Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/22

Astrit BISHQEMI: “Shtëpiza ime” dhe “Kallëzimet e Kaltrit”



DY LIBRA NË NJË RECENSION


Astrit BISHQEMI: “Shtëpiza ime” dhe “Kallëzimet e Kaltrit”

Hyrja
Është hera e parë që po takohem me krijimtarinë letrare për fëmijë të këtij shkrimtari mjaft të talentuar si tërësi (si libra) që nuk do të thotë se si fragmente nuk jam takuar me krijimtarinë e tij edhe më herët. Dhe, sapo fillova t’i shfletoj, ia behu s’e di se nga a kah, si me porosi, mbesa ime që është një nxënëse shembullore. Menjëherë më “bombardoi” me pyetjet:
- Gjysh të kujt janë këta libra?...
- Ku i ke marrë?...
- Sa të bukur qenkan?...
- Sa kushton një?...
- Për çka bëhet fjalë në ta?..., etj.
- Po ti mos nxito, Flonona. Unë sapo i mora. M’i solli xhaxhi postieri... Janë libra të shkrimtarit shumë të dashur për ju fëmijët nga Elbasani - Astrit Bishqemi. As unë ende s’i kam lexuar. Si ta lexoj të parin do ta japi ta lexosh edhe ti. Dhe, po ashtu, si ta lexoj edhe të dytin do ta japi edhe atë për lexim. Pasi t’i lexojmë do të bisedojmë bashkërisht për ta. Pajtohesh?
- Pajtohem, gjysh, si nuk pajtohem?!...
- U kuptuam, pra. Tash secili në punën e vet.
- Dakord, gjysh...


1. SHTËPIZA FOLE NGROHTËSIE
Astrit BISHQEMI: Shtëpiza ime – Selver, 2003

Pas një muaji ne u takuam sipas marrëveshjes. Unë isha përgatitur për pyetjet e mundshme, që do të m’i bënte mbesa. E merrja me mend se ajo gjatë leximit, do t’i mbante laps e fletore pranë veti për të sajuar pyetje për bashkëbisedim. Shpeshherë thosha më vete: “Të përgatitem sa më mirë se ajo ka një horizont të gjerë dhe ka aftësi për të shtruar pyetje nga më të ndryshmet...”
- Kush do të bëjë pyetje i pari, gjysh?... – më tha buzagaz.
E prisja edhe një pyetje të tillë për fillim. Më rrëshqiti nëpër fytyrën time me rrudha një tis gazi i këndshëm. Pas pak i thashë:
- Për fillim ti do të shtrosh pyetje e unë do të përgjigjem për aq sa di e mundem. Unë nuk kam shumë pyetje për ty, - thashë, - ama i kam pyetjet me peshë.
Buzëqeshi këndshëm, duke më thënë:
- Ani, gjysh.
Pasi u kollit sikur të donte ta kthjellonte zërin, m’u drejtua:
- Kush është shkrimtari Astrit Bishqemi, gjysh?...
- Astrit Bishqemi, bija ime, u lind në Elbasan (Shqipëri) këtu e 64 - vjet më parë – më 1943. Pasi e kreu shkollën fillore dhe shkollën Normale në qytetin e lindjes, Astriti i vazhdoi studimet e larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ku edhe u diplomua për lëndët matematikë-fizikë. Por, ai më vonë, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, do të diplomohet edhe në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pra, të themi kushtimisht, iu afrua profesionit të dytë në jetë – Letërsisë. Krijimtarinë letrare, veçan atë për fëmijë, e filloi herët. Shkrimet e para i botoi në revistat e atëhershme mjaft cilësore për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri” etj., që botoheshin në Tiranë.
- A vetëm me shkrime është marrë, gjysh, apo ka kryer edhe punë të tjera?...
- Mos u nxito, Flonona. Të gjitha do t’i rrëfej gjyshi. Vetëm ke durim e më përcjell. Astriti ka punuar mësues (po të them mësues se në Shqipëri u thonë mësues edhe arsimtarëve, edhe profesorëve që u themi ne), në fshatrat e Librazhdit, të Peqinit dhe të Elbasanit. Po ashtu ka punuar edhe redaktor në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit.
- A vetëm libra të këtillë ka shkruar, gjysh?...
- Jo, bija ime. Astriti është autor edhe i ca librave mësimore për shkollat fillore, ose si i quajnë në Shqipëri për shkollat tetëvjeçare.
- Po sa libra ka botuar, gjysh?...
- E ha!... Vargu i tyre është shumë i gjatë, mbi 35 tituj. Unë këtu do t’i përmendi vetëm ca prej tyre. Ka filluar me librin “Gjoksshkëmbi:” 1972, “Tregim për nënën trimëreshë” 1974, “Gëzofi i tokës” 1977, “Fidani i dardhës” 1978, “Një verë plot ngjarje” 1981, “Libri i grisur” 1984, “Ali Baba me dyzet hajdutët” 1993, “Dhëmbët e ujkut” 1996, “Kur nisa udhën e shkrimeve” 1997, “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë” 1997, “Zemër o bir” 1999, “Gjyshër e nipër” 2001, “Historia e letërsisë shqipe për fëmijë” 2001, “Shtëpiza ime” 2003, “Kallëzimet e Kaltrit” 2006 e të tjera, e të tjera.
- A i ke lexuar të gjitha, gjysh?...
- Fatkeqësisht jo, Flonona. E kemi pasur një hendek të madh në të kaluarën. Një si muri kinez, që na ka ndarë. Me keqardhje mund të pohojmë se ajo hije e së kaluarës po na përcjellë në heshtje edhe në ditët tona. Po besoj e shpresoj se tash e tutje do të ketë mundësi shumë më të mëdha në qarkullimin e librit në të dy kahet.
- T’u kthehemi librave që i kemi lexuar, gjysh.
- Dakord.
- Gjysh, të parin e lexova “Shtëpiza ime”: - Cila është e veçanta e këtij libri?...
- Këtë libër Astrit Bishqemi e ka sajuar prej 4 kallëzimeve dhe 2 përrallave. Nëpërmes secilit kallëzim, po edhe nëpërmes secilës përrallë, fëmijët, po jo vetëm ata, do të mësojnë diçka të re nga jeta që i rrethon. Pra, do të fitojnë njohuri të reja për jetën dhe ambientin. Nëntitulli i këtij libri “Përralla e kallëzime diturake për fëmijë” sa është ngacmues e serioz, aq është i guximshëm e ambicioz. Po më gjerësisht për këto e të tjera kur të flasim për secilin kallëzim e përrallë veç e veç.
- Ky libër, gjysh, fillon me kallëzimin “Shtëpiza ime”. - Ç’dituri përfitojnë lexuesit fëmijë nga ky kallëzim?...
- Pyetje e shtruar drejt. Shkrimtari Astrit Bishqemi nëpërmes këtij kallëzimi, përpos që i njofton lexuesit fëmijë me apartamentin e Dorelës, një vogëlusheje moshatare juaja, që përbën rrafshin kallëzues artistik, ai kalon edhe në anën gramatikore të fjalëve, duke dhënë edhe rrafshet semantike të kuptimit të tyre. Pra, ky libër përpos rrëfimit artistik, përmban edhe dituri nga lëmi i gjuhës. T’i veçojmë ca prej tyre: garazh-i, shtëpizë ku “flenë” a ku “pushojnë” makinat – veturat etj.; stelë ose kolibe, kasollja a shtëpiza e qenit; kotec ose qymez, shtëpiza e shpezëve shtëpiake; katua, ahur apo stallë, vendbanimet e shtazëve shtëpiake; koshere ose zgjua, shtëpiza ku rrinë bletët dhe ku i mbushin hojet me mjaltë; kafaz, shtëpiza ku rrinë zogjtë, kurse çerdhe, vendi ku çelin zogjtë; strofkë ose strofull, vendi ku rrinë lepujt etj., etj.
- Po ç’do të na flasësh, gjysh për kallëzimin “Mis pylli”?...
- Nëpërmes këtij kallëzimi shkrimtari Astrit Bishqemi, në një anë i njofton fëmijët me bukuritë e shtazëve qoftë të atyre shtëpiake, qoftë të atyre të egra, kurse në anën tjetër i njofton, po ashtu, me emërtimet e të vegjëlve të tyre, që janë interesant jo vetëm për ju fëmijët, po hera herës dhe për ne të rriturit. Kështu ju do të mësoni se i vogli i kalit dhe i pelës quhet mëz-i; i vogli i gomarit dhe gomaricës quhet kërriç-i; viçi femër quhet edhe viçoke, mështjerrë ose mëshqerrë; viçi mashkull quhet edhe viçok, mëzat-i etj.; i vogli i buallit dhe buallicës quhet kotorrin-i; i vogli i dashit dhe deles quhet qengj-i; kurse i vogli i cjapit e dhisë quhet kedh-i ose kec-i; i vogli i qenit dhe bushtrës quhet kon-i ose kon-e, ndërsa me një emër të përbashkët quhen këlyshë; i vogli i dacit dhe maces quhet kotele; pastaj do të mësoni se i vogli i ariut dhe arushës quhet arush; i vogli i kaprollit dhe kaprolles quhet kaprroç-i; i vogli i sojit të dhelprave quhet dhelpërush-i; i vogli i sojit të ketrave quhet ketrash; i vogli i sojit të lepujve quhet lepurush e kështu me radhë. Siç po e vëren edhe vetë Flonona, shumica e të vegjëlve, veçan e të vegjëlve të shtazëve të egra, marrin një –ush ose –ushka në fund.
- Gjysh! – Çfarë kallëzimesh diturake ka në Kënga e fundit e mjellmës?...
- Edhe nëpërmes këtij kallëzimi domethënës shkrimtari Astrit Bishqemi vazhdon t’i njoftojë lexuesit e vegjël fëmijë me zërat e kafshëve dhe të shpezëve, që i karakterizojnë ato qofshin shtazë shtëpiake, qofshin shtazë a shpezë të egra. Kështu: cërr-cërr, cërrit bulkthi; kuak-kuak, kuakuritin bretkosat; fish-fiiishshsh, fishkëllente gjarpri; krra-krra, krrokatin sorrat; ciu-ciu, cicërinë harabeli; çvit-çvit-cërrrr, cërcërit dallëndyshja; ku-ku, kukat qyqja; gu-gu, gugurojnë pëllumbat; bëëzzz, gumëzhinin bletët; ka-ka, kakaris pula; ki-ki-ri-kiii, këndon gjeli; kllukë-kllukë, klloçit klloçka; mjau-mjau, mjaullit macja; gërr-gërr, gërhit derri; ham-ham, leh qeni; auuuu! – ulërin ujku; be-be, blegërijnë delet; meee, vërrit dhia; ga-ga, gagarit pata; hi-hi-hiii, hingëllin pela; bërrrr, turfullon kali; ia-ia, pëllit gomari; mu-mu, muallit lopa etj. Në të folmet popullore, veçan këndej nga ne, gabimisht ka depërtuar shprehja: po pëllet a po pallë lopa. Siç e shpjegon shkrimtari lopa nuk pëllet as nuk pallë, por lopa muallit: mu-muuu. Por shkrimtari Astrit Bishqemi nëpërmes këtij kallëzimi ka dhënë edhe një linjë të dytë: linjën e dashurisë e të bamirësisë. Erlehta e vogël, sado që e do mjellmën dhe ka dëshirë ta mbajë, ajo i lutet babait që ta lirojë atë. Kërkesën e së cilës babai e pranon me kënaqësi... Shembuj të këtillë duhet të ndiqni edhe ju fëmijët në jetë...
- Ç’porosi ka përralla Gjysmë gjeli, gjysh?...
Astrit Bishqemi nëpërmes kësaj përralle ka trajtuar ca anë të jetës që na rrethon nga të katër anët me hallkat e saj. Kështu, në fillim, jepet pangopësia si ves nëpërmes plakut grykës, i cili për një jahni është në gjendje, po edhe e bën atë, ta ndaj në dysh gjelin fatkeq. Po ju fëmijët nga kjo përrallë do ta kuptoni qëllimin kryesor të shkrimtarit: e ai qëllim është dyzash. Në një anë jepet dashuria dhe nderimi për punë, pa marrë parasysh vështirësitë dhe aftësitë dhe, në anën tjetër që të mos synohet të bëhet (shtohet) pasuria pa punuar në të gatshëm nga djersa e të tjerëve, ashtu siç pasurohet gjysmë gjeli në përrallë nga një mbret, të cilin e kishte sosur qulli e po i frynte kosit. Sado që gjysmë gjeli me zanatin që e kishte mësuar nga e ëma si gjellëbërës i mirë, synon ta vejë në jetë atë zanat, po s’i prinë edhe aq fati. Sepse ku synon të bëjë gjellë të shijshme nga pemët e perimet pronari i qëllon mishngrënës dhe anasjelltas.
Pa mëdyshje se shkrimtari Astrit Bishqemi nëpërmes kësaj përralle, e sidomos nëpërmes shtegtimit të gjysmë gjelit, e ka fiksuar një anë të dhembjes sonë nëpër shekuj – kurbetin, që na ka përcjellë pandërprerë si popull e si komb si e përcjellë hija trupin në një ditë me diell. Ky kurbet, bija ime, i ka degdisur gjithandej rruzullit tokësorë me milionë shqiptarë nga të dy krahët e atdheut. Në kohët e sotme kurbeti herë është shkaktuar nga detyrimi, e herën tjetër nga joshja për një jetë më të mirë e më të begatë. Po shkrimtari përmes kësaj përralle e ka dhënë edhe një porosi universale: porosinë e kthimit drejt atdheut sapo të fitohet në dhe të huaj ana materiale për një jetë normale në atdhe...
- Ndoshta të kam mërzitur dhe të kam lodhur, gjysh, po përmes kallëzimit: Një gjyq i çuditshëm, çka ka synuar shkrimtari të arrijë?...
- Përmes këtij kallëzimi shkrimtari Astrit Bishqemi ka synuar t’i vazhdojë e t’i thellojë njohuritë te ju fëmijët edhe për ca anë të jetës, që ia ka marrë mendja se do t’ju ndihmojnë dhe do t’ju hyjnë në punë. Ndoshta s’ju ka shkuar mendja asnjëherë se nga vijnë shprehjet, si fjala vjen: “kamioni turfullon...”, “traktori gërhit...”, “era ulërinë...” ose “era fishkëllen...”, “dera kuis...”, “rrotat cijatnin...”, në tigan vaji “cicërinë...”, “pylli gumëzhinë...” etj. etj. Pra: turfullon – kali, gërhit – derri, ulërinë – ujku, fishkëllen – gjarpri, kuis – qeni, cijatin – trumcakët, cicërinë – dallëndyshja dhe gumëzhinë – bleta. Për të gjitha këto fjalë të “vjedhura” bimët, shtazët dhe fenomenet tjera natyrore e padisin shkrimtarin në gjyq... Po, pas shpjegimit bindës, që ua jep shkrimtari për të gjitha këto “huazime” ato fillojnë të lëshojnë pe dhe t’i tërheqin aktakuzat. Madje e ndiejnë për nder përdorimin e tyre nga shkrimtarët në veprat e tyre artistike...
- Për kallëzimin e fundit s’do të të pyes, gjysh, se për te kam përgatit diçka vetë që do ta lexojë tash, nëse pajtohesh edhe ti, gjysh.
- Dakord, Flonona. – i thash. Pse të mos e pranoj edhe i lehtësuar që po ma jepte rastin për pakëz pushim.
. . .
Pasi u kollit pakëz, sikur të donte ta kthjellonte zërin Flonona filloi të lexojë:
Nga të gjitha kallëzimet e këtij libri fort të bukur për ne fëmijët, mbresa më të thella më ka lënë kallëzimi Të afërmit. Pse? Sepse nëpërmes këtij kallëzimi xhaxhi shkrimtar, Astrit Bishqemi, na i ka kristalizuar të afërmit tanë në dy rrafshe: një, në rrafshin e të afërmve në lidhje gjaku ose lidhje farefisnore dhe dy, të afërmit në lidhje krushqie. Kështu, në fillim, nga biseda e Eridit me Loridën dhe në vazhdim nga biseda e Eridit me të amën, ne fëmijët i kuptojmë mirë si këto dy nocione, ashtu edhe të afërmit tanë nëpërmes këtyre nocioneve. Pra ne kuptojmë se çdo fëmijë i ka dy palë gjyshër e gjyshe: një, gjysh e gjyshe sipas afrisë së babait dhe dy, gjysh e gjyshe sipas afrisë së nënës. Po ashtu kuptojmë se fëmijët e xhaxhallarëve i kemi kushërinj të parë, kurse fëmijët tanë me fëmijët e fëmijëve të xhaxhallarëve janë kushërinj të dytë mes vete e kështu me radhë. Njëherë kuptojmë se vëllai i nënës përballë nesh quhet dajë, kurse motra e nënës quhet teze. Ndërsa gjysh e gjyshe si nga afria e babait, ashtu edhe nga afria e nënës, duke përfshirë këtu edhe vëllezërit e babait dhe dajallarët ne fëmijëve na kanë nipër, për gjininë mashkullore dhe mbesa për gjininë femërore...
Ndërsa afria e dytë, që nuk është afri gjaku, as farefisi kuptojmë se është afria e krushqisë, që do të thotë dhënie vajze a marrje vajze. Po ashtu kuptojmë se nusja prindërit e burrit i ka vjehërr e vjehrrë, ndërsa vëllezërit e motrat e burrit, duke përfshirë edhe gratë e tyre i ka kunetër, përkatësisht kunata etj.
- Bukur i ke vërejtur porositë Flonona.
-




2. KALLËZIME DITURAKE PLOT ËMBËLSI

Astrit BISHQEMI: Kallëzimet e Kaltrit – SEjko – Elbasan, 2006
Pasi pushuam mirë e mirë dhe pimë nga një çaj sipas dëshirës, e vazhduam bisedën për librin e dytë:
- Gjysh. – më tha Flonona. – Nëse pajtohesh unë për këtë libër të shkrimtarit Astrit Bishqemi nuk do të të shtroj pyetje si për librin e parë se të kam lodhur, ama do ta dëgjoj me kënaqësinë më sublime rrëfimin tuaj për këtë libër si tërësi.
- Pajtohem, Flonona... – i thashë.
- Këtë libër të bukur Astriti ia kushton nipit të vet, Kaltrit, i cili ia sjellë kënaqësinë më sublime në jetë e që ia mundëson të qenit gjysh, se: “Me dashuri nipçes tim të çmuar, Kaltrit, që, me zemërgjerësinë e paanë të qiellit e të detit, më dhuroi së pari titullin e lartë e të bukur “Gjysh!” – Autori. Shkruan shkrimtari Astrit Bishqemi që në faqen e parë si moto hyrëse.
Librin Kallëzimet e Kaltrit Astriti e ka shkruar prej nëntë rrëfenjave, që vetë shkrimtari i quan kallëzime. Prej tyre gjashtë janë kallëzime, dy përralla dhe një novelëzë me karakter fantastik të shkrimtarit Nikolas de Hirshing, shqipëruar nga frëngjishtja. Librin Kallëzimet e Kaltrit shkrimtari Astrit Bishqemi e fillon me kallëzimin: Beteja për një emër dhe e vazhdon me kallëzimet tjera si: Qyteti i kumrive, Një kumri... në stuhi, Në ballkon, “Shkencëtari i madh” dhe Konkursi. Vazhdon me përrallat: Duke pirë kiramare dhe Hundëgjatët. Për të përfunduar me novelëzën fantastike Shkallët – shqipërim.

Nektar nga hojet krijuese
Kallëzimi Beteja për një emër është sa i bukur dhe interesant për ju fëmijët, aq edhe domethënës. Pse themi kështu? Themi kështu sepse fatbardhësisht në të gjitha trojet shqiptare ka filluar të mbizotërojë pagëzimi i fëmijëve të porsalindur me emra shqiptar, duke iu shmangur dalëngadalë emrave të huaj me kuptim mbizotërues... Po ashtu po bëhen përpjekje të pareshtura që t’u iket emrave të huaj qoftë me pikëpamje ideologjike, siç ishte rasti, kryesisht, në atdheun e shkrimtarit gjatë kohës së monizmit, qoftë emrave të ndikuar nga filmat, televizori, interneti e të tjerë, që nuk kanë përmbajtje e kuptim shqiptar. Kështu Astriti i njofton lexuesit e vegjël se për ta pagëzuar nipin e porsalindur që, siç thotë ai vetë “... më dhuroi së pari titullin e lartë dhe të bukur “Gjysh”. Pra, për pagëzimin e nipit të tij kishin propozuar, të afërmit që ishin tubuar për atë qëllim, shumë emra, si: Titi, Qemail, Zyhdi (shkurt Zydush), Sefer, Lefter, Mariolo etj., etj. Po, me këmbëngulësinë e një kushërire, me ide e synime përparimtare, të gjithë ata emra u hodhën si të pakuptimtë për pagëzimin e një fëmije shqiptar. Dhe, më në fund nënë Jonida e propozoi emrin Kaltër, të cilin e pranuan të gjithë si risi në pagëzimin e fëmijëve shqiptarë...
Në kallëzimin e dytë Qyteti i kumrive, shkrimtari shkruan me dashuri të dyfishtë për qytetin e tij: një, për Elbasanin e bukur siç e quan atë edhe një varg i një kënge popullore “Elbasan i bukur Elbasan” dhe dy, për shkak se Elbasani i bukur i këngës popullore mund të quhet edhe Elbasani i kumrive...
Nëpërmes kallëzimit të tretë Një kumri... në stuhi, shkrimtari ka synuar të shpalosi përpara lexuesve të vegjël dashurinë prindërore përballë fëmijëve të tyre. Këtë ka arritur ta thotë bukur, qartë e bindshëm nëpërmes kumrisë mëmë, e cila flijohet në furtunë për t’i mbrojtur nga breshëri zogjtë e vet...
Nëpërmes kallëzimit Në ballkon jepet ngrohtësia e një kumrie me njerëzit e shtëpisë, ku ajo kishte ngritur çerdhe në një saksi lulesh në ballkon...
Kurse nëpërmes kallëzimit të pestë “Shkencëtari i madh” shkrimtari Astrit Bishqemi në një anë e ka dhënë kureshtjen e fëmijëve për ndonjë eksperiment sipas fjalëve a frazave të dëgjuara diku gjithandej ambientit familjar, po edhe me gjerë. Dhe, në anën tjetër e ka dhënë portretin e një keqbërësi, i cili, ndoshta, rastësisht gjendet në të njëjtën rrafsh keqbërësi me ndonjë që është i lindur i tillë. Po të mos kishte qenë Mira, që e heton “eksperimentin” e tij, kurse Muçi ia çjerr maskën, kumria do ta kishte gjetur vdekjen mbi vezë të ziera, që nuk do t’i kishin çelë kurrë...
Në kallëzimin e gjashtë Konkursi flitet për një konkurs letrar, ku fitues del Stavri, një nxënës i shkëlqyer e i sjellshëm, që i do shumë kumritë. Vjersha fituese e tij në konkurs e mban titullin Këndo, moj kumri, që iu kushtohet kumrive të shumta të Elbasanit...

Tabanime edukative përmes përrallave
Astriti në këtë libër i ka vënë edhe dy përralla: Duke pirë kiramare dhe Hundëgjatët jo edhe krejt rastësisht. Nëpërmes përrallës së parë ka synuar që të ngulisë në mendjet e fëmijëve sjelljet njerëzore e të kulturuara, në një anë dhe të flaku nga mendja e tyre sjelljet dredharake si: dinakërinë, mashtrimin, hipokrizinë, tinëzinë etj. Të gjitha këto i ka dhënë me mjeshtri artistike nëpërmes sojit të dhelprave, që konsiderohen, së paku këndej nga ne, si shtazët më mashtruese e më dinake. Dhelpërushët përmes kësaj përralle mundohen ta gjejnë shkakun pse përbuzën e nuk admirohen nga asnjë lloj shtazësh... Dhe, len për t’u nënkuptuar se zgjidhjen e problemit të mosdashjes së sojit të tyre nga kafshët tjera ua zgjidhi Dhelpërushkë-mbesa, duke ua bërë me dije se sjelljet e tyre dinake kanë shkaktuar edhe përbuzjen...
Ndërsa nëpërmes përrallës: Hundëgjatët shkrimtari ka synuar t’ua ngulisë në mendje e në zemër fëmijëve se po u shërbyen me gënjeshtra, do të shkojnë duke iu zvogëluar gjymtyrët e trupit, ashtu si i ndodh në përrallë elefantit Ele, i cili sa më shumë thellohet në gënjeshtra, aq më shumë i shkurtohet hunda, derisa ajo fillon t’i dalë edhe në anën tjetër të kokës. Po, kur pendohet për gënjeshtrat dhe rifillon ta thotë të vërtetën edhe hunda e tij rifillon të rritet në drejtimin e duhur. Dhe me të përfunduar gënjeshtrat edhe hunda i vjen në vend si më parë... Pra, vetëm e vërteta na bënë të pagabueshëm dhe të virtytshëm.
- Për novelën fantastike Shkallët besoj se ke shkruar ti Flonona, andaj s’po të flasë këtu për këtë novelë.
- Po, gjysh, kam shkruar diçka, ta lexoj?...
- Nëse nuk përton. – i thash, duke i buzëqeshur.
- Ç’janë këto fjalë, gjysh? – më tha ajo me kënaqësi.

Fantastikja përmes rrëfimit artistik
Novelëza fantastike Shkallët më ka lënë mbresa të dyfishta. Sa për shkak të aventurave të Zhilit, fëmijë nëntëvjeçar, që pasqyron dëshirat e çdo fëmije të kësaj moshe, aq edhe për lojërat fantastike të tij nëpërmes atyre shkallëve. Ai i zbulon shkallët magjike, të cilat si në atë përrallën Llamba e Alajdinit, që ma keni treguar ju gjysh, ia plotëson dëshirën Zhilit, duke e bërë herë djalë të fuqishëm e të shkathët njëzet vjeçar, e herën tjetër, duke e kthyer atë në një fëmijë, siç ishte, nëntëvjeçar... Zhilin, si çdo fëmijë të moshës së tij, dëshira instinkte e bën herë djalë të rritur, që s’i trembet askujt, e herën tjetër, sipas nevojës e dëshirës, e bën fëmijë nëntëvjeçar ashtu si ishte. Aventurat e Zhilit në këtë novelëz fantastike, m’i përkujtojnë aventurat e Fatbardh Pikaloshit te romani me të njëjtin titull të shkrimtarit Bedri Dedja. Sa i lumtur del Zhili, gjysh, përmes faqeve të kësaj novelëze!...
. . .
- Të lumtë, Flonona! Pajtohem me këto që i ke shkruar. Kështu të do gjyshi. Sigurisht se edhe ti e ke vërejtur, Flonona, se të gjitha shkrimet si në këtë libër, ashtu edhe në të parin “Shtëpiza ime” kanë një gjuhë mjaft të pastër e të pasur, me një stil shumë të përafërt me shijet, aftësitë e kërkesat e fëmijëve, të cilëve edhe u dedikohen. Shkrimtari Astrit Bishqemi edhe në këtë rrafsh është një shkrimtar mjaft cilësor. Sepse në shkrimet për fëmijë shkrimtari nuk e hedh hapin, të themi kushtimisht, pa e planifikuar që më parë gjatësinë e tij, në një anë dhe pe e menduar mirë si vendin ku e qet atë hap, ashtu edhe peshën me të cilën rëndon, në anën tjetër... (sipas Dr. Agim Devës). Kësaj maksime, mendoj unë, Astrit Bishqemi i përmbahet me besnikëri në këto dy vepra...

Qershor 2007 Ejup CERAJA

Rrustem Geci: Poetë të mëdhenj shqiptarë




FATMIR TERZIU-Poetë të mëdhenj shqiptarë


( Poezia e Fatmir Terziut është poezi e shpirtit,e ndjenjës së madhe,poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese dhe drithmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut, është poezi e pjekur, e tymosur, kuptimplote. Poezia e Fatmir Terziut është një gjak i ri në letersinë tonë të bukur)

Nga Rrustem Geci – Dortmund

Në komunitetin letrar në internet dhe nëpër faqe të revistave dhe forumeve, emri i Fatmir Terziut është i pranishëm kudo. Asgjë nuk mund të mos kthehet.Fatmiri jeton dhe bashkëjeton me poezinë, „Ecja e tij në qelq“ është një shqetësim i madh në ngushticën e shpirtit. Pejsazhi poetik i Fatmirit është i gjerë dhe i thellë. Poeti nuk ndalon,shpërthen të gjitha vetmitë që e rrethojnë. Libri “Ecja në qelq” i Fatmir Terziut thyen gjithë xhamat që poeti shpirtin ta prekë këthjellët, me duart e tij të gjelbërta. Fatmiri është poet I konsoliduar, dhe I mirëfilltë. Libri “Ecja në qelq” shprehë qartë urdhërin hyjnor të poezisë. I guximshëm si poeti, ai nuk është I ndikuar nga shtrëngimi I hijeve, apo heshtjet anakronike të kohës. Nëpër dallgët memece të jetës, aty ku unë bashkëjetoj, poeti qartëson të bukurën,të dhimbshmen, të pazgjidhurën.”Ecja në qelq” është një poezi që të lë pafjetë,dhe të drithmon.Ai edhe kur shkruan në letër, edhe kur shkruan në qelq, Fatmiri ka token dhe qiellin e tij, hapësirën ku ai vzionon. Libri “Ecja në qelq” është një poezi që shpie në të ardhmen, në kopshtin me ngjyra të shpirtit . Fatmiri është kopështar I madh I fjalës poetike. Në shpirtin e tij prej poeti, Fatmiri ka disa puse në artin e tij.Krojza nga më sublimet, prushëza nga më intimet, motive nga më të përbashkëtat. Në poezinë “Koha e njeriut” poeti guximshëm dialogon me kohën, me dhimbjen,me të bukurën. / Kohën e gozhduam mureve / E futëm në dosje / në sirtar e kyçëm…/ iu qepëm… së prapthi / kohën që na kishte grabitur më parë…/ Këto dhe qindra vargje të tjera Fatmirin ( pa e tepruar ) e ngrejnë në piadestalin e poetëve të mëdhenj shqiptar. Ecja në qelq , është një kohë e njeriut, një kohë që vetëm sa ka filluar. Për ta copëtuar atë kohë shprehet poeti, kohës I vumë emra të hajdutëve të saj/ dhe thirrëm kohën si prone e tyre / duke mos e kuptuar se bënim të njëjtin faj/. Koha nuk shahet thotë poeti,..koha ka kohën e saj… shkruan poeti Terziu. Të bërit poet nuk është I lehtë. Kohën nuk është vetëm ta ndjesh, por edhe ta shkruash. Sa herë jemi bijë të kohës, na qëllon të ulem në shesh dhe ta ndjejë poezinë, vullkanin që vlon në mua. “ Ecja në qelq “ shprehet Terziu më lidh me kohën, me të fshehtën e ajrit, dhe zemërimin e së bukurës. Asgjë e virgjër më s´ fluturon, pa I vënë një shenjë, një gërvishtje, nga ata që komandojnë këtej. Plot është sheshi I betejave, sheshi I të kundërtave, i të ndryshmëve, i të pamundshmes.Kjo është bota jonë,fati që po e jetojmë.Po e mbylli këtë ese me një urim vëllazëror, rrofsh o poet I gjakut tim, rrofsh!..

Fahredin Shehu: Xhevat Mustafa - Mëkatet e vetmisë


Mëkatet e vetmisë
Xhevat Mustafa
ATV Media Company
Prishtinë, 2008

Nga Fahredin Shehu

Se si tek ne lexohet më pak se kudo tjetër, fenomeni i mosleximit mund të gëlltiste faqe, vëllime dhe kolane të tëra punimesh me trajtim psikologjik dhe etik.

Në vrushkullin e botimeve, në vorbullën e temave, në mjegullnajën e vlerave, vështirë që mund të të feks një libër i cili do të pulsonte nga brendia e nga jashtë shëmbëllente tahikardinë e emanacionit të quajtur talent.

Ai që shikon një parti shahu duket se vëren më mirë dhe çdoherë gjen alternativë për lëvizje tjera, ashtu si edhe në jetë. Një lexim të një potezi të tillë alternativ e bëra më një frymë e cila zgjati një kohë.

Libri si ky i Xhevat Mustafës m’i evokoi dhimbjet e paluara latente,sikur mezi presin ta gjejnë vaktin e duhur për të eruptuar. Ne që ishim në Kosovë para gjatë dhe pas luftës, jo se e kuptojnë më mirë, por tundimi nga rrjeshtat e murr-uara në frymën tradicionale të narracionit artistik të ndërtimit të piramidës së romanit e cila i ruan sakramentet dhe sarkofagun e dhimbjes sonë, që të na nemit për një kohë, e të na paaftësoj, ta ndërtojmë ne Pandorat e shek. XXI, kutinë të cilën nuk guxojmë ta hapim.

Po lexove dialogjet e personazheve do të të duken dërdëllisje në krahasim me dhimbjen dhe emocionet që shkojnë deri në kufirin kulmor të dhimbjes.
Një kosovar lë gruan me dy fëmijë dhe prindërit e moshuar e vendoset në Zvicërr për të fituar bukën. Pronarja e restoranit; Zvicrrania, të cilës nuk i kaluan pa u provuar burrat e ballkanit dhe të tjerë joshjes së sajë nuk i iku as Skenderi; kamarier dhe më shumë se kaq…, i Kristinës.
Familja e tij në Prishtinë lëngon nga mungesa e tij. Babai i shtrirë për vdekje dhe kjo e mbrrin pa u takuar për së gjalli me të birin, falë intrigave dhe kthetrave të Kristinës.
Besa; gruaja e tij, pasqyrim i një femre moderne, të moralshme, por edhe të brishtë, viktimë e përdhunimit nga një doktor dhe një oficer policor serb, do ta vuaj barrën e turpit, anktheve në ëndërr dhe zgjëndërr dhe abortit të farës së pistë të armikut dhe fisnike të sajë.
As Skenderi e as Besa nuk ishin në gjendje të luftojnë me vetminë, e cila në vete tërheq tundime të shumëta. Tradhëtia e Skenderit dhe mungesa e tij për një kohë, e tundoi Besën më shumë nga paaftësia për t’u përballur me epshin, se sa si shenjë hakmarrjeje duke i shtuar kësaj edhe përdhunimin, librin e bën emocionalisht të tejngarkuar.

Dhimbja më të madhe më shkaktoi përshkrimi i detajizuar i përdhunimit të Besës; segmenti i cili ushqen urrejtjen ndaj armikut dhe mban gjallë memorien e krimit sistematik të ushtruar ndaj Kosovarëve, por edhe të pamundëson t’i kthehesh realitetit të reanimuar të Kosovës.
Njohja e mirë e rrethanave, fakteve dhe tragjedisë kosovare i mundëoi autorit, që ta sajoj një prozë të shkëlqyeshme estetikisht, por edhe skajshëmrisht të trishtueshme, e trishtueshme për ne të cilët u dogjëm nga po këto…

Miranda Haxhia: Gruaja ne Muzg




Romani i M.H. me titull “Gruaja ne Muzg”, vjen tre vjet pas botimit te vëllimit me tregime “E verdha e korrikut”, i cili tërhoqi vëmendjen e kritikes për aftësinë profesionale në ndërtimin e tregimit, kësaj gjinie të quajtur të vështirë, sipas specialistëve të letërsisë.
***
Miranda Haxhia
E lindur në Berat, në 17 prill 1963, jeton në Tiranë.
E diplomuar për gjuhë – letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Përvojën e saj e ka të ndërthurur mes gazetarisë dhe letërsisë. Shkrimet problematike, sociale, politike, reportazhet, intervistat dhe pikëvështrimet e herë pas hershme në eksplorimin e letërsisë që shkruhet sot në Shqipëri e kanë bërë të njohur mes elitës së gazetarëve. Është e konfirmuar me disa botime cilësore ku vlen të përmenden librat me tregime “Asnjë lajm për vdekjen e dashurive”, “Krahët e prerë të Fluturës”, “Buka e zogjve të vdekur” dhe “E verdha e korrikut”.
Përzgjidhet fituese e projektit “International step by step” me tre libra të ilustruar për fëmijë të cilët janë publikuar në mbi 15 gjuhë të ndryshme. Poezia e saj është futur në 8 antologji të poezisë e prozës bashkëkohore në Itali. Sipas kritikës çmohet për prozën e veçantë, kulturën dhe stilin rrëfimor, për punën që bën me prozën si të jetë një amebë në vijimësi, e paqëndrueshme. Vlerësohet në evenimente të rajonit si një ekspansion i shfrenuar në prozë, sidomos, në tregime.
***
Shënime për romanin e ri “Gruaja në muzg”
Kora D. dhe Martin Seli në udhët e tyre paralele, përballë një realiteti që mbahet mbi të shkuarën, të sotmen e gjymtuar dhe të ardhmen e mjegullt. Një grua e cila gjendet e paorientuar, kapet fort në një copë jete, kur i kanë ikur duarsh shumë gjëra të vyera si familja, dashuria, bashkëshorti dhe vajza, kërkon të shikojë pas disa rrezeve që i vijnë me ndërprerje. Fillon me një letër që lexon në një libër shënimesh muzikore të ish të dashurit të saj, Martin Selit. Një grua e sendërzuar ne objekt dhe fenomen pasiv i jetës së çuditshme shqiptare, e cila përpiqet të ringrihet duke u kapur pas gjërave që i kanë shpëtuar pa pasur vëmendjen e duhur. Ajo kërkon një dashuri që e ka humbur, provon të vrasë frikën e ndëshkimit, mëson të mos qajë pafundësisht. E bën muzikën që ka dëgjuar të vlejë në jetën e saj më shumë se u vlejti luftërave dhe ushtarëve të mjerë, muzika e Bethovenit. Nuk ka revolucion në historinë e saj, por janë copa që duke u formuar pak e nga pak sjellin konturet e plota të një jete e dimensionit të saj të qetë, por gjëmimtar. Në fillim rrëfehet ngadalë, pa zhurmë, më tej fillojnë përthyerjet, përplasjet dhe kthesat e shpejta me një prozë e cila vlen të qëmtohet për stilin e qartë, për sintaksën e hapur dhe ngjyrat e padukshme të hijeve të vogla.
Romani “Gruaja në muzg” është një letërsi e rrëfyer me elemente të cilat zbulohen njëra pas tjetrës, përmes kthesave e të fshehtave që vijnë e riqasen duke përcjellë frymë, jetë, lëvizje, harmoni dhe më tej shkatërrim e rrekje për të rindërtuar. Një eksplorim emocionues përmes një udhe fizike dhe harmonie në kufijtë ekstremë vullnetit dhe të së pamundurës në jetën e gruas. Brezat dhe qarku që krijon dashuria si qeliza bazë e ekzistencës ka një diabolizëm të cilin lexuesi herë e shikon, herë e urren, herë e adhuron. Pikëllimi, mëshira, ndjenja e shumfishtë përtej të cilave arsyeja dhe gjykimi janë thjesht elemente ekzekutimi. Romani ka arritur të realizojë një qëllim të pathënë, të bëjë lexuesit të mendohen për atë që ndodh e që e kanë para syve, afër, por nuk e shikojnë dot për shkak të largësisë që i kushtojnë vështrimit.
***
Libri është redaktuar nga Sadik Bejko dhe Ardi Stefa, ka për konsulent letrar prof. Pasquale Amato dhe botohet nga shtëpia botuese TOENA

Kane shkruar dhe botuar per m.h:

Proff.ssa Myriam Sebastianelli, Romë
“Në fjalët e Ismail Kadaresë, një nga zërat më poetikë, më të lartë dhe më të shquar të Shqipërisë “Vendi im është Shqipëria, por atdheu im është letërsia”- kështu si Miranda Haxhia janë shumë qytetarë të poezisë, të panumërt që zbulojnë rrënjët e tyre në botën e fjalës. Zëra që premtojnë të dalin nga abstraksionet duke u shndërruar në një instrument të fuqishëm të lirisë që shmangin barrierat duke universializuar konceptin e qytetarisë poetike.
Proza ka shpërthyer forcën e brendshme të pat’hosit të Miranda Haxhia-s, forcën e pamjeve të evokuara të natyrës në një vizion të një jete, në të cilën dashuria shkrihet me këngën e pasionuar surreale, veshur me fisnikëri të një pikësynimi dhe orientimi moral.”

Prof. Giovani Francesco Piano, Itali
“Lirikë e rrallë, gati transparente, një fllad, frymë e lehtë mbi një faqe, që duket se zgjon në brendësi të njohjes një ndjenjë ndryshe, për të çuar qëndrueshmërinë mbi një fill të magjisë së brendshme letrare. Lindur nga një vërtetësi e madhe, motivi frymëzues njerëzor, ndjenja e lartë e moralit dhe kërkimi i fuqishëm i vlerave të brendshme ekzistenciale.”

Agron Tufa
Mistifikimi që i bën kodit narrativ Miranda Haxhia fuqizon shfarosjen e alternativave të zgjedhjes… Në përgjithësi Miranda Haxhia niset shpesh nga një notë tepër e zakonshme rrëfimi madje ky rrëfim stilistikisht serviret me një intonacion të intimizuar, sikur i rrëfehen lexuesit në vesh, apo sikur sqarohen në një bisedë miqsh momente të diskutueshme nga jeta e aksh të njohuri të përbashkët. Kjo është mënyra më e sigurt që pa u ndjerë lexuesi nuk i heton dot katet e realitetit që ngjit, deri në hiper-realitet, realitet- metaforë.

Sadik Bejko
Miranda Haxhia përpiqet të fshihet në pas-faqen e fundit të librit, përpiqet të respektojë lirinë e rastësinë fatsjellëse të lexuesit të kualifikuar, apo çfarëdo, përpiqet të mos komplikojë shijet estetike dhe dëshirat e kujtdo që kalon para librit. E privilegjuar, ka mundur të vrapojë në një liri absolute, një ekzistencë gati fatale duke zbuluar botën e nuk ka dashur kurrë të qëndrojë për të bërë për vete dhe siguruar një publik më të madh e në të njëjtën kohë të mundur.

***
Pasathënie nga Mehmet Kraja

Letërsi kontekstuale
Të njohësh strukturën rrëfimore të prozës tregimtare; të kesh dijeni për atë shumësi komponentësh që kanë lidhshmëri të ndërvetshme gjuhësore dhe kompozicionale; të krijosh ambient karakteristik ku t’i vendosësh gjetjet dhe zhvillimet; të kesh ndjeshmëri për komunikim të sinqertë me lexuesin potencial; nëse të gjitha këto komponentë kombinohen në mënyrë fatlume në një vend, kjo do të thotë se ke të bësh me një autor që e zotëron në tërësi mjeshtërinë e shkrimit të tregimit, si një nga llojet letrare më të vështira dhe më problematike që njeh përvoja letrare. Në prozen e saj, Miranda Haxhia e dëshmon pikërisht këtë: njohjen e thelluar të zhanrit, kërkimin e subjekteve interesante, vendosjen e tyre në një rrafsh ambiental dhe gjuhësor funksional dhe, që është po kaq e rëndësishme, një çiltëri karakteristike “femërore” që me lexuesin të jetë sa më e hapur, madje guximshëm t’i përcjellë atij mesazhin e sinqertë. Tani ajo provon në roman, në prozën e gjatë.
Dhe vjen ndryshe. Ajo nuk e ndërton prozën e saj me një tezë të paravendosur, madje nuk kërkon prej lexuesit që t’i besojë observimet e saj me çdo kusht. Ajo, thjeshtë, kërkon prej lexuesit që ta ndjekë në aventurën e saj të njohjes dhe të përjetimit, duke ia lënë atij të drejtën e gjykimit, në një kohë që vetë nuk merr asnjë rol imponues. Kjo të bën të mendosh se gjetja dhe subjekti rrëfimor i saj është gjendje reale jetësore “paraletrare”; se diku, në një anë të horizontit, bota e ka pikërisht këtë pamje; se njerëzit janë pikërisht të tillë, vetëm duhet të kesh pak kurajë ta kthesh kokën andej dhe të kesh durim të shohësh atë që ndodhë në atë mikrokozmos të tyre. Prandaj duket sikur autorja nuk merr rol ndërmjetësues në komunikim me atë botë, sikundër ndodh zakonisht me shkrimtarët, por ajo sikur bën një “ofertë”, të cilën, nga mënyra si e bën, të tërheq ta pranosh pa
hezitim. Kjo i jep dorë të jetë spontane në rrëfimin e saj, të artikulojë mesazhe të paimponueshme dhe të krijojë tablo mbresëlënëse.
Bota e narratives së saj nuk është ambient ekzotik, më shumë është një qëmtim i kujdesshëm i veçantive relievore të përbërësve psikologjikë dhe etnopsikologjikë të personazheve ambientalë, të cilët të duket sikur nuk kërkojnë asgjë më shumë se të kenë një fat më të mirë në këtë jetë. Prandaj, personazhet e këtyre rrëfimeve nuk janë heronj, nuk janë as tipa të krijuar enkas për t’u vendosur në rrëfim. Ata janë ekzemplarë sui generis të një bote me shumë përmbysje dhe rrënime të dhembshme. Ndonëse duket sikur çdo gjë që ndodhë në botën e tyre me një “lehtësi të papërballueshme” thjeshtësie, edhe kur veprojnë, edhe kur flasin, edhe kur meditojnë; edhe kur jetojnë, dashurojnë, pësojnë dhe vdesin; të gjitha këto modelohen në fatet e tyre nga një tragjizëm i thellë, përbërës të të cilit janë kushtëzuesit e pamodifikueshëm, që gjithmonë rrjedhin nga pamundësia dhe pafuqia e tyre për të qenë ndryshe. Tragjizmi i tyre është universal njerëzor, por është edhe i veçantë, i një rrethane të caktuar jetësore, shoqërore dhe historike. Vendosja e një drejtpeshimi ndërmjet këtyre përbërësve të fatkeqësisë së individit ndodhë vetëm në veprat letrare me predispozita thellësisht të qëndrueshme.
Së fundi, proza e Miranda Haxhisë është dëshmia më e re se në vitet e fundit kemi një lëvizje kërkuese, e cila synon ta ndryshojë tradicionalizmin edhe si fakturë gjuhësore, por edhe si gjetje rrëfimore. Krijimet letrare në këtë zhanër kanë shënuar prurje të rëndësishme. Është kjo letërsi kontekstuale e botës shqiptare, që kërkon lexuesin e vet, kudo që mund të jetë ai.

Albert Zholi

REFLEKTIMI PËR DITËN E SHUMËPRITUR



Nga Nexhat Rexha
Autori Avni Biçkaj,vjen para lexuesit me dy vepra letrare:
Dasma e lirisë, fq. 62. dhe Zogj në fluturim, fq. 70. të cilat u botuan në të njëjtën kohë nga Shtëpia botuese ART MUZA, 2009, Prishtinë.
Vepra konceptohet nga tri pjesë, të cilat komunikojnë për një ngjarje të madhe dhe të shumëpritur. Autori, nëpërmes këtyre tri pjesëve të veprës ka arritur të komunikojë në tri mënyra të veçanta të shprehjes apo pak më ndryshe, për të treguar dhe pasqyruar atmosferën e përgjithshme të Pavarësisë së Kosovës.
Pjesa e parë; E shkruar në prozë, shfaqet si shkëlqim i pashkëputur i një realiteti sa të hidhur, po aq të shumëpritur në hapësirat e tokave shqiptare si dhe në pjesët ku frymojnë ata, e që me vete kishin bartur këtë ëndërr kudo që janë ndodhur .
Pjesa e dytë; Është shprehur përmes vargjeve, të cilat janë ndërtuar me figura artistike ,që gjithsesi secili varg, strofë apo poezi ngërthen në vete klimën e përgjithshme kombëtare, si në Kosovë e më gjerë. Pra, duke i lexuar këto vargje krijohet, mbresa për këtë ditë të paharruar, për ata që e përjetuan dhe për brezat që do të vijnë. Në këto 20 poezi sa janë radhitur në vepër, duke filluar nga poezia e parë Dita e Pavarësisë, e deri te poezia e fundit në këtë vepër Ushtari i Pavarësisë, kemi të qartësuar dhe formësuar harmoninë tematike të këtij cikli poetik.
Në vepër autori ka rishkruar një pjesë të atyre ngajrjeve që kanë ndodhur, kuptohet, ai këto ngjarje i ka veshur me petkun e kohës dhe gjithsesi tani ngazëllimi i njerëvze ndryshon në shumë dimensione, sepse tani koha dhe njerëzit flasin hapur dhe kanë meditim e qasje më ndryshe nga ajo e shekullit të kaluar. Vetë zhvillimi i shkollimit dhe emancipimit kombëtar , ekonomik me të arriturat reja teknologjike dëshmojnë për ndryshime pozitive të shoqërisë shqiptare. Mirëpo, nga gjithë kjo ëndërr e shkapërderdhur nëpër kontinentet e botës, një gjë është e përbashkët, dëshira për liri dhe për ecje përpara në një realitet të ri, e gjithë kjo atmosferë është përshkruar në të gjitha poezit dhe pjesët tjera të librit.
Nëpër vargjet e kësaj vepre autori ka paqyruar edhe portrete të figurave kombëtare, të cilat me dijen dhe gjakun e tyre kanë vulosur fatin e këtij trolli nëpr kohë e luftëra. Portretizimi i këtyre figurave është dhënë në lidhje të përhershme me kohët, sepse ato i kanë lidhur ngjarjet dhe kohëve i kanë dhënë kuptim. Pra, sakrifiva e dëshmorëve dhe njerëzve për rreth tyre kanë krijuar bindjen edhe të qendrave të ndryshme dipomatike, për të përkrahur këtë luftë sa të drejtë, po aq edhe humanitare, krejt kjo me qëllim të mirë dhe për një perspektivë për realitetin e Ballkanit.
Gëzimet, urimet vijnë nga Tirana, Shkupi, Kruja, Vlora,Prekazi, Reçaku e tj., këto qendra ku është përqëndruar autori identifikohen me një pjesë të historisë, që gjithsesi njerëzit kanë shënuar ngjarje e bashkë me ato edhe ata janë sinonim i ecjeve nëpr ndodhitë që kanë krijuar realitete të reja, e që kanë ndryshuar kuptimin dhe jetën e njerëzve të kësaj kohe.
Në këtë zinxhir të ngjarjeve madhore kanë lidhë fatet e njerëze të të gjitha shtresave bashkë me figurat e dëshmuara kombëtare dhe ndërkombëtare, si : Skenderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari, Tahir Meha, Uiliam Uoker etj., autori këto personalitete i ka bashkuar në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Atë ditë të 17 shkurtit 2008, sikur tërë shekujt flisnin me një gjuhë e me një fjalë. Ai në poezinë: ”Pa fjalë” shprehet:
Male e fusha të stolisura
si nuse pavarësie
Karvanët të tërë krushqish po hapëronin në dasmën e madhe
Pra, reflektimi i kësaj dasme të lirisë,kishte ndryshuar pamjen e fytyrave të njerëzve të të gjitha moshave. E Prishtina kulmoi atë ditë si asnjëherë më parë. Shumë njerëz nga qytete e krahina shqiptare u solidarizuan për pjesëmarrje për këtrë ditë të shumëpritur dhe si asnjëherë më parë, atë ditë ishin tokë, por nuk munguan edhe të zgjedhurit e qendrave diplomatike dhe miq të Kosovës, sepse kjo ishte ditë e shënuar.
Dëshira e autorit përmes vargjeve shpreh reflektim që e ardhmja të rrezatojë në kontinuitet të lidhjeve të pashkëputura me një kororëzim të ruajtjes së gjakut të shumë brezave që shkrinë dijen dhe shpirtin e tyre për këtë vend e kontributi i tyre për çështje atdhetare të mos harrohet kurrë.
Pjesa e tretë,përbëhet nga 46 mesazhe apo urime për këtë ditë të madhe.
Avni Biçkaj, ka shënuar kujtimet që i kanë ardhur atë ditë nga miqtë, familjarët, të cilët gjenden në vende të ndryshme. Këto mesazhe njëherit shënojnë edhe vendndodhjen e shqiptarëve të shpërndarë nëpër shumë shtete të botës. Një gjë me ka ra në sy se mesazhet që vijnë nga këto shtete janë sinjalet e para edhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Libri i Avniut Dasma e lirisë, është rezultat e i një ëndrre të skalitur, për shumë shekuj ndër shqiptarët, edhe pse kjo ëndërr e vonuar, ajo gjithsesi është e një rëndësie të veçantë, sepse është shënuar ajo që ka ndodhur, e kur shënohen ngjarjet e kohës me dioptrinë e afërsisë së mendjes dhe zemrës ato ruajnë në vete vlerë dhe gjurmë të pa ndryshueshme të kohës. E kjo është koha jonë me të gjitha të mirat e të këqijat që e përcjellin atë.
Marrë në përgjithësi vepra Dasma e lirisë , përmbush kërkesën e kohës, të shprehur përmes vargjeve, e cila në brendi është brumosur me vlera të rëndësishme artistike.
Pra ,për këtë përvjetor të parë të pavarësisë së Kosovës, Avni Biçkaj me tri pjesët e librit ka reflektuar vetëm një temë, e kjo është tema e madhe e ëndrrës së pritur, e cila është farkuar e sendërtuar me të mundshmen reale, e me përjetimet nga më të mirat e kësaj kohe.
Për fund, autorit Avni Biçkaj i dëshiroj shëndet, suksese e hapërime të mëtutjeshme në fushën e gjerë e të pa fund të fjalës së shkruar artistike.

ENTENCAT LIRIKE DHE IDIOLATRIA LETRARE



Sevdije Rexhepi: “Baladë mbi Balad”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica” Prishtinë 2010, faqe 150. ISBN 978-9951-06-309-8.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Me vëllimin poetik “Baladë mbi Balad”, Sevdije Rexhepi po del para lexuesit me librin e katërt, përkatësisht librin e tretë në gjuhën shqipe. Por, baladat janë krijime popullore e lirike në vargje të rregullta që flasin kryesisht për ngjarje reale e heroike, qoftë kjo historike a me përmasa legjendare. Poezitë që përfshihen në këtë vëllim poetik nuk janë balada të tipit klasik, por si tërësi, si koncept vëllimi poetik ngjason me një baladë të përjetuar nga autorja në një zonë lufte, në qytetin Irakian që quhet “BALAD” dhe që shtrihet diku 68 km në veri të Bagdadit.
Titulli i librit “Baladë mbi Balad” na duket si përzgjidhja më e mirë e kësaj poezie të përjetuar në qytetin BALAD, me ç’rast Sevdije Rexhepi i ka dhënë poezisë një kuptim jo vetëm lirik, por më shumë metaforik. Sepse metafora e “Baladës në qytetin Balad” është një koincidencë rasti për të sendërtuar konceptin e veprës si tërësi baladike, por duke iu shmangur, siç thamë, tipit klasik të baladave.
Askush, pra as unë s’kam pritur një dridhje kaq të lëkundshme nga koncepti i saj lirik që e kishte sendërtuar në dy librat paraprak. Në të vërtetë edhe në këtë libër kjo poete i çon edhe më tej prirjet e saja në poezinë lirike, por si të them idioma thelbësore e poezisë që jepte shenja të bollshme për elemente të theksuara të lirikës–erotike në këtë vëllim nuk do të ndeshën fare. Poetesha edhe më tej e ka kultivuar anën artistike të poezisë duke e bërë atë më të shkëlqyeshme, më brilante. Poezia lirike që përfshihet në këtë libër është edhe më e përpunuar, edhe më artistike, gjë që dëshmon se autorja ka punuar me një vokacion të shtuar, për ta avancuar vlerën e poezisë së saj, ku si shembull tipik po i sjellim tre vargje të një poezie më të gjatë.

Kam mësuar se
Yjet nuk treten kurrë
Por fshihen si dashuritë

(Poezia: “GJETHET I SJELL ERA”, f. 12)

Dihet se poezia është një mjet shprehës që komunikon me lexuesin. Në masë të madhe kjo autore këtë e ka arritur. Sidoqoftë, edhe kështu si është lexuesi do ta mbaj mend më mirë, madje kjo mbamendje do të shkoj përtej jetëgjatësisë së saj. Përmbledhja në fjalë do të mbetet një dokument i regjistruar në poezinë tonë ku sjell idiolatrinë letrare nga një botë e tretë, përkatësisht nga një front lufte.

Në luftën e dyfishtë
Jashtë dhe brenda nesh
............................
Mbetur veç shpresa
E nesërmja mesopotamiane
Lind sërish metaforën

(Poezia: “METAFORË”, f. 29)

Ose:

LOT I HESHTUR

Sot...
Një jetë e njomë
U këput si një lule
Thanë...
Ka ndodhur
Aksidentalisht
Por...
Në sytë e saj e pashë
Lotin e heshtur

(Faqe 45)

Poezia e Sevdijes ka preokupim vlerën artistike të fjalës së shkruar, një lloj idili specifik për poezinë e saj të cilën e strukturon si një vlerë poetike, pa të cilën koncepti i këtij libri do të mbetej më i zbehur, për vet faktin se këto poezi dëshmojnë për një vijimësi të poezisë lirike që e kemi ndeshur edhe në dy vëllimet e saj të më hershme. Për të mos pranuar këtë “akuzë?!” se iu ka shmangur poezisë lirike, ajo si me qëllim e hap librin e radhës pikërisht me një poezi të kësaj natyre, e cila është ndërtuar me vargje të thjeshta por që me sukses e materializojnë një botëkuptim të ri në poezinë e saj, si të themi: Një krijim idilik i natyrës së saj.

MOLLË E NDALUAR

Ecje nëpër rrugë të vjetra
Të vjetra sa bota vetë
Në kopshtin ku lulet qelën së pari
Ku së pari u takuan
Shpirtrat që flisnin pa fjalë
Nën hije të një molle të ndaluar
U këput molla
Që atëherë dhe sot
Fajësohet belholla

(Faqe 5)

Në një sërë poezish, përkatësisht në strofa dhe vargje të caktuara e hasim një idiomë e cila sikur mëton për të rregulluar më mirë mendimin e shprehur nëpër vargje që përdoren figurativisht dhe që përshkruajnë një moment të prekshëm a të përjetuar nga vet autorja: “mollë e ndaluar”, “petku i shpresëjetës”, “zgjidhim nyje”, të cilat bashkë me vargje të tjera plotësojnë sinonimin e koncepteve të theksuara, e që shërbejnë për t’i kuptuar më mirë nocionet që shkojnë më shumë kah idiomat se sa kah ndonjë përkufizim tjetër letrar.
Pa dyshim, te poezia e Sevdije Rexhepit ndeshim një sensualizëm specifik, si një lloj ndijimi që i janë bërë burim i vetëm shprehës, e si një lloj mënyre e mjaftueshme për të shprehur përfytyrimin e saj poetik e letrar. Gjithsesi sentenca poetike që ngërthen burimin e mendimit analitik, shprehur me pak fjalë përbën esencën artistike, si një vlerë poetike, për një të vërtetë, të përjetuar në fronte lufte, ku vlera morale e njeriut nuk vlen as për pesë pare. Këto përfytyrime, përkatësisht këto përjetime sentenciale e bëjnë poezinë e këtij libri edhe më përjetuese, edhe më të afërt me lexuesin që nuk ka rastisur ta përjetoj luftën, sidomos nëpër ato vende e shtete ku rrëzohen mbretërit për të hapur “Kutin e Pandorës”:

Mbreti u përmbys
Fundi i Kutisë Pandoriane
Më në fund...

(Poezia: “PËRMBYSJA”, f. 39)

Lexuesi shqiptar, sidomos ata që jetojnë në Kosovë nuk e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë do të thotë “erë e barotit”, “tym i shpërthimeve e eksplodimeve”, por çfarë do të thotë: “pluhur shkretëtire” dhe “tokë shkretëtirë” sigurisht do ta përjetojnë vetëm nëpër vargjet e këtij libri. Por këto skema rrëqethëse, atij do t’i rikujtojë shkatërrimin dhe pasojat që lë lufta, të cilat i ka përjetuar në lëkurën e tij, në një kohë jo edhe aq të largët sa të ketë harruar a t’i jetë fshirë nga memoria kujtuese. Prandaj, libri i kësaj poeteshe jo vetëm që do të përjetohet më mirë, por ai do t’i rikujtoj lexuesit një kohë katrahurë, nën prizmin e së cilës do të zbërthehen sentencat poetike deri në imtësi.

Në shkretëtirën e pa skaj
Gjendet oaza e mendimeve të mia
Që pi lotin e mallit tim
Duke bredhur kësaj shkretëtire

(Poezia: “DËSHIRË”, f. 83)

Ose:
Mëngjesi i zymtë
Frymëmarrje e rëndë
Ndjenjë e turbullt
Në këtë mëngjes
Qerpikët u rënduan
Bebëzat e syve mbyllen
Nga mjegullnajë pluhuri
...............
Eh, dikush lëshoi
Një alarm..........
Që përhapi ushtimë e frikë
7 sekonda në pritje
Të jetës a vdekjes

(Poezia: “7.”, f. 93)


Sevdije Rexhepi, në shumicën e poezive të këtij vëllimi është shprehur qartë dhe ka ditur të ndërtojë konceptin dhe mesazhin lirik të poezisë, ka përshkruar detaje lufte me një gjakftohtësi dhe madje ka ruajtur një ekuilibër edhe kur drithërima të zymta kanë mbuluar ndjenjën dhe shpirtin e saj latent, para momenteve të rënda, atëherë kur nuk ka ditur nëse do të rroj, (e nëse po?!), pse do të rrojë?! D.m.th. nëpër sekuenca të caktuara ajo ka shprehë një lloj revolte dhe njëkohësisht edhe një lloj përmbajtje për të shpjeguar esencën e asaj që i thuhet jetë, që i thuhet luftë dhe sidomos për vlerën e nocionit të tretë mjaftë thelbësor që quhet “lakmia”.

Në këtë qytet të improvizuar
Ku nuk vlen njeriu as 5 pare

E ku jetojnë bashkë
Mërgimi e Frika
Dhe Lakmia për çudi...

(Poezia: “TRESHE”, f. 96)

Ky lloj trekëndëshi, apo kjo lloj trioje e nocioneve shprehëse “Mërgimi-Frika-Lakmia”, e bëjnë të dallueshme dhe të pranueshme vlerën letrare që Sevdija për kohë të gjata i ka kultivuar e vjelë nëpër poezitë e saj. Si do qoftë në planin estetik zbulohet vlera e njeriut dhe shpjegohet konteksti i jetës që kryekëput është “lakmia”. Në një plan tjetër poetesha ka nxjerr në pah edhe arsyen e vënies së kokës nën gërshërët e rrezikut permanent. Sado që ky element është kamufluar me mënyrën artistike, fenomeni “lakmi”, e shpjegon më së miri të vërtetën mbi verbin estetik dhe letrar të fenomenit “lakmi” ku njeriu nuk vlen as 5 pare?!...
Gjithsesi poezia e këtij vëllimi do të sublimojë rrjedhshëm dhe do të shpjegojë qartas se autorja si individ i ka tejkaluar pengesat për të dal në shkretëtirat e pa shkelura, ashtu siç i kthen një varg idilesh lirike a idiomash përmes vargjeve që e ka përshkruar me përsosmëri atë që e ka përjetuar, ku mendimi poetik sjellë një atmosferë të përditshmërisë në zona dhe fronte lufte. Por, për fat të mirë Sevdije Rexhepin, poezia e kthen në vendin e saj, si një intelektuale të qetë, që ka fituar një eksperiencë praktike për të sfiduar kohëra dhe vështirësi prej më të ndryshmeve.
Këto nocione tregojnë atmosferën e zymtë të jetës në luftë, dhe natyrisht tejet shqetësuese për vlerat shkatërruese që i ka lufta, pavarësisht se rezultatet pozitive mund të korren vetëm dy-tre breza më vonë. Por, meditimet poetike të ndërtuara me një gjuhë simbolike, ku tërësia e subjektit letrar qetë në pah mënyrën e rrëfimit idiomatik e bëjnë Sevdijen si një zë që duhet të zgjojë jo vetëm kërshërinë e lexuesit, po më shumë të atyre që poezinë e lexojnë më me përkushtim dhe e vlerësojnë si një interpretim letrar.

TRETJA E ENKI-IT

Në shkretëtirën e pambarim
Oazat e pakta
Pinë ujë nga lumenjtë e vjetër
E pashuar ende mbetet Etja
Se Enki u tret
Nëpër plasaritje shekujsh
La tokën shterp
Shtjellat e rërës
Verbojnë sytë e kohës së re
Madhështi...
E shkruar nën tokë e mbi të
Nga lart...
Anu përcjell gjurmët
Kacavjerrë mban mendimet
Thërret Enlil-in - Perëndinë
T’i fryj larg dhimbjet
Dhe këtë shkretëtirë
Me bari ta mbijë

(Faqe 119)

Edhe nga poezia e cituar më lart shihet se vokacioni poetik është më i ngarkuar me figura nga mitologjia, shumë syresh që vijnë nga mitologjia e popujve të orientit (Enki, Anu, Enlil etj.), të cilët që moti kishin një zhvillim dhe emancipim të përparuar karshi vendeve dhe popujve të kohës. Pastaj do të ndeshim mjaft toponime të cilat i takojnë një kohe të shkuar si dhe toponime për vende, qytete të së tashmes të cilat kjo autore ka pasur rastin t’i prekë, t’i përjetojë dhe natyrisht t’i shijojë si vlera pozitive të zhvillimeve dhe emancipimeve qytetare.
Në aspektin invers do të thosha kjo poezi sikur merret me aspektin ekzistencial të shoqërisë në përgjithësi, vlerat e shoqërisë dhe pasojat e saj. Në planin letrar poezia e këtij vëllimi i zhvillon edhe më tej konceptet, idiomat dhe idiolatrizmin poetik të kësaj poeteshe. Dhe kjo është një vlerë më vete, një lloj detajizimi analitik si dhe fenomene të tjera që atë e kanë bërë të ndihet keq. Ky lloj diskursi substancial e bëjnë vëllimin poetik “Baladë mbi Balad” si një vepër që e nxjerr nga uni personal vlerën e njeriut, ekzistencën e tij, si një lloj arsyetimi jo vetëm etik, por si një arsyetim estetik që tejkalon vlerën letrare të poezisë, si nuancë estetike në përgjithësi, si efekt poetik që regjistrohet përmes metonimisë, që po e ilustrojmë me nuanca të shprehura në vargjet:

Se ti Flora. . .
Përherë mbushullon në mua
Që më mësove të ujis si duhet
rrënjët e jetës jeshile

(Poezia: “SHPIRT I TRËNDAFILTË”, f. 69-70)

Ndonëse poetja është rezervuar ta cilëson vetën si një “Faunë” që “ujit rrënjët e jetës jeshile”, i gjithë konfiguracioni poetik do të shpjerë në raportet e botës ujore e cila e bënë tokën “jeshile”, përkatësisht të gjelbëruar duke lënë për të nënkuptuar ambientin shkretëtirë siç e ka theksuar në një varg të saj “pa kodra të zotit”. Kështu siç është konceptuar kjo poezi, jo që ia rrit vlerat përkushtimit të saj për mësuesen me emrin e bukur Florë – botë e gjelbërimeve, por mesazhi i saj merr konotacione edhe më gjithëpërfshirëse.
Një element të ri në poezinë e Sevdijes e gjejmë te tipologjia artistike e nocioneve “patriotizëm” dhe “atdhedashuri” që sublimohet nëpër vargje e strofa të caktuara ta zëmë: “Në krahët e Atdheut/ Nga Edeni e gjer në Dardani”, “Do të ndiej aromën e Karadakut”, “Shqipëri e Tetovë/ Seç m’u rriten flatrat dhe më shumë/ Për ty Kosovë”, “Dardani - në kurorë mbuluar/ Liburna del mbi valë/ Nami Yt ringjallë - Kosovë.../ Unë larg teje Atdheu im/ Ti afër me zemër/ Do mbetesh ajo/ Kurrë më tjetër emër”, “Mbulohem me jorgan lashtësie/ Shtrij këmbët në Babiloni/ Se ëndrrat m’i përkund Iliria”, etj.
Kjo tipologji artistike që shprehë edhe mallin e saj për atdheun, shprehë edhe dashurinë për atë vend, hyjnë si nëntekste që plotësojnë nocionin e të parave duke na dëshmuar edhe një herë maksimën popullore se duhet të mërgosh për t’ia ditur vlerën atdheut, si një ekzistencializëm moral për secilin poet a poeteshë që dashurinë për atdheun e kundron nga larg. Sevdije Rexhepi po të mos kishte mërguar, përsëri do ta dëshmonte dashurinë e saj për atdheun, por kundrimi i dashurisë do të shihej nga një prizëm krejtësisht tjetër, më racional dhe më pak sentimental, e jo me nota melankolike që shprehin një mall të përgjëruar siç e kemi në rastin konkret.
Por, këto nocione që përkufizojnë një lloj sentence letrare hyjnë si risi pak më e theksuar te poezia e Sevdije Rexhepit e cila i ka dhënë një kuptim jetik mënyrës së tashme të jetës së saj, dhe nocioneve një kuptim më të qartë ku shpjegohet, pak a shumë përmes formave simbolike të cilat më shumë ua rrisin vlerën nocioneve “patriotizëm” dhe “atdhedashuri” duke i dhënë një ngjyrim sa specifik, po aq miklues poezisë së saj, si një ndjenjë, si një përjetim letrar e artistik me këtë fuqi kaq ledhatuese dhe kaq përjetues që duhet të pranohet si vlerë e re e poezisë së saj.
Sille kah do, poezia e Sevdije Rexhepit as më shumë dhe as më pak identifikohet me shpirtin e saj, qoftë ky shpirt lirik, qoftë mitik, a patriotik qoftë ai. Një poezi tipike e saj, që pasqyron unin e saj krijues dhe me nuanca të caktuara edhe individualitetin e saj krijues. Sevdije Rexhepi tashmë ka profilizuar mënyrën e saj poetike dhe ka gjetur tema dhe motive për të unifikuar motivin e saj krijues. Brumi krijues, janë vargjet që pasqyrojnë shpirtin e saj krijues, vlera këto autentike që plotësojnë dhe kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj si poete, një dimension i ri i poezisë, me shpresë se përvojën e saj jetësore do ta vë në shërbim të poezisë dhe artit në përgjithësi.
Poezia e Sevdije Rexhepit, hiç ndonjë rast, i shmanget tërësisht konceptit të poezisë hermetike, të figurave dhe koncepteve abstrakte. Ajo në këtë libër sjell më shumë tipin e poezisë lirike të avancuar si mendim dhe si përjetim, kurse figuracionet tjera i ilustron nga mitologjia, për të zbërthyer nocionin, kuptimin dhe mbarështimin që ka jeta nën predha artilerike, ku i ka dhënë kuptim lehtësues opusit të poezisë në njërën anë, dhe në anën tjetër ka bërë harmonizimin e emocioneve në varshmëri me situatat dhe ngjarjet si rrjedhim real i jetës së saj.
Vlerat dhe veçoritë e poezisë së Sevdije Rexhepit të përfshira në vëllimin poetik “Baladë mbi Balad”, funksionalizojnë edhe më tej muzën krijuese, cyt edhe më tej mendimin pozitiv letrar, me aspekte e veçori që e kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj poetik e letrar, si një autore mjaft bashkëkohore në poezinë e sotme shqipe.

Zvicër, prill 2010.

*Ky shkrim është botuar si pasthënie e librit!



SHËNIME PËR AUTOREN:

Sevdije Rexhepi është lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Për dy vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services, në Kampin Amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes, ndërsa nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, në Irak me kompaninë amerikane (KBR).
Sevdije Rexhepi, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht. Ajo, momentalisht punon në Kopshtin e Edenit në Irakun verior.
“Baladë mbi Balad” është libri i katërt me poezi.


Është prezantuar në këto antologji:
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
3. “Nënës”, Tirane 2007.

Veprat letrare:
1. “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2. “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.
4. “Baladë mbi Balad”, poezi, Prishtinë 2010.
5. „Between Rivers of Babylon”, poezi, Prishtinë 2010.

Rreth përmbledhjes poetike “Kthimi i Syve” të poetit Kujtim Morina


Metafora si kulmim i mozaikut poetik


Nga Dukagjin Hata

Prirja intuitive për ta sendërtuar figurën në rrënjët fabuleske të poezisë është një veçori e poetëve modernë, të cilët shkrijnë në një kulm abstragimi të gjitha enumeracionet dhe lakimet e mundshme të trajtave të vetëdijshme apo inkoshiente të lëndës së parë poetike. I tillë na shfaqet edhe Kujtim Morina në vëllimin e tij të dytë me poezi “Kthimi i syve”, Botimet Princi, Tiranë 2011, ku variacionet në formë mozaiku brenda konstruktit poetik të poezive të tij shkrihen në kodet nëntekstuale, prej të cilave rrjedh mesazhi dhe qëndrimi i poetit ndaj gjërave që e rrethojnë, si ngacmime të vatrave të trillit dhe fiksacionit poetik. Nëse në vëllimin poetik pararendës “Dehja nën mjegull”, ky element ishte ende në embrion, si një prirje në potencë, në këtë vëllim shfaqet si një tipar i poezisë së Morinës, në rrekjen e tij për të qenë në unison me zërat e fshehtë të një minibote që i zgjon atij ndjesitë e sensacionit.
Morina nuk konstaton, ai depërton thellë nën lëvoren e objekteve poetike, duke vizatuar me ngjyra të ndezura peisazhe të thyera të shpirtit njerëzor, pritje të mbetura pezull, kohë të turbullta, të mbetura në kujtesë si vizatime të kohëve shpellore, bukuri të ftohta që marrdhin nën brymën e iluzioneve.
Ai zbulon magjitë dhe kontrastet e gjërave që e rrethojnë, dehjet dhe stopimet e ëndrrës, duke operuar me figurën bazë të vizionit të tij poetik –metaforën, si natyralizim të kredos së tij të brendshme.
“Më dolën sytë nga vendi/dhe ikën për të parë botën”, thotë Morina në poezinë “Kthimi i syve”, duke na përgatitur për udhëtimin e tij fizik por mbi të gjitha virtual, në të cilin duket se kërkon të shkrijë impresionet e tij në një karusel trajtash, që i parakalon si rreshtime gjendjesh poetike.
Siç thotë me të drejtë kritiku Petrit Palushi, “në gjithë lëvizjen poetike (të Morinës –shënimi im D. H) ndihet lehtas përshpejtimi i metaforave, një rendje e tyre e vrulltë, njëra pas tjetrës. Mund të themi se çdo poezi në vetvete është prezantimi i një ishulli metaforash, ndërsa përmbledhja në tërësi është prezantimi i një metaforiade të plotë, e cila njëkohësisht merr më tepër forcë përmes ritmit dhe muzikalitetit të brendshëm, që përmban ëmbëlsisht në vetvete e gjithë lëvizja poetike”.
Në këtë përmbledhje lëviz një natyrë e qetë në dukje, por që ndjek intuitivisht një temporitëm të brendshëm të vrullshëm, një botë paradigmash, kontrastesh, thyerjesh, natyrën gjithë lëng dhe sharm, që përftohet përgjatë reaksioneve zinxhir poetike.
Poezia e Morinës është një endje në tezgjahun e ndjesive tokësore dhe metafizike, një kërkim arketipal në kujtesën e gjërave, duke na pëcjellë figura, trajta strukturore dhe imazhe që herë herë të befasojnë. Freskia dhe spontaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla, ambivalenca e figurës dhe imazhit, kontrapunkti etj, janë vetëm disa nga pamje të ajzbergut poetik të Morinës.
Në poezinë e Morinës gjejmë vetveten, vizionet, ëndrrat e munguara, dëshirat që marrin krahë e bëhen degë pranverore në pemën e jetës, atë botë disi të fshehtë e transhendente, falë të cilës bota jonë ndihet më e motivuar në luftën e radhës për të mirën dhe të bukurën.
Morina rreket të shkrijë në një kohën imagjinare dhe kohën reale, impresionet vetjake dhe deduksionet poetike universale, kumtet e përmbledhura në një vektor tridimensional të kohë-hapësirës poetike. Ai është i besueshëm e spontan sikurse kur flet për shiun e mbrëmjes, vjeshtën e vonë, mimozat, këto lule flokëverdha, retë e purpurta si nusja e re me faqe të skuqura, ashtu dhe kur i drejtohet metafizkës, shanseve të humbura, ëndrrave dhe iluzioneve.
Përmbledhja “Kthimi i syve” e vendos autorin në një raport të ri me poezinë, e bën pjesë të asaj shkolle poetike që ka rezultuar për mendimin tim më e sukseshmja në letrat shqipe, ku shkrihen e sendërtohen në një realitet të vetëm estetik mënyra tradicionale dhe ajo moderne e procedimit poetik.
Kur kthen fletën e fundit të këtij libri me poezi, kupton se ke dëshirë t’i rikthehesh një leximi tjetër, më të kujdesshëm që nga fillimi, e kështu, faqe pas faqeje, mund të kundrosh shpërfaqjen e një poeti, që me të vërtetë ka se çfarë thotë dhe di të vendosë një kod komunikimi me kohën dhe bashkëkohësit…

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...