Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/10/17

100 vjet vetmi… pa Markezin

100 vjet vetmi pa markezinCentralistja në hyrje të gazetës së përditshme “Manifesti” (Itali) u rikthye e hutuar nga gazetari i ri që po kalonte aty pranë, në një mëngjes pranvere: “Dëgjo, ky zotëria thotë që është Gabriel Garsia Markez”. Djaloshi, i shushatur edhe ai, e njohu autorin e “100 vjet vetmi”, vëllimi klasik i një brezi të tërë në botë, me bëmat e kolonel Aurelio Buendias, që nxit revolucione duke i humbur të gjithë dhe përfundon duke krijuar peshq të florinjtë, i qetë dhe heroik si Garibaldi në Caprera. Një libër që, nga viti 1967 ka shitur 50 milionë kopje në 25 gjuhë, duke i dhënë shkrimtarit kolumbian Cmimin “Nobel” për Letërsinë në vitin 1982, dhe duke krijuar bumin e letërsisë amerikano-latine të viteve ’60 dhe ’70, aq e gjithëpranishme saqë Jose Donoso shkruajti ironiken “Historia personale e bumit”.
Garsia Markez tha me ngadalë: “Jam këtu për të takuar Rossana Rossandan”, atëherë drejtore e gazetës së majtë. Djaloshi rendi drejt zyrës së Rossandas, i pafrymë dhe i emocionuar: “Rossana, Rossana, është Markez!”. Themeluesja e të përditshmës, e famshme për përqëndrimin në artikujt e saj, iu përgjigj pa lëvizur: “Thuaji të lutem që të më presë pesë minuta”. Autori më i famshëm i botës, mik personal i Fidel Kastros, për vite të tërë i ndaluar në SHBA për shkak të kritikave ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe politikave të saj kundrejt vendlindjes së tij, Kolumbisë, i dyshuari nga regjimi për trafik armësh për guerilasit dhe i detyruar të jetojë në mërgim në Meksikë, duhej të priste 5 minuta! Djaloshi u kthye me veshët ulur, por Gabo, sic e quanin miqtë Garsia Markezin nuk reagoi si femër, por tamam si kronisti që ka qenë gjithmonë: “Zanati që kam dashur më shumë, zanati im i preferuar, edhe përpara letërsisë, është gazetaria. Dëgjimi i historive të njerëzve, rrëfimi i tyre një për një në gazetë. Nëse do të më pyesnin se çfarë dua të bëj në jetë, një mijë herë do të përgjigjesha, gazetarin!”
Në një intervistë për Paris Review, një revistë shumë e sofistikuar letrare, Markez do të përsëriste i prekur: “Dua gazetarinë, mbi gjithçka tjetër”, duke kujtuar reportazhin e tij të jashtëzakonshëm të vitit 1955 “Rrëfim për një mbytje”, kronikë e rënies në det të marinarit kolumbian Luis Velasco, i rënë nga një anije tregtare dhe i mbijetuar deri në breg. Markez jep një shembull të letërsisë fantastike, ai “realizëm magjik” për të cilin kritikët i kanë njohur atësinë, “por unë nuk i dëgjoj, nuk i lexoj asnjëherë recensionet, as të mirët, as të këqinjtë, kritikët kanë idenë e tyre se si duhet të jetë letërsia e mirë, dhe të “hekurosin” për të të matur, a je brenda saj apo jo. Respektoj përkthyesit, por kujdes, nuk duhet të përdorin asnjëherë shënime në fund të faqeve”.
Duke qeshur, Gabriel Garsia Markez i tha djaloshit, që ende nuk e kishte marrë veten: “Eja të shkojmë të pijmë një kafe, që kur kam dashur të studioj kinema në Romë, në Qendrën Eksperimentale Kinematografike, kafeja romane është një moment unik. E di, Rossana është gruaja më inteligjente që unë kam njohur, dhe që do të të ndodhë të njohësh në botë, lëre të punojë”. Disa vite më vonë, do e përsëriste këtë gjykim, në një artikull për La Repubblica.
Kishte lindur në vitin 1927, në fshatin kolumbian të Aracatacas, ku era fryn prej Karaibeve, një model për Makondon e “Njëqind vjet vetmi”. Gjyshi i tij, që e dukonte kur i ati, Gabriel Elijio Garsia, me 11 fëmijë nga bashkëshortja Luisa Santiaga Markez dhe katër jashtë martese, telegrafist, homeopat, farmacist i dështuar, udhëtonte nëpër Kolumbi. “Gjyshja ime tregonte histori, nga më fantastiket, dhe më ka mësuar që nëse thua ‘Një elefant fluturon!’, askush nuk të beson, por nëse thua ‘Ej, 425 elefantë fluturojnë’, të gjithë të besojnë, dhe është teknika e gazetarisë që funksionon në romane”. Gjyshi kishte luftuar në Luftën e Një Mijë Ditëve, kur Kolumbisë iu desh të lëshojë Istmin e Panamasë, një burrë i ashpër dhe hijerëndë, model për “Kolonelin” e romanit më të bukur të Marquezit, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”: hero i luftërave të humbura, i braktisur nga një regjim i korruptuar, me djalin të vrarë prej vrasësve me pagesë, i cili vë bast për shpengimin moral dhe ekonomik, falë dueleve të një gjeli të fuqishëm, refuzon t’ua shesë kafshën e mrekullueshme shantazhuesve. Dhe kur e shoqja, në fund i turret me histerizëm: “Po nëse gjeli nuk fiton? Cfarë do të hamë”?, ai i përgjigjet stoikisht: “Do hamë mut!”
Aventurat e Makondos janë kronika letrare ku gjenia i Markezit sjell teknikën gazetareske në majat e Nëntëqindës, atje ku Heminguei – idhulli i tij bashkë me Conrad Faulkner – nuk mundi ta çojë. Nëse kompania “USA United Fruit” ishte simbol i shtypjes për fshatarët, ja tek shfaqen masakrat romanceske, murtajat, varfëria tek “Njëqind vjet vetmi”, të këqia që luftohen me sensualitet, pasion, rreptësi. Politika e Markezit nuk del nga skema e revoltës amerikano-latine, as edhe kur presidenti Bill Clinton bëhet miku i tij personal: “Lexoja Njëqind vjet vetmi në universitet”, kur studioja për Jurisprudencë, nuk mundesha ta lija mënjanë as gjatë leksioneve”.
Elozhe për Kastron dhe Kubën, më vonë për populistin venezuelian Chavez. Kur demokracia më në fund fiton avantazh në Amerikën Latine, dhe shkrimtari rival Mario Vargas Llosa e fton që të denoncojë diktaturat, Marquez nuk ndërron regjistër: edukata personale, natyra e përulur edhe pas fitimit të Nobelit, bëjnë të pranojë edhe luftarakun Vargas Llosa: “Në politikë jo, por si shkrimtar është një gjigant”.
Pa Markezin nuk do të kishim lexuar asnjëherë kryevepra, si Pedro Paramo e Juan Rulfos, me zbritjen e frikshme në prerinë e vdekjes? Dhe Onettin, Dorfmanin, Cabrera Infanten, Cortazarin? Jo. Pas revoltave, luftërave, murtajave, humbjeve, Nobelit, librave, dashurive, Garcia Markez nuk ngrysej asnjëherë dhe buzëqeshte me dashamirësi: “Kam vetëm një peng në jetë, nuk kam patur një vajzë”. E qajnë e shoqja, dy djemtë, udhëheqësit në të gjithë botën, kritikët që nuk i lexonte dhe miliona lexuesit. 

Unë, Ujku i vërtetë i Wall Street-it

Seks, drogë dhe miliona dollarë. Takim me Jordan Belfort, ujku i vërtetë i filmit të Scorseses
ujku i verteteUjku është 51 vjec, nuk prek alkool dhe drogëra prej 17 viteve dhe jeton në një vilëzë normale pranë plazhit të Hermosa Beach, në mes të një shumëllojshmërie vrapuesish dhe ciklistësh. Eshtë truplidhur, muskuloz (“luaj shumë tenis” thotë), i shoqërueshëm dhe flet shpejt, me ritmin e famshëm njujorkez. A doni të dini nëse i ngjan Leonardo di Caprios, alter egos së tij në filmin “Ujku i Wall Street-it”? Mjaftueshëm. Sigurisht, Di Caprio është më i pashëm. Por shumë gjëra janë të ngjashme – që nga flokët, tek shikimi, dhe mbi të gjitha e folura – me Jordan Belfortin, protagonistin e vërtetë të historisë. “Me Leon kemi kaluar qindra orë së bashku… Tani ai më njeh më mirë se sa njoh unë veten time”.
Filmi, me regjisor Martin Scorsesen, është tashmë në krye të klasifikimit për të ardhurat në të gjithë botën dhe Leonardo Di Caprio ishte një ndër kandidatët më kryesorë për fitimin e cmimit Oscar si aktori më i mirë. Historia është kjo: një djalë i shkathët, në mesin e viteve tetëdhjetë bëhet pjesë e Wall Street-it dhe krijon një kompani broker-ësh (ndërmjetësuesish), punëson mijëra vetë, të cilët përmes receptorit të telefonit u shesin mijëra aksione të mirë dhe më pak të mirë klientëve të pavetëdijshëm. Kur aksionet më pak të mirë (mbi të cilët kanë investuar ata vetë) arrijnë një nivel të caktuar, e shesin pjesën e tyre, dhe i lënë “thatë” investitorët. Cfarë duhet bërë me milionat e fituara? Djaloshi, Belfort, blen shtëpira, Ferrari, helikopterë, jahte, paguan një ushtri me prostituta, jeton me kokainë dhe dhjetëra drogëra të tjera (“vetëm ajo që merrja unë do të mjaftonte për të “cambalazhuar” Guatemalën”), riciklon para në Zvicër, kapet nga FBI, vendos të bashkëpunojë, disintoksikohet, bën dy vite burg, pranon të rikthejë (me qetësi) 110 milionët tek viktimat, dhe shkruan kujtimet e tij, pikërisht me titullin “Ujku i Wall Street-it”.
Libri del në vitin 2007 dhe është një sukses i vogël letrar (vazhdimi i “Zjarri i madh i kotësive”, Tom Ëolfe, 1987, romani i parë që bëri të njihet bota e Wall Street-it). Martin Scorsese blen menjëherë të drejtat. Filmi i tij është një tronditje e vërtetë: seks, para dhe kokainë sic nuk ishin parë asnjëherë në kinema. Në zyrën e Belfortit – kur festohet një objektiv i arritur – një e thithur kokaine është gjëja më normale dhe të punësuarit e thithin prej gjokseve të prostitutave, ndërsa shefi e thith nga anusi. Një e punësuar pranon që të qethet zero në publik, në këmbim të dhjetë mijë dollarëve për të paguar silikonin. Merren me “qera” dy xhuxhë për t’i lëshuar kundër një kundërshtari në një festë. Askush nuk ka qëndruar indiferent ndaj filmit të Scorseses. Akuzat: është seksist, maskilist, vulgar përtej cdo limiti, por mbi të gjitha e paraqet këtë qenie të përcmueshme si një hero, një model. Entuziastët: është art i pastër, sic ishte Goodfellas, sic ishte Tony Soprano. Nuk bëhet kinema me moral, bëhet me realitetin. Scorsese është Balzaku i shekullit 21.
Dhe ja pra, një intervistë me protagonistin e vërtetë, për të folur për gjithë këto. Ujku i vjetër, i ulur në divan, me fotografitë gjigande të fëmijëve në mure dhe me ujë, vetëm ujë në frigorifer. Njeriu që ka kuptuar gabimet e tij, është hedhur në hithrat e botës së korruptuar.
Keni qenë vërtetë i tillë, si në film?
Po, Scorsese dhe Di Caprio kanë bërë një punë fantastike. Isha pikërisht kështu. Në Wall Street, 80 përqind punojnë vetëm falë kokainës. Të gjithë duan pasurinë. Mua më kanë pëlqyer gratë e bukura dhe doja gjithmonë e më shumë.
E nisim nga fillimi?
Ok. Familje e varfër, por e kulturuar, fillimisht në Bronx e më pas në Brooklyn. Shumë libra në shtëpi, në darkë ime më më thoshte: “Studio, do të bëhesh një mjek i madh që do të kurosh kancerin”. Ndërsa unë doja të bëhesha i pasur. E shihja pasurinë mu mbrapa qoshes, dhe e doja dhe unë. Isha mirë në shkollë, por zbulova që dija të shisja. Gjatë verës shisja akullore në plazhin e Coney Island, fitoja 500 dollarë në ditë. Afrova nja pesëdhjetë djem të rinj, shisnin bizhuteri. Më tej gjevrekë. Bizhuteri, gjevrekë dhe akullore. Me ato para shkova në universitet, u diplomova në biokimi. Më pas u rregjistrova në stomatologji. Që në leksionin e parë profesori më tha: “Duhet të të paralajmëroj që kohët e arta për dentistët kanë marrë fund”. U largova menjëherë. U pranova në LT Rothschild në Wall Street, roli im ishte ai i ndërlidhësit. Ose më saktë, duhet të rrija në telefon gjithë ditën dhe të arrija ta coja klientin tek marrësi (jo sekretaria). Në atë pikë, thosha: “Po ju kaloj shefin tim”. Dhe ai propozonte investimin dhe kryente marrëveshjen. Shefi im tërhiqte kokainë me hundë në publik, mbante këpucë me lëkurë krokodili, kishte një Rolex shumë të shtrenjtë prej floriri dhe fitonte 2 milionë dollarë në vit, mes bonuseve dhe komisioneve. Ishte një shkollë jete e jashtëzakonshme. Gjithcka mori fund të hënën e zezë të vitit 1987. Por në të vërtetë pikërisht aty nisi fati im.
Përse?
Sepse unë kam një talent natyral. Di të shes. E njoh psikologjinë e njerëzve, e di si të fitoj kundër frikës së tyre për të blerë. Krijova kompaninë time – e famshmja Stratton Oakmont dhe nuk thirra profesionistë, por të rinjtë e grupit të adoleshencës sime. Ashtu si unë, bij të popullit, asnjëri me diplomë. Donim të bëheshim të pasur. E c’të keqe ka këtu? Sot, unë e di mirë që njerëzit në Wall Street janë më të përcmuarit në botë.  Por nuk ndodh sepse fitojnë shumë, apo që kanë gjithë ata përfitime dhe bonuse.. Jo, jo. I urrejnë sepse kanë shkaktuar humbje të parave të klientëve të tyre. Nëse i bën të fitojnë, nuk të urrejnë, jini të sigurtë. Unë kam ndihmuar shumë njerëz të fitojnë para. Për fat të keq në fund kam shkaktuar edhe humbje për shumë njerëz, mu desh ta lë presidencën e kompanisë. Por Stratton nuk ka qenë asgjë krahasuar me kolosët e mëdhenj, me mashtrimin e të famshmeve “subprime”, me Lehman Brothers, me Bernie Mahdoff. Kur mendoj që, atëherë kur më arrestuan mua ai doli në televizion dhe tha që isha delinkuent! Ta ndajmë një herë e mirë: nëse unë të premtoj një titull në bursë dhe të them që fitimi është 25%, edhe ti e di mirë që është me risk. Apo gabohem? Dhe unë kisha një klientelë popullore, nuk kisha të pasurit. Në film, Leo flet në mikrofon, sic bëja unë, dhe ulëret: “Tani u shesim titujt e mirë, u shesim IBM, dhe kur t’i kemi mbërthyer, u shesim mut!” Ja, unë këtë nuk e kam thënë asnjëherë, është një sajesë. Madje ne u dërgonim letra klientëve ku u thoshim që është me risk.
Epo tani, Z. Belfort. Ju keni kuotuar në bursë një kompani të panjohur këpucësh mode, keni bërë të gjithë klientët tuaj që të blejnë aksionet, dhe në tre minuta keni fituar 28 milionë dollarë, më pas keni shitur aksionet tuaja, titulli u rrëzua dhe ua keni hedhur klientëve tuaj. Apo jo?
Eshtë disi më e ndërlikuar, por të themi që kështu ndodhi. E pranoj. Shikoni, jam unë i pari që them që është gjithë sistemi që nuk funksionon. Paraja, pasuria, lakmia kanë shumë rëndësi. Unë jam i pari që jam zënë në kurth. Gjithcka ndodh shumë shpejt, ka shumë intensitet. Duhet të ndryshojnë rregullat, nuk është e drejtë që një ndërmjetës të ketë bonuse milionësh vitin e parë, sepse kjo e shtyn të bëjë operacione të paligjshëm për të cilët më pas do ta paguajë. E ka bërë mirë Goldman Sachs që hoqi bonuset për harkun e pesë viteve. Eshtë e drejtë. Por mbetem me idenë që të shesësh një produkt të mirë – dhe duhet të jetë i mirë – është një sistem i mirë për të nxjerrë jetesën.
Z. Belfort, a jeni një i penduar ju?
Burgu më ka bërë mirë. E di që kam qenë budalla, i kam dhënë shumë peshë parasë. Shikoni, edhe në mesin e gjithë atij luksi, nuk isha i lumtur. Doja vajzat më të bukura, makinat më të bukura, por nuk isha i kënaqur. Jam më i kënaqur tani. Jam mësime teknika shitjeje. U shtoj vlera njerëzve, është gjë e mirë. Jam më i kënaqur sepse arrij të realizoj dicka, e kuptoni?  Bëj, transformoj. Më pëlqejnë ata njerëz, si tek Google apo Apple që bëjnë produkte të bukur dhe të dobishëm për njerëzimin, dhe nëse pastaj vjen fitimi, mirë se të vijë. Ndërsa këta të Occuppy Wall Street unë nuk i kuptoj fare. Për mua janë budallenj. Vendosin cadra dhe kërkojnë punë. Por shkoni të punoni, u them unë! Amerika është në gjendje t’u ofrojë punë të gjithëve, shikoni rastin tim. Dhe aspirata për pasurim nuk është vetëm legjitime, është e drejtë. Unë e pranoj, e kam ekzagjeruar. Kam bërë shumë gabime. Për shembull, ajo ideja që të dërgoja paratë në Zvicër. Isha naiv.
Z. Belfort, ju a konsideroheni një tradhëtar? A ka ndodhur ashtu si thuhet në film, që FBI vendosi një mikrofon të fshehur për të kapur të gjithë?
Po, ashtu ndodhi. FBI kërcënoi se do të arrestonte gruan time, që nuk kish fare punë. Eshtë e vërtetë që për ta shpëtuar, pranova mikrofonin. Por është po kështu e vërtetë që i dhashë në dorë ortakut tim, Danny një pusullë ku i thosha: “Mos fol, kam mikrofon”. Dhe është e vërtetë që ishte pikërisht Danny ai që foli. Eshtë gjithashtu e vërtetë që ktheva ato para që mundesha, 110 milionë, por ortaku im Danny nuk ktheu mbrapsht asgjë, ka një kompani që furnizon të gjithë spitalet e Floridës, një llogari bankare me 6 milionë dollarë në Majemi. Më mirë për të. Dhe më mirë për të gjithë të tjerët e Stratton Oakmont, që  ia hodhën paq. Por nuk do të ribëja asgjë. Kam kuptuar që kam gabuar. Paraja në vetvete është një gjë e tmerrshme!

SALMAN RUSHDIE: Jeta ime si “Joseph Anton”

salman 2Për më shumë se një dekadë, shkrimtarit Salman Rushdie iu desh të jetojë i fshehur nga qëllimet e ekstremistëve myslimanë për ta vrarë në zbatim të një fetvaje të lëshuar nga Irani. Rushdie flet në këtë intervistë në lidhje me eksperiencën e mundimshme si dhe përse ka zgjedhur të shkruajë për të në librin me kujtime.
Rushdie, ju i keni vënë librit me kujtime pseudonimin që përdorët gjatë periudhës që qëndronit i fshehur.
Po. E para gjë që më thanë policët ishte se më duhej një pseudonim me qëllim që të mundësoja disa gjëra praktike: duheshin marrë me qera shtëpi të fshehta, si dhe më nevojitej një llogari bankare apo të firmosja ceqe. Vec kësaj, truprojave të mi u duhej një emër i koduar që ta përdornin kur të flisnin me mua. Por mu desh të mendohesha për ditë të tëra për ta gjetur.
Pastaj, nga të gjithë mundësitë, ju zgjodhët “Joseph Anton”?
Emrat e dy prej shkrimtarëve të mi të preferuar: Joseph Conrad dhe Anton Chekhov. Në fillim doja të përdorja emrin e një personazhi që kisha krijuar për një roman të ri. Personazhi ishte pak konfuz mendërisht dhe quhej Ajeeb Mamouli. Dukej se ishte i duhuri. Ajeeb do të thotë “i cuditshëm” ndërkohë që Mamouli do të thotë “normal”. Kështu që unë isha Z. “I Cuditshmi Normal”. Një kontradiktë në ndryshim të vazhdueshëm. Kështu ndihesha.
Dhe?
Personave që merreshin me sigurinë time nuk u pëlqeu ky emër. Shumë i vështirë për t’u mbajtur mend, shumë i vështirë për t’u shqiptuar, shumë aziatik. Armiku ynë do të ishte në gjendje të zbulonte, thanë. Më pas kombinova emra shkrimtarësh të tjerë si: Marcel Beckett, Vladimir Joyce, Franz Sterne. Ishin të gjithë qesharakë.
Por truprojave u pëlqeu Joseph Anton?
Shumë. Që nga ai moment për ta unë isha Joe, për 10 vjet. Hey Joe, më thoshin. E urreja. Kur isha i vetëm në shtëpi me ta, gjithmonë u thosha: Hej djema, përse nuk pushoni së më quajturi Joe për pak caste? Askush nuk është këtu dhe të gjithë e dimë kush jemi. Ishte e kotë. Më pas, i thosha vetes: Joe, duhet të jetosh, deri kur të vdesësh.
A iu desh Joe-së të vdesë nëmomentin kur u hoq siguria juaj personale në 1999?
Po. U ndieva i cliruar.
E megjithatë ju tani e keni ringjallur.
Sepse doja që njerëzit ta kuptojnë se sa e cuditshme është të jetosh në një botë ku të urdhërojnë që të heqësh dorë edhe nga emri yt.
Në një intervistë për Spiegel dy vite më parë, ju keni thënë që kjo periudhë ka qenë shumë e dëmshme për ju, emocionalisht dhe psikologjikisht. A ju ka ndihmuar tani që të shkruani për të?
Për një kohë të gjatë, nuk ndihesha emocionalisht i aftë që të ripërjetoja realitetin e atyre ditëve. Nuk doja. Mendoja: Unë kam dalë nga ai tunel i errët dhe në një farë mënyre ia kam dalë të përplas derën pas vetes. Përse nuk e lë mbyllur! Por gjithmonë e kam ditur që një herë do të shkruaja për të. Kam mbajtur një ditar, pothuajse që nga dita e parë.
Cdo ditë?
Pothuajse përditë. Ndonjëherë janë gjëra të shkurtra, ndonjëherë histori më të gjata. U bënë një mijë faqe në fund, një kaos total. Emory University në Atlanta i katalogoi për mua. Krejt papritur, kisha të parashtruar përpara meje jetën time në kohën e fetvasë, ditë pas dite. Ishte pothuajse një tronditje. Shkrimet fillonin që nga vjeshta e 1988, kur “Vargjet Satanikë” u botuan, deri në 2003.
A e dinit që një ditë do të shkruanit për të? Apo ishte një formë autoterapie?
I kam hedhur në ditar me qëllim që të mund t’i mbaja mend. Ngjarjet ishin kaq të fuqishme, dhe cdo gjë ndodhi kaq shpejt, saqë e dija se nuk do të isha në gjendje të mbaja mend se cfarë kishte ndodhur. Në ato ditë tmerrësisht të vetmuara në izolim, të shkruarit ishte e vetmja gjë që më mbetej.
Si ishin ato ditë?
Ditën kur u nxorr fetvaja, 14 shkurt 1989, u largova nga shtëpia ime në Londër dhe nuk e dija që nuk do të kthehesha për shumë ditë. Operacioni “Malachite”, emri që Ekipi Special i policisë së Londrës i dha cështjes sime, nisi të nesërmen. Në muajt e parë më lëvizën vazhdimisht, në hotele, motele të cuditshëm që menaxhoheshin nga oficerë policie të dalë në pension, apartamente të miqve dhe, më vonë në apartamente dhe shtëpi që merreshin me qera në momentin e fundit. Ditët i nisja duke u përplasur me truprojat në kuzhinë, ndërkohë që vetë isha me pizhama.
Sa truproja kishit?
Gjatë të gjithë viteve, kisha gjithmonë 2 truproja me mua, 24 orë në ditë. Kishte edhe dy shoferë dhe dy makina të blinduara, një Jaguar i vjetër dhe një Land Rover edhe më i vjetër. Makina e dytë sillej gjithmonë në rast se e para do të prishej.
A është e mundur të mësohesh me këtë?
Po, sigurisht. Por një zë i fuqishëm në kokë refuzonte ta bënte. Refuzoja të lejoja veten time që të pranoja këtë si jetën time. Gjatë gjithë kohës, përpiqesha që t’i jepja fund.
Ju luftuat publikisht. Ju u mbrojtët dhe u përpoqët të bindni Iranin që të heqë fetvanë. Por ju bëtë gjithnjë e më shumë armiq si pasojë e betejës suaj. A ishte gjëja e duhur që duhej bërë?
Refuzova të lejoja vetveten që të hiqja dorë nga këndvështrimi që unë kisha për botën si dhe të pranoja panoramën e sigurisë që ofronte policia. Kur kjo ndodh, ti bëhesh krijesa e tyre, dhe duhet të bësh cfarë të thonë. E vlerësoja shumë mënyrën si po mbrohesha, e kuptoja sa e rëndësishme ishte, dhe disa prej truprojave u bënë miqtë e mi. Por fushata ime publike dhe negociatat me personelin e sigurisë synonin gjithmonë që të rifitoja jetën normale.
Si mund të ishte një jetë normale, duke patur parasysh rrethanat?
Thjeshtë shansi për të takuar lexuesit kur botohej një libër, apo të firmosja një libër. Por truprojat nuk e donin këtë. Racionaliteti i tyre përbëhej nga vlerësime të pastër të riskut. Ata ishin krenarë që nuk kishin humbur asnjëherë, asnjë nga njerëzit që mbronin. Dhe donin që kështu të mbetej. Ata i kuptonin nevojat bazë në jetën en jë personi, si për shembull mundësia për të takuar time shoqe dhe tim bir, apo edhe të dilja e të darkoja me miq herë pas here. Por firmosja e një libri? Për truprojat e mi, përpjekja e shërbimit të sigurisë ishte shumë më e madhe se sa dobia. Me kalimin e kohës arrita t’i bind ta provojnë. Kishin pritur mijëra protestues, por askush nuk u shfaq. Kështu që, herën tjetër ishte më e lehtë. Ka patur shumë beteja të tilla. Kjo ishte jeta ime.
A e dini sa i vërtetë dhe konkret ka qenë risku ndaj jetës suaj?
Kur takova truprojat e mi ditën pasi u publikua fetvaja ata ende thoshin se do të më mbanin të fshehur dhe mbrojtur në një hotel për disa ditë, deri kur “problemi të zgjidhej vetë”. Por asgjë nuk u zgjidh. Më vonë pati incidente që e bënë rrezikun të prekshëm. Një burrë në një hotel të lirë në Paddington u hodh në erë tek përpiqej të montonte një bombë. Më vonë u mësua se bomba po përgatitej për mua. Më pas pati sulme të rëndë ndaj dy prej përkthyesve të mi, si dhe botuesin tim norvegjez. Të gjithë këta sulme nuk vinin nga amatorë, por vrasës profesionistë, që pajtoheshin nga regjimi iranian.
A ishit i azhornuar me statusin e rrezikut?
Policët ma thanë se kur u rrit niveli i rrezikut, dhe një apo dy herë në vit shkoja në zyrat qëndrore të shërbimit të fshehtë britanik për t’u takuar me oficerët e ngarkuar me cështjen time. Ishin mbresëlënës. Ishin njerëz që nuk flisnin brockulla dhe e dinin cfarë thonin.
Në libër shkruani edhe që disa zyrtarë të lartë policie ishin të kujdesshëm ndaj jush.
Po, ka patur edhe nga ajo sjellje. Që nuk isha lloji i personit që ata duhej të mbronin. Ministri i Irlandës së Veriut? Ok, këtë e kuptojmë. Por unë nuk isha si të tjerët, ata që meritonin mbrojtje sepse kishin bërë dicka për vendin e tyre. Isha dikush që po mbrohesha sepse kisha shkaktuar telashe. Në këndvështrimin e tyre, ishte faji im që myslimanët më ishin vënë për të më vrarë. Disa pjesëtarë të policisë, jo të gjithë, nuk e kuptonin se si dikush ishte i gatshëm të shkaktonte një rrëmujë të tillë për një problem kaq të largët… Të paktën, nëse libri im do të kish qenë për Anglinë…
Kritikat nuk vinin vetëm nga policia dhe myslimanët, por gjithnjë e më shumë edhe nga kolegë dhe intelektualë. Ndoshta kritiku juaj më i ashpër, John le Carre, ju akuzoi se kishit sulmuar një armik të njohur, një që reagoi ashtu sic pritej të reagonte.
Mendoj se duhet të jetë penduar që ka thënë ato gjëra, sepse është njësoj si të thuash që të gjithë intelektualët që kanë qëndruar kundër tiranëve e kanë merituar atë që kanë marrë. Garsia Lorka e dinte se sa brutal ishte Franko. Osip Mandelstam e dinte cfarë të priste nga Stalini. A duhej ta kishin mbajtur gojën mbyllur? Ngritja e zërit ndaj armiqve të njohur është pikërisht cfarë shkrimtarët e kanë bërë me nder gjatë historisë së letërsisë. Që Le Carre të thotë se është faji i tyre, kjo në rastin më të mirë është naive. Nuk i bën nder hsitorisë së letërsisë.
Por ndoshta sulmimi i një feje nuk është njësoj si kritika ndaj një diktature.
Këmbëngul për të drejtën e lirisë së fjalës, edhe kur bëhet fjalë për fetë.
Kështu për disa ju u bëtë një “martir i fjalës së lirë”, sic ka thënë dikur John Updike, ndërkohë që për të tjerë ishit një person që hapte telashe, që kishte fyer pa patur nevojë miliona myslimanë. Kjo trysni publike erdhi e iu shtua rrezikut ndaj jush. A është e mundur ta injorosh dicka të tillë?
Jo. Por Gunter Grass më dha një këshillë të vlefshme. Ai ka një problem të ngjashëm me personin e tij publik. Në një pikë, më tha, e shihte vetveten si dy njerëz. Ishte Gunter, që ai e njihte, dhe që familja dhe miqtë e njihnin. Ishte dhe Grass, që dilte para botës dhe bënte zhurmë. Një herë më tha: Ndonjëherë kan ndjesinë që mund ta dërgojë Grass jashtë, para botës që të bëjë zhurmë, ndërkohë që Gunter mund të qëndrojë i qetë në shtëpi.
Pra në rastin tuaj ishte Joe, njeriu që po ruanin truprojat tuaja. Dhe ishte Joseph Anton, që merrte shtëpi me qera dhe firmoste ceqe. Pastaj ishte Rushdie, njeriu që hapte telashe, dhe Salman ishte shkrimtari që rrinte ulur në vendin e tij të fshehtë. Mjafton për ta cmendur një person.
Ishte vërtetë cmenduri. Kishte një hendek të madh mes perceptimit publik dhe të vërtetës time private. Mendoj se sa më i famshëm je, aq më i madh është hendeku. Për shembull, mendoj që Madonna nuk e sheh veten si njeriun për të cilin shkruhet në gazeta. Një herë e kam takuar dhe, e them ndershmërisht, ishte një tip goxha konvencional. Fliste për cmimet e pronave. Të vetmen herë që e kam takuar – dhe e vetmja gjë që diskutoi ishin cmimet e pronave të paluajtshme në Marble Arch në Londër.
Kur sulmohesh dhe mbrohesh ashtu si ju, a krijon njeriu realitetin e vet? Dhe a e merr veten shumë seriozisht?
Po. Prandaj u përpoqa të shkëputen nga fluska e sigurisë ku isha mbërthyer. Por nuk më lejonin ta bëja këtë në Angli, prandaj Amerika u bë kaq e rëndësishme për mua. Atje më lejonin të merrja vendimet e mi se si doja të jetoja, ndryshe nga sa ndodhte në Angli, ku gjithmonë kishte një rrjetë sigurie rreth meje. Dhe gradualisht arrita ta plas fluskën përreth meje. Kur po shkruaja “Toka nën këmbët e saj” në 1998, munda të jetoj në një shtëpi në Long Island për pothuajse tre muaj, pa patur policë përreth. Papritur isha në gjendje të ngisja makinën time. Mund të vendosnim dhe të dilnim për darkë. Isha i mbushur me gëzim.
A ka patur kohëra me depresion real para kësaj?
Po, ndonjëherë isha në formë shumë të dobët. Dhe këtë e kuptoj edhe më shumë tani që lexoj ditarin. Isha shumë i cekuilibruar në dy apo tre vitet e parë. Më vonë pati dhe sulme të ndryshëm depresioni.
Në kujtimet tuaja, shkruani në vetën e tretë. Duket sikur keni dashur të distancoheni nga personazhi që përshkruani.
Nuk dua të distancoj veten time nga vetvetja. Nuk jam aq i cmendur. Në fillim u përpoqa ta shkruaj në vetën e parë, por nuk mund të gjeja zërin. Tingëllonte narciziste. Kështu që pushova së punuari për librin. Nuk po më shijonte. Në një pikë, më erdhi një ide: Po sikur ta shkruaja sikur nuk më kish ndodhur mua, por dikujt tjetër? Sikur ta ngrija personazhin tim në nivelin e personazheve të tjerë dhe ta përshkruaja pak më me objektivitet dhe nga pikëvështrime të ndryshëm? Krejt papritur e dija se si ta shkruaja librin.
I bën përshkrimet më pak emocionalë.
Por historia ka forcën e mjaftueshme. Eshtë një histori që nuk kërkon ekzagjerim. Nuk ka nevojë ta teprosh. Përndryshe do të bëhej një opera.
A ishte përpjekja për të qenë objektiv që ju bëri të shkruani edhe për disa personazhe, sidomos ish bashkëshortet tuaja, të thoshin gjëra të shëmtuara për ju?
Po. E vetmja mënyrë për të shkruajtur një libër si ky është të mos ruhesh. Duhet të jetë i pambrojtur. Sigurisht ka aspekte të personalitetit tim që unë i kritikoj. Por ndodhin. E vërteta është se ne shkrimtarët ekzaminojmë në vazhdimësi vetveten. Profesioni kërkon që të shohësh vazhdimisht nga vetja. Mendoj se kjo është arsyeja përse nuk e ndjeva asnjëherë nevojën për ndihmë psikiatri gjatë gjithë kohës, ndonëse nuk isha mirë. Të shkruarit është një investigim i brendshëm i shpirtit.
Në librin tuaj, bashkëshortja juaj Elizabeth shkruan se jeni një njeri egoist që ecën para në jetë duke shkatërruar jetët e të tjerëve. Ajo e përjetoi me ju pjesën më të madhe të periudhës së fetvasë, deri kur e latë për modelen indiane Padma Lakshmi. A ka ndonjë të vërtetë në thënien e saj?
Nuk e shihja si ajo. Por më duhej të lejoja që të shprehej mendimi i saj. Përndryshe libri do të shkaktonte polemika. Por dua që gjërat të jenë tredimensionale, sic janë në një roman. Dua t’i tregoj botës që jam vërtetë në gjendje të përshkruaj vetveten.
Ju shkruani në librin me kujtime se jeta e një shkrimtari është si një pakt Faustian i kthyer përmbys: dëshiron të arrish pavdekësinë, dhe paguan cmimin e të paturit një jetë të mërzitshme. Jeta juaj ka qenë e vështirë ndonjëherë, por ju jeni bërë në fakt shkrimtari më i famshëm në botë që është ende gjallë.
Nuk më kënaqte sepse dukej sikur vinte për arsyet e gabuara. Nuk isha i famshëm për përmbajtjen e veprës sime, por për skandalin që shkaktoi. Por skandali nuk të garanton përjetësinë. Kështu që nuk ndihem shumë rehat me këtë famë. E vetmja gjë e mirë është kur i telefonoj ndonjë politikani sot e i kërkoj ndihmë për ndonjë shkrimtar të ri që po kërcënohet, zakonisht politikani më del në linjë. Shkrimtarë të tjerë ndoshta nuk do ia dilnin.
A do i shkruanit “Vargjet Satanikë” në po të njëjtën mënyrë sot?
Po. Fatmirësisht nuk më duhet sepse e kam bërë tashmë.
Nuk do i linit jashtë pjesët e ëndrrave për Profetin?
Sigurisht që jo. Në fakt mendoj se janë pjesët më të mira të librit. Më pëlqejnë vërtetë ato pasazhe.
A do të ishte vërtetë më keq romani nëse ju nuk do u kishit vënë prostitutave në bordello emra të bashkëshorteve të Profetit Muhamed?
Po, ka një arsye pse e kam bërë. Ka të bëjë me sjelljen ndaj grave në atë kohë. Ishin bashkëshortet e Profetit. Ishin shumë të famshme, por asnjë burrë tjetër nuk mund t’i shihte sepse ishin të mbyllura në haremin e Profetit. Ishin në fakt bordello ku gratë merrnin emrin apo edhe adoptonin personin e bashkëshortes së Profetit. Kjo i bënte të arritshme si fantazi erotike. Me fjalë të tjera, qëllimi i atij kapitulli nuk është të fyej Profetin, por të adresoj fenomenin e grave me pushtet dhe natyrën e seksualitetit mashkullor dhe si rritet ai nga gjëra që burrat nuk mund t’i kenë. Ata pasazhe janë seriozë, dhe në asnjë moment nuk thonë se bashkëshortet e Profetit kanë sjellje të papërshtatshme. Nuk është aq e vështirë.

15 modelet e shoqërisë, nga Konfuci tek “Occupy Wall Street”

Nga Konfuci tek “Occupy wall street”, nga Muhamedi tek epoka postindustriale. Në epokën e corientimit, sociologu Domenico de Masi është përpjekur të klasifikojë grupet njerëzorë sipas ideologjisë së jetës
Domenico De Masi, me një pamje të padepërtueshme shkon dhe ulet para librarisë së studios së tij romane, ku një msociety 1bishkrim në një tullë false thotë: “Cdo mur, herët a vonë bie”. Sapo është kthyer nga një debat televiziv dhe shprehet i habitur tej mase nga sasia e të rinjve në politikën e re italiane: “Ndonjëherë shohim periudha të gjata inkubacioni dhe pastaj, krejt papritur, ja tek ndodh një revolucion”. Kjo duket se e ngacmon. Në moshën 76 vjecare, sociologu nuk ka pushuar së dhëni mësim (në La Sapienza), udhëtuari (është i dashuruar pas Brazilit, sic e konfirmojnë në muret e tij skicat e firmosura nga arkitekti Oscar Niemeyer) dhe shkruajturi: sapo ka botuar një libër 700-faqësh, një udhëtim në shoqërinë njerëzore, nga Konfuci tek Occupy Wall Street. “Kudo ku shkoj, vërej që njerëzit janë të pakënaqur dhe projektojnë të largohen, kudo lindin lëvizje proteste”, rrëfen ai. “Ndodh në Romë dhe në Kairo, në Berlin dhe Nju Jork. Dhe vlen për të varfërit dhe për miliarderët, sic më tregonte edhe bankieri Jorge Paolo Morgan. Vetë Berluskoni duhet të ketë fjetur më pak se unë dhe se ju në muajin e fundit. Dhe e dini përse?”
Përse?
Sepse është epoka e coroditjes. Nuk dimë të themi më me saktësi se cfarë është e majta dhe cfarë është e djathta, e bukura dhe e shëmtuara, burri dhe gruaja, e vërteta dhe e pavërteta, madje edhe e gjalla dhe e vdekura. Coroditja. Nuk e kanë patur të tillë as tek Iliada, apo Lufta dhe Paqja. Eshtë një gjendje e kohëve të fundit.
Dhe ju, cfarë shpjegimi keni dhënë?
Shikoni, më parë të gjitha shoqëritë lindnin në bazë të një modeli që ekzistonte tashmë. Republika greke qëndron tek fjalimi i Perikliut drejtuar athinasve. Mesjeta buronte nga dhjetë komandamentet dhe nga baballarët e Kishës. Në shtatëqindën, nja pesëdhjetë të rinj iluministë krijuan një botë të re. Edhe BRSS bazohej në një model që ekzistonte tashmë, atë të Marksit dhe Engelsit.
Po shoqëria jonë post-industriale?
Eshtë e ndryshme nga gjithë të tjerat. Një ditë, arkitekti i madh Le Crobusier erdhi në Positano dhe pyeti se mbi cfarë kriteri ishte ngjitur për lart. Në fakt, gjithësekush kishte ndërtuar shtëpi për hesap të tij. Kjo është shoqëria jonë, “Projekti Positano”. Ne jemi si kartografët e lashtësisë, jemi nisur pa një hartë.
Cfarë e dallon këtë shoqëri nga ajo e mëparshmja?
Epoka industriale bazohej mbi prodhimin e të mirave materiale, dhe vlerat e saj ishin shpejtësia, produktiviteti, organizimi hierarkik, puna e dorës. Shoqëria post-industriale – që lindi me Frojdin, Ajnshtainin, Pikason është megjithatë ende në fillim – bazohet mbi prodhimin e të mirave materiale (shërbime, informacione, simbole) dhe vlerat e saj janë intelektualiteti, subjektiviteti, estetika, feminilizimi, cilësia e jetës, etika dhe destrukturimi i hapësirës dhe kohës.
Një shoqëri në kërkim të modelit.
Po, dhe është gjithashtu momenti për të mobilizuar mendjet më të ndritura për ta krijuar, këtë hartë. Nevojitet një Davos i mendimit. Për shembull, me Renzo Pianon dhe muzikanin venezuelian Jose Abreu. Pak politikanë, pasi nuk shoh mendje të mëdha. Nuk më ekzaltojnë as yjet e shoqërive likuide dhe të gazta, as edhe Papa, që bën gjëra shumë fëmijërore. Fatkeqësisht, nuk shoh shumë Focault-ë në qarkullim.
Ndërkohë, keni klasifikuar 15 modelet e shoqërisë në histori. Cilët prej elementeve të tyre duhet të rikthejmë?
Benedetto Croce thoshte se nuk mundemi të mos jemi kristianë. Nuk mundet as të mos quhemi indianë, për shembull, për humanizmin e tyre spiritual, bir i një politeizmi që është më tolerant se sa monoteizmi. Konfucianizmi kinez na mëson se nuk ka nevojë të besosh për të patur atë që Kanti e quante ligji i moralit. Nga modeli japonez do të merrja rafinimin. Ai mysliman është i vëmendshëm sa i përket koherencës me tekstet e shenjtë. Katoliku ka ditur të reduktojë ankthin tonë kundrejt kënaqësive tokësore, ai carpe diem roman që rikthehet në Amerikën e sotme, sic e tregon Scorcesse tek filmi i fundit “Ujku i Uoll Stritit”.
Megjithatë, dy modelet që keni më shumë për zemër janë ai europian dhe ai brazilian.
Po, shteti social, i lindur me Bismarkun është krenaria e Europës. Nëse nuk pranojmë se cilësia e jetës është lënda jonë e parë, atëherë vëmë në lojë identitetin, dhe përfundojmë duke qenë të nënshtruar kundrejt SHBA, nga ana e tyre të mbërthyer nga një mijë kriza. Sa për Brazilin, ai është atdheu im i dytë, aty ky libër ka shitur tashmë 20 mijë kopje. Janë një popull i butë, bujar, i ndjeshëm, alegër, ngahera një laborator shumë interesant hibridizmi.
Nëse mendoni kur ishit ju i ri, dhe si janë nipërit tuaj sot, cili mendoni se është dallimi kryesor?
Eshtë e njëjta pyetje që i bëra Alberto Moravisë kur mbushi 80 vjet. Mu përgjigj: “Estetizmi. Të rinjve nuk u duhet të jetojnë më mes erës së pulave, dhe vishen më mirë”. Nipërit e mi do të jetojnë në një botë edhe më të bukur se e imja.
Jeni i sigurtë? Në libër ngrihet pyetje, me Hannah Arendt: “Cfarë ndodh në një shoqëri të përqëndruar tek puna, kur puna mungon?
Mbi të gjitha, po kalojmë nga një shoqëri të bazuar tek puna, në një shoqëri të bazuar tek koha e lirë, dhe do të punohet gjithnjë e më pak. Pastaj kam besim se do të ndodhë një rishpërndarje e madhe: e vetë punës (mes etërve dhe bijve), e garancive, pushtetit, dijes dhe shanseve. Kam besim sepse, sic thoshte bashkëpatrioti im Giambattista Vico, “Bota është ende e re”. Dhe sepse të rinjtë e sotëm mund të fluturojnë në të gjithë vendet e Europës me pak para, jetojnë në një epokë globale të mbushur me stimuj, dhe kanë më shumë kohë për t’ia kushtuar kreativitetit, ndonëse shpesh herë e cojnë dëm.
Pra po na thoni se i keni zili të rinjtë e sotëm? Po atëherë ju provokoni, profesor!
Ndonjëherë shoh mbesën time, studente e fizikës, dhe mendoj kohën kur unë isha i ri. Kam qenë gjithmonë një i apasionuar pas muzikës klasike, një trashëgimi e tim eti, i cili vdiq kur isha 9 vjec. Mbaj mend që, për të dëgjuar Simfoninë e nëntë nga një gramafon i rrënuar, duhej të ndërronim tetë disqe! Ndërsa sot, shikoni pak. (Ngrihet në këmbë, afrohet tek dritarja dhe shkëput një iPod nga impianti i stereos). Tek kjo gjëja e vogël janë memorizuar 4700 këngë, sinfoni dhe koncerte. Kjo është më e mira e botëve që kanë ekzistuar deri sot. Mbesa ime është vërtetë me fat.

HOTELET E TITOS. Kryevepra te arkitektures, apo “monstra betoni”

Hotelet e mëdhenj që ndërtoi Tito për të demonstruar suksesin e modelit jugosllav, janë shembuj unikë arkitekture moderniste
Jerko Bakotin
hotel
Hotelet e mëdhenj jugosllavë në brigjet e Adriatikut janë “monstra betoni” ose kryevepra të arkitekturës moderniste të viteve gjashtëdhjetë? Të menduar për të thithur turistët perëndimorë dhe për të shërbyer si vitrinë ndërkombëtare për socializmin e Titos, këto ndërtesa të mëdha që të sjellin ndërmend piramidat apo tempujt e inkasve, janë shpesh herë të braktisur apo të përcmuar prej banorëve. “Ejani e shihni të vërtetën”. Me këtë slogan, në vitet pesëdhjetë Jugosllavia ftonte turistët europianë dhe amerikanë që të shihnin me sytë e tyre suksesin e socializmit të Titos, e si pasojë, të përgënjeshtronin gënjeshtrat e stalinizmit. Turistët po vërshonin, kështu që nevojiteshin vende ku të akomodoheshin. Kështu, bregu i Adriatikut u shndërrua në një kantier gjigand. Qindra hotele u ngritën përgjatë bregdetit. Përvec promovimit të socializmit, turizmi ishte një instrument i domosdoshëm për forcimin e vetëdijes kombëtare, për ndërtimin e “njeriut të ri socialist” dhe modernizimin e shoqërisë.
Monstrat e Adriatikut
Sot në Kroaci, trashëgimia e socializmit është sprapsur në bllok. Hotelet e ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë përgjatë bregdetit adriatik janë quajtur monstra betoni. Austriaku Mihael Zinganel, teoricien i arkitekturës, ka krejt tjetër mendim: sipas mendimit të tij, këta komplekse kanë një rëndësi shumë të madhe për historinë ndërkombëtare të arkitekturës. Zinganel ishte kuratori i ekspozitës “Pushimet pas rënies: transformimet e arkitekturës socialiste përgjatë bregdetit kroat”, që u zhvillua në galerinë berlineze Neue Gesellschaft fuer bildente Kunst.
“Ndoshta këta hitele nuk janë interesantë për sytë e banorëve. Por ne na pëlqejnë që cke me të. Disa prej tyre janë monumente të vërtetë arkitektonikë të nivelit ndërkombëtar, sidomos nëse merr parasysh kushtet në të cilët janë ndërtuar”, thotë. Për shembull Hotel Maestral i Brelës, projektuar nga Ante Rozic, Matia Salaj dhe Bernardo Bernardini, që sipas Zinganel është një kryevepër e modernizmit. Por edhe Kroacija dhe Cavtat, të Slobodan Milicevic është “tmerrësisht shumë origjinal”. Apo kompleksi i Krvavicas, që dikur mblidhte bijtë e ushtarakëve. I projektuar nga Rikardo Marasovic, sipas Zinganelit ai është “sensacional”. Lista mund të vazhdojë.
Arkitektura moderniste ka zënë vend shumë kohë më parë në Kroaci. Tradita buron që nga vitet tridhjetë. Merita është e arkitektit Ernest Veissman që ka projektuar një numër të madh ndërtesash në gjithë Jugosllavinë. Në bregdet, hotelet janë ndërtuar në tre faza. E para, në vitet pesëdhjetë, kish prodhuar struktura modeste, me dhoma që kishin komfort minimal – një politikë arkitektonike në linjë me konceptin fordist të “kohës së lirë”, që nënkuptonte pushime të paguara për klasën punëtore. Nga fundi i viteve pesëdhjetë nisi ndërtimi i ndërtesave të mëdha, të llojit Hilton, si Marjan i Splitit apo Ambasador i Opatijas. Për Zinganelin, kjo arkitekturë përfaqëson një refleks të rendjes drejt “botës së lirë” dhe këto ndërtesa janë “instrumenta kulturorë të opozicionit ndaj komunizmit”.
Hiltonët jugosllavë ngriheshin sipas modelit amerikan: në sallat e tyre të mëdha mund të admiroheshin vepra të artistëve të famshëm si Edo Murtic apo Dushan Dzhamonja. Por ishin të papërballueshëm për një turist rastësor apo një të huaj të klasës së mesme. Në fund, nga vitet gjashtëdhjetë, nisën të ngrihen hotelet më interesantë.
“Shfaqin tipare të strukturalizmit dhe të brutalizmit, dhe një përdorim të tepruar të betonit. Hidhuni një sy piramidave kroate dhe tarracave të tyre: po të gjykosh nga eksperimentimet me hapësirën dhe futjen në shkëmbinjtë dalmatë, pothuajse mund të mendosh që arkitektët kanë bërë kërkime në tempujt e inkasve në Peru”.
Modernizmi jugosllav është edhe më mbresëlënës nëse krahasohet me stilin e përdorur në vendet e realizmit socialist, si Bullgaria. Ndryshe nga Jugosllavia, ku projektet miratoheshin prej instituteve të pavarur, në Bullgari të gjithë miratimet bëheshin nga një zyrë e vetme. “Pas luftës, neoklasicizmi stalinist dominon dhe bllokon evolucionin e modernizmit. Ngrihen ndërtesa të mëdha, qytete të tërë. Në të kundërt, Jugosllavia kërkonte shkëputjen nga Moska. Turizmi ka luajtur një rol kyc në konceptimin e politikës së Titos”, shpjegon Zinganeli.
Parabolë në rënie
Për t’u imponuar në mënyrë automatike në skenën ndërkombëtare, Jugosllavia e marshallit Tito kish nevojë për shprehje mahnitëse në planin artistik. Tito ishte i vendosur të demonstronte suksesin e politikës së tij të mos reshtimit, dhe hotelet ishin njëkohësisht vitrinë e muzeve të artit bashkëkohor. I vënë përballë, kapitalizmi kroat ka qenë një ndërtues modest.
Që nga 1991, sipas Zinganelit, janë ndërtuar 12 hotele të rinj, të cilëve u shtohen të gjithë ata që sot rrezikojnë të shndërrohen në rrënoja. Shumë prej këtyre hoteleve janë restauruar keq. Karakteristikat socialiste janë fshehur keq duke ndjekur shijen e re për madhështinë, dhe në disa raste rezultati është një provë e dështimit të privatizimeve.
Në kohën e socializmit jugosllav, shton Mihael Zinganel, hotelet nuk konceptoheshin si kopshte të Edenit të izoluar e të mbyllur, në përdorim ekskluzivisht të turistëve. Fusha sportive, diskoteka, pishina, salla konferencash, salla vallëzimi ishin të hapura për të gjithë, për turistët e huaj ashtu sikurse për banorët vendas. Mendoheshin si të mira publike, hapësira ku organizoheshin manifestime lokalë.
“Natyrisht futja në plazhe nuk ishte e ndaluar. Sot dominon modeli elitist, që nuk i kthen asgjë komunitetit”, thotë Zinganeli. “Di që Hypo Bank ka investuar në këta lloje kompleksesh si në Kroaci, ashtu edhe në Bullgari. Hyrja në BE do ta bëjë të vështirë rezistencën ndaj kësaj tendence. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ndërhyri personalisht në projektin e Parkut të Golfit të Dubrovnikut dhe mund të pritet realizimi i shumë projekteve të tjerë të këtij lloji. BE e konsideron Kroacinë vetëm një zonë periferike ku banorët e saj mund të kalojnë kohën e lirë duke iu kushtuar argëtimit. Në të njëjtën kohë, kërkohet të anulohet tradita turistike e klasave më pak të pasura, që është rruga ideale për të krijuar një lloj segregacioni në brendësi të shoqërisë”.
Duke filluar që nga viti 1991, hoteleve të mëdhenj kroatë u takoi i njëjti fat që patën të gjithë sektorët e tjerë: u morën dhe menaxhuan nga Fondi kroat për privatizimet. Gjatë luftës, pjesa më e madhe e këtyre komplekseve u përdor për të pritur refugjatët dhe shumë prej tyre u shkatërruan, sidomos ata në pronësi të sipërmarrjeve nga republikat e tjera apo të forcave të armatosura jugosllave. Pas fundit të operacioneve ushtarakë, u nis shitja e këtyre hoteleve tek investitorë dhe sipërmarrës nga diaspora, figura shpesh herë të diskutueshme në planin ligjor dhe moral.

Fundi i shtetit-komb


Kryebashkiakët, dhe jo presidentët apo mbretërit, do të jenë udhëheqësit e rinj globalëglobalization
Parag Khanna
Cdo pesë vite, Këshilli i Shërbimeve të Fshehtë i SHBA, që këshillon drejtorin e CIA-s, boton një raport në të cilin parashikon pasojat afatgjata të tendencave globale. Në fillim të këtij viti, Këshilli botoi raportin më të fundit, “Botë Alternative”, i cili përfshin skenarë se si do të jetë bota pas një breznie.
Njëri skenar, i quajtur “Botë pa shtete”, imagjinonte një planet në të cilin urbanizimi, teknologjia dhe akumulimi i kapitalit sjellin një panoramë ku qeveritë heqin dorë prej reformave reale dhe shumë prej përgjegjësive të tyre ua nënkontraktojnë palëve të huaja, të cilat më pas krijojnë enklava që veprojnë më vete.
Periudha e imagjinuar për këtë skenar është viti 2030, por të paktën për “Botën pa shtete”, fare mirë mund të jetë edhe viti 2010: ndonëse shumica prej nesh mund të mos e kuptojnë, “bota pa shtete” përshkruan shumë mirë se si operon tashmë shoqëria globale. Kjo nuk do të thotë që shtetet janë zhdukur, apo do të zhduken. Por ata po kthehen në thjeshtë një formë qeverisjeje, mes shumë të tjerave.
Një skanim i shpejtë përreth botës zbulon se atje ku rritja ekonomike dhe inovacioni kanë qenë më të suksesshëm, në themel të mrekullisë qëndron një model hibrid publik-privat, i brendshëm-i jashtëm. Këta nuk janë shtete. Ata janë “para-shtete”, ose sic thuhet në gjuhën e përditshme, “zona të vecanta ekonomike”.
Nëpër Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, me qindra zona të tilla janë ngritur gjatë dekadave të fundit. Në vitin 1980, Shenzhen u bë e para në Kinë; sot i gjen kudo nëpër Kinë, një shtet që është shndërruar në ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Bota arabe ka më shumë se 300 të tilla, ndonëse më shumë se gjysma janë të përqëndruara në vetëm një qytet: Dubai. Duke filluar me Zonën e Lirë “Jebel Ali”, që është sot një prej porteve më të mëdhenj dhe eficientë të botës, e që tani përfshin edhe financën, mediat, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe logjistikën, Dubai është njëkohësisht, edhe një bashkësi e ngjeshur nyjash ndërkombëtare tregtare, por edhe emirati me popullsi më të dendur i një federate arabe sovrane.
Ky shtresëzim kompleks i autoriteteve territorial, ligjor dhe tregtar shkon paralel me tendencën e dytë të madhe politike të kohës që jetojmë: Transferimi i kompetencave.
Në dritën e këtij urbanizimi të shpejtë, cdo qytet, shtet apo provincë dëshiron që të marrë vetë vendimet. Dhe munden, pasi kombet varen më shumë prej qyteteve të tyre të mëdhenj, se sa e anasjellta. Kryetarit të bashkisë së Nju JOrkut, Majkëll Blumberg, i pëlqen të thotë: “Unë nuk e dëgjoj shumë Uashingtonin”. POr është e qartë që Uashingtoni e dëgjon atë. E njëjta gjë është e vërtetë për kryebashkiakë të tjerë nëpër botë. Kjo është edhe arsyeja përse të paktën tetë ish kryebashkiakë, janë sot kryetarë shtetesh.
Skocia dhe Uellsi në Mbretërinë e Bashkuar, Rajoni Bask dhe Katalonja në Spanjë, Kolumbia Britanike në Kanada, Australia Perëndimore dhe pothuajse cdo shtet indian – të gjithë janë vende që kërkojnë autonomi maksimale fiskale dhe politikëbërjeje nga kryeqytetet e shteteve të tyre. Transferimi i kompetencave po ndodh edhe në Kinë madje. Qyteteve u është dhënë shumë liri për të zhvilluar modele ekonomikë të rinj, dhe Pekini është i varur nga rritja ekonomike e tyre. Një prej shprehjeve më të përdorura nga vëzhguesit e Kinës sot është: “Kodrat janë të larta dhe Perandori është shumë larg”. Hartat tona na tregojnë një botë me afro 200 shtete, por numri i autoriteteve efektivë është disa qindra më shumë.
Pasoja më e gjerë e këtij fenomeni është se ne duhet të mendojmë përtej shteteve të përcaktuar qartë me kufij si edhe “shtetndërtimit”, e të kalojmë tek integrimi i drejtpërdrejtë në tregjet rajonalë dhe ndërkombëtarë të një bote në urbanizim të shpejtë. Eshtë rruga më e sigurtë për të siguruar aksesin në mallrat dhe shërbimet bazë, për reduktimin e varfërisë, stimulimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e cilësisë së jetës në përgjithësi.
Shoqëritë e lidhura mes tyre kanë më shumë avantazhe se sa ato të izoluara. Teksa bie numri i konflikteve ndërkombëtarë, gjithnjë e më shumë shtete po ndërtojnë rrugë, hekurudha, naftësjellës dhe gazsjellës, ura dhe kabllo interneti ndërmjet kufijve, duke krijuar kështu rrjete qendrash urbane që varen nga njëra tjetra për tregtinë, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.
Burundi, Kenia, Ruanda, Tanzania dhe Uganda kanë krijuar Komunitetin Afrikano Lindor për të bashkërenduar gjithcka, që nga doganat, tek nxitja e investimeve dhe paqebërja. Nëse do të arrijnë të shfrytëzojnë infrastrukturën e financuar nga kinezët për të kapërcyer kufijtë arbitrarë politikë (vijat e drejta, të kudogjendura e të dyshimta në hartë), atëherë mund të shndërrohen në një Bashkim Europian për Afrikën.
Një “rishikim” i shtetit nuk është askund më i nevojshëm se sa në Lindjen e Mesme. Ka një kotësi të analizave të ditës mbi Sirinë dhe Irakun, që nuk arrijnë të rrokin idenë që asnjë shtet nuk ka të drejtën hyjnore të ekzistojë. Një shekull pasi diplomatët francezë dhe anglezë ndanë territoret lindorë të Perandorisë Osmane në mandate të pafuqishëm (dhe jetëshkurtër), shtetet që rezultuan prej asaj ndarjeje po shemben, pa asnjë shans për t’u ringritur.
Bota arabe nuk do të ringjallet në lavdinë e dikurshme deri kur harta të ribëhet, për t’i ngjarë më shumë një koleksioni oazesh autonomë që lidhen mes tyre prej Rrugëve të Mëndafshta të tregtisë. Komunitetet etnikë, gjuhësorë dhe sektarë mund të vazhdojnë të shtyjnë për pavarësi, dhe nuk ka dyshim që palestinezët dhe kurdët e meritojnë. E megjithatë, fragmentimi dhe ndarja e mëtejshme, madje edhe shtetet e rinj sovranë, janë një hap shumë i rëndësishëm në një proces më të gjatë drejt ndërtimit të stabilitetit transnacional mes fqinjëve.
Edhe pse ka një numër në rritje mikro-shtetesh dhe para-shtetesh, një formë e lashtë shteti ka mbetur më e palëkundur se asnjëherë: perandoria. Njëzetë vjet më parë, politologu Samuel Hantington botoi esenë e famshme “Përplasja e Qytetërimeve”. Fjala “perandori” shfaqej vetëm dy herë. Megjithatë, perandori thellësisht të shumëllojshme, dhe jo qytetërime të qartë kulturalisht, kanë qenë gjithmonë forca shtytëse e gjeopolitikës.
Sot, perandori me përmasa kontinentale si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Brazili kombinojnë popullsi të mëdha me burimet financiarë si dhe ambicien për të ndryshuar strukturat e huaja, me qëllim që t’u shkojnë për shtat objektivave të tyre ekonomike dhe strategjike. Ato janë në vetvete para-shtete publik-privat, strategjitë e mëdha të të cilëve kanë të bëjnë më shumë me kontrollin e zinxhirëve të furnizimit me energji dhe në teknologji, se sa pushtimin e territoreve të rinj. Ata mendojnë në terma të prurjes, fërkimit dhe aftësisë manovruese. Prandaj shtete më të dobët duhet të bashkohen në grupime rajonalë, ose do të rrezikojnë të fundosen prej parimit po kaq të lashtë të “përca-dhe-sundo”. Hegeli pohonte dy shekuj më parë se shteti ishte një vepër arti; nuk kishte dy të ngjashëm. Vëzhgimi i tij është sot më i vërtetë se asnjëherë. Megjithatë, pavarësisht formës së tyre, gjeografisë apo regjimit, shtetet janë gjithashtu më të ndërlidhur se kurrë – dhe me shumë gjasa, të tillë do të mbeten.
PARAG KHANNA është autor i ‘‘The Second World: How Emerging Powers Are Redefining Global Competition in the 21st Century’’

Shqipëria, duaje ose lëre!

Nga Gideon Levy
Tiranë, Shqipëri
gideonNjë kopshtar krasit gëmushat dekoruese në oborrin e madh të një ndërtese në rrugën Ismail Qemali. Shtëpia me hapësira të bollshme të kujton vilat në Tel Avivin e viteve 1960, me grila të drunjta,  ballkone të gjera, tri-katëshe, pothuajse e stilit Bauhaus.
Shqipëria nuk di ç’të bëjë me këtë ndërtesë. Shumicën e vitit është e mbyllur për publikun dhe muret kanë zënë myk, por kopshtari vazhdon të punoj, ne oborrin e lënë pas dore.
Kjo ka qenë shtëpia e Enver Hoxhës, i cili udhëhoqi me dorë të hekurt për 40 vjet me rradhë. Kryeministri i sotëm, Edi Rama, thotë që do të donte ta kthente këtë ndërtesë,  në qendër arti, gjë që Hoxha e urrente më shumë se gjithçka. Kjo do të ishte një hakmarrje  e ëmbël për Ramën, një artist që u detyrua të largohet nga vendi i tij, për t’u kthyer si Ministër Kulture, mandej kryetar bashkie i Tiranës, dhe nga  Shtatori i vitit 2013, kryeministri karizmatik e premtues i vendit.
Zyra e Ramës mund të ketë më shumë larmi ngjyrash se çdo zyrë kryeministri në botë. Muret janë zbukuruar me afresket e tij të veçanta. Nuk ndalon kurrë së vizatuari skica, edhe gjatë takimeve  të punës. Skrivania  e tij është e mbushur me lapsa shumëngjyrësh.
Këtë pasdite, ky burrë mbreslënës – mbresëlënës edhe fizikisht, pasi është i gjatë dhe ka luajtur basketboll në rini – duket i rraskapitur. Mbase nuk ka shumë kryeministra që perballen me sfida kaq të ndërlikuara, e njëkohësisht me aq pak mundësi zgjidhjeje.
Rama udhëheq qeverinë socialiste të një prej vendeve më të varfra (Shqipëria zë vendin e 121-të në botë) dhe me më shumë korrupsion (zë vendin e 116-të në botë për vitin 2013, sipas  Transparency International). Shqipëria, e cila ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Roma, vuan një imazh,  qe ndoshta nuk e meriton.  Përmendet vetëm për trafiqe, prostitucion, mafie dhe varferi. Rama e di mirë këtë.
Në hyrjen e banesës së dikurshme të Enver Hoxhës, një shitës ambulant ofron misër të pjekur për pak qindarka. Përballë vilës ndodhet “Kazino Imperial”. Dikur, kjo lagje e quajtur “Blloku”, ishte zonë e ndaluar për publikun e zakonshëm, për dhjetëvjeçarë të tërë tiranie dhe izolimi të pashoq.
Tani, si për të sfiduar ish-udhëheqësin e vdekur, Blloku është kthyer në qendër të zhurmshme argëtimi me dhjetëra bare, restorante e kafene. Por varfëria dhe dëshpërimi vazhdojnë të ndihen pezull në ajër. Ky vend i varfër ka ende shumë për të bërë që t’i shërojë plagët e të shkuarës. Vendi i quajtur dikur “Koreja e Veriut në Europë” ende s’e ka marrë veten nga trauma. Nderkohë vejusha e moshuar e Hoxhës jeton në varfëri, në një ish-pulari.
Vendi që udhëhiqej nga një njeri që ndërtoi 700.000 bunkerë kundër armiqve imagjinarë, ende sot jeton ne perpjekje për të dalë nga  bunkeri mendor. Rama thotë se pengesa kryesore që has vendi është pabarazia midis arsimit dhe arsimimit, dhe mosbesimi që kanë njerëzit ndaj shtetit.  “Edhe një gjerman që në vendin e tij do ta vinte gjithnjë rripin e sigurimit për të ngarë makinën, në Shqipëri do të udhetonte  pa të”, shpjegon Rama
Si kryetar bashkie i Tiranës, Rama ra në sy për shkatërrimin e qindra ndërtesave të paligjshme dhe për lyerjen e pallateve kryesore të qytetit me “ngjyrat e Ramës”, duke i nxjerre nga  shëmtia arkitekturore komuniste. Por Tirana vazhdon sërish të jetë nje qytet i ngathët dhe pa shkëlqim.  Ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri,  zonat malore dhe ato bregdetare ofrojnë bukuri spektakolare, ende të pazbuluar nga turizmi botëror. Ndërsa globalizimi e ka anashkaluar Shqipërinë: këtu nuk ka McDonalds, Ikea apo Starbucks.
Shqipëria është një vend me fe të ndryshme e me shumicë myslimane, por në thelb është laik.Feja nuk shënohet në dokumentet e identifikimit, dhe për shumicën e njerëzve nuk përbën asnjë problem nëse fëmijët e tyre martohen me dikë të fesë tjetër. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria mund të shërbejë si shembull.
Në fakt, heroi kombëtar i Shqipërisë, një figurë e shekullit të 15-të, i ka ndërruar fetë katër herë gjate  gjithë jetës së tij. Poema e parë që mësohet në shkollat e vendit është shkruar nga një poet i shekullit të 19-të, Pashko Vasa, e thotë: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit eshte shqiptaria”. Varrezat janë laike në përbërje, dhe të njëjtat lule plastike zbukurojnë varret e të gjitha feve.
Shumica e shqiptarëve e përshkruajnë veten si te mos i përkasin asnjë feje, edhe pse shumica janë myslimanë Suni ose Bektashinj. Të krishterët janë katolikë ose ortodoksë, me pak protestantë. Vetë kryeministri është pagëzuar si katolik, por e quan veten si njeri që nuk i përket asnjë feje.
Çështjet e Lindjes së Mesme ngjallin pak interes këtu, dhe qëndrimi ndaj Izraelit nis që nga më miqësori e deri tek moskokëçarësi. Një kërkues i ri që punonte për një program televiziv më pyeti nëse palestinezët janë hebrenj. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof.Tonin Gjuraj, tha që e vinte në dyshim faktin që Bregu Perëndimor ishte “territor i pushtuar”.  Ai ka qene ambasador në Izrael.
Disa njerëz gjejn ngjashmëri midis dy vendeve tona;  të dy jemi kombe të vogla e të rrethuara nga armiq – në rastin e tyre, siç mendojn shumë shqiptarë, janë Serbia dhe Greqia. Asnjë hebre nuk u vra gjatë holokaustit në këtë vend, një fakt për të cilin shqiptarët ndihen krenarë edhe sot. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shqipërisë janë të mira, edhe pse Izraeli s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për zhgënjimin e madh të Tiranës.
Industria ushtarake izraelite nuk ka ndonjë treg këtu. Shqipëria e ka shpërbërë një pjesë të mirë te ushtrisë me kërkesë të NATO-s, në të cilën janë bërë pjesë. Vitin që vjen, Shqipëria do të ketë  8500 ushtarë gjithsej, ndërkohë që në pikun e saj ka pasur 80.000. Forcat ajrore janë shpërbërë pothuajse plotësisht, dhe mbrojtjen ajrore të Shqipërisë e kanë në dorë vendet fqinje.
Baza e madhe detare në Pashaliman, në brigjet jugore të Adriatikut, është pothuajse e braktisur. Mbetjet e nëndetëses 105  jane si monument i së shkuares. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shqipëria ishte dalja e vetme e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe.  Shqipëria u tërhoq nga Pakti i Varshavës në fund të viteve 1960, duke u shndërruar në vendin më të izoluar në botë.
Në këtë bazë hymë falë Dritan Hilës, Zëvendës Ministër i mbrojtjes. Hila na tregon me entuziazëm, vendin e tij, bashkë me të shoqen, Rudina Xhunga, e cila drejton një program televiziv prestigjioz në Top Channel ( ku dhashe intervistën që ishte edhe  shkaku i kësaj vizite).
Xhunga e ka vizituar dy herë Izraelin, për të intervistuar shkrimtarët e njohur Amos Oz dhe David Grossman; burri i saj është një mbështetës i hapur i Izraelit dhe i mirëinformuar  për ngjarjet më të fundit atje.
Në fakt, çifti ka të gjithë veprën e  Ozit në apartamentin e tyre të bukur në katin e epërm të një ndërtese në zemer të Tiranës, ku nuk mungojn edhe dy shandanë hebrenj “Hanuka menora”. Ozi duket se eshte  autor mjaft i pelqyer ne Shqiperi.
Në kohën e lirë, zëvendës Ministri i Mbrojtjes bën raki e verë të shkëlqyer që ua dhuron miqve. Të dyjave u ka vënë emrin e vajzës së vogël të çiftit, Alanës.
Rroga e Hilës është rreth 800 euro në muaj. Monedha vendase quhet “Lek” dhe çmimet në rruge janë shumë të lira për një të huaj. Gatimet e detit dhe mishi i pjekur i qengjit janë të shkëlqyera.
Tregu i zi vazhdon të zërë gjysmën e veprimtarisë ekonomike të Shqipërisë, sipas studimeve. Reputacioni i keq ka bërë që të mos ketë shumë investime të huaja, të cilat Shqipëria i kërkon me dëshpërim, edhe pse ofron krah të lirë pune, vetëm një orë fluturimi larg Romës.
Tirana sikur zbehet me rënien e muzgut. Fshatrat në rrethinat e saj zhyten në errësirë të plotë. “Mont Blanc”, një ëmbëlsirë që shërbehet në tarracën e një hoteli në qytetin e Beratit, është tmerrësisht  e ëmbël dhe kushton vetëm një euro.
Shumica e banorëve zgjedhin si formë argëtimi të shëtisin lart e poshtë nëper rrugën kryesore  të këtij qyteti gjithë dritë dhe dritare. Duke udhëtuar sërish për Tiranë,  zëri i këngëtarit izraelit “Asaf Avidan” dëgjohet nga radioja e makinës së zëvendës ministrit, teksa këndon “Love it or leave it”
Regjimi komunist ishte vërtet mizor dhe e shkatërroi shoqërinë shqiptare. Kryeministri Rama thotë: “Për të bërë një revolucion duhen disa orë, por që ta ndryshosh shoqërinë do të duhen dhjetëvjeçarë. Regjimi i mëparshëm premtonte parajsën, por solli ferrin”.
Vete Rama e beson parajsën qe premton. Nuk di sa gjasa ka, ky udhëheqës jo i zakonshëm, ta mbajë fjalen qe i ka dhene kësaj toke të lënduar nga 500 vjet pushtim otoman e 5 dhjetëvjeçarë regjimi komunist.
Për momentin, ai po me shkruan nje dedikim interesant, për albumin e madh të pikturave, titulluar thjesht,  “Edi Rama”.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...