Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/06/21

Vilhelme Vranari - Haxhiraj - Mjerim intelektual

image



Mediokritet i lëbyrtë

tregim



Mjerim intelektual



“Ti, ti..., i shko(shka)lluari ...

se ç’ndodhi tek ne...

apo me ne..., e di mirë.

Të ligut,

pjellës të së keqes...

që në qorrsokak, në regres

e në rrugën e“të paudhit”...

atdheun ta këlliti...,

ti e kujton me nderim.

Dhe si për çudi....

Ti...,mediokri...

i thur himne e lavdi?!

Pa vizionin e të nesërmes ti...

sa larg të vërtetës rri...,

“Mjerimi Intelektual” i të lëbyrtit...

shajton e lëndon kombin e tij!”

Vivra



Kur fillon shiu në Tiranë, harron të pushojë. Porse më e pazakonta e zakontë, ndodh në mesditën e praruar plot diell, kur papritur ia beh një shi me suferinë.

E çfarë shiu se?! Duket se qielli ka hapur portat e ujësjellësave që furnizojnë globin, apo kanë shpërthyer digat e lumenjve hapsinor, duke e lëshuar rrebeshin mbi tokë dhe kushdo i habitur sheh ujin që lëshohet litar apo i thënë ndryshe, bije shi me gjyma.

Megjithëse është muaji maj, gjithë javën që sapo u mbyll, kishte qenë mot i lagësht.

Atë mëngjes të përtërirë, si i rilindur nga larja e shpërlarja e gjithë natyrës dhe objekteve në të e mbi tokë, qyteti im ishte zgjuar me atë buzëqeshjen e ëmbël që e bënte të dukej rrëzëllitës.

Eh, nuk ka qytet më të dashur se Tirana, por... Mjerë kush nuk ia di vlerën, jo vetëm asaj, por çdo pëllëmbe toke arbërore, që peshohet me ar dhe me metale apo minerale të rrallë. Ndaj Zoti këtë komb të lashtë e vendosi aty ku është, në udhëkryqet e Lindjes dhe Perëndimit. E bekoi këtë tokë duke e bërë urëlidhëse mes veriut dhe jugut polar. Pikërisht për pozitën e favorshme gjeografik, bukurinë dhe pasuritë natyrore, ka qenë e lakmuar nga më të fuqishmit e kontinentit plak. Si askënd tjetër, si për zili të lakmitarëve e smirëzinjve,këtë vend të bekuar e përkëdhel, i buzëqesh ëmbël dhe e ngroh me zjarrin e dashurisë së tij, dielli, i cili e ledhaton të zgjedhurën e vet në tre të katërtat e ditëve të vitit. E ku gjendet një e dytë mbi glob si Shqipëria ime?

Me kënaqësinë që të jep natyra në një ditë pas shiut, nën joshjen e ledhave të freskisë që vjen nga mali i Dajtit, i qetë shpirtërisht po përshkoja Sheshin "Skënderbej". Nuk e kisha me ngut. Më pëlqente freskia nën fëshfërimën ëndndjellëse të gjetheve nga flladi pranveror, ecja ngadalë, pa kokëçarje, me hap të lehtë, i sigurtë dhe i lumtur që isha rikthyer në vendin tim.

Unë dhe bashkëshortja, si dhe të gjithë prindërit e tjerë, që i kemi fëmijët në emigracion, jemi shndërruar si ata zogjtë shtegtar që largohen në vjeshtë për t'u rikthyer në pranverë. Ne të dy zakonisht largohemi në shtator dhe kthehemi në mars apo prill. Jemi pensionistë dhe si të tillë, nuk i njohim sa duhet marrëdhëniet e individit me punën në ShBA. Gjithsesi gjatë qëndrimit tonë stinor apo gjatë bujtjes sonë si shtegtar, kemi mësuar shumë përsa u përket marrëdhenieve sociale. Megjithë qëndrimin e pjesëshëm atje, vëmë re ndryshime të mëdha lidhur me jetën civile, kulturore, shkencore, politike si dhe për zhvillimet gjithëpërfshirëse të asaj superfuqie që janë përherë në progres. Gjithmonë krahasuar me vendin tonë. Duke ndjekur nga afër jetën e përditshme të fëmijëve tanë që kanë gjetur veten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi arritur në përfundimin se ShBA, shteti i demokracisë së konsoliduar, është vendi i mundësive dhe i sfidave. Atje nuk duan t'ia dinë se cili je e nga vjen, se ç'ngjyrë ke, apo kujt raceje i përket, se cili është besimi yt, por për ata mjafton të mësosh dhe të jetosh për të dhënë vlera. Pajisja me dije shkencore, pra arsimimi, respektimi dhe zbatimi i ligjeve, dashuria për punën dhe ta duash Amerikën si atdheun tënd të dytë, ajo nuk të refuzon, por të mirëpret. Bazuar në përshtypjet e mia, përsa kohë që jemi atje, ndihemi të barabartë,madje na duket vetja paksa amerikanë, pasi askush nuk i cënon as të drejtat dhe as liritë tona. Ta hajë dreqi, edhe pse atje nuk jemi të përfshirë direkt në punë apo në jetën sociale e atë politike, por brenda qenies sonë jo vetëm ndiejmë por pësojmë ndryshime cilësore,si në ndërgjegje apo dhe në sjellje. Cilido që jeton gjatë në ShBA, apo në një vend tjetër me demokraci të zhvilluar, gjatë vëzhgimeve me një sy analitik, ka fituar një qetësi shpirtërore të habitshme, sepse ka parë e analizuar nivelin e zhvillimeve tërësore si, ekonomike, social -politike e duke i krahasuar me ato të vendit tonë, gjë që ka sjellë tek ai një ndryshim mendërisht. Pa druajtje them se atje fiton një hop cilësor dhe rrritje të nivelit të ndërgjegjes. I pajisur me një vizion të ri për jetën e një kombi në tërësi, është shndërruar në tjetër njeri

me një ndërgjegje të pasur e prirur vetëm për mirësi. Si rrjedhojë cilido qoftë ka flakur tej mendësitë e një edukimi ideor farsë dhe ka fituar një pasuri të madhe shpirtërore, që vihet re në bujarinë dhe gëzimin e arritjeve të kujtdo që derdh djersë apo shpenzon energjitë e tij mendore, shkencore, morale dhe fizike. Kushtet e zhvillimit të demokracisë atje të bëjnë njeri më të mirë. Është pikërisht ky ndryshim që vë re në qenien time dhe të sime shoqeje. Sa për fëmijët tanë, ata janë integruar plotësisht dhe pa frikë quhen shtetas dhe qytetar amerikanë. Është gjë e bukur dhe mjaft pozitive të njohësh vlerat që të jep dhe të njeh një komb tjetër që ti me të drejtë e quan "Atdhe Tjetër".

E vetmja gjë që na mungon është afshi dhe zëri i tokës mëmë, magjia dhe ngrohtësia e natyrës shqiptare, që të jepet me bollëk. Në vendlindje, edhe pse jo gjithçka shkon mirë, madje është për t'u dëshiruar në shumë aspekte të jetës politike, ekonomike dhe zhvillimeve social-kulturore, ne, përsëri kemi mall. Na dhimbset çdo centimetër katror tokë. Jemi në ankth derisa zbresim në Rinas. Është zëri i mëmëdheut, vlagu i tokës, i baltës që na lindi e na rriti e cila na thërret...



***

Ndërsa ecja ngadalë, në mendje kisha ecejake idesh që t'i imponon mosha, malli, kureshtja për të renë, për ndryshimin që ta kërkon syri...

"Kemi plot një muaj që ndodhemi në shtëpinë tonë, në shtëpinë ,ku u rrit u madhua dhe u forcua dashuria e ne të dyve. Brenda atyre mureve, në një ambient jo luksoz, por i bukur, joshës, tejet praktik që na krijoi mundësinë e një harmonie familjare e dëshiruar nga cilido individ apo çift, aty lidhëm besën. Matanë asaj porte u dëgjuan të qarat e para foshnjarake të atyre engjëjve që na dhanë emrin prindër. Në atë hapësirë ne dëgjuam tingujt, rrokjet dhe fjalët e para të belbëzuara nga pasardhësit tanë, që trashëgojnë gjenin tonë. Aty në atë shtëpi të thjeshtë, por bujare dhe e ngrohtë, hodhi hapat e parë vazhdimësia e jetës. Natyrisht çdo njeri ëndërron të ketë atë strehën e dashurisë, folenë e ëndrrave apo strofkën e tij të ngrohtë dhe të qetë. Pa dyshim që atë strehë e kërkon sa më të rehatshme, se duke qenë moskokëçarës, të mos e vrasë mendjen dhe të mos pyes se ç'ndodh rreth tij. Por jeta s'është vetmitare, është e lidhur dhe në vartësi me gjithçka që na rrethon, me natyrën, me sendet, me ekonominë si dhe me rrethanat humane.

Dikur mendonim se nuk do të bënim dot pa fëmijët as një minutë. Por ja që kohët ndryshojnë... Fëmijët rriten, arsimohen, madhohen, formohen si individualitet dhe vetëzgjedhin ecurinë e jetës. Kur ata kanë arritur moshën e pjekurisë dhe dinë të zgjedhin rrugën e tyre, e cila shërben si tregues për ne, gjë që kërkon të na bind ne, si prindër, se ata kanë hyrë në jetë. Në këtë rast jeta ka kuptimin e dhënies së vlerave individuale dhe profesionale. Vetëm kur nis e vë në zbatim ëndrrat apo planet e thurura ,atëherë nis jeta e vërtetë për cilindo. Deri në atë çast, i riu apo e reja kanë jetuar në parazitizëm.

Me këtë unë nënkuptoj se për derisa fëmija im arrin të marrë vendime dhe pasi shoh se ç'rrugë ka nisur e do të ndjekë për t’i zgjidhur, ende pres prej tij...Veçse dua të di sesi e në ç'mënyrë apo formë do ta përshkojë im bir apo ime bijë këtë rrugë të gjatë, të panjohur e të vështirë, e cila kërkon mund për të arritur synimin. Ajo që më mundon është zgjidhja, se si do t'i zbatojë kërkesat e jetës që janë përherë në rritje dhe në përputhje me normat apo zhvillimet e kohës, sidomos të vendit ku aplikon idetë apo njohuritë e tij shkencore.E vetmja gjë që më shqetëson, është se deri në çfarë mase ata do të përshtaten me bashkëkohoren.Porse të qenit të pavarur nga tutela jonë prindërore, më bind se jeta e tyre ka nisur me mbrothësi. Eh, sa larg fëmijëve tanë jemi në kohë, në hapësirë, në ndërgjegje dhe në realitet! Megjithatë së bashku me fëmijët dhe me kohën madhohemi edhe ne. Të shpërgjumur nga letargjia e detyruar me injeksione stimuluese të një sistemi politiko-shoqëror tejet absurd, ndjekim rrjedhat e kohës. Ndryshe nga koha e rinisë, edhe pse me hap të ngadaltë si vet mosha, përsëri ecim hap pas hapi në gjurmët e fëmijëve. Mallkuar qoftë koha me sistemin që na detyroi verbërinë në ditën plot me diell dhe si një absurditet na injektoi varfërinë përballë kamjes, pasurive mbi e nëntoksore!”- meditoja dhe për një çast mendimi ndali diku, në një vend, në një problem që mua si qytetar më shkakton shqetësime dhe pyes veten:”Përse ka kaq shumë anarshi në vendin tim? Përse nuk gjej në qytetin tim atë lulëzim që ma do shpirti? Ç’kanë vendet e tjerë më shumë nga ne që vrapojnë me galop? Vendi im i ka të gjitha kriteret dhe mundësitë që të eci në rrugën e zhvillimit si shtetet e tjerë.Është vend i bukur si në ëndërr, ka klimë të butë dhe si askund tjetër, tek ne në një kilometër katror gjen klimë e bimësi mesdhetare, por edhe të tipit kontinental, detar apo oqeanik. Me një klimë të tillë tejet të favorshme, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit ekonomik gjatë çdo stine. Ka pasuri përrallore nëntokësore e mbi tokësore, po përse është kaq i varfër? Gjatë gjithë vitit mund të shfrytëzohet çdo pëllëmb toke për turizëm të tipeve të ndryshme, por tek ne mjerisht ky afarizëm fitimprurës ende është një ekonomi e shvlerësuar dhe e pashfrytëzuar. Ose më saktë e keqmenaxhuar. Ka pasuri të shumta hidroenergjie, por mjerisht ne shpesh ngelemi pa energji elektrike. Çdo pëllëmb toke është një thesar kulturor e historik, tejet e pasur me kështjella dhe qytete antik me vlera të rralla arkeologjike,po për fat të keq nga ato nuk nxirret asnjë qindarkë. Ka një terren të alternuar, ku nga fusha ngjitesh në kodrinë e sapo kapërcen një qafë, para syve lartësohen male të thepisura, të mbuluar nga mjegulla dhe në majat e tyre gjen borë të përjetshme. Ku gjen tjetër një vend tek i cili kokën e ke mes bardhësisë së dëborës, trupin në freskinë e hijes së pishës dhe këmbët të zhytura në kaltërsinë ujërave detare, si në vendin tim? Atëherë kur do të themise, edhe ne jemi si të tjerët?”-tek pyesja ndërgjegjen, një zë më preu përgjigjen e arsyes...

-Përshëndetje Endrit!- ktheva kokën dhe e njoha. Ishte një ekonomist nga fshati im që pasi kreu universitetin, u emërua diku në Tiranë dhe ngeli aty.

-Tungjatjeta Markensen!- iu përgjigja. Pasi shtrënguam duart dhe bëmë përshëndetjet e rastit, vazhduam rrugën bashkë.

-Eja të pimë një kafe!

-Faleminderit! Ndoshta njëherë tjetër...Kam takim me një koleg në katedrën e historisë.

-Kam vite që s’të shoh, ndaj... Nuk më thua nga bëhesh?

-Eh, kur fëmijët e zgjedhin ta jetojnë jetën e tyre larg vendlindjes, jemi të detyruar t’i ndjekim. Fillimisht e kishim paksa të vështirë, o mik, por tani e di ti...që na pëlqen? Na është dhënë e drejta e një jete me variacione. Dy stinë i kalojmë këtu dhe dy stinë në ShBA. Kjo mënyrë jetese e alternuar, na krijoi mundësi për ta njohur më mirë botën perëndimore.

-Pse e paske pasur merak botën kapitaliste?

-Sepse gjatë fëmijërisë, rinisë dhe deri tani në moshë disi të shkuar, pra gjithë jetën njohëm vetëm atë portë që na e kishin hapur, kurse gjithë të tjerat i kishim të mbyllura. Ne e njihnim kapitalizmin vetëm teorikisht ashtu siç na i kishin servirur marksizmi dhe ekonomia politike. Për të na mbajtur nën tutelë e nën kontroll, na mësuan me gënjeshtrën më të madhe, se bota kapitaliste ishte një sistem luftënxitës që kërkonte të na gllabëronte, por e vërteta qëndronte ndryshe.

-Mos e tepëro se edhe unë sapo kam ardhur nga Kanadaja, ku kam fëmijët. Kapitalisti të shtyp si morr, ta merr frymën, ku gjithë ditën të delë qumështi i nënës.

-Ke ardhur me këto mend nga Kanadaja? I pe apo të panë? Ç’mësove ...? Më thuaj pak se si Bota ka bërë shtete në kuptimin e vërtetë të fjalës? Gjithë burrat e mençur të saj mos vallë nuk kanë lënë të ftohet karrigia duke ndërruar kafenetë, birraritë apo kazinotë, gjatë 24 orëve siç ndodh në vendin tonë...?! Jo...miku im, jo.

-Më habit se ti ke studiuar në një nga vendet e sistemit socialist. Ti,ti ke dobësi për imperializmin e pangopur?! Jo, nuk mund ta besoj, kurrë...

-Sikur ne të kishim fituar lirinë e vërtetë e t’i kishim rrugët të hapura, do të kisha zgjedhur një nga universitet më të mira botërore, si atë të Kembrixhit, të Sorbonës, të Bolonjës, pse jo të Harvardit dhe do të isha dikush tjetër, jo ky që jam...

-Çfarë...?!-klithi si korbi dhe u mbyt nga kolla aq keq, sa dukej sikur e zuri shpirra. Fytyra iu ngërdhesh. Atë çast kritik nuk më erdhi aspak keq për të, por ia plasa një të qeshuri të papërmbajtur. Kur vura re se vazhdonte ngërçin frymëmarrës, e tunda dhe e shkunda fort nga supet. Pas pak u shpërmend si një qenie mjerane, me sy të zgurdulluar sikur kishte parë fantazmën e komunizmit duke ridhënë shpirt. Me një shikim të lëbyrtë, belbi me një nënzë të zvargur si i shpërgjumur nga një letargji mendore dhe më vërente i përhumbur, sikur të mos e jetonte realitetin...”Eh, për fat të keq,në botë, tok me të arsyeshmit, bashkëjetojnë edhe ata që duken sikur vijnë nga një botë imagjinare. Ndoshta u mungojnë ndjesitë për ta prekur natyrshëm realitetin.O Zot , përse u dhe shqisat këtyre të shushaturve a humbamenëve që nuk janë në gjendje të përceptojnë botën që i rrethon dhe të mësojnë se ç’ndodh në të,”-nëpërmenda nxitimthi.

-Ty të duket çudi...? Po më duket se paske harruar që ne u edukuam dhe u formuam me ide të majta...Pak më parë u gëzova kur të pashë me mendimin se...

-Njerëzit ndryshojnë në vartësi të rrjedhave të kohës dhe rrethanave që të hapin horizonte dhe rrugë të reja. Gjithsesi unë kurrë nuk e kam admiruar atë sistem të ngritur mbi themele rëre.

-Ndërsa mua, sa të vura re, më shkoi mendja tek libri im...

-Nuk të kuptoj... ,ç’do të thuash me...?

-Kam shkruar një libër dhe kam dëshirë që të të kem ty konsulent para botimit.

-Si titullohet libri?

-“Për ty Rusi”

-E mora vesh që je një “shpirtrob mjeran” i sistemit që na varfëroi. Mund ta di se për çfarë bënë fjalë?

-Librin ua kam kushtuar burrave të mëdhenj që ka nxjerrë Rusia sovjetike.

-Nuk po e thua me gjithë mend, ë...?!

-Sinqerisht...jam ithtarë i atyre burrave të ashpër që ngritën kampin socialist, i cili ia vuri këmbët në një këpucë sistemit kapitalist.

-Me gjithë mënd e ke?! Po nuk t’u tha dora kur po e shkruaje dhe nuk t’u myk mendja kur e ndërtove në tru?

-Po përjetësojë një të vërtetë të madhe për të cilën i jemi mirënjohës atyre burrave që kanë lënë emër dhe bënë histori.

-Ata bën histori?! Nuk e di nëse nuk kam veshët në rregull apo ti nuk je gjëkundi... Jeton me kohën apo si e ke hallin xhanëm? Po nuk u gjend një kamikaz atje, që të të hidhte nga avioni?

- Pse pohoj se ata ishin burra shteti e jo shaka,të cilët u përballën me kampin kapitalist? Për këtë?

-Po ti je dhe me arsim të lartë, more qyqar?!Nuk të kam njohur për kaq të lëbyrtë, kaq të cekët dhe mediokër...

-Mos më quaj të tillë se e kam shtëpinë plot me fëmijë, me nipër e me mbesa.

-Ti ke të drejtë se ata na çrrënjosën shqiptarizmin dhe na helmuan trurin, shpirtin dhe gjakun me ideologjinë marksiste. Ne para tyre kemi njohur vetëm atdhetarizmin dhe kurrë komunizmin.

-Ai sistem na bëri ty e mua me shkollë...nxori vendin nga varfëria dhe analfabetizmi e sa të mira që sot po i mohojnë.

-Po pse more t’u thaftë gjuha nuk shkruan për ish presidentin Wilson, që vuri veton për Pavarësinë e Shqipërisë, emri i së cilës kishte rrezik të fshihej nga harta gjeo-politike e Evropës? Po si nuk të shkon ndërmend të shkruash dy rreshta për ish Presidentin Bill Klinton që luajti rol të madh në Pavarësinë e Kosovës?

-Vallë nuk ishte Rusia që na nxori nga varfëria dhe injoranca shekullore?

-Kurrë nuk e kam besuar,vetëm kur të shoh shpatullat e mia pa pasqyrë, do ta besoj këtë "ideatëri" utopiste që tjetërsoi njeriun dhe mohoi lirinë vetjake, individualitetin, e cila symbyllur na futi në rrugën e varfërisë mendore dhe që na bëri të provojmë disfatën e një sistemi të pathemeltë. Ajo kohë e rreme të ka budallepsur ty dhe ata mediokër që mendojnë si ti.

-Sa keq më vjen që nuk gjeta tek ti personin që kisha imagjinuar.

-Të vjen keq ty për mua se kam ecur përpara? Jo e ke gabim. Duhet të të dhembset vetja. Je për të mëshiruar...Për fat të keq ti i qëndron besnik emrit tënd”Markensen”, që sa herë e ke dëgjuar tek të thërrasin, aq herë është shumëfishuar dhe rrënjosur ideali yt në çdo qelizë të trupit dhe mendjes...

Më fal ,por këtu duhet të ndahemi. Do të kthehem djathtas se më presin...

“ Është e pabesueshme që të ketë arritur në këto kufij idiotësie “mjerimi intelektual!” Por ja që ky fakt është një tregues që vlen si përgjigje i pyetjeve të mia. E si mund të bëhet vendi im si bota, kur sundon mediokriteti i lëbyrtë që mbjell varfëri mendore dhe sjellë verbëri ndaj realitetit.”-i përhumbur hyra në Institutin e Historisë dhe mendja më gëlonte tek prapambetja e një të shkolluari apo të shkalluari. Më mirë po pyes profesorin që po më pret...Meqë është më në kontakt me tipa të tillë, ndoshta “Ai”di të përgjigjet...Ku i dihet?!



Vo:*lëbyrtë- të zënë sytë cipë, mendje errësuar, shikim i paqartë

HIRBIJE SULEJMANI-DASHURIA IME




image

DASHURIA IME

***

Kot e ke moj erë...

Tesha të reja do të kem

përsëri në pranverë



***

E përkëdhela lehtë

më tha në duart e tua

veten doja me e gjet

***

Ai kurrë nuk e mendoi

që shpirti i saj do bëhet shkretëtirë

nëse ai largohet nga ajo ...



***

Kjo dashuri ka diçka në mbrendësi...

Zemren tënde e kam unë dhe timen e ke ti !!!

***

Poezia jeton në shpirt

dhe në mesnatë

në sy të dhuron dritë .

***

Mos u rëndo në qerpiket e mi

Do të rrjedhin lotët e mi.

Zbrit në zemer do të gjesh qetësi

Aty nuk ka lotë, veç dashuri ...!



***

VARGJET E DASHURISË

Nata shkon , mëngjesi po agon

Dashurinë për ty s’ ka kush ndalon...

Mendimet për ty nuk zbehen kurrë

Nëse s’të shoh, sytë më lotojnë



Orët kalojnë , ende po pres

te pres me mallë, me shpres!

Të të shoh edhe një herë...

Pa dashuri kjo jetë s’ka vlerë.



Edhe nëse nuk do jesh me mua

Si nata hënën do të dua...

Edhe nëse kurrë nuk të takojë

Dashuria për ty do lulëzoje.



Ndoshta një ditë mua do më kërkosh

Ndoshta një ditë të ndjejnë mallë sytë tua

Kthehesh sërish të thosh fjalën TE DUA

Dashuria ynë kurrë nuk ka të shuar.

Dr Gëzim Alpion: “Shenjtëroni Nënë Terezën”


 image

Ka disa ditë që një peticion i radhë, por shumë domethënës është inicuar nga akademiku shqiptar në Britaninë e madhe, Dr Gëzim Alpion. Peticion i është drejtuar Vatikanit me titullin: “Shenjtëroni Nënë Terezën”, dhe bëhet në një kohë kur u shpall dhe u anoncua publikisht vizita e afërt e Papa Françeskut. Papa Françesku do të vizitoj Shqipërinë me 21 shtator 2014. Dhe me këtë rast dr Gëzim Alpion shkruan “Do të dëshiroja shumë që me këtë rast Vatikani të prononcohet se kur do të realizohet shenjtërimin tashmë i vonuar i Nënë Terezës.” Sipas studiuesit të vecantë e tejet të avancuar të figurës së Nënë Terezës, botuesi i disa kërkimeve shkencore dhe studimeve akademike, thekson se “Çfarëdo arsyesh që kundërshtarët e Nënë Terezes mund të kenë kundër shenjtërimit të saj, ato çvlerësohen para kontributit të pashoq të saj në shërbim të Kishës Katolike. Pak individë të shquar, fetare ose jo fetare, në historinë e njerëzimit kanë kontribuar për shenjtërimin e dinjitetit njerëzor sa shqiptarja Nënë Tereza gjatë jetës së saj si misionare nga viti 1929 deri në vitin 1997.”
Peticioni është mjaft lehtë të gjendet duke klikuar në këtë lodhje këtu:http://www.change.org/en-GB/petitions/the-vatican-canonize-mother-teresa-2. Që në momentet e para peticioni arriti një shifër të kënaqshme dhe ai vazhdon të qëndrojë në sitën e peticioneve publike deri në një afat të shënuar. Kështu me këtë nismë Alpion shton akoma më shumë arsyen e tij të lidhjes sublime me cdo gjë kombëtare, me cdo gjë që nderon Atdheun, vendlindjen e tij. Ai më së miri tregon se intelektuali është kudo një pjesë e pandarë e Atdheut.

SHKRIMTARI “DISIDENT” MAQEDONAS NË “MËSHIRËN” E NJË LIBRARIE

image


Kalosh Çeliku


Interesant është rasti, për të hyrë në Librin e Genisit me shkrimtarin “disident” maqedonas Luan Starova, që në vend librat e tij t’i botojnë institucionet shtetërore dhe shqiptare në IRJ të Maqedonisë: Akademia e Shkencave të Maqedonisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë e ndonjë institucion tjetër kulturor, ku ai me vite ka derdhur mund dhe djersë, i boton një librari e posathemeluar çarshie, në Shkup. Librari, pa asnjëfarë bagazhi kulturor e artistik në shpinë. Haptas, mohohen Institucionet e pakta kuklturore shqiptare në këtë shtet “demokratik”, që shkaku këtyre argatëve politik, nuk mund të ngrejë krye kultura shqiptare, merren nëpër këmbë nga partitë politike dhe Shteti i “përbashkët demokratik”. Vërtetë, jeta e tyre zgjatë, aqsa zgjatë jeta e partisë tyre në pushtet, por dëmet dhe pasojat për kulturën shqiptare janë katastrofale.

Akademikun maqedonas, që deri dje pas tij qëndronte Shteti jugosllav e maqedonas, sot nuk e duan edhe “vëllezërit”, edhe pse dikur i festonin “fitoret” partizane qafë për qafe nëpër darka e festa shtetërore para kamerave televizive. Tekefundit, për t’i ngritur “namin” akademikut si shkrimtar, së paku librat e tij t’i botonte një institucion shqiptar në Kosovë, ose Shqipëri. Mos më tepër, ndonjë Shtëpi botuese e mirënjohur dhe e dëshmuar në publikimin e librave të shkrimtarëve shqiptar. Shkrimtari, që gjithë jetën i shëtitur nëpër poste politike me gjithë familje në kohën komuniste jugosllave, i arratisur nëpër redaksi të “vëllazërim - bashkimit”, institucione e poste politike shtetërore si ambasador në Paris e nëpër Botë, profesor universitar i “Shën Kirili dhe Metodi” e antëtar i rregulltë i Akadimsë të Shkencave të Maqedonisë, sot delë dhe e “rrezikon” tinëz pas shpine me “vlera të arrira artistike” edhe shkrimtarin me famë botërore, kandidatin e vetëm sot për sot shqiptar për çmimin Nobel, Ismail Kadere?! Krah për krahu me akademikun tjetër të arratisur të tri akedemive shkencore Ali Aliu, nën sjetulla si kungull Stambolli edhe me një Sanço Panço tjetër shqiptar në pelena, që tutullin shkencor mezi e fitoi me një najlon kese speca në dorë tek një miku im profesor univeristar në “Shën Kirili dhe Metodi, në Shkup. Dhe, një papagalli politik të “pavarur” të dalldisur e shashtrisur me diplomë universitare në Qafë Thanë nga kjo anë shqiptare, emëruar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, gjoja për “kordinimin” e kulturës mbarëshqiptare, merr rrugën të përurojë një shkrimtar në mes të Tiranës. Kryeqytetin e Shqipërisë, ku shumë shkrimtarë dhe artistë kanë vdekur dhe vdesin edhe sot, për bukën e gojës. Njeri të gjallë nuk kanë pasur kush t’i shti edhe në varr me një cërpkë kopshti te koka e një vorbë te këmbët për ujë në atë botë të amshueshme, matanë varrit. Akademiku, jetë “kaçaku”, përpiqet të bëjë me ndihmën e kalorësve të arraisur të kësaj ane në “Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesëve Letrar” në Tiranë, ku Kryeqendra shqiptare sot për sot nuk e ka edhe një Lidhje të Shkrimtarëve Shqiptar, Shtëpi të shkrimtarëve shqiptar me çati mbi kokë në qiellin e hapur me Diellin mbi male, të cilën qysh moti me vite në kohën e komunizmit e ka pasur edhe me çati dhe oxhak në mes të Tiranës.

Publikisht, para syve tanë si shqiptarë, “harrojnë” me qëllim një personalitet gjigand të arsimit dhe kulturës shqiptare të kësaj ane, që ka vepruar me vite deri në vdekje, në Shkup: Poetin e madh shqiptar për fëmijë, Mehmedali Hoxha. Babain e dy revistave për fëmijë: Gëzimi dhe Fatosi. “Kobure” e dytë, pas Libër Këndimit të nxënësve shqiptar, Ministrit arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqi. Që, shumë shkollarë anembanë Atdheut u rritën në personalitete dhe e mbanin në gji, shtëpi, çantë e mbi banka në shkollë si armë me dy tyta për dije, në Ditën e Nesërme. Personalitet madhor i Letërsisë Shqiptare, që rri krah për krahu me poetin tjetër vëlla revolucionar, Esad Mekuli. Atë, që e bëri Esad Mekuli për letërsinë shqipe në Kosovë, Mehmedali Hoxha e bëri në Maqedoni. Emrin e të cilit sot, plot krenari mund ta mbajnë me nderë institucione arsimore e kulturore. Rrugë të këtij qyteti, rrëzë kalasë Dardane e në vendlindje. Profeti shqiptar, që në atë kohë të egër komuniste me një shishe konjak “Skënderbeu” në dorë, mori guximin, e hapi dritaren e SHGB “Nova Makedonija”, në Shkup t’u thotë “vëllezërve”: Koha do të vijë, kur ju një ditë do t’i fshini rrugët e Tiranës. Parashikim historik i shekullit, për të cilin i hëngri edhe disa vite burg. Krijuesi pati të drejtë, ajo kohë erdhi një ditë me koçi përmes maleve. Vetëmse, ai burrë i pushkës dhe penës, nuk e pa vetë me sy për së gjalli.

Dhe, nuk është çudi, që nesër ndonjë Tokmak shelgu vadhe, si përfaqsues i ndonjë “institucioni” kulturor e shkencor shqiptar, ose shoqate të “pavarur joqeveritare”, i arratisur nga Kosova me gjithë dele në Shipkovicë të Tetovës për të ikur në Turqi, më vonë si “hoxhë” arabie në Shkup, delë dhe e propozon si kandidat për çmimin Nobel, sojin e këtillë të “vëllazërim-bashkimit”, i shëtitur gjithë jetën nëpër poste politike partiake. Shkrimtarin, që deri dje nëpër intervista publicistike haptas deklaroheshte si shkrimtar maqedonas, i cili nuk e fliste dhe i dilte zot si sot gjuhës shqipe. Librat e tij i publikonte me të madhe, me shumicë e pakicë në gjuhën maqedonase. Shkrimtarit, që me porosi partiake komuniste të asaj kohe mezi ia përkthenim me plot vështirësi “veprat” edhe në gjuhën shqipe në Shkup e Prishtinë.

Fati njëjtë e ndoqi edhe një shkrimtar tjetër të përkëdhelur nga sistemi komunist i Hoxhës Allahut, mikut të tij të ideologjisë revolucionare të “Pranverës arabe”, në Shkup (K. M.), që në atë kohë dha një intervistë “eksluzive”, po të këtij “niveli artistik” si shkrimtar maqedonas dhe librat e tij i shkruante dhe botonte në gjuhën e “perspektivës” të Shtetit komunist, i cili vite më vonë e pa gabimin, nisi ta mësojë gjuhën shqipe dhe doli me “thirrjen revolucionare”, ferexhenë e zezë krahëve për bashkimin e shqiptarëve në një shtet shqiptar: Shqipëri Etnike. Përgëzime “revolucionarit të ndryshimeve politike”, nëse është i sinqertë për zgjidhjen e Çështjes shqiptare, nuk është Pykë shelgu! Edhe pse, deklaratat e tia publike - politike, unë nuk e di. pse i marr me rezervë.

Poet dhe akademik maqedonas me prejardhje shqiptare është edhe Mateja Matevski. Akadamiku, ndoshta edhe më i madhi maqedonas, që edhe sot nuk e ka harruar gjuhën shqipe, po kurrë nuk e shkruajti dhe botoi një libër në gjuhën e Nënës shqiptare. Populli, thotë: bunar të ri bë, por kurrë te i vjetri mos pështy. Ose, i yti nëse ta hanë mishin, eshtrat t’i ruan në arkë për Nesër. Realitet historik, që ndodhi edhe me këto shkrimtarë maqedonas. Nama e Nënës i zuri këta djemë të arratisur e dalldisur, që e mallkoi të birin, kur ia ktheu shpinën. Tambëli i së cilës, i ndjek nateditë gjithë jetën deri në varr. Kohë ajo e egër “artistike”, kur shkrimtar shumë më i madh në Letërsinë Shqipe ka qenë dhe mbetet përgjithmonë Sterjo Spase. Autori i romanit Afërdita. Pse, dhe Zgjimi.

Çmimin Nobel, nuk e kanë marrë për së gjalli shumë pena të mirënjohura shqiptare të djeshme dhe të sotshme: Gjergj Fishta (kandidat), Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Fredrik Rreshpja, Ismail Kadare, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Pano Taçi, Teki Dërvishi, Adem Demaçi, Ymer Shkreli e Anton Pashku. Edhe, ndonjë tjetër personalitet shqiptar, për të cilin hë për hë nuk më kujtohet emri. Çmimi Nobel, është Çmim të cilin e kanë marrë edhe parsonalite botërore nën nivelin e vlerave të arrira artistike të këtyre artistëve shqiptar. Dorën në zemër, artistët shqiptar jo se nuk e kanë merituar, por edhe Çmimi Nobel, siç duket është politizuar deri në palcë në Ditën e sotshme. Punë tjetër është ajo se, shqiptarët nuk e kanë një Zhan-Pol Sartër, që ta kthejë prapë Çmimin Nobel. Sartri, e ktheu se, i kishte donatorët e popullit të vet liridashës që i qëndronin me tru e para përmbrapa në luftën artistike për Liri (ia dhanë gjeniut dyfishin e parave), ndërsa shkrimtari shqiptar, i harruar nga politikanët e vetëbegenisur të Shtetit Shqiptar, sot vdes edhe për bukën e gojës.

Shkrimtari i “arratisur” pas Luftës Dytë Botërore nga Shqipëria me gjithë familje, dhe i përpunuar nëpër institucione policore jugosllave me të gjitha dyert e hapura krah më krah për veprime “shkencore-kulturore”, mirë është në Ditën e sotshme të presë pak pas dere!. “Durim”, thoshte presidenti i parë i Republikës së Kosovës, z. Ibrahim Rugova. Edhe populli shqiptar, si e gjithë bota i ruan dhe kultivon zakonet dhe traditën shqiptare, kujt duhet hapur derën si mik, e kujt përplasur me forcë në fytyrë. Cili në odën e burrave e ka vendin te oxhaku, e cili te dera. Raste ka, kur derën ia kemi hapur edhe armikut, por ato janë përjashtime historike, në momente rreziku kur na ka trokitur në derë për ndihmë. Imzot, po ky popull ende, edhe në Ditën e sotshme këmbekokë do dhe plasi të përpëlitet në bërllok?! Derën e madhe, si nuk e gjeti deri më sot për dalje, pas shtëpie matanë malit me lisa kokë më kokë në Qiellin e hapur, Liri?! Dritare pas Shtëpie, për të ikur si i “çmendur” me mendtë në kokë, hipi me shokë në Baba Tomor me gjithë këta “studjuesë” letërsie e “kritikë” letrar me thasë të rrasur me të dyja këmbët nëpër institucione?!

Faji, përsëri u mbetet shqiptarëve. Ende mbeturina komuniste, përpiqen ta “nxjerrin” këtë popull historik nga qorrsokaku, në Liri. Fatkeqësia, ky bërllok shqipar që i është ngatërruar popullit shqipar dje nëpër këmbë, e them me plotë gojën: sot, nuk e nxjerrë dot nga bataku, po me të katër këmbët edhe më thellë e rrasë në batak deri në fyt. Gabimi dihet, është i partive politike shqiptare, që ende në Ditën e sotshme i mbajnë gjallë me pak shpirt eksponentët e “vëllazërim-bashkimt”, në shoqërinë shqiptare.

E pyes veten, si shkrimtar “i çmendur”, sipas diagnozës së tyre policore letrare: Çfarë shkrimtari është ky akademik me “famë botërore”?! Dyert, që dikur ia ka hapur krah më krah Partia Komuniste Jugosllave, sot ajo Neokomuniste “demokratike”, së fundi edhe ajo e ashtuquajtura “Rilindja kombëtare” e Edi Ramës. Kryeministër, që e kënaqi Shqipërinë, tashti i ka mbetur edhe “lulëzimi kulturor” i IRJ të Maqedonisë me autorin e disa librave kalorsiak: profesor universitar, ish ambasador jugosllav e maqedonas nëpër disa vende të botës dhe anëtar Akedemie i Shkencave të Maqedonisë, që lejon dhe pajtohet famën “krijuese” t’ia sjellë një librari çarshie?! “Institucion” partiak biznesi familjar, që lidh bashkëpunim kulturor me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë?! E, për sa di unë, bashkëpunim politik e kulturor, lidhin institucionet e të njëtit niveli shtetëror (Ministritë e Kulturës të dy shteteve). Vështirë, e kam t’i përgjigjem si shkrimtar kësaj “çorbe artistike- kulturore”. Dhe, pyetjejeve provokative policore - politike (dukurie të këtillë “profetike”), që na e kanë shtruar kulturofagët me shokë, qysh moti në sofër.

Koha (Dita e Nesërme), si gjithmonë do t’ia vë në ballë vulën historike…

Ka shumë të drejtë shkrimtarja e nderuar, zonja Vilhelme Haxhiraj

Prof.dr. Eshref Ymeri



Në internet lexova një analizë mjaft të goditur të shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Haxhiraj. Analiza titullohet:“Kur shteti ligjor nuk funksionon, s’ka drejtësi”.Një analizë interesante kjo, të cilën e lexova me shumë kërshëri për të vërtetat e padiskutueshme që ajo ka shpalosur në të. Të vërteta tragjike këto në realitetin shqiptar. Enver Hoxha mbetet diktator unikal në sitemin komunist gati pesëdhjetëvjeçar që masakroi aq rëndë pjesën më fisnike të popullit shqiptar. Ai mbetet unikal, së pari, për dhunën e përbindshme që ushtroi ndaj kundërshtarëve politikë dhe, së dyti, për piketat që vendosi për pasardhësit e vet neokomunistë, me qëllim që këta, pas përmbysjes zyrtare të diktaturës komuniste, të vazhdonin veprën e baballarëve të tyre, në kushtet e të ashtuquajturit pluralizëm politik. Në kohën e luftës, populli shqiptar ishte i ndarë në dy kampe: në komunistë dhe në nacionalistë. Sot populli shqiptar është i ndarë në dy kampe të së njëjtës prejardhjeje politike, por me mbulojë rozë dhe blu. Pra, sot, në realitetin shqiptar, nuk ekziston kampi nacionalist. Se Enver Hoxha punoi për një perspektivë afatgjatë: ai i zhduku ose fizikisht të gjithë anëtarët e kampit nacionalist, ose i dergji gjithë jetën nëpër burgje dhe nëpër kampe internimi dhe pasardhësit e tyre i la të pashkolluar. Prandaj Shqipëria ndodhet sot para një fakti tragjik: nuk ka të djathtë konkrete nacionaliste. Se, në të kundërt, gjysma e parlamentit do të përbëhej nga përfaqësuesit e kampit nacionalist. Dy partitë e kampit nacionalist të kohës së luftës, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, sot janë parti pa elektorat. Sepse Enver Hoxha, siç e përmenda më lart, përfaqësuesit e tyre të shquar i zhduku fizikisht, kurse një pjesë të mirë të atyre që mbetën gjallë ose të bijve të tyre, i molepsi me mikrobin e bashkëpunimit me organet e sigurimit, pra, me mikrobin e përçarjes, me qëllim që t'i hidhte kundër njëri-tjetrit, siç edhe i hodhi faktikisht. Kjo është edhe arsyeja që ndjenjat nacionaliste janë venitur pothuajse fare në realitetin shqiptar. Për pasojë, Shqipëria tani është katandisur në një“sanduiç” mes Serbisë dhe Greqisë. Prandaj edhe Bollanoja deklaron se Himara na qenka“minoritet grek”, dhe mbarë populli shqiptar, me klasën politike në krye, deklaratën e tradhtarit Bollano e përcjell me një heshtje tragjike. Janullatosi, më 01 qershor 2014, me rastin e shenjtërimit të katedrales gjigante në qendër të Tiranës, me fjalën që mbajti në gjuhën greke, e vërtetoi faktikisht që kisha ortodokse fanoliane nuk ekziston më, se ajo është thjesht një filial i kishës shoviniste greke. Dhe ortodoksët shqiptarë, për turpin e tyre, heshtën. Dhe mbarë klasa politike e Tiranës, për turpin e saj, heshti para një skandali të tillë. Për sa kohë në Shqipëri nuk do të dalë në skenë, nuk do të konsolidohet dhe nuk do të vijë në pushtet një klasë politike e djathtë, një klasë politike me të vërtetë nacionaliste dhe me vetëdije të lartë kombëtare, që në programin e vet të ketë si pikë kryesore ribashkimin e mbarë trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur, për aq kohë nuk ka gjasa që në Shqipëri të vendoset dhe të funksionojë ndonjëherë një shtet me të vërtetë ligjor. Përfundimisht, duhet pranuar se klasë politike nacionaliste nuk ekziston absolutisht në Shqipëri. Ekziston vetëm një klasë politike mercenare që tërhiqet zvarrë para Athinës, para Beogradit dhe para politikës “homoseksuale” të Bashkimit Evropian me qendër në Bruksel.

Tiranë, 20 qershor 2014

2014/06/20

Ismail Kadare: Plani serb, shqiptarët të turqizuar e kundër Evropës


​Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç''janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet”, kështu thotë në një intervistë për gazetën ”Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare.

Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur, Kosovës. Sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje, është një projekt i hershëm serb...

Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?

Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme. Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të është një histori sa e vjetër aq dhe e re.

Gjeografikisht jemi në Evropë, por cila është mendësia e shqiptarëve, sa afër Evropës realisht jemi?

Jo vetëm jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s'ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese... Pas bombave, ishte pikërisht Evropa ajo, (Evropa e artit, elegancës dhe e sqimës, siç na pëlqen ta përfytyrojmë), që gjeti ashpërsinë e duhur, për ta mbyllur pa mëshirë në një qeli të Hagës, ku dhe do të vdiste në vetmi, si një shkretan. Evropa megjithatë, nuk mund të jetë çudibërëse. Ajo s'e rrëzoi dot në gjallje Stalinin, Hoxhën apo Çausheskun. Ndërkaq ajo ushqeu, me aq sa mundte, ëndrrën për rrëzimin e tyre.


Si na sheh bota, të emancipuar apo të prapambetur?


Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç'jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash. Në radhë të parë, ka qenë modeli i komunizmit tonë, më i keqi në kontinent. Dihet se fajin për të e kemi vetë, ashtu siç vetë ne dhe askush tjetër do të paguajmë kujtimin e tij.
...Pak kohë përpara bombardimit të Serbisë, në Paris qarkulloi pëshpërima se gjenocidi armen i vitit 1915 ishte drejtuar nga gjeneralët shqiptarë. Pëshpërima synonte armiqësimin e lobit të fuqishëm armen me shqiptarët, rrjedhimisht me Kosovën. Ajo u përhap aty-këtu në Tiranë, e shoqëruar nga një tjetër pëshpërimë e rreme: mohimi i mbrojtjes së hebrenjve, e shpallur prej "çmitizuesve" vendas si "mit kombëtarist". Ismail Qemali, i cili, ndonëse i dorëhequr, ende pranohej si kryeministër historik i Shqipërisë, ishte i pari shef shteti në botë, që në tetor 1917 (pra vetëm pak kohë pas gjenocidit), dënoi publikisht në shtypin e Londrës, në një studim madhështor, të vërtetën e tmerrshme të masakrës. Ende sot historia jonë nuk e përmend këtë akt, që e nderon aq fort Shqipërinë.

Ka shqetësime, si kurrë më parë, se mes shqiptarëve po rritet një frymë antiperëndimore, me propaganda kundër vlerave evropiane. Çfarë ka ndikuar që të zhvillohet kjo frymë dhe në interes të kujt çon ajo?

Në qoftë se kjo del të jetë e vërtetë, mendoj se është gjëja më e pakuptueshme dhe më e paarsyeshme që mund të ndodhë përpara syve tanë. Shpresoj ende se nuk është veç një lajthitje e çastit.
Është një verbëri e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë. Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Çubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë - Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës dhe sidomos për turqizimin e tij.


Ku e ka hallin Serbia me shqiptarët, do që të mos na shohë të evropianizuar?


Testamenti i Çubriloviçit, ende i padënuar nga Serbia, e shpall të qartë se Serbia s'mund të ketë jetë normale me kombin shqiptar përbri. Rrjedhimisht doktrina e tij jep si zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival. Vetëm kështu, sipas mendjes së sëmurë nga shovinizmi, Serbia, përbri Shqipërisë së përçudnuar, do të dukej më e qytetëruar në sytë e Evropës! Rrjedhimisht do të përfitonte favoret evropiane dhe, kryesorja, një skajim sundues në gadishull.
E vetmja shpresë, edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar (shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira shqiptare përherë e më tepër do t'i ngjante Anadollit. Në draftin e tij, Çubriloviçi ka gjithmonë parasysh bashkëpunimin turko-osman. Qoftë marrëveshje të fshehta për shpërnguljen shqiptare, qoftë ndalimin e gjuhës shqipe. Për këtë të fundit, pavarësisht nga përgjërimet mallëngjyese për miqësi, ende nuk ka një kërkim ndjese. Më pëlqen të besoj se herët a vonë Serbia ka gjasë të çlirohet nga xanxa të tilla. Këto ditë, një koleg yni tepër i njohur, Dobrica Qosiq, në prag të ikjes nga kjo botë, e çliroi ndërgjegjen e vet duke lënë më në fund një porosi të arsyeshme lidhur me keqkuptimin serb për Kosovën.

Lidhur me çështjet e mësipërme ka një debat në Kosovë, gjatë të cilit shtrohen pyetjet: a ishin osmanët ata që na shpëtuan nga sllavizmi? Dhe, a mund të krahasohet Perandoria Osmane me NATO-n e sotme?

Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike bëhen përpjekje që mirënjohja t'i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër. Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja "e mirënjohjes" që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa! Debati i sotëm që përmendni ju nuk është veçse përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën "evropianizëm" pas "sllavizmit", por nesër, kur të ndihen më të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-ve. Kam lexuar në shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e fshehta serbe dhe pse jo, ruse.


Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të keqe... Në vend që të nxirreshin mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të vërtetë

kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje.

Policia e Kosovës siguron: Nuk ka informacion për kërcënime terroriste

Policia siguron: Nuk ka informacion për kërcënime terroriste
Policia e Kosovës siguron qytetarët se konform zhvillimeve apo shqetësimeve të sigurisë që mund të ngritën, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient sa më të siguritë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Noftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Në bazë të zhvillimeve të fundit pas aksioneve të ndërmarra nga organizata ISIS (Islamic State of Iraq and Sham) në Siri dhe në veri të Irakut, me ç’ rast disa qytete të Irakut janë marrë nën kontroll nga kjo organizatë, në web faqe të ndryshme dhe rrjete sociale është publikuar një audio incizim i udhëheqësit të kësaj organizate, e që mund të gjendët edhe me titra në gjuhën shqipe, i cili bën thirrje për të luftuar të ashtuquajturit "rafidi" dhe bën thirrje për marshim drejt Bagdadit por në anën tjetër përmban edhe mesazhe kërcënuese të paspecifikuara ndaj Perëndimit.

Pas këtyre zhvillimeve dhe publikimit të këtij audio incizimi, shumë vende, veçmas ato vende shtetas të të cilave marrin pjesë aktive në konfliktin e Sirisë dhe Irak nën ombrellën e kësaj organizate, kanë ngritur shqetësimin lidhur me mundësinë që elemente të kësaj organizate mund të paraqesin rrezik potencial për ndonjë sulm terroristë jashtë zonës së konfliktit. Andaj janë ndërmarrë hapa për të ngritur vigjilencën, shtuar masat e sigurisë si dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë, me qëllim të monitorimit të situatës dhe parandalimit të ndonjë kërcënimi të mundshëm.

Megjithatë Policia e Kosovës deri më tani nuk posedon informata të besueshme për ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Institucioneve, qytetarëve të Republikës së Kosovës apo interesave të vendeve tjera në Kosovë. Prandaj vlerësojmë se nuk ka nevojë për shqetësim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës siguron qytetarët se konform zhvillimeve apo shqetësimeve të sigurisë që mund të ngritën, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient sa më të siguritë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...