Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/20

Agron Shala: Per dramen “Pushkatimi” te Ekrem Kryeziut

EKREM KRYEZIU
 Në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës, u dha premiera e shfaqjes “Pushkatimi”, me tekst dhe regji të Ekrem Kryeziut. Është kjo një dramë me një fillim dhe një fund që bazohet në një
ngjarje reale. Gjithçka tjetër është imagjinatë.
Juristi dhe gastronomi francez, Anthelme Brillat-Savarin, ka thënë: “Më trego se çfarë han, dhe unë të tregoj se kush je”. Stefano Zecchi, profesori italian i estetikës e revidon këtë thënie në kontekstin modern, në “njeriu është ai çka sheh”. Kryeziu në këtë dramë e jep një version të mundshëm të shtjellimit të një rrëfimi të vërtetë: të një të dënuari me vdekje dhe të mbijetesës së tij. Por, e mira është që ky shtjellim lë hapësirë për interpretime, sipas bindjeve e përvojave të ndryshme jetësore, varësisht se kush çfarë është, e çfarë sheh!
Drama përqendrohet tek Luani, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kishte lënë Holandën, bashkë me të dashurën e tij Blerinën, për t’ju bashkuar luftës kundër forcave serbe në Kosovë.
Luani është ëndërrimtar, siç do të duhej të ishte çdo ushtar. Ai i bashkohet forcave të UÇK-së, për të përjetuar ditë më të mira për vendin e tij, për dashurinë e jetës së tij dhe për fëmijën që ai dhe Blerina e presin. Por, ëndrrat e tij përnjëherë shuhen, e edhe të Blerinës e cila shpresonte ta lindte një vajzë, sepse “mbas luftës vajzat mund ta bëjnë botën më të bukur, më njerëzore…”!
Çdo ushtar e ka vdekjen më afër se uniformën e tij, por shumë larg vdekjen nga një dënim i forcave pjesë e të cilit ai është. Ky është paradoksi me të cilin në rrethana të caktuara ballafaqohen shumë njerëz. Paradoksi i tillë, i mbijetesës dhe i vdekjes, haset edhe në fund të kësaj drame, me një vdekje të kotë e të pakuptimtë, sikur për të na bërë me dije se asgjë në këtë jetë nuk është e sigurt dhe se jeta e vdekja nuk përcaktohen nga ligjet tokësore.
Luani, luftëtari i UÇK-së, dënohet me vdekje nga gjykata e ushtrisë së cilës i takon. Se, a ka qenë i gabueshëm ai, apo vendimi i dikujt tjetër për dhënien fund të jetës së tij, këtë përgjigje Kryeziu nuk e jep. Jo vetëm pse përgjigja do të shndërrohej në një debat të pafund pro et contra, që nuk do të përkonte as me konceptet e tij letrare, por edhe për faktin se janë vetëm gjykatësit ata që përcaktohen për një verdikt, mes dy të vërtetave të mundshme në rrethana të pamundshme. E, Ekrem Kryeziu, që ka qenë vet viktimë e verdikteve “juridike”, po ashtu e ka të vështirë t’ia vë vetes këtë rol.
Luani dënohet me vdekje. Kjo është kryesorja. Dhe, kryesorja do të duhej të ishte ekzekutimi i dënimit apo anulimi i tij. Sipas kësaj logjike, Luani konceptohet si personazhi kryesor, sepse tërë drama bazohet në fatin e tij jetësor.
Por, a “sillet” çdo gjë rreth tij?
Përgjigja është jo. Në fakt është gjykatësi ai i cili do të duhej të perceptohej si personazhi kryesor i dramës, sepse ai e ka në dorë jetën e Luanit. Gjithçka “sillet” rreth gjykatësit. Atij i është besuar roli i më të fortit, i më të dijshmit, i më të pagabueshmit.
Por, a janë të tillë njerëzit, apo Zoti?
Gjykatësi, Flamur Dreni, e ka nofkën Orëtari. Ai shqetësohet për një orë të vjetër, që nuk ecën si duhet. Prindërit e tij ishin ekzekutuar dikur nga regjimi jugosllav. Ai, i mbetur jetim, rritet nga një familje orëtarësh.
Duke u bazuar në përvojat njerëzore, dhe konceptet psikologjike, thuhet se: “Nëse një fëmijë rritet me kritikë, mëson të dënojë; nëse një fëmijë rritet me dhunë, mëson të godasë; nëse një fëmijë rritet me ironi, mëson të jetë i turpshëm; nëse një fëmijë rritet me turp, mëson të ndihet fajtor; nëse një fëmijë rritet me tolerancë, mëson të jetë i qetë; nëse një fëmijë rritet me inkurajim, mëson të ketë besim; nëse një fëmijë rritet me ndershmëri, mëson drejtësinë; nëse një fëmijë rritet me përgjegjësi, mëson të jetë besnik; nëse një fëmijë rritet me miratimin, mëson të pranojë; nëse një fëmijë rritet me pasuri (të pa kontrolluar), mëson se çdo gjë ka vlerën e parasë dhe se jeta mund të blihet; nëse një fëmijë rritet me pranimin dhe miqësinë, mëson të gjejë dashurinë kudo në botë”!
Diçka nga këto i kishte e nuk i kishte jeta e Orëtarit. Ai u rrit në një regjim ku kishte kritikë, dhunë e mungesë miratimi. Prandaj, ai dënon, godet dhe e ka të vështirë të mësojë të pranojë, në këtë rast mendimin ndryshe, apo realitetin ndryshe. Ç’ është më e keqja, “ora” e tij është e vjetër dhe është ndalur, mbase në të kaluarën. Ndërsa, sipas Sigmund Freudit, traumat e fëmijërisë e përcjellin njeriun gjatë tërë jetës. Ndoshta për këtë fakt ai nuk është martuar dhe nuk ka fëmijë, sepse nuk ka dashur “të lë fëmijë bonjak”, si veten e tij.
Gjithçka është e mundur, por kryesorja është se ai nuk ka fëmijë. Ndërsa, kur lind fëmija, lind edhe dashuria. Kjo është një pasuri që atij i mungon.
Dikush mund të thotë se ai po e kryen detyrën e tij, sepse i ka dalë në mbrojtje kauzës së luftës. Por, a nuk është çdo luftë me gabime? Pastaj, a është lehtë të dënohet bashkëluftëtari, i cili deri dje ishte pjesë e kauzës së përbashkët kombëtare?
Gjykatësi në thelb do të duhej ta urrejë dënimin me vdekje, sepse ky dënim e bëri atë bonjak. Për të ky dënim ishte i njëjtë kudo dhe kurdo, prandaj e krahason komunizmin jugosllav me komunizmin në Shqipëri. Dallimi i vetëm për të ishte se prindërit e tij “u varrosën nga rojet serbe, e në Shqipërinë komuniste të pushkatuarit varroseshin nga shqiptaret”.
Kështu do të varrosej edhe Luani, fal verdiktit të tij, e fëmija i tij do të mbetej bonjak, njëjtë siç mbeti bonjak Flamur Dreni dikur!
Libri i shenjtë i Talmudit – i ligjeve, zakoneve dhe moralit hebre – thotë: “Kushdo që shkatërron një shpirt, përfillet sikur ta kishte shkatërruar tërë botën; kushdo që kursen një jetë, përfillet sikur ta kishte shpëtuar një botë të tërë”. Gjykatësi ishte përcaktuar për të parën: të shkatërronte ëndrrën e Luanit, botën e prindërve të tij dhe të fëmijës që pritej të vinte në jetë. Nëse fjala e urtë popullore shqiptare “në dorë të Zotit” nënkupton se jeta dhe vdekja varen nga fuqia supreme, këtë rol gjykatësi ia atribuoj vetes: jeta e Luanit është “në dorë” të tij!
Bota demokratike perëndimore e ka pezulluar dënimin me vdekje, jo vetëm për shkak të bindjeve fetare. Dënimi me vdekje është krim, qoftë nëse kryhet nga individi, qoftë nga një institucion shtetëror. Dënimi me vdekje nuk mund të korrigjohet pas zbatimit dhe i dënuari me meritë nuk mund të reflektojë mbi jetën e tij, për të lënë testamente pendese tek të tjerët. Ky dënim nxitë edhe shpagimin e dëmit, sipas Ligji i Talionit të Hammurabit: “Sy për sy dhëmbë për dhëmbë”. Vdekja e Luanit do të krijonte probleme tek fëmija e tij, e madje urrejtje deri në hakmarrje. Në këtë rreth vicioz, që nuk duket në një moment, e ka futur veten Flamur Dreni.
Dikush mund të thotë se gjykatësi e ka kryer detyrën e tij, s’e ka zbatuar atë që ka mësuar nga librat e jurisprudencës. Por, ky besim i verbër ngjan me deklaratën që një nga ideologët e Holokaustit, Adolph Eichmann, kishte dhënë gjatë gjykimit të tij në Izrael: “Po të më thoshin se babai im është tradhtar dhe se unë duhet ta vrisja – do ta bëja këtë. Në atë kohë jam bindur ndaj urdhrave pa u menduar. Kam bërë atë që më është thënë (ta bëj)”!
Po i japim këto shpjegime për t’u munduar për ta zbërthyer vendimin e gjykatësit. Siç e cekëm më herët: fillimi dhe fundi i kësaj drame është i bazuar në ngjarje të vërtet. Dhe, siç tregojnë rrethanat e vërteta të përfundimit të kësaj historie: gjykatësi e pezullon vendimin e tij. Pra, kishte marrë një vendim të ngutshëm!
Në këtë aspekt, trajtimi i kësaj teme, nga lufta e UÇK-së, paraqet një guxim. Kryeziu merret me një temë të ndjeshme, të pazbërthyer si duhet, e të interpretuar në mënyra të ndryshme. Kryeziu përmes dramës “Pushkatimi” i thyen edhe mitet e shumta shqiptare. Ai i paraqet bashkëkombësit e tij të zhveshur nga aureolat romantike: ata janë njerëz, të vdekshëm e të gabueshëm.
Duke e analizuar transicionin e femrës në Evropë në pjesën e parë të shekullit XX, Carl Gustav Jung thotë se duke u bërë femra anëtar i dukshëm i shoqërisë, ka marrë nuanca të psikologjisë maskuline. Ai madje përmend termin “të bëhesh i zi”, sipas së cilës evropianët nuk mund të jetojnë të padënuar në mesin e zezakëve të kolonive në Afrikë, sepse pa vetëdije psikologjia e tyre futet tek ta.
Ndonëse pothuajse përherë të pushtuar, nuk ka pra se si te shqiptarët të mos jetë ngulitur edhe psikologjia e nënshtruesit. Kështu, shqiptarët e Kosovës nuk janë as më të mirë e as më të këqij se të tjerët, por janë rrethanat që ata i bënë të jenë viktimat më të mëdha të luftës, e edhe të pasluftës nga “pushtuesit” e rinj vendorë. Ndërsa, krimi është krim, pavarësisht nga kush kryhet: qoftë nga komunizmi i ish Jugosllavisë, qoftë nga komunizmi i Shqipërisë; qoftë nga fashizmi i Serbisë së viteve’90, qoftë nga “demokracia” e Kosovës në shekulli XXI. Varrmihësit mund të jenë të ndryshëm, por ekzekutorët janë të njëjtë!
Me këtë fat është ballafaquar edhe autori i dramës, Ekrem Kryeziu. Ai është persekutuar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, si nacionalist, nga elita komuniste jugosllave, e po ashtu edhe nga elita komuniste shqiptare e Kosovës, e qytetit të tij të origjinës, për faktin se ishte trashëgimtar i një familjeje bejlerësh që rrezikon privilegjet e tyre.
A nuk janë këto dëshmi të mjaftueshme, që edhe lufta e fundit e jona për liri duhet të shihet me sy kritik, në këtë rast përmes mënyrës se si është ndërtuar karakteri i një gjykatësi i cili është produkt i rrethanave të ndryshme historike e politike? Apo ndoshta përmes fatit dhe kontekstit familjar të Luanit, për të mësuar nga e vërteta objektive e për të mos i përsëritur gabimet, si shoqëri, në të ardhmen.
Babai i Luanit është një burrë që pajtohet lehtë me fatin. Është i paguximshëm të ballafaqohet me të birin e dënuar, edhe nëse kjo do të jetë hera e fundit që do ta shohë. Ai “jeton në histori, më shumë se në realitet”; kërkon distancë, sepse “vetëm pas distancës së konsideruar kohore, do të dimë t’i çmojmë bëmat dhe shkarjet tona”, e jo të jetë pjesë e atyre të bëmave, evitimit apo shmangies së shkarjeve.
Ndërsa, nëna e tij, së cilës po ashtu komunistët jugosllavë ia kanë vrarë babën, ishte përcaktuar për profesionin e matematikanës, me shpresën se shkenca ekzakte do ta shpëtojë nga politika.
Në këtë rreth ka lindur e është rritur Luani: në mes të kalkulimit ekzakt dhe vlerësimit nga distanca. Por, u përcaktua për veprim të menjëhershëm, duke shmangur distancën, pa çka se kalkulimet për luftën nuk janë kurrë ekzakte, siç nuk janë ekzakte as kalkulimet për kahet që merr jeta. Ai kishte guximin, shpresën dhe ëndrrën, ndërsa akuzohet se tek të tjerët i ka vrarë ato! Prandaj, duhet të vdes!?
Gjykatësi me gjakftohtësi ia kumton nënës së Luanit verdiktin e tij, sepse nuk mund të reflektojë si ajo. Ai më shumë interesohet për mungesën e burrit të saj, që në një mënyrë e atribuon si mungesë burrërie, sesa për prezencën e një nëne që ndoshta për herë të fundit e sheh të birin e vetëm.
Ora e vjetër e Orëtarit ka ngecur. Thjesht, nuk ecën me kohën. Ai jeton në të kaluarën, ndërsa komplekset e vjetra i shëron nga pushteti që rrethanat e luftës ia dhanë: të jetë ai që shkruan certifikatat e vdekjes.
Ai në një mënyrë arsyeton çdo vendim të tij, mendon se kishte të drejtë gjithnjë. Kjo vërehet sidomos tek debati me babanë e Luanit, shoku i tij i studimeve. Orëtari beson verbërisht se ligji është etalon, pa çka që ato ndryshuan në shumë etapa të jetës së tij.
Por, ndoshta ai kërkon përgjigje, kuptimin e jetës, rrugëdaljen nga labirinti i jetës së tij. Ndoshta po mundohet ta rregullojë orën, për të mirën e përgjithshme, ashtu siç ai mendon se duhet.
Gjithçka është e mundur…
Poeti dhe autori anglez i himneve fetare, William Cowper , thoshte: “Zoti vepron në mënyra të mistershme”!?
Cowper vuante nga depresioni. Ai donte ta mbyste veten në ujë në lumin Temzë të Anglisë. Por, mjegulla e dendur e çorientoi karrocierin e tij. Pas shumë ecejakeve, Cowper kërkon të dal. Papritmas, e gjen veten para shtëpisë së tij.
Bazuar në këtë përvojë, Cowper thuhet se e shkroi himnin “Drita shndritë nga errësira” që fillon me fjalinë e sipërpërmendur, e që është përgjigja më e shpejtë që dikush mund ta marrë ndaj pyetjeve që nuk kanë shpjegim shkencor dhe që vënë në dyshim vërtetësinë e rrëfimeve biblike.
Kështu mund të shpjegohet edhe shpëtimi i Cowperit nga vetëvrasja. Zoti e dërgoi mjegullën që ai të shpëtoj! Në momentet më të errëta, Zoti u kujdes për të! Rruga drejtë vetëvrasjes u “bë” rruga që shpie drejtë pragut të shtëpisë së tij!
Sulmi i forcave serbe bëhet shkas për ta liruar Luanin, për ta “larë” e dëshmuar veten në idealin për liri. Ai ishte me fat në një fatkeqësi të përgjithshme. Sepse, mbijetoi dhe e lau “mëkatin” që kishte bërë. Lufta mbaroi, ai jeton, e një familje e re lindë.
Ballafaqimi mes të dënuarit dhe gjykatësit, është ballafaqim i dy të vërtetave të mundshme, dy gabimeve të mundshme. “Pushkatimi” dëshmoi se siç bëjmë gabime në shtetndërtim, gabime kemi bërë edhe në luftë. Por, të shohësh me sy kritik diçka, nuk do të thotë se je kundër saj, në këtë rast luftës sonë për liri. Përkundrazi, në fund të dramës fiton humania, ashtu siç ishte edhe ideali fillestar i kësaj lufte; ashtu siç do të duhej të ishte edhe sot…
Inskenimi i kësaj drame, nga lufta e fundit e shqiptarëve të Kosovës për liri, është guxim, siç ishte guxim edhe drama “Përplasjet” që demitizon ish të burgosurit në regjimin e ish-Jugosllavisë, sepse jo çdo i burgosur përkonte si duhet me kauzën kombëtare. Guxim po ashtu është të jepen vlerësime të ndryshme për karakteret në këtë dramë të Kryeziut. Tekefundit, lufta është bërë kundër robërisë, e kjo nënkupton edhe debatin për të folur lirshëm e pa frikë, si për luftë, ashtu edhe për lirinë që pasoi.

Aida Tuci: Historia e Testamenteve nga Konica te Trebeshina

Kasëm Trebeshina e shkroi testamentin e tij në dy kohë. Ishte i qetë që dorëshkrimet dhe testamentin e kishte lënë në duart e sigurta të mikut të tij Llambi Blido. Mit’hat Frashëri e shkroi testamentin 20 vjet para se të ndahej nga jeta dhe e depozitoi në Gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Testamenti i Konicës për një kohë të gjatë “lundroi” mes dyshimesh nëse ishte trillim apo i vërtetë
Historitë e mbijetesës së dorëshkrimeve janë nga më të ndryshmet. Sidomos kur koha që ndan shkrimin nga botimi është e gjatë. Në një moment të tillë shkrimtari nis e mendon për të ardhmen e dorëshkrimeve të tij. Kasëm Trebeshinës iu deshëm afro 35 vjet për këtë. Gjatë viteve kur shkrimtari nuk arrinte të komunikonte me lexuesin për shkak se letërsia e tij shkonte në kahun e kundërt me letërsinë zyrtare të kohës, mendoi të linte dhe testamentin e tij. Pavarësisht arrestimeve dhe burgimeve të njëpasnjëshme, shkrimtari me sa dukej shihte një dritë në fund të tunelit dhe shpresonte që një ditë vepra e tij do të botohej. E mikluar nga kjo ide, ulet dhe shkruan testamentin e trashëgimisë më të vyer për të: dorëshkrimet. Kështu bëri Kasëm Trebeshina. Por si çdo testament duhej gjetur vendi dhe njeriu i duhur për t’ia besuar atë. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë, Trebeshina ia besoi ruajtjen e dorëshkrimeve e testamentin e tij mikut më të ngushtë, piktorit Llambi Blido. “Ishin kohë të vështira. Në një moment ku vala e arrestimeve kishte filluar u tremba dhe unë dhe mendova t’i largoja nga shtëpia ime dorëshkrimet dhe testamentin që më kishte besuar Kasëmi”, – kujton Llambi Blido në intervistën e tij për MAPO-n”. Mitrush Kuteli në letër-testamentin e tij të gjatë për bashkëshorten Efterpi shkruan ndër të tjera: “Askush të mos më prekë dorëshkrimet e para se të më rritet djali. I vini në arkë, i mbyllni”. Mit’hat Frashëri ishte vetëm 49 vjeç kur shkroi testamentin e tij 20 vjet para se të vdiste. E depozitoi testamentin më 4 mars të vitit 1929 në Gjykatën e Tiranës. Kopje të testamentit të tij u dorëzoi edhe disa të besuarve miq të tij të ngushtë. Ndër të tjera në testamentin e tij Mit’hat Frashëri shkruante se gjithçka që ai trashëgonte libra, dokumente, dorëshkrime deri dhe mobiliet i linte për krijimin e “Institutit të Albanologjisë”.
Kasëm Trebeshina ia dorëzoi testamentin dhe dorëshkrimet mikut më të ngushtë, që i fshehu në shtëpinë e tij për t’ia kthyer ditën që do të dilte nga burgu
Llambi Blido: Dorëshkrimet dhe testamentin e Trebeshinës i fsheha në dollap
Kasëm Trebeshina e shkroi testamentin e tij në dy kohë. Në vitin 1975, kur shkroi pjesën e parë të testamentit, ai kishte renditur rreth 103 dorëshkrime origjinale të veprave të tij. “Dy ose tre vjet më vonë- kujton piktori Llambi Blido- më solli dhe pjesën e dytë të testamentit dhe disa dorëshkrime të reja”. Në jetën e tij të trazuar Trebeshina ishte i qetë për një gjë, që dorëshkrimet dhe testamentin e tij e kishte lënë në duar të sigurta. Po si dhe ku u ruajtën ato? Rrëfehet në këtë intervistë Llambi Blido.
Pse jua besoi dorëshkrimet dhe testamentin e tij Kasëm Trebeshina?
Ishim miq të ngushtë dhe takoheshim vazhdimisht. Gjatë këtyre takimeve më kishte lënë një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, kryesisht e lidhur dhe e daktilografuar, përfshirë dhe testamentin. Testamentin e Kasëm Trebeshinës e kam patur unë për shumë vite në shtëpinë time. Madje testamentin ma ka lënë në dy kohë, se i bëri një shtesë, me sa kujtoj, dy ose tre vjet pasi ma dha. M’i la në besim shumë vite para se të binte në burg.
Po pse, kishte parandjerë ndonjë rrezik?
Ai gjithmonë ishte në rrezik. Mendoj se Kasëmi ishte një njeri serioz, që i mendonte gjërat mirë. Arrestimi u bë shumë vite më vonë, kur i shkroi promemorien Enver Hoxhës, dhe e njëjta letër iu dërgua kopje edhe Mehmet Shehut. Refuzonte të votonte. Në kohën ku u arrestua, dorëshkrimet dhe testament ndodheshin në shtëpinë time dhe unë i kam mbajtur aty derisa ai doli nga burgu, kohë dhe kur ia dorëzova të zotit gjithçka që më kishte lënë.
Nuk erdhi njeri t’jua kërkonte?
Nuk e dinin se i kisha unë, se po ta dinin, do më merrnin mua bashkë me dorëshkrimet. Në atë kohë mund të hyje në burg për gjëra shumë të vogla, e jo më ta dinin se mbaje dorëshkrimet dhe aq më tepër testamentin e një ‘armiku’ siç konsideronin Kasëmin.
Ku i mbaje të fshehura?
Në një dollap të vjetër rrobash. Po qe se do e merrnin vesh se unë ato dorëshkrime i kisha në shtëpi, nuk do kishin problem për t’i gjetur. Madje ka qenë një moment i vështirë kur unë u tremba vërtet, sepse kishin filluar të bëheshin arrestime njëri pas tjetrit. Në këtë valë arrestimesh vajta dhe trokita te një miku im tjetër, nga ata miq që i beson gjithçka. Ai është Burhan Cami. Ishte një pasdite dimri. “Jam në hall, – i thashë mikut tim, – se kam në shtëpi dorëshkrimet dhe testamentin e Kasëmit. Si t’ia bëjmë, se kam frikë se mos m’i gjejnë… U shqetësua dhe ai por megjithatë vendosëm që t’i sillja në shtëpinë e tij dhe t’i fshihnim në tavan. Ai kishte shtëpi private dhe tavani konsiderohej si vendi më i fshehtë i shtëpisë. Por siç ndodh me çdo njeri, ai momenti i parë i frikës sikur filloi të më dilte dhe nuk i çova dorëshkrimet edhe pse ai u tregua shumë i gatshëm që t’i fshihte.
Thatë se testamentin e shkroi në dy kohë. Kur jua solli pjesën e dytë të testamentit?
Ka qenë një moment krejt i veçantë. Kasëmi në shenjë proteste reagonte shpesh me greva urie. Zakonisht ai vinte tek unë në fundjavë, por atë ditë erdhi në mesjavë, me sa mbaj mend ka qenë ditë e enjte. Kjo ishte e papritur për mua. Ishte dyllë i verdhë dhe i tensionuar. Me këtë rast solli dhe pjesën e dytë të testamentit. “Llambi, erdha të takohem se ku i dihet, mund të jetë takimi i fundit”, – më tha. U drodha nga fjalët e tij dhe e pyeta se çfarë kishte ngjarë. Më zgjati pjesën e dytë të testamentit dhe më tha: ‘Këtë do t’ia bashkëngjitësh pjesës së parë që të kam lënë”. Kishte bërë ca ndryshime të natyrës që: Në qoftë se familjarët e mi, gruaja, djali, vajza nuk janë të interesuar për të trashëguar veprën time, atëherë unë ia lë nipit tim. Nëse as nipit nuk i intereson, ua lë shokëve të mi të ngushtë. Atij shoku që dëshiron ta ketë veprën time”. Kjo ishte shtesa. Bashkë me këtë më solli dhe disa dorëshkrime të tjera që unë nuk i kisha. Pas insistimit tim për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur, mësova se ai kishte dëgjuar nga dhoma që i shërbente si studio në shtëpi një bisedë mes familjarëve të tij, dhe ndonjëri me fjalët që ka thënë do e ketë fyer etj. Nga ai moment pa u thënë asgjë familjarëve ai kishte vendosur të priste ushqimin. Kur erdhi tek unë për të më sjellë pjesën e fundit të testamentit duhet të kishte kohë pa ngrënë. U përpoqa t’i ndërroja mendim, por kur ai merrte vendim ishte i patundur. Shkova të takoja bashkëshorten që punonte financiere në fermën ‘Gjergj Dimitrov’. Ajo më shpjegoi gjendjen dhe nuk gjente dot rrugëdalje. U ndamë pa asnjë zgjidhje. I vajta dhe një herë të dytë në shtëpi pas disa ditësh dhe gjendja e tij ishte rënduar shumë. Papritur një ditë filloi të hante. Çfarë kishte ndodhur? Nipi i vogël kishte shkuar ta ushqente me lugën e tij dhe ai kishte filluar të hante nga dora e të nipit. Nga ky gjest i të voglit ishte prekur aq shumë, sa kishte hequr dorë nga greva e tij e urisë. Kasëm Trebeshina ishte karakter i vështirë në përgjithësi.
Testamenti i Kasëm Trebeshinës
 “Përpiluar nga unë, Kasëm Trebeshina, sot, më datë 6. 11 .1975, me qëllim që pas vdekjes sime të gjitha të drejtat mbi dorëshkrimet e mia t’i kenë gruaja ime, Zydie, dy fëmijët e mi, Tatjana dhe Artani, dhe, kur të arrijë moshën madhore, nipi im, Ariel Zarshati. Vullneti im është si më poshtë: Do të jepet për botim, në çdo kohë që të kërkohet, vetëm romani “Kënga Shqiptare” dhe pas botimit të tij, “Fshati mbi shtatë kodrinat”. Gjë tjetër nuk do të jepet, cilido që të jetë ai që e kërkon. Kjo rezervë do të mbahet gjersa në Shqipëri të hartohet një program i vërtetë arsimor me një thellim të domosdoshëm në letërsi, gjë që do ta bëjë të kuptueshme veprën time në tërësi. “Kënga Shqiptare” dhe “Fshati mbi shtatë kodrinat” mund të jepet sipas radhës që tregova më sipër, vetëm duke marrë garanci të plotë se nuk do të preket as edhe një gërmë. Ai që e do veprën time, do ta marrë pa vënë dorë në të. Kësaj porosie trashëgimtarët e mi do t’i përmbahen duke hedhur poshtë çdo leverdi ekonomike. Korrektura mund të bëhet në bazë të rotografisë që do të jetë në zbatim në kohën e botimit të veprës. Nuk do të preken në asnjë mënyrë shenjat e pikësimit dhe do të ruhet distance midis fjalëve, vendosur prej meje. Trashëgimtarët e mi, të përmendur më sipër, si dhe gjithë nipërit dhe mbesat që do të vijnë më vonë, gëzojnë të gjitha të drejtat e honorareve të veprave të mia dhe nga ana e pagesës janë të lirë të vënë kushtet që do t’u duken më të leverdisshme për veten e tyre. Bashkëngjitur me këtë testament janë dhe listat e veprave si dhe shtojcat që kanë të bëjnë me to. Listat janë në tri faqe të sigluara në fund. Në pamundësi dëshmitarësh, lutem të merret parasysh me besim të plotë firma ime”.
Shënim plotësues
“Sot, më 26.08.1976, deklaroj ndryshimet si më poshtë: “Planetiada” do të jetë me pesë vëllime. Vëllimi i katërt do të jetë “Zhurma e madhe pa vetmi”, e shkruar në dy vitet e fundit. Renditja do të bëhet si më poshtë: Vëllimi I: “Mjegullia”. Vëllimi II: “Meteoritet e kotvanit”. Vëllimi III: “Meteoritet e tjerë”. Vëllimi IV: “Zhurma e madhe pa vetmi” (e padaktilografuar). Vëllimi V: “Kohët para kohëve”. Të shtohen gjithashtu pjesët teatrale që vijojnë: “Froni”, “Gjyqi i fundit”,  Komedia “Udhëtime fantastike”nuk është mbaruar. Duke qenë se jam para vdekjes dhe dihen arsyet që më bëjnë të pafuqishëm për të përfunduar dhe plotësuar veprën time, kam bindjen se miqtë e mi që marrin vesh nga punët e artit do të dinë t’i përmbushin detyrimet që rrjedhin nga trashëgimia që lë. Po qe se disa nga trashëgimtarët e mi nuk e pranojnë trashëgiminë që lë ose nuk duan të identifikohen me të, të gjitha të drejtat u kalojnë trashëgimtarëve të tjerë. Po qe se tërhiqen të gjithë, atëherë të gjitha të drejtat u jepen atyre që i marrin përsipër. Ky është vullneti im. E firmos si dhe faqet e tjera dhe ua lë njerëzve që do ta zbatojnë”.
Boxe
Mit’hat Frashëri: Dua që nga biblioteka ime të mos ç’këputetë gjë
“Me shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament..”- shkruante 20 vjet para se të ndahej nga jeta Mit’hat Frashëri. Në 12 pikat e testamentit të tij, ai shkruan dëshirat e tij që kryesisht lidhen me fatin e librave dhe dorëshkrimeve të tij. “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj i lë për krijimin e një “Institut Albanologjie” që të jetë një qëndër e studimeve shqipëtare të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”- thuhet në pikën e parë të testamentin I cili vijon: “Dua që nga biblioteka private ime të mis ç’këputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok. Librarija ime dëshironj që të shitet ashtu si është, e tëra bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundurë të mbanjë emërin që i kam dhënë unë” etj.
Testamenti i trilluar i Faik Konicës
Ndodh që për një arsye madhore ose jo të trillohet një testament. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një figurë poliglote si Faik Konica. Në fillim të viteve ’90 u botua për herë të parë “Testament”, deri vonë i besuar se ishte shkruar nga Faik Konica. Por shumë vite më vonë vetë autori i atij zbulimi, shkrimtari Nasho Jorgaqi do të botonte shkrimin “Testamenti i Faik Konicës, trillimi dhe e vërteta”, ku zbulonte të vërtetën e hidhur se nuk ekzistonte asnjë testament. “Nga komunikimi me miqtë e mi shqiptaro-amerikanë si A. Athanas, A. Liolin, P. Prifti etj., e për më tepër nga njohja me burimet arkivore do të më rezultonte se F. Konica nuk kish lënë ndonjë testament me shkrim, veç amanetit gojor shprehur Nolit që, kur të vdiste, të kujdesej që trupin e tij ta dërgonin në Shqipëri. Nga të dhënat që mblodha dhe nga hulumtimet e drejtpërdrejta në SHBA m’u bë e qartë se një dokument i tillë nuk ekzistonte…”- shkruan shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi. Më vonë ai kishte mësuar se ish-studenti që i kishte “shitur” testamentin si të Faik Konicës, i kishte rrëfyer se atë ia kish dhënë një gazetar nga Përmeti, që, sipas arsyetimit të tij, e kish bërë që të sensibilizonte opinionin publik për të sjellë eshtrat e F. Konicës në Shqipëri në kuadrin e proceseve demokratike.

Sulmi ushtarak grek i 2 gushtit 1949 në Jug, agresion strategjik për pushtimin e Shqipërisë


Me  2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, apo siç vazhdon të trajtohet prej historisë zyrtare shqiptare deri sot, apo edhe prej studiuesve të ndryshëm e dëshmitarëve që rrëfejnë atë sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. Sulmi i armatosur grek i 2 gushtit 1949, kundër Shqipërisë nuk ka qenë incident, apo provokacion, por ka qenë luftë e vërtetë, me të gjithë karakteristikat dhe elementët e një sulmi për pushtim, paçka se e zhvilluar vetëm në një pjesë të kufirit e territorit të vendit. Ndërsa sjellim në kujtesë sulmin ushtarak grek të 2 gushtit 1949, ndërsa ndeshim sot pas 64 vitesh tendencat greke në vazhdim, për të aneksuar “Vorio-Epirin”, nuk është vështirë të kuptosh, se Greqia nuk ka hequr dhe nuk heq dorë prej synimit të saj për të zaptuar territoret shqiptare. Ajo prej më se 100 vitesh, ka luftuar e po lufton për të arritur këtë objektiv, duke përdorur propagandën mediatike, lobimet intriguese me fuqitë e mëdha të botës, fenë, policinë sekrete, diplomacinë, kërcënimet, deklaratat për sulm, paradat ushtarake për zhdukje shqiptarësh, emisarët e saj në Shqipëri, financimet e qarqeve shoviniste brenda e jashtë Shqipërisë, incidentet kufitare, tendenca për kontroll e prezencë aktive mbi ekonominë, pushtetin, drejtësinë, bankat, fenë, kulturën dhe historinë e Shqipërisë, madje edhe duke përpunuar e përdorur politikën dhe shtetin shqiptar. Po çfarë ishte ai që quhet “provokacioni i 2 gushtit 1949”? Me çfarë alibie nisi dhe çfarë qëllimi kishte realisht? Si e priti dhe e përballoi Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës? Cili ishte bilanci i këtij sulmi?
 
“Provokacioni” grek i 2 gushtit 1949, agresion luftarak për pushtim
Sipas dokumenteve faktike, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtoj një vend tjetër. Ushtria shqiptare, madje edhe populli i cili në regjimin “hoxhist” quhej “popull ushtar e kufitar vigjilent”, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan. Ishte një luftë e përmasave dramatike. Ndërsa Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar. Siç dihet, Greqia ka pasur historikisht pretendime e synime për rrëmbim territoresh shqiptare, të cilat në 100 vitet e fundit i ka manifestuar edhe me provokacione e diversione ushtarake, duke tentuar të zaptoj forcërisht trojet shqiptare. Këto diversione e sulme ushtarake, kanë qenë sistematike veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në vitit 1912 dhe sidomos pas vitit 1913, kur “Konferenca e Londrës”, caktoi kufijtë zyrtar shqiptar, duke mbyllur kapitullin e kufijve mes Greqisë e Shqipërisë. Një nga aktet më famëkeqe luftarake greke kundër Shqipërisë, ka qenë sulmi ushtarak i nisur në 2 gusht 1949 në jug të vendit, me objektiv pushtimin dhe aneksimin me forcë të asaj toke shqiptare, që grekët e quajnë “Vorio-Epir”. Pas Luftës II Botërore, Greqia u zhyt në një luftë civile, e cila u ashpërsua gjithnjë e më tepër, derisa në vitin 1949 Stalini pranoi të ndërpriste mbështetjen për forcat partizane komuniste, duke respektuar kështu “Marrëveshjen e Jaltës”, e cila parashikonte mbetjen e Greqisë nën influencën britanike. Në këto kushte, brenda pak kohe partizanët grekë u vendosën në pozicione tërheqjeje, duke u grumbulluar përfundimisht përreth malit të Gramozit, zona e fundit të zotërim të tyre. Këtu ata përballuan për shumë kohë sulmet e forcave qeveritare monarkiste, duke pasur edhe ndihmën e furnizimeve të fshehta sovjetike, që ju mbërrinin nëpërmjet kufirit shqiptar. Trupat monarkiste greke atëherë shkelën territorin shqiptar, me qëllim bllokimin e këtij kanali furnizimi dhe për të goditur edhe në shpinë forcat komuniste. Këtu fillon edhe konflikti midis ushtrisë shqiptare që mbronte kufirin e vet dhe ushtrisë greke, konflikt i cili ka hyrë në histori me emrin “Provokacionet e Gushtit”. Përpjekjet midis palëve vazhduan me ndërprerje nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949 në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit, duke i shkaktuan Shqipërisë qindra civilë dhe ushtarë të vrarë, si edhe dëme materiale në fshatrat e kufirit. Gjithashtu dhe forcat monarkiste greke, lanë dhjetëra ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, madje edhe robër lufte.
Greqia sulmoi në 2 gusht 1949, pas 8 muajsh provokacione ushtarake në kufi
Sipas fakteve historike, shteti shqiptar e mësoi lajmin për sulmin e forcave ushtarake greke në 2 gusht 1949, në fillim të korrikut 1949, por në fakt, ushtria ishte vendosur në gatishmëri të plotë, mbasi ushtria greke kishte afro 8 muaj që kishte “vënë në shënjestër” kufirin shqiptar të zonës Leskovik-Korçë, duke sajuar e nxitur provokacione ndaj kufitarëve shqiptarë, duke përdorur banorë e agjentë të shërbimit sekret përgjatë vijës kufitare, të cilët krijonin konflikte provokuese me forcat, ose banorët tanë të zonës kufitare. Ushtria shqiptare e cila nuk e mendonte kurrë se Greqia do të sulmonte, gjithsesi e vendosur në vijën kufitare, zhvillonte stërvitje si për situatë të plotë e reale lufte mbrojtëse. Prezent në këta manovra luftarake që drejtonin ushtrinë ishin të 330 oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me këshilltarët sovjetikë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Ballukun. Përpara fillimit të manovrave, kujton pjesëmarrësi i asaj lufte Skënder Malindi, atje shkoi dhe Enver Hoxha, por që qëndroi vetëm pak minuta dhe u largua, duke dhënë porosi sekrete “në vesh” për majorët dhe gjeneralët e lartë të ushtrisë, që ai kishte ngarkuar për të përballuar situatën. Ndërsa 10 mijë ushtarë e oficerë të gjithë rangjeve ishin në stërvitje, kupola e ushtrisë shqiptare dha alarmin e për gatishmëri luftarake, mbasi grekët do të sulmonin tokën shqiptare. Planin, ditën dhe orën e sulmit të ushtrisë greke e kishte zbuluar Divizioni i 8-të i Korçës, nëpërmjet përgjimeve dhe “agjentëve specialë” që vepronin në të dy anët e kufirit në shërbim të shtetit e ushtrisë shqiptare. Grekët kishin 8 muaj që bënin provokacione në kufirin shqiptar. Pasi nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, krejt të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, sipas informacionit të saktë, ata nisën sulmin ushtarak, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave u vranë 2 oficerë dhe 6 ushtarë, ku njeri nga oficerët e vrarë ishte kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës, tashmë “Hero i Popullit”. Por si filloi dhe si u realizua ky sulm. Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë. Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht.
 
 

Arben Llalla: Doli në qarkullim libri : Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut

Doli në qarkullim këto ditë libri : Demografia e Viseve Shqiptar në Greqinë e Veriut (Maqedoninë greke dhe Trakia greke) e historianit Arben P. Llalla. Pas një pune disa vjeçare studiuesi Arben Llalla ka sjell të dhëna për demografinë e fshatrave shqiptar në Greqinë e Veriut duke sjellë të dhëna shkencore se deri në vitin 1913, ku edhe filloj shpërngulja e madhe e shqiptarëve që jetonin në Greqinë e sotme ka patur rreth 90 vendbanime ku jetonin shqiptarët me etnitë e tjera. Sot nga të dhënat që na ofron libri dalin se në rreth 42 fshatra flitet ende gjuha shqipe. Autori më shumë në këto të dhëna është mbështetur në statistikat që janë bërë nga të huajt nga viti 1840 e deri më sot. Për nga lloji libri Demografia e Viseve Shqiptar në Greqinë e Veriut është i pari që botohet nga një autor shqiptar. Në fund të librit Arben Llalla sjell tabelat me emrat e vjetra të fshatrave si dhe emrat e sotëm edhe dy harta Etnografike duke ja lehtësuar lexuesve se për cilat vise bëhet fjalë ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët ende në Greqi. Libri shoqërohet edhe me shumë fotografi të vjetra nga jeta e shqiptarëve në këto vendbanime. Autori vetë i ka shkelur shumicat e fshatrave për të cilat shkruan para disa viteve. Libri flet vetëm për fshatrat që janë rreth kufirit të Greqisë me pjesën juglindje të Shqipërisë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë. Ndër të tjera historiani Arben Llalla shkruan:
 
Qëllimi ynë kryesor është që të njohim demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe të Trakisë greke, duke përjashtuar fshatrat shqiptar në krahinën e Çamërisë dhe në ato vendbanime ku banojnë arvanitasit. Në këtë libër do të sjellim të dhëna shkencore në bazë të statistikave të udhërrëfyesve të huaj të shek. XIX dhe XX, për banorët, etnitetin dhe besimin fetarë të fshatrave ku shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë me popullsitë e tjera. Një pjesë të këtyre qyteteve dhe fshatrave i kam vizituar gjatë viteve 1991-2004, kur kam jetuar në Greqi. Kam takuar grekë me origjinë shqiptare me të cilët kuvendoja shqip. Prej tyre, mësova shumë gjëra interesante rreth jetës, këngëve, traditave dhe riteve të ndryshme që bëjnë të ruhen vlerat shpirtërore të një populli.
Në përfundim kam nxjerr se deri në vitin 1913 në Greqinë e Veriut flitej gjuha shqipe në 59 vendbanime, të cilat 22 ishin në prefekturën e Kosturit, 23 ne prefekturën e Follorinës, 5 në prefekturën e Dhramës, 3 në Ksanthi etj. Gjatë luftërave Ballkanike dhe e luftës së Parë Botërore popullsia shqiptare në Greqinë e Veriut u gjend përball shumë zjarreve dhe pjesa më e madhe u detyruar të emigrojë me dhunë për në Turqi, një pjesë e vogël në Shqipëri dhe ata që mundët të paguanin shuma në të holla ushtarëve grek mbetën brenda territorit të shtetit grek që dalëngadalë do të asimiloheshin ndër vite.
Sot, pas 100 vitesh, pra më 2013 në Greqinë e Veriut gjuha shqipe flitet në 42 fshatra, prej të cilat 7 ndodhen në prefekturën e Follorinës, 19 ndodhen në prefekturën e Evros, 3 në Selanik, 5 në Serres, 4 në Ksanthi, etj.
Lexuesi në këtë libër do gjejë tabelat me të dhëna shkencore për emrat e fshatrave si janë quajtur deri në vitin 1928, emrat e rinj, numrin e banorëve sot si dhe një hartë Etnografike ku ndodheshin dhe ndodhen sot fshatrat ku është folur dhe flitet ende gjuha shqipe.
Kohën që jam marrë për të shkruar këtë libër ka qenë shumë e vështirë për mua duke pasur parasysh vendin dhe vitet ku jetojmë. Megjithatë edhe në kushte të vështira mendoj se kam sjellë për lexuesit një libër që do t’u shërbejë për të njohur demografinë e fshatrave shqiptar në Maqedoninë e Egjeut dhe Trakinë greke. Shpeshherë këtyre fshatrave përveç se u janë ndërruar emrat, disa herë ju ndërrohen edhe kufijtë bashkiak apo komunal. Besoj se këto ndërrime të shpeshta janë bërë për të çorientuar studiuesit që merren me studime rreth demografisë së fshatrave në Greqi, por edhe banorët që në thellësi të shpirtit të tyre ndihen me kombësi jo-greke, të mos jenë të grupuar në masë të madhe. Jam munduar të jem sa më objektiv për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën e këtyre fshatrave dhe banorëve të tyre, atë të vërtetë që të gjithë ne dëshirojmë ta dëgjojmë, ta shohim e ta prekim, por e vërteta rrallë herë pranohet ashtu siç është sepse ajo mund të na duket e hidhur dhe të kundërshtojë interesat tona të ngushta kalimtare. Për të nxjerr nga pluhuri i harresës disa fakte, disa të dhëna që na bëjnë të mësojmë ku kanë jetuar dhe jetojnë njerëzit që në venat e tyre kanë gjak shqiptari, po ç’ka se për interesa ekonomike dhe nga presionet e ndryshme janë deklaruar prej shumë vitesh qytetar të një kombësie tjetër. E ardhmja nuk e dimë se çfarë befasish na ofron…

Rajmonda Moisiu, Intervistë me Kolec P.Traboinin



Poeti Kolec Traboini është nga ata krijues që shpreh shpirtin fenomenologjik me të gjithë qartësinë e mendimit filozofik e artistik dhe me dhuntinë e njerëzores. Është autor i 20 librave me poezi, prozë, esé, ku përfshihen 12 vëllime me poezi, nga të cilat tre antologji poetike me bashkautorë, të mirëpritura dhe të vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësve të poezisë dhe letërsisë. Poeti Kolec Traboini është një ndër lirikët më të zjarrtë të letrave shqipe. Kjo dallohet e ndjehet te vëllimet e tij poetike “Itaka Grua” dhe “Lule Pellazgjike”.Gjithashtu pena poetike e Traboinit dallohet për tonin qytetar e intelektual, është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, kujtojmë poemën “Koha e prostitutave” krejt e veçantë në poezinë bashkkohore e me një forcë të madhe në idetë e mjetet shprehëse e emocionale. Në këtë intervistë poeti i vargjeve lirike shqiptare Kolec Traboini na rrëfen udhëtimin e tij interesant në botën e artit, veçmas asaj të letërsisë, ku sikundër edhe shprehet: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë”. Poeti në këtë intervistë bën një apel të dhimbshëm njerëzor, për vlerësimin e poetit Frederik Rreshpja, duke e konsideruar si një nga lirikët më të mëdhenj të gjysëmshekullit të kaluar.

GJITHÇKA NE ART KONSISTON NE DASHURINE PER JETEN

Intervistë me poetin Kolec Traboini

-Nëse do të duhej të prezantoje veten para lexuesve si do ta bënit këtë. Do t’ju pëlqenit të quheshit poeti, shkrimtari, kineasti apo gazetari Traboini?

Njeriu i tunduar nga arti provon veten në të gjitha fushat, por kjo nuk do të thotë se mund të stamposet me një mori epitetesh siç ndodh rëndom. Krijuesi është dalëzots i shpirtit të vet, është njeriu në kërkim të përhershëm të mënyrave dhe formave të shprehjes, në këtë sens nuk mund ta vendosësh as vetëm në një kuadër se do të ndjehej ngushtë. Mes këtyre arteve ku e shpreh veten, autori ka diçka që e dallon dhe ajo është fryma e tij. Poetët në çdo gjini të shkruajnë, në çdo formë arti të shprehen, do të ndjehen si të tillë, sepse në të gjitha do të interferojë ndjesia e thellë e fryma poetike, sinqeriteti deri në brishtësi. Mendoj se e bëra përzgjedhjen…

-Atëherë le të fillojmë me frymën poetike, çfarë është me pak fjalë qëllimi dhe esenca e jetës së një poeti?

Kur nis e shkruan ai që duhet ta meritojë të quhet poet, ka bërë një marrëveshje me vetveten e kjo është shfaqja e gjithçkaje që përjeton në shpirt para atyre që e lexojnë.
Mosrespektimi i kësaj marrëveshje, pra nëse ai që shkru an kërkon të bëjë të mençurin, të diturin, të zgjedhurin dhe i fsheh trazimet brenda vetes, tregon se është bërë zgjedhje e gabuar. Ky është ndryshimi mes poetit dhe atyre që shkruajnë thjesht se ua kanë mësuar alfabetin.
Poetikën mund ta mësosh në shkolla, por shpirti nuk i përfill zanatçinjtë. Ai është si nëna që e krijon fëmijën në shtatzani pa e prekur një herë me dorë. Nëse do të insistojmë një përqasje me mjeshtëritë do të isha i detyruar të bëja këtë përzgjedhje: arti poetik është si një kudhër kur rrihet gjithnjë hekur i skuqur.

-Çfarë mendime keni për poezinë; a mund ta perifrazoni atë; cili është raporti i autorëve me poezinë; dhe sa në poezi shprehet vetvetja?

Poezia, lirika e shpirtit është si qielli ku fluturojnë të gjithë zogjtë, ngjashëm qielli i poezisë është hapësira ku fluturojnë të gjithë dëshirat sado mistike të jenë. Më së shumti është i kaltër …eh, po dhe nxin ngandonjëherë, dhe atëherë, mjerë zogjtë e dashuruar mbetur pa strehëz.
Për mua ka rëndësi që të shpreh çfarë kam me shpirt me çdo kusht e në çdo rrethanë. Anipse edhe vetë përpiqem të shpjegohem, të gjitha teorizimet mbi poezinë më duken veç retorikë. Askush deri tani nuk i ka dhënë një definicion të saktë. Ka edhe groteske të tilla kur ata që sapo kanë shkruar një tufëz vargje naive e kanë botuar një librushkë nisin e flasin për mjeshtrinë e poezisë dhe i flasin seriozisht në televizionet kombëtare. Mjerim i madh është kur media kultivon injorancën.
Nëse hedhim vështrimin jashtë, vëmë re se poezia amerikane është shumë e thellë në mendime, por jo dhe aq në ndjesi. Përpiqem t’i njoh, madje edhe i përkthej herë pas here për t’i kuptuar më mirë. Më i fuqishmi i të gjithëve në poezinë moderne ishte ai që quhej poeti i ndyrë i rrugës me emrin Bukowski dhe unë e pëlqej aq shumë, sepse as nuk do t’ia dijë çfarë thonë për të, i thotë gjithë botës intelektuale akademike : “Shko tej!”. Të tjerët janë ndryshe. Ai është më shumë europian, sepse është pinjoll i një babai gjermani përzier me grua polake. Unë i kam jetuar të dyja edhe Amerikën edhe Europën dhe them se arrij të dalloj ndryshimet mes tyre. Poezia amerikane është temperamenti amerikan, të vetmin revolucion të vërtetë në poezi e kanë bërë brezi e Beat Generation. Të tjerët, përjashto Bukowskin, që e thamë më lart, janë më të qetë. Poezia amerikane është jeta amerikane. Madje Xhim Morrison ka më shumë temperament se shumë poetë të atij vendi të madh që natyrisht lind gjigandë në proporcionet e veta. E kjo më bën të mos çuditem që kur u shfaq Khalil Gibran me poezinë e tij mistike arabe, e pritën si një perëndi në qiellin e poezisë e prozës filozofike amerikane e cila i pranon prurjet e artit nga gjithë bota dhe shpesh bëhet frymëzuese e saj.

-Kur shkruan poeti a është në idenë se veprën e vet po e lë në një kohë pas kohës së tij, të djeshmen e përcjell në të nesërmen si testamenti i tij shpirtëror për botën?

Fort e vështirë të gjykohet prej këtuhi për çka do të jetë e ardhmja e asaj që shkruhet sot. E këtë që nuk kanë arritur ta dinë edhe mendjet më të shquara të botës ku po e dimë ne… Porosia e Kafkës ka qënë të digjet vepra e vet. Kjo tregon shumçka. Profanizmat janë të huaja për letërsinë. E në fund një gjë duhet kuptuar. Kur flas për autorë, nuk kam parasysh mish e gjak e kocka e vese, por diç tjetër që mishërohet brenda veprës së tij. Por më shumë se tek e ardhmja poeti është tek e shkuara. Mendoj se kohët tek poeti nuk vdesin, veçse shtresëzohen në memorien e tij e në vargjet që ndonjëherë ngrenë krye me nostalgjinë e kurrmoskthimit. Sa më e largët të jetë koha, aq më i prekshëm bëhet shpirti njerëzor që e kujton atë. Poeti këtë nostalgji e ka të fuqishme ndaj më së shumti arti i tij nuk është kurrgjë tjetër veç kthim me fytyrë nga fëmijëria.

-Vetë poeti a mishërohet si një dramë kundërshtie me realitetin ku shpesh gjen mospërputhje, shprehja revoltës për qerthullin ku jeton me botën e deziluzionit, poeti a është një ndeshje mes mundësisë e pamundësisë që kurrë nuk ka mundur të përfundojë?

Eshtë e vërtetë që njeriu ka në thelb tragjizmin sepse lind pa e kuptuar se si e pse dhe vdes me dhembje- e këtë destinë të shuarjes me dhembje e mbart në vetvete tërë jetën. Por në segmentet e jetës ka edhe hapësira të trëndafilta. Ka çaste kur njeriu nuk mendon as lindjen e as vdekjen, veç çastin që jeton dhe në ato çaste i duket vetja i përjetshëm. Për ta krijuar këtë efekt qoftë dhe artificialisht shumë a pak përdorin elementë nxitës e delirues. Të vetmit janë poetët që nuk kanë nevojë për këto lloj stimulantësh, sepse ata dehen edhe pa pirë. Po t’i referohemi Platonit, dishepullit të Sokratit, “poezia është e folura përçart e perëndive”.Mesa duket edhe Platoni jetonte me të tilla ndjesi marramendëse që të jep magjia e krijimit. Apo flas tani edhe unë përçart?! Një zot e di… Por gjithsesi për poetët ka një dënim tjetër që e përjetojnë tërë jetën. Flas për të vërtetët. Ata jetojnë në fund të detit, kanë fatin e perlave zhytur në mes të algave e myshqeve të mediokritetit. Por gjithnjë vjen një kohë që dalin në dritë të diellit, të paktë në të gjallë të tyre. Të shumtët as nuk arrijnë të shohin rreze dielli. Pas vdekjes dalin njerëz pasionantë perlash, që i nxjerrin nga thellësia e detit, i vënë në qiell dhe i quajnë yj. Kavafis a nuk ishte në këtë fat? Ai nuk arriti ta jetojë madhështinë e vet. Bodleri më shumë i shkoi jeta nëpër gjyqe dhe pas vdekjes pushtoi botën. Kafka ishte një njeri me një jetë të mbyllur mizantropi, pa sukses, pa lavdi, pa dashuri, pa asgjë që ta ngrohte në shpirt e mbasi vdiq miqtë e artit dhe kritika letrare e ngriti në atë qiell ku është edhe sot e kësaj dite. Cesar Vallejo Abraham Mendoza ishte poet peruan që botoi vetëm tre libra me poezi gjatë jetës së tij, përkundër kësaj ai është konsideruar si një nga novatorët më të mëdhenj poetikë të shekullit të 20-të dhe për të gjitha gjuhët. Thomas Merton e ka quajtur atë “poeti më i madh universal si Dante.” Gjithçka mbi të pas vdekjes. Edhe Migjeni ynë tragjik po ashtu. Homeri do të thoshte se fatet e poetëve i lozin perenditë, ta zëmë si me Odiseun, nga lufta në fitore dinake, në stërmundime ku humbi gjithë shokët dhe u kthye në Itakë me kërrabën e bariut dhe pas kësaj u harrua, sepse pas kalimit të mundimeve që përbëjnë tharmin e artit çdo gjë në lidhje me Odiseun nuk ka më vlerë. Imagjinata mbi të është murrëtyer. Kurrfarë vlere të mëtejshme nuk do të kishte arti mbi të, ndaj dhe pasi e kthen Odiseun në Itakë, Homeri e braktis edhe më tej e lë në harrim. Poeti i madh e di ku fillon e ku mbaron misioni i tij në një vepër.

-Ju keni shqipëruar mjaft poetë të huaj në një libër që keni në dorëshkrim “Nga Safo tek Bukowski”. A ruani mendimin se shqipërimet veçmas poetike mund të rishqipërohen nga autorë të ndryshëm për shkak se shpesh këto shqipërime janë shumë larg poezive në origjinal?

Ruaj mendimi që edhe shqipërimet mbajnë vulën e kohës, të nivelit të shqipëruesit e disa faktorëve të tjerë që me kalimin e dekadave anashkalohen. Por dua të them diçka për shqipërimet poetike temë të cilën e kam trajtue edhe në një bisedë televizive. Gjatë viteve të rinisë kur rrëmbenim e lexonim çdo gjë, padyshim edhe poezitë e shqipëruara i kishim në preferencë. Por ashtu siç jemi mrekulluar nga ca shqipërues, ashtu dhe jemi zhgënjyer nga të tjerë, sepse kemi lexuar poezi të autorëve të mëdhenj dhe thonim: “si qenka i madh ky poet me këtë lloj poezie, të varfër në shprehje, me shumë celebrale se emocionale”. Ma do mendja se kanë qenë përkthyer nga njerëz që e kishin poezinë larg vetes. Dhe vazhdoj të mendoj se poezinë mund ta shqipërojnë bukur ata që shkruajnë vetë poezi.

-Si i vlerëson raportet e qeveritarëve shqiptarë me poetët dhe artistët në përgjithësi?

Nëse e keni fjalën për afinitetet e qeveritarëve mediokër këngëtarë “thesi”, ato vërtet janë një mrekulli dhe shtetarët shpenzojnë para pa hesap ndërkohë që për poezinë nuk japin asnjë cent. Por, edhe paradokset vazhdojnë të pafundme në atdheun tonë ku poetët ndjehen jetimë, ka raste kur ndonjë njeri që nuk ka qenë e as nuk mund të bëhet kurrë shkrimtar, të lartësohet e miklohet deri në qiell nga qeveritarët për një libër politik që është thjeshte një mballosje, si një thes me 700 arna që mban brenda eshtnat e një të vdekuni, e kështu autori po na ngjet jo pak me plakën Nicë që në mënyrën më të llahtarshme ia përplas tufën e kockave të kolonelit Z, priftit dhe gjeneralit.

-Pas dy dekadave a ka mundur të shpëtojnë letërsia nga hierarkia e e konsoliduar e një sistemi të ngurtë dhe a vazhdon letërsia të mbetet viktimë e mentalitetit të real-socit?

Mjerisht ne ende dhe sot e kësaj dite nuk po shpëtojmë dot nga skematizmi i mendimit mbi letërsinë e aq më tepër poezinë. Ca njerëz dinë të shkruajnë, por nuk dinë çfarë thonë, ca tru të ngelur brenda skemave të shabllonizmit të para dy dekadave. Kur duam të shpëtojmë prej kësisoj klasifikimesh a klishesh me idhuj e mite, biem prapë në të njëjtën skemë kur përmendim dy emra X apo Y, duke u nisur nga preferenca vetiake apo shtetare. Dhe kështu mbetemi aty ku ishim dhe harrojmë se poezia është një pyll me drurë të mëdhenj e të vegjël dhe bukuria nuk matet kurrsesi me dimensionet e trungut. Zot na shpëto prej mendimeve të kalcifikuara e sindromave të real-socit që krijonte idhuj e duke mos patur kurrfarë mëshire a bonsensi nuk përtojnë ta na i imponojnë në kokë përdhunshëm.

-A mund të na thuash një poet që vjen e kalon modestish e lë pas një vepër poetike të admirushme larg të gjitha skemave dhe hierarkisë së sajuar që më shumë shfaqet si piramidë tiranie për poetët?

Do të përmend disa emra poetësh që i kam njohur personalisht dhe e admiroj krijimtarinë e tyre si një thesar kombëtar i artit shqiptar.
- Frederik Reshpja që e konsideroj lirikun më të madh të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, e kam njohur, kemi punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kemi qënë një grup letrarësh të rinj asokohe në Shkodër që e mbanim si idhullin tonë letrar. Eshtë një mjeshtër i madh, një shpirt i kulluar, një dlirësi e pashoqe në poezi dhe tipik – i burgosur nga diktatura dhe i anashkaluar nga demokracia që edhe poetët përpiqet t’i inkuadrojë në klane politike. Frederik Reshpja i përbuzi të gjithë ata shtetarë e nënpunësa rrangallë që e lanë në gjendje të mjerushme në fundin e jetës. Por ai ishte e mbeti një zog shiu, një yll në qiellin e poetikës, një diamant i lirikës shqipe anipse edhe sot e kësaj dite bëjnë sikur nukka ekzistuar kurrë. Ka një rrugë në Tiranë për një poet që ka qënë deputet e militant partiak, edhe një shkollë në Shkodër po ashtu. Mirë kanë bërë që i kanë vënë, por nuk ka as rrugë e as shkollë me emrin e Frederik Rreshpës që i përbuzi pushtetet të cilët janë bërë strehëz batakçinjsh, spekulatorësh dhe njerëzish pa asnjë meritë, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për këtë vend e për këtë popull. Kështu mund të them edhe për poetin tjetër të shquar shkodran Zef Zorba.
- Ndoc Gjetja, të cilit i kam bërë një cikël fotografish në Athinë 1993, ato foto që botohen në të gjitha gazetat dhe unë e kam quajtur edhe në ese “Poeti me fytyrë Krishti”. Nëse e jetërsojmë shembëllesën e mirësisë së Krishtit tek një njeri krijues, ai ishte poeti Ndoc Gjetja.
- Madu gjithashtu, Jamarbër Marko, të cilin e njoha në fakultet si bashkstudent në gazetari, por edhe në Kinostudio kur e sollën të punonte punëtor në mirëmbajtje pas dënimit. Ishte një poet i çliruar prej të gjitha skemave që ia zënë frymën poezisë. Ky mund të mos jetë një prej korifenjve që disa trumbetojnë me të madhe, por ama është poet i vërtetë…çfarë duhet të jetë ambicja e çdo poeti. Kush lufton të jetë i parë e kthen qëllimin e jetës në luftë karrigesh, por vendin e vet si poet e ka humbur.

-Çfarë mendimi keni për kritikën letrare bashkohëse; a ndjehet dhe sa ndihmon ajo në evidentimin e vlerave letrare?

Ju keni të drejtë që pyesni dhe pyetja juaj mbart një shqetësim, por unë do ta formuloja pyetjen më të drejtpërdrejtë. A ekziston kjo kritikë? Në një bisedë që kam bërë me të ndjerin pedagogun tim, Adriatik Kallulli, kohë para se të ndërronte jetë, për të cilin mund të them ishte i vetmi kritik pasionant e serioz i letërsisë shqipe, kemi diskutuar edhe problemin e mungesës së seriozitetit në kritikën letrare e cila sot shfaqet si mosekzistente, apo që e shet lëkurën fort lirë. Dhe ky është një shkak që më bën fort skeptik në vlerësimet apo kritikat që aty-këtu shfaqen më së shumti për hir të interesave materiale. Sot recensionet lavdëruese të vetquajturve kritikë po bëhen me para e kësaj të shkretë paraje po i përkulen edhe shumë nga ata që pretendojnë të kenë tituj shkencorë. Këto janë precedentë të rrezikshëm anipse ndokush ka mendimin se nga mediokriteti nuk i vjen e keqja letërsisë. Kjo ka një të vërtetë, por ama po vëmë re një fenomen tjetër, mediokrit nuk mjaftonë të jenë prezentë me veprat, por kanë nisur të bëhen agresivë, po kërkojnë të dalin në krye të punëve, të vetshpallen me tituj të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilat i kanë blerë nëpër ca instutucione fantazmë e spekulative deri në Amerikë (se edhe bota i ka këto fenomene). Organizojmë madje edhe manifestime masive mediokriteti që ndonjëherë rrokin edhe pëlqimin institucional të shtetit duke e kthyer krijimtarinë poetike në një kaos të vërtetë. Mendoj se autorët seriozë nuk duhet të bien në këtë praktikë që tashmë është në modë, ata nuk kanë nevojë për paterica kritikësh pa personalitet. Nëse me kritikë mendohen këto lloj recensionuesish-lavdemëdhenj me pagesë, atëherë me të drejtë e plot gojë do të themi se kritika letrare nuk ekziston.

-Ke lindur në Shkodër të cilës i ke thurur shumë poezi plot dashuri e nostalgji, po Shkodra a të pret ngrohtë a ke zhvilluar ndonjë veprimtari poetike apo filmike në këtë qytet ku arti shqiptar mund ta konsiderojë djepin e vet?

Do të kisha dashtë të mos më bëhej kjo pyetje. T’u bëhej atyre që drejtojnë veprimtaritë artistike në Shkodër prej të cilës veprimtaria ime letrare dhe kinematografike nuk ka sesi të ndahet. Ju kujtoj filmat e mi të hershëm “Kol Idromeno” dhe “Marin Barleti”të çmuar për vlera në rang kombëtar. Por edhe kohët e fundit kam krijuar film montazhet “Martirët”, “Martin Gjoka”. Esetë e mia për Shkodrën janë pjesa më e mirë e publicistikës sime nëpër vite. Ndërsa poetikisht Shkodra ka qenë e mbetet burimi i frymëzimit tim. Nga dy vëllimet me poezi botuar në 2012, një kapitull i gjerë me titullin “Ode për Shkodrën” i kushtohet marrdhënieve të mia shpirtërore me qytetin tim të fëmijërisë. Madje hyrja në vëllimin “U dashka të dal natën vonë” titullohet “Poetika e fëmijërisë” në rrugën Badra.

Më vjen keq të them se nuk jam ftuar në asnjë lloj veprimtarie letrare dhe artistike. Eshtë zgjedhja e tyre, por unë kam qenë e mbetem një krijues shkodran. Këtë lloj trazimi shpirtëror që ma sjellë ky indiferentizëm më ka nxitur të shkruaj një ese“Pellazg i mbetur pa atdhe” të cilin e kam botuar në hyrje të vëllimit me lirika “Lule pellazgjike”. Nëse drejtuesit e kulturës në një qytet të tillë me emër të madh nuk marrin mundimin as të lexojnë çfarë shkruhet për qytetin e tyre kjo është pjesë e përgjegjësive të veta, por kjo nuk më çudit kur shoh se varrin e Kol Idromenos në Rrmaj, që duhej të ishte vend pelegrinazhesh për artistët shqiptarë të mbarë botës e kanë lënë në mënyrën më të mjeruar. Kur me kolosin shqiptar të artit sillen kështu, ç’presin të tjerët?!

-Ju si krijes i ardhur nga djepi letrar i gegnisë, çfarë mendoni për një kondradiktë që po vjen gjithnjë e më shumë në evidencë, raporti mes Gjuhës Standarte dhe asaj Gegnishte?

Natyrisht edhe sikur të mos dua, kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmangem. Për çdo shkodran është një plagë anashkalimi, o më mirë shkelmimi i gegnishtes, çfarë më vjen ndërmend se me këtë po duen të shkelmojnë edhe artin që ka lind në këtë djep të gegnisë. Ka një shprehje të njohur “Uthulla e fortë then enën e vet”.
Kapë pas ksaj rrfane, na duket se kjo përkon aq bukur me gjuhëtarët e Tiranës që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që më shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe, sepse në leksik ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit – kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6-10 mijë fjalëve në rrënjë shqipe. Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë e degë tek pellazgët, në ilirishte e mandej, po na shfaqet si ma e varfra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi. Në aspektin tjetër ka shumë dëshira me u largue ma shumë se me u afrue. Meqenëse unë jam në rrah të ernave se shkruaj edhe standart, por edhe në gegnishte në ca poetika të veçanta, ndjehem vërtet keq. Në këtë rast nuk më pëlqejnë ekstremet, më pëlqen bashkimi e bashkësia gjuhësore, afrimi e jo largimi. Më pëlqen Kristoforidhi me Mark Shalgjatin e tij, “Prite, o Gjin!”… E nëse e hap këtë temë përsëmbari jam gati me shfry tan dufin tem edhe kundër njënës e tjetrës palë….Tue e tërhjek litarin dy palët e duke mos lëshuar asnji përçik, gjasat janë litari të kputet. E kujt i vlen kjo?
Kurrkujt. Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fushë përçarjesh jug-veri.

-Tek ju si autor shfaqen dukuri të tilla, në një aspekt jeni demaskues i rreptë i gjendjes sociale, ndoshta ndër zërat më të rreptë në poezinë e sotme duke ecur në gjurmët e migjeniane si tek “Koha e prostitutave” ndërkohë jeni ndër lirikët më të zjarrtë, kujtoj vëllimet “Itaka grua” dhe “Lule pellazgjike”. A i konsideroni këto kundërshti të pazakonta në gjendjen emocionale të një poeti? Dhe cili mendoni se do të jetë vendi Traboinit në letërsinë shqipe?

- Nëse poeti do të kishte në gjoks një copë shkëmb e jo një det, do të ishte e panatyrshme sepse çdo tronditje e madhe do ta thyente atë. Por poeti është si deti. Përjeton stuhi të mëdha dhe gjithçka nga thellësia i nxjerr në breg. A e keni vënë re ç’ndodh me detin të nesërmen e ditës me dallgë të mëdha. Vjen qetësia. Vjen një ditë e bukur. Deti në horizont kalon nga a kaltra në blu në një vijë të drejtë. Ai të bën magji e ti dashurohesh me të.
Mbaj mend nga fëmijëria se për shitësin ku merrnim ushqime me listë, thonin ai sot është me mot të keq dhe nga ky shkak atë ditë do të përjetonim urinë. Apo ai sot është me mot të mirë dhe ishim të sigurtë se do ta ngopnim barkun mirë. Kohë fëmijërie e varfër që do të më çonte më pas në shtëpinë e fëmijëve jetimë në Shkodër. Konceptet poetike mendoj se qëndronin në vizionin e njerëzve që më rrethonin në fëmijërinë time dhe kjo në një mënyrë a një tjetër më ka injektuar në natyrën time ndryshueshmërinë e motit.
Gjithçka qëndron tek pasioni, dashuria e zjarrtë për të vërtetën, për njeriun, për natyrën, dhe urrejtja po aq përvëluese për çdo gjë që e pengon apo dëmton të bukurën, që shkatërron jetët njerëzore. Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë.
…Vendi im është në poezinë time, në librat e mi. Aty e ndjej veten mirë. Të tjerat janë vetëm ambicje gjallnorësh që vjen një ditë e shuhen bashkë me njeriun.
Poetët që nuk janë më në jetë nuk grinden për hierarkitë letrare. Nuk kanë më luftë bërrylash, as çmime të marra me tarafe. Përtej daljes së arkeotipit nga skena, poetin e përfaqëson poezia e tij. Mirë keq, çdo gjë është kryer.
Gjithçka ka kohën e vet; lindja, adoleshenca, marrëzitë e rinisë dhe dashuria çmendurake me artin, endacakëria nëpër botë, sistemimi i shpirtit në vargje e libra si testament dhe… këmbana që bie për të mbyllur kapitullin.
Për një gjë duhet të mbetet i qetë e i kthjelltë çdo krijues, koha për vlerat e stisura është e pamëshirshme.

Intervistën e realizoi
Rajmonda Moisiu
Connecticut USA, prill 2013
*  *  *
POEZI
KOLEC TRABOINISHQIPERIAJo miqtë e mi, ikja nuk është tragjedia
e hedhjes së trastës në kurriz pesë shekuj
me një shkop për të zbuar qentë, kurrsesi.
Tragjedi është mosdija e ikjes
moskuptimi e harrimi i piknisjes
miklimi që jeta na afron nëpër troje
të largëta e me bukuri të mahnitshme.
Jo miqtë e mi, joshja s’është e fajshme
kemi të drejtë ta jetojmë epshin tonë
për gra e vajza aziatike, për qejfe e pasuri
por lëshimi i vetvetes në pasione të liga
duke harruar vendin tim e vendin tënd
duke harruar se e bukura magjike
është edhe tek lulja mbi shkëmb.
Jo miqtë e mi, fajin nuk e ka Amerika
anipse më farfuritës Las Vegasi është
Bostoni, Detroiti, New Yorku,
San Françisko a Florida
se sa fshati yt a fshati im në Jug a Veri
sepse edhe këtu gjithçka është ngjizur
me mundime, me lotë, me dashuri.
Fajin kurrsesi nuk ta ka ikja
trokitja nëpër dyert e botës
ku mësove shijen e bukës me djersë
por vetmashtrimi, harrimi se
Shqipëria e varfër nuk mundi të jepte
më shumë se qumështin e gjirit e dhimbjen
më shumë a më tepër se në sepete kish.
Prandaj ti u bëre më i pasur e më i ditur
shumë më shumë se ata që s’dinin të iknin
- siç mençurisht ta thotë dhe Kavafis-
pikërisht se të mungonte Shqipëria
dhe dëshira për ta bërë të pasur atë,
pikërisht.
I humbur do të jesh vetëm atëherë
kur të ikësh – e më të kthehesh prapë,
s’do të dish.
MORA VETEN ME VETE
Mora veten me vete e shkova në Shkodër
retë e marsit rëndonin mbi çati
qielli i zymtë e zbraste pikëllimin në shi.
Kisha ardh për një mort
për një përcjellje-pjekje
t’u thosha njerëzve “Kryeshnosh!”
Jeta me jetë e vdekja me vdekje!
Si e mbuluam Ramiz Hekurin në dheun e zi
përtej Stom Golemit, në Shtoj të vjetër
u ktheva tek Nana në shtëpi.
Shtëpi o shtëpi, o dashuri e vjetër!
Nëntëdhjetat i ka mbushur Nana
rri në shtrat e nuk b’zan.
Isha i murrëtyer, i lodhur, krejt i ngrirë
-Gëzuar 8 Marsin!- i thashë me zë të mekur.
- Kukeja unë!- tha Nana. – Ky 8 mars
më gjeti edhe pa një njeri.
Pse po jetoj kaq gjatë veç për të përcjellun?
-Po jo moj Nanë, ka dhe gëzime për njerinë…
Po Nana si nana, nuk dëgjon. Veç flet
herë me të gjallë e herë me të vdekur…
Mora veten me vete e u ktheva në Tiranë
më vunë në mendime fjalët e Nanës.
Mos vallë i ngjas dhe unë asaj
me dënimin të vuaj pikëllimin e përcjelljes?!
Shkodër, Mars 2012
NE RRUGEN E KALASE…
Idromeno
Me bastun, borsalino e pallton e gjatë
nëpër errsinën që përpinte qytetin
dëgjoheshin veç bulkthet e natës
e valët bregut të liqenit.
Në rrugë ndonjë qen i braktisun
turfullima e ndonjë kali në grazhd
errësinës klithma e ndonjë shpendi
e yjet që shuheshin diku larg.
Nata e lodhte për vdekje piktorin
prej Diellit merrte frymë e ringjallej
ndaj gjumi s’e zinte deri vonë
nga ankthi i dritës në ardhje!
Sapo vinte agimi e bota zgjohej
ai flinte me rrezet e Diellit në Maranaj.
Kol Idromeno, daja i Dadës sime Katrinë
siç më thoshte në kujtimet e saj…
Shkodër 2012
KARVANAJ
Karvan me drita- karvan me yje
atje në rrugën Karvanaj
jetonte dikur si nimfë në pyje.
Kujtim i mbushun lotë e vaj
ani pse fshehun në shkurre vitesh
me magji ujnash në sytë e saj.
Flladi i liqenit- Bregu i Ranës
hije të randë lëshon Mali i Hotit
përskaj dy shtetesh, diku anës.
DRURET DHE NJEREZIT
Vetmia – trishtimi i drurëve pa gjeth
për njerëz që kanë humbur lumturinë.
Vjen acari e dimri shpirtin krejt ta zhvesh,
por nuk humbet shpresa ta gjesh në tjetër stinë
… edhe drurët edhe njerëzit:
gjethet, lulet dhe dashurinë!
MURE ME MYSHK
Kishim një fik në oborr të fëmijërisë
shtëpia kishte dalje në dy rrugë
kalimtarët ndalonin – kuptohet se pse.
Unë, pronari i vogël mburresha
nga lartësia e pemës u hidhja fruta të pjekura
ndjehesha zi Zot përmbi Zota
e trojet e mia solide, të paprekura…
Por zotërimet ishin mbi themele të brishta
gjithçka shkonte drejt fundit të vet.
Në fillim u thanë gjethet e fikut
vera e messhekullit ishte zhuritëse
qiejt i mundonte etja për zogj.
Pastaj vdiq babai…
E që drama e fëmijërisë të plotërohej
pas babait u tha edhe pema
e vetmja begati e shtëpisë
me dy porta të vjetra.
Muret rrethuese zunë myshk të blertë
nuk e di në ishin shenjë jete a vdekje
fantazmat bënin beteja termopilesh në oborr
dy pëllumba që kishim, në fluturim u harruan
ndiqja me sy çdo gjë që po shkiste
si rërë e nxehtë në pëllëmbë të fëmijërisë
anipse përpiqesha t`i mbaja fort e më fort
pas vetes.
Nënën erdhi dhe e mori një burrë për grua.
Mbeta vetëm si kërcu i tharë në oborr.
Më dërguan në shtëpinë e fëmijëve
ku ndjehesha
ushtar i vogël jetim prej plumbi
i komandantes partizane Persa Grabova
që na ngulte një vështrim dyfish të qelqtë
(nuk kisha parë kurrë partizane me syze).
Altoparlantët këndonin rusisht
“Dasvidanja, paçemu?”
e ne ia kthenim – “Duam të ikim, po ku?”
Tani ajo që ikte prej meje ishte koha
në trajtë vitesh endacake- ujra që rrjedhin në lumë
për të mos dëgjuar kurrë më këngën ruse “Paçemu?”
për të mos veshur më kurrë pantallona të shkurta,
por uniforma të gjera me dok kinez blu
e në këtë ikje-rritje më dukej se dikush
më tërhiqte prej veshësh për të dalë
nga fëmijëria.
VETJA TEK TE TJERET
Një ëndërr që fle në qerpik
s’është vetëm një ëndërr që fle
është edhe një pikë vesë që thotë
se diku pas malit dielli është në ardhje.
Një fëmijë i vogël që ecën
që rrëzohet, qesh dhe i lumtur vrapon
është diç më shumë se një vogëlush
është një djalë, një burrë, një gjysh që gëzon.
Një vajzë që kalon në rrugë si pranverë
s’është vetëm një vajzë që kalon
është edhe një dallëndyshe në qiell
që na thotë se kjo stinë do ketë dashuri.
Gjithçka që vjen, që shohim, që kalon
është vetja jonë mishëruar tek të tjerë
nuk mund të shohësh, as ta njohësh dashurinë
nëse në shpirt nuk ke një zog që këndon
…për të tjerët që kalojnë para teje
 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...