Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/12/20

Engjell Koliqi:Miku i madh i shqiptarëve,Rugova art,Prishtinë,2013.


Engjëll Koliqi , është lindur më 10 nëntor të vitit 1956 në Stubëll të Karadakut (Kosovë), aty ku është vatra e parë e Shkollës Shqipe në Kosovë, për të cilën edhe ka hulumtuar , studjuar e shkruar,shkrimtari dhe humanisti Profesor Engjëll Koliqi.



Shkollen fillore e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme (gjimnazin shkencor-matematikor) e ka filuar në Viti, e ka vazhduar në Ferizaj dhe e ka mbaruar në Viti. Ka frekuentuar Fakultetin Universitar të Shkencave të Edukimit dhe është diplomuar në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, ku ka fituar titullin akademik – profesor i pedagogjisë. Plot tetë vjet ka dhënë mësim në shkollën fillore në vendlindjen e tij (Stubëll) e një vit shkollor ka qenë asistent–edukator edhe në Itali – në kolegjin e famullisë në Firmozë (Acquaformosa) të Kozencës, në Kalabri.

Nga regjimi pushtues-diktatorial i Beogradit, është dënuar për motive politike (vetëm për fjalë), me një vit burg (1978/1979), por pas nëntë muajsh është liruar. I kualifikuar nga regjimi pushtues, si person i rrezikshëm kundër “sistemit socialist jugosllav”, i është hequr e drejta e mësimdhënies në shkollë, për plot gjashtë vjet (1978 – 1984).




I lodhur nga presionet permanente të atij regjimi, në mars të vitit 1990 ka qenë i detyruar të emigrojë në Itali, ku jeton ende dhe zhvillon veprimtari gazetarie, duke punuar për Radio Vatikanin, për Radiotelevizionin Shqiptar të Tiranës, për Radiotelevizionin e Maqedonisë të Shkupit, për Radiotelevizionin e Kosovës të Prishtinës dhe për radiotelevizione të ndryshme private në gjuhën shqipe. Ka shkruar për të përditshmet kosovare “Rilindja”, “Bujku”, “Bota Sot”, “Lajm ekskluzive”, “Pavarësia-news” dhe të tjera. Ka bashkëpunuar për vite të tëra e bashkëpunon edhe më me gazeta shqipe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë (Koha Jonë, Panorama, Rilindja Demokratike, Gazeta 55, etj). Nëpër revistat shqiptare, enekënd trojeve etnike dhe në diasporë ka botuar qindëra poezi në gjuhën amtare.




Gjatë luftës së Kosovë, ishte gjithnjë në radhët e para, në ndihmë popullit të vet, nga Italia. Gati çdo ditë ishte i pranishëm në studiot televizive të RAI-t dhe të MEDIASET-it, sikurse edhe duke folur përmes mikrofonëve të shumë radiostacioneve e duke shkruar në gazetat italiane: “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, “Il Mattino”, “La Stampa”... duke njohur dhe sensibilizuar kështu opinionin italian me të vërtetën për Kosovën dhe për popullin e tij. Mbas luftës në Kosovë, afër dy vjet ka punuar në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionet), në Romë – në projektet për Kosovën dhe Shqipërinë.
Në vitin 2002 është transferuar nga Roma në Lecco, ku jeton me familjen e tij. Në vitet e fundit ka filluar të shkruajë edhe italisht dhe bashkëpunon me revista të ndryshme kushtuar poezisë.




Ka marrë pjesë në dy konkurse letrare (në Livorno dhe në Kozencë) dhe poezitë e tij janë kualifikuar në finale. Në Konkursin e Dytë Ndërkombëtar “Autorët për Europën 2005” të shtëpisë botuese “IBISKOS di A. Ulivieri”, nga 156 pjesëmarrës është kualifikuar në mesin e 20 finalistëve. “Shekulli im quhet dashuri” është libri i tij i parë italisht dhe e sheh dritën e botimit si finalist. Është pjesëmarrës në disa antologji poetike, të botuara në Tiranë dhe në Bukuresht.

Merret shumë edhe me organizimin e diasporës shqiptare në Itali. Gjatë këtij viti, kryesisht po vepron në Brazil, ku ka lobuar për Kosovën, deri te kreu i federatës - Presidenti i Brazilit - Lula. Ka hapur dyert e bashkëpunimit në shumë fusha të jetës, në mes Brazilit dhe Kosovës. Në Brazil tashmë është i njohur dhe shumë i kërkuar si shkrimtar e gazetar me një vizion të mrekullueshëm, që parasheh dhe këmbëngul ta realizojë ndryshumin e botës me dashuri!

Engjëll Koliqi ka ndlrmarrur një hap shumë të guximshëm patriotik - historik: Ai mbas afër 23 vitesh ka lënë përfundimisht mërgimin dhe është kthyer në vendlindjen e tij, në Stubëll të Karadakut (komuna e Vitisdë në Kosovë), ku që nga gjysma e janarit po ushtron detyrën e mësuesit, aty ku e ka lënë në mars 1990 (mësuesi i vjetër na është bërë mësues i ri).

Profesor Engjell Koliqi deri më tani ka botuar këta libra: 

1. Il mio secolo si chiama amore (poezi italisht), IBISKOS, Empoli 2005 

2. Sentimento de luz (Ndjenjë drite) (poezi portugisht), PROTEXTO, Curitiba / Brazil 2007
 3. Sentimento di luce (Ndjenjë drite) (poezi italisht), BOOPEN, Napoli 2008 

4. Madre Teresa - um amor sem limites (Nënë Tereza - një dashuri e pakufishme), O LUTADOR, Belo Horizonte - Brazil, 2008 

5. Să schimbăm lumea cu iubire (Ta ndërrojmë botën me dashuri) (poezi rumanisht), BOTIMET E REVISTËS ALBANEZUL, Bukuresht, 2009 

6. Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell (Nënë Terezës), RUGOVA ART Prishtinë, 2010 
7. Trokitje të heshtura (poezi), GLOBUS R, Tiranë, 2010

 8. La stella di Dardania irradia terra e cielo (alla Madre Teresa), TRISAURO dhe ADMINISTRATA E KOMUNËS SË STRIGARIT (vendlindja e Serembes) Kalabri, 2010 

9. Dr Ibrahim Rugova - arkitekt i Dardanisë së Re - Republika e Kosovës, RUGOVA ART Prishtinë, 2011 .
10.Për një jetë më të mirë (ese, reportazhe dhe...), BOTIMET ADA Tiranë, 2011

 11.Nën kurorën e lisit plak (poezi), RUGOVA ART Prishtinë, 2011 

12.Njëqind lule për Nënën (vëllim poetik kushtuar Shqipërisë, në 100 Vjetorin e Pavarësisë), BOTIMET VLLAMASI Tiranë, 2012

13.Miku i madh i shqiptarëve,Rugova art,Prishtinë,2013.

Engjëll Koliqi ka edhe disa libra në dorëshkrim dhe vazhdimisht po mbledh shkrimet e tij nëpër vite, për t'i mbarështruar në libra të rinj. Së shpejti do të dalë me romanin e parë, me shkrepëtima humoristiko-satirike, por edhe me botime shkencore, sidomos nga historia e arsimit shqip. Shkruan edhe për fëmijë.

(Floripress)

Miku i madh i shqiptarëve

Nga Visar Zhiti


Në Akademinë e Shkencave në Tiranë u përurua libri “Miku i madh i shqiptarëve” kushtuar jetës dhe veprës së Papa Gjon Palit II, me autor Engjëll Koliqin, organizuar nga Fondacioni “Imazh & Media”. Po botojmë fjalën e shkrimtarit Visar Zhiti.




Një vepër e mirëpritur dhe me vlera, e duhur dhe me rëndësi, shpalosëse dhe përmbledhëse njëkohësisht, një jetë dhe një vegim, një arritje e madhe botërore dhe një pasqyrë për të – kështu do të doja të thoshim për librin e ri “Miku i madh i shqiptarëve” të studiuesit dhe krijuesit Engjëll Koliqi. Personazhi i tij, Papa Gjon Pali II, Karol Vojtila, është një nga personalitetet më të mëdhenj të kohërave, që bashkë me heronj të tjerë, i dhanë fytyrë tjetër shekullit XX, atë që dëshirohej, për të qënë nga ana e duhur e historisë, nga liritë dhe të drejtat e kombeve dhe njerëzve, nga morali kolektiv dhe mirësitë mbarënjerëzore, nga kujtesa gjenerale me vizione të së ardhmes, kundër dhunës dhe tiranive të ngritura në sistem, kundër mureve që ndajnë njerëzit midis tyre dhe njeriun me Zotin, duke u ngritur kështu në lartësitë e shenjtërisë. Është një punë e madhe, e hatashme, më përkushtim e mënçuri, që pa luftë dhe lumenj gjaku të rrëzoje perandorinë komuniste, e cila erdhi me revolucione të tmerrshme dhe shtua me luftë botërore. Në këtë bëmë të dëshurar nga popujt, për të cilën u sakrifikua shumë, është dhe dora e shenjtë e Papa Gjon Palit II.

Papa Vojtila e nisi duke na dhënë porosinë: “Mos kini frikë!”, e hodhi këtë thirrje në atdheun e tij, kur bënte pjesë në gjysmën e botës të shteteve të nënshtruar nën socializmin real ose “perandorisë të së keqes”, ndërsa kur ajo ra, patjetër dhe me ndihmesën e tij hyjnore, po ky Papë do të na porosiste përsëri: “Nuk e duam një demokraci pa virtyte”. Njeriu duhet të jetë njerëzor, prandaj është lindur dhe shoqëria duhet të jetë njerëzore, prandaj jemi bashkë. Libri “Miku i madh i shqiptarëve” është, po aq sa biografik, edhe rrëfim i bëmave dhe i arritjeve, i sakrificave dhe i urtësisë sublime, kronikë dhe kronologji e jetës së Papa Vojtilës, i udhëtimeve brenda dhe jashtë vetes, me frymën e Tij pannjerëzore dhe të perëndishme, i një dashurie aktive, në veprim.

Autori gjithsesi është përqëndruar dhe në hulumtimin e asaj ane aq të rëndësishme për ne, në lidhjet e Papa Vojtilës me popullin shqiptar, marrëdhëniet me shtetin e tyre dhe me atë që do të shpallej si shteti më i ri në botë, të dyja të një kombi, pra me Shqipërinë dhe Kosovën, me krerët e shquar e të përbashkët, së pari me Nënë Terezën, me të cilën ka bashkëpunuar, ia dha mundësitë, pasi ia kuptoi flatrat, që më pas do ta lumturonte po vetë.

Po kështu autori na ritregon për vizitën historike të Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II në Tiranë dhe Shkodër, rënien e Tij më gjunjë dhe puthjen e tokës tonë sapo zbriti nga qielli, ishte e fundmja rënie më gjunjë e Papa Vojtilës mbi tokë, pritjen madhështore, takimet me njerëzit, besimtarët, me Presidentin Berisha, vlerësimet që i bën Shenjtëria e Tij kishës shqiptare, martirizimit të saj, për besimin që ngjall, po kështu dhe takimet me Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, lutjet për një Kosovë të lirë, takimet me shërbesarë, por dhe me ata të Radio-Vatikanit, seksioni shqip, që në ditët më të vështira, morëm prej tyre shpresë fshehurazi, teksa denonconin të keqen e deri dhe tek dhuratat që Dom Lush Gjergji i ka dhënë Papës, “Mesharin” tonë apo librin e tij për Nënë Terezën në gjuhën polake.

Polonia është vendi i Vojtilës dhe libri që po përurojmë tani na shtjellon nga fëminia e tij atje, në atë vend heroik e me kulturë, nga rinia, kur e nisi si poet, aktor, teksa zbuloi brenda vetes dhe filozofin e shkencëtarin, të cilat s’duhet të jenë e nuk janë në kundërshtim me njeriun e fesë, e deri tek thirrja: Habemus Papa! (Kemi Papë!)

Habemus shpresë, besim, kemi përvojën e të kaluarërs dhe vizionet e së ardhmes, kemi ëndrrën dhe botën, kemi vdekjen dhe lindjen dhe rilindjen e shenjtë, kemi veten të shumëzuar në miliarda e miliarda të tjerë.
Kulme dhe kumte kuptimplotë e të gjithkohshëm gjejmë në këtë libër, ndër të tjera në vijim dua të kujtoj vajtjen e Papa Vojtila në qelinë e atentatorit, të vrasésit të tij, Ali Alça. Me dorën që tërhoqi këmbëzën e revolverit, ai i rrëmben dorën Papës dhe ia puth fort si një ndjesë e pendim i thellë, mësim për mijëra e mijéra duar që kanë tërhequr me gishtin si kthetér këmbëzën e armëve në plotonet e pushkatimeve të llahtarshme dhe të atyre që kanë përdorur armë té padukshme në pushkatime të padukshme ideologjike, kulturore, në vrasjet e përditëshme, gjithnjë e nga pak, deri sa sollën rrënim shpirtëror dhe mendor. Por njeriu është caktuar të ngrihet dhe të triumfojë.

Bashkë. Me tjetrin. Ta kuptojmë dhe ta duam. Në diversitet dhe tolerancë, e gjitha si pasuri e përbashkët përvojash e vlerash të gjithmonta. Ja, në libër, mes fotove të shumta, Papa Vojtila me Kur’anin në dorë, duke e puthur Librin e Shenjtë, gjest emocionues e domethënës, aq kollaj i kuptueshëm për shqiptarët, të shquar për bashkëjetesën ndërfetare.

Dhe ky Papë, që kur Shqipëria ishte nën diktaturë, në bregun përballë lutej për të me lot në sy. Eshtë fakt se shqiptarët kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre anën e duhur të historisë, pavarësisht se pësimet kanë qënë të rënda dhe ndëshkuese, por që meritojnë gjithsesi shpërblim.
Pra me të drejtë monografia e parë për Papa Gjon Palit II, e shkruar nga një shqiptar, titullohet “Miku i madh i shqiptarëve”, siç u cilësua nga pritësit e tij në Shqipëri. Dhe është rastësi e bukur, nëse mund ta quajmë kështu, që autori i librit ka emrin ungjillor Engjëll dhe mbiemrin Koliqi, si të kardinalit të parë shqiptar, që kaloi një kalvar të tmerrshëm nëpër burgjet e komunizmit, por që nga ky Papë u përzgjodh dhe shelbua.

Libri ndërkaq është dhe një homazh i përbashkët i shqiptarëve, mirënjohje dhe vlerësim për një mik të madh e të përbotshëm, nderim ndaj së mirës, që duke dalë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e bën dhe më të vyer duke i dhënë dhe simbolikë të dyfishtë. Libri ka vlera të qëndrueshme dhe shërben për informacionin, datat, bëmat e një jete të madhe të një njeriu të madh dhe për kumtet dhe porositë që përçon, për falje dhe kujtesë, për mirëkuptim dhe ringritje, për paqe dhe një jetë me kuptim dhe me besim, me virtyte njerézore e të perëndishme.

Pavarësia, identiteti ashtu si liria, mëçuria dhe mirësitë kuptohen dhe mbrohen nga njerëz të pavarur, të lirë, të mënçur dhe të mirë dhe me identitet dhe njerëzit e tillë u përkasin popujve të tillë. Çdo popull është njeri, çdo njeri është popull.


----------------------
Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve: reflektim i Don Lush GJERGJI



Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve, Rugova Art – DRITA, Prishtinë, 2013, fq. 261


Ky studim dhe botim i mirëfillët ndriçon jetën dhe veprën e madhe të të Lumit Papës Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij meshtarak, ipeshkvit ndihmës në Krakovë, pjesëmarrësit në Koncilin e Dytë të Vatikanit, emërimit kardinal, zgjidhjes së tij të papritshme në Selinë e Shën Pjetrit. Sidomos theksohet dhe paraqitet me porosi dhe fotografi dërgimi i tij apostolik gjatë pontifikatit vërtet unik në historinë e Kishës katolike, mirëkuptimi dhe përkrahja e gjithanshme ndaj popullit shqiptar, si dhe ndaj shumë popujve të ndrydhur dhe të shtypur.
Jeta dhe vepra e tij është aq e madhe dhe domethënëse, sa që vështirë mund të gjejmë ndonjë emërtim të thjeshtë dhe të përbashkët për ta vlerësuar dhe cilësuar atë. Pendat më të ngritura, regjisorët dhe kamermanët e afirmuar dhe të spikatur, gazetarët, publicistët, krijuesitë e profileve të ndryshëm në Papën Gjon Pali II kanë pasur një Protagonist të shkëlqyeshëm për frymëzim, një figurë të madhe për zbërthim, një shembull të prekshëm për modelimin e njeriut dhe njerëzimit të ri.
Edhe Engjëll Koliqi i bashkangjitet kësaj “aradhe”, dhe disi dëshiron ta lajë borxhin e madh të Shqiptarëve, siç e quan ai ndaj “Miku i madh i Shqiptarëve”, për kujdesin e tij atëror, guximin e tij të profetik dhe biblik për ta luftuar komunizmin dhe ateizmin, për afërsinë dhe ngrohtësinë e tij gjatë Kalvarit tonë në Shqipëri dhe në Kosovë, për shpresëdhënie ndaj së ardhmes më të mirë për ne dhe për mbarë njerëzimin.
Të gjitha këto verpimtari të llojllojshme kanë një emërtim të përbashkët, një vlerësim të përputhur, një shqyrtim të gërshetuar dhe të njësuar: Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, verpimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin.
Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog. Opusi i tij është tejet i madh dhe shumë i begatshëm, me plotë shqyrtime dhe studime të gjithanshme.
Për ne Shqiptarët Gjon Pali II ishte dhe do të mbesë mik, dashamir, përkrahës mbrojtës dhe prijës i pathyeshëm para qarqeve botërore.
T’ i përkujtojmë vetëm di sa lidhje të ngushta të tija me ne:
“Unë pas popullit tim polak më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuajtur tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhuruar Nënën Tereze” (2 shkurt 1981).
Në shumë fjalime, udhëtime, meshë gati gjithmonë e pati në gojë dhe në zemër popollin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar fenë, shpresën dhe dashurinë, historinë, traditën, kulturën, lashtësinë tonë, qendresën shumshekullore dhe martirizimin me theksime mjaft të qëlluar dhe shumë pozitive.
“S’ mund të mbytet njeriu që e ka fenë e gjallë… Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu… Përjetoj përzemërsisht dhe vëllazërisht këto vuajtje të mëdha me vëllazërit dhe motrat shqiuptare” (27 prill 1986).
Apo: “E njoh historinë tuaj, shpeshherë të shkruar me gjak. E di se me arsye mbaheni krenarë për ligjet dhe traditat tuaja bujare…” (6 maj 1988).
Një kapitull shumë i veçantë për Papën Gjon Pali II ishte Kosova jonë, sfidat, rreziqet, dhuna që pësuam. Si babë dhe bari i mirë pothuaj në çdo qast dhe rast foli, shkrojti, protestoi, apeloi, lutej për mbrojtjen e popullit të pambrojtur dhe të pafajshëm, për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar duke i cilësuar ngjarjet tona kështu:
“Krishti është përbuzur dhe refuzuar në ata të share dhe të vrarë në luftën e Kosovës…” (29 mars 1999); “Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë të ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” (4 prill 1999).
Me një fjalë pa të Lumen Nënën tonë Tereze (1910-1997) dhe Papën Gjon Pali II s’ mund të kuptohet dhe të shpjegohe gjendja e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, internacionalizimi i çështjes sonë si sfidë dhe si sprovë e ndërgjegjes njerëzore.
Papa Gjon Pali II e cilësoi Nënën Terze si përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore.
“Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…Grua sa të vogël me shtat, aq të madhe me vepra…që sjell dhe ruan brenda vetes hirin e bujarisë së papërmbajtur të zemrës shqiptare…(25 prill 1993).
Në lumturimin e saj ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes…” (19 tetor 2003).
Këtë miqësi, dashuri dhe përkrahje ndaj popullit shqiptar Gjon Pali II e ka shprehur në çdo vend dhe kend të botës, sidomos gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, në emërimin e kardinal Mikel Koliqit (26 nëntor 1994), gjatë trazirave në Shqipëri (1997), gjatë Kalvarit të gjatë të Kosovës (1981-1999), në përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze.
Në këto lidhje të ngushta, të përzemërta dhe miqësore mes Papës Gjon Pali II dhe popullit shqiptar, rol të rëndësishëm paten edhe dy prelatët e lartë tonë, Imzot Nikë PRELA (1918-1996) dhe Imzot Mark SOPI (1938-2006), që fatbardhësisht vazhdon edhe me pasardhësin e tij, Papën Benediktin XVI, tani me Papën Françeskun.
Papa Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prela paten takime të shpeshta dhe të përzemërta, bisedime të frytshme për Kosovën dhe për Kishën tonë. Imzot Nikë Prela vazhdimisht e ka informuar Papën gojarisht dhe me shkrim mbi gjendjen tonë, si dhe të gjitha institucionet tjera kishtare dhe shetetërore të Evropës dhe të botës.
Po e përkujtoj vetëm takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, kur Papa dukshëm i emocionuar para Ipeshjvit në karrocë, para të gjithëve me ofshamë goje dhe zemre klithi: “Kosova plaga dhe shpresa jonë!”.
Gjon Pali II fill pas luftës në Kosovë (1999), e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar pa dalime gjatë Luftës 1998-1999.
Imzot Mark Sopi kështu e vlerësoi Gjon Palin e II: “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”.
Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosvës dr. Ibrahim RUGOVA )1944-2006).
Papa çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, dr. Ibrahim Rugovën.
Ja vetëm disa hollësi:
Pas takimit të dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ai ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…”(27 qershor 1991).
Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot Nikë Prelën ndër të tjera tha:
“Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereze me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993).
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe një herë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës, Kosovës dhe Vatikanit.
Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar Papa Gjon Pali II ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkrojti një faqe të ndritshme të historisë sonë.
Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova, lindin rallë dhe nuk vdesin kurrë. Kjo është histori, fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne.
Falënderoj përzemërsisht Engjëll Koliqin për punë dhe studim në këtë monografi, që është edhe si “meze” për shpalljen Shenjt të të Lumit Papës Gjon Palit II së bashku me të Lumin Papën Gjoni 23, vitin e ardhshëm, më 27 prill 2014. Ky botim është shkruar me shumë përkushtim, flijim, frymëzim, falënderim dhe dashuri. Shpresoj dhe uroj që të pranohet dhe lexohet me të njëjtat ndjenja.

Don Lush GJERGJI





Dashuria dhe respekti që gëzjonë ndër shqiptarë Nënëmadhja Nëna Terezë dhe ish presidenti amerikan Bill Klinton


Klinton me Nene Terezen




“Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që e plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, kishte deklaruar Bill Klinton pas ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës. Postimi i kësaj deklarate me rastin e 10 vjetorit të Lumnimit të Nënës Terezë, pati një shikim të jashtëzakonshëm në portalin FLORPRESS duke arritur në vetëm një publikim 239.896 shikime, 199.028 pëlqime (like), 6.473 shpërndarje dhe mbi 370 komente. Një rekord thuaja i paarritshëm, për nga shikimet dhe pëlqyeshmëria. Ndërsa, në një postim të dytë, vetëm për një orë, gjatë ditës së premte  mori mbi 24.012 shikime, dhe mbi 998 pëlqime (like), ndërsa kjo lloj ‘gare’ vazhdon, njëkohësisht dëshmon, dashurinë dhe respektin që gëzon ndër shqiptarë “Nëna Terezë” dhe ish presidenti amerikan Bill Klinton.

35 VJET NGA NJË DITË E “PARACAKTUEME”...

Nga Fritz RADOVANI:

Polonia, statujë gjigante për Gjon Palin II

Nder ngjarjet ma të shenueme të Epokës 2000 vjeçare të Kishës Katolike Botnore, asht data 16 Tetor 1978, atë ditë, kur Karol Wojtila i Polonisë komuniste zgjidhet Papë. Diten që u shpall zgjedhja e Tij si Papë per gjithë Boten u krijue një mendim nder të gjithë besimtarët katolik: “U lindi një shpresë”...ndoshta, nga dëshira e ndrydhun!
Mbas vitit 1963 që na dukej aq larg kur e mendojshim... Portreti i polakut Wojtila, sikur shpjegonte dishka të mëshefun mbrenda një fisnikije të paster. Të gjithë pa pikë dyshimi besonin në një forcë shpirtnore që buronte nga Atdhetarizmi polak i njohun dhe i perforcuem në dy betejat e pergjakshme të Luftës së Dytë Botnore, e ndoshta, krejt i pa provuem në Europë, perballë dy diktatorëve të asaj luftë: Hitler e Stalin. Madhështia e një Burri si Ai, ishte e lidhun me forcen shpirtnore dhe kuptohej vetem në përzemërsinë që shperthente kur bahej fjalë per persekucionin dhe shtypjen e të drejtave të njeriut.
Papa Gjon Pali II dukej si një vullkan kur fliste per Lirinë e Popujve të robnuem dhe, nuk mund të permbahej dhimbja shpirtnore e Tij kur fliste per Lirinë e Fesë. Ishte perballë Selisë së Tij në Vatikan, shemtimi ma i madh i Shekullit XX, Shqipnia ateiste e dhunueme nga komunistët sllavo – otoman ku, masakrohej çdo Njeri që beson në Zotin!



E, a mund ta pranonte këte Gjenocid në Atdheun e Gjergj Kastriotit një Polak?!
E, a mujte me heshtë një Papë, kur Zemra e Nanë Terezës pikonte gjak?!
E, a mujte një Papë, me pa Popullin e Ibrahim Rrugovës, në fund të shek. XX, tue e dëbue nga Trojet e veta një barbar komunist sllav?!


Një portret i një Pape që tregonte mendimin e thellë e të përqendruem tek sa e sa viktima të komunizmit dhe terrorizmit skllavnues, i cili, vetem me sy na jepte forcë!
Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II, vizitoi në Jug të Italisë Otranton, e atje tha:
“Unë nuk rrij pa sjellë sytë nga Kisha Katolike heroike në Shqipni, e permbysun nga persekutimi i eger dhe i gjatë, por e pasunueme me dashuninë e Martirëve të Saj...” Atëherë nuk na besohej se një Papë Polak dinte aq shumë per vuejtjet tona...

Kur Papa vizitoi qytetin e Barit në vitin 1984, Ai persëriti edhe njëherë: “Mendja më shkon nga ky qytet, tek vllaznit e motrat e Shqipnisë, të cilët nuk mund të shfaqin haptas besimin e tyne fetar, një e drejtë themelore e kenjeve njerzore. Po ju këshilloj në lutjet tua të perbashkëta, se due ti siguroj këta vllazen që janë kaq të lodhun, se ata kanë një vend të veçantë në zemren time dhe ia Besoj per mbrojtje Zojës sonë!”


Në muejn Prill 1986, Papa vizitoi komunitetit katolik Shqiptar në Romë, dhe i tha fratit Shqiptar At Daniel Gjeçaj OFM., këto fjalë të paharrueshme: “Çdo ditë, sidomos gjatë sakrificës eukaristike, unë perpiqem të jetoj martirizimin tuej, të besimtarëve tuej, të vllazenve dhe motrave tona në Shqipni. Unë lutem çdo ditë per t’ ardhmen tuej, per të gjithë besimtarët e besimeve të ndryshme dhe per Kishen në Shqipni, e cila në dukje, asht zhdukë...Unë e baj këte tue qendrue para Botës, sepse Bota duhet ta kuptojnë këte vuejtje, duhet ta kuptojnë këte padrejtësi!”



Dhe, pikrisht me 25 Prill 1993, plot 20 vjet perpara Papa Gjon Pali II puthi edhe Token Shqiptare, Até Tokë të lame me Gjak Martirësh, per të cilen Ai lutej çdo ditë!
Ai vinte nga një Aushvic... në një Tiranë tiranësh, ku vrasjet e besimtarëve të Tij ishin anë e kand një cope tokë, jo ma e madhe se 28.000 km. katror...e ku, nen çdo pllambë Tokë...ishte një Klerik Katolik Shqiptar i masakruem...Pa Kryq tek koka!


Shqipnia mbas vitit 1968, nuk kishte asnjë Kishë Katolike të padhunueme...
Ai vinte në Shkodër, mu në qendren e Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht aty ku, edhe vetë Europa nuk dinte (ose bante sikur nuk dinte) per çka kishte ngja! Ai vertetë vinte nga një Poloni e robnueme, po në dorë kishte “çelsat” e një Kështjelle ma të dhunuemen në Ballkan me emnin “Rozafat”, ku pikrisht,... brijë sajë, mbi rrenojat e barbarëve të vitit 1967, Ai vuni me duert’ e Tij një Gurë...
Gurë që nuk do të tundet ma kurrë!..


Ishte porosi e Palit që në vitin 68 mbas Krishtit...
Atij Pali, paraardhës i Gjon Pali II..! Ky ishte polak... po ishte edhe yni!
Po, Po, i Shqiptarëve të Gjergjit... Bash Atij Prijsit Shqipeve që mbrojti Europen!
E para shtatores së Tij prej bronxi na la këte porosi:
“Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...
Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit... Europa duhet ta dijë...



Shqiptarë, Mos kini frikë!..”
***



35 vjet u banë që u zgjodh Papa Gjon Pali II...Me daten 16 Tetor 2013 !
Askush nuk mund të parashikonte se 20 vjet maparë, Ky Njeri i Madh që me thirrjen e Tij “Mos kini frikë!”... do të shemte komunizmin barbar të Shek. XX, dhe në vitin 1993...do të zbatonte dëshiren e vjeter të Papëve të Romës, me vizitue Shqipninë.
Tashti nuk ishte vetem Shqipnia e Gjergj Kastriotit po, edhe e Nanë Terezës...
Né që e kemi pa me sy në Katedralen e Shkodres, kemi pasë fatin e madh dhe ndoshta, të papërsëritshëm...me pa me sytë tonë Një Yll që kaloi në 130 vende të Botës, tue u dhanë dritë, dashni, paqë, mirkuptim, buzqeshjen e harrueme, e ma shumë se të gjitha, shpresë, guxim e trimni per vepra të mëdha në sherbim të Njerzimit...
“Mos kini frikë!”...
Me daten 3 Qershor 1991...edhe unë nëpermjet Imz. Mikel Koliqit... I bana një mesazh!... Me daten 8 Qershor, ora 19.00 mora përgjegjen bashkë me Bekimin e Tij...
Nuk kishte si me kenë rastësi ardhja e Gjon Palit II në Vatikan!
Janë plot 35 vjet...që u realizue edhe “Një Ditë e paracaktueme!..”

Melbourne, Dhjetor 2013.

2013/12/19

MUKJA, PARLAMENTI I I-RË SHQIPTAR, I KOHËS SË LUFTËS




        Shkruan: Prof.Dr.Rasim Bebo

Mukja, ishte ngjarje kthesë në historinë tonë kombëtare, të viteve të Luftës Nacional Çlirimtare. Në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore, nacionalistët demokratë shqiptarë, me qëndrimin e tyre idealist dhe parimor për Shqipërinë Etnike, veç të tjerash, ngritën zërin të nënkuptohej edhe ndryshimi i kufijve politikë nga ndarja e pa drejtë e vitit 1913.
Prof. Dr. Eshref Ymeri thotë: “Sipas Fjalorit enciklopedik Rus. Botim i Akademisë së Shkencave të Rusisë Snkt – Peterburg, 1896, f. 359. Se: Sipërfaqja e Shqipërisë është 134.000 km2”. (1).
Në verën e vitit 1943, kur lufta ishte në zenitin e saj dhe Italia ishte gati për kapitullimin e pritshëm të 8 shtatorit 1943, lindi si një domosdoshmëri e situatës Fenomeni i Mukjes për të gjithë patriotët, pavarësisht nga bindjet politike, të arrihej bashkimi, për t’iu kundërvënë nazizmit, më të fortë dhe më të organizuar ushtarakisht. Por a mund ta pranonin komunistët bashkimin, a mund ta pranonin serbët bashkimin e shqiptarëve?... Fatkeqësisht Nacionalistët shqiptar nuk e njihnin komunizmin... i cili kërkonte ta kthente këtë lëvizje në luftë civile.
Historiani Amerikan E. Jacques citon: “Në prill të vitit 1943, në Shqipëri hyri nga Greqia një emision komando britanikë, i kryesuar nga koloneli Nil Meklin. Në korrik 1943 ky mision anglez organizoi në Mukje, afër Tiranës, një konferencë të përbashkët, ku morën pjesë 12 udhëheqës nga të dy grupet. Pas një debati u arrit një marrëveshje...” (2).
Abaz Kupi, si anëtar i kryesisë së Frontit Nac, Çl. kërkoi lidhjen e një aleance politike ushtarake me Ballin Kombëtar (si duket kishin komunikuar me kolonelin Nil). Kërkesa e tij u miratua në mbledhjen e 9 korrikut 1943. Takimi i përfaqësuesve u bë në Tapizë (rrethi i Krujës) më 26 korrik. Më pas bisedimet u bënë në Mukje nga 1 deri në 2 gusht 1943. Fronti Nac. Çl. përfaqësohej nga: Ymer Dishnica, Jahja Çaçi, Mustafa Gjynishi, Myslim Peza Abaz Kupi, Stefan Plumbi, Haki Stsërmilli, Omer Nishani, Gogo Nushi, Behar Shtylla, Shefqet Beja, Sulo Bogdo. Kurse Balli Kombëtar përfaqësohej: nga Mit’hat Frasheri, Hasan Dosti, Thoma Orogollai, Skënder Muço, Nexhat Peshkopia, Isuf Luzaj, Vasil Andoni, Halil Meniku, Ismail Petrela, Rauf Fratari, Hysni Lepenica, Kadri Çakrani. Delegacionet i kryesonin: Ymer Dishnica dhe Mit’hat Frashëri. Punimet filluan më 8 gusht 1943.
Mbledhja e Mukjes synonte bashkimin në luftë të forcave politike shqiptare, përkrah aleateve të mëdhenj, Anglisë , SHBA dhe ish Bashkimit Sovjetik. Luftë për zbatimin e njohur botërisht të vetëvendosjes së popujve, të garantuar nga Karta e Atlantikut. Forma e regjimit do të përcaktohej nga vetë populli pas luftës; krijimi i një organi të përbashkët me emrin “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, me kryetar Hasan Dosti dhe sekretar Mustafa Gjynishi, i cili do të drejtonte luftën dhe vendin deri në formimin e qeveris së rregullt pas zgjedhjeve të përgjithshme, fill pas mbarimit të luftës. Zgjedhja e këtij komiteti si organ pluralist, u bë me 6 përfaqësues nga secila palë. Mirëpo, gëzimi për arritjen e kësaj marrëveshje historike në interes të luftës së popullit shqiptar, U shua shumë shpejtë. Enver Hoxha nën ndikimin e emisarëve jugosllavë, e hodhi poshtë marrëveshjen. Ky qëndrim i udhëheqjes së PKSH ishte (tradhti kombëtare) goditje e madhe kundër bashkimit të shqiptarëve, të një Shqipëri Etnike.
Tani le të shohim z. Ylli Polovina, nëpërmjet artikujve të botuar kohën e fundit në gazetën “LLYRIA”, se si ai i shtron rrugën Enver Hoxhës: Dy figura të PKSH, Enver hoxha dhe Miadin Popoviçi në Vithkuq të Korçës dhe Ymer Dishnica si kryetar i përfaqësis së Lëvizjes Nac. Çl. Në konferencën e Mukjes. Ylli Polovina shkruan: Ymer Dishnica është tepër këmbëngulës në vërejtjet e drejtpërdrejta që i bën Enver Hoxhës për një ngathtësi të madhe të tij, në mos edhe përtaci mosaktiviteti të shfaqur dukshëm. Theksojmë se Shafingo (Y. D.) nuk raporton për bisedimet me Ballin Kombëtar ... por merret me strukturat e PKSH ... Ai qe dërguar me mision të realizonte bashkimin me (B.K.) dhe jo ta sabotonte, ca më pak të mos e kryente. ... Doemos, me këtë kurs, bashkimi me Ballin, me kushtet e përcaktuara nga Kominterni, ishte edhe Enver Hoxha si dhe “eminenca gri” e PKSH-së, Miladin Popoviçin... Italianët me të diktuar grumbullimet e komunisteve, monarkistëve dhe Ballistëve, ndërhynë me forcën e trupave ushtarake për t’i shpërndarë. Për Ylli Polovinën. Kjo do të thotë se deri në fund të korrikut 1943 BK nuk ka kryer asnjë pakt të hapët apo të fshehtë me pushtuesin. ... Të gjithë këta krerë nuk kanë asnjë çetë të tyren nga pas,këta nuk kanë zbrazur asnjë pushkë kundra pushtuesit”. (3).
Adriatik Alimadhi shkruan: “... Balli Kombëtar duke luftuar kundër pushtuesit, në Tiranë, në Gjormë të Vlorës, në Ruzhdie, në Berat, në qarkun e Korçës, në Reç të Shkodrës, Mallakastër, Lushnjë, Elbasan e në të gjithë Shqipërinë, pa marrë parasysh fuqinë e armikut... Për këtë arsye deri në vitin 1943 dëgjohej vetëm pushka dhe penda e Ballit Kombëtar”. BK lindi në shtëpinë e Lumo Skendos, në prill 1939, të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Kështu partia e Mit’hat Frashërit u skalit si krijesë pa moshë në zëmrat e shqiptarëve, kjo është patrotizma e vërtetë e shqiptarizmit. “Partia e jonë është Shqipëria”. La testament shërbestari i Shqipërisë. (4)
Ju z. Polovina vazhdoni të mohoni luftën e BK. me keq se Enver Hoxha, që villte vrer kundra nacionalizmit.
Shikojmë prapë Ymer Dishnicën, se mesa autoritet të madh komunikon me Enver Hoxhën. “Praktikisht kemi qenë të shkëputur, asnjë raportim serioz ose ndonjë letër me hollësi përmbi punët që ngjanë andej e po ngjasin. Letrushka kemi marrë boll, të fala plot, por asnjë letër pune. Ku janë traktet e shtabit, ku janë shkrimet për gazetë, si nga ti, si nga Lame Kodra”. (Shihni, Ymer Dishnica nuk “fal”.) Enver Hoxha thotë: Ai qe dërguar posaçërisht për marrëveshjen me Ballin Kombëtar, jo për të drejtuar PKSH-në në territorin kryesor të vendit.
Përsëri Ymeri u shkruan: Kërkon t’i shkundë nga dremitja dy arinjtë më të fortë, me heshtjen e vazhduar të Hoxhës dhe Popoviçit. Çfarë fshehin ata? Më 1 gusht 1943 u përpilua procesverbali... Balli Kombëtar rreshtohet si protagonist i parë, Këshilli Nac. Çl., jo vetëm i dyti, por emërohet vetëm si organizatë. Ja edhe çështja kyç: Në diskutimet, dy gjëra na ngatërronin: e para qe Shqipëria Etnike dhe e dyta ideja e Hasan Dostit, që duhej shpallur indipendenca. Ymer Dishnica informon Hoxhën: “Ndalesën e Shqipërisë Etnike e kapërcyem me një formulë, as femër as mashkull”. Mukjen ne e morëm për një gjë formale, aty shkuam për t’ia hedhur njëri tjetrit, madje edhe për të marrë epërsinë totale. Qenë tre shumë të fortë në lakmi, pushteti dhe njëkohësisht i mangët për të mbledhur konsensus të gjerë popullor, Ahmet Zogu, Mit’hat Frashëri, Enver Hoxha ishte akoma një hiçmosasgjë. Ata u nisen nga pika e vdekur e mos dialogimit, vetëm prej trysnisë së ndërkombëtarëve. Në konferencë u diskutua dhe çështja e Kosovës dhe u kërkua qe ajo të zgjidhej mbi parimin e vetëvendosjes së popujve, në bazë të Kartës se Atlantikut, siç mendonte edhe M. Gjynishi (Tafari) dhe K. Tashko (Dinoja).
“Disa nga përfaqësuesit e Naç. Çl. Gjatë takimeve me përfaqësues të “BK” shpreheshin se: “Është megallomani të pretendojmë Kosovën”. “Nuk e duam Kosovën, se na e ka falë armiku”. “Po të kërkojmë Kosovën, bëhemi edhe ne si Mustafa Kruja, sepse edhe Musta Kruja kërkon Kosovën” shprehet Gogo Nushi. Ndërsa Ramiz Alia e përsërit pas 46 vjetëve në vitin 1989 thotë: “Ç’na duhet Kosova, ne kemi hallin e Shqipërisë”. (9)
Marrëveshja e Mukjes ishte goditje e interesave Jugosllave për Kosovën si dhe synimeve Jugosllave ndaj Shqipërisë; çështja e pushtetit, pra frika e komunistëve se pushteti mund të ndahej me forcat nacionaliste properëndimore dhe demokratike; duhej prishja e marrëveshjes së Mukjes, që t’i hapej rruga plotësisht vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe futjen e saj në orbitën e lindjes komuniste.
Marrëveshja e Mukjes : Ajo në thelb ishte një marrëveshje “kurthi” e Ymer Dishnicës mes delegacionit të Ballit Kombëtar. Doktori firmosi për Shqipërinë Etnike, pa marrë asnjë miratim nga KQ i PKSH-së apo prej Këshillit Nac. Çl. Periudha 6-9 gusht 1943 është kyçi për të kuptuar fillimin e Luftës Civile dhe për t’u tallur me emërtimin Nac Çl., duhej patjetër të ktheheshin në bisedime me BK. për një riformulim të ri të paktit. Vendi i mbledhjes së re u caktua fshati Orenjë i Çermenikës për të dy palët. Veterani Isuf Luzaj me katër kolegë të tjerë, në 14 gusht shkuan në vendin e përcaktuar të takimit. Pritën atje 4 ditë të tjera duke shpresuar ardhjen e dërgatës komuniste, por ata nuk erdhën. (5)
Për qëndrimin agresiv ndaj BK, qe nxitës Vukmanoviç Tempo, i dërguari i ri PKJ., që mbështetej te Miladin Popoviçi, fuqia e të cilit në PKSH e kalonte shumë herë atë të Enver Hoxhës. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, me anë të Proklamatës së tij , i bëri të njohur popullit shqiptar dhe Aleateve vendimet e Mukjes për një Shqiperi Etnike.
Enver Hoxha ka përgatitur “kurthe” të pastrimeve brenda partisë në dy konferenca brenda 13 vjetëve: Konferenca e Mukjes dhe konferenca e Tiranës 1956, në të parën z. Ymer Dishnica dhe në të dytin Vandush Vinçani. Le t’i shikojmë: Ymer Dishnica nga Mukja, i drejtonte replika të ashpra Enverit dhe Sejfullajt në Vithkuq të Korçës dhe pa pyetur udhëheqjen e PKSH firmosi me përfaqësinë e Ballit për Shqiperine Etnike, (6).
(Enveri në prapaskenë) Prej këndej filloi “kurthin” (“sëpata”e Miladinit) për pastrimin brenda partisë dhe luftën vëllavrasëse. Ndërsa “kurthi” i dyte drejtohej nga Nexhmije Hoxha, nëpërmjet ndihmësit të saj Vandush Vinçani, ky hapi konferencën e 56-s, që “tregoi se udhëheqja e partisë ishte kthyer në një aristokraci të komunistëve dhe se po shpërdoronte pushtetin ... Atëherë të gjithë delegatët e morën fjalën e Vandush Vinçanit... Prej së cilës burojnë spastrime të përgjakshme”. Sa për dijeni, kjo është temë tjetër. (7).
Kur u nënvizua Shqipëria Etnike, Miladin Popopviçi tha: “do fillojmë nga sëpata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë; pastaj Skipëri Etniçka-jeben Timajka”. (Shqipëri të qifsha nënën). (8).
Kështu Miladini dhe E. Hoxha filluan të kërcënonin tinëzisht dhe të vrisnin pabesisht njërin pas tjetrit. Ata organizuan vrasjen e Shyqyri Pezës, që Miladini e urrente..., deri në vrasjen e Mustafa Gjynishit, të Dum Allës, të Rexhep Mezinit etj. (po aty f. 588).
Pra, siç shihet, Miladini, Enveri dhe pasuesit, frikësoheshin nga BK, si një konkurrent potencial dhe, sipas logjikës staliniste: “ai që nuk është me mua është kundra meje”. Që nga fundi i gushtit 1943 u ngrit si një re ogurzezë vëllavrasja, lufta civile, që ishin sinonimi i fjalës komunizëm. Lufta civile që bëri pre jo vetëm individë e fise, por edhe fshatra të tëra të cilësuar komuniste ose balliste.
Ndërsa Uran Butka shkruan: “Simbol i bashkimit dhe i ndarjes, i mirëkuptimit dhe i mosmarrëveshjes kombëtare, unitetit dhe përçarjes, lavdisë dhe turpit, shansit historik dhe varrosjes tragjike, paraqet ngjarje kthese në historinë tonë kombëtare. (9).
Në 1 tetor 1943 në një letër që i dërgonte Liri Gegës, Enver Hoxha urdhëronte luftën frontale kundër Ballit, sipas logjikës leniniste “Pushteti del nga gryka e pushkës”. Vetëm pushteti i këshillave duhet të ekzistojë dhe asnjë pushtet tjetër. Nuk ka kompromis dhe dualitet në këtë gjë.”
Lufta kundër Ballit, Legalitetit, Partisë Social demokrate dhe krerëve të Veriut ishte përgatitur me kujdes dhe kishte marrë pëlqimin e Jugosllavisë, pasi nga konfrontimet e armatosura, do kishin një Shqipëri të alivanosur dhe të dobët në të gjitha drejtimet.
Ndërkohë Kryesia e B.K. në shumë trakte e komunikata, i bënte thirrje PKSH t’i jepte fund luftës civile, t’i jepte fund kësaj tragjedie.
P.K. në këtë luftë ideologjike dhe luftë klasash që vazhdonte të bënte, e kish futur Shqipërinë në belanë më të madhe: ndau birin nga i ati, ndau burrin nga gruaja, vëllanë nga motra, ndau më në fund shqiptarët në dy fusha për vdekje. Përgjegjësia historike e vëllavrasjes i takon vetëm partisë së kuqe. Gogo Nushi raportonte nga Tirana: se gjendja me Bazin e Canës ishte e qete, Enver Hoxha urdhëronte: “S’duhet humbur kohë, por zjarr për zjarr, t’u vëmë zjarrin Ballit dhe Zogistëve. Në një dokument të pa botuar thuhet: “të mos luftohen ashpër pushtuesit gjermanë, por Bazi të çduket.
Vëllavrasja filloi në Libohovë në gusht 1943, numri i të vrarëve arriti në 104 veta.
Në Devoll, në Ziçisht, ku ishte lënë një takim, komunistët u bënë pritë përfaqësuesve të Ballit dhe vranë 6 nacionalistë, midis tyre dhe Doktor Kasimatin, të cilin e therën. Më 14 shtator 1943 forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës e Skënder Muços u kërkuan forcave italiane të divizionit “Peruxhia” të dorëzoheshin. Krerët komunistë B. Spahiu, Sh. Peçi, Sh. Totozani, që ishin në zyrat e komandës të divizionit italian, organizuan vrasjen e tyre, u vranë Hysni Lepenica me 35 naçionaliste.
Në 21 tetor 1943 në fshatrat e Lushnjës forcat partizane të brigdës I- S. të udhëhequr nga Mehmet Shehu e serbi Dushan Mugosha, vranë e therën me thika 65 fshatarë të pafajshëm, me pretekstin se ishin simpatizantë të Ballit. Mehmet Shehu, i njohur për vrasjet e tij në Vlorë, Peqin e Dumre, në tetor pushkatoi pa gjyq në Priskë (Tiranë) 13 xhandarë dhe fshatarë që iu dorëzuan në besë. “Në Çermenikë, i shkruan E. Hoxha N. Spirut, Brigada kapi robër ballistët dhe më tepër se 70 prej tyre u vranë në luftë. Siç shihet Brigada po lufton për mrekulli.”Në Kuçovë u konfrontuan me armë partizanët dhe nacionalistët, u vranë 7 partizanë dhe 2 ballistë. Konfrontim me armë pati edhe në Lapardha (Berat), u vranë 11 ballistë. Në zonën e Pogradecit nga luftimet vëllavrasëse, që zgjatën nga 13-18 tetori 1943, përveç viktimave në të dy palët, u vranë edhe 8 civile. Në Libofshë, gjatë luftimeve mbetën të vrarë 21 partizanë dhe 8 ballistë, si dhe një djalë 16 vjeçar. Në Melçan (Korçë) çeta e kryesuar nga Gjergjevica kapi dy nacionaliste. Këta u masakruan barbarisht, ju prenë hundët, veshët, iu nxorën sytë dhe iu thyen nofullat, kurse krahët ua prenë. Më 23 tetor 1943 në mes të Kavajës dhe Prezës u masakruan barbarisht Besnik Çano dhe Qeramudin sulo, dy të rinj nacionalistë. Ekzekutimi i tyre u bë nga Dushan Mugosha. Komanda e Korçës i dërgoi raport Shtabit të Përgjithshëm : në përpjekje midis partizanëve u vra komisari i batalionit Gorë-Opar Skënder Çaçi. Humbje të Ballit janë 5 të vrarë dhe 4 robër. U vra dhe komandanti i Ballit, Demir Staravecka. Në Vlorë krerët komunistë të manipuluar nga Dushan Mugosha provokuan luftë vëllavrasëse, ku u vra një djalë iri nacionalist. Në nëntor 1943, Brigada e I-rë dhe e 5-të, të komanduara nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, të orientuara nga Mugosha, u konfrontuan me nacionalistët dhe bazat e tyre në fshatrat e Sevasterit e të Velçës, ku u vranë dy pleq, në Gjormë, pas 26 orë luftimesh u dogjën 52 shtëpi, në Mavrovë, pas 16 orë luftimesh, u vranë 24 partizane e viktima të luftës civile. Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, që zgjati 13 orë, u vranë 14 partizanë e 10 nacionalistë dhe u plagosën shumë të tjerë, midis tyre dhe tre gra.
Përpjekje me armë midis formacioneve politike kundërshtare ishin më të përgjakshme në Jug të Shqipërisë, ku ndikimi i nacionalizmit ishte më i madh. Në Gjirokastër u vranë qindra njerëz. Në Tepelenë, në teqenë e Turanit, u vra babai i teqesë dhe të tjerë. Vrasjet masive në Voskopojë, 150 viktima të varrosur në një gropë, masakrat në Mallakastër, Kolonje tregojnë se Lufta civile ishte ashpërsuar shumë. Këto ishin disa pamje nga Lufta civile në periudhën shtator-tetor 1943, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Sëpata e Miladinit dhe e Mugoshes tregoi kësisoj, urrejtjen kundër popullit shqiptar.
Për të Parë efektet shkatërruese të Luftës civile, le të ndalemi në fshatin Lepenicë të Mesaplikut Vlorë. Pas 18 orë luftimesh midis shqiptarëve, u dogjën 11 shtëpi nga 61 që kishte fshati kurse fshatarët u strehuan në pyje e male. Por lufta nuk mbaroj me kaq, nga 50-60 burra që mbetën 14 u dënuan me burg për arsye politike, 2 vdiqën nga torturat, 5 u pushkatuan, 6 u arratisën dhe të tjerët u cilësuan kulakë. (po aty f. 593).
Në Dishnicë, komunistët dogjën fshatin bashkë me njerëzit e pafajshëm, Plakun Riza e poqën në zjarr, Rakipin e varën në një degë të një peme.
Në Devoll, partizanët zunë 14 ballistë, 13 i pushkatuan ndërsa të fundit e masakroi serbi Dushan Mugosha. Devolliu Ali Lumi, djaloshi i pafajshëm, së pari Dushani urdhëroi ta qëllonin 12 herë me dru. Pastaj vetë xhelati Dushan, i theu këmbët, ia rregulloi, i theu edhe më lartë. E torturoi ne organet seksuale, me thikë i çau kërcin, i shoi cingaren në beben e syve dhe më në fund trupin pa jetë e qëlloi dy herë në kokë... I gjithë ky ritual kriminal, u krye në prani të Tahir Kadaresë e të partizanëve. Dhe kur një i pranishëm e pyeti se ç’kishte bërë, Dushani iu përgjigj: “Besa kurgja. Por këtyre devollinjve, kështu duhet t’ua bësh, se të gjithë janë nacionalistë”. (f. 594, Nr.21). Hajde moj Shqipëri, ç’nëma ke ti, fërkojnë duart serbianët, pse ti bëhesh gur e hi. (f.594, nr 20).
Gjenerali Willson, komandant suprem aleat, i kërkonte Enver Hoxhës: “Më duhet të vë në dukje se armët dhe furnizimet që u dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllim e pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj, që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”. (f. 594). Ylli Polovina shkruan: “Në qytetin e Beratit u mbajt, prej 23-27 nëntor 1944, Plenumi i 2-të i KQ te PKSH, mes të shumëve, të përfshirë në një ndërluftim të brendshëm, për të shantazhuar Enver Hoxhën dhe në pamundësi për ta rrëzuar, ta tulatnin, ky, i gjendur në orë të liga për fatin e vet politik, zbulon para pjesëmarrësve, por edhe para historisë, një pamje krejt tjetër nga ajo që dëshmoi më pas, kur qe sundimtar total i vendi e popullit të vet. (10).
Enver Hoxha nuk i la fshatarit një këmbë pule në kotec. Mos vallë ju Polovina keni mbajtur portretin e Enverit prapa shpinës së Edi Ramës më 29 nëntor te varrezat e dëshmorëve të kombit?
Ju z. Polovina, nuk e zutë në gojë Miladinin e Mugoshën kur deklaruan: “...do fillojmë nga spata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë; pastaj Skipëri Etniçka-jeben Timajka”. (Shqipëri Etnik të qifsha nënën).
Dhe kjo filozofi e urrejtjes e vëllait për vëllanë, kjo vëllavrasje e egër për motive politike, e ktheu njeriun në origjinën e tij, vëllavrasja që vazhdoi edhe pas 28 nëntorit 1944, vëllavrasje që na mëson se Lufta civile në Shqipëri vazhdoi pas vitit 1943 deri në vitin 1990, po të marrim vetëm faktet: Ata Klerikë që kanë vuajtur në hetuesi, burgje, kampe shfarosëse ose vrarë nga Sigurimi i Shtetit komunist, numri i lerikeve katolikë arrin në 139, me figurën Dom Lazer Sheldija (1928-1988, vra në SHBA). (Ajka e kulturës së kombit Shqiptar, shen. im). “...Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun vllazën e motra s’shtë pa kurrë në historinë e njerëzimit”. (Friz Radovan, klubi Shqiptar).
Edhe sot, vazhduesit e hirit komunist, në gjirin e PS dhe PD, vrasin deputete dhe vrasja mbetet enigmë.



Referenca:

1. Prof. Dr. Eshref Ymeri, Marrë nga enciklopedia ruse.
2. Edwin Jaçques “Shqipëri”, bot. 1995, f. 462.
3. Ylli Polovina gazeta “ILLYRIA”, 1 gusht 2013, f. 36.
4. Adriatik Alimadhi Gazeta “ILLYRIA”, “Edeshi fati atdheut...” 13-16 prill 2007, f. 11.
5. Y. Polovina gazeta “ILLYRIA”, 17-11-2013, f. 37 dhe -(6) 22-11-2013, f. 37.
6. Fahri Balliu “Pantera e zezë”, f. 134.
7. Grup autorësh dhe Luan Xhafa “Libri i Zi i Komunizmit”, f. 592, nr. 14.
8. Prof. Dr. Agim Zogaj “ILLYRIA”, 19-6-2008, f. 12.
9. Ylli Polovina “ILLYRIA”, 2-8 nëntor 2013, f. 36.
10. Fritz Radovan, Melburn Australi mars 2009. Klubi Shqiptar.


Rasim Bebo Addison Çikago dhjetor 2013

Autori i shkrimit z.Rasim Bebo ka lindur më 14 prill të vitit 1926 në Shalës, të Çamërisë, në territorin shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe ka qenë viktimë e luftës së klasave gjatë regjimit komunist. Prej vitesh ai vijon aktivitetin e tij si studiues në mërgim në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.etj.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...