Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç''janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet”, kështu thotë në një intervistë për gazetën ”Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare.
Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur, Kosovës. Sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje, është një projekt i hershëm serb...
Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?
Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme. Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të është një histori sa e vjetër aq dhe e re.
Gjeografikisht jemi në Evropë, por cila është mendësia e shqiptarëve, sa afër Evropës realisht jemi?
Jo vetëm jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s'ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese... Pas bombave, ishte pikërisht Evropa ajo, (Evropa e artit, elegancës dhe e sqimës, siç na pëlqen ta përfytyrojmë), që gjeti ashpërsinë e duhur, për ta mbyllur pa mëshirë në një qeli të Hagës, ku dhe do të vdiste në vetmi, si një shkretan. Evropa megjithatë, nuk mund të jetë çudibërëse. Ajo s'e rrëzoi dot në gjallje Stalinin, Hoxhën apo Çausheskun. Ndërkaq ajo ushqeu, me aq sa mundte, ëndrrën për rrëzimin e tyre.
Si na sheh bota, të emancipuar apo të prapambetur?
Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç'jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash. Në radhë të parë, ka qenë modeli i komunizmit tonë, më i keqi në kontinent. Dihet se fajin për të e kemi vetë, ashtu siç vetë ne dhe askush tjetër do të paguajmë kujtimin e tij.
...Pak kohë përpara bombardimit të Serbisë, në Paris qarkulloi pëshpërima se gjenocidi armen i vitit 1915 ishte drejtuar nga gjeneralët shqiptarë. Pëshpërima synonte armiqësimin e lobit të fuqishëm armen me shqiptarët, rrjedhimisht me Kosovën. Ajo u përhap aty-këtu në Tiranë, e shoqëruar nga një tjetër pëshpërimë e rreme: mohimi i mbrojtjes së hebrenjve, e shpallur prej "çmitizuesve" vendas si "mit kombëtarist". Ismail Qemali, i cili, ndonëse i dorëhequr, ende pranohej si kryeministër historik i Shqipërisë, ishte i pari shef shteti në botë, që në tetor 1917 (pra vetëm pak kohë pas gjenocidit), dënoi publikisht në shtypin e Londrës, në një studim madhështor, të vërtetën e tmerrshme të masakrës. Ende sot historia jonë nuk e përmend këtë akt, që e nderon aq fort Shqipërinë.
Ka shqetësime, si kurrë më parë, se mes shqiptarëve po rritet një frymë antiperëndimore, me propaganda kundër vlerave evropiane. Çfarë ka ndikuar që të zhvillohet kjo frymë dhe në interes të kujt çon ajo?
Në qoftë se kjo del të jetë e vërtetë, mendoj se është gjëja më e pakuptueshme dhe më e paarsyeshme që mund të ndodhë përpara syve tanë. Shpresoj ende se nuk është veç një lajthitje e çastit.
Është një verbëri e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë. Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Çubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë - Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës dhe sidomos për turqizimin e tij.
Ku e ka hallin Serbia me shqiptarët, do që të mos na shohë të evropianizuar?
Testamenti i Çubriloviçit, ende i padënuar nga Serbia, e shpall të qartë se Serbia s'mund të ketë jetë normale me kombin shqiptar përbri. Rrjedhimisht doktrina e tij jep si zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival. Vetëm kështu, sipas mendjes së sëmurë nga shovinizmi, Serbia, përbri Shqipërisë së përçudnuar, do të dukej më e qytetëruar në sytë e Evropës! Rrjedhimisht do të përfitonte favoret evropiane dhe, kryesorja, një skajim sundues në gadishull.
E vetmja shpresë, edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar (shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira shqiptare përherë e më tepër do t'i ngjante Anadollit. Në draftin e tij, Çubriloviçi ka gjithmonë parasysh bashkëpunimin turko-osman. Qoftë marrëveshje të fshehta për shpërnguljen shqiptare, qoftë ndalimin e gjuhës shqipe. Për këtë të fundit, pavarësisht nga përgjërimet mallëngjyese për miqësi, ende nuk ka një kërkim ndjese. Më pëlqen të besoj se herët a vonë Serbia ka gjasë të çlirohet nga xanxa të tilla. Këto ditë, një koleg yni tepër i njohur, Dobrica Qosiq, në prag të ikjes nga kjo botë, e çliroi ndërgjegjen e vet duke lënë më në fund një porosi të arsyeshme lidhur me keqkuptimin serb për Kosovën.
Lidhur me çështjet e mësipërme ka një debat në Kosovë, gjatë të cilit shtrohen pyetjet: a ishin osmanët ata që na shpëtuan nga sllavizmi? Dhe, a mund të krahasohet Perandoria Osmane me NATO-n e sotme?
Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike bëhen përpjekje që mirënjohja t'i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër. Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja "e mirënjohjes" që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa! Debati i sotëm që përmendni ju nuk është veçse përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën "evropianizëm" pas "sllavizmit", por nesër, kur të ndihen më të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-ve. Kam lexuar në shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e fshehta serbe dhe pse jo, ruse.
Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të keqe... Në vend që të nxirreshin mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të vërtetë
kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje.