa reja që pasqyrohej edhe mbi dritaren ngjitur vazhdonte rrugën, pyesja veten mos është kjo reja dhelpër-qen –kupë sheqeri që kaloi qëparë? Tamam atë çast, klasa gjallërohej dhe kur shihja gishtat e ngritur, ndonëse nuk e kisha dëgjuar pyetjen e mësueses, edhe unë e ngrija gishtin shpejt dhe prisja me një pozë shumë të sigurt se e dija përgjigjen e saktë. Edhe në çastet e para kur nga përgjigjet e nxënësve të tjerë s’e kisha marrë vesh ende pyetjen, në mendjen time të humbur në ëndërrime shfaqej një besim i kotë se e dija shumë mirë përgjigjen.
Ajo çka i bënte vende zbavitëse klasat, ku për vite me radhë u ulëm dy e nga dy nëpër banka, më shumë se ato që mësoja gjatë orëve apo miratimet e mësueses, ishte kënaqësia kur njihja një nga shokët e klasës dhe pak me habi, pak me mahi e pak me keqardhje, shihja sa të ndryshëm ishin nga unë. Ishte për shembull një djalë i pikëlluar, i cili kur lexonte ndonjë gjë në orën e turqishtes, kur mbaronte rreshtin, nuk vazhdonte të lexonte në rreshtin tjetër, por dy rreshta më poshtë dhe me gjithë kujdesin s’e ndreqte që s’e ndreqte dot gabimin dhe e gjithë klasa qeshte.
Në klasën e parë ishte një vajzë që ulej me mua për njëfarë kohe, me flokët e gjatë të kuq lidhur si bisht kali. Çanta e aj ku gjeje mollë të kafshuara, simite, susam të derdhur, lapsa e lidhëse flokësh, ishte e rrëmujshme dhe e shëmtuar, por një aromë e këndshme livandoje që përhapej prej saj dhe prej çantës së saj, më ndillte drejt asaj dhe e admiroja mënyrën se si e tregonte gjithçka, duke i thënë gjërat copë e me guxim dhe po të mos e shihja në fundjavë, më merrte malli për të.
Një djalë ishte vërtetë kokëtas, siç thoshte gjyshja; brishtësia dhe delikatesa e një vajze të imët, të vogël më magjepste; habitesha me një të tretë, e cila i tregonte të gjitha sa ndodhnin në shtëpi pa fshehur asnjë dhe pyesja veten se si ishte e mundur një gjë e tillë. Si është e mundur që kjo vajzë qan vërtetë duke lexuar një vjershë për Ataturkun, tjetri gënjen duke e ditur se të gjithë do t’ia kuptojnë rrenën, si mund t’i kishte një i tretë kaq të rregullta çantën, fletoren, përparësen, flokët, fjalët dhe gjithçka tjetër?
Ashtu siç mendja ime e përngjasonte vetvetiu me diçka hundën e lloj- lloj makinave në rrugë me llambat, parakolpin, kapakun e motorit dhe xhamat e saj, ashtu dhe shumë fëmijë në klasë, i përngjasoja me ndonjë gjë. Për shembull, këtë me hundë majuce e përngjasoja me një dhelpër, atë trupmadhin, siç i thoshin të gjithë, me një ari, flokëpërpjetin me një iriq…Më kujtohet se një vajzë herreje me emrin Mari, fliste gjatë për festën e Jom Kipurit, duke treguar se si në disa ditë të caktuara gjyshja e vet nuk prekte me dorë as çelësin e dritave. Një vajzë tjetër tregonte se një mbrëmje në dhomën e vet, kur kishte kthyer kokën rrëmbimthi, kishte parë hijen e një engjëlli, dhe kjo më qe ngulitur në mendje me frikë. Kur i ati i vajzës, e cila vishte çorape të gjata në këmbët e saj të stërgjata dhe që dukej sikur çdo çast do t’ia kriste të qarës, një ministër që vdiq në aksidentin ajror, prej nga kryeministri Adnan Menderes doli me duar në xhepa, më dukej sikur vajza e dinte qysh më parë çdo dot ndodhte dhe prandaj qante. Shumë nga fëmijët, sikurse unë, kishin probleme me dhëmbët dhe disa prej tyre mbanin mbërthesa dhëmbësh. Thuhej se diku në ndërtesën ngjitur ku ndodhej konvikti i gjimnazit dhe salla e sportit, ngjitur me infermierinë, ishte një dentist dhe kur nxehej mësuesi e kërcënonte të paudhin se do ta dërgonte atje. Një dënim më i vogël ishte të qëndroje në këmbë me shpunë nga klasa në cepin mes derës dhe murit ku qe varur dërrasa. Nganjëherë kjo konvertohej në dënimin “me një këmbë”, por ngaqë e gjithë klasa nuk ndiqte mësimin, por e kishte mendjen të shihte sa do të mund të rrinte me një këmbë i dënuari, nuk para zbatohej. Edhe pse nuk rrinin me një këmbë, keqbërësit që sikteriseshin një cep, pështynin në koshin e plehrave apo bënin me shenja nga klasa pa i rënë në sy mësuesit, gjëra që më shumë se admirim, mua më ngjallnin zili dhe zemërim.
Qortimi, dënimi, nëpërkëmbja, të rrahurit nga ana e mësuesit e dembelëve, e të paudhëve, e budallenjve dhe e të pacipëve, me gjithë shpirtin e bashkësisë dhe të solidaritetit, tek i cili do të besoja sinqerisht më vonë, ndonjëherë më kënaqte. Për shembull ishte një vajzë e afrueshme dhe e shoqërueshme me të gjithë, e cila vinte në shkollë më makinë me shofer dhe sa herë që i thoshte mësuesja, dilte shumë e kënaqur në dërrasë dhe duke u spërdredhur, fillonte të këndonte anglisht “jingle belas, jingle belas, jingle all the belas”. Nuk mërzitesha fare kur e shihja të poshtërohej e të përbuzej për shkak se me këmbëngulje nuk i bënte detyrat, megjithëse e kishte kaq mirë marrëdhënien me mësuesen. Nuk ma rrokte kurrsesi mendja se pse në çdo kontroll detyrash, disa, të cilët nuk i kishin bërë detyrat, hiqeshin sikur i kishin bërë por s’po i gjenin kurrsesi mes fletëve të fletores, megjithëse mësuesi nuk e besonte kurrë këtë. Të thoje “s’po e gjej dot mësuese!” me një panik dhe frikë të çastit, vetëm sa e vononte ca sekonda ndëshkimin, por nga ana tjetër, e riste intensitetin e shpullës apo të shkuljes së veshit. E rrahura që jepej në shkollat osmane, shkopi i gjatë me të cilën mësuesi i binte nxënësit pa ngritur nga vendi, rrahja me thupër këmbëve në kujtimet e fëmijërisë e të shkollës me titull “Thupra, netët e mia” të Ahmet Rasimit (1865-1932), në librat shkollorë të viteve të mëvonshme na paraqiteshin si të këqija të mbetura në kohën para Republikës dhe Ataturkut. Por ma do mendja se edhe në liceun privat Eshëk, ku shkonin fëmijët e pasanikëve në Nishantash, mësuesit pleq e zevzekë të mbetur nga periudha osmane, të cilët përdornin vizore franceze të veshura anash me një copë mikë të hollë e të fortë, e kuptonin se një pjesë e risive të quajtura modernizim, nënkuptonin rinovim të shtypjes së ushtruar ndaj të dobëtëve.
Kur një nxënës, i cili me këmbëngulje vazhdonte të mos i bënte detyrat dhe me paudhësinë e tij ia soste durimin mësuesit, nxirrej para syve të të gjithëve për demonstrim dhe fillonin minutat e vajtueshme të poshtërimit dhe të rrahurës, zemra më rrihte shpejt dhe mendja më turbullohej. Ndërsa rriteshim, këto ceremoni ndëshkuese, që sa vinin e bëheshin më të dendura, nga mësueset e buta e mëmësore, binim në duart e mësuesve meshkuj të neveritur nga jeta, pleq e nervozë, siç ishte mësuesi i gjimnastikës, mësuesi i fesë apo ai i muzikës, në fillim i prisja me kënaqësi si disa minuta sehir në mes të mësimit të mërzitshëm. Nëse nxënësi i ulte sytë si pulë e lagur, e pranonte fajin dhe radhiste ca justifikime bindëse, ndëshkohej lehtë. Ndërsa ata, të cilët e kishin justifikimin më të rëndë se fajin, ata që nuk sajonin dot apo ata që përtonin edhe ta sajonin dhe preferonin të rrahurën, ata që ndërsa hanin fyerje dacka, bënin me shenja duke e bërë klasën të qeshte, ata që nga njëra anë e dridhnin me gënjeshtra të trasha e nga ana tjetër betoheshin më gjithë zemër se nuk do të gënjenin më, qenë bërë fërtele nga të rrahurit dhe poshtërimi, disa që, si kafshë të rënë në grackë, pa dashje bënin një tjetër gabim që ua shtonte akoma më tepër torturën, më mësonin për jetën dhe gjendjen njerëzore gjëra më të thella se librat e Diturisë së jetës dhe revistat e Dituria e klasës.
Ndonjëherë, kur shihja se si ndonjë vajzë së cilës nga larg ia pëlqeja rregullin, ëmbëlsinë e brishtësinë, skuqej dhe përlotej në të tilla çaste poshtërimi e justifikimi, doja që ajo të shpëtonte. Kur shihja atë bullafiqin bjond, i cili edhe mua më binte në qafë në pushimet mes orëve, të zhytej më keq tek fliste e të hante shpulla tek zhytej, e ndiqja ngjarjen duke e shijuar mizorisht.
Kur nuk i jepja dot kuptim qëndresës, që e xhindoste mësuesin, të një djali thatim e të rreshkur, të heshtur e krenar, për të cilin kisha menduar se ishte dëshpërimisht budalla dhe i pandjeshëm, ndërsa nga sytë e djalit rridhnin lot, lodhesha duke u dhënë hak njëkohësisht edhe mësuesit edhe nxënësit. Ashtu siç disa mësuesve, të cilëve më shumë se sa të provonin dijen e nxënësit që kishin ngritur në dërrasë, u pëlqente t’i nxirrnin në shesh padijen e ta poshtëronin, edhe disa nxënës silleshin sikur më fort se sa ta zbusnin e ta ndreqnin situatën, u pëlqente të poshtëroheshin. Disa mësues tërboheshin kur shihnin se një fletore ishte mbështjellë me një letër me ngjyrë të gabuar. Disa të tjerë, një pëshpëritjeje të vogël që të tjera herë as që e vinin re, i përgjigjeshin me shpullë. Disa nxënës, përballë një pyetje të thjeshtë, përgjigjen e së cilës e dinin, mbeteshin si lepuj të hutuar nga drita dhe s’reagonin fare, e disa të tjerë- këta i çmoja më shumë – edhe nëse nuk e donin përgjigjen, me dashamirësi thoshin ndonjë gjë çfarëdo që e dinin.
Në këto çaste të frikshme që nganjëherë fillonin me qortim ose me flakjen e fletoreve apo të librave, ndërsa e gjithë klasa s’pipëtinte fare, ndiheshin mirënjohës që isha nga fatlumët që s’u binin për hise të tilla poshtërime. Një e treta e klasës ishin nga këta të privilegjuar. Ndryshe nga disa shkolla shtetërore, ku të pasur dhe të varfër ishin bashkë në një klasë, në këtë shkollë private, kufiri i fshehtë që ndante ata që poshtëroheshin vazhdimisht, nga fatlumët që s’prekeshin me dorë, s’kish të bënte me pasurinë apo varfërinë e nxënësit. Ky kufi i fshehtë, që, siç u mësova gjatë shkollës, i lumtur e harroja duke rendur e lozur me një ndjenjë fëminore vëllazërie gjatë pushimeve dhe që shpirti ma refuzonte, në çastin që mësuesi zinte vend në katedrën e tij si një çast pushteti, dilte befas në pah, dhe unë, në çastet e të rrahurit e të poshtërimit, me një kërshëri të thjeshtë por të fort, pyesja veten se pse disa ishin më dembelë, pa dinjitet, të pavullnetshëm, të pandjeshëm, pa mend apo thjesht “ja ashtu”. Por kësaj pyetje s’i jepnin përgjigje as dovlet e ilustruara që pata nisur të lexoj ato kohë, ku të gjithë të këqijtë vizatoheshin gojështrembër, as intuita ime fëmijërore, dhe unë e harroja atë pyetje. Nga të gjitha këto, pata nxjerrë përfundimin se ai vend që quhej shkollë, në të vërtetë nuk u jepte përgjigje pyetjeve themelore, por vetëm sa na ndihmonte t’i pranonim ato si një realitet të jetës. Prandaj deri në vitet e gjimnazit, bëra kujdes të ngrija gishtin e të mbetesha në anën e sigurt e të qetë të kufirit.
Megjithatë ndija se gjëja më e rëndësishme që kisha mësuar në shkollë, nuk ishte pranimi i “të vërtetave” të padiskutueshme të jetës, por të mrekulluarit me to. Në vitet e para, me lloj –lloj pretekstesh, mësuesja na vinte shpesh të këndonim në mes të mësimit. Ndërsa bëja sikur i këndoja ato këngë që nuk më pëlqenin e atyre që nuk ua merrja vesh fjalët në frëngjisht, më pëlqente të ndiqja me sy shokët e klasës. (Këndonin gjëra që mund të përkthehen si: xha roje, xha roje, erdhi festa, bjeri bilbilit). Vogëlushin e shkurtër e topolak, i cili gjysmë ore më parë kish qarë ngaqë kishte harruar sërish në shtëpi fletoren, tani e shihje duke kënduar i lumtur me gojën që e hapte vesh më vesh. Vajza, e cila i mblidhte flokët e gjatë pas veshëve, të njëjtin gjest e përsëriste në mes të këngës. Njëri nga të paudhët e shëndoshë, i cili më kish ndjekur nëpër korridore në pushim dhe mësuesi i tij më tinëzar, më i zgjuar dhe aq i matur, sa me gjithë poshtërsinë e vet, të mbetej në anën time të kufirit të fshehtë, tani dukeshin si të humbur në qiejt e muzikës me një shprehje engjëllore në fytyrë. Vajza e rregullt, në mes të këngës kontrollonte edhe njëherë kutitë e lapsave dhe fletoret në çantë. Vajza punëtore dhe e zgjuar, e cila, sa herë e pyesja: “A bëhesh shoqja ime?” për t’u vënë në rresht për dy kur hynim nga oborri në klasë, thjesht më kapte për dore pa folur, përqendrohej e tëra për të kënduar sa më mirë. Djali i shëndoshë dhe koprac, i cili, që të mos ia shihnin fletoren në provime, e mbulonte asisoj a thua po i jepte bebes për të pirë, bënte lëvizje sikur e hape gjoksin që s’ia hapte askujt.
Kur shihnim se edhe njëri nga budallenjtë e pashpresë që rriheshin përditë, bashkohej me dëshirë në këngë; një tjetër mistrec i shkulte flokët vajzës përpara dhe vajza që e kishte të qarën në majë të buzës, teksa këndonte e vëmendshme, vështronte jashtë nga dritarja, edhe ne me vajzën me bisht kali shiheshin për një çast në sy dhe vinim buzën në gaz. Kur vinim në pjesën la la la la la la të këngës që s’e merrja vesh fare, edhe unë i hareshëm bashkohesha me zërin që e ngrinin të gjithë, e pastaj, duke parë nga dritarja, imagjinoja se ja, edhe pak, edhe pak e dot binte zilja, e gjithë klasa përnjëherësh do të rrëmbente palltot e çantat dhe me çantën në njërën dorë e dorën tjetër në pëllëmbën e madhe të portierit, i cili do të na çonte bashkë me vëllain në shtëpi, që ndodhej tri minuta larg, do të isha i lodhur nga gjithë ajo njerëzi në klasë e do t’i shpejtoja hapat i paduruar për të parë nënën.

Përktheu nga origjinali: Rubin Hoxha

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...