2015-04-16

VEXHI BUHARAJA – ORIENTALIST DHE PERKTHYES I SHQUAR I PENGUAR DHE I FYER

ARSHIN XHEZO
                         


Në vitin 1986, kur punoja në gazetë, më erdhi një letër jo e zakonshme. E dërgonte Vexhi Buharaja. Ishte një zarf i madh, që ndryshonte dukshëm nga të tjerët, ata me format të vogël, të zakonshmit, që ti i dalloje menjëherë se brenda do të kishte ndonjë ankesë qytetari për shtëpi apo punë - rutinë për çdo redaksi gazete. Duke  mbajtur në dorë atë zarf, provova një ndjesi të veçantë. Vexhi Buharaja ishte tepër i njohur për mua: i qytetit, i lagjes, i rrugicës. Madje, familjet tona, nga më të vjetrat e qytetit, kishin hyrje-dalje me njëra-tjetrën, kurse ai vetë, - mik me tim atë. Por unë, i larguar herët nga qyteti, menjëherë pas gjimnazit, e kisha takuar shumë rrallë, ndryshe nga shokët e mi të fëmijërisë që banonin atje.
Më shpesh takohesha me të në kujtimet e mia. Fëmijë - nëntë apo dhjetëvjeçar - im atë më dërgonte tek shtëpia e tij për të marrë apo çuar libra. Thoshin se biblioteka e tij ishte më e madhe edhe se ajo e qytetit. Librat që merrja ishin kryesisht në gjuhët persisht, arabisht e osmanisht, dhe mua më dukej e njëjta gjuhë dhe të njëjtët libra, si Kur’an-i. Dhe kjo ishte arsyeja që ndaj tyre  isha krejt indiferent, për të mos thënë që as ua hidhja sytë. Ishte ai mentalitet megaloman dhe snob, që, për fat të keq ekziston edhe sot, i cili, kulturën, letërsinë dhe qytetërimin modern i sheh si monopol të Perëndimit. Më së paku, harrohet se ata që bënë Shqipërinë, rilindësit e mëdhenj, Naimi, Samiu apo themeluesi i Pavarësisë, Ismail Qemali, ishin me një kulturë të kompletuar nga të dy anët e globit. Ndërkaq, Fan Noli, orientalisti i madh, i ka dhënë kulturës dhe letërsisë shqipe kryevepra të Orientit përmes shqipërimeve prej mjeshtri.Po të kisha mend në atë kohë, me dy mësues jo dosido - njeri në shtëpi, tjetri, pesë-gjashtë porta poshtë rrugicës sonë - të paktën njërën nga këto gjuhë, sot do ta kisha në xhep.
Një ditë më dha librin Gjylistani dhe bostani të Saadiut, një shqipërim i tij. Sapo ishte botuar - ma dha për tim atë - dhe sot atë libër e ruaj si një gjë të shtrenjtë.
Kishte dhe një arsye tjetër që më befasoi ai zarf. Vexhi Buharaja dhe familja e tij ishin të deklasuar: ky ishte termi klasik për armikun.
Eshtë e vërtetë se në vitin 1986 e më vonë, domethënë pas vdekjes së Enver Hoxhës, u ndje një lloj “zbutjeje” e regjimit. Por, “në bazë”, “poshtë”, ata që ishin në krye, ose e ndienin pak këtë “zbutje”, ose nuk e donin. Kurse Vexhi Buharaja vetë, i regjur me “ulje-ngritjet” e politikës, i kishte të gjitha arsyet të ishte dyshimtar i përjetshëm, ose, të mos u besonte fare.
Ajo që nxora nga zarfi ishte një tjetër befasi. Nuk ishte as letër, as ndonjë artikull, por një studim i tërë, plot 25 faqe: Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e lagjes “Muratçelepi” (sot “Çlirimi”), të Beratit. Në fund: Vexhi Buharaja, Berat, muaji korrik, 1979.
Historia e lagjes sime! Një të tretën e faqeve e zinin referencat dhe shpjegimet. Sigurisht, shkruante shkencëtari.
Edhe letra nuk ishte e zakonshme. Gati me përmasat e A-4-ës së sotme, por një letër më tepër se e verdhë, dhe dukej si e lënë në diell vite të tëra.
Kjo, për kushtet dhe mundësitë e tij, nuk duhej të të habiste. Gati dy vite më vonë, një miku im dhe i tij në Berat, më tregoi dorëshkrimin e përkthimit të Shah-Name-së të mjeshtrit, shkruar me laps kopjativ, dhe në një letër të trashë - faqe blloqesh me katrorë - nga ata, që në vitet 1950 përdoreshin në magazinat e ndërmarrjeve të ndërtimit, për shembull, për inventare apo bordero - listat e pagave të punëtorëve.
Dorëshkrimi i Vështrimit panoramik ishte i shtypur në makinë shkrimi - me siguri, me ndihmën e ndonjë shoku a miku.
Pse ma dërgoi?! Të botohet?
Në letrën shoqëruese, që për fat të keq nuk e kam ruajtur, kujtoj se kishte fjalë të mira për tim atë - që atëherë nuk jetonte më - por dhe ndonjë fjalë të mirë për mua, djalin e mikut tim, Mehmet Xhezo, që sigurisht më gëzoi shumë - bashkë me urimet. Thoshte gjithashtu se, megjithëse, sipas tij, unë e njihja historinë e lagjes, sepse e kisha lagjen time, po ju dërgoj ... etj. etj. Në të vërtetë, gjer atëherë, kisha përshtypjen, se e njihja disi historinë e lagjes sime, por pas leximit të Vështrimit panoramik ... të tij, mora vesh, se nuk e njihja hiç.
Pse ma dërgoi?! 25 faqe studim nuk mund të botohej në një të përditshme me katër faqe gjithsej, dhe ai e dinte këtë më mirë se unë, siç dinte më mirë edhe shkaqet e tjera: politike, që ai dhe familja e tij i kishte vuajtur dhe akoma i vuante mbi shpinë.
Kujtoj se e lexova dy-tri herë letrën shoqëruese dhe ai nuk kërkonte që studimi të botohej në gazetë. Ai nuk kërkonte asgjë. Por, pikërisht se ai nuk kërkonte asgjë, ideja e botimit nuk më ndahej. Ndoshta, i mësuar që herët me kthimin e dorëshkrimeve, me refuzimin e botimit, me censurën, ai ishte mësuar të mos kërkonte asgjë.
Mesa dukej, më mundonte ideja se, në thelb, pavarësisht logjikës së ftohtë, edhe unë ndihesha si refuzuesit e tjerë.
Ai nuk kërkonte asgjë, sepse atij nuk i lejohej edhe të kërkonte; e kishte të ndaluar të kërkonte.
Vexhi Buharaja ishte autor i ndaluar dhe emri i tij ishte në sirtaret me mbishkrimin rezervat, apo ndalohet përdorimi. Të dukej çudi, madje, që i vetmi botim i tij, përkthimi mjeshtëror i Gjylistanit dhe bostanit të Saadi Shirazit, ishte lejuar të botohej në vitin 1960.
Mesa dukej, dilema të botohet, të mos botohet historiku i lagjes, ishte edhe pengu dhe ndjesa: unë nuk kisha bërë asgjë për të. Prisnim të ikje, që të dinim ç‘humbëm - është një varg nga një poezi e Visar Zhitit për të[1]. Edhe në shkurt të këtij viti, kur miku im, Shaban Sinani, i entuziazmuar nga Vështrimi panoramik i Vexhi Buharasë - e shikonte për herë të parë - më kërkoi ta botonte si pjesë të librit të tij Berat-Beratinus-Buhara, nuk pata asnjë ndjesi lirimi apo shkarkese. Nuk isha unë që po e botoja, por tjetërkush. Qoftë edhe miku im. Borxhi yt nuk shlyhet nga askush tjetër. I jam mirënjohës mikut tim, por, në thelb, nuk ndryshon asgjë. Raporti im me borxhin mbetet i njëjti, dhe bashkë me të mbetet edhe pengu, edhe ndjesa.
Me sa duket, mbetet të ngushëllohem me kujtimet e fëmijërisë.
Duket absurde, por është e vërtetë se vetëm të vegjlit dhe pleqtë bëjnë pyetjen pse, domethënë pyetjen që kërkon shkaqet, thellësinë - kurse të rriturit, për paradoks - të kundërtën: pyetjen si, që kërkon sipërfaqen. Më vonë, edhe unë u mësova të bëja vetëm pyetjen si. Por, në atë moshë, 7-8 vjeç (duhej të ishte mesi i viteve 1950), u habita shumë pse më 5 maj, në Ditën e Dëshmorëve, përpara lapidarit nuk u recitua vjersha për Margarita Tutulanin e Vexhi Buharasë, që dinim në shtëpi dhe në lagje, por një tjetër, që ishte bërë në Tiranë - nuk di nga kush.
Nga vjersha jonë, që thoshim përmendësh në shtëpi dhe në lagje, mbaj mend vetëm dy strofa:

Zbardhi shpata, u nxi dita,
Ra një trup, u ngrit një emër,
Ra dëshmore Margarita,
Doli burri nga një femër.

Nëno, moj, pusho ti lotin,
Nuk ka vdekur ndënë dhetë,
Eshtë gjallë, moj, për Zotin!
Po shkrep zjarre përmbi retë ...

Pse nuk u recitua vjersha jonë?!
Përgjigjen, pse-në, e dinin të gjithë në lagje dhe në qytet, por askush nuk iu përgjigj.
Vexhi Buharaja kishte rënë në burg dhe ishte bërë me biografi të keqe.
Formulimi ra në burg, që përdorej më shpesh në lagje, dukej krejt pa kuptim, sikur ti, gabimin, fajin, e kishe bërë aq pafajësisht e padashur, sikur natën mund të bije në një gropë, që as e kishe vënë re që ndodhej te këmbët e tua. Besoj, se kjo shprehje përdorej si një “e mesme”, apo si një lloj eufemizmi për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm. Për shembull, formulimin e futën në burg mund të ta merrnin kur të duash sikur gjoja, e futën kot. Por edhe shprehja tjetër hyri në burg mund të dukej si karshillëk i atij që kishte folur apo kishte ngritur dorë kundër qeverisë. Ishin shprehje të ngjashme me kur hynë këta, apo këta qenkan lidhur me rusin, që me këta nënkuptonte qeveritarët e rinj, por ti i dëgjoje vetëm në ambiente të mbyllura e me zë të ulët, dhe, përemri i çuditshëm këta dukej sikur nuk i drejtohej askujt.
Në kohë të vështira e delikate duhej maturi, se mund të të ikte koka edhe për një fjalë goje ...
Vexhi Buharaja ra në burg, sepse bashkë me intelektualin tjetër Todi Sotira përzgjodhën disa libra nga autorët më në zë të botës, të cilat ishin grumbulluar nga bibliotekat e familjeve të sekuestruara dhe do të asgjësoheshin. Dënohet me burg politik deri në vitin 1948[2].
Libri dhe dija do të bëheshin metafora e kalvarit të jetës së tij.
Dënimin e kreu pranë Kënetës së Maliqit, atje ku në ato vite vuante burgun edhe studiuesi Arshi Pipa, që më vonë u arratis; si dhe shkrimtari i njohur Mitrush Kuteli, të cilin një ditë e lanë orë të tëra të futur përsëgjalli e përsëgjati nën dhè, nën gajasjet e gardianëve.
Cilat ishin krimet e Vexhi Buharasë, që fshiheshin në rezervatet sekrete dhe për përdorim të brendshëm?
Vonë, shumë vite më vonë, privilegji që më jepte profesioni i gazetarit, më dha edhe çelësin për të hapur disa sirtare rezervatesh, ku zbulova jo vetëm pse në Ditën e Dëshmorëve për Margarita Tutulanin nuk recitohej vjersha jonë, po ajo e Tiranës, por edhe se Vexhi Buharaja ishte poet i vërtetë, dhe kishte shkruar vjersha edhe për “Margarita” të tjera, të bukura, në kohë paqeje, dhe po me aq art, dashuri e dhimbje:

Me sytë e mi mbufatur, mbi varr të saj qëndrova
Në der’ ku lyhet jeta, me lot, me gjak, me vrerë,
Trokita mos ma nxirrnin ta shihja dhe një herë,
Atë që dashurova[3]

Siç edhe vetë mund ta merrja me mend, njëra nga arsyet pse vjersha jonë për Margaritën nuk recitohej në Ditën e Dëshmorëve, ishte se vjersha për Margaritën tjetër dhe vjersha të tjera ishin botuar në gazetën Tomori, që konsiderohej e qeverisë, domethënë e pushtuesit.
Ky nuk ishte shkak, por sebep, sepse, thjesht, ishte kriter jashtëletrar. Ndërkaq, kjo vërtetohej edhe nga fakti, se vjersha për Margaritën tonë i kushtohej një vajze dëshmore me bindje komuniste dhe një udhëheqëseje të Luftës Nacionalçlirimtare, pra, e jona ideologjikisht. Gjithashtu, nuk ishte botuar në gazetën Tomori.
Atëhere, cili ishte krimi i vërtetë?
Ka pasur shkrimtarë, të cilët, edhe, duke mos bërë krushqi të drejtpërdrejtë me armiqtë e betuar të vendit, kanë kënduar si gjinkalla në lemë yjtë, hënën, zambakun, etj. Këta janë shkrimtarët e “artit për art”...
Tani, s’është puna vetëm t’u tregojmë vendin, por edhe të shuajmë gjurmët e tyre ...
Shkrimtarët tanë duhet të marrin shembull nga literatura sovjetike ...
Shkrimtari ynë do të gjejë në fytyrat e udhëheqësve të kësaj lufte të pashembullt të popullit shqiptar, sintezën e të gjitha virtyteve të larta që ruan populli ynë, dhe do t’i bëjë këta shembull të pavdekshëm për brezat e ardhshëm[4].
Oferta për shkrimtarët dhe artistët shqiptarë ishte krejt e hapur, dhe secili iu përgjigj sipas vetes.
Në librin Gjylistani dhe bostani të shqipëruar mjeshtërisht nga Vexhi Buharaja është edhe një poezi, me titullin S’jam lypës[5]:

“-O Saadi, më thonë bota, pse jeton në varfëri
Ke burime ... që s’të lenë që të heqësh lemeri.

Ti me vjershën mbretërore more bujë si një mbret,
Pse të shtypin kështu, vallë, breng’ e vuajtje pa kufi?

Kaq mbretër të lëvdojnë, kaq visare po të vijnë,
Nuk e di se pa visare, do të keshë lotë edhe zi?

-Shumë thonë se skifteri rron më mirë se simurgu[6]
Ai, kërma ha përditë, ky,- të ndot s’qas në gji.

S’do të ndodhë kjo tek unë, tek sovranët s’do të shkoj,
S’do të endem nëpër portat, si lypsari duaxhi.

Dhe gjilpërën po ta lypësh, sikur ule përmbi gjemba,
Çdo e lypur nëpër mbretër është turp e lebeti”.

Vexhi Buharaja edhe gjuhën ruse e njihte shumë mirë - e mësoi në burg - dhe mund të jetonte si mbret e të mos hiqte lemeri, edhe pa shkruar vjersha të drejtpërdrejta me lajka për mbretin (si shokët), por thjesht, duke përkthyer disa vjersha të poetëve sovjetikë për Stalinin dhe Leninin (si shokët).
Vexhi Buharaja është nga tepër të rrallët poetë e krijues shqiptarë, që nuk shkroi asgjë për kohën e Partisë (si shokët), as  për Partinë dhe Enver Hoxhën (si shokët).
Ç’thoshin rezervatet sekrete për veprat e tij, dhe cilat janë ndër kryesoret?
Vexhi Buharaja, i lindur poet, ka shkruar poezi qysh në moshën 15-vjeçare. Në poezitë e para që ka botuar: Dua të jem flutur, Shiu, Mbi varr të saj, Poetit Lasgush Poradeci, Margaritës, apo Përpara Tomorit (me të cilën fitoi çmimim të parë në një konkurs kombëtar), ndihet një shpirt delikat dhe i bukur, në një varg paqësor dhe plot humanizëm, të ndikuar nga romantizmi dhe letërsia e Rilindjes Kombëtare, e kryesisht nga Naim Frashëri apo Lasgush Poradeci, të cilit i këndoi. Por, padyshim, ndikim të madh patën tek krijimtaria dhe vetë formimi i tij, poetët e mëdhej persianë, humanistët Saadi Shirazi, Firdeusiu etj.
Më vonë, dashuria dhe pasioni i tij u bënë shqipërimet.
Poet, filolog, orientalist, historian por edhe teolog (para diplomimit për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, ai kishte mbaruar  Medresenë  e Përgjithshme në Tiranë)
Vexhi Buharaja ishte poliglot. Njihte shumë mirë gjuhët anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rusisht, por, padyshim, edhe persishten, arabishten dhe osmanishten, sepse i kishte gjuhët e tija, trashëgim familjar: i ati, gjyshi, stërgjyshi, breza me radhë, e flisnin dhe e shkruanin shumë bukur gjuhën persiane - si në Buhara, nga u mbeti edhe mbiemri.
Në fillim të viteve 1940 emri i Vexhi Buharasë u bë i njohur, dhe ministri i arsimit i kohës, atëherë shkrimtari Ernest Koliqi, i propozoi një bursë në Itali për orientalistikë. Nuk shkoi dot. Për shkak të disa problemeve familjare la edhe Tiranën dhe u kthye në vendlindjen e tij, në Berat.
Siç dihet, vepra të botuara të tijat janë: Gjylistani dhe bostani i Saadi Shiraziut (1960), dhe Shah-Name-ja e Firdeusiut (2001, 2010).
Vexhi Buharaja ka përkthyer jo pak poezi e letërsi me frymëzim fetar, por shumica e përkthimeve të tij janë letërsi laike, dokumente të historiografisë shqiptare, etj.
Nga persishtja dhe turqishtja përktheu Endërrimet dhe Katër stinët të Naim Frashërit, dramën Besa të Sami Frashërit, veprat Kozmogonia dhe Psikologjia të Hasan Tahsinit, 12 dokumente të Pavarësisë Kombëtare, letërkëmbime të Ismail Qemalit, pjesë në prozë e poezi të poetit turk Teufik Fikret, dokumente të historiografisë shqiptare etj. Kurse përkthimi i një numri të madh mbishkrimesh turko-arabe të xhamive, etj. është një kontribut tjetër i madh i tij.
Për mua, - shkruan Lazgush Poradeci, - dy janë më të mëdhenjtë në përkthimet nga persishtja në gjuhën shqipe: i madhi Fan Noli në Amerikë dhe i madhi Vexhi Buharaja në Berat (Po pas Vexhi Buharasë, a është orientalistika, së paku, në nivelet e traditës?).
Ndërkaq, ato që veçohen vetiu në veprën e tij janë studimet, ku shfaqet kultura e gjerë, njohja e thellë e historisë së vendit dhe rigoroziteti shkencor: Vështrim panoramik mbi të kaluarën e lagjes “Muratçelepias”, Shkollat e para të qytetit të Beratit, Kuvendi i Sinjës dhe memorandumi i tij, Mbi rezistencën shqiptare kundër sundimit osman, Jeta dhe vepra patriotike e Islam Vrionit etj.
Ka edhe një gjini tjetër veprash - ta padukshme - që e bëjnë tepër të veçantë personalitetin e tij krijues; në çdo studim dhe shqipërim të tij do të gjesh një det shënimesh apo shpjegimesh. Pikërisht kjo veçanti tërhoqi vëmendjen e prof. Eqrem Çabejt, i cili, pasi lexoi shqipërimin e Gjylistanit dhe bostanit, tha se mjaftonte dhe vetëm studimi hyrës, shënimet shpjeguese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.
Sapo i hapej pak dera - më saktë dritarja - e kontaktit me botën veprës së tij (atij vetë, të penguarit - kurrë), tërhiqte menjëherë vëmendjen e studiuesve të huaj.
Një i tillë ishte dhe profesor Franz Babingeri i Universitetit të Berlinit, gjuhëtar i shquar (konsiderohet edhe orientalisti më i madh i shekullit XX), i cili u entuziazmua, nga kompetenca shkencore e Vexhi Buharasë. Më vonë, Vexhi Buharaja do të kishte edhe letërkëmbim me prof. Babingerin.
Veprat e Vexhi Buharasë, krijime origjinale apo shqipërime, janë të gjitha për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare dhe jo për politikën e ditës.
Dhe ai ishte krejt i ndërgjegjshëm se për këtë duhej të paguante. Ai dhe familja e tij.
Vexhi Buharaja u ndalua, por edhe u fye.
Pas burgut, tanimë me biografi të keqe, atë e caktuan në punë nga më të rëndomtat.
Ishte, vërtetë e trishtueshme kur, përtej dritares së klasës - atëherë ishim në klasën e parë gjimnaz - e shihnim përditë: tanimë as me kostum e gravatë, as me veshjen e bukur të klerikut, por me kazmë e lopatë në duar dhe duke fshirë herëpasëhere djersët, ai nxirrte zhavorr tek Gropa e Zhurrit, rrëzë Kalasë, që e kishim përballë dritareve të klasës.
Ne e shikonim dhe nuk flisnim, sepse  kishim edhe një arsye tjetër. Në klasë kishim edhe vajzën e Vexhi Buharasë, Myzejenin, dhe instinktivisht e ndienim se çdo fjalë e gjest yni, do ta bënte të ndihej keq.
Ca kohë më vonë e hoqën nga Gropa e Zhurrit dhe gjoja e lehtësuan, por, në të vërtetë e fyen dhe më tepër: e caktuan në një nga rrojtoret e qytetit, të priste biletat e klientëve.
Jo vetëm ne, më të vegjlit, por të gjithë e kishin siklet që, kur hynin në rrojtore për t’u qethur apo për t’u rruar, t’i afroheshin tavolinës ku rrinte Profesori.
 Vexhi Buharaja tani nuk ishte më as poet, as shqipërues, as studiues, as teolog. Fjalët magjike, i deklasuar, i prekur e kishin zhveshur dhe shpronësuar nga ato. Megjithatë, ai dinte ta ruante lirinë e vet të brendshme nën çdo lloj veshjeje dhe nën çdo lloj detyrimi.
Por edhe qytetarët e Beratit e deshën dhe e nderuan gjithë jetën të prekurin Vexhi Buharaja. Veçanërisht vdekjen, varrimin e tij, në korrik të vitit 1987, e kthyen në një manifestim të jashtëzakonshëm nderimi. Gjithë qyteti, mijra vetë, të mëdhenj e të vegjël morën pjesë në kortezhin dhe në varrimin e birit të madh të qytetit, dhe arkivoli me trupin e tij nuk u vu në makinën e komunales. Gati tre kilometra, nga shtëpia e Vexhi Buharasë deri në varreza, qytetarët e mbajtën me duart e tyre të ngritura lart, në majat e gishtave.
Ngjante me një kortezh dashurie, dhimbjeje, por edhe proteste dhe pengu.

*
*      *

Në qoftë se të shpronësuarit nga librat dhe nga veshja fetare ishin më të pakët, ata me biografi të keqe për shkak të zhveshjes nga pronat, tokat, vreshtat, ullinjtë, dyqanet etj., në lagjen dhe qytetin tim, nuk ishin të paktë.
Me sa duket, diktaturat mbahen më lehtë dhe më gjatë kur “zhveshja”, shpronësimi është total, i trefishtë: edhe nga prona fizike, edhe nga prona intelektuale, edhe nga shpronësimi i besimit fetar - më i çuditshmi dhe më i pangjari.
E penguar dhe e fyer ishte e gjithë lagja dhe i gjithë qyteti ynë - jo vetëm Vexhi Buharaja. Këtë e kuptoje, edhe nga  vështrimi panoramik i një adoleshenti.
Ata me biografi të keqe ose kulakët, që kishin qenë zengjinë, por nuk ishin më, dalloheshin nga shumë gjëra. Nga rrobat, nga veshja. Duhej të ishin blerë jashtë shtetit - e pakta - në Tiranë. Kostume, kravata, pallto të mëdha, të rënda, por, dukej që kishin shumë vite që ishin blerë.
Dalloheshin edhe nga ecja. Gjithmonë  anës rrugës, pothuajse gjithmonë vetëm, ose me familjarë apo të afërm të tyre, dhe rrugën nga Muratçelepiasipazar ose anasjelltas e bënin kokulur, thuajse pa folur fare.
Ne e dinim që shumë prej tyre kishin mbaruar shkolla të mira, prandaj dhe nuk habiteshim që ishin shumë të sjellshëm.
Shumë prej prindërve dhe të afërmve të tyre kishin rënë në burg dhe me sa dukej, kjo i shpjegonte të gjitha. Flitej se Vrionasit ishin më të shumtët. Ndoshta, nga që ishin më të pasurit.
Atëherë, kisha një ide të mjegullt, sigurisht, se, kush fliste ...
Më shumë se fjala i deklasuar, për ta, në fjalorin e përditshëm, përdorej fjala i prekur, dhe me hije: ai është i prekur, familja e tij është e prekur. Tamam fjala e tmerrshme që përdorej për të sëmurët me tuberkuloz, ose veremi, siç thirrej në gjuhën e përditshme, një sëmundje fatale, pas së cilës i kishe ditët të numëruara. Kujt i shkoi mendja t’i vinte këtë epitet!? Kjo sepse për të nuk kishte ilaç, më saktë, nuk ishte shpikur deri ato vite.
Edhe kur pas shpikjes së penicilinës, falë këtij antibiotiku edhe në Shqipëri (rreth vitit 1955 kur erdhi), kjo sëmundje filloi të shërohej si gjithë të tjerat - të prekurit tanë -përsëri nuk gjetën derman. Madje, në vitin 1955 e këtej, “sëmundja” e tyre zuri të acarohej më tej; e prekura e tyre ishte e tjetërllojtë - politike.
Me ç‘duket, për ironi, thirrej edhe sëmundje e zengjinëve, të pasurve, sepse vetëm ata ia kishin ngenë ta shëronin me ushqime speciale dhe me pushime të gjata në vende klimaterike. Përmendeshin Zvicra dhe Viena, për shembull, ose Voskopoja - sipas xhepit.
Kjo fjalë që dukej gjithashtu e shpikur enkas, ishte tallje e hidhur për zengjinët e Beratit, që tani, të rënë nga vakti, nuk përballonin dot as Tomorin e Shpiragun, që e kishin tek dera.
Veç të tjerash, sëmundja ishte edhe ngjitëse.
Vrionasit apo të prekur të tjerë ia ngjitën njeri-tjetrit disa breza, duke i lënë pa punë e pa shkollë, dhe, më e keqja, në burgje apo të internuar. Lufta e klasave ndoqi linjën gjenetike, por sëmundja u trashëgua edhe tek krushqia: ka marrë (nuse) tek Vrionët ... ka dhënë tek Dyrmot... Përjashtime nga partia: o gruan, o partinë (Sabri Godua, shkrimtari, përshembull, zgjodhi gruan, por e diti vetë sa e pagoi ...).
Të prekur kishte plot në lagjen tonë, por dhe në lagjet e tjera të qytetit, sa të duash. Veç Vrionëve, Myftinjtë, Protopapët, Dollanët, Haznedarët,  Protoduarët, Kokoshët, familjet Lapardhaja, Stefa, Sterjo, Jahot, Dyrmot etj.
I lindur pas Çlirimit, unë vetë kujtoj të shpronësuarit e fundit. Nan Karaji për shembull, që e kishte dyqanin në pjacë, afër postës së qytetit, ishte tregtar pijesh: verë e raki me shumicë e pakicë. Kur, një ditë, për çudinë tonë, ia pamë dyqanin të mbyllur. Dëgjuam, se dy tatimet e para, të jashtëzakonshme, i kishte mbajtur, përballuar, domethënë, paratë në dorë shtetit, ose kesh, siç thuhet sot. Por, në tatimin e tretë ishte thyer. Pyzja, tregtari i rrobave të gatshme e pajave të nuseve, ishte dorëzuar më shpejt - e kishte xhepin më të vogël se  Nan Karaji e të tjerët.
Ne kishim disa armiq të çuditshëm në qytet, që unë nuk e kuptova kurrë pse ishin të tillë. Për shembull, doktor Ymer Dishnica, babai i shokut tim Perit. E kishin futur në burg dhe e kishin internuar në Berat si armik të popullit (!). Ishte diplomuar në Francë. Populli e donte shumë sepse, përveçse në spital, ai iu shkonte të gjithëve në shtëpi, ditën apo natën. Si mund të ishte armik i popullit, ai që populli e donte dhe e respektonte aq shumë?!
Kishte edhe familje të tjera, të mëdha e të mesme, të cilat agrarja apo tatimet e jashtëzakonshme i bënë të prekur, kulakë, me biografi të keqe etj.
Por, këtu nuk hyjnë ata që u vetshpallën kulakë e me biografi të keqe pas viteve 1990 dhe që i njeh gjithë qyteti. Ca nga ata njiheshin edhe si hafije, domethënë spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe, megjithëse u dolën emrat edhe nëpër gazeta, vazhduan përpara...Ishte një fenomen që u shfaq në të gjitha vëndet e Lindjes komuniste pas përmbysjes së diktaturave. Katovica  nuk  është  mit.
Banorët e thjeshtë të qytetit nuk i druheshin hiç infeksionit të të prekurve. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shëtitjet dhe hyrje-daljet vazhduan si më parë. Ajo që bënte përshtypje ishte fisnikëria dhe kujdesi i vetë të prekurve për t’iu shmangur takimeve për të mos dëmtuar miqtë e shokët e tyre.
Deri në gjimnaz,  ky  virtyt i qytetarëve të mi mua më dukej gjëja më e natyrshme në botë. Ndoshta, ndikonte fakti që të gjithë prindërit, familjet tona, në rrugicë, në lagje, në qytet, bënin të njëjtën gjë.
Cilat mund të ishin shkaqet e kësaj shpërfilljeje të politikës? Ndoshta, deri atëherë, nga fillimi i viteve 1960, lufta e klasave, siç quhej, nuk ishte ndezur edhe aq. Për ne, por edhe për të rriturit, më të njohurit, më të mëdhenjtë dhe më të respektuarit e qytetit ishin doktor Dishnica, doktor Thomo, doktor Kondi, doktor Haxhistasa, doktor Lluka, doktor Maksuti, doktor Pandeli Çina, doktor Afrim Çeçua, doktor Zino Matathia, apo njerëz të ditur si Vexhi Buharaja, dhe të vegjlit as e kishin idenë ç‘ishte sekretari i parë apo i shtati. Këta ishin njerëzit që përditë u vinin në ndihmë njerëzve dhe u bënin derman. Por, ndoshta, kjo shpërfillje e politikës mund të vinte se në qytetin tonë, ku ende shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin familjet autoktone, të vjetra, 100-, 200-, 300- e më shumë-vjeçare, duke njohur me rrënjë biografitë e vjetra të njeri-tjetrit gjatë fqinjërimit shekullor me to, e bënin vlerësimin me biografitë e vjetra dhe shpërfillnin biografitë e reja, me politikë.
Pra, u konfirmua edhe një herë, se biografia e vjetër mban vlagë më gjatë se ajo e reja, që matet me një parti a një tjetër dhe me një karrige a tjetrën.
Në vitet 1980 njoha edhe nga afër një patriot timin, nga Vrionasit, Jusuf Vrionin, me të cilin pata rastin e fatin të punonim bashkë për gati dhjetë vite në shtëpinë botuese 8 Nëntori (më pas u quajt Enciklopedike). Intelektual i mirëfilltë, i shkolluar në Francë dhe i bredhur nëpër Europë, aristokrat dhe elegant në sjellje e në veshje, dhe, sigurisht, tepër i aftë dhe i kulturuar - tek ai shikoje edhe rrënjët, biografinë e vjetër. Burgu 13-vjeçar nuk kishte mundur dot t’ia këpuste këto rrënjë.
Në vitin e dytë në gjimnaz patëm fat me një profesor të letërsisë, por, fatkeqësisht, vetëm për disa muaj, sepse më vonë ai u zhduk dhe ne morëm vesh se  kishte rënë në burg për agjitacion dhe propagandë: 10 vjet. Luan Myftiu ishte nga një familje e njohur e qytetit, gjithashtu, e prekur. I gjatë, pak i dobët, i mbajtur pastër, ai ishte veçanërisht i zoti. Ishte i kulturuar dhe e njihte mirë letërsinë. Tepër i sjellshëm dhe aspak patetik, ai fliste me një zë të lehtë, të ulët e disi të druajtur, dhe ti - i tëri sy e veshë - mendoje, se vetëm me një zë të tillë mund të flitej për letërsinë.
Të prekur ne kishim goxha edhe në klasën tonë, në gjimnaz.

*
*        *


At Zefit, në qeli - më pas e pushkatuan - i qe ndaluar të lëvizte buzët për të thënë lutjen, dhe, për çdo shkelje, domethënë, lëvizje buzësh, dënohej me pesë goditje me kamxhik në shpinë dhe në këmbë.

Meqenëse ishte e pamundur që çdo shqiptari t’i vihej nga një gardian për t’i mbyllur gojën, u mendua se fshirjen e Zotit nga kujtesa mund ta bënte mbyllja apo prishja e të gjitha kishave e xhamive dhe shpronësimi edhe i shtëpive të Zotit; ndëshkimi i klerikëve.
Zhveshja nga besimi dhe bindjet fetare ishte ndërmarrja më donkishoteske. Kjo  privatësi, krejt intime dhe e shenjtë, nuk shënohej në asnjë census dhe pasaportë të vendeve të qytetëruara.
Më 15 shkurt të vitit 1967, në orën 10.00, në të gjitha dyert e kishave  dhe xhamive të Shkodrës ishin vendosur fletë-rrufe, siç quheshin, letra, në të cilat shkruhej: Mjaft keni mashtruar! Hyni në punë, dhe fitojeni bukën me djersën e ballit!
Iniciativa u përhap shpejt në të gjithë Shqipërinë, dhe, për një kohë të shkurtër, shumicës së kishave dhe xhamive iu vu kazma, kurse një pjesë e tyre u kthyen në depo mallrash, teatro apo shtëpi kulture.
Njëherësh, por ndoshta edhe përpara se të orientohej gjymtimi dhe tjetërsimi i kishave dhe xhamive, u orientua edhe gjymtimi, tjetërsimi, fyerja dhe poshtërimi i tyre: të ndërrojnë veshjet dhe të rruajnë mjekrat të gjithë.
Në të vërtetë, klerikët ishin kontingjenti i fundit që kishte mbetur me mjekra e mustaqe. Duket e pabesueshme, por, menjëherë pas çlirimit, sipas një orientimi që nuk u mor vesh kurrë nga erdhi, askush nuk mund të mbante më mjekra e mustaqe. Në arkiva nuk  mund të gjesh asnjë vendim qeveritar apo partiak. Në gazeta dhe fjalime filluan të quhen shfaqje të huaja borgjeze, dhe kjo ishte e mjaftueshme që njerëzit të merrnin vetë masat.
Revista satirike Hosteni sulmonte me shkrime dhe karikatura cilindo që guxonte të provonte. Madje, në disa raste u ironizuan në shtyp jo pak aktorë të Kinostudios, të cilët, nën justifikimin se kishin role të tilla, zunë të mbanin mjekra e mustaqe.
Ishte i vetmi vend në botë, ku nuk shihje, qoftë edhe një të tillë. Që të jem fare i saktë, një i tillë ishte në Tiranë. Ishte një burrë rreth të gjashtëdhjetave. I gjatë, i pakët në trup, me pamje fisnike dhe me një ndriçim intelektual në sy, ai ishte i vetmi që mbante, jo vetëm mustaqe, por flokët e tij tepër të gjatë i vareshin goxha mbrapa, poshtë jakës së xhaketës. Ishin vitet shtatëdhjetë dhe shumica e atyre që e shikonin këtë burrë të ecte i qetë rrugëve të Tiranës e merrte për turist të huaj. Nuk ishte turist; ishte profesori i njohur dhe i nderuar i Agronomisë, Abedin Çiçi, për të cilin thoshin, se ishte lejuar t’i mbante ata flokë aq të gjatë me porosi të vetë Enver Hoxhës. Kjo fjalë qarkullonte gjithandej, por të vërtetën nuk e dinte askush.
Ka ca të vërteta të tilla të asaj kohe, të cilat, të rinjtë e pasviteve ’90 i kanë të gjitha arsyet t’i marrin si fictione. Ndoshta, vetëm arkivat dhe shtypi i kohës mund t’u krijojë bindje.
Po me priftërinjtë e hoxhallarët, ç‘patën?! Në fund të fundit, si kudo në botë, mjekrat dhe mustaqet e tyre ishin institucionale dhe profesionale.
Sapo ishte mbyllur xhamia e lagjes sonë. I ulur në njërën nga karriget e rrojtores duke pritur radhën, dëgjova berberin, i cili, njërit prej hoxhallarëve të ulur përpara pasqyrës, me lot në sy dhe i ngashëryer, i thoshte:
- Aman, hoxhë Efendi, ma bëj kabull! Nuk më bëjnë duart të heq mjekrën e zotërisë sate!
Sigurisht, në ato vite, ne fëmijët skena të tilla si ajo në rrojtore nuk i gjykonim si “ mohim të së drejtës universale për të ushtruar lirinë e besimit fetar”, “ mbi bazën e konventës x, y,...,” etj. etj. Përkundrazi, ato skena na dukeshin si shkak për “gallatën” që do të fillonte, kur hoxha, tanimë pa mjekër dhe i veshur “civil”, rrugicë më rrugicë, do të shpejtonte të futej në shtëpi, i ndjekur nga të qeshurat dhe romuzet e disave që mezi i prisnin raste të tilla për batutat e tyre. Kurse unë vetë, duke e parë atje në rrojtore përpara berberit,  përfytyroja se çfarë do të bënte tani e tutje hoxha ynë. Do të shkonte në kinema si të gjithë të tjerët? Do të lahej në lumë i zhveshur në brekë si gjithë të tjerët? Do të hante akullore duke ecur rrugës? Po Hafiz Rizait, si do t’i thërrisnin tani,- shoku Riza? Po Atë Vangjelit, Papu do ti thërrisnin edhe tani? Se edhe Atë Vangjeli, si Hafiz Rizai ishte bërë.
Këtë fat patën të gjithë klerikët e qytetit.
Ushtarakëve, kur, për një faj a një tjetër, dënohen me burg, sipas ligjit, para se t’i fusin në qeli, ua heqin simbolet e ushtarakut: armën, kapelen, rripin e mesit dhe lidhësat e këpucëve. Pas kësaj, duken krejt pa identitet e qesharakë me flokët e deformuar nga kapelja 30-40 vjet pa u hequr nga koka dhe pjesa tërësisht e bardhë e ballit. Po ashtu u shfaqën në rrugët e qytetit edhe hoxhallarët, priftërinjtë dhe dervishët, pasi hoqën veshjet dhe mjekrat. As nga afër nuk i njihje dot më.
Dhjaku simpatik i lagjes Goricë, At Vangjel Xoxa, mjekra tepër e zezë e të cilit në fytyrën shumë të bardhë të tij krijonte një grafikë të rrallë, pas operacionit u mbyll në shtëpi për një kohë goxha të gjatë. Pastaj, doemos u detyrua të dalë për të nxjerrë bukën e gojës. Filloi punë si marangoz në zdruktharinë e qytetit, dhe im vëlla, që punonte atje, tregonte se At Vangjeli punonte me shumë sedër të bënte normën që në ditët e para.
Njerëzit e famshëm: shkrimtarë, artistë, shkencëtarë etj., për opinionin që i do, duken simpatikë dhe nga ana e jashtme, edhe kur nuk janë fare të tillë. Por Vexhi Buharaja ishte realisht burrë simpatik, prandaj dhe asnjë ndryshim në pamje nuk mund t’ia dëmtonte imazhin. I gjatë, me një trup të drejtë dhe të ecur elegante, sikurse kostumi e kravata që mbante veshur; brun, me një mjekër të zezë e të mbajtur bukur - ato vite ishte klerik - ai binte menjëherë në sy. Në lagje, sigurisht, por edhe në gjithë qytetin.
Më është ngulitur në kujtesë fakti që, kur ai dilte nga shtëpia, në fund të rrugicës sonë, dhe merrej vesh se do të shkonte tek xhamia e lagjes, gratë dhe vajzat e lagjes hapnin portat me ngut dhe lajmëronin njera-tjetrën: Zonja, shpejt, vishuni të shkojmë në xhami, sepse sot do të rrëfejë vas Vexhiu.
Në atë kohë - fëmijë 8 apo 9-vjeçar - unë nuk e kuptoja se kjo e thirrur intime e grave e vajzave të lagjes, thjesht në emër, pa mbiemrin, por edhe pa fjalën zoti, apo titullin fetar përpara emrit, ishte afeksion që vinte nga si i lagjes, si yni, apo sepse ai që do të dilte dhe do të predikonte përpara besimtarëve, domethënë, përpara tyre në xhami, ishte jo një teolog, por një burrë simpatik. Por e kam të fiksuar mirë në kujtesë: kur rrëfente vas Vexhiu, gratë dhe vajzat e lagjes e mbushnin dingas mafilin - një formë llozhe e gjerë në katin e dytë të xhamisë, posaçërisht për gratë dhe vajzat, të cilat përmes grilave prej druri, bënin sehir. Pastaj se ç‘i thoshin në vesh njëra-tjetrës, kushedi ... Megjithëse, vetë Vexhi Buharaja në historikun e lagjes sonë shkruan se djemtë dhe vajzat e lagjes, sidomos, kur ishin në një sokak, quheshin vëllezër e motra dhe nuk mund të martoheshin me njëri-tjetrin ...
Çfarë “rrëfente vas” apo predikonte Vexhi Buharaja kur hipte në podiumin me shkallare në xhami? E vërteta është se ne nuk kishim asnjë qejf  të shkonim në xhami dhe nuk shkonim. Megjithatë, nja dy herë, nga kurioziteti kemi hyrë brenda dhe  kemi dëgjuar për disa minuta si “rrëfente vas” Vexhi Buharaja që kishte nam.
U çuditëm! Ne prisnim të fliste turqisht por ai fliste shqip, dhe na u duk sikur nuk ishim në xhami por në shkollë. Sepse “vas-i” që ai tregonte ishte si lënda e edukatës morale, edhe histori, edhe letërsi. Thoshte, pse duhen përvehtësuar dituritë, si ta duam atdheun, si duhen respektuar prindërit, pse muslimanët dhe të krishterët e qytetit janë vëllezër dhe duhet të shkojnë mirë me njëri- tjetrin, etj. etj. Shkollë. Tamam shkollë, vetëm shtoji Zotin, që në shkollë nuk ishte.
Gjithsesi, lufta kundër mjekrave të priftërinjve e hoxhallarëve vazhdoi. Nuk i pamë më të hynin nëpër rrojtoret e qytetit, sepse dëgjuam se, nga që u vinte turp, i thërrisnin berberët nëpër shtëpitë e tyre.
Në të vërtetë, vetëm pak vite më vonë, në 1973-1974, pas Plenumit të 4-të, që u quajt kundër liberalizmit - fushata kundër mjekrave e mustaqeve u shtri pa dallim feje, krahine e ideje, edhe tek ata civilë, të cilët, duke përfituar nga një farë liberalizmi i jetës artistike e kulturore, kishin lënë edhe ata mjekra e mustaqe.
Reagimi i shtetit ishte i vendosur dhe i egër. Madje, në vitin 1974, u bë një eksperiment edhe me turistët e huaj në aeroportin e Rinasit, të cilët, sipas urdhrit, për të hyrë në Shqipëri, duhej më parë të hynin në rrojtoren e aeroportit, dhe të linin në doganë edhe mjekrat e mustaqet ... Nuk është fiction. Eksperimenti nuk vazhdoi gjatë. Ambasadat e akredituara në Tiranë dhe shtypi i huaj reaguan menjëherë, edhe me batuta, kundër skandalit shqiptar, të padëgjuar në botë.
Po kujt i shkoi mendja, xhanëm, për t’i telendisur në këtë mënyrë klerikët e nderuar? Nuk ishin të mjaftueshme mbyllja e kishave e xhamive, dhe mbushja e burgjeve me ta? Ç’ishte kjo luftë dhe urrejtje patologjike kundër mjekrave e mustaqeve?
Formulimi shfaqje e huaj që përdorej në gazeta dhe fjalime për mjekrat dhe nuk ju dukej hiç  bindës. Të na kenë ardhur nga të huajt?!
Për t’u treguar më të matur e objektivë, njerëzia fillonte të kërkonte shkaqet me fakte e argumente më thellë; tek rrënjët e tek tradita kombëtare. Asgjë, përkundrazi, sepse shqiptarët, brez pas brezi - babai, gjyshi, stërgjyshi - të gjithë me mustaqe e mjekër, dhe nuk i kishin marrë nga të huajt. Shikoni, po deshët, fotografitë e vjetra dhe albumet familjare.
Për t’u bërë akoma më bindës, le të hidhemi nga baballarët tanë tek Baballarët e Kombit - të famshëm e me këngë.
Vetë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, së pari - një herë i krishterë, dhe, kur i dukej, mysliman - por në të dyja rastet, me mustaqe e me mjekër, ku e ku më të mëdha nga ato të sotmet.
Rilindasit tanë, gjithashtu: treshja e vëllezërve Frashëri - Abdyli, Samiu e Naimi - të tre me mjekra të mëdha e të bukura; për të vazhduar me Jeronim De Radën e të tjerë arbëreshë në Itali, apo Pashko Vasën në Liban, Fan Nolin e madh në Amerikë, Bajram Currin, Isa Boletinin. Të gjithë.
I tmerrshmi Pashai i Janinës nuk mund të përfytyrohet dot pa mjekrën si mjegull e bardhë, aq sa të duket sikur kënga nuk është ngritur për të, por për mjekrën e tij. I qethur, i rruar, 80 e ca vjeçari plak do të dukej si një i vdekur, i shëmtuar, që nuk mund të trembte dot as pulat e fshatit, jo më një taborr me turq, t’i bënte ballë për vite me radhë një perandorie të tërë. Kurse Vasiliqia, grekja e bukur, vetëm të ishte idiote t’i rrinte tek koka një koke të tillë. Ishte tjetër kokë, koka që iu ngrit kënga:

Koka në Stamboll, trupi në Janinë,
Të vranë, Ali Pasha, të shtrinë ...

Të vendosje në Kamaren e Turpit në mes të Stambollit atë kokë çilimiu për ta bërë sehir gjithë dynjaja, dhe për t’u thënë të gjithëve ja ç‘kokë kemi prerë, kushdo do të kishte të drejtën të mendonte se Turpi dhe Kamarja ishin jo për atë kokë që shihnin, por për kokat e atyre që e kishin vendosur aty.
Pra, secili përmendte kokat me mjekrat e mëdha që njihte të Kombit, por Ismail Qemali, themeluesi i Pavarësisë dhe i shtetit shqiptar, u duk sikur i vuri kapak muhabetit: mjekër e mustaqe më të mëdha e më të bukura se ato të Babait të Kombit nuk kishe ku gjeje për argument.
Nuk mund të kishte asnjë dyshim, edhe për faktin se ishte vetë Enver Hoxha ai që fliste me admirim për trimëritë dhe mençurinë e tyre. Ndërkaq në asnjë rast, dhe asnjë prej këtyre fytyrave të mëdha të kombit nuk ishte etiketuar apo kritikuar për kufizime ideore, ndikime borgjezo-revizioniste apo diçka e kësaj natyre.
Mjekrat dhe mustaqet prej shekujsh ishin bërë pjesë e traditës kombëtare; njëherësh edhe simbol i burrërisë dhe i burrit. Djemtë shqiptarë mund të shkonin ushtarë apo të martoheshin, jo thjesht, kur mbushnin 16 apo 18 vjeç, por kur iu dirste mustaqja.
Ndërkaq, gjithë ky devijim apo përmbysje e traditës në gjysmën e dytë të shekullit XX, po ndodhte në një vend ballkanik, madje, në atë vend të Ballkanit, ku mjekra dhe mustaqet ishin nishane e simbole edhe të dinjitetit, krenarisë dhe sedrës së burrit, dhe ku, edhe thjesht prekja sado e vogël e mustaqeve nga tjetri, apo më keq, e shara: të dhjefsha mustaqet, konsiderohej çburrërim dhe paguhej me kokë.
Të lodhur nga diskutimet dhe hamendjet pa fund e pa bukë, njerëzit u kthyen ta gjenin shkakun e rruajtjes së mjekrave e mustaqeve tek politika dhe ideologjia.
Përkundrazi! Tek politika dhe ideologjia, jo vetëm nuk u gjet asnjë mbështetje e argument, por u konstatua se mjekra e mustaqe mbanin vetë themeluesit e doktrinës.
Lenini dhe Stalini po se po, por, përpara tyre, dhe me mjekra shumë më të mëdha ishin teoricienët. Engelsi dallohej për mjekrën dhe mustaqet, që në rininë e tij, kurse koka e Marksit, “babait të komunizmit”, me mjekrën proverbiale, gjigande, më tepër se një kokë me mjekër, i ngjante një grumbulli të madh leshi, ku ishte vendosur një fytyrë.
Atëherë, cila, pra, mund të kishte qenë arsyeja apo arsyet e këtij urdhri të çuditshëm kundër mjekrave e mustaqeve, dhe kush, konkretisht, e kishte dhënë?
Në fakt, qarkullonte një dyshim i bazuar, se e gjitha kjo mund të ishte një iniciativë e kryeministrit Mehmet Shehu, dhe Enver Hoxha, ose nuk ishte vënë në dijeni për atë që ndodhte, ose, qëllimisht e linte vetë kryeministrin, për të parë sa larg do të shkonte. Hamendja nuk ishte pa bazë, po të kujtoje, se kryeministri dallohej për këto lloj iniciativash. Madje, jo shumë kohë më parë, në një fshat të Librazhdit, gjatë një mitingu, ai e kishte kapur fort prej flokësh, prapa qafe, një kryetar kooperative dhe i kishte bërtitur: Me këto mjekra e mustaqe, ju qafleshët doni të na sillni kapitalizmin në Shqipëri!
Le të mos ngutemi, tha dikush. Shpjegimet tuaja më duken ca naive. Ato janë thjesht historira, folklor. Mua më duket ca më i thellë shkaku. Pse pikërisht Mehmet Shehu është më i egri në këtë fushatë kundër mjekrave e mustaqeve? Ju duket i besueshëm fakti që më i flakti të shfaqet pikërisht Mehmet Shehu, i cili vetë ka pas lënë mustaqe që djalë i ri; pastaj në Luftën e Spanjës, po me mustaqe, dhe gjithashtu me mustaqe edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ishte komandant i Brigadës I Sulmuese? Shikoni fotografitë e Luftës. Në të gjitha rastet e keni me mustaqe; atë dhe shumicën dërmuese të ish-partizanëve. Shikoni dhe fotot e pasluftës. Asnjë. Egërsia e Mehmet Shehut, tha, shpjegohet me kompleksin e hakmarrjes për fyerjen e madhe. Por gjenerali i madh i luftës nuk mund të dilte nga karakteri i tij. Vdekja që zgjodhi Mehmet Shehu, vetvrasja spektakolare në vitin 1981, ishte hakmarrja dhe sfida e jashtëzakonshme e tij, pas së cilës Enver Hoxha nuk e mori vehten kurrë dhe siç është thënë, ia shpejtoi vdekjen.
 Gjithësesi, ideja e Enver Hoxhës ishte e menduar mirë dhe është A-ja e çdo sundimtari. Ata që vuri në rresht duhej të ishin krejt pa identitet: të gjithë njëlloj, siç veprohet me rekrutët e rinj, të cilët, para se të rreshtohen si ushtarë, të gjithë i kanë kokat të qethura zero, sepse dihet, turma pa identitet, “njerëzit zero”, sundohen më lehtë.
Kështu u veprua me të gjithë, dhe priftërinjtë e hoxhallarët e gjorë, nuk mund të bënin përjashtim.
Shpronësimi duhej të ishte total dhe prona, bindja, dhe besimi fetar nuk duhej të linin shenjë as edhe në fytyrat e njerëzve.
Koha tregoi se ky grotesk, kjo shaka e madhe, u kthye në bumerang, dhe se në thelb qesharak dhe grotesk ishte vetë regjimi dhe ata që urdhëruan çmenduri të tilla, por kostoja ishte e madhe.
Fyerja është më e rëndë se varfëria.
*
*        *

Në titullin e studimit të tij për lagjen Muratçelepias, Vexhi Buharaja nuk përcakton kufij kohorë. Thotë përgjithshëm Vështrim panoramik për të kaluarën e lagjes. Cila e kaluar? Dihet, siç shkruan edhe vetë, se lagja është 300-vjeçare. Ndërkaq, studimi përfshin vetëm 200 vitet e parë. Po 100 vitet e fundit?!
E ka lënë qëllimisht mënjanë periudhën prej disa dekadash të socializmit, dhe, ndoshta, për të fshehur këtë fakt, bashkë me të, ka shmangur edhe periudhën e mbretërisë?
Nuk duket çudi. Eshtë në logjikën dhe konstanten e gjithë krijimtarisë së tij. Këtë periudhë Vexhi Buharaja e ka përjashtuar nga poezitë e tij, nga studimet, shqipërimet, nga gjithçka.
Mos, vallë, për të e kaluara e lagjes dhe qytetit për të cilët shkroi ishte më e bukur se e ardhmja?
vështrimin panoramik ... të Vexhi Buaharasë lagja jonë dhe qyteti ynë ka dritë. Me më shumë dritë akoma dhe më të bukur janë lagja dhe qyteti ynë në shënimet e kronikanit turk, Evlija Çelebiu, 300 vjet më parë:
Ka 500 shtëpi të stolisura dhe të mbajtura mirë, mbuluar me tjegulla të bukura. Shtëpitë janë dykatëshe. Ato janë të ndërtuara tërësisht prej guri dhe janë vendosur mbi një truall që shtrihet në shtatë kodra e përrenj. Eshtë një qytet i stolisur[7].
Në Berat gjenden 30 lagje ... Dhjetë janë të krishtera, një lagje çifute, dhe nuk ekzistojnë lagje për frëngjtë dhe për evgjitët[8].
Gjenden gjithsej 30 foltore për besimtarët dhe ka 5 medrese ... Në lagjen “Muratçelebi” gjendet xhamia e Hysejn Pashajt. Eshtë një xhami e re dhe e bukur. Eshtë një minare gjashtëkëndëshe prej guri, e stolisur, nazike dhe e bukur, mbuluar me një kube ngjyrë qielli, dhe me tjegulla të kuqe ngjyrë gjaku. Eshtë një xhami plot me dritë, bukuri e finesë, saqë nuk mund të gjendet shembulli në shkencën e arkitekturës. Eshtë një xhami e dlirtë, e çiltër dhe e paçmueshme. Ka pesë shkolla të dijes[9].
Pranë një rruge ndërtuar rishtas prej Hysejn Pashajt, bri lumit, gjendet një vend me 100 dyqane, vendosur me rregull e harmoni, ku mblidhen njerëzit e mësuar ... Disa njerëz bisedojnë me njeri-tjetrin dhe zhvillojnë tema mbi dijet fetare, shkencore, poezinë, etj. Këtu gjenden shumë poetë, oratorë ... Janë njerëz me dituri të thellë sa deti, por për sa i përket fesë, nuk kanë shumë kujdes ... Këtu gjenden njerëz qibarë, të pjekur dhe të zgjuar[10].
Në qoftë se një njeri në qytet derdh gjak (vret) dhe ikën, struket në Mal të Thatë dhe shpëton nga dora e drejtësisë, ai vetë nuk mund të kthehet kurrë në këtë qytet... Rreth qytetit të Beratit gjenden 77 vende dëfrimi dhe shëtitore... Në qytetin e Beratit, aty poshtë, pas tregut të kazanxhinjve, mbi lumin e Osumit gjendet një urë e madhe për kalimin e udhëtarëve, karshi, në Varosh të Thatë. Ura gjithsej ka nëntë harqe prej druri, por themelet e urës qëndrojnë mbi këmbë prej gurësh të çuditshëm, të zhytur në ujë. Pjesa e sipërme e urës është e shtruar me material lisi. Eshtë diçka e çuditshme dhe rrallë takohet. Në Hercegovinë, në qytetin Koxha (Foçe), një urë që gjendet mbi lumin e thellë është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit, por ajo përbëhet vetëm nga një hark druri. Kurse kjo e Beratit është e pajisur me nëntë harqe të bukur (Zoti e ruajtë!)[11].
Qyteti i Beratit, si një vend bjeshkor, me ajër e ujë të pastër, djemtë e vajzat i ka të shëndetshëm; ka njerëz të edukuar, të përmbajtur. Të gjithë janë të bukur, të shkëlqyer dhe, në përgjithësi, janë qejflinj e dashuronjës. Djemtë shëtisin të armatosur dhe betohen për armët e tyre; janë të gjallë e të hedhur, dhe, për gjënë më të vogël, mbërthejnë shpatën dhe të vërsulen (Zoti na ruajtë!)[12].
Ky popull është një fis fisnik i Shqipërisë ... Janë luftëtarë trima, të rreptë e sypatrembur (Zoti na ruajtë!)[13].
A mund të pengohet dhe të ndalet koha?

*
*      *

Vexhi Buharaja ka në fondin personal mijra faqe librash, studime, shqipërime nga autorët më të mëdhenj të botës, por në dorëshkrim, të pabotuara.
I mësuar vetëm me lënien në dorëshkrimfondin e tij personal për shkak të censurës së përhershme, tek ai fjalët libër, botime, publicitet, kopje e parë, autograf ishin zbehur, e kishin humbur kuptimin - dhe, ai vetë - edhe shpresën.
Për kënaqësinë dhe emocionin që botimi i një libri i sjell autorit, shkrimtarë të ndryshëm të botës kanë bërë përkufizime nga më të ndryshmet: lumturia më e madhe, si kënaqësia që të jep lindja e fëmijës etj.
Poetit, publicistit, filologut, studiuesit, orientalistit dhe përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja iu privua djersa dhe shpërblimi, por sidomos, kënaqësia më e madhe e jetës; kënaqësia dhe gëzimi i krijimit.
Dhe, ky është krimi më i madh ndaj tij.
Ndërkaq, dorëshkrimet - vepra të gatshme të këtij personaliteti janë dëshmi dhe prova krimi.
Sot, ende të pabotuara, ato ngjajnë me dëshmitë e një krimi të pandëshkuar. Madje, krim i dyfishtë: ndaj autorit dhe ndaj kulturës shqiptare.
Vexhi Buharaja u është lënë vetëm patriotëve, krijuesve të Beratit. Ahmet Kondo dhe Izedin Hima kanë shkruar libra me vlera për të. Shkrime shumë të mira kanë botuar Agim Dishnica, Agim Mehqemeja, Ajet Nallbani, Simon Vrusho dhe, sidomos Bedri Telegrafi, që është edhe njeri i familjes. Por Vexhi Buharaja nuk është krijues lokal; aq më pak i familjes. Për orientalistin, poetin, studiuesin dhe shqipëruesin e shquar është përgjegjës shteti dhe shoqëria shqiptare.
Botimi dhe ribotimi i Shah-Name-së në vitet 2001 dhe 2010 nga shtëpia botuese Naimi dhe disa studime të Shaban Sinanit janë të vetmet ndërmarrje nga qendra për këtë personalitet të madh të kulturës shqiptare. Por, në këtë qendër nuk hyjnë hiç as Ministria e Kulturës, as shteti.
Një kolanë me botimin e veprave kryesore të Vexhi Buharasë, do të ishte, thjesht, një moment inaugurues.

 ARSHIN XHEZO
Tiranë, mars, 2015




[1] Visar Zhiti: Vdekja e përkthyesit të Saadiut
Ece zbathur në shkretëtirë,
Përdore e more Saadiun
Dhe e solle në shtëpitë tona,
Mysafir.
Por ty të harruam
Megjithëse edhe rëra,
Ka kujtesë gjurmësh.
Prisnim të ikje, që të dinim ç‘humbëm.
Përsëri vdiq Saadiu dhe e futëm në arkivolin
Si mirazh,
Lëkunden në ajër,
Qindra duar të ngritura lart,
Që të mbajnë Ty shenjtor, dhe të çojnë,
Në asnjë varr.
[2] Ajet Nallbani, Berati: kronika e jetës qytetare, Berat, 2009, f. 212.
[3] Vexhi Buharaja, Mbi varr të saj, në gazeta Tomori, Tiranë 1 korrik 1941.
[4] Literatura jonë, viti I, nr. 1, Tiranë 1947, f . 3-4, 15.
[5] Saadi Shirazi, Gjylistani e bostani, shtëpia botonjëse Naim Frashëri, Tiranë 1960, f. 234.
[6] Simurg, pers., zog imagjinar mitologjik që mbahet si simbol i pastërtisë trupore e morale.
[7] Citohet sipas Vasfi Samimi, Berati 300 vjet më parë, bot. Dita 2000, Tiranë 2007, f. 32.
[8] Po aty, f. 32-33.
[9] Po aty, f. 33-34.
[10] Po aty, f. 35-36.
[11] Po aty, f. 37-38.
[12] Po aty, f. 39.
[13] Po aty, f. 40.

NJË PËRMENDORE PËR MIKUN E MADH D’ESTOURNELLES DE CONSTANT


             NGA  REXHEP SHAHU


(Botohet për herë të parë në gjuhën shqipe një libër i rrallë “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” i nobelistit te Paqes te vitit 1909, senator, ish sekretar i komisionit te caktimit te kufijve ne Veri te Shqiperise Destournelles De Constant, nga Klubi i Poezisë, Tiranë, përkthyer nga Mirdash M. Shehu, Botues : Rexhep Shahu, financues Flamur Lutfi Hoxha, Redaktor : Izet Duraku, Recenzent : Prof. Shefqet Hoxha)


“Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”.
Kur e kam lexuar për herë të parë fjalinë e mësipërme shkruar nga nobelisti i paqes, senatori, diplomati e politikani i shquar francez, d’Estournelles de Constant, si fjali e parë e parathënies së tij për librin “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, përkthyer nga miku im Mirdash Shehu, libër të cilin e ka ruajtur në shtëpi që në vitin 1930, kur e ka siguruar i ati i tij Munir Shehu, intelektual i njohur, unë kam provuar një ndjesi të rrallë dhe m’u shtua admirimi për Francën.
Nuk kisha dëgjuar kurrë, në ato pak që kam lexuar për fatin tonë, për caktimin e kufijve të këtyre trojeve që kemi e që përbëjnë shtetin tonë, që një “plak” i caktimit të kufijve tanë të ketë thënë : “Ne po e sakatonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi”.
Nuk kisha dëgjuar kurrë që një i huaj, aktor shumë i rëndësishëm në dramën e fatit të zi të coptimit të trojeve të shqiptarëve para një shekulli, si sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në Veri të Shqipërisë, të kish artikuluar ndjesën e tij, pendesën, dashurinë dhe adhurimin e tij për shqiptarët, kur ende nuk ishte bërë Shqipëria shtet, por njihej si pjesë apo cep, herë me rëndësi e herë pa rëndësi i perandorisë turke.
U ndjeva keq që nuk dija asgjë për d’Estournelles de Constant. Një provë më shumë për atë që, ne dimë çfarë s’na duhet e pak dimë nga ato që na duhen për historinë tonë kombëtare, të deformuar e të shkruar keq, qëllimshëm. Por pse nuk dija unë asgjë, nuk besoj se askush nuk ka ditë për këtë njeri kaq të famshëm, që është një cak apo stacion i rëndësishëm, gjatë 100 vjetëve të shtetit shqiptar. Diplomat i ragut më të lartë me ndikim absolut në çerekun e parë të shekullit 20, politikan shumë i njohur europian, senator i parlamentit francez, humanist i shquar, nobelist i paqes i vitit 1909, anëtar i Gjykatës së Hagës, sekretar i caktimit të kufijve në Veri të Shqipërisë, avokat i madh i Shqipërisë për pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve, mik i madh i shqiptarve, të cilët i deshi dhe nuk i braktisi kurrë, dhe u vu në mbrojtje të tyre si rrallë ndokush tjetër në historinë e tyre shumë të trazuar e shumë shpesh të pafat kur Fuqitë e Mëdha i ndanë dhe coptuan dhe fqinjët si çakejtë u sulën mbi trojet e tyre, i ndanë dhe përvetësuan.
Nuk besoja se nuk ka ditë asgjë shteti shqiptar për këtë njeri gjatë 100 vjetëve të ekzistënces si shtet. Nuk besoja se Akademia jonë e Shkencave nuk ka ditë asgjë për këtë humanist e mik të madh të shqiptarëve, i cili nuk ka asnjë nevojë për ne, por ne kemi nevojë ta dimë kush është e të mundemi t’ia artikulojmë një mirënjohje, vetëm një mirënjohje, vetëm një fjalë: Faleminderit!
U përkëdhela nga shprehja “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë, unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”, kur mësova se autori i kësaj thënie nuk ishte një qytetar i çfardoshëm, një gazetar, shkrimtar, aventurier a veprimtar shëtitës europian që ish ekzaltuar me virgjërinë e shqip-tarëve e trojeve të tyre.
D’Estournelles de Constant ishte Nobelist i Paqes i vitit 1909. Ishte Senator i Francës. Ishte Anëtar i Gjykatës së Hagës. Ishte Sekretar i caktimit të kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ishte avokat i madh i shqiptarëve dhe i çeshtjes shqiptare në Europë, duke luftuar si shqiptari më i madh për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ku mendohej se do të sigurohej juridikisht ekzistenca e shtetit shqiptar.
Më ngeli në mendje sidomos pjesa e dytë e thënies së tij “unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë”.
Ai, me sa duket, pas “sakatimit” apo “qethjes” së teritorit të Shqipërisë në dobi të Malit të Zi është ndjerë keq me këtë padrejtësi, jo të tij por të Fuqive të Mëdha, është ndjerë fajtor ndaj Shqipërisë dhe në gjithë jetën e aktivitetin e tij të mëvonshëm i ka dalë zot Shqipërisë si rrallë politikan tjetër europian i përmasave të tij.
Ndihma e d’Estournelles de Constant shkëlqeu më shumë se kurrë në kohën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ai ishte në atë histori avokati i madh i vendit tonë që nuk pushoi asnjë çast së binduri vendosësit për ta pranuar Shqipërinë.
Letërkëmbimi dhe artikujt e s’Estournelles de Constant në këto kohë ishin shumë të shpeshta e të forta. Ai interesohej për çdo gjë dhe gëzohej për çdo përparim.
Mbajti shumë fjalime. U shkroi shumë letra e telegrame autoriteteve më të larta të kohës duke u kërkuar ta ndihmonin Shqipërinë, duke përcjellë në çdo zyrë të rëndësishme diplo-matike fatin e nevojat e Shqipërisë për mbështetje.
I shkruan Mithat Frashërit, me 15 dhjetor 1920, dhe i lutet të përcjellë qeverisë shqiptare “përgëzimet e mia kardinale... për pranimin e Shtetit Shqiptar në Shoqërinë e Kombeve”.
Kryetari i Parlamentit shqiptar z. Dhimitër Kacimbra, në telegramin e 23 dhjetorit 1920, i shkruan d’Estournelles de Constant “Dhoma shqiptare, duke kuptuar që pranimi i Shqipërisë në gjirin e Lidhjes së Kombeve është kryesisht falë përpjekjeve bujare të Shkelqësisë tuaj, është shumë e gëzuar t’ju shprehë mirënjohjen e saj të thellë”.
D’Estournelles de Constant i përgjigjet në këtë mënyrë kryetarit të Parlamentit shqiptar z. Dhimitër Kacimbra : “Jam shumë i lumtur për gëzimin tuaj. Shqipëria lindi. Kjo është kryesore. Tani ajo duhet të jetojë, dhe për këtë, duhet që të jetë një model qeverisje dhe administrimi. Ajo do t’ia dalë, sepse ka mësuar nga vuajtja... Kini besim tek mua për të qenë kumbari i saj, miku i saj, këshilluesi i saj besnik si në ditët e mira ashtu edhe të këqia”.
D’Estournelles de Constant i shkruan me 18 maj 1921 edhe kryeministrit të Shqipërisë z. Iliaz Vrioni, ku e falenderon për pritjen që i është bërë në Shqipëri mikut të tij Justin Godart. Në atë letër ai nuk mungon të shprehet “Shqipëria do të jetë Zvicra e Ballkanit”. Nuk mungon të shkruajë në fund të letrës së tij për kryeministrin shqiptar : “Rroftë Shqipëria e lirë”.
Po përmend vetëm disa lidhje, kontakte, njohje, nderime, mirënjohje të ndërsjellta të d’Estournelles de Constant me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, pa hyrë në letrat, kërkesat, debatet, artikujt e shumtë që ai ka bërë në shtypin ndërkombëtar e me autoritetet më të larta ndërkombëtare e franceze për hir të Shqipërisë si avokat brilant i saj, gjithmonë, sa kujtoj unë, në përmbushje të premtimit të tij se “Unë do ta shlyej këtë borxh të rinisë” ndaj Shqipërisë.
Me 19 prill 1924 Presidenti i përkohshëm i Asamblesë së Shqipërisë i shkruan zonjës d’Estournelles de Constant : “Asambleja kushte-tuese shqiptare e informuar për humbjen e dhimbshme të burrit tuaj bujar, ka pezulluar në shenjë zie seancën dhe ka evokuar me respekt të thellë shërbimet e mëdha që ai i kishte bërë çeshtjes shqiptare në raste të ndryshme. Thellësisht të prekur nga vdekja e mikut të madh të Shqipërisë, ju lutem në emër të Asamblesë Kombëtare, të pranoni shprehjen e ngushëllimeve tona dhe simpatinë tonë të gjallë”.
Legata shqiptare në Paris njofton Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se në atë qytet është krijuar një komitet që mbledh fonde për t’i ngritë një përmendore d’Estournelles de Constant. Ministria e Punëve të Brendëshme, me 27 maj 1925, njofton prefekturat që të urdhërojnë bashkitë të mbledhin ndihma për këtë qëllim. “Tue qenë se ky shpirt i madh me inisiativë personale e botime të tija të panumërta ka mbrojtë të drejtat tona kundra shpifjeve të huaja me sa ka qenë e mundur, lutemi të urdhëroni bashkitë që të mbledhin ndihma për këtë qëllim…”.
Kur ka njohur shqiptarët së pari, kur ka filluar të mësojë për ta, kur ka parë sjelljet e veprimet e tyre, ai vihet para vetes së tij e nuk thërret si Hamleti, të jesh apo të mos jesh, por thotë : “Të jesh besnik, apo të mos jesh. Egoizmi individual, familjar, lokal, nacional, është gjithmonë ai që çon në sakrifikimin e më të dobëtit prej më të fortit. Në Shqipëri, për herë të parë, kam ndjerë se aty kishte, jo vetëm qenie, por njerëz që nuk mund të braktiseshin pa turp, në dobësinë e tyre”.
Shqiptarët e rritur e të vdekur gjatë shekullit që jemi shtet, kanë ditë e kanë mësue shkaqet pse jemi kaq sa jemi, pse kemi kaq teritore sa kemi. Ndoshta të gjithë i kanë ditë shkaqet e arsyet, por mua m’u ngulitën në mendje thëniet e d’Estournelles de Constant që tregon se sllavët e rusët nuk na donin dhe nuk na duan ne shqiptarëve këtu ku jemi, në këtë vend të lakmuar nga të gjithë, të bekuar nga zoti por të mallkuar nga vetë ne për shkak se rrallë e shumë rallë në historinë tonë një shekullore kemi ditë të nxjerrim qeveri e udhëheqës të duhur.
Si një “ushtri milingonash”, masa sllave u dynd drejt Perëndimit e papenguar nga fuqia tashmë e dobët e Perandorisë turke në rrënim por e penguar nga Gjermania dhe Austria.
Dy raca, të dyja pjellore, sllave e gjermanike, dy raca që donin, duan, do të duan hyrje të lirë në Mesdhe pasi Mesdheu është vendkalim, kryqëzim, që të çon në Afrikë, Azi, Lindje, Lindjen e Largët, ndo-shta mund të ishin marrë vesh paqësisht, pa shkaktuar tmerre luftrash, sakatime të trojeve shqiptare, që atëhere konsideroheshin si pjesë të Perandorisë Turke dhe nuk njiheshin si tërësi me emrin Shqipëri, tërësi që doli dhe filloi të njihej si e tillë pas vitit 1912.
“Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga Fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjt në pazarin ndërkombëtar”.
Kështu shkruan d’Estournelles de Constant në parathënien e librit të Justin Godart, parathënie që po ia paraqesim lexuesit si libër më vete.
Dhe nuk mungon të na qartësojë ne dhe ta shprehë revoltën, pendesën e ndjesën e vet kur na rrëfen se Mali i Zi “me një të rënë të lapsit kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar, nga 4.405 në 15.355 km, në dëm të Hercegovinës dhe Shqipërisë”. Traktati i Berlinit e rishikoi këtë privilegj por ia lëshoi megjithatë Podgoricën malazezëve me vetëm gjysmën e liqenit dhe Shkodrën shqiptarëve. Territori malazez i reduktuar kështu me një të tretën, me sipërfaqen prej 8.665 km, ishte akoma dyfishi i asaj që ishte para traktatit të Shën Stefanit.
“Askush nuk ua qante hallin shqip-tarëve. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin”, shkruan d’Estournelles de Constant me penë të ngjyer në zemërimin e tij, në zhgënjimin për rrjedhjen e ngjarjeve europiane të asaj kohe në dëm të shqiptarëve e të Shqipërisë dhe në dashurinë për shqiptarët.
Botimi i këtij libri është ngritja e përmendores së mirënjohjes tonë për të, është marrja, nga ne e kësaj përmendoreje që ai e ka ngritë vetë dhe sjellja e saj para syve tonë, në sheshet djerra të ndërgjegjes tonë, me shpresën se shqiptarët nuk do të rudhin buzët, nuk do të shtrembërojnë fytyrën dhe nuk do t’u dhëmbin sytë kur ta shohin këtë përmendore, siç u ndodh me shumë përme-ndore pameritore që ua vrasin sytë përditë.
D’Estournelles de Constant mund të ketë marrë nderime e mirënjohje të shumta në Shqipëri, mund t’i jenë dhënë tituj e grada nga krerët e shtetit shqiptar, përderisa s’ka ngelë kush pa marrë të tilla në këtë vend. Mund të ketë rrugë me emrin e tij në kryeqytet apo në ndonjë qytet tjetër përderisa tabelat e udhëve janë mbushë me emra anonimësh të shquar si të tillë. Mundet t’i jenë dhënë të gjitha titujt e mirënjohjet që i takojnë e i meriton prej shtetit shqiptar e unë nuk e di. Ky libër i vogël, që e quaj përmendore të vogël, nuk mbivendoset në asgjë, nuk është tepër në asnjë rrethanë.
Sado e sido që të shkruaj unë, kurrë nuk arrij të jem në lartësinë e nobelistit d’Estournelles de Constant, në lartësinë e këtij miku të madh të shqiptarëve, që na ka dashtë kur nuk na donin, pa ia kërkuar ne që të na dojë, që na ka dashtë pa leverdi dhe interes, që na ka mbrojtë kur na shkatërronin e ishin gati të na zhbënin, pa ia kërkuar ne që të na mbrojë.
Ia paraqesim lexuesit këtë libër të vogël të këtij njeriu të madh, pa na e kërkuar ai, në shenjë dashurie e nderimi për të, pa i marrë leje që ta duam e ta nderojmë, të shtyrë nga detyrimi dhe mirënjohja që duam t’ia artikulojmë për atë që ka bërë për ne shqiptarët.
Ky libër i madh, i vogël në dukje, me titullin Unë i kam shumë borxh Shqipërisë, i d’Estournelles de Constant, që po merr në dorë lexuesi shqiptar, për herë të parë në gjuhën shqipe, më bën shumë nder e shumë krenar.
Kjo parathënie e d’Estornelles de Constant për librin e Justin Godart, “Shqipëria në 1921”, që e sjellim libër më vete për rëndësinë që ka, që besoj se është parathënia e parathënieve e të gjithë librave të shkruara për Shqipërinë, shqiptarët e fatin e tyre, mendoj se duhet të jetë në çdo familje shqiptare, në çdo bibliotekë, dhe duhet të lexohet nga çdo shqiptar, nxënës, student, mësues, pedagog, nëpunës, politikan, historian, diplomat, udhëheqës.
Humanistë të tillë të mëdhej si d’Estournelles de Constant janë urat e dashurisë që bashkojnë kombet, janë diga të larta ku troshitet urrejtja e mënia që shpesh përcëllon me flakë lufte popujt.
Përkrahja e d’Estournelles de Constant ndaj shqiptarëve e Shqipërisë në ditët e tyre më të këqia e çastet më të rënda të fatit të keq, pa llogaritur mbështetjen e mëvonshme të Francës ndaj shqiptarëve, pa llogaritur edhe mbështetjen e saj ushtarake për dëbimin e Serbisë prej Kosovës shqiptare, do të mjaftonte që të mos pëshpëritej asnjë zë dyshimi për miqësinë e Francës ndaj shqiptarëve.
Si intelektual, politikan e diplomat shumë i njohur në Europë, si institucion moral i nji niveli shumë të lartë e autoritar, ai e donte, nderonte dhe e mbronte si rrallëkush Shqipërinë dhe shqiptarët, kur ata patën nevojë më shumë se kurrë, në ngjizjen e shtetit shqiptar, por më shumë se çdo gjë ai donte dhe mbronte të vërtetën.
Shqipëria ishte e vërteta e tij e madhe.

http://floripress.blogspot.com/2015/03/une-i-kam-shume-borxh-shqiperise-une-do.html

“Fol shqip, se je shqiptar!”



Prof.dr. Eshref Ymeri

(Mos u mërzit, miku im Albert Zholi)

Në faqen e internetit “KosovariMedia” të datës 20 mars 2015, lexova një shkrim të shkurtër të gazetarit dhe të publicistit të mirënjohur Albert Zholi, me titull: “E ç’i duhet shqipja?!”.
Image result for Albert Zholi

Në këtë shkrim ai risjell në kujtesë një ngjarje të vitit 1999, kur ndodhej emigrant në Athinë. Një ditë të diel ai kishte shkuar të vizitonte kopshtin zoologjik të qytetit, ku, rastësisht, pati takuar një shokun e tij të vjetër, inxhinier Agimin, i cili ia zgjati dorën me përtesë, ndërkohë që me dorën tjetër po mbante një fëmijë 6-7 vjeç. Për të shpëtuar nga sikleti, në të cilin e vuri inxhinier Agimi me indiferencën e tij të pabesueshme, Alberti iu drejtua fëmijës me një ton të ëmbël se si e quanin. Por, çuditërisht, fëmija hapi sytë dhe vështroi të atin. Nga biseda që vazhdoi më pas me inxhinier Agimin, doli se fëmija i tij nuk kuptonte shqip absolutisht asnjë fjalë. Domosdo që Alberti u habit. Por inxhinier Agimi e sqaroi:
“ - E, ç’i duhet shqipja?!... Apo t’i thonë shokët “alvanos”. Eh, Berti i dashur, kanë ndryshuar kohët... Fëmijët duhet t’i përshtaten sa më mirë ambientit ku jetojnë... Pastaj nocioni Atdhe apo Komb ka ndryshuar. I kanë humbur vlerat fillestare, arkaike”.
Sikur ky inxhinier Agimi,këto fjalë t’ia thoshte ndonjë anglezi, ndonjë francezi, ndonjë gjermani, ndonjë zvicerani, ndonjë rusi, ndonjë maqedonasi, ndonjë serbi, pa le pastaj po t’ia thoshte ndonjë greku, a e përfytyron dot ai se çfarë përgjigjeje do të merrte? Por më e çuditshmja është se ky shoku i Albertit, njëherë e një kohë, kur punonte inxhinier ndërtimi në Shqipëri, ishte tjetër njeri. Prandaj Alberti kujton:
“Më kishte rënë rasti ta dëgjoja në zbore ushtarake, kur fliste për Luftën Nacionalçlirimtare, për mbrojtjen e atdheut e patriotizmin...Nga më të dalluarit e komisarëve ishte...që bënte be për gjuhën shqipe e për Atdheun, pastaj për kokën e nënës së tij...”.
Ky shkrim i gazetarit dhe i publicistit sa të talentuar, aq edhe atdhetar, i mikut tim Albert Zholi, më solli menjëherë në kujtesë një këngë të bukur të këngëtares Artiola Toska, të kësaj ikone të këngës popullore shqiptare, të cilën e ekzekuton së bashku me një tjetër këngëtare-ikonë, Ponin. Ajo vetë ka bërë tekstin dhe kompozimin e kësaj kënge, e cila rrezaton atdhetari të kulluar dhe ngre peshë zemrën e çdo bashkëkombasi që i thotë vetes shqiptar, qoftë në mbarë trojet tona etnike, që nga Tivari, Mitrovica, Presheva, Shkupi, Janina, Arta e Preveza (në qoftë se ka të tillë në këto tri të fundit), qoftë në diasporë dhe në mërgatën e largët. Për repertorin e pasur të këngëve popullore, por sidomos për autorësinë e tekstit dhe për kompozimin e kësaj kënge, mendoj se do të ishte shumë mirë sikur prapavijat e Presidentit të Republikës t’i propozonin Presidentit t’iakordonte artistes së shquar Artiola Toska titullin “Mjeshtër i Madh”.Frymëzimin për këtë këngë të magjishme atdhetarie, artistja Artiola e ka marrë, nëse nuk e kam gabim, nga një vizitë që ka bërë në qytetin e Bursës në Turqi, ku ka shumë shqiptarë dhe madje edhe kryetari i bashkisë është shqiptar.
Këtë këngë e ka orkestruar mjeshtërisht Alban Furtuna dhe videoklipi ka dalë i shkëlqyer. Ja teksti i plotë i saj:

Çdo behar kur vij/Për festa, për gëzime,/Vështirësinë egjej/Në gjuhën e nënës sime./Shqip të foli nëna/Kur erdhe në jetë,/Mos e harro gjuhën/Kudo që të jesh./Një fjalë po ta them,/Amanet nga të parët:/Ta mbashmend për jetë,/Fol shqip se je shqiptar!/Ti ke gjuhëntënde,/ Kurrë mos e harro,/Gjuhën edhe emrin/Kurrë mos i ndrysho!Sa shumë u munduam/Për një amanet:/Mos e harro gjuhën/Kudo që të jesh!/Një fjalë po tathem,/ Amanet nga të parët:/Ta mbash mend për jetë,/Fol shqip se je shqiptar!

Ai inxhinier Agimi me siguri që i përket sërës së atyre shqiptarëve të gjorë, të cilët çirreshin e qanin me të bërtitura kur vdiq Enver Hoxha, paçka se në orën 12 të natës, për qejfin e politikës varfëruese të Enverit, shkonin e zinin radhën para dyqanëve të bulmetit apo të mishit për një shishe qumësht, për ndonjë pako gjalpë, si edhe për ndonjë çikë mish për të ushqyer fëmijët.
Mos u mërzit, miku im Albert, që shoku juaj i dikurshëm, inxhinier Agimi, nuk i ka mësuar fëmijës së vet asnjë fjalë të gjuhës amtare, se në familje flet vetëm greqishten. Sepse, sipas tij,Atdheu, Kombi dhe Gjuha Shqipe tingëlluakan si diçka arkaike! Por në këtë mes, ore Albert i nderuar, nuk ka asgjë për t’u habitur. Sipas një fjale të urtë, thuhet se jeta është luftë. Luftë për të mbijetuar. Në këto përpjekje, herë-herë të ashpra për mbijetesë, vihet në provë karakteri i njeriut, i cili është produkt i edukimit tradicional të çdo familjeje shqiptare. Sigurisht që njerëzit me taban të lëkundur familjar, nuk i përballojnë dot përplasjet me vështirësitë e jetës, prandaj dhe e lëshojnë veten, tjetërsohen, mohojnë të kaluarën, deri edhe Atdheun dhe Gjuhën amtare, si puna e inxhinier Agimit që ju e përmendni në shkrimin tuaj aq domethënës dhe, me heshtjen tuaj, e shpotitni me aq lezet. Njerëzit e tipit të inxhinier Agimit përfaqësojnë njerëzit e dobët të kombit shqiptar dhe s’kemi pse dëshpërohemi se çdo komb ka “të dobëtit” e vet. Por e keqja është se njerëz të tillë të dobët, si puna e inxhinier Agimit, mendojnë se, duke mohuar Atdheun, Kombin e vet dhe Gjuhën Amtare, do të jenë “të parapëlqyer dhe të respektuar”nga grekët! Në të vërtetë, është e kundërta: këta njerëz që mohojnë identitetin e vet kombëtar, shihen dhe trajtohen nën zë me shpërfillje dhe me përbuzje nga grekët. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes lidhet me atdheun amë, me shtet-ziun shqiptar që e përfaqëson Tirana zyrtare, e cila nuk ka dashur dhe nuk do t’ia dijë absolutisht për fatin e emigrantëve tanë në Greqi. Dhe këtyre njerëzve në emigracion, të braktisur tërësisht nga shteti i tyre, s’u mbetet gjë tjetër, veçse të ndjekin gjurmët e arvanitasve, të “arvanitizohen” deri në “greqizim” të plotë dhe mandej të shndërrohen në njerëz edhe më inatçor kundër atdheut të dikurshëm sesa vetë grekët rrënjës.
Unë jam i bindur se shovinizmi grekokaragjoz dhe kisha shoviniste greke kanë qenë dhe mbeten armiq të kombit shqiptar dhe pikësynimi i tyre i përhershëm ka qenë shkombëtarizimi i shqiptarëve, duke nisur fillimisht me arvanitasit, të cilët, tradicionalisht, fill pas krijimit të shtetit grek në fillimet e shekullit XIX, i ndalonin të flisnin gjuhën shqipe, qoftë edhe në mjediset e tyre familjare. Ja se çfarë ka deklaruar Kolë Boçari, profesori australian me prejardhje shqiptare nga radhët e arvanitasve:
“Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”” (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”.(Shtëpia Botuese “Weso”.Tiranë 2009, f. 326).
Ka shumë të drejtë profesor Boçari, por është halli se kush të na e emanciponte klasën politike të Tiranës që të vetëdijësohej nacionalisht fill pas formimit të shtetit shqiptar dhet’i kërkonte shtetit shovinist grek njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi?! Siç e përmend profesor Kolë Boçari. Këtë kërkesë nuk e shtroi kurrë asnjë qeveri shqiptare pas vitit 1920 dhe deri në ditët e sotme.
Kuptohet vetvetiu që edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, para të cilëve Athina zyrtare, në fund të dhjetorit 1990 dhe në janar të vitit 1991, kufijtë me Shqipërinë, tërësisht për interesat e veta, për interesat e agallarëve grekë, i shqeu kat e kat, sikur të kishin qenë porta të ndonjë shtëpie publike, ka mbajtur një qëndrim shovinist për shkombëtarizimin e tyre, qoftë përmes ndërrimit të emrave, qoftë përmes ndërrimit të besimit fetar. Heshtja e klasës politike pas vitit 1990 për mbrojtjen e emigrantëve nga rreziku i shkombëtarizimit, ka qenë tragjike. Me këtë heshtje, klasa politike e Tiranës ka zbuluar mercenarizmin dhe servilizmin e vet të pështirë para shovinizmit grek.
Kjo heshtje ka sjellë pasoja të rënda për ne si komb, pasi shumica e emigrantëve tanë në Greqi po shkon drejt asimilimit, ashtu siç u asimiluan arvanitasit. Këtë të vërtetë tragjike e zbulon fare qartë zotëria i nderuar Kristo Zharkalli, në analizën e vet me titull “E vërteta dhe legjenda”, të botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 12 prill 2015.
Klasa politike e Tiranës, gjatë këtij çerekshekulli, emigrantët tanë në Greqi i ka braktisur në mëshirën e fatit, nuk ka treguar kurrfarë interesimi që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, duke mos bërë kurrfarë investimi për t’i pajisur ata me abetare dhe me libra të tjerë përkatës, për çka ka ngritur zërin e tij të fuqishëm atdhetari Abdurahim Ashiku, të cilit prof.dr. Andrea Shundi i ka bërë një homazh të bukur në faqen e internetit te “Fjala e Lirë” të datës 02 prill 2015,me artikullin me titull “Dy ditë veprimtari me Abdurahim Ashikun”.
Siç shihet nga analiza me fakte konkrete që bën zotëria i nderuar Kristo Zharkalli, mund të arrihet në përfundimin se klasa politike e Tiranës, për shkak të mercenarizmit të vet në shërbim të shovinizmit grek, ka qenë dhe është mjaft e interesuar për ta nxitur mpakjen e popullit shqiptar përmes hemorragjisë së emigracionit. Largimet e kohëve të fundit nga disa vise të Shqipërisë, si Kukësi, Vlora, Shkodra, Orikumi etj. dëshmojnë se Tirana zyrtare është duke krijuar kushte rënduese ekonomike, me qëllim pakësimin në vazhdimësi të popullsisë së vendit tonë.
Të gjithë ata emigrantët në Greqi që kanë arritur të mbeten shqiptarë,unë dëshiroj t’i shikoj përmes po asaj optike që i shikoj dhe i vlerësoj edhe zotërinjtë e nderuar, si Abdurahim Ashiku, Danel Canaj, Kristo Zharkalli, Novruz Abilekaj, Sotir Athanasiu, zonjën e respektuar, mësuesen heroinë të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptar, Vera Shkurti, e sa e sa të tjerë, të cilët, duke i përballuar me dinjitet hallet e jetës në emigracion, kanë arritur ta ruajnë në zemrën e tyre ndjenjën e shqiptarisë.


Charlotte, Karolina e Veriut/15 prill 2015








foto e Albert Zholi - Fanpage




E, Ç’I DUHET SHQIPJA?!...

Albert Z. ZHOLI

Atë të dielë kopështi zoologjik i Athinës kishte më shumë vizitorë. Unë kisha vendosur që të shlodhesha pranë kafshëve të rralla, duke menduar se do e kapërcerja dot ankthin e mos lirisë së tyre. Kafshët, që do të shihja, ishin nëpër kafaze, larg pyjeve, kopeve, familjeve, e shqyrjeve ulërimave. Larg të gjitha atyre që i bëjnë ato kafshë. Shikoja me radhë dhe mendimet më shkonin tek origjina e jetës...Edhe kafsha nuk është më kafshë, mendova. Njeriun, për para e për qejf jo vetëm jetën e njerëzve, s’di c’ta bëjë, por edhe të kafshëve. Njeriu jeton sic do paraja, edhe kafshët jetojnë sic do paraja e njeriut” Mendoja kot duke shikuar kafshët .
Nga ajo botë mendimesh më nxorri përballja me një shokun tim, i fola sa e pashë, sikur doja të shpëtoja nga ato mendime, që më rëndonin në tru. Agimi mezi reagonte dhe më zgjati dorën si me përtesë. Me dorën tjetër mbante një fëmijë 6-7 vjecare, të bukur e të shëndetshëm.
E justifikova ftohtësinë e tij. Kanë halle njerëzit mendova.Në këtë kohë nuk gjen njeri pa halle. Vetë jeta prej refugjati është hall. Agimi kishte mbaruar shkollën për inxhinier ndërtimi dhe qe i zoti në zanatin e tij. Ishte edhe i zoti i fjalës. Më kishte rënë rasti ta dëgjoja në zbore ushtarake, kur fliste pr Luftën Nacionalclirimtare, për mbrojtjen e atdheut e patriotizmin...Nga më të dalluarit e komisarëve ishte...Për të dalë nga ajo gjendje zymtësie apo për t’i dhënë pak dritë takimit tonë, në këtë takim të pas kaq shumë vitesh, në vends tjetër e në rrethana të tjera, përkëdhela fëmijën e tij dhe e pyeta ëmbël: “ Si të quajnë”?- vogëlushi më shikoi si i habitur pastaj hodhi sytë nga i ati.
- Shkon në shkollë?- pyeta përsëri unë, duke e kapur lehtë nga faqet, për t’i zhveshur ndrojtjen e mospërgjigjes.
-Andon, xhaxhi të pyet se si e ke emrin dhe a shkon në shkollë- foli baba Agimi në gjuhën greke. Fëmija u cel në fytyrë dhe u përgjigj në gjuhën që e pyeti i jati:
-Më quajnë Andon dhe jam në klasë të parë.
Djali, I kënaqur nga përgjigja që dha, buzëqeshi dhe bëri disa lëvizje të pëpaërcaktuara me duart e vogla.
- Si? Nuk di të flasë shqip?- pyeta unë i cuditur, më tepër nga ajo që babai i tij ishte Agimi, inxhinier Agimi, fjalëshumë Agimi, që bënte be për gjuhën shqipe e për Atdheun, pastaj për kokën e nënës së tij ...
- E, c’i duhet shqipja?!- foli Agimi me aq lehtësi, sikur të thoshte “ c’pe do duhanin ?! Të bën dëm po ta pish” Pastaj si për t’i dhënë më bindje fjalëve që tha vazhdoi: - Apo t’i thonë shokët “ alvanos”.
- Eh, Berti i dashur, kanë ndryshuar kohët...Fëmijët duhet t’i përshtaten sa më mirë ambjentit ku jetojnë ...Pastaj nocioni Atdhe apo Komb ka ndryshuar. I kanë humbur vlerat fillestare, arkaike.
Ai vazhdoi të fliste, me të njëjtën pasion sic fliste të kundërtat para disa vjetësh, por unë nuk mund ta dëgjoja dot më. Veshët vetëm më thithnin copa fjalësh pa kuptim. Hodha sytë nga kafazi përballë, por edhe kafsha ,muze përveshi buzët, sikur donte të më përqeshte mua njeriun...
Athinë, 1999

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...