Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Nga Halil Haxhosaj:HISTORIA E FAMILJES NË FORMË MONOGRAFIE


Monografia “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare “ e autorit Arif Jahë Haxhija vjen para lexuesve me disa qasje interesante, jo vetëm për këtë familje dhe historinë e saj, por edhe për historiografinë e lokalitetit të fshatit Botushë të Rekës së Keqe të Gjakovës. Qasja e autorit për të shpaluar anët e historisë së kësaj familjeje, fillojnë që në shekullin e XIX më saktësisht dhe kurorëzohen në dekadën e fundit të këtij shekulli, pra të shekullit XXI. Duke u skalitur nëpër të gjitha këto nuanca dhe hallka të historisë së familjes Hoxha, Arif Haxhija shfrytëzon material të bollshëm, interesant, por edhe të rëndësishëm, sepse shtrihet në gjenezën e kësaj familje interesimi dhe qasja e penës së këtij autori. Duke bërë këtë shtirje të interesimit, mbase rrjedha artistike, por edhe ajo historike e kronologjisë shpaloset me radhë dhe në mënyrë serioze e graduale si në kohë edhe në hapësirë. Gërshetimi i kohës dhe hapësirës, veprës i dhurojnë edhe vlerën letrare të shkrimit siç është forma e monografisë.
Edhe kjo monografi e këtij autori hyn me sukses në mesin të tjerave që janë shkruar në të kaluarën, por sidomos pas luftës së fundit për luftëtarë, trima, hero e dëshmorë të UÇK-së si dhe për figura të tjera të ndritura të kombit tonë, për të cilat ishte e ndaluar të shkruhej në të kaluarën, pra në kohën e sistemit socialist vetëqeverisë. Edhe për disa personalitete të kësaj familje të njohur dhe të dëgjuar në trevën e Rekës së Keqe, por edhe më gjerë në Dukagjin, Malësi të Gjakovës e Drenicë e Anadrini, ishte e ndaluar, jo vetëm të shkruhej, por madje edhe të rrëfehej apo të mësohej për ta.
Autori Arif Haxhija ndriçon aspekte, që janë interesant, jo vetëm për familjen Hoxha, por edhe për Botushën si vendbanim në përgjithësi. Ai shkruan për këtë lokalitet jo vetëm historikisht, por paraqet edhe pozitën gjeografike, zhvillimin ekonomik, pozitën strategjike të Botushës dhe rëndësinë e saj si lokalitet arkeologjik, duke përmendur disa toponime si Jerinën, Varret e Mëdha e të tjera. Edhe toponomastika e Botushës është paraqitur mirë dhe janë shpalosur anët e duhura. Të gjitha këto elemente dhe të tjera kurorëzohen me shpalosjen e vendosjes së shtëpive, ndarjes së Botushës në formë të lagjeve dhe vendosja e familjeve në to.
Autori Arif Haxhija në monografi paraqet historiografinë e familjes Hoxhaj, që nga i pari i saj Avdyl Hoxha e deri në ditët e sotme, duke e shpërfaqur këtë histori në formë monografike me ndriçimin e figurave më të njohura dhe më të dalluara që kanë lënë emër jo vetëm në historinë e familjes Hoxhaj, por edhe në historinë kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së. Kjo shpërfaqje nuk është e ngurtësuar, madje as e shabllonizuar, por ajo gërshetohet më të gjitha ngjarjet e mëdha të Botushës, Kosovës dhe të Shqipërisë, sepse e tillë ishte edhe veprimtaria e djemve të kësaj familje. Kështu, rrjedha e ngjarjeve paraqet anët që janë gërshetim i tillë dhe janë bashkëdyzim i vendosjes së hallkës së historisë kombëtare, duke shpalosur hallkat e zhvillimit të saj nëpër kohë që nga e kaluara e deri në ditët e sotme. Gërshetimet e këtilla, nuk kanë qëllime të ngritjes artificiale, madje as romantike e të pa dokumentuar të fakteve, por të gjitha këto frymojnë realisht e historikisht në formë të shkallëzimit kohor të gjeneratave. Dhe secila gjeneratë e kohë e kësaj historie të monografisë familjare ka individët e vet të dalluar, të cilët janë krenaria jo vetëm e familjes Hoxha, por edhe kombëtare, në tërësi. Andaj këta pjesëtarë të familjes Hoxha janë “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare”, sepse me gjakun e tyre ndriçuan çdo hallkë të zhvillimit historik e kombëtar shqiptar. Kështu, kjo sintagmë tashmë suksesshëm shndërrohet edhe në titull të monografisë, sepse koordinohet mirë.
Autori Arif Haxhija në veprën e vet “Dritat në gjerdanin e lirisë kombëtare” ka qëllim të shtruarjes së historisë së familjes Hoxha, pjesëtar i së cilës është vet ai me vëllezërit e kushërirët e vet. Kjo paraqitje bëhet paralelisht me të gjitha format e gjeneratave që kanë përfaqësuesit e vet dhe veprat e tyre që përkojnë me historinë kombëtare shqiptare. Kështu personazhet e kësaj familje janë pjesëmarrës në luftërat e kohës së Lidhjes së Prizrenit, gjegjësisht të Gjakovës, kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit në Gjakovë siç ishin Bajram Rrustemi dhe Islam Aga, të cilët në realitet kanë qenë vëllezër, por luftëtar në dy taborë. Figurat e njohura të kësaj familje janë edhe të tjerë në kohën e Lidhjes së Pejës, Mbledhjes te Verrat e Llukës, pavarësisë së Shqipërisë, kohës së sundimit të Ahmet Zogut, luftërave të Bajram Currit, Muharrem Bajraktarit, Demë Ali Pozharit, Elez Myrtës e deri tek trimat dhe luftëtarët e UÇK-së në radhët e komandantëve Ramush Haradinaj, Sali Çeku e Agim Ramadani, e të tjerë. Figurat më të njohura të brezave janë: Islam Aga e Bajram Rrustemi, Mon Galuc Hoxha, Idriz Hoxha, Mulla Sahiti, Dinë Hoxha, Mustafë e Hasan Hoxha, Isa Hoxha, Osman Salihi, Mahmut Zajmi Mulla Ilmija, Ali Zajmi Dervish Rasimi, Zenun Alija, Shaban Hoxha, Jahë Arifi, Hamit Haxhija, Jashar Salihu, Hajdar Salihu, e të tjerë. Të gjithë këta, por edhe disa të tjerë janë figura që kanë bërë emër, sepse gjaku i tyre dhe veprimtaria prej patriotëve e luftëtarëve vërtet janë drita që shkëlqejnë në gjerdanin e lirisë kombëtare. Në këtë mes hyjnë edhe luftëtarët e UÇK-së të kësaj familje që ishin pjesëmarrës dhe luftëtarë trima në disa beteja jo vetëm të kësaj treve, por pothuaj se në tërë Kosovën e më gjerë.
Pjesë e veçantë dhe interesant e kësaj vepre të këtij autori është paraqitje e gjenezës së familjes Hoxha që nga origjina e saj e deri në ditët e sotme. Kjo është hallka më domethënëse, sepse shpaloset edhe qëllimi i autorit Arif Haxhija i cili në “Parathënie”, në mes të tjerash shkruan:
“Andaj, i hyra kësaj pune, duke e njohur parimin se historinë duhet shkruar vet, e jo ta shkruajnë të tjetër. Po ashtu ky libër e ka vlerën dhe rëndësinë për këtë familje dhe brezave të saj sepse, siç shihet dhe dihet, disa familjarë të degëve të saj kanë tashmë disa mbiemra, si: Haxhija, Zajmi, Salihi, Alija, Isufi, Avdyli, e madje janë të shpërngulur nga trojet e tyre tradicionale të Botushës dhe jetojnë në anë të ndryshme të Kosovës, madje edhe në diasporë si mërgimtarë. Ky libër do t’iu ndihmojë brezave të kësaj familje që ta njohin vetveten, brezat dhe trungun familjar dhe do t’u ndihmojë që të mos ndodhin martesa nga trungu i familjes së madhe Hoxhaj. Dhe besoj se kësaj ia kam arritur”.
Pra, ky është synimi dhe qëllimi i këtij autori, i cili e sendërtoi me sukses dhe në mënyrë efikase, pa zmadhime, teprime apo qasje të tjera. Dhe ky synim tashmë gërshetohet mirë dhe suksesshëm me të gjitha anët dhe aspiratat e tjera të kësaj vepre monografike familjare.
Kjo vepër është një bazë reale, madje edhe dokumentare e historike që shërben për të shkruar edhe monografi të tjera e sidomos individuale për figurat e ndritura të familjes Hoxha. Këtu do t’i gjejnë elementet e para, pse jo edhe inspirimet që janë kushte parësore për të shkruar vepra të tilla. Monografia është e pasuruar edhe me dokumente, fotografi, akuza, vendime gjyqësore, por edhe këngë popullore e poezi përkushtuese për burrat trima të familjes Hoxha.
Monografia e autorit Arif Haxhija me titull “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare” ka edhe elemente dhe vlera të tjera, të cilat do të hetohen, pse jo e do të shijohen në të ardhmen, sepse është një pasuri dhe vlerë për të gjitha gjeneratat, madje anëtarët e sotëm të kësaj familje kudo që ata janë dhe kudo që punojnë e jetojnë. Njëherit është pasuri edhe për bibliotekat e anëtarëve të kësaj familje në njërën anë, por edhe të bibliotekave në përgjithësi.

Simfonitë e cicërimave

Vullnet Mato

KUSH PUTH FORT DADON JETIKE

Jeta ka provuar
në harkun shumëshekullor,
njeriu lind kurdoherë
binjak me vdekjen,
në të njëjtën ditë,
në të njëjtën orë
dhe binjaken e ka
kurdoherë me vete.

Mjafton të hedhë
një hap në greminë,
të lakmojë drogat
me etjen e tërbuar,
plumbin e gojës
të nxjerrë me zemërim,
të hajë një porcion
ushqim të helmuar;

Të prekë pa vëmendje
çdo armë të kohës,
të gjuaj padashur veten
në vend të derrit.
Sidomos të hajë
kilometrat tej normës,
duke lejuar makinën
të marrë furinë e ferrit.

Por, harrojmë shpesh,
kur na joshin ca qejfe
dhe harbohemi me duf,
pa i vënë frerët kokës.
Atëherë vdekja papritur
na rrëmben me vete,
në strehën e saj prej dheu
brenda nëntokës.

Pra, mbetemi gjithë jetën
viktima të binjakes foshnjore,
të pambrojtur nga e keqja,
gjithmonë me rreziqe.
Dado kemi veç kujdesjen,
që na merr përdore,
deri në fundin e pashmangur
të moshës në ikje...

Binjaken tinëzare lë të mbetet
përherë duarbosh,
kush shtrëngon e puth fort
dadon e shtrenjtë jetike!...

KUR FALEMI TE KY TEMPULL

Ndodh të ndjehem
sozia i Papës së Romës,
se kam Vatikanin tim
të ngritur mbi kërbishte.
Kur më duket vetja
kryemyftiu i botës,
kam dhe Mekën ku godas
djallin me gurishte.

Sepse predikoj në art
dashurinë e vërtetë
dhe i ftoj të gjallët
të vinë të falen tek unë,
të zbardhin shpirtin
nga mëkatet në jetë,
t’u prijë mbarësia
në shëndet e në punë.

Nuk jam shenjtor,
as magjistar iluzionist,
por dua me fjalë magjike
të bind çdo njeri,
se metaforat e vargjeve
dhe rimat e poezisë,
predikojnë në shpirtra
vetëm paqe e qetësi.

Largojnë nga mendimet
trishtimin dhe hakmarrjet,
që i vijnë trurit si dallgë
të padukshme ligësie,
nga dyndjet e politikave
që përhapin përçarjet,
me megafonët e fuqishëm
të mediave të tyre.

Unë bëj të puthen fort
miqtë dhe mikeshat,
t’i falemi më shpesh
tempullit të shenjtë poetik,
duke mërmëritur në heshtje
vargje nga vjershat,
për të fjetur gjithë natën
si në një shtrat kozmik!...

NE ILIRIANËT KASTRIOTISTË

Fryjnë erëra të forta, që të çngjyroset natyra,
me stinë të përziera në Adriatik e në Ballkan.
Por ato s’kanë aq fuqi sa të ndryshojnë fytyra,
të trashëguara nga geni i lashtë indoeuropian.

Ne jemi bij të nënës arbërore, prej fiseve ilire
dhe nga nënat serbe, greke, turke nuk kemi lerë.
Kemi vetëm fqinj të ngulur pas nesh në këto brigje.
dhe përqark gadishullit, s’kemi vëllezër të tjerë.

Ne jemi ende gjallë dhe një komb në mëvetësi,
se na ka mbajtur në këmbë shpata e Kastriotit
dhe na ka prirë kurdoherë bajraku ynë kuq e zi,
në çdo majëmali të truallit të dhuruar prej zotit.

Kush harron të vërtetat tona shumëshekullore,
nuk di pse vringëlloi shpatën e madhe Skënderbeu,
pse Ismail Qemali shpalosi flamurin në ballkon Vlore,
nuk di pse Noli predikoi lirinë anembanë dheut…

Ose kërkon qëllimisht të na bëjë popull laraman,
të quhemi turma të hedhura nga erëra rastësore,
të humbasim identitetit tonë të lashtë në këto anë,
ku pikon gjak çdo pëllëmbë e tokës sonë arbërore.

Pra, duhet te dijë kushdo që kërkon gjakra të ndezi,
duke na ndërruar prejardhjen në emër të miqësisë,
se kemi qenë, jemi dhe do mbetemi brez pas brezi,
vetëm një komb, një ngjyrë e ilirianëve kastriotistë!...

MIRËNJOHJE TË VDEKURVE

Ata janë disa qindra,
të njohur personalisht.
Nuk ua kam fotofytyrat
të gjithëve sa janë.
Ringjall imazhet e disave
që u kam arkivuar sytë.
Kam varur në mur shikimin fiks
të nënës me babanë.

Por i thërres shumë prej tyre
në apel rastësor.
Kur kujtoj mirësitë,
të mirët i ringrej në këmbë.
Më duket se për t’i bërë
ata sërish jetësor,
do të donte të çoheshin
edhe vetë dheu i rëndë.

Madje janë disa shpirtra
të papërsëritshëm për mua.
Ata i përfytyroj shpesh
dhe ua konfiguroj fytyrat.
Po aq të ëmbla ua pasoj
fjalët që më dhuruan,
dhe më vjen keq shumë
që s’ua shpërblej dot të mirat.

Ndonjërës, që i kam borxh
puthjen e pakthyer në gjallim,
do të kisha dëshirë t’i zbrazja
një shishe parfum mbi eshtra.
Dikujt që s’ia shërova dot plagët
nga të cilat s’gjeti shërim,
t’i mbështillja petale trëndafili,
në vend të fashove të vjetra.

Por kur ngatërroj padashur
listëmortin e gjatë të apelit
dhe thërras gabimisht ndonjërin
nga të ligjtë e padëshiruar,
nervozohem me vete,
që ndjell kot lehjen e qenit,
kur dua të dëgjoj cicërimën
e ndonjë bilbili të shuar.

Në pamundësi t’i përshëndes
të gjithë duke shtrënguar duart,
u them, me mirënjohje,
të më presin sa të zbres nën tokë.
Të vazhdojmë bashkë bisedat
që kemi lënë pa mbaruar.
Të mbetemi dhe në atë botë,
siç kemi qenë, miq e shokë.

Deri atëherë, më duhet të shmang
nga vetja çdo lloj ligësie,
që e ndjek me memorien
e pasvdekjes, secilin vdekatar,
duke ia mbuluar edhe emrin
me dyfish baltë neverie.
Të paktën të lë në kujtesa,
përjetësimin si njeri faqebardhë.

PËRBALLË DY POLEVE HEMISFERIKE

Gjatë gjithë verës,
gjethet thithën diellin përvëlues,
kapërdinë shirat
brenda limfës gjelbërore,
tretën të gjitha kripërat
nga thellësitë me humus,
për të kënduar zogjtë e ardhur
nga hemisfera jugore.

Tani simfonitë e cicërimave
jehojnë përtej ekuatorit.
Këtu fshesa erërave mbledh
gjethet në kapicat e kashtës.
Kjo mikpritëse e dimrit
ka filluar qysh prej shtatorit
të pastrojë mjediset
me frymën e stinës së ashpër.

Dhe ja, dimri brutal po vjen
me kamxhikë vetëtimash,
të përzërë vjeshtën
nga të gjithë sinorët e zaptuar,
malet dhe fushat përqark
t’i zhveshë lakuriq nga gjethimi,
të shkelë me galloshe akulli
kudo mbi trojet e gjelbëruar.

Ah, po ti, moj shpirtja ime,
mos u tremb as nga i ftohti polar
dhe mos u trishto aspak
nga mizoria e ngricave të tij.
Ky dimër do mundohet
të na ngrijë gjakun në damarë,
duke na sjellë Polin e Veriut
brenda në shtëpi!...

Por ne do të sprapsim
çdo akullim e ngricë dëbore,
duke u shtuar puthjeve
energjinë magnetike.
Se kur bashkohen dy polet
e ndjesive tona shpirtërore,
mund shkrijnë dhe akullnajat
e dy poleve hemisferike...

Nga Përparim Hysi:Poema " Lulet e zeza" të Irfan Bregut


Nuk është aspak e lehtë që të flasësh për një Poet me staturë të bukur si Irfan Bregu.
Kjo ndodh për shumë e shumë arsye. Së pari, ke të bësh me një Poet me zë të veçantë që, kryesisht, shkruan poezi që kanë peshë të "rëndë". Në gjininë e poezisë, ai lëvron, sidomos, poemat. Të më falë lexuesi, në përdor pak një gjuhë militare. Irfan Bregu përdor "artileri të rëndë" në poezi.
E ka filluar me poema qysh nga viti 1959 dhe, sado që po rend drejt tetë dekadave, ende shkruan dhe është aq vital, sa nuk ke se si mos habitesh. Dhe kjo çudi arrin në apogjenë e vet, atëherë kur e sheh o ballë për ballë, o përkarshi. Në këto mbi pesëdhjetë vjet që shkruan, ai, si të thuash, është "ngopur" me të tëra. Kur them kështu, jo se po hiperbolizoj gjëkafshë. Përkundrazi. Jam unë në hall që mos i hyj në hak këtij DITURAKU të LETRAVE SHQIP dhe mos e përqas,sadopak,ashtu si është DITURAKU Irfan Bregu. Atributin "Diturak" nuk e ka nga unë, por e ka fituar me djersën e ballit.
* * *
Në këtë mbigjysëm shekulli që shkruan, Irfan Bregu ka shkruar gati mbi 15 poema dhe, veç tyre (kjo ia rrit dhe ia zbukuron ballin e bardhë), është autor tekstesh për shkollat 8(sot 9-vjeçare); autor antologjish; autor fjalorësh disavëllimësh ( social-kulturor-artistik), ka botuar kritikë për vepra pedagogjike. Pra, i armatosur këmbë e kokë me dije. Saj këtyre dijeve, ka fituar gradën e Doktorit të shkencave. Po a mbarojnë "veçët" për Irfanin? Ka qenë gazetar deri në Kinë dhe ka patur një penë të mprehtë prej gazetari. Kaq them unë, sikur nuk janë pak që të mos vënë në vështirësi, kur merr penën e të flasësh për të. Ka patur metodë të tij të punës që kurrë mos ngutet kur shkruan,sikur ta ndjekë dikush me shkop. Matet dhjetë herë,e pret njëherë. Po prerja made in Irfan Bregu, është e tillë që nuk ka nevojë për gërshërë,po se po, por as dhe për gjëlpërë. Si "Versaçe në fushën e modës. I tillë është në varg. E vetmja "ngutje letrare" e tij, sa e kam lexuar unë,është ajo: "Liria erdhi vonë" ( Tri libra për Kosovën"). Se puna nuk priste. Dhe e botoi në vitin 2002. Kur them "ngutje", e kam në sensin e mirë, se nuk e la të "staxhionohej" në kohë.
* * *
Nuk ka gëzuar shëndet të mirë, por, megjithaë, di dhe e sfidon sëmundjen. E vë poshtë me shkrime. Nga kjo anë, është për t'i qarë hallin për dy arsye: së pari, duhet t'u vidhet syve vigjelent të"gardianit" që ruan me xhelozi proverbiale qoft dhe një shqetësim. I shkruaj me shumë konsideratë këto fjalë, për zonjën e nderuar, Dirtën, bashkëshorten që nuk e lë Irfanin t'i afrohet qoft dhe për një çast kompjuterit, këtij mjeti kaq modern dhe të domosdoshëm për një njeri që shkruan. Po "gardiani" as nuk njeh kompromis. Më duket si një "martir", të privuar nga një ofertë kaq e kaq me privilegje.
Dhe ky "martir" dërrmohet dhe nuk fle rehat vetëm e vetëm se do që kjo botë të bëhet më e bukur. "Gardiani" ia ka shtuar jetën Poetit dhe, saj asaj, ai jeton atë "komoditet" aq të ngrohtë për të na dhënë vepra cilësore. Nga një anë, si "martir" të kujton atë "shterparin" e Naimit që nuk i qasej "stanit"( kopmpjuterit) dhe, duke e vazhduar analogjinë time dhe pak më tej, më duket se Irfani ka të drejtën morale që në një nga veprat (ai "vidhet e vidhet") që është duke shkruar, të shkruaj kështu: "Dritës, pa të cilën, kisha kohë që do kisha heshtur". Postullati nuk është imi. E ka shkruar Lui Aragoni për Elsa Triolen. Dhe ja tek vjen një kohë që anallogjitë bëhen të prekshme dhe aktuale.
* * *
Irfan Bregu sapo e botoi poemën "Lulet e zeza". Që në titull, është pak sinjifikativ. Kushdo do intrigohet dhe do thotë: - More, ç'janë këto "Lule të zeza?". Unë e kam të lehtë ta them (këtë e thotë autori fare qartas!), por le ta lëmë pak kërshërinë ngrehur.
Irfan Bregu ka një shqetësim të madh qytetar. Ky shqetësim e bluan atë vazhdimisht,ashtu siç bluan një molë trarin. Irfani Poet është i një "mizure" të veçantë: është i obsesuar nga e drejta, liria dhe e vërteta. Tri këto kategori shoqërore janë emëruesi i përbashkët i gjithë poemës. Poeti e di mirë se nuk ka as liri dhe as demokraci, po u nëpërkëmbë e drejta. E vërteta. Ai bëhet promotor dhe, si të thuash, ashtu si Krishti e ka vënë kryqin mbi kurriz. Aq i obsesuar është pas këtyre tri komponenteve, sa "rob" i dijeve të tij skrupuloze, zë e rëmon që nga lashtësia me demokracinë e kohës së Perikliut e deri në ditët tona.
Unë nuk e kam atë "tagër" kaq të rëndë dijesh si të autorit ( për këtë autorit i kërkoj ndjesë), po për ta përqasur sadopak për këdo që nuk e ka lexuar këtë poemë me kaq vlerë, them se do jem në gjëndje.
Shtrohet pyetja e drejtpërdrejtë: - A ka demokraci dhe a është e drejta në atë shkallë që duhet në Shqipëri? Përgjigja është lehtë ta marrësh vesh, por Poeti me vargjet e tij di dhe ia jep lexuesit të gatshëm.
Në Shqipëri, për fat të keq, tri kategoritë(liri,e drejtë,e vërtetë) nuk e kanë fituar atë atribut që duhet të kenë. Kjo ndodh,- thotë Poeti,- se Shqipëria është si në mes Sillës dhe Karibdës. Se,siç thotë diku, kimineli i nxjerr gjuhën drejtësisë. Se pushteti, ndodh që bashkëpunon me krimin. Se, po të largohem pak nga konteksti i poemës, është ende aktuale ajo thënia e Hasan Zyko Kamberit, kur "Kadiut, po t'i dëftesh paranë, ters e vërtit sherjanë". Për t'i rënë shkurt: tri obsesionet e Poetit Irfan Bregu janë ato"Lulet e zeza" që kanë mbirë në tokën shqiptare. Por vetëm kaq. Jo. Aspak. A ka një dritë që një ditë, këto "lul të zeza" të bëhen të bardha? Patjetër që ka. Dhe Poeti në 12 këngët e kësaj poeme, për këto mesazhe të bardha dhe këndon. Kjo "këngë" e Poetit është unike në llojin e saj. Kaq sa njoh unë letërsinë shqiptare, asnjëherë nuk kam hasur ( thënia ime të merret me rezerva!) që një poemë të shkruhet me distikë. NJë Mjeshtër kaq punëtor vjen si një risi e bukur në letërsinë tonë. Poeti tek shtron pyetjen që a mund të bëhet drejtësi në Shqipëri, nuk e lë pyetjen pa përgjigje. Përkundrazi. Ai apelon për drejtësi të pavarur nga pushteti dhe, për të treguar, se dhe në këtë drejtim ka patur juristë të tillë që dinë ta mbrojnë të drejtën me dinjitet. Shakarazi përmenden ata "gjykatësit " e kohës së Zogut që dhanë dorëheqjen,kur "mbreti" tentoi që të vinte nën tutelë drejtësinë. Dorëheqja e Juristit të shuquar Manol Konomi në kohën e diktaturës është domethënëse. Por bukuria e gjithë poemës qëndron edhe në faktin tjetër, shumë sinjifikativ: aty, në poemë, krahas poetit, desh dhe me një jurist. Juristi, nga më të shquarit në vendin tonë,Profesor,doktor Muharrem Kushe. Aty, përmjet distikëve made in Saadi, flitet katërcipërisht për të drejtën. Muharrem Kushe është ai juristi i guximshëm që gjykoi "Zonjën e hekurt", Nexhmie Hoxha. Silleni për një çast atë gjyq dhe do krijoni një bindje për këtë jurist sypatrëmbur. Muharrem Kushe është ai soj gjyqtari që i duhet Shqipërisë. Ai gjyqtar që,sado në majën e tribunalit gjyqësor, dha dorëheqjen e parevokueshme,se kur pa "mbretin lakuriq", bërtiti si djali naiv i Andersenit. Unë si lexues mund të them vetëm kaq: po të kishim juristë të till që para ligjit të gjithë qytetarët janë të barabartë,atëherë edhe " Lulet e zeza" të Irfan Bregut do bëheshin të bardha. Duk lakuar Juristin Muharrem Kushe, nuk është se po bëj njëanësi. Ju shikoni seç ndodh me gjyqet maraton për çështje aq të mprehta,sa jo vetëm të revoltojnë, por dhe të stresojnë. Natyrisht, Muharrem Kushe nuk është i vetëm. Por nuk ke se mos mbldedhësh buzët nga gjyqtarë që, për të njëjtën çështje, dje "kur qenë të djathtët" gjykuan në favor të njeriut afër pushtetit, dhe sot "kur janë të majtët", pa pikën e turpit,marrin anën e e atij që dënuan dje. Kështu nuk ka si fle gjumë Poeti Irfan Bregu dhe këtë "pagjumësi" na i indukton neve, lexuesëve. Është një "pagjumësi" që na nxjerr gjumin dhe na bën mirë
Poetët ndaj paraprijnë. Këtë ka bërë dhe Irfan Bregu që sjell ka mesazhe të bardha.

Nga Dr. Ilir Muharremi:Analizë e librit: “Polisemia e veprës” të Flamur Malokut


Jetët e ruajtura në hapësirën e paktë të poezisë, nuk do të mund të qëndronin pa ndonjë vështrim të thellë që brenda tulit fshehin edhe eshtrën. Që në fillim autori i librit Flamur Maloku “Polisemia e veprës”, botuar nga shtëpia botuese Olymp, i reket frymëzimit, meditimit dhe ndjeshmërisë në poetikën e Sali Bashotës. Këtu , kjo është një ndjenjë besnikërie, e ndërgjegjshme, shpesh edhe e subkoshiente, pastaj e ikjes nga vetëdija, pra ekziston një lumturi metafizike që mbron vetveten. Fitorja, loja, ngjyra, vargu, figuracioni, artikulimi i gjuhës duke kontrolluar emocionin në një çast qetësie, karakterizojnë shprehjen e autorit mbi vargun e Bashotës. Teksti ndërtohet mbi frazat e shkurtra poetike, tensioni është i vazhduar dhe mbanë njeriun përballë botës poetike, dëliri i kontrolluar e shtyn të bëjë përmbledhjen e emocioneve që na lënë në një ethe tjetër. Sëpari poezia, pastaj vështrimi mbi poezinë, paraqiten si një univers të ruajtur në ndërgjegje për të ngulitur “aventurat e veta”. “Të krijosh do të thotë të jetosh dy herë” shënoj Albert Kamy.
Nga vetja në veten
Koleksioni poetik i Bashotës që sendërtohet mbi rrethanat e kohës, fjalën, shpirtin, imagjinatën.... na shpreh një imitim të brendshëm poetik, nga vetja në vetën, në fund për të tjerët. Të gjithë përpiqen të imitojnë, të përsëritin e të rikrijojnë realitetin e tyre. Në fund marrim imazhin e vërtetave tona. Disi mjeshtërisht autori Maloku, zbërthen gamën poetike, si një pronë të huaj, pastaj e forcon në materien e tij, e ndërton mbi tezën dhe nënshtrimin e fakteve reale: “Dihet se tashmë poezia jeton nga kjo frymë, e nga shpirti fjala. Pa shpirtin nuk do të rronte dot, ashtu siç nuk do të rronte as njeriu, për të cilin krijohen mu këto shkrime...” (Flamur Maloku, “Polisemia e veprës, Olymp, Prishtinë, 2013, fq:10.) . E gjithë ekzistenca pa shpirtin për një njëri është e pavyeshme, nëse ia kthen shpinën amshimit, atëherë është imitim i pa masë nën vellon e absurdit.
Larmia e fjalëve
Thellësinë, autori i veprës e zgjatë, qetësinë e zmadhon për ta pasuruar ishullin e vetëdijshëm që buron nga një larmi fjalësh, dhe gjithçka fillon me kthjelltësinë, parabiografinë e poetit, netët pa gjumë, revolucionin e kohës, të jashtmen si zinxhir për tu futur brenda malit të ullinjve. Atëherë, çfarë i mbetet autorit? Të përshkruaj, ky është synimi i fundit i qëllimshëm ndaj strukturës dhe thelbit, që është mjaftë i ngjizur, sikur shkenca kur arrin kufijtë e paradokseve, pushon së propozuari , ndalet dhe soditë peizazhet e virgjëra. Uni poetik, tejkalon çdo meditim, peizazh dhe zemra na mëson që emocioni ngre peshë para fytyrës poetike dhe buron nga thellësitë e gjumit, zhurmës, ekzistencialit dhe gjuhës. Diçka ndryshe është brenda, ndryshe shkruhet, krejtësisht në formë tjetër interpretohet. Maloku qeniet i vë në qetësi, pastaj kap zgjuarsinë dhe i etiketon me emocionin. Gjuha poetike e autorit të veprës, është e kuptimplotë, figurative, ilustrative, dhe gjatë leximit thellohemi në thirrjet e pareshtura të një universi të pashtershëm në sasi dhe cilësi. Fryma është e strukturuar mirë, kuptimore, sikur çdo fjali rresht pas çdo fjalie, zbërthen në esencë shpirtin poetik, por transmeton mbi bazën individuale të ndërgjegjshme, bënë përmbledhjen e kënaqësive dhe pakënaqësive.
Fuqia e vargut
“Albumi i grisur, 1986”, “Zogu me profil vjeshte, 1989”, “Plagomë, 1994”, “Dalje nga trishtimi, 1999”, “Bukuri e nëmur, 2006”, “Dorëshkrimi i ngjallur, 2011”, janë vepra poetike të Bashotës me të cilat është marr Maloku duke u vërshuar në disiplinën e cila ka klimën e veçantë të vargut. Ai e fillon me hyrje në interpretim konkretisht me “Albumin e grisur, 1986”, të Bashotës. Autori përpjesëton emocionin e shkaktuar nga poeti duke hulumtuar të përkryerën e menjëhershme të artit, nga e cila jeta pjesëtohet me poezinë si në konstruksion me figurën. Analisti në një farë forme i përket mendimtarit të angazhuar të zbuloj fuqinë e vargut. Këtë e bënë dhe e rend nga jeta, vetmia dhe fati. Vetmia si edukatore për t’i dëgjuar të dy fenomenet pa të cilat nuk ka kuptim njeriu e pastaj krijimi. Poezitë i nënshtrohen dramës, asaj që ishte dhe është, duke vetëmohuar kurbetin. “Zogu me profil vjeshte, 1989”, një titull grishës dhe nuk e kam fjalën për artet formës ku veçohet përshkrimi mbi një të thjeshtë të papërshkrueshme. Vargu fillon aty ku mbaron mendimi, aty ku fillon stina e cila ngjan me matematikën e huazuar ndaj ritmit të natyrës. Por, si mund t’i ik kësaj Bashota. As Vivaldi nuk i tradhtoj stinët, i shndërroj në tinguj.
Prehja shpirtërore
Në planë të dytë, autori Maloku e vijëzon motivin duke e kthjelluar nga shenjat kuptimore, nga e cila vazhdon shenja tjetër. E personalizuara mbetet tek Bashota dhe Maloku. Aty kemi njësimin , zbulimin dhe lidhjen e ngushtë të kritikut letrat dhe vargut si prehje shpirtërore. Ai e di që vjeshta ka zbuluar poetin, duke ngritë tempuj mbi gjuhën dhe filozofinë e verdhë mbi gjestet. Për një poet, ajo është shumë më mësimdhënëse se të gjitha bibliotekat. “Plagomë, 1994”, një lojë e dhimbshme e mendjes me vetveten, vargjet zhvillohen në hapësirat tingëllore dhe përtej tyre dridhjet takohen, megjithatë, vetëm në një univers nga vetvetja për vetveten. Nuk ka ndijim më të pastër. Nga kjo dhembje poetike, vuan edhe autori Maloku, i cili arrin të kuptoj tundimin e fuqishëm si ankth, vuajtje individuale, brengë, apo siç e quan ai: “Plagoma si figurë krijon Poiesisin, strukturën e tekstit”. “Dalje nga trishtimi, 1999”, në fakt sipas autorit hyrje në trishtim. Këtu mësojmë që poeti në çdo poezi shënon vitin, vitet mbesin si kurorëzim i pashprehur lehtësisht i jetës së trishtueshme të një trishtimi individual. Autori, e dijë që nuk mund të ndryshohet realja, mendimi mjaftohet me imitimin e saj, e imitimi mbetet mbi një dhembje që lexuesi futet në trishtim dhe del i plogësht, apo humbet në labirint, që prapë i kthehet hyrjes. Nuk mund ta kapërcejmë këtë trishtim.
Për fund, autori Maloku e përmbyll: “Shkurt, vepra dorëshkrimi i ngjallur mbetet vepra poetike që është shkruar si ringjalljes e jetës/frymës...... më është dhuruar nga autori me përkushtim të thellë, por me atë përkushtim vazhdoj ta lexoj e ta rilexoj!”, (Flamur Maloku, “Polisemia e veprës, Olymp, Prishtinë, 2013, fq:168,169).


Cikël me parodi nga Demir Krasniqi


-Mbesës sime në Çikago të Amerikës- 

Kukulla e lodra plot oborri – 
Mbesën time, kush ma mori?! 
Letra, ngjyra, lapsa kimikë – 
Mbesa, m’ shkoi për Amerikë! 

Një n’ atë skutë e një n’ atë qoshe – 
Shtëpia n’ heshtje mbeti boshe! 
Papagajtë kanë ra në heshtje , 
S’ ka miklime, s’ ka buzëqeshje! 

Në vetmi mbet papagalli – 
Zjarri n’ gji më djeg nga malli! 
N’ përqafime kush bënë gara? 
Kush m’ i hapë dyert e para?! 

Zgjaten duart e përshëndetjes, 
Hije e rëndë i ra buzëqeshjes! 
Aeroporti edhe sot, 
Si përherë, u la me lot! 

N’ 5- vjetorin e Ditëlindjes – 
Rruga e mbarë i them Anilës! 
Rritu mbesë, me shtat si pip – 
Herën tjetër, na flet shqip!





Çke moj Mejro



Ç' ke ti, moj Mejro,
Qi po rrin tuj qajt-e?
A po qanë për nanën,
A për babën plak-e?!

- As s' po qajë për nanën,
As për babën plak-e;
Por, po qajë për dashuninë –
Dashuninë e par-e!

Dashuninë e par-e,
Që m' ka shku ushtar-e;
Ushtar më ka shkue,
Letër s' më ka que !

Mbas tri – katër vitesh,
Nji letër më mbrrini;
Zemra se ç' më dridhej
Mue prej mallëngjimi!

Kur e hapa letrën,
Nisa me e lexue;
Lott për faqesh m' shkojshin,
Se çka m' kishte shkrue!

- Martou, ti, moj Mejro,
Se unë jam martue!...
Se unë jam martue
Me tokën e zez-e!

- Ani, n' dash me ditë, unë,
Vorrin ku e kam –e;
Në nji skaj të lumit –
Qyqja ku këndon –e !


Lisi flet



Trungu i lisit me mua flet ,
Me gjoks hapur gjithnjë më pret ,
Do t' ma qajë mua një dert ,
Për një dhembje e një siklet !
Mirë se erdhe biri im ,
Eja e ulu n' trungun tim ;
Ta tregoj një muhabet –
Ku jetova 500 vjet !
500 vjet m' ruajti Malësia ,
Shumë pushuan nën degë t' mia !...
Sa shumë luftëra përjetova –
Çdo furtune i përballova !
Shumë shenjëtarë më morën n' thumba –
Trupi im mori shumë plumba !
Dhëmbët e sharrës dhe sëpata –
S' më lanë t' qetë dita , as nata !
Breshër , akuj m' kanë rëndua ,
Borë e shi më kanë kaplua ,
Nën degë t' mia kaloi shkau ,
Porse rrënjët s' mund t' mi thau !
Sa luftëtarë këtu u strehuan ,
Sa rreziqeve iu shpëtuan ,
Sa grigja këtu mrizuan ,
N' vapa zhegu u freskuan !...
Degët e mia kur u plakën –
Dikush n' zgor ma futi flakën !
Dikush erdh pa mendje koke –
M' preu me sharrë e m' shtriu për toke !
Ma preu trupin pa mëshirë –
Mori gjithë çka pata t' mirë,
Për kujtim ma la veç trungun ,
Kalimtarët m' shikojnë si cungun !

Trimi i Karadakut
( Dëshmorit të Kombit Naser Azemi )


N' Karadakun, o, legjendar –
Lindi nëna një trim shqiptar !
I: Atje lart ,o, n' fshatin Stançiq ,
Që për frikë, o, nuk dinte hiq !:I

Motra e vëllezër ,o , prej gjithë globit –
E nderojmë,o, këtë dëshmor t' kombit !
I: Krenar këngës , o, ne t'ia themi –
Për këtë trim, o, Naser Azemi !:I

Karadaku – djep i trimërisë ,
Djemtë ma t' mirë,o, ia dha lirisë !
I: Këtë trimëri, o, t' burrave me emër –
Naser Azemi e kishte n' zemër !:I

Qysh si nxënës ,o, në rini ,
Kishte etje,o , për liri !
I: Që t'i dalim, o, Zot, Kosovës
Me të drejtë ,o, të vetëvendosjes !:I

Atë regjim të sllav Karpatit ,
Policinë ,o, të serb – xhelatit ,
I: Naseri s' mund t'i duronte –
N' gjitha mënyrat, o, i luftonte !:I

Për të shtrenjtat, o, aspirata –
Mori pjesë ,o, në demonstrata !
I: Me pamflete në gji pa frikë –
Për Kosovën ,o, Republikë !:I

Me rininë ,o, përparimtare –
Ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare !
I: Mblodhi t' dhëna të dorës s' parë –
Mbi kasapët, o, serbë – barbarë !:I

Naser Azemi me shokët e vet ,
S' bënte gjumë, o, as ditë , as net –
I: Lagje m' lagje deri n' Zabel ,
Për t' zbuluar ,o, kriminelë !:I


Në zemër kishte guximin ,
Me shkathtësi, o , bënte zbulimin ,
I: Nëpër shtigje, o, të rrezikut –
Për t' ia prerë, o, rrugët armikut !:I

Ditë e zezë,o, e 10 Korrikut –
Ra në prita, o, të armikut !
I: N' rezistencë,o, me armë në dorë –
Për Kosovë,o, ai ra dëshmorë !:I

Ra n' altarin, o, e lirisë –
Dëshmorë kombi i përjetësisë !
I: N' faqe t' arta të historisë –
Shënoi emër të pavdekësisë !:I

Me nderime , lule kurorë –
U varros , o, me shumë dëshmorë !
I: N' Kodër t' Trimave të Gjilanit –
Pararojë , o, e gjithë vatanit !:I



Qofsh  mallkua i ziu mërgim



e, heu, kur e dridhi, more, telin çiftelia,
hej, seç mi preku, o, hej, ndjenjat e mia ,
heu, ç’ mu kujtue, more, oh, po nanë shqipnia,
eu, ç’ mu kujtue, more, oh, vendlindja ime,
eu, fushë e mal, more, të kosovës trime!...

e, heu, unë këtë kangë, more, hej , që jam tuj knue,
hej, askund vargjet, besa, s’ia kam shkrue!
oh, po m’ knon shpirti, more, çfarë po ma thotë zemra,
oh, shpirt e zemër e mallkojnë vetmin-e,
eu, qofsh mallkue, more, hej, i ziu mërgim-e!

e, heu, përtej malesh, oh, more, përtej deti –
oh, rininë time, hej, e muer kurbeti!
hej, do t’ ia marr,more, hej, krahët shqiponjës –
oh, do t’ ia sjell, more, hej, kangët kosovës!
heu, kur t’i knoj, more,hej, kto kang’t e mia –
hej, para syve, oh, më del vendlindja!


Oh sa mirë me kurbetçarë


Oh, sa mirë me kurbetçarë,
Bahen bashkë familjet mbarë!
Kënga e vallja shkojnë vërdallë,
Motra e vëllezër rrinë ty u çmallë!

Kur po vijnë në aeroport –
Lahen pistat krejt me lot!
Kur po vijnë me vetura –
U dalin para gra e burra!

Kurbetçinjtë kur vijnë n’ pushime –
Një muaj gëzime e përqafime.
Një muaj dasma e lezete –
Hijeshi n’ fshatra e n’ qytete!

Por shumë shpejt kalojnë pushimet –
Prapë vijnë lotët dhe pikëllimet.
Në oborr e aeroport –
Prapë vërshime plot me lot!

Për një vjet e shuan mallin –
Njëri – tjetrit ia lypë hallallin!
Prindërit vëzhgojnë me sy të mekur –
A do t’ presin t’ gjallë, a t’ vdekur?!



LYPSARËT E VOTAVE (Parodi )

Një muaj ditë, sa zgjatë fushata –
Po na mbetet n’ fyt kafshata !
Nuk na lanë lypsarët rehat –
Kërkojnë vota ditë e natë !

-Aman , vëllezër , bëni rahmet ,
Votën tuaj , n’ kuti ma qet !
Jam i sëmurë e jam n’ siklet –
S’ kam shërim , pa hipë n’ pushtet !

-Sëmundja ime , është kronike –
S’ ka ilaç , pa hipë n’ karrige !
Seç jam tharë e seç jam shterë –
Jam sëmurë rëndë për karrierë !

-Trupi im , s’ bëhet rehat ,
Nuk mund t’ bëjë as gjumë në shtrat !
M’ është ngarkuar koka bagazhe –
Ditë e natë shkruaj mesazhe !...

Telefonat veç cingërojnë –
Nga çdo anë , vota kërkojnë :
“Kush m’ voton për Kryetar –
E çoftë Zoti , n’ rrugë të mbarë !

-Kush për mua , n’ kuti votoftë –
Jarabbi , Zoti i ndihmoftë !
-Kush për mua , votën e qet –
E qoftë Zoti , në xhenet !”...

Dal me shokë me e pi ndo ‘i gotë –
Shumë lypsarë më kërkojnë votë :
“Aman, vëlla , n’ daç me pa dritë –
Votën , mua me ma qitë !”

Në lokale e n’ trotuare –
Mbushë lypsarë edhe lypsare !
Disa lypin para për bukë ,
Disa , vota për kolltukë !...

Gjilan, më 15.11.2013.






Doli nga shtypi libri i shkrimtarit Kristaq Turtulli ''Pianisti'


Libri me novela gjendet në Panairin ''Tirana 2013''

2013/11/17

Një rrëfim për mëkatin pa pendesë

Një rrëfim për mëkatin pa pendesë
Shtatë pamje poetike
“Nafora” është libri i poetit dhe kritikut letrar Flamur Maloku, që është një rrëfim për mëkatin e bërë nga “, njeriu i perëndisë”, mëkat i bërë nga nevoja shpirtërore dhe trupore e për të cilin mëkat nuk ka pendesë, por dëshirë dhe pasion që të përsëritet edhe më po të kishte mundësi dhe rast tjetër.
Libri është i realizuar në shtatë pamje, apo “Meditime”, siç i ka titulluar autori, ku në secilën pamje flet njeriu i perëndisë për mëkatin e bërë e që s’do t’i falet në amshim. Megjithatë ai nuk pendohet për këtë vepër të kryer, për këtë mëkat, por flet e rrëfen me guxim, madje edhe me krenari për atë që ka bërë, për veprën e tij të yshtur nga ndjenja idilike të ndezura që me kohë. Faji mbetet i pa pranuar, mbetet në harresë karshi kënaqësisë së përjetuar nga përjetuesi i kënaqësive trupore e shpirtërore, por edhe momentale, të shtytura nga epshet e dashuria si nevojë për të arritur atë që ndjenjte thellë në shpirt, e që i nevojitej pashmangshëm.
Fabula e librit paraqet një rrëfim interesant, erë i kthyer mbrapa në kohë e erë i rrëfyer në kohën e tashme, që sinkronizon një rrëfim sa interesant po aq edhe tërheqës për lexuesit, sepse trajton një temë që rrallë herë mund të haset në letërsinë tonë bashkëkohore. Mënyra e rrëfimit tërheqë kërshërinë e lexuesit, që sa më shumë të lexohet, aq më tellë futet lexuesi në të, duke bërë që ede përjetimi të bëhet sa më real.
Paraqitet realja, apo thjeshtë, imagjinata që mund të ketë lexuesi gjatë leximit shndërrohet në pamje reale, duke parë përpëlitjen, shpesh edhe çirrjen e mëkatarit që ta bëjë mëkatin me aq dëshirë, vullnet dhe pasion sikur herën e parë, e ndoshta edhe më me zjarr dashuror. Andaj edhe rrëfimi vije si nevojë shpirtërore për atë që nuk ishte përsëritur më, për atë që nuk e kishte takuar dhe parë më kurrë, duke u egërsuar shpirti i trazuar dhe i vetmuar, nga mungesa e të dashurës që e kishte dashur me të vërtetë.
Rrëfim i tensionuar
“Nafora” përfaqëson një mënyrë të re të rrëfimit, bashkë me cilësitë letrare dhe artistike të një libri të punuar në mënyrë të precizuar mjeshtërore, dhe i përpunuar në atë mënyrë që jo vetëm se është i lehtë dhe i kapshëm për lexim, i tensionuar nga emocionet, por bënë që gjatë leximit të të fus thellë në botën e tij dhe të ngjall dëshirën të mos ketë fund, apo të zgjas sa më shumë, në mënyrë që përjetimet të jenë sa më të qarta dhe më të mëdha. Ngjallë dëshirën të kishte pamje më të shumta, imazhe dhe skena intime më të shumta, ani pse nuk është i mangët në këtë drejtim.
Nga goja e emermitit, përmes narratorit, shprehet vaji për atë që kishte kaluar në mëkat. Madje ai qan dhe vajton të dashurën e tij, sikurse veten, për mëkatin e bërë, duke shfryrë mllefin për ata që ia kanë marrur dhe nuk e sheh më me sy, nuk e takon dhe nuk mundet më ta ndjejë kënaqësinë që kishin përjetuar larg në vendin ku vetëm Qielli ka mundur të shoh aktin mëkatar.
Shikuar në tërësi, “Nafora” është e ndërtuar mirë mbi një rend poetik, ku vepra merr një vijë të rregullt të rrëfimit kronologjik dhe pasurohet me fugura për të trajtuar temën e zgjedhur në mënyrën më të përsosur artistikisht.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...