Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/21

» Përdorimi pa vend i fjalëve dhe shprehjeve: “dizajnim, eveniment kulturor, dhe art pamor”



Disa gazetarë dhe krijues gjysmakë janë ata të cilët ngarendin pas fjalëve dhe shprehjeve të huaja, me qëllim për ta mbuluar paditurinë e tyre, apo me qëllim për të na bindur se disponojnë kulturë të gjerë, se shkruajnë e flasin shumë gjuhë, ( edhe pse shqipen e shkruajnë dhe e flasin si mos më keq), se gjuha shqipe qenka e varfër dhe nuk i plotësuaka perceptimet e tyre, se përdormi i fjalëve të huaja qenka modë kudo në botë, etj. Është për keqardhje që redaksi të ndryshme të medieve elektronike dhe të shkruara nuk i kushtojnë kujdes gjuhës dhe si pa të keq lejojnë bastardimin e gjuhës shqipe, e cila sipas dijetarëve të shumtë të botës është gjuha më e vjetër në Evropë, gjuhë që ka ruajtur tërë sistemin fonetik të tingujve të të gjitha gjuhëve indoevropiane.


Qasja rreth terminologjisë gjuhësore e disa medieve në Kosovë e më gjerë, është problem më vete edhe për faktin se në garën marramendëse të medieve e portaleve për ta dhënë apo afishuar sa më parë lajmin, gazetarët e shpejtë të sojit “ Copy paste”, nuk ndalojnë të mendojnë fare sesi përdorin një term të caktuar. Mjafton që termi i tillë të jetë në gjuhë të huaj dhe fjala e tillë e përkthyer apo e adaptuar të reflektojë diçka të re, të pathënë, apo të pashkruar më parë.
Zëvendësimi i fjalëve të gjuhës shqipe me fjalë të gjuhëve të huaja sidomos nga gjuha angleze, italiane e frënge vazhdon të jetë një garë e “gazetarëve modernë” të kohës së internetit,(facebookut. twiterit), e cila sakaq po shortohet nga gjuha në gjuhë, disa herë duke humbur në tërësi edhe kuptimin themelor të saj.

Dizajn !

Ta marrim për shembur fjalën “dizajn” desing. Kjo fjalë në kuptimin e përgjithshëm aktual përdorët në zëvendësim të fjalës “zbukurim”, e cila i përket artit figurativ, të cilit disa gazetarë “modern” i thonë art pamor, art që i referohet pamjes, syrit. Sipas kësaj shpikjeje adhamudhiane, artit të muzikës u dashka të quhet art “veshor”, sepse i dedikohet veshit, apo sepse mund të shijohet vetëm përmes veshit, jo përmes syrit.
Fjala dyzen, tani dizajn me kohë është zhvilluar edhe në gjuhën turke, si dyzen, “dyzeni i nuses”, fjalë e cila përdorët edhe në gjuhën shqipe. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala dyzen shpjegohet si akord, vënia në dyzen e instrumenteve. E vuri në dyzen, e akordoi një vegël muzikore. (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Prishtinë 1981, f. 397). Në frazeologjinë popullore thuhet edhe: “I ka qitë punët në dyzen. I kanë punët në dyzen”.

Kjo fjalë, ka kohë që po përdorët edhe në gjuhën e politikës, si dizajnim i Qeverisë, i ministrive, etj.
Kuptimi i vërtetë i fjalës “dizajn”, me të gjitha derivatet e saj nga gjuha angleze, nuk i përshtatet fare akordit të telave të instrumenteve, sikur shpjegon fjalori i gjuhës shqipe. Me dizajn nënkuptojmë zbukurimin, dizajni i një ambienti, i një vepre, i një reviste apo broshure. Ata që e kanë përdorur për herë të parë këtë fjalë, me siguri se e kanë kopjuar nga një gjuhë e huaj, edhe nëse fjala ka qenë e shënuar me thonjëza, për ta vënë në spikamë kuptimin e caktuar të saj.

Me sintagmën “dizajnimi i Qeverisë”, apo “ri dizajnimi i Qeverisë” nënkuptohet plotësimi, ndërrimi i ministrave, apo zëvendësimi i tyre. Sa është e logjikshme të thuhet zbukurimi i Qeverisë? Mbase edhe ka një dozë realiteti, në kohën kur po bëhen përpjekje, që ministrat e zonjat ministre (ministresha) të zgjidhen në postet qeveritare, në radhë të parë duke marrë para sysh pamjen e jashtme, sharmin, moshën e re, sjelljen manekine, etj, por kuptimi themelor i fjalës nuk ka të bëjë me këtë segment, në segmentin e “dizajnit” të tyre të jashtëm.
Fjala shqipe, “dyzen”, mbase me prejardhje turke, nëse nuk kemi të bëjmë me një koincidencë në shkrim dhe shqiptim, përmbush deri diku kuptimin e fjalës akord. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, fjala akord, për veç kuptimit në muzikë, ka edhe kuptimin dytësor, që nënkupton një marrëveshje që bëhet me dikë për të kryer një punë... ( Po aty... f 17).
Nga do ta studiojmë fjalën dizajn, del se ajo nuk i përshtatet as përafërsisht terminologjisë politike, në perceptimin e fenomenit që pretendohet se e mbulon gjuhësisht kjo fjalë e huaj. Në vend të sintagmës, “dizajnim i Qeverisë”, do të ishte shumë më me vend të përdoreshin sintagmat analoge: “plotësim i kabinetit qeveritar”, kur është fjala për plotësim, zëvendësim i anëtarëve të kabinetit, kur bëhet fjalë për lëvizje të tilla, apo “ndërrim në kabinetin qeveritar”, kur bëhet fjalë për ndërrime të kësaj natyre.

Eveniment !

Krahas shumë fjalëve të huaja që kanë vërshuar në përdorim në medie dhe portale, është edhe fjala frënge, “eveniment”, që do të thotë ngjarje, ndodhi. Në vend se të thuhet, “një ngjarje e shënuar kulturore”, kemi formulimin “një eveniment i shënuar kulturor”. Madje kjo fjalë e gjuhës frënge, edhe pse shkruhet “eveniment” ajo shqiptohet pa rrokjen e fundit. Realisht do të duhej të shqiptohej se “evenima”, njëjtë sikur Reno nga Renault, ( tip veturash)etj.
Është për të ardhur keq që fjalën “eveniment” e sollën në gjuhën shqipe letrarët, intelektualët, ata që e njohin dhe që do të duhej të kishin shumë më tepër respekt për gjuhën shqipe, gjuhën në të cilën shkruajnë e lexojnë.

Art pamor !

Në Kosovën e pas luftës, një gazetar, një “anonimus” që pretendonte të bëhej purist apo pastrues i gjuhës, në shkrimet e tij kishte përdorur sintagmën, “arti pamor”, në vend të artit figurativ.
Fjala pamor e prezantuar në fjalorin e gjuhën shqipe, ka të bëjë me organin e të parit, (syrit), si:
nervi pamor,
organi pamor,
kujtesë pamore,
përfytyrim pamor.
aparat pamor,
dëshmitar pamor.
Askund në fjalonin e gjuhë sonë nuk është evidentuar arti figurativ, si art pamor.

Po në fjalorin e gjuhës shqipe jepen shpjegime të hollësishme për artin në përgjithësi dhe llojet e kësaj veprimtarie krijuese.
Arti dramatik, skenik, teatral,
artet e bukura, emër i përbashkët për pikturën, skulpturën dhe arkitekturën.
Artet figurative, emërtim i përbashkët për pikturën, grafikën dhe skulpturën.
(Po aty... faqe 55).

Po të lejohen purizma të tilla, “adhamudhiane”, do të duhej të kishim edhe artin veshor, që i dedikohet veshit, apo artin synor, që i dedikohet syrit, artin pamor që i dedikohet krejt asaj që shohim me sy, në natyrë dhe në gjithësi dhe që nuk është të thënë të jetë art, vetëm sepse e shohim me sy, sepse syri është organ për të parë, jo vetëm artin figurativ, por tërë atë që mund të shihet me anë të këtij “aparati”.

Gazetarët dhe krijuesit gjysmakë janë ata të cilët ngarendin pas fjalëve dhe shprehjeve të huaja, me qëllim për ta mbuluar paditurinë e tyre, apo me qëllim për të na bindur se disponojnë kulturë të gjerë, se shkruajnë e flasin shumë gjuhë, ( edhe pse shqipen e shkruajnë dhe e flasin si mos më keq), se gjuha shqipe qenka e varfër dhe nuk i plotësuaka perceptimet e tyre, se përdormi i fjalëve të huaja qenka modë kudo në botë, etj.
Është për keqardhje që redaksi të ndryshme të medieve elektronike dhe të shkruara nuk i kushtojnë kujdes gjuhës dhe si pa të keq lejojnë bastardimin e gjuhës sonë, e cila sipas albanologëve dhe dijetarëve të shumtë të botës është gjuha më e vjetër në Evropë, gjuhë që ka ruajtur tërë sistemin fonetik të tingujve të të gjitha gjuhëve indoevropiane.
Ahmet Qeriqi

PLANET PËR ZHDUKJEN E SHQIPTARËVE


Adil Fetahu: 

Një libër që na kujton historinë e gjenocidit mbi shqiptarët






Nuk ka komb në Evropë apo në botë që të ketë vuajtur kaq shumë nga fqinjët e tij sa shqiptarët, thotë autorja në hyrjen e librit. Ajo thotë se ky studim ka për qëllim të tregojë planet, format dhe mënyrat se si u zhdukën shqiptarët nga pjesa më e madhe e trojeve të tyre në Ballkan gjatë shekujve XIX-XX, dhe se si në tokat e tyre u krijuan Serbia, Greqia dhe Mali Zi. Popujt barbarë të ardhur në Evropë nga stepat e Azisë (sllavët), vranë, dëbuan, masakruan, asimiluan, vodhën e shkatërruan gjithçka nga fqinjët e tyre (shqiptarët) në mes të Evropës në kohën moderne. Ndaj shqiptarëve bënë gjenocid, deri në holokaust, madje me plane e programe politike, kishtare e shtetërore për zhdukjen tonë, të cilat janë unike në botën moderne.
Në vazhdim, autorja shtjellon faktorët historikë që ndikuan në përpjekjet për zhdukjen e shqiptarëve, ndër të cilët, përveç politikës shtetërore të fqinjëve tanë, një rol të veçantë ka pasur kisha ortodokse, por edhe vetë fuqitë e mëdha të Evropës, të cilat lejuan gjenocidin dhe ndihmuan formimin dhe zgjerimin e shteteve-komb (të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi) në trojet shqiptare, dhe shpërnguljen ose asimilimin e shqiptarëve në dy shekujt e fundit. Territoret e Greqisë së sotme banoheshin nga shqiptarët, arvanitasit, dhe ata vendin e tyre e quanin Arbëri, e jo Greqi. Këtë tezë autorja e ilustron me burime të shumta të autorëve të ndryshëm, si Paulo Petta e Cippico, të cilët thonë se shumica e oficerëve dhe ushtarëve (“stratiotëve) të Vendedikut, i cili sundonte në atë kohë, vinin nga shqiptarët e Moresë, të cilët quheshin grekë për shkak të përkatësisë fetare (ortodokse). Luis Boenlew , në librin “Greqia para grekëve”, thotë se edhe “në kohën tonë shohim se si shqiptarët, të cilët pasi u përhapën në të gjitha rajonet e Greqisë moderne,... po harrojnë edhe gjuhën e nënës dhe po bëhen grekë”.
Nikolas Hamondi, ndonëse ishte një filohelenist i zjarrtë, thotë se “në shekullin 14 e 15, pjesa më e madhe e Peloponezit ishte shqipfolës, por ata e quajnë vetën grekë, pavarësisht se janë shqiptarë dhe flasin shqip”. Pukvili thotë se “fshatrat e Atikës janë shqiptare, se në atë kohë vet Athina ka pasur 4000 shqiptarë, 3000 grekë dhe 3000 banorë nga etni të tjera, nga të cilët edhe shqiptarë myslimanë”, dhe kështu jep shifra edhe për vendet e tjera të dominuara nga banorët shqiptarë. Autorja përmend emrat dhe veprat e shumë autorëve të huaj, të cilët vërtetojnë përbërjen etnike me prejardhje shqiptare të popullsisë së Greqisë së sotme, paraardhësit e të cilëve luajtën rolin kryesor udhëheqës dhe të luftës për pavarësinë e Greqisë. Cevasi (në “Historia e Tebës”, vëll.II), thotë: “Është e ditur se gjatë luftës kombëtare dhe pas asaj kohe, deri në vitin 1850, në të gjithë Atikën dhe në vetë Athinën, flitej gjuha shqipe dhe shumë pak vet dinin të flisnin greqisht”, ndërsa V.Rafailidhi (“Etnos”), shkruante: “Revolucioni grek është në të vërtetë vepër e arvanitëve”. Francezi Viktor Bernard (në “La Turkie et l’Helenisme contemporain”), shkruante: “Ndonjëherë kombi shqiptar është ngritur dhe është personifikuar me një njeri të madh, dora e të cilit, kushdo që të ketë qenë, Mehmet Aliu, Ali Tepelena, Skënderbeu apo Pirroja, ka çuar peshë një botë të tërë dhe ka gdhendur mbi popujt që ka drejtuar shenjat e gjenialitetit të saj. Jeta e shqiptarëve në këtë shekull të mbrapshtë, vepra e tyre në Egjipt, ku qenë mbretër, apo në Greqi ku qenë autorët e vërtetë të pavarësisë, duhet të na shpjegojë mjaft periudha të historisë së hershme...”. Edhe Misha Gleni thotë se shteti grek ishte produkt i fuqive të mëdha. Perëndimi e bëri Greqinë gjoja për ta ringjallur Heladën e vjetër, ndërkaq që helenizmi nuk është identitet etnik a kombëtar, por është ideologji për t’i shkrirë të gjitha etnitë në grekë. Prandaj shteti grek sot nuk njeh asnjë etni a pakicë kombëtare! Nga të gjitha burimet që analizon autorja, konkludon se territori që sot quhet Greqi, historikisht është populluar nga shqiptarët, me origjinë pellazgo-ilire (Jonët, Dorët, Eolët).

Poashtu, Serbia dhe Mali i Zi u krijuan si shtete me ndihmën e Rusisë e të fuqive tjera të Evropës, vazhdimisht u zgjeruan mbi territoret dhe popullsinë shqiptare, duke vrarë, shpërngulur me dhunë ose asimiluar shqiptarët. Pjesa qendrore dhe jugore e Serbisë së sotme ishte e banuar pothuajse krejtësisht ose me shumicë shqiptare, të cilët u vranë, masakruan dhe u shpërngulën pas vitit 1876. Pretendimet nacionaliste serbe për pushtimin e tokave shqiptare, mbështeteshin në gënjeshtra historike dhe në lakminë për të zgjeruar shtetin me resurse ekonomike dhe krijuar Serbinë e Madhe, sikurse edhe “Megali Idea” greke për Greqinë e Madhe, deri në Konstantinopojë! Të gjitha shtetet fqinje u ngritën dhe u rriten mbi territoret dhe popullsinë shqiptare, dhe kishin pretendime për ta ringjallur Perandorinë bizantine, ndonëse ajo nuk ishte as serbe, as greke por e të gjithë popujve të këtyre viseve, ndër të cilët asokohe më së shumti ishin shqiptarë.

Nga lufta me Turqinë, Serbia, Greqia dhe Mali Zi pushtuan tokat dhe dëbuan popullsinë shqiptare, duke bërë krime, masakra e gjenocid të paraparë. Po të lexosh librin e Joseph Swire (“Shqipëria – ngritja e një mbretërie”), ose atë të Leo Feundlich (“Golgota e Shqipnisë”) në të cilën mbështetet edhe studimi i Elena Kocaqit, shihet se çfarë masakra të tmerrshme kanë bërë fqinjët mbi popullsinë shqiptare në dy shekujt e fundit. Por, realiteti i vuajtjeve dhe monstruoziteti i krimeve ka qenë shumë më i vrazhdë e më i tmerrshëm se që mund të përshkruhet në libra, në gazeta ose në raportet e luftës të Dimitrije Tucoviqit e Kosta Novakoviqit në vitet 1913-1914. Autorja Kocaqi në librin e saj, duke dhënë shifra për të vrarët e të shpërngulurit me dhunë e terror, thotë se fqinjët tanë kanë bërë holokaust të vërtetë, duke vrarë mbi 500.000, e dëbuar me dhunë 2,5 milionë shqiptarë, që po të llogaritësh me shtimin natyror, sot prej tyre do të ishin edhe 10 milionë banorë shqiptarë më shumë. Nga ana tjetër, janë asimiluar e bërë grekë 5 deri 7 milionë shqiptarë e sa të tjerë në Turqi. Shqiptarë të asimiluar ka edhe në Serbi, e sidomos në Malin e Zi, ku ma se gjysma e popullsisë kanë prejardhje shqiptare, sikurse që një numër i konsiderueshëm i ortodoksve janë asimiluar edhe në Maqedoni. Prej fillimit të pushtimeve, shtetet fqinje kanë pushtuar e marrë rreth 140.000 km/katrore toke të pasur shqiptare, gjë që ka ndikuar që shqiptarët të mbetën populli më i varfër në Evropë. Vetëm pas vitit 1912, duke pushtuar tokat shqiptare, Serbia u zgjerua dhe u rrit me 82% sipërfaqe dhe 55% popullsi; Greqia me 67% tokë dhe 68% popullsi; dhe Mali Zi me 62% tokë dhe 100% popullsi , thotë Kocaqi në librin e saj (fq.149).

Në krejt këtë fatkeqësi të kombit tonë kanë gisht edhe fuqitë e mëdha: Anglia, Franca, Rusia, Gjermania, të cilat kanë përkrahur kërkesat sllavo-greke, dhe po të mos ishte Austria dhe Amerika, sot nuk do të kishte as shtet as popull shqiptar, sepse do të zhdukej ashtu sikur e kanë pasur në planet e tyre morbide shtetet fqinje. Të gjitha pushtimet, krimet dhe shpërnguljet e shqiptarëve janë bërë me plane, programe dhe elaborate politike, shtetërore, shkencore e kishtare, në hartimin e të cilave janë angazhuar akademikë, shkrimtarë, klerikë e diplomatë, si: Ilija Garashanin (1844), Vlladan Gjorgjeviq (1908), Vasa Çubrilloviq (1937, dhe 1944), Ivo Andriq (1939), Stevan Moleviq (1941), ASShA (1986), Kuvendi i Serbisë dhe i Jugosllavisë (1990), Partia Radikale Serbe (e Sheshelit 1991, bashkëpunëtorët më të ngushtë të cilit sot janë në krye të shtetit dhe të qeverisë së Serbisë!). Zbatimi i atyre planeve e programeve famëkeqe është bërë në mënyrë kontinuele dhe me metodat më brutale nga të gjitha strukturat e shtetit, prej 1876 e deri më 1999, kur bota demokratike e prirë nga ShBA-të dolën në mbrojtje kundër zhdukjes së shqiptarëve të Kosovës. Shteti i Serbisë edhe tash haptas shpreh pretendime hegjemoniste dhe ekspansioniste për ripushtimin e Kosovës dhe zhdukjen e shqiptarëve, derisa nuk e njeh pavarësinë dhe me çdo mënyrë përpiqet ta dezorganizojë e pengojë zhvillimin e Kosovës përbrenda dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sikurse edhe Greqia që kurrë nuk ka hequr dorë nga “Megali Idea” dhe pretendimet për “Vorio Epirin”, dhe asimilimin e të gjithë shqiptarëve ortodoks në Greqi e në Shqipëri. Holokausti i nacizmit sllavo-grek mbi shqiptarët është bërë shumë më herët dhe shumë më i egër e më i tmerrshëm se holokausti i nacizmit gjerman mbi hebrenjtë. Sepse hebrenjve nuk u janë marrë territoret, nuk u janë djegur shtëpitë, nuk u janë plaçkitur pasuritë, nuk u janë dhunuar femrat në sy të prindërve, të fëmijëve e të burrave, nuk u janë prerë organet e trupit, nuk janë djegur të gjallë në shtëpitë e tyre e në vende të hapura, sikur kanë bërë sllavët dhe grekët mbi shqiptarët.

Autorja Kocaqi nuk harron pa përmendur edhe problemin e shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, duke shtuar se përgjithësisht çështja shqiptare në Ballkan është një problem i hapur dhe i pazgjidhur, që kërkon zgjidhje të drejtë politike, në mënyrë paqësore, dhe se për këtë shqiptarëve u nevojitet të kenë politikanë, udhëheqës e diplomatë të përgatitur e të zotët për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sqaruar diplomacisë botërore historinë tonë kombëtare. Shpëtimin e shqiptarëve nga zhdukja, autorja e sheh në unitetin dhe bashkimin kombëtar, në formë federate a konfederate midis Shqipërisë e Kosovës (Dardanisë), po edhe te pjesës shqiptare të Maqedonisë.

* * *

Në raportet midis njerëzve, është thënie: “Ai që nuk sheh asnjë të metë, ose është i çmendur, ose i dashuruar verbërisht”. Në raport me librin-studimin e Elena Kocaqit, duhet thënë se libri nuk është pa të meta, sidomos sa i përket referencës së burimeve për shumë citime të mendimeve e thënieve të personaliteteve të ndryshme. Madje, citimet janë bërë diku me thonjëza, diku me kursiv e diku me germa të trasha (të zeza), shumica pa fusnota për burimin. Aty ku janë dhënë referencat në fusnotë, nuk janë dhënë të plota me të gjitha elementet sipas metodologjisë shkencore. Në një studim që pretendon të jetë shkencor, nuk mund të jepen mendime në bazë të thashethemeve, sikur ajo për prejardhjen shqiptare të Stefan Nemanjës, një princi serb i dinastisë se Nemanjiqve (1113-1199), kinse ishte i derës së Nimanajve (Nimani) të Prizrenit, nga të cilët ishte edhe Xhavit Nimani me vëllezërit dhe të afërmit e tij” (fq.111-112). Edhe vet autorja Kocaqi thotë se “shqiptarët e greqizuar e të sllavizuar kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve” (fq.13-15), duke marrë si shembull Napolon Zervën, Mark Milanin, Venizelosin, Ataturkun, ejt,- prandaj s’i duhej që Stefan Nemanjën ta “sheh” me prejardhje shqiptare, kur për te nuk ka asnjë dokument provues a burim të besueshëm.

Elena Kocaqi është një studiuese e re, pedagoge historie dhe drejtësie në disa universitete të Shqipërisë, që ka mbaruar studimet për histori (me medalje të artë), fakultetin e drejtësisë dhe studimet për shkencat politike, dhe ka disa libra të botuara deri më tash. Në librin-studimin, me një titull specifik: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, autorja jep informacione të dobishme, disa prej të cilave janë të panjohura për lexuesin. Me këtë nxjerr në shesh padrejtësitë historike dhe prapaskenat politike e diplomatike që kanë bërë e zhvilluar shtetet fqinje, por edhe fuqitë e mëdha, në dëm të trojeve e të popullit shqiptar në dy shekujt e fundit. Në shumë vende, libri është edhe emocionues, sikurse është rrëfimi trishtues i një vajze të dhunuar, apo i dëshmitares së krimeve monstruoze e tmerrit që kishte parë e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë (fq.182-185).

Leximi i këtij libri është me interes, ngase tema është e rëndësishme, shqetësuese dhe tregon se rreziku është potencial, nuk ka kaluar krejtësisht; ndoshta tash jo për zhdukje totale, por për ndonjë katastrofë gjithmonë ekziston mundësia, kur e ke dreqin komshi! Sfondi teorik i librit është i gjerë, me paraqitje, përmbajtje, krahasime, vlerësime, libra, artikuj, raporte të autorëve të ndryshëm, të huaj, shtjelluar me metodën historike, krahasuese e fenomenologjike. Ky libër duhet të vejë mendjen e njerëzve në veprim, për t’i dalë zot vendit e kombit. Thuhet: pa histori – nuk ka histori. Historia e shqiptarëve në dy shekujt e fundit është kryesisht regjistrim i fatkeqësive dhe tragjedive, që ka rrudhur hapësirën dhe ka reduktuar numrin e banorëve. Kjo histori është dëgjuar sa e sa herë në mënyra e me përmbajtje të ndryshme, por kurrë nuk është e tepërt të rilexohet e rikujtohet, e ata që nuk e kanë ditur – ta mësojnë e të përgatitën që të mos iu përsëritet.

Profesioni dhe pasioni i autores është premtues se edhe në të ardhmen do të na jep libra edhe më të mira.

Mehmet Bislimi: .Fazli Grajçevcit në përvjetorin e 50-të, të rënies




përditë po i zvogëlojmë borxhet
përball jetës sonë të varfër
shprehimisht
vitet që na takojnë po zvogëlohen
numra në rënie
shtrëngatat ziliqare na kanë rrethuar

arkeologu pranë ashtit fosil
gojëhapur mbeti
retë ngarkuar plot me shi
ulur por si kësulë e bardhë
mbi majat e larta të Golashit
atje ku flamuri i ëndrrave tuaja
zhurmshëm po valon

me zvogëlimin e viteve
dhe borxhit ndaj jetës
pengu i borxhit një ditë
mbetur fashitur brenda vetes
te porta me rrapëllima do na trokasë
për të marrë hakun e së vërtetës
natyrshëm
do t’na thërras
o burra
kush (s)më thotë
e kemi zvogëluar borxhin

për vëllain e motrës
për birin e tokës
për Fazliun e nënëlokes
që dashuri i fali atdheut
i fali jetës
i fali tokës

Nëntor, 2014




Ndërgjegjja në peshojë

Uniteti

gjyshja ime ndjesë pastë
me dorën e saj të lehtë
nga shtëllunga e leshit
fijet i lidhte në unitet

njerëzit e kohës moderne
si grykësit që zihen për një presh
unitetin e kohës së vonuar
e bënë li e lesh

leshi e lëmshi u ngatërruan
në fushat e gjera të interesit
o gjyshe ime e ndjerë

a dëgjon
se ç’u dhje ndër vete
uniteti ynë
prej leshit

Dikur

rojat viheshin tek kullat
nga mali
kur zbrisnin burrat

vdisnin për atdhe
burrat
dikur

vdesin atdheun
burrat
sot

mashkull e burrë
nuk qenka njëjtë
as atëherë
as sot
as kurrë

Bythë e kusisë

nuk ndenjen duarkryq intelektualët
sfidë serioze i bënë Serbisë
me vizionin filozofik të avancuar
rrahën me shkop bythën e kusisë

bythë e kusisë rënë nga ndryshku
lënë në mezhdë me një anë
ai shpiku strategji të re
të artit luftarak në Ballkan

rrethi i kusisë po krekoset
me bythën që boja po i del
eh sikur të realizohej kjo filozofi
do konkurronte çmimin Nobel

Sintezë fatale

rrugë mora
për ta takuar njeriun
panjerëzinë dhe qenërinë
takova
shkrirë në bashkëdyzim
në analizë nuk u futa dot
të panjerëzishmit
sinteza keq i kishte ngërthyer
ishin bërë
t’i qashë me lot

Ka burra

ka burra
që as para plumbit
nuk e hanë fjalën e dhënë

ka burra
që lumi nuk i lanë
si qentë fjalën hanë

ka burra
që gënjejnë shoqi- shojnë
për dallim nga qentë
ata nuk lehin
kur të tjerët i shkelmojnë
ka burra
e burra

Koalicioni

që kur bota mban mend
ujku me qengjin
pula me dhelprën
miqësi nuk kanë zënë

atëherë
mbi kë do të bjerë rrufeja
o arkitektë të dredhive të liga
ju nuk jeni
Pasha Sinan

fantazi perfide e dredharakëve
me foshnjen e pafajshme në gji
mashtruesit
këtë vit
bënë në prapahije kumbaritë
thellë në gjoks fshehur
pabesitë

Bijtë e kotësisë

po t’i shikosh
nga pamja e jashtme
të duken
sikur secili me vete bartë
në gji
nga një copë histori

dilemë për pak çaste
kafeneve të qytetit
vrasje e butë me çaj e duhan
dënim absurd
pajtim me shëmtitë
me “analizat” politike vrasin kohën
tërë kohën meditojnë
as gjë nga jeta
nuk kërkojnë

Dikur dhe tani

dikur
kur lumin kalonin të ligjtë
dihej
atkinë ta shanin

tani kur lumin kalojnë
atkinë
më nuk ta shalojnë
kohë moderne e avancuar
tani
t’ëmë ta lodrojnë

Rrugëtim

gjatë rrugëtimit
diçka u këput në mes
të paralajmëruar për defektin kohor
të shoqërisë kryeneçe
kush parashikoi ngritjen e bajrakut
e nuk parashikoi prishjet
mes bajraktarëve

ata nuk gjeten kompromis me ndreqjet
plagët e hershme nuk u shëruan
fatkeqësitë kujdestare
në pusinë e ligësisë qëndruan

tani
merreni e mbani në gji
rrotën tuaj
që ju la në mes të rrugës
të zhgënjyer

kjo nuk ishte karrocë me histori
si ajo e Ismail Qemalit
ju merr lumi karrocën edhe ju
mbajeni mirë në mend
se historia nuk ua bën brenda saj kot
as edhe një prapanicë vend

Moshë adoleshence

ai
nuk e kishte menduar kurrë
se zgjedhjet e çastit dallojnë
aq katërçipërisht
nga ato të perspektivës

në intimitet po ta them
ai bëri koalicionin e zhgënjimit
një fund të tillë s’e kishte menduar
as në moshën e adoleshencës

tani më
në këtë moshë të thyer
lojërat e fëmijërisë i hynë në qejf
si të thuash
iu bënë ves
nga ati
të mos të zbres

Pritje

kjo kohë e lazdruar
shumëllojshmërinë e pritjes ta ofron
përtej hijeve te tejdukshmërisë
si të vjen për së mbari
ulur a në këmbë
në luadhe mbi bari
në radhë
në zyrë
në trotuar
pritje shtrirë
i plogësht nën jorgan
pritje fytyrëvrarë
ngazëllyer e hijerëndë
pritje fytyrëshëmtuar e dhëmbërënë
dehur e tymosur me çaj e duhan
pritje

të gjithë ata që presin
janë të vonuar
si të vonuar në jetë
në dyert e mbyllura të botës
trokasim kot
trokasim me vonesë
tash e sa vjet
të vonuarit kush i pret
më thoni
se më luajtën mend e kresë

Kundërshtarë

sa mirë të tillë që jemi
ligj i përsosur i natyrës nuk gaboi
të njëjtë nuk na bëri
mrekullisht
në udhëkryqet e jetës
nuk na ngatërroi

në rrugëtime
në mendime
në veprime
të ndryshëm
ju në rrugën tuaj
ne në rrugën tonë
sa mirë që nuk jemi
të gjithë
njësoj

Si gjithmonë

dirigjent
orkestër që dështoi para akordimit
tingujt e çakorduar
fatkeqësisht
nuk nxorën melodinë e shumë pritur
çfarë peripecish kakofonie
mes tingujsh ulëritës
këtë konfliktualitet notash
kush e dirigjon

të dirigjosh një orkestër
do duhej të ishe
të paktën Maestro
e klasën e parë të notave
nuk e kalove dot
maestro i melodisë
pa nota
maestro kot

Larje duarsh

llogarit shpenzimet miku im
blije një sapun në të mjafton
unë do kujdesem për larjen tënde
sot do ta nënshkruajmë moratoriumin
mbi orën e vdekjes
se i erdhi fundi lojës disfatiste
me ujin e ftoftë të burimit
larje duarsh nga qëllimi final
rrëshqitje në kohë
me duar të palara
sa afër burimit
sa larg pastërtisë

Të dehur

“heronjtë” e ditëve tona
esëll nuk i takuam dot
nga tavernë e kafenesë së qytetit
hurbin e kafesë shijojnë
raki e mish të skuqur
politikën ndërkombëtare “analizojnë”
lamë e shtruar
koqen e qejfit bëjnë
namin e zi po lënë

të dehurit e ditëve tona
“për atdhe”
nga mallëngjimi
dehur e përmallë
në tryezën e pistë shtruar së bashku
servilë e të paskrupullt
faqezi e hileqarë
dehur e bërë përrallë
për kolltukun e butë
namin e zi po lënë

Gënjeshtar

prapë
gënjeve shokët e idealit
në rrugët e rrëpira të faqes së malit
faqe nxirë
fjalë ngrënës e i paburrë
i vetëm po
me shokë

jo
më kurrë

Pa dashje

ia këputa telin çiftelisë
pa dashje
nuk ia mësova notat melodisë
kurrë
e melodinë e desha aq shumë
djalli ta marrë

për ty më kënga
nuk do këndohet
as vaj s’do bëj kush
vrave këngën me dorën tënde
në rrugët e harrimit
makthi që po rritet
miqtë të thanë
kujdes këngën se vritet

Parandjenjë

armiqtë nuk po na shajnë sa duhet
miqtë po na lavdërojnë
më shumë se ç’duhet

si me të pabesë
se ç’po më gërryen një ndjenjë
një ndjenjë ogurzezë

Ironi e verdhë

vargu im
eja të ikim larg

zilia mes vargjeve
ka rënë
vargjet mes vete pezëm kanë zënë
smirëzia në garë
ikim
se u bëmë përrallë

mes njerëzve urrejtja
futur kaq thellë
enigmë e pashpjegueshme
ironi e verdhë
ikim

Zhgënjim

zhgënjehemi kur
miqtë në baltë na lënë
pa pandehur
dilemat paraqiten
cilët janë miqtë e vërtetë
e cilët
miq na hiqen

Me keqardhje

dikur
mendimet i kishim të njëjta
për njeri tjetrin
kishim nevojë

përditë po largohesh
vërtetë më vjen keq
jo edhe aq për ty
sa
për mangësinë që nuk t’u heq

Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare

prapë dikush do të vritet
do të përgjaket dikush
prapë dikush do të zgërdhihet
do të përjargët dikush

kambanat për mortin
nuk do të pushojnë
dikë do ta shajmë me breshëri
me breshëri
dikë do ta nderojmë

rrugë të gjata janë këto
kanë nisur e nuk kanë të sosur
bashkimin e atdheut
kërkojnë

Përmbledhje nga libri me titull: “Burrëri e Lagur”

2014

Dr. Fatmir Terziu: Diskurset e fotografisë së luftës së Kosovës në spektrin filozofik të një libri


Libri më i suksesshëm i pas luftës së Kosovës, ndoshta më i veçanti i këtij lloji, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i autorit Pr. Dr. Nusret Pllana, ka dhe një arsye tjetër të jetë më i ndjeshmi. Është i tillë, jo thjesht si dokumentim, as edhe si një memorje e trishtë, por si një ftesë globale në këtë dimension logjik për diskursin e luftës. Ka një histori të luftërave që bëhet më pas një histori kujtese. Dhe kjo ndodh në tërë dimensionin diskursiv që mbart arsyen e përcjelljes mes mbishkrimeve në rreth shtatë gjuhë të ndryshme, edhe pse gjuha e fotografisë ka vlerën e saj më të madhe. Në këtë shkrim shqyrtimi i retorikës vizuale të këtij libri dhe një tjetri me temë akademike “Nato dhe intervenimi në Kosovë” kanë një kapërcim mediatik dhe ndjehen të arsyeshëm në mjedisin e një diskutimi logjik, ku përfaqësimi dhe imazhet në cilësimin e fjalëve kanë më shumë se sa një mesazh. Të dy tregojnë për atë rezistencë dhe për atë mbijetesë. Fotografitë kanë gjuhën e tyre, po aq sa edhe të thënat e të pathënat, me syrin mjeshtëror të Profesor Pllanës. Por në planin transmetues pyetjet janë në kalibrin tjetër. Çfarë tregojnë fotografitë? Çfarë bëjnë këto fotografi të sugjerojnë në lidhje me legjitimitetin e veprimeve të pushtuesve dhe atyre që bënë ato masakra?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve mjafton të shfletosh me durimin dhe guximin më të madh mbi gjashtëqind fletët e një formati të madh e të rëndë të librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Për mbledhjen e të dhënave ka qenë vetë aktiviteti i përkushtuar i luftëtarit Pllana, por edhe arsyeja e tij akademike për të bërë globale një memorje që s’duhet të shuhet. Periudha që pasoi dhe që pason atë periudhë është edhe një kronologji akademike në të dy librat. Rrënjët janë kudo dhe memorja flet.
Para se të diskutojmë për imazhet fotogazetarske të realizuar nga vetë autori në më të shumtën e rasteve, por edhe të mbledhura nga një ekip që drejtohej dhe ideohej prej tij, duhet të flasim në lidhje me vlerën e lajmeve dhe mesazheve të tyre.

Disa prej fotografive në korpusin tonë janë ato imazhe të rralla dhe tronditëse të momenteve ekstreme. Ato janë zakonisht të ndjeshme, të kualitetit të dobët në disa raste, në mënyrë të keqe e të fokusuara si në terren lufte e në viktima, të vështira për tu parë nga të gjitha moshat. Mjaft janë si vetë kohë lufta dhe realizimi me kamera vëzhgimi. Por ato janë jo thjesht mes faqeve të librit, janë duke lëvizur kudo ku ai krim u bë dhe ngado nga ato duar u zgjatën e bënë krimin.
Jo më kot para publikut londinez, Profesori Xhjmes Petifer, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Kjo e vërtetë që vjen nga diskursi i fotografisë së luftës. Kështu promovimi në Londër i kësaj vepre madhore publicistike dokumentare: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” dhe filmit dokumentar: “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, solli arsyen diskursive në një mjedis të ndjeshëm akademik, ku ishin mjaft personalitete akademike si Stefani Slevers dhe James Pettifer etj. Diskursi fotografik i këtij libri i cili dokumenton krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjime të ndryshme serbe përgjatë historisë u bë në ambientet e Universitetit. Promovimi u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.

Ambasadori Greiçevci e vlerësoi punën e palodhshme të autorit në evidentimin e të kaluarës së hidhur dhe tragjike të kombit tonë. “Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje akademike, por edhe obligim për të gjithë ne për të mirën e gjeneratave që do të vijnë. Siç thotë një thënie e urtë, ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara, e kaluara u përsëritet”, pohoi ambasadori Greiçevci. Të pranishmëve u folën edhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretëri të Bashkuar, Mal Berisha, dhe Talat Pllana, kryesues i Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.

Në fjalimin e tij enkas për librin që për herë të parë po shpalosej para publikut londinez, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, James Pettifer, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Puna të cilën z. Pllana e ka bërë, tha Pettifer, është mënyra më efikase për t’iu kundërvënë përpjekjeve për rishkrim të historisë. Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe një dokumentar që paraqiste rrugëtimin e këtij libri nëpër kryeqendra të ndryshme të botës. Në fund të promovimit, autori foli për rolin dhe rëndësinë e dëshmive dhe të dhënave të përfshira në librin e tij, si dhe paraqitjen para audiencës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Të dy librat e autorit, dokumentari dhe fjalët e kësaj ngjarjeje kulturore sollën në skenë me të madhe një arsye të rëndësishme për orët e historisë shqiptare të Kosovës. Orët e historisë shqiptare të Kosovës mes këtij diskursi folën me një gjuhë globale, atë të respektit dhe kujtesës ndaj asaj që ka ndodhur për të mos u rikthyer e për të mos harruar.

Mr. Sheremet Krasniqi:“ Çlirimtarët dhe mercenarët “


Mr.Sci. Sheremet Krasniqi

Kohë më parë  doli nga shtypi një vepër sa interesante aq edhe e veçantë. Është fjala për veprën
“ Çlirimtarët dhe mercenarët “ të autorit Ahmet Qeriqi. Para se të flasim për këtë vepër, ja nja dy-tri fjalë për autorin.

Ahmet Qeriqi tashmë është një emër i njohur në letrat shqipe. Përveç se deri më tash ka botuar dhjetëra vepra zhanresh të ndryshme, ai është i njohur edhe si drejtor i Radios Kosova e Lirë, radio kjo që ka përhapur zërin e së vërtetës nga frontet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç të tjerash, ai njihet edhe si i arratisur sepse në vitet ’80 kishte qëndruar në malet e Kosovës, duke mos iu rënë në dorë për një kohë organeve ndjekëse të regjimit serb. Për shkak të aktivitetit patriotik në këto vite, ai ishte dënuar me 8 vjet burg të rëndë, që i ka mbajtur në kazamate të ndryshme të Serbisë. Janë këto vetëm pak të dhëna nga jeta e tij e bujshme si atdhetar e veprimtar i kauzës kombëtare. Është çudi se nga e merr këtë energji e elan për të shkruar vepra dhe për të udhëhequr me sukses edhe sot e kësaj dite Radion Kosova e Lirë. Besoj se lexuesit ( dëgjuesit ) nuk do të ma shohin për të madhe për ato që i thashë më lart, sepse ka edhe të atillë që mund të mos i kenë ditur këto të dhëna për këtë autor. Pra, kemi të bëjmë me një intelektual me profil të gjerë njerëzor e atdhetar.

Tani të ndalemi te vepra e lartpërmendur.

Temë qendrore e këtij romani është pasqyrimi i realitetit të shoqërisë kosovare pas luftës së fundit. Pas robërisë afër njëshekullore serbe, ishte krijuar një shans historik për të kapërcyer pasojat e hidhura të kësaj robërie dhe për të krijuar një shoqëri demokratike, të lirë e të drejtë.
Në vend që këto plagë të shoqërisë pas luftës së fundit të shëroheshin, duke vënë në poste kyçe njerëzit më të merituar e më të mençur, ndodh e kundërta : në institucione kyçe , sipas autorit të kësaj vepre, erdhën njerëz nga “ mbetjet komuniste “, njerëz joprofesionistë, njerëz servilë, filluan të lulëzojnë antivlerat, krimi i organizuar, korrupsioni, vrasjet, dhe një varg të këqijash të tjera. Populli shpresonte se pas mbarimit të luftës, këta djem, që e përzunë armikun njëshekullor, do të dinë ta ndërtojnë edhe paqen dhe mirëqenien e tyre. Por ai u zhgënjye shumë keq. Autori i kësaj vepre, duke qenë edhe vetë në korrent të ngjarjeve, iu ka qasur këtyre dukurive me një realizëm të thellë.

Libri që e kemi në dorë është edhe një dëshmi me vlera të veçanta dokumentare-historike dhe artistike , që ka për qëllim të madhërojë heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht t’ua çjerrë maskën mercenarëve-tradhtarëve dhe të gjithë atyre që ishin vënë në shërbim të armikut. Në këtë vepër hasim episode të dëgjuara e të jetuara, por ato janë pasqyruar me një mjeshtëri të rrallë artistike. Emrat e disa personazheve apo pseudonimet e tyre, tipizimi i tyre, nuk janë të rastësishëm, ata janë dhënë me qëllim për të pasqyruar realitetin tonë, sidomos pas luftës së fundit.

Që në hyrje të këtij romani autori flet për një klasë demonësh, siç i quan ai, të të gjitha prejardhjeve, politike e ideologjike. Këta demonë kishin ikur nga Kosova me të filluar lufta. Kjo klasë demonësh, siç mësojmë nga ky libër, edhe pse nuk kishte marrë pjesë në luftë, por duke qëndruar larg saj, në Tiranë e në hotele të Evropës, po përgatitej ta merrte pushtetin, ndërsa postet i kishin ndarë qysh gjatë qëndrimit në Tiranë. Këta demonë, menjëherë pas luftës, i kishin zënë institucionet dhe kishin improvizuar pushtetin e ri, edhe pse këtë pushtet kreu pacifist nuk e njohu asnjëherë. Ata, edhe pse s’e kishin shkrepur asnjë plumb kundër armikut, tani nguteshin të plaçkitnin secili sa më shumë prona shoqërore dhe banesa të serbëve, duke vendosur në to afishet “ Mos prek- UÇK”.

Krejt këta demonë e bosa autori na i ka paraqitur në këtë libër, disa me pseudonime, që lehtë mund të deshifrohen, e disa edhe me emra të vërtetë.
Autori i këtij libri, tërë mllefin e vet dhe të shtresës së lënë në mëshirën e fatit, sidomos të luftëtarëve, të invalidëve e të veteranëve të luftës, e shfryn ndaj disa shokëve të luftës, të cilët zunë poste të larta menjëherë pas luftës, por që i harruan këta shokë dhe as që iu bie ndërmend për ta.

Edhe këtë herë, thotë autori, demonët ishin përçarë, ashtu sikur kanë qenë të ndarë e të përçarë shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre mijëravjeçare. Ashtu siç janë të përçarë liderët e sotëm këtu në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në Mal të Zi. Këta demonë të së kaluarës, këta kolaboracionistë, këta ish-pushtetarë, këta mjeranë të politikës pacifiste, kishin kapur majat e pushtetit, duke futur në punë edhe bijtë e tyre, miqtë, kushërinjtë, akrabatë , dhe duke iu dhënë atyre diploma false sa çel e mbyll sytë. Ata i shihje duke shëtitur me vetura luksoze, me xhipa të blinduar, me xhepat plot para, sa në Kosovë, në Shqipëri , në Zvicër e deri në Amerikën e largët.

E, në anën tjetër, njerëzit e ndershëm , idealistët, ata që kërkonin rregull e ligj, ata ishin vënë në shënjestër , duke i përgojuar dhe duke i quajtur enveristë, të dyshimtë e të pamoralshëm, primitivë të kohës së kaluar e lloj-lloj nofkash të tjera. Menjëherë pas luftës, sipas asaj që thuhet në këtë libër, në Kosovë ishte homogjenizuar nëntoka e krimit, e prostitucionit, drogës, trafikimit të femrave e dhunimit të tyre, vrasjeve për para e shumë e shumë babëzi të tjera. Në Kosovën e shkatërruar nga lufta ishin vendosur më shumë se 40 shërbime të huaja dhe asnjë shërbim për shpëtimin e kombit.

Romani fillon me një dialog të regjistruar me përgjues nga gazetari i luftës Miran Gjetani , në një lokal nate në Fortesë. Ai i thotë një shoku të tij që të iknin nga ai lokal , sepse aty tri ditë më herët ishte parë agjenti A. J. i UDB-së duke biseduar me pronarin e lokalit. Ata, sipas asaj që mësojmë nga ky libër, kishin biseduar me bijën e një udbashi, një gazetare, e cila ishte kthyer nga Anglia dhe ajo i rivendoste lidhjet me shumë zyrtarë e kriminelë në Serbi.
Këtyre këlyshëve të Titos prapë po u shkon kungulli mbi ujë , kurse ne të luftës na mori pusi, krejt të papunë jemi. Vetëm ata bosët e mëdhenj po jetojnë si duhet, na të tjerët kemi mbetur me zorrë nëpër këmbë. Besa, më mirë të ishim vrarë sesa të çojmë një jetë qenqe” , thuhet në një dialog që zhvillon gazetari Miran Gjetani me një ish-luftëtar. Ky gazetar, personazh i imagjinuar, një njeri me besueshmëri të lartë kombëtare e morale, kishte arritur të incizonte fshehtas dhe të depërtonte madje edhe deri te kreu i shtetit, te policia ndërkombëtare, te krerët më të lartë të partive, kishte përgjuar trafikantë të ndryshëm, deputetë, ministra e të tjerë. Pas gjithë kësaj pune të mundimshme e të rrezikshme, Miran Gjetani kishte rënë në një hall të madh: si t’i bënte publike këto incizime, kur dihej se po të zbulohej autori i tyre, ai këtë do ta paguante me kokë. Por, pas konsultimeve me vjehrrin e vet, profesorin e letërsisë, ai vendos të shkruajë një roman, në të cilin do të pasqyrojë realitetin e kohës në të cilën po jetojmë e në të cilin do t’i fuste të gjitha personazhet dhe përmes tipizimit të këtyre personazheve do t’ua çirrte maskën të gjithë atyre bosëve – demonëve, që po e zhvatnin këtë popull të mjerë. Në anën tjetër, në këtë roman autori Qeriqi flet gjerë e gjatë edhe për çlirimtarët, të cilët, do të duhej të bashkoheshin me masën e gjerë, në mënyrë që bota shqiptare të ndreqej njëherë e përgjithmonë. Dhe, mendojmë se autori, duke përdorur një mënyrë të tillë rrëfimi, ia ka arritur qëllimit të realizojë me sukses këtë vepër. Kështu, si ky autor ( A. Q.) kanë vepruar edhe shkrimtarët e mëdhenj, si Dostojevski, Tolstoj, Balzaku, Markezi e shumë të tjerë, duke paraqitur në veprat e tyre realitetin e kohës në të cilën kanë jetuar.
Në këtë roman,autori Ahmet Qeriqi ka ballafaquar dy botëra- atë të çlirimtarëve e të heronjve , në njërën anë, dhe të mercenarëve e demonëve, në anën tjetër. Nëpërmjet personazhit Jeton Krasi, autori ka arritur të personifikojë atë kategori luftëtarësh invalidë të UÇK-së, të cilët kishin lënë gjymtyrë të trupit në këtë luftë, por që tash pas luftës nuk i përfillte askush, sidomos ata shokët “ atje lart “ as që ua kishin hapur derën, edhe pse ata kishin nevojë për t’u shëruar diku jashtë. Ja një dialog , që zhvillohet ndërmjet invalidit Jeton Krasi dhe dhëndrit të tij:

-Ti ke luftuar për Thaçin. Po të kishe luftuar për Rugovën t’i kisha dhënë paratë për operacion...
-Po të kisha luftuar për Rugovën , nuk do të isha plagosur hiç , fare. Nuk kam luftuar as për Thaçin, as për Rugovën, por për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, ashtu sikur mijëra të tjerë...
-Ti , miko, kurrë nuk je djersitur, por kungulli gjithmonë të ka shkuar mbi ujë. Mirë në kohën e Titos, mirë me Rugovën e tash edhe më mirë me UNMIK-un.
“Ata shokët e luftës kanë rënë në provim , o Miran, i thotë Jeton Krasi.

-Ata nuk merakosen se kanë rënë në provim . Meritat e luftës i kanë bërë kapital- ia kthen Mirani.

Miran Gjetani, nuk lë derë pa trokitur për ta ndihmuar financiarisht shërimin e Jeton Krasit. Ai takon zyrtarin e lartë të Qeverisë, Uran Lami, por as ai s’ia kishte varur, duke i thënë se ka raste edhe më të rënda se Jeton Krasi, por buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është i kufizuar. Mirani ishte ndarë i zhgënjyer nga shoku i dikurshëm i idealit e i luftës.

Miran Gjetani, duke mos qenë në gjendje t’i ndihmojë Jeton Krasit , invalid i luftës, me 7-8 cifla në trup, i rrëfen atij se gati ishte çmendur kur kishte mësuar se, pos Gim Gagit, në policinë e UNMIK-ut po punonin edhe shumë inspektorë serbë e shqipfolës. Ata kanë zënë punë në të gjitha segmentet e administratës, në Prokurori, në gjykatë , në polici e ku jo, thotë ai.
Të gjithë këta horra, milicë shqipfolës, hafije, prokurorë e gjykatës, këta bijtë e qenve, që deri dje i kanë shërbyer regjimit serbe që tash kanë zënë vende pune në administratë e në poste të larta, , jo që nuk e kanë vendin aty, por do të duhej t’i kërkonin falje këtij populli për babëzitë e tyre në të kaluarën.

Autori në këtë roman nuk i ka kursyer as shokët e burgut e të idealit, duke i kritikuar ata se ishin paksa oportunistë.
Nëpërmjet personazhit Ferid Roga, ish- i burgosur , sekser i një Bosi të Madh, autori ka stigmatizuar të gjithë ata bosa të mëdhenj e të vegjël, të cilët përdornin çdo lloj pune të ndytë që t’i fitonin tenderët e pastaj edhe zgjedhjet. Madje këta bosë dhe shërbëtorët e tyre nuk hezitojnë të bashkëpunojnë edhe me femra serbe, siç është Sllavica, e cila ua mban lidhjet e tyre me tregtarët në Vranjë, në Nish e në Beograd.

Në këtë roman është paraqitur mjaft mirë edhe figura e deputetit demagog, siç është Demë Mali, i cili kishte flakur uniformën e UÇK-së dhe ishte dhënë pas luksit, duke u martuar me një grua të dytë në qytet, si dhe duke krijuar një pasuri përrallore. Ai shtirej se po e përkrahte krahun e luftës, invalidët, por prapa shpine punonte kundër tyre. Ai thotë se ka kaluar koha e idealizmit për bashkim kombëtar e përralla të tjera. Ne, sot, thotë ai, iu kemi kthyer Evropës, NATO-s. Ç’i duhet atij mikut tënd në Radion Kosova e Lirë të kritikojë madje edhe kreun e luftës , ku ka qenë edhe vetë ?
Po ashtu, në këtë vepër janë portretizuar me mjaft mjeshtëri edhe shumë personazhe , siç është ai i Besim Hotit e i Kushtrim Burimit. Ky i fundit ishte një veprimtar i çështjes kombëtare, i cili i kishte mbajtur 9 vjet burg dhe gjatë gjykimit e vuajtjes së dënimit kishte mbajtur një qëndrim të pathyeshëm si militant i lirisë. Një personazh mjaft interesant në këtë vepër është edhe ai i Leme Gjetës, një bijë e një milici, babanë e së cilës thuhej se ia kishte vrarë UÇK-ja. Pas vrasjes së babait, ajo kishte bërë jetën e një prostitute, kështu i kishte rrëfyer shokut të klasës, Besim Hotit. Ajo është një personazh si ajo Lukja e Migjenit, e cila, për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë nënën dhe vëllanë, detyrohet të shesë edhe trupin e vet. Po aq interesant është edhe biseda e Miran Gjetanit e Jeton Krasit me ish-eprorin e luftës , Shkodran Kolonja. Gjatë bisedës, ata kujtojnë sakrificën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të bashkëluftëtarëve të tyre, ardhmëria e të cilëve po iu kërcënohej pas luftës. Këta i brengoste sidomos ndasia që kishte ndodhur pas luftës kur ishin ndarë shoku nga shoku, madje edhe vëllai nga vëllai. Kjo i tmerronte, ndonëse do të duhej të ndodhte e kundërta.

Siç dihet, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin inkuadruar edhe shumë luftëtarë e oficerë nga Shqipëria, por pas luftës ata ndodheshin në një gjendje të mjerueshme ekzistenciale. Atyre nuk iu kishin ofruar kurrfarë pune , as në Prishtinë e as në Tiranë. Kjo është dhënë në mënyrë mjaft realiste nëpërmjet personazhit, kolonelit Shkodran Kolonja, i cili kishte mbetur në rrugë, edhe pse kishte marrë pjesë në tri luftërat tona çlirimtare. Në bisedë e sipër, Jetoni i thotë Shkodranit :

-Me rëndësi është që e fituam luftën, për të tjerat do të presim.
-Luftën e fituam, por po e gëzojnë mercenarët, harbutët, matrapazët, ish-pushtetarët, demonët e sotëm..., bosët, që sikur ushejza iu kanë qepur trupit të Atdheut”, ia kthen Miran Gjetani, i mllefosur sidomos në shokët e luftës , të cilët kishin mundësi t’iu ndihmonin , por që nuk çanin kokën për ta. “ Derisa ne luftonim në Kosovë, disa nga shokët tanë kanë ndarë pozita e poste në Tiranë”-thotë Shkodrani.

Një kapitull mjaft interesant në këtë libër është ai ku flitet për Bosin e Madh dhe zhvatjen që ia kishte bërë Ferid Roga. Bosi i Madh kishte krijuar një pasuri përrallore: kishte blerë, pos të tjerave, edhe tri hotele në qytet me çmime shumë të ulëta dhe asnjërin prej këtyre hoteleve nuk e kishte regjistruar në emër të vet, madje njërin e kishte regjistruar në emër të Sllavicës. Krejt këtë pasuri ai e kishte krijuar në saje të lidhjeve që ia kishte siguruar Sllavica, si minoritete, me ata të UNMIK-ut.
Ferid Roga, një personazh pozitiv në këtë roman, ishte bindur se invalidin Jeton Krasi nuk e ndihmonin shokët e luftës nga fakti se ai ishte i drejtë dhe nuk e kursente askënd. Ai më parë pranonte të vdiste nga ato plagë në trup sesa të merrte para të pista për t’u shëruar diku jashtë shtetit. Por, ç’ndodh më vonë me Ferid Rogën ? Ai arrestohet nga ish-inspektori i UDB-së Gim Gagi, pas luftës inspektor i UNMIK-ut. Ky inspektor thotë se qëllimi ynë është t’i diskreditojmë këta terroristët e UÇK-së , ky është misioni ynë dhe i Sigurimit francez. “ Duhet të krijohet bindja në popull se të gjithë kanë qenë hajna, kriminelë, banditë, se kanë vrarë vetëm shqiptarë, se në luftë me Serbinë nuk është vrarë asnjë prej tyre, se ata gjatë luftës kanë vrarë njëri-tjetrin, me qëllim për të kontrolluar fondet, paratë, drogën, prostitucionin...” Në këtë aspekt , thotë ky inspektor, po na ndihmon shumë Vet Sorri, sidomos tri gazetat kryesore të Kosovës dhe BIRN-i, që po i financojmë ne. Njerëzit tanë i kemi kudo në institucione, në polici, në Prokurori, në administratë...Madje edhe “ brenda UÇK-së unë kam pasur dhe kam njeriun më të fortë të UDB-së”. Këtë inspektor të UDB-së , një ditë, ia ngjet për fyti dhe e shtrin për toke Ferid Roga, sepse ky ia kishte rrahur keq motrën dhe një shoqe të saj në demonstratat e vitit 1989.

Në pjesën e dytë të këtij romani flitet për misionin e EULEX-it në Kosovë , i cili edhe ky do të vazhdonte avazin e UNMIK-ut, duke satanizuar vlerat e luftës çlirimtare, për të krijuar bindjen se në Kosovë nuk kishte pasur luftë, por një konflikt mes “ terroristëve “ shqiptarë dhe regjimit të Milosheviqit. Edhe EULEX-i kishte filluar arrestimin e luftëtarëve të lirisë, duke u bazuar në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit. Në vazhdim të këtij romani flitet për Jeton Krasin, i cili operohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për dënimin e Ferid Rogës për shkak të zhvatjes së pronarit të vet, si dhe për një përgjim interesant të një shoku të Miranit.

Një takim i papritur i Jeton Krasit e Miran Gjetanit me gazetaren Mirela nga Shqipëria qet në shesh punën e ndyrë që bënin disa gazetarë nga Shqipëria e nga Kosova gjatë kohës së luftës në Kosovë. Nga dialogu që zhvillojnë këta dy me këtë gazetare mësojmë se ajo ishte një gazetare që shkruante për shërbime të huaja, e këtë ia thotë në sy Miran Gjetani : “ Ja cilët janë gazetarët e Shqipërisë sot. Ata e shpifën gënjeshtrën për para. Këta për para e shesin edhe nënën e vet, o vëlla!”-thotë Jetoni. Të tillë punë të fëlliqur, mjerisht, bënë edhe shumë gazetarë shqipfolës si kjo bushtër e i tillë ishte edhe Vet Sorri, kryemercenari i Kosovës, i cili është portretizuar mjaft mirë në faqet e këtij romani.

Ferid Roga lirohet si i pafajshëm , pas intervenimit të Bosit të Madh. Bosi i Madh dhe deputeti Demë Mali bisedojnë për tenderët dhe privatizimin. Nga dialogu që zhvillojnë Bosi i Madh me deputetin Demë Mali autori ka paraqitur dallaveret që bënin në mes vete deputeti Demë Mali (Lexo: deputetët) për të fituar tenderët dhe pronat që priteshin të privatizohen.
Një takim i Jeton Krasit me dhëndrin e tij është pasqyruar në mënyrë realiste në faqet e mëpastajme të romanit. Ishte ky një takim i dy kundërshtarëve të përjetshëm: njëri, i cili kishte marrë pjesë në luftë dhe ishte plagosur, dhe tjetri, i cili kishte krijuar një pasuri përrallore dhe as që i hante palla për këta të luftës, që kishin mbetur invalidë të përhershëm dhe që askush s’kujdesej për ta.

Fati i një femre në vorbullën e ngjarjeve historike është pasqyruar në mënyrë artistike nëpërmjet personazhit të romanit Leme Gjeta, të cilën e shpëtojnë nga kthetrat e bosëve të trafikimit dhe shfrytëzimit shoku i shkollës Besim Hoti dhe Mirani, personazhe këto që e përshkojnë si fije e kuqe tërë romanin.

Në kapitullin vijues të këtij romani bëhet fjalë për pleksjen e Ferid Rogës me Sllavicën dhe me trafikantë të Bosit të Madh, si dhe për qëndrimin e tyre në Shqipëri, ku i pret ministri Pano. Në bisedat e tyre , ata prekin edhe ngjarjet që ishin zhvilluar atëbotë në Kosovë e në Shqipëri. Bosi i madh e Sllavica kujtonin kohën e e bashkim –vëllazërimit , kur shqiptarët e serbët , sipas tyre, gëzonin të gjitha të drejtat dhe jetonin të lumtur, por këtë “jetë të lumtur “ ua prishën demonstratat e ’81 –shit dhe ata të UÇK-së , si dhe bombardimet e NATO-s. Pohimeve të tyre iu kundërvihet Ferid Roga, edhe pse rrezikohej të mbetej në rrugë nga Bosi i Madh. Portreti i Sllavicës në këtë vepër është paraqitur në mënyrë shumë të arrirë . Ajo, për t’i kryer detyrat e Bosit të Madh dhe të shërbimeve sekrete serbe , dinte t’i vardisej çdokujt , ashtu siç iu vardis edhe Ferid Rogës, i cili një ditë bie në karremin e saj, siç mësojmë në kapitujt vijues, kur me të i lind një djalë, por këtë djalë autori Qeriqi synon ta paraqesë si fryt të një dashurie në mes njerëzve të racave të ndryshme e jo si fryt i një urrejtjeje. Kjo urrejtje, sipas porosisë që na jep ky personazh, i takon të së kaluarës së trishtuar dhe ajo një ditë do të duhej të mbyllej.

Në kapitullin XI të këtij romani na del në skenë prapë gazetari Miran Gjetani, i cili përmes bashkëluftëtarëve veteranë përgjon dhe incizon bisedat e krerëve të lartë të EULEX-it dhe Vet Sorrin. Në këtë kapitull na është dhënë surrati i vërtetë i Vet Sorrit, përfaqësuesit më besnik të jugosllavizmit dhe i bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët. Ai, me gazetën e tij ditore, ishte vënë në shërbim të EULEX-it dhe të Shërbimit sekret serb. Qëllimi i tyre ishte që të diskreditohej krejt kreu i luftës, që Serbia të paraqitej viktimë e kësaj lufte, ndërsa pala shqiptare të paraqitej terroriste. Duhet të kihet kujdes, thotë me një rast Vet Sorri, që në kreun e shtetit të mos zënë vend idealistët, si Demaçi, sepse kjo do të ishte rreziku më i madh për Serbinë.

Në pjesën e tretë të këtij libri autori Ahmet Qeriqi ka paraqitur një bisedë veteranësh të luftës në një hotel të Prishtinës. Gjatë bisedës së këtyre veteranëve ( Zel Dura, gazetarja Mrika Troni, Miran Gjetani, Laz Reza ) ata zënë ngoje gazetaren Mirela, e cila bashkëpunonte me Dik Martin. Kur këta veteranë përmendin emrin e Mirelës, ndërhyn Mirani, i cili i thotë Jetonit : “ Mos harro Jeton, se e ke një të tillë edhe në Prishtinë, madje më të ndyrë se Mirela. Këtu e ke qendrën e gazetarisë së Beogradit , bijën e BIRN-it”.

Pos këtyre gazetarëve të lartpërmendur, autori flet në këtë libër edhe për një duzinë gazetarucësh, siç i quan ai, të cilët gjatë luftës ia mbathën nëpër botë, e prej andej “ na shanin dhe kërkonin llogari , pse e kishim nisur luftën, e cila ua kishte prishur hesapet dhe sehiret me regjimin kriminal”. Në këtë pjesë të librit autori flet edhe për dy figura antipode- Adem Demaçin e Ibrahim Rugovën. Të parin e paraqet si një figurë i cili tërë një jetë e kaloi në shërbim të kombit e atdheut, ndërsa i dyti personifikon shqiptarin e robërisë shekullore, atë shtresë të shqiptarëve , që janë mësuar të jetojnë “ me dinjitetin e nëpërkëmbur , njeriun e mjerë, qyqarin, të cilit Serbia ia kishte futur frikën deri në palcë...”

Në vazhdim të kësaj pjese të librit , autori përmend oficerët nga Shqipëria, të cilët kishin marrë pjesë në tri luftërat që ishin zhvilluar në këto troje, por që pas luftës ata u injoruan nga kreu i shtetit, të sugjeruar edhe nga KFOR-i që si shtetas të huaj duhej të largoheshin nga Kosova , por edhe nga propaganda e disa ulokëve e malokëve, siç i quan autori, të cilët nuk kishin kurrfarë përvoje ushtarake në krahasim me ta. Këta oficerë ushtarakë nga Shqipëria, siç ishin Laver Labi, Demë Shehu, Bardhyl Tahiri, Tahir Sinani e të tjerë, kishin ndihmuar jashtëzakonisht shumë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si strategë ushtarakë që ishin, madje njëri prej tyre ( Tahir Sinani ) ra edhe dëshmor në këtë luftë. Këta oficerë ushtarakë, një fat i keq i priti edhe kur u kthyen në Tiranë. Ata, jo vetëm që nuk i falënderoi kush për veprën e tyre patriotike që kishin kryer ndaj kësaj pjese të robëruar të Shqipërisë, që nuk iu gjet një vend pune, përkundrazi, ata mbetën në rrugë, mezi siguronin kafshatën e gojës për vete dhe familjet e tyre.

Në fund të këtij libri kemi një fjalim në Panairin e Librit të Lirisë të kryeidealistit të Kosovës dhe të mbarë kombit, bacë Adem Demaçi. Ai, duke i përgëzuar organizatorët e këtij panairi, ndër të tjera, tha :
“... Nuk ka ndalje, nuk ka dorëzim, po vetëm ecje përpara me besim të plotë, se, megjithatë, do t’ia dalim që ta bëjmë një Shqipëri si duhet, një Shqipëri që do ta ketë lakmi tërë bota, një Shqipëri që do t’i gëzojë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë... “
Autori, jo rastësisht ka përmbyllur veprën me fjalët e kryeidealistit, Adem Demaçi, fjalë këto që janë mishërimi i palëkundur në luftën e pandërprerë idealistëve dhe të të gjithë liridashësve për ta bërë njëherë e mirë Shqipërinë.

“Fati i luleve”, një vepër monumentale për jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, shkruar nga bashkëveprimtari, Kadri Rexha

Është e mirënjohur legjenda biblike mbi fatin e Josifit, birit të Jakobit, të cilin vëllezërit ziliqarë e kishin shitur si skllav, meqë ata konsideronin se babai e donte më shumë nga të tjerët. Jusufi i historisë shqiptare, ka diçka të përbashkët me emnakun e tij të kujtesës biblike. Jusufi ynë kishte marrë rrugën e mërgimit i ndjekur nga “faraonët” sllavë E VASALËT E TYRE SHQIPFOLËS dhe nga atje larg, në dhe të huaj, kishte vepruar me qëllim që t’ iu ndihmonte bashkatdhetarëve, në rrugën e tyre të gjatë dhe të mundimshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Përderisa Josifi i biblës kishte kaluar kohën e mundimeve në mesin e faraonëve dhe kishte arritur të mbijetonte, Jusufit tonë ”faraonët” ia kishin këputur jetën në mes, por jo edhe porosinë, ndikimin dhe përkushtimin e tij për ta çliruar kombin nga robëria...

Kadri Rexha, autor i librave "Kosovë, gurrë e bardhë", "Fati i luleve", "Pushkë lajmëtare", “Dervish Shaqa” si dhe i qindra artikujve të ndryshëm, tashmë, është emër i njohur i publicistikës shqiptare. Veprimtarinë e tij publicistike dhe letrare e ka nisur në fillim të viteve të 70, me botimin e shkrimeve për rilindësit, shënimeve, kritikave dhe vështrimeve mbi letërsinë, traditën, folklorin, filmin, etj.
Me këtë rast, do të marrim në shqyrtim vetëm veprën e tij monumentale: “Fati i luleve-Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla”, botuar në vitin 1993, një monografi letrare, e cila shkëlqen në të gjitha segmentet, që e përbëjnë një vepër të arrirë, e cila i përballon çdo kohe.
Përkushtimi i autorit për të shkruar një monografi për bashkëveprimtarin dhe shokun e tij të idealit, Jusuf Gërvalla vërehet në çdo fjali të kësaj vepre, jo vetëm si frymëzim, por mbi të gjitha si përgjegjësi për të ndriçuar deri në detaje veprimtarinë e gjithanshme të kolosit të lëvizjes sonë kombëtare, të cilin së bashku me vëllanë e tij Bardhoshin, dhe veprimtarin, Kadri Zeka, më 17 janar të vitit 1982 i vrau dora e regjimit okupator titist-rankoviqist.
Duke qenë edhe vetë i përndjekur politikisht, i dënuar dhe i ndëshkuar nga regjimi okupator jugosllav, gjatë fushatës kundër rinisë studentore dhe intelektuale të viteve ’80 të, cilët kërkonin liri, barazi dhe Kosovën Republikë, Kadri Rexha, pas daljes nga burgu, sikur i kishte shtruar vetes një detyrë mbi të gjitha detyrat, me qëllim për ta shkruar një vepër për shokun e tij dhe bashkëveprimtarët, të cilët në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar i dhanë një hov të ri Lëvizjes Kombëtare shqiptare në Kosovë e më gjerë, duke shtruar kërkesa programatike në drejtim të kalitjes së vetëdijes kombëtare dhe duke përparuar fuqishëm proceset që çonin drejt shkëputjes vendimtare të Kosovës nga Jugosllavia.

Në librin “Fati i luleve” Kadri Rexha, përmes një metodologjie të përparuar shkencore ka marrë në shqyrtim dhe ka trajtuar me sukses jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, familjes së tij, shokëve të idealit, bashkëveprimtarëve të shumtë, duke na sjellë mori të dhënash, fakte, argumente krejtësisht reale, duke pasqyruar me besnikëri deri edhe detaje të hollësishme nga jeta e këtij heroi të kohës sonë.
Ka qenë e vështirë për autorin të vendos për të shkruar një vepër të tillë, meqë jo vetëm njëherë autorë të shumtë, madje edhe me përvojë, kanë marrë mundin për të ndriçuar jetën e kolosëve, por nuk ia kanë arritur, sepse të shkruhet një libër për një personalitet, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e lëvizjeve çlirimtare, gjithmonë ka qenë dhe mbetet një punë e vështirë. Duke sqaruar motivet për ta shkruar këtë vepër, autori në “prolog” të librit ka shkruar: “Dëshira për të shkruar për Jusuf Gërvallën nuk më ka lindur rastësisht, më parë se të jetë përgjigje e kërkesës së shokëve dhe miqve të mi, si edhe e shumë shqiptarëve që i takova nëpër qelitë e errëta të burgjeve, më tepër se të jetë ndjenjë e fortë e detyrës, për të shkruar për figurat e shquara të historisë dhe kulturës sonë kombëtare..... janë kujtimet e mia borxhi dhe amaneti, që po i bart si barrë në qenien time vite me radhë”.
Kadri Rexha ka pasur edhe mbështetjen e bashkëmendimtarëve të Jusufit, për ta ndriçuar biografinë e tij. I gjendur përballë këtij “presioni” të dobishëm, duke konsideruar me të drejtë se ka qenë dhe ka mbetur kurdoherë besnik i idealeve për çlirim dhe bashkim kombëtar, ai i rreket punës me seriozitetin e duhur, dhe për një kohë të gjatë ka grumbulluar të gjitha ato materiale të domosdoshme për të shkruar këtë monografi, pa pretenduar se ka arritur t’i thotë të gjitha.

Duke qenë se në kohën kur kishte filluar ta shkruante monografinë, Kadriu tashmë ishte emër i njohur, jo vetëm për qarqet tona letrare e publicistike, por një emër shumë i nderuar edhe në radhët e Lëvizjes sonë Kombëtare, ai kishte projektuar idenë për shkrimin e monografisë dhe pas disa viteve, i përballur me të gjitha vështirësitë, me të cilat ndeshet çdo autor i ndërgjegjshëm dhe serioz, kishte arritur që në vitin 1993, ta nxjerrë në dritë këtë monografi, ndër më të realizuarat e letërsisë sonë të këtij zhanri.

Libri “Fati i luleve” përbëhet nga 39 kapituj, të cilët me mjeshtëri janë sistemuar në tërësinë e veprës. Duke ndjekur një metodologji të përparuar të mbarështimit të lëndës, duke marrë në konsideratë të gjitha elementet përbërëse, të cilat inkorporohen në tërësinë e lëndës, autori i këtij libri ka vjelë ashtu sikur vjelë bleta nektarin, herë afër e herë larg, herë në fusha e herë në male, herë nëpër shtigje të rrezikshme e në kurthe të ngrehura... Ai ka arritur ta përshkruajë me besnikëri e përgjegjësi jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, fillimisht nga prejardhja, familja, pastaj nga fëmijëria, djalëria, burrëria e deri në ditën kur arma vrastare e pushtuesit e kishte martirizuar, në Untengrupenbach të Gjermanisë, më 17 janar të vitit 1982, së bashku me vëllanë Bardhoshin dhe shokun e idealeve, Kadri Zeka.
Duke i qëndruar kurdoherë besnik faktografisë, por edhe duke i dhënë cytje meditacionit artistik, duke i stolisur të gjitha këto me një gjuhë të pastër e shumë të pasur me figuracion të shquar artistik, Kadri Rexha në librin “Fati i luleve” i ka shkrirë në një tërësi të gjitha elementet shkrimore, letrare, publicistike e shkencore, për të na dhënë kështu një libër të plotë, për mendimin tim, librin që akordon me majat ku kishte arritur veprimtaria dhe aktiviteti patriotik i Jusuf Gërvallës. Ky vlerësim imi është i faktuar në lëndën, që sjellë vepra prej faqes së parë e deri te ajo e fundit.
Lexuesi i vëmendshëm dhe ai që ka pasur rastin ta njohë për së afërmi, Jusuf Gërvallën, në këtë vepër zbulojnë të dhëna shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e këtij heroi të kombit tonë.
Duke analizuar të dhënat nga origjina e heroit, nga familja, shkollimi, mërgimi në Slloveni, kthimi sërish në Kosovë, puna, angazhimi atdhetar, veprimtaria legale dhe ilegale në dobi të kombit e atdheut, aspirata për liri dhe bashkim kombëtar, ikja për të mos rënë në kthetrat e UDB-së e deri te martirizimi..., jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës është ndriçuar në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, me një vizion të qartë dhe shumë relevant, në mbështetje të fakteve të shumta dhe të pamohueshme. Si e tillë, e përpunuar në të gjitha segmentet, kjo vepër radhitet ndër veprat më të arrira të këtij zhanri të letërsisë sonë bashkëkohore.

Mendoj se autori i këtij libri ka arritur të përmbarojë monumentin e tij shkrimor, në radhë të parë duke u mbështetur në përkushtimin e vet atdhetar, pastaj edhe fatit, që ishte bashkëkohës dhe bashkëveprimtar me Jusuf Gërvallën si dhe pajisjes me një kulturë të gjerë njohëse, shumë dimensionale, të cilën e disponon ky studiues meritor i letrave tona.
Në sintezat që autori ka nxjerrë pas punës së tij të gjatë në hartimin e këtij libri, ka vërejtur me vëmendje se “Jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës nuk janë dy fenomene që kundërshtohen... por ato shkojnë e shkrihen në një fokus, duke e dhënë kështu sintezën e njeriut me gjithë urtësinë, njerëzinë, bukurinë dhe madhështinë e tij... ai besonte se njeriu në jetën e tij është farkëtues i fatit të vet...” Veprat si kjo na bindin në vërtetësinë e këtij konstatimi.
Ahmet Qeriqi

Dr. Ilaz Metaj: Vështrim për veprën “Meditime në arrati”, të autorit Ahmet Qeriqi



Koha e kaluar në vetmi, në arrati dhe bredhjet e Eknatit, të personazhit kryesor të veprës, "Meditime në arrati", janë përjetimet e botës reale, të zemrës dhe të shpirtit në kohë dhe në hapësirë të caktuar, të autorit. Ndonëse ky libri i parë i tij, për opinionin lexues shqiptar, autori, Ahmet Qeriqi, nuk është anonim në letrat shqipe. Është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare të UÇK-së dhe drejtor i Radios "Kosova e Lirë", ku punon edhe tani.

Autori, Ahmet Qeriqi, librin me titull “Meditime në arrati” e ka ndarë në disa kaptina. Secila nga këto ngërthen në vete porosi të veçantë. Të gjitha së bashku shkrihen dhe sajojnë një tërësi. Mendimet dhe përmbajtjet e kaptinave qëndrojnë dhe janë struktura përmbajtësore në funksion të titullit,të tërësisë.
Ai që e njeh autorin dhe veprimtarinë e tij prej idealisti kombëtar, nuk e ka vështirë që ngjarjet, toponimet, mikroponimet dhe antroponimet e kësaj vepre t`i lidhë pikërisht me jetën dhe të kaluarën e tij në fëmijëri dhe më vonë, qoftë në vendlindje ose jashtë saj. Eknat Malmiri është vetë autori, Ahmet Qeriqi.
Fjalën verë në titull të këtij vështrimi e marrin me konotim të caktuar - gjysmëviti. Koha e qëndrimit të Eknatit në arrati është stina e verës , ashtu siç trajtohet në vepër. Rrugët e arratisë Eknati i nis në fillim të prillit të vitit 1981 dhe e përfundon në vjeshtë nga ndikimi i faktorëve të natyrës. Atëherë kur lëbyren gjethet e lajthisë, kur fillojnë të marrin ngjyrë të skuqur ato të ahut, kur largohen korilat, atëherë kur dyndjet e reve paralajmëronin prishjen e kohës.
Në këtë Eknati ishte nisur i shtrënguar të mos binte në duar dhe në kthetrat e UDB-së. E dinte se po e kërkonin. Kishte një veprimtari të ngjeshur më se dhjetë-vjeçare ilegale kombëtare. Ishte profesor dhe kishte lexuar literaturë të shumëllojshme, madje edhe shumë vepra të klasikëve të marksizmit, veprat e Enver Hoxhës dhe të shumë filozofëve. Leximi e kishte bërë të veten, kishte ndikuar në formimin e personalitetit të tij. Njihte mirë profesionin për të cilin kishte studiuar, fenomenet e natyrës dhe si nxënës i medresesë ishte brumosur në masë të konsiderueshme edhe me edukatën shpirtërore në rrafshin e religjionit.
Në kohë të arratisë, Eknati preokupim qenësor kishte situatën politike që mbretëronte në Kosovë, duke mos përjashtuar atë ndërkombëtare. Dihet, “thana çel e para nga drurët e pyllit, thotë autori, por frutat i pjek e fundit”. Për Eknatin edhe pranvera shqiptare e atij viti kishte çelur e para ndër shoqet, duke aluduar në pranverën sllovene, kroate, boshnjake. Në krahasim me pranverat e popujve të tjerë, kjo shqiptare ishte e përgjakur dhe do të vinte më vonë. Kishte mendime të ndryshme dhe nuk mund të parashikonte dhe të parandiente se kur do t`i "piqte" frutat pranvera shqiptare,kure do të vinte dita e lirisë. Pushteti serb, ai i Beogradit, i druante kësaj pranvere të ngjeshur me protesta dhe demonstrata studentore,të minatorëve, madje edhe gjithëpopullore, Ai pushtet i kohës i ndiqte dhe i persekutonte veprimtarët e kësaj lëvizje. Njëri ndër ta ishte edhe Eknat Malmiri.
Natyrisht, vendstrehimin më të sigurt Eknati e konsideronte vendlindjen e tij. Sado që ndërronte hapësirat e veprimit (sa ishte në Gjilan, në Preshevë, në Shkup e në Tetovë), ishte një forcë magjike e pashpjegueshme që e tërhiqte dhe shtynte gjithnjë të kthehej, aty, ku kishte bërë hapat e parë të fëmijërisë, në vendin e lindjes, në Malmirin e tij, në Krojmirin e tij. Jeta e tij ishte e lidhur me Malmirin: fëmijëria, mësimi i shkronjave të para, lojërat baritore, familja, farefisi, po edhe fshatrat e tij. Ndonëse Malmirin e trajtonte vendin dhe hapësirën më të sigurt, atëherë kur kishte marrë vendimin të arratisej, ishte hera e parë në jetën e tij që ishte i shtrënguar të hynte këtu tinëzisht.
Është për ta veçuar këtu se autori, sa i përket përdorimit të toponimeve, të mikroponimeve dhe të antroponimeve, ka zgjedhur një rrugë dhe një sistem të veçantë të kodimit. Toponimet i përkufizon si të rinj, pas të cilëve fshihen lokalitete me emra të tjerë. Ai do t’ i quaj Malmir, Fortesë, Qytezë, Goden etj. Emrat e poltronëve politikë shqiptarë dalin me emra dhe mbiemra të vërtet, siç dalin edhe ata të serbëve. Në anën tjetër, emrat e spiunëve dhe të bashkëpunëtorëve të sigurimit shtetëror serb dhe ata të bashkëpunëtorëve të UDB-së janë të formës së deformuar: Milhami, Metë Llabani, Velë Kaçami, Teki Lluga, Basër Derri, e ndonjë tjetër, si: Basho Sani, Lutë Zajzi etj. Emrat e kolegëve me të cilët pati fatin të punoj, e në të cilët nuk kishin besim, dalin sipas të njëjtit sistem kodimi, siç janë: Has Ceri, Bar Troshi, Shyqë Uki etj. Për kodimin e emrave të këtillë autori gjen mbështetjen pikërisht në bashkëtingëlloret veçuese të emrave të tyre. Pë autorin e këtyre rreshtave, nuk është aq vështirë t`i dekodojë, t`i zbërthejë Mikrotoponimet janë ruajtur me emra të vjetër, ashtu siç i shqipton popullata e vendit: Arat e Shkreta, Trolli i Moçëm, Shkrepat e Bigave, Vorret e Murtajës, Rasujat, Vorri i Mohit etj.Këto mikrotoponime të fshatit sikur na thonë se Malmiri është një vendbanim shumë i vjetër, i banuar denbabaden me shqiptarë.
Nuk ngel gjë e të mos i sillet Eknatit në këto çaste në mendjen, në trutin dhe në shpirtin e tij. Nuk gjendej njeri pranë tij t`ia zhdavarisë kujtimet, t`ia prishë qetësinë e ta ndaj nga to. Kujton shokët e shkollës ata me të cilët kishte punuar, rrugëtimet e ndryshme, madje edhe atë në Sofje për literaturë në Ambasadën e Shqipërisë; kujton nxënësit e tij, ata të cilët i kishte vrarë policia serbe, demonstratat, pjesëmarrjen në to së bashku me nxënësit, rezistencën trimërore të Tahir Mehës së Prekazit të Drenicës, por edhe për dromca historike jetë familjare, për Atëgjyshin - Miftar Shemën etj.
Pas dy muaj qëndrimi në arrati, te Eknati hetohet një dozë zhgënjimi pse deri në ato çaste nuk kishte realizuar asnjë nga synimet, përveç asaj se ishte i braktisur dhe organet e ndjekjes s`mund t`i binin në gjurmë. Qetësi shpirtërore dhe ngushëllim gjente në të dhënën se kishte kohë të mjaftueshme të lexonte dhe të shkruante për preokupimet dhe frymëzimet që i vinin. Kishte një botë të pasur të imagjinatës dhe një sens të lindur për të komunikuar pa zë, për të komunikuar me veten, aftësi kjo jo për t`u nënçmuar. Sa e sa dëshira të zjarrta të paplotësuara i silleshin ndër mend, nga të cilat asnjëherë nuk hiqte dorë. Ishte i vendosur Eknati të qëndronte në Malmir. Në rast ballafaqimi të befasishëm me forcat armike, dëshirë e tij ishte që pikë e fundit e gjakut të tij të derdhej pikërisht këtu. Ishte i vendosur të bënte edhe rezistencë të armatosur. Këtë e bënte ngase ky ishte vendi më i dashur për të, të cilit i falej çdo herë, edhe vendi që ia ndizte frymëzimet për jetë a vdekje me nderë. Ishte ky vendi dhe hapësira e tij që vetëm atij dhe lirisë së tij ia kishte jetën borxh. Askujt tjetër më.
Eknati e zotëronte vetveten dhe gjatë bredhjeve prej një vendi në tjetrin sikur tashmë nuk ndjente nevojë për të tjerët, për bashkudhëtarë, për bashkëveprimtarë,për bashkëkëshilltarë. Ishte dhe u bë krijesë njerëzore që kishte një aftësi të veçantë të jetonte në vetmi. Në këto kushte jetese, me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër e zotëronte dhe e prefeksiononte filozofinë e preferueshme të tij, të bisedës dhe të komunikimit me vetveten. Këtë mënyrë të veçantë të komunikimit e konsideronte filozofi të shoqërimit, duf e ashk të brendshëm të shfrimit, me edukatën familjare dhe me formimin e personalitetit të tij. Kishte shpirt të ndjeshëm dhe sens të hollë prej filigrani për ngjarjet që po ndodhnin në Kosovë. Jeton me to dhe i parakalojnë në trurin, në psikën dhe në shpirtin e tij shpesh në formë lumi të turbullt. Sa kujton një ngjarje, duke dëshiruar të jetojë me të më gjatë dhe të përsiasë sa më hollësisht, ajo zgjonte asociaconin e ngjarjes tjetër. Kështu ngjarjet dhe mendimet shkonin duke u lidhur zinxhirë njëra me tjetrën,duke krijuar mozaik situatash ndër më të shumëllojshmet. Eknat Malmiri qëndronte si subjekt në epiqendër, duke mos qenë i aftë të gjejë zgjidhje përkatëse.
Eknatitnuk fshihej nga mendja 13 maji i vitit 1981. I sillej vazhdimisht në kujtesë kjo ngjarje kombëtare, kur forcat speciale policore serbe, pikërisht në ditën kur shënonin përvjetorin, dëshironin vetes t`ia shënonin edhe një fitore. Në pikë të dritës sulmuan shtëpinë dhe familjen e Tahir dhe të Nebih Mehës. Babë e bir, në Prekaz, u bënë rezistencë këtyre forcave deri në frymën e fundit Urrejtja dhe pezmi i Eknatit ndaj kësaj force policore armike shkrihej dhe tretej në ato çaste në krenarinë dhe në heroizmin e këtyre dy martirëve, që ditën dhe treguan, në vepër, si mbrohet dhe si vdiste për atdhe. Ishte krenar në këto çaste Eknati se edhe ai i përkiste Rrafshnaltës së trimave. Rezistenca e armatosur e bënte edhe të fuqishëm, i jepte më shumë zemër dhe shpresë. Veten në këto momente nuk e ndjente të vetmuar. Paska edhe shqiptarë të tjerë të mendjes dhe të qëllimit tim, thoshte vetmevete. Zgjohej në të diçka e jashtëzakonshme dhe sajonte në kokën e tij strategjinë dhe planet si t`i priste këto forca policore edhe ai një ditë. Edhe ky ishte i lidhur për vendlindjen, siç ishte i lidhur Tahiri për kullën e tij. Kjo i jepte zemrën, e bënte shumë më të fortë, ia arsyetonte qëndrimin në arrati.
Mbresë të pashlyeshme, që i përfytyrohej shpesh, dhe nuk e linte të qetë Eknat Malmirin, ishte Limi, ai bonjaku i lagjes. Limi ishte djaloshi që jetën e shkonte me dashurinë e tejshprehur për Shqipërinë. Për Limin Shqipëria ishte vendi ku balta ishte më e ëmbël se mjalti. Ky jetonte me bindjen se Dielli lindte në Shqipëri, shëtiste botën, duke derdhur dritën dhe ngrohtësinë në rruzullin tokësor dhe në mbrëmje kthehej në vendin e lindjes, kthehej në shtëpi, në Shqipëri. Dielli natën e kalonte në vendin të cilin Limi e adhuronte më së shumti, për t`i ngritur përsëri në mëngjes në vendlindje - në Shqipëri. Për Limin Shqipëria ishte vend i shenjtë, vend i idealeve. Edhe për shumë shokë të Limit ky vend ishte botë në vete, bota reale, e dijes , e barazisë, e idealit, së fundi vendi i lirisë. Shqipëria ishte hapësira dhe vendi që Limi dhe shumë shokë të tij e idealizonin dhe e donin me zemër dhe me shpirt, me tërë qenien e tyre. Dëshira ta shohë njëherë këtë vend Limin nuk e kishe lënë rahat kurrë. Një ditë ishte gjetur në Vendin e Premtuar, por shpejt kthehet. Limi e shpjegon shokëve dhe miqve të tij në hollësi për këtë vend të idealizuar, të shenjtë për të,deri në ekzagjerim, që prijësin e tij e quante “Baba Enver”.
Personazhi i romanit, Eknat Malmiri, gjatë arratisë dhe qëndrimit në vetmi lëvizte, duke ndërruar hapësirat prej ditës në ditë. Sa ishte në Biga, binte Te Kroni, Te Gurra Gate, në Luginë, ngjitej te Vorret e Kelmendit, te Vorri Mohit apo te Lendina Kuqe, te Lugu i Tërvesës etj. Vorri i Mohit ishte që ia kishte zgjuar më së tepërmi kërshërinë, i kishte zgjuar asociacione të një ngjarje të trishtueshme, që kishte ndodhur në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë ngjarje të vërtetë e kishte dëgjuar shpesh nga gjyshi dhe nga bashkëfshatarët e tij. Ngjarja ka subjekt bashkëpunimi për krime dhe vepra të liga antipopullore me pushtuesin serb, Dan Zaptisë ndaj familjes së ndershme të Lan Hazarit, që ua mbante krahun luftëtarëve të Shaban Palluzhës. E keqja më e madhe del në vepër se ky farë Dani të zezat i bënte në bashkëpunim të drejtpërdrejtë apo me cytjen e serbit Lubë Korkotiqit, apo të ndonjë tjetri. Kujtesa e popullit thotë se Dani mbyt Lanin e pafajshëm pikërisht te Vorret e Mohit, më vonë mbyt edhe Zarën, gruan e tij. Që të humbë gjurmët e krimit, i vë flakën shtëpisë dhe Zarës.
Zani, i biri i Lanit dhe i Zarës, që t`u shpëtojë kthetrave të Dan Zaptisë, kalon kufirin dhe strehohet në Shqipëri. Më vonë, i ndihmuar nga organet e sigurimit shtetëror shqiptar, kthehet në Malmir dhe pikërisht te Varri i Mohit zë pritë dhe vret Danin dhe Lubë Korkotiqin. Zani kthehet sërish në Shqipëri.
Edhe Atëgjyshi i Eknatit, Miftar Shema, në kohën e tij, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kishte kaluar një pjesë të jetë në vetmi. Edhe ai kishte marrë malet në sy. Këtë e kishte bërë për dy arsye: kishte kryer shërbime të forta në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por kishte bërë edhe prapësi, duke vrarë bashkëfshatarë për një fjalë goje. Eknati ndryshonte nga Atëgjyshi, madje shumë. Nuk kishte ndëshkuar askënd, ndonëse kishte raste kure kupa tashmë ishte mbushur. Ai nuk ndërmori ndonjë veprim konkret, ende nuk iu kishte larguar asnjë çast mendja se nuk do të ndodhte. Për ndodhitë dhe për trimëritë e Atëgjyshin kishte dëgjuar shumë nga gjyshi, por edhe nga bashkëfshatarët e tij. Eknati për Atëgjyshin e tij kishte formuar bindje se ai ishte personazh i historisë së shqiptarëve të robëruar nga të huajt, personazh i paarsimuar sa duhet, figurë e trashëgimisë së vrazhdë historike, ishte ai që pati fatin, si edhe shumë të tjerë, të jetojë pikërisht në kohën e shumë kundërthënieve shoqërore, gjë që edhe e tërë jeta e tij ishte kundërthënëse. Situata në të cilën Eknat Malmiri tash gjendej bënte që ta arsyetonte njëfarë dore Atëgjyshin. Edhe atij ndonjëherë i shkonte mendja t`ia zinte pritën ndonjërit, t`i qëllonte ato fundërrina, që ia shqetësonin familjen, fëmijët, ose farefisin e ngushtë. Dhunën e tillë nuk do ta harronte kurrë. Të këqijat dhe dhuna e njerëzve keqbërës të pushtetit shtohej dita-ditës. E brente diçka e brendshme dhe mendonte pse u është kaptisur maleve, pse kishte marrë arratinë. I bënte vetes pyetje: a kështu duhet të sorollatet pa plan dhe pa qëllim të caktuar, ndërsa të tjerët t`ia shqetësojnë e t`ia trazojnë fëmijët për veprat e babës, e ky të bënte sehir. A të qëndronte ai kështu e të mos bënte gjë. Çfarë nuk bluante dhe ç`mendime të ndryshme nuk silleshin në mendjen e tij.
Këtu të përfundojmë. Shikuar nga aspekti teorik dhe nga strukturimi përmbajtësor, vepra qëndronte ndërmjet romanit, siç do ta trajtojë autori, novelave, formës së ditarit apo të kronikës artistike. Shprehim mendimin tonë kështu ngase hetojmë elemente të njërës farë letrare dhe të tjetrës. Veprën sikur e rëndojnë pak disa përsëritje aty-këtu, por kjo nuk është e theksuar dhe nuk ia ul vlerën artistike. E tëra është në funksion të lidhshmërisë së aksioneve të personazhit. Vepra ka stil dhe gjuhë të rrjedhshme, të lehtë,shenjë kjo e mjaftueshme se autori është i sprovuar në letrat shqipe.
Dr. Ilaz Metaj
Prishtinë, 2002)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...