Msc. Elvin LUKU
Journalist at Vizion Plus
http://www.vizionplus.tv
LINDJA E TELEVIZIONEVE PRIVATE
NË SHQIPËRI
Hyrje
Në këtë punim merret në shqyrtim një nga
periudhat më të rëndësishme të historisë së televizionit shqiptar: lindja e
televizioneve private në vend nga viti 1995-2000.
Për të realizuar këtë studim janë shfrytëzuar materialet arkivore të
dorës së parë, si: vendime, raporte dhe dokumenta të tjerë nga KKRT; analizë e
artikujve e periodikëve të kohës; analizën e studimeve dhe raporteve nga
institutet dhe organizatat e huaja; intervista me gazetarë e drejtorë
televizionesh, pronarë e ish-pronarë televizionesh, ish-kryetarin e punonjës në
KKRT; studimin e ligjeve për median eletkronike; referimin e autorëve
bashkëkohor të komunikimit dhe të dhënave sasiore ekzistuese të paraqitura me
tabela dhe në mënyrë grafike.
1. Televizioni në Evropën Qendrore dhe Lindore
post-komuniste
Pas rënies së
komunizmit, u shtrua nevoja e një pluralizmi të medias dhe krijimit të të
ashtuquajturit treg mediatik. Në rastin e televizionit, gjatë kësaj periudhe,
në shtetet e Evropës Qëndrore dhe Lindore u vunë re dy tendenca: E para ka të
bëjë me transformimin e televizionit nga shtetëror në publik, ndërsa fenomeni i
dytë lidhet me liberalizimin e tregut dhe lindjen e televizioneve të para
private, një pjesë e mirë e të cilave në mënyrë të jashtëligjshme.[1]
Ndonëse ishte shteti
i fundit që rrëzoi komunizmin më 1990,[2] as
Shqipëria nuk mbeti jashtë këtyre zhvillimeve. Më 25 dhjetor të vitit 1995 nis
transmetimin televizioni i parë privat në Shqipëri, Shijak TV,[3]
ndërsa ligji për “Median Elektronike”, që e cilëson TVSH-në një televizion
publik dhe parashikon hapjen e TV-ve private, u aprovua më 30 shtator 1998[4]
dhe hyri në fuqi më 4 tetor 1998.[5]
Deri në këtë periudhë të miratimit të këtij ligji, në Shqipëri ishin hapur
gjithsej 31 televizione private dhe dy studio prodhimi,[6]
pjesa më e madhe e tyre u licensua në tetor-dhjetor 2000.
Në Evropës Qëndrore
dhe Lindore është përzgjedhur si model zhvillimi ai i televizioneve në Evropë
në krahasim me modelin amerikan, duke mos e privatizuar të gjithë tregun, por
duke ruajtur televizionin publik. Zgjedhja e modelit në vendet ish-komuniste
është pasuar në terren: a) liberalizim tërësor i tregut; b) hartimi ose
përmirësimi i ligjit; c) rregullimi i disa prej problemeve të hasura në terren
mes operatorëve dhe institucionit rregullator.[7]
2. Hapja dhe konsolidimi i televizioneve private në
Shqipëri
2.1
Lindja e televizionit të parë privat dhe dy operatorëve kombëtar në Shqipëri
Politizimi i
tejkajshëm i medias së vetme vizive TVSH-së,[8]
dhe vullneti politik për të mos bllokuar hapjen e TV-ve private,[9]
ndonëse nuk parashikohej në ligj, i la rrugë të lirë fillimisht tezave të
hedhura në shtyp për operatorë privat, ku nuk përjashtohej dhe kalimi i TVSH-së
nga television shtetëror në privat. [10]
Pikërisht në këtë
kohë, ndonëse jo nga ligjvënësit dhe nga TVSH-ja, ndryshimi erdhi. Më 25
dhjetor 1995 nis transmetimet e para televizioni Shijak TV, datë kjo që shënon
lindjen e televizionit të parë privat në Shqipëri.[11] Ky
televizion ndante ambjentet e një godine të përbashkët me Pallatin e Kulturës
dhe Xhaminë.[12] Sikurse tregon vetë
pronari i këtij televizioni, Gëzim Ismaili, i diplomuar në mjekësi, por me
profesion biznesmen, ideja për hapjen e një TV-je lindi nga një bisedë e
rastësishme miqsh, mes tij dhe inxhinjer Muhamer Çipit, të dy këta bashkëpronar
të një dyqani “Riparim Televizorësh”, në Shijak. [13] Në qershor të vitit 1995, z. Ismaili blen në
Maqedoni një transmetues, për të ritransmetuar kanale të televizioneve të
huaja,[14]
por modeli që Shijak TV ndoqi, sipas tij, ishte ai italian. Programi i parë që
u transmetua, në televizionin e parë privat në Shqipëri, Shijak TV, në formatin
e transmetimit VHS, ishin filmimet me një kamera amatore në disa shkolla
8-vjeçare, ku fëmijët festonin Vitin e Ri dhe Krishtlindjet.[15]
Që nga ky moment e
deri në nëntor të vitit 1998, një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për radion
dhe televizionin, Shijak TV zhvendos studion qendrore në Tiranë dhe kalon nga
sistemi VHS në Super VHS dhe Beta.[16]
Pas transferimit, televizioni numëron edhe studiot në Shijak, Durrës, Kavajë
dhe Lezhë, me një personel prej 19 punonjësish me kohë të plotë, nga të cilët 7
prej tyre gazetarë.⃰
Megjithëse Shijak TV
konsiderohet si televizioni i parë privat në Shqipëri, një studim i Soros-it,
thekson se transmetimet e para televizive të një stacioni shqiptar datojnë pak
muaj më herët, në mes të vitit 1995, me shfaqjen e logos së Telenorbës Shqiptare
me qendër në Bari të Italisë, në ekranet shqiptare. Megjithatë TNSH-ja, pjesë e
Telenorba Italia, merr autorizimin zyrtar për të transmetuar në Shqipëri nga
qeveria shqiptare, në prill të vitit 1996, muaj që shënon zyrtarisht lindjen e
këtij televizioni privat në vend.[17]
Përpara nisjes së
transmetimeve të Shijak TV, në Tiranë, në fund të vitit 1995, themelohet
studioja e parë e prodhimit “Gjeli Vizion”, nën pronësi të Agim Buxhelit.
“Gjeli Vizion” ishte një studio televizive prodhimi e lëvizshme, që mundësonte
një transmetim me katër kamera.[18]
Nga viti 1995 e deri
në shtator të 1998-ës, kur aprovohet ligji për “Median Elektronike”, në
Shqipëri ishin hapur rreth 33 operatorë privatë, ndërsa deri në fund të vitit
2000 janë hapur 51 televizione,⃰ ndër të
cilët Shijak TV më 25 dhjetor 1995, televizioni i dytë privat Antena Jug në
Gjirokastër më 21 prill 1996, televizioni i parë që nisi transmetimet në
kryeqytet në maj të 1996 Alba TV, TVA në Tiranë dhe TV Rozafa në Shkodër në
dhjetor 1996, Teuta TV në Durrës, në mars të 1997, TV Klan në tetor 1997, TV
Koha në nëntor 1998 e Vizion TV në nëntor të 1999 në Tiranë etj…⃰
Televizioni privat
TVA, i cili më 14 nëntor 2000, licensohet nga KKRT si një nga dy televizionet
kombëtare private bashkë me TV Klan,[19]
ka nisur transmetimet e tij me sistemin VHS në dhjetor 1996 nga Qendra
Ndërkombëtare e Kulturës (Piramida). Ndryshe nga pjesa më e madhe e
televizioneve të tjera private, Tele Arbëria nisi transmetimet me program 24
orë, pa asnjë ndërprerje, dhe valët e tij mbulonin vetëm kryeqytetin. Programi
i TVA-së në nisje të tij ka patur karakter artistik. Pas mesnate, TVA lidhej
drejtpërdrejt me satelit me kanalin muzikor “MCM” ose me stacione të tjera të
huaja.[20]
Për t’u evidentuar është fakti që filmat dhe lidhjet satelitore të cilat
transmetoheshin në TVA, ashtu si dhe në pjesën më të madhe të televizioneve
private, ishin pa përkthim.[21]
Ky fenomen nis të ndryshojë në fund të viteve ’90, në disa nga televizionet
private të cilat nisin të konsolidohen, nga pikëpamja e financave, stafit,
strukturës e programacionit.[22]
Miratimi i ligjit për
Radiotelevizionin e gjen TVA-në të zhvendosur në katin e dytë të një ndërtesë
në Rrugën e Kavajës, në një ambient të marrë me qera, ku qëndroi deri në fillim
të vitit 2000, para se të ndërtoheshin zyrat e reja në Pallatin e Kulturës.[23]
Gjatë kësaj kohe, ky televizion privat ndërton gradualisht stafin dhe deri në
janar të 1999-ës është ekrani me numrin më të madh të punonjësve të angazhuar me
kohë të plotë, që përllogaritet në 43 vetë.⃰
Nga këta një personel prej 10 vetësh (gazetarë e kameramanë) punojnë për
departamentin e lajmeve, që, sikurse pohon edhe drejtori i informacionit të
TVA-së në atë kohë, Rezear Xhaxhiu, përbënte fokusin kryesor të këtij
televizioni. Në vitin 2002 inspektimet e Departamentit Teknik të KKRT-së, e
përcaktojnë zonën e mbulimit të TVA-së me sinjal cilësor në 27.39% të
territorit të vendit.[24]
Televizioni Klan,
operatori i dytë që licensohet nga KKRT-ja në fund të vitit 2000 si televizion
kombëtar, nis transmetimet e para në Tiranë, më 25 tetor të vitit 1997. Ndryshe
nga stacionet e tjera, ky kanal fillon transmetimin me sistemin Super VHS, nga
një vile trekatëshe në rrugën “Myslym Shyri”,[25]
me një programacion vetëm me filma, por pa përkthim. Në qershor të 1998-ës, ky
televizion nis të ndryshojë gjithë sistemin e transmetimit në Beta.[26]
Krahas teknologjisë së përparuar në raport me kanalet konkurrente, televizioni
Klan prezantohet në treg me 24 orë program, nga të cilat 7 orë e gjysmë
transmetim në gjuhën shqipe. Deri në këtë kohë ky televizion transmetonte dy
edicione lajmesh, në orën 19 e 30 dhe 23.00, për ta ndryshuar programacionin më
vonë me 4 edicione lajmesh.[27]
Përpara se ky kanal të ndryshonte ambientet e tij në të ashtuquajturën “Salla e
Lojrave” në shkurt 1999,[28]
Klan TV numëron një personel prej 41 punonjësish, nga të cilët 14 gazetarë dhe
kameramanë. Emisioni i parë i transmetuar në frekuencat e këtij kanali
televiziv ka qenë “Francë 1998”, një program sportiv i prezantuar nga Pandi
Laço, Bledar Laço dhe Agron Llakaj. Ky operator pretendonte se deri në fund të
vitit 2000 do të mbulonte 70% të territorit me sinjal, [29] megjithatë
kjo statistikë e prezantuar në KKRT është e pasaktë, pasi në matjet teknike që
institucioni rregullator ka kryer në vitin 2002 rezulton se, TV Klan mbulon
40.91% të territorit të Shqipërisë.[30]
2.2
Arritjet dhe ploblematikat e operatorëve televiziv deri në vitin 2000
Në pjesën dërrmuese
të rasteve deri në vitin 2000, televizionet janë hapur pa një projekt të
mirëfilltë dhe të specializuar për një nismë të tillë. Këtu mund të përmendim
ambjentet në të cilat këto televizione janë ngritur, ku në 75 % të rasteve
rezulton të jenë përshtatur në apartamente, kate
vilash të marra me qera,[31]
apo në një godinë me xhaminë, siç ishte rasti i TV Shijak.
Fuqia ekonomike e një
televizioni shikohet edhe në stafin dhe teknologjinë që përdor. Rezulton se
deri më 1999, vetëm tre stacione nga mbi 30 të tillë kishin një personel të përhershëm
me mbi 35 veta, katër stacione me rreth 20-25 veta, ndërsa pjesa tjetër me një
personel shumë më të vogël se aq. Megjithatë, këto të dhëna duhet të merren me
rezerva, pasi ato bazohen në deklarimet e vetë pronarëve, të cilët një pjesë të
mirë të stafit e punëson në të zezë, të deklaruar si part-time.
Sa i takon sistemit
të transmetimit, pjesa më e madhe e operatorëve i kanë nisur transmetimet e
para me kamera amatore VHS dhe, më pas, kanë kaluar në sistem gjysmë
profesional Umatik apo SVHS. Në vitin 1999, vetëm TV Klan, TNSH dhe Alba TV,
rezultojnë të kenë tërësisht një sistem transmetimi profesional Beta, ndërsa
pjesa tjetër e televizioneve operonte me sisteme gjysmëprofesionale.[32]
Të ardhurat e një
televizioni përmes reklamave deri në fund të vitit 1998 kanë qenë të
pamjaftueshme për të nxjerrë shpenzimet e një televizioni, sidomos në rrethe.
Koncernet e mëdha, që përbënin numrin më të madh të financimeve nëpërmjet
reklamave si Coca Cola, kompania e sigurimeve INSIG, Deka Co., Albanian
Interlines dhe Orbit Gum, operonin kryesisht në Tiranë. Çmimet e spoteve për një
reklamë 30 sekonda (standardi i reklamave në atë kohë), varion nga 1000 lekë
deri në 6000 lekë për transmetim, sipas stacioneve. Jashtë Tiranës, reklamat
zgjasin nga 20 sekonda deri në disa minuta dhe pagesat variojnë nga 100 lekë
deri në 3000 lekë për transmetim. Një burim kryesor të ardhurash për shumicën e
stacioneve është përshëndetja nga ekrani i shikuesve, të cilët dërgojnë fotografi
të shoqëruara me njoftime të ndryshme për ditëlindje, martesa apo thjesht për
argëtim.
Nga viti 1995 deri në
fund të 1999-ës vërehet një mungesë serioze e personelit me përgatitje apo
përvojë në televizion. Ndonëse ka punonjës të TVSH-së të cilët ndihmojnë
privatisht disa stacione, shumica e stafit nuk kanë patur ndonjë trajnim apo
specializim në këtë fushë. Vërehet një mungesë e theksuar njohurish në
përdorimin me efikasitet të pajisjeve që zotërojnë, ndërsa pjesa më e madhe e
teknikëve në këtë periudhë kanë mbaruar inxhinieri elektrike.[33]
Sa i përket
gazetarëve, pjesa tjetër e tyre vinin kryesisht nga gazetat ose nga bankat e
shkollave të degëve gjuhë-letërsi, ekonomik dhe më vonë gazetari.[34]
Duhet thënë se puna si gazetar, sidomos ata me më shumë përvojë, paguhej mirë
në raport me profesionet e tjera në Shqipëri. Po të bëjmë një krahasim, një
drejtor drejtorie në ministri në vitin 1999 kishte një pagë bruto 44 330 lekë në
muaj,[35]
ndërsa një kryeredaktor ose një drejtor televizioni, në të njëjtën periudhë,
kishte një pagë nga 50 000 – 100 000 lekë në muaj.[36]
Në
këtë periudhë, sipas një studimi të qendrës së mediave dhe fondacionit Soros,
pjesa më e madhe e programacionit 24 orësh mbushej, në një mesatare të mbi 30
televizioneve, me 7 orë trasmentim në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa tjetër me
lidhje direkte me kalalet e huaja që në mbrëmje vonë e deri të nesërmen në
mëngjes.[37]
Pavarësisht
këtyre konstatimeve, duhet thënë se këta operatorë kanë punuar në kushtet e një
destabiliteti politik dhe social, sidomos gjatë krizës së marsit 1997. Shumë
kanale u detyruan në atë kohë të ndalonin transmetimet për periudha të
ndryshme. Një ndër ekranet më shumë të prekura nga trazirat e 1997-ës është
televizioni Antena Jug në Gjirokastër, i cili pati humbje financiare që përllogaritej
në 25 mijë $, gjë që e detyroi këtë stacion të mbyllte transmetimin, për ta
filluar atë disa muaj më vonë.[38]
3. Themelimi i KKRT-së dhe licensimi i televizioneve
private
Më 30 shtator 1998
miratohet Ligji për median elektronike, i cili shfuqizon ligjin e miratuar më
1997 dhe atë të 1991-ës “Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar”,[39] rregullon organizimin e mediave publike dhe
përcakton KKRT si një organ rregullator të operatorëve radioteleviziv privatë
me të drejtë të licensimit ose pezullimit të licenses së tyre. Megjithatë, edhe
pse kuadri ligjor ishte i plotë, për më shumë se një vit asnjë nga operatorët
privatë nuk u licensua dhe KKRT ekzistonte vetëm në letër. Në zbatim të
ligjit “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e
Shqipërisë”, në verë 1999, Parlamenti miratoi KKRT-në dhe më 21 janar 2000, ky
institucion nxorri njoftimin nëpër gazeta se do të fillonte procedurën e
licensimit për të gjitha stacionet e radios dhe të televizionit që kishin
filluar të transmetonin para datës 8 dhjetor 1999,[40]
datë kjo që shënon lindjen e këtij organi regullator për mediat elektronike.
Në fillim të vitit 2000,
KKRT ndodhet përballë një realiteti konkret ku televizionet operonin në kushtet
e ilegalitetit. Nga njëra anë, ky institucion rregullator kishte në tryezë
ligjin, ndërsa, nga ana tjetër, ishin operatorët me probleme të mëdha në
spektrin e frekuencave,[41]
detyrimet fiskale, shtrirjen dhe cilësinë e sinjalit, programacionin dhe
problemet etike, filmat pa titrim, piraterinë e programeve, punën në të zezë të
gazetarëve etj., dhe presioni i tyre mediatik, sidomos në prag të dhënies së
licensave lokale e kombëtare. [42]
Nëse do të zbatohej në
mënyrë rigoroze ligji, atëherë KKRT duhet të urdhëronte mbylljen e të gjithë
transmetuesve deri në procesin e licensimit. Por ky institucion nuk veproi në
këtë mënyrë me arsyetimin se një masë e tillë mbi median do të ishte një
goditje për demokracinë dhe gjithë shoqërinë, e cila vinte nga zhvillime
dramatike si ato të 1997-ës.[43]
Këshilli Kombëtar zgjodhi rrugën tjetër, atë të “amnistisë”. Televizionet, të
cilat që nga miratimi i ligjit e deri para licensimit nuk kishin paguar
asnjë lloj takse për këtë veprimtari ,[44] qëndruan të
hapura, u njohën me kushtet teknike dhe ligjore që duhet të plotësonin për të
përftuar një licensë dhe kishin në dispozicion një afat të caktuar për
përmbushjen e këtyre kushteve për licensë lokale dhe kombëtare.
Megjithë akuzat në
drejtim të KKRT-së, edhe pse një pjesë e mirë e transmetuesve kishin sisteme
amatore, ky institucion ka skualifikuar vetëm tre nga 51 operatorët që kishin
aplikuar për licensë, pasi Këshilli inkurajonte sidomos televizionet lokale, si
një mjet informimi, kulture e argëtimi. Sa i takon televizioneve kombëtare,
licensimi i tyre është bërë përmes një sistemi pikësh për çdo kriter teknik e
ligjor.⃰
Pavarësisht
akuzave politike, dhënia e kufizuar e dy licensave kombëtare në fund të vitit
2000, rezulton të jetë për shkaqe teknike,[45]
ndërsa tarifat që televizionet paguanin për licensë ishin 10 000 dhe 15 000
lekë në vit për TV lokale e 5 milionë në vit për TV kombëtare. Ndryshe nga
media e shkruar, operatorët radiotelevizivë i nënshtrohen një procesi licensimi
të posaçëm për shkak se përdorin një burim të kufizuar kombëtar, spektrin e
frekuencave. KKRT e ka siguruar hartën e frekuencave në rang kombëtar vetëm në
fund të vitit 2002.[46]
Ish-kreu i KKRT-së, z. Sefedin Çela thekson se mundësia e kufizuar për licensa
bën që ato të jenë privilegj i atyre që e fitojnë këtë të drejtë duke
konkurruar sipas ligjit, pasi në fund të fundit duhet thënë se frekuencat janë
një pasuri kombëtare.[47]
Sa i takon faktit se pse janë dhënë dy licensa, z. Çela sqaron se së pari është
dhënë më shumë se një licensë për të shmangur mungesën e konkurrencës, së dyti
për shkak se mungonte harta e frekuencave dhe së treti sepse numri i
operatorëve kombëtarë nuk mund të jetë i
pakufizuar për arësye teknike, por edhe sepse nuk ka treg për licensa
televizionesh kombëtare të palimituara.[48]
KKRT, në mbledhjet e datave 23 dhe 30 tetor, 14 nëntor
dhe 11 dhjetor të vitit 2000 licensoi 80 operatorë privatë lokal dhe kombëtarë,
nga të cilët 45 për transmetim të televizioneve lokale, dy për televizione
kombëtare, një për transmetim satelitor[49],
- pra rreth 30 % e operatorëve vizivë aktualë në treg. Ndryshe nga sa është
përcaktuar në raportin e Institutit Shqiptar të medias për vitin 2007 dhe
punimin e koleges Tare të botuar në vitin 2008, në të cilin thuhet se “në
Shqipëri, shumimi i stacioneve televizive ndodhi vetëm pas vitit 2000”,[50]
na rezulton se numri i televizioneve private të licensuara në periudhën
1995-2000 është 48 televizione, thuajse i barabartë me licensimet që janë bërë
deri në 2005, me 47 operatorë të rinj.[51]
Në
vitin 2001, KKRT licenson 15 televizione dhe 3 radio, të cilat dalin në
transmetim vetëm pas miratimit të licensës, fakt ky që përbën progres për
disipliminin e operatorëve dhe moslejimin e transmetimeve të paautorizuara.[52]
Kjo periudhë e në vijim shënon fazën kur Këshilli Kombëtar konsolidon
gradualisht infrastrukturën që shënon kulmin pasi ky institucion rregullator vë
në punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të ashtuquajturin projekti “DANIDA”,
dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi operatorët pasi fiton të gjitha betejat
ligjore me ta.[53]
Përfundime
Periudha e lindjes së televizioneve private në
Shqipëri karakterizohet nga disa tipare kryesore:
1.
Hapja e televizioneve private të
palicensuara, si pasojë e mungesës së ligjit dhe të një organi rregullator siç
është KKRT, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një ngjarje që ka ndodhur
në pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore.
2.
Skema e veprimit në terren me
tregun mediatik në gjithë këto shtete ka qënë a) liberalizim tërësor i tregut;
b) hartimi ose përmirësimi i ligjit; c) rregullimi i disa prej problemeve të
hasura në terren mes operatorëve dhe institucionit rregullator.
3.
Ngritja e televizioneve të para
private ka ardhur nga iniciativa rastësore biznesmenësh që në pjesën dërrmuese
e njihnin shumë pak funksionimin e një televizioni. Stafi teknik dhe
redaksional ka qenë jo profesional ndërsa sistemet e transmetimit në 90% të
rasteve kanë qenë amatore ose gjysmë profesionale.
4.
Televizionet operonin në kushte
shumë të vështira financiare, ndonëse deri në vitin 2000 ato kanë qenë të
regjistruara vetëm si biznese dhe nuk janë taksuar për përdorimin e frekuencës
si pasuri kombëtare. Në 75% të rasteve TV-të kanë qenë të përshtatura në
ambjente vilash apo apartamentesh të marra me qera. Një pjesë e mirë e
gazetarëve punonte në të zezë, ndërsa fitimet nga reklamat ishin shumë të
vogla, edhe për shkakun se bizneset më të mëdha operonin në Tiranë.
5.
Në 1999 rreth 75% e operatorëve
kanë transmetuar 24 orë në ditë, por vetëm 7 orë kanë qenë transmentim në
gjuhën shqipe. Pjesa tjetër mbushej me filma, lidhje direkte me kanale
ndërkombëtare muzikore, ndeshje sportive, dokumentarë etj., të piratuar dhe pa
përkthim në gjuhën shqipe.
6.
KKRT nis punën në një kohë kur
televizionet private ishin një realitet. Institucioni rregullator nuk i mbyll
këto televizione por i “amniston” dhe i krijon mundësinë të futen në garë për
të plotësuar kushtet teknike dhe ligjore, për përftimin e një license kombëtare
ose lokale.
7.
Në katër mbledhjet e mbajtura deri
në fund të vitit 2000, KKRT licenson 48 nga 51 televizionet në treg, nga të
cilët 45 me licensë lokale, dy me licensë kombëtare, një si televizion stelitor
dhe skualifikon tre televizione.
8.
Frekuenca e licensimit të
televizioneve private rezulton të jetë e njëtrajtshme në 5-vjeçarin e parë
(1995-2000) me 48 operatorë televiziv dhe 47 të tillë në 5-vjeçarin e dytë
(2000-2005).
9.
KKRT konsolidohet si institucion
në fund të vitit 2002, kur zotëron hartën e frekuencave në rang kombëtar, vë në
punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të ashtuquajturin projekti “DANIDA”,
dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi operatorët pasi fiton të gjitha betejat
ligjore me ta.
Bibliografi
Botime:
Biberaj Elez, Shqipëria në tranzicion: rruga e vështirë
drejt demokracisë, Tiranë, Ora 2001
Brez Jefferey
A.. Vlerësimi i industrisë së televizioneve private në
Shqipëri.
SOROS/IREX, 29 Janar 1999
Fuga
Artan. Media, Politika Shoqëria
(1990-2000). Tiranë: Dudaj, 2008
Fuga
Artan. Ikja nga kompleksi i Rozafës, Pejë, Dukagjini 2001
Guidë për mediat elektronike, Instituti për Studime
Publike dhe Ligjore, Tiranë, Janar 2000 Katheleen Imholz, Elina Koçi, Robert
Rittler. E drejta e mediave elektronike
në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001
Monitori Shqiptar i Medias
2003, Qëndra
Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004
Monitori Shqiptar i Medias
2004, Qëndra
Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004
Sparks
Colin, Komunizmi, Kapitalizmi dhe
Mass-Media. Tiranë 2000, Instituti Shqiptar i Medias
Television
accros Europe: regulation, policy and independence, Volumi 1, Monitoring Reports
2005, Open Society Institute
Periodikë:
Bungo
Alda, “Televizionet private shqiptare nuk flasin shqip”, Albania, 20 mars 1998
Çela
Sefedin, “Mediat elektronike – realitet dhe sfidë”, Media Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS
Çobani
Agron, “Televizionet private pa strukturë dhe pa profile”, Gazeta Shqiptare, 23 korrik 1998
D.M.,
“Kush punon në Televizion”, Koha Jonë,
9 nëntor 1996
Hoxhalli
M., ““Shijak TV”, televizioni i parë privat në Shqipëri në katërvjetor”, Koha Jonë, 29 Dhjetor 1999
“Kaos në dhënien e licensave
kombëtare të televizioneve private”, Koha
Jonë, 14 nëntor 2000
Pepo
Ylli. “E ardhmja i takon vetëm Televizionit privat”, Koha Jonë, 13 prill 1995
Strakosha
Bledi. ““Tele Arbëria”, 24 orë program”, Gazeta
Shqiptare, 21 janar 1997
“Stafi i TV Koha, Konkurrencë e
pandershme e televizioneve private. Fillon lufta e valëve”. Koha Jonë
Tare
Ilva. “Shpërthimi i kanaleve televizive private në Shqipërinë pas komuniste”, Polis 8, Dimër 2009
“Televizionet private drejt
ekspansionit në Shqipëri”, Koha Jonë,
24 dhjetor 1998
Xhunga
Rudina. “Do vendoset rendi në televizionet private”, Zëri i Popullit, 8 shkurt 2000
Ligje:
Ligji
Nr. 7524, datë 19 nëntor 1991, “Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar”
Ligji
nr. 7756, datë 11 tetor 1993, “Për shtypin”
Ligji
Nr. 8221, datë 15 maj 1997 “Për Radio dhe Televizionin Publik e Privat në
Republikën e Shqipërisë”
Ligji Nr. 8410 datë 30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin
Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”
Ligj Nr . 8655, datë 31.07.2000, “Për disa ndryshime në ligjin nr.
8410, datë 30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në
Republikën e Shqipërisë”
Dokumenta:
KKRT, “Raport mbi
veprimtarinë e KKRT për vitin 2001”
KKRT, “Raport mbi
veprimtarinë e KKRT për vitin 2002” 04.02.2003
Shijak TV, “Zona e mbulimit me sinjal
televiziv”, viti 2000, KKRT
TV Klan, “Të
dhëna mbi programet”, viti 2000, KKRT
TV Klan,
“Harta e shtrirjes së sinjalit të TV KLAN”, viti 2000, KKRT
Vendim Nr.
30, datë 14.11.2000, “Për licensimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe
televizivë”, KKRT
Vendim Nr.30, datë 14.11.2000, “Për licencimin
e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizive” KKRT
Vendim Nr. 31, datë 11.12.2000, “Për
licencimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizive” KKRT
Vendim Nr. 29, datë 30.10.2000, “Për licencimin
e operatorëve private lokale për televizionin
analogjik tokësor dhe radio FM”, KKRT
Intervista:
Intervistë
me ish-kreun e KKRT-së, Sefedin Çela, dt. 11.09. 2012
Intervistë me ish-drejtorin
e TVA, Rezear Xhaxhiu, 09.09.2012
Intervistë telefonike
me pronarin e TV Shijak, Gëzim Ismaili, 31.10.2012
Intervistë
me ish-gazetar i TV Klan Roland Zili, aktualisht kryeredaktor në Vizion Plus
Intervistë
me bashkëpronarin e TV Antena Jug, Ilirian Lluri, dt 23.10.2012
Tabela:
Kronologjia e hapjes së TV-ve private deri në janar 1999
Vendimi i KKRT-së për licensimin e
TV-ve private dhe kombëtare, 2000
Vlerësimi me pikë i operatorëve
konkurues për TV kombëtare
Shënim: Studimi
i plotë është publikuar në botimin “HISTORIA E MEDIAS DHE MEDIATIZIMI I
HISTORISË”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë, Departamenti i Gazetarisë
dhe Komunikimit.
Abstract
Msc. Elvin Luku
TV establishment in Albania
Abstract
This study deals with one of the most
important periods of the history of the Albanian televisions: the birth of
private televisions in the country from 1995 to 2000. The study focuses on
three main issues. Firstly, it focuses on the comparative approach of the
opening of private televisions in Central and Eastern European post – communist
countries. Secondly in the creation, development and consolidation of private
operators in Albania and thirdly, it focuses on the approval of the law for the
electronic media, the establishment and consolidation of National Council of
Radio and Television.
The
study points out the common characteristics that the period of the opening of
televisions shares with other ex-communist countries, as well as the
distinctions that mainly come as a result of the internal socio-political developments.
The study focuses particularly on the creation and development of the first
private television in Albania, TV Shijak, and two other televisions that later
get the national licence, TVA and TV Klan. Also it offers an outline of the conditions
in which the TV operators have operated with their achievements and problems.
The study looks upon the approval of the law for the electronic media, the contestations made by the operators and on
the establishment of National Council of Radio and Television until its
consolidation period.
For this study have been used archive
materials like decisions, reports and other materials from National Council of
Radio and Television; analyses of articles from newspapers of the time;
analyses of studies and reports from institutions and foreign organisations; interviews
with journalists and directors of televisions, owners and ex-owners of
televisions, former chairman and officials of National Council of Radio and
Television; the study of laws for the electronic media, references from contemporary
authors of communication and the quantitative data shown in table and
graphically.
⃰ Gazetar në televizionin Vizion Plus, Doktorant pranë Shkollës Doktorale, Departamenti i
Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti
i Tiranës.
[1] Television accros Europe:
regulation, policy and independence, Volumi 1, Monitoring Reports 2005, Open
Society Institute, f. 32
[2] Elez Biberaj, Shqipëria në
tranzicion: rruga e vështirë drejt demokracisë, Tiranë, Ora 2001, f.112
[3] Jefferey A. Brez. Vlerësimi i industrisë së televizioneve private
në Shqipëri. SOROS/IREX, 29
Janar 1999, f. 9-10
[4] Ligj
Nr . 8655, datë 31.07.2000, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8410, datë
30.09.1998, “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e
Shqipërisë”
[5] Katheleen Imholz, Elina
Koçi, Robert Rittler. E drejta e mediave
elektronike në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001, f. 55
[7] Ilva Tare. “Shpërthimi i
kanaleve televizive private në Shqipërinë pas komuniste”, Polis 8, Dimër 2009, f. 22
[13] M.Hoxhalli. ““Shijak TV”,
televizioni i parë privat në Shqipëri në katërvjetor”, Koha Jonë, 29 Dhjetor 1999, f. 20
[19] Vendim Nr. 30, datë 14.11.2000, “Për
licensimin e operatorëve privatë lokale radio FM dhe televizivë”, KKRT
[40] Katheleen Imholz, Elina
Koçi, Robert Rittler. E drejta e mediave
elektronike në Shqipëri. Tiranë: Horizont, Janar 2001, f.109
[41] “Stafi i TV Koha,
Konkurrencë e pandershme e televizioneve private. Fillon lufta e valëve”. Koha Jonë, f.3
[42] Rudina Xhunga. “Do
vendoset rendi në televizionet private”, Zëri
i Popullit, 8 shkurt 2000, f.24
[45] “Kaos në dhënien e
licensave kombëtare të televizioneve private”, Koha Jonë, 14 nëntor 2000, f. 4-5
[46] Raport mbi veprimtarinë e
KKRT për vitin 2003, Monitori Shqiptar i
Medias 2004, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004, f. 91
[47] Sefedin Çela. “Mediat
elektronike – realitet dhe sfidë”, Media
Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS, f. 5
[49] Sefedin Çela. “Mediat
elektronike – realitet dhe sfidë”, Media
Shqiptare, Nr. 8, tetor-dhjetor 2000, AMI, IREX SOROS, f. 5
[53] “Nëntë ankesa në gjykatë
kundër KKRT-së”, Monitori Shqiptar i
Medias 2003, Qëndra Shqiptare e Monitorimit të Medias, Tiranë 2004, f. 144
(SHKRIM ESHTE DERGUAR ENKAS PER FLORIPRESS NGA STUDIUESI SHQIPTAR MR.ELVIN LUKU)