Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Tekstualja në vështrimet kritike dhe gjykimi estetik

















Vladimir Muça Poet - studiues
              
       Një vështrim analizues mbi librin e Timo Mërkurit “Kur flasim për artin Jonian”


     Që kur lindi arti i të  folurit dhe i të shkruarit, sidomos kur bëhet fjalë për letërsinë , është një domosdoshmëri  e zhvillimit, që filli i saj  të lidhet me mendimin kritik , me krahasimin e vlerave estetike që dallon veprat letrare.
    Nuk është rastësi që në lindjen e filozofisë të artit të të shkruarit , lindi dhe lulëzoi dhe mendimi kritik në botën e letrave. Kritika e ka  suportuar gjithnjë krijimin letrar. Jo më kot mendimi kritik i Bjelinskit të madh në Rusi u shoqërua  me krijues gjigandë si Çehov, Dostojevski , Gogol . Sot në kritikën tonë letrare vihen re me shqetësim të madh që vlerat i marrin antivlerat e të ashtuquajturve përfaqësues të një letërsie “bestseller “. Siç janë librat e karakterit monografik e politik të Blendi Fevziut, Edi Ramës, Ben Blushit e shumë e shumë monografistëve të porositur .
   Kritika e sotme  po kalon krizën e saj të dithirambeve , nuk po del dot nga qerthulli nga ku e ka futur klientielizmi  dhe kjo ekonomi e mbrapshtë librare e tregut.
   Eshtë një ogur i mirë që krahas botimeve estetike për Migjenin e  madh  nga Dr . Moikom Zeqo , i cili e evidenton Migjenin si prurësin e parë të koncepteve të një estetike moderne, në vitet 1930- 1935, botimit të mendimeve kritike të Adriatik Kallullit , Dr. Fatmir Terziut krahas mendimeve kritike të përkthyera të Umberto Ekos ,të Bodlerit, Luis Borgesit , në atë lëmin tonë , në atë ‘magmë jonike’ , të kemi   midis nesh mendime kritike mbi produktet  letrare të bash miqve e shokëve shkrimtarë si Timo Mërkuri.
  Në këtë vepër studimore ,Timo ngulmues në punën e tij, vjen disi i vecantë, disi natyral në konceptet studimore. Ai e ka flak tutje konceptin ”bestseller “,  evidenton vlerat  me kontekste kohore e vendore duke sjellë para lexuesve karakterin natyralizues të veprave letrare duke sjellë bukurinë , brishtësinë, zhurmërinë e dallgëve të bregdetit jonian , atë athtësinë e kripësinë  që u jep jo vetëm habitatit por dhe njerëzve dhe veprave letrare.
   Konceptin kritik Timo Mërkuri e shtrin në tre metodika kritiko- analizuese:
Vështrim reçensional në studime mbi disa vepra të Spiro Llojit, Kristo Cipës, Dr. Fatmir Terziut, Ymer Nurkës.
Vështrime kritike në nxjerrjen e vlerave e të veçorive autoriale siç janë vështrimet për Fatos Arapin, Andrea Zarballën, Kiço Papës.
Kritikë tekstuale, krahasuese, ku prioritet vështrimor merr ajo ç’ka është në tekst , duke krahasuar  debitet e  prurjeve të reja ( kjo si mënyrë efikase me suportet që jep në zhvillimin e një letërsie të vërtetë). Në këtë kategori hynë vështrimet mbi Agim Maton , Dr. Fatmir Terziun për romanin “ Kojrrillat” , Aqif Hysën  për  “ Poema e ikjes” .
   Ashtu sikundër për Umberto Ekon , kjo mënyrë është themeli i studimeve të estetikave në zhvillimet letrare ; edhe për Timo Mërkurin  kjo përbën shuminë studimore. Autori i harron autorët e vargjeve, prozave që merren në analizë dhe merret me ekstraktet e domethënies, nënshtresat mendimore e qëllimore, merret me toponiminë , onomanistikën, fonemat e reja që i japin dritë kësaj letërsie si në konceptin e kohës  kur ajo është shkruar, por edhe kohën që ajo pretendon të përfaqësojë.
    Autori ngulmon në natyralitetin ku ajo ka lindur dhe po rritet me atë modernitetin , me atë “ magmën Jonike” apo me “ Valët u ngjirën duke folur” të Agim Matos. Autori sikundër gjithë krijuesit bregdetas ,që si djep lindje të veprave kanë këtë det e këtë bregdet, sa të magjishëm aq dhe kapidan në konceptet studimore e kritike.
   Ai nuk i len pa nanurisur në këtë djep , në këto dallgë, në këto shpella pëllumbash , piratësh ku zëri gjëmimtar i Bubulinës gjëndet në çdo rresht apo varg. Në këtë gjëmimtari qytetarie të Artit Jonian si krijues ai po përfiton qytetarinë edhe në aspektin e mirëfilltë eseistiko – studimor, ku me një transparencë evidentohen vlerat krahasimtare të këtij arti  si në kohë dhe në hapësirë , pa kufij gjeografikë. 
    Autori e ka kapërcyer me sukses provincionalizmin sundues , duke reflektuar me eseistikën e vështrimoret e tij konceptet globalizuese në artin e studimit, duke evidentuar lidhjet e ndërsjellta gjeografike, duke mos e kufizuar hapësirën jetike të artit në vijat kufitare shtetërore.
    Bindshëm , autori shprehet: “ Piramidat , klonet ndajnë shtetet, pengojnë njerëzit , kontaktet fizike , por nuk i ndajnë dot kulturat dhe artet, aq më tepër kur ata kanë një shtrat – lindjeje.” Autori aludon për atë shtrat – lindjeje që shumë pak studjues ,përjashtuar Dr. Moikom Zeqon dhe Dr. Fatmir Terziun , e proklamojnë në studimet e tyre.
   Me të drejtë Timo ngulmon në këtë shtrat kulturor që është globalizues e me thellësi kohore, duke evidentuar që andej vlerat e vërteta të lëna trashëgim ndër shekuj. Ashtu sikundër krijuesit Dr. Fatmir Terziu , Fatos Arapi , Andrea Zarballa , Agim Mato, Bardhyl Maliqi , Irena Gjoni, Spiro Lloja , Kristo Cipa, Ymer Nurka, Kiço Papa edhe  studjuesi  Timo Mërkuri  nuk i largohet në interpretimet stilistike e eseistike nga djep- lindja e këtyre produkteve, ai vjen si  një lindje e dytë e tyre. Vepra letrare kur shoqërohet nga vështrime të tilla kritike , merr frutet e një lindjeje të dytë , drejt një materie të re librare, në kontekste pavdekësie.
     Vepra dhe kritika gjejnë njëra tjetrën  në të njejtin habitat , në një kaltërsi plot yllësi metaforike , plot njelmësi detare , ku lexuesi e kupton lehtas e ndjellet nga vjen kjo ngrohtësi  në këto poezi , në këto proza  apo pikturale natyrore.
    Në këto vëzhgime kritike Timo Mërkuri kërkon me ngulm ato “ sinore” , kopshtije riviere, thepa shkëmborë, sy të kaltërt , ato shpella pëllumbash  të egër , ato dallge joniane kreshtashkumbë , ato natyralitete ku moderniteti e ndjen veten si ajo perla në guackën shekullore, si ajo “ magma jonike”  e cila ka filluar t’i japë nxehtësinë e jetësinë kësaj toke.
   Në këto kontekste mendimi estetik vlerësues  i vlerave letrare vjen si domosdoshmëri  për të analizuar me “ këmbë në tokë “ e për të bërë  interpretimin e vlerave  krijuese. Sidomos këto vite të një stanjacioni letrar , ku mendimi  kritik ka marrë shumë molisje , ka stepje , është në një dilemë “ të rrosh apo të mos rrosh” .
      Hera herës  në panaire e konkurime mediatike  të një letërsie biznesi ( vetëm me qëllime fitimprurëse ) monografiko – politike kritika dhe mendimi estetik ka qenë gati – gati  ana e errët e shprishur , tendecioze , imponuese gjer në përmasa shkatërruese për artin e të shkruarit dhe shkencën që merret  me interpretimin e veprave artistike.
      Abuzimi duke bërë krahasimtari të disa “ bablokëve shkrimtarë “ , si “ gjeni “ të letrave, e krahasimtarë me Bodlerin , Borgesin , Eliotin e Xhojsin është e keqja më e madhe klienteliste me shpërblimin e mundshëm financiar në kuadrin e një joçensurimi letrar , jo estetik, jo profesional por bazuar në tekat porositëse.
   Ndaj dhe kritika si shumë e shumë krijuesve, të lëna në mënjaninë e këtij biznesi  letraresk jetojnë me rrezikun të mbeten ‘ pa kek e pa lek ‘ , siç thonë me humor tiranasit. Në këtë aspekt gjen veten thënia e famshme se “ Arti lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë”.
    Duke lexuar këto refleksione të përqasura aq shumë me realitetin që përjetojmë , krijuesit  , por dhe vetë autorët , më erdhi në mendje një urtësi e Umberto Ekos : “ …e vetmja forcë që ve në lëvizje intelektin filozofues është e vërteta.”
    Siç duket Timo Mërkurin, urtësia e Ekos e ndjek hap pas hapi me të vërtetat gjatë gjithë librit. Gjatë analizave vëzhgimore , autori , një rëndësi të veçantë  i kushton hapësirës të shprehjes dhe hapësirës së përmbajtjes. Ai ngulmon shumë në raportet ndërvepruese , bashkërendimit ndërmjet shprehjes dhe përmbajtjes , duke shmangur prioritete që ka sot rendja në të shumtën pas formës së shprehjes , kozmofonisë se sa thelbësores të problemit , idesë e qëllimit të një vepre letrare.
   Krijuesi ulet , lodh trurin , jo vetëm që të sjellë  një relaks shpirtëror , por në bazë të krijimit të mjeshtrave të mëdhej , është qëllimi , idea përse duhet shkruar një produkt letrar. E kjo sentencë është e pluguar mirë e thellë nga Timo Mërkuri në këto vëzhgime. Ndaj  autori në këto produkte eseistiko – kritike nuk rend pas emrave gjoja të mëdhej, por merr në vlerësim ato prurje letrare që për të përbëjnë risi  dhe që sjellin një frymë të re, me taban në këto treva Joniane.
    Në gjininë e romanit ai sjell sfidat romaneske të Dr. Fatmir Terziut, me ndodhi të kaherëshme por në novitete  të reja moderniste .
    Në prozën e shkurtër  të Edmond Llaçit ai sjell kuptueshmërinë e shumëfishtë , me dëndësinë e mendimit dhe të qëllimit në një individualitet dhe estetikë të re me nocione e pasazhe poetike me amalgama lojcake , një dukuri kjo thelbësore në modernitetin e prozës të shkurtër.
    Në veprat poetike të Agim Matos , Fatmir Terziut, Andrea Zarballës , Kristo Cipos, Spiro Llajos, Kiço Papas, ai evidenton një soj të ri të lirizmit me nocione epiko- balaidike që aq shumë i shkon për shtat truallit ku përdita autori kuvendon me këta brigje e dallgë duke u ngopur me kripësinë Joniane, aromën e portokajve e të limonave , duke ngopur shpirtin me ato kolazhe poetike të Kiço Papës apo shpirtin rrebel e fundos të Agim Matos.
    Nga kjo vjen dhe skalitet dhe portreti estet i Timos. Në tërësinë estetike e analitike ai nuk na përqaset si  një kritik skolastik i veprave të krijuesve Jonianë  e të mëpertejmë.
Ai vjen me një diapazon kërkesash  e interpretesh ,që përkojnë me zhvillimet e sotme letrare në kuadrin global, të hulumtimit të vlerave  dhe dukurive letrae në aranzhim me zhvillimet shoqërore. Ai evidenton si  një domosdoshmëri në artin e të shkruarit , veçoritë e Artit Jonian që është:  “ mbështetja tek tradita e pasur popullore.”
    Kjo , ngulmon autori , është arritur duke qenë krijuesit, njohës të thellë  të artit popullor, duke ngulmuar , ashtu siç na mëson Umberto Eko në përdorimin gjërësisht  të ekstraktit popullor si një “ mballomë artistike” e cila rrit dukshëm vlerat e një krijimi.
   Leximi toponomanistik dhe onomanistik , veshja me vlerat e tyre e bën Mërkurin të jetë një vëzhgues e krijues i mirfilltë Jonian , një shpërfillës i kufijve gjeografikë të ekzistencës. Ky është dhe thelbi i natyralitetit që thirmon autori në personifikimin e Fatos Arapit e të Agim Matos.
   Në këtë libër të gjithë esetë sikundër eseja “ Sa pak det paska në poezinë shqipe “ janë në funksion të analizave kritike , ku perla ‘ vajza e valëve’ dhe simotrat e saj janë apotheoza  dhe burimore nga ku veshin gëzofin e ri natyraliteti i këtij moderniteti. Në këtë modernitet rrinë lirshëm legjendat e djeshme, epet si dhe marrëzitë e sotme , rrinë ekstrakti  i kristaladave popullore.
    Lirizmi atdhetar, shpirti i gjerë lirik  me vlera të rralla estetike noton lirshëm në nocionet balaidike dhe epike në kontekste të reja , risi këto të evidentuara nga krijimtaria e Agim Matos, Dr. Fatmir Terziut , Kristo Cipës, Andrea Zarballës si  një dukuri  e re. Kjo është një nga tiparet themelore në poezinë bregase , është një nga ekselencat për estetikat e reja pas soc -  realiste, estetika pa kurrfarë kufizimi por me një marzh shtrirjeje të palimituar.
    Nëpërmjet poetit Kiço Papa në post – mortumin e tij , Timo sjell ato elementë ekzistencialë të poezisë që tentonin në vitet 70 – 80 të çanin pancirin e soc- realizmit  për të cilin shumë poetë nga ai brez si Fatos Arapi, Agim Mato , Thanas Dino, Niko Kacalidha, Spiro Llajo përfituan persekucionin ideor e kulturor gjer në përmasa të një gijotine klasore.
    Në librin “ Kur flasim për artin Jonian” , Timo Mërkuri me anë të vështrimeve realiste në kohë dhe në hapësirë, portretizon profilet e shumë autorëve më në zë që kanë shkruar dhe përtej bregut jonian.Këto portrete krijuesish ai i jep me një sqimë e besnikëri atje ku i ka rënë këmba duke nxjerrë veçoritë e talentit të tyre.
     Por duke u marrë me një shumi portretesh , ai njëkohësisht profilizon dhe portetin e vet krijues sa origjinal aq dhe të spikatur në modernitetin e tij të natyralizuar në proçesin krijues.
     Me një pasion të dyfishtë ; të krijuesit dhe të analistit ai plazmon artin e fjalës. Pa asnjë qasje në mëdyshje pas një stanjacioni njëzet vjeçar , Timo Mërkuri  i bashkëngjitet veprave studimore të Dr. Moikom Zeqos, Dr. Fatmir Terziut, Adriatik Kallullit, Gjekë Marinajt, eseistit Fatmir Minguli.
     Libri “ Kur flasim për artin Jonian “ , me konceptualitetet që shtron dhe refleksionet estetike është një kontribut  për ripërtritjen e gjinisë analitike dhe të kritikës; në instituticionalizimin e saj si një domosdoshmëri e zhvillimeve kohore.
    Urime Timo Mërkurit! Urime!
Dyrrah 16 – 17. 10. 2013  
Vladimir Muça
Poet - studiues

Përsiatje mbi vëllimin me tregime e skica “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit

Gonxhet e porsaçelura në prill


Zeno Gjika

Gonxhet e porsaçelura në prill

Përsiatje mbi vëllimin me tregime e skica “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit

Në prill çelin gonxhet e luleve në zonat malore. Dalngadalë mbulesa mbrojtëse e gjelbër hapet si një kanat porte dhe pas tyre zgjaten petalet e ndrojtura. Fillimisht sa çfaqen pakëz, si një sy vajze e ndrojtur, që do të shohë se çfarë ka kjo botë pas porte, për të shpërthyer më pas e për ta zotëruar të tërrën me bukurinë e saj. Është magjepës moment i çeljes së gonxheve në prill. Ende pa e parë lulimin të deh aroma pranverore. Dhe të lind dëshira që të qëndrosh në vend, edhe nga ndroja se mos i shkel padashje këto gonxhe të porsaçelura, që ende skanë marrë formën e plotë të një luleje. Dhe pastaj, kur shesh gonxhet e porsaçelura, si sy vajzash gjysëm të mbyllur, të ndritur e të përnjomur, që nxitojnë për në takimin e parë, të ndizet edhe ty brenda shpirtit një ngrohtësi dhe të krijohet ndjesa se jeta është e bukur. Është vërtet e bukur jeta, pavarësisht se mbi petalet e saj shpesh herë bie pluhuri i modernitetit, me grimca krimi e varfërie. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht bukurinë e petaleve, por nuk e ndalon dot aromën dehëse të luleve të na mbushë kraharorin. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht petalet, por nuk mund të bëhet pjesë e tyre. Ai rrëzohet edhe nga flladi më i lehtë. Dhe atëherë aroma e luleve vjen te ne edhe në formën e një duhme dehëse. Ne nxitojmë të gjejmë këto lule, ti mbledhim e të bëjmë tufa me to, për ti dhuruar në shënjë dashurie për njeriun dhe për jetën. Apo së paku, duke u këputur petalet, të hipotezojmë …më do apo s’më do…njeriu që ne e duam. Sepse lulja nënkupton dashuri.


Dhe ne kemi nevojë për lule, sepse kemi nevojë për dashuri. Paçka se shumë herë kjo dashuri na mbush me lotë. Me lotë shpirti, që qëndrojnë si vesa mbi petale. Por lulja e porsaçelur, në vetvete i ngjan një buzëqeshjeje. Qoftë e mbuluar nga vesa e prillit. Madje duket më e bukur kur mbi petalet e saj rrezëllijnë margaritarët e lotëve.
Këto mendon ndërsa çfleton librin “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit, ku në shtrat novelash kanë mbirë e po çelin petalet e tregimeve të saj. Petale që, ndonëse nuk të japin konturet e plota të luleve që u përkasin (e pra, janë gonxhe në çelje e sipër), të ftojnë të rish pranë tyre, të ndjesh jetën që gëlon në këtë çelje, të dehesh nga aroma e tyre dhe, shpesh përmes lotëve të pohosh….Jeta është e bukur.
Sepse unë me plot dëshirë do sodisja “Valsin me të bardha” të Etlevës dhe do ta quaja me plot të drejtë Valsi i dashurisë. I dashurisë për jetën e re që nis, për dashurinë prindërore që e shndroi dhimbjen në lumturi…Dhe ajo ngrohtësi që buron nga reshtat e tregimit, ju siguroj unë që është ngrohtësia e gjithë dashurive.
Është ajo ngrohtësi njerëzore që gëlon edhe te “Shtatë ditët”, tregim që vetiu të kujton se…edhe zoti e krijoi botën në shtatë ditë. Sepse e krijoi me …dashuri…Nuk e kisha dashur botën më shumë se sot…pohon sinqerisht autorja. Është një dashuri që nuk mund të thuhet nëpër telefona , një dashuri që edhe vendimin më të vështirë e bën të natyrshëm si çelja e një gonxheje.Një dashuri që I bën të bukur dhe të natyrshëm edhe lotët e burrit dhe natyrshëm thua …Gjergj…unë do të vij, duke e vendosur theksin te pjesëza “të”, për të kuptuar se të vij ty, vij vetëm për ty. Pavarësisht se bie shi apo jo.
Te këto tregime të porsaçelura si gonxhe lulesh ka shumë freski. Tallazet dhe vrundujt e ndjenjave të shpirtit, dalin përmes rreshtave dhe vijnë drejt teje. Herë të rrëshqasin si lotë ndënë qepalla, herë të ulen si buzeqeshje në buzë . Vrapon nëpër shi bashkë me personazhin, qesh apo trishtohesh bashkë me të. Por ajo që vlen të thuhet është fakti se jeton bashkë me personazhin botën e bukur shpirtërore të Drita Lushit. Këtë botë që ka kaqë shumë lule dhe dritë. Ku dhe dëbora është thjeshtë një …lule e bardhë. Këtë botë ku mëson të …puthesh me vështrime, këtë botë ku gjithmon të pëlqen edhe shiu.
Në shtrat novelash kanë nisur të çelin ca gonxhe që lajmërojnë një pranverë të afërt dhe me lule shumë. Të bukur, me diell e me shi, si lotë gëzimi. Dhe kur të çelin këto gonxhe plotësisht, së afërmi, do shohim se prilli, sa ka lule, ka dashuri. Do ndjejmë se është bukur të jetosh jetën, me gjithë vështirësitë dhe privimet e saj. Do ndjejmë se aroma e luleve të çelura është më e bukur se era e …makinave luksoze. Do ndjejmë jetën, të gjallë e të gëzueshme. Ashtu siç di ta përshkruajë Drita Lushi.

NGA DRITA LUSHI : BURRI I VJESHTËS


Alma, Vlora dhe unë uleshim thuajse çdo ditë së bashku për kafenë e pasdites ne kafé “Redi” të lagjes sonë.
Kishim qenë të tria në të njëjtën klasë në të mesme, dhe e ruanim endé shoqërinë po aq të bukur sa atëherë. Ndonse vitet kishin bërë punën e tyre, e kishim krijuar familjet tona,kur bashkoheshim, ne ishim po ato “adoleshentet” e dikurshme, me shaka,të qeshura e me “hidh e prit”- mes nesh.
“Vajza”- tha gati në të thirrur Vlora një moment.
“Kam një mendim”- vazhdoi duke na parë në sy në mënyre çapkëne, a thua se çfarë fshihte e sikur do të na thoshte sekretin apo zbulimin më të madh.
Ne ishim mësuar me këto “çapkënllëqe” të saj dhe bëmë sikur s’e dëgjuam e sikur s’e kishim mendjen. E dinim që ajo do “merrte zjarr’’
E keshtu, gjoja e zemëruar nga “mosvëmendja” jonë, trokiti lugën e kafesë në gotën e ujit që kish para, e ne pamë nga ajo, gjoja të çuditura dhe qeshëm të papërmajtura.
Ja, këto ishin ndër të tjera, ato që na bënin ta ruanim miqësinë me njëra-tjetrën, por mbi të gjitha ne e njihnim mirë në brendësi sho-shoqen e s’kish’ nevojë për shumë fjalë.
Nje çast Vlora ndaloi të qeshurën dhe vazhdoi: “Përse të mos fillojmë të dalim pasditeve të ecim, është pranverë…”
E pastaj, filloi me shprehjet e veta, ironike dhe qesëndisëse:”Jo vetëm që është pranverë,por tani mbi dyzet vjeç, fillojnë të na zënë ndryshk këmbët”e qeshi, duke na përfshire dhe ne, në atë gurgullimë të qeshure.
“Natyra, ecja në natyrë është lindje”- foli sikur mbante fjalim ajo, e ne bëmë sikur e duartrokitëm.
“U tha u bë”- ndërhyri Alma.
“Tani është pranverë, dhe ta kërkon edhe shpirti të marrësh aromë lulesh në sy,e në trup”- vazhdoi Alma që ne e quanim “romantikja”, për shkak se fliste gjithmonë me simbole e metafora në bisedat me ne.
Të dyja panë nga unë.
“Ç’më shihni” – u thashë, “Unë, jam me ju, nuk ka pse më merrni leje e t’më hidhni vështrime” vazhdova, me duart kryqëzuar duke ndjekur gjithë bisedën e dialogjet e këndshëm.
Vendosëm duart mbi njëra tjetrën duke formuar një “kala”, zakon ky, mbetur që nga gjimnazi.
Filluan ditët tona të reja…
Pasi ktheheshim nga puna,niseshim të tria veshur sportive, dhe ecjet tona nga kodrat e qytetit ishin vërtet argëtuese dhe sirilindje për ne. Shpesh uleshim e pushonim pak në stolat ngulur në kodrat e blerta që rrethonin qytetin si kurorë.
Në këtë stinë, ato mbusheshin plot me njerëz.Ne lëshonim batuta pa fund, merrnim ndonjë kafé në barin me xhama të artë që ish ndërtuar atë vit.
S’ishin prej ari vërtet, por ne na pëlqente ta quanin ashtu sic i cilesova unë, sepse xhamat vërtet ishin shumë të bukur.
Pranverën e verën pothuajse si ndjemë fare.Ndiheshim më të gjalla e aktive.
Ne verë, u shkëputem një muaj në gusht, për arsye se vajtëm në det me familjet.
Në shtator u mblodhëm përsëri dhe vijuam ecjet tona të shoqëruara me të qeshura, shaka, e batuta.
Uleshim pak në “stolin tonë”,e ndonjëherë në kafé, dhe rituali ynë vazhdonte i njëjtë dhe i këndshëm ,derisa pamë atë burrin ulur në stolin afër me tonin, me një bllok ngjyrë të kuqërremtë,që diç shkruante.
“Paska akoma të tillë, që shkruajnë nëpër blloqe!?”- tha gati me zë të lartë Vlora.”Mendoja se tani, të gjithë shkruajnë në kompjutër”- vazhdoi ajo.
“Sa bukur duhet të jetë”- thashë unë, dhe ato të dyja kthyen kokat në drejtimin tim, e qeshën fort, aq sa burri ktheu kokën nga ne.
Unë flisja më rralle se ato, nuk isha aq impulsive, por kur thoja diçka do të thoshte që vërtet më kish tërhequr vëmendjen, e kish lënë gjurmë tek unë.
Burrin e shihnim çdo ditë, ulur në stolin bri tonit, duke shkruar nën një ritëm e përqëndrim të bukur.E gjinim aty edhe në kthim, e po aty e linim.
“Ku ishe në pranvere o njeri?!”- filloi të recitonte më zë të lartë Alma duke iu drejtuar burrit në stol, por kuptohet që së largu. Përshëndeteshim me të pa të keq, sepse dukej shumë miqësor e i paqtë.
“Çfarë shkruan aty?”- e pyeti Vlora një ditë.
“Çdo gjë që mund të shkruhet”- tha ai.Kryesisht shkruaj në shtëpi, por vjeshtën dua ta marr në çdo ind, dua ta prek, ta shoh, ja, sic ju shoh juve kaq të bukura.
Zëri i tij, kish një timbër aq të butë, të avashtë dhe të këndshëm, sa të vinte të mbështesje kokën në atë melodi…
Ne qeshëm, ndërsa ai vuri lehtaz buzën në gaz, e uli përsëri kokën.
Nuk di se si, por Alma tha një ditë :”Ja “burri i vjeshtës” edhe sot qenka po aty, ndonse veson shi… “
Përshëndeteshim çdo ditë, i ngrinim dorën së largu edhe kur nuk uleshim në stol.
Ai ngrinte kokën, na shihte,duke na hedhur vështrime “bajame” si ngjyra e syve të tij.
Një vështrim i butë që të krijonte admirim e simpati.
Dukej sikur ne dhe burri, ishim më “stoikët” ndonse ditët kishin nisur të ftoheshin.
“Kushedi kë ka marre sot si personazh nga ne të trija,”- thoshte duke qeshur Vlora.
Nuk e pyetëm kurrë as për emrin, as çfarë librash kish botuar. Na mjaftonte aq: “Burri i vjeshtës”, të cilin e simpatizonim të tria.
Ditët u ftohën dhe ne futeshim shpesh në barin xham-artë, ndërsa ai, rrinte po në stol me bllokun e kuqërremtë.
Një ditë, një ditë e pamë me një grua në kafé duke biseduar e qeshur.
“Me në fund”- tha Alma.
Te gjitha kthyem kokat në drejtimin ku ajo vështronte, dhe pamë “burrin e vjeshtës” të përqëndruar në bisedë me një grua.
Nuk u futëm në kafé, por Vlorës nuk iu durua pa e përshëndetur me një ngritje të lehtë të dorës.
Ai na përfshiu të triave në buzëqeshjen e tij shpirtmirë e të butë si vjeshta, dhe të njëjtën përgjigje mori edhe nga ne.
Ngriti edhe ai dorën e na përshëndeti.
Unë veç e vështrova me një buzëqeshje të lehtë, e zhytur në mendime të çastit.
Gruaja që ish me të, na pa me një vështrim të shpërndarë, që nuk shprehte asgjë.
“Ndoshta tani ai shkruan në sytë dhe vështrimet e saj” – mendova.
Nga njëra anë, më erdhi mirë që ai kishte një grua në krah, e cila e bënte edhe të qeshte, por… nuk di pse …
…dukej, sikur i mungonte blloku i tij ngjyrë kuqërremtë si vjeshta…
Ndërsa ne, ne do na mungonte vështrimi i tij ngjyrë bajame…

CIKËL POEZISH NGA SEJDI BERISHA:


BIRO, TASH ËSHTË VJESHTË...!

Tash është vjeshtë
Duhet përgatitur për gjumë të rehatshëm
Apo për ëndrra të trishta
Vjeshtë është tash
Babai thoshte duhet mbledhur bereqetin
Edhe drutë e dimrit për t’i siguruar
Por edhe një grimë mish pastërme
Për fëmijë e darkë mysafirësh

Tash është vjeshtë
E vërtetë është
Por tjetër vjeshtë më thonë
Atëherë s’ka gjumë
Por vetëm shikim kah shikllat e tavanit
Ka ëndrra që asnjërën s’di ta shpjegosh
As në kafenë e mëngjesit

Tash është vjeshtë, biro...
Kështu më thoshte babai im flokëthinjur
E, unë qysh atëherë
E kapja meselenë e babait
Këtij mjeshtri të stinëve
Por që tash kanë kapërcyer decenie
E stinët e shekujve imponuar m’i kanë
Biro,...
Tash është vjeshtë
E shirat mund të vërshojnë
Kurse prrojet bjeshkët i gërryejnë
Mund të bjerë edhe borë

M’u duk se isha ulur
Në cung të druve duke medituar
E, sërish babai më thotë
Nuk është mirë të ulësh në cung
Ku prehen e shkurtohen drutë...

Biro
Tash është vjeshtë
Sëpata mund të rrëshqasë
E nuk i dihet tehut të saj

Haj medet
Po kujt ia drejtoj këto vargje të rënda
Ndoshta vetvetes
Se më të vërtetë
Tash është vjeshtë
Edhe unë i thash birit tim...


KALO MBI TRUPIN TIM

Nëse do digjesh si kalorës kohe
Me damarët e gjakut tënd
Kalo mbi trupin tim

Nëse do për ta mos kënduar
Këtë serenatë dashurie
Merre trupin tim
E unë rrjedhën tënde të gjakut
Atëherë
Do shtohet edhe një tjetër planet
Dhe vuajtja
Në kështjellë bukurie do shndërrohet
Ndoshta,  ia vlen aty për të jetuar


NË VIGUN E LUMIT TË FSHATIT

Atëbotë kur kaloja
Nëpër vigun e lumit të fshatit
Poshtë shikoja rrjedhën e kthjellët të ujit
Gurgullima ma kujtonte flladin dhe freskinë
Dhe ikja në anën tjetër të lumit
Duke e përbuzur shokun e lagjes
Që e kishte ëndërr kalimin mbi vig
Tash, një ditë
Se kur, nuk e di as vetë
Ktheva tek vigu i lumit
Të cilin dikur
Si rrugë dhish e kisha bërë
Aty s’kishte ngelur gjë
Vetëm një trup gështenje i kalbur kohësh
Edhe tash si atëherë
Në vetvete dhembshëm e digjte historinë
Uji i kthjellët brenda kujtesës
Me atë gurgullimën
Me flladin brigjeve shpërndarë
Damarët e jetës m’i freskonte
S’kishte ngelur gjë
Pos gurëve të lumit
Dhe hedhurina kohe

Nga hidhërimi
Fryma thekshëm më iku
Thellë në zgurë
Zemra më theri
Sërish nxora frymën nga vetvetja
Shpejtë e shpejtë
Ktheva në vend vigun e dikurshëm
Kalova nëpër te
Mbi lumin me ujin e kthjellët
Duke e përqafuar gurgullimën e tij
Por, trupi gështenje
I tretur nga ecja
Sikur më doli përpara e më tha:
Atëherë vig kam qenë
Mbi trupin tim
Si shumë të tjerë ke kaluar
Dhe po atë moment
Si të mos kishte qenë
Ra si lis kohe i shkapërderdhur
Shikova përreth
Sa regji të mirë kisha bërë
Dikush m’i nxori lotët e kohës
Të përmallimit apo të hidhërimit

Ku ta di...

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...