Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/25

ORAKULLI I PAGABUESHËM I LIRISË DHE (MOS) ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE



Mr. Nexhat Maloku:
 
ORAKULLI I PAGABUESHËM I LIRISË
DHE (MOS) ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
 
(Pjesë nga punimi i magjistraturës)
 
Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është padyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare,  me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi.
Brahim Avdyli u lind në fshatin Morinë të Malësisë së Gjakovës në vitin 1960. Malësia e Gjakovës, e njohur për qëndresën kundër pushtuesve në shekuj, do t’a mbrujë djaloshin e kësaj ane që në moshë të re me dashurinë e pakufishme për vendlindjen, për Atdheun. Duke e jetuar moshën e rinisë në këtë pjesë neuralgjike të Atdheut, ai do të edukohet që në fëmijëri me legjendat për qëndresën e popullit tonë në hullitë e shekujve.
Brahim Avdyli perfundon shkollën e mesme të gjimnazit në Gjakovë dhe pastaj regjistrohet në Fakultetin Teknik, Dega e Arkitekturës në Univesitetin e Prishtinës. Por në vend që të merret me studime, ai do të ballafaqohet me krajatat e ndryshme jetësore. Veç i ndjekur që më parë nga regjimi jugosllav dhe i ballafaquar edhe me gjendjen e rëndë sociale, Brahim Avdyli detyrohet që në moshë të re të marrë udhët e mërgimit, për të siguruar mbijetesën. Detyrohet të ndërroj drejtimin e studimeve nga Dega e Arkitekturës, për të kaluar me  korrespondencë në Fakultetin Filologjik, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.  Edhe me këto ndryshime, ai nuk do të mund të qëndrojë në Prishtinën e tij të rinisë, por do të detyrohet të emigrojë përfundimisht në vendin helvetik- në Zvicër,  ku jeton edhe sot.
Brahim Avdyli që në moshë shumë të re do të fillojë të merret me zejen poetike- e cila do të jetë gjithnjë bashkudhëtari më besnik i tij. Ai ka pasur fatin të jetë pjesë e një gjenerate të studentëve të rinj të Univesitetit të Kosovës të fundit të viteve ’70, për të cilët poezia nuk ishte vetëm art për të ushqyer shpirtin estetikisht, por për sishokët e Brahimit, ishte në rend të parë klithmë e kushtrim për lirinë e munguar, thirrje për çlirim nga zgjedha pushtuese jugosllave. Dhe kjo poezi e tillë, nuk mbetej vetëm kushtrim i çastit, por ishte udhërrëfyese për të ndjekur  rrugën e lirisë. Dhe pikërisht pse ishte e tillë, kjo poezi ishte edhe e ndjekur e luftuar nga armiqtë e lirisë. Dhe armiqtë e lirisë kishin të drejtë ta luftonin këtë poezi nga këndvështrimi i tyre, sepse ku ka liri më të bukur e më të çmuar se sa liria e cila vjen si plotësim i ideve të poezisë atdhetare.
Poezitë e para të Brahim Avdylit, të botuara në gazetën studentore “Bota e re” apo “Zëri i rinisë” do të tërheqin vëmendjen e artdashësve dhe të kritikës letrare. Këto krijime të para poetike po paralajmëronin lindjen e një poeti të ri i cili do t’i bashkohej plejadës së poetëve të asaj kohe si Tahir Desku, Basri Çapriqi, Abdullah Konushevci, Sabit Rrustemi etj., të cilët po sillnin një frymë të re në poezinë shqipe të Kosovës.
Brahim Avdyli në këtë periudhë do të jetë në shoqëri të vazhdueshme të vargjeve poetike të poetëve të njohur shqiptarë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Din Mehmeti etj., të cilët ishin bërë “ushqim” i pashmangshëm i kësaj gjenerate. Në orët letrare që mbaheshin në atë periudhë, e ku Brahim Avdyli do të jetë pjesëmarrës i rregullt, deri sa ishte në Kosovë, jepej mesazhi i lirisë, i cili do të jetë udherrëfyes i fuqishëm i këtij brezi.
Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do t’a ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe përmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore. Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm përmes vargjeve poetike tek lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj. Duke qenë krijime poetike të cilat vijnë si rezultat i përjetimeve personale të poetit, poezia e Brahim Avdylit përpos pasqyrimit të realitetit jetësor, do të paraqes në njërën anë jetën e vështirë  të cilën e jeton ai, dhe në anën tjetër do të “prishë” idenë e mjaft njerëzve atëbotë, të cilët mendonin se jeta në mërgim është një parajsë.
Brahim Avdyli edhe nën këto rrethana të pavolitshme nuk do të ndalet në rrugën e shkollimit. Do të mësoj gjuhën gjermane, do të ndjekë arsimime të ndryshme në fushën e hotelerisë, informatikës, diplomacisë. Do të fillojë të merret edhe me shkrime publicistike dhe nga viti 1990 deri në vitin 1995 do të nxjerrë në Cyrih revistën “Qëndresa”, me qëllimin kryesor për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar për liri. Por, edhe gjatë gjithë kësaj periudhe jetësore poezia, para se gjithash do të jetë vokacioni i tij kryesor.
 
Pas një tufe poezish të botuara nëpër shtypin e kohës,  Brahim Avdyli do të vijë para lexuesve me përmbledhjen e parë poetike me titull “Në hijen e Alpeve”,  botuar nga Rilindja,  në vitin 1983,  në Prishtinë.  Kjo përmbledhje poetike, fillon me poezinë, që do të identifikojë profilin e tij, “Opingave të mia” , ku poeti përmes opingës si simbol i shtresave të ulta do t’u drejtohet poetëve të mëdhenj pa frikën se ndoshta nuk do ta pranojnë, sepse ai mbështetet te një taban tjetër, për të më i rëndësishëm, tek toka:
 
       Poetët e mëdhenj do të qeshin
       me këto vargje për ju
 
       do të neveriten nga era e djersës
       dhe era e baltës
 
       s ka gjë
       (...)
 
       le të na pranojë kjo tokë
       ku hapin e lëshojmë pa drojë
       me estetikën tonë kryeneçe![1]
 
Kjo poezi,  në njërën anë identifikon prioritetet e poetit, të cilat bien ndesh me një plejadë të poetëve të mëhershëm të cilët ishin mbërthyer në botën e poezisë hermetike, dhe në anën tjetër sikur paralajmëron se kush do të jenë lexuesit, të cilët do ta pëlqejnë poezinë e tij- lexuesit e thjeshtë, ata që poezinë e tillë e kanë këngë të shpirtit të tyre.
Pas kësaj përmbledhjeje poetike, Brahim Avdyli edhe pse i mërguar do të vazhdojë të merret intenzivisht me artin e poezisë. Pas një kohe të shkurtër ai do të dorëzojë librin e dytë me poezi, Kur zgjohet Dodona, por ky libër poetik do ta shohë dritën e botimit tek në vitin 1992, botuar nga Rilindja, Prishtinë. Nuk ishte e papritur kjo vonesë kur lexojmë vargjet e kësaj përmbledhjeje. Në oborrin e mecenatit punonin pandërprerë gjelatët e poezisë atdhetare dhe doemos që ata nuk donin të lejonin që kjo permbledhje të shohë dritën e botimit. Por pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën jo vetëm në planin kombëtar, por para se gjithash në atë ndërkombëtar, u hap rruga që lexuesi të këtë në dorë edhe poezitë e poetëve që ishin dënuar nga pushteti jugosllav si rrezikues të indoktrinimit kundërrevolucionar të masave popullore.
Është me rëndësi të theksohet se Brahim Avdyli në vitin 1990, në Cyrih të Zvicrës, boton poemën me titull simbolik “Buka e kuqe”, në kuadër të Bibliotekës “Dielli i Lirisë” të Shoqatës “Atdheu”. Përmbledhja tjetër që do të shohë së shpejti dritën e botimit, është “Pasqyrë e përgjakur”, nga Shtëpia Botuese Marin Barleti, Tiranë, 1994. Poashtu në Tiranë, në vitin 1997, në kohën kur populli shqiptar, po rrezikohej më së shumti siç thotë poeti nga vetvetja, del përmbledhja e poezive me titull “Klithje nga fundi i ferrit”, botuar nga Onufri, për të vazhduar me daljen e përmbledhjes  “Gjuha e dheut tim”, nga shtëpia botuese Albin, Tiranë, 1999. Përmbledhja e fundit poetike e Brahim Avdylit është “Baraspesha e humbur”, botuar nga Shtëpia Botuese Qëndresa, në Gjakovë, në vitin 2003.
Përpos në fushën e poezisë, Brahim Avdyli në vitet e fundit doli para lexuesve edhe me dy përmbledhje me tregime. Libri me tregime “Vragat e një kohe”, u botua nga Shtëpia Botuese Faik Konica në Prishtinë, në vitin 2005, kurse libri tjetër me titull “Lëvozhga e vdekjes”, nga po e njejta shtëpi botuese, doli në vitin 2007.
Brahim Avdyli është poet i cili është i lidhur ngushtë me tokën, me historinë,  me popullin e vet. Ai i ka vënë vetes një mision të cilin e shpreh qartë edhe përmes vargjeve poetike. Në poezinë “Trajektorja e fatit”, ai shkruan:
     
                   U linda në malësi
                   E u treta në mërgim
 
                   Duke djegur veten
                   Me vargje nëpër buzë
                   E kokën e lënë
                   Peng për të nesërmen
 
                   Për besë
                   Kudo shpërndava
                   Dhembjen time të zjarrtë
                   E mbolla ëndrrat-
Thirrjet për Lirinë![2]
 
Edhe pse pakëz deklarative, kjo poezi identifikon qartë misionin jetësor të luftëtarit dhe njëkohësisht të poetit. Ky mision nuk është i lehtë, sepse luftëtari  ka marrë përsipër të ndjekë rrugën e lirisë, rrugë kjo e cila ishte e përshkruar me shumë vëshrirësi e rreziqe, kurse poeti do të djegë veten me vargjet për të nesërmen. Kjo rrugë lirie, do të bëhet edhe brumi kryesor i poezive të Brahim Avdylit. Kemi të bëjmë këtu me një bashkëdyzim harmonik të rrugës jetësore me vargjet poetike. Këto vargje, nuk janë vetëm pjellë e fantazisë krijuese, por në rend të parë janë edhe pasojë e përjetimeve të poetit në rrugën e lirisë. “Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri tek libri i fundit për të cilin bëjmë fjalë”[3], thekson kritiku i njohur i  letërsisë sonë Dr. Agim Vinca, në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit. Këtë fat Brahim Avdyli e ka zgjedhur vetë, sepse është fati i një njeriu që do të jetë vetëdijshëm pjesë e bërjes së historisë së popullit të vet.
Një dëshmi për këtë bashkëdyzim harmonik mes veprimit patriotik dhe krijimit poetik është poema “Buka e kuqe” e cila hapet me një shënim të autorit, ku thekson ndër të tjera se poemën ia kushton protestës gjithëpopullore kundër dhunës jugosllave dhe nderimit për të rënët dëshmorë në protestat e organizuara në Gjakovë,  ku vetë poeti i kthyer nga mërgimi gjatë  periudhës dhjetor 1989 e deri ne mars 1990, ishte ndër organizatorët kryesorë të tyre.
Është kjo periudha kur populli shqiptar ishte ngritur në këmbë për të fituar lirinë e nëpërkëmbur. Poeti i drejtohet Kosovës me vargjet:
 
                   Unë t’i njoh moj
                   Të gjitha përgjakimet tua,[4]
 
Për të vazhduar me dhembjen që ndien për fëmijët e Kosovës sepse për këta fëmijë është privilegj t’i kenë prindërit në shtëpi:
 
                   Eh fëmijët e Kosovës
                   Janë zogj të përndjekur.
 
                   Asnjë pip të qetë s’ua lënë korbat
                   Asnjë kënd të ngrohtë s’ua lënë retë
 
                   Asnjë rrobe te pagrisur
                   S’ua lënë drizat e fatit
                   Asnjë fushë me lule kosat s’ua lënë,
 
                   Po po,
                   Fëmijët e Kosovës
                   Janë të predestinuar[5]
 
Poeti përdor metaforën zogj të përndjekur për fëmijët e Kosovës, për këta fëmijë të cilët edhe në fillimin e njomë të jetës së tyre korbat (armiqtë) nuk i lënë të luajnë në fushat e tyre. Por dhembja më e madhe e poetit është për të rënët, për ata që u flijuan, sepse ata
 
                   Ranë të puthin Tokën
                   një grusht dhe të shtrenjtë
                   për një buzëqeshje fëmijërore,[6]
 
Kjo poemë e botuar në një kohë kur indi i kombit shqiptar ishte në një udhëkryq të rrezikshëm të historisë së tij, përmbledh në mënyrë të fuqishme shpirtin liridashës të Kosovës, sepse “Kosova është tempull i flijimit për të vërtetën” shkruan ai. Poeti këtu sjell një nga pikat qendrore për të cilën një popull duhet t’i dalë zot vetvetes,  për t’i bërë ballë furtunave të kohës, gatishmërinë për tu flijuar  për të vërtetën, për këtë të vërtetë, që interpretuar do të thotë për të drejtën legjitime për të jetuar i lirë dhe i pavarur në tokën e vet. Kjo poemë tek mërgata shqiptare në Zvicër e më gjerë, është lexuar me një frymë dhe ka përçuar pikërisht atë dëshirën e poetit të theksuar më lart për të mbjellë ëndërrat tek bashkëkombësit e vet për lirinë.
Pikërisht për të sjellë të vërtetën për të drejtën legjitime të popullit tonë, poeti Brahim Avdyli në përmbledhjen e poezive me titull “Kur zgjohet Dodona” kthehet në periudha të hershme të historisë dhe Dodona si pjesë e një qytetërimi të hershëm pellazg, mbi të cilin do të lindë qytetërimi i mëvonshëm helen, i shërben atij për të nxjerrë të vërtetën mbi lashtësinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. Poeti Brahim Avdyli,  përmes kësaj poezie, të cilën e shkroi që në vitin 1978, në moshën 18-vjeçare, në vigjilie të përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngrihet kundër harresës, kundër globalizimit që fshin nga faqja e dheut historitë e popujve të vegjël. Edhe pse në moshë të re, poeti arrin që t’a zhvendos trajektoren e historisë në kohën e sotme, duke i pasqyruar  permes figurave të qëlluara artistike fenomenet e shpërbërjes, dhunës, tradhëtisë, ndërrimit të dhunshëm të emrave, fenomene këto që e kanë përcjellë tragjikisht popullin tonë deri në ditët tona. Poeti përmes  tragjedisë së këtij qytetërimi të lashtë  jep kushtirmin për zgjimin e Dodonës, për qëndresë kundër zhbërjes, harrimit për ngjeshje të rradhëve për të jetësuar idealin e poetit-bashkimin e popullit shqiptar.
Në këtë ngjeshje të radhëve, poetin do ta therrë në zemër humbja e shokëve të idealit Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, të cilët poeti i quan vëllezër dhe shton:
 
                   varret në zemër na i lanë
                   dhe ca fjalë të fundme-
                   si themele që s’tunden!
 
                   Në një pishë emrat i shkrinë
                   e na i lanë peng të përjetshëm
                   të ecim drejt Diellit,[7]
 
Humbja e tyre dhe e luftëtarëve të tjerë të çështjes kombëtare, do të trajtohen gjerësisht në krijimet poetike të Brahim Avdylit. Edhe pse poeti nganjëherë nuk mund t’u ikë fjalëve të mëdha, të shumtën e herave ato e gjejnë vendin e duhur në trupin e poezisë. Poeti bën thirrje për të ndjekur rrugën e tyre, për të mos u dobësuar, nga humbja nga dhembja, por për të sendërtuar idealin e tyre. Poezia e tillë krijon mundësinë që të bashkëdyzojë në një afërsinë dhe distancën, ndoshta më shumë se artet tjera. Poezia e Brahim Avdylit vjen nga forca e përgjithshme e brendshme, ajo nuk e merr përsipër detyrën për të fshehur dhimbjen, përkundrazi e bën atë të qartë, në mënyrë që lexuesi ta shohë,  ta ndjejë  atë, sepse kjo e bën njeriun të shpresojë të mos dorëzohet dhe të shoh më tutje drejt Diellit.  Sepse poeti  është në mes të vuajtjes,  dhembjes dhe klithma e tij është jo vetëm pasojë e tyre,  por,  në rend të parë e urdhërit për të ndryshuar këtë gjendje:
 
                   Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
                   o fushat e helmit tim
 
                   se plasa duke shpënë
                   dheun tuaj
                   gjyqeve të botës
 
                   duke ua thithur helmin
                   nëntorëve të vrarë mbi ju
                   (...)
                   tash o kurrë
                   tash o kurrë,  heu...!![8]
 
Kjo anaforë mëton të thotë pa ekuivoke imperativin e luftës për liri. Dhe klithma popullore heu, jep kushtrimin, i cili nuk do të vonojë dhe do të vijë. Poeti është orakulli i pagabueshem  i lirisë.
Në të gjitha përmbledhjet poetike, poeti shpreh një dashuri të pakufishme për vendin e tij. Në periudhën e viteve ’80 ai këtë dashuri do të jetë i imponuar ta paraqesë në mënyrë lakonike nganjëherë edhe përmes një titulli që më shumë do të ishte në pamje të parë poezi me motiv erotik, siç është poezia me titull “Intime” me një nëntitull “I kushtohet Sh.” (Shqipërisë) i cili kushtim u hoq nga poezia nga cenzura e kohës. Poeti përmes një gjuhe të bukur artistike shpreh dashurinë e pakufishme për Shqipërinë, edhe pse nuk mund t’a përjetojë atë, vetëm mund t’a ëndërrojë, edhe pse e kishte aq afër gjeografikisht, dhe e mbyll poezinë me vargun:
 
Së paku aty
Përmallshëm bashkohemi![9]
 
Kjo dashuri zgjerohet në poezinë “Bisedë me nëntorin” në të cilën poeti shpreh dashurinë për nëntorët duke i cilësuar:
 
                   Herën e parë
                   erdhe mbi shpatën e zhveshur
                   të rrezeve të kuqe,
                   (....)
                   Herën e dytë
                   na erdhe i ngutshëm
                   s’patëm kohë t’i mbledhnim
                   të gjitha cuklat e jetës,
                   (....)
                   E kur të të sjellim
                   me kurorën e artë të rrezeve
                   nëntor i tretë do të jesh
 
Ky nëntor i tretë, për poetin do të jetë përmbushje e ëndrrës së tij dhe e brezave, për t’a parë popullin shqiptar të bashkuar. Ky nëntor i tretë do të jetë kurorëzim i përpjekjeve shekullore të shumë patriotëve të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët dhanë jetën që të realizohet nëntori i papërsëritshëm, sepse atëherë ky nëntor do të sublimojë plotësisht edhe dy nëntorët e parë.
Në poezinë e Brahim Avdylit nuk trajtohet vetëm çështja kombëtare, por poeti është i preokupuar edhe me ngjarjet që ndodhin në botë. Ai shpreh shpesh fijen e dyshimit ndaj Evropës, ka frikë se mos përsëri populli ynë përsëri do të hajë “bukë pelini” apo se do të mashtrohet përmes “paqes dinake”. Poeti e trajton edhe tragjedinë e Srebrenicës, në të cilën gjelatët serb pushkatuan mijëra boshnjakë të pafajshëm, në prezencën e helmetkaltërve të cilët i krahason me kalin e Trojës.
 
Në krijimtarinë e gjithmbarshme poetike të Brahim Avdylit, një vend të spikatur e zënë padyshim poezitë më motiv kurbeti. Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli, ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin përmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin, dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun. Kurbetçari i vargjeve poetike të Brahim Avdylit i ngjan Sizifit, i cili i ikën vdekjes; i dënuari i cili duhet të ngjitë gurin lart, çdo ditë,  por Sizifi  ka një fat me të mirë se poeti, sepse për poetin guri është Atdheu, është gjuha. Trotuareve të qyteteve të Evropës poeti e bart çdo ditë këtë gur, sepse ekzili është një përvojë e jashtëzakonshme e poetit. Dhe, edhe pse i stërlodhur, ai nuk heq dorë të realizojë qëllimin e tij, edhe kur ai qëllim duket i parealizueshëm. Kundërthëniet e ekzistencës së poetit në “tretdhe” janë shumë të dukshme:
 
derisa unë
këngëtar i shkretë
marr e jap një jetë të tërë
dhe s’lëviz nga vendi
gurin e dhembjes!...[10]
 
Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur” shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore. Kurbeti, është dhembje, para se gjithash e brendshme, dhembje mendimi, dhemje zemre, dhembje e përcjellur me një vetmi monotonie vrasëse. Ashtu si Noli i “Anës së lumenjve”, poeti shprehet:
 
                   E tërë jeta ime dënimit i ngjan-
                   Pranë syve kalon gëzimi dhe s’e mbërrij,
                   Pranë gojës kalon jeta dhe s’e shijoj
                   Pranë shetit e vërteta dhe s’më njeh
                   (.....)
                   As i mbytur jam as i shpëtuar
                   (....)
                   I syrgjynosur së gjalli, ja kështu në ferr-
                   Shpirtin plot dritë e përreth vetëm terr!
 
Ky shpirt plot dritë- poeti- nuk i mbyll sytë para kësaj gjendjeje, sepse është njeri i vuajtjeve dhe njeriu i vuajtjeve është i prirur t’i japë hapësisë shpresës, idealit të lirisë. Poeti i jep udhë shpirtit të mbrendshëm, i jep udhë guximit për të thënë, sepse ky guxim është të jesh vetvetja, të jesh identiteti në një botë ekzili, i jep udhë guximit për t’i shkruar mendimet, guxim ky i cili është dëshmi se poeti nuk qëndron oportun, dhe krejt në fund guximi për të besuar në lidhjen me lexuesin, sepse poezia është para se gjithash komunikim. Poeti Brahim Avdyli dëshiron që  lexuesit të vet t’ia përcjell me nota realiste jetën e kurbetçarit- jetën e tij- përvojën e tij në mërgim. Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës. Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendase, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe. Në poezinë “Jashtë atdheut” poeti shprehet kështu:
 
                   Jashtë trollit të tij njeriu s’paska forcë
                   (....)
                   Midis njerëzish ndihesh i huaj, në qytet i panjohur[11]
 
Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90. Në poezinë “Një nga njëmijë letrat e një kurbetçari dërguar Atdheut” ashtu sikurse Naimi dikur edhe poeti digjet për Atdheun, ai e do aq shumë atë sa nuk mund ta shohë me lot dhe shton:
 
                   ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri
                   vij apo nuk vij-
                   të kam e më ke në gji[12]
 
Si rrallëkush në poezinë shqipe të mërgatës, Brahim Avdyli me këto vargje e shtron dilemën hamletiane të mërgimtarit vij apo nuk vij, përmes së cilës në njërën anë pasqyron gjendjen shpirtërore të mërgimtarit, e në anën tjetër dilemën e cila e përcjell secilin  mërgimtar edhe sot me mendimin të kthehem apo të mos kthehem.
Vëllimi poetik “Klithje nga fundi i ferrit” është një cikël poezish të shkruara në Cyrih të Zvicrës, në të cilat portretizohet jeta e mjerueshme e “azilantëve” siç i quanin vendasit refugjatët e ardhur nga vende të ndryshme. Se sa ekstreme është kjo jetë, e shpreh poeti në poezinë “Jetë rezilantësh” të cilën kur e lexojmë,  shohim se sa i përdhosur ishte dinjiteti i një refugjati, apo më mirë të themi strehëkërkuesi në atë periudhë:
 
                   Azilant je, rezilant
                   Nichts, niemand,
                   Eine flecke in Europa!...[13]
 
që përkthyer do të thotë një refugjat është asgjë, askush, një njollë në Evropë. Për të qenë sa më autentik me mendimin, poeti i shkruan këto fjalë në gjermanisht.
Poeti Brahim Avdyli nuk i ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla pa halle për popullin prej nga vjen. Jo, ai është poet i cili në rend të parë ka një mision, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me të dhe kjo shprehet aq fort në poezinë “Dreka ime famoze”:
 
                   Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës
                   Rruga zgjatet gjer në Kosovë-
                   Udhëtim i tmerrshëm kafshoresh
                   Gjer te fëmijët e mi,
                   E unë kam dy milion fëmijë
                   Dy milion thika në mushkëri,
 
                   Ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës
                   Nga qepallat më rigon shi...
 
                   As ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund!![14]
 
Në këto vargje shihet se sa është i lidhur poeti me Atdheun, me dramën kolektive të tij.  Vetë titulli i poezisë është ironik, sepse poeti vetë është i varfër dhe për vendin ku jeton kjo drekë është më tepër se modeste, por edhe modestia është e tepruar përballë tragjedisë së popullit të vet. Për poetin kur jeton larg Kosovës “zemra digjet si eshka mbi gur”  dhe e përmbyll poezinë me vargun lapidar “mjer ai që vdes pa lirinë tënde”.
Në krijimet e tij poetike, Brahim Avdyli nganjëherë më parë se një poet, është një luftëtar i çështjes kombëtare. Poezia e tij është njëkohësisht rruga nëpër të cilën kalon populli i tij. Duke qenë në një rol të tillë, herë-herë poezia e tij humb në kualitet artistik, sepse bie në tabanin e rrëfimit politik e deri propagandistik, por kjo nuk e dëmton atë si poet- luftëtar, sepse ai është zëdhënës i një kohe, është një luftëtar për lirinë e atdheut.
Brahim Avdyli për pesë vjet udhëhoqi revistën “Qëndresa”, në të cilën revistë tema bosht ishte mbrojtja dhe internacionalizimi i kauzës kombëtare, dhe nganjëherë ky vrull luftarak depërton edhe në poezitë e tij dhe i bën ato deklarative. Se sa ishte ky rol dominues, shihet edhe nga fakti se në gjithë krijimtarinë e tij, ka mjaft pak poezi më motiv dashurie, dhe edhe kur shkruan poezi të tilla janë më shumë meditative, plot brengë me pikëllim.
Brahim Avdyli ka arritur të inkorporojë me mjaft sukses lëndën popullore në krijimtarinë e tij artistike. Kjo lëndë të shumtën e herave i jep një ngjyrim të veçantë poezive të tij, në anën tjetër, këto figura e paraqesin lidhshmërinë e përvojes jetësore të poetit me brumin e pashterrshëm popullor, brum i cili ka pasur shumë ndikim në formimin intelektual të tij.
Figura të dashura nga gurra popullore si dragoi, kreshnikët, kaçakët e malit, orlat etj., figura këto që personifikohen me të mirën, heroiken i ndeshim në shumë poezi.
Pastaj figura si lugetërit, kau i zi, djalli, bushtra, shtriga, Bajlozat, kuçedra e verdhë, korbat etj., të cilat personifikojnë të keqen, armikun,  poeti i përdor në funksion të përshkallëzimit të paraqitjes së armikut të popullit.
Brahim Avdyli në krijimimet e tij poetike i shfrytëzon edhe figurat mitologjike si Anteun, Kalin e Trojës, Sizifin, Kainin, Mbretërinë e Hadit, Afroditën etj., të cilat i transformon me mjeshtri duke i vënë në funksion të ideve artistike.
Duke e shikuar në tërësinë e saj, mund të themi lirisht se krijimtaria poetike  e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Brahim Avdyli ka krijuar botën e tij poetike, e cila tanimë është vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare.
 
 
 
[1] Brahim Avdyli: Në hijen e Alpeve, Rilindja, Prishtinë, 1983, faqe 5
[2]Brahim Avdyli,  Klithje nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, , faqe 22
[3]Agim Vinca, Pasthënie për librin  Baraspesha e humbur, Qëndresa, Gjakovë, 2003, faqe 125
[4] Brahim Avdyli, Zogu i këngës (poezi të zgjedhura), ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 51
[5] Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 56
[6] Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 58
[7] Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 105
[8] Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 109
[9] Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 68
[10] Brahim Avdyli, Klithmë nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, faqe 13
[11] Brahim Avdyli,  Baraspesha e humbur, Qëndresa, Gjakovë, 2003, faqe 43
[12] Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 113
[13] Brahim Avdyli,  Klithje nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, faqe 43
[14] Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 123


VASA ÇUBRILOVIQ, “DËBIMI I SHQIPTARËVE”, (1937)


(Pjesë nga elaborati)

 
                                                         Nga Xhelal Zejneli


Historiani dhe akademiku serb Vasa Çubriloviqi (1897-1990), memoranduminDëbimi i shqiptarëve (Iseljavanje Arnauta) e hartoi për qeverinë e Stojadinoviqit (Milan Stojadinoviq, Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961; jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939). Çubriloviqi ia propozoi kësaj qeverie mënyrat dhe metodat e zgjidhjes së“problemit shqiptar”. Ka lindur në Bosanska Gradishkë të BH-së. Emri i tij figuron në dy forma, si: Vasa dhe Vaso. Ka qenë një prej pjesëmarrësve më të rinj të atentatit në Sarajevë ndaj princit austriak dhe trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinandit (1863-1914). Ka qenë historian dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në memorandumin e vet përserbizimin e Kosovës e kritikon mënyrën joefektive të kolonizimit të kësaj hapësire pas Luftës së Parë Botërore, kur në to janë vendosur pjesëtarët e ish-ushtrisë serbe, me qëllim të shpërnguljes, d.m.th. dëbimit të popullsisë shqiptare. Në memorandumin të cilën më 7 mars 1937 ia dërgon qeverisë së Milan Stojadinoviqit, i propozon metodat e përndjekjes dhe të dëbimit fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një pastrim etnik të përpunuar dhe të planifikuar në hollësi. Për shqiptarët, ky akademik serb përdor termin Arnauti.

Shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan – thotë nacionalisti serbomadh Jovan Cvijiqi (1865-1927), gjeograf, rektor i Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.

Dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, i planifikuar dhe i përpunuar nga Çubriloviqi:

*   *   *
“Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur  kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit...
Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë(Kryengritja e Parë Serbe më 1804 – Xh. Z.), duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”.

* * *
“Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar kishte për detyrë ta shkatërronte shteti ynë i sotëm, prej vitit 1918 e këndej. Një gjë të tillë ai nuk e bëri. Për këtë ka shumë arsye, e ne këtu do t’i theksojmë vetëm ato më të rëndësishmet:
1) Gabimi kryesor i faktorëve tanë përgjegjës të asaj kohe qëndron në faktin se, për t’i zgjidhur problemet e mëdha etnike kanë tentuar t’i zbatojnë metodat perëndimore, duke harruar se ndodhen në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm. Turqia e solli në Ballkan parimin që e kishte marrë nga Sheriati, sipas të cilit, pas luftës së fituar dhe pushtimit të një vendi, fitohet edhe e drejta mbi jetën dhe mbi pasuritë e shtetasve të nënshtruar. Edhe popujt e krishterë të Ballkanit kishin mësuar prej tyre se me shpatë fitohen apo humben, jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe prona. Ky koncept për marrëdhëniet juridiko-private në Ballkan, deri diku është zbutur me ligje, me dekretligje dhe me konventa ndërkombëtare të hartuara nën trysninë e Evropës; megjithëkëtë ai(ky parim i sheriatit – Xh. Z.), deri në ditët tona ka qenë metoda kryesore, edhe e Turqisë, edhe e shteteve ballkanike. Për ta ilustruar një gjë të tillë, nuk na duhet t’i kthehemi një të kaluare të largët. Do t’i përmendim vetëm rastet e paradokohshme: shpërngulja e grekëve nga Azia e Vogël për në Greqi dhe e turqve nga Greqia për në Azi të Vogël; shpërngulja më e re e turqve nga Bullgaria dhe nga Rumania për në Turqi. Derisa të gjitha shtetet ballkanike, prej vitit 1912 e këndej, çështjen e pakicave kombëtare, ose e kanë zgjidhur tashmë, ose janë duke e zgjidhur - duke i shpërngulur ata, ne ndërkaq i kemi zbatuar metodat kontestuese dhe të ngadalshme të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj metode kanë qenë negative... Duke qenë se shqiptarët janë të egër, kanë shkallë të lartë të shtimit  dhe duke qenë se kushte e kolonizimit sipas metodave të vjetra janë gjithnjë më të vështira, ngecja jonë në shpërnguljen e shqiptarëve, në krahasim me vendet e tjera, me kalimin e kohës do të rritet gjithnjë më tepër; për pasojë, do të vihet në dyshim edhe kolonizimi pak a shumë i suksesshëm që e kemi kryer prej vitit 1918 e deri më sot”.

* * *
4) S’ka dyshim se shkaku kryesor i dështimit të kolonizimit tonë në ato vise qëndron në faktin se tokat më të mira kanë mbetur në duart e shqiptarëve. Për ta vendosur elementin tonë në përmasa të mëdha në ato rajone, ka pasur vetëm një mundësi: shqiptarëve t’u merreshin tokat. Një gjë e tillë ka qenë e mundshme të bëhej më lehtë pas luftës (Luftës së Parë Botërore – Xh. Z.): duke e dëbuar një pjesë të shqiptarëve për në Shqipëri gjatë rebelimeve dhe aksioneve të kaçakëve, duke mos i legalizuar uzurpimet e tyre dhe duke i blerë çifligjet e tyre.
Përsëri duhet t’i rikthehemi me këtë rast gabimit katastrofik të konceptit tonë juridik të periudhës së pasluftës lidhur me pronësinë mbi tokën. Në vend që ta shfrytëzonim konceptin e vetë shqiptarëve për tokat e uzurpuara prej tyre, rrallëkush prej tyre ka pasur edhe tapi turke, madje vetëm për pronat e blera – ne, në dëm tonin të madh kombëtar dhe shtetëror, jo vetëm që i kemi legalizuar të gjitha këto uzurpime, por, që është edhe më e keqe, ua kemi vënë në dijeni shqiptarëve konceptet euro-perëndimore mbi pronën private. Para kësaj kohe, ata nuk kanë ditur për një gjë të tillë. Në këtë mënyrë ne vetë ua dhamë në dorë armët me të cilat do të mbrohen, do t’i mbajnë tokat më të mira dhe do të bëhet i pamundur nacionalizimi i një prej rajoneve më të rëndësishme për ne”.

* * *
“Ky bllok shqiptar përgjatë Stara Planinës (Mali i Vjetër, term bullgar për Ballkanin – Xh.Z.) për shtetin tonë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, edhe kombëtare-shtetërore edhe strategjike. Më lartë e treguam mënyrën e krijimit të tij dhe rëndësinë e tij për lidhjen e fuqishme të viseve përgjatë luginës së Vardarit me territoret tona të vjetra. Forca më e madhe e ekspansionit serb, që nga fillimi i krijimit të shtetit të parë serb e këndej, që nga shekulli IX, gjithmonë është mbështetur në kontinuitetin e këtij ekspansioni dhe të territoreve të vjetra të Rashkës, në të gjitha drejtimet, po edhe kah jugu...
Në shekullin XX mund të jetë i sigurt vetëm ai vend që është i banuar me popullin vetanak, ndaj është detyrë mbi detyra e çdo njërit prej nesh të mos lejojmë që pozicionet e tilla me rëndësi strategjike kaq të madhe t’i zotërojë elementi, i cili për ne është i huaj dhe armiqësor.  Aq më tepër kur ky element ka mbështetje në shtetin kombëtar amë. Ky shtet sot ende është i pafuqishëm, por edhe si i tillë është shndërruar në bazë të imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai synon të depërtojë në zemër të shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjet më i sigurt është elementi ynë i cili do të dojë dhe do të mund ta mbrojë pronën e vet dhe shtetin e vet.
Përpos në këtë bllok prej 18 rrethesh ku janë kompakt, shqiptarët dhe pakicat e tjera kombëtare në zonat jugore jetojnë edhe të shpërndarë. Si të tillë, nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë kombëtare shtetërore. T’i nacionalizosh rajonet përgjatë Stara Planinës do të thotë ta vrasësh përgjithmonë çfarëdo irredentizmi dhe përgjithmonë ta sigurosh shtetësinë mbi këto vende”.           

* * *
“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm me anë të kolonizimit shkallëzor; ky është i vetmi popull që ka arritur në një mijë vitet e fundit, jo vetëm të qëndrojë përballë bërthamës së shtetit tonë Rashkës dhe Zetës, por edhe në dëm tonin t’i shtyjë kufijtë tonë etnikë në veri dhe në lindje. Derisa kufiri ynë etnik, në një mijë vitet e fundit, në veri ka lëvizur deri në Suboticë, ndërsa në veriperëndim - deri në Kupë, shqiptarët ndërkaq, na kanë dëbuar nga lugina e Shkodrës, kryeqendrës së dikurshme të Bodinit, nga Metohia dhe nga Kosova(Sipas burimeve sllave: Konstantin Bodin, një prej sundimtarëve në historinë kombëtare të malazezëve; prej vitit 1082-1108 ka sunduar në Mbretërinë e Duklës,– Xh. Z.).
E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet për ta zgjidhur problemin shqiptar është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar, e në këtë pikëpamje ne kemi qenë gjithmonë mbi ta. Fakti se prej vitit 1912 e këndej nuk kemi pasur sukses në luftën ndaj tyre, faji është yni, për arsye se këtë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet.
Për një nacionalizim (asimilim – Xh. Z.) të tyre në favor tonin as që mund të flitet. Përkundrazi, duke iu mbështetur Shqipërisë, zgjohet vetëdija kombëtare e tyre dhe po qe se punët nuk do t’i pastrojmë në kohë, për 20-30 vjet do të kemi një forcë irredentiste të hatashme, gjurmët e së cilës tanimë vërehen dhe kjo, pa asnjë dyshim, do të vë në pikëpyetje të gjitha zotërimet tona në Jug”.
“Siç thash dhe më sipër, për ne është efektive vetëm shpërngulja masive e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. Për t’u zbatuar një shpërngulje masive, kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme. Kjo mund të bëhet në disa mënyra.
Të gjithë e dimë se popullata myslimane në përgjithësi, duke qenë naive, por edhe fanatike, shumë lehtë i nënshtrohet ndikimit, sidomos atij fetar. Me fjalë të tjera, për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet ta bëjmë për vete klerin dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke iu kanosur. Sa më parë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, e sidomos po qe se vetë Turqia do të pajtohej të na i dërgonte”.
(Detyrë e agjitatorëve ka qenë ta lëvdojnë Turqinë, jetën e atjeshme, të thonë se atje është parajsë, se ky këtu është vend i shkaut, i kryqit, se këtu do të bëhen shkie, do ta humbin fenë. Ata që do të shpërngulen për në Turqi dokumentet e udhëtimit do t’i nxjerrin për një ditë, pa asnjë procedurë, biletat do të jenë me çmime të lira, madje edhe falas, transporti i valixheve deri te stacionet e trenave do të jetë falas...)

* * *
“Mjet tjetër do të kishte qenë trysnia e aparatit shtetëror. Ai duhet deri në skajshmëri t’i vërë në zbatim ligjet, në mënyrë që sa më tepër t’ua nxijë jetën shqiptarëve: gjobitje, arrestime, zbatimi i pamëshirshëm i të gjitha rregullave policore, dënimi i kontrabandës, i prerjes së pyjeve,  ndjekja e njerëzve, lëshimi i qenve, angazhimi në punë angarie dhe çdo metodë tjetër që mund ta zbatojë në praktikë një polici.
Në lëmin e ekonomisë të merren masat vijuese: të mos njihen tapitë e vjetra; puna në kadastra në të gjitha zonat duhet të ndërpritet menjëherë; tatimet dhe të gjitha borxhet publike e private të grumbullohen pa mëshirë; të ndalohet shfrytëzimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; të hiqen  koncesionet; të merren lejet e lëshuara të punës për kafenetë, për dyqanet dhe për zanatet; të merren lejet e monopolit; të dëbohen nga shërbimet shtetërore, private dhe të vetadministrimit, etj. Me masat e lartpërmendura shpërnguljet do të përshpejtoheshin.
Të zbatohen në mënyrë praktike dhe efektive edhe masat sanitare, si p.sh.: të përmbarohet me dhunë çdo aktvendim edhe ndaj shtëpive; të rrënohen muret dhe rrethojat e mëdha përreth shtëpive; të zbatohen me përpikëri masat veterinere me të cilat do të ndalohet nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj.
 Në çështjet fetare shqiptarët janë më të ndjeshëm, ndaj edhe në këtë sferë duhet të goditen mirë. Kjo mund të arrihet duke i shkaktuar probleme të ndryshme klerit, duke hapur rrugica nëpër varreza me qëllim përdhosjeje të tyre, duke e ndaluar poligaminë, e sidomos e duke zbatuar në mënyrë të pamëshirshme ligjin që edhe vajzat të detyrohen ta ndjekin shkollimin fillor, kudo që ka shkolla.
Në këtë drejtim mund të bëjë shumë edhe iniciativa private. Kolonëve tanë, varësisht nga nevoja, duhet dhënë armë. Në ato rajone duhet të ndërmerren aksionet e vjetra të çetnikëve, ndërsa gjatë realizimit të aksionit, ai të mbështetet në mënyrë sekrete. Për të shkaktuar konflikt masiv me shqiptarët në Metohi,  prej kodrave duhet lëshuar një valë malazezësh.  Konflikti duhet të përgatitet me njerëz të besueshëm: sa më shumë që të ngrenë krye shqiptarët, aq më lehtë do të mund të shtrihet konflikti dhe ngjarja, në mënyrë të qetë, të prezantohet si konflikt i vëllazërisë dhe fisit dhe në rast nevoje t’i jepet karakter ekonomik. Në instancë të fundit, mund të nxiten edhe kryengritje lokale në mënyrë që të shuhen në gjak me mjete më efektive, por jo aq me ushtrinë sa me koloniatët (kolonizuesit – Xh. Z.), me fiset malazeze dhe me çetnikët.
Ekziston edhe një mjet të cilin Serbia në mënyrë tejet praktike e ka përdorur pas vitit 1878 - djegia sekrete e fshatrave dhe e lagjeve të shqiptarëve nëpër qytete.”

* * *
Kolonëve pra duhet t’u sigurohen të gjitha kushtet jetësore për disa vjet, po qe se dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pamëshirshëm duhet të shuhet çdo spekulim me shtëpitë dhe me pronat e shqiptarëve të shpërngulur. (Çdo pretendim për të dëshmuar të drejtën e trashëgimisë ndaj shtëpive dhe pronave të shqiptarëve të shpërngulur, përnjëherë të hedhet poshtë - Xh. Z.).Shteti duhet të ketë të drejtë të pakufizuar për të vënë në dispozicion edhe pasuritë e luajtshme, edhe pasuritë e paluajtshme të pronarëve dhe pas vajtjes së tyre, menjëherë t’i sjellë aty kolonët e vet. Duhet vepruar në këtë mënyrë për arsye se rrallë mund të ndodhë që përnjëherë të shpërngulet i tërë fshati. Në ato fshatra, si njerëz të pacipë, agresivë dhe të vrazhdët, në fillim duhet të vendosen malazezët, të cilët duke shkaktuar incidente do t’i detyrojnë shqiptarët që ende nuk janë shpërngul, të ikin sa më parë. Pas kësaj, të sillen edhe kolonë prej anëve të tjera.

* * *
“Duke i pasur parasysh të gjitha këto që u thanë më sipër, nuk është e rastit që ne, gjatë shqyrtimit të çështjes së kolonizimit në jug, nisemi nga fakti se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së kësaj çështjeje është çatdhesimi masiv i shqiptarëve. Kolonizimi gradual nuk është kryer me sukses, as te ne, as në ndonjë vend tjetër. Në luftën për tokë, organet shtetërore  që punojnë në favor të elementit të vet, mund të arrijnë sukses vetëm atëherë kur ndërmarrin masa brutale. Përndryshe, vendasi që është rrënjosur në vatrën e vet dhe që u është përshtatur kushteve klimatike të mjedisit, gjithmonë është më i fortë se kolonizuesi. Këtë duhet pasur parasysh, sidomos kur kemi të bëjmë me një racë të egër, vitale dhe me prirje të madhe shtimi (sirova, žilava i plodna rasa) për të cilën i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan”.
Memorandumin e Çubrilloviqit, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe rrethanave ndërkombëtare të pafavorshme, Qeveria e Stojadinoviqit nuk arriti ta implementojë në tërësi. Pas sulmit gjerman mbi Jugosllavinë më 6 prill 1941 dhe shkatërrimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, jetësimi i tij u ndërpre. Ai mbeti në arkiva dhe për të, përpos një numri të vogël studiuesish, vite të tëra s’ka ditur kush.
Për këtë elaborat opinioni ndërkombëtar për herë të parë mësoi në vitet ’60 të shekullit XX, kur ai ra në duart e autoriteteve më të larta të Shqipërisë. Duke u bazuar në këtë projekt famëkeq, autoritetet e Tiranës e demaskuan botërisht ideologjinë serbomadhe dhe planet për pastrimin etnik të trojeve shqiptare në Jugosllavi. Autoritetet zyrtare të Jugosllavisë e kanë mohuar ekzistimin e këtij elaborati, por ai filloi të qarkullonte ndër historianë.
Për elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” publiku jugosllav mësoi për herë të parë në janar të vitit 1988 kur disa pjesë të tij u botuan në vazhdime në të përditshmen “Borba” të Beogradit, e pak më vonë edhe në revistën “Start” të Zagrebit. Gazeta Borba në atë kohë ishte pjesërisht e pavarur nga politika nacionaliste e Sllobodan Millosheviqit. Publikimi i këtij elaborati shkaktoi skandal për arsye se me këtë u cenua, jo vetëm reputacioni i historianit prestigjioz, por edhe i laureatit të Çmimit Nobel, shkrimtarit serb Ivo Andriq(1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i mbështeti planet antishqiptare të Çubrilloviqit.
Më vonë ky tekst shpesh është cituar dhe është theksuar nga publicistë të ndryshëm shqiptarë dhe kroatë, si një nga dokumentet themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që i përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë autoritetet serbe, për pastrimin etnik të territoreve të shqiptarëve, të myslimanëve dhe të kroatëve.
Manuskripti i elaboratit të Çubrilloviqit “Dëbimi i shqiptarëve” ndodhet në Institutin Ushtarak-Historik të APJ-së, Arkivi i ish-ushtrisë jugosllave, Beograd, 7 mars 1937, No. 2, Fasc. 4, Box 69, 19 pp.
* * *
Ide të ngjashme Çubrilloviqi ka paraqitur edhe në memorandumin tjetër të tij që mban titullin “Çështja e pakicave në Jugosllavinë e re”. Më 3 nëntor të vitit 1944, d.m.th. menjëherë pas çlirimit të Beogradit, memorandumin ua propozoi autoriteteve të reja komuniste. Në të i kishte përfshirë të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë. Zyrtarisht, plani u hodh poshtë si jokompatibil me ideologjinë komuniste. Megjithëkëtë, Çubrilloviqi u pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Me këtë rast, elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” nuk figuroi në biografinë zyrtare të tij.
Edhe në këtë memorandum propozohen mënyrat e zgjidhjes së “problemit të pakicave”, duke bërë pastrimin etnik të Jugosllavisë nga të gjitha pakicat josllave.
Çubrilloviqi thotë se të gjitha minoritetet në Jugosllavi, si: shqiptarët, gjermanët, hungarezët, italianët dhe rumunët, duke manifestuar “haptas qëndrim armiqësor ndaj shtetit ku jetojnë”, vetvetiu e kanë privuar veten nga të drejtat qytetare. Për këtë arsye, ata duhet “të dëbohen nga shteti ynë, ngase një gjë të tillë edhe e kanë merituar”.
 Dr. Çubrilloviqi i propozon kreut ushtarak dhe shtetëror çatdhesimin(ekspatriacionin) e miliona njerëzve, me çka sipas tij, çështja e pakicave në Jugosllavi do të zgjidhej përgjithmonë. Ai thotë se në Jugosllavinë Demokratike Federative do të kishte paqe dhe prosperitet vetëm atëherë kur të ishte etnikisht e pastër dhe kur të zgjidhte çështjen e pakicave “një herë e mirë”; pas kësaj nuk do të kishte më fërkime ndëretnike dhe as përplasje me shtetet fqinje.
Në memorandumin e sipërthënë - të mbajtur sekret, midis tjerash Çubrilloviqi thotë: “Me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, me çdo kusht duhet ta pushtojmë etnikisht Baçkën, Kosovën dhe Metohinë, duke dëbuar me këtë rast qindra mijë hungarezë dhe shqiptarë nga shteti ynë”.
Çubrilloviqi thotë se “këto luftëra janë momente më të përshtatshme për zgjidhjen e këtyre problemeve”, për arsye se “atë që në paqe nuk mund ta realizosh me dekada dhe shekuj, në kohë luftërash e realizon vetëm për disa muaj apo vetëm për pak vite”. Prandaj propozon që Ushtria Popullore Çlirimtare e Jugosllavisë (UPÇJ), qysh gjatë operacioneve luftarake “me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme” t’i pastrojë këto vise prej pakicave kombëtare, në mënyrë që në to të vendoset “elementi kombëtar”.
*   *   *

Në vitin 1953 e kemi Marrëveshjen xhentëlmene midis Turqisë dhe Jugosllavisë për shpërnguljen e shqiptarëve nga vatrat e tyre. Kjo marrëveshje përmban 10 pika. Në përputhje me këtë të,  grupet e përbashkëta parlamentare vizituan Turqinë dhe Jugosllavinë.
Për t’i çatdhesuar (ekspatricionuar) shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera, Beogradi synonte të vendosë lidhje sa më të ngushta me Turqinë. Me fjalë të tjera, ai synonte ta ripërtërijë Konventën jugosllavo-turke të vitit 1938 përçatdhesimin (ekspatriimin) e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe deportimin për në Turqi. Së pari, Jugosllavia duhej të përmbushte detyrime financiare të caktuara, të parashikuara me konventën e vitit 1938, që kapnin një shumë prej 90 milionë dollarësh.
Për riaktivizimin e konventës ishte e interesuar edhe Turqia. Ajo synonte t’i përdorë shqiptarët në luftën kundër kurdëve, ndaj planifikonte t’i vendosë në zonat kurde.

*   *   *
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë e AVNOJ-it (KAÇKJ), Çubrilloviqi bëri karrierë politike. Menjëherë pas çlirimit, u emërua dekan i Fakultetit filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas themelimit të qeverisë së parë të përkohshme të Jugosllavisë Demokratike Federative, në vitet 1945-1946 u emërua ministër i Bujqësisë, ndërsa në vitet 1946-1950 – ministër i Pylltarisë. Është dekoruar me“Çmimin e Tetorit” dhe me “Çmimin e 7 Korrikut. Ka qenë një nga personat më kompetentë për kolonizimin e viseve veriore të Jugosllavisë, kur janë dëbuar nga Vojvodina gjermanët nëndanubianë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...