Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/02

At Zef Pllumi: Pse Fishta e pranoi titullin akademik nga italianët




At Zef Pllumi


Homazh klerikut në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta.

“Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por për me më internue”

Njohja në fëmijërinë e hershme me klerikun dhe vdekja e tij.

“Varri i vërtetë i poetit, nën pllakat e dyshemesë”
Sot mbushen 6 vjet nga ndarja nga kjo botë e një njeriu të madh, At Zef Pllumit, të fundmit të asaj plejade klerikësh atdhetarë, që përballuan për vite të tëra kalvarin e komunizmit. Në përkujtim të emrit të tij, po shkëpusim prej përmbledhjes “Histori kurrë e shkrueme”, një kapitull interesant të jetës së tij. Një tufë kujtimesh të At Zef Pllumit lidhur me një prej figurave më të mëdha të letërsisë shqipe, Pater Gjergj Fishta, por edhe më të diskutuarat gjithashtu, sa i përket qëndrimit të tij kundrejt fashizmit. Pikërisht për këtë të fundit, por edhe për vendvarrosjen e tij, hedhin në dritë këto kujtime të klerikut, i cili deri në fund luftoi për të vërtetën. Dhe nga ana tjetër, na risjellin në vëmendje këtë figurë shumëdimensionale. Nën zhgunin e klerikut jetonte atdhetari, por edhe letrari me një penë të hollë vëzhguese. Libri i tij “Rrno vetëm për me tregue”, është cilësuar si “Arkipelagu Gulag” shqiptar.

Kur u njoha me Fishtën

Kopertina e librit
“Histori kurrë e shkrume












































Kur e kam pa së pari Fishtën, un atëherë ende nuk e kishem të formuem konceptin e kohës, prandej megjithëse më ka mbetë i pashlyem në kujtesë, nuk asht e regjistrueme as data, as viti. Sigurisht që ishte ditë vere. Prindtë e mi jetojshin me blegtori e delshin me delet e veta për me verue në Qafë të Tërthores, e cila kufizon bjeshkët e nalta të Malsisë së Madhe me ato bjeshkët e nalta të Dukagjinit. Afër nji liqeni alpin kishim të vendosuna stanet. Në atë kohë rruga automobilistike e Thethit nuk kishte mbërrijtë as deri në Bogë. Udhëtimet baheshin zakonisht me kuaj. Nji ditë prej ditësh, siç ishim tue luejtë na fëmijët mes atyne pesë a gjashtë staneve, po shofim tue ardhë në shpinë të kuajve fretën, të përcjellun prej tre malësorëve. Kur zbritën, axha im, si zot shpije, duel me pritë; u përqafuen përzemërsisht dhe tue folë të madhe, hinë së bashku në Stanin e Mirë. Thirrej kështu “Stani i Mirë” sepse axha im, Pashko Toma, numërohej asohere ndër burrat e mirë të maleve, prandaj atë stan e kishte shtrue me qylyma, rrethue me muret e thata me sixhade e dukej porsi nji dhomë pritjeje të cilën e kishte vetëm për miq. Kurioziteti fëmijnor na shtyte me hi mbrenda stanit për t’u njoftë me miqtë e rinj, por nanat tona duelën e na larguen tue na thanë: “Mos u avitni këtu, por shkoni sa ma larg se ka ardhë Pater Gjergj Fishta, që u ngjet tjerëve bishta; kush s’e ka ia ngjet e kush e ka ia pret!” Na, si fëmijë të vegjël që ishim, kqyrshim rrobat e njani-tjetrit në se kishim bishta a jo. Gjithashtu, prej nanave tona muerëm vesht se ai frati tjetër ishte Pater Anton Harapi, i cili në imagjinatën tonë fëmijënore, për shoqnim idesh, na dërgote te përrallat e fëmijëve mbi Harapin e Beledijes, sigurisht i zi e i tmerrshëm. Por, kur ikën e u shpërndanë shokët e mi, un përfitova nga këmbëngulja ime dhe nga dashunia që axha im kishte për mue, njilloj, a mos më tepër se për fëmijët e vet, e kështu mbërrija me e shbllokue derën e Stanit të Mirë, në të cilin nuk mund të hinte kurrkush. U lëshova me turr në prehën të axhës, i cili më paraqiti te miqtë dhe më urdhnoi me i puthë. Un i kishem bezdi përkëdheljet. Nga prehni i axhës kqyra mikun e madh, sytë e të cilit xhixhillojshin në gjysterrin e stanit. Dy sy të çuditshëm, plot dritë e shkëndija. Edhe sot, mbas sa vitesh, në pleqni, mund të dishmoj se kurrë gjatë jetës sime nuk më ka ra me pa sy aq të fuqishëm e dritëdhanës. I mbaj mend mirë përkëdheljet e Fishtës, se për të parën herë ndigjova nga goja e tij fjalën “çiripup”, me të cilën shoqnote përkëdheljet. Por, as frati tjetër nuk m’u duk aq i zi e i vrazhdë siç përfytyrojshem un Harapin e Beledijes; jo vetëm, por kur axha u tregoi dishirin tim fëmijnor për t’u ba frat, ai Harapi hoqi nga qafa e vet nji medalje të Shën Françeskut dhe më tha: “Mbaje! Kur të rritesh paraqite këtë medajë te dera e Kolegjës dhe kanë me të pranue, por ruaje mos e humb!”
Në Kolegjën Françeskane kam hi ma vonë, por gjithnji në moshë të njomë. Shkolla fillore françeskane ishte ngjitun me Kuvendin e Fretënve ku banonte asokohe Fishta. 





At Gjergj Fishta











































Në vitin 1933 me nji urdhën të qeverisë kjenë mbyllë të gjitha shkollat private dhe kët fat pësuen edhe shkollat françeskane. Në atë kohë organet qeveritare i kishin dhanë hov të madh “Rinisë zogiste” dhe posa kishte fillue përshëndetja zyrtare me dorën në gjoks. Këto veprime ishin huazime të metodave totalitare, të cilat Fishta nuk i pëlqente aspak. Kallxohej se në nji prej këtyre ditëve ai duel prej Kuvendit Françeskan dhe niset për t’i ba vizitë nji miku të vet. Tue kalue nëpër Fushë-Çelë, ai ecë çalë-çalë i mbështetun mbi shkopin e tij të trashë. Disa qytetarë, që ishin ulun aty para Kafesë së Madhe, për ta ngacmue, marrin nji fëmijë të vogël shtatëvjeçar, i japin nji tufë lulesh dhe i thonë që t’i delte para e ta nderonte “alla zogiste”. Fishta kur e pa e përkëdheli, tue i thanë me za të naltë që ta ndigjojshin të gjithë “O çiripup, ti ende tek je shumë mirë se të paska mbërrijtë deri në gjoks, por mue më ka ardhë deri këtu!”, – dhe e vuni dorën si fëmija, por te buzët. 
Fishta iku në Itali: nuk kishte ma besim as siguri në nji regjim që kundërshtonte kulturën. Mbas pak vitesh gjendja sikur u skjarue mbas vendimit të Gjykatës së Hagës e Pater Gjergji kthei në atdhe për të vazhdue përpjekjet e veta vigane në konsolidimin e arsimit e të kulturës oksidentale të popullit. 
Shkollat françeskane u rihapën kur un ishëm diku ndër klasat e para të gjimnazit. Nji ditë, Fishta, tue u mbajtë për shkopin e tij të trashë, hini në klasë. U çuem të gjithë brofë në kambë, jo vetëm na studentat, por edhe profesori i letërsisë. Fishta na kqyri të gjithëve me fytyrë të qeshun e sy gazmorë: “Uluni, djelmoça!”, – tha. Mandej iu suell profesorit:
-Erdha të shof se çfarë letërsie jepni, apor edhe ti gramatikën si Pater Justini. 
-Sigurisht,- iu përgjigj profesori,- edhe gramatikën e sintaksin, por randësinë ma të madhe ia jep stilistikës, e sidomos hartimeve letrare. 
-Shumë mirë, -tha Fishta, -këta duhet të jenë shkrimtarët e së nesërmes e un kishem me dishrue që të lexoj ndonji prej hartimeve letrare të këtyne. Po, a ban kush vjerrsha?
U ba nji heshtim i plotë. Sigurisht që disa prej nesh do të kishin edhe vjerrsha rinije, por kurrkush nuk e pat guximin me ia paraqitë atij poetit të madh. Heshtimi vazhdoi i plotë e i gjatë. 
-Shikjoni, na tha, -un dishiroj që Shqipnisë t’i dalin edhe shumë shkrimtarë e poetë, por kjo poezia asht nji dhanti e natyrës. Kur mungon talenti, kjo dhanti, atëherë asht ma mirë që të baheni doktora e inxhinjera ose edhe këpuctarë, sesa shkrimtarë të këqij. Nji shkrimtar i keq i ban shumë dam popullit që e lexon. 
Profesori atëherë i tha se përpiqej me na lëshue në dorë veprat e autorëve ma të mirë të letërsisë botnore dhe asaj shqiptare, midis të cilëve emni i tij asht ndër kryesorët.
-Edhe Lahutën e Malcisë?,- pyeti Fishta.
-Po, po, -iu përgjigj profesori. Kemi këtu nji djalë që e din përmendësh, dhe më bani shej që të çohem në kambë. 
-Cilën kangë din?
-Të gjitha, – i thashë.
N’atë kohë nuk ishte botue vepra komplete, por vetëm tre libreca me nga pesë kangë. 
-Na thuej Kangën e Ali Pashë Gucisë!
Un shtina në punë të gjitha aftësitë e mia të recitimit dhe atij i pëlqeu aq shumë sa, mbasi më tha nji “të lumtë”, iu kthye profesorit: “Sikur ta kishem kështu atë X,Y për me e inçizue në gramafon!
-Për inçizime mos mendo tjetër, Pater Gjergj, i tha profesori. Ai zani yt me recitimin e Lahutës do t’u mbesë të gjithë shqiptarëve nji kujtim i përjetshëm.
-Un do t’ishem ma i kënaqun sikur t’i ndigjojshëm të rijt, si këtë djaloçin, tue recitue “Lahutën”.  
Bëhej fjalë për një inçizim në pllaka gramafoni, ku vetë Fishta recitoi dy kangë të Lahutës: “Vranina” si dhe “Te Kisha Shnjonit”, njandej nga viti 1929 ose 1930. Sot ato pllaka gramafoni me zanin e vërtetë të Fishtës duhet të jenë tepër të rralla. Kam pasë rastin me ndigjue disa kaseta, sidomos në këto kohët e fundit, por mund të them me siguri se nuk kanë të bajnë me regjistrimin e zanit të vërtetë të Fishtës. 
Ma vonë, Fishta kje zgjedhë Provincial (Superior) i françeskanëve të Shqipnisë për tri vjet e mandej, mjaft i plakun prej sëmundjesh edhe prej vjetëve, kje caktue në Kuvendin e Arrës së Madhe, lagje periferike e Shkodrës. Rreth e rrotull këtij Kuvendi ishin vneshta e pemtore, fusha të kultivueme e livadhe të bukura. Me këtë ambient qetsues, Fishta vazhdonte të punonte mbi veprën e vet letrare. Pjestarë të atij Kuvendi të vogël ishin disa tjetër kolegë të tij të moshuem, si dhe P. Marin Sirdari e Pater Justin Rrota. Na studentat pothuej dy herë në javë kalojshim mbasditet ndër ambientet e atij Kuvendi, dhe kështu Fishta, kur ishte i lirë, vinte e rrite ndonjëherë me ne…
***
Mbas pak kohet erdhi okupacioni fashist italian. Vetëm ata që e kanë provue dhunën në shpinë e vet, ata mund ta kuptojnë ma saktë se çka asht diktatura. 
Fishta në këtë kohë gjindej po në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe. Fashistat ndërruen mbretin, ndërruen edhe flamurin. Si të gjitha diktaturat edhe ata kërkojshin duertrokitjet e popullit dhe përuljen e njerëzve të përmendun e me influencë. Shpërndajshin pare, shpërndajshin dekorata, shpërndajshin rybe. 
Në atë vit un ishem ndër klasat e nalta të liceut. U përhap fjala se edhe Fishtën e kishin emnue me dekret si “Akademik të Italisë”. Mbas disa ditësh kje caktue që të gjithë pjestarët e Kuvendit Françeskan të shkojshin bashkarisht te Arra e Madhe për t’i ba urimet Fishtës. Na priti me karamele dhe kumel. Mbasi i paraqitem bashkarisht urimet, nji prej profesorve, P. Mëhill Miraj, u çue e i tha:
-Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxënsat tuej. Un këtu po shprehi mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe vllazënve tuej: aq sa na ra mirë emnimi yt si akademik, aq na ka ra edhe keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue se si duhet ta duem Shqipninë e se si duhet të jemi atdhetar. E gjithë Shqipnia, ashtu edhe fashistat italianë e dinë mirë se ti ishe kundra tyne. Bashkarisht kemi vendosë me të ba këtë propozim: “njashtu si ti ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të kje dërgue prej autoriteteve italiane, tue u thanë se “nuk asht dekoratë për mue”, po ashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e akademikut. Kaq dimë e kaq ta themi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgja për të keq se ti je ndera jonë”.
Fishta gjatë këtyne fjalëve kishte ra në mendim. 
-Ndigjoni, – tha, -o vllazën e bij të mi. Un nuk kam ndërrue, por jam ai Pater Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq e gja e kan kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë të tjerë, njashtu po duen me ba edhe me mue, përse në bazë të Statutit çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e ba njëkohësisht me i hjedhë pluhën syve të botës, popullit shqiptar ashtu edhe mue. Un sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më asht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsa un nuk jam i zoti me përballue ma as burgun, internimin apo arratinë. Por un po ju premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë sot na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U baj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muej, siç i don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni. 
Përmbi këtë moment të jetës së Fishtës asht shkrue e folë shum, jo vetëm prej armiqve të tij, të cilët këtu gjetën rastin e volitshëm për me spekulue e hjedhë shumë baltë përmbi figurën e tij atdhetare, por edhe prej disa tjerëve që na e njoftën si atdhetar e poet kombëtar. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili shprehë urtinë e naltë të trashigueme të popullit tonë, por çdo pleqni që bahej thuhej ky parim: “po të baj baras me veti” ose “vu vetin në kambë time”. Këtë shprehje po e përsëris për të gjithë ata që duen me kërkue të vërtetën dhe jo për bojaxhijtë që i ndërrojnë ngjyrat si po i don. Prandej e ndjeva për detyrë historike e morale që të tregoj këtë episod të jetës sonë të mbrendshme të komunitetit françeskan, megjithëse e parashof se këtij episodi do t’i jepen interpretime nga ma të ndryshmet, si pro, ashtu kundra Fishtës. Mbas pak javësh që Fishta u nis për Itali, këtu në Shqipni autoritetet fashiste filluen nji luftë të hapun kundra françeskanëve shqiptarë, sepse ata në kumbonaren e kishës nuk pranojshin me naltue flamurin me shejat e liktorit, as me shti në programin e shkollës mësimin e edukatën fashiste. Ministri i Arsimit erdhi vetë në shkollat françeskane, por kje i pritun me ftoftësi prej trupit mësimor si edhe prej studentëve. Mandej për intriga të fashistave u burgos në Shkodër dhe mandej e internuen në Itali prof. Athanas Gegajn, u mbyllën shkollat françeskane, u sekuestruan banda muzikore françeskane, u mbyll shoqnija Antonjane dhe drejtori i saj Pater Lekë Luli muer arratinë për në Jugosllavi. Mbas pak vjetësh të njajtën rrugë të arratisjes muer edhe dr.prof. Pater Gjon Shllaku, drejtor i “Hyllit të Dritës”. Ndërkohë Pater Anton Harapi dhe Provinciali i Françeskanëve, Pater Çiprjan Nika, ishin thirrë në Itali e mbaheshin atje porsi pengje nën pretekse të ndryshme. Gjatë kësaj kohe Fishta përpiqej me të gjithë autoritetin e vet për t’u dalë zot vllazënve françeskanë e për të pshtue gjallë veprat, të cilat ai vetë i kishte themelue, siç ishte liceu “Illyricum”. 
Duhet të shenojmë këtu se çelsi i politikës italiane për Shqipërinë në atë kohe ishte z. Salvatore Meloni, sekretar i Përgjithshëm i luogotenencës, ex-konsulli i Italisë në qytetin e Shkodrës, anmik i vjetër i deklaruem i françeskanëve dhe i Fishtës. Po bie këtu edhe nji episod që ma ka tregue nji prej kafazave të konsullatës italiane në Shkodër. 
***
Fishta kishte ardhë me kalue motin në vendlindje, kryesisht për t’u largue nga intrigat e gjithmonshme të jetës politike-tregtare. Ndjehej shumë i lodhun, për mos me thanë i zhgënjyem për fatet e atdheut. Këtë gja e dijshin edhe bashkëpunëtorët e tij ma të ngushtë si Imzot Luigj Bumçi, Imzot Vinçenc Prendushi që në atë kohë gjindej në Nënshat dhe javë për javë vinte me kalue nji ditë e nji natë bashkë me të; ndërsa Imzot Luigj Bumçi, që banonte në Kallmet, vinte në kuvend të hanën dhe kthehej në shtëpi të prenden mbasdreke. Pater Pali vinte ma rrallë çdo dy-tri javë, se ishte nji copë rrugë ma larg. Në praninë e ktyne miqve shifej kjartë se Fishta ndiente çlodhje. Me Pater Palin pothuej kishin gjithmonë biseda serioze, ndërsa me Bumçin ishte puna krejt ndryshe. Ata të dy ishin në garë me shoqishojnë për anekdota, shprehje e krahasime humoristike. Kushdo që kishte fatin me kenë në prani të këtyre bisedave nuk dishrote për nji gëzim ma të madh. Megjithëse kjo garë zhvillohej ndërmjet dy kolosëve të humorit e satirës, prap se prap, Fishta shquhej për atë elegancë të pashoqe që i largohej çdo banaliteti dhe magnetizonte të gjithë ambientin. Dua të shënoj këtu se Fishta në të folun nuk ishte kurrë aq i turrshëm e hujli kundra anmiqvet, siç paraqiten ndër satirat e shkrueme. 
Ai e kaloi pothuaj gjithë verën në Troshan e kur un me 15 të shtatorit jam transferue që andej për në Shkodër e kam lanë aty.  Por, kah mbarimi i tetorit na mbërrijti lajmi se Fishta ishte shumë i sëmundë. Fretnit dërguen menjiherë doktor Prelën për me e vizitue, ashtu edhe lajmuen Akademinë e Italisë, e cila mbas pak ditësh dërgoi dy doktora. Fishtës i kje propozue që ta lente Troshanin dhe të shkote për kura në Itali, por nuk pranoi. Gjatë muejit nandor pati përmirësime aq sa u duk sikur u shërue. Kaq fillimi i dhetorit ra bora e parë. Fishta del në dritare, kqyrë atë bardhësi flokësh që pa pushue zbret nga qielli, me lëvizje të pambarueme, porsi të ishin qenie të gjalla qiellore që zbresin sa me turr e sa qetë-qetë për t’i thanë diçka njerëzimit. Nuk e dijmë se çfarë shfaqesh e mendimesh tjera kaptuen në fantazinë e poetit, i cili posi fëmijë i vogël, harron se bora asht e ftohtë. Në ditën e nesërme Fishta e ndihen veten keq. Mbas tri ditësh, kur doktorat shkojnë prej Shkodrës për ta vizitue e gjejnë në gjendje alarmante me pneumoni bilaterale dhe urdhnojnë që të baret menjiherë në spitalin e Shkodrës. U duk sikur kurat dhe medicinat i suellën dobi e përmirësim, por mbas pak kohe u pa kjartë se me ato mjete që ishin aso kohe nuk kishte ma shpëtim, prandej shumë miq të tij e personalitete të kohës përpiqeshin për me e pa edhe nji herë sa të ishte gjallë.
Dimni i vitit 1940 kje shumë i vështirë dhe i ashpër. Funerali që u zhvillue në Shkodër kje madhështor, i gjatë, por edhe shumë i vështirë, sepse rrugët e qytetit ishin të mbuluese me gadi nji gju borë dhe vazhdote me ra skllotë (borë me shi).
Mbas funeralit u dha mesha e përshpirtjes prej Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, i cili mbajti edhe fjalimin e fundit mortor. Ndër të tjera, në atë fjalim, ai tha: “Para pak ditësh ishem në spital për të pa Pater Fishtën, i cili tashma e kishte kuptue edhe vetë se ishin takimet e fundit të jetës së tij dhe më tha: “Nuk po vjen keq që po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, po po më vjen randë se tanë jetën e kam shkri për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e la të shkelun prej ushtrive të hueja”.
Kur oratori i tha këto fjalë, dishmi publike në praninë e autoriteteve ma të nalta të fashizmit në Shqipni, populli ashtu siç kje, lëshoi nji gjamë, nji zhurmë nga frika dhe admirimi njiherit. Specialistat e Radio-Tiranës në atë kohë ishin tue inçizue fjalimin dhe krejt funeralin. Besoj se po të jenë ruejtë ato pllaka në arkiv, mund të gjindet edhe fjalimi. 
Mbas meshës requiem, kur populli u largue, mbetëm në kishë vetëm na françeskanët me trupin e dekun të Fishtës. Vorrimi duhej ba brenda kishet në nji ndër kapelat e saj, por tue kenë se të gjithë ishim shumë të lodhun nga funerali i gjatë me nji kohë aq të vështirë, atëherë u tha që të çlodheshim paksa, t’i ndërrojshim teshat e lagta e të ngroheshim, e u la që vorrimi të bahej mbasdarket. Por, mbasi ndër dhoma nuk kishim ngrohje, shumica e fretënve kishin ra me fjetë. Superior i Kuvendit Françeskan të Gjuhadolit në atë kohë ishte Pater Frano Kiri, i cili muer disa prej fretënve ma të ri, si dhe disa prej nesh, studentave, për të hapë vorrin. Kapela e Kishës Françeskane ku do të varrosej ishte shënue qysh përpara: ajo në të majtën, porsa të hyhej në kishë. Thohej se vorrin monumental do t’ia punonte Akademia Italiane. Kur u mblodhën veglat e punës, kazma e lopata, aty në atë kapelë u banë shumë diskutime se ku duhej hapë vorri, gropa, për vendosjen provizore të trupit. U pa e arsyeshme që për t’u lanë shteg të lirë punimeve, gropa të mos hapej në mjedisin e  kapelës, ku i takote si me arsyetim, ashtu me estetikë, por u hap në skajin e djathtë, në të hyme të kapelës. Aty u vendos trupi i madh i Fishtës në praninë e pak a shumë dhetë vetëve, prej të cilëve, për çka di, kemi teprue Pater Leon Kabashi dhe un. Rrasën e mermertë, për arsye estetike, nuk e vendosëm mbi gropën ku e varrosëm, por në mjedis të kapelës, dhe vendin e vërtetë të vorrimit e mbulueme me pllakat e zakonshme të dyshemesë. Kështu që ajo rrasë e mermertë me emnin e Pater Gjergj Fishtës, mbi të cilen njiherë vendoseshin kunorat e përkushtisë e të lavdisë, dhe ma vonë u ba objekt përdhunimi, ajo nuk ndryte përmbrenda eshtrat e poetit. Au zbulue ndonjiherë vorri i vërtetë i Fishtës, dhe a u hodhën në lum eshtrat e tij? Nuk mund them kurrgjë me siguri. Aty, mbas mbylljes së kishave në vitin 1967 janë ba shumë punime çoroditëse të asaj arkitekture. Për këtë besoj se skjarimet ma të saktat mund të na i japin punëtorët që muerën pjesë ndër ato punime e kryesisht inxhinieri zbatues, si edhe kryetari i asokohshëm i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës.
Mendoj se do të ishte mirë që për këtë çashtje të krijohej nji komision i veçantë, me mbështetjen dhe të Qeverisë, i cili ta çojë deri në fund çashtjen e eshtrave të Fishtës, së paku sa për nji skjarim historik. Un personalisht jam kundra kultit të të gjitha personave të vdekshme, sado gjenialë të kenë kenë ato; megjithkëta, jam aq ma tepër kundra të gjitha vandalizmave që e kanë lanë popullin shqiptar e vendin tonë të zhdeshun, pa kurrnji relike historike, pa kurrnji monument artistik e pa dokumenta historike, për t’u tregue brezave të ardhshëm, kulturën që kishim, por secili, ku ka pak fuqi në dorë mendon ta fillojë nga e para e kështu kemi mbetë gjithnji gjatë shekujsh tue numrue në vend.


---------------------


At Zef Pllumi (1924-2007) frat françeskan, publicist e shkrimtar. Pas 26 vjetësh nga një burg i regjimit komunist në tjetrin i ofron lexuesit shqiptar vëllimin "Rrno vetëm për me tregue", i cilësuar edhe si "Arkipelagu Gulag" shqiptar.


Prenka - emri i pagëzimit - lindi më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit) (Shëngjin) nga një familje me origjinë nga Shkreli. Siç edhe tregon tek libri autobiografik "Saga e fëmijnisë", u lind nga e ëma, Luke Mrija në një zabel. Data e lindjes i mbeti 7 prilli ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër).

Heret, në fëmijëri, kur familja e tij veronte në Qafë të Tëthores së Bogës, mes bjeshkëve të Shkrelit të Malcísë e atyre të Shalës së Dukagjinit. Takon Atë Gjergj Fishtën, dhe Atë Anton Harapin që vinin për të takuar t'axhën e Zef Pllumit, Pashko Tomën, që shquhej si burrë i mirë ndër male. Përshkruan gjithmonë te libri autobiografik "Saga e fëmijnisë" mbresat e para nga këta fretën që të impononin respekt me praninë e tyne. N'atë takim të fëmijërisë së hershme, xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat (prej një takimi të mëparshëm me Atë Bona Gjeçajn ofm). Atë Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që kishte në qafë, e i thotë që ta ruante me shumë kujdes e kur të shkonte në Kolegjën Françeskane të paraqiste atë medaljon.

Rruga drejt meshtarisë

Në vitin 1929, në moshën 5-vjeçare, bëhet nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në Velipojë të Shkodrës. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si Atë Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitorin Atë Martin Gjoka, Át Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij Atë Marin Sirdani merrte libra historie e numizmatike, detaj të cilin e shquan edhe tek libr'i tij se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, në monedha, pa pasur nevojë me lexue ç'përmban monedha.

Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Gjatë kohës që ishte dhjak, Pader Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare.

Kalvari i parë

Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në 1946, 14 dhjetor, arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që vuajt pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Më pas, shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.

Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë Atë Zefi, ishte prej të qenurit sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë.

Famullitari i Dukagjinit

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u "qetësuan". Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për me çue ndihmat priftave nepër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Atë Augustin Ashikun.

Plotësimi i kalvarit

Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme.
1967–1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll dhe Tiranë. Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi që e shihnin po prapë si një njeri ku tek i cili mund të rrëfeheshin. Zef Mala i la porosi që Pater Zefi t'i gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, të cilat Patrja s'mundi t'i gjejë kurrë.

Liria e shumëmunguar


Doli nga burgu me 11 prill[3] dhe, Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë deri në vitin 1997.

Njeh Nanë Terezën të cilen e përcjellë për në Shkodër ku u çua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për Át Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj,

Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës. Ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është gjetja e eshtrave të mbetura të Atë Gjergj Fishtës dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave.

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Mirënjohje


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasunisë kulturore e njerëzore, si nji institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohnave ma të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.
Po në vitin 2006 Atë Zef Pllumi merr çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s'i sheh,

─ tha P. Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.

Titujt e veprave


Rrno vetëm për me tregue
Françeskanët e mëdhaj - kujtimet e Padres rreth Etënve duke rreshtue 12 prej tyne, si apostujt.
Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo - shkruem mbi bazën e një ditari të 1802 që Át Zefi ka lexue kur punonte në Arkivin Françeskan.

Histori kurrë e shkrueme - libër i botuem në formë përmbledhjeje, ku shkrimi i fundit që asht një intervistë që Arben Marku i ka ba Át Zef Pllumit i jep dhe titullin përmbledhjes.

Saga e fëmijnisë - libër i 2009 nën kujdesin e gjuhëtares Enkelejda Shamku-Shkreli që i ka qendisë dhe parathanjen. Trajton vitet e para të jetës së fratit deri në prag të regjimit komunist.
Ut heri diçebamus-siç i thonim dje.

Burimet


^ Lamtumire At Zef Pllumi !!!
^ Françeskanet e mdhaj, Si e njoha Fishten.
^ Emisioni "Opinion" tek TV Klan me Blendi Fevziun: Nostalgji Át Zef Pllumi.

Flori Bruqi

LIBRI – NJË XHAMI, TE DERA E SË CILËS DUHEN HEQUR KËPUCËT

“Nuk ka para në poezi, por nuk ka as poezi te paratë, gjithashtu”
Robert Graves


Karl Marksi, njeriu I Mijëvjeçarit të Dytë përcaktuar si I tillë nga një testim mbarë planetar, ka shkruar kështu: “ Kur kapitali fiton dhjetë përqind – gjallërohet ; kur fiton njqind për qind – merr krahë dhe, kur fitimi është treqind për qind, nuk ka krim në botë që ta ndalojë drejt atij fitimi”.
Këta janë definicione dhe presupozohet që secili nga kapitalistët e rinj shqiptarë nuk ka se si të përjashtohen nga ngucje të tilla , sipas të cilave, furia e parave e godet në të njëjtën kohë , në mënyrë të ashpër e deri të llahtarëshme shpirtin e secilit prej tyre dhe trupat mbrojtëse të tij që lidhen me edukatën, kulturën dhe botën e tij përqark.

Një këngë nga më të mirënjohurat e “Bitëllsave” ka në refren “ Pare – pare – pare; vetëm pare, është zemra e të pasurit”.
Marksi , sërish, shkruante dhe se, “ Ti, mbase je I shëmtuar, por paratë tuaja nuk janë aspak të shëmtuara dhe, për pasojë, nuk ka se si të jetë I shëmtuar edhe pronari I tyre”. “Parja e çon ujët përpjetë” thotë populli.

Që të gjithë e dijmë se çfar ka shkruar për paranë më I njohuri I bejtexhinjve, merita e të cilive është e papërfytyrueshme. Këta heronj lëvruan letërsinë shqipe, kur ajo thuajse kishte dhënë shpirt pas tër asaj lavdie të shkuar që u përpoq ta vriste krejt “ottoman notte “– le të përmendim vetëm “Historia e Skënderbeut” e Barletit , I cili luftoi me shpatë në dorë për mbrojtjen e kështjellës së qytetit të tij të lindjes; vepra më e përkthyer e më e botuara nëpër botë nga letërsia shqipe.

E kemi fjalën te Poezia “Paraja “ e Hasan Zyko Kamberit.

Akuzat e tij ndaj ashikëve të parasë dhe zvetënimit shpirtëror prej grykësirës së tyre, janë lapidare. Ato janë shkruar e kënduar, që t’I lexojë dikush…

Feja islame ka qënë dhe mbetet shumë e kudjesëshme për të pastruar shpirtin e parallinjve apo biznesmenëve.

Për atë do të ndalemi më poshtë, por, më parë, le të shikojmë edhe një shëmbëll tjetër, se, ashtu sikurse ethet e parave, po aq të temrrëshme, janë edhe një tjetër kategori ethesh – ajo e karriges.
Më ka rastisur, duke iu telefonuar vetëm nga një herë, të intervistoj tre presidentë dhe tre kryeministra shqiptarë, për të njëjtën temë - përjetimet e minutave të përbashkëta të kaluara me pilotit Vangjel Çondi, rreth jetës së të cilit – këtij miku tim të vjetër – po shkruaja librin : “Piloti i katër presidentëve”. Të vetmit që më injoruan me të heshtur, kanë qënë politikanët nga më të sëmurët pas karriges që ka njohur populli shqiptar I postokomunizmit - zotërinjtë Sali Berisha dhe Fatos Nano. Përse nuk iu përgjigjen kërkesës sime për t’i intervistuar ata, sikurse vepruan R. Alia, R. Mejdani, A.Moisiu, A.Meksi, I.Meta dhe P. Majko ? Shpirti I këtyre të dyve e di. Emri i personazhit që do të shkruaja, mbase edhe emri im, ishte I njohur njëlloj edhe për këta dy zotërinj tanimë të rënë nga fiku. Gjatë intervistave, njërit nga këta të gjashtët, I kam thënë kështu:: “Zoti….Janë tre male që nuk duan të dijnë hiç për njëritjetrin, por vetëm duhet që t’I heqin kapelat njëtitjetrit. Njëri është mali I pushtetarëve, siç ta zëmë jeni ju, tjetri është mali I parallinjve, siç mund te jetë ky …tjetri mali I artistëve dhe shkrimtarëve, siç jam unë në rastin konkret. Nga këta tre male, më pranë së vërtetës se sa e duan dhe e respektojnë të tjerët, nuk është as mali I pushtetit, as mali I paralliut; këta male, nuk e dijnë se të tjerët po I duan ata, apo karrigen e njërit apo para të e tjetrit.”

Dhe, vërtetë, nëse shkrimtari shkon te paralliu t’i lutet për sponsorizimin e librit të tij ai nuk është më mal; mali nuk përulet. Sikurse edhe një pushtetar a paralli nuk mund të jenë male, nqs I përulen a servilosen një njeriu të shquar të letrave, duke ia toleruar me të qeshur gafat politike apo daljet e tija në pazar për të shitur lëkurën e emrit të tij si shkrimtar.

Ndërkohë, preofeti Muhamet I myslimanëve ka konkluduar në një hadithe spektakolare kështu: “ Kur paralliu shkon te mendimtari, të dy bëhen të mirë; kur mendimtari vete te paralliu, të dy bëhen faqezez”.
Janë 3 rrugë për në xhehenet, spiegon në një tjetër “hajdithe” sërish profeti Muhamet: “ Së pari, kur ke lindur dhe rritur një fëmijë të denjë për shoqërinë; e dyta, kur ngrë gjëra për publikun e në shërbim të tillë, si psh ndërton një xhami, një shkollë, një rrugë, një çezme a mbjell një pemë mes rrugës dhe, e treta, kur shkruan një libër që I shërben njerëzimit”.

Në fenë islame përcaktohet saktësisht që, një e dyzeta e fitimit duhet dhuruar njerëzve në nevojë, ku edhe mund të futet vetë libri letrar shqiptar që po lëngon në grahmat e fundit..

Se çfar rëndësie I kanë kushtuar librit që në kohët e vjetra, mjafton të përmendim bibliotekën e Babilonisë ; njerzit kujtojnë edhe djegësin e saj,vrasësin e nënës së vet, perandoorin romak Neron.. Kur Persia klasike u sulmua nga rrebeshet patru të Xhenghis Khanit, ngjau që u dogjën atje male më libra. Dhe, përse? Librat qenë shkruar me flori të shkrirë dhe fara e keqe e përbindëshit mongol, digjte libra që të përftonte prej tyre floririn me të cilin ishin shkruar.

I përmendëm këto, sepse një pjesë e madhe e sërës së parallinjva tanë të postkomunizmit, kanë kaluar një fëmijëri që u mëkonte ateizmin – një ateizëm i rrezikshëm i cunguar; pa bagazh kulturor e shkencor. Por atyre u ka munguar gjithashtu edhe kultura fetare, me të cilën nuk u ambientuan me ‘të pjesa e tyre më e madhe.

Sipas këtyre “haditheve” përcaktohet se shkon në xhehenem ai që vjedh në kandar dhe, po ashtu, nëse të gjithë dëshmorët (“Shehitët”) shkojnë në xhehenet, nuk pranohen atje nga kategoria e tyre, ata që nuk kanë larë borxhet që kanë marrë.

Sot, kur me tregëti e transaksione gjithfarëformëshe që lidhen me paratë, merren shumë njerëz, jo pak nga ata që kanë falimentuar apo falimentojnë për ditë , janë nga ata që janë përpjekur t’ua hedhin blerësve në kandar, në cilësi, tolerojnë moslarjen e borxheve dhe që nuk arrijnë të fshehin dot, sëpaku, grykësinë e tyre të tmerrëshme.
Në një dossier të kaluar, ne kemi treguar për shkodranin Nuh Sahatçia. Atij ia la orën për t’ia rregulluar një oficer nazist gjatë kohës së okupacionit dhe u largua me të shpejtë prej kushteve të kohës; pa e marrë orën. Nazisti erdhi në Shkodër pas 20 e ca vjetëve me një emër të rremë. Me një grup turistësh. U shkëput nga grupi dhe, me shoqëruesin, ia gjeti dyqanin birit të mplakur të shkodrës. I foli për një orë që kishte lënë “një shok I imi” në ’44 dhe Nuhi, si ngriti sytë nga ora që po rregullonte, e pyeti nëse e kishte kuponin të ruajtur. Johann Arendt nxori kuponin e zverdhur nga portofoli. Po!

Nuhi u ngjit në dhomën sipër dhe, që andej solli orën e trashëguar prej 5 brezash, pra, që ishte aq e shtrenjtë për ish nazistin larguar më pas me robërit e pasluftës.

Gjermani desh t’i paguante “hakun e punës, sa bën?”, por shkodrani iu përgjigj se puna ishte parapaguar që në vitin sa thoshte kuponi.. Gjermani I shtangur kërkoi t’I paguante për “magazinimin” e orës, por mori këtë përgjigje: “ Në Shkodër e kemi pa pare magazinimin”…

Nuh Sahatçia ka vdekur e shkuar, por emri I tij dhe ky akt brilant do të rrojë për jetë të jetëve sa të rrojë emri dhe rraca morale e shqiptarëve.
Mirëpo, shëmbulli I Nuh Sahatçisë nuk ka qënë I shkëputur.Tregëtari I traditës sonë, kushuriri im Hasan Lahi, siç tregon e bija e tij , Kici, një pasionante e madhe e librave, llogariste me saktësi një të dyzetën e fitimit të firmës së tij me vëllezërit.

Me atë shumë furnizoheshin përditë dy mensa jetimoresh, spitalet nëpër Tiranë apo ndihmoheshin njerëz pa bukë. Ai interesohej për njerëz veçanërisht në nevojë dhe, si hiqte mënjanë një të dyzetën, shkonte e ua jepte halexhinjëve duke bërë kujdes të vepronte sipas një tjetre këshille ardhur nga mësimet e tija të fesë, sipas së cilës “Atë që jep dora e djathtë, bën mirë të mos e dijë as dora e majtë”.

“Për kryet e fëmijëve, baba jonë një vit rresht ka ngrënë tre vaktet vetëm bukë me kos. Atëherë ishte zija bukës; baba thoshte se unë nuk mund të ha “miradina”, kur ka njerëz që po vdesin për bukë”.

. Kurse, sot marrim vesh përditë evidentimine xhalillëqeve të pafundëta prej kësaj kategorie që u rritën ateistë, nuk morën kulturë sa duhet dhe nqs morën ca, e lanë me njaqë dhe, është shumë e rëndësishme, nuk e ushqyen shpirtin me mësime fetare së paku. Që të trija fetë kanë mësime të shumta për përkujdesjen ndaj dijes, dijeve e dijetarëve, por ne cituam kësaj radhe disa gjëra nga feja islame, më e përhapura mes shqiptarëve.
Ne konstatuam këta ditë për vjedhjen e pashpirtë dhe dy fishe të karburanteve. Jo vetëm vjedhje në benzinmatës, por, sigurisht, edhe mosuljen e çmimit menjëherë, kur kjo ulje sapo vinte në tregun botëror.
Mandej, nga kjo rracë vjedhësish, që nga kandari deri në abuzimet gjithfarëshe, sa prej tyre kanë kërkuar të lajnë shpirtin te ndonjë shtëpi botuese a shkrimtar sipas hadithes së profetit Muhamet, siç përmëndëm më lart? Sikur dikush shkon në xhami e lutet, falet, kërkon mëshirë për mëkatet e veta, do të thonim, një tjetër xhami është bota e një libri.

Kontribuesit financiar për botimin e tij, do ta afronte atë sadopak me botën e lartësirave ideale, ku jetojnë artistët e shkrimtarët dhe, si një kalë shtëpie, që ul kokën se nuk shqipton dot fjalë si njerëzit përqark, do të niste të mendonte për kotësinë e hapsirave të stepës, kur rendëte dikur gjysëm I egër.

Në ditët e sotme, ne përjetojmë parallinj që derdhin para lumë për “Miss”et,, për furitë skandaloze të zgjeshjeve, për të sjellë ekipe futbolli nga jashtë shteti, për pushime në vënde ku iu dridhet dora dhe sheikëve të naftës e dikush tjetër, për të joshur shkrimtarët nëpër partitë politike, duke I përkëdhelur atje derisa t’u mbytin identitetin e tyre të sovranitetit të “malit të artistëve”.
Kur të arrijmë atë ditë , që tregëtari, apo industrialisti, plitikani apo burri I shtetit, të trokasin në derën e shkrimtarit, piktorit, skulptorit dhe t’I kërkojnë plot mirësi, nëse është e mundur që ata të kenë privilegjin e të kontribuojnë për botimin e ndonjë libri cilësor, në çeljen e një ekspozite picture apo ngrtijen e një busti ( ta zëmë të Kol Jakovës apo Karamahmut Pashës, etj), atëherë shoqëria jonë ka për të qënë krejt e ndryshme nga e sotmja nga gëlon ngado korrupsioni, krimi ekonomik e oridner, dhuna mbi personalitetin e tjetrit, injoranca dhe kur po përjetojmë përditë se si ngrohtësia e lidhjeve të gjakut po zëvëndësohet me llogarinë e akullt të parave.

Po kur do ta arrijmë atë ditë, mund të pyesë dikush nga të korales së toneve optimiste, ku bëj pjesë edhe unë.

Duket që shoqëria shqiptare nuk ka për ta rritur kurrë.

RIZA LAHI

Elegji për Drita Pelingun




Nga Përparim Hysi




Lajmi i zi ! Sa shumë na piku:
Vdiq, or, vdiq Drita Pelingu!

Vdiq vlonjatja bukuroshe
Skenë, moj skenë,sa më je boshe!


Femrë e parë luajti në skenë
Kaq s'është pak, mos jetë legjendë.


Roleve seç u jepte jetë
Nëpër role: e vërtetë!


Nuk harrohet tek "Rrëshqitja"
E veçantë më ishte Drita.


Po tek "Zonja e Bujtinës"
Kush s'e kujton rolin e Dritës?


Vjen si sot, si atëhere:
"Ike... ike, plaku Mere!!!"

Një batutë që të lë top
Kush dëgjoi dhe vallë u "ngop?!"


Vetëm kaq a nuk qe mjaft
Për të thënë: është brilant!

Prapë e "ashpër" seç m'u duke
Kush si ti më loz një "Bude?!"


Të kam parë tek "Mbreti Lir"
Dhe, tek shkruaj, nuk ndihem mirë.


Ku të gjejmë prapë, moj Dritë?
Dritë në jetë. Në role dritë.


Po një rol nga Karaxhale
Kush të pa dhe nuk ndjen malle.


Dhe mundohem t'i kujtoj
Po a mund t'i numëroj?

Tek po mbushje 9 dekada
Prapë në skenë, me flokë të bardha.

Si e lindur qe për skenë
Atje mbete si legjendë.

Dhe legjendat, dihet: s'vdesin
Gjallë brezash ato mbesin.


Gjallë brezash do mbesë Drita
Vjershën shkrova,se u pika.

* në thonjëza disa nga rolet

2 tetor 2013


Nga Agjencioni Floripress
Drita Pelingu.jpg


Drita Pelingu njohur edhe si Drita Pelinku (3 dhjetor 1926, Vlorë - 2 tetor 2013, Tiranë) ishte një nga aktoret më të shquara të skenës shqiptare, regjizore dhe petagoge. Kreu shkollën e femrave Nana Mbretneshe në vitin 1944 dhe më pas vazhdoi shkollën e artit Jordan Misja për teatër ku ishte e vetmja femër. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Nga viti 1976 ka dhënë mësim mbi artin skenik në Akademinë e Arteve.

 Në vitin 1982 bëri debutimin në skenën e Teatrit Petro Marko të Vlorës si regjizore me dramën Pavdekësia.

Disa nga komeditë dhe dramat e para ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. "Rëshqitja", "Arturo Ui", "I çuditëshmi", "Zonja e Bujtinës", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Artani", etj. Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek "Tana" (1958), e më pas tek "Njeriu me top", "Kur hidheshin themelet", ku interpreton rolin e Budës, "Vajzat me kordele të kuqe", "Radiostacioni", "Përtej mureve të gurta", "Fjalë pa fund", "Shpresa", etj.

Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 150 role, ndër të cilët më shumë se gjysma janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Si një nga themeluest e Teatrit Kombëtar ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm është si autore e shumë botimeve biografike për artistë të skenës shqiptare. Për kontributet e saj të veçanta Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës urdhëri “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si Qytetare Nderi të Vlorës dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.



Drita  Pelingu





Në atë tre dhjetor të 83 viteve të shkuara, në vilën e një familjeje të madhe vlonjate njerëzish të arsimuar jashtë, lindi një vajzë. Do ta pagëzonin Dritë foshnjën që ndriçoi kështjellën e shkëputur nga realiteti i asaj kohe, po askush nuk e dinte se sapo kishte lindur një princeshë për artin shqiptar". Kështu fillon rrëfimi për jetën e Drita Pelinkut, në një katalog plot fotografi që iu "dhurua" dje nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në një aktivitet të mbajtur në Teatrin Kombëtar. është një rrugëtim imazhesh që nisin nga fëmijëria, rinia, hapat e parë në art, rolet më të spikatura në teatër dhe kinematografi. Miq, artistë, aktorë, studentë të saj, kolegë me të cilët ajo ka punuar për një jetë të tërë. Kjo qe dhurata për aktoren për 7-8 mars. Fotografitë që nga fëmijëria e deri më sot janë të një cilësie të lartë, e për këtë është kujdesur Flori Slatina, nëndrejtor i AQSHF-së, i cili e ka përgatitur për botim katalogun. Në këtë katalog, veç fotografive familjare të shkrepura në vogëli, ka rrëfime të sajat. Kësisoj, teksa shfletojmë këtë album të këndshëm, gjejmë një tjetër rrëfim të sajin, e pikërisht për familjen. "Isha e lumtur në një familje prej 20 vetash, ku babai ishte me arsim të lartë, i diplomuar në Selanik dhe në Turqi, dy gjyshërit po ashtu, ku lulëzonte tregtia e tyre, që sillte një gjendje shumë të mirë ekonomike dhe ne më të vegjëlve nuk na mungonte asgjë. As lodrat, as argëtimet, as verimet në vilën e bukur të plazhit të vjetër, apo në shtëpinë prej druri midis Llogarasë, as biçikleta ime e vogël që e pëlqeja aq shumë", - rrëfen ajo në këtë katalog. Më tej shprehet se "këto kujtime janë të hershme, sepse ato të kohës së diktaturës kur u rrëmbyen pasuritë, janë të dhimbshme e nuk dua t'i kujtoj".
DritaPelingu.jpg
Thirrjet e fëmijërisë

“Unë kam lindur në qytetin e bukur të Vlorës... Nëna ma vuri emrin Dritë, sepse shpresonte se kjo fjalë do t’i sillte mbarësi me lindjen e një djali, pas tre vajzave”. Kështu e nis rrëfimin për jetën e saj aktorja e magjishme e skenës dhe kinemasë, Drita Pelingu. Fëmijëria është një argument i pëlqyer për aktoren e cila e kujton këtë kohë me nostalgji. Ajo tregon se ishte e lumtur në një familje prej 20 vetash, ku babai ishte me arsim të lartë, i diplomuar në Turqi dhe Selanik, se ishin tregtarë të pasur dhe në shtëpi nuk mungonte asgjë, duke filluar nga lodrat e argëtimet, për të përfunduar tek verimet në vilën e bukur të plazhit të vjetër apo shtëpinë prej druri, midis pishave të Llogorasë. Asgjë nuk do ta ndalte rrjedhën e lumtur në familjen, sikur ajo të mos kishte marrë vendimin që në një ditë të bukur, të regjistrohej për t’u bërë aktore teatri. “Guxova dhe shkova duke mos pyetur për pasojën që do të më vinte nga familja dhe nga mentaliteti i kohës. Jam e vetmja vajzë që kam hyrë në shkollën e parë dramatike që u hap në Tiranë në janar të 45-ës. Kam qenë studente tek “Nëna Mbretëreshë” ku recitoja bukur. Të gjithë më thoshin “Drita, ti do të bëhesh artiste”. Në dhjetor të 1944 doli njoftimi në gazetë ku lajmërohej hapja e një shkolle e cila do të krijonte embrionin e një teatri të ardhshëm, sepse deri atëherë nuk kishte trupë teatrore profesioniste. Në këtë konkurs u paraqita dhe fitova, por isha e vetmja vajzë me djem të talentuar si Naim Frashëri, Kadri Roshi, Prokop Mima, Vaso Peci dhe Lazër Filipi. Shkolla u hap aty ku sot është hotel “Drini”. Pjesëmarrja e femrës në një shkollë arti konsiderohej si një thyerje e normave morale të shoqërisë. Opinioni shoqëror më dënoi, marrëdhëniet familjare u tronditën, por ëndrra ime po kthehej në realitet. Shkolla vazhdoi derisa u hap teatri, ndërsa unë u detyrova të largohem për pak muaj, sa për të mbaruar Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Me mbarimin e shkollës së mesme hyra si profesioniste në Teatrin Kombëtar dhe kjo ndodhi në fillim të 46-ës. Prej atëherë bëjnë 64 e ca vite karrierë”.

Dashuria dhe familja


Jeta familjare dhe artistike për aktoren dhe regjisoren Drita Pelingu përbëjnë një binom, kanë të njëjtën ditëlindje, sepse në shkollën dramatike, vajza e re njohu atë që më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj. Ndërsa karriera po niste rrugën e saj të gjatë, dashuria e parë turbullonte ndjenjat e 18-vjeçares. Përsëri luftë me familjen sepse “ishte shumë e re për t’u bërë nusja e djalit që donte”. Hyseni Pelingu, këngëtari i diplomuar në konservatorin e Pezaros, prishi planet e babait të aktores, i cili po planifikonte që sikundër ai vetë, edhe vajza e tij të studionte jashtë shteti. U desh të kalonin dy vjet dashuri që familja e saj të pranonte lidhjen dhe aktorja të krijonte familjen e re. “Muajin e mjaltit e kaluam në Pragë, pasi aty organizohej një festival ku merrte pjesë Ansambli i Këngëve dhe Valleve me solist Hysen Pelingun. Meqë kishim dy javë që ishim martuar kërkuam të mos na ndanin”.




 E tillë ka qenë gjithë jeta e tyre, bashkë. Kur në vitin 1997, Hysen Pelingu u nda nga jeta, aktorja kuptoi se humbi jo vetëm bashkëshortin, por edhe një shok e mik të pazëvendësueshëm. Jeta e përbashkët, përpjekjet për t’ia dalë mbanë çdo vështirësie, rritja e dy vajzave njëra violiniste, tjetra mjeke, sakrifica për të qenë jo vetëm prindër, por edhe artistë dhe njerëz dinjitozë, i kishte lidhur edhe më fort. “Hyseni ka qenë një njeri i mrekullueshëm. E them me plot gojë dhe jo nga nostalgjia se nuk është më. Gjatë gjithë jetës ai manifestoi dashurinë bashkëshortore, dashurinë prindërore, ishte zemërgjerë, njeri me vullnet dhe mbi të gjitha ishte një kollonë e rëndësishme ku unë mbështetesha për të bërë punën e vështirë të aktorit, për të thyer tabutë, por edhe për të përballuar vështirësitë e jetës”. “Nuk duhet harruar se përveç të tjerash duhet të përballoja detyrimet si nënë. Zgjohesha herët në mëngjes dhe zija radhët për të marrë ushqimet për fëmijët. Në orën tetë vrapoja për në teatër. Shfaqjet i kishim mbrëmjeve dhe vetëm mesnata më zinte në shtëpi. Kur ktheheshin i gjenim vajzat në gjumë. Nuk thoshim kurrë “u lodha” . Luftonim t’i vidhnim jetës çastin. Jo pak herë shkonim natën pas shfaqjes në tavernën e hotel Dajtit”.

Rolet

Nëse i duhet të zgjedhë mes teatrit dhe filmit, teatri është i pari, i pazëvendësueshmi. “Teatri u kthye në shtëpinë time të dytë, sepse repertori im ka qenë shumë i ngjeshur, nga fillimi deri në fund. Aty përfshihen kryerole dhe role kryesore. Fillova me dramën “Portreti” me rolin e piktores Ira, që pikturonte portretin e kunatës që interpretohej nga Liza Vorfi. Më tej pasuan role të tjera kryesore, si “Vajza nga veriu”, që fliste për dy dashnorë që kishin humbur njëri tjetrin në Luftën e Dytë Botërore dhe që e gjejnë. Vazhdova me pjesët e Gordonit “Shërbëtori i dy zotërinjve”, me rolin e vajzës, Klariçes, apo pjesë të Moljerit, ku kisha rolin e Marjanës me partner Naim Frashërin, e kështu me radhë. Çdo regjisor që vinte më besonte role kryesore. Rolet u pasuruan me Luiza Miler, që e ëndërron çdo aktore. Më vonë erdhën rolet e mëdha shekspiriane, si mbretëresha tek “Hamleti”, apo Kornelia tek “Mbreti Lir”. Kam interpretuar tek “Gratë gazmore të Windsorit”, me partnerë të jashtëzakonshëm, artistin e madh Mihal Popi, apo të madhen Violeta Manushi. Por roli më i dashur për mua mbetet roli i Zojcikës, shkruar nga klasiku i madh rumun, Karaxhale ku interpretoja e vetme mes 22 meshkujsh. Isha gruaja e Prefektit, në kohë zgjedhjeje, por dashuroja një tjetër. Aty kishin humbur ca letra të rëndësishme dhe kjo gjë krijonte vështirësi në familje, bëhej shkak për të mos fituar zgjedhjet. Të gjithë luftonin që të gjendeshin letrat dhe në pjesë tregohen manovrimet e kësaj gruaje, që vepronte herë me zgjuarsi dhe herë me dashuri, për t’i shpëtuar skandalit. Eshtë një nga rolet që e kam dashur më shumë nga të gjithë. Unë kam luajtur në të shumtën e rasteve rolin e dashnoreve dhe dekolteja nuk më është ndarë gjatë gjithë jetës në skenë” . Po të fillosh t’i numërosh, aktorja radhit më shumë se 130 role. Gjithë jetën ka qenë e angazhuar, si në role të dramaturgjisë botërore, ashtu edhe në rolet e dramaturgjisë apo kinematografisë kombëtare, por me pengun e vetëm që rinia e saj nuk u pasqyrua në kinematografi, kjo për shkak të biografisë. Madje ajo kujton se për rolin e hallës tek “Njeriu me top”, u desh të merrej leja në Komitetin e Partisë. Ndër rolet e bukura në kinema, aktorja veçon rolin e Budës tek filmi “Kur hidheshin themelet”, që më vonë u kthye në sinonim të emrit të saj. “Rolet kryesore më kanë ndjekur edhe në moshë të thyer”, tregon aktorja Drita Pelingu. Edhe para pesë vitesh kam patur rol kryesor tek “Mbretëresha e bukur”, me regjisor Kiço London. Aty kam interpretuar me artistë të brezit tjetër, por të mëdhenj të kohës si Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, apo aktori i ri, Arben Derhemi. Më vonë akoma kam interpretuar një rol kryesor tek “Profesioni i fundit”. Ndërsa tani unë po e mbyll karrierën time me një monodramë të Martin Sherman, ku interpretoj rolin e Rouze. Është një rol shumë i fuqishëm, me shumë ngjyra”.

Në teatër

Një ditë shtatori të vitit 1946, kolektivit të teatrit iu shtua edhe një aktore e re 20-vjeçare. Ajo hyri në portën e teatrit e ndrojtur, por e lumtur. Kjo lumturi shprehej në sytë e saj që shkëlqenin si emri i saj, plot dritë. Sa i takon kohës së shkollës, vetë Pelinku shprehet: "dhjetor i vitit 1944. Regjisori i asaj kohe Sokrat Mio, i diplomuar në Francë dhe asistenti i tij Andon Pano, kërkonin studentë për shkollën dramatike. Isha studente e shkollës pedagogjike e lajmi më tërhoqi vëmendjen. Me familjen nuk mund të bisedoja, u paraqita pa i thënë gjë dhe fitova. Isha e vetmja vajzë me djemtë e talentuar si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Prokop Mima, Lazër Filipi. Për një kohë të gjatë i ndoqa mësimet duke u justifikuar se shkoja tek një shoqe. Sidoqoftë, Tirana ishte e vogël dhe kjo gjë u zbulua. Më 1946 u fejova, e qe burri ai që më dha lejen për të vazhduar shkollën dhe teatrin". Si një aktore me një sërë rolesh, ajo nuk ka harruar të thotë diçka edhe për natyrën e tyre, e mbi rëndësinë e ndikimin që kishin në të. "Që nga fillimi e deri në fund rolet e mia kanë qenë ose role vajzash dashnore, ose role grash me një botë të madhe të brendshme, me shpërthime të fuqishme dhe të gjitha këto kanë bërë që unë të kujdesem për trupin tim, për fizikun, flokët, gjithçka që kërkonin këto role". Një moment mjaft interesant i kujtimeve të saj është interpretimi i rolit të Zojcikës tek komedia rumune "Një letër e humbur". Siç rrëfen Pelinku, ajo ka interpretuar e vetme mes 22 meshkujve. Njëra prej shfaqjeve u ndoq edhe nga përfaqësuesit e ambasadës rumune dhe u vlerësua tepër. Një zonjë diplomate hoqi një trëndafil nga fustani i saj dhe ia vendosi Pelinkut në dekolte. Sa i takon kinematografisë, vetë ajo shprehet se ka hyrë vonë. "Pata disa probleme të kohës që nuk më lejuan. Luajta një rol të vogël në filmin 'Tana', pas tij lindën problemet që u thyen më vonë, kur dola në pension. Madje, ishin Viktor Gjika e Vladimir Prifti që më thirrën të parët.

Rolet



1958: Tana
1977: Njeriu me top në rolin e hallës
1978: Kur hidheshin themelet në rolin Budja
1978: Vajzat me kordele të kuqe në rolin zonja Cavallero
1979: Përtej mureve të gurta në rolin nëna e Ramizit
1979: Radiostacioni (film) në rolin e Mukadezit
1980: Nusja
1981: Shtëpia jonë e përbashkët në rolin e Vitës
1982: Era e ngrohtë e thellësive
1986: Fjalë pa fund në rolin nëna e Bardhylit
1987: Zëvendësi i grave
1988: Shpresa (film) në rolin nëna e Piros
2000: Efimeri poli
2008: Sekretet (film) në rolin nëna e Landit
2009: Rouz (Teatër)
2013: Përjetësisht dashuria (Teatër)


------------
“Përjetësisht dashuria...”në Teatrin Kombëtar
Gjinia: Dramë
Shkruar dhe vënë në skenë nga Mihal Luarasi (Artist i Popullit)
As/regjisore: Eftiola Laçka
Skenografia: Genc Shkodrani
Interpretojnë: Drita Pelingu dhe Vangjel Toçe

“Përjetësisht dashuria...” 

 Shkruar nga dramaturgu i njohur Mihal Luarasi, vepra të rikthejë në skenën teatrore aktoren e madhe Drita Pelinku në rolin e Zarinës si dhe aktorin Vangjel Toçe në rolin e Dionit. Pranë Teatrit Kombëtar bëjnë të ditur se shfaqja do të jetë këtë fundjavë në skenë, dhe përzgjedhja e saj për të çelur sezonin artistik të TK është bërë për arsye sepse është një dramë shqipe dhe është mirëpritur nga publiku, por dhe duhet të plotësojë vëniet e saj në teatër.

Energjia, pasioni dhe entuziazmi për skenën nuk iu mungon dhe në një moshë kaq të thyer. Ata janë një çift pleqsh, Zarina dhe Dioni, dy prindër, te cilët vuajnë vetminë për shkak të emigrimit të fëmijëve. “Përjetësisht dashuria” është një dramë që trajton një nga problemet më të mëdha sociale, arratinë e të rinjve dhe vetminë e pleqve. Vepra trajton një dramë të shoqërisë së sotme shqiptare, vetminë dhe dhembjen e tyre, por edhe dashurinë e dy njerëzve, të cilët kanë një jetë që jetojnë bashkë. Skenat zhvillohen në dhomën e ndenjes së një shtëpie ku dy bashkëshortët jetojnë vetëm. Regjisori Luarasi dhe Drita Pelingu punojnë përsëri bashkë pas 56 vitesh. Roli i parë në teatër i Drita Pelingut ishte në vitin 1956, kur Mihallaq Luarasi mbronte diplomën me dramën “Intrigë dashurie”.


Drama lirike këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar. “Përjetësisht dashuria”, e shkruar 10 vjet më parë, mbi problemet e moshës së tretë. “Skena më ka shëruar dhimbjet”. Kështu do të shprehej në ditëlindjen e saj të 85-të aktorja Drita Pelinku. Kur bëri të 80-at tha se do të tërhiqej nga skena, pasi të interpretonte edhe në monodramën “Rouz”. Por jeta i kishte rezervuar edhe ca plagë të tjera dhe e vetmja që do ta bënte t’i harronte, ishte skena. I shërbeu si terapi me “Shtrigat e Salemit”, me regji të Spiro Dunit dhe këtë fundjavë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar me një tjetër rol, krijuar posaçërisht për të. Bëhet fjalë për dramën lirike “Përjetësisht dashuria”, shkruar dhe vënë në skenë nga dramaturgu dhe regjisori Mihal Luarasi. Është një dramë me dy personazhe, interpretuar nga Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe, me skenografi dhe kostumografi të Genc Shkodranit. Ashtu si edhe në vepra të tjera të tij, Luarasi nuk shkëputet dot nga temat e ditës. Nuk është i shqetësuar për zgjedhjen e Presidentit konsensual apo çështje politike që ziejnë tryezave partiake e të kafeneve. Por probleme që shqetësojnë atë vetë dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij. Nuk do të jetë e thjeshtë për Pelinkun e Toçen, që do të duhet të mbajnë gjallë skenën vetëm të dy. Kjo është një gjetje e autorit, jo vetëm për të treguar jetët e këtyre dy personazheve, por edhe për të krijuar tensionin e nevojshëm dhe trysninë që krijon vetmia. Bashkëpunimi
Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe në dramën “Përjetësisht dashuria”

Duhet të kalonin 56 vjet që Mihal Luarasi dhe aktorja Drita Pelinku të bashkëpunonin. Bashkëpunimi i parë ka qenë pikërisht në vitin 1956 në veprën “Intrigë dhe dashuri”, ku Pelinku luante rolin kryesor. Për këtë të fundit, ky rezultoi një rol me fat, ajo do të bëhej më pas një nga ikonat e skenës dhe kinematografisë shqiptare, çka nuk do të ishte e njëjtë për regjisorin e ri Luarasi, i cili duhet të vuante haraçet e regjimit. “Përjetësisht dashuria”, mësohet të jetë krijuar dhjetë vjet më parë dhe kur Luarasi ndërtoi personazhin kryesor, ndër mend kishte profilin e aktores Drita Pelinku. Por të vësh sot një pjesë në skenë, nuk është edhe aq e thjeshtë. Për një mori arsyesh personale apo financiare, vetëm tani u bë e mundur që kjo vepër të shohë dritat e skenës. Ky bashkëpunim ka qenë i shumëpritur si për regjisorin, ashtu edhe për aktoren, që dy skajet e karrierave të tyre i kanë të lidhura së bashku. Regjisori Luarasi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta bindur aktoren të kthehet në skenë edhe në rastin e dramës “Shtrigat e Salemit”. “Kam premtuar dy herë që do tërhiqem. Kur luajta monodramën “Rouz”, dola para publikut dhe i thashë se kjo do të ishte dalja ime e fundit. Publiku u ngrit i gjithi në këmbë dhe duartrokiste, kurse unë qaja. Nuk kaloi shumë kohë, m’u propozua roli i Rebekës. Nga njëra anë doja ta bëja rolin, nga ana tjetër ishte premtimi që kisha dhënë. Mediat që më kanë ndjekur kurdoherë, kishin folur për këtë. Por, ishte regjisori Mihallaq Luarasi, që ka luajtur një rol shumë të madh në karrierën time, që më tha: O Drita, kjo ndodh në të gjithë botën. Edhe aktorë të mëdhenj janë betuar e prapë janë kthyer të luajnë. Nuk është turp, merre dhe bëje rolin! E mora dhe kur u ktheva në teatër, e kuptova se sa më mungonte. Nuk mund të rrija dot larg skenës së teatrit”, është shprehur aktorja. Drama lirike Zarina dhe Dioni janë një çift pleqsh që ndajnë jetën bashkë prej një gjysmë shekulli. Kanë kaluar gjithçka bashkë, të mira e të këqija. Ishin të rinj, të fortë, ndërtuan familje së bashku. Jeta i gëzoi edhe me fëmijë, por sot, pas 50 vjetësh, ajo çka u ka mbetur është vetëm njëri-tjetri. E gjithë historia zhvillohet në dhomën e ndenjjes, mobiluar ashtu, si u përshtatet moshës së tyre dhe ku tashmë kalojnë pjesën më të madhe të ditës së tyre. Zarina dhe Dioni janë dy përfaqësues të brezit të tyre. Atyre tashmë u duhet të përballen me të gjitha problemet dhe vështirësitë që sjell mosha, por më shumë se ekonomike, brenga e tyre më e madhe është vetmia. Drama ngre problemin e emigracionit, që ka detyruar shumë të rinj të ndahen prej familjeve të tyre për një jetë më të mirë jashtë vendit. E tashmë ata, edhe pse herë pas here marrin ndonjë zarf nga fëmijët, duhet t’i ngrysin ditët vetëm. E në këtë pikë të jetës, nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i luten Zotit që edhe në botën tjetër të jenë sërish bashkë.
(Flori Bruqi)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...