Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/21

Blerina Rogova - Gaxha-Midis cubave e pushimeve në det




Kufijtë shqiptarë në Morinë e në Han të Hotit, ku policë e doganierë të bërë rreth pinë duhan e ndonjë tjetër ta bën me dorë “Hajde shqipe!”, në rregull është. Në rrugëtimin shqiptar, për qytetin shqiptar, kalon vetëm kufij shqiptarë. Përpara tyre, gjithmonë asfalt, shkëmbinj e male. Malet dhe plakat e tyre që dikur të ngarkuara me barrë spiunonin shqiptarët e ikur nga të dyja anët e kufirit, për t’i mbërthyer në hekurat e burgjeve në Shqipëri e në Kosovë.
Mes natyrës së thatë, asfaltit, gjurmëve të mbetura në godinat e komunizmit, e cubave që zbresin nga mali, janë ata, burrat e gratë, të thatë e të rreshkur, të hipur në gomarë e në ‘kerre me kuaj”. Dhe një mbishkrim “Rruga na bashkoi, Mimoza na ndau”, sikur për t’ia përkujtuar secilit që i bie rruga andej hallet e telashet ndërmjet kufijve, dhe sigurisht, ironinë bashkë me to.
Pamjet e bukura të televizionit nuk ekzistojnë më. Përgjatë rrugës janë edhe bunkerët, edhe godinat e shndërruara në gërmadha, edhe burrat e nxirë nga dielli dhe jeta e rëndë, edhe djemtë e rinj me flokë të gjata. “Vendi i shqiponjave” me male e me det, me parajsën e krijuar nga natyra ose nga zoti, e ndërtuar dhe e rrënuar mes gërmadhave e mbijetesës, diku në bisht të Evropës, vendi i vetmuar që synon të ngre kryet për të hyrë me thellë kufijve politikë. Shqipëria është vetmia nëse e shfrytëzon vetëm si kalim transit. E që për të keq asnjë rrugë nuk ta dëshmon se sa afër i ka detet më të bukura, Jonin në jug e Adriatikun në veri.
Po të vazhdosh detit lart, tokave të dikurshme shqiptare shpesh të bien në mend vargje të “Lahutës së Malcisë”, kur me sy kap ekzistencën e tyre, njëqind vjet pas ndarjes. Mbase Cërna Gora, që është akoma më e gurtë e më e shkretë, vend më shumë i vetmuar se sa Shqipëria, me tre-katër fish më pak banorë, shumë më i qartë e shumë më i thjeshtë se fqinji i tij, dhe pa një histori të ngjashme si ajo shqiptare, me një natyrë po aq të ashpër, por mbase vend më i fortë në ekzistencën e tij, e shumë më atraktiv për turistët e huaj. Duke nisur prej bishtit të turizmit të tij, ose folesë shqiptare të ‘pushimeve verore’ Ulqinit, te Budva e te Shën Stefani i saj, deri te i bukuri Herceg Novi, në fund të kufijve malazez. Dhe të pyesësh: Çfarë ka ky shtet më shumë se Shqipëria?
Ndoshta është mënyra e të jetuarit, gjeni dhe konceptet e një populli të njohur si dembel, ose ashpërsia me të cilën është zhvilluar populli malazez, që për ne shqiptarët ka qenë po aq njëlloj sa serbët që i kemi njohur mirë, ose lidhjet e kamotshme me Evropën plakë, që këtë vend e kanë bërë më të ndryshëm se sa tokën e shqipeve. Ose ndoshta fati që ata kishin tjera raporte me Perandorinë Osmane, ose fatin e kishin një Njegosh, apo edhe mungesën e një Hoxhe gjakpirës. Mund të ketë një mijë arsye pse populli "dembel" malazez dhe vendi i tyre, kanë shkuar disa hapa përtej fqinjit jugor Shqipërisë. Apo se ndoshta ata kanë qenë më të gjezdisur.
Shkodranët thonë: Ma mirë i shetitun se i ditun! Shqiptarët nuk e kanë pasur fatin të kenë shëtitur nëpër dynja, ose edhe ata pak shqiptarë që kanë mundur të dalin nga toka me gjemba, nuk janë kthyer kurrë më. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shqipëria, me gjithë hapat gjigantë të saj në 20 vjetët e fundit, nuk po arrin të bëhet si fqinji i saj as sot. Nuk po arrin të bëhet as si Kosova madje, e lëre më si Maqedonia apo Mali i Zi.
Ulqini shqiptar, ani se bishti i turizmit në Mal të Zi, pas shumë vitesh e sërish po rikthehet në vendin që mbledh kosovarët e shqepur, dikur edhe kosovarët me pak pare. Sot Ulqini është i shtrenjtë, bile më shtrenjtë se çdo vend tjetër turistik në rajon, sepse ka një magji që e tërheq një popull proletar, të paepur e kosovar.
Në perlat e Malit të Zi, në Budvë a në Herceg Novi, sigurisht se mund të kalosh një pushim me më pak pare se në Ulqin. Por Ulqini ka “plazhin e parajsës" që nuk e ndërrojmë as për njëmijë grosh. Ose është mikpritja ulqinake që të thanë në shpatull për pesë euro dhe ta "mposhtë" shqiptarinë vetëm për pak euro më shumë.
Punë e madhe pse mikpritja ulqinake, lë shumë për të dëshiruar, sepse çmimi i kujtimeve që të jep qyteti i vjetër dhe dritaret e kalasë qindravjeçare, është i pallogaritshëm.Kohët kanë ndryshuar dhe Ulqini tashmë flet edhe shqip, shkruan shqip, dhe të rrjep shqip, por boll që mysafirët e preferuar të tij, janë kosovarët e jo "beogradjani" si dikur.
Shqipëria në të shkuar dhe në të kthyer, ndërkaq, sikur ka filluar ta vrasë veten dhe sa prej nesh që kalojmë rrugëve të saj. Por pavarësisht kësaj, gjysmën e pushimit s’ka zot që na ndalë të mos e kalojmë në Vlorë.Cubat le ta bëjnë punën e tyre, por Vlora dhe Ulqini, më shumë se det janë qytete të bashkimit shqiptar. Ne kemi nevojë të pushojmë shqiptarçe!

Arbër Selmani-“Tafë kusuri”, rrëfimi mbi Agimin që la kusur





Gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk do t’i donte mysafirët. Ishte nervoz dhe madje kjo ishte arsyeja që shumë prej njerëzve i kishte larguar nga vetja. Për asgjë në botë ai nuk do ta hapte telefonin apo t’i kushtonte vëmendje i pari cokatjeve në derë.

Kafenetë e rakisë i preferonte e madje nuk mund ta konceptonte një njeri normal e mbi këtë tokë që nuk pi alkool. Me pesë fëmijë, atij nuk do t’i pengonte të kthehej vonë në shtëpi.

Madje ishin po këto momente kur Agim Qena ishte më humani i njerëzve, duke treguar historitë, përlarjet e tij jashtë shtëpisë, gotat e rakisë dhe fytyrat e shëmtuara që kishte parë nëpër qytet. Momentet kur ai ishte i dehur, prodhonin edhe situata komike dhe të kujtuara në harmoninë familjare.

Krijuesi i stripit komik të famshëm“Tafë kusuri” kishte qindra arsye të nxirrte vrer mbi këtë personazh komik e karikaturist, dhe po këtij projekti madhor duket se ia kushtoi tërë jetën. Hana Qena, njëra nga pesë fëmijët e tij, në tetëvjetorin e vdekjes së babait tregon se ndihet e distancuar në raport me të. “Kemi pasur raport më të distancuar, më të përmbajtur. Ai gjithmonë është ankuar shumë, për gjithçka.

Shumë gjëra m’i ka mësuar qysh e re, ndryshe prej fëmijëve të tjerë, dhe mendoj se si personalitet i krijuar sot shumë gjëra më rrjedhin nga mësimet e tij”, tregon Qena.

Hana, regjisore, 17-vjeçare kur i vdiq babai, thotë se ishte ëndërr e babait të saj që ajo të merrej me “Metamorfozën” e Kafkës apo “Idiotin” e Dostojevskit. Qena gjithçka kishte nisur në moshën 18-vjeçare, ndërsa deri në mesin e të 50-ve kur edhe vdiq është mishëruar me lajme të tmerrshme që më pas i nxori në “Tafë kusuri”.

Karrierën e karikaturistit e filloi në Mitrovicë, atje ku kishte njohur gruan e tij. “Kjo ishte femra më e bukur në Mitrovicë, përshkruar sipas tij”, tregon Qena, vajza e Agimit. Karikaturisti nuk kishte si të lejonte gabimet drejtshkrimore, përplasjen e pirunëve edhe pa dashje në sofrën e bukës apo ngrënien e tepërt të bukës.

“Ai nuk e ka konsideruar asnjëherë veten si fytyrë publike, e ke parë edhe në kafenetë e zakonshme. Ka qenë i drejtpërdrejtë, shumë selektiv dhe kritikues e i sinqertë dhe ndoshta kjo edhe e ka larguar prej njerëzve. Edhe me fëmijët e tij ka pasur raport të fortë. Arti i asaj kohe në Kosovë nuk ka çuar peshë për sytë e tij, krejt për çka ai ka folur ka qenë “Tafë kusuri”. Kur gjyshja e kritikonte, ai thoshte “Unë mantia s'di me bo”. Ambientin ku ka punuar në shtëpi e ka dashur ashtu, të rrëmujshëm”, tregon Hana Qena.

“Por edhe për shumë gjëra nuk i ka interesuar. Më kujtohet, njëherë krejt banorët e banesës kemi dalë jashtë për shkak të një tërmeti, ka qenë i vetmi që nuk ka lëvizur”, tregon Qena.

Të shtunën, në tetëvjetorin e vdekjes së Agim Qenës, krejt çka kujtohet është çmimi “Boemi i Mitrovicës”, i vetmi në tetë vite mungesë të krijuesit të “Tafë kusurit”. E shtuna në Prishtinë duket më sportive se e diela, dhe si jo për të parin personazh asnjë koleg e institucion nuk ka vendosur ta kujtojë figurën e “Tafë kusurit”.

“Në momentin kur ka vdekur, kanë ardhur shumë njerëz të na shohin. Shumica na kanë treguar se çfarë babai kemi pasur e sa krenarë duhet të jemi me të, por një pjesë e mirë e tyre as nuk i kemi njohur. Ata s’e kanë njohur as talentin e Agimit, por besoj kjo ndodh tek ne tani dhe nuk është më e çuditshme”, tregon Qena.

Ajo dhe motra e tre vëllezërit e saj autorin e kanë thirrur në emër. “Agimi nuk është kujtuar nga të tjerët në momentet e këqija të jetës së tij, prandaj nuk po kujtohet as sot. Ka shumë kohë që ne si familje dëshirojmë t’ia botojmë një libër”, tregon Qena.

“As Meli Qenës nuk i është ndarë çmim nga Ministria e Kulturës, në këtë rast as Agimit.Ne si familje ndoshta jemi të fundit që duhet t’ua përkujtojmë të tjerëve figurën e Agim Qenës”, vazhdon Qena.

Një pjesë e arkivit të Qenës gjendet në shtëpi, e të tjera i ka arkivi i qytetit, “Rilindja” e Radio Televizioni i Kosovës, ku Agim Qena kishte punuar pas përfundimit të luftës.

“Agimi nuk më ka rrahur kurrë, më duket se më ka konsideruar shumë të mençur. Ai ka pirë shumë duhan, katër pako cigare në ditë, kur i kanë mbetur edhe 20 cigare ai ka bërë panik. E ka dëgjuar aq shumë ‘Deutsche Wellen’ saqë edhe sot mendoj se diku në shtëpi dëgjoj zërin e radios”, tregon Qena.

Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. Agimi për pak ka mundur të quhet Ndërtim, ndërsa shoqëri të madhe ka pasur me Muharrem Qenën, në të njëjtën mëhallë.

Hana po ashtu është menduar të quhej Rukie, njësoj si nëna e Agimit. Ka qenë Agimi ai që nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ameriko Vespuqi ishte vajza e vogël, Vesa, ndërsa Bizmarku ishte Hana, për Agimin.

“Rrallë e kemi dërguar në mbledhjet e prindërve. Është përlarë shumë me profesorët dhe ka gjetur gjithmonë gabime në libra, më pas është ankuar pse ne mësojmë prej këtyre librave. Ka qenë pak romantik megjithatë, nuk e kujtoj që i ka blerë nënës ndonjë unazë. Atij i është gjest i çuditshëm blerja e dhuratave”, vazhdon Qena.

Ajo kujton lojën “Kapti Qkllapti”, kur ai i kapte vajzat e nuk i lëshonte, i detyronte që ato të sforcoheshin për t’u ndarë nga gishti i tij. Ai në ndërkohë, vazhdonte me lajmet e cigaren, shoqëri kjo e pandarë për figurën që solli revolucionin komik.

“Në kohën kur doli interneti, atij i është dukur absurde se unë mund t’ia dërgoj “Tafë kusurin” me imell. Kur ia kam dërguar diku, ai ma ka dhënë edhe personalisht që ta dërgoj fizikisht, sepse kurrë nuk ka besuar në sigurinë e internetit”, thotë Qena.

Banesa e Qenajve, asokohe, ka qenë e mbushur plot “Tafë kusuri” në muret e saj. “Në ditët e fundit të jetës së tij, u sëmur shumë dhe nuk pranonte të shkonte në spital.

Madje kishte kërkuar as të mos përkujtohej në gazetë. E kujtoj ditën kur ka vdekur, është zgjuar në mëngjes dhe i ka thënë nënës “Shpëtova edhe këtë herë”. Njëfarë ndriçimi i ka përshkuar fytyrën dhe në dy minutat e ardhshme ai ka vdekur”, tregon Hana Qena, vajza e madhe e Agimit.

Gani Bajraktari-Aliu dhe Pandeliu


U bë një vit që poeti i madh shqiptar, Ali Podrimja, iku nga kjo botë, për të mos vdekur kurrë. Nuk ka pse të qahet, sepse la shumë pas vetës, i la shumë kombit. Besoj se të paktën pas vdekjes do të këtë vend meritor në shoqërinë shqiptare.
Një poezi e Tij, e publikuar në Facebook sonte nga një mik i imi, më futi në labirinthin e meditimeve të 20 vjeçarit të fundit. Më doli përpara figura e dashur, gazmore, por edhe e ngrysur e “rebele”, e poetit, e njeriut të madh dhe të pavdekshëm, e mikut tim të shtrenjtë e Shqiptarit të Madh, Ali Podrimja.
Po i lejoj vetes që t’ia vjedh termin Shqiptar i Madh, Aliut, sepse kështu e quante ai Pandeliun, saherë që unë e takoja Aliun në Prishtinë, e që pothuajse ishte e pamundur që të mos pija një kafe më të, pavarësisht mungesës së kohës, që jo rrallë më shoqëronte në njëzetvjeçarin e fundit. “E ke takuar Pandeliun?”, më pyeste sapo uleshim! Dhe pavarësisht përgjigjes sime, ai ma kthente: “Ai është një Shqiptar i Madh!”. E në fakt, me Ali Podrimjen më kishte njohur e shoqëruar Pandeliu, Profesori im shumë i respektuar, dr.Pandeli Çina.
Dhe ashtu ishte Pandeliu, ishte Shqiptar i Madh! Ata të dy kishin shumëçka të përbashkët: patriotizmin, atdhedashurinë, modestinë, zemërgjerësinë. Madje, ishte edhe një gjë e përbashkët, që i bënte nevrikë të dy: kur dikush tentonte të bënte ndarje krahinore, fetare, apo çfarëdo lloj dallimi ndërmjet shqiptarëve. I vetmi dallim që shihja te miqtë e mi, ishte reagimi i tyre: Pandeliu reagonte qetë, me ton të ulët, elaborim të gjatë, por me fjalor të prerë, ndërsa Aliu reagonte vrullshëm dhe shkurt.
Kur shumë nga ne kishim humbur shpresat se hordhitë serbe do të ikin nga kanë ardhur, ishte Pandeli Çina, ai që nuk dorëzohej, madje ishte shumë i sigurt se liria do vijë. Pothuajse çdo ditë, pas vizitës së mëngjesit në spitalin universitar të Tiranës, bashkë me shumë kolegë nga të gjitha trojet shqiptare, mblidheshim rreth Profesor Pandeliut, i cili çdo ditë bisedën e fillonte me Kosovën.
Pavarësisht se kishte mbaruar Fakultetin ne Varshavë, pavarësisht se është mbase njeriu që unë njoh që di më shumti gjuhë të huaja (fliste rrjedhshëm gjashtë gjuhë të huaja), pavarësisht shëtitjeve nëpër konferenca e metropole botërore, kafenë e fillonte me Kosovën. Madje, si pa të keq disa filluan ta quanin Pandeli Kosova! “Ju po e mbani gjallë kombin”, na thoshte ne kosovarëve. Në vitet 90-ta, iu kishte shkruar shumë letra presidentëve amerikanë për Kosovën, në cilësinë e kryetarit të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë. Shumë nga këto letra mi kishte dhënë që të jap opinion për to.
Disa nga ato i kisha marrë ilegalisht me vete, për t’ia prezantuar Ali Podrimjes në Kosovë. Pandeliu është mbase njeriu i parë, që ka ngritur idenë e tunelit të Kalimashit, që sot e kemi. Kishte shkuar në Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë dhe kishte marrë mendimin. Këtë mendim ia kishte propozuar Sali Berishës, gjatë mandatit të parë të qeverisjes së Shqipërisë; atëherë kur për mua dhe ata që pinin kafe me mua ishte pothuajse iluzion. “Jo, jo! Do bëhët!”, na thoshte. “Do të bashkohemi. S’ka zgjidhje tjetër”.
Dhe vitet kalonin. U bë lufta e liria agoi. Pandeliu erdhi në Prishtinën e tij të dashur me Agun e hershëm të lirisë. I erdhi radha kafesë në Prishtinë. Në tavernën e Grand Hotelit, Pandeliu i lumtur, i buzëqeshur, i vendosur, po i njëjti Pandeli, i para 10 vitesh, veçse më euforik, më i papërmbajtur nga gëzimi i lirisë.
Ndërsa Aliu i thelluar në mendime, më i qeshur dhe më i lumtur, se përpara 10 vitesh në Tiranë, mbase sepse po i kthente një nga kafetë e shumta që na kishte qerasur Pandeliu në Tiranë! Kafeja e mëngjesit me Pandeliun e Aliun ishte kafeja që zgjaste më shumë nga kafetë e zakonshme; gërshetimet e mendimeve për çështje nga më të ndryshmet ishin aq përmbajtësore, saqë më detyronin që të shmangë kryerjen e obligimeve ditore. E kafetë në Prishtinë e Tiranë u shpeshtuan, duke shpeshtuar edhe momente kënaqësie për mua. Sa herë që Pandeliu vinte për konferenca kardiologjie në Prishtinë, pas përshëndetjes së zakonshme, si pa frymë më thoshte: Gani, të lutem më gjëjë Aliun. Ndërsa, Aliu, sapo dëgjonte telefonin tim, akoma pa më pyetur si je, më thoshte: “Hë Gani, a ka ardhë Pandeliu?, Erdha!”
Kjo vazhdoi, derisa Aliu shkoi pas Lumit, në Francë, për të kërkuar vdekjen. Nuk arrita ta ngushëlloi Pandeliun, sepse ai si gjithmonë ishte më i shpejtë. Më telefonoi dhe më zë të ngjirur më ngushëlloi. “Më duhet t’i nënshtrohem një operacioni këto ditë. Por në Prishtinë do të vijë”, më tha! “Nuk mund të rri pa i dhënë lamtumirën e fundit Aliut!”.
Një vit më parë, bashkë me Pandeliun pimë kafenë e mëngjesit bashkë me Pandeliun, përsëri në tavernën e Grand Hotelit! Por kësaj here të heshtur! Karriga e Aliut ishte e zbrazët, ashtu siç ishin të zbrazur shpirtrat tanë. Nuk shkonte muhabeti! Na mungonte shikimi i dashur, i ëmbël, i mprehtë dhe përmbajtësor i mikut tonë, Ali Podrimja.
I dashur miku im Ali Podrimja, fli i qetë në tokën e Kosovës, që aq shumë e deshe. Populli Kosovës të do dhe të çmon. Të çmon sepse ishe dhe je Shqiptar i Madh! Ke dhe një mik të madh në Tiranë që të do shumë, është Pandeli Çina që Ti e quaje Shqiptar i Madh. E për mua, vërtetë Ju jeni dhe do të mbeteni Shqiptarë të Mëdhenj. Dhe, krejt çfarë unë do të mund të bëjë në këtë moment i dashur Ali, unë do të shkoj nesër në Tiranë. Do të takojë Pandeliun dhe do të pimë një kafe për Ty.
Ti meriton më shumë! Sepse Ti me kohë na tregove:
Unë, biri yt, Kosovë t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t'pagjumta
e të shpërthejë do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.
Ti me kohë na i hape sytë:
“Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...”
Prehu i qetë Shqiptari i Madh, Ali Podrimja! Lavdi të qoftë!

Artan Z. Haraqia-A po harrohet Ali Podrimja ?

Këtë të diel, më 21 korrik bëhen plot një vit që kur në Lodeve të Francës u nda nga jeta poeti Ali Podrimja. Vdekja e tij ato ditë bëri jehonë të madhe në mediat vendore e ndërkombëtare, pasi, bazuar në veprat e tij, u cilësua madje si vdekje e dashur dhe e kërkuar e një poeti të madh. Disa muaj me radhë u fol për poetin dhe vdekjen e tij, madje në Gjakovë, në vendlindjen e poetit, iu kushtua në tërësi edhe mitingu tradicional i poezisë.Por, me kalimin e kohës, sikur u zbehën fjalët e mëdha që u thanë për poetin. Zbehja vazhdoi të rritet dhe tash në njëvjetorin e vdekjes, siç shihet ky përvjetor nuk do të shënohet ashtu siç edhe e ka merituar Podrimja. Të pakten në Gjakovë, nuk ka shenja për ndonjë organizim të mirëfilltë. Në Drejtorinë komunale për Kulturë, si institucion i thirrur për këtë rast, thonë se deri në këtë moment nuk kanë paraparë ndonjë organizim, por nuk kanë mohuar se këtë gjë mundet ta bëjnë klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. “Ne si drejtori e kemi lënë që me këtë të merret klubi letrar ‘Gjon Nikollë Kazazi’, sepse mendojmë se ata janë më të thirrur për këtë gjë. Besoj se ata do të organizojnë diçka”, ka thënë shkurt Bardhyl Oseku, shef i sektorit të kulturës në këtë drejtori.
Por, të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të këtij klubi thonë se jo gjithçka varet nga ta, sepse duhet të jetë Komuna ajo që duhet ta mbështesë këtë aktivitet. “Ne si klub gjithsesi se do të organizojmë diçka, por dëshirojmë që ky organizim të jetë sa më madhështor. Për t’u bërë kjo nevojitet ndihma financiare nga Komuna, përkatësisht Drejtoria për kulturë. Aktualisht kryetari Lekaj dhe zyrtarët tjerë janë në udhëtim jashtë shtetit dhe porsa të kthehen ne do të bisedojmë me ta për të parë se çfarë mund të bëjmë bashkarisht”, ka thënë kryetari i KL “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti.
Megjithatë, Kurti ka thënë se edhe në rast të mospërkrahjes nga ana e Komunës, klubi do të organizojë diçka, qoftë ajo edhe një manifestim modest apo ndonjë orë letrare.
E nëse njerëzit në Kosovë dhe Gjakovë mund ta kalojnë këtë përvjetor pa ndonjë aktivitet apo me ndonjë aktivitet modest, kjo nuk mund të thuhet edhe për zyrtarët e lartë komunalë, përfshirë edhe kryetarin Pal Lekaj. Një delegacion komunal i prirë nga Lekaj tashmë kanë udhëtuar për në Lodeve të Francës, qytet i cili sipas të gjitha gjasave do ta shënojë në menyrë dinjitoze këtë përvjetor.

Arbër Selmani-Ali Podrimja, poeti i shtetit që nuk e kujton

A“Shumë intelektualë të kalibrit të Enver Petrovcit janë zhgënjyer, sepse nuk kanë mundur ta gjejnë veten, në atë që u ofroi shteti ynë i ri. E arsyetoj atë që e ka thënë Petrovci, i cili ka mundur të jetë dhe ministër i Kulturës, apo të jetë drejtor i ndonjë teatri kombëtar. Por në vende të tilla, vijnë ata që nuk kanë aftësi, kështu që intelektualët nuk mund të merren me zënka, prandaj detyrohen t’ua lëshojnë udhën edhe mediokërve, të cilët i takojnë ndonjë partie apo ndonjë fisi të kamençerosëve”.
Kjo ishte përgjigjja që ai tha kur në vitin 2009 u pyet për Ministrinë e Kulturës dhe kënaqësinë që ai e gjen me angazhimin e saj, asokohe. Po në njëvejtorin e vdekjes së njërit ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë, Ministria e Kulturës e kësaj kohe nuk ka paraparë asnjë organizim që do nderonte emrin e tij, madje as diçka fare simbolike, kështu i kanë thënë gazetës të premten këshilltari i ministrit të Kulturës, Shkelzen Dragaj.
Komoditeti i tij krijues shpesh ka dalë nga zgafellja. Me vite ka krijuar në ambient të tillë, dhe më shumë rëndësi i ka kushtuar këtij komoditet, sesa atij për familjen e për jetën në përgjithësi. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare “Jeta e Re”, asokohe vetëm gjimnazist. “Lum Lumi” i të gjithë shqiptarëve ka 1 vit që nuk i qëndron pranë letrave, penës dhe mendjes intelektuale. Miqtë e Ali Podrimës kujtojnë momentet me të, një personazh serioz dhe jo i atypëratyshëm përshkruar nga rrethi, shoqëria dhe pjesa tjetër e gjurmëve serioze letrare.
“Është një humbje e madhe. Kalibri i tij krijues tek tash bie në mend, dhe tek tash mund ta ndjejmë mungesën e tij. Nuk ka asnjë emër të kalibrit të tij që mund ta zëvendësojë” thotë Ibrahim Kadriu, shkrimtar dhe një nga miqtë më të mirë të të ndjerit. Sipas tij, figura e Podrimës është emblemë e letërsisë poetike shqipe, emblemë e Prishtinës e Kosovës.
Në tubimin që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i bëri kujtimit të autorit dy ditë pas vdekjes në vitin 2012-të, u premtua një monument diku në qendër të Prishtinës, me simbolikën e Podrimajt. Një skulpturë ose shtatore e bukur që nga shtatori nuk u pa më në qendër të qytetit. Një kërkesë për Ministrinë e Kulturës kishte shkuar nga ASHAK-u, një tjetër në Komunën e Prishtinës. Asnjëra deri në këtë një vjetor të vdekjes së shkrimtarit nuk ka kthyer përgjegjjje, kështu duke e huqur lokacionin dhe financimin e projektit.
“Ai i ka caktuar vetes çdo komoditet, ka krijuar dhe askush nuk e ka menduar se atij do t'i duhej më shumë inspirim. Me vdekjen e tij, shumë njerëz kanë derdhur lot, por po të njëjtit nuk kanë bërë asgjë dhe nuk i janë afruar. Kërkesat e tij kanë qenë minimale” vazhdon Kadriu.
“Vepra e tij do të vazhdojë të jetojë. Ai ka qenë krijues serioz, qofshin ato tri vargje ai i ka menduar gjatë, dhe ka marrë edhe mendimet e të tjerëve” tregon Ibrahim Kadriu. Në mëngjesin e së premtes autori Visar Zhiti, akademiku Rexhep Ferri dhe Smajl Smaka, gazetar e publicist, kanë vizituar varret e Podrimës dhe Azem Shkrelit.
“Edhe në varreza janë fqinjë. I kujtuam me mallë dhe bëmë homazhe para këtyre dy vertikaleve të letërsisë e të kulturës shqiptare. Ali Podrimja, për mua pa asnjë dyshim bënë pjesë në kolanën e poetëve më të rëndësishëm, më të afërt, më të dashur e më të çmuar. E kam lexuar dhe jam shoqëruar me poezinë e tij që nga vitet e mia të hershme gjimnaziste dhe s’jam ndarë kurrë nga kjo poezi. Pra, një miqësi që daton me dekada të tëra dhe kurrë nuk është ndëprerë” thotë Smaka, i cili mbi figurën e poetit të ndjerë ka shkruar librin përkujtimor “Pavdekësia e Poetit”.
Në vitet '80 e '90, Podrimaj do të vazhdojë të botojë libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz”, deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999). Dikush e kishte menduar edhe idenë e emërimit të një institucioni kulturor, jo domosdoshmërisht letrar, me emrin e Podrimajt, por kjo nuk duket me vend në njëvjetorin e vdekjes. M
egjithatë, sipas Gazetës Jeta në Kosovë një monument në formë të pendës i realizuar në mënyrë moderne që paraqet flakën e krijimtarisë së Podrimjes, rreth tetë metra i lartë, ka mbetur në oborrin e ateliesë së skulptorit Luan Mulliqi. Këtë monument e kanë punuar Grupi i Skulptorëve të Kosovës që, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës, kishin kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës mbështetje për të vendosur atë diku në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Një libër që pas vdekjes së tij kishte ardhur për ta lartësuar, u diskutua fort në rrjetet sociale. Libri “Antologjia e dhembjes poetike - 101 përkushtime Podrimjes” nga poetët Nebi Bunjaku dhe Naim Kelmendi, nën përkujdesen e redaktorit Pren Buzhala.
“Kujtoj se është dashur të gjendet vendi i përshtatshëm në kryeqytetet ton,a në Prishtinë dhe në Tiranë, për vendosjen e shtatores së Ali Podrimjes, në këtë përvjetor të shuarjes nga jeta. Mbetet ky një obligim i Kosovës e i Shqipërisë, i vendlindjes Gjakovës dhe i Prishtinës ku e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. Emri i tij i bën nder çdo shkolle, instutucioni, manifestimi” tregon Smaka për gazetën.
Poeti Ali Podrimja sipas medieve kishte ndërprerë kontaktet me kolegët,miqtë dhe familjarët e tij që nga data 18 korrik,derisa po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë "Voix de la Méditerranée", në qytetin e Lodèvei, ku do të gjendej i vdekur më 21 korrik të vitit 2012.
Ali Podrimja është marrë më tepër me poezi lirike, vargjet e së cilës ,çdo herë ishin të frymëzuara dhe të lidhura ngushtë me fatin e hidhur historik të popullit shqiptar. Ndaj, në qendër të shkrimeve të tij, poeti gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare. Ndër veprat kryesore dhe më të realizuara të tij konsiderohet, vepra Lum Lumi e botuar në vitin 1982, e cila njihet si vepra më e mirë që shënoi risi edhe në mënyrën e shkrimit të poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë.

Enis Veliu-Zihet në “puf” drejtori turk i Aeroportit


Pas dorëheqjes së Ferda Yakar nga pozita e drejtorit menaxhues i Limak Kosovo International Airport , Mertol Genc është emëruar drejtor i ri menaxhues dhe ai në këtë detyrë do ta fillojë nga muaji dhjetor, thuhet në një njoftim për shtyp nga ANP-ja.

Mertol Genc, i cili është drejtor për Kosovë që nga faza e tenderimit, me sukses është përfshirë dhe ka menaxhuar të gjitha proceset e rëndësishme në projektin e Partneritetit Publiko-Privat. Genc ka filluar karrierën e tij në sektorin bankar , kryesisht në Gjermani dhe Holandë, kurse më pastaj në sektorin e aviacionit ka menaxhuar me sukses ofertat iniciale publike, blerjet e kompanive aksionare, ka menaxhuar proceset e tenderit të privatizimeve në shtete të ndryshme dhe ka punuar si ekzekutiv themelues i aeroporteve ndërkombëtare. Është i martuar dhe flet në mënyrë të rrjedhshme gjuhën angleze, gjermane, si dhe ka njohuri bazike në gjuhën frënge.(Floripress)



Foto: Zëri

Mertol Genc, drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” së bashku me Murat Dedeoglu, zyrtar i lartë në kompaninë turke “Limak”, në tetor të vitit 2009 ishin zënë nga Policia e Kosovës në njërin nga bordelet më të frekuentuara në qytet, i cili gjendej në rrugën e Dubrovnikut në Prishtinë.

ish drejtori  i Aeroportin Ndërkombëtar z.Agron Mustafa dhe drejtori i Aeroportin ndërkombëtar Mertol Genc

Këtë e konfirmon edhe vetë Policia e Kosovës, e cila sqaron se katër vjet më parë derisa po ndërmerrnin një aksion kundër një grupi trafikantësh të qenieve njerëzore, kishin hasur në dy shtetas turq në bordelin ku ushtrohej prostitucion.
Sipas tyre gjatë aksionit në fjalë janë arrestuar dy shtetas kosovarë për veprën penale të trafikimit me qenie njerëzore.“Ndërsa dy shtetasit turq kanë qenë në cilësinë e dëshmitarëve, në këtë rast dhe janë intervistuar me këtë status”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e policisë së Kosovës.


Mertol Genc

Ngjarja kishte ndodhur me datën 27.10.2009, kur kishte iniciuar një rast të trafikimit me qenie njerëzore, ndërsa kallëzimi është dërguar në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës.
 Atë kohë ishin identifikuar dy viktima të trafikimit, e të cilat janë me shtetase moldaviane.
 Vizitorë të rregullt të shtëpive publike


 Por, më tej burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në tetor të vitit 2009, drejtori aktual i Aeroportit, i cili në atë kohë ishte angazhuar në përgatitjen e studimit të fizibilitetit të Aeroportit, së bashku me Murat Dedeoglu, ishin nga vizituesit e rregullt të shtëpive publike ilegale, që në atë kohë kanë funksionuar në kryeqytet.

Murat Dedeoglu

Murat Dedeoglu

Partner at DK Infrastructure and Corporate Finance

Istanbul, Turkey 
Yatırım Yönetimi
“Policia ka vërejtur lëvizjet e dyshimta të të dyshuarve, e ku të dy së bashku ata i ka zënë në brendi të bordelit në Prishtinë. Njëri ka qenë në sallë duke pirë, ndërkaq tjetri ka qenë pa rroba në njërën nga dhomat e shtëpisë”, bën të ditur burimi i gazetës.



Më tej, burimi saktëson se menjëherë policia ata i kishte shoqëruar në stacionin më të afërt që gjendet afër objektit të Ministrisë së Arsimit në “Lagjen e Muhaxhirëve”.
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në polici, drejtori aktual i Aeroportit u ka thënë hetuesve policorë se nuk ka qenë i vetëdijshëm se objekti ku ka shkuar ai vazhdimisht ka qenë shtëpi publike, e në të cilin bëhet trafikim ilegal i qenieve njerëzore.


Ndërhyn ambasada turke
 Por, pas konfiskimit të pasaportave për dy ditë, shtetasit turq kanë ndërruar deklaratat në polici, madje ata kanë kërkuar ndihmë edhe nga zyra turke. “Ka ndërhyrë ambasada turke. Ata janë lënë të lirë dhe u janë kthyer pasaportat”, bën të ditur burimi i besueshëm i gazetës.
Por, sa kanë qëndruar në stacion policor, dy zyrtarët e lartë të kompanisë turke “Limak” janë munduar që t’i joshin policët e Kosovës, duke iu ofruar atyre pozita të larta në Aeroport pas privatizimit.
Burimi i besueshëm i gazetës më tej bën të ditur se dy shtetasit turq u kanë premtuar policëve të Kosovës se nëse do t’i lëshojnë dhe nuk do të vazhdojnë me procedura ndaj atyre ata u kanë ofruar policisë sigurimin e Aeroportit, si dhe pushime në bregdetin turk.
“Dy zyrtarët e lartë të kompanisë ‘Limak’ janë mundur që t’i bindin policët e Kosovës që t’i lirojnë sa më parë nga stacioni policor. Për të mos vazhduar ndonjë procedurë gjyqësore ndaj tyre ata u kanë ofruar shumë favore Policisë së Kosovës që nga pushimi në bregdetin turk e deri te dhënia e punëve në Aeroport”, bën të ditur burimi i besueshëm i gazetës”Zëri”. Për këtë çështje gazeta i ka dërguar pyetje edhe zyrës për media të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, por këta të fundit si zakonisht asnjëherë nuk përgjigjen.


*******




Menaxheret e kompanisë turke “Limak”, po ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj punëtorëve shqiptarë që punojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Para pak ditësh, drejtori i administratës në këtë kompani Fatos Xhelili, është shkarkuar nga puna, pasi që i njëjti përmes një e-maili ka njoftuar drejtorin dhe pronarin e kompanisë “Limak” për presionet e vazhdueshme që ata kanë në punë, nga drejtori i Financave, Alpay Dogutepe.
“Unë dua t’ju informoj se nesër nuk mund të vij në punë, sepse më duhet ta vizitoj doktorin për shkak të problemeve serioze të zemrës nga presionet dhe kërcënimet. Unë jam shumë i shqetësuar dhe i frikësuar se drejtori i Financave, Alpay Dogutepe, mund të më sulmojë psiqikisht, ashtu siç e ka treguar qëllimin e tij në zyrën e tij një orë më parë”, thuhet në e-mailin që Xhelili i ka dërguar pronarit dhe drejtorit gjeneral të Aeroportit, Mertol Genc.
“I bën për spital”
Xhelili përmes e-mailit, më tej e ka njoftuar drejtorin se nuk mund ta durojë përsëri sjelljen e tij agresive, pasi që i njëjti më shumë se 10 herë e ka kërcënuar fizikisht e psiqikisht.
“Ai më ka kërcënuar se do të ma largojë gruan nga puna. Unë nuk dëshiroj të jap dorëheqje, por unë dëshiroj të punoj në një kompani të respektuar si është ‘Limak’. Unë nuk dëshiroj të shkoj në polici për shkak të dëmtimit të reputacionit të kompanisë ‘Limak’ dhe kështu që unë dëshiroj ta gjen një zgjidhje të brendshme”, thuhet më tej në letër.
Po, ashtu Xhelili e ka njoftuar drejtorin gjeneral se drejtori i Financave, Alpay Dogutepe, ka pasur probleme serioze edhe me menaxherin e prokurimit, ku ky i fundit për shkak të sjelljeve agresive është detyruar ta vizitojë mjekun. Sipas Xhelilit, menaxheri i financave disa herë ka sjellë me shpuzore dhe telefon ndaj tij, por edhe punëtorëve të tjerë shqiptarë.
Po ashtu, i kontaktuar nga gazeta, Xhelili konfirmon se menaxherët turq po ushtrojnë dhunë ndaj punëtorëve shqiptarë. Ai thotë se është larguar nga pozita që ka pasur deri më tash për shkak se nuk ka qenë i gatshëm të nënshtrohet para menaxherëve turq. “Ata ushtrojnë dhunë në Aeroport. Unë u kam penguar, sepse nuk kam pranuar t’iu nënshtrohem atyre, por unë e kam bërë punën time. Po ashtu, në aeroport ka edhe abuzime të mëdha financiare. Prania ime, atyre u ka penguar sepse nuk kanë mundur të bëjnë çfarë kanë dashur vetë”, tha ai për gazetën “Zëri”.



Koncesionari shkel kontratën
Sipas tij, këto situata thuajse kane qenë të vazhdueshme që nga momenti kur Aeroporti është marrë në menaxhim të kompanisë turke. Po ashtu Xhelili thotë se vitin e kaluar atij në mënyrë kundërligjore i është zvogëluar paga për 700 euro. Ai thotë se me kontratën e partneritetit mes Qeverisë dhe Aeroportit, pagat nuk kanë guxuar të preken deri në prill të vitit që vjen, atëherë kur behën tre vjet prej kur kompania e ka marrë në koncesion Aeroportin.
Xhelili thotë se për këtë çështje e ka angazhuar avokatin e tij, i cili do ta paditë kompaninë “Limak” për shkëputje të jashtëligjshme të kontratës.
Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe zyrës për media në Aeroport, por këta të fundit nuk janë përgjigjur. Po ashtu, kontakti ma ta ka qenë i pamundur edhe përmes telefonit. E në vendimin për shkëputje të kontratës mes Aeroportit dhe Fatos Xhelilit thuhet se këtij të fundit i ndërpritet kontrata e punës me efekt të menjëhershëm për keqsjellje serioze disiplinore. Më tej thuhet se Xhelili pas marrjes së këtij vendimi do të shkarkohet nga të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë.
“Kompania ka regjistruar se kjo nuk është hera e parë që ju jeni involvuar në ngjarje dhe keqsjellje ofenduese ndaj anëtarëve tjerë të menaxhmentit. I referohemi ngjarjes së pakëndshme që ka ndodhur më datë 6 qershor 2013, përcjellë me e-maila shpifës, përgojues duke ofenduar menaxhmentin e kompanisë ‘Limak’. Reagimi dhe dështimi i juaj që të ndryshoni qëndrimin për kompaninë tregon se ju nuk jeni në gjendje të adaptoheni brenda rregullave dhe kodit tonë të sjelljes. Kjo sjellje e ka dëmtuar besimin e kompanisë ndaj jush deri në masë të pandreqshme”, thuhet në vendimin për shkëputje të kontratës.
Menaxhmenti turk i Aeroportit
Drejtori Gjeneral: Mertol Genc
Drejtori Financiar: Alpay Dogutepe
Drejtori i IT-së: Korhan Say?mc?
Drejtori i Operimeve Omer Sozener
Drejtori Komercial: Hülya

Jugonostalgjia, ose krimi i opinionistëve, i analistëve dhe i kolumnistëve



Arben Veselaj

Nuk kaluan as 24 orë që prej se u bë i ditur një shkrim i “analistit” Fatos Lubonja, i cili vargut të deklaratave dhe qëndrimeve të tij antishqiptare ia shtoi edhe një tjetër, s’u vonuan dhe arritën edhe reagimet e para të “analistëve” të tjerë edhe në Kosovë. Se çka e ka shtyrë Lubonjën të thotë në revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, se Ramush Haradinaj është një vrasës që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve, kjo nuk do të lodhë fort kokën, kur dihet se ai është një shule (vllah), që po vdes nga meraku t’ua bëjë një favor të ri sivëllezërve të tij serbë, por zor po e kam ta marrë vesh me tamam se çka e shtyu “analistin” e “Express”-it, Arben Idrizin, t’i bjerë në qafë heroit kombëtar të Kosovës, Adem Jasharit?
Pas leximit të shkrimit të A. Idrizit te “Express”-i, “Mbi vrasësit e tjerë”, mendimi i parë që më erdhi në mend ishte: si ka mundësi që një medie, e cila pretendon të jetë serioze, në emër të shprehjes së mendimit të lirë, t’i bëjë një shërbim fyerjes, gënjeshtrës dhe t’i japë hapësirë një spekulimi kaq idiot që Idrizi i bën kryeheroit të Kosovës, Adem Jasharit?
(“Askush nuk guxon të thotë se ai që konsiderohet ‘legjendë e gjallë’, ‘komandant legjendar’, etj., Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”.) - citat nga shkrimi i A. Idrizit.
Bah... këtë ka “guxuar” ta thotë vetëm A. Idrizi, si më i “guximshmi” dhe më i “mençuri” shqiptar që ecën trotuareve të Prishtinës! “Guxon” Arben Idrizi, sepse ai, (vetëdijshëm ose pavetëdijshëm), është pjesë e një lufte të poshtër, tinëzare dhe qyqare, që sot po e bëjnë turmat jugonostalgjike, duke fyer dhe poshtëruar shqiptarët e Kosovës dhe shtetin e tyre, deri atje ku nuk ka ku shkon më.
Mbase kjo punë duket se nuk është edhe kaq e thjeshtë. Turmës antishqiptare jugonostalgjike iu kanë shtuar edhe një tufë komunistësh të bashkuar nga disa vende evropiane që në emër të “rendit dhe ligjit” nën siglën e misionit të Bashkimit Evropian-EULEX, po e vënë në kryq luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së.
Në këtë situatë A. Idrizi dhe shumë idrriza të tjerë i janë sulur pabesisht dhe pas shpinës kauzës së madhe të UÇK-së, për t’ia mohuar dhe zhbërë dinjitetin dhe lirinë popullit të Kosovës.
Nuk është aq i paditur A. Idrizi sa të mos e kuptojë se lufta e Adem Jasharit nuk është mit, por një e vërtetë që ka ndodhur për gjallje të tij, por është “bisha” serbe që fle në ndërgjegjen e disa shqiptarëve ajo që nuk po e duron këtë fakt. Me moton: shqiptarët s’kanë dinjitet, s’kanë shtet, s’kanë vlera, s’kanë heronj - kjo turmë jugonostalgjikësh po synojnë ta krijojnë opinionin se lufta e UÇK-së është banditeske dhe heronjtë e saj kanë qenë kriminelë ordinerë, për ta zhbërë më në fund shtetin të cilin e ka krijuar kryengritja e armatosur dhe kauza politike e UÇK-së.
“Bisha” serbe ende rri zgjuar në ndërgjegjen e disa shqiptarëve jugonostalgjikë, të cilët me gjithçka mund të pajtohen por assesi të jetojnë në një shtet ku nuk flitet serbisht dhe nuk ka serbë. Kjo turmë që sot e ka bërë idol (hero) Nazim Bllacën (tradhtinë), duhet ta dijë se UÇK-ja dhe heronjtë e saj nuk lidhen me emra personash që asaj ia kanë dëmtuar rëndë imazhin, por është një kauzë e madhe humaniste dhe liridashëse që e ka mbyllur kapitullin më 12 qershor të vitit 1999.
Nëse disa nga kryeprotagonistët e kësaj lufte sot janë katandisur në krim, korrupsion, reket e dukuri të tjera kriminale, dhe aq u bënë kur lufta e UÇK-së dhe heronjtë e saj përdhosen nga palaçot me kasketë, kjo nuk do të thotë se disa protagonistë të tjerë të thjeshtë, një plejadë intelektualësh të heshtur që nuk janë pjesë e sistemit të korruptuar shtetëror, do të dorëzohen para kësaj lukunie.
Nëse A. Idrizi ka heronj të tjerë (jugonostalgjikët rëndom janë të frymëzuar nga filmat e Emir Kusturicës dhe atë e mbajnë për baba të kësaj fryme), le t’i rrojnë ata, ama heronjtë e shtetit në themelet e të cilit ndryn gjaku i mbi dy mijë dëshmorëve që kanë pasur ideal lirinë dhe pavarësinë e Kosovës - nuk ka të drejtë t’i fyej në një medie që ushtron veprimtari publike në shtetin e Kosovës.
Në emër të një antikonformizimi të shpifur ndërgjegjja kombëtare dhe njerëzore e shqiptarëve të Kosovës është plandosur për tokë nga një kastë patetikësh që po synon ta poshtërojë lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar, historinë dhe kulturën e tij, njerëzit e thjeshtë dhe heronjtë. Për të arsyetuar tezat tyre (tezat serbe) se shteti i pavarur i Kosovës nuk mund të funksionojë, jugonostalgjikët po synojnë krijimin e një mendësie (doktrine) kundër shtetit të Kosovës, sa që do t’ia kishin lakmi edhe vetë etërit e nacionalizmit serb që prej Garashaninit e deri tek Millosheviqi.
Është turp i madh që në kapërcyellin e këtyre 14 vjetëve pas plojës serbe mbi shqiptarët, tema e masakrës serbe mbi shqiptarët nuk u bë kurrë subjekt këtyre “analistëve” dhe “kolumnistëve” që po krijojnë opinionin (vetëdijen) qytetar në Kosovë.
Por, a e dinë këta zotërinj se shteti të cilin po e adhurojnë aq shumë (Serbia) vetëm brenda një viti i ka prerë në fyt 1386 fëmijë shqiptarë të Kosovës (nuk po i përmend këtu krimet tjera të serbëve mbi shqiptarët), dhe pse këto fakte nuk po i përmendin kurrë?
Autori është gazetar dhe veteran i UÇK-së

Në Prishtinë, më 18 korrik 2013
P.S.
Këtë reagim e kam dërguar në adresën e postës elektronike të portalit Express dhe në adresa të shumicës së redaktorëve të tij, por ata nuk e kanë edituar. Mendoj se kolegët e Express-it ose nuk e njohin, ose e kanë keqkuptuar, ose nuk duan t’ia dinë për konceptin e lirisë së medias dhe të mendimit të lirë.
**Prishtinë,  19 korrik 2013*

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...