Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/28

BESIM CENGU: "MBRETËRIA POETIKE" E MOIKOM ZEQOS



 Vëllimi poetik “Centauri i Ri” i Moikom Zeqos përcakton atë shprehjen që vetë poeti e thekson se “poezia ndihmon të zbulojmë atë që ende nuk e dimë...”. Çdo libër që boton poeti e konsideron si sfidë ndaj vetvetes, dhe në fakt kështu është. Poezitë e këtij vëllimi janë përzgjedhur te dorëshkrimet e pabotuara...

Dorëshkrimet e pabotuara! 


Sa shumë dorëshkrime të pabotuara ka ky patriark i letrave të sotme shqipe!

Plot, plot fletore e blloqe të rregullt dhe të ruajtur me kujdes.

Se kush pat thënë dikush i ditur se “që ta kuptosh plotësisht një krijues, lexo dorëshkrimet e tij”.

Moikom Zeqo është gjithnjë i paplotë sa të mos i njihen dorëshkrimet.

Një ditë më tha: “i kam thënë Epidamnit (djalit) se mund të bëni ç’të doni me të gjithë librat e bibliotekës, por dorëshkrimet m’i ruani. M’i ruani se aty jam unë i plotë. Jam i vërteti, i ploti, i sinqerti, i kuptueshmi”.

Pasi botoi Centaurin e Ri, vëren se kishte lënë një cikël poetik të natyrës së poezive të këtij vëllimi të harruar në një prej blloqeve të panumërt. Një cikël marramendës mbushur me intensitet mendimi dhe metaforash ku “Thepat e agavieve e plagosin agun” e “Shqiponjat e detit mbi zenite rrinë.” Thjesht një tufë poezish të magjishme dhe që vetëm universi i mendjes moikomiane i prodhon.

Poezi të mrekullueshme moderne.

Po e botojmë këtë cilël (cikël i thotë Moikomi, por në fakt është vëllim poetik më vete me 56 krijime të përsosura, pjesë e “mbretërisë poetike moikomiane” siç e ka cilësuar studiuesi Fatmir Alimani.

Moikom Zeqo shkruan për të gjithë njerëzit që jetojnë mbi tokë, e jo për një pjesë të tij, prandaj ai është universal.

Poezia e tij është mrekulli artistike dhe e figurës poetike. Ai e di dhe është i vetëdijshëm se është koha për një vështrim të ri poetik, për një formë të re, për një mendim të ri, për një fjalë tjetër që rrëmben, që tingëllon tjetërlloj, që përcjell një mesazh tjetër, që le një shije tjetërndryshe.

Kam mendimin se problemi substancial i krijimit artistik që prej qytetërimit të lashtë e deri më sot ka qenë raporti i përmbajtes me formën që sintetizojnë të tërën, veprën e plotë artistike që sipas autorit përcjell mesazhin e arrin qëllimin për të cilin shkruhet. Jo më kot Moikomi e vlerëson krijimin e vet poetik në këtë drejtim. Në të kundërtën nuk e konsideron të tillë.

Në shekullin e XIX ky raport u sintetizua në pyetjen e famshme retorike të Zhorzh Sand-it kur thoshte: “Venusi i Milosit është i përsosur. Ashtu qoftë! Po ç’më duket një kokë e bukur gruaje kur brenda nuk ka tru?” Prej kur u shtrua kjo pyetje e deri më sot arti ka ecur në hulli kërkimi të pambarimtë artistik edhe duke përsosur formën edhe duke pasuruar përmbajtjen. Prej këtij kufiri kohor ndarës cilësisht rolin më të madh e ka lujtuar “mbretëria e metaforave dhe filozofimit poetik”.


- Dr.Moikom Zeqo - 

Simbolizmi francez është ndoshta shprehja sintetike e nisjes së poezisë së re. Ky revolucion artistik përmbysi koncepte e ndërtoi forma krejt të reja e krejt të ndryshme që u bënë avangardë e një krijimi të përmasave të tjera të ndryshëm në formë, gjuhë, figura, trajtim e shtjellim idesh, përdorimin e teknikaliteteve të reja. Verlen, Rembo, Bodler, Malarme etj., apo Po, Witman e Strinberg në Amerikë, por edhe Lermontovi, Shevçenko në Rusi u bënë “mentaliteti i ri artistik”, “të përjashtuarit prej rregullit”, “planetet që fluturonin në një orbitë të re krejt të panjohur prej artit tradicional”. Fillimisht për të mos u kuptuar e për tu quajtur absurdi i madh i shoqërisë, e më pastaj, për tu thithur e vlerësuar realisht si kërkesë e kohës e domosdo e saj.

Para së gjithash, sipas Moikom Zeqos, rëndësinë më të madhe e ka fjala. “...A është funksioni i Poezisë të gjejë fjalë të reja, më të abstraguara, më shndritëse (luçiferriane), apo të ndreqë një protokoll të moçëm, të përkryejë simetrinë e një raporti fjalësh, apo ta çojë e ta tkurrë një mendim e një ide në zgripin e përpiktë të një gjeometrie euklidiane? A është kjo përkryerje e sipërfaqes, e së dukshmes sipas kërkesave të një sqime të pamundshme, apo të një argjendarie zbukuruese? Po a mund të zhbëhet një qëllimshmëri përmasash për të zëvendësuar (alternuar) me një shpërthim të kuptimshmërisë antike dhe ftillëzuese të fjalëve?”

Pyetjeve drithëruese, realisht thelbësore në artin e sotëm modern që shtron vetë poeti u jep përgjigje me sukses nëpërmjet magjisë së fjalës në poezitë e tij si epërsi e kreativitet kundrejt “agresionit” virtual internetik që po deformon tragjikisht krijimin artistik si magji e njerëzimit. Mendja njerëzore ka krijuar botën virtuale, ndaj është e destinuar ta sundojë atë.

... Edhe në këtë cikël të tij, të cilin autori e quan “Orëndreqësi qiellor”, si një këmbanë që jehona e tingujve të saj nuk resht, poeti te poezia “Revolucioni botëror” shtron pyetjen që do të shoqërojë njerëzimin gjatë shekullit të XXI:

...“Email-et më rrethojnë kudo si një kor,

Ngjan se materja ka humbur pa cak.

Si ta bëj një revolucion botëror

Në një delfin, tre yje e dhjetra zambakë?”


Në një takim me Dr. Moikom Zeqon, Gjokë Dabajn,

Besim Cengun dhe Demir Reshitin.

...........................................

MOIKOM ZEQO

ORËNDREQËSI QIELLOR

Me tela Aushvici më rrethon elektronika,

Kujtesa është “delete” nëpër kohëra

Dhe mblidhen zogjtë mbi vetullat e mia

Si afresket e Onufrit mbi kupola.

Ku është e Bukura? Ku është Arkadia?

Pse korbi i Poes thotë kudo “Never more”?

Veç trafiku i pandalshëm me drita

Është ëndrra e një orëndreqësi qiellor.

MONEDHA NGA FYTI I PULËBARDHËS

Retë e pikëllimit pa forma, pa shprehje,

Ftillëzohet gjeneza e botërave prap.

Unë i zhduk kufijtë midis vjeshtës dhe teje

Bukuri e përbërë, e harlisur në ag.

E dashur ku je? E abstragon mungesën!

Me flokë prej rontgeni në gjithësi.

Nga fyti i pulëbardhës e nxjerr monedhën,

Te telefoni automatik, - të lidhem me ty.

KIRURGU KOZMIK

Guackat e bregut e rishpikin mermerin

Në vorbulla misteri për një lapidar,

Ku drurët e plagosur të vendlindjes nxjerrin

Limfa floriri në muzgun detar.

Si ballë Polifemi prej mijëra sysh

Shfaqet shumësia e vetë universeve.

Ç’kirurg kozmik do t’i ngjisë sërish

Gjymtyrët e copëtuara të rrufeve?

VAJTOJCAT LULEKUQE

Diku shkrep papritur klithma e një drite

Në thepisjet marramendëse të stralleve.

Do të jem në terr veç djersë diturie

Mbi ballet e deformuar të të marrëve!

Shekujt i kanë emrat si gjemba gëmushe,

Ku çirren e gjakosen heronjtë e baladës.

Brengën ua lë vajtojcave lulekuqe

Në pllajat e pafund të imagjinatës!

TRUPI DHE SHPIRTI

Thepat e agavieve e plagosin agun,

Shqiponjat e detit mbi zenite rrinë.

Vjeshta mbetet Mysterium Magnum,

Pamatësia na e çvesh mençurinë!

Sa grigja mitike mbi Akrokeraunet,

Zëri i dhive përhap veç pranverë.

Njeriu e lë trupin e tij ku të mundet,

Por veçse shpirtin me vehte e merr!

KATASTROFA

Katastrofa ngre gracka në vrima,

Stuhia si epidemia shpërthen.

Pse blokun e adresave të mia

Ma vodhën Sherlok Holmsët alienë?

Tani çdo pemë e ëndërron rilindjen,

Katër kuajtë e stinëve rrëzohen përdhe.

Homeri s’u grind vetë për vendlindjen,

Veç të tjerët u grindën për të.

REVOLUCION BOTËROR

Kush shpik arkeologji për internetin,

A kriminalistikën e virtuales?

Veç buajt mitikë të Butrintit tërheqin

Plugun e mijëvjeçarëve të fjalës.

Email-et më rrethojnë kudo si një kor,

Ngjan se materja ka humbur pa cak.

Si ta bëj një revolucion botëror

Në një delfin, tre yje e dhjetra zambakë?

MAGICA SEXUALIS

Tani çdo situatë është një emergjencë

Dhe çdo tragjedi është veç një farsë.

Durimi është lëkura ime o Diell,

Që çvoshket dhe bije mbi kuarc!

Lëkura që ndizet dhe tmerron dhe borën

Dhe akujt apokaliptikë të mitit,

Po vargjet erotike të Petrarkës shndrrohen

Në Magica Sexualis të amëshimit!

AMËSHIMI PA RRËFIME

Tek atdheu i humbur rikthehem tek Heshtja

Për tërë amëshimin s’kam më rrëfime,

Tek vreshta e eukaristive të shenjta

Janë vilet e gjijve të amazonave ilire.

Dhe mbase në kulm, mes katastrofave

Do të shfaqem sërish me gjestin mallkonjës.

Dhe i mbart fjalët si zilkat e lebrozëve -

Të frikësohen tërë idiotët e botës!

PRINCËRIT E ZJARRIT

O, si shumëfishohet pushteti i Gënjeshtrës

E s’jam hero i asnjë prej betejave!

Princërit e zjarrit në dashuri ranë njëherësh

Me detin femëror të të gjitha gjenezave!

Kush hieroglife i bën tërë florudhat?

Ç’transendencë të re shpik marramendja?

Kujtova se më erdhën Tri të Bukurat,

Por qenë Brenga, Ankthi dhe Vdekja!

SIBILAT PA ZË

Bije të fle por mua gjumi s’më zë,

Ashtu si Milosao i lashtë në baladë.

Kërkoj të Vërtetën – Sibilat s’kanë zë,

Ato dhe Bogdani s’gjeti më prap.

Ç’mbretëri e harruar mbi thepa dhe maja,

Mbi amëshimin kapricioz të deteve,

Ku ditët vajza vallëzojnë nëpër pllaja

Me zezakët qiellorë të netëve!

THELLËSIRAT JANË KUAJ

Shpirti i Serembes është shndërruar në re,

Një rimë e harruar është ky zog në gëmushë.

Thellësirat janë kuaj që lëvizin me nge

Me jele leshterikësh blu dhe të kuq.

S’kam ku të shkoj, veç në det, në det,

Si Holandesi Fluturues i mitit.

Fryma ime e dëshpërimit bren dhe tret

Vetë piramidat vigane të Egjiptit!

ADRESË ZODIAKU

Si katedrale qelqi rri mbi Currila,

Kujtesa pa engjej me muzgun afresk.

Unë si Eskili mbledh thërrimet shira

Nga sofra përrallore e Homerit det.

Pse koha vërtitet në mjegull dhe llohë,

Ulërin në shi luani i shën Markut?

Adresa ime s’përcaktohet dot

Veç nga shenjat qiellore të Zodiakut!

STINËT, GRA TË MAGJEPSURA

Realiteti arrin tek zeroja mistike.

Ç’ceremoni e Bizantit me kaktuset shpura!

Dikur dhe pelikanët si poetë budistë

Artikulonin vargje blu për mua!

Kush tund mbi planet temjanicat smog

Me duar kometash në altarët pa mesha?

Dhe unë arrij tek Asgjëja: S’ka portë!

Tundohem nga stinët: gra të magjepsura!

VALKIRIA

Kibernetika e klonon vetë shekullin.

E ardhmja është meteor mbi hon.

Se tërë engjejt dedektivë më ndjekin,

Por unë jam fshehur tek Vdekja përgjithmonë.

Pa ëndërrim dhe ankth e shquaj Valkirën

Mbi luftërat e ideve plot dritë në fortunë.

Bukuritë e shpirtit tim valëviten

Tek shtiza e një flamuri nokturn!

KALI I MILOSAOS

Ah, deti jonik i kristaltë në llohë,

Miti i Tomorrit vjeshtuar në lofatë.

Arat me kallëzat e arta i shoh

Si garderobë perandori të lashtë.

Bluja e ditës në apoteoza meket,

Kripa kërcet – asnjëherë pa klithur.

Lulëzon mëllaga e re, kaq e freskët,

Kali i Milosaos e mbllaçit papritur!

MBIJETESA E NJERIUT

Poezia s’është as e gjallë, as e vdekur –

I vetmi sekret mbijetese i Njeriut

Krejt lakuriq mbi një kalë të çveshur

Si ta vesh parzmoren prej muzgu të shiut?

Si ta gjej shpatën e humbur në mite?

Qëllimin që s’është mbi humnera deti?

Xixëllonja verbon si pikë ortografike

Në fund të një fjalie testamenti!

KISHAT E GJUMIT

Nëse mbjell gjemba grurin s’e korr.

S’filitëse është lëvizja e ritit.

Pritja e Godosë – alegoria horror

Për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Përherë symbyllur unë shoh gjithçka

Me dritën pa elektricitet të trurit.

Ndërsa tërë ëndërrat jehojnë si këmbana

Në kishat e shurdhëta të gjumit!

CENSURIME HEREZISH

Kodra me xinxife, -saga lirike,

Bluja e detit ndryshket nga vjeshta.

Ejani, ejani në Meshën Gnostike

Të shpirtit tim të pikëlluar nga Hëna!

O librat e mëdhenj! I mbyllur në kriptë

Gjakun e shpërthej kudo si meteor.

Vetë Zoti, Zoti m’i censuron utopitë –

Herezi të autoritetit hyjnor!

KIPCI

Ç’është dashuria ? Mahnitja që s’rresht?

Ç’kuaj të bardhë mes muzgut të gjelbër!

Të kam tradhëtuar e dashur kaq shpesh

Me vajzat e papara të një planeti tjetër!

Tani një Logos në shkretëtira bredh,

Por urat e mëdha i bren një acid.

Unë rri si asket në vetminë e thellë,

Skandalet rebele i bën kipci im!

BUJTINA E BRAKTISUR E PURGATORIT

Kujtesa s’le gjurma mbi pluhurat e dheut,

Ajo lë tatuazhe në lëkurë të planetit.

Unë mund të takoj vetë Odiseun

Me veshjen mesjetare të Dante Aligerit.

E ardhmja e kërkon më kot eliksirin,

Virtualja ka shijen e vetë horror-it.

Mbase jam fqinj me vetë Shekspirin

Në bujtinën e braktisur të Purgatorit.

AKULLNAJA E ILUZIONIT

Me nerva kam një elektrokardiogramë

Të zemrës së shekujve që rreh me vertik.

Si t’i qiellzoj këtë kuaj të bardhë

Në bregdetin e purpurt jonik?

Ç’ide u fundos si Titaniku i hekurt

Nga akullnaja e një iluzioni të kotë?

Një plug i braktisur dhe i ndryshkur ka mbetur-

Pëllumb i gjakosur që s’fluturon më dot!

DINOZAURET E MELANKOLISË

S’vij më në Currila për një status të ri,

A një fillim të tjetërllojtë të jetës.

Një plep gjetheartë drithërohet tani

Si tepsi me cironka në kuzhinën e vjeshtës.

Stërkalat në det e ndritin delfinin

Si hedhja në roletin e vetë fantazisë.

Tani mbi pllaja ringjallen dhe lëvizin

Dinozaurët e lashtë të Melankolisë.

VDEKJA, ARNË E MREKULLUESHME

Ç’hieroglif po bëj me majën e një brushe

Në qiellin tim për kohërat e kujtesës?

Dhe vdekja bëhet arnë e mrekullueshme

Në këmishën e grisur të jetës!

Dyshimi nginjet me SOS-e dhe shqotë,

Botë post-moderne me estetikë sëprapthi.

Migjeni i vdekur, kaq i ri, pa moshë,

Balsamosur brenda një shtrëngate ankthi.

FJALA SHPËTIMTARE

Ç’Fjalë Shpëtimtare e mposhti Frikën?

Ç’mrekulli antike u ringjallën njëherësh?

Brenda syve të mi sa kryeengjëj digjen

Dhe pemët ulurijnë si të ishin njerëz!

Ca belbëzime fëmijësh i shkrijnë akujt

Dhe çelin jargavanë vetë palmat

Nga eshtrat e mia le të përhapet

Pluhuri i fosforit në të gjitha hartat!

QIEJTË E RINJ

Dita e porsalindur thinjet me stres,

Mankthi shumëfishon realitetet vulgare.

Vdekja i thyen tërë orët-vezë

Për omeletën e saj universale.

E mbjell një fidan ta kthej në Ejfel,

Që Dielli nga lindja të lindë në perëndim!

Mbase duke gërmuar thellë do të gjej

Minierat e hershme të qiejve të rinj.

EPOSE PLUHURI

Sa eposë pluhuri! Ka vdekur epika!

Ruleto kazinosh klonojnë orët e dorës

Tek një studio shkrimtari është mobilja,

Zdrukthuar nga mbeturinat e Kalit të Trojës!

Ec këmbëzbathur gjer në cakun e fundit

Në boshin ku zëra sirenash s’më ndjellin

Në ç’pupla palloi është afresku i Onufrit

Për tërë ëndërrat e mia që s’vdesin?

SKIFTERËT E PIKËLLIMIT TË MADH

Ç’AND e harruar do të na bëjë sërish

Personazhë të tjetërsuar në një përrallë?

Po ma çukitin trupin egërsisht

Skifterët mitikë të Pikëllimit të Madh!

Në udhëtimet e trurit një aksident më përplas,

Por ende nuk jam i vdekuri i kronikës

Dhe dal dhe hyj i dehur në ekstazë

Si Khajami me lecka i elektronikës!

IDETË, ATLETË VIRTUALE

Ç’argjendar prej muzgut bën kurorën e mbretit

Te një përrallë dhe fantazie të herëshme!

Idetë më kërcejnë mbi katet e qytetit

Atletë virtualë të sporteve ekstreme.

Spartaku thrakas s’i udhëheq më skllevërit,

E përditëshmja sfumohet nga Gënjeshtra.

Jam si molla e tharë, e pangrënë e Edenit

Midis Tigrit dhe Eufratit në ëndërra.

AMËSHIMI I KURDISUR

Ç’vegël fatale Historinë e tredh?

Sa vela të shqyera lart në stuhi!

Tek kockat e mia në varrin më të thellë

Një perpetum mobile e bën një përjetësi!

Koha s’u mungon veç drurëve të gjelbër

Me fotosintezën diku për të mbritur.

Tek rrokjet e fjalëve unë i kam fshehur

Miliona sahatet e mi të kurdisur!

VËSHTRIMI INKANDESHENT

Përplasem, i mbyllur në botë pa intelekt,

Sahara është klepsidra e copëtuar

Por veç vështrimi im inkandeshent

I ndez në çast tërë qirinjtë e shuar!

O ç’robinsonadë në supermarket

Pa karta krediti në globin dyqan!

Shoh befas saksofonistin Charlie Parker

Dhe poetin e çmendur Thomas Dylan.

MENDJA E NGRIRË NË KRISTAL

Porta e mbyllur përjetë e fëminisë

Asnjë çelës i artë atë dot s’e hap.

Tani vjeshta ka teprica energjish,

Po mëndja e saj ka ngrirë në kristal.

Tërë orët kanë sinjale alarmi

Kur vdes fantazia dhe çdo qytetërim.

A mund të ketë miza flatra Pegasi

Dhe Arti të jetë i vetmi Shpëtim?

APOLON ME MJEKËR KRISHTI

Karaoket e natës s’kanë shenja pikësimi,

Logjika e rëndesës na ka lënë pa peshë.

Se fjalët janë festa dlirësimi

Për ju o të mallkuarit memecë!

Dilema e katastrofës atomike shpërndan

Ca ungjij apokrifë arësyetimi.

Dhe ndihem si një Apolon pagan,

Por me mjekër heraldike prej Krishti.

POPULLI KOPJE

Vdekja e skalit ëngjëllin në një shkrep

Si Donatelo Davidin në ethe deliri.

Ngjarjet e reja më presin t’i prek

Si Midia t’i bëj kujtesa floriri.

Rreshje acidi dhe zhgënjim në Europë,

Fjalët e rreme kanë semantikën e forcës.

Dhe mediat i shpërndajnë famën e kotë

Jo origjinalit popull, por kopjes!

VAGINA E KITARËS

Me spiritizmin e media spikerja është shtrigë

Me përfolje dhe profecira pa skaj.

Kitarja e paturpëshme në delirin erotik

Më tregon kudo vaginën e saj.

Vërtitet në boshllëk shtjella e gjithësisë,

Me brutalitet na mbërthen një pasiguri.

Tomori është Kaukazi i Shqipërisë

Me Prometeun dervish, leckanjoz Abaz Ali.

LUÇIFERRI PA FLATËR

Larg vehtes mërgohemi, padyshim asketë

Si Luçiferri i rrëzuar qiejve pa flatër.

Dhe pemët lëkunden kudo përmbi det

Si kalorësit magjikë mbi kuajt e kaltër.

Të mbyturit kanë veç qefinin e shkumës

Dhe zanafilla e metafizikës u shter.

Pasardhësit e dinë: pas vdekjes së Budës

U shfaqën befas njëmijë Buda të tjerë!

PAGJUMËSIA E ZOTAVE TË VJETËR

Fjala poetike ka shtërzime pranvere,

E Ardhmja mjegullohet si pas xhamit opak.

Do ta mbart tërë popullin si pika djerse

Më mjekrën time prej Moisiu plak.

Vetmia e thurr korracën e vet

Me truke digjitale si alkimisti mjeshtër.

Dhe agimi zgjat më shumë se njëmijë vjet

Aq sa pagjumësia e zotave të vjetër!

ABSURDI PËRGJIGJET PËR MUA

Ç’zjarrmi të brendëshme ka vetë kombi?

Asnjë simbol heraldik më s’na ysht!

Do të mbetem si një statujë Kolombi

Mbi oqeanin e tharë befasisht!

Manipulimi i mendjes, epoka e atomit,

Pse estetika u përbindëshësua?

Trurin ja jap një delfini të Jonit,

Absurdi do t’ju përgjigjet për mua!

ANKTH

Ç’është ky Ankth? Pse kaq Pagjumësi?

Mos një “delete” është Jeta thjesht?

Vetëm pulëbardhat e dinë me siguri

Të ecurën e Krishtit përmbi det.

Me gishta të vdekurish a bën dot klik?

Rrotullohet hutimi sëbashku me cirqet

Pasqyra e vjetër e shtëpisë tani ndrit

Si llamba e prishur që befas ndizet!

KOPËSHTET PËRRALLORE

Si mund ta paraqes performancën e klithmave

Me bienale dhe ekspozitat e famëshme

Si t’i përzë si tufat e tigrave

Tërë ngjyrat e Përjetësisë valle?

Kush Kohën si dorashkën mbrapsh e ktheu?

Të gjitha rastet janë një gjeratore.

Me një vështrim muzikor prej Orfeu

Bëj mbirjen e kopshteve përrallore.

THOI I ENGJËLLIT

Hapësira e ka dëborën si makiazh

Këto kreshta janë Iliada pa Homer!

Kjo stuhi e beftë është si të shpërndash

Dadaizëm nëpër drurë dhe erë.

Çdo kujtesë – portreti i mbuluar me tyl,

Imazhet për realen janë thjesht një prarim.

Ma gërvisht vetëdijen time ky yll

Si thoi i një ëngjëlli sublim!

DETI, NARKOZA E AMËSHIMIT

Zambakët vallzojnë në festën e prillit

Thellësirat gëzojnë në krishtlindjen e peshqëve

Deti, deti, narkoza ime e amëshimit,

Por zëri im stonon në korin e ëngjëjve.

Sorkadhja e bjeshkëve thith agun e miteve

Dhe shfaqen ujëvarat – kometa të bardha!

Me të kuqe bëhen mbi kokrrat e qershive

Buzët e agimeve kaq të lashta!

SOZIET E MIA

Ç’pelikan mitik nxjerr nga fyti agimet?

Ç’muzgje ari modelojnë portokallet?

Ngjyrat shtegëtojnë kudo si beduinët,

Po vdesin të etura pa mbrritur tek oazet!

Ç’Dante e takon dhe në Parajsë Tmerrin?

Ç’drogë na i kthen tërë trupat në re?

Ca hekurudha nëntokësore do të sjellin

Miliona sozie të mia përmbi dhe!

BOTA E POSHTME E PËRRALLËS

Ç’bakterie të së Keqes e kultivojnë Krimin?

Shpëton nga të tjerët por s’shpëton prej vehtes!

Të vdekurit e kanë përsosur ëndërrimin,

Sepse s’dinë më të dalin jashtë ëndërrës!

Klima brymëzohet nga acare polare.

Popujt rrinë në botën e poshtme të përrallës

Sa gurë të shkulur kohërash mëkatare

Tek muret e ringritur të Parajsës!

SHTRËNGATA, PRANIA TËNDE

Flokë meridianesh ngre lart vetë Tmerri,

Vdes shekulli në apogjeun e fundit.

Sa daulle bubullimash misteri

Janë bërë me lëkurën time të trupit,

Tani nga Pagjumësia jam i çmendur krejt,

Por Humbja është porta e pahapur.

Dhe kjo shtrëngatë muzgu përmbi det

Është prania tënde e munguar e dashur!

PASAPORTA QIELLORE

Kush fjalët e Zarathustrës i shndërroi në reklama?

Sa poetë e teologë vërtiten në tërthore.

Dhe ikën tej hapësirave të largëta

Noziti i Lasgushit, -pasaportë qiellore.

Ç’Apolon e kap Ejfelin nga brinjët

Të bëjë me të dashuri me zor?

Pse bukuria e hyjnive përzihet

Me breshtësinë e nënur të fisit njerëzor?

PESË OQEANE MISTERI

Ç’Jahova e studion në vetmi planetin

Dhe s’di të bëjë asgjë, as edhe një kumt?

Nga gishtat e dorës mua më rrjedhin

Pesë oqeane misteri të pafund!

Optika e shekullit! Ne abysin rremet,

Paroditë i shkruaj me hieroglifet e duarve

Rreth meje s’ka asnjë Luftë të Tretë,

Por shpirtin e kam me plagë të pashërueshme!

SIBILAT BELBËZOJNË

Sibilat belbëzojnë në të errtin mjedis.

Një projekt u konceptua në rrebesh.

Ç’Foshnjë të Shenjtë unë do të rris

Me një djep të diamantë rrufesh?

Ç’palimpseste kozmike kthehen në harta?

Transcendenca s’e thyen kurrë prangën!

Përmbys në asfalt i dehur nga e Tashmja

Nxjerr si të vjella utopitë në të Ardhmen!

KUJTESAT NOKTURNE

Jetoj, marr frymë, sfilitem më kot,

Si slitë e Babagjyshit që i kanë vjedhur drerët.

Si ta ruaj Amëshimin tim o Zot

Mos ma rrëmbejnë drurët dhe shpezët?

Në brendësi të qenies idea s’ka flatër,

Po zjarri universal i flakëron tërë farkat.

Kujtesat nokturne janë kudo në ajër,

Por s’dinë të arratisen si shtrëngatat.

KËSHTJELLA SURREALE

Çdo imazh hap dhe mbyll një ekran,

Jashtëqitje e mediave e bën një batak.

Plakem mbi hartën e fjalëve që s’janë,

Sipër kam Hënën, -mëkatin tim binjak.

Lartësohem ankthshëm e bije në zgrib.

Ku jeni o netë të bruzda boreale?

Do të banoj tek ky kaktues jonik

Si brenda një kështjelle surreale.

PEGASËT S’ERDHËN KURRË

Ç’Arlekin do ta var në një vjegë ylberi?

Ç’lexues i rastësishëm do të më lexojë dikur?

Guackat do t’i bëj patkoj sedefi

Për pegasët që s’më erdhën kurrë!

E Ardhmja s’është garderobë e praruar,

As ballo me maska me melodi kometash.

Ora është kali im i tërbuar,

Shpuar me ije me yzengji akrepash!

SHPIRTRAT NË PLUHUR

Dilemat na vdesin në të njëjtin planet

Dhe qytetërimet e shekujve bëhen flur.

Ne hypim në avionët më të shpejtë,

Por shpirtrat na zvarriten në pluhur.

Instinkti i mbijetesës zbehet, përgjumet,

Në ç’raporte monetare tjetërsohet ëndërra?

Në gërmadhat e fëminisë lulekuqet

Janë Bukuroshet e mia të Fjetura!

HYU I ERËRAVE

Hyu i erërave mbi Korab mbështetet,

Ëndërra e ujëvarave quhet thjesht det.

Fjollat e borës i prekin strehet

Si shputa ëngjëjsh të hutuar krejt.

Kush solfezhin e di të simfonive të erës?

A mundet që diej të rinj unë të shpik?

Dhe ndjej një rrezik të ekzistencës

Si erën e djersës të dragoit antik.

MJEKRA E QOFTËLARGUT

Plogështi e nëmur! Jetë pa lëvizje!

A janë vallë stuhitë apoteozat e gjakut?

Dhe rrugët shpërndahen nga fytyra ime

Si qimet e një mjekre te Qoftëlargut!

Si pirat i vjetër timonin pa duar

E kam drejtuar tek ishujt që s’janë.

Sa shekuj të vjetër i kam mënjanuar

Si kulltukë të vjetër versajanë!

FLOKËT PREJ FLAKE

Shtegëtar i paepur, në kohën pa rrugë,

Grishjen e ndjej të kotësisë dhe artit!

Dhe dritaret beratase dridhen në muzg

Si gjethishte e artë e Bizantit.

Onufri s’është në altarët prej ëndërre,

Afreskat janë thjesht sekuenca filmike,

Ku një dragua nxjerr nga goja e tmerrshme

Flokët e mi prej flake mistike!

FLUTURA NË GOTË

I vetëm shëtis mes monumentesh në Romë.

Në Piazza Navona s’ka më jorganë.

Kush beson me naivitet se kjo borë

Është keku i engjëjve që s’janë?

Ave Caesar! Shekujt janë pluhur,

Vetë Dantja s’del dot nga një katakomb.

Dhe dita është si lëvizja e një fluture

Brenda një gote qelqi krejt bosh!

========================



MOIKOM ZEQO I DHUROI 500 LIBRA BIBLIOTEKËS SË ULQINIT


PROF.AS.DR.ANTON PAPLEKA: 'OFELIA ME MJEKËR' I MOIKOM ZEQOS, ANKTHI I MODERNITETIT



Libri “Ofelia me mjekër”, i shkrimtarit të njohur Moikom Zeqo, publikuar nga Shtëpia botuese “Morava”, Tiranë, 2013, është një vepër që bën pjesë në kolanën ku përfshihen librat “Refuzimi i shkrimit”, Dituria, 2010 dhe “Vetullat hyjnore”, Bota shqiptare, 2012. Në librat e lartpërmendur ka proza të shkurtra që i përkasin eneistikës dhe trillimit letrar. Kjo gjë përbën një veçori origjinale të prozës së M.Zeqos, një risi të spikatur, me të cilën e pasuron prozën shqiptare, sidomos atë që thyen kufijtë e tradicionalizmit e të provincializmit.

Libri “Ofelia me mjekër” ka si nëntitull “Proza të të jetuarit së prapthi”. Konkretisht, në këtë libër, ai ka sintetizuar shqetësimet e tij të mëdha për bashkëkohësinë dhe ekzistencën njerëzore, të rrezikuar nga tjetërsimet e pafundme. ? konceptual i librit qëndron te raporti kontradiktor dhe paradoksal midis reales dhe virtuales. Bota sa vjen dhe bëhet më virtuale. Bota e internetit dhe e kibernetikës po klonin qenie të kufizuara në rrafshin virtual, duke iu larguar esencës humaniste. Ky qytetërim teknologjik rrezikon identitetin e njeriut dhe ngjan si një apokalips i vërtetë. Jo më kot, Zeqo i referohet filozofit francez Jean Baudriallare dhe tezës së tij se postmoderniteti e ka shndërruar botën në një simulacrum (kopie e kopieve). Si do të jetë e ardhmja? A do të kemi një njerëzim të vërtetë apo një njerëzim të klonuar? Libri i Zeqos përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistenciale. Libri ka një erudicion të madh që nuk është një qëllim në vetvete, por premisë për të bërë sinteza. Zeqo thotë se Google-i është një informacion pa inventar dhe shterp. Aftësia për të bërë sinteza është mrekullia e intelektit.



Libri “Ofelia me mjekër” ka një substancë shqiptare dhe universale. Të bëjnë përshtypje shkrimet për Gjon Buzukun dhe Migjenin, Konicën dhe shumë subjekte shqiptare të mesjetës, ku ka zbulime të reja dhe këndvështrime befasuese. Në pamje të parë, tregimi “Ofelia me mjekër” duket shumë i ndërlikuar. Ofelia si personazh shekspirian është një ikonë e letërsisë botërore, tashmë klasike. Tek Ofelia, Zeqo ndërthur e koncentron shumë simbolika dhe bën një teori të personazhit në përgjithësi. Tek Ofelia është dhe mjekra e Krishtit dhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, është sakrifica e Teutës ilire, por edhe Ajnshtajni. Kjo do të thotë se një personazh mund të krijojë afërsi dhe simbolikë me të gjitha personazhet, sepse njeriu dhe njerëzimi është vetë Ofelia me mjekër dhe pa mjekër. Pra, esenca e librit qëndron te çështja se a është e ardhmja e njeriut realizimi i tij si njeri, apo degradimi i tij, apokalipsi i tij moral, biologjik e shoqëror.

Për këto arsye, mendoj se libri “Ofelia me mjekër” përfaqëson një risi në krijimtarinë e Zeqos dhe të letrave shqipe dhe si i tillë meriton të përkthehet në gjuhët e popujve fqinjë dhe të Europës.

- Autori, lindi në fshatn Lekbibaj të Tropojës në vitin 1945. Studioi gjuhën dhe letërsin shqipe në Universitetin e Tiranës. Është shkrimtar dhe shqipërues i një sërë veprash të autorëve të ndryshëm - të huaj. Ka shkruar shumë proza e romane për fëmijë e për të rritur. Jeton në Tiranë.

PETRIT NIKA: HISTORIA DHE MITI SI VIZION DHE KUJTESË POETIKE NË POEZINË E MOIKOM ZEQOS



 Jo vetëm tek “Centauri i ri”, vepër për të cilën po flasim në mënyrë të veçantë në këto radhë të studimit tonë, por pothuaj në të gjithë sinopsin e veprave të Moikom Zeqos, dija historike dhe mitologjike ndërfuten në tesktin letrar, qoftë të poezisë, esesë apo prozës, zhanre këto të eksploruara me sukses nga ky autor. Vetë autori në parathënien autoriale, tek njëri prej librave të tij, e pranon se “historia është farsa që e luajmë të gjithë pa përjashtim.”1 Duke qenë se tek historia shtresëzohet përvoja njerëzore dhe si rrjedhojë edhe cilësia e kësaj përvoje; e vërteta apo gënjeshtra, nderi apo turpi, civilizimi apo barbaria, apo, apo të gjitha bashkë të përziera në një, atëherë farsa dhe manipulimi janë të pashmangshëm. Gjithësesi arti e rikrijon artistikisht një kontekst të caktuar historik, duke u nisur qoftë dhe nga një sekuencë e vetme e kësaj historie; nga një toponim, nga një ngjarje, nga një personalitet apo mit me potencialin e mjaftueshëm për t’u risjellë, e ndoshta për t’u ridimensionuar në kujtesën njerëzore. Poetika e historisë për Moikomin është kudo ku ka kaluar qenia njerëzore në përgjithësi, ndërsa paksa më e theksuar bëhet tek qenia shqiptare në veçanti, me mbresa të paharrueshme që ringjallen kur e kur përgjatë shtegtimeve fizike apo metafizike të poetit. Historia për Moikomin është memoria kolektive e shekujve, dhe si e tillë ajo duhet të ruhet mirë në kujtesë, qoftë edhe përmes formave të estetikës së shprehjes poetike.

Historia për Moikomin është tek pyjet dhe tek deti, tek mali dhe tek uji, madje tek çdo gjallesë që popullon pyjet dhe detin, malet dhe ujin. Në aspektin e ngushtë etnik, kjo është dhe gjeografia e ashpër ku lëviz qenia shqiptare prej shekujsh: Alpet “ku mbijnë drithërat e argjendtë të shirave” (Centauri, fq.49); Akrokeraunet (male në jug) ku vërtitet “e miteve shtjellë” (fq.15) dhe “zotat kanë zbritur” (fq.39); malet e Himarës “si një epos në gur” (fq.18); Bjeshkët e Namuna me humnerat e tyre (fq.29); Tomori ku uni poetik thotë se gjen“... mes kacafytjeje, debatesh në erë,/ Sizifin e gurëzuar në një shpat Tomori” (fq.23), pastaj vijnë hidronomet e lumenjëve e të deteve që lidhen me jetën shqiptare, ballkanase dhe me tej, si materie aktuale dhe njëkohësisht dëshmitare të heshtura të ngjarjeve historike ku është bartur në shekuj me stërmundim vetë qenia e kombit. Poeti përmes artit shtegton në kohë dhe në hapësirë në të kaluarën e largët të qenies shqiptare dhe vendos piketat domethënëse të frymimit të dikurshëm të kësaj qenieje po në ato vende. Dhe përveç kësaj ai gjakon ta rindërtojë të kaluarën e largët si në një mirazh. Tek prozat eseistike në “Vetullat hyjnore”, pothuajse në tërë hapësirën tekstore të narracionit eseistik inkuadrohen historia dhe miti me realitetin aktual. Tek çdo gjetje e gjurmëve të kulturës së lashtë, për poetin qëndron i fshehur në harresën e shekujve një realitet njerëzor historik, me ngjarje reale dhe me persona realë. “Urna të zgavruara në gur me hi eshtrash,/ vdekje të lashta të shekujve të hershëm./ si mund të ribësh prej hirit zërat,/ fytyrat intime, mendimet, gjestet?2 - shkruan Moikomi në një poezi të vitit 1969. Dhe kjo zbulesë, ku bashkekzistojnë historia dhe miti, shkon deri tek manipulimi artistik në favor të vlerësimit edhe të gjërave të qenësishme që ne në jetën tonë të përditshme, mbase nuk i kemi në konsideratë fare. “Zoti, Zoti,/ amebën e bëri/ ambasador të Gjenezës”3, ose “Zeusi lind në molekulë/ e jo më në Kretë.”4 Në të dyja rastet rrugët të çojnë vetëm në zanafillë. Gjithësesi raporti midis të tashmes dhe historikes mbetet një raport imagjinar dhe imagjinata historike rindërtohet vetëm përmes ideve dhe informacionit historik. “Rrjetat e Historisë i çliroj në çdo nyje/ me paturpësinë rebele të horit!/ Te dhomat e ideve mishi im s’do hyjë/ dhe rri në shurdhëri si mungesa e Zotit!” (Centauri i ri, “Mungesa”, fq.24.) Udhëtimi në histori është një udhëtim transhendental në kërkim të origjinave, në kërkim të miteve dhe substratit të kulturës njerëzore.”Se përmasat ndërthuren në ngjizje konceptesh,/ se “lart” është dhe “poshtë” dhe “poshtë” është dhe “lart”/ do t’i kristalizoj gjithë shekujt njëherësh/ në kripë argjenti të rrallë e të paktë!” (Çlirimi nga trupi, fq. 36) Por për poetin-arkeolog ndodh që edhe në udhëtimet reale të ndeshet me sekuencat e rralla të miteve, që vijnë ende deri në epokën tonë postmoderne, si për të dëshmuar me çdo mënyrë për ekzistencën e tyre dhe domethëniet e pavdekshme, aq të vlefshme edhe për kohën tonë.5 Sidoqoftë, mitet dhe historitë e lashta mbeten pyetje me enigma të mëdha. Materia e tyre është më së shumti provokuese për pikëpyetje dhe përfytyrime të pafundme, e po aq edhe për interpretime. Koha bën të veten. “Si të mbledh, si të mbledh kujtesën e erës?/ Mbretëria e thneglave na i pastron skeletet!/ Mermerizohet lumi i Heraklitit të Efesit,/ të gjitha përgjigjet divorcohen nga pyetjet!”6 Përgjigjet mbeten shepsh herë enigmë, madje “arratisen” nga pyetjet, ngase e vërteta historike e informacionit mbi vetë ngjarjet apo botëkuptimet dhe jetën e miteve është e padeshifrueshme, ose e shpërdoruar deri në tjetërsim. Në këto kushte uni poetik, i cili e ka shumë të zhvilluar intelektin konjitiv të historikes, e hedh fajin mbi kohën dhe kërkon të shkrihet vetë brenda kohës për të shkuar me thellë drejt njohjes së të kaluarës njerëzore. “O kohë,/ me rërë klepsidrash në dej,/ do të arratisem e do të zhbëhem në limitet e mitit!”7 Është një mori e madhe krijimesh nga ky autor, e shpërndarë tek “Centauri i ri” dhe pothuaj në të gjithë krijimtarinë e tij ku historikja dhe mitikja, rizbulohen pareshtur; herë si mahni e herë të tjera si kundërvënie ndaj realitetit të epokës.


Aktiviteti i Prof.Dr.Moikom Zeqos në karikaturë.

Përveç këtyre, Moikomi është nga ata krijues që historizon edhe vetë. “Luli i Vocërr i miqësuar me Gavroshin/ luajnë në video game/ formulat poetike...”8 Luli i Vocërr dhe Gavroshi hyjnë nga anonimati i një jete të mjerueshme në letërsi, respektivisht nga Migjeni dhe Hygoi. Dhe pasi udhëtojnë gjatë në letërsitë e botës, këto dy personazhe materializohen përsëri historikisht, tashmë me identitetin që u kanë dhënë shkrimtarët përkatës kur i zgjodhën si modele protagonistësh. Kultura poetike dhe kultura historike tek Moikomi janë në kuota konkuruese dhe jo dominuese ndaj njëra - tjetrës. Ato janë të dyja të shëndetshme, dhe e gjithë materia letrare e Moikomit është më së shumti cerebrale, por që të nxit drejt ndjenjës. “Çdo pikë në gjithësi është qendra e rrethit,/ krejt e perceptueshme për idetë dhe mendjet!/ Por ky zog në qiell është pika e Arkimedit/ për të lëvizur me levë tërë universet!”9 Duke u shkëputur nga fuqitë jolëndore; mbresat e ngjarjeve, historitë, mitet, shestimet e brendshme të unit, poeti gjen referentë të tillë si “zogu”, të cilët i përkasin lëndës së lirë dhe të qenësishme në koordinatat e hapësirave të panjohura të jetës. Këtu fillon vetëdija e aktuales, e aktuales reale dhe poetike njëkohësisht. Duke filluar me poezinë e parë “Zogjtë sozie” tek “Centauri i ri” dhe pothuaj në një pjesë të konsiderueshme të librit ndihet prania e tyre, një prani me trajta të lëvizshme nga mitikja e deri tek kubizmi. Aty ka aq shumë zogj sa për të formuar një Zimurg.10 Për më tepër që ata janë “zogj sozie”, pra të ngjashëm midis tyre, si tek miti. Duke u rikthyer përsëri tek bota e miteve, tek ngjarjet e lashta, dija e lashtë dhe religjionet e botës, të cilat janë pjesë e pandarë e kulturës erudite të Moikom Zeqos, sapo lexon poezinë e parë të librit “Centauri i ri”, është e pamundur të mos kujtohet Zimurgu dhe “Konferenca e zogjve” e Attarit të Nishapurit.11 Duke qenë se uni poetik në katër strofat e poezisë “Zogjtë sozie”, shtron vetëm pyetje për prezencën e zogjve të ngjashëm, lind ideja e këtij zogu të pazakontë legjendash, ku pleksen në një identitet të vetëm shumë identite. (Në fund të fundit edhe vetë centauri është një identitet ambig midis njeriut dhe kalit.) Tek “Konferenca e zogjve” poeti persian Attari i Nishapurit, Zimurgut, këtij zogu përfaqësues i zogjve, i kushton një poemë me rreth 1400 rreshta ku e poetizon krejt legjendën mitike.12 Vetëm njerëzit e lashtë që i njihnin raportet mistike midis njeriut dhe natyrës dhe poetët mund ta njohin fuqinë e zogjve. Nuk dihet nëse Attari i Nishapurit i kishte lexuar sofistët grekë dhe Plotinin13, por midis filozofisë së tyre dhe teologjisë përkatëse të tij, del në pah panenteizmi14. Përveçëse del në pah dhe vetë përmes analizës, Moikom Zeqo e përmend shpesh në krijimtarinë e tij anima mundin, ose shpirtin e botës, sipas Plotinit. Në fakt ajo që i përbashkon Plotinin dhe poetin persian është pikërisht kjo teori. Sufistët dhe në përgjithësi religjioni i lashtë i shumë vendeve të botës, që nga Azia e deri tek actekët dhe fisi i njohur Maja në Amerikën Latine, e njihnin dhe praktikonin shkrirjen e një shumësie të identiteteve në një identitet të vetëm, - tek anima mundi, ose nous15, siç e quan ekzakt Plotini, ngase teologjia e tyre ishte panenteiste. Zogjtë e Attarit vihen në kërkim të Zimurgut dhe për këtë duhet të përballojnë sakrifica të mëdha, duke u sakrifikuar përmes shtatë luginave të sprovës së tyre. Dhe në fund, tek bashkimi me Zimurgun, ose tek shndërrimi në Zimurg, arrijnë vetëm tridhjetë prej tyre, vetëm ata që kanë arritur ta përballojnë sakrificën. Nga ana e tij edhe Plotini “e përshkruan ngjitjen e shpirtit për t’u bashkuar me Zotin, si një detyrë të vështirë dhe plot dhimbje.”16 Historikja, mitikja, dhe poetikja këtu i kanë shkrirë kufijtë e tyre duke hyrë aq thellë tek njëra-tjetra, aq sa mund të thuhet se janë shkrirë të gjitha në një. Mitikja e ekzagjeron përfytyrimin, historikja ndërton filozofikisht sistemin jetësor të njeriut dhe materies, dhe poetikja i vesh dy të parat me ndjesi, por tek secila prej tyre është secila sish e ndërfutur mjeshtërisht. Si tridhjetë zogjtë tek Zimurgu. Attari i Nishapurit, përveçese ishte poet i shquar e filozof i mesjetës persiane, ishte ndërkohë edhe teolog i madh i sufizmit. Vetë sufizmi, sipas një dijetari tjetër persian, El Birunit17, supozohet se e ka origjinën nga fjala greke sofia (σοφία), që do të thotë urtësi. Një poet si Moikom Zeqo, njohës i historive të largëta, i miteve dhe i shkrimeve të shenjta të popujve të ndryshëm, këtë kulturë të lashtë bazike të qytetërimit modern e shpërndan në vargjet e tij poetike, përmes reve apokaliptike prej smogu të epokës moderne. Ai nuk e përmend Zimurgun, por ky shpend i pazakontë legjendar del vetë nga konteksti, dhe ai në njëfarë mënyre është vëlla e bashkëmoshatar me krijesën tjetër të pazakontë të legjendave të lashta, Centaurin. Përfaqësimet e secilit prej tyre janë të ndryshme, por bota që i ka pjellë është pothuaj po ajo. Centauri i ri, sikurse Zimurgu persian, është një krijesë vigane e përbërë nga shumë njësi, të cilat janë pjesët përbërëse të bashkëkohësisë sonë. Centauri i ri është vetë planeti ynë kibernetik i kohëve postmoderne dhe populli i tij postmodern homo cybernetikus. Vetëmse tek Zimurgu bashkohet ajo që i mbijeton apokalipsit, ajo që arrin të mbijetojë në kushtet ekstreme, dhe pikërisht nga ky eksterimitet të pastrohet falë sakrificit. Një mit i tretë legjendar që vjen nga letërsia orale e indianëve të Amerikës, shfaqet befas tek poezia e Moikomit, madje për herë të parë në letërsinë shqipe. “Ajri mëngjesor është trans edhe paqe,/ gjestet e Hajvathës i përsëritin rrufetë.” (Makina e vjetër e shkrimit, fq. 90) Hajvatha, është miti i bashkejetesës së njeriut në mënyrë paqësore me gjësendet, dhe natyrën. Sipas Scholscraft18, Hajvatha vjen i veshur me të gjitha atributet e njerëzimit, si dhe me fuqinë e kryerjes së veprave të mrekullueshme.19 Autori thotë se Hajvatha, përveçëse u bë model i një bashkëjetese në harmoni të njerëzve me njerëzit dhe të njerëzve me kafshët, ai mundej të vetëtranformohej në çdo lloj kafshe si dhe ishte në gjendje të bisedonte me të gjitha kafshët, zogjtë, peshqit dhe me zvarranikët, sipas nevojës.20 Sipas një autori tjetër që merret me qëmtimin e legjendave të indianëve të kontinentit amerikan, hapësira ku ishte përhapur legjenda e Hajvathës ishin pyjet e popullatës indiane të Pesë Kombeve, e cila përkon me territorin e Nju Jorkut të sotëm.21 Siç shihet, me Hajvathën, e cila ndryshe nga Zimurgu i metaforizuar, del me emër të përveçëm tek poezia e Moikom Zeqos, gjeografia e mitit zgjerohet deri në botë krejt të largëta edhe me vetë kulturën indo-europiane, e cila mbahet si kultura e miteve më inspiruese në historinë e qytetërimit. Ky është një tregues i qartë i interesit të thellë të poetit-arkeolog, për zanafillat e mendimit njerëzor mbi misteret dhe domethëniet e mëdha të ekzistencës njerëzore, konceptuar nga njerëzit e lashtë, në kohën kur homo sapiensi hidhte gjithë mundim hapat e parë drejt dijes vetëshkatërruese të racës së tij.

__________

1Zeqo, Moikom; Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë, 2012, fq. 5

2Zeqo, Moikom; Miscellanea 7, Tiranë, 2011, fq 30

3Zeqo, Moikom; Nostradami në 3 qershor, (antiprofecitë), Medaur, Tiranë 1999, fq. 103

4Po aty, fq. 120

5Zeqo, Moikom; “Sileni i Kurjanit”, (në)Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë, 2012, fq. 16

6Zeqo, Moikom; Kujtesa e erës, (në ciklin poetik) Letra pas vdekjes, Nacional (gazetë javore, kulturore, letrare, politike), e diel, 14 prill 2013, fq. 5

7Zeqo, Moikom; Nostradami në 3 qershor, (antiprofecitë), Medaur, Tiranë 1999, fq. 119

8Po aty, fq. 180

9 Zeqo, Moikom; Për të lëvizur universet, (në ciklin poetik) Letra pas vdekjes, Nacional (gazetë javore, kulturore, letrare, politike), e diel, 14 prill 2013, fq. 5

10Zimurgu është krijesë mitike në mitologjinë persiane, i cili shpesh vihet në kondita krahasuese me Feniksin. Gjurmët e tij gjenden pothuaj në të gjitha periudhat e artit iranian dhe në disa prej vendeve të rajonit ku shtrihet influenca e kulturës persiane. Prejardhja e emrit, shpjegohet sipas etimologjisë popullore persiane; si-tridhjetë dhe murg-zog. Simurg, ose Zimurg, pra, tridhjetë zogj në një. Mendohej sipas legjendave se ishte shumë i lashtë dhe i madh pothuaj sa tridhjetë zogj bashkë. Këtij shpendi mitologjik poeti Persian Farid ud-Din Atari, i njohur ndryshe dhe si Atari i Nishapurit, i kushton një poemë epike me rreth 4500 rreshta, “Konferenca e zogjve”, ku përshkruhet legjenda interesante e Zimurgut.

11Farid ud-Din Atari (1145-1220), u lind në Nishapur, qytet në krahinën e Khorasan Razavit, në verilindje të Iranit. Ishte poet mistik, teolog sufist dhe autor i disa biografive të shenjtorëve sufistë. Nga vepra e tij ndikohen shumë poetë të mëvonshëm persianë si Xhelal ad-Din Muhamed Rumiu, Ali-Shir Navai, Muhamet Hafizi i Shirazit etj.

12Legjenda tregon sesi një grup i madh zogjsh të mbledhur në Kinë duan të gjejnë Zimurgun. Ky interesim ngjallet tek zogjtë, pasi mbreti i tyre Zimurgu ka lëshuar në qendër të Kinës një pupël magjike dhe tani ata vihen në kërkim të tij. Por për ta gjetur atyre u duhet të kalojnë përmes shtatë luginash e detesh, (si Dantja përmes nëntë rrathëve të Ferrit për të gjetur Parajsën ku është Beatriçja.) Gjatë rrugës pjesa më e madhe e zogjve ndahen nga tufa; ca ngordhin, ca humbasin rrugën, ca të tjerë kthehen nga rruga dhe tek Zimurgu në malin Kaf arrijnë vetëm tridhjetë prej sish. Këta tridhjetë zogj që arrijnë të futen në malin e Zimurgut, nuk e gjejnë Zimurgun, por tashmë të kalitur dhe të pastruar përmes sacrificës janë vetë të denjë për të qenë secili prej tyre Zimurg. Më në fund ata e kuptojnë se secili prej tyre është Zimurgu dhe se Zimurgu vetë është secili nga ata.

13Plotini (204-270), filozof i madh i botës së lashtë, i cili i përkiste shkollës së neoplatonizmit. Ai ka lindur në Egjipt, por kombësia e tij ka qenë vazhdimisht e diskutueshme midis të qenit me prejardhje të pastër greke, romane, apo nga pakicat greke të Egjiptit. Plotini e zgjeroi dijen e lashtë filozofike duke u mbështetur në idetë e filozofëve të mëparshëm si Pitagora, Platoni, Aristoteli, Epikuri dhe në përgjithësi krejt shkolla e stoikëve. Vepra e tij kryesore ishte “Enneads”, për të cilën punoi shmë vite me radhë, dhe thuhet se ishte një përmbledhje e leksioneve dhe debateve të tij mbi çështjet e filozofisë, e cila i mbeti e parishikuar për shkak të shikimit të dobët.

14Panenteizëm (gr. pan[πᾶν] - të gjithë + en[ἐν] - në + theos[θεός] – Zot; bart kuptimin etimologjik: gjithçka në Zotin, ose, ose gjithçka në Një. Kjo doktrinë teo-filozofike (le të kujtojmë neoplatonizmin e Plotinit, i cili mendon se shpirti njerëzor e ka burimin tek shpirti botëror, Anima Mundi) dallon nga panteizmi për faktin se panenteizmi e koncepton gjithçka në Zotin, ndërsa panteizmi e sheh Zotin si prani hyjnore në gjithçka. Për panenteizmin kozmosi nuk mund të identifikohet me Zotin, por mund të konsiderohet si diçka që ekziston në Zotin, ndërsa vetë Zoti është përtej kozmosit dhe gjithçkaje. Krijuesi është më shumë se krijesa e tij. Ky lloj konceptimi religjioz është i përhapur në shumë vende të botës; në të dy Amerikat, në fisin Maja dhe tek aztekët e lashtë, tek inkasit si dhe në kulturat e hershme afrikane, persiane dhe pothuaj tek të gjithë popujt e Azisë Lindore.

15Stumpf, Samuel Enoch; Filozofia, historia dhe problemet, Botimet Toena, fq. 122

16Po aty, fq. 124

17Ebu el-Rajan Muhamed ibn Ahmed el-Biruni (973-1048), i përmendur në gjuhën latine si Alberonius dhe në anglisht si El Biruni, ishte studiues i njohur persian dhe dijetar i shekullit XI.

18Schoolcraft, Henry Rowe.:The myth of Hiawatha, and other oral legends, mythologic and allegoric, of the North American Indians, Philadelphia; J.B. Lippincott; London; Trubner, 1856, p. 11

19Henry Rowe Schoolcraft (1793-1861) librin e tij me legjenda dhe gojëdhëna mbi indianët e Amerikës së Veriut ia dedikon Henry Wadsworth Longfellow-t (1807-1882), poet i njohur amerikan, i cili një vit më parë kishte botuar poemën “Kënga e Haivathës” (1855), një poemë epike e shkruar në tetrametër trokaik, si epi finlandez “Kalevala”. Longfellow është një ndër personalitet më të shquara të shekullit XIX në Amerikë në fushën e krijimtarisë, të edukimit dhe të studimeve letrare. Në Shqipëri emri i tij njihet të paktën që nga viti 1916, kur Fan Stlian Noli përktheu në shqip poemën “Scanderbeg”, të shkruar nga Longfellow në vitin 1863.

20Schoolcraft, Henry Rowe.:The myth of Hiawatha, and other oral legends, mythologic and allegoric, of the North American Indians, Philadelphia; J.B. Lippincott; London; Trubner, 1856, p. 12

21Greene, Nelson; History of the Mohawk Valley: Gateway to the West 1614-1925 Vol. I, The S. J. Clarke Publishing Company, Chicago, 1925 (Chapter 9: Dekanawida and Hiawatha, pp. 167-186)

=========================

Vetmia dhe pritja në poezi, binom i papranisë dhe pamundësisë

Tema e vetmisë në kulturën botërore është pothuajse biblike. Ajo fillon që me mërzitjen e Adamit në mbretërinë e tij të vetmuar në Eden. Vetminë e prek tek elegjitë e tij poeti i lashtë pindarik Mimnermi, e prekin dhe poetë të kulturave ekzotike si Tagora1, i cili në Perëndim konsiderohej si “zëri i trashëgimisë shpirtërore të Indisë”2. Për Tagorën thuhet se ai “shpesh herë e linte shtëpinë dhe shkonte në vetmi për të gjetur frymëzim.”3 Ky proces fizik dhe metafizik ka ndodhur me shumë personalitete të artit dhe të dijes në të gjitha epokat e njerëzimit. Në periudhën e romantizmit temat e vetmisë dhe të zhgënjimit ishin një binom i pandarë pothuaj tek të gjithë poetët romantikë që nuk u përfshinë në udhëtime të largëta shmang vendlindjes, apo në revolucionet çlirimtare të popujve. Gjithësesi kësaj teme nuk i shpëton dot as poezia moderne e shekullit XX. Poeti amerikan William Carlos Williams4, një nga përfaqësuesit e denjë të imazhinizmit botëror5, tek poezia “Danse Russe”6 shkruan këngën e unit ku vetmia prezantohet si gjendje pa shpëtim. “Unë jam i vetmuar, i vetmuar,/ dhe kam lindur për të qenë i vetmuar ...7 Kjo vetmi është e pashmangshme për poetët dhe mendimtarët, herë nga imponimi prej faktorësh të karakterit social, herë nga vetëdijësimi mbi diferencimin botëkuptimor midis vetvetes dhe vulgut. Shprehjen e vetmisë në veprat poetike, një pjesë e analizës letrare botërore shpesh e ka përcaktuar si pasivizëm romantik, por nuk është gjithmonë i vërtetë ky përcaktim. Kësisoj shpesh kritikët dhe teoricienët tregohen të pamatur në vlerësimin e romantizmit me përcaktimin e tij si prapambetje nostalgjike karshi modernitetit kapitalist, ngase kështu “kemi humbur ndjeshmërinë për ta njohur rëndësinë e madhe të delirit të unit romantik në konsolidimin e kujtesës moderne.”8 Williams nuk ishte poet romantik, as me prirje të tilla, përkundrazi vepra e tij moderniste ndikoi më vonë si model edhe tek poetët postmodernë amerikanë, si Alen Ginsberg9, por ai ishte i vetëdijshëm për vendin e poetit në këtë kaos material të botës në epokën industrialiste, arritja e së cilës realizohej në papajtueshmëri me vlerat e humanizmit. Një vetmi e tillë shfaqet dhe në poezitë e Moikom Zeqos.”Trenat ikin drejt stacionit Askund,/ në të gjitha pikat gjeografia lëviz,/ marr kapelen e shqyer të dordolecit në fushë,/ për rolin tim në teatrin beketian të vetmisë.” (Kapelja e Dordolecit, fq. 25.) Në këtë realitet ku të gjithë nxitojnë për në askund, poeti është jashtë vëmendjes së të gjithëve. Vetmia e tij është reale dhe diogjeniane. Ja si e shpreh T. Eliot10 këtë ndjesi të vetmisë dhe të askundit në djerrinat me mbeturina industrialiste tek “Toka e djerrë”: “Në këtë birë të kalbur në mes malesh/ nën dritën e mekur të hënës, bari është duke kënduar/ mbi varrezën e rrënuar, rrotull kishëzës-/ kësaj kishëze të boshatisur, strehëz veç e erës.”11 Me gjithë këtë përshkrim metaforik të shkatërrimit, ngjan sikur uni vetmitar ndodhet përballë peisazhit të hyrjes në ferrin dantesk. Aty është vetmia mes malesh, aty janë varrezat e rrënuara, kapela12 e braktisur, kalbësia dhe era që bredh në shkreti. Ferri paralajmërohet. Ferri është pak më tej. Tragjikën e tij e ndjejnë të parët ata që kanë shqisën e të ndjerit në mendje dhe jo në stomak. Të mjerët ndjejnë uri, poetët ndjejnë dhimbjen kozmike të parajsës së humbur.”Gjeratore ujërash si zemrekë në ngecje,/ do gjithçka të shohësh e në fakt s’di ç’të shohësh!/ Dhe përplasesh në terr me kujtesën tënde/ si me pelikanin e balsamosur prej kohësh.” (Përjetësitë, fq. 97.) Në këto kushte poeti përpiqet ta rilindë nga kujtesa historinë. Çdo gjë e humbur kthehet në kujtesë. Të vdekurit shkojnë, kujtesa mbetet. “Se të vdekurit lënë jashtë kujtesat e tyre/ të papërzier me tokën inerte ...” (Skulpturë memoriali, fq. 38.) Ajo çfarë ka shpëtuar nga humbja duhet të mbrohet duke u rilidhur me traditën e bashkëjetesës me natyrën. “E përherë jam kurioz të di ç’ka përtej/ dhe gjethet i lexoj si fjalë Ungjilli/ erinitë e Hakmarrjes befas i kthej/ në flutura delikate prilli!” (Vetëm e tashme, fq. 83.) Që ta ndjesh sa më larg fundin, duhet ta ndjesh sa më afër fillimin. Dhe në fillim ishin njerëzimi dhe natyra, Adami dhe Edeni. Nga kjo bashkëjetesë e vështirë, por e shëndetshme dolën mitet. Fuqitë e natyrës janë të pakontrollueshme, ndërsa njeriu përherë ka dashur t’i kontrollojë dhe t’i nënshtrojë ato. Tek proza e Kutelit “Lumi i madh”, njerëzit, kur lumi ishte i qetë, filluan ta kufizonin shtratin e tij me mure e me sinore, me qymezë pulash e me kotecë derrash, madje zunë dhe ta ngacmojnë e ta tallin, derisa lumi e sosi durimin dhe i shkundi mirë gjithë ç’kishin tepruar njerëzit tek pjesa e tij. Që natyra të mos kthehet në erini, ose në “tokë të djerrë”, siç e quan Elioti, njeriu duhet ta lexojë natyrën si fletët e Ungjillit, me nderimin dhe me përkushtimin që i takon, për të gjetur kështu bashkë me të, ose tek ajo, “ekuilibrin etik të bashkekzistencës”13. Të “vetmuarit” e njohin mirë artin e leximit të natyrës. Dhe universin mësojnë ta lexojnë përmes saj. Ata e ndjejnë të parët rrezikun e saj, dhe rrezikun që i vjen vetë njerëzimit pas kësaj. Pikërisht për të shmangur këtë rrezik ata nuk pajtohen me realitetin. Nga dashuria për njeriun dhe për natyrën. Që njeriu dhe natyra të mos e shkatërrojnë njëri-tjetrin, por të bashkëjetojnë në harmoni. E kur kjo s’ndodh, ata, poetët vihen në pritje. Kjo nuk është një vetmi e unit lirik anti-social, përkundrazi është vetmia sociale e unit lirik plural. Me, apo pa dashje ky realitet i kriminalizuar shfaq tendencën për t’i kthyer, apo për t’i mbajtur krijuesit e vërtetë në anonimat, i bën klandestinë.14 Kronotopia e prekjes nga fenomeni sigurisht është e lëvizshme, por thelbi mbetet po ai. Që andej dalin kuptime derivate. Duke analizuar poezinë “Ex Oriente” të Brodskit, studiuesja italiane Stefania Pavan, përpiqet të gjejë pika lidhjeje midis historisë së Tit Livit dhe unit lirik, pra eksperiencave autobiografike të vetë poetit në këtë poezi. “Materia autobiografike bëhet meterie poetike, që autorizon zhvendosjet dhe ngadalësimet hapësirë-kohë në mënyra të ndryshme.”15 Ajo çfarë ndjen brenda si përvojë psikologjike uni referues, gjendet si e tillë edhe jashtë tek uni tjetër i referuar. Duke shpallur përjetimin përmes “tjetrit”, çështja universalizohet. Mbi këtë teori identifikimesh të njësisë me tërësinë dhe anasjelltas, do ndalem pak më tej. Qëllimi ishte këtu për të identifikuar trajektoren që përshkon yjësia poetike e Moikom Zeqos, përmes yjësisë së madhe poetike në qiellin metaforik të vetmisë. E tillë është vetmia e poetëve modernë dhe postmodernë sot në botë. Moikom Zeqo është padyshim një i tillë dhe si i tillë, mban qëndrim të tillë ndaj jetës dhe fenomeneve të saj në epokën kibernetike që po jetojmë me intensitet, pa e përfillur pritshmërinë pozitive. “O, Pritja e Thinjur i bën fresk vehtes/ në ventilatorin e akrepave të orës”. (Mbi metropolet e mëdha, fq. 26.) Përveç vetmisë sociale, që vjen si shenjë e mospajtimit të personalitetit krijues me realitetin e padurueshëm ku jeton, mund të flitet edhe për një lloj tjetër vetmie që i karakterizon krijuesit seriozë; vetmia estetike. Sipas nobelistit Anatol Frans16, të cituar nga esteti Dewitt H. Parker17, heroizmi i poetit është të insistojë dhe të punojë në vetmi mbi veprën e tij dhe të mos jetë i prirur të nxitojë për ta nxjerrë sa më shpejt në dritë punën e tij siç bëjnë improvizuesit e thjeshtë apo delirantët18. Së fundi ndonjëherë vetmia merr përmasa biblike. Çdo gjë priret të fillojë nga e para, por nuk ekziston më fillimi, as pika e mbështetjes. Kjo lloj vetmie e rrethuar nga paprania dhe pamundësia bëhet e rrezikshme edhe për unin e poetit. “Tek Noeja mes ujërash nuk vjen asnjë pëllumb/ dhe Ararat s’quhet më asnjë majë mali!/ Meduzë symbyllur! Shihmë më në fund!/ të shndërrohem në një skulpturë memoriali!” (Skulpturë memoriali, fq. 38) Ararati i shpëtimit të Noahut, vërtetë përmendet në Bibël, por gjeografia e tij është aq e diskutueshme sa ngjan aq mistike si vetë Arka e Noahut, gjurmët e së cilës gjithashtu zhvendosen pambarimisht në këtë gjeografi.19 Në rastin e unit poetik mali Ararat tashmë simbolikisht është inekzistent, ngase edhe pritja nuk konkretizohet kurrë. Edhe vetë Noahu, edhe Moisiu, të dy sipas Shkrimeve të Shenjta, njerëz të zgjedhur nga vetë Zoti për ta udhëhequr njerëzimin, ranë në pesimizëm. Po poeti si ndihet përballë pritjes? Pritja e tij sa do zgjasë në pritje? Gjasat nuk janë shumë optimiste për pritjen e poetëve. Si e tillë pritja poetike pritet të presë gjatë dhe vetmia të jetë fenomen i pashmangshëm për poetët, në jetë dhe në artin e tyre.

____________

1Rabindranath Tagore (7 maj 1861 - 7 gusht 1941), ishte poet, dramaturg, eseist, shkrimtar dhe filozof i shquar indian. Përveç këtyre fushave Tagora u mor edhe me kompozime këngësh dhe me pikturë. Në repertorin e krijimtarisë së tij muzikore llogariten 2230 këngë të kompozuara prej tij. Tagora u bë gjithashtu udhëheqësi shpirtëror i sektit fetar hindu Brahmo Samaj. Në vitin 1913 laureohet me çmimin Nobel për letërsi, duke u bërë i pari personalitet jo europian që i gëzohej këtij çmimi.

2Nobel Lectures, Literature 1901-1967; http://www.nobelprize.org/nobel_prizes/literature/laureates/1913/tagore-bio.html

3Poem of the day: http://www.poetseers.org/poem-of-the-day-archive/poems-solitude/

4William Carlos Williams (1883-1963) eseist, shkrimtar, dramaturg dhe poet amerikan, i njohur kryesisht si eksperimentues, novator dhe figurë revulocionare në poezinë amerikane. Profesioni i tij ishte mjek, por ai ishte një nga personalitetet amerikane të shekullit të kaluar më të lidhur me letërsinë. Përmbledhjen e parë poetike “Poezi” e botoi në vitin 1909, duke i paraprirë influencës imazhiniste. Pati një aktivitet të gjerë kulturor dhe ishte bashkëpunues me penat më të famshme të kohës si Whitman, Pound, Eliot, Ginsberg, Wallace Stevens etj. Sikurse Elioti, Williams mbajti një qëndrim skeptik ndaj një bote që po vetasgjësohej nga industrializimi i skajshëm. Krijimtaria e tij pati ndikim në brezin e postmodernistëve amerikanë të viteve 50, duke përfshirë edhe poetin Alen Ginsberg.

5Imazhinizmi ishte një lëvizje letrare e poetëve anglo-amerikanë në fillim të shekullit XX, më saktësisht publikimet e mirfillta imazhiniste i përkasin viteve 1914-1917. Estetika imazhiniste synonte qartësi të imazhit dhe ekonomizim gjuhësor si dhe shfaqi prirje eksperimentuese në drejtim të eksplorimit të fjalës dhe të vargut poetik. Qendra më e madhe e imazhinizmit u bë Londra. Themelues i imazhinizmit mbahet poeti anglez Thomas Ernest Hulme (1883-1917) me dy poezitë e publikuara në vitin 1909, “Vjeshtë” dhe “Muzgu i qytetit”, botuar nga Klubi i Poetëve në Londër, në broshurën “Krishtlindje MDCCCCVIII”. Përfaqësues të njohur të kësaj lëvizjeje ishin poetët Amy Lowell, Ezra Pound, William Carlos Williams etj.

6Danse Russe (fr.) - valle ruse

7Danse Russe: http://www.writing.upenn.edu/~afilreis/88/wcw-danse-russe.html

8Bartra, Roger; Kulturat likuide në “Tokën e Djerrë” (12), Kolana “Dialog”, ISHM & IDK (Instituti Shqiptar i Medias dhe Instituti i Dialogut & Komunikimit), përkthyer nga Bashkim Shehu, 2006, fq. 22

9Allen Ginsberg (1926-1997), poet dhe shkrimtar amerikan, një nga figurat kryesore të grupimit letrar Beat Generation, i cili u formua pas Luftës së Dytë Botërore në Amerikë. Ai i bën opozitë të fuqishme militarizmit, materializmit të egër ekonomik, fenomeneve destruktive të kapitalizmit amerikan dhe ndrydhjes së seksualitetit. Ginsberg është një nga përfaqësuesit më të shquar të avangardave të postmodernizmit në zhanrin e poezisë. Me krijimtarinë e tij poetike Ginsberg influencoi tek shumë poetë e artistë me famë botërore ndër të cilët dhe tek Bob Dylan, Robert Lowell, Patti Smith etj.

10Thomas Stearns Eliot (1888-1965), një nga poetët postmodernë më imponues të shekullit XX. Ai ishte kundër funksionit social të poezisë, dhe i mëshon anës gjuhësore si objeksion për eksplorimin, njohjen dhe zgjerimin e aftësive të pashtershme të gjuhës. Gjithësesi poemat e tij meditative “Toka e shkretë” dhe “Katër kuartetet” aludojnë mbi kaosin social njerëzor të epokës moderne dhe përshkruajnë procesin ciklik të lëvizjes njerëzore në një rreth të mbyllur.

11Eliot, T.; The Waste Land; (V. What the Thunder Said): http://www.poetryfoundation.org/poem/176735

12Kapela - kishë e vogël brenda territorit të varrezave. Në versionin e origjinalit të poezisë në anglisht, Eliot përdor fjalën - kapela.

13Tufa, Agron; Harmonia që kushtëzon rendin e organizimit të botës, (në)Fenomeni i Avanguardës në letërsinë shqiptare (Aspektet e Seminarit Shkencor); Arbëria, Tiranë, 2005 (fq. 138)

14Zeqo, Miokom; Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë 2012, fq. 6

15Pavan, Stefania; Lezioni di poesia; Iosif Brodskij e la cultura classica; il mito, la letteratura, la filosofia; Collana Studi di Filologia Moderna , Firenze University Press, 2006, pp. 51-54 (p. 51)

16Anatol France (1844-1924), gazetar, estet, shkrimtar dhe poet i shquar francez. Në vitin 1921 është nderuar me çmimin Nobel në letërsi.

17Dewitt H. Parker (1885–1949), personalitet amerikan i njohur në fushën e dijes si estet e filozof në gjysmën e parë të shekullit XX. Parker ishte profesor në Universitetin e Miçiganit. Veprat e tij konsistojnë kryesisht mbi konceptimet e metafizikës.

18Parker, Dewitt H.; The Principles of Aesthetics; http://www.authorama.com/principles-of-aesthetics-10.html

19Mali Ararat përmendet në Bibël (Zanafilla 8:4) si vendi ku u ndal Arka e Noes, pas përmbytjes së madhe. Ky mal gjendet sot gjeografikisht në territoret dikur armene në Turqinë lindore, në afërsi të Iranit dhe të Armenisë. Përbëhet nga dy maja të larta, të ndara nga një luginë e thellë dhe e gjerë, Ararati i Madh (5122 m) dhe Ararati i Vogël (3896 m) dhe besohet akoma se ka gjurmë të Arkës së Noes, madje për këtë janë bërë ekspedita të shumta dhe janë shkruar shumë shkrime kontradiktore, pa e zbardhur dot shkencërisht enigmën.

FATMIR ALIMANI: MOIKOM ZEQO NJË FENOMEN I RRALLË LETRAR



Autor i një korpusi poetik tejet hapësinor dhe i një proze moderne të paparë ndonjëherë në këtë intensitet e densitet, M. Zeqo është me të vërtetë një fenomen i rrallë letrar. Me një poezi dhe një prozë jashtë klisheve, modave të përkohshme dhe formulave të ngurosura, ai përfaqëson një drejtim të vetin, tjetërsoj, të panjohur nga letërsia e gjersotme shqipe, që mund të quhet ndoshta, realizëm surrealist. Është një fakt i mrekullueshëm përqasja e tij me lavdinë, që ai e quan mjeshtërisht një “alibi”. Një zog i rrallë fluturon në tërë krijimtarinë e tij të begatshme, pranë një kali planetar, pranë një zoti dhe pranë currilave të fëmijërisë, që janë kthyer tashmë në një lloj parajse tjetër. Zeqo kalon lehtësisht nga poezia te eseja, rrëfimi, paradoksi, arkeologjia, piktura, filozofia dhe estetika...

Mbretëria poetike

Gjithë poetët e vërtetë krijojnë mbretëritë e tyre. Një nga poetët e sotëm shqiptar që e ka krijuar këtë mbretëri është pa dyshim poeti Moikom Zeqo, zëri më impresionues dhe më sfidues i poezisë së sotme shqipe.

Ky pohim nuk është kurrfarë mungese e gjakftohtësisë së shikimit tonë dhe as kurrfarë shenje e patetizmit të theksuar të shqiptarëve.

Nuk është kështu, sepse kemi tashmë përballë, me të vërtetë, një mbretëri poetike, që nuk i mungon asgjë dhe që i mjafton fare mirë vetvetes.

Kjo mbretëri mund të quhet fare mirë mbretëria e metaforave dhe e filozofimit poetik, që arrin deri në përmasa sublime, për herë të parë në historinë e poezisë shqipe, në një gamë kaq të gjerë, që ngjan thuajse e pafundme.


Gjatë një takimi me Moikom Zeqon në Tiranë.

Madje kemi gjithashtu shpalosjen e një sfide të fortë edhe në planin evropian e madje botëror. Janë shumë të rrallë poetët e sotëm botërorë, të cilët kanë arritur të krijojnë një mbretëri të tillë. Në planin e vogël, metafora moikomiane është një vazhdim kolosal i metaforës epike migjeniane dhe i metaforës lirike deradiane, ndërsa në planin e madh ajo përthith dhe shkon më tej metaforave të poetëve të mëdhenj të shekullit që kaloi dhe të shekullit në vijim. Metafora moderne liriko-filozofike moikomiane që ka pushtuar territore kozmike dhe ka shpalosur një botëvështrim të ri dhe një poetikë personale që transformohet vetiu në një poetikë universale, përbën thelbin e kësaj mbretërie, në sensin aristotelian dhe njëkohësisht në atë migjenian dhe anglosaksonian.

Kalorësi i nëmur i metaforave

Metaforat e poetit Moikom Zeqo janë me të vërtetë të pazakonta dhe ato e rendisin këtë poet fare natyrshëm në gjirin e poezisë së madhe, me befasitë dhe poliseminë e tyre vërtet prezente dhe tepër ngjashnjyese. Në to thuajse gjithçka shihet ndryshe.

Gjithçka tingëllon estetikisht mirë e bukur në një harmoni të vetvetishme dhe jashtë çdo klisheje të qartë. Ato mund të sfidojnë gjithçka, por pa ulërima dhe pasthirrma mediokre, ose pa asnjë gjurmë të optimizmit dhe të njëkuptimësisë, prej të cilave është e pushtuar sot poezia shqipe.

Do të përpiqem të vë në reliev vetëm pak prej metaforave të para, nga mali i ri, që Moikomi ka krijuar me to, në poezinë e sotme bashkëkohore. Kështu, dimri përfytyrohet “si një statujë që rri i shtangur para nesh”, ndërsa ne ngjajmë akoma si fëmijë në një lojë të papërsëritshme. Ndërkaq hëna… “sillet nëpër ëndrra lart si titull lirike”. Poeti ndjehet qartësisht “si një Bard i Përjetshëm i Detit”. Siç shihet, fjala “deti”, shkruhet me germë të madhe. Më tej, shfaqet kali, që është njëfarë princi ose mbreti në tërë metaforat moikomiane.

Ky është kali i tij, që vrapon pa pushim, dhe mbi krifat e tij vrapon edhe “forma e zbrazët” e poetit. Fare pranë këtij kali, “vetmia është një orë”, ndjenjat janë “beduinë të etur”, dhe madje Habia, është vendlindja e tij.

Sigurisht, ndërsa gjithë dykëmbëshat përreth janë të hapur e të lumtur, ai është “brenda vetes i mbyllur”.

Poeti atëherë merr një aftësi të pazakontë dhe kështu ai bëhet: tokë, det, kalë, perëndi, formë e zbrazët, pemë, botë lirike, gjysmëtokë e gjysmëdet, gjysmëvetvete e gjysmë ti, gjeni i vogël i aventurave dhe kërkues këmbëngulës dhe i përhershëm i krahasimeve të reja.

Ai përjeton njëmijë vdekje dhe njëmijë ringjallje, ai përjeton një gravitacion të dytë, një ajër blu, dhe njëkohësisht ai ndjehet si një faraon në dashuri, si një pelikan i vetmuar, apo… edhe si “një plesht që shikon te qafa e luanit të universit”.

Ai bëhet një pasagjer i jashtëzakonshëm i kohës dhe kërkon të deshifrojë i gjallë, “dialogun e vdekur të statujave”. Kësisoj, metaforat krijojnë imazhe nga më të befasueshmet. Muzgu bëhet Akil, orët lodhen “si kuajt”, dhe ai shpallet natyrisht tanimë me plot të drejtë, si një kalorës i nëmur i metaforave. Në rastin e poezisë mediokre bashkëkohore, ai do të kishte qenë një kalë i bekuar.

Ai shkon më tej akoma, duke u bërë “lexues i ajrit”, shpikës i shahut të tij “me bashkëtingëlloret dhe zanoret e shqipes”, e më në fund, edhe “një shfletues i shekujve të ardhshëm”. Në gjithë këtë pafundësi identitetesh e misteresh, është poeti ai që i lëviz akrepat e orës, “me një shpejtësi fantastike të paparë si helikat e një aeroplani”. Ai kërkon të zbulojë çdo herë sekretin e metaforave, sepse “kuajt dhe demat e metaforave” janë për të, “më të plotfuqishëm se zotat”.

Ndërkaq, “shiu i mallit” i ka njomur “flokët e simboleve”. Një imazh tjetër i jashtëzakonshëm na ndjek menjëherë. Disa zogj përrallorë ulen të pinë në Ebro. Përse janë vallë kaq të etur këta zogj të pazakontë? Përgjigja është me të vërtetë aspak e zakonshme: “Për t’u bërë më pak të vdekshëm”.

Kush nuk dëshiron vallë, të bëhet më pak i vdekshëm, nëse pavdekësia është e pamundur? Por, për t’u bërë i tillë duhet të pish të ardhmen, duhet të pish gjithë etjen e njerëzve të etur. Ata që nuk kanë etje, nuk hyjnë aspak në këtë histori. Ata nuk mund të bëhen kurrsesi, më pak të vdekshëm.

Por një imazh akoma më esencial na ndjek si të thuash këmba-këmbës. Një kalë. Natyrisht, një kalë jo pak i çuditshëm. Ai bëhet bashkëkohësi ynë, bëhet ne. Por,

Kuajt,

s’ua lenë njerëzve

testamentet e tyre

Veç në ua lënçin yjeve.


Një imazh që meriton të quhet homerik. Këtu kali ngrihet jo vetëm mbi njerëzimin, por edhe mbi yjet, sepse nuk është aspak e sigurt nëse “testamentet e tyre” ata do t’ua lenë, me të vërtetë, yjeve.

Në një thuktësi që arrin shkallën sublime, në katër rreshta krejt të shkurtër, kemi përpara nesh një botë krejt më vete: kuajt e pazakontë, njerëzimin, testamentet ose më saktë ardhmëritë, dhe gjithashtu yjet, domethënë botën tjetër.

Kësisoj, kali është tashmë një planet më vete.

Poeti Moikom Zeqo kërkon vazhdimisht një metaforë të re, i etur si një titan dhe i butë e i thjeshtë si një fëmijë, të cilin e pret një e ardhme e pazakonshme.

Dhe ai prandaj i quan metaforat e tij, “drithë i mbirë në planetin Mars”.

Dhe kalorësi nuk do të presë asnjë herë bekimin e tij, sepse ky do të ishte dënimi më i madh për të.

Fjalët

Raporti i M. Zeqos me fjalën është i veçantë dhe jashtë çdo klasifikimi e embleme. Poeti i ndjen fjalët përballë tij, si krijesa të gjalla, dhe kërkon t’u veshë atyre “lëkurat tona”. Por plagët ndodhen kudo. Fjalët notojnë në lumenj gjaku.

Poeti ndjen “një Ebro të gjakut në plagën mitike të fjalës”. Nga ana tjetër ai mund të dëgjojë edhe librin e heshtjes ose pauzat në mes të fjalëve. Ai mund të festojë madje edhe “festën postume të fjalëve”.

Më tej akoma, ai mund t’i përfytyrojë galaktikat, si “fjalë të pathëna”. Dhe njëkohësisht poeti kërkon me ngulm të gjejë mënyrën e veçantë për të mbushur fjalët e zbrazura, “me këtë univers”. Kërkimi merr gjithashtu thuajse gjithnjë një trajtë epike, sepse,

Fjalët janë si harku

që s’e tendos askush.

Pamposhtësia e fjalëve! Ja guri i Sizifit për poetin e vërtetë. Fjalët janë djajtë më të shkathtë e më të pakapshëm. Në çdo fjalë gjenden 33 djaj. Ndërsa qëllimet e poetëve dhe shkrimtarëve luajnë përfundimisht një rol dytësor, sepse librat e vërtetë luajnë pavarësisht nga krijuesit, lojën e tyre vetjake.

Personaliteti

Autor i një korpusi poetik tejet hapësinor dhe i një proze moderne të paparë ndonjëherë në këtë intensitet e densitet, M. Zeqo është me të vërtetë një fenomen i rrallë letrar.

Me një poezi dhe një prozë jashtë klisheve, modave të përkohshme dhe formulave të ngurosura, ai përfaqëson një drejtim të vetin, tjetërsoj, të panjohur nga letërsia e gjersotme shqipe, që mund të quhet ndoshta, realizëm surrealist.

Është një fakt i mrekullueshëm përqasja e tij me lavdinë, që ai e quan mjeshtërisht një “alibi”. Një zog i rrallë fluturon në tërë krijimtarinë e tij të begatshme, pranë një kali planetar, pranë një zoti dhe pranë currilave të fëmijërisë, që janë kthyer tashmë në një lloj parajse tjetër.

Zeqo kalon lehtësisht nga poezia te eseja, rrëfimi, paradoksi, arkeologjia, piktura, filozofia dhe estetika.

Ai nuk rresht të na befasojë jo vetëm ne, por madje edhe vetveten. Në personalitetin e tij zë natyrisht një vend të nderuar: dijetari. M. Zeqo është një dijetar i rrallë. Një guximtar. Një paradoks dhe një shembull i qartësisë polifonike.

Sa më shumë kalon koha aq më shumë shkëlqen vepra e tij. Madje më tepër, në mungesë. Shqiptarët e ardhshëm janë miqtë e tij më të mirë. Jo vetëm ata. M. Zeqo është nga të rrallët që di të revoltohet kundër mediokritetit dhe provincializmit, që vazhdon të jetë ulur këmbëkryq në Shqipëri, natyrisht i mbuluar me ca maska qesharake dhe linçuese.

Mjerisht, mendimi shqiptar vazhdon të mbetet i helmuar nga vetvetja dhe i shokuar nga paaftësia përballë lirisë dhe mistereve të saj. Ky mendim i helmuar më kujton Hegelin, kur thotë bukur dhe qartë: “Artisti që don të imitojë natyrën nuk është veçse një krimb i tokës që kujton se është një elefant”.

M. Zeqo është i bindur që “jashtë krizës nuk ka poezi”.

Përreth gjëllojnë, të panumërueshëm, njerëzit dhe artistët e lumtur, njerëzit e mëdhenj, njerëzit bosh.

Pessoa, ndërkaq nënvizon qartë, që “lavdia, sot u përket gladiatorëve dhe bufonëve”.

Por, pa u tundur aspak, bijë e një krijuesi të pavarur, i cili ka krijuar mbretërinë e tij poetike, me metaforat dhe fjalët e tij të ringjallura, poezia moikomiane rrëshqet nëpër epoka dhe shekuj, si një troftë lojcake dhe inteligjente nëpër gurët e një lumi të shenjtë.

Sipas Octavio Pax, “poeti është vetëdija e fjalëve”.

Vetëdija e veprave tona do të na gjykojë një ditë të gjithëve. Asokohe, të vdekurve dhe atyre që u morën nëpër këmbë nga indiferenca primitive ose nga ligësia e mjerë, do t’u ngrihen statuja. Migjeni, natyrisht ai, “ndoshta që nga dritarja e Hënës, do t’i hedhë atëherë poetit një Trëndafil blu”… ( Bruxelles, 3-4 prill 2009)


Me shkrimtarin Fatmir Alibali në Panairin e Librit - Frankfurt.

Gënjeshtrat e gazetave serbe për kryeministrin kosovar Hashim Thaçi

Gazeta serbe: Thaçi, spiun jugosllav

Faqja e pare e te perditshmes serbe "Kurir": Thaci, agjent jugosllav
Disa ditë pas firmosjes së marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Brukseli midis Kosovës dhe Serbisë, në një pjesë të mediave serbe vazhdojnë të gjejnë vend akuzat dhe idetë më radikale.

Kështu, pas akuzave për “tradhëti” nga ana e kryeministrit Daçiç dhe presidentit Nikoliç, të njëjta fjalë i adresohen edhe kryeministrit të Kosovës, që sipas gazetës “Kurir” “tradhëtoi” shtetin mëmë, atë për të cilin ka punuar si agjent.

”Rreptësisht konfidenciale: Thaçi ishte spiun serb”!”, ky është titulli i artikullit të botuar në të përditshmen sensacionaliste.

“Vëllai më i madh i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Shtetëror të Sigurimit të Jugosllavisë (UDB) në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar! Veçanërisht roli i tij u vu re në demonstratat studentore në Prishtinë në vitin 1981, të cilat u shuan me dhunë”.

Sipas një burimi, që “Kurir” e konsideronte të “mirëinformuar”, lidhjet e familjes së kryeministrit të Kosovës me agjensinë famëkeqe të UDB-së janë të njohura dhe të skeduara në arkivat e Beogradit, ndonëse duket e vështirë që nëse këto shkresa do të ekzistonin, do të mbaheshin ende të fshehta nga qeveria serbe.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...