Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/04/08

"Të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”










Në kuadër të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Shqipëri po zhvillohen veprimtari të ndryshme, që nga protestat e deri te eventet sensibilizuese për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.
Romët në Shqipëri
Gurali Mejdani, predidenti i shoqatës rome “Amaro dives” në Shqipëri, është një ndër aktivistët më të hershëm të këtij komuniteti në dy dekadat e fundit. Ai thotë se ka marrë dhjetëra ftesa nga institucionet qeveritare dhe nga organizata joqeveritare për aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Me përvojën që ka Mejdani shpreh përmbajtje për këtë kalendar të pasur veprimtarish, që nga seminaret dhe tryezat e rrumbullakta, takimet dhe forumet e pjestarëve të komunitetit me politikanët, tek eventet kulturore me ekspozita, koncerte etj., dhe deri tek protestat për kushtet e jetesës e punësimit. Ai thotë se do të jetë pjesmarrës në rradhë të parë në protestat që do të zhvillohen. Duket se të gjithë “zgjohen” vetëm më 8 prill dhe këtë e bëjnë çdo vit me shumë përkushtim, thotë me shpoti Gurali Mejdani për DW.
Romët në Shqipëri
“Një ditë e tillë duhet të zjejë nga aktivitet dhe protestat, por kjo nuk mjafton. Kjo tregon se gjërat nuk merren seriozisht nga disa, por bëhen sa për të thënë. Unë kam qenë prezent rreth 11 vjet më parë kur është miratuar një strategji kombëtare nga qeveria për përmirësimin e jetës së komunitetit tonë. Ka pasur detyra dhe objektiva shumë të bukura, por shumica e tyre e them me bindje se as nuk përmenden tani. Shumë pak është bërë. Ka ndryshime diçka në arsimimin e fëmijëve tanë, kjo duhet pranuar, sepse një pjesë e mirë janë në shkollë të lartë ose vijojnë. Por për punësimin dhe strehimin është bërë fare pak. Këto janë plagë që nuk po shërohen. Të paktën për çdo familje rome të ketë një anëtar në punë shteti. Por ata janë lënë si mos më keq duke mbledhur plasmas e duke gërmuar plehra e duke lypur rrugëve. Ka aq shumë probleme, ndaj të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”
Strehimi si çështje e dinjitetit njerëzor
Para selisë së Bashkisë së Tiranës një grup pjestarësh nga komuniteti rom organizuan të martën në mëngjes një protestë sensibilizuese për zgjidhjen e problemit të strehimit. Në kryeqytet janë rreth 4 mijë romë dhe sipas të dhënave nga vetë komuniteti, rreth 1 mijë prej tyre jetojnë në barraka provizore, jashtë të gjitha kushteve elementare të furnizimit me ujë e energji elektrike si dhe sigurisë ndaj kushteve natyrore dhe higjenike. Një pjesë tjetër e komunitetit është e vendosur në banesa të braktisura, ose pa leje të rregullta shfrytëzimi, duke e bërë të pasigurtë jetesën e tyre. Abazi, 31 vjeç, tregon për DW se protesta bëhet pasi jeta e tyre është e rrezikuar. “Duam strehim, nuk duam të gdhihemi rrugëve, ne na lënë jashtë listave të strehimit. Na hoqën nga shtëpitë tona, na i prishën barakat se do të ndërtonin pallate të reja. Po ne ku të qëndrojmë? Kush do të merret me familjet tona?”
Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet edhe në Gjermani
Një oratore në protestë kujtoi bashkinë dhe qeverinë se strehimi për komunitetin është parësore dhe duhet të trajtohet si çështje e dinjitetit njerëzor. ”Nuk duam premtime dhe fjalë të mira, por zgjidhje konkrete!”.
Standardi i romëve, prioritet për integrimin europian
I ngakuari me punë në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Clive Rumbold, thekson se ky institucion nuk ka ndërmarrë vetëm mbështetje në planin politik kundër diskriminimit të romëve, por ka zbatuar dhe programe e projekte financiare konkrete në përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre dhe integrimin social. Për këtë ai kujton faktin se në procesin e integrimit europian për Shqipërinë, një ndër prioritetet kyçe që duhet të përmbushë vendi në këtë rrugëtim është dhe ajo që lidhet me romët. Dialogu është instaluar jo vetëm me autoritetet në çdo nivel, por dhe me strukturat e shoqërisë civile, shprehet Clive Rumbold.
“Kemi kontakte të përditshme me organizata joqeveritare që punojnë në këtë aspekt, si dhe me organizata nga rradhët e vetë komunitetit rom, për të njohur nga afër problematikën me të cilën ata përballen. Mjafton të përmendim faktin se në 5 vitet e fundit, më shumë se 3.5 milion euro nga taksat e qytetarëve në vendet e BE-së janë destinuar përmirësimin dhe përfshirjen më të madhe ekonomike e sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane në të gjithë Shqipërinë. Projektet që janë mbështetur nga ne kanë pasur në fokus psh fuqizimin ekonomik, trajnimet dhe kualifikimet profesionale, rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për çështjen rome, për aspekte të përfitimit të shërbimeve sociale, barazisë gjinore, integrimi i grave, i fëmijëve të rrugës etj.”
Reflektim qoftë dhe për çast për situatën e tyre
Artan Korenica
Artisti nga Gjakova, Artan Korenica, ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të sensibilizuar në Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Ai ka përzgjedhur një set prej afër 40 fotografish artistike që ka në fokus jetën e këtij komuniteti dhe i ka ekspozuar në një mjedis të frekuentuar në mes të Tiranës, në Qendrën e Informimit të BE-së, nën një titull domethënës “Mos më shiko me përbuzje”. Aparati i tij është shkrepur në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni duke i ofruar vizitorëve aromën rome, një kolazh me portrete dhe detaje nga përditshmëria, duke nxjerrë në pah dëshpërimin, gëzimin, pritmërinë, individualitetin, jetesën kolektive, varfërinë, papunësinë, pasionin dhe talentin e lindur, braktisjen, gjithçka nga mozaiku i një komuniteti që përballet me mbijetesën.
“Me keto punime unë kam një ambicje të thjeshtë: të arrij të ndaloj ne 2 minuta secilin, për një reflektim mbi gjendjen e këtyre njerëzve, të cilët kanë shumë diferenca. Vizitorët përballë ketyre fotove, për një çast të ndalen dhe të mendojnë. Nuk imponohem, por ju vë përpara realitetin ta shohin në sy”, thotë Korenica për DW.

Konfuci dhe Konfucianizmi










Instituti i Konfucit, çelja e të cilit u inaugurua jo pa bujë në Tiranë, synon përhapjen e gjuhës kineze, por me gjasë, një objektiv mjaft i rëndësishëm i tij pritet të jetë edhe promovimi i kulturës, civilizimit e historisë së Kinës. Dhe kur flitet për kulturën tradicionale kineze, Konfuci padyshim është njëri prej filozofëve e mendimtarëve më të shquar në gjithë historinë shumëshekullore të Kinës. Madje, në vitet 70-të të shekullit të kaluar, një studiues i njohur amerikan, në një renditje të njëqind personaliteteve që kanë pasur ndikimin më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit, Konfucin e rendit në vendin e pestë.
Konfuci është themeluesi i doktrinës së Konfucianizmit në Kinë. Për më shumë se dy mijë vjet, ndikimi i ideologjisë konfucianiste në Kinë, shfaqet jo vetëm në politikë, por edhe në mënyrën e të vepruarit, në mentalitetin e në mënyrën e të menduarit të çdo kinezi. Madje, disa studiues të huaj ideologjinë konfucianiste e konsiderojnë si ideologjinë fetare të Kinës. Por, në ndryshim nga ideologjitë sunduese në Perëndim, Konficializmi fokusohet në jetën reale, në vlerat praktike, në mënyrë të veçantë në rëndësinë e familjes dhe normat që rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve, pra nuk është një ideologji që beson tek zotat, ose në jetën e përtejme.
Konfuci ka lindur në vitin 551 Para Lindjes së Krishtit dhe ka jetuar plot 70 vjet, pra ka jetuar në një periudhë rreth 100 vjet më të hershme se Aristoteli i Greqisë së Lashtë. Babai i vdiq kur ishte vetëm 3 vjeç dhe më pas së bashku me nënën u vendos në provincën e Shandong-it të Kinës së sotme. Emrin e vërtetë e ka pasur Kong Qiu dhe Konfuc, (Kong Zi) është quajtur në shenjë respekti. Konfuci ka jetuar në periudhën Chun Qiu (Pranvere-Vjeshte), periudhë në të cilën sistemi i shtetit unik u shpërbë dhe pas tij lindën një serë pricipatash të vogla vasale. Konfuci jetonte, pikërisht, në njërin prej këtyre shteteve të quajtur Luguo, i cili ishte edhe shteti më i zhvilluar nga pikëpamja kulturore për kohën.
Një ndër shkaqet kryesore se përse Konfucianizmi u pranua si ideologji sunduese, është se ai predikonte shoqërinë hierarkike, ku perandori ishte në majë të këtij sistemi, ishte një ideologji që i shkonte për shtat interesave të klasës sunduese, por gjithashtu ishte në dobi të ruajtjes së stabilitetit social dhe zhvillimit të vendit. Konfuci e vinte theksin tek rregullat etike dhe rendi. Sipas tij, nëse një vartës dilte kundër eprorit, ose fëmija dilte kundër prindit, ky konsiderohej si krimi më i rëndë. Sipas teorisë së Konfucit, zyrtari i shtetit ka për detyrë të qeverisë mirë vendin, kurse populli duhet të jetë besnik ndaj sovranit. Vetëm kështu, garantohet paqja e vendit dhe populli mund të jetojë në stabilitet. Konfucianizmi u zhvillua në një ideologji zyrtare në periudhën e Dinastisë Han, në shekullin e II Para Erës së Re. Në atë kohë, Kina ishte një vend i fuqishëm e unik, me një sistem qeverisës të përqendruar, autokratik dhe sunduesit e kuptuan se teoritë e Konfucit ishin mjaft të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të shoqërisë feudale.
Idetë dhe veprimet e Konfucit përmblidhen në një libër, të quajtur “Lun Yu”-në, të cilin përmblidhen citate të Konfucit dhe biseda të tij me studentët. Në Kinën antike, ky libër është konsideruar i shenjtë, gati-gati, njëlloj si Bibla për perëndimin. Një qytetar i thjeshtë, me idetë e këtij libri, vendos rregullat për jetën e tij, ndërsa dikush që dëshiron të merret me politikë e të bëhet zyrtar, duhet që ta studiojë në thellësi këtë libër. Ka ekzistuar dikur thënia se “me gjysmën e Lun Yu mund të sundohet bota”, që do të thotë se, nëse zotëron vetëm gjysmën e librit Lun Yu, është e mjaftueshme për qeverisjen e vendit.
“Lun Yu” në vitin 1687 është përkthyer në latinisht nga misionari Jezuit Matteo Ricci dhe disa vite më vonë edhe në frëngjisht dhe anglisht. Në vitin 1691, një tjetër misionar francez, Louis le Comte boton në Paris librin “Mbi ritet kineze”, në të cilin bën një paraqitje të qartë të ideologjisë Konfucianiste të Lindjes. Thelbi i Konfucianizmit është Humanizmi dhe Virtyti, Etika. Sipas tij, Humanizmi duhet të shprehet në qeverisjen humane të bazuar në dashurinë për njerëzit, në mënyrë që gjithsecili të gëzojë të drejtën për të jetuar dhe për të qenë i lumtur. Ndërsa Etika, synon ndërtimin e një sistemi moral të shoqërisë, ku gjithsecili është i ndërgjegjshëm për përkatësinë e tij, që do të thotë se anëtarët e shoqërisë duhet të kenë një përcaktim moral dhe pranim moral të qëndrueshëm, për statusin e tyre social. Sipas këtyre dy parimeve bazë, nëse anëtarët e shoqërisë gëzojnë masivisht të drejtën për të jetuar dhe për të qenë të lumtur, do të thotë që ata nuk kanë nevojë për rebelim dhe trazira. Po kështu, nëse ata pranojnë masivisht sistemin moral të shoqërisë dhe zbatojnë rregullat morale, që ju përshtaten kushteve konkrete të tyre, atëherë rebelimi dhe trazirat nuk kanë bazë morale, pra nuk kanë bazë ideologjike. Duke qenë se shoqëria, nuk ka as nevojën dhe as bazën ideologjike të rebelimit, atëherë ajo do të gëzojë stabilitet afatgjatë. Mu për këtë shkak, Konfucianizmi ka qenë ideologjia kryesore gjatë gjithë periudhës feudale të Kinës dhe njëkohësisht, mori përhapje dhe ndikim të gjerë në shumicën e vendeve aziatike.
Koncepti i vlerave që dominon shoqërinë kineze, e ka prejardhjen pikërisht nga filozofia Konfucaniste, e cila ka qenë mbisunduese, jo vetëm në periudhën më të madhe historike të Kinës, por pa frikë, mund të thuhet se, në një masë të madhe dominon edhe vlerat e shoqërisë së sotme kineze. Dhe një nga tiparet me të mëdha të kulturës kineze, është pikërisht fakti se sistemi i vlerave të kinezëve në thelb është sistem sekular, në Kinë nuk lindi një fe, në kuptimin e mirëfilltë të saj. Nuk është rastësi që, Partia Komuniste e Kinës, asnjëherë nuk është shkëputur nga tradita kulturore e filozofike, duke u shprehur vazhdimisht për zbatimin e marksizmit në kushtet specifike të Kinës dhe pas zbatimit të politikës së hapjes dhe reformave, në ndërtimin e socializmit me tipare kineze. Dhe në këtë mënyrë, gradualisht është përpunuar dhe gjithnjë e më tepër po njihet e pranohet sistemi i vlerave me tipare kineze, i cili mbështetet në harmonizimin e vlerave të individit me progresin e gjithë shoqërisë, në ndryshim me konceptin e vlerave të perëndimit, i cili theksin e ve në liritë e individit. Në fakt jo vetëm në Kinë, por edhe në shoqëritë moderne të Japonisë, Koresë së Jugut, Singaporit, etj, të cilat kanë pranuar kulturën konfucianiste, mund të shihet qartë ky sistem vlerash. Këto vende, megjithëse me një demokraci të konsoliduar dhe nivel të lartë zhvillimi ekonomik, në ndryshim nga perëndimi, i japin rëndësi besnikërisë ndaj vendit, bashkëpunimit kolektiv, rregullit e rendit, duke ndërtuar atë që quhet kapitalizmi kolektiv. Dhe këto vlera shprehen në mënyrë të koncentruar në thënien e Konfucit se “Edukimi i vetvetes sjell unitetin e familjes, qeverisjen e mirë të vendit dhe paqen e botës”. 
Duke qenë një vend në rilindje të fuqishme, ekonomia e dytë në botë dhe me ambicie gjithnjë në rritje në arenën politike botërore, Kina aktualisht synon edhe propagandimin dhe konfirmimin e modelit kinez të zhvillimit, një model që deri tani ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe vital, një model i bazuar në sistemin e vlerave të shkollës së Konfucit, që kërkon harmonizimin e lirive individuale me zhvillimin e gjithë shoqërisë. Në kushtet kur Kina, dita ditës, po afrohet në mesin e vendeve të zhvilluara, si dhe kur Perëndimi për shkak edhe të krizës financiare po përballet edhe me krizën e sistemit të vlerave, modeli kinez i zhvillimit, pra sistemi i vlerave i tipit kinez pritet të sfidojë fort sistemin e vlerave universale të Perëndimit dhe madje të fitojë hapësira të reja e të gjejë mbështetje në rang botëror, por sidomos në vendet në zhvillim.
Disa thënie të Konfucit:
-Morali është baza e karrierës.
-Familja që bën të mira ju lë lumturi paraardhësve, ajo që bën vetëm të këqija ju lë fatkeqësi.
- Pasuria zbukuron shtëpinë, morali zbukuron njeriun.
-Kush sillet me moral, fle i qetë e pa brenga, kush bën të këqija, sado të përpiqet nuk do të gjejë rehati.
-Nderet që tjetri bën për mua nuk duhet të harrohen, nderet që unë bej për të tjerët edhe mund të harrohen.
-Në marrëdhëniet me miqtë, duhet të jesh i besueshëm e të mbash fjalën
-Më mirë një diamant të dëmtuar, se sa një gur të lëmuar.
-Nëse nuk e njeh jetën, nuk ke si të kuptosh vdekjen.
-Të jesh i qartë për atë qe di dhe atë që nuk di, kjo është dituria e vërtetë.
-Njeriu zotni, (njeriu i zgjuar) kërkon marrëdhënie të mira me njerëzit përreth, por gjithmonë duke menduar në mënyrë të pavarur dhe jo duke ndjekur të tjerët qorrazi, njeriu i vogël synon vetëm që të bëhet si të tjerët, por nuk arrin të ruajë marrëdhënie miqësore me njerëzit.
-Njeriu i nderuar mendon me moral e virtyt, njeriu i vogël vetëm për komfortin e tij.
-Jeta është e thjeshtë, jemi ne që e komplikojmë.
-Çdo gjë ka bukurinë e vet, por jo të gjithë e shohin atë.
-Ai që lexon por nuk mendon është i humbur, ai që mendon por nuk lexon është në rrezik të madh.
Nga Iljaz Spahiu*
*Sinolog

Gazetaria nuk “po vdes”!











Në një intervistë për të përjavshmen gjermane, Der Spiegel, Kryeredaktori i The Wall Street Journal, Gerard Baker flet për valën e miliarderëve që “hidhen me kokë” në biznesin e gazetarisë si dhe evolucionin e gazetës së tij pas shtatë vitesh në pronësi të Rupert Murdoch.
Z. Baker, ju keni pesë vajza. A do i këshillonit sot që “t’i hynin” gazetarisë?
Po, do ta bëja. Nuk ka shumë profesione që mund të joshin më shumë. Gazetaria ka një të ardhme të madhe dhe një vlerë të pabesueshme për shoqërinë.
Tirazhi dhe të ardhurat nga reklamat kanë rënë prej vitesh, sidomos në SHBA. Vetëm miliarderët janë të tërhequr prej gazetave këto kohë: Jeff Bezosi i Amazonit bleu “Washington Post”-in, investitori John Henry mori “Boston Globe” dhe Warren Buffet po blen gazeta lokale pa fund.
Investimet e tyre tregojnë që gazetaria nuk është një biznes që po vdes! Ata shohin qartë që ka vlerë tek lajmet dhe e ardhmja do të jetë dixhitale. Asnjë gazetë nuk do i mbijetojë tranzicionit nga versioni i printuar në versionin online – dhe disa nuk do të mbijetojnë fare. Por kjo nuk do të thotë që vetë gazetaria është e destinuar të marrë fund. Përkundrazi: Nuk ka patur asnjëherë nevojë më të fortë për informacion të besueshëm. Një pionier i internetit si Jeff Bezosi ka të drejtë të besojë që në këtë biznes ka shanse për të fituar para.
A jeni i sigurtë se baronët e shtypit të shkruar nuk janë thjeshtë në kërkim të trofeve, për influencë apo për një imazh më të mirë?
Nuk i di arsyet e Bezosit apo Buffetit, sigurisht. Por unë i dëgjoj dhe besoj atë që thonë: Që ata nuk po i bëjnë për arsye të kota, apo që kjo gjë u jep ndonjë kënaqësi jo-financiare.
Si ndryshojnë këta pronarë të shtypit të shkruar, nga Rupert Murdoch, i cili e bleu “Wall Street Journal” shtatë vjet më parë nga familja Bancroft?
Është e thjeshtë: Rupert Murdoch ka investuar shumë në gazetari për më shumë se 60 vite, jo vetëm për një vit, dhe ai ka një seri suksesesh në këtë biznes. Është një angazhim i vazhdueshëm.
Vitin që kaloi, ai shiti 33 gazeta rajonale, duke argumentuar se nuk bënin më pjesë në strategjinë e kompanisë. Sa kohë do të ketë vend “Wall Street Journal” në strategjinë e “News Corp”?
Në fund të fundit, tashmë Murdoch i ka ndarë bizneset e tij më të suksesshëm të televizionit dhe filmave. Vetë Rupert Murdoch ka thënë shpesh se Doë Jones dhe “Wall Street Journal” janë absolutisht qendrore për kompaninë. Unë do të thoja që janë shtylla kurrizore e kompanisë 9 miliardë dollarëshe, për shkak të përmasave si dhe shtrirjes globale që kemi.
Si e ka ndryshuar Rupert Murdochu “Wall Street Journal”-in?
Ne jemi një gazetë më e mirë. Kemi zgjeruar shtrirjen e “Wall Street Journal”-it, kemi shtuar mbulimin e politikës, sportit, argëtimit, modës dhe kulturës. Kemi shtuar rubrika të reja dhe një revistë – ndërkohë që e kemi ruajtur pikën e fortë, atë të mbulimit të biznesit dhe financës. Baza jonë e të abonuarve po rritet. Në të njëjtën kohë, jemi bërë më të fokusuar tek lajmi, më të shpejtë, i kemi bërë më të arritshëm lajmet. Kemi më pak nga ata lajmet shumë të gjatë që i keni gjetur tradicionalisht tek “WSJ”. Kritikët do të thoshin që kjo është një prej arsyeve përse “WSJ” ka fituar vetëm 2 ccmime “Pulitzer” që kur Murdoch e bleu kompaninë shumë vite më parë. Unë nuk e gjykoj suksesin e “WSJ” me numrin e ccmimeve “Pulitzer”. Nuk thonë asgjë për cilësinë e gazetarisë.
Falë Jeff Bezosit, “Washington Post”-i ka më shumë para për të investuar. A ju bën nervoz?
Jo, është gjë e mirë për ne, që pionierë të suksesshëm të epokës dixhitale, si Bezosi demonstrojnë që besojnë në gazetari. Ndoshta do të bindë disa njerëz në komunitetin e investimeve, të cilët e kanë menduar si të mbaruar tashmë biznesin e gazetave, se ka shumë arsye të mira për të investuar. Për këtë, të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Bezosit. Tingëllon si klishe, por konkurrenca është e mirë, na mban zgjuar, i bën gazetarët tanë edhe më ambiciozë.
Publikimet në internet, si “Business Insider”, “Politico” apo “The Intercept” – që u nis kohët e fundit nga themeluesi i “eBay”-t dhe miliarderi Pierre Omidyar – të gjithë kanë lajme ekskluzivë me impakt, dhe e bëjnë të vështirë për ju që të ruani statusin e “ËSJ”, si një gazetë që duhej të lexohej patjetër në të shkuarën.
Disa prej tyre kanë lajme shumë të mirë, por deri tani nuk kam parë tek asnjëri prej këtyre atë cilësi gazetarie që e shohim përditë, për minutë tek “ËSJ”. Disa prej tyre kanë shumë trafik, por ne kemi më shumë se 2 milionë vetë që paguajnë me qëllim që të lexojnë “ËSJ” të printuar, apo në internet, ccdo ditë. Pikërisht në këtë lloj audience janë më të interesuar ata që merren me reklama.
Gazetat amerikane kanë humbur më shumë se 50 për qind të të ardhurave nga reklamat në 6 vitet e fundit. Tendenca më e fundit e reklamuesve është “native advertising” – reklama që u ngjajnë artikujve të gazetave. Gjashtë muaj më parë ju thatë se ky është një “pakt Faustian”, por tani “ËSJ” po u ofron pikërisht këtë gjë reklamuesve. Përse po hyni në këtë pakt?
Kam thënë që ekziston një risk: që në kërkimin për të ardhura të reja, ne e bëjmë të paqartë vijën ndarëse mes reklamës dhe gazetarisë. Po ta bëjmë, do humbasim besueshmëri dhe lexues.
Por “native advertising” si i tillë bazohet pikërisht në paqartësinë e vijës ndarëse. A nuk mendoni që është një “terren i rrëshqitshëm”?
Jo, sa kohë që për lexuesin nuk ka dyshim nëse diçka është reklamë apo artikull gazete. Pikërisht kështu veprojmë ne dhe nuk mendoj që dikush mundet të thotë që ne e bëjmë të paqartë vijën ndarëse.
“Los Angeles Times” ka bërë bujë kohët e fundit me robotin e parë që ka shkruajtur një artikull të shkurtër për tërmetin. Sa shanse mendoni që do të ketë robo-gazetaria në biznesin e lajmit?
Disa shkencëtarë po parashikojnë një kohë kur inteligjenca artificiale do të bëhet më inteligjente se sa inteligjenca njerëzore. Është një ide magjepsëse. Inteligjenca artificiale po përparon me një ritëm që bën gjithçka të mundur, dhe sigurisht që informacioni bazë dhe rutinë mund të përcillet me robotë. Por nuk mendoj që në të ardhmen e afërt ne do të jemi në gjendje të zëvendësojmë gjykimin dhe dijen e një qenieje njerëzore në gazetari.

At Zef Pllumi, ky Dante i ferrit komunist











Sot mbushen plot 90 vjet që prej lindjes së At' Zef Pllumit, fratit françeskan, publicistit dhe rrëfimtari pendëhollë, kumtuesit kushtrues prej rrethit të të zjarmtë të ferrit komunist. Një prej denoncuesve më të zëshëm të dikaturës dhe mizorive që kjo shtazë e përbindshme kish ndërsy ndër shqiptar si formë nënshtrimi, bindjeje. Golgota e tij e mundimshme e kalvarit 26-vjeçar në burgjet komuniste janë rruga prejnga zë fill një prej vullnesave më të vetvetishme të akuzës, e cila u jetësu me trilogjinë "Rrno vetëm për me tregue", i cilësuar edhe si "Arkipelagu Gulag" shqiptar.
Ai shkroi Biblën e kujtesë së shqiptarëve, ndërmëndjen, e cila do të bëhej pishtari dritëlëshues në terrin që kaplonte ndërgjegjen e drobitur dhe çorollepsjen nga ndërkrymjen e hutimi, rrokapjekthin që shoqëria shqiptare kish marrë në udhën pakrye të sendërtimit të ndërgjegjes.
Ky prelat i kishës katolike, ky shërbestar i devotshëm i fjalës së shenjtë dhe dijes së hyjshme, do të ishte i fundit i një dinastie zelltarësh të pashoq, mendjesh e kungimesh të gjithdijshme dhe vullnetmirë që mundi me ngjiz në gjinin e vet urdhni françeskan, shkolla prejnga u ngjizën themelet e vetëdijes tonë kombëtare. Ai do të mbamendet si zani ma kushtrues i një prej dëshmitarëve më të qenësishëm që kishte mund me shpëtu prej ferrit komunist, dëshmia tolerancës dhe faljes, ngadhnjimit dhe shëmbëllimit të gjithë asaj plejade dijetarësh dhe pendash të pashoqe që qendisën shqipen me shkronja të arta dhe e hyjnizuan atë ndër më të veçmet mendime humaniste që gjalluen. Atë tmerr që panë në atë botë të zymtë (në "Komedinë Hyjnore"), Dante Alighieri e përshkroi ashtu siç përshkruan udhetari një mjedis të shkretë, të populluar plot me personazhe orëligj. Poeti kaloi përbri hullive e gropave ku ata vuanin, degjoi rrefimet e tyre ngjethëse, për të thurur poemën e vet. Ky ishte këndveshtrimi i Dantes. Sakaq që poshte hullive dhe gropave të ferrit, ndiqnin me sy poetin. "At Zef Pllumi ka qenë një nga ata personazhe, që pati fatin e keq të binte në ato hulli, e që pati fatin e mirë të dilte që andej", ka kumtuar Ismail Kadare në parathënien e veprës monumentale "Rrno vetem per me tregue". Etja për të rrëfyer, për të dëshmuar, është një ndër më të fuqishmet në këto mjedise të trishtimit. Ndërkaq etja për të dëgjuar rrefimin duhet të jetë gjithashtu po aq e fuqishme.
Jeta që në fillesë e shërbestarit fraçeskan
Jeta e shërbestarit të urdhrit françeskan, si krejt ngarëndiet e epërme ngadhnjyese ka diçka në të kumtume, të e vona, në të tregume. Prenka, është emri i pagëzimit dhe datëlindja e saktë është 28 gusht 1924. Por si çdo tjetër anatemë që u lëshue mbi këtë prelat të kishës, edhe datëlindja pati fatin kobzi të tjetërsimit. Është 7 prill 1924, ajo datëlindje që kremtojmë sot, e cila mori formë zyrtare prej gjykatores civile, e cila sajoi këtë datë duke injoruar krejt të mëhershmet, pas daljes së tij nga burgu spariferë. At Zef Plumi lindi Malin e Rencit (Lorencit) (Shëngjin) nga një familje me origjinë nga Shkreli. Siç edhe tregon tek libri autobiografik "Saga e fëmijnisë". Erdhi në jetë nga e ëma, Luke Mrija në një zabel. Heret, në fëmijëri, kur familja e tij veronte në Qafë të Tëthores së Bogës, mes bjeshkëve të Shkrelit të Malcísë e atyre të Shalës së Dukagjinit, pahet me Atë Gjergj Fishtën, dhe Atë Anton Harapin që vinin për të takuar axhën e Zef Pllumit, Pashko Tomën, që shquhej si burrë i mirë ndër male. N'atë takim të fëmijërisë së hershme, axha u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat (prej një takimi të mëparshëm me Atë Bona Gjeçajn ofm). Atë Anton Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që kishte në qafë, e i thotë që ta ruante me shumë kujdes, e kur të shkonte në Kolegjën Françeskan të paraqiste atë medaljon, e cila u shndrru si ylli që do të udhëhiqte At Zef Pllumin në realizimin e andrrës për me iu përkushtu shërbesës së shenjtë.
Rruga drejt meshtarisë të këtij zelltari
Në atëkojnë të vitit 1929, kur Prenka ishte vetëm 5 vjeç, bëhet nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në Velipojë. Në të mëvonshmit vite, aty nga moti 1931 hyn në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare, si At' Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitorin At' Martin Gjoka, At" Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij At' Marin Sirdani merrte libra historie e numizmatike, detaj të cilin e shquan edhe tek librii vet, se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, në monedha. Në vitet 1943- 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës "Hylli i Dritës" dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri, Shkalla më e lartë hierarkike. Gjatë kohës që ishte dhjak, Pader Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare.
Ku zuni fill golgota e mundimeve
Zef Pllumi do të niste golgotën e tij të mundimeve kur ishte 22 vjeç. 14 dhjetor 1946, daton prangimi i parë i tij. Asokohe ai dënohet me tre vjet burg, të cilin e vujti në qelitë e Burgut të Madh të Shkodrës, dhe më pas degdiset në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit, në Maliq. Shkak për arrestimin, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë At' Zefi, ishte prej të qenurit sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë.
At' Zef Pllumi, famullitari i Dukagjinit
Vitet e ngjizjes dhe të përkushtrimit e kthejnë në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u "qetësuan". Në vitet 1949-1951 merret me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për me çue ndihmat priftave nepër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku merr udhë më 14 shtator 1958 I vetidytë, me provincialin, At' Augustin Ashikun. Në përvojën e tij të famulltarit ai mbledh dhe memorizon krejtçfarë mundet me ken e vyme dhe dëshmuese për trashëgiminë shpirtërore të malsorëve, asaj ngrehinë devotshmërie të besimtarëve që ngërtheheshin ndër male të egra tuj jetu me heka t'zorshme por me besim te Zoti e te i lumi Krisht.
Vjen "kryqëzimi"
Asht anatema më e zezë që ka ndërsy komunizmi ndaj krejtçkasë që gjendet në duart e Zotit, nën vullnesën e shenjt të kishës dhe të devotshmëve, martirë të saj. Dhe vjen dita më kobzezë që ka jetu kisha katolike, kleri në përgjithësi. Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë që shpall laicitetin e tij absurd. Komunizmi i jep kazmën në dorë rinisë dhe hakërren uzurpimin ma të papecedentë, bastisjen dhe shkatërrimin e gjithçkasë së Zotit. Gjatë 1967-1989, për 23 vjet rresht, burgoset sdytiherë dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll dhe Tiranë, për të rifitu lirinë më 11 prill. Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë, deri në vitin 1997. Njeh Nanë Terezën, të cilen e përcjellë për në Shkodër ku u çua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën.
Zelltari i dijes dhe ngadhnjimtari i dëshmimit
At Zef Pllumi me 26 vite të mundimshme mbi supe dhe në shpirt, mëton në vete detyresën e krejçkasë që e hov atë në arritje të hyjshme dijetuese. Në vitn 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ridel duke vazhdu udhën e nisun spariherë nga At' Gjergj Fishta. Janë gjithashtu këto vite, kohë e një veprimtarie krijuese për At' Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë "Rrno vetëm për me tregue", vëllimet Françeskanët e mëdhenj. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës. Ndër nismat e tij me vlerta të pamasë është gjetja e eshtrave të mbetura të Atë Gjergj Fishtës dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave.
Për tu shu së jetumi më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli-Romë, Itali, dhe për të pushu në rrugëtimin e pasosun në Shkodër, më 30 shtator 2007.
Mirënjohja, ballsam për plagën e lëndimit
Kalvari i gjatë i mundimeve, urtësia dhe devotshmëria, përkushtimi në rrugën e shërbestarisë dhe të kumtimit të dijes, nuk do të shkonte hup, ndërsa e shkumja ishte tashma vetëm një arsye për me u tregu prej tij. Ai, sa ishte gjallë, rroket prej një vlerësimi dhe mirënjohje, e cila nis me Urdhrin "Nderi i Kombit"  në vitin 2006, me të cilën Presidenti i askohshëm, Alfred Moisiu, vlerëson klerikun dhe publicistin, At' Zef Pllumin "si përfaqësues të pasunisë kulturore e njerëzore, si nji institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohnave ma të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane". Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve. Po në atë vit, Atë Zef Pllumi merr çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime "Rrno vetëm për me tregue" vepra monumentale dhe më e vetvetishme e denoncimit të diktaturës komuniste, akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
"Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s'i sheh", pat thënë At Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.
Sot e përgjithmonë, At'Zef Pllumi do të mbamendet si sullnetmiri I kushtrimit në ndërgjegjen shqiptare, në kumtimin syçil të së shkumes dhe shugurimin e faljes si më e epërmja prej gjesteve që njeriu pranon në vedi si të hyjshme.
Nga Albert Vataj

Gjyqtarët shqiptarë të paprekshëm dhe të korruptuar











Në një shkrim të publikuar në periodiken “Gazeta Ligjore e Britanisë së Madhe”, eksperti anglez Joshua Rozenberg flet për nevojën e ngutshme të ndryshimit që duhet ti bëhet sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Rozenberg e ka titulluar shkrimin: “Gjyqtarët e paprekshëm të Shqipërisë”, dhe në përmbajtje të tij thekson se ndihma britanike në këtë drejtim është shumë e nevojshme. Por, sipas ekspertit Joshua Rozenberg, ndihma britanike ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë,por edhe për vendin e tij.
Në  shkrimin e ekspertit anglez, si askund tjetër deri më sot, theksohet se vendi ynë është ende shumë larg procesit për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, gjë për të cilën, sikurse ai publikon, ka diskutuar edhe me ambasadorin britanik në Shqipëri, Nicholas Cannon, i cili i ka pohuar se edhe vetë gjyqtarët shqiptarë e pranojnë se ka një problem kronik me korrupsionin.
Pasi eksperti Joshua Rozenberg sjell, gjithashtu rastin e një dëshmitari në vrasje, i cili përfundoi si i dënuar për shpifje, pasi dëshmoi kundër një bande dhe tani i duhet të paguajë mijëra dollarë, thekson se problemi më i madh në vend është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që përgjigjet për punësimet, trajnimet, promovimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve.
“Një vëzhgues i nivelit të lartë tha se gjyqtarët e kontrollojnë këtë këshill dhe garantojnë që korrupsioni të jetë endemik”. Ai sugjeron se Britania “duhet të dërgojë një prokuror special dhe një ekip hetuesish për të çuar përpara drejtësisë gjyqtarët e korruptuar”.
Por në shkrimin me titull “Gjyqtarët e paprekshëm të Shqipërisë”, të publikuar në periodiken “Gazeta Ligjore e Britanisë së Madhe”, eksperti Rozenberg pohon se i’a transmetoi këtë propozim edhe kryeministrit të vendit Edi Rama, i cili, mëgjithse nuk u përgjigj direkt, e pranoi se korrupsioni është problem i madh, se gjyqësori sillet si një korporatë, që mbron interesat speciale dhe se, pavarësisht mazhorancës së madhe parlamentare, nuk mund të reformojë gjyqtarët pa ndihmën ndërkombëtare.
“Vija mes reformës që i jep më shumë hapësirë gjyqësorit për integritet dhe marrjes së pavarësisë nga gjyqësori është shumë e hollë. Për të mbrojtur këtë vijë, na duhet një koalicion i madh forcash, ku Bashkimi Europian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë shumë të rëndësishëm”,-i ka thënë kryeministri Edi Rama.
KLD: Ministria e Drejtësisë të fillojë procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka reaguar dje lidhur me kërkesën e Ministrisë së Brendshme për verifikimin e vendimeve që kanë dhënë tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Zëdhënësi i këtij institucioni Elis Kuçi, shprehet se verifikimet për gjyqtarët mund të nisin dhe nga Ministria e Drejtësisë. Në letrën e tij, ministri Tahiri i kërkonte z.Nishani të nxiste Këshillin për të shqyrtuar vendimin për lirimin nga burgu të biznesmenit të kromit, Gjin Nika, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është njohur me faktin se ministri i Brendshëm, ankesën e tij lidhur me procesin e vendimmarrjes nga Gjykata e Apelit Tiranë ia ka dërguar për dijeni edhe ministrit të Drejtësisë. Duke pasur në konsideratë faktin se Ministri i Drejtësisë është i vetmi organ i cili ka me ligj të drejtën ekskluzive të iniciojë procedimin disiplinor për gjyqtarët në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, KLD është e gatshme të shqyrtojë me përparësi një kërkesë eventuale të ministrit për rastet e pretenduara nga ministri i Brendshëm".

Mesila Doda: Ndërrimi i pushteteve, po pushon nga puna gra dhe kryefamiljare
















Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Aleancës së Grave Deputete dhe  Kryetare e grupit të miqësisë Shqipëri-Islandë dhe Albana Vokshi, morën pjesë në konferencën botërore me temë "Prania e gruas në politikë, kusht përparimi për shoqërinë", e cila u zhvillua në Islandë. Në konferencë, deputetet parashtruan qëndrimet e tyre lidhur me rolin e gruas në shoqërinë e sotme dhe sfidat e saj në shoqërinë shqiptare. Ato nënvizuan nevojën për një prani më të shtuar të grave në politikë, duke promovuar modelin e Islandës, i cili është listuar në 5 vitet e fundit si vendi i parë në botë për diferencën midis burrave dhe grave, si dhe është vendi me praninë më dominante të grave në politikë. Gjatë fjalës, deputetja Doda ka folur për rëndësinë që ka pjesëmarrja e gruas shqiptare në politikë, ndërsa është ndalur dhe në zhvillimet politike në vend, duke vënë theksin tek largimet në administratë. “Sot janë mijëra gra, nëna e kryefamiljare që po pushohen çdo ditë nga administrata, duke keqkuptuar ndërrimin e pushteteve, si hakmarrje mbi punonjësit e veçanërisht gratë dhe vajzat”,- është shprehur deputetja Mesila Doda. Gjatë kësaj vizite, deputetet patën takime pune me Ministrin e Jashtëm Islandez Gunar Sveinsson, ministren e Çështjeve Sociale, Iglo Harbrdottir, kryetaren e Komisionit të Çështjeve sociale Singridur Ingradottir. Deputetet shqiptare morën pjesë në takime me presidentin e Islandës Olafur Ragnar Grimsson dhe kryeministrin e Islandës z. Sigmundur Gumnlaugsson. Gjatë këtyre takimeve deputetet Doda dhe Vokshi, kërkuan rritjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, veçanërisht ato të marrëdhënieve parlamentare.

At Gjergj Fishta, i harruar në Lezhë!










Kjo ngrehinë nuk është një ahur për bagëtinë, edhe pse duket si e tillë. Është shtëpia e një figure të madhe si At Gjergj Fishta, thuhet në një reportazh të realizuar lidhur me pakujdesinë e institucioneve të Shqipërisë ndaj figurave të ndritura të kombit dhe trashëgimisë së tyre.
Një figurë që politika e citon shpesh për vlerat, por që deri më sot nuk ka gjetur kohë t'i restaurojë as shtëpinë, që sot dergjet në këtë gjendje të mjerueshme e në rrezik për të rënë nga çasti në çast.Nuk është e vështire të dallosh ne Fishtë një fshat me rreth 700 banorë e që ngrihet në krah të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, shtëpinë e Patër Gjergjit.Ndoshta sepse bie shpejt në sy jo thjesht për shkak të pozicionit disi të ngritur, por edhe pamjes rrënqëthëse që ofron.
Në shtëpinë dy katëshe, veç një pllakate të rastit, autoritetet shtetërore nuk kanë vënë kurrë dorë.Çarjet ia kanë mbuluar trupin ndërsa lagështira ka thurur harta në të gjithë brendinë e saj. Qëtësia duket mbytëse, ashtu si lakuriqësia e të gjitha dhomave ku dikur lindi At Gjergj Fishta.Sokol Ndoka, një prej banorëve të fshatit na tregon: "Asnjë njëri s'ka vënë dorë. Askurrkush në këto 23 vjet. Çfarëdo lloj premtimi është bërë, por kurrkush s'ka bërë gjë. Kjo do të bjerë fill. Këtë dimër po s’u vu dorë bien nga brenda. Ju e patë edhe vetë tavani po bie krejt".Gjithçka tkurret dhembshëm në këtë banesë modeste, por që fsheh kaq shumë vlera pas historisë së saj.Vajzat e shtëpisë kthehen hera herës këtu, ato janë pasardhëse të At Gjergj Fishtës... Edhe ato janë lindur në këtë shtëpi, në këtë prag, pas këtyre mureve... edhe pse janë larguar kohë me parë, ato kthehen këtu gjithmonë për të prekur e ndjerë sërish nga pranë kujtimet e shkuara."Po, sepse pushtetarët vijnë ndoshta dhe kërkojnë vetëm votat, nuk është se mendohen shumë vërtetë për vlerat e këtij kombi. Në kohë fushatash premtojnë shumë dhe të mbajnë diçka të paktën. Disa nga premtimet t'i mbajnë dhe të shikojnë kush janë parësore , kush janë kryesore nga ato premtime që kanë dhënë sepse kjo zonë e ka këtë figurë të shquar. Gjithkush do të dëshironte ta kishte At Gjergj Fishtën të tijin. Ne jemi krenarë për të, sigurisht që jemi, por është edhe një komb krenar për të , thotë Angjelina Gazulli.Sigurisht, vajza e kane të pamundur të përballojnë restaurimin e saj. Kërkojnë, trokasin, bëjnë apel për më shumë vëmendje jo thjesht për një shtëpi, por kundrejt një figure me vlera për historinë e kulturën e kombit shqiptar, një figurë që citohet pafundësisht edhe nga studiues të huaj."Dikur, nuk pati vlerësim nga sistemi komunist, por sot çfarë ka ndryshuar? Sot kanë ndryshuar shumë gjëra me fjalë, por me vepra jo", thotë Zonja Gazulli.Në shtëpi ka pasur edhe mjaft sende të At Gjergj Fishtës, ndër të cilat siç tregojnë pasardhëset e tij, edhe krevati i thjeshtë që tashmë nuk është më. Dikush e ka grabitur, bashkë me atë çfarë kishte në shtëpi.
"Nuk e dimë kush ishte. E gjetëm bosh. Para nja 3-4 muajsh ndodhi i kishim marrë të gjitha, asgjë nuk kishte mbetur", tregojnë vajzat.Ambientet e tjera janë edhe më të rrënuara, disa janë rrezuar plotësisht, ndërsa të tjerat përdoren për të mbajtur kafshët.Politikanet kanë ardhur këtu aq shpesh sa ka pasur edhe fushata elektorale, më pas kanë humbur bashkë me fjalën e dhënë për investime e rikthim në muze të kësaj shtëpie.Pas nuk ka mbetur asgjë. Veç vizitave boshe që përsëritën vetëm një herë në katër vjet. E po ashtu ka ndodhur edhe me projektet e valvitura me bujë nga monumentet e kulturës, drejtues të tyre, që kane folur aq shumë e po aq shumë kanë kundërshtuar vetveten."Janë ngritur muze, janë bërë rrugë dhe vendosur buste me emrin e tij, por kjo shtëpi ka mbetur një rrënojë. Siç e shihni, nuk është vene dore fare. Ka pasur shume premtime nga politikane të ndryshëm. Kane ardhur kane bere vizita. Fushata të ndryshme elektorale, janë marrë edhe vota nën emrin e figurës së Patër Gjergjit, por s'është bërë asgjë. Asgjë nuk është bërë", thotë një banor i Fishtës.Banoret, rendisin veprat e shumta të At Gjergj Fishtes, rolin e tij, radhet e realitetin e sjelle përmes tyre si një udhëtim ne kohe edhe sot, e jo thjesht ne emrin e fshatit, por edhe ne të vërtetat që duken po aq të prekshme e të pashuara edhe nga kjo harrese e braktisje.
Për të kuptuar të vërtetat e djeshme dhe të sotme mjaft të lexosh Gomarin e Babatasit, të shkruar nga Fishta e në të do të gjesh pjesë drithëruese të realitetit ende të pandryshuar shqiptar.
"Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana
rrecna t`ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!"

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...