Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/03

ISMAIL KADARE: Jeta dhe vepra e gjatë e shkrimtarit që pret çmimin Nobel -

“Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë!” Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë. (Ftesë në studio)

  Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, sot feston 79-vjetorin e lindjes. E gjithë krijimtaria letrare e shkrimtarit, përmes këtyre dekadave nuk është ndalur dhe duket se vija e finishit do të jetë çmimi i madh e i shumëpritur nga të gjithë: Kadaresë i duhet një Nobel.
Ismail Kadare nuk është vetëm shkrimtari më i madh i letërsisë shqiptare, por edhe një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore. Vepra e tij është ndër më të përkthyerat e një autori: në mbi 45 gjuhë botërore. Me njohjen dhe rrëfimin e tij, Kadare e ka afirmuar kulturën shqiptare në botë.
Ismail Kadare është lindur më 28 janar të vitit 1936 në qytetin e Gjirokastrës – qyteti që është bërë shpesh subjekt i veprave të ndryshme letrare të tij, por edhe qyteti që mbajti peshën kryesore për krijimet e mëtejshme letrare. Pasi kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, universitetin Kadare e ka kryer në vitin 1958 në Tiranë. Nga viti 1958 deri në vitin 1960, Kadare i vazhdoi studimet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.
Një gur kilometrik në jetën intelektuale të Ismail Kadaresë është largimi dhe vendosja e tij në vjeshtën e vitit 1990 në Paris. Këtë veprim të tij, i cili në atë kohë e tronditi opinionin publik shqiptar, e ka justifikuar me vonesat në demokratizimin e vendit dhe rrezikun që u kanosej intelektualëve në ato momente thyerjeje politike nga strukturat e shërbimit sekret.
Vitet e fundit, me një seri shkrimesh eseistike, Ismail Kadare u bë protagonist dhe objekt debatesh të mëdha intelektuale lidhur me çështje të identitetit të shqiptarëve dhe kulturës së tyre.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare dhe politike – kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1996, ai u zgjodh anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, duke zëvendësuar filozofin anglez me prejardhje austriake, Karl Popper. Ndërsa nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ftesë në studio”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, “Darka e gabuar”, etj.

BOTA PARAPSIKOLOGJIKE E KARL GUSTAV JUNGUT



    "Nëse dëshirojmë që të gjitha civilizimet njerëzore t'i nënshtrojmë për disa qëllime më të "LARTA", së pari do t'ua marrim fuqinë e mendimit të lirë, duke i ndarë kështu nga natyra e vërtetë që kanë. Me shkurtimin e krahëve të fuqisë së tyre të lirë mendore dhe shpirtërore, vëmendjen do t'ua fokusojmë në gjërat e parëndësishme sporadike".
  Për shumë dijetarë eminent botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre. Nga lista e madhe e emrave të këtyre personaliteteve shkencore, pa dyshim, dallohet edhe psikiatri i famshëm me renome botërore Karl Gustav Jungu.
Karl Gustav Jungu, me profesion ishte mjek-psikiatër, nxënës i dikurshëm dhe koleg i Sigmund Frojdit, ligjërues, shkencëtar dhe studiues i madh në lëmin e psikologjisë dhe psikiatrisë, autor i shumë punimeve dhe studimeve shkencore që e kanë futur atë në radhët e emrave më eminent të shkencës bashkëkohore. Por, nga ana tjetër, vetëm një numër i vogël i njerëzve dinte se, Jungu gjatë hulumtimeve të veta, për së tepërmi ka qenë i interesuar për fenomene paranormale dhe parapsikologjike, e veçanërisht për telepatinë (bartjen e mendimeve nga larg) dhe projeksionin astral (udhëtimin e vetëdijshëm shpirtëror duke e braktisur trupin).
Sigurisht nga droja se mos i rrezikohet reputacioni i madh që kishte si shkencëtar, ai këtë interesim kurrë nuk e ka shprehur publikisht. Por, edhe sikur ta dinte opinioni i gjerë për këtë realitet, dyshoj se mund të merrej si diçka e pabesueshme, sepse botërisht ka qenë e njohur se fenomenet parapsikologjike në përgjithësi dhe marrja me to, ishin si mani e trashëgimisë familjare. Për nënën e Jungut thuhej se mbante një ditar ku regjistronte eksperiencat e veta paranormale, si dhe ato që i dëgjonte prej të tjerëve. Ka mjaft dëshminga bashkëkohësit e vet se edhe Jungu sa ishte fëmijë, dispononte me aftësinë paranormale të TELEKINEZËS (lëvizjes së trupave fizik përmes ndikimit mental). Pasi që kishte një pasion të madh për Niçen dhe filozofinë e tij, qysh sa ishte nxënës në gjimnaz, intuitivisht ia qëllon se filozofi i famshëm kishte Zaratustrën si model identifikimi dhe se ai ishte sëmurë psikikisht, mu pse Zaratustra ka sunduar me qenien e tij. Më pas, një gjë e njëjtë i ka ndodhur edhe vetë Jungut. Atij në ëndërr shpesh i paraqitej një plak me aftësi magjike që e këshillonte dhe udhëzonte në jetë. Plaku quhej "FILIMON". Tek dikur më vonë, Jungu ka kuptuar se plaku i ëndrrave të hershme ishte vetëm UNI i tij i dytë (Alter ego).
Andaj, aspak nuk do të jetë i çuditshëm fakti se pse pikërisht paranormalja dhe fenomenet parapsikologjike kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme hulumtuese të këtij shkencëtari të madh. Ndoshta, nisur mu nga këto ndikime, ka ardhur edhe deri te shkëputja e tij definitive prej mësimeve të mësuesit të vet, S. Frojdit, i cili, atëbotë ishte tejet i popullarizuar me teorinë e tij famëmadhe të kushtëzimit të të gjitha raporteve dhe marrëdhënieve të sjelljes së jashtme të njeriut me veprimin e brendshëm të epshit seksual. Duke e kundërshtuar ashpër teorinë e Frojdit, Jungu konstatonte se në këto sjellje dhe raporte të jashtme të njeriut, nuk ndikon kryekëput vetëm epshi seksual, por ato janë të kushtëzuara edhe nga "fuqia jetësore" që trashëgohet nga e kaluara mijëvjeçare e njerëzimit. Këtë fuqi ai e quan si "ndërvetëdije kolektive". Në mbështetjen shkencore të kësaj teorie, Jungu, në veprat e veta, prezantonte shumë shembuk, si ato të eksperiencave vetjake paranormale, ashtu edhe ato të regjistruara dhe hulumtuara si përjetime të të tjerëve.
Nga visari i madh i këtyre shembujve praktikë, si njëra ndër dëshmitë më dramatike dhe më të pasqaruara të përjetimit personal të paranormales, është "Misteri i librave të kuq".
"Misteri i librave të kuq"
Një mbrëmje, pasi që e ndjente veten paksa më të lodhur, Jungu vendos të shkojë në shtrat më herët se zakonisht. Por, edhe përpos dhuntisë që me çdo kusht të flinte, atë nuk e zinte gjumi. Ishte i vërshuar tërësisht nga mendimet! Mu para disa orëve qe kthyer nga varrimi i një miku të vet që banonte afër. Duke qëndruar ashtu i shtrirë në shtrat dhe me sytë e hapur, profesor Jungu i bluante në kokë kujtimet e paharruara që kishte kaluar me mikun e posa varrosur.
Derisa në mendje merrej me këto mendime, për momentin e ndjen se dikush është në dhomën e tij të gjumit. Posa e vështron me vëmendje hapësirën përreth dhomës, para tij, tejet qartë paraqitet hija e figurës së një personi trupgjatë dhe të hollë për nga konstruksioni fizik. Këtë figurë Jungu e identifikon si të mikut të vet, në varrimin e të cilit ishte para disa orëve.
- "Qëndronte përballë shtratit tim mu afër këmbëve dhe dukej i njëjtë sikur e kam njohur të gjallë. Butësisht më ishte drejtuar me pyetjen, mos vallë dëshiroj të shkoj diku me të" - shkruante më vonë Jungu. - "Duke e vrojtuar me habi këtë paraqitje të pazakonshme, nuk e kisha ndjenjën e një pamje trupore fizike. Më tepërmund të thuhej se ishte si një vizion, të cilin vetes ia kumtova si fantazi. Meqë ende isha i shtrirë në shtrat dhe e vështroja këtë paraqitje me mosbesim, figura emikut vazhdoi të ecë deri tek dera e daljes duke më bërë shenjë me dorë. Në atë çast, për veten konstatova se isha tërësisht në gjendje transi. Realisht nuk u ngrita nga shtrati, por ndjeva sikur shpirti im shkoi pas tij. Më çonte përmes rrugës, kah kopshti i shtëpisë së tij... dhe menjëherë, së bashku, u gjetëm në dhomën e punës së mikut. Hija përcjellëse hipi mbi një karrige dhe tregoi me gisht në librin e dytë nga shtatë librat e kuqe që ishin të vëna mbi raftin e fundit të librave."
Me këtë përmbyllet ky vizion. Jungu, tërësisht i habitur brof nga shtrati i fjetjes. E ndez llambën që e kishte pranë dhe me të në dorë hulumton nëpër tërë shtëpinë. Pasi konstaton se dera kryesore e hyrjes qe e mbyllur si zakonisht dhe vëren përreth se çdo gjë ishte në vendin e vet, sërish shtrihet në shtrat dhe tek dikur vonë e zë gjumi. Të nesërmen në mëngjes, ende i hutuar me ngjarjen e përjetuar nga nata e kaluar, me padurim priste që ta vizitonte vejushën e mikut të vdekur. Pa i treguar se çfarë i kishte ndodhur mbrëmë, nga ajo kërkon që në dhomën e punës së bashkëshortit të saj të ndjerë, të verifikojë se mos rastësisht aty e gjen një libër që i duhej. Ai ishte gjithmonë i mirëpritur në këtë shtëpi dhe për këtë dëshirë nga nikoqirja nuk hasi në kurrfarë pengesash. Me kureshtje të madhe hyn në dhomën e punës së mikut tashmë të ndjerë dhe mbetet i befasuar nga ajo që vëren. Afër librave ende ishte po ajo karriga ku mbrëmë, miku i vdekur, kishte hipur që t'ia tregonte librin. Menjëherë, sytë i drejton në raftin e fundit me libra. Për çudinë e tij edhe më të madhe, aty qëndronin të sistemuara shtatë librame kopertina të kuqërremta. Merr librin e dytë sipas radhës dhe në të lexon titullin: "Forca e të vdekurve".
Tashmë Jungu s'kishte dyshim në vete! Ajo që i kishte ndodhur mbrëmë, e tëra ishte e vërtetë.
Këtë rast të përjetimit vetjak, Jungu e ka publikuar me plot pompozitet edhe në literaturat e veta studimore shkencore. Meqë ai në jetën e përditshme ishte i njohur si njeri racional dhe serioz, ky rast edhe në qarqet shkencore është pranuar si prezantim i besueshëm.
I joshur nga këto fenomene që sot e kësaj dite mbeten ende të pasqaruara sa duhet, si një shkencëtar me reputacion, pa u frikuar fare nga normat rigoroze të standardeve shkencore, Jungu, në mënyrë origjinale, e ka trasuar rrugën e vet kërkimore kah thellësitë e panjohura të mendjes dhe shpirtit.
Edhe pse tejet i frytshëm dhe me një karrierë të bujshme shkencore, ndoshta mu për këtë shkas, ai edhe sot e kësaj dite, merrej si shkencëtar kontradiktor dhe alternativ në psikiatrinë bashkëkohore.
Dhe, për fund, do të ishte interesante të konstatojmë edhe një realitet tjetër: pikërisht teoria e vënë nga Jungu mbi ndikimin e ndërvetëdijes kolektive të qenies njerëzore në sjelljet individuale të individit, nuk mund t'i vishej origjinalitetit të tij. Okultizmi, magjia, hermetizmi, alkimia si dhe njohuri tjera të urtësive të lashta, mijëra vite para Jungut e kanë njohur këtë fluid kolektiv dhe atë e quanin si "niveli astral gjithëpërfshirës". Andaj, fare nuk do të mbetej i pabazë konstatimi të cilin e dhamë në fillim të këtij artikulli:
"Për shumë dijetarë eminentë botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto, që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre".

Çdo fëmijë lind si ndivid, por tepër rrallë njeriu vdes si individ.



 Nga Osho Rajnesh
  • Me gjitha qëllimet më të mira, prindët, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmët na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicjes, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet...
            Çdo masë është e llojllojshme, vetëm individi nuk është i llojllojshëm. Çdo individ është vetëdije autentike. Me çastin e shkrirjes në masë ai e humb vetëdijen e vet; atëherë kolektiviteti zotëron mbi të, atëherë ai bëhet mendje mekanike.
            Nuk është me rëndësi se për çka mblidhet masa, qoftë nëse mblidhen në emër të religjionit ose të racës - kjo nuk është e rëndësishme. Masat si të tilla janë të shëmtuara, masat edhe i kanë bërë krimet më të rënda sepse ato nuk kanë vetëdije. Ato janë vetëm mosdije kolektive.
            Masa gjithmonë është kope e deleve, ndërsa e gjithë e kaluara ishte vetëm një përpjekje që çdo individ të mishërohet me një dhëmbëzor në mekanizëm, të mishërohet me pjesën e vdekur të masës së vdekur. Sa më shumë që është i mosdijshëm, dhe sa më tepër që i ka sjelljet e shkaktuara nga dominimi i kolektivit, ai gjithnjë e më shumë bëhet i parrezikshëm. Në të vërtetë, ai kështu bëhet i padëmshëm. Ai kështu s'do mund ta shkatërrojë as robërinë e vet, religjionin, ngjyrën e lëkurës. Këto janë robëritë e tij, e këto ai madje edhe i feston. 
            Çdo fëmijë lind si ndivid, por tepër rrallë njeriu vdes si individ. 
            Në kolektivitet dhe masë ti gjithmonë i kthehesh vdekshmërisë së të kaluarës. Njeriu i cili jeton sipas urdhërave të masës ndalet së jetuari. Ai thjesht e përcjell dikënd si robot. 
Njëzet vjet kam jetuar në vendet në të cilat barabartë ishin të përfaqësuar hindusët dhe myslimanët. Ishin barabartë të fuqishëm dhe gati çdo vit kacafyteshin. E kam njohur një profesor në universitetin ku jipja mësim. Kurrë s'më ka shkuar mendja se ai njeri do t'ia vënte zjarrin një tempulli hindus. Ishte xhentëllmen i vërtetë - i mirë, me edukim të lartë, i kulturuar. Kur ndodhën njëherë trazirat mes hindusëve dhe myslimanëve, unë vështroja nga anash. Myslimanët ia vunë zjarrin një tempulli hindus, e më pas hindusët e dogjën një xhami. 
            E shihja atë profesor të zënë rreth djegies së tempullit hindus. Ndërhyra dhe e nxorra për krahu. E pyeta:
            "Profesor Farid, ç'jeni duke bërë?"
            Mbeti i befasuar. M'u përgjigj: "Më vjen keq, por e humba veten në këtë masë. Pasi që të gjithë e bënin këtë, unë harrova në përgjegjësinë vetjake, të gjithë të tjerët ishin përgjegjës për këtë. Për herë të parë e ndjeva veten të lirë prej përgjegjësisë. Askush nuk mundi të më qortojë. Ishte një grumbull i myslimanëve, e unë isha vetëm një pjesë e atij grumbulli".
            Me një rast tjetër, një shitore myslimane e orëve plaçkitej. Ishte një shitore mjaft e shtrenjtë me një koleksion të orëve me vlerë. Të gjithë hindusët, të cilët i morën ato orë dhe shkatërruan shitoren, e mbytën edhe pronarin. 
            Një prift i vjetër qëndronte në shkallë, dhe me plot vrer i bërtiste masës: "Ç'jeni duke bërë? Kjo i kundërvihet religjionit tonë, moralit tonë, kulturës sonë. Kjo nuk është në rregull".
            E vështroja atë skenë nga libraria, që gjendej në anën e kundërt të asaj shitoreje. Befasia më e madhe filloi të ndodhë. Kur njerëzit i morën të gjitha gjërat me vlerë, në shitore mbeti një orë e vjetër muri - ishte tepër e madhe, me siguri kishte një vlerë antikiteti. Duke parë se masa u shpërnda, plaku e ngarkoi atë orë në shpinën e vet dhe e mori. Ishe tepër e rëndë për të, sepse ishte orë e madhe. Nuk mundja t'u besoja syve. Ishte ai që i ndalonte njerëzit të plaçkitnin, e pikërisht ai edhe e mori gjënë e fundit. Dola jashtë dhe e ndala priftin e moshuar. E pyeta: "Kjo është e çuditshme, gjithë kohën bërtisje se është kundër moralit tuaj, religjionit, e ti sapo e vodhe orën më të madhe nga shitorja".        
            Ai m'u përgjigj: "Unë bërtisja tepër shumë, mirëpo askush s'më dëgjoi. Pastaj, befas, në mua lindi ideja se hidhërohesha pa nevojë dhe se kot e çava kohën time. Ata, edhe përkundër britjeve të mija, i merrnin gjërat nga shitorja. Për këtë dhe mendova se më mirë është të marr edhe unë diçka para se ta merr ndokush tjetër."
            E pyeta: "Mirëpo, ç'ndodhi me religjionin tënd, me moralin, kulturën?"
            M'u përgjigj me turp në fytyrë: "Kur askush nuk kthen kokën kah religjioni, kultura e morali, pse të jem unë viktima e vetme? Edhe unë, poashtu, jam pjesë e kësaj mase. I dhashë vetes mundin më të madh që t'i ndaloj, mirëpo askush nuk deshi t'i përmbahet religjionit, moralit dhe rrugës së drejtë, për çka edhe unë nuk dua të mbetem humbës dhe budallakisht të qëndroj këtu.
            Askush madje as nuk më dëgjoi, askush nuk e pranoi asnjë vërejtje timen". Pastaj me nguti e vazhdoi rrugën me orën e madhe në shpinë.
            Njeriu e humb edhe atë pak vetëdije individuale mjaft lehtë, duke e tretur në oqeanin e mosdijes kolektive. Në po këtë shtrihet shkaku i të gjitha luftave, trazirave, pushtimeve, vrasjeve. 
            Çdokush lind i padjallëzuar, i mbushur paqë e dashuri... pa dije mbi ndalesat që e presin në botë, pa dije mbi armatimin nuklear me të cilin ia tregojnë mirëseardhjen, pa dije mbi politikat e ndyra që e terrorizuan njeriun me shekuj.   Me gjitha qëllimet më të mira, prindët, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmët na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmiu qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet. Ata e dijnë fort mirë se gjithmonë do të mbetesh në prapavijë deri sa je agresiv. Kështu pastaj përherë sillesh zaten se je gjithmonë me dikë në rivalitet; e thekson veten aq fort si të ishte ndonjë çështje e jetës a vdekjes. E gjitha kjo është bazë e sistemit tonë edukues. 
            Të gjithë të mësojnë të jesh para të tjerëve pa e marë parasysh çmimin. Herët a vonë, fëmiut do t'i duket sikur ta ketë gjithmonë shpirtin në fyt, gjithnjë do të garojë. Madje edhe nëse e lëndon dikënd në atë garë, ai do të përpiqet të jetë i pari. Duket se dhuna do të jetë pjesë e shoqërisë që shpreh rivalitetin. Në shoqëri të tilla ti nuk mund të kesh mik. Të gjithë të shtiren se të janë miq, e në të vërtetë janë armiq, sepse luftojnë të mbërrijnë në shkallën e njëjtë. Të gjithë ata janë armiq, sepse përpiqen të ngadhnjejnë dhe ti të humbësh. 
            E gjithë shoqëria është e dhunshme, dhe ti duhet të jesh edhe më i dhunshëm nëse dëshiron të jesh ambicioz. Unë e dua njeriun jo-ambicioz, jo-konkurent, njeriun i cili nuk ka afsh për fuqi. Çdo fëmijë mund të jetë rebel. E gjitha çka i duhet atij është të mos jetë i ndarë prej padjallëzisë së vet.
            Çdokush e ka rebelin në vete, mirëpo shoqëria është tepër e fuqishme. Ajo të bën qyqar, dinak. Ajo nuk orvatet ta ndërtojë autenticitetin tënd. Ajo nuk i lejon askujt të bëhet autentik, sepse kështu mund të bëhet rebel kundër të gjithave. 
            Një mik nga Japonia ma dërgoi një statujë të Gautam Budës. Ishte statujë e rrallë, kurrë më parë s'kisha parë gjë të tillë. Në një dorë të asaj statuje ishte llamba e vogël. Duhesha të vendosja ca vaj që të mund të shndërriste. Miku më tha: "Ky është kushti: duhet të ndizet flaka përherë". E në dorën tjetër të statujës qëndronte shpata e nxjerrë jashtë. Kjo është e mundshme vetëm në Japoni - vetëm Japonia mundi të krijojë shkathtësi luftarake dhe gjuajtjen e shigjetës me hark që bazohet në meditim. Ishte ky arti meditativ i tyre. 
            Ne në Indi nuk mundemi të kuptojmë se Gautam Buda ka shpatë. Mirëpo, bukuria e statujës ishte në atë se gjysma e fytyrës, e cila mbulohej me dritën e asaj llambe, tregonte paqen, harmoninë - aq i qetë dhe i heshtur, ndërsa në anën tjetër fytyra e tij ishte e mprehtë sikurse edhe shpata që mbante në dorë, ishte kjo një fytyrë e një luftëtari të madh. Artisti që e ka punuar këtë vepër duhet ta ketë bërë një punë të madhe. Në fytyrën e njëjtë ai na tregon sintezën e madhe - shpatën në duart e paqes.
            Kjo është ideja ime e rebelimit, rebelit. Ai duhet të rrjedh prej dashurisë sate ndaj njeriut, e jo nga tërbimi e hidhërimi nga e kaluara. Ti nuk duhet ta shkatërrosh të vjetrën; ideali yt, caku yt është ta krijosh të renë. Pasi që e reja nuk mund të krijohet deri sa nuk largohet e vjetra, duhet ta rrënosh atë. Mirëpo, nuk ka kurrëfarë zemërimi në këtë. Ky është një proces i rëndomtë. Kur e rrënon ndonjë godinë të vjetër, atëherë ti nuk ke hidhërim e zemërim në vete. Ti vetëm e pastron atë vend ashtu që ta ndërtosh një godinë të re më të bukur. 
            Ti jeton me njerëzit që e kanë këtë ëndërr, atë që e patën kur ishin fëmijë të vegjël. Ajo ëndërr është e po atyre kualiteteve, por është e ngulfatur, e nënçmuar. Pengesat e kësaj ëndërre mund të mënjanohen. Dhe do të mbetesh i befasuar, sepse nuk ka njeri i cili nuk e ëndërroi ndonjë ëndërr të bukur mbi ardhmërinë, i cili nuk ka qenë në gjendjen e padjallëzisë, i cili madje njëherë nuk e ka shijuar shijen e paqes, dashurisë, bukurisë. Mirëpo e gjitha kjo qe e shkatërruar, e ndyrë, e njollosur prej sistemeve të ndryshme shoqërore e të shëmtuara. Fuqia e vetme shtrihet në lashtësinë e tyre. Por, lashtësia, si fuqi e tyre, tash u tregua si një dobësi e madhe. Këtë duhet shtyrë vetëm pak, është shoqëri thuaja e vdekur. Ajo gërmon varrin e vet me duar të veta dhe qëndron buzë atij varri. Ti duhesh vetëm ta shtyesh dhe menjëherë do të zbulosh se në varr shtrihet ndonjë njeri si Ronald Regani. Dhe me njerëzit e këtillë shkon e gjithë bota që e paraqiste ky. 
            Ne duhet të fillojmë prej fillimit, prej pikës fillestare. Sërish si Adami dhe Eva, sërish nga kopshti i parajsës,... sërish fillimi i vërtetë. 

Shtrirja dhe vendbanimet e ilirëve


  Në kohë të vjetra ilirët përbënin një nga popullsitë më të mëdha të Evropës. Ata shtriheshin në një trevë të hapët, që kishte në veri si kufi Danubin dhe shkonte në jugë deri në kufitë e Greqisë antike, në gjirin e Ambrakisë. Në perëndim kufiri i natyror i tyre ishte Adriatiku, kurse në lindje Morava, Vardari, dhe vargu i maleve Varnos i ndante ata afërsisht nga thrakët e maqedonët. Ilirë, thrakë, e maqedonë duket se ishin të afërt midis tyre. Në brezat kufitarë ku ata jetonin pranë dhe të përzier me njëri tjetrin dalloheshin me vështirësi. Nuk janë të ralla rastet kur autorët antikë ngatërrojnë karakterin etnik të fiseve të tilla. Sipas të dhënave të autorëve të vjetër fiset kryesore ilire ishin shpërndarë ne këtë mënyrë: Në Slloveni, Kroaci, Dalmaci. Bosnjë e Herçegovinë banonin japodët, liburnët, dalmatët, desidiatët, ardianët dhe fise të tjera të vogla; në kosovë, dardanët; në luginën e Drinit të Zi, penestët; në atë të lumit Vardar, paionët; në Mal të Zi, dokleatët; në rrethet e liqenit të Shkodrës e deri thellë në malsinë e veriut, labeatët; në grykën e Drinit, abrejt; ne Breg të Matjes, parthinët: në malsinë e Lezhës, në Mirditë dhe në krahinën e sotme të Matit, pirustët.
Një ndër fiset më të fuqishme të Ilirisë jugore taulantët, zinin krahinat bregdetare midis lumenjve Mat e Vjosë. Në lindje të tyre, në rrethet e Krujës ishin albanët në luginën e mesme të Shkumbinit, në Mokër e çërmënikë, kandavët; në fushën e Korçës e të Devollit deri tek liqejt Lynkestë (liqejt e Ohrit e Prespës), enkelejtë; në lindje të tyre, përtej liqejve, lynkestët dhe më në jugë, eordejtë. Në krahinat malore të Gorës, Oparit e Skraparit. dasaretët; midis Vjosës dhe Osumit, në krahinën e trës së sotme, atintanët; në luginën e Shushicës, amantët. Në jug të Vjosës dhe përtej maleve të Kudhësit e Llogarasë banonin fiset ilire të Epirit.
Midis tyre më të përmendurit janë kaonët, që zinin krahinat bregdetare të Jonit verior, thesprotët që banonin në Çamërinë e sotme dhe molosët, në jug të Vjosës së sipërme dhe në fushën pjrellore të Janinës, të quajtur atëhere fusha e Heliopisë. Në jug të tyre banonin disa fise greke të përziera me ato ilire, kurse fise ilire shtriheshin në grupe të veçuara edhe përtej kufijve të Greqisë antike në Akarnani e Etoli. Ishulli i Korfuzit banohej gjithashtu nga ilirë.
Disa dijetarë, duke u nisur nga elemente të shkëputura kulture që janë përhapur më vonë në Epir dhe nga gjuha greke e monumenteve epigrafike të Epirit kanë shprehur mendimin se banorët e kësaj krahine ishin grekë. Ky mendim është në kundërshtim me dëshmitë e historianëve dhe gjeografëve antikë dhe me rezultatet e studimeve të sotme gjuhësore dhe arkeologjike. Emri Epir (Epeiroe, që do të thotë stere ose tokë kontinentale, është një shprehje gjeografike me të cilën banorët grekë të ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e tyre ishullore, kanë quajtur krahinat përballë tyre. Më vonë ky emër u përhap edhe mbi krahinat e brendëshme që banoheshin nga e njëjta popullsi dhe që e përmblodh pastaj në njësitë e ndryshme politike që u krijuan në Epir. Vetë Tuqiditi i quan banorët e Epirit barbarë, shprehje me të cilën grekët quanin gjithë ato popullsi që nuk ishin greke, ndërsa një bashkëkohës i tij, gjeografi Efori nga Kama, në përshkrimin e Greqisë, si kufij veriorë të saj shënon Akarnaninë, duke lënë jashtë botës greke krahinat e Epirit. Në Epir janë gjetur me shumicë emra personash, fisesh dhe emra gjeografikë me prejardhje ilire.
Kështu p.sh. emra personash: Dastidi, Anyla, Tarypi:. emra fisesh: kaonët, molosët, prasaibët; emra gjeografikë: mali Tamnar, mali Asnau, lumi Thyam, etj.
Edhe gjetjet arkeologjike, megjithëse të pakta, faktohen me traditën e shkruar të lashtë dhe me të dhënat gjuhësore. Zbulimet arkeologjike të bëra kohët e fundit në tumulat e fushës së Dropullit kanë treguar qartë origjinën ilire të banorëve të kësaj krahine. Përhapja e kulturës dhe e gjuhës greke në Epir janë fenomene të vona.
Ato fillojnë pas themelimit të kolonive në bregun e Ilirisë dhe zgjerohen më tepër në kohën e mëpastajme, sidomos në kohën helenistike, kur kultura dhe gjuha greke u përhap ku më shumë e ku më pak, në krahina të gjera të botës antike duke përfshirë këtu edhe Epirin e krahina të tjera të Ilirisë. Sipas të dhënave epigrafike, greqishtja e përdorur në Epir është e dialektit dorik, gjë që provon hyrjen e vonë të saj këtu, nëpërmjet kolonive dorike të Jonit. Me përhapjen e kulturës dhe të gjuhës greke, fytyra e Epirit të lashtë ndryshoi deri diku nga pikëpamja kulturale, por kjo nuk solli ndryshime në përbërjen etnike të popullsisë.

Letërsia e vjetër e gjuhës shqipe

  • Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit ("Historia e Skënderbeut", 1508) dhe të humanistëve të tjerë të botuara latinisht. Libri i parë shqip është "Meshari" (1555) i Gjon Buzukut.
  Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shpre-hje e qëndresës kundër sundimit osman. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba. Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e bejtexhinjve, e ndikuar nga letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema laike e nota shoqërore (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Zenel Bastari etj).
Letërsia e re kombëtare nisi afër mesit të shek. XIX, lidhur me lëvizjen e gjerë për çlirimin nga sundimi i huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin europian. U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria por atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. Tek arbëreshët e Italisë u shquan Jeronim De Rada me poemën "Këngët e Milosaos" (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën "Kënga e Sprasme e Balës", Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.
Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësia" (1886), i "Historisë së Skënderbeut" në vargje dhe i shumë krijimeve të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi ("Baba Tomori", 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj.
Pas shpalljes së Pavarësisëi (1912), letërsia e zhvilloi më tej frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare dhe në vitet 20-30 thellohet realismi, karakteri demokratik, problematika shoqërore. Përfaqësues i shquar i rrymës demo-kratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes.
Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publiçistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli. Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfëra dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënon krijimtaria në poezi dhe në prozë e Migjenit ("Vargjet e lira", 1935). Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publicistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi.
Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. Poema satirike "Epopeja e Ballit Kombëtar" (1944) e Shefqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe.
Pas Çlirimit, pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga censura e shtetit.
Hapësirat, në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rrezik për autorët. Shumë prej tyre si Kasem Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Petro Marko e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare, Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vërtetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar.
Megjithatë, edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën censurë, krijoi dhe u konfirmua. Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar.
Pas diktaturës, letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste, sidomos në poezi. Shembull është Dritëro Agolli.
Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës.
Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta, sidomos përsa i përket ribotimit të veprave që censura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. U botuan të plota veprat e rilindësve, e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit etj. 
Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti dhe ndër më të rinjtë Etvin Hatibi.
U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Visar Zhiti e shumë të tjerë.

"Lulet e mollës" - Një dashuri e pamundur

  • "Ah, Migen e dashur, më trego, kur fillove të më dashurosh? – Kur ju pashë në rrugë, atëherë kur ju më vështruat. Që natën e parë ju dashurova, po kurrë nuk e mendova se ju do të më donit. Ky gjest e tronditi Esherstin pamasë; ai e ngriti vajzën në këmbë, e përqafoi fort dhe nga tronditja nuk mundi të fliste. Ajo pëshpëriti: Përse nuk më lejoni? – Jo, unë duhet t’ju puth këmbët juve! Ajo buzëqeshi aq ëmbël, sa ai s’i përmbajti dot lotët … fytyra e saj e zbehtë, e rrëzuar nga drita e hënës, gati ishte ngjitur me fytyrën e tij. Buzët e saj ngjyrë trëndafili, gjysmë të hapura, dukeshin po aq të njoma, të gjalla dhe të bukura sa edhe lulet e mollës …”.
 3 shkurt 2015 -  Historia e Migen Devid, një fshatareje të thjeshtë nga një fermë e largët angleze, me Frenk Esherstin, vazhdon të emocionojë çdo lexues, pavarësisht kohës kur John Galsworthy e ka shkruar. Vetëm 17 vjeçe, Migen bie në dashuri me studentin që qëndron disa ditë në fermën e prindërve të saj. Në pak ditë zemra e vajzës së re pulson për djaloshin me flokët e verdhë me balluket mbi ballë, i cili ka të njëjtat ndjenja për të. Në kopshtet ku gjallon pranvera, ajo dëgjon fjalët më të bukura të dashurisë prej tij. Eshersti i thotë se do ta marrë me vete në Londër, do t’i blejë fustane të reja dhe do të jetë gruaja e tij. Në ëndërrimet e saj, Migen ëndërroi arratisjen nga fshati, dhe jetën e lumtur pranë Esherstit … Por në fund, Esherstit i duhet të zgjedhë dikë tjetër për grua dhe ta lërë Migenin ashtu me fustanin e saj të thjeshtë prej basme teksa sheh qelqet e dyqaneve londineze ku ka mbërritur për ta kërkuar atë. Fundi tragjik i Migen është realiteti i kohës kur Galsworthy shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Një anglez i sërës së lartë të epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme, dhe nëse e donte atë. Kjo është zgjedhja që bëri Eshersti te një nga novelat më të bukura të shkruar nga John Galsworthy, “Lulet e mollës”.
Një libër që të përlot, pasi të ka ofruar një botë kaq të pastër ndjenjash. I konsideruar si një nga novelat më të mira të dashurisë, ky libër është përkthyer në shqip nga Nasho Jorgaqi. Njohës i mirë i lirikës, Jorgaqi ka mundur të depërtojë në stilin e Galsworthy për ta sjellë letërsinë e tij plot dritë në shqip. “Vdekja tragjike e Migenit është një nga faqet më të dhembshme të novelës. Në fatin e Migenit është dashuria që akuzon dhe në këtë akuzë s’ka si të mos bashkohemi edhe ne lexuesit”, thotë Jorgaqi. “Lulet e mollës” bëhet kryevepër jo vetëm nga mendimet fisnike që e përshkruajnë, por edhe nga ndjenjat e holla njerëzore. Dridhjet e holla të zemrës, magjia e natyrës, ritmi, nota poetike e tregimit, të gjitha këto e ngrenë novelën në lartësitë e veprave më lirike të letërsisë moderne europiane.
Kjo novelë u ekranizua në vitin 1988 nga regjisori Piers Haggard dhe me skenar të Penelope Mortimer me titullin në anglisht “Summer Story”. I lindur më 1867-n, John Galsworthy është një nga autorët më të njohur anglez, fitues i çmimit “Nobel” më 1932. Një prej librave të tij të njohur dhe në shqip është “Saga e Forsajtëve”, përkthyer nga Vedat Kokona. Këtë libër Galsworthy ia dedikon gruas së tij dhe historisë që shoqëroi njohjen e tyre, Ada Pearson. John e dashuroi Adën që kur e pa në sallën e madhe në një festë të familjes Galsworthy. Gruaja e kushëririt të tij vezullonte nga larg me vështrimin e saj. Në fillim ai u përpoq të mos e vinte re atë çfarë shkaktonte prania e asaj gruaje për të, deri sa një ditë vendosi t’i dorëzohej.
“Ana do të ndryshonte gjithçka në jetën time. Falë saj unë u bëra shkrimtar. Askush nuk kishte këmbëngulur aq shumë që unë të shkruaja, sa ajo. Pa kundërshtinë që ngjalli dashuria jonë, ndoshta nuk do të ishte shkruar ‘Saga e Forsajtëve’”, shprehej John. Libri u botua në vitin 1922, dhe bëri një kthesë në jetën e Galsworthy-t. Gjithçka çfarë përshkruhet në vëllimet e Forsajtëve është historia e vërtetë e shkrimtarit dhe familjes së tij, në përpjekjet për të shpëtuar prej zemrës së një gruaje.
Irena që ai përshkruan në libër është gruaja e tij, Ada. Ja çfarë shkruan ai në një moment në libër:
“Irena kthehet. Perdet ishin ulur se qe ngrysur, një zjarr i mirë kërcunjsh borige qe ndezur në vatër dhe në dritën e tij Somsi pa Irenën të ulur në këndin e saj të zakonshëm, atje në kanape. Mbylli derën ngadalë dhe iu afrua. Ajo nuk lëvizi nga vendi dhe bëri sikur s’e pa. – Domethënë u ktheve? – tha ai. – Pse rri kështu në errësirë? Pastaj i vështroi fytyrën që ishte aq e bardhë dhe si e ngrirë sa dukej sikur gjaku nuk lëvrinte më në rrembat e saj; i vështroi edhe sytë që dukeshin aq të mëdhenj, si sytë e zgurdulluar e të lebetitur të kukuvajkës…”
Ada dhe John u lidhën me dashuri më 6 shtator 1896 dhe do të kalonin një kalvar peripecish për të qenë bashkë. Familja e tyre e kundërshtoi këtë martesë dhe vetëm kur i ati i John ndërroi jetë, ata mund të martoheshin. Por jeta e tyre nuk qe e qetë, dhe në ditarin e lënë pas nga Ada, shihet ftohtësia që shpesh realiteti përçonte tek ata. Në romanët e Galsworthy, kjo ngjarje do të ndikonte në mënyrën sesi ai e pa epokën viktoriane, dhe raporteve që ajo kishte me familjen. Ai gjykoi rregullat, dhe këtë e bëri përmes fatit që u vuri personazheve të tij, ashtu si Migen te “Lulet e mollës”.
Galsworthy ka qenë një shkrimtar i kërkuar nga femrat për vetë stilin e tij lirik. Biografja e tij, Catherine Dupre, shkruan për një histori me një 19-vjeçare kur ai ishte 44, që e deshi vetëm duke lexuar librat e tij. Dhe pse studioi drejtësi gjatë gjithë jetës, ai u mor me letërsi.
Trashëgimia letrare e Galsworthy-t është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai është autor romanësh, novelash, dramash, veprash poetike të përkthyera në mbi 40 gjuhë. Por ajo që e bën Galsworthy një autor të dashur për lexuesin, janë novelat e tij. Ai mbahet mend si themelues i novelës së sotme realiste angleze. Të njohura prej tij janë përmbledhjet me tregime “Komentimi” (1908) dhe “Pesë tregimet” (1910), por një prej novelave të tij më të lexuara është “Lulet e mollës”.
John Galsworthy vdiq vetëm 60 ditë pasi mori çmimin “Nobel”, më 1932-shin.

Disa fjalë mbi Shekspirin

Nga Peter Brook
4 SHKURT 2015 -  Ju merrni një gazetë – duke kujtuar se bëhët fjalë për gazetën e ditës -, dhe e lexoni atë me interes. Befas kuptoni që bëhet fjalë për gazetën e ditës së djeshme, dhe papritur, ajo e humb gjithë interesin. Përse ? Ato burra e gra që e kanë realizuar atë gazetë janë padyshim inteligjentë, ato shkruajnë mirë, e megjithatë, të nesërmen, ajo që ata kanë shkruar ka vdekur gati 90% dhe gazeta në këtë rast shërben vetëm për të mbledhur peshkun. Cili është pra ndryshimi mes një faqeje gazete të shkuar dje, dhe një faqeje të Shekspirit shkruar para disa qindra vitesh ? Për çfarë arsye Shekspiri nuk është demode ? Kjo mund të duket një pyetje e cekët dhe e lehtë. Por në fakt, po të thellohemi, përgjigjet e lehta nuk kënaqin asnjë. Çfarë do të ishte një përgjigje e lehtë ? Ja, për shembull :
“Shekspiri ishte një gjeni.” Në çfarë na sqaron fjala “gjeni” ? Ose : “Shekspiri ishte një burrë i madh për kohën e tij.” Në çfarë na ndihmon kjo për ta kuptuar atë ? Apo akoma, një përgjigje që do të mund të jepej nga shkolla e re kritike : “ Shekspiri preferonte më tepër që të flinte me një djalë se sa me një grua.” A na e zbulon kjo fenomenin Shekspir ?
Të mos harrojmë se  jo shumë kohë më parë, njerëzit vinin në dyshim vetë ekzistencën e Shekspirit dhe në këto njëqind vitet e fundit shumë teori kërkonin që emrin “ Shekspir ” ta zëvëndësonin me emra të tjerë si : Bacon, Marlowe, Oxford, etj. Absurditeti është se e gjitha kjo nuk shërben për asgjë. Ndryshojmë emrin, dhe kaq. Po misteri mbetet i plotë.. Nuk ka shumë kohë që isha në Rusi.
Dikush nga publiku u ngrit dhe tha :
“Ne këtu të gjithë e dimë që Shekspiri vinte nga Uzbekistani për shkak të emrit të tij. “Sheik” që është një term arab dhe “peer” që do të thotë plak i urtë, pra “Shakespeare” ishte një emër kodi për të treguar në sy të botës që ai ishte një kriptomysliman që jetonte në një vend protestant ku katolikët ishin të persekutuar.” Edhe në këtë rast, në çfarë na ndihmon kjo për të shpuar enigmën Shekspir ?
(…) Padyshim, Shekspiri ishte gjenetikisht i pajisur me një kapacitet të jashtzakonshëm vëzhgimi, asimilimi dhe kujtese. Të mos harrojmë se ai jetonte në një qytet shumë të gjallë e aktiv siç ishte Londra e asaj kohe. Mjaftonte të hyje në çfarëdo lokali për të dëgjuar të flitej për njerëz që i kishin rënë tej e mbanë botës. Kështu veshët e tij thithnin një spektër të gjërë informacionesh të ndryshme. Nga pikpamja gjenetike Shekspiri ishte një fenomen, balli i zbuluar, që e kemi parë në tërë ato tabllo, ishte si një kompjuter, përmbante një kapacitet regjistrimi dhe trajtimi të një larmie përshtypjesh që të lënë gojëhapur
Ja truri i Shekspirit, instrumenti i Shekspirit dhe gjithashtu, mendoj, se kjo është dhe pikënisja jonë. Megjithatë, a mjafton të thuhet që ai kishte një kujtesë të mirë ? Nuk besoj. Sepse edhe sikur të ishte i zoti për t’i lejuar përshtypjet që të futeshin në trurin e tij me të gjithë pasurinë dhe kompleksitetin e tyre, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për ta quajtur Shekspirin autor të pakrahasueshëm. Jemi pra të detyruar që të arrijmë në përfundimin se ai kishte një tjetër karakteristikë themelore. Le ta quajmë “ krijimtari ”. Por, ku na çon kjo fjalë, çfarë shpjegon ajo ? Le të flasim thjeshtë. Mund të themi që ishte poet, dhe askush s’mund të na kundërshtojë, sepse fundi-fundit ai ka shkruar poezi. Megjithatë, të jesh poet, kjo nuk vjen nga hiçi. Cili është përfundimisht, po të flasim terma konkrete, terreni nga ku ngrihet ky fenomen i veçantë që e quajmë “ poezi ” ? Kuptimi i fjalëve? Po, por as kjo nuk mjafton. Ajo që ne kërkojmë është diçka më themelore.
Ajo ç’ka është themelore, është se një poet është një qënie njerzore ashtu si secili prej nesh, por me një ndryshim. Ndryshimi është, se ne në çfarëdo momenti qoftë, nuk mund ta kapim tërësinë e jetës sonë. Le të shohim veten tonë në këtë moment. Në këtë çast preçiz, të ulur këtu sëbashku. Asnjëri nga ne nuk është i zoti që të futet nën dëgjimin e konshiencës për të kapur gjithë atë pasuri që ne kemi thithur përgjatë jetës sonë. Për shumicën prej nesh do të duhej një kërkim i gjatë për të na zhytur në mbresat e së kaluarës. Për disa, do të duheshin madje disa vite punë me një psikiatër për të kapur ato tynele të çuditshme ku të gjitha eksperiencat tona janë varrosur duke pritur që të rifreskohen. Por poeti është i ndryshëm. Karakteristika absolute që krijon “poetin” është kapaciteti i vështrimit të marrëdhënieve mes gjërave dhe atje ku këto marrëdhënie nuk janë të dukshme.
(…) Ai fillonte gjithmonë duke treguar një histori. Dhe këtu, mendoj unë, ne shohim ndryshimin mes gazetarit – një gazetari të mirë – dhe Shekspirit. Po të shkruajmë historinë e një krimi për një gazetë, ne e bëjmë atë në mënyrë të përmbledhur dhe e përshkruajmë veprimin në mënyrë të sipërfaqshme, vetëm në një nivel të shkrimit. Sheksipiri kishte një respekt të madh për historitë, por mënyra e tij ishte krejt tjetër. Në çdo çast ai ishte krejtësisht i ndërgjegjshëm jo vetëm për veprimin në vetevete, por për gjitha ato që hyjnë në marrëdhënie me këtë veprim, në një numër të pafund nivelesh. Kështu ai e shikonte se ishte i detyruar që të farkëtonte një instrument shumë kompleks, të jashtzakonshëm, që ne e quajmë “poezi”, instrument falë të cilës me një replikë ai mund t’i jepte njëherësh kuptimin tregimit (që duhet ta gjejmë) dhe personazhit karakterin njerzor (që gjithashtu duhet ta gjejmë), duke zgjedhur në të njejtën kohë fjalën e saktë mes mijrave që ai dispononte, duke gjetur fjalët që bëjnë të dëgjohen rezonancat, të cilat përmbledhin të gjitha nivelet e kombinimeve që ai mbante në veten e tij.
Ky fenomen shfaq një tjetër aspekt.
Një pjesë e Shekspirit nuk është më e gjatë se nga cilado pjesë tjetër, një paragraf  ka po atë gjatësi që ka një paragraf i një gazete të sotme ; por dendësia – dendësia e çastit – është ajo që na intereson më shumë se çdo gjë. Kjo dendësi mbante parasysh shumë elemente, dhe sëpari një gjuhë të figurshme, por gjithashtu dhe fjalë. Dhe këto fjalë merrnin një dimension të jashtzakonshëm nga fakti se ato nuk ishin thjeshtë “koncepte”.
Koncepti është kjo përpjekje fare e vogël intelektuale që i gjithë qytetërimi perendimor ka veneruar deri në tepri përgjatë kaq shekujve. Këtu koncepti egziston, po përtej konceptit gjendet “koncepti që sjell jetën me anë të imazhit”, përtej konceptit dhe imazhit kemi muzikën. Dhe muzika e fjalëve është shprehja e asaj që është më e vështira për t’u kapur në një ligjëratë konceptuale. Eksperienca njerzore të cilën nuk mund ta reduktojmë në koncepte, shprehet me anë të muzikës. Nga ku lind poezia, sepse në poezi egziston një raport jashtzakonisht i hollë mes ritmit, tonit, vibracionit dhe energjisë, i cili i jep çdo fjale, në momentin ku ajo është shqiptuar, kuptimin, imazhin dhe në të njejtën kohë atë përmasë tjetër mjaft të fuqishme që vjen nga tingulli, nga muzika e fjalës.
(…) Herë-herë kemi një material të një densiteti të atillë që kërkon të gjitha pasuritë e gjuhës. Domethënë poezinë. Një poezi jo e bukur në vetvete, por e ngjeshur, një gjuhë e ngarkuar me intensitet. Nëqoftëse ne sot duam të vemë në skenë një pjesë të Shekspirit, sfida është që ta ndihmojmë publikun që të shikojë dhe dëgjojë me sytë dhe veshët e sotëm. Ajo që ne shikojmë duhet të duket e natyrshme, tani, sot. “Të duket e natyrshme”, do të thotë që ne nuk duhet të vemë në dyshim atë që shikojmë. Sikur vetëm njëherë ju të bëni pyetjen : “Kjo është e natyrshme apo artificiale ?”, ju jeni kaputt. Një aktor flet dhe pi një gotë me ujë, kjo është e natyrshme, dhe papritur ky person hidhet në poezi, në një ligjëratë mjaft komplekse – kjo gjithashtu duhet të duket e natyrshme – dhe nëqoftëe ai bën një lëvizje të çuditshme, ajo gjithashtu duhet të jetë e natyrshme. Me fjalë të tjera, problemi është adaptimi i këtij materiali në momentin prezent, ku njerëzit janë ulur në sallë, këtu, sot.
Por ka një kurth. “I sotëm” dhe “bashkëkohor”, nuk është e njejta gjë. Një regjisor mund të marri cilëndo pjesë të Shekspirit dhe t’i japë një ngjyrim bashkohor në mënyrën më ordinere dhe më vulgare. Për shembull mund të bëjmë që në skenë të hyjnë personazhet me motora të mëdhenj me pistoleta dhe t’i bëjmë madje që të dhjesin mbi skenë. Ka qindra mënyra për ta sjellur një vepër në një të tashme që mund të njihet. Një regjisor është i lirë, por kjo liri ju ve pashmangshmërisht përballë një çështje të vështirë dhe të dhimbshme. Ajo ju detyron të eksploroni tekstin duke qëndruar deri në fund respektues, i ndjeshëm dhe i hapur. Si regjisorë jemi të detyruar t’i bëjmë pyetjen vetes nëse jemi në kontakt me të gjitha nivelet e shkrimit. Të cilat janë po aq të pasura, pjellore, domethënëse dhe mbajtëse të jetës, si sot, ashtu dhe në të kaluarën. Ose vendosim që nuk i kemi vënë re këto nivele të ndryshme, që ato nuk janë interesante, ose nuk e vrasim mendjen fare. Mund të bëjmë çfarë të duam, por duhet dalluar hendeku që egziston mes modernizimit vulgar të një teksti dhe potencialit të madh që ai përmban dhe që mbetet i injoruar. Meqenëse në teatër kemi kaq pak tekse të një pasurie të tillë, duhet ta dijmë se marrim parasysh një rrezik që ndoshta nuk ia vlen. Për ta përmbledhur : artikulli i gazetës së djeshme ka vetëm një dimension, dhe ai kalon shpejt. Tek Shekspiri çdo varg është një atom, që po të dijmë ta bëjmë të shpërthejë, çliron një energji të pafundme.

Erdhi koha për të fjetur…nata e parë për herë të dytë në burgun e Nishit e ëndrrat për Lirinë tonë ndërronin vetëm shtratin dhe qytetin, por një ditë edhe këto ëndrra do të bëhen realitet.

                          Nga akademik PHD.  Flori Bruqi Me rastin e 27-vjetorit të bombardimeve në burgun e Dubravës, Hasani i përshkuan at...