Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/08/21

LINJA NARRATIVE E DASHURISË ETJ., NË ROMANET E SHKRIMTARIT PETRO MARKO

SHKRUAN : FLORI BRUQI




40petromar.jpg
Petro Marko u lind ne fshatin Dhërmi të Bregut(25.11.1913) nga Marko e e ëma Zoica, e u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nepërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë, që e nisi më 1924 e e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra. N'atë shkollë pat, ndër të tjerët, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi, dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilen jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, një nga këto i prezantoi me "Manifestin" e Marksit.

Pasi kreu shkollën sorollatet nepër Tiranën e zymtë t'asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, deri sa takohet një ditë Hilë Mosit, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës.

 Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin komunist, nepërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pat, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë). Kështuqë u dëtyrua të largohej për herë të parë në Greqi, qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik t'atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin.

Pastaj niset për n'Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, por përjashtohet pas një debati me rektorin të cilin Petroja i thoshte se "turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!...", ngaqë ai e shikonte si turp që një himarjot t'ishte mësues i shqipes. Nepërmjet punëdhënësit të vëllait krijohet mundësia të hyjë në një shkollë jo shtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik.

 Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku n'atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi. Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beutt - verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, që dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga shtypja e Hamit Matjanit, dhe ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin ngaqë do hapej një gazetë ("Koha e Re") si organ i qeverisë.

 Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtit nga një gazetë në tjetrën ("Illyria", etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos.
 Bashkëpunon në "Përpjekja shqiptare" e B.Merxhanit, që Brankoja donte t'a vinte si antipod i "Hylli i Dritës". Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksisit i dëtyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro-proletariatit, i bie halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë n'Athinë e të japë ca provime, por duke lexuar mes rreshtash korrupsionin.

Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe pastaj me të mbërrirë n'Athinë merr anijen për në Francë, Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin.



Merr direktivat nga një "shok" serb që mbante si nofkë "Robert". Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 që u nis për n'Albacete ku ishte qëndra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit (vullnetar me brigadat internacionale) u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble. Hyn n'Itali nga fundi i '39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet n'atdhe sepse Kominterni kishte porositë me i çue legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyne. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin me Dukatin - hasmëri të vjetra.



Në Vlonë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin, në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)... mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Shkruan "Një natë e dy agime", poemat "Nase labi", "Horizonti në kuletë", "Parada e të uriturve", romanet "Kodashi", "Rrugëve të luftës"; "Nisja pa mbarim", "Bija e kapitenit"... Pas çlirimit te jugut t'Italisë nga forcat aleate Anglo-Amerikane çan burgun së bashku me të burgosur tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.


Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur Shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Është në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe.
Tek "Retë dhe gurët" citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”.

Boton "Hasta la vista" - 1959. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin. Romani "Çuka e shtegtarit" - 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s'ia pranuen e nuk u botue. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.



Vepra

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij.

Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit", ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme.
 Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës". Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar.
 Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundërazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet 1940, 1950, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.


Krahas kësaj  të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar.

 Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.


Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë "Retë dhe gurët - Intervistë me vetveten", autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t'a botonte. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".

Tituj të veprave

1)Hasta la vista (1958) 

2)Qyteti i fundit (1960)

3)Një emër në katër rrugë

4)Ara në mal - roman

5)Nata e Ustikës (1989) 

6)Shpella e piratëve- roman 

Vepra autobiografike

7.Horizont - roman 

8)Fantazma dhe plani 3+4

9)Çuka e shtegtarit

10)Një natë dhe dy agime

11)Stina e armëve - roman 

12)Halimi - roman 

13)Tregime - tregime 

14)Gazetari, mbreti e uria - - roman

15)Retë dhe gurët - Intervistë me vetveten, 2000

16)Ultimatumi - 2002

17)Tregime të zgjedhura - 2003


Mirënjohjet

“Mjeshtri i Madh i Punës” - 1998
“Penda e Artë” - 2000
“Qytetar Nderi i Vlorës” - 2002
Urdhri "Nderi i Kombit" në vitin 2003




***************

LINJA NARRATIVE E DASHURISË NË ROMANIN " NATA E USTIKËS" SË AUTORIT PETRO MARKO

Në romanin "Nata e Ustikës" Petro Markoja rrëfen një frag-ment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Evropë giatë viteve  1930 dhe 1940 të shekullit  20 - pra para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1940 Petro Markoja u kthye nga lufta e Spanjës.

Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë dhe u internua së bashku me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë).

Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos, në mesin e mijëra të burgosurve, edhe grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit. Prej këtej e merr subjektin e tij romani prej 380 faqesh "Nata e Ustikës".


Rrëfimi në këtë roman karakteristik për stilin e Petro Markos (dinamik, i drejtpërdrejtë), arrin ta fusë dhe ta ambientojë lexuesin në botën e kampit që në 20 faqet e para të veprës.

Rrëfimi ndjek dy linja narrative: atë të terrorit të ushtruar ndaj të burgosurve, përkatësisht organizimin, vetëorganizimin e brendshëm të të burgosurve për t'i qëndruar e rezistuar dhunës, dhe linja intime, ajo e dashurisë ndërmjet Andreas dhe sllaves së burgosur Sonjës.

Petro Markoja, siç e përmendëm dhe në romanet e tjera, i dha një vend të dukshëm ndjenjës së dashurisë, si për të treguar apo për të reaguar ndaj shpërfytyrimit që i bëhej personazhit të letërsisë skematike zyrtare të kohës.

 Pa këtë ndjenjë, duket se nënvizon në të gjithë krijimtarinë e tij, nieriu as nuk mund të jetë njeri dhe aq më tepër të mbijetëojë në realitetin më të egër dhe pa asnjë dritë shprese.

 Me personazhin femër P.Markoja theu disa tabu të forta të kohës, jo vetëm se femra përgjithësisht ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale sa mund të lidhë dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin se femra zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ishte prostitutë.

Shkrimtari është në anën e saj dhe e mbron e i adhuron guximin, por dhe ferminitetin, ide këto tepër të guximshme për letërsinë shqiptare në përgjithësi.

 Ngjarjen në roman e rrëfen në vetën e parë vetë kryepersonazhi Andrea, ai ruan veçantitë narrative të njohura të Petro Markos: dinamik në zhvillim me shpërthime të fuqishme herë pas here. Shtrati fabulativ e ruan boshtin unik edhe përpos prirjes për ndërhyrje e digresione, që jo domosdoshmërish derdhen në atë shtrat.

Edhe në këtë roman kemi një vështrim realist ndaj personazheve, ata shfaqen me të gjitha virtytet, veset dhe dobësitë njerëzore, ndërsa simpatia e autorit bie mbi personazhin me ide revolucionare, por kjo në kuptimin e ideve të përparuara të kohës, të cilat duhej të përfshinin dhe shoqërinë shqiptare.


Nata e Ustikës (fragment)

PËR NË KAMPIN E USTIKËS:

Më duket se motori e rralloi forcën, - më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! - tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s'dihet. Vetëm kur Iloia tha: "Pse s'ulemi?", atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen...
- Zoti e di se ku jemi!
- Unë them të shtrohemi e të hamë... Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime... Më mirë t'i kemi në bark sesa...
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç'i pëlqente... Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s'ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin... Po ujë? Ku ka ujë? Ç'bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: - Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím... Vrisja mendjen... dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar... po do të linim nam.
Iloja tha: - As për një çast nuk e mendova vdekjen.
- Kadriu - unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S'ka tmerr më të madh.
Alqi - Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim... si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti - Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri - Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen... Prandaj gjithë natën s'më ra ndër mend mortja...
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç'kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: - ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin... - si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla... sikur ishin gati për të na shtypur... Pamë litarë dhe direkun... Po ç'thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
- Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien... Lart kokën, si shqiptarë që jemi...
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç'të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
- Spie! Spie!
- (It.: Spiunë! Spiunë!)
- A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
- (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
- Traditori! Spie di un cane!
- (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç'është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit...
Një fishkëllimë e gjatë bilbili... Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni... - Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. - Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë... Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona... Pastaj na sulmonin nga shpina... - bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
- Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç'kishin me ne? ç'kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
- Ne nuk jemi banditë! - bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. - Banditë janë ata që na zunë derën... që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
- Ja ku janë banditët... ja ku janë kasapët e popullit italian! --dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera...

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! - urdhëronte oficeri me duar e këmbë...
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar.
--------------------------------------
Ky fragment përshkruan udhëtimin e të burgosurve shqiptarë me anije, të cilët të hedhur atje si thasë me patate e të lidhur në pranga po i çojnë për në kampin e Ustikës. Nata është e gjatë dhe atë e bën më të gjatë gjendja tragjike e burrave të burgosur. Ajo është aq e gjatë sa ia kalon dhe vetë vdekjes, nënvizon shkrimtari. Nga ana tjetër në një mënyrë shumë të thjeshtë e të natyrshme si për t'iu kundërvënë fatalitetit, të burgosurit flasin për shijet e tyre në të ngrënë. Fundi i fragmentit është aq ngjethës kur shkrimtari mbi majën e anijes vendos të burgosurit shqiptarë, ndërsa poshtë turmën që nuk e kupton për se ka aq urrejtje për njerëz që janë po aq viktima nga xhelatët e luftës sa vetë ata vetë. Kënga me fjalët internacionaliste jepet pikërisht në këtë situatë që duket se pret zgjidhje.

Nata e Ustikës

Romanet "Hasta la vista", "Një emër në katër rrugë" dhe "Nata e Ustikës", janë romanet më autobiografikë në letërsinë tonë. Pas personazhit kryesor të secilit roman (Gori, Gjikë Bua, Andrea) lexuesi fare lehtë do ta identifikojë vetë autorin. Sidomos lexuesi që e ka parasysh dhe veprën-ditar "Intervistë me vetveten", ku rrëfehet jeta apo biografia, që është nga më të bujshmet e shkrimtarëve shqiptarë.
Në romanin "Nata e Ustikës" Petro Markoja rrëfen një frag-ment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Evropë giatë viteve '30 dhe '40 të shekullit XX - pra para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1940 Petro Markoja u kthye nga lufta e Spanjës. Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë dhe u internua së bashku me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë). Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos, në mesin e mijëra të burgosurve, edhe grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit. Prej këtej e merr subjektin e tij romani prej 380 faqesh "Nata e Ustikës".
Rrëfimi në këtë roman karakteristik për stilin e Petro Markos (dinamik, i drejtpërdrejtë), arrin ta fusë dhe ta ambientojë lexuesin në botën e kampit që në 20 faqet e para të veprës. Rrëfimi ndjek dy linja narrative: atë të terrorit të ushtruar ndaj të burgosurve, përkatësisht organizimin, vetëorganizimin e brendshëm të të burgosurve për t'i qëndruar e rezistuar dhunës, dhe linja intime, ajo e dashurisë ndërmjet Andreas dhe sllaves së burgosur Sonjës.

Petro Markoja, siç e përmendëm dhe në romanet e tjera, i dha një vend të dukshëm ndjenjës së dashurisë, si për të treguar apo për të reaguar ndaj shpërfytyrimit që i bëhej personazhit të letërsisë skematike zyrtare të kohës. Pa këtë ndjenjë, duket se nënvizon në të gjithë krijimtarinë e tij, nieriu as nuk mund të jetë njeri dhe aq më tepër të mbijetëojë në realitetin më të egër dhe pa asnjë dritë shprese. Me personazhin femër P.Markoja theu disa tabu të forta të kohës, jo vetëm se femra përgjithësisht ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale sa mund të lidhë dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin se femra zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ishte prostitutë. Shkrimtari është në anën e saj dhe e mbron e i adhuron guximin, por dhe ferminitetin, ide këto tepër të guximshme për letërsinë shqiptare në përgjithësi.

Ngjarjen në roman e rrëfen në vetën e parë vetë kryepersonazhi Andrea, ai ruan veçantitë narrative të njohura të Petro Markos: dinamik në zhvillim me shpërthime të fuqishme herë pas here. Shtrati fabulativ e ruan boshtin unik edhe përpos prirjes për ndërhyrje e digresione, që jo domosdoshmërisht derdhen në atë shtrat.

Edhe në këtë roman kemi një vështrim realist ndaj personazheve, ata shfaqen me të gjitha virtytet, veset dhe dobësitë njerëzore, ndërsa simpatia e autorit bie mbi personazhin me ide revolucionare, por kjo në kuptimin e ideve të përparuara të kohës, të cilat duhej të përfshinin dhe shoqërinë shqiptare.

******


Hasta la Vista

Është romani i parë i autorit dhe më i rëndësishmi për kohën, kur e shkroi, si në rrafshin artistik ashtu dhe në atë tematik. Rëndësia e tij qëndron veçanërisht, se lajmëroi kthesën në rrjedhat historike të romanit shqiptar. Romani sjell rrëfimin e luftës në Spanjë, ku kryesisht veprojnë personazhe nga mesi i vullnetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në të rrëfehen betejat e shumta gjatë viteve të kaluara në front, të cilat përshkruhen me një gjuhë të gjallë dhe të papërsëritur. Krahas ngjarjeve për rrjedhat e luftës, rrëfehet dhe linja e dashurisë ndërmjet luftëtarit shqiptar Gori dhe infermieres spanjolle Anita. Ngjarja, pra, në romanin "Hasta la vista" rrjedh në dy binarë: rrëfimi për luftën dhe rrëfimi për dashurinë. Në rrëfimin e parë, shkrimtari e kuadron luftën mes republikanëve që u vijnë në ndihmë vullnetarë nga mbarë bota dhe, monarkistëve të ndihmuar nga fuqitë fashiste evropiane. Në rrethin e të parëve janë dhe vullnetarët shqiptarë që së bashku me të tjerët luftonin fashizmin, që, gjatë luftës në Spanjë (gjysma e dytë e viteve '30) ishte forcuar dhe paralajmëronte Luftën e Dytë Botërore.
Anë e fuqishme e rrëfimit për luftën është ndërtimi i personazheve, shpalimi i karaktereve, i psikologjisë dhe i filozofisë së tyre. Numri më i madh i personazheve është nga radhët e vullnetarëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin personalitete të shquara të kohës si Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Xhemal Kada, vetë Petro Marko etj. Këta dhe personazhet e sajuara përmes imagjinatës, autori do t'i sprovojë në rrethanat e luftës. Dhe një sprovë do të jetë e rreptë: të ballafaquar shpesh sy më sy me vdekjen, ata hapen plotësisht para të tjerëve, pa mundur të fshehin asgjë. Dhe pikërisht në këtë faqe të artit të vet tregimtar, Petro Marko do ta bëjë shmangien e parë nga shablloni i doktrinës zyrtare: edhe pse grupi i vullnetarëve të luftës mendohej të ishte pjesë e më të zgjedhurve të mjedisit dhe të kohës shqiptare, të vënë përballë rrezikut të vdekjes, jo të gjithë do ta përballojnë atë njësoj. Në mesin e tyre, prandaj, do të vërehet ndonjë luhatje që, nën presionin e frikës, do të manifestohet si ikje, si fshehje, si dezertim. Pra, Petro Markoja, edhe brenda rrethit të personazheve të zgjedhura për kauzën pozitive mbarënjerëzore, do të dallojë dobësi, cene dhe anë të shëmtuara mes tyre.
Në linjën e dytë, në rrëfimin e dashurisë mes Gorit dhe Anitës, autori arrin efekte nga më të shënuarat në artikulimin artistik. Dashuria mes tyre, në këtë rast, është vendosur në një kontekst ngjarjesh të veçanta, të jashtëzakonshme. Lufta jepet e pranishme kudo e në çdo çast, si shpërthim gjylesh topi apo granate, aty rrotull e nëpër këmbë, e parashikueshme dhe e paparashikueshme njëherazi, është pikërisht ajo që përcakton rrjedhën e ngjarjeve të ditës, të çastit. Në kuadër të kësaj vetëdijeje dhe nënvetëdijeje lindja e dashurisë mes Gorit luftëtar dhe Anitës infermiere, do të ketë një tjetër shije, tjetër intensitet dhe forcë emozionale Anita, gjimnazistja e bukur spanjolle, në rolin e infermieres, në një kamp të improvizuar që vlon nga rrëmuja e luftës dhe lodhja për t'u ndihmuar të plagosurve nga fronti, befasisht do të ndeshë shikimin e një të plagosuri të ri. Ky luftëtar rreth të njëzetave, kaçurrel e me një bukuri apolonike, prej nga të ketë ardhur vallë për të luftuar, për të vdekur në Spanjë, për Spanjën? Kështu e përjeton Anita takimin e parë me ata sy, duke e përfytyruar Gorin, si një krijesë jashtëtokësore, mitologjike. Dashuria midis tyre, e ngjizur dhe e ndezur në këto rrethana do të jetë po ashtu, e përmasave të jashtëzakonshme. Edhe kjo ishte e veçanta që sillte Petro Marko në temën e dashurisë në romanin shqiptar të asaj kohe.

Hasta la Vista (fragment)

TAKIMI I GORIT ME ANITËN:

Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët. Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri në zjarr. Disa ishin të përmbysura dhe akoma lëshonin zjarr e tym.
Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre hitierianë të divizionit "Kondor" dhe një frankist. Garibaldinët i zunë, i lidhën dhe i shikonin me zemërim.
-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. - Hidhini n'atë zjarr që ndezën vetë! Brigantët!
Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t'i vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.
Këta janë robër lufte! Do të dërgohen te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri...
Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.
- I çarmatosni mirë dhe i shpini në shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të tjerët ndihmoni shokët!...
- Ç'më rrini kështu sikur shikoni ndonjë Sfaqje!
- Plumbin qenve! Plumbin - u dëgjua përsëri nga mesi i ushtarëve.
- Dëgjoni thirri me zë të prerë komisari Alvarez - po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt, sikush në kompaninë e tij...
Kishte nga ata kurreshtarë që deshën të shikonin ç'fytyrë kishin bishat që bombardonin ditë e natë Spanjën republikane. S'lanë shtëpi e fshat, stacion e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë! Ata sipas ligjeve të luftës së tyre të padrejtë, mund t'i sulmonin trenat e luftës e t'i shkatërronin siç bënë tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të? Eh, luftë o luftë!
- Mor po këta qënkan simpatikë! - tha njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë, bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno, tërheqës për vajzat, që ç'ke me të...
- Derrat! - thirri një tjetër.
- Qënt e qënit! - ia priti një tjetër.
- Të katër robërit, shkonin kryelartë. Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre... dhe siç dukej, atë që ato po bënin, e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të vinin në vete ndonjë ditë, po të shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata me urdhërin e perëndisë së tyre.
Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe. Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan në horizontin e hapur! Eh, ç'agim! Sa keq për Gorin që s'e pa këtë agim! I kishin folur për agimet e kuqërreme të Spanjës së bukur. Po ja që s'pati fat ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë, aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që mjekonte ata që ishin të plagosur më rëndë.
Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që kapërcyen kufi e dete, për të ardhur gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!
-Ka patur dhe më keq, - mendonte Asimi. - Ka patur shokë që u vranë pa shkelur fare në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë në det e në stere...
Gori geli sytë! Herën e parë nuk mundi të përmblidhej e të kuptonte se ku ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të shumë garibaldinëve të tjerë, e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.
Në këto çaste të mallëngjyera, Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para, kish këcyer përjashta dhe kish marë frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull në një guvë ulliri, kishte mbyllur sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë u kujtua për armët dhe sidomos për çantën, ku mbante gjëra të vlefshme, siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t'ia prekte... Për këtë i vinte plasja dhe ish enduar shumë që s'mori të paktën çantën e vogël. "Po lëkura qënka më e dhëmbshur se floriri!" - kur shikonte lemerinë që ish bërë.
- Ka vdekur njeri nga tanët? - pyeti , kur pa shokët rreth Gorit.
- Po ti ç'u bëre? - pyeti Ramizi. - Nga bridhje! Ne kujtuam se... re dëshmor!
- Mortja nuk merr. shtoi Xhemali.
Ra buria! Të gjithë të mblidheshin në kompanitë e tyre.
Gori e dëgjoi. çeli sytë dhe bëri të ngrihej.
-Mos lëviz! - e porositi Ramizi, - ja tani vjen doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën, trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe tërë gjoksin dhe porositi infermierët ta shpinin n'ambulancën që u ngrit tej kanalit.
Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s'ka rrezik - frakturë dhe tronditje.
-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të presim në brigadë, - i tha komisari, dhe e përkëdheli duke i lëmuar flokët. -ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni me shokun se po nisemi.
Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë nga turpi se i ishin mbytur në lotë.
-Gori! - i tha Asimi. - Ne po ndahemi, se brigada niset. Erdhi treni. Të presim! - dhe e puthi. E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë në fyt.
Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk i çilte sytë të shikonte shokët, vëllezërit për të cilët krenohej jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët antifashistë. S'kishte fuqi të thoshte një fjalë, vetëm një fjalë: "Luftoni dhe për mua!" Kur nuk i dëgjoi më, kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të kundërt nga ai i shokëve që duke u larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën duke e përshëndetur.
..........................................................
Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve, që lanë shumë të vrarë dhe të plagosur. Po kënga gjëmoi.
Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit. Ata që ishin me plagë të rënda i shtruan aty pranë në një shtëpi fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një shtrat të autoambulancës. Në shtratin tjetër ishte një shok italian që rrënkonte thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë dhe s'dinte ç'të mendonte. I vinte turp... Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada shkoi në Aragonë! Çfat i keq! Po kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!
Ajo i foli në një gjuhë që Gori s'mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten, e kuptonte spanjishten.
Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert përnjëherë u çelën dhe infermierët rrëmbyen vigjët me të plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave të mëdha. Gori pa dritën e tokës spaniolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës! Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë, deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët duke zbardhur dhëmbët si një qen i egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit mbi kokë si një pulë që mbronte zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina, siç e quanin infermieren suedeze, e ruante të plagosurin nga aeroplanat.
- Janë shumë çnjerëzorë! Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë na kanë mitraluar!
Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.
- Jemi fqinjë! - i tha.
- Nga jini ju? - e pyeti Gori.
- Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?
- Po! jam shqiptar!
- Aty në spital, do të gjesh dhe një infermiere shqiptare. Është një shoqe e mirë.
Në rrugën e bukur, që përshkon bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani përsëri nisën të lëviznin maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura, autobuzë, motoçikleta, biçikleta qerre - ç'lëvizje e madhe për në Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me giethe, me dega: si duken së largu! Si një kopësht lëvizës!
Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin, i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks e në brinjët dhe në majë të kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare! S'e duron dot! Sikur infermiera të mos ishte infermiere, po infermier, do të thërriste një herë e shumë herë: "Nënë! Moj nënë!", po kishte turp nga ata dy sy të kaltërt të shoqes suedeze që e shikonin me atë ëmbëlsi që e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte dhëmbët dhe... ja para tij, pa dy sy, dy sy spanjollë, që kurrë s'do t'i harronte.
Një kolonel francez, burrë i shkuar nga mosha, me flokë të drejtë e t'ergjëntë, me mustaqe të shkurtëra si furcë e fortë, me dhëmbë të florinjtë, me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:
- Franse?
- Jo Shqiptar! - i tha infermiera -
- Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka: Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je, mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? - dhe u afrua, i vuri dorën në ballë dhe i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri. Vajza që e shoqëronte, e shikonte në thellësitë e syve, sikur kërkonte të kridhej brënda në sytë jeshil të Gorit, i cili ndjeu një diçka që s'e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu dhe u largua, kurse e reia, duke e shikuar akoma, po me atë mënyrë të çuditëshme, u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi t'i thosh diçka... i hodhi një degë ulliri që mbante në dorë dhe u largua duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë Gorit:
- Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)
Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë, kur ajo largohej. Infermierja tha:
-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë! Shumë e bukur)
Gori s'foli gjersa e vunë prapë në autoambulancë. Maqina ecte në rrugën e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:
- Mua më tha: "Hasta la vista?"
- Po! Të tha me zemër spanjolle "hasta la vista!" dhe të uroj ta rishikosh. Të fali dhe këtë degë ulliri.
------------------------------------------
Takimi i Gorit me Anitën është nga pjesët më të bukura të romanit, i cili është aq i ngarkuar me mundimet dhe dhimbjet njerëzore. Duket se dashuria bën magjira, ndihet nënteksti i kësaj ndjenje në tërë romanin. Vështrimi në thellësi të syve të ushtarit shqiptar me infermieren spanjolle nënvizon me forcë vetinë universale të kësaj ndjenje, që nuk pyet as për gjendje të vështirë, as për kohë dhe aq më tepër për kombësi të ndryshme. Dega e ullirit që Anita ia dhuroi Gorit është simbol i fitores, dhe i një dashurie të përjetshme. Me lidhjen e këtij çifti P.Marko solli në letërsinë shqiptare çiftet më simpatikë dhe më të guximshëm të të dashuruarve. Dhe ideali i njëjtë që kanë këta dy të dashur jepet në planin intim njerëzor dhe aspak si një propagandë e letërsisë zyrtare të kohës.


Intervistë me vetvehten

Po më shumë se në çdo vepër filozofia e të jetuarit të P.Markos ndjehet veçanërisht në librin monumental "Intervistë me vetveten", lënë dorëshkrim dhe botuar 10 vjet pas vdekjes së autorit. Në këtë vepër rrugën e tij jetësore, jetëshkrimin e tij Petro Marko i lë si dëshmi të drejtpërdrejta, pa u distancuar përmes personazheve letrarë, siç vepron në shumicën e romaneve. Rrëfimi është i rreptë dhe total, ai ngrihet në shkallë të një metafore për rrugën e Shqipërisë gjatë 60 vjetëve, në metaforë të luftës së pandërprerë të njeriut mes së mirës dhe së keqes. Luftëtar dhe kryeluftëtar në Spanjë, në Francë dhe Itali, kryengritës burgjesh nëpër Evropë dhe në Mesdhe, P.Marko marshon fuqishëm drejt atdheut të vet, i cili ishte dhe ai i pushtuar nga fashizmi. Autori shfaqet gjatë rrëfimit të historisë së tij në "Intervistë me vetveten" si një kriiesë mitologie e lindur ta mbajë shpatën ngritur dhe të gatshme për të goditur të keqen kudo qoftë ajo, i bindur se ashtu e pastronte dhe qiellin e tokës së vendlindjes. Me këtë besim madhor Petro Marko pas vitesh e betejash të pandërprera nëpër Evropë, më 1944 do të kthehet në Shqipëri.
Në moshën 30 vjeçare, por me aq bëma mbi shpinë, sa në jetën e një njeriu të zakonshëm nuk mund të
ngarkohen as për një shekull, P.Marko sa qe gjallë, do të përjetojë në atdhe zhgënjimin dhe dhembjen më
të thekshme. Ditët e para në Tiranë, pasi e emërojnë përgjegjës shtypi, i caktojnë shtëpinë ku do të
jetonte. Vonë në mbrëmje, që natën e parë, ai do jetë dëshmitar i një takimi trishtues me famlijen,
pronarin e vilës: "Shoku Petro na kanë dhënë urdhër t'jua lëshojmë sbtëpinë me krejt çka ka në të, ku do të vendosemi dhe a mund të marrim me vete ndonjë gjë personale", e pret zonja e shtëpisë duke u dridhur.
Petroja trishtohet, lë shtëpinë dhe kërkon sqarim nga shokët - mos është ndonjë gabim apo keqkuptim?
Kështu e fillon rrëfimin e vet P.Marko në veprën voluminoze "Intervistë me vetveten", që është një nga dëshmitë më rrënqethëse për atë që do të vinte dhe do ta mbërthente Shqipërinë gjatë diktaturës Komuniste. Po ashtu do ta detyrojnë Petro Markon që të futet nën tutelën e gazetës "Borba" të Beogradit. Por ai nuk pranon: "Ne kemi më shumë traditë, jemi vazhduesit e gazetës "Bashkimi i Kombit" para lufte, le të mësojë "Borba" nga ne", dhe këtu do të zinte fill kalvari i ri i burgosjeve dhe i persekutimeve të një egërsie që nuk e kishte provuar më parë. Një bashkëluftëtar nga Italia pas afro 50 vjetësh, diku para vdekjes, do t'i thotë Petros "Shkruaje rrugën, historinë tënde se ajo vlen më shumë se 100 romane." Dhe vërtet, libri "Intervistë me vetveten" është historia për gjysmë shekulli e Shqipërisë, rrëfimi me fuqi rrezatimi i përmasave të një bibliotekë të tërë dokumentash. Përmes kësaj vepre njihet më mirë drama e kombit dhe e Shqipërisë dhe pas leximit të këtij libri duhet më shumë dhe më pastër atdheu e kombi.

Qyteti i fundit



Në këtë roman bëhet fjalë për fundin e ushtrisë pushtuese italiane në Shqipëri. Pas kapitullimit të fashizmit, në portin e Durrësit tubohen ushtarët e mbetur nga lufta dhe presin anijet nga Italia për t'u kthyer në vendin e tyre. Pikërisht gjatë ditëve të pritjes në këtë qytet të improvizuar buzë detit, shkrimtari Petro Marko do të zbulojë histori, drama, karaktere, psikologji të nxjerra nga njerëzit e qytetit të fundit. Përveç kësaj autori do të sjellë edhe rrëfimin për dashurinë e oficerit të ri shqiptar Lekës dhe prostitutës së bukur italiane Ana Maria Monte, viktimë po ashtu e luftës dhe e fashizmit.
Brenda 7 ditëve, aq sa qëndrojnë italianët e mbledhur në portin e Durrësit për t'u kthyer në Itali, shkrimtari në romanin "Qyteti i fundit" do të zbulojë dhe do të rrëfejë historitë dhe fatet e disave nga ushtria fashiste që para 4-5 viteve e kishte pushtuar Shqipërinë. Në këtë pleksje historish e fatesh, autori do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së "Qytetit". Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve dedektive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane - Ana Maria Monti. Dhe do të lindë dashuria mes tyre, që është shumëfish më "mëkatare" se ajo mes Gorit dhe Anitës. Leka është toger i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.
Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t'i nënshtrohet zërit të brendshëm dhe të dashurohet me italianen e bukur, apo do të nxjerrë para tij fuqinë e përgjegjësisë dhe të mëkatit ndaj "mollës së ndaluar"? Romani "Qyteti i fundit", në këtë drejtim, sjell mjeshtërinë e të rrëfyerit të Petro Markos, që, i futur vetë mes dy zjarreve, arrin të manovrojë dhe t'u krijojë hapësirë artikulimi të dy krahëve, duke realizuar portrete komplekse, në radhë të parë si ai i toger Lekës. Gjithsesi ai si shkrimtar, pati i pari kurajo krijuese që të prekë sfera delikate, të rrezikshme të realitetit shqiptar të kohës, pasojat e të cilave i ndjeu gjithë jetën.

Një emër në katër rrugë

Romani i Petro Markos me titull "Një emër në katër rrugë" në faqen e fundit mban datën e vitit 1972. Ai mbeti dorëshkrim, nuk u lejua botimi i tij edhe pse duket të jetë më pretenduesi në veprën letrare të shkrimtarit. Ky roman u botua vetëm pas 29 vjetësh, më 2001. Pas leximit të romanit sikur bëhet më i qartë fati i tij. Në të autori rrëfen botën shqiptare të viteve '30 dhe pjesën e parë të '40-ve përmes katër perspektivave të mundshme, katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve. Që të katërt kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit jon, prej nga marrin udhët e botës dhe si jehonë jetësore kthehen rishtas te kjo vatër e gjallë. Katër Gjikët mëtojnë ta përthithin tërë realitetin shqiptar të kohës si dhe të nesërmen shqiptare.
Nëpërmjet tyre fokusohen katër mundësi fati dhe të fatalizmit shqiptar në prag të luftës çlirimtare, pra në prag të kthesës së madhe shqiptare.
Për të qenë i hapur deri në fund dhe për t'u dhënë shanse të barabarta katër perspektivave shqiptare, ndjehet hapur abstenimi i autorit. Në këtë roman ka një galeri të tërë personazhesh të vërteta, me identitet historik, dhe të sajuar, duke filluar që nga mbreti Zog, kryeministra dhe ministra, parlamentarë dhe intelektualë të shquar të kohës, përfaqësues turmash, revolucionarë komunistë etj.
Ja si duket shkurtimisht profilizimi i katër personazheve të realitetit shqiptar. Njëri Gjikë, Gjikë Nina nuk lëviz nga vendlindja që simbolikisht është në funksion të mburojës etnike të truallit, të Dhrimadhit. Gjikë Mërtiri, i dyti, student në Francë dhe gjykatës në Shqipëri, shfaqet si intelektual liberal i tipit evropian. I treti, Gjikë Argjiri del sinonim i së keqes dhe i shëmtimit, ndërsa i katërti, Gjikë Bua, që në këtë roman voluminoz, përveç personazh i zgjedhur i autorit është njëkohësisht dhe narratori formohet dhe kultivohet brenda botës dhe atmosferës së grupeve komuniste shqiptare të kohës. Si i tillë ai do të bëhet dhe një nga krerët e luftës antifashiste.
Gjikë Mërtiri gjykatës është figura artistikisht më e realizuar e romanit; i veçantë dhe karakteristik është dhe qëndrimi i narratorit (autorit) ndaj tij. Ai kthehet në Shqipëri me bindjen dhe shpresën se do të mund ta ushtrojë detyrën e atij që ndan drejtësi, pa u lakuar dhe pa u thyer nga presionet dhe pesha e padrejtësisë. Ka iluzionin se para drejtësisë mund të nxirret cilido shkelës, qoftë ai dhe ministër. Kur do të bindet përfundimisht për pamundësinë e vet, kur do të bindet se nga salla e gjyqit del i pafajshëm ai që jep më shumë para dhe që ka mbështetjen e pushtetit, do të zhgënjehet rëndë. Pikërisht me këtë përcaktim të autorit ndaj këtij personazhi, lind një problem që nuk është i panjohur në praktikën narrative përgjithësisht.

Që Gjikë Mërtiri del më i artikuluar dhe më i fuqishëm, më mbresëlënës, edhe pa dashjen e autorit, nuk është rastësi. Nuk është vështirë të kapet simpatia e pashprehur, por e pranishme e autorit për të edhe pse deklarativisht autori ndjen nevojë të jashtme, ekstrakrijuese, që të distancohet nga pikëpamjet e këtij intelektuali liberal-perëndimor. Prandaj shtrohet pyetja: mos vallë shkrimtari ndjehej më pranë kësaj rruge dhe kësaj alternative shqiptare gjatë viteve '30?
Prandaj simpatia për Gjikë Mërtirin, qoftë dhe si realizim artistik e vë atë në pozita superiore përballë të tjerëve. Pikërisht për këto tipare dhe individualitet të formuar dhe të fuqishëm, fundi i tij, zgjedhja e rrugës për vetëvrasje vjen si një imponim i jashtëm dhe jo i natyrshëm.

Gjikë Argjiri është personazhi më i realizuar negativ i romanit. Është shprehje e koncentrimit të faqes më të shëmtuar të realitetit shqiptar të kohës. Me veti të kameleonit Gjikë Argjiri do t'i përshtatet çdo pushteti. Ai i nënshtrohet çdo eprori nga i cili varet, i gatshëm për çdo rast korrupsioni dhe, mizor deri në absurd ndaj të nënshtruarve. Është i të gjithëve dhe i çdo kohe. Petro Markoja me intuitën e intelektualit, e pati ndjerë se nga ky soj i qenies sonë nuk do ta marrë veten kollaj bota shqiptare.
Gjikë Bua që rrëfen dhe për rrugën e tij jetësore dhe për atë të të tjerëve, mëton të jetë zëri i autorit. Ai do të jetë bartës i ideve revolucionare, komuniste, në roman dhe rruga e tij mes katër të mundshmeve do të jetë zgjedhje e autorit dhe më e vërteta sipas kësaj perspektive. Gjikë Bua nuk vendoset në situata të mprehta, të paktën jo në atë shkallë siç ndodh me Gjikë Mërtirin, ku autori ka derdhur pjesën e vet më autentike apo atë më të ëndërruarën.
Karakteristikë e narracionit në këtë rrëfim romanor, është mbështetja në faktografinë, identitetin historik, të hapësirës dhe të njerëzve, është prirja për një rrëfim të dokumentuar.
Por ajo çka duket më e rëndësishme në lidhje me natyrën, me misionin dhe perspektivën e narratorit, është se Petro Markoja në këtë roman heq dorë nga narratori i gjithëdijshëm, karakteristikë për tërë epokën e romanit realist të shekullit XIX, me jehonë dhe gjatë shekullit që lamë pas. Narratori kësaj here është njëri nga personazhet dhe ai do të rrëfejë nga perspektiva e atij që mund të dijë aq sa mund të dijë çdo njeri dëshmitar i drejtpërdrejtë apo i tërthortë. Megjithatë, autori, përmes zërit të vet, nuk mund të përmbahet plotësisht pa përzgjedhur apo pa gërshetuar mes personazhit dhe narratorit zërin e vet autorial.
Por nëse çdo personazh është personalitet i veçantë, kryepersonazhi është i pajisur dhe me boshtin plus. Duke qëndruar dhe vrojtuar nga një perspektivë superiore ai i sheh më qartë lëvizjet e njerëzve dhe të dukurive në hapësirën e fokusuar. Zakonisht ai qëndron më pranë filozofisë jetësore të vetë autorit.

Në fillim përmendëm shkurtimisht katër rrugët e Gjikëve: misionin e të parit nuk do ta marrë Gjikë Nina, simbol i rrënjës së lashtë dhe i mburojës jetike të truallit, as Gjikë Mërtiri që sjell diplomën e juristit dhe frymën e qytetërimit evropian të kohës, por Gjlkë Bua, shkollar i Vlorës dhe pjesëmarrës aktiv në grupet komuniste tiranase. Pikërisht ky, me dashjen e autorit, do të jetë më pranë zërit të tij. Romani kështu del me tezën se ideja revolucionare komuniste e mbjellë në fillim të shekullit në Evropë dhe që gjen truall dhe në tokën shqiptare, do të bartet përmes personazhit të Gjikë Buas. Dhe pikërisht me këtë përcaktim zë fill dhe ndodh mosmarrëveshja ose vetëmashtrimi mes Petro Markos shkrimtar dhe Petro Markos njeri. Ndërsa kryepersonazh i konvencioneve të kohës, pra i diktimeve nga jashtë do të bëhet Gjikë Bua, me Gjikë Mërtirin, shkrimtari Petro Marko do të shprehë vizionin e vet jetësor e filozofik si dhe pjesën më substanciale të shpirtit të vet.
Pavarësisht nga ky "disekuilibër" në sipërfaqe, narratori arrin të zhytet dhe të depërtojë në skutat më të errëta të personazheve dhe të ngjarjeve të kohës. Këto vlera, qoftë në shkallë të ideve apo të realizimeve artistike, bëjnë që romani "Një emër në katër rrugë" të jetë ndër më të realizuarit e veprës romanore të Petro Markos.

EPISODI I NISJES:


"Rroftë jeta!" Ashtu më dukej sikur përsërisnin ditë e natë, e sidomos natën, kur oshëtima e tyre ishte më e fuqishme, dallgët e detit jon, që përplaseshin në bregun shkëmbor, të fshatit tim Dhrimadhe. Këtë refren të përhershëm të dallgëve të detit jon më dukej sikur shprehnin pa zë dhe fshatarët e mi, se lufta që bënin atë moto kishte: "Rroftë jeta!" . jeta mbi gurë, jeta në dallgët e detit, jeta kur ishte zor të jetoje, zor të dashuroje, zor të ëndërroje dhe zor të vdisje.
Ky refren i pashpallur me zë, me vaj apo me këngë, që pulsi i nxitjes për të jetuar me luftë të ashpër mbi gurë në furtunat që rrëmbenin dhe dheun e gërxheve.
Kaloje nga ndonjë monopat dhe shikoje ndonjë burrë qe ngrinte ledhe për t'i mbushur pastaj me dhè dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ai të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shihje ndonjë grua që bënte dru në pllaja të pjerrëta, gërxhore dhe të zhveshura, se dhitë nuk i linin kurrë xinat, cfakat dhe anticfakat të rriteshin, dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ajo të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shikoje në prakun e dyerve të oborreve plaka të heshtura që tirrnin duke shikuar detin, detin që u kishte marrë burrin apo djalin, dhe i pyesje:
- Ç'po bëni aty! - Dhe ato të përgjigjeshin:
- Ja, luftojmë!
Shikoje burra, gra, të rinj, e të reja që çanin gurë, që rrëmihnin tokën, që mbillnin agrilidhe apo shartonin nerënxa, që shkundnin ullinj o që kërkonin mbi çatinë se cilën qeramidhe kishte rrëmbyer tramundana e natës, kurrë nuk të përgjigjeshin: "Ja punojmë", por: "Ja luftojmë!" - Lufta ka qëne jeta e tyre. Luftë me të huaj, luftë me urinë, me sëmundjet, me borxhet, me kurbetin, me xhandarin, me vdekjen. Dhe kjo luftë kishte si bajrak refrenin e pashpallur kurrë me zë:
"Rroftë jeta!"
Dhe me luftën e tyre ata mbijetuan! Dhe unë tani që shoh, mendoj e them: ,Mbijetuan, se hodhën rrënjë në gurë dhe u ushqyen me gjakun e gurit..."
Këto mendime mua më kishin larguar nga bisedat e shtruara që bëheshin atë mbrëmje në shtëpinë e Mitro Balit, i cili rrinte në krye të vatrës duke pirë duhan pas duhani, nga ato cigare që i hidhnin njërën pas tjetrës gjitha ata burra që vinin darkë për darkë për ta ngushëlluar e për t'i lehtësuar dhembjen dhe gjëmën e madhe që i erdhi nga miniera e Firminisë për vdekjen nga veremi i djalit të tij, Vangjelit. Aty pleqtë, që dinë shumë gjëra nga jeta, tregonin ngjarje të çuditshme nga bota e gjerë që kishin gjezdisur, aty rriheshin mendime mbi politikën dhe mbi fuqitë e mëdha që kanë fatin e njerëzimit në dorë... Hera-herës zinin në gojë dhe qeverinë e Tiranës, po emrin e mbretit nuk e zinin kurrë në gojë.
Pastaj, si kurdoherë, xha Foti fillonte me qyfyret e tij të hidhura dhe atmosfera ndryshonte fare, bëhej më e lehtë dhe dalëngadalë hiqte nga fytyra e Mitro Balit perden e zymtë të dëshpërimit, bënte të tjerët të mblidhnin këmbët dhe të pregatiteshin për të qeshur. Se, xha Foti, që kishte gjezdisur gjithë brigjet e globit si marinar nën shumë flamuj, sidomos nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që kishte lundruar për dyzet vjet në detin e Karaibeve, kushedi se sa herë e kishte kënduar "Dekameronin" e Bokaçios dhe, pasi asnjëri nga fshatarët e mi nuk dinin se ç'ishte "Dekamereoni" dhe kush ishte ky Bokaçio, të gjitha aventurat, thoshte se i kishte bërë vetë ai, me disa shokë të tij detarë nga Spanja dhe Gjenova e Italisë.
Dhe, pasi kallëzoi një aventurë, të gjithë qeshën. Ky, xha Foti, tani ishte plak, po mbahej mirë me shëndet dhe me humor. Kishte tre vjet që ishte kthyer pa asnjë lek, po me humorin e hidhur të botës që kishte parë. Humori i tij ishte njëra nga pasuritë më të mëdha që mund të sillte një mërgimtar, se në luftën e ashpër dhe të hidhur të jetës së fshatit tonë, më shumë dëgjohej vajtimi se kënga, më shumë mbinte gjembi i urisë se sa blerimi i vjeljes së gëzimit.
Me habinë time dëgjova të merrte fjalën dhe Gjikë Mërtiri, i cili tha:
- [Hodha grepin nga qielli] dhe [nuk kapa as zogj, as re e as yje], [po kapa bishtin e botës së lutjeve] [drejtuar perëndisë nga ara që vanë]. [Dhe qesha siç do të qeshin të nesërmit për mua!].
Kur mbaroi Gjikë Mërtiri, hyri Kolë Dede. Ra heshtja. Ashtu ishte. Kur hynte njeri, heshtja binte për disa çaste, pastaj vazhdonin biseda. Kola ndenji afër derës. I hodhi një duhan Mitros. Dhe unë prita që Gjikë Mërtiri të vazhdonte. Ai tundi kokën dhe, duke shikuar Kolën, e pyeti se kur kishte dalë nga burgu.
- Më mirë të mos kisha dalë! - tha Kola.
- Mirë e ke! i tha duke qeshur Gjikë Argjiri. Gjikë Argjiri shtoi dhe disa fjalë që nuk i dëgjoi njeri. Kolën, pasi nuk kishte paguar borxhin te zoti Kosta, zoti Kosta e kishte hedhur në gjyq. Ishte dënuar me tre muaj burgim. Dhe sipas ligjit, zoti Kosta duhej t'i paguante pesë lekë Kolës për çdo ditë që të mbahej në burg. Po Kola në burg vetëm një lek prishte. Katër lekët e tjerë ia dërgonte familjes.
- Ku ta gjesh këtë që të jesh në burg dhe t'i dërgosh katër lekë në ditë familjes. Mua më ra bretku dhe nuk fitoj një lek në ditë! - shtoi me zë të lartë Gjikë Argjiri.
- Burgu është i rëndë! Pa shikoje se si është katandisur i gjori Kolë! - tha Gjikë Nina - Ku jemi mësuar ne me burgje! Po nuk na pa dielli përditë e po nuk u shtrimë në dyshemenë tonë, vdesim shpejt.
Pasi folën për burgjet dhe për ligjet, për fajdexhitë dhe për borxhet, prisnin të merrte fjalën Gjikë Mërtiri, se Gjikë Mërtiri ishte i vetmi njeri i ligjeve. Ai kishte mbaruar në Francë drejtësi dhe i dinte të gjitha. Ai e kuptoi nga shikimet që i hidhnin, prandaj lëshoi këtë shprehje, nga e cila unë nisa të mendoja ndryshe dhe të shkruaja këtë rrëfirn të vërtetë.
- Kohë të vështira për njeriun e ndershëm ! tha Gjikë Mërtiri.
Kur i tha këto Gjikë Mërtiri, unë e shikova në sy. Ai, me atë fytyrë të bardhë dhe me ato syze pa rrathë, shikonte Kolën. Dhe Kola pinte duhan sikur të ishte në burg.
- Sipas teje, o Gjikë Mërtiri, që ke marrë diplomë drejtësie në Francë, kurse shumica jonë ka fituar veremin nga minierat e Santetienit dhe të Firminës - dhe i hodhi një shikim Mitros - kush është i ndershëm dhe kush pa nder? - e pyeti duke mbledhur këmbët dhe duke u kapardisur Gjikë Argjiri.
Aty për aty unë u hodha një shikim të shpejtë Gjikëve që folën dhe, pasi edhe mua më quajnë Gjikë, Gjikë Bua, qesha me vete. Më pëlqente që adashët të dalloheshin sipas thënies së zotit, gjyshit, se ne gjyshit i themi zot. Zoti ka si detyrë që pas tri ditëve të lindjes së mashkullit në familje të shkojë tek i porsalinduri dhe me një hanxhar apo shpatë të qëllojë tri herë në krye të djepit duke thënë: "T'u ndiftë emri, more bir!" Unë gëzohesha kur dalloheshin Gjikët, se në fshatin tonë Gjikët ishin të paktë dhe nuk kishin ditë shenjtori për mesha dhe të kremte, prandaj priftërinjve nuk u pëlqente që djemtë të pagëzoheshin me emrin që s'kanë shenjtor. Shtatë ishim gjithsej, duke përfshirë dhe Gjikë Bixhilin që kishte vdekur në Rusi, që po përmendej se gjithë paratë që kishte fituar atje gjithë jetën e tij i kishte dërguar në fshat për të ngritur shkollën ku mësova dhe unë. Fytyrën e tij e shihja përditë katër vjet me radhë, se në çdo klasë ishte varur dhe një fotografi e tij e zmadhuar.
Vura re se aty, atë mbrëmje, ishim katër Gjikë. Dy të tjerë, kushedi se nga ishin. Po, të them të drejtën, ata të dy nuk para përziheshin me asnjeri. Dhe siç ish e varfër jeta e tyre, edhe qenia e tyre në fshat nuk sillte ndonjë notë. Sikur të mos ishin fare. Prandaj dhe unë nuk i përmend. Do të merrem me këta të tre që janë këtu dhe patjetër dhe me rrugën e jetës sime për të rrëfyer ngjarjet ashtu siç rrodhën.

Thonë se emri lot një farë roli në karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, po këto unë nuk i besoj. Se ka njerëz me emër të mirë dhe vetë janë të ligj. Ashtu dhe ne të katër Gjikët, me të vërtetë një emër kemi, nga një fshat jemi, po ai diell na ka ngrohur, sytë tanë po atë det kanë parë dhe mushkëritë tona po atë erë kanë marrë, po, siç do ta shihni edhe ju, secili nga ne mori rrugë të ndryshme, dhe me rrugë të ndryshme fituam kafshatën e gojës...

--------------------------------------------------
Është kapitulli i parë nga romani voluminoz "Një emër në katër rrugë". Bën fjalë dhe përshkruan vendlindjen e katër Gjikëve, katër personazheve kryesorë të romanit - Dhrimadhin buzë detit jon. Duke përshkruar jetën e rëndë , -si luftë për ekzistencë, autori, që në faqet e para të romanit, mëton të paralajmërojë katër rrugët e ndryshme të personazheve që do të jenë përcaktime në përputhje me karakterin dhe botëkuptimin, filozofinë e tyre të veçantë, të ndryshme nga njëri-tjetri.
Mesazhi i romanit është dhënë në formën e një parrulle Rroftë jeta! Që në krye Petro Marko shpall krejt filozofinë e tij të të jetuarit dhe të krijuarit. Lufta jepet në kuptimin e saj më të gjerë. Njeriu nuk lufton vetëm në luftë dhe me armë.
Më kryesore është si të mbijetosh në vështirësitë dhe dramat e jetës: Ja punojmë! Ja luftojmë! Thonë personazhet e tij.



LIETRATURA:


Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut

PETRO MARKO, "Ara në mal", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

PETRO MARKO, "Shpella e piratëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

 PETRO MARKO, "Horizont", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

 PETRO MARKO, "Stina e armëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

 PETRO MARKO, "Halimi", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
 PETRO MARKO, "Tregime", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

PETRO MARKO, "Gazetari, mbreti e uria", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

Prof.dr.Eshref Ymeri Për hir të së vërtetës



Para disa ditësh, në një të përditshme, ishte botuar një material me titullin e mëposhtëm informativ:
“Ymer Minxhozi: Biseda e Stalinit me Enver Hoxhën në 23 mars 1949, nga arkivat ruse. Dokumente sekrete që botohen për herë të parë: Stalini pyet çfarë feje kishte Koçi Xoxe e Pandi Kristo” (Citohet sipas: Gazeta “Dita”. 22 korrik 2014, f. 1).

Është me të vërtetë e çuditshme kur lexon një informacion të tillë për botimin “për herë të parë” të këtyre dokumenteve “sekrete”. Kjo bisedë e Stalinit me Enver Hoxhën, për hir të së vërtetës, nuk është as sekrete dhe as nuk botohet për herë të parë.

Autori i këtij informacioni, zoti Ymer Minxhozi, nuk mund të mos e dijë që biseda e Stalinit me Enver Hoxhën e 23 marsit të vitit 1949, është botuar e plotë këtu e tetë vjetë të shkuara, në librin me titull “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet “Toena”. Tiranë 2006, f. 201-221.

Nuk është hera e parë që zoti Minxhozi u ofron lexuesve informacione që lidhen me Enver Hoxhën, duke theksuar se ato na qenkan sekrete dhe na u botuakan për herë të parë!

Më 15 prill të vitit 2010 unë pata botuar në internet një material me titull“Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën (dërguar J.V. Stalinit jo më vonë se 2 shtator 1949).

Në atë material, fillimisht, u ndala në një problem që lidhej me zotin Minxhozi. Aty theksoja si më poshtë:
“Në gazetën “Ndryshe” të datës 03 tetor 2007 pata lexuar “Dosier”-in e përgatitur nga zoti Ymer Minxhozi, me titull në faqen e parë: “Letër e panjohur e Enver Hoxhës, 2 shtator 1949: Çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me luftë”.

Në të vërtetë, kjo letër e Enver Hoxhës nuk ka qenë aspak e panjohur. Këtë letër e ka pas përmendur dr. Vasfi Baruti në studimin e vet me titull “28 nëntori i tretë”, botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”, Tiranë 2002. Veç kësaj, pjesë të shkëputura të kësaj letre, me sa jam në dijeni, vetë zoti Minxhozi i ka pas botuar edhe më herët.

Së pari, ky dokument, me titull “Letër e E. Hoxhës, dërguar KQ PKP(b) për parahistorinë e lindjes së çështjes kosovare dhe metodat e zgjidhjes së saj”, është bërë publik, në mënyrë të plotë, në librin me titull “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse” (f. 246-258), të cilin Shtëpia Botuese “Toena” e pati nxjerrë nga shtypi që në gushtin e vitit 2006. Për këtë libër asokohe u shkrua nëpër gazeta dhe u fol edhe në disa kanale televizive. Prandaj, një fakt që ishte bërë publik që në vitin 2006, nuk kishte pse t’u rekomandohej një vit më vonë lexuesve të gazetës “Ndryshe”, si diçka e panjohur.

Së dyti, zoti Minxhozi do të kishte bërë mirë që letrën e Enver Hoxhës ta kishte botuar të plotë asokohe në gazetën “Nryshe”, në mënyrë që popullit shqiptar të Kosovës të mos i krijohej ndonjë përshtypje e rreme nga nëntitulli “Çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me luftë”.

Nuk e di se cila është arsyeja që zoti Minxhozi përsërit të njëjtën gjë, duke u ofruar lexuesve një dokument që është bërë publik këtu e shumë kohë të shkuara. Mirë ka bërë zoti Minxozi që e ka ribotuar dokumentin në fjalë, por nuk duhej ta quante atë as sekret dhe as të botuar për herë të parë. Për lexuesin do të kishte kuriozitet, sikur zoti Minxhozi të bënte ballafaqimin e tekstit të bisedës së Stalinit me Enver Hoxhën më 23 mars 1949, të pasqyruar në librin e Enver Hoxhës me titull “Me Stalinin” (që, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Stalinit, e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “8 nëntori” në dhjetorin e vitit 1979) me tekstin e bisedës në gjuhën ruse, të përkthyer të plotë në librin e lartpërmendur të Botimeve “Toena”. Nga ky ballafaqim do të dilte në pah se ca këshilla që Stalini i pati dhënë Enverit në atë bisedë, Enveri i ka mbajtur të fshehura, sepse po t’i botonte, do ta zbulonte veten keq para opinionit publik shqiptar. Për hir të së vërtetës, pikërisht natyra mashtruese e Enver Hoxhës, tipike për amoralitetin e tij politik, duhej nxjerrë në spikamë nga ballafaqimi i dy materialeve të lartpërmendura. Sikur zoti Minxhozi ta kishte bërë një ballafaqim të tillë, kjo do të kishte qenë shumë më me interes për lexuesit e gazetës, sesa të deklaronte që këto dokumente “botohen për herë të parë”.


Po para disa ditësh, në rubrikën “Speciale” të një të përditshmeje tjetër, ishte botuar një shkrim me titull. “BBC: Sa nga legjendat greke ishin realisht të vërteta?”. Autor i shkrimitështëArmand d’Angour që punon në Universitetin e Oksfordit. Atë shkrim e kishte përgatitur për botim zotëria Endri Farka.

Në shkrimin në fjalë, autori është ndalur fare shkurt në dhjetë legjenda greke. Në legjendën e tretë, me nëntitull “A ekzistonte ndonjë shpikës i alfabetit?”, ai shkruan:

“Data që i atribuohet shkrimit të këngëve të Homerit lidhet me prova të hershme të ekzistencës së shkrimeve greke në shekullin e 8 para Krishtit. Grekët e dinin se alfabeti i tyre (më pas i huazuar nga romakët për t’u shndërruar në alfabetin perëndimor) u përshtat nga ai i fenikasve, një kombi në Lindje që shkronjat e para i kishte alfa dhe bet” (Citohet sipas: “Tirana Observer”. 24 korrik 2014, f.10).

Autori i shkrimit u ka ofruar lexuesve një të pavërtetë. Sepse romakët alfabetin e tyre nuk e kanë huazuar nga grekët, por nga ilirët. Natyralisti i famshëm romak Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), që botoi në vitin 77 serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës), në vëllimin VII, shkruan: “Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.

Pra, për hir të së vërtetës, në alfabet perëndimor, përmes romakëve, u shndërrua jo alfabeti grek, por alfabeti ilirik. Dhe, për dijeninë e të gjithë atyre që nuk janë të informuar, shprehja “kjo është shkruar me shkronja latine”, përdoret gabim. Në vend të saj, duhet përdorur shprehja “kjo është shkruar me shkronja ilirike”.

Autori anglez le të ketë simpati për grekët e lashtë, por është e padrejtë kur kërkon t’u japë atyre merita që nuk u takojnë. Me sa duket, autori anglez nuk shkëputet dot nga tradita e kahershme evropiane, e cila është mbrujtur me kujdes me falsifikimin e vazhdueshëm të historisë shumëshekullore të etnisë shqiptare.
Prandaj do të kishte qenë mirë që zotëria Endri Farka, shkrimin e autorit anglez ta kishte shoqëruar me një shënim, ku të hidhte poshtë tëpavërtetën që ai u ofronte lexuesve.


Ditët e fundit, lidhur me reformën territoriale, debati është ndezur sidomos rreth Bashkisë së Himarës, në të cilën, sipas projektit të qeverisë, duhet të përfshihet edhe Komuna e Vranishtit. Nga reagimet e qytetarëve të ndryshëm në disa kanale televizive, në shtyp dhe në internet, kam vënë re se sulmohet kryetari i PBDNJ-së dhe nënkryetari i parlamentit shqiptar zotëriaVangjel Dule, si vegël e Greqisë, i cili kërkon me këmbëngulje që Bashkia e Himarës të mbetet vetëm në kuadrin e shtatë fshatrave, sepse, sipas tij, Himara na qenka, demek, zonë minoriteti!

Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se zotëria Vangjel Dule “nuk ka asnjë faj” në këmbënguljen e tij për mospërfshirjen e Komunës së Vranishtit në Bashkinë e Himarës. Kjo për faktin se aiështë duke kryer misionin e tij si shërbëtor besnik para agait të Athinës.

Dhe askund në botë nuk demaskohetdhe nuk dënohet kurrë shërbëtori që vepron sipas urdhrave të agait të vet. Shërbëtori i bindur dhe besnik i agait të Athinës, zotëria Vangjel Dule,ka ngrënë dhe vazhdon të hajë rregullisht çorbën e agait të Athinës, të cilën“e vjell” kohë pas kohe në shtyp, në komisione parlamentare, në emisone televizive, duke kërkuar “t’i mbushë mendjen” opinionit publik shqiptar se Himara na qenka “zonë minoriteti”. Opinioni publik shqiptar duhet të bindet një herë e mirë se Dulja është thjesht një argat dhe asgjë më shumë, prandaj edhe është në rolin e tij.

Por pjesa më e shëndoshë e opinionit publik shqiptar, qëështë edhe pjesa dërrmuese e tij, është e bindur plotësisht se ujku antishqiptar duhet kërkuar në Athinë dhe jo gjurmët e tij në Tiranë. Se zona të reja “minoriteti” në Shqipëri, kërkon të krijojë Athina zyrtare, e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj vendit tonë, duke krijuar lloj-lloj strukturash shoviniste, që nga Greqia deri në lobin grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, struktura këto, prapa të cilave ajo rri e fshihet si puna e nepërkës poshtë lules.

Që lexuesit të binden për politikën zyrtare shoviniste greke në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë, për hir të së vërtetës, këtu poshtë po ndalem në ca fakte konkrete.

Më 30 maj të vitit 2005, në Selanik, zhvilloi punimet e veta “Forumi për bashkëpunim në Ballkan”.

Siç është bërë e ditur, në punimet e atij Forumi mbajti një raport ministrja e arsimit të Greqisë, në të cilin “shpallej strategjia aktuale e perspektiva për përhapjen e helenizmit, duke vënë theksin në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve arsimore e fetare në Ballkan. Raporti, në pjesën më të madhe të tij, merrej me Shqipërinë dhe kryesisht me Shqipërinë e Jugut. Pasi vlerësoi si sukses të madh të politikës greke çeljen e shkollave greke në Korçë dhe në Tiranë, ajo u dha pjesëmarrësve të forumit lajmin e gëzuar se surpriza të tjera do të shihnin e dëgjonin në të ardhmen. Në fjalën e saj ajo e ndau popullsinë e Shqipërisë në shqiptarë dhe në voriepirotë dhe territorin e Shqipërisë në territor shqiptar dhe vorioepirot” (Citohet sipas: Gazeta “Republika”, 25 shtator 2005, f. 8-9).

Në atë mbledhje mori pjesë dhe diskutoi edhe deputeti i parlamentit grek, Antonis Fushas. Ai, ndër të tjera, tha:

“Ne, për të ruajtur dhe përkrahur helenizimin në Vorio Epir, do të investojmë atje për hapjen e shkollave dhe kishave” (po aty).

Po ky deputet, në një emision televiziv, “duke e trajtuar Shqipërinë e Jugut si provincë greke, ka kërkuar që atje, si edhe në gjithë Epirin, të funksionojnë të njëjtat ligje. Zëvendësministri grek i Punëve të Jashtme që mori fjalën më pas, tha se arritjet për Vorio Epirin janë të paimagjinueshme më parë. Një pjesë nga këto arritje janë bërë të njohura, kurse një pjesë jo, pasi në politikë shumë gjëra bëhen, por nuk thuhen, - shtoi ai duke qeshur nën buzë. Më pas zëvendëskryetari i parlamentit grek shprehu besimin për krijimin së afërmi të një parlamenti të helenizimit, i cili me hapa të shpejtë do të ndihmojë për helenizimin e mëtejshëm të Vorio Epirit” (po aty).

Nëpërmjet këtyre deklaratave zyrtare shoviniste, sqarohet bukur fare se nuk janë vetëm ca qarqe të caktuara greke (siç e ka zakon të flasë Tirana zyrtare, e zhveshur nga çdolloj vetëdije kombëtare) ato që kanë pretendime territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë. Pretendimet territoriale ndaj vendit tonë i ka, i ushqen, i nxit dhe po mundohet rregullisht t’i vërë në jetë ca nga ca vetë shteti shovinist grek, vetë diplomacia greke, vetë politika zyrtare greke. Po të mos ishte shoviniste politika shtetërore greke në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, Micotaqisi nuk do të deklaronte në vitin 1999 (gjatë luftës në Kosovë):

“Në qoftë se Kosova do t’i shkëputet Serbisë, edhe ne do të marrim Vorio Epirin”.
Ndërkohë, presidenti Stefanopulos, në Kongresin Botëror për Epirin, që u mbajt asokohe në Selanik, deklaroi shkoqur fare:

“A mund të lejojmë që në Himarën greke… dhe në Korçën vllaho-greke të mos ketë shkolla greke..?” (po aty).

Nga sa u citua më lart, për hir të së vërtetës, duhet thënë haptazi se pretendimet territoriale ndaj vendit tonëi kanë shprehur publikisht ministra, zëvendësministra, deputetë grekë, zëvendëskryetari i parlamentit grek, deri edhe vetë kryeministri dhe presidenti grek.

Pra, zotëria Vangjel Dule, si argat i bindur dhe shërbëtor i zellshëm i Athinës shoviniste, është duke kryer porositë e politikës zyrtare greke për Himarën, e cila, sipas ish-kreut të shtetit grek Stefanopulos, na qenka“tokë greke”.

Prandaj jo më kot ministri i jashtëm Venizellos, më 17 korrik 2014, e thirri në raport në Athinë argatin Vangjel Dule dhe sivëllain e tij argat Bollano, për t’u kërkuar llogari se si po i zbatonin udhëzimet e Athinës për greqizimin e Shqipërisë së Jugut.

Athina zyrtare nuk e njeh Çështjen Çame. Këtë e deklaroi me gojën e vet ministri Venizellos gjatë takimit që pati në Tiranë me ministrin tonë Bushati më 14 tetor 2013. Prandaj, kur në komisionin parlamentar diskutohej për Rezolutën Çame, argati i Athinës Vangjel Dule, me një pamje të nervozuar, e braktisi komisionin. Ishte duke zbatuar porosinë e prerë të Athinës për ta braktisur atë komision.

Athinën e tmerron Çështja Çame. Sepse nxjerrja e saj në skenën e diplomacisë ndërkombëtare, në Këshillin e Sigurimit, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Departamentin e Shtetit, në Kongresin Amerikan, në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha strukturat e Brukselit, e zbulon lakuriq bashkëpunimin e ngushtë të Greqisë me nazifashizmin në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Për pasojë,Greqia do të duhet të ndëshkohet mirë, do të duhet të kompensojë të gjitha shkatërrimet dhe grabitjet e pronave të popullsisë çame, të gjithë gjenocidin e pashembullt në historinë e njerëzimit qënazifashizmi grek ushtroi kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë dhe popullsia çame do të duhet të kthehet në trojet e veta amtare. Fashizmi grek, në bashkëpunim të ngushtë me nazizmin gjerman, kreu një krim të rëndë kundër njerëzimit dhe ky krim nuk parashkruhet.

Urrejtjen ndaj etnisë shqiptare grekët e kanë pjesë të pandarë të formimit të tyre psikologjik, e kanë përherë brenda thurimës së kodit të tyre moral. Kjo është arsyeja që ata nuk e kanë njohur kurrë, vazhdojnë të mos e njohin dhe nuk dëshirojnë ta njohin ndonjëherë institucionin e pendesës për krimet që kanë kryer kundër shqiptarëve.

Në këtë rrafsh, ata janë vite drite larg formimit psikologjik dhe kodit moral të gjermanëve.
Prandaj ishte shumë domethënëse pjesëmarrja e ambasadorit të nderuar gjerman, zotit Helmut Hoffman, në përkujtimin e 61-vjetorit të masakrës që trupat gjermane kryen më 6 korrik të vitit 1943 kundër banorëve të pafajshëm të Borovës. Me atë rast, zotëriaambasador bëri një deklaratë mjaft kuptimplote:

“Kjo masakër e ushtrisë gjermane është ngulitur thellë në kujtesën e Borovës edhe përtej saj. Për një gjerman nuk është e lehtë të vijë në një vend si ky. Nuk është e lehtë të vish në një vend, ku bashkëkombësit e tu para shumë vitesh kanë bërë krime të tmerrshme.

 Kur dëgjova për herë të parë për atë që kishte ndodhur në Borovë në vitin 1943, për mua ishte menjëherë e qartë se që në vitin e parë të punës sime si ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, do të merrja pjesë në përkujtimoren e 6 korrikut. Sigurisht, në Gjermani sot zor se jetojnë ende njerëz që mbajnë përgjegjësi për këto krime dhe duhet thënë se ne të paslindurit nuk jemi personalisht fajtorë për këto krime.

E megjithatë, në një vend si ky, një gjerman ndien turp” (Citohet sipas: “Ndjesa e ambasadorit Hoffman: Në një vend si ky, një gjerman ndien turp”. Marrë nga faqja e internetit e “Gazetës Shqiptare”. 07 korrik 2014).

Qytetari Hamid Kryeziu, në rubrikën “Komente” tëfaqes internetike të gazetës “Panorama”, të datës 07 korrik 2014,e analizonte shumë bukur ndjesën e ambasadorit gjerman.

Ambasadori Hoffman është përfaqësues i shtetit gjerman dhe ai kërkoi ndjesë në Borovë për krimet e trupave gjermane pikërisht në emër të shtetit gjerman, respekti ndaj të cilit merr një tjetër dimension dashamirësie në sytë e opinionit publik shqiptar.

Po shteti grek a mund të kërkojë ndjesë ndonjëherë për djegiet, pwr masakrat, për përdhunimet, pë vrasjet me sëpata të grave, të pleqve, të fëmijëve të pafajshëm të Çamërisë?

 Kurrën e kurrës. Sepse grekët nuk e dinë se çdo të thotë vrasje e ndërgjegjes për krimet që kanë kryer, sidomos që prej fillimit të Luftës së Parë Botërore, dhe vazhdojnë të kryejnë edhe sot kundër emigrantëve shqiptarëve. Ashtu si edhe sivëllezërit e tyre serbë për krimet barbare që kanë kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Kjo është edhe arsyeja që Janullatosi, gjatë këtyre 22 vjetëve, nuk mund të organizonte dot ndonjë meshë për mijëra viktimat e gjenocidit nazifashist grek kundër popullsisë së Çamërisë, meshë kjo që dikur atij ia pati kërkuar zoti Shpëtim Idrizi. Janullatosi nuk mund ta organizonte dot një meshë të tillë se ai është përfaqësues i shtetit shovinist grek në Shqipëri, dhe, si i tillë, ai nuk e njeh Çështjen Çame dhe, rrjedhimisht, masakrën kundër Çamërisë e vlerëson plotësisht të justifikueshme. Prandaj Janullatosi, ish-sekretari i tij Vangjel Dule dhe ambasadori grek në Tiranë, nuk mund të shkojnë dot në Qafëbotë më 27 qershor, ku i pari të mbajë një meshë në nderim të viktimave çame dhe i treti të kërkojë ndjesë për masakrat e lemerishme të Napolon Zervës në Çamëri. Ata nuk mund ta bëjnë dot një gjë të tillë, se janë pjesë organike e shovinizmit të kriminalizuar grek, i cili nuk pendohet kurrë për barbaritë që kreu në Çamëri.

Institucioni i pendesës është i huaj për sërën e kriminelëve që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se grekët, ashtu si edhe serbët, në jetë të jetëve i ka munduar dhe vazhdon t’i mundojë kompleksi i inferioritetit në marrëdhëniet me etninë shqiptare. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që ata nuk e njohin institucionin e pendesës.

Athina zyrtare duhet të tregohet pak më e mëshirshme me argatin e vet Vangjel Dule në Tiranë, të cilit, duhet pranuar, i ka dalë boja keq në sytë e opinionit publik shqiptar për zellin e papërmbajtur që po tregon për të shpikur “zona minoriteti”. Aq e vërtetëështë kjo, saqë partinë e tij nuk e respekton as vetë minoriteti i mirëfilltë grek, i cili, në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, nga radhët e veta nxori vetëm një deputet për këtë parti.

Epshet shoviniste të Athinës që i përcillen Tiranës përmes argatit të saj Vangjel Dule, kanë bërë që në vetëdijen e publikut shqiptar të tingëllojë aktual amaneti i Federatës “Vatra”, e cila, duke u nisur nga fakti që trojet etnike shqiptare shtrihen që nga Tivari deri në Prevezë, më 28 janar 1918, në letërprotestën që i drejtonte kryeredaktorit të gazetës“Mançester Gardian”për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, ndër të tjera, shkruante:

“Shqiptarët u detyruan t’i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë”.

Këtë amanet të Federatës“Vatra”, shqiptarët e kanë përcjellë nëpër vite dhe ata janë të bindur se do të vijë patjetër koha kur ai një ditë do të vihet në jetë.

Shkrimtarja e shquar e kombit shqiptar, zonja Vilhelme Vranari Haxhiraj, thotë:

“… e vërteta për Shqipërinë dhe për shqiptarët ngelet memece, e shurdhët, e verbër dhe çalamane” (Citohet sipas:“A do të kërkojnë vallë historianët, përse gjenocidi në Ballkan u krye vetëm ndaj shqiptarëve?”. Gazeta “Fryma e Re”. 25 korrik 2014, f. 9).

Dhe kjo e vërtetë ka mbetur e tillë pikërisht për faj të Evropës, së cilës moralin ia shpëtuan shqiptarët, siç thotë zonja e nderuar 84-vjeçare hebreoamerikane Johanna Neumann, bazuar, sipas faqes së internetit, në intervistën që i ka marrë publicistja e mirënjohur Elida Buçpapaj më 14 maj 2014.

Në vitet e Luftës II Botërore, Greqia fashiste, në bashkëpunim të ngushtë me nazizmin gjerman, ashtu si edhe të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Danimarkës, me mijëra e mijëra hebrenj i nisi me tren drejt dhomave të gazit dhe kampeve të shfarosjes në masë, ndërkohë që në Shqipëri, për forcë të institucionit të Besës Shqiptare, as edhe një hebre i vetëm nuk ra në duart e nazistëve gjermanë.

Pikërisht për shkak të qëndrimit shovinist të Evropës, e cila, sipas historianit me autoritet shkencor Aleksandër Lambert, sabotoi historinë tonë në shekullin XIX, kur Ilirinë e quajti Ballkan (gazeta “Panorama”, 30 nëntor 2007), Greqia është bërë arrogante, hundëpërpjetë, raciste dhe shoviniste ndaj vendit tonë, paçka se vetë, për hir të së vërtetës,sot përfaqëson turpin e mbarë kontinentit me grabitjen e përmasave mitike që u bëri financave evropiane.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj edhe një herë se shqiptarët duhet të merren me demaskimin e Athinës shoviniste që kërkon të shpikë “zona minoriteti” në Shqipëri dhe jo me argatët e saj, si puna e Dules dhe e Bollanos dhe të kërkojnë prej klasës politike të Tiranës se pse Athina nuk e njeh minoritetin shqiptar në Greqi (nuk e kam fjalën për emigrantët), i cili nuk gëzon asnjë të drejtë, madje nuk i lejohet as të flasë në gjuhën shqipe.

 Ministri Bushati bëri shumë mirë që i ktheu përgjigje Venizellosit, duke ia theksuar se reforma territoriale është çështje e brendshme e Republikës së Shqipërisë.Por Athina shoviniste meriton përgjigje shumë më të forta, që t’i vihet kufiri te thana për ndërhyrjet në punët e brendshme të vendit tonë.

2014/08/20

Urime ditëlindja bir!


Biri im i dashur!

Nuk urojë qe jeta jote të jetë e gjatë sa jeta e një YllI,jo se kjo do ishte shumë e gjatë.Nuk urojë që jeta jote të jetë e gjatë sa jeta e një LULEJE ,jo se kjo do ishte shumë e shkurtër por urojë që jeta jote të jetë e shëndritshme si Dielli dhe e bukur si Trendafili...

Si freski e detit të ardhtë lumturia,si pëllumb i bardhë të ardhtë dashuria,çdo endërr e jotja u beftë realitet,urime ditëlindjën bir, i befsh 100 vjet..
Babi

2014/08/19

Martirët e Otrantos dhe qendresa arbërore.


 


Pushtimet në mesjetë ishin aventura të guximshme që shfaqeshin  papritur e papandehur në horizontet e qyteteve dhe shteteve, jo vetëm me qëllimin për t’i përfshirë brenda entitetit të vet politik por edhe thjesht për të pasur një ngjarje më tepër në marshimin e trupave. Logjika shpesh herë të shtyn të mendosh kur analizon ekspedita ushtarake  që para se të pushtohej një vend tjetër duhej të paktën të administroje tokat që sapo kishe pushtuar ose të siguroje mirë edhe tokat e reja që do pushtoje. Në rastin e Italisë, afërsia me Arbërinë që osmanët nënshtruan pas marrjes së Krujës dhe Shkodrës në 1478-1479 rezultonte të ishte me fat sepse një pengesë natyrore si Adriatiku bënte të mundur që përpjekja osmane të mos ishte e lehtë dhe brigjet e Adriatikut Lindor ende nuk ishin qetësuar deri në atë fare mase sa osmanët të ndiheshin shumë të sigurtë për të ndërmarrë një aksion ushtarak drejt Italisë. Mirëpo jo gjithmonë planet e vështira braktisen. Otomanët mund të mos kishin shpirtin e aventurës për të zbuluar toka të rreja por si hordhi nomade që ishin kishin ndjesinë e pushtimit të hapësirave pafund. Ata nuk lodheshin për të shpenzuar energji drejt së panjohurës por çapiteshin pas zotërimeve të Sinjorisë së Vjetër-Venedikut.
Më 28 korrik 1480, një flotë osmane prej 128 anijeve nga të cilat 28 ishin galera mbërritën në afërsi të qytetit napolitan të Otrantos në rajonin e Pulias. Askush nuk dinte se nëse ishte një ekspeditë e organizuar kundër brigjeve italiane apo një kthim  trupave që  vinin  nga rrethimi i Rodosit. Më 29 korrik garnizoni dhe qytetarët u tërhoqën  në kala kështjellën e Otrantos për të bërë rezistencë.Mirëpo pavarësisht qendresës së tyre më 11 gusht  fortesa  u pushtua nga otomanët.
Sipas historiografisë kristiane një bastisje dhe ndjekje  u organizua për të mbledhur të gjithë qytetarët meshkuj. Vdekja dhe terrori u mbollën ngado. Kryepeshkopi Stefano Agricoli dhe të tjerët u vranë në katedralen, ndërsa Peshkopi Stefan Pendinelli dhe komandanti i garnizonit, Konti Francesko Largo, u  sharruan të  dy,  të gjallë.  Më 12 gusht, 800 qytetarë të cilët refuzuan të konvertohen në Islam i morrën zvarrë deri në kodrën e  Minervës dhe aty u  prenë kokën pa mëshirë. Këto 813 viktima u shpallën  si shenjtorë të Kishës Katolike pas më shumë se pesë shekujsh nga Papa Frencesku I, në 12 maj 2013.  Disa  eshtra  të 800 martirëve të besimit  ruhen sot në katedralen e Otrantos dhe në kishën e Shën Katerinës Formiello në Napoli. Katedralja pretendohet  se u përdor si një stallë gjatë pushtimit të shkurtër
Gjithsesi ky version ka hasur  kritika të forta nga  ana e historiografisë turke që pretendon që eshtrat e gjetura dhe që ruhen në Katedrale janë të luftëtarëve të rënë në luftë për mbrojtjen e Kështjellës dhe jo të atyre që u egzekutuan sepse nuk pranuan të konvertohen në Islam. Nga ana tjetër studiuesit italianë, konkludojnë se disa akte të terrorit janë kryer nga pushtuesit otomanë për të mbjellur panik në mesin e popullsisë italianëve të  Otrantos që deri atëherë vetëm sa kish dëgjuar për osmanët dhe ashpërsinë e tyre në luftë nga refugjatët që vinin nga bregu lindor i Adriatikut.
Në gusht, 70 anijet e flotës sulmuan qytetin e Vieste. Më 12 shtator, u sulmua Manastiri i San Nicola di Casole, në të cilin gjendej një nga bibliotekat më të pasura të Europës. Për fat të keq e gjithë kjo biblotekë placket dhe u shkatërrua. Në tetor 1480, u sulmuan qytetet bregdetare të Tarantos, Leçes dhe Brindisit. Mirëpo ekspedita shkatërrimtare dhe frikëndjellëse për fat të mire nuk vazhdoi gjatë. Për shkak të mungesës së ushqimit, Gedik Ahmed Pasha, veziri i madh vendosi për tu kthyer me shumicën e trupave të tij në Shqipëri, duke lënë një garnizon prej 800 këmbësorësh dhe 500 trupa kalorësie këmbësorisë prapa për të mbrojtur Otranton. Për të pasur një ide më tepër sesi vepronin osmanët kur kryenin inkursione pushtimi në një vend mjafton të lexosh Kronikat e Tursun Beut, një burim osman që në shumtën e rasteve komfirmon tablot retrospektive që na kanë ardhur deri në ditët e sotme përmes frazeologjisë popullore shqiptare të mbledhur e botuar nga Frang Bardhi,  se ku shkel “Turku nuk mbin bari” apo dhe veprave të humanistëve europianë.  Kronikat osmane të Tursun Beut komfirmojnë sulmin e Gjedik Ahmet Pashës ndaj Puljes ku si rezultat në mënyrë lakonike ai e mbyll përshkrimin duke thënë se  “vendet e kultit të idhujve (krishtera) u kthyen në xhami islame.”  Besohej gjerësisht se ai do të kthehej pas dimrit, por ylli i tij perëndoi ashtu si dhe i zotit të tij Sulltan Mehmetit të dytë që vdiq në vitin 1481. Sulltani pasardhës nuk i besoi më aftësive të Gedik Ahmet Pashës dhe e burgosi derisa vdiq, ndërkohë në Himarë në brigjet shqiptare kish shpërthyer Kryengritja e udhëhequr nga Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut dhe Krokondil Kladha heroi tjetër shqiptar nga Moreja. Territoret shqiptare të Adriatikut Lindor nuk ishin më të sigurta për të shërbyer si baza pushtimi.  Edhe njëherë gjaku arbër bëhej mburojë që Perëndimi të shpëtonte, mburojë e cila do të shkërmoqej gradualisht nën detin e hordhive osmane. Të gjitha qytetet shqiptare që do të binin një pas një në duar të osmanëve do të shpopulloheshin dhe do të përjetonin sërish përshkrimet që Tursun Beu shkruan në kronikat e tij për shqiptarët, kur Sulltan Mehmeti II ndërmori dy fushatat e tij në 1466 dhe 1467 në Arbëri. “Në përputhje me traditat që ekzistonte më parë...të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqendrim, në prani të Sundimtarit , u egzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin, Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të nënshrtuar dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”. Çdo vendqendrim i tillë përveçse dëshmon ngjarje tragjike të pushtimit të Arbërisë janë vende që duhen identifikuar për ti shenjtëruar edhe si vende të qendresës arbëre, një qendrese që na bën krenar dhe pjesëtar në Humanizmin Europian të shekullit të XV.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...