Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/01/17

Ty Kosovë, të puth djepet që t’i shkrumbuan mijëra herë



Shkrimtarja Edona Haliti ,lindi në Viti të Kosovës më 08 gusht 1992.Shkolen fillore e kreu në vendlindje ndërsa Gjimnazin : ‘’ Kuvendi I Lezhes’’ e kreu në Viti(2008-2011).

Aktualisht është studente në ‘’Universiteti per Biznes dhe Teknkologji’’ , Departamenti: Menaxhement, Biznes dhe Ekonomi, Prishtinë.


Ishte Kryetare e trajinimit për të drejtat e fëmijeve(2008);ndërsa në vitin 2009,zuri vendin e parë në Gjimnazin ’ Kuvendi I Lezhes’’ për garat ne Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.

Ka të kryer kurse të gjuhes Angleze(2008-2011) si dhe Kursin e Gjuhës Gjermane(2011) si dhe ndjek kursin TOEFL. (2013/2014)

1. LIBRA TE BOTUAR:

‘’ Buzëqeshi Dritës’’ ( Prishtinë,2014)


http://floripress.blogspot.com/2014/01/ty-kosove-te-puth-djepet-qe-ti.html

http://floripress.blogspot.com/2014/01/cikel-poetik-nga-edona-haliti.html





Drita e një buzëqeshjeje


Meditim për librin me poezi “Buzëqeshi dritës!” e studentes prishtinase Edona Halitit


Në të tërë vitet e bashkëjetesës me shkronjën ditën, natën, në punën time të përditshme shpesh është bashkuar lodhja me dhimbjen dhe me dashurinë. Në këtë rrugëtim përherë më ka shkuar mendja të Motivi i Dritës së Buzëqeshjes. Pas atyre librave të redaktuar brenda e jasht vendit këtë motiv po ma rilindëte poezia e studentes prishtinase Edona Halitit.

Si redaktor i dhjetra librave me poezi nga autorë të moshave të ndryshme dhe të vendeve të ndryshme, si mësues i letërsisë që duhet të jetë përherë kërkues edhe kur dikush kërkon që ai të tolerojë sa më shumë në atë që spjegon dhe aq më tepër si poet i një brezi disi më me përvojë, më duhet që të jem shumë profesionist ose aspak i rezervuar për atë që sheh te libri i parë poetik i një autori.

Disa e fryjnë fjalën më shumë për librin që lexuesi ka përpara, ose edhe nuk mundim dot të shohim rrezet e talentit të ardhshëm. Përtej këtij rregulli që gati është shkruar në çdo fletë mua më duhet që me plot gojë të prish rregullin me shumë kurajo. Natyrisht edhe duke e argumentuar këtë gjë me faktet nga më të pakundërshtueshmet.


Foto: Doli ne qarkullim libri me i ri i Edona Haliti. I urojme suksese autores!


Është e vertetë që vëllimi poetik i çdo autori ka një ditëlindje ka një ditë ngjizjeje, po me Edona Halitin ka ndodhur një gjë e veçantë, pse jo edhe e rrallë. Ajo përdor detaje shumë të gjetura që në pamje të parë duket paksa nostalgjike, edhe pse mosha e saj është ende shumë e re. Duken edhe paksa naïve në pamje dhe shumë modeste përpara autorëve që menjëherë botojnë një libër pa emocion, pa mesazh pa firmë dhe me qindra gabime drejtshkrimore. Edona ka një kulturë të madh të rrëfimit poetik. Ka një forcë të brendshme që në vargjet e tij jo si vargje tribunash, po të heshtur të ëmbël të ngrohtë.

Edona Haliti ka patur dëshrë që të lexojë poezi ende pa shkruar as edhe një shkronjë abetareje. Shihte lojën e harabelave, hapat e njerëzve që shkonin në punë, rënien e borës dhe njerëz që e mundin atë, pleq më plis në kokë, lindjen e qengjit, arat që mbusheshin me prodhime me bore, rrëfime luftëtarësh të rinj e të vjetër..Edhe e vogël ajo futej në një vend gati të shenjtë si ishte biblioteka e axhës Selim Haliti ku kishte shuuuumë libra. O, sa shumë e si filim ajo i shihte me duart të vogla kapakët fytyrat, ngjyrat. Kështu Selimi do të ishte “ profesori “ i parë i poezisë së Edona Halitit. ,Takimi me bibliotekën në fillim ka qenë kureshtje po më vonë u bë edhe një lloj arme, me të cilën ajo e kuptonte se duhet të jetonte në jetën e saj. Në ato libra që shfletonin duart e saj të vogla dukej se kishte një lloj Fausti me atë dashuri që mëkohej tek jeta e saj për librin.

Kur mbushi vetëm 11 vjeç mendoi që të merrej me poezi. Po, po, do të merrej me poezi. I tha si fillim nënës dhe ajo me të drejtë qeshi pak me këtë guxim fëminor, po që nuk ishte aspak i tillë. Edhe pse si nënë po gëzohej me këtë rritje të vajzës së saj më teëper se vitet që kishte në gjendjen civile. Nisi të mësonte të gjithë vjershat që mësonin nxënësit më të rritur të klasave të tjera. E në moshën 16 vjeç ku ajo ishte edhe më e madhe mori një vendim tjetër. Si një vajzë kohe do të donte të vishte bluzën e bardhë të mjekes ose edhe e një mësueseje po ajo zgjodhi ekonominë . Zgjodhi shifrat për jetën, po me poezinë nuk u nda se ajo ishte lidhur që kur ishte lindur e madje mund të themi se nëna i kishte vënë nën jastëk që kur kishte lindur një libër, një fletore. E atëherë vendosi edhe të botonte që të ishte vetja në jetë kudo ku të shkonte. Tashmë ishte një vajzë që ishte studente prishtinase me plot pasione për jetën e artin. E në hapat e parë të këtij vendimi qëndruan afër të gjithë familjarët e saj që nga baba Hajrizi.

Libri i saj poetik nuk është si librat e tjerë që botohen sot në Kosovë. Ajo edhe pse e ka librin e parë ka origjinalitetin e saj . Poetja Edona nuk është nga ato qaramane apo pesimiste e trishtuar. Poezia e saj dhe vetë jeta e saj është pasqyra e jetës së vetë Kosovës që tani pas lufte kërkon shpirt të pastër. E kjo jetë akoma ka dritëhije në planin social

Ajo është pjesa më e bukur e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve me vargun e saj të bukur, të ngrohtë. Brenda kësaj poezie është jo vetëm shpirti i saj aq i butë, bleror, brenda qënes inteligjente po edhe historia e Kosovës së mbushur me sa e sa ngjarje të mëdha.

Vetë Edona ka lindur në një fshat të vogël e asnjëherë nuk është penduar për këtë origjinë përkundrazi është krenuar e krenohet me këtë gjë. Madje thotë se po të mos ishte lindur këtë jetë të mos kishte kujtimet e tila nga ky vend nuk do të bëhej as poete. Poezia e saj shoqërohet nga një frymë pajtimi harmonie. Natyrisht ajo e di se jeta ka shumë kundërshti, po vetë nuk klithmon, nuk proteston egër si nëpër tribuna edhe pse mosha e saj e justifikon një gjë të tillë. Dhe ka një arsye të thjeshtë e të madhe. Për këtë beson te zoti madje thotë se gjërat më të thjeshta e më të ndërlikuara janë pjesë e veprës së tij. Ose edhe poezia nuk do të ngrinte fole në shpirtin e saj pa bekimin e zotit të madh.

Në poezitë portret të saj do të veçojmë një strofë të poezisë “Babai”
Kur brenda meje lejove hapësirë të formohej Antarktida.
Dëshirat ishin ngrirë, rrugët ishin baltosur cep më cep.
Fjalët paketuan valixhet si pasagjerë që i priste drita
Po unë s’e harroj zërin tënd që ishte semafor dritë, JETË.

Nuk është vërtet përvoja po leximet e shumta që e kanë bërë atë që të gjykojë saktësht për rolin e poetit . Duket se edhe në të ardhmen ajo do të jetë një risitare e një poezie ndryshe. Diku ajo thotë:.”Nga këndvështrimi i poetit është interesante ta shohësh botën,. Për poetin për shembull stinët nuk janë thjesht stinë. Ai i përdor shpesh herë si metaforë në poezinë e tij. Për poetin çdo gjë ka rëndesi, madje mund të të bëjë përshtypje një gjethe kur bie nga pema, nje ylber pas shiu, një fjalë e pastrukturar mirë e një femijë që sapo ka filluar të flasë e të ecë. Të shikosh jetën nga këndvështrimi i poetit duket se gjithçka flet, është kaq e magjishme!!!”

Në shoqërinë që jetojmë Edona jep shembullin më të mirë me humanizmine saj të madh në poezi e në jetë. Ndonëse nuk e ka përjetuar vetë personalisht dhunimin e luftës e kupton se si misionaren e vërtetë se në Kosovë duhet të mbeten më afër kësaj kategorie sociale. E për këtë ajo ka një poezi shumë humane dhe tolerante.

Jam krenar dhe shumë obligues që po bëj “ bekimin” e këtij vëllimi poetik. Titulli i tij kaq shumë simbolik është një lloj Kryefjalë e kohës që jetojmë. Përtej modestisë saj do të thoja se botimi i këtij libri është një lloj risie jo jvetëm për atë vetë, për rrugën e mjeshtërisë së saj të rrëfimit, por edhe për Kosovën. Rinimi i jetës në Kosovë nuk kuptohet pa këto buzëqeshje që ndritin jetën në vise të ardhmen. E si një kurorë e ndritshme e këtij shkrimi –urim do të vija disa vargje të marrë nga poezia “Kosova ime”

Ti, Kosovë, ishe engjëllore see Zoti të fali bukuri
ty askush s'ta shuan diellin e askush nuk të afrohet në nur
Kur të shoh si manushaqe të sapoçelur, brohoras me lumturi
Qesh e dashura Kosovë, qesh, pranverat s'do t'i ndalin më kurrë!!

Ta urojmë këtë libër të ri që futet me dinjitet në garën e heshtur të shronjëshruarësve të shqiptarisë në kurorën vargërore të poetëve të Kosovës me urimin e ri që sa më shpejt ajo të na dalë me libra të tjerë.

Namik Selmani

Shkrimtar

Prishtinë, 2014





Edona Haliti "Buzëqeshi jetës'',Poezim,Prishtinë, 2014


1.Buzëqeshi jetës!

Sot, provo që t’i buzëqeshësh si fëmijë jetës
Ti, s’mund të caktosh fatin e saj kurrë, asnjëherë
Ti, mund të caktosh një ditë rrugën e së vërtetës
apo mjetin, ditën e cakun që fiton një betëjë!

Buzëqësh pak mike e fjalën e ngrohtë mos kurse
Se bota akaurim për peshk nuk mund të jetë
Se nesër do të lindë një hënë dhe një diell ndryshe
Dhe do të jesh udhëtar në një tjetër betejë

Se valët e trurit do të prijnë në të tjera rrugë pa fund.
E lakmia do të kapë fort si me grackë a me litar
Se egoizmi do të vijë në këmbë si macja që kërkon mish, bukë
Se shpesh do të bëhesh mes njerëzve si një ..shtazë.

Se dita e re kërkon një dorë që ngrohtësisht të zgjatet
Si një ylber që bashkon një ditë lumin, malin dhe fushën
Mos e hiq buzëqeshjen, mike, në ditët që ngjajnë si palë shkalle
Që nesër të jesh i qetë para pragut dhe djepit të bukur

Moos të lutem!!


2.Pas largimit tënd


Ne vranësirat e shpirtit qelqor si Zeus më godite,
Zbarkoj dashuria magjike që në sfidën e parë
Në lotët kuturu të kujtimeve që iknin në vite
Një minutë heshtje mbaj për ndjenjën kristal !

Si fasho e blertë ca mure u ngritën të larta te shpirti
gjeta veten të humbur pas dritares së qelqtë
E më mjegullohej si në një livadh bleror Vitije shikimi !
E gjumin e vrava si të ish natë e ndritur nga rrufetë

E mbollëm blirin e pranverës që u vyshk gjeth më gjeth
Ti u largove mes hapash pa hapa që sillte vetmia
Unë e ujita me qëndresën e fjalës që sillte pranverë
Rrofsh, rrofsh, do të të kujtojnë në vite vargjet e mia!


3.Fundvit …


Në këtë dyndje resh bardhoshe, si Hamlet përshpëris
… Shikoj kujtimet nostalgjike si anije e heshtur zbarkon ti,
Me shallin e vjetër të shoh, në kafene sërish
Tek përkund ëndrrën që lëshon filizë në terrin e zi.

Sa keq!
Shikomë duar, shikomë si më mpihen, si më litaron ankthi!
Ani se s’ndjej ftohësinë e këtij dimri me borë e stalaktite
Dhe vetë një dimër bëhem shpesh që më mungon një xixë zjarri
tek ndjej boshësi në udhën e shkelur e numëroj leukocitet.

Sa keq!
Ku është flamuri i asaj barke dikur të përmbysur?
Mos vallë ma tregon buzëqeshja jote si libër pa kapakë?
Ti hesht a flet si mokra e mullirit prêt grurin për ta mbushur
Pret një fund që është si është i afërt vetëm një dorë , një hap

Sa keq!!
Edhe ky fundvit erdhi i brymtë, i zymtë si një vjeshtë,
Pa fishekzjarre tërë dritë , pa buzëqeshje, pa dashuri,
Dimër i thonë të ftohtit pa dëborë që trupit rrëshqet?
Kësaj ëndërre që ka lëshuar rrënjë në …kotësi ??!!!

Sa keq! Sa keq!!




4.Nënës

E dashur nënë,

Pse ta lakmojmë diellin, detin e hënën?!
e dimë se ata ngrohin vetëm gjërat në siperfaqe
vetëm ti mundësh që të ngrohesh zemren!
E vetëm ti mund t”ia japësh burasht sa esa fllalde.

Dhe sot në kuvlinë e jetës, oh paskam frikë.
rreshtat më mbesin zbrazur si vetrinat pa shitore,
se për njerëz të shenjtë fjalë të shenjta s'paska kuptim,
Prandaj i shpikën monumentet madhështore!

Ti i solle botës dritën, fjalën, ëmëblsinë dashurinë
E mësove shpirtin si të dashurojë shpirtin binjak
Mësove zemrën si të falë zemrën një ditë, një agim,
Edhe buëqeshjen e parë vetëm ti e dhuron në çdo çast


Hëna të ka lakmi, për sytë e tu rreze diellore
Qielli të ka zili për dritë ylberesh në urimin që jep
Gurrat të kanë zili për fjalët e tua kristalore
E bjeshkët të kanë zili për fjalët bga brezi në brez

Se ti nënë, lind njeriun, gazmon pragun e jetën
Se tek gjunjët e tu përulet e gjithë botya njëherësh

E dashura nënë!!!!!!



5... Mos eja!

Mos eja,
të bësh zhurmë për të zgjuar ëndërra,
Në mendimet vend nuk të bëj për t’u qetësuar
Të lutem mos eja !

Mos eja të lutem,
Stina ime nuk të pranon lulen për ta këputur
Mbi papirus ka rënë kaq shumë pluhur
Qetësia ime në vesh më pëshpërit
Ca fjalë të lehta si flladi si reja
Mos eja! Mos ejaaaaa!

Oh, mos ma ngrys kaltërsinë e qiellit
Tokën se njomë mos ia lësho shiun pas diellit
Mos ma merr ujin e pusit e të thash magjet
Mos i shito livadhet ku çelin manushaqet!
Të lutem, mos eja!


6.Kur ne ishim ‘’miq’’ …

Kam dëshirë të eci livadheve e të di se jam unë,
nga ajo unë që kjo vjeshtë verdhullore e luhat,
si gjethet në pianon e re një pluhur i vunë,
dhe e ndihmonte veten me lutje çdo natë.

E di në sintaksë kemi humbur prej kohe kuptim,
Po ti në teori je thjesht një personazh,
Në poezi je fjalë e fundit që duhet për rimim,
Në jetën që jetoj je veç një pikturë në mirazh.

Pa bujë miqësia jonë mbaroi miqësisht,
Dëshirat i mbuluam me pëlhurë të vjetëruar,
‘I sheh ata’’ do të na bëjnë ditëve me gisht,
Dikur kanë qenë miq të mirë të lumturuar ( dashuruar.)


Qofshim bekuar, pra!


7. Mall

Ti nuk u përgjigjeshe pyetjeve të mia asaj nate
Me pseudoarsyen e euglenës që është si rrugë pa semafor
Thua nuk ke kohë për të gjetur PSE-të e Sterjo Spases
E nuk sheh si unë zhytem në lumenjtë e mallit rinor.

Endërrat më flasin zbehtë në ditët ku flet e ardhmja
Ka kohë që bën naze e me sy nuk më shikon
Deti ku bëj pushimet ka ujë të trazuar me alga
E rëra më djeg lehtas në epidermë gjithmonë

Në xhamin e dritares kam mbjellë një lule të rrallë
Bëjë shaka se nuk mbijnë më lulet në lotë
Jam bërë si Borëbardhë e improvizuar në përrallë!
Në zemrën time ka drita verbuese dhe kohë të ftohtë

Në sirtar me mall vajzëror pyetjet kam gozhduar
Në pentagram u përgjigjem me retorikë të pambaruar!

05.12.2013


8. Pas asaj pritjeje!

Heshte ajo natë Tetori ku kishte qilimë me gjethe
Ku të ftohtit më kishte përqafuar fort si fëmijë
Dhe ti ktheve shpinën në arrati mes shtigjesh jete
Të ndaloja, mundja, po nuk e bëra me dëshirë!

Kishte shumë kohe që kaloja në të njëjtën rrugë
Po atë ditë m”u duk rruga më e gjatë
Të kisha pritur me mall, o, sa të prita shumë!
Dhe thura ëndrra të reja çdo ditë e çdo natë

Më ishin lodhur gjer në dhembje gjymtyrët e trupit tim
Pas asaj pritjeje në rrebeshin e shiut si litarë
Si një trajektore drejtëzat priten në një vijë.

Mbetëm, ishim, u bëmë! Po pastaj??????


9. BABAIT

I dashur baba, kur qielli u zemërua e dukej i kuqërremtë,
Kur dita m’u vrenjt dhe dielli m’u hidhërua ,
Kur hëna strukej qosheve vetull-mrrolur dhe e rreptë,
ti më shtrëngoje duart e më thoshe: “Më ke mua!”

I dashur baba, jeta më luhati në tatpjeta të mbushura me ferra,
Mes ëndrrash s’e lejova frikën në zemër të më mbijë.
Kur erdhën netë të ftohta të mbushura me blerime të zbehta,
Ti më thoshe: ”E besoj se do të fitosh përherë, moj bijë!”

Kur brenda meje lejove hapësirë të formohej Antarktida.
Dëshirat ishin ngrirë, rrugët ishin baltosur cep më cep.
Fjalët paketuan valixhet si pasagjerë që i priste drita
Po unë s’e harroj zërin tënd që ishte semafor dritë, JETË.
Të ndjej hapat e tua kur bredhëron në Kosovë
E sytë e tu më ëmbëltorë janë për mua det malli
Aty jam dhe unë, me urimin e thurur si kurorë
Që dhjetë jetë të kem nuk ma shuajnë në zemër zjarrin
Me ty bëhem arkitekte që projektoj të tjerë agime
E gjithë shitoret e botës s’i ndërroj me duart e tua
Kur udha të më drizohet në të tjera shtigje
Ti je rrëfimtari më i saktë e më i pagabuar.
Të dua baba!!

23.01.20

10. Grindje

Kalova edhe sot mendueshëm buzë Drinit
Edhe qielli qante, dëneste me keqardhje
Me thanë se ndodhi një grindje, një vrasje!

Kalova edhe indiferente sot buzë kafenesë
Kamarieri më përshendeti me buzën në gaz
Më thanë se një grindje kishin parë!

Eca sërish asaj rruge të mbushur me gjethe
Zymbylat ishin vyshkur, ishin tharë,
S’më panë se kishin parë një grindje mes njerëzve!

Ka kohë koha më përplaset egërsisht në fytyrë
Sa grindje kam me të dhe për ta shëruar jam e etur.
Veç kujtoj, për hatrin tënd, ndjehem e pandehur!


11. Një homazh për gjyshen!


Atë shtator, vendose të luash me mua kukafshehtas
Si engjëllore ke shkuar në qiell, pas reve, larg, atje
Besomë, e urrej këtë lojë ashtu si fëmijët fjalë vjershash
E thërrras me sa zë që kam të vish të rijetosh me ne
Kthehu nga mjegullnajat yjore, moj thjinjëbardhë
Ma jep atë dorë të qëndisur saktësisht me rrudha
Ma jep sërish atë ngrohtësi përqafimi që nga larg
Thuajma urimin që më e bukur të më bëhet rruga

Zëri si ankth mesnate vjen me tingull që vjen nga funddeti.
Të kërkoj në mesin e tulipanëve, në gazin që gëlon pa skaj!!!
Kur jam pa ty, bëj përpjekje për kujtesën që kurrë s’të treti
Ku t’i gjej tash baluket me fjongo që m’i vendosje si varg?
Me gjilpërën tënde të vjetër nis me durim të thur pak shpresë
Pastaj heshtas rri e mendoj, si zanë Kosove shkel nëpër gurë e kroje
Pa ty agimi nuk ështe kontrast me errësirën e zbehtë
E ka mbetur e heshtur shamia me bedena që aq bukur e shtrëngoje

Fytyra dhe fjala jote dritë , rreze, ngjyra dhe aromë
Atje, në qiellin e kaltër ti me engjëjt bën përjetësisht miqësi
Hë, pra, zemërbardhë si më le me kujtimet që prushojnë?
Si më le syzbrazur, zemërtrishtë në udhë, në odë e në.. përjetësi….


12. Takimi i parë


Kur dolëm atë natë,
kishim turpin e drojen e takimit të shenjtë
Po na digjte
zjarri i parë i shkurreve të njoma
Më preke
duartlehtas dhe unë me bërryl godita një fener
Blirët
vetëm për ne shpërndanin aromë në Kafe Dodona
E ngjaja
me Mona Lizën me vështrimin e ngrohtë me mister engjellizimi
Kuqëlonin
mollëzat e tua atë mëngjes madhështor me diell
në sytë
me retinën e lënduar nga bukuria si fllade blerore
E kapakët
më rëndoheshin në qerpikët e mi si det i thellë
Ti
befasishte me ledhatove flokun me pigmente gështenje
Mbylla
sytë të bëje lutje që të jemi bashkë edhe të thinjëruar
Edhe qielli
atë ditë buzëqeshte dhe luante me ylbere
Romeo ore,
ç’ndjenjë smeraldi kishe brenda venave që më ke gozhduar!!!!



13. Vëmendje

Si luftë e ashpër Troje m’u duk sinqerisht ai agim
kur mendimet kontradiktore ishin sinjalizuar
Nëntori me erë më mpinte e më falte si kujtim
Vëmendje, vëmendje, një dashuri sapo ka filluar.

Në këmbanat e të dielave më kujtohej ai vështrim
Ulja kokën si fëmijë e ty nga turpi ty të lagte shiu
O, ç'ditë ishte, ç'ndjenjë e bukur që në perendim
Një trëndafil në zemren time çuditërisht më mbiu!

Atë natë vetonte vetëtima tek ëndërrat e njoma
Ti me ca hapa lehtas e bukurorë paketove valixhen
Mbeta të kuvendoj me hënën, se kasha peng që të njoha
Vëmendjeee, për ca ndjenja që.. vdiqën ..në ikje!


14. Lutje Prishtinës

Ky dhjetor, në fytyrën e zbehur, po më jep ngjyrën e murrëtyer
Dhe unë hap dritaren që me ty të ndaj me ty vetminë.
Ato lutje që t’i thashë, deri në palcë të kishin gërryer.
Si na le pas krahësh, s’na kujtove veç një herë, Prishtinëëë?!!!!

Ditëve studentore, na lagu qielli mes litarëve me shi
Rrugëve tek sheshet e tua ia pata hedhur spirancën fshehtësive
Sa të tjerë u lënduan s’ua bekove një dashuri!
Humbën dëshirat që t’i thamë në këto udhë e dyer Prishtine

Sa shumë ëndërra thura mes kreshtave të dhimbjes në agim,
Ta bëra me gisht ‘’sussss” të mos më shpalosje të fshehtat.
Ti ulje kokën, zbeheshe, e piskoje dhimbshëm në ulurimë
Po atyre që të besuan, mos ua merr gëzimet që ua afron jeta.



15.. Binte shi

Binte shi atë ditë,
Ta zgjata dorën e ftohtë me shikim skeptik
Bëmë një copë rrugë gjer tek kthesa pa dritë
të lëshova dorën të ndjeja si një fëmijë frikë.

Binte shi atë natë,
Po i ndjeja lotët e qiellit mbi çadrën ngjyrë gri
U futëm në dritaren e fqinjit, sa të mbaja inat
pastaj ti me buzagaz më preke gjurin me pahir.?????

Sa shumë binte shi,
unë numuroja kalldrëmet tek bëja rrugën për stacion
Po kthehesha i vonuar me tren, e vetme për shtëpi
Ishte natë me një hënë të buzëqeshur, ishte vonë!



16. Më kujto atë ditë

I dashur, më kujto një ditë
kur sythat e pranverës thahen në mallëngjime të qetë
E qëndro si Ares ngadhnjimtar, në udhët që ecën në ditë
kur barinjtë të lëshojnë në lëndinat e zbrazura kopetë.

Më kujto
edhe sikur dëborë e asaj stine kurrë mos të bjerë në pyje
se kam shkelur mbi xham dorën që ta mbaj në faqe
mbi kallinj gruri e mbi ferra kam lënduar këmbët në nyje
mbi lozë të manaferrave grisa këpucët pa dashje!

Më kujto,
edhe kur pulëbardhat shtegtojnë qiejve në amëshim
edhe
kur kolonitë brenda zemrës tënde nuk të shërohen kurrë në kohë
dhe shih
të tjerë të lumtur buzë shatërvanëve ku rrinim natë e ditë
Sot
kam një lutje të fundit … të lutem një ditë më kujtoooo !!!!




17. S’ dëshiroj një kthim

Ti nuk dite ta ngushullosh asnjë herë vetminë
Nuk e dite kurrë, or mik, se malli është mall...
S’mashtrohet jeta me ëndërra, pa dashurinë!
S’ mashtrohet me mburrje gjoksi dhe me fjalë.

Një kohë mungesa është plagë e dhimbje
Është rutinë që përcjell ditën dhe jetën …
Në këtë heshtje të largoheshe nuk dite
Sytë e tu janë zhurmë që nuk ua mbyll dot derën….

I dashur unë s’i besoj teorisë tënde të dashurisë!
Kur unë ngrej zërin, dije, s’dëshiroj më kthim
Pas kthehen vetëm këmbët mespërmes vetmisë.
Zemra jo, ajo ka një vend, deri në amëshim.


18. Lamtumira që s’e thamë


Unë mora një valixhe që të palos si nuse fatin tim,
si beton të thyer e mbaj dhimbshëm mbi supin e mpirë
Oh, ç'faj pati dashuria e sinqertë që të meritonte mallkim?!
-Një minutë heshtje na u desh për të thënë atë lamtumirë!

Më ishin shqyer këpucët në arat ku nuk hidhet më farë,
me tiktaket e këmbanave frymëmarrjen time e qëndisja
zemër e baltosur gjer në artierjen e fundit, sërish të kishte mall
gjer në asht më hynin fjalët e në fund me heshtje ulurija!

Ne asnjëherë s:u pamë në sy për të thënë atë lamtumirë
e në mendime me vinte të qaja dhe të qeshja njëkohësisht
se ishim gjah i lehtë për të rënë pre për çdo egërsirë
Ti me kapriçot e tua dhe unë si dëbora e brishtë!!!!


19... Mikes


Ne nuk folëm me ditë të tëra pa ndonjë justifikim
Lulet e tulipanëve që i mbollëm mbinë pa ngjyrë, pa aromë
edhe hëna vetullmrrolur nuk na hidhte, oh, asnjë shikim
Një tren mesnate humbte binaret e vërshohej në kallinj të njomë.

Unë të kujtoj si melodi violine kur e luanim gjer në agim
e pastaj luhatnim ëndërra në djepin që kishte gozhdë të shtrembëruara.
më dhemb melodia e zërit tënd, brenda vetes gjer në ulurimë
Për të kam grisur ëndrrat te mia në ato letra të papërfunduara!


E dashur mike, më kujto si një fragment të Himnit të Flamurit
që ia dimë refrenin dhe në gjumin e shqetësuar
Dikur e këndonim sa bënim rrugë mes baltës dhe tymit.
Sot e përjetoj si herën e parë mes yjeve të panumëruar

A s’ është mëkat të ikësh kur mua më duhesh pa fund!
Hë pra, të lutem !!


20. Pluhuri i mallit tim



Që kur më vure prangat s’të pashë më me sy
Tani je me to i futur në një kala të fortifikuar
Ditët nuk u ngjajnë aspak çasteve kur jam pa ty
Jeta ka tjetër dritë dhe me tjetër kurorë është mbuluar

Qeshem po si të qesh pa shije e pa ndjenjë
U kapa fort për ty dhe ti me falje shpresë
Ëndrrat ledhatare ikën e morën dhenë

Po vyshkem me gjethet, me vjeshtën që vdes .

Unë të lejova hapësirë të vije në kopështin tim
S’e kisha menduar një ditë se do të më sillje këtë thatësi
Shi dimri, re dhe mjegull të dendur më le si kujtim
Po nga ky dimër ditësh s’ka vdekur kurrë një njeri.

Si thua, pa mëdyshje a ta provoj të eci sërish?
Të zhdërvjellem tatëpjetave, a thua se mund t’ia dal?
A të dua ende apo s’ia vlen më sinqerisht
Kur mbi buzqëshjet tona bie pluhur dhe mall?


21. Baladë

A thua kjo valixhe ka vend për fjalët e tua?
Si thua, a të lë dhe pak ëndrra në atë hapësirë?!
Vetëm kur flas vizualisht, mund të them ç’të dua
Por kur jam vetëm e ndjej si dhemb gjer në shpirt

Përderisa koha të më dhurojë kohë jete, do të pres
Janë ca çaste sfidash që së bashku duhet t’i përpijmë
Kur shpirti im shpirtin tënd do ta përshëndesë
Do të marrim lëvdata që erdhëm deri në këtë ditë!

E di, e di se një ditë do të shihemi bashkë sërish
Do të shtrëngojmë duart si dy miq kaherë të vjetër
Ndoshta do të harroj ose ndoshta të kujtoj dyfish
Kur ti je me Të dhe unë... me një Tjetër.


22. Nëse ti më harron

Do ta kem lëshuar trëndafilin nga dora e njomë
Do ta mpiks gjakun në trombozën fort të dëmtuar
S’do të të kem munguar as pranverave që vinin pak vonë
Me vetminë thurja sonata për t’u ndjerë e lumturuar.

Ti ishe hajdut i padënuar se vodhe vitet e mia gazmore,
Buzëqeshje në fytyrë dhe rrudhje dorën për të bërë grusht
Unë ndieja trysni në shpirt si të isha vjeshte verdhërore
Në pasqyra s”e shihja veten kur krenaria më zinte ngushtë

Të kam thënë atë të dielën e mbrëmjes që u takuam
Nëse ti më harron, unë do ta vras me piskamë kujtimin tënd
Do ta çrrënjos çdo ndjenjë që ke ujitur në vakum (truallin e thatëruar)
Në asnjë qelizë te trupit tim për ty nuk do të lejoj vend

Nëse më harron harro se të njoh apo se të kam njohur
Harro të kthesh kohën kur koha veten s'të premton
Do të ulurish rrjedhshëm me zemrën tënde të ftohur...
Dhe një ditë do të pendohesh po .. do jetë vonë!!!


23. Mirë u pafshim!

Trokitjet i mori peng mortja e zezë në harresë
Të qëndisa si fund një shami të bardhë si kujtim
Mjegulla kishin dëmtuar dhe kishin sjellë aq vesë
Ashtu si bardhësia jote kalbëzonte rrënjët në shpirtin tim!

Ti kishe vendosur të më thoje një lamtumirë
Kishe ulur kokën si nuk bënte asnjë burrë
Përjetësisht imazhi yt u bë peng i vrarë me dëshirë
Dhe dëshirat e prangosura nuk kanë ideale kurrë.

Në qetësinë gjelbërore ra një vyshkje plot me ndryshk
U bëra si memece e vendosa të mos flisja gjer në amëshim
Pas fjalës së fundit që kisha thënë, ra ai lis dhe u vyshk!!
Mirë u pafshim e kurrë mos u pafshim, miku im!


24. Kur një ditë do të kthehesh



Kur një ditë do të kthehesh të trokasësh në portën time
me kokë të ulur, i penduar gjer ne kravatë të fytit tënd
Mbase do te qash a do më lusësh si me një dorë fëmije
Ëndërroj ta them në sy se për t’u kthyer nuk le vend!

Kur një ditë pranvera në shpirt të më hapë një derë,
Një ditë mbase Zoti dashurisë sate do t'i hap diku një grykë
Do të të lutem, të mbesin vargjet, të na lexojnë ëmbël përherë
E një ditë të kthehesh ti dashurisë sonë që i ke vënë myk

Në kthimin tënd vitet do t’i palosim dhe shpalosim si rrobat para syve
Unë do të doja që të të fal, por koha s’të fal gjer në përjetësi.
ky trishtim që lëngon, mos është mëkat i ne të dyve!!
Mos vallë koha po të jep si mësues notën me drejtësi?


25. Janar


Si Titaniku i rëndë u fundos edhe një ëndërr, edhe një.
Sa shumë rrugë kisha bërë dhe tek ti mezi arrija.
Të lutem, qëndro me mua të thashë me trishtim e pa zë
dhe ti qeshje lehtësisht tek luaje me dorezat e mia!

Nuk e harroj atë fytyrë diellore atë mëngjes janari me acar
Më dukej se dëbora shkrihej në sytë e ty mrekullorë
Kur kthehesha, menjëherë ndieja mall si të takoja një prag
dhe prisja mëngjesin të agonte që të të hidhesha në kraharor.

Atë muaj ti si meteor shpoje mendimet pa orar të saktë
Nuk ndieja të ftohtë nga ajo pranverë që në zemrën time kishte mbirë
Ishte ende dimër kur ne shiheshim shumë rrallë
Ishte janar kur lehtas i thamë njëri-tjetrit lamtumirë.




26. Kishim perënduar!



Kishte perënduar ndjenjë e asaj nate si hënë pas resh
kur ti trokite në derë me duart e mpira, të skuqura deri në asht
Një Trekëndësh Bermude me ankth më vinte para syve të zbehtë,
Kur koha nxitonte për tek binarët, kërkova që të ikje sa më parë!

Kishte ikur mëshira si dimri që vjen pas verës me vapë
Këmisha jote ishte e grisur më ngjante me murin e gozhduar
Flokët e tua të shpërndara ende dukeshin të bardhë
Nga dëbora e dendur që rrënjë brenda nesh kishte lëshuar

Mund të ishim të huaj, mbase si retë e mjegulluara në verë
Ti kishe lëshuar çadrën mbi pasqyrën time të thyer
Kishte perënduar larg çdo ëndërr pas asaj nate të sterrtë !
Qofshim bekuar ata që nga të sinqertë bëhen të zhgënjyer!!



27. TE DOJA DHE S’TE DOJA


Atë natë hëna u fsheh në qoshen pas irreales
dielli kishte rënë në gjumë e qielli belbëzonte në kllapi
E ndjek vala detin apo deti shkon pas palës së një vale?!
Imagjinar ishte përqafimi kur bëje një hap në nxitim!
\
Unë prisja si udhëtar agimi të vije tek vija
Hë pra, Homer djali, e sheh si përfunduam të huaj?!
Në stacionin e parë pa zhurmë zbarkoi dashuria
Ti me kape kapelen prapa dhe më the lehtas ‘’Të dua! ’’

Nuk kisha si të të doja e s’kisha si të të mos të doja.
Nuk doja të qëndroja e heshtur e nuk doja që të shkoje
Bëja hapa në drejtim të panjohur dhe mendimet përvëloja.
Oh, isha vonë kur pashë pulsin tënde që tani ishte bosh, pa shtroje!!


28. VETES



Të pata thënë se duhet ta kalosh patjetër atë dimër
sa të vështira ishin ngricat e asaj stine të ftohtë
Kur ndodhi eklips i panjohur e dielli ia plasi vrapit
ti mbeteshe në pesimizëm, kompromisin s’e preknim dot

Të kam treguar sinqerisht se rrugët kanë shumë gropa
Po ndërtohej andej pranë një urë e madhe gur më gur
Të pata thënë për të kaluar të duhet pak të kesh durim
Me hamendje më shikoje e çuditem si s’më besove kurrë?

Të pata dhënë një këshillë në një mes miqësie
Ka një rrugë për ty ndaj mundesh ta kalosh këtë moçal
Ka kohë për të gjithë ata që marrin nga zoti bekime,
ki besim tek vetja, të tjerat lermi mua se ke për t’ia dalë!!!


29. Jam bërë skllavja jote!


Unë jam Afërdita jote Arise ardhur nga mitet, më dëgjon?!
në venat e mia ke vënë verë, në mendjen time vure kapak
thure imazhin tënd me pe e me gjilpërë gjer natën vonë
e kur ti hesht, xhelozoj, zemërohem me vete dhe i flak!

Unë jam Afërdita jote, Arise ashtu më mendon?!
Në artierjet e zemrës ta vura emrin si në kasafortë
Të shkruaj letra me poemat që i do gjer natën von
Nga një perëndeshë me nam, jam bërë skllavja pa forcë!!!!



30. NUK MË THUA MIRËMENGJES

Më vjen, më zgjon në ëndrra, më trego të të pres
ka netë që kjo agoni shekspiriane rreshtas përsëritet
Kur zgjohem, nuk më thua madje as një mirëmëngjes
Me këtë kokëçarje heshtas kështu kaloj orët e ditëve !

Ka ditë që s’kam vënë kokën në jastëkun e bardhë
Rri ulur e nuk dëshiroj as të fle për harresë
Qerpikët më duken si një thes i rëndë mbi kapak
Të ëndërroj sërish e s'më thua as mirëmëngjes!

Sërish numëroj akrepat teksa në ballkon pi çaj dhe pres
Njëmijë pyetje në kokë rrotullohen si të isha një mulli
Ti kalon natën në ëndrra dhe nuk më thua mirëmëngjes
Ah, për kapriçiot e tua është vonë ndaj natën e mirë!!


31. KOSOVËS SIME


Ty Kosovë, të puth djepet që t’i shkrumbuan mijëra herë
e t’i lidhën këmbët e lodhura nga rruga për të të gjunjëzuar
t'i vranë stinët të vranë pabesisht këmbët ca të tjerë
Ti, mbete martire e përvuajtur, e shtrenjta ime e padjallëzuar.

Ty, Kosovë, të shembën artieriet e ta ndanë zemrën më dysh
Bijtë e bijat t’i morën nga gjiri e mizorisht t'i larguan
unë jam nga gjaku yt dhe lëngimet t'i kam parasysh
t'i njohën edhe mjegullat dhe retë që t'i sollën e t'i gatuan

Ti, Kosovë, ishe engjëllore see Zoti të fali bukuri
ty askush s'ta shuan diellin e askush nuk të afrohet në nur
Kur të shoh si manushaqe të sapoçelur brohoras me lumturi
Qesh e dashura Kosove, qesh, pranverat s'do t'i ndalin më kurrë!!

Ty Kosovë, të dua që nga blerimi i parë i zbehet në qiell pa re
Deri te vyshkjet e fundit te kthjellta që ke!
Të dua, Kosovë!!!!!


32. REFUZOJ


Qyteti i Vjeshtës së Ëndrrës u mbulua me fletë
Për të bërë një ecje buzë liqenit çuditërisht , refuzoj
në piedestal kam ngritur të dhënat e tua si hipotezë
një takim me ty, s'hamendem, por veç e dëshiroj!

Sytë më janë mjegulluar që atë ditë kur nuk të shoh
në djep pata lëkundur kristalet e para të ndjenjave të tua
si nënat që përkundin fëmijët, unë përkunda çdo ëndërr
pastaj më dhimbte dora pse lëndova qoftë dhe një thua!

Rishtas më vjen ndërmend dhe tollovitem në mendime
në mes imazhesh njerëzish kërkoj të dalloj sytë e tu
Pi një gotë vere të bashkoj harresën me veprimet
Në veprën e Mozartit ngjajmë dhe duam të mbesim kështu!

Refuzoj të mbesim ndryshe!!!!!!


33. MOS ME ZGJO


Ti lehtas butësosht më preke dorën e bardhë
Mos më zgjo të lutem, lërmë të fle në degë të qershisë.
Kjo stine më ka nusëruar e më ka hedhur krahët me mall
Me ka bërë një përqafim, ndaj drithërohem si fëmijë

Edhe kur stina të ketë marrë valixhen e rëndë
E fletët të bien heshtash mbi tokë e mbi kujtime
Mos më zgjo të lutem, mbi gjethet që vdiqën në këtë vend
Mos hidh fara mbi dhimbjen në këto rreze në agime!

Të lutem, mos më shiko në sytë me lutje qarkuar!
Kur shiu dëmton filizët e degës së pemës së tharë
Ra pluhur i verdhë ndaj të lutem, mos më shih të zgjuar
Jam larg të të kap doren, si herën e parë!!!


34. ME PRIT

Ti ndjeje zërin tim si fllad livadhi a frymë të lehtë
Ma hidh vështrimin kah muri me dritare të verdha
Në kraharor më bëj vend që të vë kokën, i shtrenjtë
Më prit i dashur, kam mbetur jetës, por ja erdha!

Kur dallandyshet në shtigjet e ngrohta të jenë larguar
E tingujt e violinës sime të qajnë mbi supin tënd
Më prit, më prit, në blirët degëthyer e të bleruar!
Në ëndrrën tënde i dashur, më bëj një vend

Të lutem, hapmë dritaren dhe buzëqeshje më dhuro!
Dil e hapmë dyert e portës që i lidhe me dryn
Jam rrugës sëgjatë të vij, por jam lodhur në kohë
Më prit, i dashur, hapmë një derë që të mbetem aty!


35. NESE ME LEJON



Nëse ti më lejon, unë do të të kem harruar
Kur mbi kitare heshtas të bien gjethet e para
E polen të prekin lehtas dëshirat e përgjysmuara
E sythat e parë të pranverës t’i kenë mbuluar gropat e çara.

Nëse ti më lejon, unë do të të kisha përqafuar
Kur duart tona lehtas do të përshëndesnin njëra- tjetrën
E këmbëzbathur do të largoheshim rrugës së paasfaltuar
Po ti je larg e puhizat e ëndrrave tona qetësisht u treten!

Nëse ti më lejon, do të të kisha kënduar sa e sa këngë
E vargjeve të ninullave tona do t’ju flisnim butë-butë
Treni im me shina te verdha po niset, ti valixhet me le peng
Nëse ti më lejon, unë do të të falja edhe një minutë!


36. LUMTURIA


Në shetitore më preke flokun e lehtas, më puthe në ballë
Mendova të largohem nga ty, i dashur, por ishte e pamundur
Në dorën ku e kishe fshehur, më dhurove një trëndafil të bardhë
Më pëshpërite lehtas ne vesh: “E dashur, të dua, jam i lumtur’’!

Atëherë unë ëndërrave tona i shpova në grykë
Të kapa dorën e njomë dhe të thashë që të hynim brenda
Sytë na skuqeshin nga stuhia e mbaheshim fort të mos kishim frikë
Ti më lëshoje ngadalë dorën, tek sa të bëja vend në ëndrra

I dashur eja, të thashë me zërin që s’kishte rrugë në fytin kallkan
E një perde e zymtë që kishtë rënë me pengonte që të shihja
Ti qaje dhe me thërrisje se kishe prerë duart në xham
Me venat e tua shkrove:”E dashur, i yti jam, ti je lumturia” !!



37. NOTAT E PIANOS QAJNE


Kam një zinxhir malli sonte në këtë natë të rrallë
Thur në vargje të gjatë kujtimet tona të humbura
Laj këmishën tënde me lotët e pianos së bardhë
Burbullin heshtja në mendimet e si degë pas vitesh të këputura

Ti venitesh si rrobë pas vitesh në dhomën pa orendi
Unë trokas e drojtur në dritaren me rrjeta merimangash
Me fole lehtas mbi piano e lotët derdhe aty si shi
E dhimbjen si çekan që gumëzhin brenda syve të tu e pashë!

Ti nuk dëgjon, edhe spe kam kohe që të thërras
Nga ndjenjat e ndryshkura as psherëtima më nuk kam
Në kurthe tragjike na ranë premtimet me gjithë ëndrrrat atë çast
Notat e pianos qajnë, qaaaaaaaaaaaaaaaaaajnë!!!!!



38. UNË, TI DHE DETI


Ti, po bëje hapa të ngadaltë në horizonte, përtej
Hëna lehtas kishe përqafuar qiellin atë natë
Më kishte humbur një ëndërr e ecja që ta gjeja
E rrëmbyeshëm vinin valët, e deti përleshej me dallgë.

Ti, qetësisht pije verë në zjarrin e kuqëluar
E prush i shpirtit tënd lehtas digjte barin e njomë
E dashuroheshe me detin për t’i dhënë ujë lejlekëve të urtuar
E numuroje me zë yjet kur ishe vetëm atë natë të vonë.

Si një koncert në fund të dimrit, më vinte ai trishtim
T’i koordinoj hapat për një vallëzim me detin e trazuar
Vala hidhej mbi trupin tënd, por ty të duhej përqafim
Kishte një jetë që të kam pritur, e s’të thashë sa më kishe munguar

Ti qaje bashkë me detin, në qiellin që dukej kuturu
Ai prush shkëndijash zjarri si u shua, kush e treti?
Sa dënim të të kisha afër dhe të ndjeja larg, gjithashtu
E fundit natë që ishim vetëm, unë, ti dhe deti!!


39. Më vështro

Kur të jesh larguar edhe një herë me hënën
Kur të kesh ikur pa kujtimet e diteve te jetës që jeton
Si anije të zbrazen ndjenjat që i mbyllëm jo si në ëndërr
Të kam falë fotografitë tona, ndaj hapi dhe vështromë!

M’i puth pak sytë të më largohet mjegulla që ka rënë
M’i fshij djersët e mallit që kanë pikuar në ballin tim përjetësisht
M’i vështro buzët e thara e belbëzimet e prangosura fjalë e pathënë
Hidhmë një shikim, të lutem, si një kalorës , butësisht.


Gjëmon humnera ku kam rënë, në ndjenjën për ty të tiganisur
Me tiktaket e orës e kam ndërtuar melodinë e jetës në dhomë
I dashur, oooo, timbër i mbytur mbeta që kur je arratisur
Të lutem për herë të fundit, me sytë e zemrës vështromëëë!



40. S’TE KISHA THENE ASNJEHERE TE DUA

S’të thashë as ato ditë që shetisnim me pardesy në krahë të njëri- tjetrit
S”i kisha përtypur fjalët, edhe kur ti me thurje vargje nëpër strofat
S’ia tregova as dimrit të rrëpirtë që kishte thyer dallgët e detit
As kur na putheshin ëndrrat, as ateherë nuk të thashë se të doja

Kur stina kishte përfunduar, si shtegtarë u larguam
S’e zgjatëm madje as dorën, as orën, për t’ia falur vetvetes një çast
As kur vrapoja binareve për të arritur trenin për të cilin u vonuam
Ishte fjala që mbajta peng e më gërryente pse nuk ta thashë

Ika nga psherëtimat që bubullonin qiejve si korbat strehëve
Si të të gjej, kur ti fshihesh pas degëve në ullinjtë e krasitur?
Nuk të kisha thënë asnjëhere se të doja, por ti duhej ta vije re
A i shikove sytë e mi, si ndërronin ngjyrë duke të të pritur?

Ti ke hyre në të tjera ëndrra, e ke veshur pardesy tjetër
E unë nuk lejoj të tjera duar të më ledhatojnë shallin e bardhë
Më dhemb fjala që u qëndis në gjak, më bën trysni në çdo milimetër
Në arkiv ruaj kujtimin për ty, një monument i dashurisë së parë!



41. Dimër 1970

Ty, ushtari im, që asnjëherë më s’më kishe shkruar
Ka vite që dimrat kanë bllokuar kështu trenin tonë
Kur rrugët na ishin ndarë, të kujtohet premtimi i bekuar
Për të pritur njëri -tjetrin, 10 vite, 100, përgjithmonë!!!!

Asnjë fotografi kahmoti drejt teje s’të kisha derguar
Kisha frike se s’do të m’i doje rrudhat e reja në ballin tim
Kisha frikë se më shihje flokët se si më janë thinjëruar
Vinin e shkonin dhjetoret e unë të prisja pa dyshim!

Na ishin vrarë pranverat në djep edhe dëshirat po ashtu
Për ato lutje që i bëra kishin dëgjuar dhe qiejt e largët
Me emrin tënd kisha thurur vargje, me mallin e syve të tu
E mallëngjyer të prisja në atë dimër, të 1970-tës së thatë. !!!!


42. Vjeshtë u bëra!

Më kanë mbuluar butësisht gjethet çdo cep të trupit tim
Shiu pikëlon faqet e njoma të njomzës në vyshkjen e harruar
Palosa fjalët në valixhe të kuqerremtë e po i nis për shtegtim
Mbledh ngjyrat e jetës sime mbi mbjegullat e bardha e vetmuar.

Ka kohë që klithjet e mia nuk kanë zë për t’u dëgjuar
E në rrugët e mija ka shumë shenja që më ndalin
Dielli im ka thyer krahët, hëna ime është murguar
Vjeshte u bëra që kur një shenjë jete nuk më falin.

Kam shtrirë ëndrrat mbi kthetrat e stinës e tani bëj gjumë aty
Vendos kokën tek dëshirat që gjëmojnë me ditë të tëra
Në parkun me shelgje të thara as qiellin s’e shikoj në sy
Mledh kujtimet që nga pemet e jetës më bien që kur vjeshtë u bëra!!


43. E vetmja poezi

I kisha premtuar vetes
Të shkruaj një poezi ku do të vallëzoj me diellin e ngrohtë
Të shkruaja
për stinët e mia pa acar, pa dëborë e pa shi
Unë kam premtuar
se do të shkruaj këngë, për djepin,për jetën e tokën
Do të vallëzoj me qiellin
Dhe do t’i flas ëmbël hënes, vetëm për dashuri!

Kam ëndërruar
Ta dëboja trishtimin, lotët t’i hidhja në mbeturina
Dhimbjes
t’ia hapja një dritare e kujtimeve t”ú lija një derë.
Kisha premtuar
T’ju shkruaja diteve pa re dhe pa shira, vranësira
E fëmijeve
pa dallim, tú këndoja vetëm një herë!

Fort kam dëshiruar
T’ia zgjatim dorën njërit- tjetrit çdo ditë për ta ndihmuar
Të pikturoja
sytë e bukur dashurorë që shkëlqejnë me dashuri
Fort kam dashur
Që të jetonim bashkë për njëri tjetrin duke qenë të lumturuar
Për botën
tonë të drejtë, kjo është e vetmja poezi!!!!!!



44 . ISHE TI

Ishe ti, një frymëmarrje që gëlltisja, por s'mund ta nxirrja jashtë.
Një magji që më prekte mendimet a ku ta di çfarë djallin ishe!!
Kur afrohesha drejt ëndrrave të mia, sa doja që të nxirrja përjashta
Sytë e tu ortek dëbore, zëri yt çdo fjalë ma vriste.

Ishe ti si një shkumë deti, kur shfaqeshe sa kisha frikë
Nuk më ngjaje në realitet as si njeri, as vetë nuk e di
Kur na putheshin mendimet nudo, nuk gjeja shteg për ikjen e trishtë
M’i kishe ngatërruar rrugët ndaj orvatesha nëpër shi !!

Ti më hyre në vend të gjakut se venat e mia kishe lëngëzuar
edhe neuronet e mia një nga një m'i kishe nxjerrë
Buzëqeshje me frikën time kur unë ndjehesha e trishtuar
Ishe ti që më kape dorën për të më dërguar në parajasë a në ferr!!!


45. Përqafo jeten!!

Duaji miku im edhe ylberet e zbehta të ditëve me shi
Mjegullën lëre pezull, vyshkjen lerja vjeshtës
Bota si ‘’nuse e bukur’’ në dasëm pa dashuri
Ndërsa ëndrrat tona pengu i frikës dhe heshtjes!!

Duaje, madje dhe të ftohtit që sjell bardhësinë
Luftoje urrejtjen, si një armik të madh
Përqafoje ngrohtë jetën si një nëne fëmijën
E beko fatin si të vijë, si një dhuratë e rrallë
!
Shikoje ëmbël tokën dhe qiellin, nëse ai është mllefosur
Shiu nuk është arsye që ti të mos buzëqeshësh
Edhe pse jemi banorë në planetin me liri të prangosur,
Premto të jesh i lumtur me çfarëdo që të ndeshesh!



46. KAM IKUR

I dashur mik, kam ikur strehëve e vetme
Kam kaluar netë të tëra me vetminë që digjte zjarr
Ti kakarisje, por një fjalë ngushullimi nuk më jepje
Kam ikur, kam lënë dëshirat varur ndaj më fal!!!


Tani, vetëm ti ke mbetur në mendje
Çdo ndjenjë që luhatej tash e kam të boshatisur
Kam marrë edhe copëza prej vetmisë tënde
Kujtimet i hodha në letër, edhe më e lehtë për t’i grisur!!!


I dashur mik, kam ikur!!!!!



47. Premtimet e tua


Ti më kishe premtuar ,
Se s’do të më lëshoje dorën në asfaltin e çarë
Se
s’do të më lije të vetme në ditët e jetës me shi
Do të ndërtonim
së bashku dyer kullash e korniza albumesh të çmuar
Më pate premtuar,
me fjalë të ëmbla buzë qershisë gjysëm të tharë.


Më the
Se nuk do të duash më asnjëhere tjetër njeri!!
e di
Sa më qeshet, i dashur, me mua, me ty me këtë boshësi!!


Ti më ishe betuar
Se nuk do të kishte në jetën tonë dallgë, kënetë, acar.
Më the
Se do ta mbroje qoftë edhe një fije të vogël të flokut tim
Më premtove
Se netet do të ftonin shpirtërat për të vallëzuar
E zemrat tona
do të ndjenin njëra tjetrën si të ishte hera e parë.

Ti me ishe betuar, te jesh me mua, deri ne amëshim
Sa ndjej keqardhje, i dashur, për ne, për atë vegim!


48. Ti asnjëherë nuk më shikove në sy

Asnjëherë
s’trokite në portën që një shekull të kishte pritur.
Nuk vure veshin
te dritarja që dhjetra pranvera vuante e ngrirë

Ti
s’bëre përpjekjen më të vogël për të ardhur deri aty pranë meje
Të thoje
se vranësirat në qiellin tonë ndodhën papritur
Mbase
do ta kisha falur, pse më kishe lënë në buzë humnere.

Po r tani dielli ka perënduar i dashur,
Është vonë, natën e mirë!!!!!!!!!!!!


49. TI NUK VJEN…U bëfshim këngë!

Dritaret e jetës m’u thyen gjitha një nga një
Orët e vetmisë sime si alarm i pakurdisur
Ti nuk vjen e më godet në kujtimet pa zë
Ke humbur diku mes pyjeve të jetës i braktisur!

A jetohet në xhunglën e vetmisë së hidhur?!
Kur plazhet e jetës na ftojnë në dëfrim miqesisht
Edhe këpucët t’i kam blerë, këmishn, kravatën e lidhur
Por ti nuk vjen e më zbarkon dëshirat në breg qetësisht!

Kësaj pritjeje të gjatë i shtohet edhe një vit i ri
Më hiqet një shpresë, një motiv, sa e sa dëshira
Vetëtojnë në mendjen time gjithë kujtimet për ty
Shkarkohen ëndrrat lehtas në qiellin plot vranësira.


A jetohet në netët e zymta në muzget, pa dritë
Kur dielli i jetës na ftonë që ta përqafojmë?
Ti nuk vjen, për të hapur portën e vjetër një ditë
Këngë u bëfshim që vetëm kështu të na kujtojnë!

Më mirë, këngë u bëfshim!


50.NGRIHU, PRESIDENT!


( Presidentit historik Ibrahim Rugova)


Të bën lutje sot Atdheu, të ngrihesh nga varri President!
Falja, bre, Kosovës edhe një ëndërr në krahët që ia kishin këputur

Falja qiellit të kaltër të mëmëdheut atë buzëqeshje të argjendë,

me zemrën me dritë dielli për popullin aq shumë të përvuajtur!


Ngrije kokën, Bacë, të shohësh lulet që ia mbolle atdheut me mall
Preke lirinë ta ndjesh këtë fllad blerimi në Kosovën me tokë të shenjtë
se ti mban emrin Gand e Gandi gjithmonë mbetet gjallë,
Atdheu të thërret me zërin që drithëron: ‘’Ngrihu të lutem, President’’ .

Kosovës së përgjakur po i buzëqeshin pranverat që i kishe kërkuar
Ngrije dorën dhe prekja lehtas faqen e tokës që loton
Dëgjoje vetëm një herë brohoritjen e fëmijëve të lumturuar
Ti fli, por dëgjo uratat e atdheun që çdo ditë të bekon!

Ty, rilindas i shekullit Xx





51.E fundit fjalë …


Mos u bëftë të dënohesh e të mbetesh në vetmi
Kur të braktisin një nga një të gjitha shpresat si stacion
Kur të zbarkohet mbi ty nata, e ti mbledh copëza me lumturi
Nga larg të përplasin shikimet e s’ka shenja për rrugën tonë!



Mos u bëftë të ndjesh ndonjëherë mall për t’u kthyer
Kur gjumi i trishtimit kishte gjumë të lehtë, si erë në bjeshkë
është fjala ime e fundit, as s’të kam dashur as s’të kam urryer
Që kur më solle stinë të tjera, s’të kam menduar që atëherë!

Edona Haliti, Prishtinë, 2013.



Dritët e një buzqeshjes së një poezie- Parathëenie
.Buzëqeshi jetës!
Pas largimitm tënd
Fundvit
Nënës
Mos eja!
Kur ne s”ishim “ miq”
|Mall
Pas asaj pyetjeje
Babait
Grindje
Takimi i parë
Vemendje
Lutje Prishtinës
Binte shi
Më kujto atë ditë!
S’dëshiroj më kthim!
Lumturia që s’e thamë
Mikes
Pluhuri i mallit tim
Baladë
Nëse ti më harron
Mirë u pafshim!
Nëse një ditë do të kthehem
Janar
Kujtim i perënduar
Të doja e s’të doja
Vetes
Jam bërë skllavja jote
Nuk më thua mirëmëngjes
Kosovës sime
Refuzoj
Mos më zgjo!
Më prit!
Nëse më lejon
Lumturia
Notat e pianos qajnë
Unë, ti dhe deti
Më vështro!
S’të kisha thënë asnjëherë: “Të dua!”
Dimër, 1970
Vjeshtë u bëra
E vetmja poezi
Ishe ti
Përqafoje jetën!
Kam ikur
Premtimet e tua
Ti asnjëherë nuk më shikove në sy
Homazh gjyshes
U bëfshim këngë
Ngrihu, President
E fundit fjalë

Portat e hapura të një libri - Në vend të një falenderimi
Porta e hapur e një libri
Në vend të një falenderimi për librin tim të parë me poezi .




Po, e vërtetë është. Ky libër që po ju vjen në dorë o miqtë e mi, ka emrin tim në ballinë, foton time. Botën time, dhimbjet, trishtimet, lumturinë dhe gëzimet e mia. Atë që kam patur më të bukur brenda vetes dhe që sot po ua tregoj dhe juve duke ndarë emocionet më të rëndësishme sërish me ju. Po, libri nuk është më ëndrra ime që flinte brenda vetes dhe sot është e realizuar. Si një zjarr që kishte pak hi. Është zjarri që preket nga të gjithë Unë, Poete???!!!!!! Pak e vështirë që ta pranoj nga lumturia që kam, po edhe shumë poetë në botë kanë hyrë në histori vetëm me një të tillë . Më duket se ju kam sjellë mes shkronjave të tij lule Vitije, Prishtine. Pse jo dhe lule Çamërie kur mendoj se për të hapur këtë Portë më ndihmoi me këshillat e me punën e tij konkrete poeti me origjinë nga Çamëria i njohur në të gjithë trevat shqiptare e në diasporë. Miqtë e mi, e vërtetë se ky është libri im i parë. Nga ky moment e ndjej përgjegjësinë e madhe, ndaj vetes, ndaj familjes, ndaj jush, ndaj atyre që më besuan dhe e më mbështetën besimin e tyre tek unë! E kam cekur shpesh herë dhe nuk ngurroj ta cek sërish, sepse shumë nga miqtë e mi habiten me modestinë time. Ky është vetëm një libër. Nuk kam përse të mos jem modeste. Edhe sikur një ditë të bëhem emër i njohur i letersisë botërore, unë do të jem gjithmonë Edona, e cila ka lindur në një fshat të vogël, bën një jetë të thjeshtë me një familje te mrekullueshme në krah, me disa miq shumë të sinqerte. Është një studente prishtinase, jeta e së cilës është e lidhur me shkronjat, më shumë se me numrat! Te dashur miq, mendoj se poezia është art dhe si e tillë nuk e di sa mund të bëjë mëkat njeriu me të. Poezia duhet të ndjehet. Ajo duhet të jetë një takim shpirtëror i një përvoje të përjetuar. Gjithkush që mundohet të ikë nga ndjenja e sinqertë dhe nga marrëdhënia e sinqertë me poezinë, atëhere mendoj se ka bërë mëkat me të!!!! Të dashur miq, kam dëshiruar gjithmonë të shkruaj një libër, në të cilin të gjitha moshat do të arrinin të gjenin veten aty. Uroj që vërtet të kem arritur të përmbush këtë synim në një pjesë të madhe. Në poezitë e mia ka një lirike, e cila ndonjëherë flet për dhimbjen për trishtimin duke mos neglizhuar asnjëherë lumturinë dhe gëzimet e jetes. Ka poezi kur mund të kem ndërthurur gjërat bardhë e zi, por brenda meje shpërthenin ngjyrat e jetës! Të dashur miq, kam një këshillë të fundit. Duajeni jetën, çdo ngjyrë të saj! Duajini të tjerët, zgjatni dorën njëri-tjetrit, sidomos atyre që kanë nevojë për ju, hapni zemrat të ndjeni gjërat e vogla, sepse gjëra të mëdha nuk ka. Mos hiqni dorë asnjëherë, mos u frikësoni barrierave, mos u frikësoni rrëzimeve. Ne asnjëherë nuk do të ishim ata që jemi, nëse nuk do të mësonim diçka të re. E dicka të re nuk mund të mësoni nëse keni frikë! Sa i përket leximit të librit, është shumë e vështirë të bëj krahasime. Me të vërtetë, më e rëndësishme është që ata që e lexojnë librin të japin kritika pozitive. Sot paskam një buqetë të madhe me urime. Së pari, do të falenderoj Zotin që më mundësoi në realizimin e ëndrrës. Falenderoj familjen për përkrahjen morale dhe financiare, e falenderoj nga zemra miken time Drita Ademin për përkrahje të jashtëzakonshme , e cila gjithashtu me njohu me shkrimtarin Namik Selmani. Ju faleminderit për mbështetjen e madhe dhe juve, miq të tjerë që më përkrahët. “Unë e kam një ëndërr”- thoshte dikur Martin Luter Kingu. Unë them vetë e lumturuar: “Unë e realizova në Kosovën time një ëndërr, librin tim të parë!”



Me respekt: Edona Haliti Prishtinë, Viti. Janar 2014

nga Flori Bruqi:CIKËL POETIK NGA IZET SHEHU

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15.12.1942.Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe.
Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan.Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990.
Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”.
Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare.
Ka botuar këto libra:
“Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
“Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
“Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
“Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
“Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
“Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
“Fatkeqja e bukur”, novelë
Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
“Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
“Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike

SOT

Sot, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare,
Shpall para jush të vërtetat e shpirtit tim:
Pasi kapërceva lumenj, detra, male
Kuptova mirë çdo të thotë triumf e dështim.
Sot, kur ndjehem i zhveshur si lisi në bjeshkë,
Ku krihet e hirtë një re e pikëlluar,
Ku grinden e ndërzehen erërat në vjeshtë,
Ku gjak kaltëror rrjedh mbi peisazhin e cunguar.

Sot, kur nga duart e mia të mpira breron shi,
Kur rrëke dhimbjesh shkasin gjetheve të rëna,
Kur qajnë, kur qeshin, kur puthen në thellësi
Dhe shuhen në guaskën e vetmisë balada dhe ëndrra,
Sot, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare,
Shpall para jush agjërimin tim të madh,
S’krraurriva si korb,
S’u bëra manar,
po shirave të verdhë pak kuptim u dhashë.

Sot, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare,
Kur jam edhe s’jam i gatshëm për qefin,
Ty, që më përgjove pas kuintave e gardheve,
Në ta fal unë, s’ta falin shirat e shpirtit tim.
Sot, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare
Me fasho drite e errësire mbështjellë,
Shpall para jush të vërtetën e madhe:
Asgjë… Asgjë s’më rrjedh në trup pa më përqethur thellë.



SHTEGU I ARTË

Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
Mos shoh një rreze drite, një trëndafil kërmëz.

Këtej e nisi rrugën, mbi shteg e vuri këmbën,
Këtu e la tek unë a pas e mori ëndrrën.

Sa zogj e prekën shtegun, sa drerë qanë aty,
Po mua më ka zënë, do mbaj shtegun në sy.

Mbi të fërshëllen era, tufani shfryn si ujk,
Po unë rri e pres, i heshtur mbledhur shuk.

Gjithë natën gjer sa zbardh, gjithë ditën gjersa ngryset,
Aty numëroj yjet, aty numëroj sythet.

Mbi shteg e pres pranverën, si hyn edhe si del,
Mbi shteg shoh jargavanin, si zhvishet e si çel,

Më ëndërrtar i flaktë a gjendet vallë në botë,
Që prêt te shteg’ i artë e prej atij nuk lot?

Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
Gjithmonë si shkabë mali dhe asnjëherë si shterg.



BREGU I BRENGËS

M’u thërmua breg i brengës,
Po durimi nuk m’u sos.
Në kafaz
Tërbim i zemrës
Pikëllimin ma rropos.

Në rrëpirën shkëmb e gurë
Qielli im loton i kaltër.
Pse kjo xhungël-
Katrahurë
Mbeti tempulli i varfër?

Edhe pse plot ajër e diell,
Heq gërmuqur sa më s’ka.
M’u thërmua breg i brengës,
Krahërori keq m’u ça...

* * *

“Vetëm në varrezë gjen prehje udhëtari”,
Vetëm në varrezë... Po ku tjetër?
E ka thënë me mendje ari,
Ndjesë pastë, i urti i vjetër!



DITA IME E KAFSHUAR

Janë ca bisha që më ndoqën, që më ndjekin edhe sot,
Që më grryen, më kafshuan, më mbuluan gjak e lot.

Dhe s’mu hoqën, dhe s’më hiqen përsëri e përsëri,
Bishëzeza zeooparku, këlyshë bishash sterrë të zinj.

Thonë qemë, thonë jemi, edhe sot, edhe nesër,
Shkelin barin, shkelin zallin, shkelin brishtësin’ e jetës.

Janë ca bisha, ca pjellë bishash, që kërcasin dhëmbët prapë,
Zot më ruaj, më mbaj mendjen nga këta kuqalë dinakë.

* * *

Dit’ e mugët ishte dje, po, për dreq ashtu dhe sot,
Diell i akullt dhëmbërënë përsëri s’më ngrohka dot.

Prapë një tigër zeooparku skërmit dhëmbët e më ndjek
Nëpër fusha, nëpër male, nëpër borë, nëpër zheg.

Dita ime e kafshuar nëpër mjegull hiqet zvarrë.
S’dihet, jo, se ku po vete, s’dihet, jo, se ku do të dalë.

* * *

Shkelja rrugëzën si gjarpër, përmes pllajës plot kaçube,
Tej mbi breg shkundej një frashër, një mështeknë dridhej tutje.

M’u drodh zemra, m’u ftoh kurmi, kur pashë pyllin e rralluar,
Mbi një trung të mugët lisi qante qyqja e malluar.

Shkelja rrugëzën si gjarpër, se për ku as vetë s’e dija,
Tej mbi breg shkundej një frashër i marrosur nga mërzia.



UDHETIM NË LUGINËN E VERDHË

Udhëtojmë
Në luginën e vdekjes,
Të dy të heshtur udhëtojmë.
Unë pres orën e prehjes,
Ajo prêt të më kafshojë.

Udhëtojmë
Në luginën e verdhë,
Nën dënesën e verdhë të shiut.
Ajo më pret gojën shpellë,
S’gjej tjetër rrugë i ziu.

Dhe
Në çastin fatal në luginë
Me të s’kam për t’u takuar:
Unë mbështjellë me qefin,
Ajo me kosë ndër duar.



NË VARREZË

M’u rralluan të afërmit,
M’u rralluan…
Si drurët e pyllit një nga një.
Në ç’livadh të Elizeut kanë qëndruar,
Që s’i shoh e s’i dëgjoj më?
Në ç’tempull qiellor të kaltëruar,
Falen e s’i sheh njeri?
M’u rralluan...
M’u rralluan të dashurit e mi.

Lule e kilkaza në varrezë,
Bari i pafajshëm, i bleruar!
Hesht mos qaj... mos qaj me dënesë,
S’kemi kohë, jemi të vonuar.
Vënë radhë varret, pran’ e pranë,
Edhe këtu të ngucur, të shtrënguar
Ah, këtu të vdekurit e mi janë,
Apo lart në kopshtet e lulëzuar?

M’u rralluan të afërmit
M’u rralluan...
Cili i shpëtoi atij rrallimi?
Ah, moj botë dinake e trazuar
Si s’pëlcet e shuhesh nga lëndimi?!



* * *

Brenda meje shtegton vjeshta,
Rrëzon fletët zverdhur, tharë,
Në varrezë si bari heshta,
Ah, më mirë të isha bar!



PASMESNATE

Sa trishtim!
Pasmesnate
Një qytet i tërë në hije.

Vetëm qentë nëpër parqe
Bëjnë orgji edhe lëpihen.

Syt’ e zgavërt nga pallatet
Shohin zbraztësinë e rrallë.
Gratë e majmura si pata
Ëndërrojnë ëndrra me pallë.

Mal’ i Shenjtë mezi shquhet,
Mbledhur me jorganë resh.
Tek dremit,
Mbase i kruhet
Njëri sy a njeri vesh.

Sa trishtim!
Pasmesnate
Një qytet i tërë në hije.
Syt’ e zgavërt nga pallatet
Shohin ëndrra hiçërie



BËHEM GATI

Bëhem gati, pa u tutur, fatin tim mbaj ndër duar,
Para se të shkoj atje, kafka ime e munduar.

S’dua ta humbas mëngjesin, trëndafil i vesuar,
Thellë luginës së dremitur pa një britmë të gëzuar.

S’dua ta lë qiparizin kokë ulur nëpër erë,
Para se të bëhem baltë, pluhur yjesh të jem bërë.

S’dua të më shkoqet dita, borzilok në diell tharë,
Para se të lë mbi tokë: yjet kaltëroshë si farë.

Bëhem gati i stolisur, drit’ e nur dashurie,
para se të më përcjellin: me qefin i bërë hije.

* * *

Mos u tremb, ti zemra ime, bëhu gati për atje:
Ku lulëzojnë jargavanët, ku përndritet dit’ e re.

Ah, kjo brengë, breng’ e shenjtë, paska fytyrën e saj;
Unë po iki, mik i dashur, prapa s’dua kënd të qaj.

S’dua të lotojë agimi, s’dua të rrëqethet bari,
Unë po iki, mik i dashur, hipur mbi një karrocë ari.



HËNA DHE RETË

Retë në qiell ven’ e vinë
Ç’ndodh mbi dhe
S’duan ta dinë

Vetëm hëna
(Një gjysmë hëne)
Sheh me syrin e një nëne.

Sheh bjondinën në dritare
Çakërdisur,
Humbur fare.

Sheh pas shelgjeve rruspinë
Tek zbulon
Edhe fsheh gjinë.

Retë në qiell ven’ e vinë
S’dinë ç’të bëjnë,
Ç’të bëjnë s’dinë.

Vetëm Hëna
(S’ka si hëna)
Sheh çdo gjë dhe i ruan brenda.



ZËRI I ZEMËRUAR

Dridhen drurët nga zëri i zëmruar,
Kafshimi i tij, mëkati i vetëm i poetit,
Vargu vrullon
Duke gurgulluar
Në çdo kupolë e skutë të planetit.

Fjala e tij i rrëzon muret,
Përtokë shtrin dhe elefantin,
Akujt shkrin,
Forcon urat
Lumenjtë vrullshëm shpërthejnë shtratin.

Duke e ngrënë pareshtur mllëfin,
Vetëdijen e tij duke kafshuar,
Heshtja, faji i poetit,
Lëkund botën e trazuar.

Dridhen yjet nga zëri i zëmruar,
S’jetohet më në guackë mbledhur.
Vrungull i vargut s’mbahet në duar,
Prushi i shpurritur i zjarrit
S’mbahet në gji ndezur.

Dridhet bota nga zëri i zëmruar,
S’kalohet jeta me mllëf të kafshuar.
Dëgjojeni zërin e shënjtëruar të poetit
Në çdo kupolë të praruar
Në çdo skutë të planetit!



DRAMA IME

Nuk kam pritur nga Ariu i Polit
Lule, paqe dhe mëshirë.
Më të skamurin më nxorri,
Zhveshur, zbathur,
Në errësirë.

Sot nuk pres
Nga Kauboi i Çmendur,
Nga Tenardieja jo dhe jo.
Ç’fat të keq më paske gdhendur,
Pse kështu, i Madhi Zot?!

Nuk kam pritur nga viganët,
Nga liliputët kurrësesi.
Vetëm Ti, po ma dhe dorën,
më jep shpresë
E gjallëri.

Vetëm Ti s’më lë si trungu,
Bërë cung,
Gjymtyrë prerë.
Fati im si fat murgu,
Zoti im, kështu përse?

Nuk kam pritur nga të mëdhenjtë,
Dramën time nuk e fsheh.
Tokën time,
Dheun e shenjtë,
Të gjymtuar më s’e lë.



ERDHA

Erdha nga kurbet i largët,
Ndala në prag të shtëpisë.
Hodha sytë:
Kë kisha mangët,
Cila pjesë e zemrës s’ish?

Ku është motra?
Po babai?
Bota qark m’u rrokullis
Degën e blertë tundi mani,
Qeni bishtin zë lëviz.

Erdha nga kurbet i largët,
Më coptoi, më griu malli.
Hodha sytë:
Kë kisha mangët?
Bula djerse buluan ballit.



KULLIM

Diçka kullon nga zëmërimi fëminor,
Diçka nga hidhërimi rinor pikon mbi lule.
Rrjedh, gjëmon, shfryn e gurgullon
Jetëshkreta ime me prita e shkulme.
Diçka e zbrazët,
Fund e krye e zbrazët,
Rrëqeth horizontet e ngrirë rreth e qark.
Ku ta vë gishtin: mbi lulet a plagët,
Kujt t’i bëj lutje të shpëtoj nga ky çark?

Diçka brenda meje rrjedh duke gurgulluar,
Kullon pikë-pikë
Afër e larg.
Kujt t’ia vë syrin: qiellit të bekuar,
A truallit tim të mbrujtur me gjak?
Diçka kullon e gurgullon përherë
Në dejet e shkruara të fatit tim:
Me dimra të acartë me shi e erë,
Gjithmonë në pritje
Gjithmonë në kërkim.



LETRA NGA HADI

Më vijnë letra nga Hadi
Çdo orë,
Çdo ditë,
Çdo natë:
“Çfarë pret tjetër nga gjarpëri,
Çfarë pret tjetër, mor plak?
Kur ishim atje lart
Në tokën e të vdekshmëve
Pikcikim patëm fat
Dhe fshehjen midis njerëzve.
Ndaj merri këto letra,
Shpërndaji anembanë
Që prej kohërave të vjetra
Na mban ky Had katran”

* * *
Më vijnë letra nga Hadi,
Unë Elizeun dua.
Ngaqë s’e shtypa gjarpërin,
Pickimin e tij vuaj.

* * *

Se Hadi, dihet Hadi
Dhe Elizeu dihet.
Kush pati fat prej gjarpëri,
Edhe në Had s’i rrihet.



PLEQËRI E GJORË

Në skaj të pyllit struket një dre,
Në majën e malit bën fole një re.
Lejleku mbi plep: Ah, të isha atje!

Unë mendjen shtrydh… numëroj me gishta:
Kaq humba, kaq fitova, kaq, për dreq, prisha.
Më ngecën në buzë ca vargje nga Fishta.

Tjetri prêt të paguajë energjinë në radhë,
Bën gjestin e memecit: qenka i marrë,
Ky plak i rrjedhur me kokën si dardhë.

Unë eci e eci ngadalë në trotuar,
Më bëhet sikur: dy arinj të bardhë.
“Kujdes, babush, bëj ca mënjanë”!

A, s’qenkam në rregull, bie në hatër,
Më bëjnë veshët sikur rreh një flatër,
Ah, pleqëri e gjorë: sa larg dhe afër!



LOTËT E KAPROLLES

Ke parë kaprollen duke qarë
Hë, thuam mik, a e ke parë?
I binin lotët qelibar
Mbi gjethurina e mbi bar

Me ngashërim kafsha e gjorë
Kërkonte ndihmë pror e pror.
Atje nën lis,
Atje në hije
Qante me dënesë se kishte dhimbje.

Ke parë kaprollen duke qarë,
Hë, thuam mik, a e ke parë?

* * *

Sa enigma brenda meje
Hyn e dalin nëpër zgavra.
Hë, më thuaj, mik i dashur,
Cila syresh është e para?

Mos janë lotët e kaprolles,
Rruzuj dhimbjesh pranë lisit?
Sa enigma brenda meje
S’dinë ku lindin e bitisin.



KËNGA

Unë zën’ e dytë e bëja mirë,
Babai bënte zën’ e parë,
Në mes të barit në çair,
Ku iso mbante plep i bardhë.

Dhe trembesha mos binte kënga
Si zog i kaltër përmbi bar,
Unë zën’e dytë e thekja mirë,
Babai thekte zën’ e parë

Eh, kur një ditë m’i morën të gjitha:
Babanë, çairin, plepin e bardhë,
Unë zën’ e dytë e qava mirë
Po s’gjeja dot zërin e parë.

* * *
Mbaj mend
Nga mesi i muajit maj
M’u bë sikur një melodi:
Zërin e parë bënte babai
Dhe ishte krejt si zë i tij.

Dhe unë pas zën’ e dytë,
Një zë të dridhur si në vaj.
Me lotë krejt m’u mbushën sytë,
Këndoja unë dhe babai.

Kënduam këngën e përjetësisë,
Se s’duhej lënë përgjysmë kënga.
Ah, dheu ynë! Më i shtrenjti vis,
S’të ndamë asnjë çast nga zemra!



TIM ETI

Në pëllëmbën tënde bleronte fush’ e bekuar,
Këndonte lumi tek rridhte tatëpjetë,
Flatëronin zogjtë zabeleve të trishtuar
Dremitnin pellgjet e shtegtonin retë.

Në pëllëmbën tënde kërcenin stërkala argjendore,
Drurë të shkallafitur vraponin në shtërngatë,
Malet e kaltër me vezullime diellore
Në ëndrra të hynin,
E nga ëndrrat dilnin prapë.

Në pëllëmbën tënde vallëzonte vdekja,
Dhe duke vallëzuar në prehër të ra,
Nën një muzg bojëhiri zymtuar mbi kreshta
Të mori me vete e të ngriti, baba!


* * *

Ngriu, or ngriu me shpirt në dorë
Karakoll në majë të malit,
Duke pritur mbi dëborë
Ditën,
Që s’e pa të zbardhi.
Sy mbërthyer lart nga qielli,
Me besim te Perëndia.
Ngriu e s’e pa dot diellin,
Ëndërr i mbeti liria.

EJA...

“Eja... eja”!...
Më thotë nëna.
(S’është si nën’ e Eseninit)
S’e kanë thyer dot dy gjëma,
Më të tmerrshmet e njerëzimit.

Shkel mbi shkallën tetëdhjet e shtatë,
S’mban as shkop,
S’mban as syze
Vjen e mpakur ca në shtat,
Ballin plot fidanë e sythe.

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Zërin zog në celular.
“Tani s’më bëjnë fajde ëndrrat,
As më ngroh virani zjarr”

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Fllad i shpirtit zë i saj.
Mua s’di pse m’u drodh zemra
Si një zog i zënë në faj.



O NËNË!

Pse
Njeriu
Thërret: “O nënë!”
Edhe kur e ka të vdekur?

Duket: zëmrën ia ka zënë
Veç ajo e askush tjetër.

Pse
Njeriu
Thërret: “O nënë!”,
Pse kërkon ndihmën e saj,
Edhe kur vajton me këngë,
Edhe kur këndon me vaj?

Pse
Njeriu
Thërret: “O nënë!”
Fjal’ e parë dhe e fundit.
Lule, rreze, shpresë, këngë,
Ëndërr në sqep të pëllumbit.



NIPIT TIM, ENDRIT

Ti, nipi im,
Ti, gjak i gjakut tim,
Që linde në qytetin e madh atje larg,
Mësoje nga gjyshi: nuk gjen si ky vend
Me dimër të bardhë e vjeshtë të artë.

Nuk gjen ditë me kaq shumë diell,
Nuk gjen net kaq të magjishme.
Rrënjët e tua gjallojnë këtu thellë
Në këtë kënd hyjnor,
Në këto të kaltra vise.

Dhe, kur të shohësh Diellin,
Thuaji: jam gjak arbëri,
Dhe, kur të shohësh Hënën,
Thuaji: jam biri yt, o Hënë!
Këtu, mbi këto male të sertë e krenar
Do ndjehesh qiellor me rrënjët në këngë.

Ti, nipi im,
Ti, gjak i gjakut tim,
Jetofsh ditë të bardha në atë qytet të madh
Dhe kurrë mos harro se në këto brigje të artë
Gjallon fisi yt bujar e i lashtë!



GJURMË E ARTË

As më shumë
Dhe as më pak
Jam përtëritja e beftë e muzgut.
Tulipan i ndezur flakë,
Gjurmë e artë e Gjon Buzukut.

Jam qiri ndezur në Frashër,
Baltëmjaltë në Çajup,
Eshtër e hedhur në Bunë,
Flatër lirie në Kukël.

Urë me plagë në Mitrovicë,
Gji i prerë në Filat,
Foshnjë që sërish pi sisë
Në legjendë dhe në Rozafë.

As më shumë
Dhe as më pak
Jam një lule e re e muzgut.
Tulipan i larë me gjak,
Gjurmë e artë e Gjon Buzukut.



VYSHKJE TRËNDAFILI

Një strehëz të bardhë të kem në breg të detit,
Një kopësht të vogël me limonj e portokalle,
Kujtesën ta var në degën e plepit,
Të luaj me zogjtë
Me perëndimet ngjyrë alle.

Një strehëz të thjeshtë, ku të rroj i mënjanuar,
I plagosur nga ndonjë pikëllim i beftë.
Mbase gjej paqen e mohuar,
Mbase gjej lirinë e vërtetë.

Një strehëz të qetë, ku të më zërë bora,
Tek shpurrit hiret e zjarrit të shuar.
Mbase më kuptojnë njerëzit,
Mbase më kupton koha,
Se jo për nam, po për shpirt kam shkruar.

Një strehëz ju kërkoj,
Plotësomani këtë dëshirë,
Këtë vyshkje trëndafili në një buzëmbrëmje të ngrirë.
Kështu, kur të iki, s’do më tundojë frika
Kur t’ju them zëshuar:
Natën e mire! Ika!



ÇAST I PIKËLLUAR NË MUZG

Muzg i pikëlluar përpëlitet mbi pyll.
Hapma portën qiell, hapma mos ma mbyll!

Le të shkundet vjeshta: e ëmbël, e mekur.
Veten pyes në heshtje: gjallë jam a vdekur?

Heu, sa tmerr, sa dhimbje, sa ndrydhje në gji
Ndiejnë këto male gjithë madhështi.

Kur i mbështjell muzgu, u hedh pelerinë.
Ah, shtegtar i egër, mbledhur me qefin!

Muzg i pikëlluar përpëlitet mbi bar.
Ndjeje si rrjedh qark: vdekja-lum i tharë!



HOMERI

Mbi një muzg shkon shaluar
Homeri i lashtësisë
“Iliadën” e mban ndër duar,
“Odisenë” mbi kurriz.

Preku mjekrën
Edhe tha:
“Fati është si unë i verbër.
Dhelpra lindi në Itakë,
Qyqja në Trojën e vjetër.
Kal’ i drunjtë nuk është zhdukur,
Rri i strukur në çdo skutë.
Hapni sytë,
Një ditë të bukur
Dheun prapë do ta tund”.

Pastaj shkon mbi muzg shaluar
Sipër maleve me borë.
“Iliadën” e mban në duar,
S’e lëshoka plak i gjorë!



CIGANI

Re e bardhë lëshon breshër,
Re e zezë lëshon shi.
Këto thotë cigan i vjetër
Tek tymoset nën ulli.

Nuk më tremb
Ngrica dhe bora
Nuk më tremb
Breshëri dhe shiu.
Fyryfyckën e marrosur,
S’e durokam dot i ziu.

Re e bardhë lëshon breshër,
Re e zezë lëshon shi.
Këto thotë cigan i vjetër
I pa strehë,
I pa çati.



NË FIRENCE

Tek shëtisja në Firence,
ndiej një zë si fllad i lehtë:
“Jam i pari i poetëve,
Dante Aligieri vetë”

Nëpër dhëmbë mërmëriste,
Qiellin rrëfente me dorë.
“Beatriçe...Beatriçe...
Ku je strukur, moj e gjorë”?

Po kërkonte Beatriçen
Atë munda ta shoh vetë:
Nëpër rrugë vente e vinte
Si një magjistar’ e shkretë.
“Dantja, -tha,- ishte qiellor,
qiellorë janë gjithë poetët”.
Unë i thosha: digjem horë,
Ai fliste me planetet.
Pastaj më fliste për ferrin,
Sikur e kishte parë vetë.
“Janë të rrjedhur ca poetët,
Mjerë ajo që do poet”.
Tek shëtisja në Firence,
Ndiej një zë të lehtë si fllad:
“Jam i pari i poetëve,
Rroj këtu e jo në Had.



NËSE...

Nëse
Një ditë
Do më gjeni
Buzë lumit duke qarë,
Për të marrë, mos më merrni,
Rri aty mbushur me mall.

Rri aty,
Kujtoj rininë
Të sfilitur… Të pangrënë.
Fërshëllima e gjarpërinjve
S’më linte të ngrija zënë.

Nëse
Një ditë
S’do më gjeni
Buzë lumit tim të vjetër,
Dijeni: s’më deshi qielli,
Ndryshe, s’do ma zbehte jetën.

TULIPANI NË MAJ

Ajo lulëzon brenda meje si tulipani në maj,
Qan hallet me mua, me të unë hallet qaj.

Dor’ e saj e brishtë këput lule yjore nga qielli,
Me thotë zëdrithëruar : hë, ke turp, të lutem, merri !

Se s’jemi ne të parët, as të fundit s’jemi ne,
Që shkrijmë te njëri – tjetri e askush nuk na sheh.

Zjarre ndizen brenda meje, zjarre ndizen brenda saj,
Kapërcejmë dhe ylberin, edhe qeshim, edhe qajmë.

Valle gjethesh fëshfërijnë, bie borë, breshër, shi,
Po askush s’na ka parë ( vërtet s’na ka parë njeri ?! )

Ne grindemi me njëri – tjetrin, sajojmë sherre pa një shkak,
Unë si dhëndri prej qëmoti, ajo nusja me duvak.

Edhe rrjedhim, edhe s’rrjedhim, brenda meje, brenda saj,
Zoti e di ku po vemi. ( Na ndëshkoftë në kemi faj).



TI

Shtegu im në pyll, ku zë fill një përrallë,
Agim i praruar, trëndafil i bardhë.

Ku humba vetvehte, ku u bëra erë
Dhe kurrë s’e kuptova, dimër qe a verë.

Rrjedhje nëpër mote, dritë edhe hije
Ëndërr manushaqeje, krisje dashurie.

Rreze e përthyer në brerimën e vesës,
Kaçube e lulëzuar, flatër e pendesës.

Shtegu im në pyll, kapërcjell i thyer,
Malli im i parë, përrallë e parrëfyer.
***

Këtë puthje mbaje mend, - foli djali gaz e shend...
Ky është zogu im i parë, që këtu me ty kam vrarë.

Vajza qeshi edhe tha: pse si ky tjeter nuk ka?
Fët e puthi dhe një herë, edhe iku... u bë erë.

Vite shkuan e s’u panë, lule çelën dhe u thanë,
Po s’u pa më ai zog, nën këtë qiell e mbi këtë tokë.



PUTHJA E PARË

Ajo buzë,
Ah, ajo buzë
Trëndafil me vesë larë,
Më ka ndezur flak’e shpuzë,
Kur e putha për herë të parë.

Tani,
Sa çel trëndafili,
Më duket si buzë e saj,
Atë puthje të parë prilli
Edhe sot në buzë e mbaj.

***

Një trëndafil të agut
Në bisk të ëndrrës vura.
Kur erdhi e dashura,
Flakë i mori buza.



NJË ZË

Mu në shteg të kopshtit të vjetër
Si puhizë më vjen një zë.
Vite shkuan
Ai mbeti
Aq i dashur sa s’ka më.

E kujtoj kopshtin e vjetër,
E kujtoj shtegun magjik.
Si ujëvarë,
E bardhë... e ëmbël
Ai zë më rrjedh në shpirt.

Ah, qepallave të lagura,
Në sy lulesh larë me vesë,
Para saj krejt u shtanga
Atë maj,
Atë mëngjes!

Mu në shteg të kopshtit të vjetër
Si puhizë më vjen një zë.
Më të ëmbël s’gjeta tjetër,
Më të dashur se atë...



KUJTIM I BARDHË

Si t’ju them sot tulipanëve,
Si t’i them barit të njomë,
Për ty leshverdha viranë
Plot me hire dhe aromë?

Mbushur gjithë blerim e lule,
E ylbertë nën qiell të kaltër,
Vjen si zog,
Në sup më ulesh
Si kujtim i bardhë, i largët.

U bëj fresk sot tulipanëve,
Përkëdhel barin e njomë.
Si t’ju them, si, moj virane,
Si t’ju them, a më dëgjon ?!

Si t’ju them sot tulipanëve
Ndezur flakë dhe të vesuar,
Tek u qasem fare pranë,
Tek i përkëdhel me duar?!



VAJZAT KTHEHEN NGA VRESHTAT

Vajzat,
Me gërshetat si gjarpërinj,
Buzëmbrëmjes kthehen nga vreshtat.
U bymehen ato gjinj
U vetëtijnë dëshira të heshtura.

U ndizen ëndrra të virgjëra,
Duan ta përflakin vjeshtën.
Njëra,
Ajo më e mira,
Mu në gji ma nguli heshtën.

Unë,
I mekur sa më s’ka,
Si një meteor i rënë,
Hodha vjeshtën hop në krah,
Mora rrugën për në hënë..



ZËMËRIMI I TULIPANIT

Tulipan ia vura emrin,
Tulipan ishte vërtet.
Krejt finesë e kishte belin,
Gjoks e vithe gjithë lezet.

Kudo pas e ndoqa lulen
Nëpër rrugë,
Nëpër ëndrra,
Deri sa një ditë të bukur,
Më la purpurin te kënga.

M’u largua tulipani,
M’u largua i zëmruar.
Ah, ta dini më preu malli,
Mbeta duke e kërkuar!



THONË

Thonë;
Është dritëshkurtër dashuria,
Thonë, po unë s’u besoj.
Vini re, në prill qershia
Deh e shkrin e lulëzon.

Thonë:
Ka stinën e saj dashuria,
Thonë, po unë s’u besoj.
Vini re, u plak hardhia,
Po veshul’ i pjekur mjaltë i pikon.

Thonë,
Çfarë s’thonë për dashurinë,
Po unë kujt nuk i zë besë
Ajo s’ka as moshë as stinë,
Veç të djeg e të magjeps.



A E NDJEN?

A e ndjen
Se në këto çaste
Ti përjeton vetëm erën
Dhe lëvizjen e reve drejt perëndimit?
Hanin ke hapur dhe rri te dera,
Pret e përcjell kuajt e lodhur të dëshpërimit.

A e ndjen
Se dhe ura që lidh dy brigjet,
Dridhet e trishtohet më tepër se lumi?
Njeriu i shkreti njëherë digjet
Dhe vuan pasojat e pariparueshme te shkrumbit.

A e ndjen
Se dhe vetë
Në këto çaste je bërë si era,
Që s’e përcakton dot fillimin e fundin?
Hanin ke hapur dhe rri te dera,
Duhi dëshpërimi po të shkundin ...

A e ndjen,
E dashura ime,
Të kam pyetur katër herë,
Çfarë ndjen më thuaj, çfarë ndjen ti?
Jetojmë të dy tek ky han pa derë,
Që s’di kë pret... kë përcjell nuk di.



NË KRAHËT E MUZGUT

Jam i dashuruar pas zërit të saj,
Pas magjisë së tingujve, muzikës së fjalëve,
Më bëhet se më rrjedh në trup një ujëvarë,
Se më bien mbi supe petalet e tulipanëve.

Jam i dashuruar me emrin e saj,
Pas trishtimit që fsheh te syt’e bukur,
Pas siluetës së tulipanëve të ndezur në maj.
Larg, diku larg, në të dridhëruar të muzgut.

Jam i dashuruar pas parfumit të ëndrrave të saj,
Pas shtatit të fisnikëruar që m’i flakëron rrugët.
Ah, për një çast, vetëm një çast ta mbaj
Dehur në krahët e manushaqtë të muzgut!

Jam i dashuruar dhe në krahët e dashurisë mbetesha
Me emrin e saj në gojë le të më dalë shpirti,
Si tulipani në maj i lotuar nga vesa
Këngë le të më këndojnë të dashurit dhe fisi!

Jam i dashuruar... jam i dashuruar...
Kam rënë i tëri në robërin’ e ëmbël të saj.
Në krahët e muzgut, në këtë ngazëllim të bekuar,
Dua buzëqeshje trëndafilash të ndaj...



TULIPANI PLAK

Vjeshta vjen pas meje,
Për dore e mbaj.
Mbi një fole reje
Vë emrin e saj.

Kur të kondesohet,
Shi të bjerë mbi tokë,
Do të shoh si emri
Çel mbi borzilok.

Do të shoh si rrokjet,
Ndizen, marrin flakë.
Shihni po s’u bëra
Tulipani plak.

***

Në rininë time të parë
Preka një lule të bardhë.
Thashe:
S’ka si lulja ime
Më të bukur e më fine.

Thashë:
Do ta mbaj në gji
Lulen time plot freski.
Po, çudi, ma mori era,
Ma vërtiti mbi ca ferra.
Dhe tani gjashtëdhjetëvjeçar
E kujtoj lulen e parë.



AH!

Rubin loti,
Perla vese
Mbi petale tulipani.
Ah, sikur të isha rreze
T’i ndrija ëndrrat e barit!

Krejt e kalter kup’e qiellit,
Ninëz’ e ëndërrt si manushaqe.
Ah, të isha rrezja e diellit,
Të t’i puthja gush’ e faqe!

Flatër drite sikur të isha,
Aromë,
Tingull,
Ngjyrë,
Erë,
Cinka që këndon te pisha
Këngën time më të ndierë!

Ah, sikur...
Ah, sikur
Botën ta mbaja ne krah
Dhe t’i thoshja tulipanit:
Fshiji lotët, qerrata!



ODISEJA DHE PENELOPA

Ti je si Odiseja, - ma thotë ajo shpesh, -
Unë si Penelopa thur pëlhurëra resh.

Ty të mundon Poseidoni, Shitba dhe Karitba,
Mua më vërsulen mëtuesit si tigra.

Mua më ndizet nën këmbë dheu,
Ty të godet me dallgë Egjeu.

Dënimi yt: Kali i drunjtë dhe Troja,
Mëkati im: Në ëndërr mëkatoja.

Ti je si Odiseja, - ma thotë ajo shpesh,
Re proverbiale purpurojnë mes nesh.

***

Mijëra vjet ka Penelopa,
Që end ditën e shthur natën.
S’ka ç’të bëj tjetër e gjora,
S’ia del dot ndryshe me kafshët.

Mijëra vjet ka Odiseja
Midis dallgëve, drejt Itakës,
Midis nesh përteket reja,
Purpuron si gjuh’ e flakës.



EROTIKE

Atje, nën plepin e bardhë, atje
Në shtrat të kujtesës shtrihem e fle.

Nën këmbët tona: lumi lëviz e s’lëviz,
Përqark xixëllonjat feksin në tis.

Dhe bëmë, çfarë s’bëmë, kurora me yje
Ja vumë njeri-tjetrit në gjokse, në krye.

U puthëm, u shkrimë, dhe qeshëm, dhe qamë,
Nën plepin e bardhë, mbi bar të dy ramë.

Dhe fjetëm aq pranë, dhe fjetëm aq shumë,
Në shtrat të kujtesës: nën plepin mbi lumë.

***

Prapë u ktheva te plep i bardhë,
Duke mbledhur xixëllonja.
Po ti ku qe fshehur vallë?
Si i marrë të kërkoja.

***
Shyqyr, që më mban kujtesa,
Njëmijëherë them: shyqyr!
Përmbi bar sërish ndrin vesa,
Lumi rrjedh sërish i fryrë.



MUZGU I VONËT

Me flatra thëllëze erdhe tek unë,
Me buzëqeshje zambaku çelur në sy,
Njëmijë herë për ty u bëra furtunë,
Njëmijë herë u bëra fllad për ty.
U ndezën atypari ylberë ëndrrash,
Blerime shpresash buisën gjoleve,
Kaprolli i muzgut u struk rrëzave,
Flladiti rrugët aroma e mollëve.

Erdhe, drenush’ e kaltër? – pyeta me ankth,
Pyllnaja e vegimeve u prushërua,
Muzg i manushaqtë shtegtonte mbi gardh,
Me ardhjen tënde Venera u angështua.
Dehu zëri yt, prush i frymës tënde,
Tinguj e aroma u hapën gjithkund,
Si erdhe tek unë me shenjtëri thëllëze
Dhe brigjet e zemrës me dallgë m’i tund?

***

Ky muzg i vonët deshirat s’po m’i shter,
S’po mi zbeh xixëllimat e kujtesës,
Si një kal’i kaltër me vete më merr,
Më shëtit në luginën e qullur prej vesës.
Më çon në folezën ku flë thëllëza,
Më çon më shtroerën ku erëmon zambaku.
Dëgjo, muzg i vonët, s’më ka lënë kujtesa,
Dhe pse jam i lodhur, dhe pse jam i plakur.



ATO ÇASTE...

Le të krisë kup’e qiellit,
Le të shfryjë shtrëngat’e parë.
Ato çaste ngjyrë ylberi,
Do më ndjekin gjer në varr.

Si i shkund dënesat vjeshta ?
Si i shtyn era gjethet e rëna?
Para teje dridhur heshta
S’flisja unë,
Fliste zemra.

Sa shumë vite fluturuan
Herë në gaz,
Herë të irnosur!
Ajo vjeshtë e bekuar
Edhe sot më sillet rrotull.

Le të krisë kup’ e kaltër,
Le të hiqen vitet zvarrë!
Ato çaste aq të artë
Do më ndjekin gjer në varr.



VAJZË E ËMBËL

Vajz’ e brishtë,
E çlirtë si era,
Bëj kujdes kur shkel mbi ferra!

Bëj kujdes,
Se të çahen buzët,
Llërët e brydhëta, syt e bruztë !

Vajz’ e ëmbël,
Flutur e lirë,
Ku e ndjen veten më mirë?

Vajzë-erë,
Lule e njomë,
Ma mbush shpirtin me aromë.

***

Shfryu stuhia dhe i mori
Gjithë gjallesat që dheu nxori.
Shpëtuam vetëm umë e ti,
S’qe meritë, po rastësi.
Unë Adem e ti Hava,
Dheu ynë na dha krahë.



MBETA

Mbi qerpikë të natës fjeta,
Mes ninullave të ullinjëve.
Mbeta, moj mënjollë, mbeta
Zot e rob i zemrës sime.

Deti shkundet para meje,
Malet kaltërojnë pas shpine.
Mbeta, moj mënjollë, mbeta
Zot e rob i këngës sime.

Mbi qerpikë të natës fjeta,
pikoi vesa perla loti.
Mbeta, moj mënjollë, mbeta
Ja, këtu, ku më ra shorti.



E URTA MËSHTEKN’E BARDHË

E urta mështekn’e bardhë
Në mes parkut rri e qetë,
Se nga ç’vis këtu ka ardhë
Supet ngre s’e di as vetë.

Vijnë çifte nga çdo anë
Si pëllumba dy nga dy.
E urta mështekn’ e bardhë
Ç’pa e çfarë s’pa aty.

Në mes drurëve të parkut
Pret edhe përcjell me radhë
Dallgë dashurish përflakur,
E urta mështekn’ e bardhë.

***

E vetmuar qan e qesh
E urta mështekn’ e bardhë.
Pluhur yjesh, pjalme resh,
Qiejt përmbys i ka parë.

Veç një gjë nuk ia falë vetes:
Ndarjen nga lloji i saj.
Ndaj trishton, loton në heshtje
E urta mështekn’ e bardhë.



CA GJINJ TË BARDHË

Ca gjinj të bardhë më vijnë vërdallë,
( S’ di jam i vdekur a i gjallë?!)

Si dy pëllumba të bardhët gjinj
( Eh, plak i ngratë si mumje rri!)

Ca gjinj të bardhë në peqi të parkut,
Në syt’ e mjegulluar i shfaqen plakut.

***

Edhe qeni i lëpin plagët
E jo më plaku i brengosur.
Mjegulluar zë më qaset
Çast i shkuar,
I irnosur.

Edhe jap e marr me vete
Si ta kisha para syve.
Mbahu, them, mos bjerë në ethe
S’e gjen dot numrin e yjeve.



ULU PAK KËTU MBI BAR!

Ulu pak këtu mbi bar,
Ulu pak, moj belkëputur,
Pakëz erë të të marr,
Të të marr pak erë, moj flutur!

Të t’i puth këta dy sy,
Më të kthelltë se qielli i kaltër.
Ulu pak, ulu aty,
Ulu pak e më rri afër!

Ulu pak këtu mbi bar,
E qiellorta mjelm’ e bardhë!

***

Sot dhe shokët po më ngasin,
Më thonë:
“ Luajte në pleqëri,
Gjersa këndon për zambakun,
Gjersa hipën mbi qershi,
Gjersa bëhesh mik me flladin
Dhe puth lulet në lëndinë”
Sot dhe shokët po më ngasin,
Më ngasin mua të zinë.

***
Mu tek stol’ i blertë
Të prita të vije.
Numëroja minutat
Si kokrra tespie.
Po ti nuk më erdhe,
Vetë e di përse
Minutat e pritjes
I hodha përdhe.



SHIU

Shiu bie mbi qerpikë,
S’di e dashur, qesh a qan?
Ndalu pak, ta puth një çikë,
Atë sy,
Atë nishan !

Shiu bie butë-butë,
Hijeshon barin e egër.
Lermë, e dashur, të të puth
Atë buzë,
Atë vetull!

Shiu bie gjeth më gjeth,
Vallëzon tej në korie.
Ah, ky shi i argjendtë,
Uverturë dashurie!

***

Në syrin e gjolit u fsheha
Si pirat i dashurisë.
Pas një varke,
Pas një reje,
Pas kaçubeve të kaltërsisë.

Mbeta rob i syrit të kaltër,
Mbeta rob i dashurisë.
Qiellin e afrova afër,
Diellin hodha mbi kurriz.

***

Kopshti im mbushur me kumbulla,
Kopshti yt mbushur me fiq.
Flenë nën to mbi bar ca sumbulla,
Flenë nën to gjurmë dashurish.

Lumi rridhte aty pranë,
Gem mbi gem këndonte cinka.
Si dy çerdhe kopshtet tanë
Mbushur plot me cicërima.

I kujtoj sot ato kumbulla,
I kujtoj sot ata fiq.
Atje, në mes tyre shkunda
Prushërime dashurish...

***

Kur bëhesh lule,
Të marrin erë.
*
Kur bëhesh frut,
Të hanë menjëherë.
*
Kur bëhesh selvi,
Të kanë zili.



ZË I ËMBËL

Ninëzën e qiellit shohin luleshqerret,
Era u këndon sytheve ninullë,
Aty, më vjen një zë, qark teje
Si lule mes luleve erëmoj dhe unë.

Atëherë brohorita:
Po vjen pranvera,
Flatrat e kaltra duke rrahur në erë.
Erdha, përsëriste zë i ëmbël, erdha,
Syrin ma shkeli një luleshqerrë.

***

Derisa më del sërish në ëndërr,
Derisa më çon pas në rini,
Do të thotë :
Ke rrënjët në zemër
Ke shtegun e kaltër që askush s’e di.

Dyzet vjet u bënë, dyzet vjet,
Dyzet herë bleroi bar i ri.
Po ti nga kujtesa nuk më del,
Mbete këngë,
Endërr mbete ti.



STREHËZA

Kur zënë shirat e hirta,
Aty nga vjesht’e parë,
Nën strehëz tek të prisja,
U bëra si i marrë.

*

Prapë shirat kanë filluar,
Prapë nis të verdhet vjeshta,
Nën strehëzën e uruar
Duke të pritur mbeta.

*

Duhen vite për të lindur
Një brishtësi e tillë fisnike.
Me orë të prisja.
Dhe jam duke të pritur
Nën strehëzën vjeshtore,
Që vetëm ti e njihje.

*

Gjinjt’ e brishtë, kur t’i preka,
Çelën zambakët e bardhë.
U drodh strehëza
U drodh vjeshta,
U tund qielli si këmbanë.

*

Eh, zambakët, kur t’i preka,
Aq të bardhë, aq të brishtë,
Thirra: Zot, këtu vdeksha,
Nën këtë strehëz të hirtë!



LËRENI DASHURINË!

Lëreni dashurinë të sillet e lirë
Si lauresha,
Gjithë nur në çair!

Lëreni dashurinë,
Edhe me shikimin e parë,
Të digjet njëherësh si bari i tharë!

Lëreni dashurinë
Sublime, të qetë,
Pa të kuptim a do kishte kjo jetë?!

Lëreni dashurinë,
Të lulëzojë e dlirë,
O njerëz fisnikë, o njerëz të mirë!



A E MBAN MËND?

A e mban mënd?
Ishte ditë vjeshte,
Gjethet e verdha na binin mbi supe.
Nën blir heshta... dhe ti heshte,
Binin e binin gjethet e puthjeve.

Thuamë,
Të këjtohet një çast i tillë,
Një çast i brishtë që mbante erë mollë,
Era me drithërimë flokët shpupuriste,
Rrëzonte puthjet plot aromë.

A e mban mend,
A e mban mend një çast të tillë?
Nga buzët e puthura çelnin trëndafilë?

***

E thotë bliri i drithëruar,
E thotë edhe hëna bjonde.
Atë çast të mrekulluar
Sërish sjell në mendje sonte.

E thotë kënga që dremit,
E thotë ëndrra që s’ka vdekur,
Çast, o çast i trëndafiltë
Në kujtesë më ke mbetur!

***

Një kokërr mollë paska shpëtuar nga vjelja,
E pjekur, e bukur, atje lart mbi majë.
Ma bën me sy, tund kokën, thotë eja,
Nuk rrohet vetmuar, dreqi ta hajë!



ËNDRRA BJONDE

Ku e kam parë një ëndërr bjonde,
Ku e kam parë as vetë s’e di.
Hëna mbi limon pikonte
Lëng hënor ngjyrë floriri.

Sa u vërtita asaj nate:
Sa në shtrat,
Sa në dritare.
Ku e kam parë një ëndërr bjonde,
Më bjondinën e kësaj ane...

***

Nga të gjitha gjërat
Më mbeti veç fjala.
Të tjerat m’i morën,
M’i rrëmbeu vala.

Tani edhe fjalën,
Duan të ma marrin,
Ata që thyen tempullin,
Ata që thyen gardhin.

Nga të gjitha vlerat
Më mbeti veç zemra,
Atë dot s’ma morën,
E fsheha te kënga.



DIALOG I VONË

- Ti më bëre të shihja yjet e parë.
Këmbët m’i vure mbi supe,
Kurrizin ma shtrive mbi bar.

- Ç’thua, moj, ç’thua,
A ke në kokë mend?
Kurrë s’e besoj rrëfimin tënd.

- Po. Besoje! Ishte muaji maj.
Pendimi më breu si mola pastaj.

- Pa dale ta shoh... mbaj mend një nishan,
Ta preka, ta putha, atje nën një man.

- Tani u bë vonë. U plakëm, për dreq.
Mbrëmja e majit u thye si qelq.

***

Atje kryqëzohen ëndrrat e mia,
Atje pëllumbat nisin fluturimin,
Atje mjelm’e bardhë digjet në kujtesë,
Merr ngjyrën e trëndafilit në dritën e perëndimit.

Atje syt’e tu si dy lule liri
Çelin e shkëlqejnë përherë.
Atje erëmon e të deh bliri,
Atje bëhem drithërim’ e kaltër në erë.



NË BREGDET

Një zonjëz e trilltë çapitet në breg,
Një qen leshtor nga pas e ndjek.

Ajo syt’ e kaltër i tret në det,
Ai mbi gjurmë nuhat i qetë.

Dhe det i dallgëzuar grindet me dallgë,
Dhe qeni rërën spërkat me jargë.

Një zonjëz,
Një qen,
Një det i trazuar
Një tyl i kaltër i ka mbuluar.
***

Mijëra krilla borë të bardha
Flatëruan në kujtesë.
Njërën prej tyre e ndala
Mu te rrugëza në kthesë.

Edhe thirra:
Heu, e kapa
Më të bukurën, më të brishtën,
Mijëra krilla borë të bardha
Nga kujtesa më rrëshqitën.



MË PËLQEN DASHURIA

Më pëlqen dashuria që më deh si vera,
Që më bën të qesh, kur duhet të qaj,
Që më bën të fluturoj lakuriq si era,
Që më bën të shkumëzoj si jasemin i bardhë.

Më pëlqen dashuria që m’i lbyr sytë,
Që prushin dhe akullin ma përzien përbrenda,
Që zërin dhe ajrin ma dridh e ma ndrydh,
Që gjakun e nxehtë ma rreh në tëmbtha.

Më pëlqen dashuria që s’e përfill dimrin,
Më pëlqen dashuria që e sfidon verën,
Që e erëmon dhe të vyshkur trëndafilin,
Që e erëmon dhe të tharë luleshqerrën.

***

Kam një mendim që e shpesh e kruaj,
Kam një mendim që s’jua kam thënë:
“ Zot, pse i bëre kuajt
Të dashurojnë e flenë në këmbë?! „

***
Më jep një buzëqeshje ta marr me vete,
Mbase më bie rruga në të tjera planete.
Mbase më bie rruga të shkel dhe në hënë,
Atje buzëqeshja, mbase më bëhet këngë.
Më jep një buzëqeshje si trëndafil të bardhë,
T’i marr pak erë, kur të mbushem me mall.



RACË FISNIKE

Nën këtë diell
E mbi këtë dhe
Sy më të bukur s’kisha parë.
Vezullim,
Shkrepëtimë,
Rrufe
( S’besoj njeri të kenë vrarë).

Shih:
Perkulin kokat drurët,
Gjak u skuqën tulipanët.
Si të gjallë u bënë drurët,
Ngriu cinka majë manit.

Racë fisnike,
Racë krenare
Shtat selvi, flokët hënor.
S’ka si vajzat e kësaj ane,
Nën këtë diell, në këtë sinor.



DASHURI

Ç’qenke ti për mua,
Ç’qenke, dashuri!
Zëmrim i fajkoit në një natë me shi.

Hapsirë e pafundme,
Drithërimë acari,
Fërngëllimë bore në mes të beharit.

Fluturim në erë,
Pëllumb përmbi blir,
Lot kristal i kripur, zambak erëmir.

Nën mbretërinë tënde rri nënshtruar bota,
Ndritet errësira,
Si fllad bëhet shqota.

Pa madhështinë tënde ç’kuptim ka njerëzimi,
Do mbetej si bokë,
Kredhje pikëllimi.

Ç’shije kishte jeta pa pushtetin tënd,
S’do të kishte tinguj,
S’do të kishte këngë.

Ç’qenke ti për mua,
Ç’qenke, dashuri!
Laureshë e trembur në një natë me shi.

Zë i thellë i gjakut,
Rrahje e dhimbshme gjiri,
Akull edhe prush mbi flatra zefiri...



LERMË !

Lermë të t’i puth një çikë
Ato buzë ngjyrë kërmëzi!
Sy i kaltër që sa fike
Kurmin zjarr e prush ma ndezi.

Lermë de, se do të vdesim,
Do të kalbemi nën dhe!
S’do ta shohim më mëngjesin,
Në purpur si shkrin një re.

S’do ta shohim si çel molla,
Si lind dielli në prarim,
Si shpërthejnë bisqet e njoma,
Vesa përmbi bar si ndrin.

Lermë të të puth në buzë!
Lermë të të puth në sy!
Kup’ e qiellit krejt e bruztë,
Ra përmbys edhe u thye.
***

Te burimi rrëzë malit,
Nga hutimi m’u mek zemra.
Ishja djalë, bash i djalit,
Zjarri më digjte përbrenda.

Kur u ktheva te burimi,
Më rrëzuan syt’ e kaltër,
Prap u meka nga hutimi,
Aty zemrën paskam pasur!



PAS VITESH

Zë kërkoj gjurmë të zbrazta,
Bregut të lumit në harrim.
Nën shelgun lotues u ndala
(Mos fle këtu kujtimi im?)

Syt’ i mbyll për të ëndërruar,
Nat’ e artë e prillit shket.
Ato gjurmë duke kërkuar,
Mbeta si guak nën shelg.

Zë kërkoj në breg të lumit,
Hën’ e zbehtë zbret mbi bar.
Prill, o prill, këtu më humbi
Ylli i zjarrit të parë.

* * *

Ç’emër t’i vë,
Ç’emër, vallë,
Nën këtë shelg flokëlëshuar:
Yll që bie si në përrallë,
Tjetër fat duke kërkuar.
Luleshqerrë herbariumi,
Hën’ e humbur në shkretëtirë.
Zë kërkoj sot ato gjurmë,
Bari sipër u ka mbirë.



MBI QERPIKËT E MI

Push i mjelmës bor’ i bardhë
Drithërohet mbi qerpikë.
Dale,- them,- pak erë të marr,
Të të prek,
Të puth një çikë.

Me këto flatra pjalm’ e dritë,
Me këta sy liqej të kaltër,
Duf i dehur çmendurisht,
Horizontet ka përflakur.

Në mundesh,
Lermë, mos ma prish,
Mos më rri si mjelmë tulatur!
Ah, ky prush, më djeg, më grish,
Me lak rrezesh më ka kapur.

Edhe bëhem krejt i gjethtë,
Kapërcej kaçubet gri.
Vetëm pak, të lutem, hesht,
Ulur mbi qerpikë më rri…



GRUA E DASHUR

Grua e dielltë e viseve të mia!
Me thjeshtësinë tënde rrezaton bukuri.
Në hijet e floknajës sate erëmon dashuria,
Nga goja jote e ëmbël drithërojnë puhi.

Grua përrallore e viseve të mia!
Në buzën tënde ndjeva shijen e lëngut të qershisë,
Ndjeva si më rridhte në trup një ujëvarë,
Ndjeva vezullimet farfuritëse të kënaqësisë,
Rashë në ekstazë për herë të parë.


Grua plot hire e viseve të mia!
Në lëkurën tënde të butë ndjeva shijen e frutit të pjekur
Në syt’ e tu qiellorë pashë të parët yj si perla.
Pak, oh, sa pak kohë na ka mbetur,
Gjer të na përfshijnë flatrat e stuhive të verdha!

Grua e zjarrtë e viseve të mia!
Magjia jote parreshtur më gjuan me rrufe.
Në vjeshtën e floknajës sate më mbuloftë hija,
U bëfsha si hi... u bëfsha si re.
Grua e dashur e viseve të mia!
Në syt’ e tu m’u ndez e m’u shua dashuria.



JASEMINI

Thonë për lulen jasemin,
Thonë që iu thaftë goja,
Se nuk na qenka aq fin,
Se nuk qenka e përsosura.

Thonë për lulen jasemin,
Që çel plot yje të bardhë,
Se s’na qenka e arrirë,
S’ta mbush syrin në të parë.

Po unë s’mendoj si ata,
Ndryshe shohin syt’ e mi,
Jasemin e tjetër s’ka,
Plot aromë për dashurin.



DY BRIGJET E LUMIT

Unë në breg të lumit shkoja,
Ti shkoje në bregun tjetër,
Si dy zjarre,
Si dy xixëllonja,
Anës lumit tonë të vjetër.

Unë u shtanga në njerin krah
Ti u shtange në krahun tjetër,
Midis nesh u gjend një vah,
Pak u lagëm,
Për t’u pjekur.

Tani lumi ka vërshuar,
S’shkohet zhveshur nëpër vah,
Duhet rrugë për t’u takuar
Tek burimi
Atje lart.

* * *

Sa pyetje reve u kemi drejtuar,
Reve të hirta në shtegtim,
Gjysmë të ndezur,
Gjysmë të shuar,
Gjer mbërritëm lart në burim.



AJO

Ajo iku…
Fluturoi
Si të ish zogëz e artë.
E mori në sqep fajkoi
E përcolli diku larg.

Më la dritën,
Më la hijen,
Më la drithërimë në gji.
Edhe iku...
Larg... larg...
Ku s’e gjen më dot njeri.



NIMF’ E TRILLTË

Si zambak i rënë nga qielli,
Syt’ e kaltër,
Flokët e verdhë,
Trëndafila- rreze dielli,
Me buzëqeshje e mbështjellë.

Edhe thirra,
Eh, sa thirra,
Po askush nuk më dëgjoi.
Vetëm cinka nëpër vidha
Flatrat rrahu e këndoi.

Vetëm cinka
Zog i dashur
Ma kuptoi trillin tim.
Shkuan vite... ato flatra
I kujtoj sot me mallim.

* * *

Eh, sa shumë më plagosi
Nimf’ e trilltë e rënë nga qielli!
Plumb i kaltër më ra gjoksit
Dhe në gjoks për jetë ngeli.



MOS MË PUTH!

Mos më puth,
Mos më puth,
S’kemi kohë për t’u puthur.

Nëpër mjegull,
Nëpër muzg,
S’gjen folenë thëllëz’ e bukur.

Mos më puth,
Mos më puth,
Se më deh mare e puthjes.

Kush e ka sajuar, kush,
Mjaltin dhe prushin e buzës?

Mos më puth,
Mos më puth,
S’kemi kohë për t’u puthur.

Ta kërkojmë nëpër muzg,
Siç kërkon thëllëz e bukur.
BISK LEGJENDE

Kapërceva nëntë male,
Nëpër borë,
Nëpër shi.
Zemër më dha një sorkadhe,
Forcën më dha një dori.

Isha dem i fuqishëm,
Isha si kreshnik legjende.
Me një gisht përkulja pishën,
Një burim shterja me ëndje.

Sisë piva në nëntë Zana,
(Për të puthur pata një)
Shkundja tërë pyllin me thana,
Hë, më thoni, ç’t’ju them më?

Gjithë këto janë të vërteta,
Ashtu siç e thotë legjenda.
Tani që më zuri vjeshta
I dyshoj:
Më duken ëndrra.



ËNDRRAT

Ëndrrat dot s’i prek njeriu,
Bën t’i prek
E s’i prek dot.
Herë i vërtiten si flutura,
Herë i flatërojnë si zog.


Ëndrrat e ndjekin njeriun,
Edhe kur i vuan shpirti.
Nën ca re purpur të ndezura
I del Zeusi
Dhe Sizifi.

Ëndrrat e trazojnë njeriun,
Nuk e lënë të flerë i qetë.
Herë i shfaqen si ariu,
Herë i gumëzhijnë si bletë.

Fle mbi ëndrra,
Fle nën ëndrra,
Gjersa fle gjumin e madh.
S’di, atje, i mbyllur brënda
Gjen një va, një shteg, një gardh?!



ËNDRRA E LEJLEKUT

Lejleku tek ngrohte vezët në fole,
Pa majës e malit si fekste një re.

I lindi dëshira e kaltër: sikur
Të bënte mbi të një çerdhe plot nur.

Të lindte ca zogj të bukur qiellorë,
Praruar me rreze mbi malin me borë.

Ca zogj të artë, përrallorë, gjithë dritë,
Pa ëndërr lejleku në çerdhen mbi vidh.

* * *

Hijet e natës
Dhe hijet e fjalëve
S’e përkthejnë dot monologun e valëve.

As bregu që puthet me to në përjetësi,
S’e kupton fjalën sublime “ dashuri”

Prandaj duhet drita,
Prandaj duhet dielli.
Reflekse pasqyrash: deti e qielli.


Sa më shumë rreze
Sa më pak hije
Ëndrra bëhet zhgëndërr; purpur dashurie.



E ËNDËRRTA IME

Kam qenë fluror me ty, e ëndërrta ime,
Të kërkoja në qiell e ti erëmoje në tokë,
I rrokja si deshët muzgje e agime,
Yllnajat përplasja për ty kokë më kokë.
Si ylber rrezëlleje fare pranë meje,
Unë si i lenë humbisja diku larg,
Shaluar mbi shpinën e një reje,
Në të perënduar të diellit merrja flakë.


Tani e kam kuptuar, por është tepër vonë,
I bërë pako për metronë e përtejme.
Kohë për t’u korrigjuar njeriu gjen gjithmone,
Po s’di a e gjen dot kohën për prehje?

***

E ëndërrta përthyhet në syt’ e shqyer të pellgjeve,
Në gollet e saj retë e hirta bëjnë fole.
Ku e gjen njeriu, ma thoni, pak prehje
Në këtë tokë të lashtë a sipër mbi re?
Ku i gjen fantazitë e zeza, të kuqe, të verdha,
Pas xhamave të një vetrine a pas një gardhi?
Gjithë jetën u rropata, gjithë jetën u enda,
Po dot s’e dallova shenjtin nga lugati.


Kam qenë fluror me ty, e ënderrta ime,
Shtegtar pa fat robëruar pas një krille.



ËNDËRR PREJ VESE

Ëndrrat e para më qenë të mira,
Edhe pse m’u thanë i dua prapë,
Se shpesh më nxirrnin nga errësira
Se shpesh ma bënin gjumin të artë.
Ëndrrat e para, dritëzat rinore,
Zjarre të ndezur në mes të stuhisë,
Edhe pse u dogjën netëve dimërore,
Mbetën flakërima të kaltra të dashurisë.

***
Piskamën time nëpër terr
S’besoj se e dëgjoi kush,
Vetëm një cinkëz barkëverdhë
Zëngjirur qau mbi bush,
Dhe tok e pritëm të çelë agimi
Me buzeqeshjen e ylbertë.
Me lot vese e gëzimi
E pamë terrin si u tret.

***
Ah, kjo cinkëz, kjo rreze ëndrre,
Që më ndjek në diell e shi,
Si një kulpër lulemerme
Më pushtoi që në rini!


Në pikëllim që rreze shprese,
Në hare qe lot gezimi.
Cinkëz moj, ëndërr prej vese
Veç tek ti gjeta shërimin...



ZGJIMI

Zgjohem e zgjas duart drejt qiellit të kaltër,
Era mërmërin e hyn zgavër më zgavër,
Ëndrra ime flutur, eja sa më afër.

Sa dola përjashta, lava sytë me dritë,
Dielli puthte pemët krejt i lakuriqtë,
Furshullimë e barit, fishkëllimë në shpirt.

Një ëndje e ëndërrt, që s’e kam parë kurrë,
Brof si lauresha, pupthi, gur më gur,
Mbahu bre, më thotë, mbahu, në je burrë.

Zgjohem e zgjas duart ëndrrën për të kapur
Drejt një horizonti të ylbertë, të hapur,
Duke mërmërirë, duke u përflakur.

Zgjohem, ajër qelqor, mbështillem me diell,
Dashuritë e mia kaltërojnë thellë,
Puthen pranë meje, puthen lart në qiell.


Zgjohem, shumë kam fjetur, edhe e marr shtruar,
Pyellin poetik perkedhel me duar,
zjarr i dashurisë s’paskërka të shuar.



TROKITA

Tri herë në qiell trokita,
Jehoi treqind herë,
Sikur nga hëna zbrisja
Dhe bija në humnerë.

Askush nuk më përgjigjej,
E ku përgjigjet ëndrra?
Në pyllin që po digjej,
Po digjesha përbrënda.

Dhe brofa përmes flakëve,
Dhe thirra: “Jam i gjalle”
Pas xhamave si çafkë
Më shihte hën’ e bardhë.

Tri herë në qiell trokita,
Jehoi treqind herë,
Sikur në ëndërr isha
Ku tjetër, mor i mjerë?!


***

Vetëm në ëndrra jam i lirë
Në këtë jetë, si për çudi.
Bëhem shpend në kaltërsirë,
Bëj me nimfën dashuri.


Vetëm në ëndrra,
Ah, vetëm në ëndrra,
Bëra si ma deshi zemra!



MBRËMË

Mbrëmë
U bëra si fëmijë,
Sa dhe gjumi m’u bë fir
Ëndërroja sikur mblidhja
Luleshqerre në çair.
Sikur isha bërë me flatra,
Si skifter e si pëllumb
Edhe sillesha tërë gaz
Sipër fushës së pafund.

Mbrëmë
U bëra i vogël fare,
Sa dhe gjumi më braktisi
Mora hënën dhe e vara
Si bucelë në degë të lisit.

Edhe piva sa u deha
Jo raki, po qumësht hëne.
Zëmrën shkula,
Ballin theva,
Rashë mbi krahët e një kënge.

***

Agimi i shkundi supet,
U drodhën lulet në çair.
Unë i lodhur, i pagjumë
I them ëndrrës lamtumirë !



KALI

Me fre në gojë mbeti gjithë jetën
Me shalën ngrirë përmbi shpinë
Dhe ujin e pinte në ecje,
Në ecje e hante tagjinë.

S’e lanë të lirë ndër livadhe,
S’e lanë të bridhte kurrë azat,
Po me të katra nëpër male,
Po me të katra dit’ e natë.

Ku kishte kohë të puthte lulet,
S’i erë vinte, shkonte si erë,
Gjersa iu mpinë të ngratit gjunjët
Dhe s’mbante dot as shalë, as fre.

Dhe kur u plak,
U bë gërdallë,
I thanë: Shko, jeto i lirë,
Bridh ku të duash në mëhallë,
Bridh ku të duash në çair!
Kur dhëmbët krejt i kishin rënë,
Kur gjunjët krejt i ishin mpirë.
Me turfullimë mënjanë lënë,
E shprehu dhimbjen kafsh’ e lirë.

***
Unë po iki, vijnë të tjerët
Sipër muzgjeve të artë,
Jeta ime në të errët
Nëpër zheg, shi e baltë,
Nuk e di se çfarë do të thonë,
Çfarë do të thonë s’dua ta di,
Mbetur pa dhëmbë në gojë,
Jetoj fundin në liri.

***

Ishte një kalë i bardhë,
Shkelte mbi një rrugë të artë.
Kishte dalë nga një përrallë,
Nga patkonjtë nxirrte flakë.

Dikush tha: është Pegasi,
Dikush tha: është sajesë kali,
Dikush tha: zbriti nga Marsi,
Dikush tha: zbriti nga mali.

Tek dëgjoja këto zëra,
Më zu gjumi rrëzë malit.
Kur u zgjova, më la ëndrra,
Veshët m’i lëpinte kali.



NËPËR MUZG

M’u zvordh jeta prapa kalit
Jo... io... duke thirrur,
Në dhiaren brinjë malit
Në të hipur,
Në të zbritur.

Jetë i thënçin...
Unë dhe kali
Dhe në zheg, dhe në shi,
Vuajmë plagët e një fati,
( Fati – kafshë, fati njeri ).

Ecim... ecim...
Pa e ditur
Ecjen tonë të pafund.
Në të hipur, në të zbritur
Në dhiare nëpër muzg.



TROKU I DRUNJVE

Këtu
Pranë nesh
Ka lindur kali,
Që tmerroi gjindjen ndër shekuj.
Trok i drunjtë me stisje djalli,
Po ai dinak ka mbetur.

Vërtet
S’ndjehen hingëllima
Nën pushtetin e ullinjve,
Po gjarpërinj me sy si vrima
Shkasin tinas nëpër hije.

Dikush thotë:
“ S’është më i pari,
Kohërat, ujërat kanë ndryshuar,
Bëhem shurdh si fij’e barit,
Po kurrë sy i mjegulluar.



NJË PELË E BARDHË HARBON NË MUZG

Një pel’ e bardhë harbon në muzg
Dhe hingëllin,
Dhe krifkën shkund.

Kë vallë ajo kërkon me ngulm?
Kë vallë kërkon nëpër lëndinë?

Një pel’e bukur,
Një kafshë fisnike,
Me gjuhë muzgun e lëpin.

Mbase në sy zë i fanitet
Një kal’ i artë në vezullim.

Një pel’ e bardhë harbon në muzg
S’i mund të shkosh pa i vënë re?
Dhe hingëllin,
Dhe krifkën shkund,
Dhe këmbët i përplas përdhe.


***
M’u bë sikur ngisja një pelë të bukur,
Pastaj u shndërrova si lule, si flutur,
Pastaj u rrëzova si petale mbi bar,
Pastaj si valëz e bardhë mbi valë,
Pastaj u zgjova ... tingëlloi një zile,
Ah, ëndërr çapkëne ma bëre me hile!



ROSINANTI

Dielli u trëmb në stacionin e fundit,
Në metrat e fundit u rrëzua elefanti,
Mbi një pllajë të thatë ngjyrë plumbi
Trak e truk shkon Rosinanti.

Mban mbi shpinë mullinjtë e erës,
Freri i ka rënë përtokë.
Askërkund nuk sheh njerëz,
Vetëm një kalorës çalok.

Në të djathtë një lis i djegur
Në të majtë një shkurre e tharë
Ec e ec e kërko shtegun
Dhe s’e gjen, djalli ta marrë!

***

Një hidalgo bërë skelet
Si fantazma del mbi varr.
Ulurin, çirret, bërtet,
Sa sheh Rosinantin gjallë!

Kjo që them, s’është fantazi,
E kanë parë mbi këtë pllajë.
Dhe i vdekur del ai
Del ai, djalli ta hajë.



KURMI IM

Me pesë shpata më kanë plagosur,
Sot më bien me pesëqind.
Zëmra ime!
Trupi im!
Paske dhimbje të pasosur!

Kup’ e qiellit në pesë copa,
Muzg i zymtë në pesëqind,
Heq e vuaj mbi qefin,
Në trembëdhjetën u plagosa.

Kup’e qiellit çarë e thyer,
Gjak e lot në çdo agim,
Dhimbja ime!
Kurmi im!
Perballë dallgëve rri mbërthyer.



EMBLEMA IME

Ku është Emblema ime?
Toka ime,
Fisi im?
Bërë copa e thërrime,
Ndaj thërras e jap kushtrim.

Ku është Emblema ime?
Trup e shpirt e gjymtuar
Mjaft me përralla
Dhe premtime,
Ky mashtrim na ka kushtuar.

Ku është Emblema ime
Tempulli i të vdekurve
Dhe i të gjallëve?
Vëllai im, bjeru borive,
Mbaje nderin e të parëve!

Ku është Emblema ime
Shqip u flas a më dëgjoni?
Shihni si zemra më dridhet
Po më çahet kraharori.



KËTIJ TEMPULLI I PËRKAS

Nuk e di kujt i përkas:
Neandertalit.
A Kromanjonit?
Po një gjë e kam të qartë:
Linda fare pranë Tomorrit.

Këtu lindi babai im,
Këtu gjyshi e stërgjyshi,
Folën shqip, padyshim,
Bujarisht ky dhe i yshti.

Ndaj u them me zë të lartë:
Jam shqiptar e bir shqiptari.
Këtij tempulli të artë
I përkas e jam i pari.



AHU

Nuk jam lisi në kërthiz të pyllit,
Nuk jam frashëri,
As mështekna,
Por një ah te kapërcyelli,
Që mbart gaze edhe brenga,
Që e ndjen flladin i pari,
Që i pari e ndjen ngricën.
Jam ahu që pret udhëtarin,
Që mban në pëllëmbë cinkën.

S’jam i madhi,
As i vogli,
Dru si gjithë drurët e pyllit.
Zogj e kafshë mua më njohin,
Syt’ e bukur këtu mbyllin.
Syt’ e bukur këtu çelin,
Mbi këto degë, nën këtë kurorë.
Jam një ah në pyll, i mjeri,
Pres, përcjell në zheg e borë...

Nuk jam lis,
As shkurre e pyllit,
As kam qënë ndonjëherë,
Por një ah te kapërcyelli,
Që pres dimër e pranverë.



PAK

Pak vjeshtë mora,
Pak pranverë,
Pak dimër plot me shi dhe erë.

Dhe bëra një përzierje stinësh
Mes dy kodrash,
Mes dy gjinjësh.

Pak qiell mora,
Pak ylber,
Pak perëndim purpur përzierë.

Bëra prushe dashurish
Mes ullinjve,
Mes qershish.

Pak gjëra mora,
Eh, sa pak.
Nga ato që rrinin qark.



SYTHET

Së pari
Çelën sythet
Si një bekim qiellor,
Pas tyre gjuh’ e gjetheve
Lëpin ajrin qelqor.

Kudo
Shpërthen blerimi,
Shpërthen, djalli ta marrë!
Në atë afsh shkëlqimi
Sajohet frut i parë.

Ja, pra,
Se çfarë na qenka
E puthura e parë,
Nga sythi fillin zënka
Dhe deh blerimin mbarë.

Së pari
Çelin sythet,
Pastaj buzëqesh blerimi,
Si një bekim hyjnor
Përtrihet mbarë njerëzimi.



ATY

Aty ku fërfëllon si thëllëzë poezia,
Aty ku turfullon e flatëron Pegasi,
Aty ku lulëzon si nuse qershia,
Bëhem i ëndërrt e fluturoj nga gazi.
Më bien petale të bardha mbi supe,
Unë si dhëndërr, ajo si nuse.

Aty ku arom’ e jesemineve deh dhe gurët,
Aty ku muzik’ e manushaqeve bëhet erë,
Aty ku harlisen dasmorët si drurët,
Aty bëhem qingj e të ulem në prehër.

Aty i fluturt të vij nga larg,
Pak i malluar ... i turpëruar pak.

Aty ku bëlbëzova tingullin e parë,
Aty ku hapin e fundit dua të hedh,
Aty ku me vesë mëngjesore jam larë,
Aty mbi bar dua të bie si gjeth.

Aty ku linda dua të vdes,
Në altarin tim stërgjyshor, o njerëz!
MONOLOGJET E STATUJËS

Me vdekjen kam luftuar këtë natë,
Me dallgët kuçedra jam përplasur,
I verbër në mes të vebërve,
I pafat,
Detin savan e varr kam pasur.

Ranë mbi mua gjëmimet e përgjakura
Ranë mbi mua ulurima dallgësh në tërbim,
Ranë mbi mua ortekë bore,
Me to u përplasa,
Dhe mbeta mes tyre statujë në agim.

Këtu, në këtë tmerr, më zuri nata e vdekjes,
Këtu, në këtë det morg me emrin Jon,
Pse ky fat i zi ?
Pse kjo heshtje ?
Pse, edhe i vdekur, ju lë këtë monolog?
Me vdekjen kam luftuar këtë natë,
Vetëm pesë kilometra nga bregu im.
U bëtë shurdhëmemecë,
Në terr më latë,
Mes dallgëve-kuçedra në tërbim.
***
Copëra makthesh dridhëse
Përplasen me dallgët e ngrira,
O zot, pse m’i dhe për hise
Këto çaste të vështira !
***
Ju s’e dini
Ç’është një djalë
Deti-bishë duke e kafshuar,
Dhëmbë për dhëmbë, dallgë më dallgë
Me arinj të tërbuar.

Po ta dinit,
Do të vinit
Gjithë bujë e gjithë gjëmë,
Jo si shteti që s’është shtet,
Po më la të ngrij në këmbë.

Ju s’e dini
Ç’është një djalë
Gjithë ëndrra e gjithë këngë,
Që luftoi me bishat-dallgë
Që luftoi e ngriu në këmbë.

***

Ka orë që flë në një ëndërr me vdjekjen:
Kur ajo më përqesh e përqesh dhe unë,
Kur unë dua të hesht, ajo e thyen heshtjen,
Kur unë bëhem erë ajo bëhet furtunë.
Ka orë që fle në një ëndërr me vdekjen:
Unë e kam për herë të parë,
ajo kështu e ngrys jetën.


***

E urrekam sonte detin
Plot me dallgë, erë, shi,
Që na ngriu së gjalli njerëzit
Për pak bukë,
Për pak liri!

Kjo që them nuk është e marrë,
As absurde,
As mister.
Deti ynë na u bë varr
Si në dimër,
Si në verë.

E urrekam sonte detin,
E mallkoj,
Ndiej neveri !
Nëntë janar 2004
Ëndrra si statujë u ngri.
***
Ti, o lumë, o lumi im,
Di shumë gjëra që s’i dimë.
Rrugën tënde duke ngarë,
Gaz e gjëmë ti ke parë.
Vetëm kur të biesh në det
Një minutë rri e hesht.
Mbaj pak zi për djalin tënd,
Si statujë mbi dallgë u gdhënd.
Ti, o lumë, o lumi im,
Detin pata për qefin.

***
Hiqeni myshkun nga sytë,
Hiqeni dyllin nga veshët,
Deti ynë po na mbyt,
Ndaj, të lutem, vëlla, mos hesht !

Ndale lumin që vërshon,
Mos t’i çajë brigjet e brengës,
Deti ynë, ah, Deti Jon,
Varri im,
Qefin i ëndrrës !

9 – 10 janar 2004



NË PALCË MJERIMI

Të jesh poet në palcë mjerimi,
Do të thotë të zhvishesh lakuriq
Në mes të borës,
Në pik të dimrit,
Në skenën pis të pabesisë.

Të jesh poet në palcë mjerimi,
Do të thotë ta keshë shtëpinë mbi varre,
Të mbledhësh lotët e mjerimit,
Të çjerrësh maskën e të marrëve.

Të jesh poet në palcë mjerimi,
Do të thotë t’i biesh tamtamit fort,
Të bëhesh flamurtar agimi,
Të shkundësh gënjeshtaren botë.

Të jesh poet në palcë mjerimi,
Do të thotë të zhvishesh si lisi në vjeshtë.
O zot, ndihmomë,
M’u sos durimi,
Mes kalbësisë si mund të hesht?!

***

Çdo gjë tashmë u bë e qartë:
Qendra shkelqen
Zymtojnë periferitë
Pa bukë, pa ujë, pa rrugë, pa dritë,
Një agim i uritur,
Një muzg që jep shpirt.

Çdo gjë tashmë u bë e qartë:
Sojsëzët mbi kuaj,
Sojlinjtë në baltë.

***

Atyre
Që s’më deshën kurrë,
Me urtësi u them dy fjalë:
Gjithë jetën time mbeta burrë,
Me djallin nuk u bëra palë.


Atyre
Që m’u hoqën miq,
Me urtësi u them dy fjalë:
Gjithmonë u ruajta nga armiqtë,
Po ju më gllabëruat të gjallë.

Atyre
Që u rashë në qafë
Pa e kuptuar se përse
Me urtësi u them dy fjalë:
U bie në gjunjë... nëqoftëse.



BALADË

Ka filluar të bjerë pluhuri i harrimit në këtë qytet,
S’të njohin më as gurët e shtëpisë,
As nëna e gjorë, që çirret e bërtet,
Mes mjegullave të trishtuara të zisë.
Sepse ti na ike... ike thellë, miku im,
Hyre në armatën e të larguarve të kësaj bote,
Kalbesh e kalbesh, i mbledhur me qefin,
Shtegtar kafkëshpuar, Ante ndër mote.

Do të vijë pranverë e zezë prapë,
Askush s’do ta shohë fytyrën tënde të bukur,
Kafshojmë një ditë... Gërryejmë një natë,
Po s’të gjejmë askund... Ku na ke humbur ?
Askush s’të njohka në këtë qytet,
Sa shpejt të harruan , miku im, sa shpejt!
I veshur me të bardha si kalorës i shenjtë
Mbi baladë hipur, nga balada zbret,
Duke na treguar me gisht Pilatin e shekullit XX.

Ka filluar të bjerë pluhuri i harnimit në këtë qytet
( Pluhur mbi të gjallët e mbi të vdekurit )
Vetëm nëna e zezë jep kujën, bërtet:
Mallkon vrasësit e shekullit.
Askush s’të njeh më, o miku im, askush,
Ndaj hodha mbi baladë trishtim e prush
Dhe thirra për ta shkundur këtë moçal harrimi:
Alarm! Alarm, o njerëz ! Duarkryq mos rrini!


Këtë baladë ia kushtoj shokut tim Bashkim Shkurtit,
Vrarë pas shpine më 11 maj 1998 nga një dorë barbare.



BALADË

Në këmbëzën e urës,
Strukur në strehë,
Nata dimërore pamëshirë e rreh.

I thyen kockat,
E kafshon me dhëmbë
Në buzët e thara, në duar, në këmbë.

As sytë dot s’i mbyll.
Nën qiellin si morg
Sheh ëndrra të ngrëna, të hedhura përtokë.

Sheh sy të ngrirë,
Sheh veshë të prerë
Sheh natën e akullt si frigorifer.

Po kush do ta dijë?
Po kush e ka parë,
Njeriun kruspulluar mbledhur me ambalazh?

Në këmbëzën e urës u gjet në mëngjes
Si pikëpyetje e ngrirë,
Si pikëçuditje, o njerëz !



BALADË

“ Dora e pabesë,
Dora e pabesë”
Tha edhe u pre në mes .

Pranë lisit,
Pranë burimit
Ra në krahët e amshimit.
Dielli drithërimë ndjeu,
Qielli syn’ e kaltër shqeu,

“Dora e pabesë,
Dora e pabesë”
Tha edhe u pre në mes.
***
Jet’ e tij,
Jetë skëterri,
U zvarrit qark një Ferri.

Në mos ishte Ferri vetë
Më i hidhur ... më i sertë.

Po përse një fund i tillë?
Veten pyet i lashti lis,
Ah, ç’e vranë si një krillë,
Pse e deshi këtë vis!



NJË TRËNDAFIL NDËRROI JETË

Një trëndafil u këput nga ne,
Një mik i mençur e i mirë,
Një ditë vjeshte plot me re
Na iku...
S’na tha as lamtumirë.

Në buzë mbrëmje e zbritëm në varr,
Psherëtinte era,
Breronte shi
Në rrëzë të Dajtit, atje në Shtufinë
I thamë zëshuar: natën e mirë!

Kopshte të kaltra sajonin retë
Mes shatërvanëve lart në qiell,
Një trëndafil ndërroi jetë,
Qe vjeshtë e vonë me shi e erë...
***
Një jetë është e vërtetë
Dhe tjetra është si ëndërr.
Po cila është prej tyre,
E gjen ti dot, moj zemër ?



NËN BAR

A e di kush fle këtu poshtë ?
Sipër drithërohet bari.
Heu, sa njerëz ushqeu kjo tokë,
Tani nuk u gjendet varri !

Janë të vjetër...
Shumë të vjetër,
Vijnë të tjerë në varrezë.
Si do të jetë bota tjetër,
Më e bardhë e më e zezë ?

Se këtë e shohim vetë,
Po e shkruajmë në lëkurë.
Vijnë retë,
Ikin retë

Qyqja drithëron mbi gur.
A e di kush fle nën bar ?
Me kujdes bre, kur e shkel !
Ja, këtu ka qënë një varr,
Një zjarr këngësh, një zabel.



ZHGËNJIM

Jam i mardhuri i fundit që kam kuptuar
Se ai që udhëheq dimrin është djalli vetë,
Që kopësit e çkopisit këmishën e krimit me duar,
Që bën të vërtitet çmendurisht ky planet.

I fundit kam qënë dhe i fundit mbeta
Ushtar i virtytit,
Kundërshtar i vesit,
I mashtruar pabesisht nga shkëlqimet e verbëta
Që kërthi i njomë në syth të mëngjesit.

Jam i mardhuri i fundit i dimrit të fundit,
Që më shtrydhi dhimbshëm panxha e mashtrimit
Midis të gjallëve te vdekur,
Midis memecërisë dhe llumit
Kalita krenarinë në kudhrën e durimit.

Jam i mardhuri i fundit,
I fundit qofsha
Në kapërcyell te shekullit pas dimrit të gjatë,
Që dhelpërisht u mashtrova, po kurrë s’u mposhta
Mes stuhive të flladitura të demonëve dinakë.



ZGJIDHJA

Rrokulliseshin gurët e malit,
Një stuhi ndiqte stuhinë.
Midis ëngjëllit dhe djallit
Zgjodha murgun –
Murgzinë.
Zgjodha murgun –
Zgjidhje e marrë,
Pa përfillur rropullimën.
Mali si budall i vrarë
Qiellit i kish kthyer shpinën.

Sa naiv,
Sa i paditur,
Mes stuhish zgjodha murgun.
Rrotull ujqrit e uritur
Hanin hënën, pinin muzgun.
Kur një zë : Jeto a vdis
Zgjidh e merre në rrokullisje!
Midis ujkut e stuhisë
më e mira që të vdisje.

Ndjej sërish rropama mali,
Ndjej sërish shkundje stuhish
humba ëngjëllin dhe djallin
Mbeta murg – përjetësisht.



FAT LEJLEKU

Prona kisha si të gjithë
(Pak më tepër se të tjerët )
Po m’i griu një urith,
M’i shkuli tërësisht nga rrënjët.

Heshta ...
Krahët hapur si lejlek
Mbeta shtangur majë plepit
Zë çukas folenë me sqep,
Zë çukas kashtën e elbit.

Ky qe fati,
Fat lejleku,
Sqepi krejt si gisht i verdhë.
Mbi fole mbeta i shkreti,
Me tyl erërash mbështjellë.



AKREPI I HADIT

Kafshimi yt po më ndjek pas,
Më ndjekin pas hijet e tua.
Edhe pse banon në Had,
Ke lënë këlysh të tërbuar.
Në udhëkryq,
Nën samafor,
Në çdo skutë e trotuar,
Ke një sy e ke një dorë,
Ke një pasues të marrë.
Ke një lehje të çjerrë dhelpre,
Ke një ulërimë ujku.
Më kot thonë se ke vdekur,
Më kot thonë se je zhdukur.

Kandrrat nxore prapë në krye,
Prapë u dhe çmimin e parë.
Një litar të lidhur nyje
Na e sjellë sërish vërdallë.
Unë i shoh hiijet e tua,
Si akrepë pickojnë prapë,
Përsëri më bën të vuaj,
Edhe pse banon në Had.



PEZULL

Më ka mbetur varur dora
Në një gem të gjelbër prilli.
Ikën dita,
Ikën ora,
Ikën drita e një trilli.

Ëndrra – koh’ e papërlyer
S’e gjen dot pyllin e virgjër,
Thyhen shtigje,
Thyhen dyer,
Se bën zap bariu grigjën.

Më ka mbetur varur dora
Në një bisk të kaltër prilli,
Ah, sa keq,
Rrëpirën mora,
E s ‘gjej i gjori fillin!
***
Më thyhet rruga nën blire,
Pres një dimër, lë një verë.
Makthe hijesh më lëpihen,
Më vijnë pas, ..
Më marrin erë.

E kuptoj:
Po qaset fundi,
Çdo gjë ka një fund patjetër,
Prilli – trill krifkën shkundi,
Degën theu bli i vjetër.



DËSHIRË

Sikur të mundja t’i rrihja flatrat
Si lauresha drejt qiejve në agim.
Fushat t’i çikja, malet e kaltra,
Madhështinë e diellit në perëndim.

T’i bëja fresk pyllit të gjelbër
T’u shkundja pluhurin tempujve të lashtë,
Të shpupurisesha mbi tërshërën e egër,
Të rrokullisesha mullarëve me kashtë.

Mes blusë së qiellit dhe prarimit të tokës
Të bija në ekstazë, të shkrihesha në eter,
Përherë duke xixëlluar, duke fluturuar përherë.

Shpëtuar nga kthetrat e serta të ligësisë,
Nga mëkatet tunduese, nga qarja e dënesa,
Duke fluturuar jetofsha, duke fluturuar vdeksha.
***
Kur isha dash me brirë e këmborë,
Askënd nuk lija të më shkelte sinor.

Tani i plakur me brirë të thërrmuar
Në zgrip të greminës çapitem çaluar.

Dhe rroj me kujtime, këndellem me ëndrra,
Kafazin e kraharorit ma kërcënon zemra.
***
Në më pyesni,
Cila dukuri të ka tunduar në jetë?
Përsosja e lules, guri që s’flet.



ÇAPAT E PARË

Kam parë si çapitej një zambak i njomëz fare,
Si këmbët lakuriqe i hidhte ndrojtur mbi kalldrëm,
Askush s’e ndihmonte. Askush. Një buçe kalimtare
E lëpiu qetësisht në fytyrë e këmbë.
Dhe kjo krijes’ e braktisur s’ecte në shkretëtirë
As në xhunglat e Afrikës, kur bulurojnë bishat përreth,
Ku zhurmojnë buaj e bizonë, hipopotomë kaba e budallenj
Po në qendër të metropolit, te dera e bashkisë,
Ecën e bie ... ecën e bie një zambak si shpirt.

Kjo dëshmi e gjallë s’ka ndodhur në ndonjë stepë,
Në ndonjë tjetër qiell, në ndonjë tjetër klimë,
Po në qendrën e qendrës, në shekullin e njëzetë,
Një fëmijë i zhveshur hidhte çapat e parë në agim.
***
Kam më se një gjysmë shekulli që vuaj të njëjtën dramë,
Që e njëjta gojë si kamare më leh pareshtur si qen,
Që rënkon i njëjti uragan i plagosur e bie e njëjta këmbanë,
Që e njëjta hënë mbi zambakët e trishtë hedh vrer.
Kam më se një gjysmë shekulli që vuaj e heq
Po ma kalb dalngadalë këtë shpirt, për dreq.



KY FAT

Në kërthizë të metropolit blihen e shiten lëkura,
Luhet poker, ndizen e shuhen ura,
Dje “sogllasna!„ sot “okej!„
“Pozhallusta, tavarish! „
“Pliz, mister Gej „!.
Shastisur nga katrahura,
Mbyllur në bunkierë,
Si tufan i fashitur fërshëllejmë si erë,
Mbetur jetimë në palcë të Europës,
Kafshuar, shtrydhur, në zgrip të gropës,
Krenarë, fismirë, buzë detesh, rrëzë malesh,
Në diell e në shi, mes brengash e hallesh,
Mes pyjeve të virgjër, të egër, paganë,
Kryq e tërthorë shekujve u ramë.
Në kërthizë të metropolit, në kthina e golle,
Luhet me djallin: fitove ? S’fitove?
Dhe mbetëm siç qemë : rebelë e jetimë,
Ky fat qënka shkruar për ty kombi im!

***

Lexomë, nëse do, lexomë, or mik,
S’do gjesh tek unë lisin biblik,
Dhe pse i lodhur, nen lëkurë thellë,
Me dritë dlirësie do të këndell,
Do të këndellë me aromën e tokës e detit,
Mes dialogut të sertë të dallgës me bregun,
Me parfumin e luleve qe s’lulëzuan kurrë,
Me deshirat e ngrira mbi shkëmbinj ‘ e gurë.

Lexomë, nëse do, or mik, or vëlla,
Si një mbishkrim të lashtë mbi një gur ne kala,
Që zjarret e shekujve si vragë e lanë,
Si dëshmi stoike e të parëve tanë,
Si fosile zambakësh mbi këtë truall fisnik,
Lexomë, nëse do, or vëlla, or mik!



NUK MË LENË DHIMBJET

Nuk më lenë dhimbjet t’i sodis lulet,
Hënën tek vozit në liqenin e spërkatur me yje,
Diellin kur del nga kreshtat e malit e mbi det ulet,
Kopen’ e uritur të kaprolleve tek rend ndër pyje.
Nuk më lënë dhimbjet të ndiej ndërrimin e stinëve,
Kur çarton hardhia e skuqet molla në degë,
Kur krihet era e verdhë e vjeshtës korijeve,
Kur dallgët dimërore përplasen në breg.
Nuk më lënë dhimbjet t’u besoj ëndrrave,
Zambakëve të valëve tek shuhen mbi rërë,
Shtegtimit te baladave, rrëqethjeve të këngëve,
Harabelave tek flenë ku nata t’i zerë.
Nuk më lënë dhimbjet ta gëzoj këtë jetë,
Që një herë më jepet, vetëm një herë.
U mplaka, u fishka, u bëra skelet,
Si era erdha e po shkoj si erë.
Nuk më lënë dhimbjet e plagëve të pathara,
Për të kuptuar pse vij e shkoj në zbrazëti,
Sa pa kripë e qeshura! Sa pa formë e qara!
Kalëroj mbi kalin e kohës si veri.
Nuk më lënë dhimbjet të vëzhgoj cinkën
Si flatron, si këndon, si humb në hiçësi
Ç’më mbetet prapa? Ca fjalë që dridhen,
Ca fërgëllima të pikëlluara nën borë e shi.
Nuk më lënë dhimbjet e kësaj bote kalimtare,
Në jermin e thellë të misterit të saj i strukur rri.
I mbyll sytë: një fluturim pëllumbash në qepalle
Nën mjë muzg të venitur, të beftë e zi.



STIN’ E VERDHË

Erdhi shpejt kjo vjeshtë me erë,
Erdhi shpejt dhe shkundi drurët.
Kudo gjethe,
Zogj të verdhë,
Si të marra marrin rrugët.

Pse trishtohesh nga kjo pamje,
Nga kjo zbehje e papritur?
Re të bardha shkojnë mbi male
Si lejlekë të uritur.

Pse zymtohesh a e di?
Të vjen pas dimër i egër
Nëpër borë,
Nëpër shi,
Nëpër një shtegtim të mjegullt.

Erdhi shpejt kjo stin’ e verdhë,
Shkundi drurët e nemitur.
Ku po shkon kështu, moj erë
Kaq e beftë,
Kaq e sfilitur.



LAMTUMIRË

Gjithmonë ka një lamtumirë,
Një rrahje flatrash në trishtim,
Një muzg zymtuar në mugëtirë,
Një shteg të thyer,
Të pakthim.

A ka kuptim të qash si qyqe,
Mënjanë, mpirë në një kënd?
Në pragje ndarjesh,
Në mëdyshje,
Qëndro si burrë, durimin gdhënd!

Gjithmonë ka një lamtumirë,
Një ikje si lejlek i bardhë.
Po për ku, o njerëz të mirë,
Po për ku, o njerëz të mbarë?!
***
Pemët u mbushën me gjethe,
Pylli u mbush me mushkri,
Po ti tek ne më s’erdhe,
Të mori vjeshta me shi.

Të morën fluturat e verdha,
Se ku të çuan s’e dimë.
Pemët u mbushën me gjethe,
Po ti ... tej shtegut, pakthim.



BALADË

Veshur me rrobat e zisë
Doli e bukura në Breg të Lisit.
Ishte zheg.
Askush s’lëvizte,
As dhe bulkthi rrëzë plisit.

S’ishte koha e nizamëve,
As e tufëzimit s’ishte.
Bente ziqër në mekame
Një dervish midis dervishëve.

Duket,
Ishte ëndërr bari
E përzhitur në atë zheg.
Pjergulla gjethet i vari,
Heshti gjinkalla mbi shelg.


Buzët eshkë bërë vejusha,
Sytë si dy kupa qielli:
“ S’di,
Sa vjet sot i mbusha
Qëkur m’u errësua dielli.

Qëkur humba Zotin tim,
Zotin e trupit dhe të shpirtit.
Kot jetoj ... Sa pa kuptim”
S’di a foli ... S’di a klithi.

Sytë i mbylli edhe shkeli
Ëndrrën e barit në trishtim.
Atje qoftë! Atje ngeli,
Gjallë a vdekur në agim.

KUR?

Po kur, vallë, do të jem i lumtur?
Sa shumë kam pritur!
Sa shumë kam humbur!

Le të lulëzojë kudo pranvera!
Po mua, mes ngricave, më griu era.
Le të shkërmoqen gjethet e thara!
Mes tyre më humbën ëndrrat e para.
Le të ndrijë dielli!
Le të bjerë shiu!
Kuptoni si ndjehet i mpakur njeriu?
Po kur, vallë, do të jem i lumtur?
Se mjaft u lodha pas ëndrrës së bukur.
***
Unë i fundit e kam ndierë gëzimin
(Nëse kam pasur një çast të tillë)
I fundit kam zbuar trishtimin
I fundit natën e zezë kam gdhirë.
Unë i fundit kam kënduar me zë,
Zëri im i fundit jehonën ju lë.



HORIZONTI I NGRIRË

Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por jam i pafuqishëm!
Demi e rrëzon një mullar me brirë,
Era e detit në tërbim e shqyen pishën.
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Sa dëshirë, sa dëshirë do të kisha,
Po duhen mijëra tërbime erërash,
Mijëra dema me brirë,
Mijëra shenjtorë dhe bisha.
Dua ta thyej këtë horizont të vjetër,
Ndërtuar ters me akull e hekur.
U gremis një shekull, trokon shekulli i ri,
Ngordhi një kuçedër, u ngjallën dy-tri
Dhe pyesim: ku vemi?
Dhe pyesin: ku qemë?
Nga Ferri dolëm a në Ferr vemë?
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por kjo më mbeti dëshirë.



EC, O PLAK I KRISUR!

Dita shtyhet ngadalë,
Mbi kreshta mbrëmja shket.
Ku shkon,
Mor plak i marrë,
Kush sonte po të pret?

Mos, vallë, një hën’ e zezë?
Mos, vallë, një këngë cigane?
Apo do të pish verë
Diku, në një mejhane?

Dëgjoje kukuvajkën,
Këndoka si e dytë!
Atje një hën’ e zezë
Të pret e shqyen sytë.

Dita shkon zvarritur,
Nata shket rrëshqanë,
Ec, o plak i krisur,
Kapërce matanë!



NË MËDYSHJE

Te Parajs’ e zëmrës sime
Ruaj të dashurit e mi.
Lus për ta
E bëj flijime,
Bie në gjunj me nostalgji.

Bluaj ankthin tim kujisës
Shtegut të verbër i vetmuar.
Ah, se si më sillen tinëz
Moralthyesit e mallkuar!

Te lugin’ e Ferrit tim,
Nëpër zheg e nëpër shi,
Hiqen zvarrë papushim
Një mori me gjarpërinj.

Edhe rri krejt i vetmuar
Mu në breg të ankthit tim.
Mes Parajsës edhe Ferrit
Bëj durim e bëj durim.

Te Parajs’ e zemrës sime,
Te lugin’ e Ferrit tim,
Përtyp muzgje e agime,
Përtyp mall me pikëllim.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...