Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/16

Sazan Goliku : A lexojnë dhe a duhet të lexojnë fëmijët?

Në edukimin kulturor libri artistik zë një vend të pazëvendësueshëm, sepse është në bazë të krijimit të një tranzicioni sa të dhimbshëm, aq dhe të stërzgjatur, kujdesi dhe preokupimi ndaj librit ka kaluar, dhe ende po kalon, nëpërmjet krizash ekonomike, organizative, kulturore e letrare. Institucionet përkatëse që duhet ta kenë një nga objektivat kryesore librin, shoqëria civile, familja, shkolla të përfshira në vorbullat e burokracisë dhe të paaftësisë, të mungesës së fondeve të nevojshme, të luftës për mbijetesë, e kanë çuar fatkeqësisht, interesimin për librin në kuota të mjerueshme.

Kjo nuk do të thotë aspak se nuk janë botuar libra këto 24 vjet. Botuesit, në një mënyrë ose tjetrën, mirë ose dobët, e kanë bërë punën e tyre, që gjithsesi kushtëzohet nga ekonomia e tregut dhe ligjet e saj, por edhe nga niveli profesional e kulturor i tyre. Pyetjes “Sa shkon libri në duart e fëmijëve?” mund t’i përgjigjesh pozitivisht e negativisht. Shohim shpesh fëmijë me libra në duar nëpër panaire, ditëve të festave, nëpër ditëlindje etj. Dhe vërtet kjo të gëzon. Por vetëm në qytetet kryesore të vendit dhe nga fëmijë me prindër që kanë gjendje të mirë e të konsoliduar ekonomike dhe kulturën e mjaftueshme për të vlerësuar dobitë e librit.

Po a mund ta blejë librin artistik, sado i pasionuar të jetë, fëmija i një prindi me të ardhura fare të pakta dhe me shumë fëmijë, i cili e ka të vështirë edhe blerjen e librave shkollorë? Po në fshatra, e sidomos në fshatrat e thellë malorë, a mund të gjendet, a mund të blihet libri? Popujt e shtetet që kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për rolin e dobinë e librit kanë ecur të sigurt në udhën e ndritur të qytetërimit e përparimit. Sa vëmendje i kushtojnë librit për fëmijë te ne institucionet shtetërore si: Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit, drejtoritë arsimore etj?

Vetëm me interesim e përkushtim për të gjetur mekanizmat e frytshëm dhe me veprimtari të vazhdueshme mund të gjenden mundësitë e rrugët që libri të gëzojë çdo fëmijë kudo ku jeton e i kujtdo qoftë.

Ekipe të përbëra verifikimi e kontrolli për të parë gjendjen e bibliotekave të shkollave dhe për t’i përmirësuar këto; caktim fondesh të veçanta për blerjen e librave për këto biblioteka; përpjekje për të gjetur donatorë të mundshëm të japin ndihmesën e tyre si shtëpi botuese, biznese vendore etj., do të ishin disa mënyra e mjete për të realizuar një ndryshim efektiv të bibliotekave të shkollave, sidomos në fshatra. Dashurinë për librin dihet që e ushqejnë prindërit në familje, por kur kjo qasje mungon, atëherë janë mësuesit, e sidomos ata të letërsisë. Për ne si komb, në rrethanat e qenies së shqiptarëve në gjashtë shtete, ngrihet problemi i përhapjes së librit shqip për fëmijë në mënyrë të ndërsjellë në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në ngulimet e bashkësive shqiptare nëpër botë.

Një veprimtari e tillë kërkon një politikë kulturore të mençur, të zhdërvjellët e të vazhdueshme. Kjo do të bënte njohjen e pasurisë letrare artistike nga të gjithë fëmijët shqiptarë. Por, a e zgjidh këtë detyrë vetëm hapja njëherë në vit e panaireve të librave në disa nga qytetet shqipfolëse? Patjetër duhen gjetur rrugë e mjete të tjera të frytshme. Një libër luksoz, tepër të shtrenjtë edhe për një prind me të ardhura mesatare, e ka të vështirë ta blejë një fëmijë i një familjeje të varfër, prandaj mund të botohen, si kudo në botë, edhe libra të thjeshtë që kushtojnë pak. Në ditët e sotme bota po përballet me një problem real. Zgjerimi e përdorimi masiv i mjeteve elektronike të medies, si televizionet e panumërt, filmat e llojllojshëm, celularët e sofistikuar, lojërat elektronike, po ndikojnë dukshëm potencialisht te fëmijët, duke i larguar nga leximi i librave.

Por fakti që në botë vazhdojnë, edhe në këtë situatë, të botohen libra po me atë sasi, cilësi e ritëm si më parë, flet qartë se qytetërimi po e përballon këtë sfidë. Dhe kjo është arritur me disiplinë familjare e shkollore, duke ruajtur raporte të baraspeshuara me librat mësimor, leximit e argëtimit të fëmijëve. Kjo është detyrë sa e prindërve po aq dhe e shkollës. Por te ne ka raste që prindërit e pasur ngurrojnë t’i blejnë fëmijës së vet një libër, por tregohen dorëlëshuar për t’i blerë një I-Pad. Sfidë për letërsinë tonë për fëmijë është botimi jopërpjesëtimor i librave origjinalë shqip me ato të letërsisë së huaj. Botuesit, si tregtar që janë, u intereson fitimi dhe kanë më leverdi t’i botojnë pa të drejtë autori dhe të mbushin me libra të ilustruar, kryesisht për parashkollorët e libraritë.

Ata botojnë letërsi shqipe vetëm kur janë të sigurt për shitjen e tyre. Kështu harrohet porosia e Faik Konicës se duhet të botojmë 50 % libra nga letërsia jonë dhe 50 % nga letërsia e huaj. Letërsia shqipe pasqyron artistikisht botën e shpirtin kombëtar, traditën e veçoritë e identitetit tonë, fatin historik e aktual të shqiptarit, luftën e tij për të mbijetuar në rrjedhën e shekujve, konfliktet shoqërore, po edhe bukuritë e rralla të natyrës shqiptare. Përvetësimi estetik i botës sonë, sidomos në letërsinë për fëmijë, mban të ndezur dashurinë e krenarinë për atdheun, ashtu siç e kanë gjithë popujt e qytetëruar. Fëmijët në shkolla mësojnë vargjet e prozat e Naimit e të Fishtës, të Migjenit e të Kutelit. Dhe atyre u rrënjoset në vetëdije se të qenit shqiptar do të thotë se je njeri i qytetëruar, i kulturuar, krenar për kombin që i përket.

Po përmend vetëm dy faktorë që mund të realizojnë këtë porosi të Faik Konicës: lehtësitë nga shteti për botuesin e veprave origjinale të letërsinë shqipe për fëmijë dhe ngritja e arritja e veprave më të mira të kësaj letërsie në nivelet bashkëkohore të letërsisë europiane. Gjykoj se sot veprat më të arrira artistikisht të letërsisë sonë për fëmijë i përgjigjen denjësisht niveleve të letërsisë së huaj. Problem paradoksal është opinioni mohues që kanë disa njerëz ndaj letërsisë sonë për fëmijë, madje edhe pa e njohur atë. Mungesa e një kritike letrare profesionale, të thelluar, konstruktive dhe të institucionalizuar ka sjellë këtë konfuzion të gjykimeve, ku nuk mund të dallohen vlerat nga antivlerat ose mediokriteti.

Krahas librave me poezi, përralla, tregime, novela, romane të arrira artistikisht, shohim të qarkullojnë nëpër librari, po edhe nëpër shkolla poezi me vargje të thatë, me figuracion të vjetruar me mangësi të theksuara metrike që nuk ngjallin emocione dhe interes te fëmijët, proza të rëndomta, me subjekte të njohur, aspak origjinal, me personazhe të paindividualizuar që vetëm flasin e veprojnë si manekinë dhe jo sipas tipareve të karakterit që ka personazhi. Letërsia për fëmijë duhet të vlojë nga fantazia e pasur, nga ngjyrat e larmishme, nga lëvizja e gjallë e situatave, nga skenat e papritura, ku gjuha e pasur dhe e zhdërvjellët të rrjedhë e kthjellët si në rrëfimet e gjysheve tona të hershme.

Pa aventurën, lojën e humorin, këto komponentë karakterizuese të letërsisë për fëmijë, lexuesi i vogël mbetet i ftohtë, shpërfillës dhe natyrshëm do të kërkojë diçka tjetër zbavitëse, pra atë që nuk e gjen te libri. Ribotimi i veprave letrare për fëmijë, mbi bazën e rivlerësimit përmbajtjesor e artistik, pra të atyre që i kanë qëndruar kohës, është një domosdoshmëri për të njohur e mbajtur gjallë traditën tonë letrare. Duke e mbyllur, po citoj fjalët e Hegelit: “Njeriu e ka krijuar librin dhe libri krijoi njerinë”. Prandaj ne nuk kemi të drejtë të profetizojmë zhdukjen e librit, sepse përndryshe do të zhdukej vetë njerëzimi si i tillë.

Gjuha e folur sipas UNESCO-s futet në trashëgiminë shpirtërore.

Rami Memushaj
 Shkruan: Prof.Dr.Rami Memushaj-Kallarati



“Jo zyrtarizim të gegërishtes, do kemi dy gjuhë zyrtare”


Vitet e fundit çështja e statusit dhe e rolit të dialekteve ka ardhur duke zënë gjithnjë e më shumë vend në tubime gjuhësore dhe në shtypin e shkruar e elektronik. Së fundmi, mësojmë se edhe Ministria e Kulturës e ka përfshirë në programin e saj të ruajtjes së trashëgimisë kulturore edhe mbrojtjen e dialekteve.

Ruajtjes dhe lartësimit të dialekteve iu kushtua edhe një “workshop” (dmth. seminar), i organizuar nga “Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe e Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe” e kësaj ministrie, ku profesorë e akademikë folën për statusin e dialekteve në diktaturë e sot dhe për rolin e tyre si burim i pasurimit të gjuhës standarde.

Para se të shqiptohemi për “rijetësimin e gjuhës shqipe”, mendojmë se, për ata që nuk kanë shkollim filologjik, do sqaruar kuptimi i fjalës “dialekt” dhe për këtë po sjellim shpjegimet që ka dhënë para 100 vjetësh gjuhëtari austriak Maksimilian Lamberc. I thirrur në Shkodër për të ndihmuar Komisinë Letrare në zgjedhjen e dialektit që do të merrej si bazë e gjuhës së shkruar, ai, në përfundim të një udhëtimi studimor 45-ditësh nga Shkodra në Berat, mbajti para anëtarëve të Komisisë një raport, në të cilin, ndër të tjera, thuhet:

“Dija e gjuhsís, për me mujtë e me sjellë pak rregullim në ndryshimin e djalektavet shqip âsht msue me përdorue fjalen “gegnisht” e “tosknisht”. Këta skàje deri në nji farë lloj gradi i përgjigjen së drejtës, mbassi të gjithë djalektet, qi janë nga veriu i lumit të Shkumbit, qi thirren gegnishte, në nji farë pikëpamje fonetike me rândësi bâjnë nji ndryshim me djalektat e Shqipnís Jugore, qi thirren nden emnin tosknisht…

Vetem mbas dijes së gjuhësís nisën edhe këta skàje me u përhapë edhe në jetën praktike, shqiptarët e jugës me u thirrë “toskë” e ata të veriut “gegë… Këto zhvillime tregojnë, se fjalët “Gegë” e “Toskë”, “gegnisht” e “tosknisht” mbas kuptimit qi kanë sot, nuk janë tjetër veç se fjalë ndihme për dijen e gjuhsís. Të tilla fjalë ndihme natyrisht kanë një vlerë të madhe praktike edhe kanë me u mbajtun e duhen me u mbajtun.

Veç se kur të përdoren, duhet me e dijtë qarisht, se këto nuk diftojnë nji kundërshtim të jetës së vërtetë, veç se dija e gjuhsís i përdoron me qellim qi, të munt të sjelli nji farë rregullimi ndë ket chaos të ndryshueshëm mbi thëmel të disa veçorinave të posaçme…” (Laimet e Komisís Letrare shqipe në Shkodër, Kallënduer 1918, nr. 1, f. 32; nr. 2, f. 43).

Ky gjuhëtar, që ndoshta nuk i kishte rënë në dorë “Kursi i gjuhësisë së përgjithshme” (1916) i F. dë Sosyrit (ku babai i gjuhësisë moderne thotë se “ka vetëm tipare dialektore natyrore, po nuk ka dialekte natyrore”), shpjegon se “gegnisht” e “tosknisht” “nuk janë tjetër veç se fjalë ndihme për dijen e gjuhsís”.

Për më tepër, ai flet për “djalektat e Krues, të Tiranës, të Durrsit, të Kavajës, të Peqinit, t’ Elbassanit e të Çermenikës” dhe “të Beratit, të Korçës, të Gjirokastrës, të Frasherit, të Himarës…”, duke e shtrirë përdorimin e këtij termi edhe për të folmet krahinore, pra në një kuptim më të gjerë nga ç’pandehet prej shumëkujt.

Madje, përmbajtja e termit ‘dialekt’ është edhe më e gjerë. Në të përfshihen, së pari, të folmet territoriale të një qyteti a fshati (ose të disa fshatrave) me popullsi homogjene, të cilat janë sisteme gjuhësore reale; së dyti, të folmet sociale – sociolektet, zhargonet, argotë – që janë edhe këto reale, sepse fliten nga grupe shoqërore; së treti, variantet letrare që janë përdorur para se t’ua zinte vendin gjuha standarde, si variantet letrare arbëreshe, toskërishtja letrare, shkodranishtja letrare, elbasanishtja letrare dhe letrarishtja e Kosovë-Maqedonisë e përdorur deri më 1967–68.

 Më në fund, nën këtë term përfshihen edhe të folmet krahinore, nëndialektet dhe dialektet, të cilat janë konstrukte të gjuhëtarëve, “fjalë ndihme për dijen e gjuhsís”, sikundër thotë Lamberci. Asnjë nuk flet, për shembull, në një toskërishte a gegërishte të përbashkët, as në një nëndialekt toskë a gegë, as në një të folme krahinore të Jugut apo të Veriut, po në një të folme të caktuar, p.sh. të qytetit të Tiranës, të qytetit të Shkodrës, të qytetit të Gjirokastrës, të fshatrave të Hotit, të Himarës etj.

Në ditët tona, variante reale të gjuhës shqipe janë gjuha standarde dhe të folmet vendore. Gjuha standarde (ndryshe gjuha letrare kombëtare) funksionon si një makrosistem me norma të caktuara në të gjitha sistemet dhe përdoret në shkallë kombëtare në të shkruar e në të folur, kurse të folmet vendore janë mikrosisteme që përdoren vetëm në të folur.

Pikërisht, kjo pamje reale e situatës gjuhësore në hapësirat që mbulon shqipja duhet mbajtur mirë parasysh kur shtrohen alternativa të tilla, si: “vetëm gjuhë standarde apo gjuhë standarde dhe dialekt në shkollë?”, kur kërkohet demokratizimi i gjuhës “nëpërmjet zyrtarizimit të dialekteve dhe të nëndialekteve” dhe hartim “tekstesh administrative në nivel komune ose bashkie”(!) etj.

Kur dëgjon të nyjëtohen kërkesa të tilla jo nga njerëz sidokudo, po nga akademikë e profesorë, të lindin vetvetiu një varg pyetjesh: Do të bëhet dialektologji edhe në shkollën 9-vjeçare e të mesme? Çfarë duhet zyrtarizuar: variantet e mëparshme letrare, dy dialektet dhe gjashtë-shtatë nëndialektet? Nëse nxënësit që “gojarisht shprehet në dialekt”, nuk i duhet kërkuar të shkruajë në gjuhën zyrtare, atëherë ç’është nevoja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë?

Në një kohë kur është nyjëtuar publikisht shqetësimi intelektual për mungesën e kujdesit të shtetit ndaj gjuhës standarde, në këtë lëvizje që lartëson dialektet, janë aktivizuar institucione qeveritare, akademikë e profesorë, disa syresh edhe anëtarë të Këshillit Ndërakademik. Kthimi i vëmendjes nga dialektet e të folmet, duke mobilizuar për këtë qëllim edhe një drejtori të posaçme, i bën dëm jo vetëm prestigjit tonë si komb.

 Në thelb, secila nga kërkesat e nyjëtuara në “workshop-in” në fjalë përbën një kthim prapa, humbje të panevojshme energjish intelektuale dhe çarje të njësisë kombëtare. Pyetjes për mundësinë e “rikthimit të gegërishtes në formatin e saj zyrtar” gjuhëtari arbëresh Françesko Altimari i është përgjigjur se “nuk më duket e logjikshme, as e volitshme të kthehemi tek ‘kafazet’ e vjetra gjuhësore-krahinore të shqipes”.

Kjo lëvizje e dyshimtë shpallet si përmbushje e detyrimeve që burojnë nga Konventa e UNESKO-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale (2003), e cila merr në ‘ruajtje’ “traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuhën si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale”, nëpërmjet masave “që synojnë jetëgjatësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, përfshirë këtu identifikimin, dokumentimin, kërkimin, ruajtjen, mbrojtjen, nxitjen, vlerësimin, përcjelljen, kryesisht përmes edukimit formal dhe joformal, si dhe rigjallërimin e aspekteve të ndryshme të kësaj trashëgimie” (Neni 2, pika 2 dhe 3).

Ajo që na tërheq vëmendjen në emërtimin e Drejtorisë së Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe, është, së pari, termi ‘rijetëzim’, një kalk i ang. revitalization, që ka si sinonim language revival “ringjallje e gjuhës”. Me ‘rijetëzim”, në literaturë kuptohet “përpjekja e palëve të interesuara për të ndaluar ose kthyer mbrapsht rënien e një gjuhe ose për të ngjallur një gjuhë të vdekur”.

 Pra, ruajtje e një gjuhe që flitet vetëm nga brezi i vjetër ose që nuk flitet më. Por cilat janë në Shqipëri gjuhët që fliten vetëm nga brezi i vjetër dhe ato që nuk fliten më? Në Atlasin e UNESKO-s të gjuhëve në rrezik (Atlas of the World’s Languages in Danger, UNESCO, 2011), si gjuhë të rrezikuara të Shqipërisë përmenden arumanishtja, gjuha rome, judaishtja (të tria të rrezikuara përfundimisht: fëmijët nuk i mësojnë më në familje si gjuhë amtare) dhe gjuha gorani (e pambrojtur: e flasin shumica e fëmijëve, por vetëm në familje).

Por “workshop-i” i organizuar nga Ministria e Kulturës nuk kishte si objekt asnjë nga këto gjuhë të rrezikuara të Shqipërisë. Njoftimi i gazetave ishte se “Ministria e Kulturës merr në mbrojtje dialektet, e kërkoi UNESCO që në 2003”. Po cilat dialekte do të “rijetëzojë”, dmth. do të ngjallë kjo Drejtori?

Drejtorja e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor, Zh. S. Harasani, në deklarimin e saj për shtypin nuk është e qartë. Ajo citohet të ketë thënë: “Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe e Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe është krijuar për forume, për format e gjuhës së folur, sepse gjuha e folur sipas UNESCO-s futet në trashëgiminë shpirtërore.

” Dhe më tej: “Kur themi rijetëzim i gjuhës shqipe, kjo për të parë dhe mbrojtur të gjithë format e saj. Këtu nuk flasim për dëmtimet që mund t’i bëhen shqipes standarde, por për dialektet e gjuhës, shprehive në gjuhë, kësaj pasurie të madhe.”

Mbetet të dimë se ç’kupton me dialekt drejtorja dhe drejtoria që do t’i rijetëzojë ato. Në faqen e internetit të ministrisë nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna për projektin e miratuar dhe se çfarë synohet të “rijetësohet”.

 Në bazë të përkufizimit të Konventës së UNESKO-s, kandidatë për t’u rijetëzuar janë variantet e shkruara të shqipes, që sot nuk përdoren më – shkodranishtja letrare, elbasanishtja letrare, toskërishtja letrare dhe kosovarishtja letrare – dhe të folmet e fshatrave të braktisura. Por këto të fundit nuk mund të ngjallen, sepse folësit e tyre i kanë lënë vendbanimet.

Nga leximi i komenteve, intervistave dhe i kumtesave të botuara na rezulton se në “workshop” nuk u kërkua “rijetësim”, ngjallje e varianteve letrare të vdekura, po krijim variantesh të reja të gjuhës.

Sepse zyrtarizim i dialekteve dhe i nëndialekteve do të thotë standardizim i gegërishtes, ndryshe krijim edhe i një gjuhe tjetër zyrtare; po u zyrtarizuan edhe nëndialektet, sikundër u kërkua nga një akademik që foli për demokratizim të edukimit “nëpërmjet zyrtarizimit të dialekteve dhe nëndialekteve”, atëherë i bie që në hapësirat që mbulon shqipja, të kemi 8-9 gjuhë zyrtare!

Duke mos u marrë më tej me propozime të tilla çoroditëse dhe shumë të dëmshme, ajo që duam të themi në mbyllje të këtij shkrimi, është se politikat gjuhësore të qeverisë duhen ndërtuar në këshillim të ngushtë dhe me ndihmën e institucioneve gjuhësore, të cilat e njohin mirë gjendjen gjuhësore të vendit, për shkak se detyra e tyre është pikërisht studimi i gjuhës në të gjitha format dhe shfaqjet e saj.

Këto institucione, veçanërisht dialektologët e tyre, kanë bërë një punë të shkëlqyer për studimin e të folmeve të shqipes, me mbledhjen e një materiali të pasur leksikor dhe krijimin e bankës zanore të ligjërimeve vendore, kanë botuar punime e monografi, duke e kurorëzuar këtë punë me botimin e “Atlasit dialektologjik”, një nga veprat madhore të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX.

 E gjithë kjo punë e kryer e bën të pavërtetë pohimin e znj. Harasani se “nuk ka pasur sa duhet studime dhe botime” për dialektet. Për sa i përket pohimit se “deri më sot gjuha shqipe e folur, ajo e dialekteve ka qenë e pambrojtur”, mbetet të shohim se si do t’i mbrojë dialektet Ministria e Kulturës.
Gjithsesi, ajo që duhet pasur parasysh, është se të folmet janë kategori historike. Ndryshimet demografike që kanë ndodhur e do të ndodhin në të ardhmen, do ta prishin karakterin homogjen të trevave të caktuara, gjë që do të sjellë edhe ndryshime në hartën dialektore të shqipes. Po studimin e këtyre zhvillimeve dhe pasurimin e bankës zanore me material gojor nga të folmet nuk mund ta bëjnë shoqata dhe amatorë.

 Për këtë, së pari, duhet “rijetësuar” departamenti i dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë. Pastaj këtij dhe departamenteve universitare të gjuhës shqipe u duhen dhënë fonde për kërkime në terren dhe për rifreskimin e bankës zanore me regjistrime të reja. Këto janë punë që mund t’i kryejnë vetëm studiuesit e shqipes, në radhë të parë dialektologët. Nismat e projektet që vijnë nga njerëz jashtë profilit, edhe po të mos bëhen për qëllime fitimi, më shumë prishin sesa ndreqin punë.

*****

Biografia:
Rami Memushaj-Kallarati ,është lindur në Kallarat të rrethit të Vlorës më 28 shkurt 1943. Katër klasat e para të 7-vjeçares i ka kryer në vendlindje, klasën e pestë dhe të gjashtë në shkollën 7-vjeçare "1 Maj" në Skelë të Vlorës dhe të shtatën në Vranisht. Studimet e mesme i ka bërë në Vlorë, në shkollën pedagogjike "Jani Minga" gjatë viteve 1957–1961, kurse të lartat në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Universitetit të Tiranës gjatë periudhës 1964–1968.



Gjatë viteve 1961–1964 ka punuar si arsimtar në rrethin e Vlorës, dy vitet e para si mësues matematike në Gjorm e Vranisht dhe vitin e fundit si drejtor i shkollës 7–vjeçare në Bolenë. Pas diplomimit në shkollën e lartë, ka punuar përsëri në rrethin e Vlorës si drejtor shkolle fillimisht në fshatin Vajzë (1969–1971), pastaj në Vranisht (1971–1973) dhe në Llakatund (1973–1974). Prej vitit 1974 e deri sot punon si pedagog pranë katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Përveç mësimdhënies në degën e gjuhës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, ka mbuluar disa lëndë gjuhësore, është marrë edhe me veprimtari kërkimore në fushën e gjuhësisë. Fryt i kësaj pune janë një varg botimesh, monografi e tekste mësimore universitare e për shkollën e mesme, si dhe artikuj gjuhësorë e shkrime në shtypin shkencor dhe në shtypin e përditshëm. Veç fushës së gjuhësisë, e kanë tërhequr edhe çështje të historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit.

e-mail: rmemushaj43@hotmail.com

Web Page: http://www.ramimemushaj.com/

Gjuhë të huaja

•anglishte, rusishte, italishte, rumanishte, frëngjishte; latinishte, kinezishte (njohuri elementare)

Grada dhe tituj shkencorë

•Profesor doktor (2004)

•Profesor i asociuar (1995)

•Doktor i shkencave (1994)

•Kandidat i shkencave filologjike (1985)

Kualifikime shkencore

•Bursë njëmujore në kuadrin e programit TEMPUS, Universiteti i Bremenit, Gjermani (nëntor–dhjetor 1995).

•Bursë tremujore për kërkime gjuhësore dhënë nga Komuniteti Europian Universiteti i Roskildes, Danimarkë (korrik 1993–shtator 1993).

•Bursë tetëmujore "Fullbrajt" për kërkime gjuhësore, Universiteti i Berklit (Kaliforni), ShBA (shtator 1992–maj 1993).

•I ftuar në kursin veror njëmujor të gjuhës dhe të letërsisë rumune, Universiteti i Bukureshtit (23 korrik–21 gusht 1992).

Karriera profesionale

•Pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe, UT, (2001~)

•Lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos (qershor 1998 – nëntor 2000).

•Pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe, UT (1993–1998).

•Lektor i gjuhës shqipe pranë katedrës së gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Kinë (tetor 1989–korrik 1991).

•Pedagog në katedrën e gjuhës shqipe, USHT (1974–1989).

•Drejtor shkollash 8–vjeçare dhe i shkollës së mesme të Llakatundit, Vlorë (1969–1974).

•Mësues dhe drejtor në shkolla 7–vjeçare të rrethit të Vlorës (1961–1964).

Vlerësime profesionale

•"Ekspert i huaj i dalluar", Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit (1991).

•Urdhri "Naim Frashëri" i Klasit III, Universiteti i Tiranës (1989).

•Medalja "Naim Frashëri", Vlorë (1970).

•Bursa "Naim Frashëri" për rezultate të shkëlqyera (1965–1967).

Detyra të ngarkuara

•Anëtar i këshillit të Fakultetit (1993–1997, 2003–2007).

•Përgjegjës i seksionit të shqipes së sotme në Departamentin e gjuhës shqipe (2001-2007).

•Sekretar kolegjiumi i redaksisë së revistës "Studime albanologjike" (1996–1998).

•Përgjegjës i Departamentit të Gjuhës Shqipe (1993–1997).

•Anëtar i senatit të UT (1996–1997).

•Redaktor (kryeredaktor prej 2003) i revistës "Studime albanologjike" (1996–2004).

•Anëtar i redaksisë së revistës "Gjuha jonë" (1995–1998).

Botime dhe veprimtari shkencore

1. Libra

•Fonetika e shqipes standarde, Tiranë, 2009.

•Bukuria e gjuhës III, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2009.

•Bukuria e gjuhës II, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2008.

•Bukuria e gjuhës I, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2007.

•Himara, Tirana, 2004.

•Histori e Kurveleshit, I, Tiranë, 2004.

•Teste gjuhësore, Vlorë, 2003 (me bashkautorësi).

•Gjuhësia gjenerative, Tiranë, 2003, 2008 (e ripunuar).

•Shqipja standarde, Tiranë, 2002, 2004, 2005, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2002, 2004, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, 1986, 1990, Tiranë (bashkautor).

•Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1989.

2. Artikuj

•Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, në përmbledhjen "Kongresi i Manastirit", botuar nga Universiteti i Mynihut, Gjermani, 2009.

•Konflikti nacionizëm – nacionalizëm në gjuhë dhe Konsulta e Prishtinës (botuar në përmbledhjen "Konsulta e Prishtinës 40 vjet", Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2008.

•Gabim historik apo zgjidhje historike?, gazeta "Shekulli", 20 dhjetor 2008.

•Zëri i mjeshtrit (rreth veprës "Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët" (2008) të prof. Shaban Demirajt), gazeta "Shqip", 4 korrik, 2008.

•Theksi i fjalës në gjuhën shqipe, Studime albanologjike, I, 2008, f. 37–49.

•Tri koncepte themelore të sintaksës moderne, Studime filologjike, nr. 3–4, 2007.

•Çështje të normës morfologjike në fjalorët shpjegues të shqipes, "Studime Filologjike, nr. 1–2, 2007.

•Periudha e Tanzimatit në këngët popullore, gazeta "Ndryshe", 21 June, 2007.

•Ballkani: dy modele politikash gjuhësore, gazeta "Shekulli", 11–12 May 2007.

•Oreksi grek: nga Vorio Epiri tek Epiri, gazeta "Ndryshe", 6 mars 2007.

•Religjioni si tipar identifikues, gazeta "Shekulli", 3–4 qershor, 2006.

•The Binary features of the Albanian Sound Segments, në "Proceedings of the Fifth International Conference 'Formal Approaches to South Slavic and Balkan Languages', 18–20 October 2006", Sofia, 2006, pp. 213–223.

•The Albanian legislation on linguistic rights of minorities, Studia albanica, XXXIX année, 2006

•The first Congress Phenomenon: the case of Albanian, International Journal of Sociology of Language, 178, Mouton de Gruyter. Berlin . New York, 2006, pp. 113–127. (shih edhe: Studia albanica , XXXVIIe année, 2004, Academie des Sciences d'Albanie, pp. 14–28.

•Rreth orientimit teorik të gjuhësisë shqiptare, në "Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare", 24/1, Prishtinë, 2005, f. 283–295.

•Tiparet binare të fonemave të shqipes standarde, Studime filologjike, nr. 3–4, 2005, f. 42–63.

•Patronimia e Himarës, në përmbledhjen "Himara në shekuj", Tiranë, 2004, f. 293–319.

•Diftongjet e shqipes standarde, në "Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare", Tiranë, 2004, f. 233–244.

•Rreth hipotezës së prejardhjes Lab–Labëri nga Arbër–Arbëri, në "Cinque secoli di cultura Albanese in Sicilia", a cura di Matteo Mandalà, Palermo, 2003, pp. 443–456.

•Për një ndarje tjetër në klasa të foljeve të shqipes, Studime filologjike, 2003, nr. 1, f. 41–62.

•Planifikimi i statusit të shqipes standarde, Gjuha jonë, 2002, 3–4, f. 56–61; edhe në "Konferenca shkencore "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot", Tiranë, 2003, f. 131–136.

•Kongresi i parë i gjuhës shqipe, në përmbledhjen "Studi in onore di A. Guxeta", a cura di Francesca di Miceli e Matteo Mandalà, Palermo, 2002, p. 297–307.

•Mbi statusin e shqipes dhe të shqiptarëve në Maqedoni, Studime albanologjike, 2001, nr. 7, f. 109–126.

•Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave, Studime universitare 5, Universiteti i Gjirokastrës "Eqrem Çabej, Gjirokastër, 2001, p. 29–53.

•Lidhjet tradicionale të Kurveleshit me Vlorën, në "Konferenca shkencore "Vlora në rrjedhën e Kohës", Botimet TOENA, Tiranë, 2001, f. 83–93.

•Shkolla dhe shqipja letrare (me bashkautorësi), në përmbledhjen "25–vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit 1972–1997", Shtëpia Botuese "Shkenca", Tiranë, 2000, f. 65–75.

•Tipare morfonologjike të përbashkëta të shqipes dhe të rumanishtes, Studime albanologjike, 2000, nr. 6, f. 18–26.

•Shqipja në kontakt dhe çështje të politikave gjuhësore, në "Studi in onore di Luigi Marlekaj", a cura di Matteo Mandalà, Adriatica Editrice, Bari, 1999, p. 341–362.

•Planifikimi si element i strategjisë kombëtare, STUDIME 4, 1997, Akademia e Shkencave e Kosovës, Prishtinë, 1998, f. 283–300.

•Shekulli 21, Studime albanologjike, 1997, 3. f. 190–194.

•Një vështrim mbi dygjuhësinë në Shqipëri), Gutenberg, Athens, 1997, p. 203–212.

•Vështrim mbi dygjuhësinë në Shqipëri, Studime albanologjike, 1997, II, nr. 4, f. 98–109.

•Lëvizjet në sistemin foljor, Studime Albanologjike, 1996, Nr. 2, f. 143–1155. Planifikimi gjuhësor si objekt i sociolinguistikës, Studime albanologjike, 1996, Nr. 1, f. 59–84.

•Konsulta e Prishtinës e 1968–ës dhe shqipja standarde, AKS, 26.8.1995.

•Kujdesi për gjuhën standarde – detyrë urdhëruese, AKS, 23.12.1995.

•Romani "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxes, Dongou (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1991, 3.

•Vështrim mbi letërsinë shqiptare të periudhës së Pavarësisë (1912–1938), Dongou, (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1991, 2.

•Vështrim mbi letërsinë shqiptare të viteve 1960–1980, Dongou (revista "Europa Lindore"), Beijing, 1990, 4.

•Shkronja e madhe në emërtimet gjeografike, Gjuha jonë, 1989, 1, f. 72–78.

•Sh. Demiraj, "Gramatikë historike e gjuhës shqipe" (1986), Gjuha jonë, 1988, 3, f. 94–100.

•Përruan apo përroin, babanë apo babain?, Gjuha jonë, 1987, 1, f. 73–76.

•Rreth foljeve me temë të zgjeruar më –as, Studime filologjike, 1987, 2, f. 27–35.

•Mbi pikësimin e ligjëratës së drejtë, Gjuha jonë, 1986, 1, f. 60–68.

•Vendi i drejtshkrimit dhe i drejtshqiptimit në normat e gjuhës letrare, Gjuha jonë, 1984, 1, f. 52–57.

•Vepra "Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë" dhe ndikimi i saj në zhvillimin e gjuhësisë sovjetike, Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë, 8, 1983, f. 84–99.

•Këmbimet si objekt i morfonologjisë, Studime filologjike, 1983, 4, f. 91–105.

• Rreth pikësimit të disa ndërtimeve, Gjuha jonë, 1982, 1, f. 71–78.

•Rregullat e pikësimit në gjuhën letrare shqipe, Studime filologjike, 1981, 4, f. 219–229.

•Dodi, F. Agalliu etj., Libri i gjuhës shqipe për klasën V, recension në "Tekstet e reja në shkollë", 3, 1972.

3. Leksione dhe kumtime në Konferenca e sesione shkencore

• Ndihmesa të prof. Shaban Demirajt për lirësinë e Epirit, mbajtur në Konferencën shkencore kushtuar 90-vjetorit të tij të lindjes, Vlorë, maj 2009.

•Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, mbajtur në Konferencën Shkencore "Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe", Tiranë, nëntor 2008.

•Planifikimi gjuhësor: nga Konsulta e Prishtinës te Kongresi i Drejtshkrimit, në Simpoziumin "Der Kongress von Manastir" 7–8 November 2008, Universiteti i Mynihut.

•Tri koncepte themelore të sintaksës moderne, mbajtur në konferencën shkencore të mbajtur në Ohër, shtator 2008.

•E folmja e Himarës si një nga idiomat labe, kumtesë e mbajtur në Simpoziumin "Identiteti dhe integrimi shqiptar në epokën e globalizmit", Tiranë, shtator 2008.

•Theksi i fjalës në gjuhën shqipe, mbajtur në sesionin shkencor kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Eqrem Çabejt, korrik 2008.

•Konflikti nacionizëm – nacionalizëm në gjuhë dhe Konsulta e Prishtinës, në sesionin shkencor "Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968)", 22 prill 2008

•1. Theksi i fjalës në gjuhën shqipe; 2. Dukuria e Kongresit të Parë; 3. Planifikimi gjuhësor i shqipes, Universiteti i Mynihut, dhjetor, 2007.

•Binary features of the standard Albanian (kumtim i mbajtur në Konferencën V Ndërkombëtare "Formal Approaches to South Slavic and Balkan Languages", Sofia), tetor 2006.

•Ballkani: dy modele të planifikimit gjuhësor (kumtesë në Seminarin XXV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe kulturën Shqiptare", Prishtinë), gusht 2006.

•What kind of phonological binary features for the Standard Albanian (kumtim i mbajtur në Simpoziumin "Contemporary Approaches to Albanian", Osnabrück, Gjermani), shtator 2004.

•Diftongjet e shqipes standarde (kumtim në sesionin shkencor "Eqrem Çabej and the Albanian Culture", Gjirkokastër), 2003.

•Rreth hipotezës së prejardhjes së Lab/Labëri nga Arbër/Arbëri (kumtim në "Atti del XXVIII Congresso Internazionale di Studi Albanesi", Palermo), maj 2002.

•Për një grupim të foljeve në klasa (kumtesë në Seminarin XXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe kulturën Shqiptare", Prishtinë), gusht 2002.

•Planifikimi i statusit të shqipes standarde (kumtesë në Konferencën "The Standard Albanian and the Albanian Society"), November 2002.

•Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave (kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor "Probleme të dygjuhësisë në pakicat kombëtare", Gjirokastër), tetor 2001.

•Konflikti midis nacionizmit dhe nacionalizmit–faktori që shpuri në standardizimin e shqipes (kumtesë e mbajtur në Konferencën kushtuar 100–vjetorit të Kongresit të Ungrës, Universiteti i Kozencës, 1997.

•Roli i shkollës në përvetësimin e normave të gjuhës standarde (kumtim në konferencën kushtuar 25–vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Tiranë), nëntor 1997.

•A survey of Bilingualism in Albania (kumtim në Kongresin I Ndërballkanik "Intercultural Communication and Education", Universiteti i Patras, Greqi), maj 1996.

•Common features of Albanian and Romanian in Morphonology (kumtim në "Tryezën e rrumbullakët për lidhjet gjuhësore shqiptaro–rumune", universiteti i Jashit, Rumani), nëntor 1996.

•Planifikimi gjuhësor si objekt i sociolinguistikës (referat në Simpoziumin për sociolinguistikën, mbajtur në Fakulteti n e Historisë dhe të Filologjisë), prill 1996.

•On the Standardization of the Albanian Language (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhës dhe të Kulturës të Universitetit të Bremenit, Germany), nëntor 1995.

•The place of Albanian among i.e. and Balkan languages (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhës dhe të Kulturës të Universitetit të Berklit, Kaliforni), mars 1993.

•The Morphology of Albanian: achievements and problems (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhëve Sllave të Universitetit Chapel Hill, Karolina e Veriut), prill 1993.

•Albanian as an i.e. language (leksion i mbajtur në Departamentin e Gjuhëve Sllave të Universitetit të Aarhus–it, Danimarkë), shtator 1993.

•Fenomene morfonologice in limbile albaneza, romana si germana (leksion i mbajtur në Kurset e Verës të Gjuhës dhe Letërsisë Rumune, Sinaia, Rumani), gusht 1992.

•Koncepte bazë të teorisë së morfemës (kumtesë e mbajtur në sesionin e gjuhës të Katedrës së gjuhës shqipe), 1987.

•Shkaqet e ndërrimeve të eptimit në shqipe (kumtesë e mbajtur në sesionin e gjuhës të Katedrës së gjuhës shqipe), 1986.

•Përruan apo përroin, babanë apo babain?, Gjuha jonë, 1984, 1.

•Vepra "Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë" dhe ndikimi i saj në zhvillimin e gjuhësisë sovjetike (kumtesë në sesionin kushtuar 30–vjetorit të vdekjes së J. V. Stalinit), mars 1983.

Veprimtari të tjera

•Botime në shtypin e përditshëm për çështje të gjuhës.

•Leksione në seminaret për kualifikimin e mësuesve.

•Leksione dhe biseda në radio e televizion për çështje të gjuhës etj.

Organizim tubimesh shkencore e përkujtimore

•Simpozium për sociolinguistikën (UT, 1996)

•Ideues e bashkorganizues i sesionit shkencor «Legjislacioni shqiptar për gjuhët e pakicave» (Gjirokastër, 2001)

•Sesion shkencor për 75-vjetorin e prof. Shaban Demirajt

•Veprimtari përkujtimore për Stefan Priftin (1996) dhe për Fatmir Agalliun (2003)

•Veprimtari kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Noam Çomskit:

– Diskutimi i librit "Sintaksa e gjuhës shqipe" të Th. Dhimës (prill 2007)

–Paraqitje e 4 librave të fushës së gjuhësisë gjenrative dhe të përgjithshme (prill 2008)

–Botimi i një përmbledhjeje me studime gjenerative për shqipen (dhjetor 2008)

–Tubim për pqaraqitjen e përmbledhjes dhe 80-vjetorit të lindjes së N. Çomskit (8 dhjetor 2008)

Përgatiti:Flori Bruqi

Psikopatologji e rripit

EDMOND TUPJA



   Sot, edhe në shtetet me demokraci më të konsoliduar, rastis që deputetët të arrijnë deri në atë pikë sa të shahen, madje edhe të rrihen me njëri-tjetrin. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipërinë tonë, e cila po e belbëzon demokracinë prej më se njëzet vjetësh: deputetët tanë janë sharë e stërsharë, me nënë e me babë, me motër e me grua, janë zënë edhe me grushte (ndoshta, një ditë, nën shembullin e tyre, edhe deputetet tona mund të shahen e stërshahen, me babë e me nënë, me vëlla e me burrë, mund të kapen edhe prej flokësh). Gjithsesi, përderisa sharjet dhe grushtet janë e mbeten rezultat i një impulsiviteti të pakontrolluar, i një temperamenti hipersanguino-kolerik, mendoj se gjërat duhen relativizuar, të tërë ne, shqiptarët, si mesdhetarë që jemi, e kemi tejet të vështirë të përmbahemi, por, sidoqoftë, nuk duhet kaluar njëfarë caku, njëfarë mase.

Ky cak, kjo masë është momenti kur goditja pushon së qeni pasojë e një impulsiviteti të pakontrolluar për t’u shfaqur si një përllogaritje gjakftohtë brenda asaj që mund të quhet pseudogjaknxehtësi. Nëse, para disa ditësh, deputeti X i Partisë Socialiste do ta kishte goditur deputetin Y të Partisë Demokratike (nuk po i përmend emrat e dy protagonistëve jo vetëm sepse dihen tashmë, por sepse mua më intereson kryesisht fenomeni), pra, nëse, para disa ditësh, i pari do ta kishte goditur të dytin papritur me grusht, ky gjest i befasishëm, impulsiv, po e përsëris, gati instinktiv, do të përbënte një gabim të dënueshëm, por jo të pafalshëm (A nuk ndodh që, në gjaknxehtësi e sipër, dy vëllezër të shahen, madje edhe të rrihen, sidomos i madhi të godasë më të voglin?). Mirëpo, goditja me rrip, jo me grusht, me shkelm apo me kokë, më duket e paramenduar, po e përsëris, e paramenduar, sepse, së pari, për ta kryer këtë veprim, duhet zbërthyer xhaketa, së dyti duhet zbërthyer rripi, së treti, duhet liruar tokëza, së katërti, duhet hequr rripi nga mesi, duke e nxjerrë, pra, nga çdo ilik i pantallonave dhe, së pesti, duhet kapur rripi në mënyrë të tillë që tokëza të arrijë të godasë tjetrin, veprime këto që kërkojnë njëfarë kohe, e cila kohë do t’i mundësonte njeriut me edukatë, sado impulsivo-sanguino- kolerik të jetë ai, ta mbledhë deri diku veten dhe të mendojë për atë që ka ndër mend të bëjë, për pasojat e dëmet që mund të sjellë, sidomos kur mbart mbi supe përgjegjësinë e njërit prej “baballarëve të kombit”; ja përse, rrjedhimisht, në rastin konkret, gjesti më duket i paramenduar, i parallogaritur.

Prandaj, sipas mendimit tim, ky akt i dhunshëm, nga gabim kthehet në faj. Unë kam pasur rastin të njihja etër që i rrihnin me rrip fëmijët e tyre, të cilët, kur arritën në moshë madhore, u martuan dhe u bënë me fëmijë, i rrihnin ose i kërcënonin se do t’i rrihnin me rrip fëmijët e tyre. Qysh kur isha gjimnazist kisha dëgjuar të flitej me zë të ulët se Mehmet Shehu, kur mësoi se i biri i madh (ndjesë pastë) kishte bërë një prapësi në shkollë, kishte nxjerrë rripin për ta rrahur. Kam dëgjuar gjithashtu, se dikush tjetër, oficer madhor ky, e kërcënonte të birin se do ta shtronte në dru me rrip po të ngelte në klasë. Kam dëgjuar së fundi se një ambasador i dikurshëm, goxha figurë asokohe, e rrihte qenin me rrip. Përdorimi i rripit si mjet ndëshkimi e bën rripin dhe individin që e përdor atë si të tillë, objekt edhe të mjekësisë.

Për këtë arsye, po guxoj ta këqyr ngjarjen në fjalë me syrin e psikologut, të psikiatrit e të psikoanalistit, ndonëse nuk i përkas kësaj kategorie profesionale: kështu, rripi shfaqet si kushëriri i parë i kamxhikut, sepse kamxhiku, pra, edhe rripi, ende vazhdon të përdoret sot si mjet ndëshkimi, madje edhe torture; shikoni ç’bëjnë talebanët me kamxhik apo me rrip, shikoni ç’bëjnë sadomazohistët, që kënaqësinë e tyre të mbrapshtë seksuale e lidhin me dhimbjen, aq më tepër që rripi të kujton gjarprin, këtë simbol të seksualitetit; me një fjalë, pas rripit, nuk mbetet të përdoret veçse thika dhe, së fundi, arma e zjarrit, si ajo që qëlloi para shumë vitesh deputetin Azem Hajdari në Kuvendin e stuhishëm të Shqipërisë.

Vazhdon, pra, dhe, me shumë gjasë, do të vazhdojë gjatë përdorimi i dhunës midis deputetëve tanë. Kjo dhunë se si më kujtoi një libër të F. Engelsit me titull “Roli i dhunës në histori”; ndoshta, një ditë, mund të vijë një Engels tjetër, gjerman apo shqiptar qoftë, pak rëndësi ka, që të shkruajë një tjetër libër me titull “Roli i dhunës në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”; kjo dhunë më kujtoi gjithashtu një libër të Frojdit me titull “Psikopatologji e jetës së përditshme”; ndoshta, gjithashtu, një ditë, mund të vijë një Frojd tjetër, austriak apo shqiptar qoftë, pak rëndësi ka, që të shkruajë një libër me titull “Psikopatologji e dhunës së përditshme në Kuvendin e Shqipërisë”…


Duke mos qenë as Engels e as Frojd, e shkrova këtë “psikopatologji të rripit” për lexuesin tim të paanshëm dhe aspak të dhunshëm duke shpresuar se ai nuk do të më rrahë me rrip po të mos jetë i të njëjtit mendim me mua. Sido që të vijnë punët dhe të rrjedhin ngjarjet e dhunshme me sharje, grushte, rripa e pistoleta në Kuvendin tonë të stuhishëm, një gjë më duket e vërtetë, pra, e pamohueshme: kush godet dikë me rripin e pantallonave, rrezikon t’i bien pantallonat, pra, të vetëdemaskohet, të vetakuzohet, të vetëdënohet. E njëjta gjë mund e duhet të thuhet edhe për frymëzuesit e tij në partinë që ai përfaqëson, në asamblenë kombëtare e në kryesinë e asaj partie, që e kanë sjellë atë si zëdhënës të një pjese të popullit në Kuvendin e stuhishëm të Shqipërisë.

Aleksandri I Madh mund të ketë vdekur nga vera

Më tepër se 2000 mijë vjet pas vdekjes në moshën 32 vjeçare të perandorit më të madh të të gjitha kohërave, i cili kishte mposhtur persianët e fuqishëm dhe pushtuar gjysmën e botës, shkencëtaret pretendojnë se kanë mundur të zbardhin misterin historik. Toksikologët dhe ekspertët e historisë antike të Universitetit të Otagos, në Zelandën e Re, që kanë kryer studimin në bashkëpunim me Universitetin e Birmingemit, besojnë se shkak i vdekjes së Aleksandrit të Madh është bërë konsumimi i një vere që përmbante përbërje toksike nga një lule e bardhë, e quajtur ‘Veratrum album’, e cila në Babiloni, ku edhe ndërroi jetë Aleksandri në vitin 323 para erës sonë, përdorej nga vendasit në sasi të vogla me besimin se mund të largonte demonët, por që shkaktonte edhe të vjella.




Duke u nisur nga kjo, dhe nga të dhënat lidhur me vdekjen e Aleksandrit të Madh të shkruara nga historiani i lashtë grek Diodorus, i cili thoshte se ai u përfshi nga dhimbjet pasi piu një enë të madhe me verë në nderim të Herkulit, dhe faktit se vetë perandori, që qëndroi i sëmurë për 12 ditë me radhë para se të ndërronte jetë kishte shfaqur të njëjtat simptoma që shkaktonte lëngu i nxjerrë nga lulja toksike, e përjashtojnë hipotezën se ai mund të ishte helmuar nga armiqtë. Dr Leo Schep, toksikolog në qendrën kombëtare të toksikologjisë, në Zelandën e Re pohon se është e pamundur që helmimi nga arseniku, siç pohohet në disa teori lidhur me vdekjen Aleksandrit të Madh ta zgjaste kaq shumë fundin e tij. Studimit është publikuar në revistën “Clinical Toxicology”.

DRITERO AGOLLI, “I PËRNDJEKURI I DASHURISË”




Shkruan: Sejdo Harka


Ballina e parë e librit të ri poetik, nga D.Agolli

Dritero Agolli, ky kollos i letrave shqipeose siç është quajtur ndryshe,”bardi” imuzës poetike shqiptare,kohët e fundit është thirrur edhe me një epitet tjetër të bukur,”i përndjekuri i dashurisë”.Me këtë emër tepër kuptimplotë e ka pagëzuar libri i tij i kohëve të fundit me poezi erotike, me të njëjtin titull, botuar nga njerëzit më të afërt të familjes, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjitha ato, që Driteroi ka bërë për njerëzit e tij më të dashur dhe modernizimin e kulturës e shoqërisë shqiptare. Dashuria dhe thjeshtësia, sinqeriteti dhe bujaria, kultura e gjerë dhe dituria, e kanë ndjekur dhe “përndjekur” tërë jetën poetin tonë të madh, Dritero Agolli. Ato i gjen në shpirtin e tij të pastër dhe në penën e tij të artë, në flokët e tij të bardhë dhe në zemrën e tij të zjarrtë, në ëndrrat e tij të bukura dhe në gojën e tij si mjalti, në mendimin e tij të kthjellët dhe në moralin e tij të lartë, në këngën e tij devolliçe dhe në gotën e rakisë, në brazdat e thella të ballit dhe këngët e dashurisë, në vrullin e rinisë dhe hapat e matura të pleqërisë…

Driteroi, si dhe Rumniu, është dhe do të mbetet shpirti i dashurisë njerëzore. ”Ngricat” shpirtërore, që çuditërisht edhe sot kërkojnë të mpijnë shpirtin e njerëzve të lirë, poeti ynë i madh kombëtar ka zgjedhur” t’i shkrijë”me një tufë të bukur poezish për dashurinë. Erotika e D.Agollit ka të veçantën e vet, mban brenda afshin e zjarrit dhe të ngricave të dashurisë, si asaj fizike dhe, kryesorja, shpirtërore. Në thellësinë e tyre gjallojnë lumturia dhe gëzimi, dhimbja dhe trishtimi, dilema dhe besimi, suksesi dhe dështimi, ëndërra dhe flijimi, shpresa dhe besimi. Poezitë e Driteroit për dashurinë janë shëmbëlltyra më e mirë e poezisë së sotme moderrne shqipe. Si vazhdues i traditës më të mirë kombëtare dhe botërore, ai krijoi një sistem të papërsëritshëm vjershërimi. I frymëzuar nga muza popullore dheNaimi, nga Petrarka dhe Bernsi, nga De Rada dhe Poradeci, ai krijoi një sistem vjershërimi të ngjeshur me mesazhe, që kanë vlera universale dhe emocione të ngrohta, të cilat përflakin shpirtin e lexuesëve të të gjitha moshave dhe shtresave të shoqërisë. Dashurisë ai i këndon jo vetëm si emocion, por edhe si fuqi tokësore, që ndihmon dhe shndërron jetën vetjake dhe shoqërore. Dashuria konceptohet si produkt i harmonisë midis bukurisë shpirtërore dhe asaj trupore. Ajo është, njëkohësisht, dhimbje dhe kënaqësi, shqetësim dhe lumturi, ”robëri” dhe liri.

D.Agolli, siç shprehet dhe vet metaforikisht, në vjershën, ndoshta më të bukur të vëllimit,”I përndjekuri i dashurisë”,ndiqet dhe ”përndiqet” këmbakëmbës nga dashuria. Kudo që shkel, merr e dhuron dashuri dhe ” vret” e fshikullon urrejtjen dhe xhelozinë, dhunën dhe tradhëtinë. Heroi lirik i kësaj poezie, brenda të cilit gjallon edhe vetë poeti, e ndjen veten si ”i burgosur” i dashurisë, që vuan nën “prangat “ e saj. Atë s’e lodh as “dritarja e mbyllur”, as “qelia” e dashurisë, sepse në brendësinë e tyre fshihen lumturia dhe trishtimi, gëzimi dhe shqetësimi. Dashuria konceptohet si një “xhelat” i çuditshëm, që në vend që ta urresh, të bën ta puthësh e ta duash përjetë. Ajo, ashtu siç lind edhe mund të vdesë një ditë, por poeti dëshiron që ajo të jetë e përjetshme. Prandaj shkruan: ”Xhelatin e dua të vijë shpesh në ”qeli””,sepse “Të përndjekurit nga dashuria “i vjen mirë”.(fq.40).

Për Dritero Agollin dashuria është një ndjenjë e trazuar, brenda së cilës gjallojnë kënaqësia dhe shqetësimi, xhelozia dhe mirkuptimi. Ajo i ngjan një lumi të rrëmbyeshëm, që duke zbritur “rrëpirave” të dejeve, përflak zemrën dhe zbukuron shpirtin e njeriut. Kur krimbi i xhelozisë mollën e dashurisë ka përshkuar, zjarri magjiplotë i dashururisë “…drejt njeri-tjetrit i ka ngarë”.Dashuria është magji e dilemë, ”…më e vështira teoremë”(fq.6).Heroit lirik të D.Agollit dashuria nuk ia zëvendëson botën, por as bota nuk ia zëvendëson dot dashurinë. Për të dashuria dhe bota janë një dhe të pandarë, gjë që shprehet në vargjet: ”Pa ty, kjo botë do të lëvizte/ siç lëviz pa ngrohje një vagon”.

Driteroi, ashtu si dhe Naimi,të bukurën e identifikon me gruan. Konceptimi i tij për këtë nocion të estetikës përputhet edhe me atë të Platonit, i cili theksonte se bukuria është shkëlqim i së vërtetës. Për Agollin dashuria dhe e bukura janë në lidhje të përjetshme me njera-tjetrën. Ndërsa gruan e quan simbol të dashurisë dhe të ndjeshmërisë. Ndaj asaj i këndon: “E bukura, tokësorja, e thjeshta grua”(fq.11).Ajo, me sjelljen e saj, e bën burrin të vuajë shpirtërisht. Magjia e saj bën që ”…gjaku muret e aortës vrullshëm të godasë”(fq.11).Për poetin, gruaja ka vlera të pazëvendësueshme për familjen dhe shoqërinë. Prandaj, në shenjë dashurie dhe mirënjohjeje, shkruan: ”Të falënderoj që në sajen tënde marr frymë,/ të falënderoj që lulja s’mu tha nga një brymë”.Është kjo arsyeja që e nxitë heroin lirik “…t’i bëjë prangat thërrime”, kur “Mes mjergullës dhe ëndrrave tëfrikshme”,e dallon zërin e gruas së tij, që e thërret për ndihmë. Gruaja ka dalë nga “brinja e burrit”.Por, kur ajo doli në dritë, ”brinjët një nga një ia krisi burrit”. Prandaj për të shkruan: ”Sa dukesh ti në derë ,pranvera më hyn në shpirt,/ ndërsa shpirti më zhytet në pranverë”.Për poetin dashuria është një magji, që shpesh nuk i bindet arsyes: ”…kur e ndjek pas, ajo ikën,ndërsa kur i largohesh, ajo të ndjek pas hap pas hapi. Këtë magji të brendshme poeti e shpreh nëpërmjet vargjeve: ”Kurikja larg, drejt teje vija;/ kur vija afër, ti ikje larg”.Dashuria, herë largohet si erë e ftohtë dhe herë rikthehet si afsh i nxehtë. Heroi lirik trembet nga largësia e acartë, ashtu siç trembet nga afria, që i bëhet çark.

Një tjetër poezi e bukur e këtij vëllimi është ajo me titullin ”Dashuria dhejatagani”.Në themel të brendisë së saj qëndron ndeshja ndërmjet urrejtjes dhe dashurisë, paqes dhe luftës, lirisë dhe skllavërisë. Përmes personifikimit metaforik, dashuria i lutet Zotit ta shpëtojë ”Nga i ligu jatagan,/ ta shpinte larg kësaj bote këtërrufjan”(fq.50),sepse ky lugat, në vend të dashurisë mbjell urrejtjen, ndërsa në vend të paqes luftën.

Në lirikat erotike të Driteroit ndërthuren bukur dukuritë natyrore me ato njerëzore. Mallin e dashurisë ai e derdh në vargje të tillë metaforikë, si ”Hëna brirët lan nëlumë,/ ylli ujin spërkat”.Ndërsa i dashuruari nga malli ”sillet nëpër shelgje fillikat”.D.Agolli, jo vetëm si poet, por edhe si qytetar, e ndjen dhimbjen, që shkaktojnë divorcet e shumta, që po tronditin familjen e sotme shqiptare. Shkak për këtë dukuri negative të kohës janë bërë varfëria dhe pasiguria, grindjet dhe xhelozia, zbehja e dashurisë dhe tradhëtia, lidhjet e përcipta dhe paqëndrushmëria. Në natën e ndarjes, heroi lirik e quan veten”kalorës i mundur”, që rend në qiellin e turbullt, ku leckat e reve ”…e lidhin hënën si plagë”.Ndërsa Petrarka vuan dhimbjen e heshtjes së Laurës, Agolli ndjen trishtimin e ndarjes. Për të gruaja është e bukur si Perëndia e Greqisë së lashtë. Ai, siç beson te lëkundja dhe vdekja e dashurisë, beson edhe te ringjallja e saj, gjë që e shpreh nëpërmjet vargjeve metaforikë: ”…dhe bari derdh gjithë gjelbërimin/ dhe zogjtë derdhin këngë eligjërim”.

Në këtë libër autori fshikullon ashpër edhe dukuritë negative të jetës bashkëshortore të ditëve të sotme, siç janë xhelozia e tepëruar dhe tradhëtia bashkëshortore. Sytë janë bërë jo vetëm simbol i dashurisë, por dhe i tradhëtisë. Tradhëtitë bashkëshortore poeti i quan ”gënjeshtra të bukura, që heshtin”,të cilat i sheh në ”zjarrin e syve të djallëzuar”.Në poezinë “Baladë malesh”,poeti fshikullon zakonin e vjetër të fejesave dhe martesave pa njohje të ndërsjelltë dhe me diferenca të mëdha moshe. Heroi lirik i kësaj poezie proteston ndaj këtij zakoni të keq, që dhunon dashurinë e lirë, si një e drejtë legjitime për çdo njeri. Ai s’e duron dot jetën e njomur me lotë dhe “…të lidhur këmbë e duar mezinxhirë”(fq.89).Në poezinë “Monologu i cinikut”, D.Agolli vë në lojë dhe demaskon ata, që me cinizmin dhe egoizmin e tyre, dhunojnë e shkelin mbi ndjenjën më njerëzore, siç është dashuria e vërtetë. Egoizmi dhe pabesia, cinizmi dhe paqëndrueshmëria, e zhveshin dashurinë nga virtyti dhe magjia, nga morali dhe vendosmëria për ta ushqyer atë cdo ditë. Driteroi, si dhe Naimi, s’e ndan dashurinë nga virtyti dhe morali. Për poetin tonë të sotëm: “Ka njerëz, që e ruajnë dashurinë, gjersa bëhen pleq”,siç ka edhe të tjerë, që fatkeqësisht ”…tëdashuruar qëndrojnë vetëm një muaj”.
Konceptimi I Driteroit për të bukurën, gruan dhe dashurinë, shpesh përputhet edhe me atë të lirikut të madh simbolist francez, Sharl Bodler, i cili në poezinë ”Himni i dashurisë”, i drejtohet asaj me vargjet: ”O bukuri…/ti mban në dritë të syrit zjarr dhe dëborë /… Ti mbjell paqe dhe mjerim, si asnjë e dytë”.

Së fundi, mund të themi, se Dritero Agolli është dhe do të mbetet jo vetëm një prozator i papërsëritshëm , por dhe një poet lirik brilant. Nëpërmjet poezive të tij, shumica e të cilave ka marrë ngjyrat e një hiti të bukur poetik, ai përçon te lexuesit mesazhe të ngrohta për jetën dhe dashurinë, për ëndërrat dhe lirinë, të cilat e bëjnë njeriun me krahë e të lumtur.

Ç’ndodhi gjatë mbledhjes së Lidhjes së Shkrimtarëve, akuzat për dekadentizëm në romanin “Dasma”

Ismail Kadare

“Një enigmë me disa të panjohura”, libri mbi diskutimin në 1968

Ç’ndodhi gjatë mbledhjes së Lidhjes së Shkrimtarëve, akuzat për dekadentizëm në romanin “Dasma”

Sipas shkrimtarit, diskutimi i Xhaferrit, përpjekje për të rregulluar biografinë.

“Përplasja me Arshi Pipën dhe pendesa për fjalët fyese”


Në vitin 1968 nuk ishte gjë e rrallë që të flitej për dekadentizëm në letërsi, për shkelje të normave të realizmit socialist. Kishte pasur jo pak shkrimtarë që kishin dalë në “fletërrufetë” e kolegëve të tyre të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por kur bëhej fjalë për Ismail Kadarenë, asnjë diskutim nuk mund të kalonte pa u vënë re e pa bërë bujë. I tillë ishte edhe diskutimi i Bilal Xhaferrit për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Se ç’ishte ky diskutim dhe arsyet që shtynë Xhaferrin drejt tij, gazetarja Aida Tuci na i shpjegon në librin “Një enigmë me disa të panjohura – Rreth dosjes së Bilal Xhaferrit”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”. Një libër, i cili pritet të dalë në qarkullim, me dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore, si edhe një bisedë me shkrimtarin Ismail Kadare, të cilat zbardhin këtë ngjarje, të ndodhur 46 vite të shkuara. Nga intervista e shkrimtarit, kemi përzgjedhur vetëm një pjesë të saj, ku ai risjell variantin e tij të ngjarjes dhe qëndrimin e tij ndaj saj dhe Bilal Xhaferrit gjithashtu. Ndër të tjera shkrimtari sqaron edhe incidentin me Arshi Pipën, që sipas tij as sot nuk arrin ta kuptojë se përse ndodhi.

Është një shkrimtar shqiptar, ndaj të cilit, sa herë që kthehet vëmendja, paralelizmi i kujtesës shkon te ju, zoti Kadare. E kam fjalën për Bilal Xhaferrin. Ka një kohë të gjatë që merrem me këtë çështje, le ta quajmë “Dosja Bilal Xhaferri”, dhe nuk arrij të kuptoj se si, pas botimit të kaq dokumenteve, çështja nuk po sqarohet. Sipas jush, a është vërtet kaq i vështirë sqarimi i saj, apo ka diçka tjetër që pengon?

S’ka asgjë të paqartë në këtë çështje, që ju e quajtët “Dosja Xhaferri”. Në qoftë se ka shumëçka të paqartë, madje të errët, atë duhet ta kërkoni në ndërgjegjen e njerëzve që janë marrë me të. Dihet se kur ndërgjegjet njerëzore janë të papastra, i tillë do të jetë edhe prodhimi që del prej tyre. Ju keni bërë një anketë të hollësishme për këtë histori dhe besoj se jeni bindur se në bazën e saj ka një gjë të keqe, një llum të pafund.

Ju vjen keq që emri juaj është përzier në këtë histori, ju ka shqetësuar, vazhdon t’ju shqetësojë ose t’ju nervozojë?

S’do të isha i sinqertë po të thosha që s’më vjen keq, por dua të theksoj se, më shumë se keqardhje, kam ndier neveri. Në fillim kam kujtuar se është fryt i një keqkuptimi, nga ato që koha i sqaron vetvetiu. Më pas, kur kam parë se jo vetëm s’ka sqarim, por e keqja sa vete merr krahë, keqardhja ime për keqkuptimin, për vetë personazhin që e shkaktoi, u zbeh, për t’ia lënë vendin një përçmimi të thellë.

Përpara shumë vitesh, pikërisht për këtë çështje, ju keni bërë një qartësim në shtypin shqiptar. Në intervistën tuaj, gjithë atë ngjarje ju e keni quajtur “Historia e një blofi “. Madje edhe intervista kështu është titulluar. I përmbaheni ende sot një mendimi të tillë?

I përmbahem plotësisht. Jo vetëm kaq, por sot që ne po bisedojmë, pra shumë vite më pas, kam bindjen se ajo që e kam quajtur “blof” ka qenë më e keqe se një blof, më e rëndë dhe, pa dyshim, më e pistë. Mund të thuhet se ajo është pjesë e një tabloje tepër të errët të Shqipërisë së sotme: ndotjes morale të saj. Shqipëria është sot vendi i vetëm në Europë që nuk pranon të shqyrtojë pjesën e errët të ndërgjegjes së vet. Pa këtë shqyrtim s’mund të ketë zbulim të së vërtetës për asgjë. Dhe të vërtetat e mbuluara, sa kohë që do të jenë të varrosura në qilarët e fshehtë, aq kohë do të helmojnë gjithçka. E di që pas këtyre fjalëve acarimi i njohur kundër meje do të përtërihet. Është e kuptueshme. Armata e spiunëve ka gjetur qetësi. Ata jo vetëm nuk kërkohen e nuk zbulohen më, por janë kthyer në një mall tepër të çmuar. Gjejnë punë të mira, fitojnë dekorata, tituj, dhe kryesorja, të strehuar shpesh në internet, me nofka, si dikur, kanë ndjesinë e kthimit të kohës së tyre. Ish-Sigurimi i Shtetit, monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar, i rrëzuar, siç është, ndien me siguri ngazëllim sa herë që njerëzit e tij ia dalin të ngjiten në sipërfaqe. Të vihen në qendër të vëmendjes, të bëhen të suksesshëm, të kafshojnë si dikur.

Bilal Xhaferri

Në sqarimin tuaj ju keni folur për thelbin e asaj që ndodhi në një mbledhje të shkrimtarëve në prill të vitit 1968. Sot, pas kaq kohësh, a do të shtonit ndonjë gjë? Diçka që do të hidhte dritë, për shembull, mbi ngjarjen. Që mund të shpjegonte sjelljen e njërit apo tjetrit.

Thelbi mbetet ai që kam thënë atëherë. Në qoftë se pas anketës që ju keni bërë dhe diçka është sqaruar më fort, ky sqarim s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka rënduar edhe më tepër anën e shëmtuar të ngjarjes. Meqenëse jemi te thelbi, do të përpiqem ta jap sa më shkurt: Në vitin 1968, në Shqipërinë e egër komuniste, një shkrimtar me emrin B. Xhaferri kritikon një tjetër shkrimtar, I. K. Janë pothuajse moshatarë, rreth 30 vjeç, me ndryshimin se I. K. është tepër i njohur, kurse B. Xhaferri pak, për shkak të botimeve më të pakta, e sidomos të biografi së tij. Salla e Klubit të Shkrimtarëve, ku bëhet mbledhja, dëgjon e heshtur kritikën e Xhaferrit kundër I.K. Një shef i lartë komunist, që ndodhet në sallë, ia pret fjalën, për t’i kujtuar se ai është bir i një armiku të rendit. Pas kësaj, Xhaferri kalon ditë të vështira, gjersa një ditë ia del të arratiset dhe përfundon në SHBA, ku jeton 18 vjet. Menjëherë pas rënies së komunizmit, befas, fillon legjenda e tij. E gjitha ngrihet mbi ngjarjen në Klubin e Shkrimtarëve më 1968, më saktë, mbi kritikën kundër I. K. Ajo kritikë lavdërohet, glorifikohet, siç e thoni ju në anketën tuaj, sikur të kishte qenë një çudi, një shpallje heroike për lirinë e të shkruarit etj. Në të vërtetë, siç e mbajnë mend pjesëmarrësit në sallë, dhe siç sqarohet dalëngadalë ajo kritikë, jo vetëm s’ka pasur asgjë për t’u çmuar, por, nga çdo anë që të merrej, ishte e pabesë dhe e shëmtuar moralisht. Ishte thjesht një akuzë kundër I.K.; nga ato që e çonin tjetrin në fatkeqësi, e ndoshta në burg. Për t’i rënë shkurt, shkrimtari I. K. akuzohej prej Xhaferrit se po sillte frymën e dekadentizmit në letërsinë e pastër shqipe!

Arshi Pipa

Mendoj se lexuesit do të ishin tepër të interesuar të dinin diçka më shumë për mosmarrëveshjet tuaja me Arshi Pipën. Me sa di unë, ato e kanë pasur origjinën e tyre te një parathënie e tij për ju…

Është e saktë. Bëhet fjalë për botimin e romanit tim “Kronikë në gur” në Londër, në kohën e komunizmit. Arshi Pipa jo vetëm e përktheu romanin, por shkroi një parathënie tepër tronditëse për lexuesin anglez. Së pari dua të them se ndërlikimi midis meje dhe Arshi Pipës, pavarësisht surprizave jo të këndshme, është një ngjarje e nivelit të lartë, që gjithashtu s’ka asgjë të përbashkët me ngatërresën e pistë, do të thosha, gjysmëqesharake me Xhaferrin. Kjo e fundit, jo vetëm për nivelin e ulët dhe për kotninë e saj, por për shkak të gjithë atyre që janë marrë e vazhdojnë të merren me të, mund të quhet një “histori çapaçulësh”. Tjetër rang ka keqkuptimi me Arshi Pipën. Ai është vërtet i hidhur, por kjo s’e pengon të jetë dramatik, në kuptimin e plotë të fjalës, me domethënie të gjerë dhe, pse jo, me një epilog të bukur, siç do ta shpjegoj. Gjatë shumë viteve, Arshi Pipa, në shkrimet e tij, ka bërë vlerësimet më të larta për shkrimtarin shqiptar, bashkëkombës të vet. Kemi pasur fate të ndryshme në jetë dhe në letërsi, por kjo nuk ka penguar që të krijohej, siç krijohet në raste të tilla, një fije lidhëse midis fateve që ngjajnë të kundërt. Ndaj tij do të përsëritja edhe një herë atë që kam shkruar për Martin Camajn: “Ai kishte lirinë, por s’kishte atdhe. Unë kisha atdhe, por s’kisha liri”. Arshi Pipën jo vetëm s’e ka bezdisur kurrë njohja e kolegut I. K. nëpër botë, por ka bërë çmos që ai të kuptohet, të çmohet e të shpërndahet sa më shumë kudo. Për këtë, ai shkroi vlerësimet më të mëdha në shtypin botëror, sidomos atë anglo-sakson. E cilësoi kolegun e vet shqiptar “shkrimtar heretik”, që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e vlerësimit, madje më e lartë se ajo e shkrimtarit “disident”, ngaqë, gjithmonë sipas tij, ndërsa disidenti e lufton me ndërgjegje totalitarizmin, heretiku e lufton atë në mënyrë gati gjenetike, pra edhe atëherë kur kujton se nuk po ndeshet me të. Që kolegu i vet të kishte sa më shumë sukses në botën e lirë perëndimore, Arshi Pipa shpesh e ka zmadhuar guximin letrar të I. K. Kjo ka ndodhur me parathënien e romanit “Kronikë në gur” në anglisht, parathënie që duket sikur ishte në zanafillë të incidentit fatkeq. Atje, autori i “Kronikës” del një denoncues i pamëshirshëm i terrorit komunist dhe sidomos i shefi të komunistëve shqiptarë, E. Hoxhës, gjë që nuk i përgjigjej së vërtetës. (Tani do të më pëlqente të ishte ashtu, por dihej se, edhe po të doja, kjo ishte e pamundur.) Botuesi anglez e refuzoi parathënien, për të mos e rrezikuar autorin që jetonte ende nën diktaturë. Kontrata u prish. “Kronikë në gur” u botua pa emrin e përkthyesit. Një pjesë nga këto i dija. Një pjesë e merrja vesh nga botuesi im francez, i cili, merrej me mend, kishte lidhje me anglezin. Ishin lajme të këndshme dhe po aq të rrezikshme, por unë vetë s’mund të bëja asgjë, veç t’i lutesha fatit që të mos shkonin në vesh të diktatorit.

Si mund të shpresohej një gjë e tillë? Keni thënë vetë se ai merrte vesh çdo gjë, sidomos për ju…

Sado paradoksale që mund të duket, kishte gjëra që ai s’i merrte dot vesh, pikërisht ngaqë ishin tepër delikate dhe që lidheshin me të. Për shembull, pëshpërima për prirjet e tij seksuale. Dënoheshin me vdekje ata që e përhapnin, por filluan të zhduken edhe ata që e dëgjonin, duke përfshirë edhe vetë hetuesit, madje dhe shefat e tyre. Ishte një pëshpërimë që vriste në të dy  krahët, në mënyrë të verbër. Për këtë shkak shmangej nga të gjithë. Ishte krijuar kështu një mekanizëm mbrojtës i papritur. Për fatin tim të keq, pëshpërima fatale ishte lidhur rastësisht me romanin tim “Kronikë në gur”. Në të vërtetë nuk kishte asgjë të tillë në këtë roman, dhe unë vetë s’jam marrë kurrë me të. Mirëpo, për shkaqe që ende s’i di, për të më bërë ndoshta më tërheqës në sytë e lexuesit perëndimor, pandehma kishte filtruar aty-këtu. Gjatë udhëtimeve në Perëndim, ishte ajo që më së shumti i druhesha. Më duhet të them se gazetarët perëndimorë më kanë respektuar gjithmonë. Nuk mbaj mend asnjëherë provokime të tipit të ulët, nga ato që quhen “goditje nën brez”. Megjithatë duhet kuptuar se, sipas standardeve tona lindore, nuk mund të kishte gazetar perëndimor “të parrezikshëm”. Ishte vetë stili i tyre i tillë, kanonet e tyre. 

Për t’u kthyer te konflikti me Arshi Pipën. Siç e kuptova unë, gjer në vitin 1990, kur komunizmi po lëkundej në Shqipëri, ju s’kishit asnjë problem me të…

Është krejt e vërtetë. Jo vetëm nuk kisha asnjë problem me të, por në kohën kur lindën shpresat për t’u takuar me shkrimtarët e shquar shqiptarë të diasporës, njeriu i parë që ëndërroja të takoja ishte pikërisht Arshi Pipa. Aq më tepër që ishin miq me Martin Camajn, të cilin e kisha takuar në Frankfurt më 1981. Pavarësisht nga mosmarrëveshja e Arshi Pipës me botuesin anglez, përkthimi anglisht i “Kronikës” ishte i tij, dhe parathënia dhe shkrimet e tjera të tij mbeteshin si një akt nderimi e dashurie për kolegun e vet brenda Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë, fillim i viteve ’90, ndodhi një nga befasimet më të mëdha të jetës sime. Në dy-tri emisione të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, Arshi Pipa foli ndër të tjera edhe për shkrimtarin I. K., duke theksuar se ai s’ka asnjë të drejtë morale të flasë për demokratizimin e vendit, përderisa ka qenë një nga mbështetësit e diktaturës. Shprehja “nuk u besoja veshëve” s’besoj se kishte qenë ndonjëherë më e përshtatshme për të dhënë gjendjen time. Unë të mos kisha të drejtë të flisja për demokracinë?! Unë që njëzet vite më parë, sipas tij, s’kisha lënë gjë pa thënë kundër terrorit komunist, që, prapë sipas tij, paskësha bërë aludime për shefin e Shqipërisë, si vrasës e homoseksual?! Që vetë botuesit anglez në Londër i qenë dukur akuza të tepruara, që vetë botuesi francez në Paris kishte vënë duart në kokë, duke më pyetur se si qe e mundur që këto hatara të qenë shkruar në shqip, se në frëngjisht ai s’i kishte parë, dhe që unë i kisha thënë se s’kishin qenë kurrë as në shqip, as në frëngjisht dhe në asnjë gjuhë tjetër. Pas shfryrjeve të para kundër Pipës, zemërimi sa vinte më rritej dhe, bashkë me të, një mendim i mbrapshtë, dyshues po më ngulitej në kokë: E gjitha kjo ishte bërë me qëllim! Ndryshe s’ka si të shpjegohej. Me qëllim ishte shkruar parathënia anglisht, për të më dëmtuar, për të shkaktuar dënimin tim. E shava veten, e quajta naiv, budalla, që s’e kisha kuptuar qysh në fillim. Dëshira për t’iu përgjigjur s’më ndahej. Në duar kisha bocat (fletë-korrigjimet) e “Ftesë në studio” dhe gjeta një vend në tekst, ku mund t’i thyeja hundët, siç thuhej. Mirëpo kjo ishte një fjalë goje! Ishte ende regjimi komunist. Kurrsesi s’mund të shkruaje se X.Y. më denoncoi te regjimi, që ky të më dënonte. Në vend të kësaj, shkrova ca të shara, shumica të padenja për tekstet letrare, për të mos thënë, të çmendura. Midis tyre, fraza e vetme me njëfarë logjike ishte ajo ku thuhej se parathënia e A.P. kundër meje “ishte një kallëzim në polici”.

A jeni penduar për këtë tekst? Nga fjalët tuaja kështu nënkuptohet…

Sigurisht që jam penduar. Kisha të drejtë të zemërohesha, madje ende sot mendoj se kisha të drejtë plotësisht, por kurrsesi nuk duhej ta teproja. Sidomos nuk duhej të bija te dyshimi i mbrapshtë se gjithçka ishte bërë me qëllim. Por kjo duhet kuptuar: në atë kohë ishte shumë e lehtë të të kapte dyshimi, madje vetë marrëzia. Shenjën e parë të pendimit e kuptova kur po kaloja në duar përkthimin frëngjisht të “Ftesë në studio”. Te paragrafi i A. Pipës më mbetën sytë një copë herë. Unë i paskësha shkruar këta rreshta? I fshiva gjysmat e tyre pa më të voglën mëdyshje, megjithatë edhe gjysma e mbetur do të mjaftonte t’ia prishte gjakun personazhit. Ju disa herë keni dhënë të kuptohet se s’keni dashur të flisni për incidentin e dikurshëm, ngaqë iu duket në një “nivel të mjerueshëm”. Është fjala për të sqaruar një problem parimor, që ka lidhje me letërsinë shqipe prandaj do t’ju lutesha për disa sqarime. Kam takuar shumicën e dëshmitarëve të ngjarjes, një pjesë miq të B. Xhaferrit, madje farefisni të tij. Të tjerë që kanë folur me të përpara mbledhjes, por sidomos pas saj. Pothuajse asnjeri nuk ju bën ju fajtor për asgjë. Madje, shumica theksojnë që ju ishit një prej atyre që e keni ndihmuar. Madje edhe në mbledhje nuk thatë asnjë fjalë kundër tij, përkundrazi. Ju kujtoni se unë ndiej ndonjë kënaqësi të dëgjoj pohime të tilla? Po jua them prerazi: më interesojnë fare pak. E para se s’kam nevojë për këtë lloj zemërgjerësie. E dyta se s’kam ndonjë dëshirë të dukem aq i virtytshëm si në telenovelat braziliane, e as sentimental si në kafenetë e Tiranës, ku gjysmë-pijanecët, pasi janë grindur me njëri-tjetrin, përfundojnë gjysmë të përqafuar. Në atë sallë ka ndodhur diçka shumë më e rëndë nga ajo që është dukur ose është rrëfyer. Në qoftë se zonjat dhe zotërinjtë dëshmues ju kanë thënë ose kujtojnë se ju kanë thënë të vërtetën, atë e kanë bërë në radhë të parë për ndërgjegjen e tyre. Megjithatë unë mendoj se e vërteta që ata kanë treguar nuk është e plotë. Më mirë se unë këtë mund ta dini ju. Më keni bërë kaq shumë pyetje, më lejoni dhe mua t’ju bëj një pyetje të vetme: pasi u kanë pohuar indulgjencën ndaj meje, cili ka qenë përfundimi i bisedës së këtyre dëshmuesve? Është shumë e rëndësishme një gjë e tillë, ndaj, ju lutem, mundohuni të ma thoni sa më saktë.

Do t’jua them fare saktë. Pavarësisht nga ato që kishin ndodhur, admirimi i tyre për B. Xhaferrin mbetej i paprekur. Për mendimin e tyre, ai ishte një talent i madh, i jashtëzakonshëm etj., por që iu pre rruga e u dënua ngaqë guxoi të kritikonte I. Kadarenë.

Ju falemnderit. Siç mund ta shihni, ata nuk kanë kapur dot as pamjen e plotë e as thelbin e asaj që ka ndodhur. Nuk është fjala aspak tek admirimi që ata ruajnë për shkrimtarin. Kjo është e njohur dhe kjo është e drejta e tyre. Është fjala për tjetër gjë. Në sallën e Klubit të Shkrimtarëve në prill të vitit 1968 ka ndodhur një akt i rëndë, nga ata që kërkojnë gjykim të saktë. Është lehtë të thuash: u përleshën dy kolosë (reminishenca e dy luanëve, apo dy fustaneve etj.) e të vazhdosh se asnjëri s’e mposhti dot tjetrin, e të ngazëllehesh nga kjo, e fill pas saj t’i bësh lavde harmonisë që duhet të mbretërojë midis gjenive, për të mirën e kombit autokton etj., etj. Në atë sallë nuk ndodhi asgjë e tillë. As përplasje idesh, e aq më pak kolosësh. E vërteta ka qenë fare ndryshe dhe e vërteta në kësi rastesh nuk duron dot as më të voglin cen. E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet, Xhaferri ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA, ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar. Nuk dua të merrem me to, aq më pak me pikëpyetjet që shtrohen aty-këtu në anketën tuaj, si e ndiqte, për shembull, Sigurimi, mu në mes të SHBA-së etj., etj., ngaqë të tilla, ashtu si gjithë kjo histori, më ngjan, siç e thashë, krejtësisht e padenjë për kalendarin letrar.

Ju vetë keni folur shpesh për absurditetet dhe marrëzitë e kohës, prandaj do t’ju lutesha, në këtë rast, që, për ndriçimin e disa pikave të kësaj ankete, të jepni dëshminë tuaj. Do të shtoja në emër të lexuesit të brezit tim, që është njohur me këtë histori, por në mënyrë të pasaktë. Ju keni qenë në “atë sallë”, siç e quajtët, ku nisi gjithçka…

Është e vërtetë. Kam parë gjithçka dhe kam dëgjuar gjithçka. E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së keqes së një tiranie. Siç e thashë më lart, ju patët kujdesin që disa herë të theksoni “dashamirësinë” e dëshmuesve ndaj meje. Madje ndonjë prej tyre, duke dashur të më bëjë akoma më të mirë, shtoi se unë gati-gati kam qenë mirëkuptues ndaj tij etj. Për t’ju çliruar të gjithëve nga ky kujdes, po ju them se kjo s’ishte fare e vërtetë. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete ç’mosmirënjohtës! Mund të gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografinë etj. Pastaj s’kam folur asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Me kalimin e viteve, kjo histori u harrua. Në rrethe fare të ngushta mbahej mend ky shkrimtar, dikur i talentuar, por që s’i eci në asgjë. Shfaqej aty-këtu habia se, duke ikur nga robëria më e thellë në më të lirin vend të botës, nuk u ndie e nuk u botua asgjë e tij askund. Perëndimi e sidomos SHBA, që ishin tepër të ndjeshëm për shkrimtarët e arratisur, në këtë rast u treguan krejtësisht të shurdhër. Diaspora shqiptare gjithashtu, sidomos pas një paralajmërimi të keq kundër tij nga kryetari i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Një interes për të nisi të ringjallet pas vdekjes së tij të vetmuar. Kishte rënë komunizmi dhe kureshtja ishte në krye në trajtë keqardhjeje, forma më e shpeshtë te shqiptarët që kujtohen për tjetrin kur e shohin në fatkeqësi. Interesi përkoi me fillimin e fushatës kundër intelektualëve më 1990. Qarkullonin disa shkrime të tij për Çamërinë, por sidomos një vjershë kundër shkrimtarit I. Kadare dhe një shënim i tij për incidentin e harruar tashmë te Klubi i Shkrimtarëve.

Sipas jush, a ishin këto zbulime që luajtën rol për ta ngritur atë në statusin e një disidenti? Juve vetë, çfarë përshtypjeje ju bënë ato?

Ndonëse një gjë e tillë nuk thuhet, mendoj se “zbulimet”, në radhë të parë vjersha dhe shënimi nën të, kinse të shkruara natën “pas përplasjes”, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e përrallës me kolosë. Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K. ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Besoj se e kuptoni që pas kësaj, përçmimi im për të do të ishte shumë më i madh. Por që të jem i sinqertë, nuk e kam besuar dhe ende dua të mos e besoj se ka shkuar aq larg. Një bindje e brendshme më thoshte se vjershën bashkë me shënimin i ka shkruar një tjetër dorë. Kjo është e vërtetueshme, besoj, dhe po të vërtetohet do të tregojë shumë gjëra. Ajo lidhet me thelbin e problemit: rigjallërimi i çështjes Xhaferri, shkaqet e vërteta, kush qëndron pas saj, kush ka qenë në zanafillë dhe kush e ka trashëguar atë. Dosja “Xhaferri” ka qenë pjesë e puzzle-s, asaj që dëshmon vazhdimin e frymës staliniste në Shqipëri. Në qoftë se ju do ta çoni deri në fund anketën tuaj, jam i sigurt se do të ndesheni me befasime të tjera.


AIDA TUCI

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...