Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/22

Udhëve të një Shqipërie tjetër

NË LEKAS, ATJE KU RRUGA ËSHTË MIT DHE ËNDËRR


Për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen tri orë. Për të shkuar nga Korça në Lekas duhen më shumë se dy orë, megjithëse largësia është vetëm 38 kilometra. Dhe prej Voskopojës, ku rruga “e mirë” ndërpritet, mbeten vetëm 18 kilometra. Udhëtojmë në heshtje mes gropave dhe rrëkeve derisa diku përballë na shfaqen katër drejtime rrugësh të ndara si gishtat e një dore.
Asnjë shenjë jete, asnjë zë, madje dhe natyra sikur po bënte pak pushim: shiu sikur ishte rralluar dhe nuk ndihej asnjë gjëmim. Vetëm përrenj që shfryjnë dhe fishkëllimë furish të frikshme. Kaq e vetme, pa frymë njeriu, vetëm me vrazhdësinë e natyrës, e sertë dhe e bukur njëherësh, s’mbaj mend të kisha qenë ndonjëherë.
Gratë dhe fëmijët
Kjo është shtëpia e Xhelo Mahmutit, një shtëpi e bukur fshati. Dy vëllezërit kanë ndërtuar shtëpi me një oborr të përbashkët, të njëjtat në pamje e funksione. Gjithçka është krejt e rregullt dhe e pastër. Ndanë çdo hyrjeje gjendet një çezmë, ku pikon ujë i maleve. Mikpritja e banorëve dhe zemërgjerësia janë prekëse. Familja e Xhelo Mahmutit na pret me zemërbardhësi. Dikur shtëpia e tij ka shërbyer si bazë për antifashistët. E zonja e shtëpisë ka qenë aktiviste e grave komuniste të Lekasit. Me mundimet e njohura të jetës, ka arritur të mbarojë ekonomikun me korrespondencë. Fshati Lekas ka qenë një fshat shumë arsimdashës. Të gjithë të rinjtë synonin të shkonin në fakultet, rrallë mbeteshin vetëm me gjimnaz. Familja e Xhelos ka katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Të gjithë janë të ikur nga Lekasi, “si gjithë të rinjtë e fshatit” sa jashtë sa në qytetet e mëdha. Familja mbahet me te ardhurat që i dërgon herë pas here i biri emigrant në Amerikë.
Lekasi është një fshat në braktisje dhe krejt i izoluar. Nuk duhet të na gënjejë mikpritja dhe bujaria e Xhelos, por gjatë bisedës mësojmë se fshati është krejt i varfër. Lekasit janë njerëz të ndershëm dhe kanë jetuar me vështirësi, me djersën e tyre. Janë të thjeshtë dhe shumë mikpritës. Po nuk ua pranove ftesën, dije se i ke fyer e zemëruar shumë. Fshati është rreth 850 metra lartësi mbidetare dhe i varet faqes së malit të Ostrovicës, që është në 2200 metra lartësi. Para viteve 1990 ka pasur mbi 100 shtëpi. Lekasit janë marrë kryesisht me blegtori dhe ndërtim. Gratë janë të shquara për gatimet e shijshme, si të dorës së tyre! Tani në Lekas kanë mbetur vetëm njëzet familje. Dimri është i ftohtë, por “këto vitet e fundme s’po bën dhe aq dimër, për shkak të asaj, si i thoni juve, të ngrohjes, çfarë është ajo… ngrohja globale”, shpjegon zoti Xhelo.
Ndihma ekonomike
Në zyrën e asistencës sociale në qytetin e Korçës, mësojmë se është hartuar një skemë e re për familjet në nevojë dhe sidomos për gratë kryefamiljare, por kjo skemë nuk është aplikuar ende, për shkak se ende nuk janë nënshkruar aktet nënligjore. Sipas statistikave, janë 47 familje me ndihmë të pjesshme, por në gjendjen civile figurojnë rreth 168 familje. Gra kryefamiljare, që duhet të kenë një kompensim, 65, por kompensimi deri tani është vetëm teorik. Mesatarja e të ardhurave mujore që përfitojnë si ndihmë të pjesshme është rreth 2000 lekë të reja. Asistenca është vetëm 600 lekë të reja për frymë, domethënë tri mijë lekë të reja për familje.
Instituti i Kërkimeve Urbane dhe Qendra Kombëtare për Studime Sociale konfirmon se ndihma aktuale sociale ofron kryesisht përfitime “ekonomike”, por jo dhe “sociale” për fëmijët. Ndihma ekonomike, siç është tani, ka ndikim të vogël mbi fëmijët, prindërit e të cilëve e përfitojnë atë. Ka ndikim të vogël në ndjekjen e shkollës ose mbi shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijës, si dhe nuk i ndihmon fëmijët të shkëputen nga kurthi i varfërisë.
Ndërkohë që njihemi me të dhënat e ndihmës, kujtohemi për një propozim që u është bërë një gjysmë viti më parë disa kandidatëve të zgjedhjeve për qeverisjen vendore: që të njihnin si pragun minimum jetik një kufi prej 10 mijë lekësh në muaj për frymë. Asnjëri prej tyre nuk iu mbajt këtij kufiri, sepse ishte shumë i lartë. Duhet të vesh në Lekas për të kuptuar sa larg janë premtimi me të vërtetën.
As qendër shëndetësore, as mjek
Në Lekas nuk ka mjek, por është një infermiere. Ajo na shpjegon se shërbimin e bën në shtëpi dhe në ambulancë.
Këtu njerëzit e zonës vuajnë më shumë nga alergjitë, lëndimet aksidentale, pickimet e gjarprit apo dhe të bletëve, shpjegon ajo. Por një gjë është e sigurt: e tërë kjo zonë po shkon drejt plakjes absolute. E si të kesh lindje këtu?! Pa rrugë, pa makina, pa drita, na thotë infermierja. Të sjellësh fatkeq në jetë!
Për dentist as që bëhet fjalë, fëmijët mund të mos i kenë kontrolluar kurrë dhëmbët te një specialist.
Nga fshati për në Korçë shkon dy herë në ditë një makinë si e jona. Bileta për në Korçë kushton aq sa udhëtimi Tiranë-Shkodër apo Tiranë-Vlorë. Nisja e parë është në orën 7:00 të mëngjesit dhe e dyta në orën 14:00. Nëse do të udhëtosh, duhet të jesh krejtësisht i përpiktë në këto dy orare, si me trenat zviceranë.
Fshatarët duan rrugë, thonë vëllezërit Mahmutaj. Prej Lekasit në Korçë, që ne na u duk një ditë udhë, është gjithsej vetëm 38 kilometra, madje deri në Voskopojë vetëm 18 kilometra.
Një rrugë për të shkuar në shkollë
Në mëngjes vizitojmë shkollën, e cila ka vetëm dy klasa, me 35 nxënës gjithsej. Fëmijët ecin deri dy orë më këmbë për të arritur këtu në shkollë. Dy mësueset e Lekasit i duan shumë. Ato punojnë plot pasion. Qëndrojnë gjithë javën në fshat dhe kthehen në Korçë në fundjavë.
Në Lekas nuk ka shkollë të mesme, “njerëzia është rralluar”, megjithëse para viteve 1990 ka pasur një shkollë të mesme bujqësore, madje me konvikt; ka pasur gjimnaz, spital, farmaci, kopsht dhe shërbime të tjera: ambulancë, vatër kulturore. Gati-gati si një qytezë ka qenë Lekasi. Nuk mbahet mend të ketë pasur fëmijë të pashkolluar që nga mesi i shekullit të kaluar. Tani Lekasi ka vetëm një shkollë 9-vjeçare, me dy klasa gjithsej. Tokat e bukës tani janë kthyer thuajse të gjitha në kullota, sepse nuk ka kush i punon. S’ka njerëz më, e kështu ato toka i gëzojnë bagëtia. Dhe ne me ato të uruara jetojmë, na japin sa për vete.
Është shumë e vështirë të bëhet mësim i rregullt, sidomos tani në dimër. Klasat që ndryshe quhen klasa kolektive, që do të thotë se bëhet një kombinim për orën e mësimit: e para me të tretën, e dyta me të katërtën e kështu me radhë.
Nuk ka mësues për gjuhë të huaj, dhe ky fakt i privon fëmijët e Lekasit që të ndjekin shkollën e mesme, gjimnazin, sepse atje duhet gjuhë e huaj, kështu që nuk kanë ku shkojnë tjetër veçse në shkollat teknike dhe profesionale. Shkojnë në Korçë dhe gjimnazet u mbyllin dyert, sepse nuk dinë anglisht. Mësueset kanë kërkuar që t’ua mësojnë ato vetë anglishten, por nuk kanë gjetur pëlqim. Haxhi Brahimllari, një djalë dhjetë vjeç, na thotë se e do shumë shkollën dhe nuk do të humbasë asnjë orë mësimi. Ai niset nga shtëpia në orën gjashtë me natë. Ndërsa marrim këto shpjegime, hyn dikush dhe të gjithë ngrihen më këmbë menjëherë, ashtu si ne dikur, atëherë kur autoriteti i mësuesit ishte i padiskutueshëm.
Çfarë dëshironi më shumë ju, fëmijë? - i pyes. Rrugë, thonë korazi të gjithë. Rrugë dhe asgjë tjetër. Po të ftohtë nuk keni ju fëmijë? Jooo, ne kemi sobë dhe dru, s’kemi ftohtë. Duam vetëm rrugë, rrugë dhe makinë për të ardhur në shkollë. Është shumë prekëse kjo bisedë: ata s’kërkojnë as të vishen më mirë, as të ushqehen më mirë, as të kenë jetesë më të pasur, ata duan vetëm rrugë dhe lehtësi për të ndjekur shkollat. Nuk guxoj t’i pyesim për lojëra dhe dhurata Krishtlindjesh, sepse ma merr mendja që as u shkon ndërmend, dhe kjo thjesht mund t’i trishtojë. Jo, nuk duhet folur këtu për pemën e Krishtlindjeve. Duan vetëm rrugë, që të mos humbin orët e para të mësimit, të mos u çahen çizmet e llastikut nëpër gurë, të mos rrinë gjithë ditën në klasë me këmbë të lagura e me baltë.
“Ne duhet të përmbysim tendencën ku zhvillimi fillon në kryeqytet dhe humbet para se të arrijë në fshatrat e thella. Zhvillimi duhet të fillojë në periferi, kështu që ata që jetojnë jetë më të vështira do të jenë të parët që përfitojnë. Gjithashtu Shqipëria duhet të bëjë kujdes të shmangë fenomenin që të pasurit të pasurohen më shpejt sesa të varfrit të dalin nga varfëria. Fëmijët, si ata të fshatit Lekas, mund të thyejnë ciklin e varfërisë vetëm në qoftë se ata përfitojnë arsim të mirë cilësor”, - shprehet Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri.

Xhemal Meçi-Varrezat e dëshmorëve të atdheut-në gjendje të mjerë

Varrezat e dëshmorëve të atdheut-në gjendje të mjerë

TROPOJA, ME NATYRË MAGJEPËSE E ZHVILLIM NË RRITJE,

-“O malet e Shqipërisë!”...,vargje plot jehonë atdhedashurie, zor se mund t’u shkojnë më shumë se viseve të Tropojës;
-“Atje ku bahet buka në gem”, në masivin e gështenjave, një bukuri e pasuri e rrallë me përmasa ballkanike;
-Lugina të thella sikur zbresin në zemër të dheut, por edhe fushore të hapura e gjalluese;
-Alpet, ngjitë qiellit përpjetë dhe mbi ato lartësi duken si kreshnikë viganë, ngjeshë sup më sup, me shikimin poshtë kah vizitorët “liliputë”;
-Legjendat, baladat e mitet, meloditë e këngët e pashtershme u bëjnë jehonë shkëmbinjve borëbardhë dhe ujëvarave jetëdhënëse buzë kullotave alpine;
-Sa e bukur është natyra e atyre viseve të maleve, aq të bukur e të hijshëm janë banorët e atjeshëm: truplartë e me bukuri engjëllore, krenarë e bujarë, të rreptë e gaztorë;
-Pesë herë i kam vizituar ato vise aq tërheqës. (1969, 1981, 1982, 2009 dhe tani më 2011) dhe përsëri e dëshiroj këtë “privilegj”;
-Viteve të fundit duket më shumë gjallëri e zhvillim, por “Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut” si “tollumet e Lulit të Vocërr”(!) Ngjajnë “si mos më keq!“ ...
Nga vizitat e para
Në pranverën e vitit 1969 zhvillova vizitën e parë në Tropojë. Më duheshin disa të dhëna muzeale për lidhjet Pukë-Tropojë për LANÇL në vitet 1940-1944. Udhëtimin e kreva në makina të rastit nëpër Vaspas. Nata më zuri në Kam, qendër e minierës së kromit. Ishte njëfarë hoteli, ku mund të kalohej nata. Të nesërmen arrita në qytetin “Bajram Curri”. U takova me përgjegjësin e muzeut Muhamet Seci, një i përkushtuar për muzeun, për traditat atdhetare të Malësisë së Gjakovës (Tropojës). Përshtypja e parë: qenë malet e larta si barrikada gjigande në hyrje të luginës apo qafave të ngushta mes shkëmbinjve.
Më mirë se këto alpe pa fund, nuk e shpreh kush mbijetesën e banorëve të këtyre viseve. Me gjokset e tyre të pamposhtur u mbrojtën, u strehuan dhe përsëri zbritën prej tyre si ujëvarat jetëdhënëse drejt fushoreve deri në brigjet e Drinit, “një lumë i tmershëm, që e quanin Drin”- siç shpreheshin vizitorë të huaj.
Me hulumtimet për organizimin e krahinave malore të Veriut shprehë më së miri në të drejtën dokesore shqiptare (kanunet), m’u ngjall dëshira për të organizuar kërkime të tilla edhe në viset e Tropojës. Prandaj, gjatë viteve 1981 e 1982, gjatë pushimeve verore shkova në “Bajram Curr”, në Valbonë, në Cernicë, në Ragam deri në Pac të Bytyçit e kthim.
Tani udha kalonte brigjeve të Drinit, fshatrave të Pukës. “Shkalla e Arstit” ishte dhe mbetet pjesa më e rrezikshme e kësaj udhe krejt nëpër shpate shkëmbore sikur matet me luginën e thellë të Drinit..
Mbresëlënëse dhe e paharrueshme qe Valbona! Herë hapej, herë mbyllej si në Këlcyrë, shoqëruar për së gjati prej shkëmbinjve kryelartë, hijerëndë, me të çara të thella ku dilte uji i rrëmbyeshëm prej thellësisë së maleve.
Alpet i qëndrojnë Tropojës si kurorë që prej Nikaj-Merturit në perëndim e deri në Shipshan, verilindje të qytetit të “Tropojës së Vjetër”. Ndërsa hapësirat fushore shtrihen që prej qytetit të “Bajram Currit”, deri kufi me Has, sado që ndërpriten aty-këtu drejt lindjes me kodra të larta.
“Mue më keni ku bahet “buka në gem”
Masivi i gështenjave, që fillon që prej Dushajve të Epër, mbi hidrocentral, dhe për tërë masivin malor gëlqeror që prej Kores së Merturit, jug-perëndim dhe vazhdon për disa km deri në veri të qytetit Bajram Curri. Por gështenja – “buka në gem” vazhdon me ndërprerje te “Rruga e Gashit” deri në Myhejen, në veri-lindje.
Për këtë masiv të pamatë gështenjash, pasuri e paçmuar deri në ditët tona, është folë për një fabrikë përpunimi të frutave të gështenjave, por ky premtim përcillet me vite, ndërsa shumë fruta kalben nën këto pemë “të shenjta”.
Legjendat tregojnë se Perëndia urdhëroi engjëjt të krijonin këto kashnjete pa fund këtyre maleve, banorët e të cilëve mbijetojnë në gjirin e tyre. Engjëjt morën thasët me gështenja dhe grushta-grushta i hodhën shpateve të Alpeve. Njëri prej engjëjve kaloi mbi Drin drejt Kokdodës së Pukës për t’i shpërblye edhe këta banorë besimtarë, punëtorë e mikpritës. Mirëpo kur engjëlli futi dorën në thes dhe nxori gështenjat e fundit, pau se kishin mbetë gështenja kokërrvogla. I hodhi me urimin: “Zoti ju amëlsoftë!”. Dhe kështu, lavdërohen kokdodasit për gështenjat më të ëmbla se të fshatrave të tjera.
Po masivi i gështenjave, përveç frytit, ka edhe një pasuri tjetër të pakrahasueshme me të gjitha pemët e tjera: ka lulen e gështenjës-ushqim për bletët. Mjalti i lules së gështenjës është shumë i pasur me elemente shërues për zemër dhe reumatizëm.
-Edhe vetë bleta,-thonë bletërritësit, - vetëkurohet me këtë mjaltë se e bën më të fortë, më rezistuese. Prandaj duhet të përkrahen dhe të nxiten bletërritësit e këtyre viseve. Të përkrahen me programe e masa konkrete nga Ministria e Bujqësisë e jo “me premtime zgjedhore”.
Kur vendosën fiset të hapeshin prej vendqëndrimeve të mbrojtura gjatë shekujve për mbijetesë, njëri prej tyre tha se do të ishte i kënaqur të vendosej “ku bahej buka në gem”, dmth poshtë masivit të gështenjave. Që prej asaj kohe thonë se fryti i gështenjës u quajt “buka në gem”. Për të kursyer bukën e pakët, banorët e maleve për darkë e mëngjes hanin gështenja të pjekura apo edhe të ziera. Kur kishin, e shoqëronin me qumësht dhe arra “bukën në gem”.
Gjurmë traditash vetëqeverisjeje- “Shpi guri”
Ajo që më interesonte më shumë ishte “vetëdrejtimi” apo “vetëqeverisja” në kushtet e pushtuesve të huaj, sidomos gjatë pushtimit osman. Ky pushtues, si bëri përpjekje për më se në shekull e gjysmë që t’i nënshtronte edhe malet shqiptare, më në fund u detyrua të bënte “marrëveshje” me banorët e maleve. Këto marrëveshje u përmblodhën në tri pika:
1. Çdo krahinë të “vetdrejtohet” simbas dokeve të veta me krenë, pleq e strapleq, me djelmni e bajraktarë;
2. Të mbaheshin lirisht armtë brenda krahinave të “vetdrejtueme”;
3. Sa herë të bahet luftë në kufi me shkijet, bajraqet do të shkonin në luftë bashkë me djelmëninë e vet me “burrë per shpi”. Kështu është vepruar përgjithësisht në malet shqiptare, sidomos në Veri.
Ndryshimet në vetdrejtim (vetëqeverisje) kanë qenë të dallueshme prej krahinës në krahinë; por kryesorja është se vetëdrejtimi do të bëhej sipas Dokeve të Maleve (Kanunit të Maleve). Pra, në krahinat malore të vetëqeverisura nuk do të vepronin ligjet osmane “Sheriati”.
Në Malësinë e Gjakovës (krahina e Tropojës) kam hulumtuar për të gjetë se çka kishin të përbashkët viset e Tropojës me Pukën e Mirditën dhe ku dallonin. Ajo që dallonte në veçanti në Tropojë, shtëpitë e krenëve të fiseve quheshin “Shpi guri”. Si filloi ndikimi osman edhe në terminologjinë dokesore, shtëpive të krenëve u pëlqente të quheshin “Shpi oxhak”. Këtu merr rëndësi fakti se termi “Shpi guri” është paraosman, që vjen nga lashtësia, ku respektohej kulti i gurit. “Shpi Gurit” tradita dokesore e lidh me faktin se shtëpitë e krenëve banin be (betoheshin) me gurë në krah për pleqni e vendosje kufijsh. Po këto “Shpi Gurit” ia kalonin dorë në dorë burrave të kuvendit “gurin e besë”, një gur i sheshtë, sa e zinte dora, që burrat e kuvendit duhej ta kalonin dorë më dorë sa herë merreshin vendime (sulle). Pakica duhej t’i bindej shumicës.
Nikaj- Merturi me udhë të zgjeruar, dykalimëshe deri te kodra e Topuzit
Dëshira për të parë Nikaj-Mertur, sidomos Nikajt ishte e kahershme, që në vitet 1981 e 1982. Paraprakisht kërkova të njihem me ndonjë prej atyre që jetonin në “Bajram Curr”, Dojan, Cernicë dhe Llugaj ku aso kohe kishte mbi 180 familje që punonin në dy ferma.
Më 26 korrik 1982 takova Mark Zanunin, i dtl. 1887, prej Shëngjergjit, banues në Llugaj; Kacun Ndoun, i vitl. 1900, prej Btoshe, banues në Cernicë, si dhe Pal Kol Prognin, i vitl. 1920, prej Salce, banues në Bajram Curr, pensionist, nënkryetar i organizatës së Veteranëve të Luftës NÇL për rrethin e Tropojës.
Pal Kolë Progni kishte shërbyer në Nikaj – Mertur në detyra të ndryshme për afro 25 vjet (20 vjet kryetar e sekretar Lokaliteti në Lekbibaj për Nikaj-Mertur, në vazhdim në detyra partie e kryetar i kooperativës).
Prandaj ishte njohësi më i mirë dhe më i saktë i traditave etnografike dhe historike për atë zonë. Njihte mirë përbërjen fisnore të Nikajt e Merturit, organizimin e tyre në kushtet e vetqeverisjes, krenët e vllaznive dhe trimëritë luftarake atdhetare, sidomos me ushtrinë e Turgut Pashës dhe pushtuesit e rinj malazezë të Car Nikollës. Me interes ishte toponimi Kodra e Topuzit në Lekbibaj. Topuzin ia paska marrë Durak Dema në dyluftim një malazezi. Sado që mori plagë të rënda, topuzin e solli në Lekbibaj, prandaj për do kohë shtëpia e tij u quajt “Shpia e Topuzit”, se aty vendosej topuzi, trofe lufte, për krenari të Nikaj-Merturit.
Më 2 nëntor 2011 pata rast të shkoja në Breglumi, ku takova krijuesin e suksesshëm Gjin Ndue Markokaj. Më ndihmoi në konsultimin e materialit të mbledhur më 26 korrik 1982, sidomos prej Pal Kolë Prognit, të cilin edhe Gjoni e mbante për njohësin më të mirë të traditave të Nikaj-Merturit.
Të nesërmen në Lekbibaj na shoqëroi Fran Pllumbi, kryetar i këshillit të komunës së Fierzës (Pukë). Frani ka miqësi me banorë të asaj zone, për të cilën ka mjaft njohje.
Udhëtimi për Lekbibaj, qendra e komunës, qe shumë i vështirë, sepse po punohej për zgjerimin e udhës për ta bërë dykalimëshe. Megjithëse përdoreshin makineri të rënda, ekskavatorë të fuqishëm që shqyenin copa shkëmbi rrëzë “Kores së Merturit”, prapë nuk vononin shumë makinat e rastin që donin të kalonin. Teknikët e shoferët, edhe pse detyroheshin për të ndërprerë punën, tregoheshin të duruar e të sjellshëm ndaj shoferëve të makinave që prisnin t’u hapej udha. Edhe taksisti ynë Xhevit Pitamina, megjithëse me veturë për udhë të asfaltuara, udhëtonte ngadalë e me kujdes, pa shpreh nervozizëm për udhën me gropa, e parrafshuar, sepse ishte në proces pune.
Na bëri përshtypje serioziteti i firmës ndërtuese: makineri moderne, specialistë të kualifikuar, punëtorë të lidhur me punën, me uniformat e skafandra te kokës. Në një prehër vendi,nën udhë - kantieri me fjetore e mencë dhe makona të tonazheve të ndryshme.
Si arritëm në Lekbibaj u mahnitëm nga pamja e Alpeve që dukeshin aq afër dhe në formën e një amfiteatri gjigant për t’u bërë vend fshatrave: Curraj, Curraj i Poshtëm, Curraj i Epër etj. Lugina sado e bukur me lumin në mes mbeti një luginë me hapësira të pakta për jetesë, prandaj dhe u quajt “Lugu i Nikajt”.
Na bënë përshtypje ndenjëset nën “Qarrin e Kuvendit”, ku vinin herë pas here për të festuar së bashku të emigruarit brenda e jashtë Atdheut. Shprehje kaq karakteristike e dashurisë për vendlindjen, për këtë Nënë Mëmëdheu që ushqeu e rriti banorë kreshnikë, që i bëri të fortë, të pamposhtur si Anteu Pellazgjik, i cili sa herë shtrihej mbi Dheun Mëmë, merrte forcë e ngrihej i plotfuqishëm. Kështu edhe në Nikaj-Mertur.
Si bëmë fotot e duhura bashkë me turisten Lejla nga Finlanda, u kthyem te Kulla e Mic Sokolit në Bujan dhe mandej te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, para se të hynim në “Bajram Curri”.
Varrezat e dëshmorëve, braktisur për turp
“Lule more trima që ratë për Atdhe!”
Te Kulla e Mic Sokolit shkova për herë të dytë. Tani familjarët kujdesen për të. I falënderuam për kujdesin që tregonin, se kjo kullë jo vetëm që është një monument kulture karakteristik në Malësi (Krasniqe)- kulla tre katësh, por lidhet edhe me një figurë historike, Mic Sokolin, “Hero i Popullit”.
Prej këtu u nisëm për në qytetin e “Bajram Currit”. Turistja finlandeze, Lejla, kërkoi të shihte “Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut”. Xhevit Pitamina, taksisti me origjinë nga Berisha e Tropojës, shikoi me keqardhje nga unë. E kuptova se donte të më thoshte se këto varreza janë në gjendje të mjerueshme. Lejla përsëriti kërkesën për t’i parë. Shkuam. Varrezat ishin ngritë mbi një fushore të hapur shkallë-shkallë, se nga lindja rrafshi vinte në të ngritur, por me një gjatësi mjaft të shtrirë. Në ballë – monumenti i “Partizanit Hero”. Në të majtë të tij varret e ngritura dhe të mbuluara me rrasa të trasha mermeri. Varri i parë ishte i Bajram Currit, “Hero i Popullit”. Rrasa e rëndë prej mermeri nga fundi ishte thyer një pjesë e madhe duke e lënë këtë pjesë të varrit të zbuluar. Emri sipër rrasës, shkruar me bojë të kuqe, tani me zor lexohej, si dhe emrat e heronjve të tjerë. Kur ishte lënë kështu varri i Bajram Currit, mendoni si ishin lënë të dëshmorëve. Disave nuk u lexoheshin as emrat. Pllaka varresh të thyera, pllaka të thyera edhe të mjedisit. Më poshtë, djathtas një barakë me çati e xhama të thyera! Çdo gjë e lënë për marre.(!)
Ndërsa e shihja këtë gjendje kështu bashkë me varrin e Bajram Currit, këtij heroi të shquar, më vinte të pyesja: Ku jemi kështu, vallë! Jemi afër qytetit që mban me krenari emrin e tij-“Bajram Curri”, apo jemi në ndonjë dhé të huaj, që i ka mohuar heronjtë e dëshmorët shqiptarë që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut të tyre?!
Këtu përgjegjësinë e parë e kanë pushtetarët vendorë, këta “bilbila” të fushatave të zgjedhjeve plot premtime “të bukura”.
Përgjegjësi morale ka edhe komuniteti i këtyre viseve, që dha kaq dëshmorë.
Por edhe pushtetarët qendrorë, ministritë përkatëse, që kanë në programin e tyre edhe “Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut” si mund të pajtohen me këtë gjendje?!
Në gjendje disi më të mirë i ka Puka. Së paku, të rrethuara i ka, që të mos hyjnë bagëtia për kullotë. Ka një problem të vogël me yllin e kuq, simbol i komunizmit, vendosur lart mbi lapidarin sipër varrezave. Disa thonë: “ Pse ta lozim!”. Disa të tjerë bëjnë sikur nuk e shohin.
Edhe Shokodra le përshtypje të keqe përsa u takon varrezave të dëshmorëve. Që kur u ndërtuan në vitet ’70, nuk u veprua mirë. U vendosën tej Kirit, rrëzë një shkëmbi – vend i braktisur. Këto vite aty pranë u hodhën plehrat e qytetit, të cilave u vunë zjarrin. Tymi përhapej gjithandej me një erë të rëndë . Sikur nuk mjaftonte kjo, u hodh aty, pa kurrfarë kriteri arkitekture, monumenti “ Heronjtë e Vigut ”.
Ndërsa vazhdon kjo gjendje në varrezat e këtyre dëshmorëve , eshtrat e 69 varrezave të banoreve te Kosinës rivarrosen në tokën tonë në varre të bukura e hijerëndë jo si kosinas, por si ushtarë grekë (!) Kjo ngjarje makaber është pasqyruar edhe në median e Tiranës,si: “ punëtorë, një prift dhe një përkthyes nga Gjirokastra nisën gërmimet në Kishën e Shën Mërisë për të zhvarrosur brenda shtatë ditëve 69 eshtra ( varre ) shekullore... prifti at Vasil Thomollari çdo ditë i transportonte eshtrat në fshatin Kutal, rreth 7 km larg Kosinës... me justifikimin se atje ishin prehur ushtarë grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke...tetor 1940-prill 1941.( Telenis Skuqi- Banorët e Kosinës qe u varrosën si ushtarë grekë. Gazeta “ Shqip”, 28 Nëntor 2011, f 24-25). Shovinistët grekë nuk i kanë varret dhe i sajojnë, kurse ne i kemi dhe zhvleftësojmë.( ! ) ( “ Kuku, moj Loke! )
Sigurisht kjo gjendje e varrezave sot nuk u krijua përnjëherë, por pak nga pak që nga fundi i viteve 1980 e në vazhdim deri në ditët tona. Por ka rrethe si Mirdita që nuk i ka në këtë gjendje. Pra, kur nuk mungon kujdesi, gjinden mënyra për ta përmirësuar gjendjen. Shumica na pritkan që të shprehet Kryeministri Prof. Dr. Sali Berisha: “Se ky vit (2012) do të jetë një nga vitet më festive në historinë tonë kombëtare. Ky vit do të rikthejë në memorien aktuale veprën e madhe, legjendën, epikën e përpjekjeve shqiptare, nga Lidhja e Prizrenit deri në ditët e sotme”... dhe, se edhe “Lufta Nacionalçlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar”. (“Veterani”. Tiranë, 1-15 dhjetor 2011,f. 2).
Po me kullën e Halil Isuf Berishës ç’ do të bëhet ?
Kullën e Halil Isuf Berishës, gjyshit të Sali Ramë Berishës, e kam vizituar dy herë: më 23 qershor 2009 dhe më 3 nëntor 2011. Gjithashtu, kam lexuar edhe shkrimin e V. Madanit “Shtëpia (kulla) ku lindi Sali Berisha” do të bëhet muze” (“Standart”, Tiranë, 16.07.2008, f.23).
Është një kullë tre katësh aty sipër lagjes Prifç të fshatit Viçidol, që duket sikur don të matet me kodrinat e larta, që i rrinë si kurorë përreth. Prej kësaj kulle të lartë duket poshtë një pjesë e madhe e Lugut të Malsisë, duke i dhënë madhështinë e një kështjelle në miniaturë; të një kështjelle në histori.
Ndërtimi i kullës është me gurë të zakonshëm, por të lidhur fort mes tyre. Kjo teknikë ndërtimi malesh e ka bërë të qëndrueshme për mbi një shekull. Por tani ngjan me një malësor të plakur që kanë filluar t’i varen gjymtyrët. Dhe me gjithë se kështu don të qëndrojë në këmbë për t’u treguar bashkëkohësve se deri këtu erdha që të kujtohi për t’u kujdesë për mue. Kujdesi, pra! Kanuja thotë: “O ju të gjallë! Mos e prishni atë që ndreqën të parët!”
Kjo kullë u bë kështjellë për UÇK-ën. Pozicioni i saj i mbrojtur dhe afër kufirit e bëri shumë të nevojshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kati i parë përdorej për municion të rëndë. Kati i dytë për municion më të lehtë. Kati i tretë për luftëtarët që nga rojat deri te shtabe njësish të UÇK-ës që vinin e shkonin, shoqëruar me vargun e gjatë të luftëtarëve që merrnin e sillnin municion për frontet e luftës.
Në Zherkë, Bytyç na treguan një rast konkret.
-Fillimi i marsit të vitit 1999. Ishte ende natë, - fillon të tregojë Ismail Qemal Haxhia. Dikush thirri në afërsi të oborrit: “O shpiak! E kuptuam se ishin kosovarë. Dola jashtë. I ftova. Ishin shtatë vetë me uniforma të zeza. Të armatosur. Na thanë se donin të shpejtonin të zinin tragetin e Fierzës, se kishin nja pesë studentë për Tiranë. i shoqëroi vëllai, Fatmiri. Mbas një ore udhë, njëri prej tyre i thotë Fatmirit se donin të shkonin tek mulliri i Viçidolit. Ky që fliste paska qenë Ramush Haredinaj. Kishin ecë një orë kot, se duhej të ngjiteshin në veri të Zherkës e të dilnin në një qafë të lartë, Qafë- Quku. Si dolën në Qafë –Quku, i orientuan për tek Kulla e Berishës. Më pas i kam ndihmuar me pajisje, ushqime etj. deri në çlirimin e Kosovës. Prej Babine gjuenim me artileri mbi pozicionet serbe. Unë bëja korrigjimet se kisha mbaruar ushtrinë në repart artilerie”.-përfundon Ismaili.
Edhe Samiu, i shtëpisë së bajraktarit të Bytyçit, tregonte se si kishin bllokuar forcat serbe në kufi. Sado që përdornin artilerinë,”Na kishim dy mitraloza të rëndë. I sulmonim me breshëri mitralozi në të gdhirë. I gjenim në befasi. Ata na përgjigjeshin me mortaja dhe artileri, por ne kishim transhe të forta ku strehoheshim, - plotësonte Sami Muharrem Selimi.
Tropoja ishte prapavija e UÇK-ës. Kulla e Berishajve Kulla e Halil Isuf Berishës, ishte një prej bazave më të rëndësishme të UÇK-ës në Malësinë e Gjakovës. Tani për kullën tregonte Hamza Hasan Berisha, kryetar fshati (kryeplak) edhe pse 42-vjeçar. Tani në Prifç kishin mbetur 6 shtëpi. Hamzai me Sali Berishën (Prof. Dr. Sali Berisha, kryeministër ishin 6 brez.) Stërgjyshi i përbashkët kishte qenë Rexh Ali Berisha. Me Hasan Berishën e Lugut të Zi, verilindje së fundmi me banim në Suedi shkonin 11 brez.
Ish-forca të UÇK-ës e vizitojnë shpesh Kullën e Berishajve. E shohin si tempullin e tyre. Thonin se, në mos e kthenin në muze Tropoja, do ta kthenin ata këtë “Vatër Heroizmi”
Xhemal MEÇI,
Studiues, “ Mjeshtër i Madh “

Iljaz Bobaj:Poezitë e Kalosh Çelikut në vendin E Homerit

Poezitë e Kalosh Çelikut  në vendin E Homerit

(Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me Hënën, poezi – përzgjedhje, 2013) të rikënduara në gjuhën greke nga Iliaz Bobaj).

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Kalosh Çeliku, ka një cilësi të veçantë. Ai ngjan vetëm me vetveten. Në gjithshka: në pamje, në krijimtari, në urtësi, në sjellje.
Ai mban me vete tri armë: gratë, verën dhe poezinë. Këto tri armë i ka mbajtur përherë, pa pyetur për asnjë ligj. Dhe, do t’i mbajë përherë, pa marrë leje nga askush.
Ky shkrimtar i çuditshëm, ka ligjet e tij dhe nuk do t’ia dijë për ligjet e të tjerëve. Qëkurse ka vendosur selinë e vet në Bit-Pazar të Shkupit, tek Rrapi, pranë përmendores së Skënderbeut mbi kalë, ai ka ngritur aty edhe një shtatore. Edhe shtatorja e ngritur prej tij, është krejt e veçantë. Si mjeshtri që e ka ngritur. E ka titulluar: Shtatorja e Letërsisë. E ka kalëruar këtë shtatore dhe nuk do t’ia dijë për gjë tjetër.
Kalimtarët e shumtë, të cilët i shpie rruga andej, rrinë dhe e kundrojnë me kërshëri të ndezur. E adhurojnë atë shtatore të ëndërrt, e cila rrezaton në çdo anë dritëzime hënore. E së bashku me të, adhurojnë edhe kalorësin e saj mjekërgjatë e mendjendritur, që buzëqesh si një profet.
Dhe, bëjnë tutje me një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë. Tek-tuk, ndonjë mjeran, që e shpie rruga andej, e kritikon se i varen këmbët në kalërimin e tij mbi shtatoren e ëndërrt.
Dhe, bën tutje, duke mbledhur buzët. Ndërsa, Kaloshi vazhdon të krijojë. Aty mbi shtatoren e vet. Poezi, satira, tregime, poema, novela, romane, drama…
Një pasuri e tërë, e cila shtohet dita-ditës. Si një gurrë, prej së cilës buron ujë i pastër dhe nis rrugimin e tij me këngëzim në buzë. Për vete mban kënaqësinë dhe shpresën. Të tjerat ua dhuron njerëzve. Dashamirëve të tij të shumtë. Jo vetëm aty, pranë shtatores së tij. Por edhe atyre që janë larg dhe i presin me kënaqësi të veçantë krijimet e tij letrare.
Është shumë i njohur edhe jashtë kufijve të vendit të tij shkrimtari Kalosh Çeliku. Lexuesit e veprës së tij letrare, ndjejnë gjithë kënaqësinë estetike, që të jep vepra e tij e gjerë dhe shumëplanëshe.
Në këtë vepër të mirënjohur, poezia e tij zë një vend të nderuar. Të pazëvendësueshëm. Të veçantë. I thellë në mendim, i freskët në paraqitje, i këndshëm në lexim, ai e gatuan poezinë sipas mënyrës së vet. Ka një stil, të cilin, pa asnjë mëdyshje, mund ta quajmë: stili Kaloshian. E ka krijuar dhe e përsos vetë. Ndërsa brenda këtij stili, poezia e tij vlon nga forca artistike, gjallëria, hijeshia, freskia, ndjeshmëria, ironia, sarkazma, dhimbja, profecia, dashuria, urrejtja, stresi…
Secila e vendosur me mjeshtëri në vendin e vet. Por përherë e fuqishme, hapësirore, zotëruese. E shtrydhur deri në pikën e fundit të parfumit poetik dhe e kursyer si pakkush në fjalë. Kalosh Çeliku, është poeti, i cili nuk e njeh inflacionin e fjalës.
Këtë herë poezitë e tij i nis për në vendin e Homerit. Për t’i lexuar fqinjët tanë të jugut në gjuhën e tyre të lashtë.
Jam i sigurt se ai do të pritet prej tyre ashtu siç i takon.

Aktorja Masiela Lusha tregon historinë e saj

Aktorja Masiela Lusha tregon historinë e saj

Humanizmi, krijimtaria dhe filmi të pandara në jetën e saj

Ajo njihet si aktore, shkrimtare, producente dhe humanitare. Shumë e talentuara Masiela Lusha fitoi famë në serialin televiziv “George Lopez” dhe qysh në moshë të vogël ajo u shqua për talentin e saj. Revista “Teen Magazine” do ta cilësonte atë si ndër pesë të rinjtë që do të kishte shansin e suksesit. Në fushën e letersisë, Masiela u cilësua si shkrimtarja më e re në botë, 12 vjeçare, që publikon një libër në dy gjuhë. Disa vite më pare ajo themeloi Fondacionin Fëmijët e Botës ndërsa këtë vit është bërë Ambasadore Ndërkombëtare për të Rinjtë me fondacionin Athgo që promovon sipërmarrjen botëre dhe mbështetet nga UNICEF dhe Banka Botërore. Para pak ditësj Masiela ishte e ftuar për një intervistë në Zërin e Amerikës.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ju jeni bërë Ambasadore Ndërkombëtare për të Rinjtë me fondacionin Athgo. A mund të na tregoni pak për këtë organizatë dhe misionin tuaj të ri ?
Masiela Lusha: Jam shumë e kënaqur me këtë mision sepse bashkon të gjithë sipërmarrësit e rinjë nga mbarë bota. Të rinj nga e mbarë bota gjejnë zërin e tyre në këtë organizatë që ofron udhëheqje, trajnim, financime dhe lidhje. Ishte kenaqësi takimi me ekipin e kësaj organizate. Kjo organizatë bashkon ide dhe zëra të ndryshëm. Pikërisht kjo më ka frymëzuar mua.
Zëri i Amerikës: Ju keni marrë famë gjatë interpretimit të Carmen, vajzës së George Lopez në serialin me të njëjtin titull. A mund të na flisni pak rreth këtij rrugëtimi i cili ju bëri ju një veterane të televizionit në moshën 20 vjeçare.
Masiela Lusha: Aktrimi nuk ka qënë synimi im fillestar. Kur isha 7-8 apo 9 vjeçare nuk e dija se çfarë ishte aktrimi. Nuk i kuptoja kamerat apo vet makinerinë pas kësaj industrie. Ishte një agjent i cili erdhi në Detroit të shtetit Michigan në kërkim të talentëve të rinj. Mamaja ime mendoi se ishte një ide e mirë për të provuar shanset në këtë industri. Mes qindra konkuruesve ai zgjodhi tre vetë që i ftoi në qytetin Los Angeles dhe unë isha mes tyre. Kjo ishte eksperienca ime e parë dhe nuk ishte zgjedhja ime e parë në jetë por jam shumë e lumtur që e ndoqa dhe në të vërtetë ndryshoi kursin e jetes time.
Zëri i Amerikës: Keni lindur në Shqipëri dhe pastaj jeni zhvendosur në Hungari dhe pastaj në Austri dhe përfundimisht jeni vendosur në Shtetet e Bashkuara. Sa ka ndikuar në karrierën tuaj eksperienca juaj jetësore?
Masiela Lusha: Jam larguar në Shqipëria në moshën 5 vjeçare dhe vendosur në Budapest dhe më pas në Vjenë dhe përfundimisht takimi me Amerikën në Michigan për herë të parë në jetën time si dhe mësimi i anglishtes si gjuha ime e katërt, ka ndikuar shumë tek unë. Unë shkruaj ndryshe dhe ndihem se kam një stil ndryshe të të shkruarit i cili nuk matet me të shkruarit tradicional amerikan. Po ashtu jeta në disa pjesë të ndryshme të botës ka bërë që të jem e hapur për botën dhe kultura të ndryshme që ofron bota. Lidhur me aktrimin mendoj se mund ta portretizoj ashtu siç duhet vajzën shqiptare.
Zëri i Amerikës: E di që juve jeni e lidhur shumë ngushtë me mamanë tuaj. Çfarë roli ka luajtur ajo në karrierën tënde ?
Masiela Lusha: Unë jam kjo që jam pikërisht prej mamasë time. Influenca e saj ka ndikuar në karrierën time si aktore, si shkrimtare. Zëri i saj më ka frymëzuar. Nga fëmijëria dhe gjatë rritjes time ne kemi qënë të pandara. Në çdo vend të botës ne të dyja kemi qënë kudo sëbashku. Nëna ime është mikja ime më e mirë.
Zëri i Amerikës: Thatë që u larguat nga Shqipëria kur ishit 5 vjeçe. A ju kujtohet Tirana?
Masiela Lusha: Kastriot....mbaj mend vetem kur mblidhja manaferra. Dhe më kujtohet treni. Më kujtohet uturima e trenit. Dhe më kujtohet që ndihesha e vetme kur u larguam nga Shqipëria. Biles kur dëgjoj zhurmën e trenave në mbrëmje më kujtohet Shqipëria.
Zëri i Amerikës: Të kalojmë nga Tirana për në Hollywood. Në çfarë projektesh jeni duke punuar aktualisht ?
Masiela Lusha: Jemi duke i dhënë dorën e fundit nga ana vizuale dhe artistike një filmi të titulluar Orc Wars. Një film fantastiko shkencor me aksion. Orc’s janë një racë krijesash imagjinare që duken si njerëzit por jo fort të hijshëm për nga paraqitja. Në qendër të filmit është një ish marins i cili mundohet të izolohet në botën e tij por përballet me këto krijesa të etura për gjak. Në këtë film unë luaj rolin e princeshës Aleya.
Zëri i Amerikës: Juve keni disa skena me dyluftime. Sa e vështirë ishte përgatitja ?
Masiela Lusha: Unë luftoj me zemër kundër Orc’s dhe dukem mjaft e egër. Ja kaluam mirë gjatë xhirimeve.
Zëri i Amerikës: Dua të di për një aspekt tjetër të jetës tuaj atë të shkrimtares. Jeni quajtur një nga 10 poetët më të mirë në Amerikën e Veriut dhe po ashtu autorja më e re në botë që keni botuar në dy gjuhë.
Masiela Lusha: Përsëri më duhet të falenderoj nënën time sepse ajo ishte autore dhe poete. Në mos gaboj, nëna ime ka qënë ndër redaktoret e para që ka publikuar një revistë me ngjyra anglisht/shqip. Kuptohet që puna e saj më ka frymëzuar. Kur isha e vogël në vend të ninullave ajo më lexonte poezi çdo mbrëmje. Krijimtaria më erdhi natyrshëm dhe me instikt. Unë fillova të shkruaj qysh në moshën 7 vjeçare dhe botova librin e parë kur unë ishta 12 vjeçe. Që nga ajo kohë kam vazhduar në këtë drejtim.
Zëri i Amerikës: Aktualisht, a jeni duke punuar në ndonjë libër?
Masiela Lusha: Nuk mund të ndaloj së shkruari. Jam duke punuar në romanin tim të dytë, titullohet “Kujtimet e Olympia Pole”.
Zëri i Amerikës: Juve jeni modele, aktore, producente, ambasadore, humaniste...si ja arrini ti menaxhoni të gjitha këto?
Masiela Lusha: Kur punën që bën e ndien në zemër është shumë e lehtë të gjeshë kohë dhe përkushtim. Për mua është sikurse frymëmarrja, më duhet ta bëj. Në të kundërt më duket se nuk po jap kontributin tim për shoqërinë në të gjitha aspektet.
Zëri i Amerikës: Si e balanconi jetën tuaj përsonale?
Masiela Lusha: Nuk e balancoj. Gjithçka është e injektuar tek njëra-tjera në jetën e përditshme.
Zëri i Amerikës: Duam të dimë për kompaninë e produksionit “Illuminary Pictures” që ju keni themeluar para disa vitesh.
Masiela Lusha: Ideja pas kësaj kompanie ishte krijimi dhe ofrimi i projekteve për të gjitha grupet e shoqërisë. Në një film ku kisha rolin e producentes, të them të drejtën u ndjeva shumë krenare kur u shfaq në kinema emri i kompanisë time. Koncepti ishte ofrimi i zhenareve ku të gjithë mund të gjenin vetveten.
Zëri i Amerikës: Duam të dimë diçka për punën tuaj humaniste me fëmijët.
Masiela Lusha: Vizita në Ballkan për xhirimet e filmit “Koha e Kometës” më fymëzoi për të themeluar Fondacionin Fëmijët e Botës. Në Maqedoni u ndjeva zemërthyer kur shikoja ata fëmijë që endeshin rrugëve. Tek ata shikoja mundësi të shumta për të ardhmen e tyre, nëse dikush do të mund tu jepte atyre atë shans. Ndaj më lindi ideja...po sikur tu ofronim këtyre fëmijëve një strehë, dhe të kultivonim ato çfarë ata kanë mësuar nga rrugët, çfarë do të ndodhte ? Ideja ishte që sëbashku me fëmijën të ndihmohej edhe familja nga ai vinte. Pra edukimi themelor i të gjithë familjes. Ideja ime është zgjerimi ndaj në vendet ku funksionon fondacioni, ofron arsim falas, kurse në fundjavë, financime, kujdes për shëndetin pra gjërat themelore të jetës. Mund të kujtoj viziten time në Lesotho, në Afrikë.
Zëri i Amerikës: Kur po futeshim në studio më fole diçka për Zërin e Amerikës.
Masiela Lusha: Zëri i Amerikës është njejtesuar me mua që nga fëmijëria. Që nga largimi nga Shqipëria dhe lëvizja nga një shtet në tjetrin, Zëri i Amerikës ka shërbyer si udhërrëfyes në botë. Zëri i Amerikës ka qënë një stacion që e dëgjonim çdo ditë.

ARTI FITIMPRURËS I FALSIFIKIMEVE

ARTI FITIMPRURËS I FALSIFIKIMEVE
Arti është sot objekt i preferuar investimi. Kjo favorizon krijimin e një tregu për falsifikuesit, pre e të cilëve bien edhe ekspertët. Pak ditë më parë u zbulua nga hetuesit gjermanë një rrjet i gjerë falsifikuesish.
"Supremus" titullohet një nga pikturat që u sigurua gjatë sekuestrimit të fundit kundër falsifikuesve të veprave të artit në Gjermani, Zvicër dhe Izrael. Autori i saj duhet të ishte Kazimir Malevich, një piktor nga avangarda ruse, por nëse piktura e siguruar ka dalë vërtet nga dora e tij, kjo nuk dihet ende.
Punonjësit e Zyrës federale gjermane të Kriminalistikës gjetën gjatë bastisjeve të banesave ditët e fundit më shumë se 1000 objekte. Rreth 400 falsifikime të tjera të pikturave të Malevich, Wassily Kandinsky apo Alexej von Jawlensky, dyshohet se janë shitur, kryesisht jashtë vendit dhe tek koleksionistë privatë arti. Shumat që kanë fituar vetëm dy prej fallsifikuesve nga shitjet mes viteve 2011 dhe 2013 janë rreth 2 milionë euro.
Sa më shumë të interesuar për artin, aq më shumë falsifikime
Skandale falsifikimi ka vazhdimisht. Një nga më të mëdhenjtë e kohëve të fundit në Gjermani ishte rasti i Wolfgang Beltracchi-t. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të kenë fituar të paktën 16 milionë euro me tregtinë e pikturave të falsifikuara të stilit klasik modern. Një nga fallsifikimet e tij, "Piktura e kuqe me kuaj" u shit në ankand për 2,9 milionë euro, si gjoja punim i ekspresionistit Heinrich Campendonk. Me falsifikimin e një vepre të Max Ernst, Beltracchi arriti të mashtronte madje edhe një historian arti, Werner Spies, i cili njihet si ekspert i Max Ernst. Pas një procesi që pati vëmendje të madhe mediatike, Beltracchi u dënua në 2011 me gjashtë vjet burg, nga një gjykatë në Këln.
Tregu për falsifikuesit e veprave të artit është rritur po aq sa interesi i popullsisë për artin, thotë historiania e artit Susanna Partsch në bisedë me Deutsche Welle. Ajo është autore e librit "Vendi i krimit - art", dhe merret prej vitesh me historinë e falsifikimeve. "Ajo shkon prapa në kohë deri në epokën e barokut, por asokohe tregu ishte ende shumë i vogël. Ai u bë i madh në shekullin e 19-të, me themelimin e muzeumeve, ndër të tjera në SHBA, dhe amerikanët që nuk kishin një histori aq të gjatë sa evropianët, blinin art në Evropë." Para së gjithash në Itali u krijua sipas Partsch asokohe një treg i madh për art të falsifikuar.
Dhe interesi është në rritje. Qoftë Documenta apo Biennale, panairet e artit po bëhen gjithnjë e më popullore. Zv/drejtorja e Muzeut Ludwig në Köln, Katia Baudin, e konsideron të mundshme që kriza financiare ta ketë shtuar interesin për artin si objekt investimi. Dikujt mund t'i duket më e sigurt të investojë në një pikturë se sa në imobilje apo letra me vlerë.
"Mona Lisa për 30 euro? Nuk ka problem."
Edhe pse shumë raste zbulohen në Evropë, falsifikime arti ka në të gjithë botën: "Në Kinë është një fshat i tërë në të cilin prodhohen zyrtarisht kopje, të cilat madje mund t'i porosisësh. Një Mona Lisa për 30 euro? Pa problem. Është diçka e njohur që atje shkojnë edhe tregtarë dhe mashtrues, japin porosi dhe pikturat shiten në Evropë apo Amerikë si origjinalë", thotë Partsch.Pa një ekspertizë shkencore, falsifikimet shpesh dallohen me vështirësi si të tilla, shpjegon historiania e artit. Punishtet e pakta të restaurimit që ekzistojnë, si p.sh. Instituti Doerner në Mynih, janë për këtë arsye "të mbingarkuar dhe duhet shumë kohë për të kryer ekspertizën e një vepre arti".
Edhe Katia Baudin thekson rëndësinë e kontrolleve të tilla teknike të veprave të artit. Raste si ai i Beltracchi-t kanë treguar se ekspertiza e një historiani arti, që e sheh veprën vetëm nga jashtë, shpesh nuk është më e mjaftueshme. Me ndihmën e rrezeve ultraviolet mund të shihet për shembull nëse punimi është restauruar, me rrezet infra të kuqe mund të bëhet e dukshme skica fillestare e artistit nën pikturë. Kontrolle të tilla janë të shtrenjta dhe duan shumë kohë, por të domosdoshme.

Bujar Kapexhiu prezanton librin “Për një karrige”

Bujar Kapexhiu prezanton librin “Për një karrige”

“Politikanët gati zemërohen kur nuk iu bëj karikatura”

“Për një karrige” kështu e ka titulluar librin me 350 karikatura Bujar Kapexhiu. Kete veper jo pa qëllim artisti ka vendosur ta sjell në një situate parazgjedhore, ku lufta për karrigen behet akoma më e nxehtë.
Të gjitha karikaturat kanë në thelb ironin , sarkazmën , për të goditur politikberjen dhe këtë e realizon me humor. Në fokus Kapexhiu ka politikanët, të cilët nuk i mërziten aspak. Politika është muzë frymëzimi për artistin.
Henri Cili karikaturën e Kapexhiut e vlerëson si art te vërtet.
Kritiku i artit Agim Janina karikaturen e paraqitura janë një kthim me humor prapa në histori, për të hedhur vështrimin përpara që të mos përsërisim gabimet që kemi bërë.
Miqtë e tij e vlerësojnë për mesazhin që karikatura e tij përcjell ato e cilesojne.
Janina karikaturen e tij të shpejtë në të “lexuar”, shpotitëse në goditje, përgjithësuese në krijim, argëtuese në të parë dhe “mësuese” në jetë.
Ky është libri i dytë që Bujar Kapexhiu boton me karikatura dhe për një karrige përmbledh 350 ilustrime që përfshijnë dy zgjedhje të rëndësishme atë të kryebashkiakut Basha si dhe zgjedhjen e presidentit.

Pritet fitorja e PD-së

Berisha: Modeli Rama, ëndrra mbi monopolet e ushqimeve
Kryeministri Berisha gjatë paradites së sotme është ndalur në qarkun e Korçës ku inauguroi rrugën Miras – Bilisht, fillimin e punimeve për fuqizimin e nënstacionit të Zemblakut. Gjithashtu po saot krei qeverisë ishte i pranishëm në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike pë Bilishtin.

Në inaugurimin e rrugës Miras-Bilisht, kryeministri Berisha deklaroi se PD është e vendosur të ndërtojë rrugët e vendit.
“Politika jonë është ajo e rritjes së rrogave, ndërsa Rama kërkon të shkatërrojë prodhimin. Nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme pa prodhim. Me heqjen e TVSH për ushqimet ai do të marrë monopolet, kjo është ëndrra e tyre mbi monopolet e ushqimeve, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim, prodhimi është alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik, e mirëqenies, zotëria nuk mendon. Ku ka këtu një pëllëmbë tokë pa punuar, katër herë është rritur sipërfaqja e tokës së punuar këtyre viteve, ju ftoj ju fermerëve të Devollit dhe mbarë Shqipërisë, të mendoni mirë të dy politikat, pastaj të votoni”, vuri në dukje Berisha.
Ndërsa në mitingun përmbyllës në Bilisht, Kryeministri Berisha deklaroi se objektivi i PD është punësimi i qytetarëve.
Sipas tij, në vijim të politikave të qeverisë për zhvillim dhe mirëqenie, mandatin e ardhshëm qeveria ka parashikuar rritjen e rrogave e pensioneve dhe trefishim të grandeve për fermerët.
Për këtë arsye, Kryeministri i bëri thirrje votuesve të këtij qarku dhe të gjithë vendit që të votojnë numrin 44 në 23 qershor.
“Politika jonë është rritje rrogash 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rrogë minimale 350 dollarë, sepse qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, votoni për të mbrojtur djersën tuaj, të prodhoni gjithnjë më shumë e jo t’u konkurrojë qumështi i lopëve me 3 euro në ditë për kokë lope, ata që hedhin farën e grurit me avion dhe që kanë mijëra ha toka me drithëra. Na votoni ne, alternativën tonë se ne ju mbrojmë”, vlerësoi Berisha.


Berisha-pukianëve: Votoni për rritjen e rrogave, pensioneve dhe integrimin

Partia Demokratike miting përmbyllës në Pukë

Nga Puka, në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike Kryeministri Sali Berisha i ftoi ata të votojnë për rritjen e rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, ndërsa nuk nguroi të akuzojë kreun e PS, Ramën se nuk ka folur asnjëherë për rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe për integrimin e vendit.
“Të votojmë për rritjen e rrogave, asaj mesatare dhe të arsimtarëve, rroga minimale do jetë 350$, rritja e pensionit minimal shkon në 150$, votojmë për rritjen me 50% të ndihmës ekonomike për dyfishimin e pagesës së papunësisë, votojmë për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës, për dyfishimin e turizmit. Do miratojmë ligjin për statusin e pensionistit”, theksoi Berisha.
Duke iu drejtuar socialistëve kryeministri u shpreh: “Pyeteni Edi Ramën si ka mundësi që fjalën pension nuk e ke zënë me gojë për tre muaj, si ka mundësi që shoku i autobusit 3 muaj rresht nuk ka folur për rritjen e asnjë rroge. Do heqë ndihmën ekonomike për 40 mijë qytetarë dhe do krijojë 40 mijë vende pune, kjo gënjeshtra më e madhe e tij. Si ka mundësi që nuk tha një fjalë për mungesën e të papunëve që janë në Shqipëri si në cdo vend të botës. Së fundi si nuk përmendi asnjëherë të vetme në 3 muaj fjalën integrim”- vijoi kryeministri.
Berisha u kërkoi pukianëve që të votojnë të sigurtë për numrin 44, ndërsa i ftoi ata në mitingun përmbyllës në Tiranë.
“Gëzuar fitoren e 23 qershorit! Ftoj ju e gjithë shqiptarët që më 21 qershor të gjithë në Tiranë të festojmë fitoren historike. Do bëjmë realitet cdo projekt për ju, për Pukën për cdo shqiptar”, shtoi Berisha.
Topalli: Rama duhet ndëshkuar me votë
Nga ana e saj kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se Rama duhet të kërkojë falje për ato që ka bërë ndaj shqiptarëve, ndërsa shtoi se kryesocialisti protestoi për heqjen e vizave dhe për këtë ai duhet të ndëshkohet me votë.
Sipas saj ai është njeriu që nuk do familjen e tij, që përdor nënën për politikë e djalin për pushtet.
“Edi Rama do marrë verdiktin final më 23 qershor. Një 50 vjeçar që nuk duron as ti thuash shok as zotëri, një burrë 50 vjeç që sa herë ka zgjedhje del e kërkon një grua, ai nuk është si ju, por një burrë që keqpërdor nënë e tij për politikë, ai keqpërdor jo vetëm djalin, por edhe sëmundjen e tij për pushtetin e tij, ky njeri është i rrezikshëm. Më të shtrenjtë se familja nuk ka, po si mund të përdorë nënën për politikë? Si mund të përdoret fëmija për pushtet? Ai që nuk do familjen si mund të dojë socialistët?”-theksoi Topalli.

Rama spot në televizionet greke: Emigrantë, ejani votoni Partinë Socialiste
Kreu socialist Edi Rama u ka bërë thirrje edhe emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, që të vijnë e të votojnë PS-në, në 23 qershor. Që nga dita e djeshme në televizionin grek “Mega” është shfaqur një spot, ku kryetari socialist, Edi Rama fton emigrantët të votojnë për partinë që ai drejton. Ende nuk dihet sa ka paguar Partia Socialiste për transmetimin e këtij spoti në Greqi.
“Ne jemi krenarë për kombin tonë! Jemi krenarë për emrin tonë, shqiptarë! Por sot Shqipëria është në hall. Kriminaliteti ka marrë kot. Drejtësi nuk ka! Varfëria është ulur këmbëkryq mes nesh. 2 në 3 të rinj janë të papunë, 1 në 2 15-vjeçarë nuk di shkrim dhe këndim”, janë fjalët e hyrjes së spotit elektoral. “Prandaj, nisuni të dashur bashkatdhetarë që të jeni këtu në 23 qershor, për t’u dhënë një dorë njerëzve dhe vendit tuaj që të mos keni më pushtetin në qafë, por një qeveri të re në krah. Për të rimëkëmbur ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë, arsimin dhe shëndetësinë, nisuni për të votuar Partinë Socialiste për Shqipërinë Europiane për Rilindjen që duam”, ky është i gjithë teksti i spotit elektoral, sponsorizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, për t’u kërkuar emigrantëve të marrin pjesë në votime.
Ndërkaq, përgatitjet e PS-së për 23 qershorin kanë nisur më herët se kaq. Ka pasur organizim për të transportuar emigrantët ditën e 23 qershorit vajtje–ardhje, Greqi-Shqipëri. Ndërsa nuk kanë munguar edhe takimet e drejtuesve të PS-së drejt Greqisë dhe Italisë.
TEKSTI I FTESËS PUBLIKE DREJTUAR EMIGRANTËVE NE TELEVIZIONIN GREK “MEGA” 
Ne jemi krenarë për kombin tonë! Jemi krenarë për emrin tonë shqiptarë! Por sot Shqipëria është në hall. Kriminaliteti ka marrë kot. Drejtësi nuk ka! Varfëria është ulur kembëkryq mes nesh. 2 në 3 të rinj janë të papunë, 1 në 2 15 vjeçarë nuk di shkrim dhe këndim. Prandaj, nisuni të dashur bashkatdhetarë që të jeni këtu në 23 qershor, për t’i dhënë një dorë njerëzve dhe vendit tuaj që të mos keni më pushtetin në qafë, por një qeveri të re në krah. Për të rimëkëmbur ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë, arsimin dhe shëndetësinë, nisuni për të votuar Partinë Socialiste për Shqipërinë Europiane për Rilindjen që duam.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...