Flori Bruqi :Koloneli që s'ju frigua asë në kohë të komunizmit Sllobodan Millosheviqit
dhe klikës së tij
Pas rreth dy vitesh, nga shkarkimi jo-fatlum i Kolonel Ahmet Hasit nga udhëheqja e stacionit rajonal policor të Pejës, problemet në këtë qytet sa vinë e shtohen. Sfidat nuk kanë të ndalur, ndërsa vrasjet e shpeshta kërcënojnë jetën dhe sigurinë e pejanëve padrejtësisht tash e 15 vjet,ani pse një fat të tillë nuk e ka merituar ky qytet dhe banorët e tij.
Fatkeqësia atje,u përsërit edhe një herë më tepër,mu ditën e fillim pranverës së këtij viti,ku duart e trishta të krimit,për më tepër se një dekadë e gjysmë, terrorizojnë gjithë Pejën.
Krismat,helmuan prapë freskinë e bjeshkëve për rreth e cila mjerisht,që sa kohë mjegullohet nga tymi e përflakja e plumbave duke rritur numrin e vrasjeve më shumë se kudo tjetër në Kosovë.
Ndaj,pejanët të lodhur nga vrasjet “enigmatike” numri i të cilave tanimë ka arritur shkallën alarmante treshifërore,në këto 15 vite “lirie” më në fund sikur e mundën frikën dhe një pjesë e konsiderueshëm qytetarësh, arritën të organizojnë një protestë modeste “ Kundër krimit të organizuar”në qytetin e tyre.
Protestuesit me të drejtë kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të sigurisë. Ata u dërguan edhe dy kurora mortore organeve kryesore të cilat për vite të tëra mrizojnë në komë të gjatë mosveprimi, njërën gjykatës dhe tjetrën prokurorisë duke i shpallur edhe ato figurativisht të vdekura, ngase ku kris pushka për 15 vite pa reshtur dhe asnjëherë nuk ndërmerret diçka konkrete nga organet përkatëse,aty nuk kanë më peshë fjalët as premtimet kote.
Për çdo stinë në Pejë,drita e diellit ngryset dhe mjegullohet trishtueshëm,herë pas here nga zhurmat e kallashëve që vrasin edhe kalimtar rasti,duke shtuar emrat e tyre në listën e gjatë të viktimave, bashkë me mallkimet e hijeve mortore që mbisundojnë në këtë qytet.
Atmosfera disavjeçare e “luftës”,vazhdon edhe më tej, nga moszbatimi i ligjit, i cili që nga shkarkimi misterioz i Kolonel Ahmet Hasit, sikur ka marrë edhe më keq tatëpjetën, duke arritur deri në atë shkallë degradimi sa që lirisht mund të thuhet se shteti atje nuk ekziston dhe për rastet që këtu shpesh përsëriten, ligji as që funksion fare, megjithë shënimin delikat dhe me stil “evropian” të tij mbi letrën e bardhë.
Këtë më së miri e vërteton fakti se asnjë nga të ashtuquajturat operacione hetimore, deri më tani,për mbi 300 vrasjet në këtë qytet, nuk rezultoi me zbulimin qoftë edhe të një rasti të vetëm dyshimi.
Kështu, policia rajonale dhe organet e (jo)ndjekjes dhe të (pa)drejtësisë, janë bërë shembulli më i keq i mosveprimit, nëse jo edhe vet pengesa e zbardhjes së krimit,në Pejë dhe pothuajse kudo në Kosovë.
Shqiptarët për afro 100 vite okupimi, të vetmin mision patën-çlirimin e vendit dhe krijimin e një shteti normal me sistem funksional të drejtësisë,ku liritë dhe të drejtat e njeriut do të ishin të shenjta dhe të paprekshme nga korrupsioni,vrasjet dhe haraçi.
Megjithatë, zhvillimet e papritura në 15 vitet e fundit, quan në hiq më pak se 1800 viktima, dhe shkatërruan vizionin e popullit tonë liridashës,i cili shekuj me radhë ka kërkuar rrugë dhe mënyra të mundshme e të pa mundshme,për çlirimin e trojeve të veta.
Në atdheun tonë të helmuar nga politika dhe të trishtuar nga krimi,lufta sikur nuk pushoi asnjëherë.
Këtu jo vetëm se edhe pas lufte ndodhëm mijëra vrasje,por për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, pothuajse asnjë prej këtyre rasteve, nuk u zbulua kurrë nga kuazi drejtësia vendore e nënshtruar tërësisht nga politika,e cila rrezikon të qojë vendin në dështim të plotë të shtet-ndërtimit.
Madje, për të arritur kulmin ironia më e madhe, në Kosovë si në asnjë vend tjetër në rajon, u vodhën dy herë edhe vet dhomat e dëshmive. E para më 2009 në Prishtinë dhe tjetra më 2012 në Pejë.
Por,përderisa në kryeqytet të vendit, nuk u arrestua as shkarkua, asnjë nga përgjegjësit e sigurisë, në Pejë u suspendua vet kreu i komandës regjionale, pa ndonjë arsyetim bindës. U largua për kohë të pacaktuar,njeriu më i zoti dhe kuadri më i përgatitur përkatës, kolonel Ahmet Hasi, i cili nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin,konsiderohet si njëri nga oficerët më të mirë policor në vend.
Ndoshta,mu ky epror profesionist dhe burrë i ndershëm e i pa korruptuar asnjëherë, që zbatonte ligjin me devotshmëri e seriozitet dhe mbahej fort në popull, me të cilin dinte të bashkëpunonte ngushtë dhe mirëkuptohej njerëzisht, si duket nuk i pëlqente dikujt.
Madje,pas shkarkimit të Kolonel Ahmet Hasit,jo vetëm se nuk u zbulua as fol më kurrë për hajnin e majme që u krye në dhomën e dëshmive,nga hijet e “padukshme” që mbajnë çelësa rezervë për çdo derë hetimi, por edhe problemet në Pejë sa erdhën e u shtuan gjithnjë e më tepër.
Nga kjo mbetet e pa kuptueshme se pse u dashtë,patjetër të shkarkohej Koloneli !? Ishte ky një vendim për zvogëlimin apo vazhdimin e krimeve atje.
Në shtypin ditor që disa herë përsëritet se 24 përgjegjës të lartë policie, të cilët nuk e kaluan testin e përshtatshmërisë, kanë qasje në dokumente e akte të ndjeshme të sigurisë e ndoshta mbajnë shumë çelësa rezervë dyersh të ndryshme dhe janë të ngarkuar me përgjegjësi që nuk do duhej ti kinin.
Edhe marrëveshja e fundit me Serbinë parasheh inkuadrimin e pjesëtarëve të MUP-it serb, në policinë e vendit, të cilët nuk e kanë pranuar asnjëherë shtetin që do ti punësojë dhe ende kundërshtojnë me këmbëngulje pavarësinë e Kosovës.
Fatkeqësisht,menjanimi i profesionistëve,nepotizmi dhe përzierjet e pandërprera shumëvjeçare të politikës me vendosjen e familjarëve, jaranëve, njerëzve partiak e jo adekuat në postet kryesore, si në gjyqësi, polici, siguri, etj, quan në kolapsin total të drejtësisë dhe moszbardhjen e pothuajse të asnjë rasti nga cilado vepër-qoftë e krimit të organizuar në vend.
Kjo logjikë veprimi e politikanëve vendor, qoi në dëshpërim të thellë,shumicën e banorëve të këtij vendi,madje irritoi aq shumë shqiptarët sa që edhe nga Kosova e “lirë” dhe në shekullin XXI,të simpatizojnë vende dhe qeveri të huaja për ne,për të shkuar aq largë sa disa prej tyre festuan edhe “fitoren”e diktatorit turko-islamik, Taip Erdogan, me të cilin nuk na lidhë asgjë.
Për të arritur kulmin ironia,u kujdesën edhe tragjik-komikët më të mëdhenj që aktualisht ka Kosova,si Bajram Rexhepin dhe vartësin e tij Shpend Maxhuni, të cilët pa u skuqur fare, guxuan të deklaronin se 70% e rasteve të “këtij viti” (tre muaj),pa zënë në gojë vitet tjera dhe tragjeditë e pafundme në Pejë, për të cilin ministri i brendshëm “sugjeron” opinionin se është më i koklavitur dhe duhet gjurmuar më thellë, na qenkan “zbuluar” duke mos dhënë asnjë shembull të vetëm konkret për “sukseset” e tyre.
Amullia e krijuar politike,ekonomike dhe sociale nga ministra si këta dhe tërësisht udhëheqja vendore,e 15 viteve të fundit, siç duket nuk i lanë rrugëdalje as Amerikës dhe BE-së, të cilat si në asnjë vend tjetër në rajon,u detyruan të miratojnë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e rasteve të krimit të organizuar të para dhe pas luftës në Kosovë.
Për arsye si këto dhe të ngjashme,kudo qoftë në botë,do të dorëhiqej pa kusht e tërë udhëheqësia vendore. Por ja që kjo nuk ndodhë edhe në Kosovë. Ndaj, lind pyetja e pashmangshme se edhe çka u dashka të ndodhë në këtë vend që politikanët tanë deficitar më në fund ta kuptojnë sesa shumë dëme i kanë shkaktuar këtij vendi dhe duhet të shkojnë? A ishte ky shërbimi më i mirë i mundshëm që ata ditën ti bënin popullit dhe atdheut?!…
Gani Qarri/Cyrih