Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/11/27

Vuk Drashkoviq :Pavarësia e Kosovës është realitet



“Vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama është historike. Ndërsa për mosmarrëveshjet eventuale mes Ramës dhe Vuçiqit, nuk ia vlen të flitet fare”, ka thënë për “Deutsche Welle”, Vuk Drashkoviq.
DW: Zoti Drashkoviq, si e vlerësoni vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd: a mund të quhet ajo si një vizitë historike apo mund të thuhet se ky ishte një dështim historik i kryeministrave Rama dhe Vuçiq, për të filluar fazën e afrimit mes dy popujve?
Vuk Drashkoviq: Vizita është e një rëndësie shumë të madhe. Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Beograd dhe bisedoi me kryeministrin e Serbisë. Ai e ka vizituar edhe bashkësinë etnike shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. E ka ftuar kryeministrin e Serbisë për vizitë në Tiranë. Edhe sikur të mos ishin dakorduar asgjë tjetër, vet marrëveshja që të nënshkruhet një marrëveshje për udhëtim vetëm me letërnjoftime të shtetasve të Shqipërisë dhe Serbisë në këto vende, paraqet arritje historike. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shpresoj me rastin e vizitës së Vuçiqit në Tiranë, dhe pas fillimit të zbatimit të saj, jam shumë i sigurt se me dhjetëra e dhjetëra mijëra turistë serbë do të nisen drejt bregdetit shqiptar. Jami i bindur se atje do të shkojnë të rinjtë dhe njerëzit e biznesit. Në mënyrë masive do të nisen drejt Serbisë edhe shqiptarët. Kjo është një marrëveshje e karakterit evropian, që shënon evropeizimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Unë vërtetë nuk dua t’i vërejë shkëndijat që kanë ndodhur mes kryeministrave Rama dhe Vuçiq. Nuk u kushtoj kurrfarë rëndësie dhe ato shpejt do të harrohen.
 
DW: Si e shpjegoni faktin që vet përmendja e pavarësisë së Kosovës nga kryeministri Rama shkaktoi një reagim kaq të ashpër jo vetëm të kryeministrit Vuçiq por edhe të gjitha mediave dhe opinionit në Serbi? Rama në fakt nuk ka thënë asgjë të re, ai vetëm ka përsëritur realitetin që Kosovën e kanë njohur 108 vende -që e di edhe Serbia?
Vuk Drashkoviq: Realitet është që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende. Realitet është që Serbia prej vitit 1999 nuk e ka sovranitet mbi Kosovën. Nuk e ka atje pushtetin juridik, legjilativ dhe ekzekutiv. Nuk i ka atje forcat policore apo ushtarake. Realitet është edhe fakti që Serbia dhe Shqipëria duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se nga 28 vendet anëtare të BE, 23 e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është ana politike dhe këto janë fakte të pakontestueshme. Por realiteti i Kosovës i ka disa kate. Një prej tyre është ai historik, i cili nënkupton që populli serb e përjeton Kosovën ashtu siç parashikon miti dhe epi për Kosovën. Sipas këtij miti, Kosova është themeli shpirtëror dhe kulturor, jo vetëm i serbëve në Seri, por i tërë popullit serb. Realitet është që kur njeriut i amputojnë një dorë apo këmbë, një kohë shumë shumë të gjatë ai i ndjenë këto gjymtyrë dhe ndjenë dhembje shumë të mëdha. E ndjenë gjymtyrën që nuk e ka, që në medicinë quhet dhembje fantome. Realitet është po ashtu që sot në Kosovë ka shumë probleme. Procesi i pajtimit po shkon tmerrshëm ngadalë. Kthimi i serbëve po zhvillohet kaq ngadalë, sa që mund të thuhet se ky proces gati që nuk ekziston fare. Ndërsa realiteti më i ri është Marrëveshja e Brukselit. Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje është ndërprerë. Nuk do të na çojë askund në qoftë se palët e fajësojnë njëra – tjetrën dhe bëjnë gara se kush e ka fajin për mos zbatimin, por fakt është që Marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë.
 
DW: Si njeri me përvojë shumë të gjatë diplomatike, më intereson mendimi Juaj: duke e ditur për këtë “dhembje fantome” të popullit serb për humbjen e Kosovës dhe duke e ditur që kjo vizitë realizohet pas 68 vitesh, a është dashur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ta hapë këtë plagë hapur në vizitën e tij të parë në Beograd, duke kërkuar që Serbia ta njoh Kosovën, dhe si e vlerësoni reagimin e pamatur të Vuçiqit?
Vuk Drashkoviq: Nuk dua të jem këshilltar politik i kryeministrit shqiptar e as i atij serb. Në ditën e Marrëveshjes së Paqes (kur po flasim, 11. 11. 2014.) dua të theksoj se mes Shqipërisë dhe Serbisë kurrë nuk ka qenë më e domosdoshme një marrëveshje e paqes. Serbia dhe Shqipëria kurrë në histori nuk kanë luftuar mes vete. Kjo është një gjë shumë e madhe. Këto shkëndija mes kryeministrave nuk më interesojnë fare. Unë më me dëshirë do të flisja për nevojën e afrimit shumë të shpjet mes dy popujve. Elitave politike të të dy popujve dua t’u dërgoj vërejtje shumë të hidhura, sepse ato kanë mbetur shumë mbrapa dëshirës së popujve shqiptarë dhe serbë për pajtim dhe bashkëpunim. Unë kam qenë në Shqipëri dy herë. Për herë të parë në vitin 2004 dhe jam bindur se shumica dërmuese e popullit shqiptar, gati të gjithë, duan të kenë një bashkëpunim të gjithanshëm me popullin serb. Edhe këtu në Serbi shumica e popullit është absolutisht për bashkëpunim. Ne duam të kemi raportet më të mira të mundshme edhe me Prishtinën, sepse vetëm kështu mund të mbrojmë popullin serb në Kosovë -sipas standardeve më të larta evropiane dhe mbi bazën e Planit të Ahtisarit, i cili duhet të zbatohet në tërësi. Dua në veçanti të nënvizoj: kur si ministër i Jashtëm kam qenë për vizitë në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2004 , kam qenë shumë i prekur me pritjen e mirë atje. Më kanë pritur edhe presidenti i vendit Alfred Mojsiu dhe kryeministri Fatos Nano. Kam pasur edhe një intervistë më të gjatë se një orë në televizionin shtetëror. Ngjashëm është pritur në Beograd edhe ministri i atëhershëm i Jashtëm Kastriot Islami. Raportet e ngrira në vitin 1948 janë shkrirë për herë të parë me këto vizita.
 
DW: Pasi që po bisedojmë në ditën e Marrëveshjes së Paqes: a besoni në paqe dhe pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë?
Vuk Drashkoviq: Ky proces nuk mund të ndalet. Edhe pse ende ka shumë njerëz në Serbi që tani nuk e fshehin fare se edhe sot e bartin kaponë e Sllobodan Millosheviqit dhe regjimit të tij të dikurshëm, i cili mbanë përgjegjësinë historike për rrënimin e ish-Jugosllavisë, për luftërat e përgjakshme. Millosheviqi dhe ky regjim e mbajnë përgjegjësinë historike për të gjitha që kanë ndodhur në Kosovë. Sot është një realitet që pavarësinë e Kosovës e njohin 108 vende të botës, që është shumë më shumë se gjysma e anëtareve të OKB. Për këtë nuk e mbanë përgjegjësinë Edi Rama, Angela Merkel apo Vlladimir Putin. Fajin e ka Sllobodan Millosheviqi, i cili i ka prirë një rendi retrograd, të mbrapshtë dhe nuk e ka kuptuar kur para 25 vitesh se Muri i Berlinit është rrëzuar. Por, për fat të keq, edhe sot kemi tepër njerëz në elitën tonë shpirtërore, në media dhe në nivele të ndryshme të pushtetit, të cilët ende i mbajnë kapotë e Millosheviqit.
 
DW: Pse nuk është çrrënjosur kjo politikë e mbrapshtë e Millosheviqit?
Vuk Drashkoviq: Para së gjithash për shkak se këtu nuk janë çmontuar themelet e regjimit komunist, armikut më të madh të popullit serb. Këtu kanë mbetur të paprekura, të pa reformuara dhe pa lustrurara hordhitë e vdekjes, shërbimi i sigurimit shtetëror. Nuk janë hapur dosjet sekrete që nga viti 1945 e deri më sot. Kjo është një hidër, që i ka kthetrat e veta në të gjitha strukturat: në institucionet e shtetit, në media, në institucionet shpirtërore. Kthetrat e saj janë të helmuara me urrejtje ndaj Evropës, ndaj Perëndimit dhe ndaj fqinjëve tanë. Këta janë njerëz të cilët e shfrytëzojnë çdo rast për të ripërtërirë të keqen, sepse vetëm nga e keqja përfitojnë. Ata jetojnë nga e keqja dhe urrejtja.
 
DW: Po pse pra Vuçiq dhe Daçiq, të cilët sot hiqen si evropianë, nuk e kanë çrrënjosur këtë të keqe, këto shërbime të vdekjes, të cilat i kanë sjellë kaq shumë të këqija, jo vetëm Serbisë por edhe vendeve të rajonit?
Vuk Drashkoviq: Kryeministri Vuçiq i ka bërë disa hapa historik strategjik. Në radhë të parë dua të nënvizoj Marrëveshjen e Brukselit, që është një përballje shumë e guximshme me plagën e Kosovës. Shumëkush në Serbi e ka mallkuar për këtë Marrëveshje. Njerëzit kanë demonstruar në sheshe kundër tij. Peshkopët këtu i janë lutur Zotit për vdekjen e Vuçiqit. Ata edhe më tej shpresojnë se Marrëveshja e Brukselit nuk do të realizohet dhe se Serbia dhe Ballkani do të shndërrohen sërish në një shesh të së keqes dhe fatkeqësive. Hapi i dytë i madh i Vuçiqit është përcaktimi për rrugën proevropianetë dhe perëndimore të Serbisë. Dhe hapi i tretë i madh i Aleksandar Vuçiqit është raporti ndaj fqinjëve, sepse ka shkuar në Zagreb dhe Sarajevë, atje ku deri dje është derdhur gjak. Gjithandej ka bartur mesazhin e paqes dhe dorën e shtrirë të Serbisë për bashkëpunim, pajtim dhe evropiezimin e Ballkanit. Ndaj po e përsëris: marrëveshja mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë për udhëtime vetëm me letërnjoftime është një marrëveshje që çon drejt evropeizimit të Ballkanit. Por asnjë prej këtyre marrëveshjeve nuk mund të realizohen nëse në Serbi vazhdojnë të dominojnë strukturat komuniste, nëse nuk reformohet shërbimi sekret i shtetit dhe nuk hapen dosjet. Duhet të hapet libri i zi i krimeve, plaçkitjeve, shantazheve, prodhimit të urrejtjes dhe vrasjes morale të kombit serb. Këtë mund ta bëjmë vetëm me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Mungesa e reformimit të shërbimeve të sigurisë në Serbi, është epiqendër e shantazheve të rrugës evropiane jo vetëm të Serbisë por edhe rajonit. Kjo hidër me mijëra koka është edhe rreziku më i madh për vet Vuçiqin.
 
DW: Ti kthehemi edhe një herë çështjes së Kosovës: Ju theksuat se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është një proces i pandalshëm. Por në Beograd ende ka ide për ndarjen e Kosovës, apo mendoni se kjo ide është tejkaluar?
Vuk Drashkoviq: Nuk dua të flas për gjëra që janë plotësisht jashtë realitetit dhe normalitetit. Kjo punë ka përfunduar. Thjesht, fuqitë e mëdha nuk lejojnë ndryshimin e kufijve të jashtëm, sepse kjo do të shkaktonte efektin domino. Ndaj Ballkani duhet të evropeizohet. Duhet vënë pikë në këto iluzione dhe duhet t’i zgjidhim problemet sa më parë. Evropa na ka dërguar mesazhin e qartë: së pari duhet të bëheni Evropë e pastaj mund të futeni në Evropë. Ndërsa ajo po na ndihmon. Pse të mos merremi vesh që në Ballkan të aplikojmë standardet evropiane për kufij. Duhet t’i heqim kufijtë dhe të lejojmë kalimin e lirë të njerëzve dhe mallrave – të krijojmë një hapësirë unike ekonomike.
 
DW: Do të thotë, ndarje të Kosovës nuk ka?
Vuk Drashkoviq: Kjo ide është e parealizueshme tani. Ndoshta dikur edhe unë kam menduar se më së lehti do të ishte sikur të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit për ndarjen e Kosovës. Por kjo më nuk është e mundur. Serbia dhe Kosova janë vetëm dy kashta të vogla në mesin e plepave shtatlartë. Për fatin e botës vendosin të mëdhenjtë. Kështu ka qenë gjithmonë.
 
DW: Zoti Drashkoviq, këtu në Beograd, por edhe në Prishtinë dhe në Tiranë, shpesh flitet për krijimin e shteteve të mëdha: Serbisë së madhe, Shqipërisë së madhe etj. Çfarë mendoni ju për këto ide?
Vuk Drashkoviq: Mitin për një Serbi të madhe ne e kemi paguar me gjak dhe për këtë shkak kemi përjetuar humbje të tmerrshme. E kemi turpëruar veten, gjeneratat e ardhshme dhe historinë tonë. E kemi pasur ne Serbinë e madhe – në Jugosllavi. Në Jugosllavi e kemi pasur edhe Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e madhe. Nuk duhet ta fajësojmë askënd tjetër për vendosjen e barotit nën shtëpinë tonë, për ndezjen e këtij baroti dhe larjen me gjak të shtëpisë sonë. Kjo gjeneratë e kë bërë këtë dhe e ka hedhur mbi vete mallkimin historik. Njerëzit e rinj, idetë e reja duhet t’i kthehen të ardhmes. Duhet t’i mënjanojmë sa më parë të gjitha mosmarrëveshjet dhe urrejtjen. Asnjë armiqësi nuk është fituar me armiqësi, por vetëm me miqësi. Në historinë tonë shqiptaro-serbe kemi shumë shembuj që kemi ndihmuar njëri-tjetrin, si për shembull në kohën e luftërave ballkanike, kur ushtria serbe dhe Esad Pasha janë ndihmuar mes vete. Kurdo që shkoj në varrezat serbe në Paris, unë i marr me vete dy buqeta lulesh: një për ushtarët serbë që kanë rënë atje dhe tjetrën për Esad Pashën, i cili ka vdekur në spitalin ushtarak në Paris dhe me dëshirën e tij është varrosur në mesin e ushtarëve serbë. Po nënën ja kajsha: pse nuk i përmendim këto raste të ndritshme, pse nuk i marrim ato si shembull, por gjithmonë i nxjerrim rastet negative.
 
DW: Raste të ndritshme me siguri që ka pasur në histori, por ne duhet të gjejmë rrugë për të tejkaluar tmerret e fundit të viteve 90-të, kur forcat serbe i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre gati një milion shqiptarë të Kosovës dhe i kanë vrarë me mijëra e mijëra burra, fëmijë dhe gra. Si ta zgjidhim këtë problem?
Vuk Drashkoviq: Unë nuk shoh rrugë tjetër vetëm që t’i drejtohemi BE për ndihmë, para së gjithash Gjermanisë, që sa më parë në Serbi të fillohet me çmontimin e shërbimeve të së keqes dhe krimineve. Të hapet libri i të keqes dhe të marrim vesh të vërtetën e cila me siguri do të jetë e hidhur, e tmerrshme. Por çdo ilaç është i hidhur. Përmes të vërtetës duhet të shërojmë rrenat, vetëm kështu mund ta shërojmë veten nga vetja jonë.
 
DW: A është e domosdoshme që në këtë rrugë të shërimit Serbia ta njoh edhe pavarësinë e Kosovës?
Vuk Drashkoviq: Të tilla janë qëndrimet e BE, të cilat janë thënë shumë qartë. Nuk kam çfarë të shtoj. Por zbatimi pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit dhe zbatimi i Planit të Ahtisarit do të ulin tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Në Planin e Ahtisarit jepen garanca për kishat serbe, për pasurinë dhe kthimin e serbëve në Kosovë. Pasi që ne këtu në Serbi, ende e trajtojmë Ahtisarin si antiserb, si armikun numër një, dhe pasi që propaganda ka bërë që shumica e serbëve të besojë në këto të pa vërteta, atëherë duhet të pranojmë të paktën zgjidhjet që nuk kanë të bëjnë me statusin. Në shpjegime mund të thuhet se Serbia për shkak të statusin nuk do të hapë ambasadë në Prishtinë. Por kjo i hapë rrugën tregtisë, bashkëpunimit dhe shkëmbimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. I hap rrugë tejkalimit të hijeve dhe pengesave në raporte. Mendoj se më kuptuat.
 
DW: E kuptoj që nuk mund ta thoni hapur se duhet të njihet pavarësia e Kosovës, por si i shihni ju raportet e ardhshme në Ballkan?
Vuk Drashkoviq: Pyetje shumë e rëndë. Pas Krishtit dhe Muhamedit më nuk ka më profetë. Por kam frikë se e ardhmja e Ballkanit vendoset sot në Ukrainë. Normalizimi i plotë i gjendjes në Ballkan varet nga raportet mes BE dhe Rusisë. Këto raporte do të reflektohen edhe tek ne.
 
DW: Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin është pritur në Beograd me nderimet më të larta. Të shumtë janë ata që thonë se influenca e Rusisë në Serbi është tepër e madhe. Kjo me siguri që pengon edhe rrugën e Serbisë drejt BE?
Vuk Drashkoviq: Unë e dua Rusinë. Dua të jetë e fuqishme, më e fuqishmja. Por Rusia mund ta arrijë këtë vetëm në bashkëpunimin më të ngushtë me BE-në dhe Perëndimin dhe jo në konflikt me to. Unë shpresoj që Rusia dhe Perëndimi do t’i kthehen bashkëpunimit. Strategjia e Moskës nuk duhet të jetë krijimi i një Rusie që ia kanë frikën të gjithë, por i një Rusie që e respektojnë të gjithë. Më vjen mirë që edhe Perëndimi ka pranuar se ka bërë gabime të mëdha ndaj Rusisë. Shpresoj normalizimin e raporteve mes tyre. Ndryshe, nëse vendoset një mur i ndarjeve në Ukrainë, edhe këtu do të kemi destabilizime të mëdha – në Bosnje, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Akush nuk do të kursehet.
 
DW: Në ç’drejtim po shkon Serbia sot?
Vuk Drashkoviq: Në Perëndim jetojnë dhe punojnë sot më shumë se katër milionë serbë. Do të thotë: qëllimi strategjik i Serbisë është orientimi drejt Evropës dhe Perëndimit. Ne edhe sikur të donim të bëhemi pjesë e ndonjë uninoni ruso-aziatik, nuk mundemi. Nuk jemi zogj të fluturojmë. Këto gjëra ka mundur t’i mendojë vetëm Millosheviqi në kohën e tij. Ne jemi të rrethuar me vendet e BE dhe NATO-s. Pra unë dua që të kemi raporte sa më të mira me Rusinë, por treni serb duhet të shkojë drejt Perëndimit. 

Ribotohet vëllimi i parë i revistës “Zani i Naltë”



Në Prishtinë  kohë më parë  është promovuar ribotimi i vëllimit të parë të revistës “Zani i Naltë”, botim i Komunitet Mysliman të Shqipërisë.
Në këtë manifestim, i cili u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame, qenë të pranishëm prijësit më të lartë të tri komuniteteve islame shqiptare, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder ef. Bruçaj, Reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejam ef. Rexhepi si dhe nikoqiri, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në kujdesin e të cilit u mbajt ky aktivitet.
Pasi i përshëndeti të pranishmit që qenë në numër të konsiderueshëm, përfshirë këtu personalitetet e shquara nga bota akademike, kulturore e fetare nga të gjitha trojet tona, myftiu Tërnava përgëzoi KMSH-në për punën që ka bërë me ribotimin e vëllimit të parë të revistës “Zani i Naltë”, në të cilin është përmbledhur botimi i tre vjetëve të para 1923-1925. 
Për qëllimin dhe objektivat që kishte revista si organi i parë zyrtar i KMSH-së në gjuhën shqipe, Myftiu tha: “Misioni i revistës ‘Zani i Naltë’ ishte hapja e rrugës dhe krijimi i hapësirës së duhur për emancipimin, përparimin dhe edukimin e drejtë e të duhur të masës së gjerë. E konceptuar si revistë fetare islame, ajo këtë mision madhor e kreu me sukses. Mirëpo, ajo nuk ngeli në kuadër të një reviste thjesht fetare, por shumë shpejt ‘Zani Naltë’ u shndërrua në një tribunë të mendimit fetar, filozofik, kulturo e atdhetar, ku rreth vetes mblodhi penat më të njohura të kohës, të cilët nëpërmjet faqeve të kësaj reviste, u ofruan lexuesve kontribute nga disiplinat fetare islame dhe artikuj e studime të ndryshme me karakter filozofik, shkencor, historik, shoqëror, arsimor e kulturor, që i dhanë vlerë dhe e shquan këtë revistë nga të tjerat”, është shprehur Tërnava. 
Kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, përveç të tjerash, tha se “revista ‘Zani i Naltë’ u themelua në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923 deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë revistë gjatë gjithë periodikut të saj vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të shkrimeve të tyre”.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sylejman Rexhepi, ka thënë se “revista ‘Zani i Naltë’ ka qenë dhe mbetet edhe sot që luan rolin e vet në shtimin e diturisë dhe emancipimin e popullit shqiptarë”.
Referatin vlerësues gjithëpërfshirës për historikun, rolin, veprimtarinë dhe rëndësinë që ka luajtur revista “Zani i Naltë” në ngritjen e vetëdijes kombëtare e fetare e mbajti Resul ef. Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i BIK, i cili, përveç të tjerash, tha: “Përmbajtja e këtij vëllimi që po e promovojmë sot, sikundër edhe gjithë numrat e ‘Zanit të Naltë’, paraqet një punë të shkëlqyer që ngërthen në vete vlera shumëdimensionale si në aspektin kombëtar, fetar, kulturor, edukativ e historik. Kjo, sikurse shihet edhe në editorialin e numrit të parë të kësaj reviste, kishte qenë edhe qëllimi i drejtuesve dhe botuesit të kësaj reviste, ku thuhet se ‘Zani i Naltë’ ka për qëllim: "...M'ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume..., si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni". Kjo me qëllim që, sikurse thuhet aty, "Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë". Që nga numri i parë e deri në numrin e fundit që doli në vitin 1939, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” i mbeten besnikë dhe i kultivuan këto parime të shenjta e madhore.
Ndërkaq, drejtori për kulturë pranë KMSH-së, Genti Kruja, u shpreh se aktivitete të tilla si ky i sotmi marrin një rëndësi të veçantë për arsye se tregojnë edhe një herë para mbarë opinionit publik, se rruga jonë është dhe duhet të jetë gjithmonë rruga e dijes dhe e urtësisë, e librit dhe e kulturës, si një hallkë lidhëse dhe e vazhdueshme në zinxhirin e hapave dhe gjurmëve që na lënë hoxhallarët dhe dijetarët tanë të urtë e të ditur, paraardhësit dhe prijësit tanë myslimanë, të cilët ishin edhe plejada e fundit e rilindësve shqiptarë, të cilët me përkushtimin, devotshmërinë dhe punën e tyre bënë që ne sot, pas shumë vështirësive, luftërave dhe persekutimeve nga më të egrat që ka parë shekulli XX, të trashëgojmë një pasuri të rrallë kulturore dhe studimore siç është edhe “Zani i Naltë”, një zë kumbues i së vërtetës së pandryshueshme dhe së përhershme të dijes dhe mesazhit që ai përcjell, nën dritën e pashtershme të fjalës së parë hyjnore të librit të fundit qiellor “Lexo”.
Prijësit e tri bashkësive fetare islame shqiptare shprehen gatishmërinë që bashkërisht ta ribotojnë komplet kolonën e “Zanit të Naltë” në 10 vëllime. 
Të pranishmit në këtë aktivitet ndoqën edhe filmin dokumentar "90 vjet Zani i Naltë" të përgatitur nga produksioni i KMSH-së.

Kur nuk kuptohet as titulli i studimit!



Disa fjalë për shkrimin e Nuhi Ismajlit “Vepra që konteston Gjon Buzukun”, botuar në gazetën “Epoka e re”, e shtunë, 25 tetor 2014, f. 16 - 17
Anton Nikë Berisha


Kozencë, nëntor 2014
 
Në shkrimin e vet “Vepra që konteston Gjon Buzukun” Nuhi Ismajli merr në vështrim studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku, të botuar sivjet në Prishtinë nga “Faik Konica” (dhe në Kozencë nga Comet Editor Press).
Është e drejtë e secilit të shkruajë e t’i vlerësojë veprat e të tjerëve, qoftë për t’i ndriçuar vlerat ose për t’i theksuar mangësitë dhe lëshimet. Megjithatë, kur dikush vendos ta vlerësojë e ta gjykojë veprën e tjetrit, është e nevojshme që shkrimi të dëshmojë se autori e njeh, qoftë edhe në një rrafsh të përvuajtur, lëndën - materien për të cilën shkruan dhe shfaq mendimet e veta. Përndryshe, siç thuhet, punët i merr lumi.
Së pari e falënderoj Nuhi Ismajlin që e lexoi studimin tim kushtuar veprës së parë të botuar në gjuhën tonë që njohim deri më sot – “Mesharin” e Gjon Bdek Buzukut dhe bëri një shkrim për të. 
Duke e lexuar me kujdes shkrimin e Nuhi Ismajlit u binda se ai nuk e lexoi me vëmendje studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku dhe se e vlerësoi atë pa e njohur mirëfilli veprën e Buzukut dhe as një pjesë, qoftë dhe të vogël, të studimeve kushtuar asaj. Së paku të kishte lexuar me vëmendje mendimet e autorëve më të shquar që janë marrë me veprën e Buzukut, që unë i citoj në studim, ku kam sjellë mendimet më qenësore për këtë vepër, të shoqëruara me mbi 100 fusnota (prej gjithsej 205 sa janë në studim). Nuhi Ismajli 8  (tetë) herë thekson se disa nga dukuritë që i kam trajtuar unë i paskëshin trajtuar para meje të tjerët. Nuk e di se a i ka lexuar ai mendimet e të tjerëve që bëjnë bazën e studimit tim dhe nuk e di se i ka parë fusnotat me faqet dhe burimet përkatëse nga janë marrë ato tekste (edhe tekste të përkthyera nga italishtja që sillen për herën e parë në shqip)?
Në studimin tim unë jo vetëm që nuk e kontestoj Gjon Buzukun e veprën e tij, po duke filluar nga titulli (që e kam vënë me qëllim ashtu) e deri në fjalinë e fundit dëshmoj të kundërtën – e ngrit Buzukun si autor – shtjellues i lëndës së përfshirë në veprën “Meshari” dhe ndriçoj disa përbërës dhe vlera që dëshmojnë se Buzuku nuk ishte vetëm përkthyes i veprës së njohur me titullin “Meshari”, po dhe autorë i disa pjesëve origjinale të përfshira – botuara në të dhe se ishte zgjedhës – shtjellues i lëndës së teksteve përkatëse të marra nga Bibla dhe literatura përkatëse liturgjike. Pos të tjerash kam shqyrtuar edhe përkthimin e Psalmit 130, që në veprën e Buzukut botohet në tri variante përkthimi. Nga krahasimi i vëmendshëm vërehen ndryshime të dukshme, edhe në leksik, mes teksteve të përkthyera.
Unë nuk e kam thënë e as që më ka shkuar ndonjëherë në mendje se “Meshari” është vepër origjinale e Buzukut. Kush mendon kështu nuk ka lexuar qoftë dhe një faqe të veprës së Buzukut e as nuk i njeh tekstet që janë përfshirë në të, ku në shumicën e rasteve janë dhënë burimet nga janë marrë ato, fjala vjen, pjesë nga Libri i Izaisë, pjesë të Psalmeve, të Këngës së këngëve (nga Bibla e Vjetër) ose pjesët nga ungjijtë ose nga letrat e Shën Palit (nga Bibla e Re) etj. E kam thënë në studimin tim se në librin “Meshari” ruhet një drejtpeshim i pazakonshëm i teksteve të marra nga Besëlidhja e Vjetër e nga Besëlidhja e Re.
Nuk e shoh të udhës të merrem me vlerësimet e Nuhi Ismajlit për studimin tim kushtuar veprës së Buzukut, me “kundërthëniet” që i paskësh vërejtur ai në të, ose “një kaos mendimesh” për arsye se ato mbesin vetëm pohime, pra nuk argumentohen dhe nuk prekin qenësinë e kërkimeve të mia dhe argumentimet që kam sjell në studimin tim. 
Megjithatë, po veçoj disa mendime të shkrimit të tij, që tregojnë për rrafshin dhe natyrën e vetë shkrimit, përkatësisht dëshmojnë në mënyrë të qartë sa autori i njeh çështjet për të cilat shkruan. 
Nuhi Imajli thotë se studimit tim i prin një Parathënie, edhe pse atij i prin Fjala paraprake. Mos kjo është “rrëshqitje” e rastit e leximit dhe e përqendrimit? Po ashtu ai shkruan se në fund të studimit tim për veprën e Buzukut është një recension i shkruar nga prof. dr. Zeqirja Neziri. Nëse Nuhi Ismajli nuk di (nuk është në gjendje) të bëjë dallimin midis recensionit dhe pasthënies, atëherë nuk duhet të merret me çështje që kërkojnë shumë më tepër dije. 
Të shkruash: “Kështu, p.sh. sipas tij (A. N. Berishës – v. ime) Buzuku nuk është autor i vetëm i teksteve të veprës së tij” dhe “ndërhyrja e autorit (Buzukut – v. ime) në tekstet që përkthen dhe praktika e përthimit të lirë”, domethënë t’i ngatërrosh punët kryesore të veprës së Buzukut dhe të mos kesh lexuar asnjë punim të mirëfilltë kushtuar kësaj vepre. 
Në studimin tim në asnjë vend s’kam bërë fjalë për prirjet krijuese të Buzukut e për origjinalitetin krijues të tij si autor. Kjo çështje nuk ka qenë objekt i studimit tim. Kam argumentuar me disa përbërës se ai është hartues – shtjellues i veprës së njohur me emrin “Meshari”, siç ndodh me zgjedhjen ose antologjitë e llojeve të ndryshme dhe i kam sjellë në formë të vargjeve katër poezitë e tij.
Nuhi Ismajli në shkrimin e vet thotë “askush nuk mund të mohojë edhe faktin se vepra e Buzukut është edhe vepër e përkthyer”. Kush thotë këtë mendim për “Mesharin” e Buzukut nuk njeh as shkronjën e parë të kësaj vepre e as të studimeve të deritashme që janë bërë për të, natyrisht as që e ka kuptuar qenësinë e studimit tim.
E të njëjtit rrafsh dhe “vlerë” është edhe pohimi i Nuhiut rreth Psalmit 130 dhe tri varianteve të përkthimeve, që unë i kam krahasuar: “duhet të pranojmë (autori gjithnjë flet në shumës!) edhe mundësinë e krijimit të të tri varianteve të ndryshme prej atij vetë (prej Buzukut – v. ime), siç ndodh zakonisht me krijuesit e ndryshëm” dhe “Kështu variantet e Ps. 130 në veprën e Buzukut janë si variante të krijimeve të çdo krijuesi”.
Me këto dy mendime autori i shkrimit “Vepra që konteston Gjon Buzukun” ka dëshmuar se jo vetëm nuk njeh as në mënyrë më të përvuajtur Biblën dhe qenësinë e psalmeve, po ngatërron dhe gjërat themelore të “Mesharit”. Buzuku (e jo vetëm ai) nuk shkroi psalme dhe ato nuk mund të jenë krijime të Buzukut, as më pak Psalmi 130 në formën që botohet në veprën e tij. 
Nuhi Ismajli shkruan: “Po kështu A. N. Berisha duke interpretuar Pasthënien, siç thotë në dritën e Psalmit 130 (f. 9), i mohon Buzukut autorësinë dhe veprën e tij e konsideron vepër të disa autorëve, ndërkaq, siç u theksua edhe më sipër, vetë Buzuku në Pasthënie dëshmon të kundërtën, se është autor i vetëm i veprës së tij”. 
Nuhiu nuk di të bëjë dallimin kur flet për veprën e Buzukut si “vepër të disa autorëve” (sic!) dhe “është autor i vetëm i veprës së tij” (sic!) dhe të kuptojë mundësinë që në veprën “Meshari” Buzuku të ketë përfshirë edhe përkthimin e ndonjë autori tjetër.
Edhe atyre që kanë lexuar pak gjëra për veprën e Buzukut edhe ky mendim i Nuhiut do t’iu mjaftonte të sillnin përfundimin se njohuria e tij për veprën e parë të botuar në gjuhën tonë (e jo vetëm për të) është e rrafshit të ulët. Buzuku në asnjë vend nuk thotë se është autor i veprës, po flet për botimin e saj. Nëse i ngatërrojmë edhe këto dy çështje krejt të ndryshme, atëherë nuk të mbetet gjë të mos thuash për veprën e Buzukut.
Se njëmend Nuhi Ismajli i ka bërë një lexim sa për sy e faqe dhe se as gjërat themelore nuk ka mund t’i dallojë në tekstin e studimit tim, dëshmon edhe ky mendim i tij: “Në veprën ‘Meshari’ – vepër...”, të A. N. Berishës ka edhe shumë çështje të tjera të papeshuara mirë, si edhe pohimi se ‘Po botojmë për herë të parë, tekstet e plota të katër poezive origjinale të Gjon Buzukut’ (f. 46), pohim ky sikur të ishte fjala për poezi të panjohura e të pabotuara më parë”.
I dashur Nuhi, po ky është mendim i studiuesit Moikom Zeqo, që përcillet edhe me variantet e katër poezive të tejshkruara nga ai në gjuhën tonë standarde. Çështja e citimit të mendimeve në thonjëza është dukuri që mësohet në shkollën fillore! Të merresh me punë të ndërliqshme sikur është vepra e Buzukut, “Meshari”, është punë e rrafshit tjetër dhe kërkon shumë më tepër dije e përkushtim sesa dukuritë e rëndomta sikur funksioni i thonjzave. Nëse Nuhi Ismajli në shkrimin e vet nuk është në gjendje të dallojë (ose nuk di) edhe një çështje të tillë të thjeshtë, atëherë s’kam asnjë arsye t’u kushtoj më tej kujdes pohimeve të tij.

SHTATË DEKADA BIBLIOTEKË



Berat Armagedoni
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dje (e martë) ka shënuar 70-vjetorin e themelimit. Në këtë ditë kremte, përveç marrjes pjesë të drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, të ambasadorit të Çekisë e të Sllovenisë, përfaqësuesit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Xhefri Xhejmisën, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, të veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ishin edhe shumë miq të bibliotekës, dashamirë të librit, krijues, punëtorë, profesorë universitarë, drejtorë të institucioneve e studentë. Fjalë rasti rreth themelimit dhe zhvillimit të kësaj biblioteke kanë lexuar: Bedri Zyberaj, drejtor i BKK-së, Sali Bashota, kryetar i këshillit drejtues të BKK-së, Veton Firzi, sekretar i përgjithshëm i MKRS-së, fjalimet e të cilëve gazeta i boton të plotë. 
Në këtë vit jubilar ky institucion ka nderuar me mirënjohje bacë Adem Demaçin, “për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin e çështjes shqiptare dhe qëndrimin vetëmohues ndaj saj”; Ukshin Hotin “për kontributin e veçantë në historinë e mendimit politik shqiptar” e Rexhep Qosjen “për kontributin e veçantë dhënë në fushën e studimeve albanologjike dhe për meritat e jashtëzakonshme për afirmimin dhe mbrojtjen e kulturës e të çështjes shqiptare”. 
Mirënjohje kanë marrë edhe dy institucione të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit. 
Po me mirënjohje, “për ndihmën e vazhdueshme e të gjithanshme dhënë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, BKK-ja ka nderuar edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Mirënjohje BKK-ja i ka dhënë edhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë “për kontributin profesional dhe angazhim të frytshëm për forcimin e bashkëpunimit kulturor e shkencor mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”. 
Gjithashtu, në këtë 70-vjetor, “për kontributin profesional bibliotekar, për bashkëpunimin e frytshëm për realizimin e veprimtarive të përbashkëta e për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit kulturor e shkencor mes BKSh-së e BKK-së”, BKK-ja ka nderuar me mirënjohje Etleva Domin, të bijën e studiuesit të zellshëm të gjuhës shqipe, Mahir Domi. 
Me mirënjohje është nderuar edhe ish-drejtori i BKK-së, profesor Sali Bashota, i cili për një dekadë të punës sa ishte drejtor i saj, është thënë të ketë “dhënë kontribut të pandalshëm për kohë të gjatë, për shtrirjen e miqësisë mes bibliotekave kombëtare e për zhvillimin e pasurimin e fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’.
Mirënjohje i është dhënë edhe Shoqatës së Miqësisë Kosovë - Rumani si “Dora d’Istria”, me motivacionin “për donacionin e çmuar me koleksione të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhuruar BKK-së”.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, si në çdo ditëlindje të saj, ka dhënë mirënjohje edhe për punonjësin e dalluar. Këtë vit mirënjohje i është dhënë zonjës Zize Kraja, me motivacion “për punën e palodhshme e kujdesin e jashtëzakonshëm për ruajtjen e fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani”’. Edhe Ajshe Sylejmanit, punonjëse e këtij institucioni, e cila dje (e martë) ka pasur ditën e fundit në punë në këtë institucion, pasi sot (e mërkurë) mbush 65-të vjet, është nderuar me mirënjohje nga BKK-ja. Ndërkaq, “mirënjohje postmortum” BKK-ja u ka dhënë ish-punonjësve shumëvjeçar të saj: Sanije Dajçit, Jetish Kadishanit dhe Tefik Abdylit, të cilët, ende pa dalë në pension, kanë ndërruar jetë. 
Në këtë ditë, për nder të 70-vjetorit të këtij institucioni, është hapur edhe “Ekspozita e koleksioneve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, në të cilën janë paraqitur 70 libra të vjetër dhe të rrallë të kësaj periudhe. 

Një emër me të cilin mburreshim dhe mburremi



Veton Firzi*
Edhe në ditë të zakonshme ardhja në Bibliotekën Kombëtare është gjithmonë ndjenjë e veçantë. Është ai moment kur njeriu shesh rrugëtimin e popullit nëpër vite dhe natyrisht vizionet tona për të ardhmen. Biblioteka Kombëtare, bashkë me komponentin Universitar, për këto shtatë dekada ka rrëfyer dhe ruajtur momentet e ecjes sonë dhe u ka dhënë dritë qëllimeve tona. Për më tepër, ky institucion ka qenë pjesë e krenarisë sonë, e vlerave tona të mirëfillta dhe emri me të cilin gjithmonë me mburrje u jemi prezantuar të tjerëve.
Dua ta shpreh mirënjohjen e MKRS-së për çdo individ, çdo institucion që ka kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë. Andaj, urime për këtë përvjetor!
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në dy vjetët e fundit ka pasur ndër prioritetet e saj rritjen e mbështetjes për librin, publicistikën dhe për bibliotekat. Për këtë ne tashmë kemi rritur buxhetin dhe zhvilluar idetë e përkrahjes që jep shteti në këtë drejtim. Përveç formës së mbështetjes për botimin e titujve të ri të librave, Ministria do të ndajë fonde të veçanta për blerjen e librave dhe shpërndarjen e tyre në bibliotekat komunale.
Natyrisht se, për t’i lëvizur gjërat përpara, shpesh duhet një bazë e mirë ligjore. Vitin e kaluar kemi miratuar Ligjin për Bibliotekat, dokument ky që tashmë po sjell ndryshimet praktike dhe parasheh edhe një hap tjetër të rëndësishëm të zhvillimit të bibliotekarisë në Kosovë. Pra, ne tashmë kemi Bibliotekën Kombëtare, që është një institucion i Ministrisë së Kulturës. Jo pak sfida na kanë përcjellë deri tash në funksionimin e bibliotekës. Të gjitha këto varen nga puna që ne bëjmë. Shfrytëzoj rastin të them se Biblioteka Kombëtare meriton një trajtim të veçantë, të dinjitetshëm. Biblioteka Kombëtare duhet të jetë një institucion i ruajtjes së historisë sonë, i kultivimit të dijes dhe një institucion përfaqësues dinjitoz. Këto ne i arrijmë nëpërmjet bashkëpunimit qëllimmirë dhe me synimin që këtë institucion ta ngrehim në nivel të lartë.
MKRS-ja garanton se do të jetë gjithnjë në përkrahje të menaxhmentit të Bibliotekës Kombëtare, duke luajtur gjithmonë vetëm rolin e lehtësuesit, për kushte më të mira të punës, për pasurimin e fondit dhe për lidhje të bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare simotra. Ne tashmë për këtë vetëm se kemi filluar angazhimet. 
Duke ju falënderuar edhe një herë të gjithë juve që keni kontribuar për zhvillimin e bibliotekarisë në Kosovë, ngritjen dhe zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare, u pafshim në ditë edhe më të mira. Ju faleminderit!
 
(Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit)

70 vjet veprimtari



Bedri Zyberaj*

Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur sot këtu ta kujtojmë të kaluarën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe ta shënojmë e ta festojmë 70-vjetorin e këtij tempulli të dijes e të kulturës së vendit tonë, i cili ka rrënjë edhe mes jush.

Ata që e njohin historinë e gjuhës së shkruar shqipe, sidomos të librit shqip, e dinë shumë mirë se koha e fillimit të punës së bibliotekave në hapësirën albanofone nuk ka ardhur si një rastësi e lumtur. Ishte dashuria e madhe për gjuhën, sidomos për librin shqip, parakushtet themelore që rezultuan me krijimin e tyre, fillimisht me numër të paktë fondesh, pastaj duke u pasuruar ndër vite.
Ndryshe nga historitë e shumë bibliotekave të tjera, historia e bibliotekës sonë, pavarësisht se fillon më 25 nëntor të vitit 1944, në Prizren, nuk e ka pasur rrjedhën e qetë dhe të pashkëputur për zhvillim normal që u duhet institucioneve të kësaj natyre dhe të këtij karakteri.
Dy vjet pas themelimit ajo është bartur në Prishtinë. Më 1953 Biblioteka është mbyllur dhe fondet e saj janë përvetësuar nga ish-Biblioteka “Milladin Popoviç”. Më 1962 Biblioteka rithemelohet dhe vendoset, prapa meje, përballë jush, në objektin ku sot është Galeria e Arteve e Kosovës. Në shtator të vitit 1981 Biblioteka Kombëtare Kosovës (e njohur në atëkohë si Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës), e fillon veprimtarinë e vet në objektin ku ndodhemi tani, i cili, në aspektin arkitektonik, ka konstrukt dhe një stil të veçantë, ku spikasin elementi i gurit dhe i drurit, mbi to kupolat që, si ditën, ashtu edhe natën, i japin asaj pamje sa madhështore, aq edhe mbresëlënëse për vizitorët.

Të nderuar të pranishëm,

Për shkak të rrethanave historike dhe politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Biblioteka Kombëtare e Kosovës funksionin e saj e ka kryer nën trysninë e shtrëngesave ideologjike dhe peshës së rëndë të shtypjes kombëtare. Për këto arsye, ajo edhe është emërtuar me emra të ndryshëm deri tani si:

- Biblioteka Krahinore, kur është themeluar më 1944 deri më 1952

- Qendra Bibliotekare e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë (1956 - 1961)

- Biblioteka Popullore Krahinore (1961-1970)

- Biblioteka Popullore dhe Universitare (1970 - 1990)

- Biblioteka Popullore dhe Universitare “Ivo Andriq” (1990 - 1999), duke përjetuar në këtë kohë asgjësimin e shumë fondeve bibliotekare e shkatërrimin e tyre

- Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës 1999-2013, kur edhe nis zhvillimi i institucioneve bibliotekare, trajnimi i stafit të kësaj biblioteke dhe bibliotekave komunale dhe veprimtaria botuese e saj.

Ndërkaq, nga 1 janari i vitit 2014, si rezultat i jetësimit të “Planit strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare”, të cilin vite më parë e kanë hartuar ekspertët amerikanë, konkretisht z. Kenneth Oberembt, ajo funksionon e ndarë nga Biblioteka Universitare. Tani quhet Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdanit” dhe gjendet në fazën e ristrukturimit dhe të ridefinimit të misionit të vet në pajtim me funksionin e ri që do ta ketë.

Si e tillë, tani ajo është institucioni më i lartë bibliotekar i Kosovës dhe qëllim parësor të vetin, të rregulluar me Ligjin për Bibliotekat, ka: mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e materialeve bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën. Me fjalë të tjera, mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe intelektuale të Kosovës dhe më gjerë se kjo.

Me një fond prej rreth dy milionë njësish bibliotekare, dhe me mjedise që frekuentohen nga një numër më shumë se 100 mijë lexuesish të moshave dhe kategorive të ndryshme brenda një viti, Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot rangohet në mesin e bibliotekave më të mëdha dhe nga më seriozet në rajon dhe më gjerë. Për ndonjë segment të veçantë siç është, për shembull, Këndi Amerikan brenda saj, ajo zë vendin e parë në rajon. Natyrisht se këto të arritura janë simbiozë e një angazhimi vetëmohues të stafit të BKK-së dhe ndihmës së institucioneve të vendit.

Po kaq me rëndësi, për këto të arritura, është edhe ndihma e vazhdueshme e institucioneve të ndryshme simotra, individëve dhe shteteve mike. Këto të fundit ndihmën e tyre na kanë ofruar nëpërmjet trupave të tyre diplomatike të akredituara në Prishtinë, duke sjellë nga shtetet e tyre staf profesional për trajnimin e punonjësve tanë dhe fonde librash e teknologji bashkëkohore për punë. Me këtë rast, për përkrahje të jashtëzakonshme, do t’i veçoja: Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Italisë, të Austrisë, të Hungarisë etj., në adresë të të cilave, në këtë 70-vjetor, shkon një falënderim i posaçëm por to dhe vendet e tyre.

Falënderim dhe mirënjohje të veçantë në këtë përvjetor i shprehim Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, e cila, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishte më dorëlira dhe shtysa më e fuqishme për zhvillimin e këtij institucioni.

Duke e ndjerë veten të obliguar për të qenë mirënjohës ndaj të gjithë këtyre miqve tanë e punës së drejtorëve të mëparshëm, po përmend me këtë rast edhe dy aktivitetet e përvitshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës: Javën e Bibliotekës në Kosovë, organizimi i së cilës koincidon me Javën e Bibliotekës në ShBA, që mbahet për çdo vit në muajin prill e që organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, dhe Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë, e cila organizohet në bashkëpunim me BKSh-në e që, për çdo vit, mbahet në muajin nëntor, një vit në Tiranë, një vit në Prishtinë.

Të nderuar të pranishëm,

Ky tempull i shenjtë vite më parë ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me kompaninë Ex Libris-Aleph 500, ka implementuar sistemin e automatizuar bibliotekar, ka bërë revizionimin e koleksioneve bibliotekare, i cili ka nevojë të bëhet prapë, është anëtarësuar në Lidhjen e Bibliotekave Hulumtuese të Evropës, së bashku me UNDP-në dhe Kuvendin e Kosovës ka themeluar Qendrën Informative për Qeverisje Parlamentare, ka themeluar Konsorciumin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës dhe portalin albanologjik Shqipëri - Kosovë, Arkivin Medial, ka riaktivizuar laboratorin për restaurimin dhe konservimin e materialit bibliotekar, ka pasuruar fondet nëpërmjet donacioneve e blerjeve të përvitshme; së bashku me Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë kanë themeluar Këndin Amerikan, ka hapur Dhomën e Shkrimtarëve dhe personaliteteve të kulturës, zyrën e Kujtesës së Kosovës, Bibliotekën e Artit Bashkëkohor, Bibliotekën Evropiane (e cila tash s’ofron shërbime) dhe atë të NATO-s (e cila s’ka shumë prurje të titujve të rinj); ka themeluar Fondacionin Miqtë e Librit dhe të Bibliotekës, ka shtrirë bashkëpunimin me bibliotekat kombëtare: me të Shqipërisë, të Kongresit Amerikan, të Polonisë, të Gjermanisë, të Turqisë, të Italisë, të Rumanisë, të Malit të Zi e me biblioteka të tjera, nga të cilat ka marrë përvoja të ndryshme nga fusha e bibliotekarisë, disave edhe ua ka ofruar. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje, çdoherë duke shkëmbyer përvoja të mira e promovuar kulturën e Kosovës në botë si nëpërmjet librit fizik, po ashtu edhe atij elektronik.

Zonja dhe zotërinj,

Gjatë këtyre shtatë dekadave kjo bibliotekë është përpjekur ta ruajë e ta freskojë kujtesën kombëtare të Kosovës e të shqiptarëve, pavarësisht pastrimit brutal etnik të represionit të regjimit të Millosheviqit dhe jo vetëm të tij, të ushtruar mbi gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës. Është po kjo bibliotekë që e ka ruajtur kujtesën e Kosovës për brezat e ardhshëm; ka marrë gjithherë parasysh sugjerimet e miqve, duke e hapur bibliotekën për shërbim të çdo grupi etnik, të çdo rajoni, të çdo përkatësie fetare dhe të komuniteteve e duke përcaktuar detyrat kryesore të saj si: mbledhjen e së kaluarës, sistemimin dhe ruajtjen e saj në forma dhe standarde të ndryshme, gjithherë në shërbim të punonjësve shkencorë, lexuesve, dashamirësve të librit e vlerave kulturore.

Pa e harruar asnjëherë të kaluarën dhe punën e pandalshme e të palodhshme të punonjësve e të departamenteve të saj: të Informacionit, të Pasurimit, të Katalogimit, të Bibliografisë, të Koleksioneve të Veçanta, të Teknologjisë Informative e atë të Zyrës së Botimeve, tani e tutje Biblioteka Kombëtare e Kosovës vëmendjen do ta përqendrojë në aktivitetet të cilat determinohen nga zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë, sidomos i teknologjisë informative. Koha e re dhe ky zhvillim shtron para nesh domosdoshmërinë e digjitalizimit të të gjitha koleksioneve dhe materialeve që biblioteka jonë ka në fondin e vet.

Duke shfrytëzuar të arriturat e kësaj fushe, pra të fushës së teknologjisë informative dhe praktikën e bibliotekave të vendeve më të zhvilluara e duke e pasuruar edhe më tutje këtë institucion me teknologji informative, shpresojmë se shumë shpejt do t’ia dalim ta materializojmë këtë projekt sa ambicioz, aq edhe me interes për ne dhe për botën, e cila do ta ketë mundësinë të njohë më mirë kulturën dhe vendin tonë.

Jemi të bindur, po aq sa jemi të përkushtuar, se kësaj do t’ia dalim me sukses.

(Autori është anëtar i LSHK-së si dhe  Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”)

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet të jetë epiqendër e dijës dhe mësimit.


HASHIM THAÇI KUJTON DEMONSTRATAT E 68’


Thaçi shkruan se në këto demonstrata për herë të parë u paraqitën kërkesat legjitime për Kosovën republikë, për hapjen e universitetit të Prishtinës si dhe për përdorimin e simboleve kombëtare.

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, në kujtim të demonstratave gjithëpopullore të vitit 1968 shkruan se “nderojmë me respekt e mirënjohje organizatorët dhe pjesëmarrësit e tyre për guximin e madh dhe idealizmin e lartë që kanë treguar”.

Në llogarinë e tij në Facebook Thaçi shkruan se në këto demonstrata për herë të parë u paraqitën kërkesat legjitime për Kosovën republikë, për hapjen e universitetit të Prishtinës si dhe për përdorimin e simboleve kombëtare.

Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë:

Tani që kanë kaluar 46 vite nga demonstratat gjithëpopullore të vitit 1968 nderojmë me respekt e mirënjohje organizatorët dhe pjesëmarrësit e tyre për guximin e madh dhe idealizmin e lartë që kanë treguar. Në këto demonstrata për herë të parë u paraqitën kërkesat legjitime për Kosovën republikë, për hapjen e universitetit të Prishtinës si dhe për përdorimin e simboleve kombëtare. Ato rritën vetëdijen kombëtare dhe aktualizuan çështjen e shqiptarëve brenda dhe jashtë Jugosllavisë duke nxitur edhe reformën kushtetuese të vitit 1974. Pas këtij viti përpjekjet e shqiptarëve për të siguruar të drejtat e tyre nuk rreshtën më kurrë derisa u rrumbullakësuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


Hashim Thaçi i del në mbrojtje rektorit Zejnullahu



Premieri i Kosovës Hashim Thaçi shkruan në murin e tij në Facebooc.com


Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet të jetë epiqendër e dijës dhe mësimit. Studimet në të duhen vijuar nga të gjithë ata që meritojnë me punë dhe dedikim punës akademike. Kosova kurrë nuk do të harron sakrificën e veteranëve të UÇK-së dhe qeveria ime ka punuar pandërprerë që statusi i familjarëve të Dëshmorëve dhe Veteranëve të jetë i spikatur në shoqëri tonë.


Megjithatë, përkrahim UP “Hasan Prishtina” dhe udhëheqësinë e universitetit në zbatim të përpiktë të marrëveshjeve dhe standardeve të pranimit të studentëve. Afatet kohore për regjistrim dhe mësim, kushtet e marrëveshjes paraprake dhe e drejta ligjore e vlefshme vetëm për ata që me të vërtetë kanë nevojë dhe meritë duhen rrespektuar. Zgjidhjet duhen gjetur konform marrëveshjeve dhe afateve ligjore e jo në rrugë.





Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" ka njoftuar se e ka analizuar vendimin e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për regjistrimin me automatizëm të të gjithë kandidatëve nga listat

"Konsiderojmë se veprimet tona të deritanishme kanë qenë në përputhje me ligjin dhe normat akademike dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen", thuhet në komunikatën e Universitetit, ku bëhet e ditur se Universiteti i Prishtinës iu ka dhënë prioritet të gjithë fëmijëve të dëshmorëve në raport me kandidatët e tjerë në të dyja afatet e regjistrimit, duke i regjistruar të gjithë ata të cilët e kanë plotësuar kriterin minimal akademik në afatin e parë, dhe për më shumë, duke u ofruar pikë bonusi në afatin e dytë.

"Kështu janë regjistruar 129 studentë, ndërsa nga ne kërkohet t’i regjistrojmë edhe 1050 studentë nga kategoritë tjera, me ç’ rast nuk merren parasysh kriteret akademike dhe as kapacitetet tona të infrastrukturës dhe personelit mësimor". Përmes kësaj komunikate, Rektorati deklaron se menaxhmenti i Universitetit synon që ta ngrisë cilësinë e studimeve në të gjitha nivelet me qëllimin kryesor që të jenë universitet konkurrues brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.



Përfaqësuesit e OVL të UÇK-së dhe shumë familjarë të tjerë të këtyre kategorive janë mbledhur para Rektoratit të UP-së për të protestuar siç kanë paralajmëruar.

Përfaqësuesit e OVL të UÇK-së dhe shumë familjarë të tjerë të këtyre kategorive janë mbledhur para Rektoratit të UP-së për të protestuar siç kanë paralajmëruar me kërkesës për regjistrimin e rreth një mijë studentëve në UP.

Organizatorët e protestës thanë se rektori Ramazan Zejnullahu nuk e përfilli Memorandumin e zbatuar tash e 10 vjet.

Ata kanë paralajmëruar se vendi nuk do të ketë qetësi e as rehati, dersia të regjistrohen të gjithë studentët.

Po ashtu kanë porositur që Qeveria e ardhshme të ketë kujdes kur t`i zgjedhë përfaqësuesit e siç kanë thënë, institucioneve të ndjeshme siç janë Prokurori, Rektori etj.

Ata e kanë kërkuar dorëheqjen e Rektorit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...